Nga Dine Dine/*
Në vitin 1848, një grup revolucionarësh botuan në Londër një pamflet, që e atakoi Evropën si një fantazëm. Kjo pakicë njerëzish, shumica emigrantë, u nxituan të shtypin deklaratën e tyre pak para se të plasnin revoltat në Francë, Gjermani e Austri. Me pretendimin se punëtorët e industrisë trajtoheshin padrejtësisht prej sistemit që ekzistonte, komunistët argumentonin se vetëm një revolucion me dhunë mund të dërmonte strukturat ekzistuese e të fshinte nga faqja e dheut jo vetëm qeveritë, por klasa të tëra shoqërore dhe kështu të mund të krijonte një botë te drejtë. Mirëpo, më 1849, revoltat u shembën dhe Evropa përjetoi një qetësi të përkohshme. E rrethuar nga dështimet e grindjet ndërkombëtare, Lidhja Komuniste shpejt u shpërnda. Vite më pas, “fantazma e komunizmit” duhet t’u jetë dukur të gjithëve si një iluzion, përveç atij grupi fanatikësh të përkushtuar, që stërzgjateshin duke diskutuar probleme të brendshme teorike si teologët e dikurshëm të mesjetës.
Më 1898, pas shpalljes së Manifestit, shumica e njerëzve që kishin dëgjuar sadopak për të, mendonin se ideve të tij u kishte ikur koha. Punëtorët nuk po kërkonin revolucion, por pagë më të mirë e kushte të denja. Kur qeveritë u bënë më demokratike dhe kërkesat plotësoheshin në mënyrë të arsyeshme, ideja se gjithçka mund të fitohej duke shkatërruar shoqërinë në vend që ta ndërtosh atë, sërishmi e humbi shkëlqimin e saj.
Çfarë kthesash të papritura merr historia! Nëse në dekadën optimiste të viteve 1980, komunizmi dukej një ide e diskredituar, në përvjetorin e 100-të të “Manifestit Komunist”,dukej triumfues ose, së paku, mbahej si i tillë. Dhe jo vetëm në Evropë. BS me komunistët në krye mbulonte 1/6 e sipërfaqes së tokës dhe okupoi pjesën dërmuese të Evropës Lindore. Komunistët në Kinë po merrnin nën sundimin e tyre vendin më të populluar në botë. Në Shqipërinë e vogël ndodhte e njëjta gjë; komunistët sundonin me një dorë të hekurt. Fantazma e komunizmit kish sulmuar Evropën. Austriakët ishin mirënjohës për Planin Marshall dhe, të lehtësuar që shkatërrimet nga lufta po riparoheshin e Austria edhe një herë ishte indipendente. Por përsëri, dukej një forcë dinamike në botë. ShBA-të, me gjithë pasuritë e potencialin e saj dukej se ishin në mbrojtje.
Tani idetë e “Manifestit…” i janë lënë historisë. Sundimi komunist u përmbys në Evropën Lindore dhe në BS, që shihej si postëkomanda e revolucionit komunist botëror, ndërsa në Kinë është dobësuar. Aty Partia Komuniste qëndron në fuqi duke ekspozuar kapitalizmin. Korea e Veriut e Kuba janë ende nën kontrollin komunist, por situata ndër të dy vendet tregon se komunizmi është një sëmundje që i ka ardhur fundi.
Kur komunizmi filloi të përmbyset në BS, në vitet 80-të, shumë vërejtës nxituan të sugjerojnë mbishkrime për gurin e varrit. Filozofi politik i ShBA-së, Francis Fukuyama, e emërtoi përmbysjen e komunizmit “fundi i historisë”. Sipas tij, demokracia kishte provuar se asht “forma e fundit e qeverisjes njerëzore”, mbasi rivalët e saj, qoftë monarkia, diktatura fashiste apo komuniste kishin dështuar në mënyrë demonstrative e të mjerë.
Jo të gjithë ranë dakord se ideja komuniste kishte vdekur. Vështirësitë e kohëve të fundit në Rusi kanë rritur shqetësimin se përmbysja e komunizmit mund të ketë prodhuar vetëm një eklips të përkohshëm; mund të jetë herët të gjykosh; por, kur mendojmë për të ardhmen, mënyrën se si kjo ide u realizua një shekull e gjysmë më parë, mund të krijohen derivate të reja ndriçimi.
Analistë të shumtë në Shqipëri mendojnë se komunizmi është varrosur njëherë e përgjithëmonë e nuk kthehet më. Skeptikët thonë se është ende shumë aktiv e vigjilent dhe përgjon ethshëm në thellësitë e ferrit ku ka rënë. Ngjarjet e 97-ës lënë shumë për të dyshuar. Dhe të mendosh se “Manifesti…” u përpilua nga dy individë në moshë të re, Marksi e Engelsi, përkatësisht 30 e 28 vjeç. Të mendosh edhe se flisnin në emër të klasës punëtore, por që kurrë nuk i takuan asaj. Ata e kaluan tëre jetën duke zhvilluar një sistem filozofik që pretendonte të shpjegonte jo vetëm zhvillimin e historisë njerëzore, por edhe të parashikonte rezultatet e fundit të atij zhvillimi. Kështu ata përzien e gjymtuan elementët e socializmit utopist francez, analizat e ekonomistëve anglezë dhe idealizmin e mjegullt gjerman, duke i dhënë këtyre elementeve të pabarabarta shfaqjen e koherencës me supozime të guximshme e kokëkrisura.
Marksizmi pohon se është e mundur të krijohet një parajsë në tokë, ku të gjithë njerëzit të jenë të barabartë dhe të aftë të jetojnë në harmoni, pa policë, pa ushtri ose pa detyrime të çdo lloji, përderisa pa pasuri, asnjëri nuk ka përse të luftojë. Ai supozon se qeniet njerëzore janë thjesht kafshë ekonomike, kështu që e gjithë struktura e shoqërisë determinohet nga ajo forcë që zotëron mjetet e prodhimit. Për marksistët, gjëra të tilla si feja, nacionalizmi dhe psikologjia njerëzore janë mjete të armiqve borgjezë ose nocione pa vend. “Vlera” ekonomike është thjesht puna që bëhet për prodhimin e një produkti pa përfillur faktorë si skarciteti, roli i investimeve, vlera e investimit kapital ose aftësitë drejtuese. Për më tepër, ajo supozon se, megjithëse në fuqi, gjithë “proletarët” do të veprojnë si murgj asketikë me dëshirën që të prodhojnë me të gjitha aftësitë e tyre dhe të konsumojnë vetëm çka u duhet për të jetuar. Kjo hamendje i bëri marksistët e parë të besojnë që një shoqëri komuniste duhet të bazohet në rregullin “secili sipas aftësive dhe për secilin sipas nevojës”. Por marksizmi asnjëherë nuk pati kuptim si teori ekonomike. Thirrja e “Manifestit Komunist” për revolucion, imponimi i diktaturës dhe eleminimi fizik i “klasës armiqësore” borgjeze siguruan një argumentim teorik për sundimin totalitar dhe shtypjen e përgjakshme. Tashmë të gjithë e dinë se ç’krime u bënë në shoqërinë “socialiste” shqiptare, në emër të kësaj teorie.
Marksizmi është një shëmbull i përkryem i një linjeje të arsyes që fillon me një koncept (një shoqëri demokratike e të barabartëve pa klasa) dhe mbaron me një të kundërt diametrike (diktat i një njeriu të vetëm). Lenini trilloi strukturën organizative që solli këtë mishmash idesh të rezikshme në fuqi. Stalini kaloi periudha të gjata në burgjet siberiane, ku takoi kriminelë profesionistë, prej të cilëve mësoi sigurimin dhe efektivitetin e punëve të tij ilegale. Këta të dy organizuan Partinë Komuniste Ruse, që fillimisht u quajt “socialdemokrate”, sipas modelit të një gangsteri kriminel, me betime për sekretet, disiplinë absolute ndaj autoritetit më të lartë dhe një përbuzje totale për ligjëshmërinë ose moralin e saj “borgjez”.
Regjimi carist filloi të shpërbëhet gjatë Luftës I dhe më 1912, si rezultat i përmbysjeve ushtarake, çrregullimit ekonomik dhe përhapjes së urisë, i gjithë vendi u rebelua. Në këtë kaos ia mbërriti Lenini me bandën e vogël të bolshevikëve që udhëhiqte. Ndryshe nga rivalët, ata dinin ç’kërkonin (pushtet total) dhe nuk kishin brerje ndërgjegjeje për mënyrën se si do ta merrnin. Ata i bënë një shërbim të skajshëm demokracisë që të minonin regjimin e vjetër, por kur e panë se nuk mund të fitonin votat, ata shkatërruan institucionet, ku bazohej demokracia. Qëllimi final nuk ishte demokracia, por diktatura e proletariatit, të cilën e kishte parathënë “Manifesti Komunist.”
Ishte vërtet një diktaturë, por jo e proletariatit, sepse ata që e ushtronin pushtetin ishin të gjithë të vetemëruar. Në emër të proletariatit, pra të popullit, u bënë aq shumë krime si në BS, ashtu edhe në Kinë e Shqipëri dhe vende të tjera totalitare, sa popujt duhet të kenë marrë një mësim të pashlyeshëm nga historia e përgjakshme e tyre. Historianët vlerësojnë se Stalini ishte personalisht i përgjegjshëm për vdekjen e 25-30 milionë njerëzve, pa llogaritur dhjetra milionë që u zhdukën gjatë Luftës II Botërore; kurse në Kinën e Maos shifrat janë edhe më të mëdha. Për Shqipërinë e Enver Hoxhës mund të thuhet një gjë. Duke lexuar “Stalini” të Radzinskit dhe “Jetë dhe vdekje në Shangai” të kinezes Nien Ceng, bindesh se diktatori shqiptar i ka imituar deri në detaje udhëheqësit e tij shpirtërorë dhe, në mjaft aspekte, ua ka tejkaluar, duke pasur parasysh edhe popullatën e vogël të Shqipërisë. Me vdekjen e Stalinit e të Maos, terrori mori fund, por sistemi ekonomik u provua iracional. Komunistët nuk mund të konkuronin në një botë me ndryshime teknologjike të shpejta e një market global. Ideja e Marksit për luftën e klasave prodhoi një luftë të ftohtë me Perëndimin dhe një garë armatimesh që BS ishte i paaftë ta fitonte dhe e humbi në vitet 80-të. Në të vërtetë, gradualisht e një nga një, shtetet komuniste i hodhën tej mitet marksiste, që kishin mbajtur të gjallë regjimin, me shpresë që të krijonin një mirëqenie shtetërore të bazuar në parimet demokratike.
Ishte një synim i artë, por përpjekjet dështuan. Shteti i bazuar në parimet marksiste mund të mbahej vetëm me forcë dhe, kur instrumentet e represionit nuk mund të përdoreshin më, ai dështoi. Me kinezët, puna qëndron disi ndryshe. Megjithëse komunistët kanë kontrollin e shtetit, Kina e ka braktisur ekonominë marksiste dhe e ardhmja do të varet në aftësinë e saj për të stabilizuar një ekonomi tregu të shëndetshme dhe të demokratizojë sistemin politik.
Përsa i përket Shqipërisë, sado optimist të jesh, të lindin dyshime. Në Rumani dhe Bullgari fituan përsëri komunistët. Në Shqipëri shumica e zgjedhësve rrasën nëpër kutitë e votimit fletën e ish-partisë së punës. Për botën perëndimore duket paradoksale se si vendet që vuajtën aq shumë nën diktaturë si shqiptarët, rumunët e bullgarët e kanë ende shumë të vështirë të shkëputën nga e kaluara “e lavdishme” marksiste-leniniste. Era e përçarjes komuniste ndjehet edhe në Kosovën martire.
Para dy vjetësh, rastësisht takova një zyrtar të lartë socialist, një djalë i ri rreth 28 vjeç, që në atë kohë kritikohej nga konservatorët e partisë së tij. Qe një bisedë konstruktive dhe m’u duk se foli sinqerisht. Pasi mësoi diçka për odisenë time, më pyeti: “Si e ndjen veten tani?” – “Mjaft keq”, – iu përgjegja dhe i shpjegova arsyen. Ai më pyeti përsëri: “Mendon se marksizmi ka sjellë ndonjë gjë të mirë në Shqipëri?” – “Natyrisht, jo” – iu përgjegja. Dhe pastaj shtova: “Ndoshta morëm një leksion. Na mësoi e na bindi që gjëra të tilla të mos ndodhin më kurrë”.
Për sa kohë bota ta kuptojë e ta mbajë mend atë leksion, do të justifikohet thënia e Fukuyamas se e ardhmja i përket idesë së demokracisë; por, a mund të jemi të sigurt? Jo, kurrë! Njerëzimi harron dhe, nëse brezi ynë nuk do të jetë i aftë ta bëjë demokracinë të funksionojë në ato vende ku komunizmi dështoi, të pakënaqurit do të kërkojnë rrugë tjera për problemet e tyre dhe do të jenë diktatorët që do të kërkojnë mite për të justifikuar sundimin e tyre.
Pesëdhjetë vjetët e ardhshme do të jenë kritike. Në se jemi me fat, historia do të shmangë nji kthim tjetër si ai midis 1898 dhe 1948 dhe idetë e “Manifestit Komunist” do të jenë pa asnjë dyshim të vdekura e të varrosura.
Ne nuk do të jemi gjallë rreth viteve 2048, kur të vendoset se çfarë duhet të shkruhet në gurin e varrit të marksizmit, por shpresoj se brezat e ardhshëm në emrin tonë do të sugjerojnë mbishkrimin: “Këtu prehet një ide që solli te kundërtën e asaj që premtoi.”
*( Arkiv- Dielli, Janar-Mars-2000)