Ashtu siç ishte njoftuar, të shtunën e 31 Majit, dega e Vatrës në Queens, NY, u mblodh në një takim para Kuvendit Vjetor të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA.
Në takim merrnin pjesë nga Kryesia e Vatrës, sekretarja e Federatës Vatra, Nazo Veliu, editori i Diellit, Dalip Greca, dy anëtarët e Këshillit të Vatrës, pjesë të kësaj dege, zotërinjët Bashkim Musabelliu dhe Lek Mirakaj.
Takimin e ka hapur kryetari i degës së Vatrës të Queensit, dr. Skënder Murtezani. Ai tregoi për përpjekjet që ka bërë kjo degë për t’u riorganizuar , për të shtuar anëtarësinë dhe për të përcjellë mesazhe vatrane tek shqiptarët e kësaj zone. Dr. Murtezani tha se janë bërë disa qindra telefonata nëpër familjet shqiptare të Queensit, ku janë përcjellë mesazhe për Federatën Vatra dhe historinë e saj 102 vjeçare. Natyrisht, tha ai,nuk jemi të kënaqur me anëtarësinë egzistuse, pasi mundësitë e shtimit janë të shumta. Dega ka rezerva për t’u dy e shumëfishuar.
Më pas dr. Murtezani u ndal në dy nga veprimtaritë e degës së Queensit, në atë kushtuar Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat Frashërit, veprimatri që u zhvillua në Hotelin, ku u ndal zemra e atdhetarit të madh dhe në veprimtarinë kushtuar historisë dhe tragjedisë së Çamërisë.
Po ashtu dr. Murtezani shfaqi projektin për hapjen e një shkolle shqipe nën kujdestarinë dhe drejtimin e degës së Vatrës. Ai tha se e ka siguruar objektin e shkollës shqipe dhe se ai vetë do të shlyente detyrimet financiare për objektin e shkollës. Por me kaq nuk mbaron puna, ne sapo kemi filluar, komentoi ai.
Kryetari i Komisionit të projektit të ndryshimeve të Kanunores së Vatrës, anëtar i Këshillit të Vatrës, juristi Bashkim Musabelliu, bëri një paraqitje esenciale të projektit të rishikuar të Kanunores së Vatrës. Ai u ndal në paketën e ndryshimeve, në nevojën që dikton koha e sotme për këtë Kanunore-hartuar para 102 vitesh, dhe ftoi pjesmarrësit që të shfaqnin mendimet e tyre rreth këtij projekti, siç ishte parashikuar në rendin e ditës të këtij takimi. Musabelliu iu përgjigj pyetjeve që u drejtuan nga salla.
Anëtari i Këshillit të Vatrës, Lek Mirakaj, shfaqi rezervat e tij për domosdoshmërinë e ndërhyrjes në Kanunore, në këtë dokument historik 102 vjeçar. Ai tha se nuk është Kanunorja ajo që pengon veprimtarinë e Vatrës dhe se vlerat e Kanunores egzistuese mbeten historike dhe nuk duhen prekur, por mund te behen amendamente. Më pas z. Mirakaj shfaqi kritika me projektin dhe kryesisht kufizimet që diktojnë disa nga nenet e shtuara. Kufizimet që vihen, tha ai, ia heqin karakterin e lirë Vatres, karakterin e një shoqate të hapur, dhe e afrojnë atë me partitë politike. Po ashtu, Mirakaj, konstaton se ka shumë kopetenca në dorën e kryetarit, çka dëmton karakterin demokratik të Federatës. Vatra duhet të jetë më hapur dhe jo e kufizuar, tha ai. Z. Mirakaj shfaqi mendimin që strukturat udhëheqëse, përfshi Këshillin, duhet ët zgjidhen në Kuvend.
Pjesmarrësit ishin aktivë në diskutime. Takimi u karakterizua nga debate dhe toleranca e rrahjes së mendimeve.
Diskutuan, Ylli Dosku, Altin Qosja, Monda Musabelliu, Panajot Përmeti, Halit Shpuza, Erjon Bardhi, Ymer Dervishi, Arben Bardhi,Qazim Velaj, e të tjerë.
Sekretarja e Vatrës, Nazo Veliu, pasi falenderoi degën për përpjekjet e saj për t’u organizuar dhe për të shtuar anëtarësinë, informoi për përgatitjet e Vatrës për Kuvendin vjetor që do të organizohet me 14 Qershor. Ajo u ndal edhe në mesazhet që duhet të përcjellim tek shqiptarët që nuk janë anëtarë të Vatrës. Të jesh në Vatër është krenari, por edhe obligim kombëtar,tha ajo. Duke folur për projektin e hapjes së shkollës shqipe, Veliu orientoi gjithëpërfshirjen e degës me qëllim që të mos lihet kjo detyrë vetëm tek kryetari. Ruajtja e gjuhës shqipe në mërgim është sfidë e hershme e Vatrës dhe ne duhat ta çojmë më tej.Është e pafalshme që fëmijët e shqiptarëve të humbin gjuhën këtu në Amerikë, ku vetë shteti të parkrah qoftë në hapjen e shkollave, qoftë edhe në veprimtaritë kulturore.
Për këtë pikë diskutoi nënkryetati i degës së Vatrës së Queensit, Halit Shpuza, i cili para disa vitesh mori inisiativë për hapjen e shkollës shqipe pa pagesë në Ridgewood, por që mbështetja e familjeve shqiptare ishte e pa mjaftushme dhe të gjitha shpenzimet e familjes Shpuza, përfshi dhe librat e fletoret,shkuan kot. Para se t’i hyjmë këtij projekti, duhet të bindemi se sa mbështetje do të kemi nga familjet shqiptare, sygjeroi ai.
Në takim diskutoi edhe editori i Diellit Dalip Greca, i cili kërkoi më shumë mbështetje për gazetën Dielli, që është regjistri më i vjetër i Botës shqiptare prej 105 vjetësh, por është edhe një zëdhënës i fuqishëm i Vatrës. Ai mirëpriti sugjerimet për ta përcjellë gazetën, përveçse tek vatranët, edhe tek komuniteti shqiptar.
Editori i Diellit, kërkoi që puna me pasion atdhetar e kryetarit të degës, dr. Skënder Murtezani, kërkon më shumë mbështetje nga strukturat dhe anëtarët e degës me qëllim që atij t’i lehtësohet misioni sepse profesioni i mjekut ia kufizon kohën e lirë.
Ndërsa për projektin e degës së Queensit për të hapur në të ardhmen një shkollë shqipe, editori e vlerësoi pozitivisht, por sygjeroi që të ngrihet një grup pune që tani, të trokitet derë më derë në familjet shqiptare, dhe t’u flitet për projektin, si një obligim i Vatrës për ruajtjen e gjuhës shqipe, traditave dhe kulturës kombëtare. Ai tha se Vatra që në kohëthemelimin e saj, më 1912 është marrë me shkollimin në gjuhën shqipe të shqiptarëve, të vegjëlve dhe të rriturve. Në një nga mbledhjet bashkuse të Vatrës, konkretisht në atë të 24 prillit, siç dëshmohet në rekordet e Vatrës, që ruhen në arkivin e saj, tregohet se dy nga anëtarët e Komisionit, nuk mundën të merrnin pjesë në takim sepse ishin në çeljen e shkollës shqipe. Dhe këta qenë editori i Diellit Kristo Floqi dhe delegati Kostë Kota. Pra që prej 102 viteve të shkuara Vatra u mor me shkollën shqipe dhe e ka vazhduar edhe më vonë, deri në ditët tona, ku vihet re një përtëritje e traditës. Një shembull për këtë vazhdimësi na e dha dega e Vatrës në Jacksonville, që e bëri projektin realitet. Ky projekt kërkon pasion dhe përkushtim. Ndërsa për shtimin e anëtarësisë, ai solli si shembull po degën e Jacksonville me kryetar Adriatik Saphiun, që ka çuar numrin e anëtarve në më shumë se 80 vetë, ndërkohë që ishte inisiator edhe për hapjen e degës së Vatrës në Hartford, degë që ka 35 anëtarë. Po ashtu ai po përgatitet që këto ditë të organizojë dhe një degë të re në Florida.
Në këtë takim kishte dhe përfaqësues nga Brooklyni, të cilët premtuan që të kontribuojnë në krijimin e një dege atje.
Në fund të takimit, me propozime nga anëtarësia pjesmarrëse, u zgjodhën delegatët për Kuvendin e Vatrës. Ata janë:
1-Skënder Murtezani, si kryetar i degës dhe anëtar i Këshillit.
2- Raimonda Musabelliu
3-Ylli Dosku
4-Teodora Përmeti
5-Halit Shpuza
6- Qazim Velaj
ZANI I VATRËS, ZANI I NDËRGJEGJES SË KOMBIT
Raporti i Kryetarit dorëheqës, Dr. Gjon Buçaj në Kuvendin e Vatrës – 27 prill 2013 *?
Mysafirë të nderuem, delegatë, zonja dhe zotnij,/
Asht nder i veçantë dhe kënaqsi për mue t’ju paraqes nji raport të permbledhtë për punën e Vatrës gjatë nji kohe ma tepër se dy dekadash. Shumica e këtij grupi vatranësh që e kanë sjellë Vatrën në Kuvendin e sotëm, kanë qenë aktivë për 30-40 vjet pa ndërpremje, disa edhe ma gjatë; atyne u dedikohet, kryesisht, mbijetesa e kësaj organizate kombtare në periudhën kritike, përpara dhe pas ramjes së komunizmit. Kur në Boston nuk kishte ma kush interesohej për mbajtjen e saj, kryetari i atëhershëm, z. Peter Lukas, i sygjeroi degës së New York-ut, e cila ishte shtylla kryesore, t’a sjellnin Vatrën në New York, dhe ashtu u ba. Qendra e saj sot asht në Bronx, në nji shtëpi që u ble me fonde të mbledhuna nga vatranët gjatë shumë vitesh, ku janë të vendosuna arkivi dhe biblioteka dhe ku përgatitet gazeta “Dielli” për shtyp.
Ndryshimet e mëdha n’arenën botnore që erdhën me ramjen e komunizmit, ndikuen edhe në Shqipni, ngadalë por në mënyrë të paevitueshme. Mërgata shqiptare bante thirrje për ndryshime të pavonueme dhe paqsore, ndërsa elita komuniste me në krye Ramiz Alinë, ishin të gatshëm edhe me derdhë gjak të pafajshëm, për të mos i lëshue frenat e pushtetit, siç e dëshmuen me 2 prillit 1991, me vrasjen e katër studentavet në Shkodër.
Në këtë atmosferë u mbajt Kuvendi i 20 prillit 1991. Nji grup i sapo këthyem nga Shqipnia pasë vizitash me Ramiz Aline dhe me Nexhmije Hoxhën, tentoi të merrte në dorë Vatrën dhe “Diellin”, sollën papritmas 40-50 antarë të rij, nga të cilët disa u caktuen delegatë, edhe pse kanunorja parashifte që delegati duhej të ishte se paku 2 vjet antar i rregullt. Këtë konflikt me kanunoren e kaluen delegatët e rregulltë në fillim të kuvendit, me aprovimin e delegatëve të rij. Megjithë përpjekjet jashtë rregullit dhe me ndonji mbështetje të randësishme si rrjedhim i mashtrimit se Ramiz Alia do të bante reforma demokratike, grupi në fjalë nuk pati sukses; me shumicë votash të meshefta, u zgjodh kryetar profesor Arshi Pipa, pasi pranoi kandidaturën e propozueme nga ana e jonë, për të marrë kryesinë e Vatrës dhe gazetën “Dielli” për nji vjetë.
Në kuvendin e qershorit 1992 u zgjodh z. Agim Karagjozi, i cili ishte në thelbin e të gjitha aktiviteteve të Vatrës prej shumë vitesh. Në aktivitetet që Vatra zhvilloi nën drejtimin e tij, mbështetja e përpjekjeve të Kosovës për liri mbetej prioritet, krahas me përkrahjen e proceseve të demokratizimit në Shqipni.
Në prill të vitit 1995, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Vatra përcolli eshnat e Konicës në Tiranë me nji delegacion të kryesuem nga Agim Karagjozi, bashkë me përfaqesues tjerë të diaspores shqiptare të Amerikës, ku dalloheshin krah për krah i ndjemi Imam Isa Hoxha dhe Dom Pjeter Popaj. Para përcjelljes u organizue nji seminar shkencor në Fordham University në New York, ku morën pjesë ligjërues nga treva të ndryshme shqiptare dhe nga diaspora.
Të gjitha këto aktivitete u pasqyruen në faqet e “Diellit” që tashma redaktohej nga letrari i talentuem Anton Çefa, i cili e mbajti gazetën për disa vjet, në nji nivel kualiteti të denjë për traditën dhe emnin e saj.
Në vitet 90-a Vatra zhvillonte aktivitete të denduna por radhët e saj nuk po shtoheshin, kështu antarëvet u binte barrë e randë, të cilën ata e mbajshin me përkushtim e bujari. Kushtet nuk ishin të favorshme për mbajtjen e kuvendeve të rregullta, por megjithatë vatranët u mblodhën në kuvend me 2 nandor 1996; për arsye të rrethanave, delegatët vendosën të mos e ndryshonin udhëheqsinë, keshtuqë aktivitetet vazhduen me intensitet të pandërpremë.
Vatra ka organizue seminarë të suksesshem, për 90 vjetorin pastaj edhe për 100 vjetorin e gazetës “Dielli”, për 90 vjetorin e pavarësisë, si dhe nji seminar për Skenderbeun, ku gjithmonë asht kujdesë të ketë ligjërues nga Kosova, megjithë vështirësitë financiare; të shumtën e rasteve shpenzimet për udhtimet e ligjëruesve nga Kosova ose nga Shqipnia i kanë përballue individët pa publikim emnash, por vetëm në emën të Vatrës.
Përveç seminareve, Vatra ka sponsorizue ose promovue botime me vlerë kulturore e historike kombëtare, si historinë e Vatrës (1912-1920) dhe ate të marrëdhanjevet shqiptaro-greke të prof. Beqir Metës, Mendimi Shqiptar i viteve 30 të Ndrçim Kullës (në bashkëpunim me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë), përmbledhjen e dokumantacionit të veprimtarisë së Rinisë Kosovare në Botën e Lirë, me autor Sejdi Bitiçin, dhe tash së voni, librin e dokumetuem me forografi mbi masakrat serbe nga prof. Nusret Pllana, si dhe librin tre vellimesh mbi historinë e Kosovës të historianit Jusuf Buxhovi. Sot nji javë, në këtë hotel, do të bahet paraqitja e botimit tre vëllimesh të studiuesit dhe publicistit të njoftun Mal Berisha, mbi humanistin amerikan Charles T. Erickson, mik dhe përkrahës i jashtëzakonshëm i shqiptarëvet.
Aktivitetet kulturore që Vatra ka zhvillue ose përkrahë, janë në vi me traditën e saj për vlerën e tyne kulturore kombëtare. Aktivitetet tjera dhe qendrimet, në dukje me ngjyrë politike, gjithashtu, janë në vi me traditën e saj, për frymën e parimeve demokratike dhe të motivueme nga interesat jetike të kombit.
Përsa i përket Shqipnisë, Vatra ka ba thirrje për kalimin nga diktatura në demokraci pa dhunë dhe ka përkrahë ato forca që janë vu në opozitë me Partinë e Punës, që kishte ndërrue emnin në Parti Socialiste por kishte “ndërrue qimen, jo vesin”. Në takimet që kemi pasë, që prej fillimit, si dhe me deklarata për shtyp, kemi përkrahë zhvillimin e proceseve demokratike dhe kemi shprehë qëndrime dhe mendime mbi ecuninë e atyne proceseve dhe të integrimeve euroatlantike. Ka qenë gjithmonë mendimi dhe dëshira e jonë që shtresa e ish të përsekutuemëvet të integrohej efektivisht në sistemin politik, për të ndimue shkëputjen nga e kaluemja e diktaturës dhe për të ecë përpara drejt konsolidimit të demokracisë, si dhe për çmimin e randë që ajo shtresë ka pague për qëndresën kundër dominimit komunist. E kemi konsiderue si detyrë morale dhe nevojë kombëtare dënimin e krimeve të komunizmit dhe të kriminelëve, hapjen dosjeve dhe zbatimin e ligjit të lustracionit, këthimin e pronave të grabituna me forcë nga regjimi komunist, ose shpërblimin në mënyrë të arsyeshme kur këthimi ishte i pamundun. Me shtresën e ish të burgosunvet e të perndjekunve, jemi ndie solidarë dhe kemi dëshirue e porositë ruejtjen e kohezionit të saj si forcë e madhe morale, për të luejtë nji rol të randësishëm pozitiv në jetën e vendit. Mjerisht, ajo shtresë u përça dhe u dobësue, kryesisht për mungesa të vetat, por edhe për “merita” të dy krahëve të politikës.
Tragjedija e vitit 1997 na shqetsoi thellësisht dhe Vatra mori qëndrim të ashpër kundër forcavet politike që ndoqën rrugën e rrenimit të vendit për të ardhë në pushtet. Në nji vizitë në Shqipni, për të përkrahë koalicionin demokratik kundër qeverisë së ardhun në pushtet me dhunë, kryetari Karagjozi deklaroi se ajo qeveri nuk e kishte “të drejtën ligjore dhe as morale të ketë në duar frenat e shtetit shqiptar dhe qeverisjen. Ajo e mori pushtetin me dhunë e dame të mëdha materiale, kulturore dhe në njerëz të pafajshëm.” “Qëndrimi i vëndosur i Vatrës kundër diktaturës dhe ideologjisë komuniste nuk është qëndrim politik, por thjeshtë kombëtar.”
Si shqiptarët e çdo kohe larg atdheut, kemi nda gëzimin dhe idhnimin me popullin në vendlindje. Vrasja e Arben Brocit me shokë asht plagë e hapun, me ministrin e mbrendshëm që dha urdhnin e masakrës, ende në sfera të larta të politikës, pa dhanë kurrëfarë përgjegjësije ai as dora vrastare. Vrasjet e shumëta në vitin e mbrapshtë 1997, djegëja e objekteve kulturore dhe shkatrrimi i institucionit ushtarak, tragjeditë e shpërthimeve në Gërdec, të vërshimeve në Shkodër e në zona tjera, na kanë zgjue ndjenjën e dhimës, jemi përpjekë të gjindemi pranë dhe të tregojmë solidaritetin tonë, sado modest. Kemi çue zanin kundër ngritjes së memorialeve për ushtarët grekë të ramë në tokën shqiptare si okupatorë, si dhe kundër mbajtjes peng të parlamentit dhe të funksionimit të shtetit ligjor, tue mos u njoftë rezultatet zgjedhore të vitit 2009, për interesa të ngushta partijake e përsonale, për të mos humbë pozitën.
Kemi nda edhe gëzimet e arritjeve të cilat jemi përpjekë t’i shijojmë për së afërmi. Kanë qenë momente gëzimi e krenarije inaugurimi i “Rrugës së Kombit” dhe nënshkrimi i pranimit të Shqipnisë në NATO nga Presidenti George W. Bush në Shpinë e Bardhë, raste këto ku Vatra ka qenë prezent.
Për çashtjen e Kosovës, angazhimi i Vatrës ka qenë gjithmonë i vazhdueshëm, por prej demonstratave studentore të vitit 1981, intensiteti i aktivitetevet në komunitet asht rritë vazhdimisht, tue nisë me demonstrata të mëdha në New York, fillimisht me inisjativën e pjesës nacionaliste. Ma vonë ndërhynë edhe elementa të porositun nga Sigurim dhe nga UDB-a në të njajtën kohë, tue përdorë flamurin me yllin e kuq, me qëllim që botës perëndimore dhe sidomos Amerikës, t’i krijohej bindja se Kosovarët po përpiqeshin të ndryshonin kufijt për t’u bashkue me Shqipninë, tue krijue kështu, nji shtet marksist-leninist të fortë në Ballkan. Kjo taktikë e ka vështirësue, por nuk ka mujtë me e ndalë informimin korrekt të opinionit vendimmarrës.
Dalja në skenë e elitës kosovare me në krye dr. Ibrahim Rugovën dhe themelimi i Ligës Qytetare Shqiptare Amerikane nga Kongresmeni i palodhshëm Joseph DioGuardi me origjinë arbëreshe, luejtën nji rrol të jashtëzakonshëm për internacionalizimin e çashtjes së Kosovës.
Përjetuem ankthin e luftës dhe dhimën e thellë për viktimat e terrorit serb, ndimuem në çdo mënyrë të mundshme, bashkuem zanin me atë të të gjithë diasporës në thirrje Amerikës për intervenim.
Në vitin 1998 udhëtuem në Bajram Curr për të vizitue të plagosunit e UÇK-së në spital ku sollëm dhe nji sasi ilaçesh, dorëzuem nji çek Ministrit të atëhershëm të Financave në Zyrën e Përfaqësisë së Kosovës në Tiranë. Kaluem edhe në Maqedoni, jo pa probleme në kufi, vizituem fgamiljen e te burgosunit Rufi Osmani, Universitetin e Tetovës; takuem udhëheqës dhe aktivista shqiptarë, për të dëshmue solidaritetin tonë me përpjekjet e tyne.
Mbas çlirimit Vatra shkoi në Kosovë në vitin 1999, për të nda gëzimin e lirsë dhe mirënjohjen për ata që lirisë ia falën jetën.
Jemi përpjekë gjithnji të gjindemi aktivisht me popullin dhe elitën kosovare gjatë përpjekjeve për pavarësi, kemi dënue vrasjet politike që ende presin zbardhje e drejtësi, atentatin kundër Presidentit Rugova, dhunën ndaj individëve dhe objektevet fetarë, si dhe akte të tjera me synim për të destabilizue dhe pengue Kosovën në rrugën drejt pavarësisë.
Bashkë me popullin e Kosovës nderuem me dhimbje Prijsin larpamës, arkitektin e Pavarësisë, dr. Ibrahim Rugovën, në përcjelljen e fundit me 21 janar 2006.
Në aktivitetet e kësaj periudhe që nuk mund të rreshtohen të gjitha në këtë raport, Këshillin Drejtues e ka udhëheqë zoti Agim Karagjozi, me përkushtim të rrallë dhe me matuninë karakteristike që e cilësoi gjatë eksperiencës së tij shumë vjeçare në shërbim të Vatrës.
Viti 2009 ishte me randësi të veçantë për Vatrën, pse shenonte 100 vjetorin e gazetës “Dielli” që, kryesisht për mungesë fondesh, ishte ndërpre prej afër dy vjetësh. Përkujtimi i këtij jubileu të gazetës me nji konferencë shkencore të suksesshme, ku ligjëruen shkencëtarë e studjues nga diaspora, nga Shqipnia dhe nga Kosova, shënoi nji këthesë për “Diellin” dhe ndihmoi për gjallnimin e Vatrës. Gjatë zhvillimit të konferencës filloi spontanisht nji fushatë fondesh për botimin e gazetës. Pak ma vonë, papritmas, u gjet i lirë gazetari i njoftun Dalip Greca, i cili pranoi me entuzjazëm ofertën e Vatrës të merrte përsipër redaktimin e organit të saj. Prej atëherë gazeta u ba e përmuejshme dhe z. Greca e përgatitë me profesionalizëm të lartë, e nxjerr gjithmonë në kohë, kujdeset për shtypjen dhe postimin, tue tregue përkushtim të admirueshëm, si për gazetën ashtu edhe për Vatrën. Selia e Vatrës asht ba banesa e tij e dytë. Ai e mban gazetën edhe në internet, gazetadielli.com, me edicion të përditshëm. Andrra e tij dhe e vatranëvet asht që “Dielli” të bahet gazetë javore.
Në marsin e vitit 2010 z. Karagjozi iu drejtue Këshillit të Vatrës tue konstatue me kënaqsi se aktiviteti i Vatrës po rritej, me përspektivë edhe për hapjen e degëve, nji proces që pat fillue me degën në Washington, DC. Ai shtoi se aktivitetet që e presin Vatrën kërkonin ma shumë energji, për të cilën nuk e ndiente veten në gjendje t’a përballonte fizikisht. Prandej dha dorëheqje dhe, nga dy nënkryetarët, propozoi atë ma të vjetrin që të drejtonte Vatrën deri në kuvendin e ardhshëm. Këshilli Drejtues e pranoi propozimin me vota unanime. Ky ishte nji ndryshim i nevojshën administrativ në kryesi, por jo ndryshim drejtimi. Vatra nuk mund ta ndryshojë drejtimin e saj parimor!
Shumica e vatranëve vendosi që kuvendi të mbahej mbas kremtimit të 100 vjetorit të themelimit të Vatrës, për suksesin e të cilit duhej mobilizim serioz dhe bashkëpunim i gjanë, përtej rradhëve të Vatrës. Në mbledhjet e Këshillit u hodh ideja se 100 vjetori i këti institucioni historik nuk u përket vetëm shqiptarëve të Amerikës, por të gjithë kombit. Për këtë qellim Këshilli ngarkoi kryetarin që, bashkë me antarin e Këshillit Drejtues, z. Bashkim Musabelliu dhe me editorin e “Diellit”, z. Dalip Greca, të shkonte në Shqipni, në Kosovë dhe në Maqedoni.
Me këtë mision, në muejin qershor 2011, vizituem institucionet shtetnore, qeveritare, kulturore dhe fetare. Sollëm mesazhin e vatranëvet dhe deshirën që 100 vjetori i themelimit të Federatës Panshqiptare VATRA të shënohej edhe në trojet shqiptare dhe të përfshihej në kremtimet gjthëkombëtare të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipnisë. Delegacioni u prit nga titullarët e instituconeve, u çmue mesazhi i Vatrës dhe u pëlqye nga të gjithë. Me atë rast i ftuem ata në kremtimet që ishin caktue të zhvilloheshin në New York, në prillin e vitit 2012. Gjatë këti udhtimi morëm pjesë në manifestimin madhështor në pikën kufitare Qafë Botë, me kërkesat për zgjidhjen e çashtjes Çame, të cilën Vatra e ka përkrahë gjithmonë dhe do t’a përkrahi në të ardhmen.
Për aktivitetet akademike në 100 vjetorin e Vatrës që janë zhvillue në Tiranë dhe në Prishtinë asht shkrue në “Dielli”, ku janë botue edhe kumtesat përkatëse.
Për kremtimet në New York nuk do t’ju marr kohë pse shumica keni qenë prezent, por po kufizohem në disa pika kryesore.
Kremtimi u përgatit dhe u realizue me sukses nga vatranët, me bashkëpunimin dhe përkrahjen bujare të komunitetit, ku në mënyrë të veçantë duhet të përmenden entet fetare dhe klerikët tanë. Të gjithëvet u shkon meritë e çmueshme dhe mirënjohja jonë e thellë.
Në Konferencën Shkencore të 28 prillit, ligjëruen shkencëtarë historianë, publicistë e studiues të njoftun nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora, me tema të randësishme dhe me disa nga përmbajtjet të sjelluna para publikut për herë të parë. Asht për t’u shënue pjesëmarrja si ligjërues e Ambasadorit të Amerikës në Tiranë, z. Alexander Arvizu, që nderonte 100 vjetorin e kësaj organizate historike shqiptaro-amerikane.
Këtë seminar jubilar e nderonin me prezencën dhe përshëndetjet e tyne përsonalitete të shqueme të botës shqiptare, si Kryeministri i Shqipnise, dr. Sali Berisha; z/v Kryeministerja e Maqedonisë, dr. Teuta Arifi, përsonaliteti ma i lartë shqiptar në qeverinë e ati shteti; Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, z. Ibrahim Makolli; Rektori i Universitetit Shtetnor të Tetovës, prof. dr. Agron Reka dhe Princi Leka Zogu.
Më lejoni të shtoj në këtë rast se, edhe këtë kuvend sot, e nderojnë me prezencën dhe fjalët e tyne shumë dashamirëse, Ministri Makolli i shoqnuem nga z. Naim Dedushaj, si dhe Konsujt e Përgjithshëm shqiptarë në këtë vend, z. Dritan Mishto dhe z. Bekim Sejdiu, gjithmonë dashamirë afër Vatrës.
Konferenca Shkencore u hap me nji lutje fetare së cilës i prini Peshkopi Ortodoks i shqiptarëve të Amerikës, Hirësia e tij Nikon Liolin, me pjesëmarrjen e krenëve të besimevet tjera, Imam Gazmend Aga i Komunitetit Mysliman të Shqipnisë, Imzot Dod Gjergji Ipeshkvi katolik i Kosovës, Baba Edmond Brahimaj Kryegjyshi Botnor i Bektashijve dhe arbëreshi Papas Antonio Bellusci.
Edhe darka solemne filloi me lutje të përbashket, në traditën e trashigueme prej Rilindasve dhe për të dishmue randësinë që harmonia nderfetare ka për kombin shqiptar. Në këtë kuptim asht ribotue, në faqen e parë të gazetës “Dielli” që keni përpara sot, fotografia me klerikët gjatë lutjes, të cilën e prini, me pëlqimin e të gjithë bashkëvllazënvet tjerë klerikë, prifti arbëresh At Antonio Bellusci.
Besojmë se në trojet shqiptare duhet kushtue ma shumë kujdes këtij subjekti dhe duhen përkrahë klerikët që shërbimin shpirtnor e ushtrojnë me përkushtim edhe në frymën kombëtare.
Përkitas me temën e besimevet, duhet theksue se Vatrën e shqetson zbehja graduale e Autolqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare, e cila u realizue me nismën e Fan Nolit dhe me shumë përpjekje, si arritje me vlerë të randësishme kombëtare. Prandej vatranët kanë përkrahë moralisht dhe, simbas mundësisë materialisht, Kishën e Shën Mërisë në Elbasan, për qendrimin e kjartë në vi me Autoqefalinë. Jemi mirënjohës Presidentit të Republikës së Shqipnisë që vlerësoi kërkesën e Vatrës dhe dekoroi, bashkë me klerikë të tjerë, edhe dy priftërinj që u këthyen në Shqipni dhe punuen për suksesin e Kongresit të Beratit të vitit 1922, ku u morën vendimet për Autoqefalinë. Ata ishin Peshkopi Agatangel Çamçe dhe At Vasil Marko, të cilët kishin shërbye ma përpara nën jurisdiksionin e Nolit në Shtetet e Bashkueme të Amerikës.
Në pragun e 100 vjetorit të pavarësisë, ishte bisedue në Këshillin Drejtues të Vatrës, për nevojën e përkujtimit dhe mirënjohjes të figurave dhe ngjarjeve historike, si detyrë morale kombëtare. Ishte përmendë, ndër të tjera, ura në Podgoricë ku ishte vra Isa Boletini, si nji nga vendet që duheshin përkujtue dhe mundësisht vizitue, në kuadrin e vitit jubilar të pavarësisë. Në këtë frymë, në fillim të tetorit 2012, u realizuen vizita në disa nga vendet me randësi historike: Kulla-Muze e Isa Boletinit, Ura e Ribnicës ku heroi u vra në pritë dhe katundi Isniq ku sapo ishte zbulue monumenti i tij; Kulla-Muze e Dedë Gjo’Lulit dhe Bratila ku ai ngriti Flamurin me 1911; ceremonia e inaugurimit të monumentit të Ali Ibrës në Gjakovë. Doemos u ndalëm te memoriali i Presidenti historik, dr. Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe te ai i Jasharajvet legjendarë në Prekaz, vende pelegrinazhi kombtarë, ku u vendosën kunora lulesh: Vatra, me nderim e mirënjohje të përjetshme.
Me afrimin e 100 vjetorit të themelimit u ngjall interesimi për Vatrën dhe po shtoheshin degët me antarë të rij. Në këtë kuvend arrijtëm me shtatë degë, disa me antarë të regjistruem para pak ditësh. Me qellim afrimi, kemi vendosë që të gjithë delegatët të vijnë në kuvend me të drejta të barabarta, edhe pse kushtetuta parashef që delegatët të jenë antarë të rregullt prej dy vjetësh e lart. Këta do të bahen legjitimë me votën e delagatëve të rregullt, para se të fillojë sesioni i punës ku do të merren vendime dhe do të bahen votime, në të njajtën mënyrë si në kuvendin e vitit 1991, por kësaj here për të tërheqë sa ma shumë antarë, të cilët vijnë me qellim të mirë për të ndimue Vatrën. Shumë prej nesh kemi refuzue vullnetarisht emnimin delegatë, për të lanë vend për sa ma shumë delegatë nga antarët e rij.
Asht nevoja që në këtë kuvend të merren vendime, për të vu në rrugë përshtatjen me kushtet e kohëse, të neneve të kanunores që rregullojnë strukturën administrative të Vatrës. Përshtatja mund të bahet me ndryshime të neneve ose me shtesa (amendamente), gjatë kohës deri në kuvendin e ardhshëm, ku do të votohet për aprovimin final. Nenet që përcaktojnë parimet e Vatrës nuk mund të ndryshohen!
Administrata që do të dali nga ky kuvend, duhet të përkushtohet për të mbajtë të gjallë e në rritje entuzjazmin vatran të mujve të fundit, për të shtue numrin e antarëve dhe organizimin e degëve të reja, në mënyrë që Vatra të shtrihet në të gjitha qendrat ku ka shqiptarë, në Shtetet e Bashkueme dhe në Kanada; të vijë në gjendje me nxjerrë gazetën ma shpesh, mundësisht nji herë në javë, dhe të angazhojë nji editor për pjesën anglisht. Me kontributin e kronikave nga degët, “Dielli” duhet të bahet pasqyra e komunitetit shqiptar të Amerikës, pa lanë pas dore hapsinën gjithëkombëtare.
Komunitetit shqiptar në këtë vend duhet t’i kushtohet shumë ma tepër kujdes se deri tash. Vatra duhet të rritet, të hapet dhe të fuqizohet, në proporcion me emnin e madh që ka, për të luejtë efektivisht rrolin prijs që i përket. Të gjithë ata që e njofin nevojën dhe dobinë e nji Vatre të fortë, duhet të afrohen dhe të bahen pjesë e saj, Vatra asht dhe duhet të vazhdojë të jetë e të gjithëvet.
Angazhimi i Vatrës për çashtjet shqiptare duhet të jetë aktiv dhe konseguent, si në arenën kombëtare edhe në atë ndërkombëtare, por zani i saj duhet të jetë gjithmonë zani i ndërgjegjes së kombit, objektiv dhe i pamëvarun, mbi interesat e korrenteve politike.
Faleminderit!
- Shenim: Ne gazetene printuar te Majit jane botuar edhe dy raportet e tjere, ai i arketarit, Danny Blloshmi, i dr. Nexhat Kaliqi per Vatra’s Foundation. Duke qene se ato permbajne shifra, vatarnet mund t’i lexojne ne gazeten e printuar.
FESTIMI I 100 VJETORIT TE PAVARESISE PAGEZOI LINDJEN E DEGES SE RE NE JACKSONVILLE
NGA MIRGENA DEMNERI/
O Flamur gjak, o Flamur Shkabe,/
O vent’ e vater, o nene e babe…./
Fan Stilian Noli (Himni I Flamurit)/
Kush nuk i ka mbushur syte me plot te pakten nje here ne jeten e vet duke lexuar vargjet e rindasve shqiptare. Kush nuk ka qare te pakten nje here sepse eshte ndiher shume i pafuqishem per ta ndihmuar Shqiperine. Njeqind e dyzet shqiptaret e mbledhur nga shoqeria Vatra ne Jacksonville kishin njeqind arsye per te derdhur lot perpara flamurit, por vendosen te festonin ne vend qe te vajtonin. Ne fund te fundit, 28 nentori i 2012 shenon 100 vite Pavaresi. Dhe per shqipetaret qe kane shkruar historine me gjak bijsh e bijash, kjo dite shenon Rilindjen Kombetare ne kalendar.
Shkodrani Asllan Hysaj, nder me te urtet mes te pranishmeve ne restorantin “Mediterane”, ngriti flamurin ne shtize nderkohe qe tingulli i Himnit shoqeronte ritualin e shenjte. Per te shtuar emocionet dhe dhene udhe festimeve kryetari i deges se Vatres ne Jacksonville, Adriatik Spahiu, permendi vlerat qe na bejne ne shqiptaret nje komb. Sic jane deshira per te jetuar te lire, respekti per fete, idete dhe toleranca civile.
Federata Panshqiptare e Amerikes “Vatra” u themelua me 28 prill te 1912. Me 28 prill 2012 u festua ne New York me madheshti 100 vjetori i themelimit te saj. Atje, ne festen e 100 vjetorit te Vatres, ishte dhe Adriatik Spahiu me familjen dhe pat premtuar se shqiptaret e Jacksonville do ta kishin shpejt degen e Vatres. Dhe ja ne 100 vjetorin e Pvaresise, dega ka nise veprimtarine e saj me synimin qe te forcohet, te shtoje anetare dhe te rrise veprimtarite. Dega e Jacksonvill-it e themeluar me 18 nentor 2012, premton te ndjeke ne gjurmet e nismetareve te saj qe kane influencuar diplomacine nderkombetare ne mbeshtetje te interesat liridashese te kombit. Rilindasit, filozofet dhe poetet qe ia dedikuan vepren e tyre Shqiperise u sollen ne festime nepermjet recitimeve te poezive te tyre frymezuese. Naim Frasheri erdhi permes recitimit te Dr. Ali Lushnja nga Permeti. Gjergj Fishta erdhi permes recitimit te Enrik Baba nga Shkodra. Cajupi erdhi me poezine “Atdheu” permes ligjerimit te Juli Pollo nga Gjirokastra. Asdreni erdhi me “Himnin Flamurit” permes korcarit Z. Nezmi Cuko. Vaso Pasha erdhi me “O moj Shqypni”nga Matilda Moja. Filozofi Arshi Pipa u soll me passion nga Teuta Agovi me origjine kosovare dhe poeti I famshem cam Bilal Xhaferri zuri vend me “Baladen Came” nga recitimi i Z. Rexhep Laias. Faic Konica na kujtoi perms citimit te z. Vebi Musta se sa I vjeter eshte prejardhja e flamurit shqiptar. Gjergj Lacuku recitoi poezine e Gjergj Fishtes “Atdheu’ dhe koordinoi mbremjen. Festimet I nderuan me fjalime, edhe avokati Ardian Gjoka dhe Besim Hasani. Humoristi shkodran Z. Aleksander Ruci solli buzeqeshje me humorit e zgjedhur. Ashtu te bashkuar shqiptaret kenduan dhe kercyen kenge e melodi nga te gjithe trevat e Shqiperise duke deshmuar se I mbajne dhe I trashegojne traditat dhe e lena brez pas brezi. Ne festimin me sukses ndihmuan kontribuesit, Niko Bnega, Hasan Hakrama, Adratik, Spahiu, Ardjan Gjoka dhe Bukurosh Curre.
Cdo shqiptar ka qare te pakten nje here ne jete kur ka lexuar poezite plot pasion te rilindasve. Cdo njeri(1-ri) nga 140 shqiptaret e mbledhur per 100 vjetorin e pavaeresise do ta kujtoje diten qe vatra I mblodhi bashke, dhe shpresen qe iu ndezi per nje te ardhme me premtuese per Shqiperine.
“..Jepni, Nenen te shpetoni,
Komb e vatra te nderoni.
Mbahu, Neno, mos kij frike
Se ke djemte n’ Amerike..”
“Jepni per Nenen” nga Fan Stilian Noli
***
Histori per degen e Vatres ne Jacksonville:
18 nentor 2012 mbledhja e pare per krijimin e Vatres
19 nentor 2012 mbledhja e pare e bordit drejtues,
Lista e bordit drejtues te Deges vatra ne Jacksonville,
Kryetar I zgjedhur: Adriatik Spahiu.
Anetare te Bordit: Aferdita Laias, Gjergj Lacuku, Ardian Gjoka, Bukurosh Curre((Per me shume do te lexoni ne DIELLIN e printuar)
VATRA NDERON FIGURAT QË KONTRIBUAN PËR PAVARËSINË DHE RUAJTJEN E TËRËSISË SË TROJEVE KOMBËTARE
Intervistë e Editorit Dalip Greca me kryetarin e Vatrës, dr. Gjon Bucaj, pas udhëtimit në trojet amtare në nderim të heronjëve që kanë luftuar për Komb/
Siç ka njoftuar gazeta Dielli përmes publikimit të përditshëm në on line, kryetari i Vatrës, dr. Gjon Buçaj vizitoi në javën e parë të tetorit trojet amtare. Kjo vizitë e tij nisi në Mitrovicë, ku ai vizitoi Kullën e kreshnikut të Maleve Isa Boletini, një prej heronjëve më të zëshëm të Kombit Shqiptar, Gjenerali i Pavarësisë, simboli i bashkimit Kombëtar, eshtrat e të cilit ende presin të rivarrosen. Kryetari i Vatrës shkoi në Prishtinë dhe vizitoi varrin e ish presidentit të parë të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, ku vendosi një kurorë me lule. Po ashtu dr. Buçaj vizitoi varrin e heroit të Kosovës, Adem Jashari dhe martirëve të familjes Jashari, që u flijuan për lirinë e Kosovës. Më pas ai vijoi me një vizitë në Tiranë, ku u takua me ambasadorin amerikan, Arvizu dhe më pas vizitoi edhe të përndjekurit politik të ngujuar në grevën e urisë.
Kryetari i Vatrës ishte edhe në trojet shqiptare në Malin e Zi, ku vizitoi shtëpinë muze të Dedë Gjo Lulit, vendngritjen e Flamurit kuq e zi me 6 prill 1911 në Bratile, Shtëpinë e Artit të Gjelosh Gjokaj në Milesh etj.
Të premten, me 12 tetor , kryetari i Vatrës ishte i ftuar në promovimin e përmendores kushtuar Ali Ibrës, luftëtar i shquar i Lidhjes së Prizrenit, sponsorizuar nga vatrani Halit Nezaj dhe bashkvendas të tij. Po atë ditë dr. Buçaj mori pjesë edhe në promovimin e shtatores së Isa Boletinit në Isniq të Deçanit, ku jetuan të parët e tij. Me 14 tetor dr. Buçaj u kthye në New York. Për më shumë detaje nga kjo vizitë, kryetarit të Vatrës i morëm intervistën e mëposhtme:
Dr. Buçaj, si lindi ideja për të vizituar trojet amtare, Shqipëri, Kosovë dhe Mali i Zi?- Në takimet e Këshillit Drejtues të Vatrës, nga fillimi i vitit 2011, flitej rreth aktiviteteve lidhun me 100 vjetori e themelimit të Vatrës dhe të shpalljes së Pavarësisë, sidomos për nevojën që të përkujtohen dhe të nderohen figurat që kontribuen për pavarësinë dhe për ruejtjen e tanësisë së trojevet tona. U përmend kulla e Isa Boletinit që gjindet në Veri të Kosovës ku zona e kufinit nuk asht e qetë as e sigurtë, për shkak të kërcnimeve serbe. Vendi ku asht vra në pabesi, tek Ura e Ribnicës në Podgoricë, asht i harruem dhe pa kurrfarë sheji, as nji gur për të kujtue se aty u vra prijsi luftarak i Pavarësisë së Shqipnisë. Nga biseda të tilla më lindi ideja që të baj nji udhtim gjatë vitit të 100 vjetorit.
Dr. Buçaj: Kur shkuat në Tiranë, takimi i parë ishte me ambasadorin amerikan. Përse vendosët që takimi i parë të ishte me ambasadorin Arvizu?
Së pari shkuem në Prishtinë, vizituem Kullën e Isa Boletinit, Varrin e ish Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova dhe memorialin e Jasharajve në Prekaz. Vendosëm lule në “Nderim e mirënjohje të përjetshme” nga Vatra. Mbas tri ditësh qendrimi në Kosovë, shkuem në Tiranë. Ambasadorit Arvizu i bana nji vizitë kortezije pët ta përshëndetë dhe për ta falenderue për pjesëmarrjen e tij në kremtimet e 100 vjetorit të Vatrës në New York në prillin që kaloi. Në përgjigje pyetjes suej, Ambasadorin Amerikan e takova të parin për respekt, si përfaqësuesi i atdheut tonë të adaptuem dhe mik i atdheut të origjinës, si dhe për të përfitue nga njohunia e tij për gjendjen në Shqipni.
Vizituat grevistët e urisë, një vizitë që ka pasë miratime dhe kritika. Në ç’rrethana e morët vendimin për të vizituar grevistët?
Dr. Buçaj: Vendimi ishte i thjeshtë, tue pasë parasyshë atë grup ish të përndjekunish që ishin futë në grevë urije, mënyrë kjo ekstreme për protestë a për kërkesa, çfarëdo qoftë motivi. Për aspektin human i kishte vizitue edhe Ambasadori Amerikan. Unë u shpreha për vëlerësimin e jetës së tyne mbi çdo gja tjetër materjale dhe mendimin se ka mënyra tjera për të kërkue dhe për të protestue. U thashë që të mos e merrnin vizitën time si mbështetje ose inkurajim të grevës, por si keqardhje për gjendjen në të cilën gjinden, tue vu jetën në rrezkue. Shpreha solidaritetin tonë për shtresën e ish të persekutuemëvet për mungesën e integrimit të tyne, për mungesën e denimit të krimeve dhe të kriminelëve të komunizmit, mungesën e ligjit të lustraciont, hapjen e dosjeve, etjera. I kuptoj edhe kritikat, që vijnë nga fakti se janë ba edhe manipulime politike plot hipokrizi.
Ishit tek Kulla e Isa Boletinit. Si erdhi kjo vizitë? Ç’emocione provuat?
Dr. Buçaj: Shkuem nji grup shokësh me dy makina. Kulla ishte në kufi me nji manastir serb që ishte i rrethuem me mur dhe nxente nji sipërfaqe toke të gjanë. Asht nji ndër objektet e shumta nepër Kosovë, të sigurueme si enklava me planin e Ahtisaarit. Kulla ishte rindertue në formën që ka pasë dhe ishte shëndrrue në muze, me forografina, artefakte dhe objekte origjinale. Shkolla shqipe ishte pranë oborrit të rrethuem me gurë. Na thanë se e kishte themelue Isa Boletini. “Po vemë kambët aty ku ka ecë Isa Boletini para afër nji shekulli”, tha im bir, tue ndije prezencën e atij burri të madh, trim e humanist. Kosova i kishte ndertue vorrin mermeri atij dhe njerzëve të vet me të cilët u vra, me mendimin se eshnat e tij do të gjinden dhe nji ditë do të vorrosen aty me gjamë ilire! Gjatë vitit jubilar të pavarësisë? Vështirë se mund të reaslizohet, por le të shpresojmë.
Dr. Buçaj: Nuk jam në dijeni që udhëheqsit shqiptarë ta kenë vizitue kullën me ceremoni zyrtare ndonji herë, por ajo asht rindërtue ashtu si ka qenë në origjinal, asht pajisë me objekte e dokumenta dhe asht nen kujdesin e shtetit. Ka nji orar të përditshëm kur dyert mbahen hapun dhe dikush pret vizitorët të cilëvet u spjegon mbi kullën, objektet që ruhen aty dhe mbi Heroin e Rilindjes dhe të Pavarësisë..
Mendoni se me rastin e 100 vjetorit udhëheqësit shqiptarë të Kosovës duhet ta thyejnë akullin e izolimit dhe të shkojnë ta vizitojnë kullën?
Dr. Buçaj: Shpresojmë se me rastin e 100 vjetorit do t’a vizitojnë dhe do të zhvillojnë ndonji ceremoni të përshtatshme, pa u tkurrë mos të shqetsohet Serbia.Me 12 tetor u perurue nji monument i tij, vërtetë i bukur, në Isniq, katund afër Deçanit, ku familja e Isa Boletinit kanë pasë origjinën, por vizita te Kulla ka nji vlerë dhe nji domethanje të veçantë. Në Isniq takuem nji mbasardhës të afërt të Gjeneralt të Pavarësisë.
Ju ishit edhe në trojet shqiptare në Mal të Zi. A mund të sillni detaje nga vizita atje? Dr. Buçaj: Në Mal të Zi na priti aktivisti intelektual nga ajo trevë, z. Nikoll Camaj, i cili na shoqnoi në tri vende historike: te Shpija Muze e Ded Gjo’Lulit në Deçiq, pikërisht aty ku e ka pasë kullën, në Bratilë, ku me malësorë ngriti flamurin kombëtar me 6 prill 1911, dhe tek Ura e Ribnicës në Podgoricë, ku asht vra Isa Boletini me bashkudhtarët e vet luftarë. Te Kulla e Ded Gjo’Lulit takuem nji të ri nga fisi i tij që banonte aty afër. Ai na ftoi t’i shkonim në shpi, si asht zakoni në malet bujare, por na kishim takim tjetër. Në rrugë për Podgoricë, u përshëndetëm me piktorin e njoftun, Gjelosh Gjokaj, n’oborrin e shpisë së tij, ekspozitë/atelie e përherëshme që ka ndërtue aty për të joshë malësorët të qendrojnë në vend e të mos i largohen vendlindjes. Kur i treguem se jemi në rrugë për te Ura e Ribnicës, ku asht vra Isa Boletini, u këthye: “Nikollë, aty nuk ka kurrfarë shejit, kishte me u dashtë nji pllakë bronxi a ndonji lloj objekti tjetër perkujtimor….”. “Do të kërkojmë lejen” shtoi Nikolla. M’u duk se vazhdoi biseda e para nji vjeti e gjysë e mbledhjes së Vatrës! Ndoshta ky udhtim nuk do të mbetet vetëm si nji shetitje e thjeshtë turistike. Vizita juaj u mbyll me promovimin e Shtatores së Ali Ibër Nezaj në Gjakovë. Diçka më shumë rreth këtij promovimi? Dr. Buçaj: Me 12 tetor 2012 u zbulue monumenti i Ali Ibër Nezajt në Gjakovë. Promotori kryesor, Halit Nezaj, bashkë me vëllazninë dhe pasardhësit e këtij luftari historik të Lidhjes së Prizrenit, më kishte ftue mue dhe vatranë tjerë me marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit. Zbulimi i shtatores u ba nga Kryeministri Sali Berisha, në prezencën e Presidentes Jahjaga dhe të autoritetevet vendore, personaliteteve akademikë e shkencore. Edhepse ditë me shi, pjesëmarrja e publikut ishte e gjanë, gjakovarë e tjerë të ardhun nga vende të ndryshme të Kosovës, nga Shqipnia dhe nga diaspora. Mbas perurimit, Nezajt shtruen nji drekë bujare për pjesëmarrësit, të cilët u argëtuen me muzikë e kangë patriotike, në atmosferë festive dhe në frymë vëllaznore. Përveç tjerëve ishin prezent edhe skulptori si dhe autori i monografisë për Ali Ibrën, shkrimtari Hamil Alia. Kishit shoqërues në udhëtimin tuaj në trojet amtare? Dr. Buçaj: Dr. Buçaj: Po më shoqnuen në udhtim djemtë, të dy vatranë të degës në Washington, Eduardi dhe Leka. Atje na u bashkuen Gjon Shiroka, Blerim Luzha, Sadri Bajraktari, Jusuf Telaku, Selim Krasniqi, dhe, ne Shqipni, Alban Mirakaj. Faleminderit për intervistën! Dr. Buçaj:Ishte kënaqësi që biseduam. FOTO: Nga takimi me ambasadorin amerikan ne Tirane, Alexander Arvizu
|