• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kisha, Rama: Çdo ndërhyrje e Greqisë në punët e Shqipërisë e papranueshme

August 26, 2015 by dgreca

Kryeministri, Edi Rama në reagimin e tij lidhur me përplasjen Greqi-Shqipëri lidhur me kishën e Shën Thanasit në Dhërmi shprehet se, çdo ndërhyrje e vendit fqinj për këtë çështje konsiderohet e pa pranueshme.Rama thekson se, ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër.
Kreu i qeverisë nënvizon më tej se, Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij dhe se, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë.
Reagimi i plotë i Ramës:
Është e pabesueshme edhe për mua që ka kohë që nuk çuditem nga ushqimi i paçertifikuar që Partia Demokratike u jep përditë shqiptarëve, njësoj si ato thertoret e kthesës së Kamzës të cilat shisnin mish të therur në kohë reale mes baltës e gjakut.
Është e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës skandaloze të së ashtuquajtur kishë; një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për t’a gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë.
Po jo vetëm kaq, është e pabesueshme që Partia Demokratike, për të sharë medoemos qeverinë, t’i bashkohet një përçapjeje dhe një përçartjeje që nuk ka asnjë lidhje me raportet e shtetit me fenë; nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e qeverisë me kishën e me klerin ortodoks; nuk ka asnjë lidhje me fqinjin jugor jo e jo. I cili nga ana e tij, duhet të vetëdijësohet se asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj.
Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë.
Shqipëria është një vend ku kisha ortodokse është në shtëpinë e saj dhe jo në shtëpinë e komshiut, e po njësoj në shtëpinë e tyre janë edhe besimtarët ortodoksë të minoritetit grek. Të cilët e marrin meshën mes ortodoksëve shqiptarë dhe gëzojnë po njësoj si ata, të njëjtën liri fetare të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Këto të vërteta janë të qarta si drita e diellit dhe shosha e politikës së kujtdo apo e politizimit nga kushdo, të çfarëdo problemi në këtë mes, nuk mund të lejohet të dëmtojë cilësinë e lartë të marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri apo të marrëdhënieve të shtetit e të qeverisë shqiptare me të gjitha institucionet klerikale të Shqipërisë.
Eshtë ky vendi për të nënvizuar se marrëdhëniet e qeverisë sonë me klerin ortodoks dhe me përfaqësuesit e tij më të lartë, si edhe marrëdhëniet e mia personale me kryepeshkopin Anastas, kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Mosdakordësitë krejt të natyrshme për ndonjë problem krejt periferik jashtë çdo natyre fetare, nuk e zbehin dot shkëlqimin e kësaj marrëdhënieje dhe të respektit të merituar që kleri ortodoks, ashtu si edhe çdo kler tjetër në Shqipëri ka marrë prej nesh.

Gabojnë ata që në emër të Kishës Ortodokse e trajtojnë me fjalorin e ngarkuar të deklaratave të ditëve të fundit, prishjen e asaj ngrehine pa lidhje me trajtën e me funksionet e një kishe. Po vetëm zoti është i pagabueshëm, të gabosh është njerëzore. Jam i bindur se shumë shpejt do të kemi mundësinë ta tresim bashkarisht, me mirëkuptimin e përhershëm, renë e përkohshme të këtij keqkuptimi të përfaqësuesve të Kishës Ortodoke ndaj nesh. Sepse s’ka mendje të arsyeshme që ta ketë të pamundur ta kuptojë se çka po bëhet në atë truall në Dhërmi është një punë fisnike, që ngre lart vlerat e fesë, të historisë e të trashëgimisë kulturore të atij vendi dhe të kësaj toke. Bashkia e Himarës do të rindërtojë aty shembëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut dhe meriton vetëm përgëzime në synimin e vet, për ta bërë atë truall përçues të jehonës së një kohe e historie të shkuar që brezat po edhe vizitorët meritojnë ta përjetojnë.

Ndërsa me Partinë Demokratike ndryshon shumë puna, sepse është e pabesueshme që një forcë e madhe politike shqiptare t’i fryjë një zjarri të patolerueshëm për historinë e për të ardhmen e Shqipërisë. Unë e di, siç e dinë shumica dërrmuese e shqiptarëve, se Partia Demokratike është në vazhdën e një rrënimi dëshpërues dhe po ashtu, të gjithë e dimë se njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Po që dëshpërimi në PD të arrinte deri në orvajtjen e dëshpëruar për të sulmuar qeverinë e Shqipërisë në emër të lirisë fetare, kjo është e pabesueshme. Dhe prandaj është thjesht e vetëm e mëshirueshme.

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, Kisha e Dhermiut, nderhyrja e Greqise

Rama para Gazetareve: Në shtator operacion kundër informalitetit

July 30, 2015 by dgreca

TIRANË, 30 Korrik/Nga Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama bëri sot një paraqitje të situatës politike- ekonomike e sociale në vend gjatë një konference për shtyp në Sallën e Hartave në Kryeministri.
Rama tha se edhe në këtë vit është vijuar trendi pozitiv dhe zhvillimor që ka marrë situata ekonomike në vend.
Ekonomia ka ndjekur trendin pozitiv, duke qëndruar në harmoni me parashikimet e programit të hartuar me FMN dhe BB, tha kryeminstri Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “Shlyerja e borxheve ndaj kontraktorëve ka pasur impakt direkt në konsolidimin e trendit pozitiv”.
Rama: Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%
“Që në 3 mujorin e parë të qeverisjes u thye trendi negativ dhe pas një sërë 3-mujorësh paraardhës në rënie filloi kthesa pozitive dhe faktikisht gjatë vitit 2014 që pasoi 3-mujorin e parë të qeverisjes, ekonomia vazhdoi në rrugën e qëndrueshme të kthesës, duke ruajtur trendin e qëndrueshëm pozitiv dhe duke qëndruar në harmoni me parashikimet qysh me nënshkrimin e programit me FMN. Viti 2014 u mbyll me një rritje 2.12%. Është inkurajuese që 3-mujori i parë i 2015 shënon vazhdimësinë e trendit të rritjes, dhe u mbyll me një shifër të kënaqshme. 2.82 % kundrejt 3 mujorit të parë të 2014-ës, është një shifër mjaft domethënëse”, deklaroi kryeministri Rama.

Rama: Shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve, ndikim në rritjen ekonomike

Kreu i qeverisë theksoi se, ndikim në këtë rritje pati shlyerja e borxheve ndaj sipërmarrjeve. Rama u shpreh se shlyerja e borxheve ishte një proces transparent dhe me zero ankesa për korrupsion. Kryeministri shtoi gjithashtu se larja e borxheve solli zinxhir edhe efekte të tjera pozitive, pasi sipërmarrjet shlyen detyrimet e prapambetura tatimore dhe kreditë.

“Shlyerja e 350 milionë dollarë detyrime të prapambetura dhe mbërritja sot në 641 mlionë dollarë kanë patur një impakt të drejtpërdrejt në konsolidimin e trendit të rritjes ekonomike. Kjo ishte një procedurë transparente dhe e drejtë. Ndërkohë shumë pretendime, të cilat mund të kenë qenë edhe të bazuara de fakto por jo de jure nuk janë marrë parasysh. Plus kësaj, ky ka qenë një proces me ankesa për korrupsion zero. Pasi metoda e përdorur duyke i shlyer të gjithë detyrimet mbi bazën e një radhe jo të përcaktuar nga qeveria, por të përcaktuar nga koha e borxheve, ka garantuar që procesi të jetë tërësisht i pakontestueshëm. Nga ana tjetër, një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e borxhit janë përdorur nga sipërmarrjet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura tatimore. Një pjesë e këtyre fondeve janë përdorur nga sipërmarrjet edhe për të shkyer kreditë. Në këtë kontekst, ky operacion ka pasur rolin e vetë në parandalimin e rritjes së kredive të këqija dhe në një masë të caktuar edhe në uljen e tyre. Kur erdhëm ne kreditë e këqija në shifra alarmante. Në dhjetor të 2014 u ulëm nën 23% dhe në maj të 2015-ës jemi nën 22%”, u shpreh Rama.
Rama: Borxhi është ruajtur në nivelin 69.9 %
Kryeministri Rama është ndalur edhe tek situata financiare në vend, duke u shprehur se borxhi është ruajtur në nivel të qëndrueshëm në 69.9 %. Ndërkaq, Rama tha se qeveria e tij ka njohur dhe shlyer borxhet ndaj kontraktorëve.

“Ka një rritje të konsiderueshme të depozitave në bankat tregtare. Tjetër hap i rëndësishëm në kapërcimin e një situate kaosi në llogaritë e shtetit është mbajtja e qëndrueshme e borxhit të jashtëm. Për 6-mujorin e parë të këtij vitit, treguesi i borxhit është 69.9 %. E them këtë për të gjithë ata që i bien zurnave të fryra kur flasin për borxhin. Mos harrojmë që janë shlyer shumë borxhe të prapambetura. Ne bëmë legalizimin e një borxhi që qeveria nuk mund të mos ua njihte apo shlyente të gjithë kontraktorëve për punët apo shërbimet e kryera. Falë strategjisë së menaxhimit të financave publike i hapët rrugë përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë së përdorimit të fondeve publike. Kjo strategji është vlerësuar maksimalisht nga partnerët. Jemi drejt përfundimit të analize të thelluar të të gjithë elementëve. Por e sigurtë është që jemi në kushtet e ndryshimit të modelit ekonomik”, tha Rama.

Punësimi, Rama: Në 2015 numri i të punësuarve 10% më i lartë se në 2014

Më tej kreu i qeverisë është ndalur edhe tek problemi i punësimit, duke u shprehur se masat e ndjekura deri më tani po fillojnë të japin rezultat.
“Referuar anketës së forcave të punës, krahasuar me tremujorin e parë të 2014 numri i të punësuarve në 2015 është 10 % më i lartë, dhe kemi një rritje me 103 mijë persona. Sigurisht kjo nuk do të thotë se është zgjidhur problemi i papunësisë në vend, por na flet për efikasitetin e politikave të qeverisë. 100 mln dollarë i janë shtuar arkës së shtetit si shumë në dispozicion të pensioneve, si rezultat i rritjes së numrit të personave të nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhe të formalizuar” vijoi kryeministri Rama.

Rama: Ka pasur rritje të konsumit dhe eksporteve

Kryeministri theksi se ka edhe rritje të konsumit. “Në vitin 2014 tregtia me pakicë shënoi një rritje që kapi 6.4 % në vlerë, ndërkohë që në tremujorin e parë të 2015 është rritur me 7% krahasuar me 2014. Kjo nuk është çështje opinioni, por çështje shifrash si e sipërmarjes së përfshirë edhe e konsumatorit”.
Duke folur për import-eksportet, Kryeminitri Rama tha se, “Në zërin e importeve kemi 1 miliardë dollarë më shumë makinerish dhe pajisesh. Kjo do të thtoë që kemi një kthesë në orientinim e sipërmarrjes dhe parasë në investimin drejtpërdrejt në teknologji. Gjë që prezumon rritje të linjave të përpunimit dhe prodhimit, gjë që prezumon rritje të punësimit real. Eksportet në total janë rritur me 9% në vlerë”.

Mbrojtja mjedisore, Rama: Po bëjmë kthesë historike

Duke folur për mbrojtjen mjedisore, Kryeministri Rama tha se edhe këtu po bëjmë një kthesë historike, ku të gjithë ata që kanë marrë leje minerare apo për hidrocentrale kanë detyrë t ëmbrojnë mjedisine zonës ku operojnë. Poasht moraoriumi naj gjueisëka ndihmur në rikthimin disa lloje shpendësh dh kafshë në disa zona të mbrojtura në vend.

Mbrojtja sociale, Rama: Rritje e fondit të pensioneve dhe shpërblime për ish- të përndjekurit

Reforma e pensioneve përbën një nga arsyet për të qenë krenarë për çfarë kemi bërë deri tani në krye të qeverisë, u shpreh Kryeministri Rama. “I dhamë fund tavanit të tmerrshëm që i mbantet gjithë pensionistët nën 240 mijë lekë dhe siguruam rritje reale për të gjitha fashat e shoqërisë”, tha Rama. Kryeministri gjihashtu përmendi edhe uljen e moshës së daljes në pension për minatorët.
Gjithashtu Kryeministri u shpreh se janë shpërblyer ish- të përndjekurit me 13 milionë dollarë vetëm në vitin 2015. Ndërsa shtoi Rama, “ka filluar shpërndarja e këstit të 5-të për ata që janë gjallë”.
Rama: Ligji i Arsimit të Lartë, transfomim rrënjësor në këtë sektor
Kryeministri Rama tha se Ligji i Arsimit të Lartë i miratuar së fundmi në Kuvend i hap rrugë një transfomimi rrënjësor në këtë sektor. Ai shtoi se agjenica e akreditimit do të vijojë punën në Universitetet e vendit duke nxjerrë rezultatet e sakta të rankimit të tyre.

Sporti, Rama: Kemi investuar 25 milionë euro

“Të gjithë kampionët e sportit kanë marrë paratë që i detyrohej qeveria, e cila iu thithte dikur vetëm djersën e fitores dhe më pas nuk e dinte ku ishin”, tha Rama. Kryeministri shtoi se, “janë 25 milionë euro të investuar në infrastrukturën e sportit, më shuëm se të gjitha qeveritë e marra sëbashku. Këtu përfshihen edhe dy stadiumet e reja të Elbasanit dhe Shkodrës, ku dhe vazhdon puna. Ka shumë për të bërë sidomos me sportin në shkoëll dhe për këtë do të bashkëpunojmë edhe me pushtetin vendor. Kjo ndihmon edhe në shëndetësi, ku një euro i invesuar në sport është 3 euro të kursyera në shëndetësi”.
Shëndetësia, Rama: Ka ende shumë për të bërë, pagesë shtesë për mjekët që shkojnë larg banimit
Kryeminstri Rama theksoi se ka ende shumë për të bërë në sektorin e shëndetësisë. “Do t’iu ftoja të monitoroni faktin që sot ka 22 qëndra shëndetësore që operojnë në 7 ditë të javës për sezonin turistik. Sot ka raste urgjente në Spitale rajonale që zgjidhen me konsulta nëpërmjet telemjekësisë”, tha Rama.
Kryeministri Rama tha se, do të ketë pagesë 100 mijë lekë shtesë për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonave të tyre të banimit. “Është me rëndësi reforma në sistemin e shëndetësisë. Synohet modernizimi i shërbimeve ndaj qytetarëve. Po krijojmë një portal unik për shërbimet. Do të stimulohen ata mjekë që duan ta ushtrojnë ashtu si duhet profesionin e tyre. Kështu do të ketë një pagesë shtesë për 100 mijë lekësh çdo muaj për ata mjekë që do të ushtrojnë profesionin e tyre larg zonën së tyre të banimit, pra në një zonë tjetër”, tha Rama.
Rendi, Rama: 50 % vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015
Duke folur për situatëne rendit dhe sigurisë, Kryeministri Rama tha se treguesi më I qartë është se ka 50 % vrasje më pak në gjashtëmujorin e parë të 2015 më pak se çdo vit që nga 1992.
Gjithashtu Rama shtoi se, “ka 53% vjedhje me armë më pak, 60 % vjedhje me dhunë. 33% më pak shkatërrim prone me eksploziv dhe Shqipëria nuk shihet më si vend origjine për kultivimin e kanabisit, siç ishte edhe në listën e vendeve për trafikim”.
Rama: Nuk kemi plan për ndryshime në qeveri
Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka plane për nryshime në qeveri ënshtator pasi s’ka arsye për ta bëë këtë. “Rifreskimin qeveria do ta bëjë gjatë pushimeve të gushtit dhe nuk e kemi plan për të bërë ndryshime qeverie, pas nuk shohim asnj arsye për të bërë ndryshime”, tha Rama.
Rama: Në shtator operacion kundër informalitetit
“Në shtator do të fillojë një tjetër operacion i madh që për nga natyra dhe agresiviteti do të jetë si ai i energjisë, i territorit, i mbylljes së Universiteteve, do të jetë operacioni kundër informalitetit”, tha Kryeministri Rama, duke iu përgjgjur pyetjes mbi abuzimeve fiskale në jug të vendit gjatë sezonit turistik.
“Kuvendi do të miratojë paketën e masave rënduese penale kundër kontrabandës, punës në të zezë, evazionit fiskal dhe atyre shfaqjeve që kanë bërë që Shqipëria të jetë sot një vend ku disa sipërmarrës paguajën dhe një pjesë tjetër nuk duan t’ia dinë fare. Në operacion do të përfshihen, doganat, tatimet, Inspektoriati i punës dhe padyshim Policia e Shtetit. Operacioni nuk do të tolerojë askënd. Masat do të jenë shumë të rënda”, tha kreu i qeverisë.
Rama: Në parlament s’ka njerëz me probleme me ligjin
Duke folur për dekriminalizimin, Kryeministri Rama tha se, “në kushtet e sotme, në parlamentin e Shqipërisë, nuk ka njerëz të cilët kanë probleme me ligjin, por në kuptimin, s’ka që kanë rishtaz, s’janë futur në parlament njerëz që kanë pasur probleme të hapura me ligjin.
“Kam qenë i pari që kam kërkuar dëshmi penale. Gjykime të ndodhura shumë larg në të shkuarën apo edhe afër por përtej kufirit të dëshmisë penale, adresohen me ligj nëse duam ti adresojmë, dhe ne do i adresojmë me ligj. Kjo për mua është të përballesh me një fenomen që është i padëshirueshëm. Ndërsa këto luftërat që i ngjajnë formave inkuiziconale, dhe s’marrin parasysh kontekstin, janë të papranueshme…Këtu politika adreson fenomene, për këtë janë politikat. s’merr përsipër të përvëlojë njerëz”, tha Rama.
“Duke adresuar fenomenin ata që përfshihen në atë kuadër kanë kufizimin e tyre. Ata që janë dënuar edhe e kanë kryer dënimin në kushtet e Kushtetutës dhe ligjit ne Shqipëri dhe ne vendet e Evropës, janë persona të cilët kanë të drejtë të zgjedhin dhe të zgjidhen. Sikur PD të kishte pasur vizion, s’kanë ku ta gjejnë, dhe vullnet, ne do ta kishim bërë me kohë ligjin. Pritëm propozimet e tyre, na erdhën ca paçavure, …ne s’mundëm të shkonim pas atyre paçavureve, tani do shkojmë ne ta çojmë draftin dhe do ta miratojmë draftin me ose pa ata. Në zgjedhjet e ardhshme ky fenomen do jetë i përballuar, do jetë i shtritë edhe në administrata. ne nuk kemi kandiduar asnjë njeri me rekorde kriminale, se për mua rekorde kriminale janë ato që janë të gjykuara, qoftë edhe në shkallën e parë, ndalime, hetime, përpunime, këto janë pjesë e proceseve që nuk kanë vlerë nga pikëpamja e gjykimit”, tha Rama.
Reagimet e Blushit, Rama: Sikur në PS të gjihë të mendonin njësoj, ajo do quhej PD
Duke iu përgjgjur pyetjeve mbi qëndrimet e deputetit socialist, Ben Blushi, Rama u shpreh se, sikur të kishte një Parti Socialiste ku të gjithë do të mendonin njësoj, ajo nuk do të quhej Partia Socialiste, ajo do të ishte Partia Demokratike e Shqipërisë.(ATSH)

Filed Under: Interviste Tagged With: Edi Rama, para gazetareve

KRYEMINISTRI RAMA NE PRISHTINE

July 16, 2015 by dgreca

Kryeministri Rama në Prishtinë, shpreh përkrahjen e Shqipërisë për proceset në Kosovë/
Nga Behlul Jashari/
PRISHTINË, 16 Korrik 2015/-Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama mbërriti sot për vizitë zyrtare në Kosovë, i pritur në kryeqytet, Prishtinë, para Kryeministrisë nga kryeministri kosovar Isa Mustafa e zv/kryeministri i parë e ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.
Gjatë takimit, ku ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, koordinimin e projekteve dhe bashkëpunimit të dy shteteve në prag të Samitit të Vjenës si dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri Isa Mustafa e informoi kryeministrin Edi Rama për progresin që po arrihet në Kosovë në të gjitha fushat, me theks të veçantë për reformat dhe prioritetet e Qeverisë.
Kryeministri Mustafa po ashtu theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të zgjeruar bashkëpunimin dhe partneritetin strategjik me Shqipërinë.
Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë.
Kryeministri Rama po ashtu shprehu përkrahjen e Republikës së Shqipërisë për proceset në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë shqiptare për zgjerimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit me Kosovën.
Korrespondenti në Kosovë ishte në pritje dhe brenda takimit për një kohë, gjatë së cilës kryeministrit Rama iu shpreh e gjithë mikpritja e përzemërt dhe vëllazërore, ndërsa me kryeministrin kosovar Mustafa flisnin edhe për udhëtimin nga Tirana drejt Prishtinës, mes dy kryeqyteteve.
Takimi, pas të cilit sapo u dërgua komunikata për media e Kryeministrisë kosovare, u mbajt në ndërtesën kryesore të Qeverisë së Kosovës në Prishtinë, nga i cili mediat mundën të marrin vetëm pamje.

Filed Under: Kronike Tagged With: Edi Rama, kryeministri, ne Prishtine

Basha: Rama-Meta u braktisën, zgjedhjet, hap i madh për PD

June 23, 2015 by dgreca

Rama justifikon rënien e votave të PS: Zgjedhjet lokale kanë larmi/

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka dalë sot para mediave në deklaratën e parë pas përfundimit të procesit të numërimit të zgjedhjeve në pjesën dërrmuese të bashkive.Basha denoncoi manipulimet dhe parregullsitë e kryera nga mazhoranca, por njëkohësisht vlerësoi këto zgjedhje si një hap i madh për Partinë Demokratike.“Rama dhe Meta kanë pësuar braktisje nga qytetarët. Kjo u vu re në numrin e votave që ata morën. Rama-Meta manipuluan hartën elektorale”, tha Basha.Ai risolli në vëmendje tentativat për blerje votash apo manipulime në sajë të kërcëninemeve me pushim nga puna.

“Shqetësimet tona u verifikuan nga misioni i OSBE/ODIHR dhe ndërkombëtarët”, tha Basha.Ai deklaroi se mazhoranca nuk iu përgjigj thirrjes së ndërkombëtarëve  për heqjen e të inkriminuarve nga listat ashtu sikundër bëri Partia Demokratike.Basha vlerësoi këto zgjedhje si një hap i madh për PD-në dhe deklaroi se opozita do të vazhdojë betejën e saj për rikthimin e dinjiteti të shqiptarëve.

Rama justifikon rënien e votave të PS: Zgjedhjet lokale kanë larmi/

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së tij të sotme për shtyp i cilësoi zgjedhjet e 21 qershorit  si zgjedhjet më të mira të zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri. Rama theksoi faktin se nuk u përdorën rezervat e Shtetit për të ndikuar te vota si në të kaluarën.Kreu i Ekzekutivit vuri në dukje gjithashtu se nuk u përdorën të burgosurit apo administrata publike për të bërë fushatë dhe për të intimiduar votuesit.

Rama bëri thirrje që komisionerët të bëjnë punën deri në fund për këshillat, sikurse e bënë edhe për kandidatët. “Votat për këshilla nuk janë vetëm politike, por edhe individuale dhe duhet të ruhet larmia e tyre si e tillë”, – tha Rama, duke justifikuar në njëfarë mënyre rënien e pritshme të votave të PS-së në krahasim me 2013-n dhe rritjen e njëkohshme të votave në favor të LSI.Sipas Ramës zgjedhjet janë historike për 2 arsye: “sepse nuk u ushtrua presion ndaj anëtarëve të administratës dhe u vendos barazia e plotë gjinore në këshillat bashkiakë”.“Referendumi që kërkoi PD kundër reformave të qeverisë, humbi edhe më keq nga çfarë e mendonin”, – tha Rama.“Nuk kam pritur 21 qershorin për ta marrë vesh se shqiptarët duan me ngulm vazhdimin e reformave. 21 qershori është një shtysë e re për t’i vazhduar reformat. Shqiptarët e konfirmuan alenacën tonë si drejtimin e duhur. Lajmi i i mirë është se 9 kandidate janë gra, nga të cilat 8 nga ASHE. I uroj përzemërisht për fitoren që të gjitha, përfshi edhe kryebashkiaken e re të Shkodrës” – vijoi Rama.“Shqiptarët i mbështesin reformat tona, sepse nuk kanë më kohë për të humbur. Deri në fund të vitit do të bëjmë gati pakëten e re për decentralizimit të plotë të bashkive. Duam ta bëjmë bashkë me opozitën rrugën drejt konsolidimit të shtetit shqiptar, por do ta bëjmë me patjetër, edhe nëse opozita nuk dëshiron të na bashkohet,” – theksoi Rama.“Pjesmarrja kaq e lartë është inkurajuese. Nuk arrita të gëzohem plotësisht sepse për politikanët kjo është një fiotore, por për ata që investojnë me votë është një invesitm apo një ankth që presin që t’iu kthehet. E ndiej fort dhimbjen e atyre që mund të mos shkonin fare në zgjedhje më 21 qershorit por e bënë. Ju falenderoj që shkuat prap kaq të shumtë në numër për të votuar. Ju falenderoj që na mbështesni për përpjekjen e mundimshme për ta nxjerrë Shqipërinë nga balta dhe nga lëngata”.“Ky është drejtimi i duhur për vendin tonë, unë do të vazhdoj të bëj me mish e me shpirt gjithçka që është e mundur për të justifikuar besimin e atyre të gjithë atyre që na votuan”, – përfundoi Rama.

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Edi Rama, komentojne, Lulzim Basha

Edi Rama aplikon politikën e Moskës, e njohur si “Putizmi”, dhe “frikën” ndaj çdo qytetari

June 11, 2015 by dgreca

Më 21 Qershor : “Për të votuar disavantazhet: të pastrehët, të varfrit, të papunët, qytetarët e rinj, grupe indigjene, dhe izoluarit”/
Nga Beqir SINA/
TIRANE : Në Shqipëri, këto ditë të dhënat nga disa media të pavarura, si dhe një numër i burimeve të tjera akademike dhe sondazhet, paraqesin një pamje krejtësisht kontradiktore mbi qeverisjen e së majtës koalicionit PS – LSI, që ka shumicën në qeveri, dhe, tani po lufton për një super pushtet – ose i thirrur ndryshe, kapjen me të gjitha mënyrat të pushtetit absolut , që mundohet të kriojë sot dyshja Rama – Meta.
Polarizimi i politikës duke filluar qysh nga parlamenti, dhe shtrirja e saj në këtë fushtë, është një nga karakteristikat definitive të kësaj maxhorance të majtë me ‘’brumë” të pastër social komunistë.
Tani, të majtët në Shqipëri, PS-LSI-ja ;”janë më të ndara përgjatë linjave ideologjike – dhe antipatia “partizane” , është më i thellë dhe më i gjerë – se në çdo pikë në dy dekadat e fundit”, pikërishtë nga njerëzit, këtu në të gjitha qytetet dhe zonat rurale, ku pritet të mbahen edhe zgjedhjet e 21 qershorit.
Duke biseduar me njerëz të ndryshëm nga veriu në jug, këto ditë të “nxehta” të një fushate elektorale kam parë deri tani se kësaj radhe rezultati është i parashikueshem – Mbasi të dhënat tregojnë sesi “hendeku partizanë” i cili fitojë zgjedhjet e 2013, ka rënë në mënyrë të ndjeshme të masa e gjerë e qytetarëve, qofshin ata majtas apo djathtas.
Në Shqipëri, votuesit po e kuptojnë se nuk mund të mashtrohen më kollaj, as me “miellin” dhe blerjen e shtijen e votës , por, as me Putizmin e Edi Ramës, duke ia kalluar frikën njerëzve.
Por – në këtë fushat ka edhe një dukuri të pa vrejtur ndonjëherë, në këto 25 vjet demokraci. Media e kontrolluar, nga dyshja Rama – Meta- ka injoruar në mënyrë flagrante dekleratat e Ambasadorit të SHBA në Tiranë , Donald Lu, sidomos kur ai bëri thirrje qytetarëve që të :” Mos shisnin votën, dhe të refuzonjnë kandidatët e inkriminuar”
Ndërkohë, që edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 21 qershorit, apeli për të mos shitur votën dhe për të mos votuar kandidatët e inkriminuar ka ardhur edhe nga ambasadori i SHBA në vendin tonë, Donald Lu, por që është inojruar nga kjo maxhorancë me Edi Ramën në krye të saj.
Ambasadori amerikan Donald Lu, duke iu drejtuar studentëve tha: Mos dëgjoni retorikën e inatosur politike, por të votoni, sepse nëse nuk votoni, mos u ankoni për ata që ju qeverisin. Dhe shtojë :” Në Amerika ka një shprehje: “Nëse nuk voton mos u anko”. Të gjithëve na pëlqen të ankohemi për udhëheqësit tanë. Ju keni fuqinë të zgjidhni udhëheqësit tuaj, mos e shisni votën tuaj, mos dëgjoni retorikën e inatosur politike, dhe ditën e votimit mos harroni të votoni”.
Marrja e pushtetit në 2013, nëpërmjet mashtrimit dhe blerjen e votës , duket, se i ka ikur koha në Shqipëri, dhe rreziku i saj nga marfiteçijtë e kësaj maxhorance të “gjithë pushtetshme” që frikësonçdo ditë qytetarët shqiptarë , është një makth, nga kjo maxhorancë dhe një shqetësim në Washingtonin dhe Bruksel.
Të cilat, në se deri dje bënin thirrje qytetarëve shqiptarë për zgjedhje të lira e transparente, tani jan duke bër thirrje për zgjedhjet e 21 qershorit,:” Për të mos shitur votën dhe për të mos votuar kandidatët e inkriminuar. Të mos dëgjojnë retorikën e inatosur politike, por të votojnë”, –
Sepse, ndodh kjo nga që edhe “ hendeku partizan” ka filluar të bjerë në elektoratin shqiptarë.
Nuk ka më mbivendosje të konsiderueshme në mes mes kanditatëve të majtë dhe atyre të djathtë të spektriti politikë në çdo zonë, duke përfshirë, edhe Tiranën . Pikërishtë, aty ku “lufta” për kryetarin e bashkisë, është me e “nxehta”.
Mbasi, këtu konkuronë një ish ministër i kësaj qeverie , Erjon Veliaj, që ngjiti shkallët e karrjerës së tij nëpërmjet mashtrimit dhe propogandës, dhe një kandidati serioz, si dr Halim Kosova që ka një alternativë të besueshme për zhvillimin e Tiranës, dhe ka dëshmuar se mund ti japi Tiranës më të mirën.
Por përmbledhja e deritanishme e polarizimit politik të elektoratit shqiptar, në një parlament “partizan”, duket se ka edhe një ngecje në mardhënjet e Tiranës me Uashingtonin dhe Brukselin . Tirana me këtë qeveri është larg nga një qeveri deri edhe me vlersim “mesatar” në lidhjet e saj me SHBA.
Dhe kështu, në vend të dëshmojnë se janë, pro asaj që kërkon Uashingtoni dhe Brukseli, pushtetarët e sotëm me Edi Ramën, po ndjekin nevojat e politikës e interesave moniede.
Duhet të theksohet se shkaqet e mosfunksionit “të demokracisë” si në të gjithë botën në Shqipëri, mbas 2013, janë të panumërta. Ndërsa, polarizimi nga kjo maxhorancë nuk është më për ta kuptuar se është produkt i fuqisë politike tu mbajtur nga elita ekonomike, dhe media e kontrolluar prej tyre, dhe tendencat të ndërthurura. Por, edhe nga ajo që Edi Rama aplikon tani politikën e Moskës, e njohur si “Putizmi”, dhe “frikën” ndaj çdo qytetari.
Në të tre skenarët, që propogandon kjo qeveri , që ka shkallën më të lart të propogandës në botë, edhe më të madhe se Koreja e Veriut,; duke u hequr si të mesëm – të moderuar, mesatarë – janë të përjashtuar nga perendimi dhe të dështuar në arenën ndërkombëtare.
Pavarësisht, nga fakti se është rritur polarizimi në të dy skajet e spektrit ideologjik të majtë, atij me mentalitet “eneverist” dhe atij të moderuar socialist, po ta shohësh tek besimi i njërëzve sot në Shqipëri, ai ka për tëshkaktuar një “turbolencë”, të madhe të votuesve në zgjedhjet e 21 qershorit.Për atë se ku do të qëndrojn kësaj rradhe, votuesit, nëse votojnë të majtët PS- LSI apo demokratët e PD .
Besimet e tyre janë të fragmentuara, çka dotë thotë se ata nuk kanë plotësisht për atë të përqafojnë ideologjinë e së majtës, çka ka për të treguar me votë se ata janë në kundërshtim me klimën e tanishme politike.
Fakti që shqiptarët kan votuar deri tani për ata që u “kontribuojn” atyre në atë pushtet, nuk do të thotë se do të jetë edhe më 21 qershor . Kjo gjithashtu do të thotë se qytetarët janë pjesërisht përgjegjës për “privimin” e të drejtave të tyre. Në Shqipëri, problemi nuk është vetëm se pjesëmarrja e votuesve është e ulët, por pjesëmarrja e votuesve është i njëanshëme dhe shoqërore .
Ata shqiptarë që dalin e votojnë më 21 qershor, kësaj radhe duhet ta dinë mirë se do të votojnë për veten e tyre të familjes dhe të ardhmes. Dhe,nuk duhet të shkojnë për të votuar siç kan votuar deri në 2013. Por, duhet t ë shkojnë për të votuar me 21 Qershor, për tashmën atë që kan pasur deri tani si disavantazh: të pastrehët, të varfrit, të papunët, qytetarët e rinj, grupe indigjene, dhe të izoluarit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Beqir Sina, Edi Rama, si Putini, zgjedhjet e 21 Qershorit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 7
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • …
  • 17
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry
  • Universiteti Shtetëror i Tetovës si Paradigmë e Arsimit të Lartë Shqiptar
  • Kujtesë e misionit profesional dhe jetësor që na bashkon…
  • LAHUTA SHQIPTARE NË DËSHMITË E HISTORIANËVE, ALBANOLOGËVE DHE STUDIUESVE EUROPIANË
  • Justina Aliaj e kthen Nënën Terezë në qytetin e saj të fëmijërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dega në SHBA nderoi gazetarë të shquar shqiptaro- amerikanë
  • “Sekretet” e Faik Konicës, roli si Kryetar i “Vatrës” dhe editor i “Diellit”
  • Libri “Dënesje në dru” i shkrimtarit Lazër Stani, prozë e kërkimeve absurde
  • Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)
  • Lufta hibride ruse dhe mësimi për shqiptarët
  • Paradoks gjuhësor dhe letrar
  • “Dardanët”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT