• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Agim Xh. Dëshnica sjell në Sofrën e Diellit POEZI TE ZGJEDHURA NGA POETET E MEDHENJ

December 29, 2015 by dgreca

Edgar Allan Poe/

LIQENI/

Në të rit e mi isha fatlum,/
Kur shkoja shpesh diku,/
Te një liqen me kënaqësi,/
Aq i dashur me atë vetmi,
Me shkëmbinj të zinj breg më breg,/
Pishat si pirgje shtek më shtek./

Kur nata mbulonte gjithçka,/
Aty përqark e gjithkah/
E hovshëm era misterioze /
Frynte e shfrynte melodioze./
Ah, n’ato çaste, rrija zgjuar /
Nga ai tmerr liqeni të vetmuar./

Por dridhma s’më shtinte aspak,
Ndieja veç një ëndje të vakët,
Siç ndiej një thesar nën dhe,
Apo lajkën që përkëdhel,
Një mësim që s’mora vesh at’botë,
As të dashurisë edhe e ytja qoftë.

Vdekja dergjej mbi valët helm
Dhe një varr n’atë gji të thellë,
E dikujt që për ngushëllim,
Përpiqej me përfytyrim,
Në vetmi të krijonte një Eden,
Me shpirt në të mugtin liqen.

ELDORADO

Një kalorës shend e verë,
Veshur hijshëm si ngaherë,
Në muzg e kur ndriçon
Prej shumë kohësh udhëtonte
Dhe një këngë seç këndonte
Në kërkim për Eldoradon.

E së fundi na u plak,
Ky kalorës trim u mpak,
Zemrën brenga ia trazon
Sado u end kudo më kot,
S’gjeti asnjë vend në botë,
Të ngjashëm me Eldoradon.

E kështu na vjen një ditë,
Seç iu shterrën gjithë fuqitë,
Pyet një hije në shtegti
Pasi u dergj e rënkon,
“O hije, ku mund ta gjej
Vendin e dashur, Eldoradon?”

“Tej, maleve mbi hënë,
Nën hon
Në muzgun e lugajeve,
Nga kalorës, trim i maleve,
Nëse kërkon Eldoradon!”

NESE

( IF)

Nga Rudyard Kipling

Në mundsh i qetë të ruash arsyen
Kur i humburi shfreh, se faj ke ti;
Nëse i beson vetes, kur dyshojnë te ty,
Mbaji ndër sy ata, dysho edhe ti;
Nëse duke pritur nuk lodhesh kurrë,
Ose dikush shpif, shpifjen flake tej
Ose të urren, mposhte urrejtjen si burrë
Aq i mirë mos u mbaj, mos fol më nge;

Në mundsh të mendosh e ti nuk mendon;
Nëse ëndërron e veten s’e sheh mjeshtër;
Nëse ngadhnjen a prej humbjses pëson
Pastaj trajton njësoj, si njerin e tjetrën;
Në mundsh të dëgjosh të vërtetën që the,
Të nxirrë nga horrat për naivët-mashtri,
Ose sheh pse të prishur jetën ke
E me veglat copë e ngre përsëri;

Në mundsh të bësh një pirg me para
E në letra t’i lësh brenda një nate,
Nga e para t’ia nisësh, guximtar sa s’ka
E kryet mos çash prej humbjes sate.
Në mundsh me zemër, nerv e fuqi
Me durim pret të kthehet nga larg,
E shkuara që për ty s’ka aq rëndësi
Përveç premtimit: “Prisni edhe pak;”

Në mundsh t’i flasësh turmës me dinjitet
A në krah me mbretër, sjelljen pa cenuar;
Nëse dikush pa shokë e miq të godet;
Nëse të nderojnë pa e tepëruar;

Në mundsh të ndjesh minutën e plotë
Me gjashtdhjetë sekondat në vrapim,
E ytja gjithëçka do të jetë në botë,
Atëherë, Njeri do të jesh, biri im!

LORENZO STECCHETTI – 1)

KUMBON NE RRUGE NJE ORGANETE
Kumbon në rrugë një organetë,
dritare e hapur, mbrëmja sa ka ardhë,
çohet mbi fusha e vjen te dhomëz e shkretë
aromë bujare, pranvere të bardhë.

S’e di përse më dridhen gjunjët sot,
s’e di përse më mbushen sytë lot.

Ja, kryet ula, mbi dorën time
për ty, që je aq larg, bie në mendime.

1) Orlindo Guerini

PIKA E UJIT
Nga V.Hugo
Binte uji, pika- pika tatëpjetë
shkëmb më shkëmb, nga kroi te i tmerrshmi det,
e deti i frikshëm që anijet shtyn e mbyt,
pyet: kjo pikë pse qan ashtu, çfarë lyp?

Unë jam tmerri vetë, jam uragan!
shtrihem lart në qiellin e paanë,
jam pafundësia lëbozës tej,
për çka më duhesh ti, rrëkezë e mjerë?-

E detit të tmerrshëm krroi na i thotë:
-pafundësi e pse me ty nuk matem dot,
veç të jap diçka, që nuk mund ta dish:
të jap një pikë ujë që mund ta pish.-

VAU
Lum që zbret Bolonje me shkëqim,
Lum i pastër dritë, vjen e shkon i qetë
Lum i dashur, o lum i vendit tim,
Ti më rrite të jem sot një poet:
Kallmishteve mike në lulëzim,
Hijeve të fshehta me fresk në çdo breg,
Në blerimin e dendur, bukurinë,
Për herë të parë, njoha dashurinë.

Mbi të artën ranë në ato bregore
Me mërmërimë uji ikte ngadalë
E në va përmes rrjedhës shkumbore
Duhej të hidheshim në breg përballë.
Ajo këndonte e kënga gazmore
Shuhej diku në ultësira pastaj.
Flokartën e bukur, sa fort e doja.
T’i hapja zemrën, as mundja, as guxoja.

Ecnim krah për krah të lumturuar,
Me përkëdhelitë e ditës së re,
Vetëm mes heshtjes mister të harruar,
Nën hije rrapesh me kryet në re.
Nga veshje e saj e flokrat e praruar,
Përhapej erë lulesh gjithandej,
Erë nga shtati i hajthëm plot shëndet,
Që shpirtit i vete nga udhë e fshehtë.

Dhe ja, atje, buzës lumit në va,
Vrik na rrëmbeu po një mendim të dy,
Të pavendosur u ndalëm një çast
Mes turpit e gazit në buzë, faqe e sy.
Ishim vetëm e askush nuk na pa,
Të skuqur flakë, u pamë sy më sy
E kur ujrat murmurinin më pranë,
Duhej të hidheshim në breg matanë.

Pasi mora zemër, eja, i thashë,
Në krahët e mi të të mbart përtej,
Ajo tha po, qeshi e drejt më pa.
Një ëndje të panjohur ndonjëherë,
Ndjeva tek më kalonte nëpër shtat
Diçka si teh çeliku i mprehtë.
Fjala u mek, gjuha ndër buzë u mpi,
Zemra hidhej e rrihte fort në gji.
.
U ula e çorapet hoqa mbi bar;
Ajo me sytë përdhe, unë vështroja.
E mora në krahë e eca në va,
Me vashën, që aq shumë e dashuroja!
E së fundmi u ndodha afër saj,
Në gjirin që dridhej, teksa e shtrëngoja,
E trembur, si një pëllumbeshë e rrallë,
E rrëmbyer, e mbartur nëpër zall.

E ç’ngjau më pas? E ndjeu me dridhtim
Uji pastër dritë, në rrjedhën e qetë,
Ti më i dashuri lum i vendit tim,
Ti që më rrite e sot të jem një poet:
E dinë kallmishtet në lulëzim,
Hijet e freskia përtej në breg
Blerimi i dendur me gjithë bukurinë,
Ku më s’pari njoha, dashurinë.

Nga Mihail J. Lermontov.

VELI I BARDHE

Zbardhon tej një vel vetmitar,
nëpër mjegull në detin blu.
Përse ikën nga gjiri amtar?
Në vise larg ç’kërkon ashtu?

Lozin valët, fryn erë-duhi,
Direku hepet e kërcet.
Oh! Ai nuk lyp lumturi
E larg lumturisë, nuk nget!

Nën të fugon rrymë e kaltër,
Lart ndrin dielli rreze-flori,
Po, ai rrebel, lyp veç shtrëngatë,
Sikur atje gjen qetësi.

KUR VALEZON GRUNAJA

Kur valëzon lehtas grunajë e zverdhur
E pylli në fresk nga flladi me zhurmim,
Struken luleshtrydhet te kopështi qeshur
Me ëndje në hije gjethesh në blerim.

Njomur nga bulëza vese erëmirë
Në mëngjes spërkuqjesh në çaste t’artë
Që poshtë shkurresh shfaqet lilaku i dlirë.
Përkundet dhe përshëndet me kryet lart.

Kur krroi los në përroskë si përherë,
Në mjegull ëndrrash më zhyt pastaj
Më pëshpërit një sage të lashtë plot mister
Për vendin paqesor, ku është krijmi saj.

Atë çast qetohet shpirti i trazuar
Në ballin tim çdo rrudhë humbet
Gjej lumturinë te tokë e hijeshuar
E sytë hedh në qiell, shoh Zotin vetë.

FJODOR I. TJUTÇEV

D E T I
Sa bukur nëpër natë, o det me valë!
Këtu-shkëlqim atje-në blu dhe terr!
Në dritë të hënës, si një qenie e gjallë,
Shfreh, vezullon, ecën e frymë merr.

Në pambarim, në hapësirë nget,
Lëvizje, dritë, gjëmë dhe shamatë,
Shkëlqim i zbehtë derdhet përmbi det…
Sa bukur-në shkretirë, nëpër natë.

O valë madhështore, o valë deti,
Kjo festë ç’është e për kë kremtojnë?
Suvalat sulen me rropamë e dritë,
Dhe yjet sipër, ndjejnë e vështrojnë.

Te ky shkëlqim e te kjo trazirë,
I humbur si në ëndërr, po qendroj,
Oh! në magjinë e tyre me sa dëshirë,
Të mundja, gjithë shpirtin të mbuloj.
———–
Përkth. nga Agim Xh. Dëshnica

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Agim Xh Deshnica, Edgar Poe, poezi nga poete te emdhenj, Rudyard Kipling

Artikujt e fundit

  • At Zef Valentini, ndër emrat më të ndritur të albanologjisë dhe historiografisë shqiptare
  • QË DRITA E DITURISË PËRPARA TË NA SHPJERË…
  • Në 44 vjetorin e rënies se Tahir e Nebih Mehës
  • Çfarë përmban projektligji i madh i Trump? Triliona në ulje taksash, ndryshime në Medicaid…
  • Në Philadelphia u organizua panairi shqiptar
  • “Ukshin Hoti ishte filozofi i rezistencës”
  • 63 vjet Orkestra Simfonike e RTSH
  • Samiti i KPE në Tiranë – Liderët ndajnë vizionin për Europën, luftën në Ukrainë dhe integrimin në BE: “Së bashku në rendin e ri botëror”
  • “Le të ulërijmë”
  • SHËNIMI NDËRKOMBËTAR I 80 VJETORIT TË ÇLIRIMIT TË MAUTHAUSENIT
  • EVROPIANËT NË TIRANË: FESTË TË MADHE KA SOT SHQIPËRIA—HANI E PINI DHE RRËMBENI…
  • Anëtarë të Komitetit Shtetëror për Kultet në Shqipëri vizituan Vatrën
  • FEDERATA “VATRA” DHE GAZETA “DIELLI” PËRKUJTOJNË EDITORIN DALIP GRECA NË 3 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM
  • Epopeja e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Jasharajve në Prekaz
  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT