• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY NGJARJE ME RËNDËSI FETARE DHE KOMBËTARE NË TROJET SHQIPTARE

August 24, 2017 by dgreca

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Këshilli për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit ka shpërndarë njoftimin zyrtar dhe ftesat për Shënjtërimin e Katedralës “Nënë Tereza” në Prishtinë, më 5 shtator 2017, që bie në 20-vjetorin e vdekjes dhe në 1-vjetorin e shenjtërimit të saj.  Ndërsa dy ditë më parë, me 3 shtator do të zhvillohet ceremonia e dedikimit të Katedralës së re Shën Pjetri në Tivar, një qëndër kjo e vjetër kishtare me një histori të gjatë, duke filluar nga themelimi i saj në shekullin e 9-të.    Kështu pra sivjet dhe brenda më pak se dy javësh, në të njëjtin muaj dhe në të njëjtin vit, dy qendra të mëdha në trojet shekullore autoktone shqiptare, përfshirë Dardaninë antike, po e rivendosin namin e vet historik.Në njoftimin e Administraturës Apostolike të Prizrenit thuhet gjithashtu se ceremoninë madhështore në Prishtinë do ta kryesojë i dërguari personal dhe special i Papës Françeskut, hirësia e Tij, kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani.  Në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës evokohet pak histori për vendin ku është ndërtuar Katedralja, e ku ndër të tjera thuhet:  “Në afërsi të Ulpianës, Shën Florit dhe Laurit, martirëve tanë të parë të Dardanisë (fillimi i shekullit të II pas Krishtit), krejt afër varrit dhe eshtrave të zhdukur të arqipeshkvit të fundit të Prishtinës, Imzot Pjetër Bogdanit, si dhe martirëve të panumërt të shumë gjeneratave, kemi hirin dhe dhuratën të lajmërojmë dhe të ftojmë në shugurimin e Shenjtërores, “Nëna Tereze” në Prishtinë, Bijës, Motrës dhe Nënës së këtij Populli dhe kësaj Kishe, në të cilën ajo mori sakramentet dhe thirrjen misionare në Shenjtëroren dioqezane në Letnicë”.

Njoftim-ftesa shënon gjithashtu një historik të zhvillimit të idesë për ndërtimin e Katedralës, shënon se duke konsideruar “faktet e mësipërme historike, si dhe nevojën e kahershme të Kishës sonë, Komuna e Prishtinës, me mbështetje të madhe të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës, ndau truallin e caktuar për ndërtimin e kësaj Shenjtërore.  Pas studimit dhe përpunimit të projektit nga arkitekti Livio Sterlicchio dhe grupi i tij nga Roma, gur-themeli është bekuar më 26 gusht 2005, nga tashmë i ndjeri Imzot Mark Sopi, në praninë e të ndjerit Dr. Ibrahim Rugova, me pjesëmarrje të kardinalit amerikan Theodor McCarrick, Imzot Zef Gashi, Imzot Dodë Gjergji, meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, autoriteteve ndërkombëtare dhe vendore dhe të shumë besimtarëve dhe qytetarëve”.

auto_71503597248

Mesazhi i Nënë Terezes në gjuhën e saj amëtare drejtuar popullit shqiptar nga Oslo e Norvegjisë në vitin 1979

auto_711503597246

Ne Foto: Katedrala Shën Nëna Tereze në Prishtinë

Ndërkaq, thuhet se vdekja e papritur e ipeshkvit Imzot Mark SOPI, (11 janar 2006), si dhe e Presidentit të  Dr. Ibrahim Rugova, (21 janar 2006), kishte shkaktuar shtyrje të domosdoshme të procesit të ndërtimit. Por me emërimin dhe ardhjen e ipeshkvit të ri për Kosovë, Imzot Dodë Gjergji,  ky proces u përshpejtua, ndërkohë që puna për ndërtimin e katedralës filloi më 5 shtator  2007, në festën e së Lumes Nënës Tereze”, thuhet mëtej.

Në njoftim/thirrjen dërguar nga Mons. Lush Gjergji, e arritur të mërkurën(24 Gusht) në postën time elektronike theksohet domethënja, mesazhi dhe objektivat kryesore që mbartë prania e katedralës kushtuar Nënë Terezes në kryeqytetin e Republikës së Kosovës, në Prishtinë. Aty thuhet se:   “Shenjtërorja “Nëna Tereze” në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë.  Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”, thuhet në njoftimin e Kishës Katolike të Kosovës, kushtuar bijës së këtij populli të lashtë, “Gonxhe Bojaxhiu, kjo “Lule” e tokës dhe gjakut tonë, që u bë motra Tereze e Loretos (1929); Nëna Tereze, “Misionare e Dashurisë” (1950); Nobeliste e Paqes (1979), e Lumja Nëna Tereze (2003); Shën Nëna Tereze (2016)”, përfundon njoftimi i Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, në lidhje me ceremoninë e 5 shtatorit 2017 në Prishtinë.

Ndërkohë që shugurimi i njoftuar tanimë i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë me 5 shtator ka siguruar edhe më heret publicitetin e merituar si ngjarje me rëndësi për të gjithë shqiptarët pa dallim dhe kudo, një tjetër Katedralë Katolike Shqiptare po merr një pamje tjetër, gjithashtu e ndodhur historikisht dhe aktualisht, në trojet autoktone shqiptare.  Është fjala për Katedralën e vjetër, tani të rindërtuar të Tivarit, e cila ka një histori të lashtë mbi 900-vjeçare, por edhe të pasur historikisht, nga pikëpamja fetare dhe kombëtare në trojet shqiptare, si njëra prej qendrave kryesore të katolicizmit në Shqipërinë e Veriut.

(Një shënim personal, nëqoftse më lejohet të përmend lidhjet e mia qysh në fëmijëri me këtë qëndër historiko-fetare.  Ishte prej derës së Katedralës së vjetër të Tivarit që Arkipeshkvi i atëhershëm, Aleksandër Tokiqi, fund gushtin e vitit 1965 — kur isha vetëm 15 vjeç – së bashku me prindërit e mi më përcolli për në anijen që shkonte nga porti i Tivarit për në portin e qytetit Rijeka në veri-perëndim të Kroacisë, për të vazhduar mësimet në gjimnazin klasik të urdhërit të salezianëve).

850x636_721503597244

Kështu, pra dy qendra të mëdha shqiptare, jo vetëm fetare por edhe kombëtare, po e rivendosin namin e vet historik në Dardani dhe në trojet shqiptare, Tivar-Ulqin-Malësi.  Këto dy qendra me rëndësi, nën rrethana të ndryshme historike kanë patur dhe do të kenë shumë të përbashkëta, ndërkohë që në frymën e Nënë Terezës, do t’i shërbejnë shqiptarëve, që të shtojnë dashurinë jo vetëm ndaj Perendisë, por edhe dashurinë ndaj njëri tjetrit – ku pa dallim feje a krahine, si vëllëzër të një gjaku, siç thuhet edhe në njoftimin e Këshillit për media i Administraturës Apostolike të Prizrenit, “Ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën”.

Në të vërtetë, ishte kjo frymë dashurie, qytetërimi dhe bashkjetese fetare midis shqiptarëve të një gjaku – sidomos atyre në diasporë, por jo vetëm — që bëri të mundur financimin për ndërtimin e këtyre dy objekteve fetaro-kombëtare. Përsa jam në dijeni, ishin kryesisht ndihmat financiare të grumbulluara sidomos nga komuniteti shqiptaro-amerikan — pjesëtarë të tri feve kryesore të shqiptarëve pa dallim, në Shtetet e Bashkuara — por edhe amerikanë miqë të shqiptarëve, të cilët dhuruan shuma të mëdha drejtë realizimit të përfundimit të këtyre dy objekteve.  Ndërtimi i këtyre dy katedraleve është rezultat i ndihmës shqiptare për shqiptarët. Ishte kënaqsi të shikoje organizimet vjetore të lojës së golfit, organizuar nga Anton Raja me shumë shokë, ku merrnin pjesë shqiptaro-amerikanë nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje e krahine dhe shumë dashamirës të dy besimeve — vëllëzrit myslimanë dhe ortodoksë — me qëllim mbledhje fondesh nga viti në vit, ekskluzivisht, për ndërtimin e katedralës së Nën Terezës në Prishtinë.  Këto takime vjetore do të mbeten gjatë në kujtesën e pjesëmarrsëve.

Shqiptarët e Amerikës e kishin kuptuar me kohë rëndësinë e themelimit të qendrave fetare këtu në Shtetet e Bashkuara dhe mbëshetetjes së ndërtimit të këtyre objekteve në trojet shqiptare në Ballkan, sidomos pas shëmbjes së komunizmit.  Qëndrat fetare shqiptare dhe komuniteti shqiptaro-amerikan pa dallim kanë njohur jo vetëm dobinë shpirtërore por edhe rolin patriotik të këtyre qendrave, duke filluar nga veprimtaria fetaro-patriotike e Fan Nolit dhe themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare, Shën Gjergji në Boston e deri tek kohët e fundit por edhe më heret, në një histori jo të largët.  Duhet përmendur Teqenë Bektashiane në Detroit, xhamiat e shumëta shqiptare në qytetet kryesore të Amerikës,  kishat ortodokse shqiptare gjithashtu dhe kishat katolike si motra që me vite i kanë shërbyer këtij komuniteti, por edhe nuk janë kursyer kurrë së ndihmuari edhe projekte të ndryshme anë e mbanë trojeve shqiptare – përfshirë edhe ato fetare, siç janë rastet e lartëpërmendura.  Synimi është dhe ka qenë gjithmonë që me këto qëndra – në një botë të huaj shpesh të rënduar nga goditjet e fatit, larg familjeve e të dashurve — të mbahen gjallë sa është e mundur, jo vetëm besimi, por edhe gjuha, zakonet e doket, thjeshtë kombëtare.  Megjithë sulmet e dikurshme të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaj imigracionit “armiqësor” dhe megjithë indiferentizmin që shpesh është shfaqur ndaj diasporës nga qeveritë post-komuniste të Shqipërisë dhe të Kosovës – flas kryesisht për komunitetin shqiptaro-amerikan të cilin e njoh deri diku  diaspora ka ndihmuar me zemërgjërsi dhe i ka dalë zot kombit të vet, pa kërkuar kurrë asnjë shpërblim, qoftë material qoftë politik për përpjekjet e tyre në ndihmë të Atdheut.

Besoj se shumë prej nesh që jetojmë këndej oqeanit mbetemi të interesuar dhe vuajmë për fatet e bashkombasve tanë në Ballkan. Kjo ndodhë ndoshta për arsye poetike, ndoshta për ndiesi shpirtërore, ndoshta për dashurinë ndaj një historie të lavdishme por shpesh të vështirë dhe plot vuajtje.  Për mua personalisht, madje edhe në një moshë të shkuar, interesimi për fatin e shqiptarëve kudo, mbetet gjithnjë një dashuri idealesh, që gjenë kënaqësi në vetvete, pa kërkuar asgjë hiç – në mbrojtje sado pak të vogël, të një pasurie dhe historie kombëtare të trashëguar nga të parët tanë – por që megjithse larg nga Atdheu i zanafillës sonë – na jep mundësi që ta quajmë veten shqiptarë në një botë të huaj.  Kjo, pra është edhe arsyeja që krenohemi me emërin e Nënë Terezës, sepse na nderon dhe na bën krenarë që ta quajmë veten shqiptarë — kudo që na ka hedhur fati i jetës në këtë botë.  Kështuqë, shpresoj që edhe inaugurimi, javën e parë të shtatorit, i Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë dhe i Katedralës Shën Pjetri në Tivar, të jenë festa mbarëkombëtare, takime vëllazërore, pa dallime fetare a krahinore, a po ngjyrash të tjera.  Një gjë e tillë do të ishte shpërblimi më i madh për të gjithë ata që kanë kontribuar në ndërtimin e tyre.  Do të ngushëllonte gjithashtu edhe zemrat e të gjithë mërgimtarëve shqiptarë pa dallim feje, por të cilët kontribuan në ndërtimin e këtyre dy monumenteve madhështore, pikërisht për këtë arsye, sepse krenohen me emërin shqiptar. Shpërblim tjetër më të mirë se këtë nuk dëshiron askush.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 2 ngjarje Kombetare, E TIVARIT, Frank shkreli, Katedralja e Prishtines

NJË MEMORIAL PËR TË RËNËT NË MASAKRËN E TIVARIT

October 29, 2015 by dgreca

NJË MEMORIAL PËR TË RËNËT NË MASAKRËN E TIVARIT
NGA URAN BUTKA*/
Masakra e Tivarit është një nga plojat më të përgjakshme dhe më të pabesa ndaj shqiptarëve. Ajo u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav kundrejt popullit shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavi në muajt mars-prill të vitit1945.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.”
Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë “
Ky genocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZNA-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaro-madh”, si luftë kundër reaksionit të djathtë antikomunist në Kosovë e viset e tjera shqiptare, si luftë kundër “bashkëpuntorëve” të nazifashizmit etj. Por në fakt ishte luftë për ripushtimin e Kosovës e viseve shqiptare, nënshtrimin dhe spastrimin etnik të tyre.
Masakra e përgjakshme e Drenicës dhe zhbërja e plotë e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem dhe s’u kthye më, ishin prologu i masakrës së Tivarit.
Rekrutimi dhe grumbullimi i shqiptarëve nga 14 vjeç e lart prej të gjitha trevave shqiptare, për t’i zbrazuar ato nga forcat e gjalla kombëtare, u bë në Prizren, në kazermat e ushtrisë, ku fillimisht u vranë krerët kryesorë të rezistencës shqiptare, madje edhe oficerë shqiptarë të Ushrisë NÇ. Të mobilizuarit e tjerë i çarmatosën tërrësisht, madje edhe nga sendet personale, i keqtrajtuan dhe si robër lufte i nisën për në Frontin e Adriatikut. kinse për të luftuar kundër gjermanëve!? Edhe ky një mashtrimi radhës.
Sipas burimeve ushtarake jugosllave të Institutit të Historisë së Beogradit dhe të KQ të PKJ, cituara edhe në këtë studim, numri i rekrutëve shqiptarë, të mobilizuar dhe të dërguar dhunshëm të paarmatosur, të zhveshur, të uritur dhe të etur, sepse edhe ujë nuk i linin që të shuanin etjen dhe që komandanti serb Drleviç i fyente dhe i quante “frymë”, si të ishin shpirtra të vdekur, rezulton të ishte afërsisht 13.050 vetë, që u përkisnin afërsisht tri kolonave të nisura më 24, 26 dhe 27 mars 1945 me 7700 rekrutë dhe tri kolonave të nisura më 19, 20 dhe 24 prill 1945 me 5337 rekrutë.
Për shoqërimin, ruajtjen dhe eliminimin e tyre ishin caktuar nga Shtabi i Suprem i Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej edhe Brigada X malazeze, gjë që tregonte sesa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhet të përfundonte në një kasaphanë të mirëprojektuar në Tivar.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945, citojmë:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.”
Siç duket qartë edhe nga ky dokument, por edhe nga të tjerë burime, ndjekja dhe vrasja e rekrutëve shqiptarë u bë në kordinim e bashkëpunim mes ushtrisë jugosllave dhe asaj të Shqipërisë.
Gjithnjë, sipas burimeve ushtarake kryesisht jugosllave, nga tri kolonat e muajit mars 1945 dhe tri kolonat e muajit prill 1945, , u asgjësuan gjithsej 2543 rekrutë shqiptarë, nga të cilët 1560 vetëm në Tivar. Pohuar me gojën e tyre dhe e konfirmuar nga disa burime.( shih botimin “Masakra e Tivarit” e autorit Uran Butka)
Po tragjedia më e madhe ndodhi në mesditën e datës 31 marsit 1945 në qytetin e vogël të Tivarit, ku ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.
Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze e komanduar nga Gosha Markoviç, pikërisht këtu në Tivar, për pozicionin gjeografik, që kishte, dhe mundësinë e fshirjes së gjurmëve dhe fshehjes së krimit.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, në rrugën që të çon në ndërtesën e Monopolit të Duhanit, arriti pikun e saj në oborrin dhe më pas në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit, mandej gjuetia e shtrigave pë rata që kishin shpëtuar nga ajo kasaphanë.
I mbijetuari i kësaj masakre, Azem Hajdini, në letrën e hapur që i dërgon qeverisë së Kosovës, korrik 2009, dëshmon:
“Rreth ndërtesës së Monopolit të Duhanit, oborrit dhe shkëmbinjve ishin kurdisur me kohë pesë punkte, prej nga shtihej si mbi egërsira, me mitraloz, mortaja, trombllona, topa dhe armë të tjera zjarri. Përveç armëve të zjarrit, ushtarët dhe qytetarët përdorën edhe armë të ftohta si bajoneta, thika, sëpata, këmesa, cfurqe etj. Nga detonimet, na dridhej toka nën këmbë. Bubullima e armëve shoqërohej me ulurimat e kriminelëve, që shtinin mbi ne, duke na sharë e duke na fyer. Nga çdo anë fluturonin copat e trupave: këmbë, duar dhe gjymtyrë të tjera. Qielli ishte errësuar plotësisht, dukej sikur ishte muzgu i mbrëmjes. Rrezet e diellit mezi depërtonin përmes pluhurit, tymit e flakës së barutit, ndërsa gjaku rridhte si uji pas shtrëngatës. Krahas sulmit në oborr, me armë të njëjta dhe me intensitet të tillë, na sulmuan edhe brenda ndërtesës. Nga të shtënat e armëve, granatat dhe bombat, tavanet e ndërtesës filluan të bien mbi kokat e njerëzve, ndërsa dyshemeja mbushej në liqenj gjaku. Kësisoj, brenda dy orësh, nga turma e madhe e dendur e rekrutëve shqiptarë (mbi tre mijë veta që ishin vendosur në oborr dhe në rrugë), asnjë nuk mbeti pa u qëlluar me armë apo pa u plagosur, kështu që ajo hapësirë u shndërrua në një lumë gjaku, që i përngjante një kataklizmi të vërtetë.”
Edhe nga kolonat e tjera të marsit dhe të prillit 1945, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar në Kosovë dhe viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, të njëjtin fat patën: u vranë, u helmuan në gazermat e Dubrovnikut të vjetër, u mbytën në Bunë, Drin apo në det, si në Trogil e gjetkë.
Disa nga ata që shpëtuan nga plumbat dhe mundën të arratiseshin individualisht dhe disa në grup, u kthyen për në Ulqin dhe Shkodër, por më të shumtit u kapën nga rojet ushtarake të brigadës së Mbrojtjes së Popullit dhe OZNA dhe iu dorëzuan autoriteteve ushtarake jugosllave..
Nëse përpiqemi të konkludojmë për numrin e saktë të të vrarëve në këtë tragjedi të përmasave ballkanike, do ta kishim të pamundur, sepse një pjesë e tyre u ekzekutuan dhe u zhdukën rrugës së atij kalvari nga ushtarakët shoqërues serbo-malazezë, pa lënë gjurmë.
Po të hulumtosh parashtesat, botimet dhe dëshmitë për këtë masakër të Azem Hajdinit, Bajram Golës, Nazif Selimit, Xhaferr Vokshit , si edhe të ushtarakëve të Shqipërisë Shefqet Peçi, komandant i Korparmatës III dhe Zoi Themeli, komandant i forcave të Mbrojtjes së Popullit, dhe të dëshmitarëve që mbetën gjallë dhe i rrëfyen apo publikuan dëshmitë e tyre, rezulton që numri i viktimave gjatë marshimit dhe në plojën e Tivarit, të jetë edhe më i madh.
Qeveria komuniste shqiptare, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin, të kalonin e të goditeshin nëpër teritorin e Shqipërisë, jashtë çdo protokolli, kontrolli apo dhimbsunije dhe të vepronin si t’ua donte interesi dhe nuk u bë e gjallë e as protestoi për atë çka ndodhi në Shqipëri apo në Tivar me bashkëkombasit.
Sipas raportit të cituar prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, Bedri Spahiut, dhe sipas informacionit të ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, ministri i brendshëm i qeverisë shqiptare kishte autorizuar oficerët jugosllave që të pushkatonin fshehtas dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm.
Në të gjithë rrugën e mundimshme nga Kukësi në Shkodër, vazhdoi dhuna, poshtërimi dhe asgjësimi i rekrutëve shqiptarë nga komandot ushtarake jugosllave, shpesh në bashkëpunim të hapur apo të heshtur me ushtrinë shqiptare. Vrasjet masive në Kukës , Fushë-Arrës, Pukë, Gomsiqe, Drin, Vau i Dejës, Bregu i Bunës, kazermat e Shkodrës, dalje e Shkodrës e të tjera, si edhe pushkatimet individuale apo në grup në gjithë territorin e Shqipërisë janë të dokumentuara. Sipas raportimeve të shtabeve të ushtrisë jugosllave rezultojnë 595 shqiptarë të vrarë apo të zhdukur nëpër Shqipëri.
Përfundimisht, numrit prej 2543 vetësh të masakruar, sipas burimeve jugosllave dhe kosovare, po t’i shtosh shifrën e shqiptarëve të vrarë e të zhdukur në Shqipëri, rezulton shuma prej gjithsej 2947 – 3447 shqiptarësh të vrarë, të mbytur, të helmuar e të zhdukur përgjatë rrugës Prizren-Kukës-Pukë -Shkodër- Tivar-Dubrovnik-Trogir-Biograd na More e më tutje.
Gjithsesi këto shifra nuk janë shterruese.
Përgjegjësinë e madhe për këtë masakër barbare e ka pushteti komunist jugosllav dhe ushtria jugosllave, veçanërisht Brigada X malazeze, që realizuan këtë masakër.
Por mua nuk më mungojnë argumentet dhe guximi qytetar prej studiusi, që të parashtroj e të denoncoj edhe përgjegjësinë e pushtetit komunist shqiptar dhe të ushtrisë shqiptare në këtë masakër.
Së pari, ishin Divizionet V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që ndodheshin në Kosovë në muajt mars-prill 1945 e më pas, të thirrura nga komanda e Ushtrisë NÇ J dhe të vënë nën urdhërat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. e cilat bënë thirrjen dhe mobilizimin vullnetar apo të dhunshëm të rekrutëve shqiptarë të Kosovës e të viseve të tjera nën Jugosllavi dhe këta të mobilizuar apo të vetëdorëzuar ia dorëzonin ushtrisë jugosllave, e cila i përdori si mish për top në Srem dhe në Tivar. Kemi në dorë listat e të rekrutuarve e të dorëzuarve, që i kam botuar në librin “Masakra e Tivarit”
Ja edhe radiogram i Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.
Së dyti, ekziston një marrëveshje mes Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë për realizimin e masakrës, sidomos gjatë rrugëtimit nëpër Shqipëri. Edhe fakti i kalimit të kolonave të vdekjes nëpër Shqipëri ishte pjesë e marrëveshjes.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-ë . Në këto masakra të pashëmbullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq , në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm”
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu, në gjyqin kundër Koci Xoxes:
“Xhelatët e Rankoviçit, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin”
Historiani Zekeria Cana konstatonte: “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur Golgota e madhe Shqiptare”
“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, – parashtron Azem Hajdini – duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”
Për shkaktarët e kësaj masakre, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur.
Veçanërisht, krimet me përmasa, implikime dhe pasoja ndërkombëtare, siç ishte edhe Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar e gjykuar drejtësisht dhe dënuar, të paktën, moralisht, që të mos mbeten si njollë e pashlyer, si plagë e hapur dhe si urrejtje vepruese, e ngulur thellë në ndërgjegjen e popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim, në një arsye më shumë për të qenë në mirëkuptim e bashkëpunim në rrugën e përbashkët mes popujve të Ballkanit drejt paqes dhe integrimit europian.

Filed Under: Editorial Tagged With: E TIVARIT, NË MASAKRËN, NJË MEMORIAL PËR TË RËNËT, Uran Butka

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT