• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELEZ BIBERAJ, DREJTOR I PËRGJITHËSHËM I ZËRIT TË AMERIKËS

June 30, 2020 by dgreca

 Nga Frank Shkreli/

http://tribunashqiptare.com/wp-content/uploads/2017/02/frank_shkreli2.jpg Disa ditë më parë, Drejtorja e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett dhe zëvendësja e saj kryesore, Sandra Sugawara, dhanë dorëheqjen duke thënë se, Michael Pack, shefi ekzekutiv i sapo miratuar i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), që mbikqyr ndër të tjera edhe Zërin e Amerikës, gëzon të drejtën t’i zëvendësojë ato me ekipin e zgjedhur prej tij. 

Sot, ditën e martë, Z. Michael Pack bëri pikërisht këtë, duke njoftuar zyrtarisht emërat e zyrtarëve të lartë që do të zevëndësojnë shefat e mëparshëm të 5 enteve të transmetimeve civile ndërkombëtare amerikane, përfshirë edhe atë të Zërit të Amerikës. Me kënaqësinë më të madhe mësova se njëri prej këtyre zevëndësimeve, ishte miku im i ngushtë dhe kolegu i ditëve të mira dhe të vështira për pothuaj 50-vitet e kaluara Dr. Elez Biberaj I cili u emërua në krye të Zërit të Amerikës, si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i VOA-s. 

Në njoftimin e emërimeve, Shefi Ekzekutiv I emëruar nga Presidenti Trump dhe i sapo miratuar nga Senati i SHBA-ave, i Agjensisë Amerikane për Median Globale (USAGM), Z. Pack, u shpreh se, “Përvoja e këtyre burrave dhe grave të talentuar, njohuria e tyre e veprimtarisë dhe misionit të tyre ndaj këtyre enteve si dhe angazhimi i tyre ndaj standardeve të gazetarisë, do na e bëjë të mundur hapjen e një kapitull të ri në agjencinë tonë.  Dr. Biberaj, Z. Shapiro, Z, Ponnudurai dhe Zonjat Sullivan dhe Sindelar do të luajnë role kritike në postet e tyre duke bërë të mundur që entet tona të shënojnë një performancë më të lartë, me qëllim që tu shërbejmë më mirë audiencave tona.  I falënderoj nga zemra për gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në këtë ndërmarrje tonën dhe jam shumë i kënaqur të punojë hap për hap me ta dhe me të gjithë ju”, thuhet në njoftimin që Z. Michael Pack i drejtoi stafit të Zërit të Amerikës dhe enteve të tjera të transmetimeve civile ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara.  Në një koment në pritje të emërimeve të reja, portali amerikan i lajmeve, VOX u shpreh për emërimin e Dr. Biberaj duke thënë se, Z. Biberaj gëzon një reputacion shumë të mirë si një njeri serioz dhe profesionist i disiplinuar. Ai është dhënë me gjithë shpirt ndaj përhapjes së lirë të lajmeve dhe informacionit në vendet dhe kontinentet ku kjo liri u mohohet njerëzve, thuhet në komentin e portalit amerikan të lajmeve VOX. 

Disa të dhëna, shkurtimisht, mbi karierën e Dr. Elez Biberaj.  Elez Biberajn, bota shqiptare e ka njohur për pothuaj një gjysëm shekulli — jo vetëm nepërmjet komenteve prej eksperti mbi gjëndjen në Shqipëri, në Kosovë dhe në Ballkan, gjatë viteve si dhe për intervistat e shumëta në valët e Zërit të Amerikës — por edhe nepërmjet shkrimeve të shumta si autor librash dhe dyzina artikujsh në anglisht, të botuara në gazetat amerikane dhe në shqip në median shqiptare si dhe në diasporë.


Deri sot, Dr Elez Biberaj ka drejtuar Divizionin e Euro-Azisë të Zërit të Amerikës që nga viti 2006. Ai ishte përgjegjës për programimin multimedial të Zërit të Amerikës drejtuar Rusisë, Ukrainës, Armenisë, Gjeorgjisë dhe vendeve të Ballkanit, përfshir Shqipërinë.  Z. Biberaj filloi punën tek Zëri i Amerikës në vitin1980 si një transmetues ndërkombëtar në Shërbimin Shqip të kësaj radioje. Nga viti 1982 deri në vitin 1986, ai punoi në Divizionin e Shtypit të ish Agjencisë së Informacionit të Sh.B.A-së si shkrimtar/redaktor i specializuar në çështjet sovjetike dhe të Evropës Lindore.  Dr. Biberaj u kthye në Zërin e Amerikës si shef i Shërbimit Shqip në vitin 1986 dhe për 18 vite me radhë ka shërbyer si Shef i Seksionit shqip VOA-s, duke e shëndërruar shërbimin shqip në një prej enteve më të suksesshme të të të gjitha transmetimeve të Zërit të Amerikës.  Për një kohë të gjatë, ai shërbeu në një kapacitet të dyfishtë si shef i Shërbimit Shqip dhe drejtor i shkrimtarëve dhe studiuesve të Divizionit Evropian të Zërit të Amerikës.  Dr. Biberaj u emërua Redaktor/ Menaxhues i Divizionit të Euro-Azisë në 2004, u bë shef në detyrë si Drejtor i Divizionit Euro-aziatik në vitin tjetër dhe u emërua përfundimisht Drejtor i Divizionit me 2006.  Ai ka doktoraturën (PHD) në Shkencat Politike nga Universiteti Columbia në Nju Jork dhe është autor i katër librave, përfshirë, “Shqipëria në Tranzicion: Rruga e Vështirë Drejt Demokracisë, 1990-2010”.

Dr. Biberaj njihet si ekspert në fushën e transmetimeve radio-televizive ndërkombëtare, gazetar i shquar dhe autor librash dhe artikujsh të shumtë akademikë, ndër të tjera edhe si njohës i mirë i çështjeve të Ballkanit, Shqipërisë, Kosovës dhe Rusisë.  Dr. Biberaj ka vizituar shpesh shtetet dhe zonat ku fliten gjuhët në të cilat transmeton Zëri i Amerikës programet e veta, veçanërisht në Evropë, Rusi e gjetkë.  Si njëri prej vëzhguesve dhe analistëve më të respektuar të botës për zhvillimet e periudhës komuniste dhe paskomuniste në Shqipëri dhe në Kosovë.”, siç e ka cilësuar atë miku ynë i përbashkët Profesor Nikola Pano, dhe si eskpert i njohur gjatë karjerës së tij në Washington, Dr. Biberaj është ftuar dhe ftohet shpesh për të folur nga pikëpamja e një eksperti — për situatat në zonën e Euro-Azisë, në Ballkanin Perëndimor dhe mbi Rusinë – qoftë nga ente të ndryshme të qeverisë federale amerikane, qoftë nga organizata mediatike, jo-qeveritare dhe akademike. 

Elez Biberaj, Ph.D.

                                          Elez Biberaj, Ph.D. 

Me emërimin e tij në postin e Drejtorit të Përgjithshëm në detyrë të Zërit të Amerikës, Dr. Biberaj ka arritur–të pakën deri tashti – kulmin e karierës së tij të shkëlqyer, një sukses ky për të cilin ai vet dhe familja e tij duhet të jenë krenarë, por edhe të gjithë ata që e njohin — për së afërmi e për së largu – përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave modestë – si një shok i ngushtë, mik i familjes dhe bashkpuntorë i pa ndarë në rrugëtimin e përbashkët e të gjatë prej gjysëm shekulli në përpjekjet për liri e demokraci, jo vetëm në trojet tona shqiptare, por edhe anë e mbanë botës.

Tashti Zotit Biberaj i është besuar një përgjegjësi e madhe nga ana e qeverisë së Shteteve të Bashkuara.  Unë jam pensionuar 15 vjetë më parë nga Zëri i Amerikës (pikërisht nga posti që mbajti deri tani Elezi), por duke e njohur – mbrenda dhe jashtë VOA-s — shumë mirë Elez Biberajn,  për aftësitë, përgatitjen, përvojën dhe përkushtimin e tij ndaj VOA-s, për të cilën foli edhe Michael Pack –respektin e tij për dëgjuesi, shikuesit, lexuesit si dhe ndaj misionit të Zërit të Amerikës.  Mision ky i përcaktuar me ligj nga Kongresi amerikan, për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës, në kohë të mira dhe në kohë të vështira – lajme të mira ose të këqia — do tu themi të vërtetën — ishte dhe është motoja e VOA-s, ç’prej fillimit, të cilën Z. Biberaj e ka zbatuar me përpikëmëri të një profesionisti të rrallë në gazetarinë shqiptare dhe amerikane.  Unë jam i bindur se autoritetet amerikane, nuk mund të kishin gjetur njeri më të përshtatëshëm, më të përsosur, më të aftë dhe më të zotin për këtë detyrë që i kanë besuar, sidomos në këtë kohë dhe nën këto rrethana në këtë vend dhe në botë.  

Për lexuesin që ndoshta nuk e njeh mirë Zërin e Amerikës dhe për çfarë do të jetë përgjegjës Elez Biberaj që në ditën e parë në krye të detyrës të këtij enti me famë botërore dhe me rëndësi strategjike nga pikëpamja e politikës amerikane, ja vlen të sjellë, shkurtimisht, disa të dhëna për Zërin e Amerikës, këtë organizatë mediatike amerikane, reputacioni i të cilës njihet edhe botërisht.

Zëri i Amerikës (VOA) është transmetuesi më i madh ndërkombëtar amerikan, që ofron lajme dhe informacione në më shumë se 45 gjuhë, për një audiencë të përjavshme javore prej qindra miliona dëgjues dhe shikues.  Zëri i Amerikës përgatit materiale për platforma dixhitale, televizive dhe radio.  Programet e VOA-s mund të lexohen/dëgjohen dhe të shikohen përmes telefonit celular dhe mediave sociale. Materialet në gjuhë të ndryshme gjithashtu shpërndahen me satelit, kabllo, FM dhe valë të mesme (MW), valë të shkurtëra në disa raste, ndërkohë që programet e VOA-s shpërndahen edhe në një rrjet prej më shumë se 2.500 stacionesh, bazuar në marrëveshje bashkëpunimi në shumë vende të botës.  Që nga krijimi në vitin 1942, Zëri i Amerikës është angazhuar të ofrojë një përmbledhje të lajmeve të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirse, duke bërë të pamundurën për të raportuar të vërtetën anë e mbanë botës.  Si gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë, luftës kundër terrorizmit global,  lugftërave ballkanike ashtu edhe sot në përpjekjet për liri, demokraci  dhe të drejta të  njeriut anë e mbanë globi, në punën e saj të përditshme, Zëri i Amerikës pasqyron dhe njëkohësisht është edhe shembull i parimeve të një shtypi të lirë e demokratik.

Dr. Elez Biberaj në detyrën e re si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës i raporton, Z. Michael Pack — i emëruari i Presidentit Trump dhe i posa miratuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara – shef i ri ekzekutiv i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM) që përfshin Zërin e Amerikës dhe disa rrjete të tjera mediatike ndërkombëtare të financuara po ashtu nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara.

Për ne shqiptarët në Amerikë ekziston shprehja se të jesh shqiptar i mirë duhet të jesh edhe amerikan i mirë.  Familja Biberaj pasqyron më së miri këtë thënje.  Dr Elez Biberaj rrjedh nga në familje anti-komuniste nga Tropoja.  E ardhur në Amerikë para 52 vjetëve, familja Biberaj në përgjithësi është një tregim suksesi, si familje në terësi, ndërkohë që si antarë individual të kësaj familje të ngushtë e tradicionale shqiptaro-amerikane, secili prej 4 vëllëzërve e 4 motrave, është një tregim suksesi në vetvete, në fusha të ndryshme të veprimtarisë së tyre, si biznesmenë, avokate e  prokurore, politikë dhe pasuri të patundur (real estate) ndërkohë që brezi më i ri i familjes Biberaj dallohet gjithashtu edhe ai në fushat e jetës së përditëshme ku jetojnë e punojnë në komunitetin shqiptare-amerikan dhe më gjërë në shoqërinë amerikane.  Në çdo fushë veprimi, Dr. Elez Biberaj dhe familja e tij dallohen për dashurinë për Shqipërinë, e sidomos për Kosovën dhe për shqiptarët kudo, por ata dallohen gjithashtu edhe për dashurinë ndaj vendit që i ka marrë nën strehim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – aty ku të gjithë ne gjetëm demokracinë dhe lirinë që kërkonim, realizimin e vërtetë të “ëndrrës amerikane” dhe mundësitë për të shkuar përpara, në fushë veprimet e preferuara tonat si shqiptare dhe shqiptaro-amerikanë. 

Për veprimtarinë e tij pranë Zërit të Amerikës, gjatë dekadave Dr. Elez Biberaj është dekoruar dhe shpërblyer nga Zëri i Amerikës si dhe nga Tirana dhe Prishtina zyrtare për punën e tij në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë, të çlirimit dhe të pavarësisë së Kosovës, si dhe për punën e tij në forcimin e marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Kombit shqiptar.  Elez Biberaj i ka pranuar gjithmonë me përvujtëni shpërblimet dhe dekoratat e ndryshme gjatë viteve duke falënderuar gjithmonë bashkpuntorët e tij për suksesin që të gjithë së bashku kanë arritur gjatë viteve dhe mbi të gjitha është treguar mirënjohës ndaj Zërit të Amerikës që i ka ofruar mundësinë të arrijë nivelet më të larta të VOA-s, si “Një bir i denjë i Shqipërisë”, siç e pat cilësuar me një rast Z. Biberaj ish-Drejtori i Përgjithëshëm i VOA’s, Z. David Ensor.  Elezi vazhdon me vrull të pandalshëm veprimtarinë e vet duke korrur suksese dhe miratime në qarqet më të larta dhe më të dalluara të profesionit të tij të botës amerikane dhe asaj shqiptare, po se po.

Këtij biri, vërtetë të denjë të shqiptarisë, tani i është besuar posti kryesor dhe i merituar si Drejtor i Përgjithëshëm në detyrë i Zërit të Amerikës.  Për ketë është krenare familja e tij, jemi krenarë të gjithë ne që e njohim dhe që kemi punuar me ‘të gjatë viteve, ndërkohë që i urojmë sukses në detyrën e re, për sado kohë që ta ushtrojë!  Shokut dhe mikut tim të ngusht prej 5-dekadash, i cili nderon familjen dhe shokët e tij, emrin shqiptar dhe komunitetin tonë shqiptaro-amerikan, i shfaqi — bashkë me përgëzimet e mia më të thella për detyrën e re – edhe admirimin tem.

Autori me Dr. Elez Biberaj në zyrën e Shërbimit shqip të Zërit të Amerikës, në vitet e 1990-ave.

Filed Under: Featured Tagged With: Drejtor i Pergjithshem, Elez Biberaj, Zeri i Amerieks

Dielli dhe Sfidat e Konsolidimit të Demokracisë Shqiptare

April 7, 2019 by dgreca

Nga Dr. Elez Biberaj*/

Drejtor i Djetorisë së Euroazisë-

Zëri i Amerikës/

Faleminderit për ftesën për të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme me rastin e 110 vjetrit të botimit të gazetës Dielli.  Përgëzime anëtarëve dhe drejtuesve të VATRËS dhe veçanërisht redaktorit të Diellit Dalip Greca, për këtë përvjetor historik.

Dielli ka luajtur një rol të rëndësishëm në pasqyrimin me besnikëri të historisë së trazuar të kombit shqiptar, duke mbështetur çeshtjën shqiptare, duke nxjerrë në pah zhvillimet në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe duke nxitur krijimin e shoqërive demokratike, të drejta dhe të begata shqiptare. Si çdo media dhe institucion tjetër shtypi, në historinë e tij të gjatë Dielli ka patur uljet e ngritjet e veta. Por me ndihmesën e tij të gjithanshme, Dielli me të drejtë ka zënë një vend të rëndësishëm në analet e historisë shqiptare.

            Kohët e fundit edhe Zëri i Amerikës shënoi një përvjetor të rëndësishëm: 77 vjetorin e krijimit në shkurt të vitit 1942.  Më 13 maj 2019, Zëri i Amerikës shënon 76 vjetorin e transmetimit të parë në gjuhën shqipe. Zëri i Amerikës është një medium i njohur dhe me ndikim dhe është krenar që vazhdimisht praktikon gazetari të një niveli të lartë në mbështetje të lirisë dhe demokracisë. Ndërsa gjatë këtyre shtatë dekadave ka kaluar përmes ndryshimesh dramatike, misioni i Zërit të Amerikës në thelb ka mbetur i pandryshuar – fuqizimi i audiencave me lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara, që ato të jenë në gjendje të marrin vendime të mirë-informuara për shoqëritë dhe qeveritë e tyre. 

Dielli dhe Zëri i Amerikës, pa dyshim, kanë misione të ndryshme. Por ato ndajnë objektiva të përbashkëta për të mbuluar komunitetin shqiptaro-amerikan, ndihmesat e tij të shumta në shoqërinë amerikane, forcimin e lidhjeve mes popullit amerikan dhe atij shqiptar, si dhe nxitjen e vlerave demokratike në territoret shqiptare.  

Gjatë dekadave ne kemi patur lidhje shumë të ngushta. Veprimtaritë e Diellit dhe VATRËS janë pasqyruar gjerësisht në programet e Zërit të Amerikës. Orë të tëra regjistrimesh origjinale të kuvendeve dhe takimeve të VATRËS si dhe fjalimet e Fan Nolit dhe shqiptaro-amerikanëve të tjerë të shquar, të regjistruara në mënyrë profesionale nga Lou Prifti, i janë dorëzuar presidentit të VATRËS Anthomny Athanas dhe Kishës Ortodokse në Boston. Mesa di unë këto regjistrime i janë dërëzuar në vitet 1980 Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. Tre gazetarë të njohur të Zërit të Amerikës kanë punuar si redaktorë të Diellit – Piro Tyko, Nelo Drizari, and Xhevat Kallajxhi.  Dhe ish kolegia ime në Zërin e Amerikës, Rafaela Prifti tani punon si redaktore e gjuhës anglisht për Diellin. Shumë gazetarë të tjerë të Zërit të Amerikës – Fehime Pipa, Frank Shkreli, Gjek Gjonlekaj, Idriz Lamaj, Ilir Ikonomi dhe Astrit Lulushi – kanë bashkëpunuar me Diellin.  

Unë personalisht kam qënë me fat të kem patur një marrëdhënie të gjatë me VATRËN dhe  Diellin dhe jam shumë krenar për faktin që shkrimet e mia të para janë botuar në gazetën  Dielli. Unë kam patur nderin dhe kënaqësinë të kem njohur shumë personalitete të njohura të VATRËS dhe Diellit, por sot dua të nderoj Xhevat Kallajxhiun.

            Pas një karriere të shquar prej tre dakadash në Zërin e Amerikës, zoti Kallajxhi u bë redaktor i Diellit, post në të cilin shërbeu nga viti 1976 deri në 1986. Ai e ringjalli Diellin, rriti standartet gazetareske, zgjeroi fushat e mbulimit dhe u përqëndrua veçanërisht në sfidat me të cilat ndeshej diaspora, Shqipëria, Kosova dhe Çamëria.

               Zoti Kallajxhi ishte veçanërisht i interesuar në afrimin e gjeneratave të vjetra dhe të reja të shqiptaro-amerikanëve. Përmes Diellit, ai u krijoi mundësinë një numri të madh gazetarësh dhe studiuesish të rinj,  të botonin artikujt dhe komentet e tyre.  Zoti Kallajxhi ishte një person me integritet të lartë, i respektuar gjerësisht dhe e vlerësonte lartë rëndësinë e objektivitetit dhe drejtësisë, të cilat janë të lidhura ngushtë me besueshmërinë – pasuria më e çmuar e çdo organi shtypi. Ndërsa inkurajonte shprehjen e mendimit të ndryshëm dhe i mirëpriste debatet e apasionuara, zoti Kallajxhi nuk i toleronte ata që hidhnin akuza keqdashëse, që sulmonin karakterin e tjetrit për t’i bërë dëm, që vetë-mburreshin dhe hiqeshin si patriotë.

               Për herë të parë e takova zotin Kallajxhi gjatë një vizite në Nju Jork, pak pasi u bë redaktor i Diellit. Në atë kohë, unë ndiqja studimet e doktoraturës në Universitetin Kolumbia. Zoti Kallajxhi më nxiti të shkruaja për Diellin dhe të flisja në veprimtaritë e organizuara nga VATRA. Kështu, unë mora pjesë në konferencën me rastin e 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në festimet e Ditës së Flamurit.
                    Unë i jam mirënjohës zotit Kallajxhi për botimin e artikujve të mi tek Dielli, dhe, në disa raste, botimin e tyre si artikuj redaksional. Shkrimet e mia përqendroheshin në politikat e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë komuniste, mundësitë për reforma dhe gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Kosovë.
                    Unë jam veçanërisht krenar për dy shkrime, që botova gjatë kohës që zoti Kallajxhi ishte redaktor. I pari, me pseudonimin Albanicus, botuar më 1 janar 1979, ishte një përpjekje nga ana ime për të trajtuar hapur disa nga problemet me të cilat ndeshej komuniteti dhe kombi ynë. Artikulli shkaktoi një tronditje në komunitet.
                    I dyti, i kushtohej koleksionit arkivor të ambasadorit amerikan Herman Bernstein për Shqipërinë, i cili ndodhet në Institutin Yivo për Hulumtime Hebraike në Nju Jork. Ambasadori Bernstein, një shkrimtar i shquar, gazetar dhe autoritet i çështjeve hebraike, shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Tiranë nga viti 1930 deri më 1933. Ekzistenca e koleksionit u zbulua rastësisht. Vëllai im Hasani, gjatë studimeve master për histori në Universitetin Kolumbia, u takua me një shok klase, i cili kishte ndeshur në koleksionin e zotit Bernstein, ndërsa bënte hulumtime mbi persekutimin e hebrenjve në Evropën Lindore. Koleksoni është një burim me vlerë për studiuesit e interesuar për zhvillimet shqiptare dhe marrëdhëniet e Shteteve të Baskuara me Shqipërinë në fillim të viteve 1930. Artikulli im, që zbulonte ekzistencën e këtij koleksioni dhe bënte një përmbledhje të përmbajtjes së tij, u botua më 15 tetor 1980.
                    Zoti Kallajxhi vendosi një standart të lartë për gazetarët shqiptarë dhe na ka lënë një trashëgimi të pasur – angazhimin më të lartë ndaj standardeve gazetareske, objektivitetit, drejtësisë dhe respektit, si dhe bindje të fuqishme demokratike dhe patriotike.
                    Në këtë përvjetor të rëndësishëm, është e natyrshme që të ndalemi tek arritjet e së kaluarës. Por është gjithashtu e rëndësishme të shikojmë drejt së ardhmes.
 
 
                    Komuniteti shqiptaro-amerikan ka luajtur një rol të rëndësishëm në përpjekjet për të ndikuar mbi politikën e jashtme amerikane për çështjet shqiptare. Pas kulmit të euforisë që pasoi pavarësinë e Kosovës, veprimtaria e shqiptaro-amerikanëve ka rënë ndjeshëm. Komuniteti tani duket përgjithësisht i plogësht. Është e rëndësishme që komuniteti të mbetet i angazhuar. Dielli, si dhe gazeta tjetër shqiptaro-amerikane, Illyria, janë në gjendje të mirë për të nxitur aktivizmin e komunitetit.
               Të jemi realistë: ndikimi i gazetave të diasporës mbi zhvillimet në Kosovë dhe Shqipëri ka të ngjarë të jetë i kufizuar për arsye të shumta dhe objektive. Sidoqoftë, Dielli dhe Illyria mund të kontribuojnë duke ndjekur një qasje të bazuar tek faktet për lajmet dhe informacionet, duke ofruar një gamë të gjerë opinionesh mbi çështjet kryesore dhe duke shërbyer si një forum për debatin publik.
                    Shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovën Lindore me të drejtë duhet të jenë krenarë për arritjet e tyre kombëtare, politike, ekonomike dhe sociale në dekadat e fundit. Megjithatë, ky përparim po rrezikohet nga prirjet negative politike, shoqërore dhe ekonomike, të cilat dëmtojnë krijimin e një shoqërie të begatë dhe demokratike. Shoqëritë shqiptare vuajnë nga një polarizim i rrezikshëm politik, nga qeverisje të dobëta, korrupsion i përhapur thellë dhe mungesë e zërave të besueshëm për kompromis dhe moderim.
                    Njëzet vjet pas çlirimit, Kosova ka arritur përparime të shumta, por mbetet një shtet i brishtë. Negociatat me Serbinë duket se dominojnë gjithshka në Prishtinë, duke e bërë të vështirë që udhëheqja të përqëndrohet seriozisht në çështjet e ngutshme të brendshme. Kohët e fundit, pozita e Kosovës është dëmtuar nga hapat e gabuar të Prishtinës dhe nga grindjet e shumta brenda udhëheqjes.
                    Mungesa e konsensusit mbi çështjet themelore, si negociatat me Serbinë, kanë dëmtuar pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe kanë krijuar pakënaqësi mes mbështetësve më të fuqishëm të Kosovës, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Këto dëme, që Kosova ia ka shkaktuar vetë vetes, janë rezultat i dështimit të aktorëve kryesorë për të bashkëpunuar në hartimin dhe zbatimin e  politikave të përbashkëta.
                    Presidenti Hashim Thaçi dukej i bindur se mund të arrinte një marrëveshje me homologun e tij serb për një "korrigjim kufijsh," në shkëmbim të njohjes së Kosovës nga Beogradi. Plani i tij ka hasur në kundërshtime të ashpëra, pasi ai nuk arriti të angazhojë aktorët e tjerë kryesorë, veçanërisht Kryeministrin Ramush Haradinaj, ose të sigurojë mbështetjen e publikut për shkëmbim territoresh. Kjo shkaktoi probleme serioze brenda elitës politike dhe ka dëmtuar pozitën e Kosovës në negociatat e ardhshme me Serbinë. Shprehja publike e mosmarrëveshjeve politike në Prishtinë për këtë çështje, u dha municion atyre që vënë në dyshim vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës – dhe kjo në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në mjedisin politik ndërkombëtar, shumica në favor të Serbisë.
                    Vazhdimi i ngërçit politik, marrëdhëniet jo-funksionale mes aktorëve kryesorë dhe paraliza e procesit vendim-marrës, mund të çojnë në një rënie të vazhdueshme të Kosovës si brenda edhe jashtë vendit. Udhëheqësit e Kosovës duhet të gjejnë mënyrat për të kapërcyer ndarjet politike dhe për të përcaktuar rrugën drejt së ardhmes. Do të bënin gabim të madh në se binin në vetë-kënaqësi dhe në se e marrin si të mirëqënë angazhimin e Amerikës. Dhe shqiptaro-amerikanët nuk mund të mbyllin sytë ndaj veprimeve që mund të dëmtonin marrëdhëniet e veçanta me Shtetet e Bashkuara.
                    Shqipëria, nga ana e saj, po përballet me problemet më serioze, që pas situatës shkatërrimtare të vitit 1997 – gjendja politike po përkeqësohet, vendi po përjeton praktikisht zhbërjen e sistemit të kontrollit dhe balancave, dhe gjyqësori duket i paralizuar. Institucionet, që shërbejnë si themeli ku mbështet një proces vendim-marrës racional, gjithëpërfshirës dhe demokratik, janë të dobta. Polarizimi është tejet i thellë, mungon qendra politike, ç’ka e bën kompromisin shumë të vështirë.
               Shqipëria e gjen veten në pozitën e palakmueshme të të qënit një nga vendet më të varfëra dhe më të korruptuara të Evropës. Megjithëse Shqipëria ka patur mesatarisht një rritje vjetore prej 4 për qind të PBB-së, një e treta e popullsisë ende jeton në varfëri të skajshme, duke mbijetuar me më pak se një dollar në ditë. Shumë shqiptarë besojnë se sistemi i tanishëm funksionon kundër tyre. Ata kanë humbur shpresën dhe shohin pak mundësi për të ndikuar në të ardhmen e vendit të tyre. Sipas sondazheve të fundit të firmës Gallup, rreth 60 për qind e shqiptarëve dëshirojnë të emigrojnë. Që nga fillimi i viteve 1990, më shumë se një milion e gjysmë shqiptarë kanë emigruar, ku dominon grup-mosha 20-40 vjeç.  Popullsia e Shqipërisë sot vlerësohet të jetë 2.9 milion – e njëjtë si në vitin 1989 – dhe brenda tridhjetë viteve të ardhshme pritet të bjerë në 2.6 milion.
               Pas fitores me një shumicë dërmuese në zgjedhjet e vitit 2017, Kryeministri Edi Rama qeveris i pasfiduar. Por sundimi i tij është dëmtuar nga qeverisja e dobët, korrupsioni i përhapur thellë, keqadministrimi ekonomik, dhe stili i tij i udhëheqjes ka krijuar shumë kundërshtarë.
               Siç ka ndodhur edhe me disa udhëheqes të tjërë europiano-lindorë, Rama është bërë dukshëm më autoritar, më i korruptuar, më arrogant dhe më pak transparent. Ai është përpjekur ta forcojë pushtetin e tij në maksimum, duke ngushtuar hapësirën publike, duke minuar institucionet e pavarura, duke e mbushur gjyqësorin me besnikë, nën maskën e reformave dhe duke margjinalizuar opozitën. Rama ka krijuar një model qeverisjeje që bazohet tek kleptokracia, duke dhënë pa tendera, kontrata me vlerë qindra milionë dollarëshe për kompanitë pranë qeverisë. Marrëdhëniet klienteliste mes zyrtarëve qeveritarë dhe biznesmenëve të njohur kanë deformuar procesin vendimmarrës të qeverisë, duke shkelur rregullat bazë të lojës, duke prishur konkurrencën në treg dhe duke u hequr qytetarëve të zakonshëm çdo mjet përmes së cilit ata do të mund të ndikonin në sjelljen e ndryshimeve.
               Shtypi është bërë më pak i lirë dhe i pavarur. Kryeministri ka sfiduar në mënyrë të vazhdueshme vetë parimin e një shtypi të pavarur, duke krijuar median e tij televizive në internet, ERTV. Ai i ka goditur në mënyrë të vazhdueshme mediat, duke përdorur një retorikë gjithnjë e më agresive dhe kërcënuese dhe duke i karakterizuar ato si "kazan." Sulmet e tij të fundit ndaj Zërit të Amerikës pas transmetimit të një raporti mbi bashkëpunimin mes zyrtarëve të Partisë Socialiste dhe grupeve të krimit të organizuar gjatë zgjedhjeve të vitit 2017, ishin jashtëzakonisht befasuese në ashpërsinë e tyre.
               Shumë gazetarë, të pambrojtur ndaj trysnisë politike dhe ekonomike, praktikojnë auto-censurën dhe shmangin mbulimin e temave tabu. Është shqetësuese që në vitin 2019, shqiptarët duhet të mbështeten tek mediat ndërkombëtare, përfshirë Zërin e Amerikës, për mbulimin e çështjeve të ndjeshme.
               Rama ka refuzuar të dënojë rastet e shumta skandaloze për korrupsionin, përfshirë publikimin e përgjimeve që tregojnë lidhjet e zyrtarëve të lartë socialistë me grupe të krimit të organizuar në blerjen e votave gjatë zgjedhjeve të vitit 2017. Pa as më të voglin shqetësim, ai u ka ofruar pandëshkueshmëri zyrtarëve të lartë edhe përkundër të dhënave të qarta për korrupsion dhe bashkëpunim me grupet të krimit të organizuar dhe trafikantë të drogave.
               Raporti i Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve për vitin 2019, botuar në mars, e identifikon Shqipërinë si një vend tranzit kyç për shpërndarjen e narkotikëve dhe "një bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.”  Raporti e rendit Shqipërinë si një vend ku kryhet pastrim i madh parash duke shtuar se "korrupsioni zyrtar është i përhapur dhe ushqen një mjedis në të cilin trafikantët e drogës përgjithësisht janë në gjendje të veprojnë pa u ndëshkuar." Raporti i Departamentit të Shtetit vë në dukje se reformat e drejtësisë janë dëmtuar nga "korrupsioni i përhapur."
               Në këtë kontekst, opozita e drejtuar nga Partia Demokratike vendosi në muajin shkurt (2019) të largohej nga parlamenti. Ky hap i paprecedentë e futi Shqipërinë në një gjendje tensionesh të shtuara, që rrezikon shpërthimin e dhunës, shkatërrimin e qeverisjes dhe shtyrjen e integrimit në BE. Rama nuk i ka pranuar kërkesat e udhëheqësit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për të dhënë dorëheqjen dhe për të krijuar një qeveri teknike, duke i cilësuar ato si thjesht përpjekje për të marrë pushtetin në tavolinë. Megjithë urgjencën e situatës, Kryeministri nuk ka bërë përpjekje serioze për të hyrë në dialog me opozitën.
               Nuk ka dyshim që një numër i madh i ankesave të Partisë Demokratike dhe partive të tjera të opozitës janë të ligjshme. Por, duke u larguar nga parlamenti, deputetet e opozitës thjesht kanë braktisur përgjegjësitë e tyre ndaj elektoratit dhe ia kanë bërë më të lehtë Kryeministrit Rama të marrë masa më autoritare. Ndoshta Basha mund të kishte ndjekur një politikë të dyfishtë: të qëndronte në parlament duke kundërshtuar qeverisjen dhe pushtetin e Ramës, ndërsa në të njëjtën kohë të mobilizonte mbështetjen për protesta mbarëkombëtare, të hartonte një platformë alternative dhe të punonte për ta pozicionuar partinë e tij sa më mirë për të fituar zgjedhjet e ardhshme vendore dhe parlamentare. Ndërsa zgjedhjet në Shqipëri përgjithësisht kanë qenë problematike, ato ofrojnë mundësinë më të mirë dhe më realiste për opozitën që të vijë në pushtet. 

            Basha e mori këtë vendim tejet të rëndësishëm pa zhvilluar një debat të vërtetë dhe të sinqertë rreth pasojave dhe rreziqeve të mundshme të një kursi të tillë dhe pa ndonjë përpjekje serioze për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare. Pak anëtarë të Partisë Demokratike kishin kurajon dhe mundësinë për të vënë në dyshim argumentat e supozuar mbi të cilat u mor vendimi. Siç pritej, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën mbështetje për qeverinë dhe kritikuan opozitën.

Ndërsa Basha ka qenë në gjendje të organizojë protesta të mëdha në Tiranë, nuk është e qartë se deri në çfarë mase mesazhi i opozitës është pranuar nga popullsia. Presioni publik nuk ka arritur përmasat e një mbështetjeje kritike nga masat, për ta detyruar Ramën të japë dorëheqjen, ose të ndryshojë rrënjësisht qëndrimin e tij. Shoqëria në përgjithësi duket e zhgënjyer dhe gjithnjë e më shumë e painteresuar për politikën dhe nuk ka dëshmuar gatishmëri të veprojë. Pavarësisht nga pakënaqësia në rritje me politikat e qeverisë, qytetarët kanë shfaqur pak entuziazëm për aktivizim shoqëror, ç’ka do të sillte ndryshimet e shumë-dëshiruara, me sa duket të bindur se nuk mund të ndikojnë mbi sistemin politik. Nuk është e qartë nëse Basha ka një strategji për të zgjeruar bazën e partisë dhe për të angazhuar shoqërinë civile, ç’ka do t’i ndihmonte opozitës të vazhdonte protestat dhe të bindte Ramën për kompromis. Ekziston një hendek i madh midis mjeteve në dispozicion dhe synimeve të Bashës. Mungesa e një strategjie dhe forca e pushtetit të Ramës mund të çojë në humbjen e mbështetjes për Bashën dhe copëzimin e bllokut opozitar.

Rama duket se nuk është plotësisht i ndërgjegjshëm se sa të mëdha janë sfidat me të cilat ballafaqohet vendi i tij dhe po mban një qëndrim të pakompromis. Kritikat e komunitetit ndërkombëtar për vendimin e Bashës dhe ngurrimi për të shqyrtuar seriozisht politikat dhe veprimet e qeverisë, e kanë inkurajuar Ramën, duke i shtuar besimin në forcimin e kontrollit të pushtetit. Strategjia e tij ka qenë të pasqyrojë një ndjenjë normaliteti dhe të kalojë në ofensivë me tubimet e tij, duke shpresuar se me kalimin e kohës mbështetja për opozitën do të zbehet.

Kjo është një politikë dritë-shkurtër. Sa më shumë të zgjatet kriza, aq më i madh është rreziku që Shqipëria të përballet me një situatë shpërthyese.

Shqiptarët sot duken se e kanë humbur busullën dhe nuk kanë një vizion të qartë për të ardhmen. Ata kanë humbur besimin tek udhëheqësit e tyre dhe tek vetvetja. Shqiptarët do të pësojnë zbrapsje të tjera, në se nuk marrin vendime kritike dhe nuk hartojnë strategji, që jo vetëm do të ndryshonin kursin e tanishëm të ecjes mbrapsht, por do ta vinin vendin e tyre në rrugë të qartë drejt demokratizimit.

Gjatë krizave të kaluara udhëheqësit shqiptarë kanë arritur minutën e fundit dhe në mënyrë të papritur, marrëveshje sa për të kapërcyer situatën. Ndërsa ka një thyerje të thellë të besimit dhe komunikimit mes qeverisë dhe opozitës, kompromisi është ende i mundshëm për t’i dhënë fund ciklit të përshkallëëzimit, që është jetik për të ruajtur kohezionin shoqëror të kombit. Por kjo kërkon vullnet politik nga të dyja palët për të çtensionuar konfliktin dhe për t’u tërhequr nga kërkesat maksimale. Deri tani vullneti politik ka munguar dhe situata aktuale lehtësisht mund të shndërrohet në një ngërç të gjatë.

Gjithsesi, nëse udhëheqësit shqiptarë nuk bëjnë përpjekje serioze për kompromis, Shqipëria mund të hyjë në një situatë pa rrugëdalje. Prova e pare do të jenë zgjedhjet vendore, të planifikuara për në qershor. Është në interesin e të dyja palëve që opozita të marrë pjesë në zgjedhje. Në se Basha i bojkoton zgjedhjet, opozita do t’u mohonte mbështetësve të saj të drejtën e përfaqësimit dhe do të rrezikonte të margjinalizohej gjithnjë e më shumë. Nga ana tjetër, do të ishte një politikë dritëshkurtër për Ramën të hynte në zgjedhje pa opozitën, ose të përpiqej të krijonte opozitën e tij për të zëvendësuar opozitën e vërtetë.

Kriza e tanishme është shkaktuar nga vetë udhëheqësit shqiptarë. Ata mbajnë përgjegjësi para kombit për të gjetur rrugët për të ulur konfliktin dhe për të ndryshuar trajektoren e vendit para se Shqipëria të rrëshqasë në një krizë mbarë-kombëtare, me një potencial të madh të një konflikti civil. Kriza mund të zgjidhet me një marrëveshje për zgjedhjet vendore, e pasuar nga ndryshimet në kodin zgjedhor dhe një marrëveshje për të zhvilluar zgjedhje të parakohshme parlamentare. Është bërë e domosdoshme që ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të rishikohen me synimin për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të fuqizuar parlamentin. Ligji i tanishëm elektoral, që ka çuar në krijimin e një distance të rrezikshme midis votuesve dhe përfaqësuesve të zgjedhur, duhet të ndryshohet. Ekziston një konsensus në rritje se Shqipëria duhet të kthehet në një sistem zgjedhir të përzier ose mazhoritar dhe të largohet nga sistemi i tanishëm proporcional.

Por në fund të fundit, çdo marrëveshje, në mungesë të një ndryshimi tërrësor dhe reformave të vërteta e thelbësore, nuk do të çonte në një shkëputje të qartë dhe nuk do të rigjallëronte sistemin politik të vendit. Shqipëria ka nevojë urgjente për një rifillim, për një pakt kombëtar – një marrëveshje për synimet e përbashkëta kombëtare dhe për parimet e një qeverisjeje të mirë – që do të ribënte sistemin politik të vendit.

Faza e ardhshme do të jetë përcaktuese, në se Shqipëria do të shndërrohet në një demokraci të konsoliduar, ose në një sistem pro-autoritar, me drejtim një partiak. Elitat e tanishme, që kanë dominuar jetën politike të vendit që nga fillimi i viteve 1990, janë përgjegjëse pse Shqipëria ka mbetur pas. Politikanët e sotëm nuk mund te shikohen më si udhërrëfyes – atyre iu janë shtërruar idete. Ata nuk kanë çfarë të ofrojnë më shumë dhe nuk mund të shërbejnë si katalizatorë për ndryshime thelbësore.

 Le të shpresojmë që tre dekada pas përmbysjes së komunizmit, shoqëria shqiptare është në gjendje të prodhojë pishtarë të rinjë që do të zotërojnë aftësitë drejtuese që kërkon e ardhmja e kombit tone.

***

* Fjala në ceremoninë e 110 vjetorit të gazetës Dielli[1]

Nju Jork


* Pikëpamjet e shprehura këtu janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimet e Zërit të Amerikës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elez Biberaj

Kryeministri Rama e quajti “Zërin e Amerikës” kazan, reagon Elez Biberaj

January 17, 2019 by dgreca

Drejtori për Europën dhe Azinë i “Zërit të Amerikës”, gazetari i njohur dhe drejtuesi emblematik i saj, Elez Biberaj, iu përgjigj kryeministrit Edi Rama, pas etiketimit prej këtij të fundit, si kazan edhe për Zërin e Amerikës./

1 Elez-Biberaj

Gazetari Biberaj garantoi se investigimi për implikimin e deputetëve dhe shefes së kabinetit të kryemsitrit shqiptar, në biseda përgjimesh, për punësime, është i saktë ashtu si të gjitha lajmet e publikuara nga kjo media.

“Shërbimi shqiptar i Zërit të Amerikës ka siguruar vazhdimisht raportime të sakta dhe të paanshme rreth zhvillimeve në Shqipëri dhe unë garantoj plotësisht integritetin dhe gjykimin e lajmit. Shërbimi shqiptar vijon me krenari misionin e prodhimit të gazetarisë së vlerave në mbështetje të demokracisë dhe lirisë dhe t’i sigurojë audiencës së tij lajme dhe informacione të sakta, objektive dhe të balancuara në mënyrë që ata të bëjnë zgjedhjet e duhura”, u shpreh për Ora News, Elez Biberajn, Drejtori për Evropën dhe EuroAzinë i Zërit të Amerikës.

Denoncimi i Zërit të Amerikës zbuloi se si zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste përdornin vendet e lira të punës në administratën e burgjeve për të punësuar militantët e tyre.

Pas publikimit të këtij lajmi, Kryeministri reagoi në twitter, duke e quajtur këtë media kazan. “Erdhi dita që Zëri i Amerikes të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë llogjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”, reagoi Rama.

“Zëri Amerikës” nxjerr korrupsionin, kryeministri e “shpartallon” si dikur Enver Hoxha

-“Bomba” e dytë e “Zëri i Amerikës” kundër qeverisë . Publikohen përgjimet që implikojnë deputetë dhe zyrtarë të PS në afera të jashtëligjshme në punësime.

-Kryeministri akuzon si “kazan” edhe radion zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pret emërimin si ministër i jashtëm, por që duket paksa e vështirë të marrë dekret presidencial në vend të Ditmir Bushatit.

Një i investigim i “Zërit të Amerikës” për punësimet e jashtëligjshme në administratën e burgjeve vë nën akuzë ligjore dhe morale të paktën katër deputetë të Partisë Socialiste, si dhe zyrtarë në kabinetin e kryeministrit Edi Rama. Investigimi zë fill të hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për ish-drejtorin e Burgjeve, Arben Çuko. Bisedat e zbardhura të Çukos, si deputetë dhe zyrtarë të qeverisë, tregojnë se në shumicën e rasteve emërimet në këtë institucione bëhen me ndërhyrje politike. Më flagrante në gjithë historinë e përgjimeve është se dhe një konkurs për vende të reja pune në këtë institucion rezulton të jetë një farsë e shëmtuar. Nga 270 vende të lira pune në konkurs, të gjitha aplikimet rezultojnë se janë bërë nga deputetë të PS dhe njerëz të qeverisë. Madje numri i konkurentëve ka qenë aq i madh sa seleksionimi duhet bërë mes emrave që kanë dhënë deputetët, pra jashtë kritereve, dhe jo sipas ligjit.

“Të dhënat e siguruara nga Zëri i Amerikës përmes bisedave dhe mesazheve të përgjuara të Çukos tregojnë se mbajtja e këtij premtimi minohet gjerësisht nga një sistem i ngritur mbi bazën e shpërblimeve partiake si dhe nga ndërhyrjet e zyrtarëve të të gjitha niveleve. Përveç zyrës së shefes së kabinetit të kryeministrit Edi Rama, në përgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dalin kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja dhe deputetët socialistë Klodiana Spahiu, Blerina Gjylameti dhe Paulin Sterkaj. Trafik influence për punësime apo transferime rezultojnë të kenë ushtruar gjithashtu zyrtarë lokalë, punonjës të administratës apo të zgjedhur vendorë”,- thuhet në investigimin e “Zërit të Amerikës”, e cila është radio zyrtare e SHBA.

Skandali i publikuar dje me dokumente dhe përgjime, shërben dhe si model për institucionet e tjera, sipas analistëve. Kur deputetët kanë bërë namin te Drejtoria e Burgjeve, që nuk është një institucion i lakmuar për punësime, imagjinoni çfarë ka ndodhur me drejtoritë e tjera ku radha për punësime është disa herë më e madhe. Ajo që u shfaq dje në “Zërin e Amerikës” tregon se qeveria i ka kthyer të gjitha punësimet në shpërblime politike për militantët dhe njerëzit që janë afër kryeministrit Edi Rama. Në të vertetë ka ndonjë ministri apo institucione, që konkurset i zhvillojnë korrekt me ligjin, por akuzat e “Zëri Amerikës” e komprementojnë “bashkëqerisjen” dhe konkurset, pasi në jo pak raste konkurset janë me përzgjedhje politike.

Investigimi i djeshëm, veç korrupsionit dhe ndërhyrjes qeveritare në punësime, zbuloi dhe raportin e deformuar që tashmë kryeministri Edi Rama ka me median dhe të vërtetën. Pak pasi u publikua kronika e medias amerikane, kreu i qeverisë me një gjuhë jo etike sulmoi median zyrtare të SHBA, si të bëhej fjalë për ndonjë portal anonim në Tiranë, duke e quajtur “Kazan”! “Erdhi dita që Zëri i Amerikës të flasë nga kazani i Tiranës, duke përgojuar dynjanë mbi bazë logjesh telefonike. Për herë të parë në Albania organizohet konkurs publik për punësimet në burgje dhe kazani gjëmon deri në Amerikë e jehon në katundin tonë mediatik. Çfarë katandie”,- shkruan kreu i qeverisë.

Për të kuptuar qytetarët shqiptarë se cilën media ka quajtur kazan Edi Rama, mjafton të kujtojmë se “Zëri i Amerikës” financohet nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe përcjellë qëndrimet zyrtare ose gjysmë zyrtare të qeverisë amerikane lidhur me çështje të ndryshme. Ajo që është e veçantë në programin e kësaj medie në gjuhën shqipe dhe që ka shqetësuar kreun e qeverisë, lidhet me faktin se gjatë muajve të fundit “Zëri i Amerikës” ka marrë karakterin e një media investiguese të temave të nxehta në Shqipëri, veç transmetimeve të qëndrimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit. Prej disa muajsh në këtë media janë thirrur gazetarë me përvojë në zbulimin e aferave dhe fakteve të korrupsionit e krimit qeveritar, të cilët kanë nisur hulumtimin e dokumenteve dhe fakteve për skandale të ndryshme.

Skandali i parë i trajtuar ishte ai për projektin e Unazës së Re dhe kompaninë që mori me letra false 30 milionë Euro. Për shkak se shumica e mediave vizive, me përjashtim të emisionit të Ylli Rakipit që zbuloi fillimisht skandalin, iu shmangën trajtimit të kësaj teme që prek shumë interesa, “Zëri Amerikës” e plasi vet bombën e korrupsionit në shqip dhe anglisht duke e detyruar qeverinë që t’i përgjigje direkt dhe të merrte masa. Sigurisht që investigimet janë mediatike, por kur dalin nga “Zëri i Amerikës” kanë kaluar dhe në filtra të tjerë që do apo nuk do kreu i qeverisë janë dhe qëndrime të politikës amerikane ndaj mënyrës sesi ai po qeverisë Shqipërinë. Pas bombës së parë me Unazën e Re, bomba e dytë e kësaj media ishte dje. Investigimi për mashtrimet me punësimet prek vetëm Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Është vetëm një drejtori e rëndësishme nga dhjetra të tjera që ka qeveria.

Dje investigimi i “Zëri të Amerikës” ndaj qeverisë Rama ishte në vazhdën e faktëve korruptive që kjo media amerikane po zbulon për publikun shqiptar. Me sa duket shërbimet intelegjente e dijnë mirë se në Shqipëri mbi 90 përqind të mediave, kryeministri i ka lidhur me interesa financiare dhe asnjëra nuk investigon, ndaj detyra e vështirë ka rënë mbi “Zëri Amerikës”.

Kur të kritikon “Zëri Amerikës”, radio me serioze dhe profesionte në botë, duhet të mendohesh mirë, pasi ditët në pushtet fillojnë e shkurtohen. Me sa duket edhe Presidenti nuk do ta dekretojë ministër të jashtëm, Edi Ramën.

Edhe për këtë sulm ndaj “Zëri të Amerikës”!

 

Filed Under: Politike Tagged With: edi Rames, Elez Biberaj, Kazan, pergjigje, zeri i amerikes

Duke kujtuar Përvjetorin e 25-të të rivendosjes të marrëdhënieve SHBA – Shqipëri

March 15, 2016 by dgreca

Nga Beqir SINA/
Ngjarja më kulmore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, është vizita historike e një Presidenti të SHBA, në Shqipëri. Ajo është bërë në 11 Qershor  2007 nga presidenti i atëhershëm George W. Bush, i cili në konferencë shtypi, me ish Kryeministrin Berisha nga Tirana paralajmëroi, Serbinë, Rusinë, dhe aleatët e tyre, se SHBA, do t’a njohën pavarësinë e Kosovës.
Kurse, në vizitën e tij në 14 shkurt në Shqipëri, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ka thënë: “Ne jemi miq … Ne jemi aleatë. Ne kemi interesa të mëdha të përbashkëta.”
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry, kur vizitoi Tiranën, u bë i pesti drejtues i Departamentit të Shtetit që vizitonte Shqipërinë, pas viteve ’90, rënjes së regjimit komunist të Enver Hoxhës.
I pari zyrtar i lartë nga SHBA, Sekretar Shteti, që shkeli në Tiranë, ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker, në vitin 1991, të cilit iu rezervua një pritje madhështore në Shqipërinë, e sapo dalë nga izolimi komunist. Gjysmë milioni njerëz pritën zyrtarin e lartë amerikanë në pritje të jashtëzakonëshme.
Vizita e dytë, e po një Sekretari Shteti,  me “shkak” Kosovën, do të ishte në vitin 2000, e znj. Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në vitin 2003 do të shkonte në Tiranë sekretari i atëhershëm Kolin Pauell, vizita e të cilit do të vendoste bazat e anëtarësimit të mëvonshëm të Shqipërisë në NATO.
Ndërsa në 1 nëntor 2012, vendin tonë e vizitoi Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor, që synonte nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në këtë rajon, dhe konfirmonte marrëdhëniet e shkëlqyera të SHBA – Shqipëri.
Shqipëria, më shumë se një dekadë është një aleat i NATO-s, e cila sjell përgjegjësi të veçanta për rajonin e Ballkanit. Shqipëria, vazhdon të marrë hapa për t’u bërë më të integruar në institucionet euroatlantike, përfshirë reforamat në drejtësi dhe ato të legjislacionit për të luftuar korrupsionin në çdo nivel.
Në veçanti, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Sekretari Kerry lavdëroi Shqipërinë për miratimin e legjislacionit që ndalon kriminelët e dënuar nga shërbimi në një gamë të gjerë të pozicioneve të zgjedhur dhe qeveritare.
“Ky është një hap i guximshëm”, ka thënë sekretari Kerry. Sekretari theksoi gjithashtu rëndësinë e kalimit të një reforme gjithëpërfshirëse në gjyqësorë, duke thënë: “Jam i inkurajuar .. .Në paketën e reformës gjyqësore, që tani është duke u konsideruar për të përmirësuar gjyqësorin dhe do të lejojë për një goditje të madhe ndaj korrupsionit.”
Shtetet e Bashkuara thonë gjithmonë se mbështesin përpjekjet e Shqipërisë për të bërë qeverinë e saj më të përgjegjshëme për qytetarët e saj. Populli shqiptar duan të jetojnë në një vend ku gjyqtarët dhe prokurorët i përmbahen saktësisht të njëjtat rregulla, ku të gjithë do të trajtohen në mënyrë të drejtë, pa marrë parasysh cila parti politike është në pushtet dhe nuk ka çështje që i përket asaj që partia.
Shqipëria ka bërë një rrugë të gjatë në çerek shekullin e fundit në drejtim të ndërtimit të demokracisë dhe është e angazhuar në mënyrë të qartë në arritjen e më shumë arritjeve. Duke vepruar kështu, Shqipëria, thonë SHBA, mund të përforcoi edhe më shumë miqësinë e marrëdhëniet e shkëlqyera dhe të ketë pas vetes si përherë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Në emër të Presidentit Bush dhe të popullit Amerikan, unë vij këtu sot për të thënë ju: “Liria punon!” do tu thoshte 25 vjet më parë, Sekretari i Shtetit James Baker, përmes përkthyesit të tij, shefit të shërbimit shqiptarë Zëri i Amerikës Elez Biberaj, për të inkurajuar Shqipërinë të ecte drejt lirisë dhe demokracisë.
Marrëdhëniet e rregullta diplomatike midis Shqipërisë dhe ShBA-së u institucionalizuan në vitin 1922. Ato u ndërprenë në pranverën e vitit 1939 kur Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste dhe e humbi statusin e shtetit të pavarur.
Në 1946 me ardhjen në pushtet të komunistëve – Enver Hoxha, prishi çdo llojë marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikë. Ato do të rivendoseshin vetëm me ardhjen e demokracisë më 22 Qershor 1991, njëzetë e pesë vjetë më parë.
“Protagonisti” i këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera dhe që shënuan vetëm rritje, ish gazetari dhe tani Drejtori i Divizionit të Euroazisë në ‘Zërin e Amerikës’ z. Elez Biberaj – ka postuar në medien sociale Facebook, dy fotografi që tregojnë emocionet dhe kujtimet e asaj kohe, kur 25 vjetë më parë më 15 mars 1991, morën udhë nga Washingtoni marrëdhëniet SHBA- Shqipëri.
Ai shkruan në statusin e tij : “Njëzet e pesë vjet më parë – 15 Mars, 1991 – Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria rifilloi marrëdhënie të plota diplomatike – pas më shumë se pesëdhjetë vjet të mosnjohjes dhe vetëm tre muaj pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Memorandumi i Mirëkuptimit, shkruan Dr.Biberaj, u nënshkrua në një ceremoni në Departamentin e Shtetit nga Ndihmës Sekretari së SHBA Raymond Seitz dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Muhamet Kapllani. Ceremonia u ndoq edhe nga drejtuesit e opozitës të Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe Gramoz Pashko.”
Drejtori i Divizionit të Euroazisë në “Zërin e Amerikës” Dr. Elez Biberaj, ka sjellë edhe opinionin e tij mbi dy dekadat pas rënies së regjimit komunist, përmes librit “Shqipëria në Tranzicion”.
Në libër ai rrëfen edhe eksperiencën e tij, që në vitet e para të demokracisë spikati me përkthimin e fjalimit të sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker. “Unë në atë kohë isha mjaft idealist. Mendoja se me përmbysjen e komunizmit,  ndryshimet do të ndodhnin shumë shpejt dhe do ishin pozitive”, tregon ai.

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Duke kujtuar Përvjetorin e 25-të të rivendosjes, Elez Biberaj, SHBA-SHQIPERI, të marrëdhënieve

Shqipëria në Udhëkryq të Demokracisë

November 25, 2015 by dgreca

Dr. Elez Biberaj*/

Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë- Zëri i Amerikës/

Faleminderit shumë për ftesën për të marrë pjesë në këtë simpozium të rëndësishëm.Jam shumë i lumturqë ndodhem këtu në Tiranë në përvjetorin e kësaj ngjarje të jashtëzakonshme.Është kënaqësi e veçantë të ndodhem këtunë shoqërinë e personaliteteve të njohura dhe të miqve e kolegëve.Njëzetepesë vjet pas përmbysjes së regjimit komunist totalitar të Enver Hoxhës, shqiptarët kanëtë drejtë tëndihen krenarë për arritjet politike dhe ekonomike që ka shënuar vendi i tyre. Shqipëria tashmë është një vend i transformuar. Janë zhvilluar tetë zgjedhje parlamentare që nga viti 1991, me rotacion pushteti mes dy partive më të mëdha politike. Shqiptarët përgjithsisht i kanë pranuar normat demokratike dhe demokracia shihet si sistemi ideal politik.Mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe ndarja e pushteteve janë të mishëruara në kushtetutë.Zbatimi i reformave ka sjellë rritje ekonomike të qëndrueshme, përmirësime në infrastrukture, dhe ulje të varfërisë.Shqipëria po ashtu ka parë lindjen e një media dinamike dhe të shumëllojshme.Dhe ndërsa niveli i angazhimit qytetar nuk është shumë i lartë, roli i shoqërisë civile po bëhen gjithënjë mëi rëndësishëm dhe në disa raste ajo kaarritur të ndikojnë në procesin vendim-marrës të qeverisë.

Qëndrimet e Shqipërisë në politikën e jashtme kanë qënë në përputhje me interesat kryesorërajonale e botërore të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. Përmes partneritetit me Shtetet e Bashkuara, anëtarësimit në NATO dhe tani, edhe si vend kandidat i BE-së, Shqipëria ështëpozicionuarvendosmërisht më Perëndimin. Kursi që kanë përqafuar shqiptarëtështë ai i thellimit të lidhjeve historike me Evropën e me vlerat demokratike, dhe kundërshtimin i ekstremizmit fetar.Shqipëria ka mbështetur fuqishëm bashkëpunimin dhe pajtiminnë Ballkan dhe roli i e saj në rajon është rritur ndjeshëm.

Megjithë këto arritje mbresëlënëse,Shqipëria demokratikee gjen veten në udhëkryq.Ajo vlerësohet shumë më ulët se shumica e ish vendeve të bllokut sovjetik dhe republikave jugosllave për treguesit e demokracisë, dhe ende nuk ka krijuar një sistem mirë-funksionues demokratik.Shqipëria vuan më shumë se vendet e tjera që kanë kryer tranzicionin nga komunizmi në një sistem shumë-partiak, nga cilësia e ulët e demokracisë. Siç thekson edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian, Shqipëria duhet të bëjë shumë më tepër për të forcuar shtetin ligjor, për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për funksonimin e duhur të institucioneve të shtetit, për të pastruar parlamentin nga elementët kriminalë dhe të korruptuar, dhe për të realizuar reforma të thella në drejtësi.

Ka shumë faktorë që shpjegojnë përparimin e dobët demokratik të Shqipërisë: mungesa e një kulture demokratike, trashëgimia komuniste, dhe dobësia ekonomike. Por, pa dashur të minimizoj rëndësinë e tyre, nuk ka asnjë dyshim se shumë prej vështirësive me të cilat përballet Shqipëria janë pasojë e drejtëpërdrejtë e qëndrimeve dhe vendimeve të elitave të saj qeverisëse.Gabime, dështime, politika jo të drejta, dhe raste të humbura kanë qënë tipare të përbashkëta të qeverive demokrate edhe të atyre socialiste.

Shqipëria ndeshet me një numër sfidash të ndërlikuara. Ato do të vënë në provë aftësitë udhëheqëse të politikanëve të tanishëm dhedo tëpërcaktojnë nëse Shqipëria do të arrijë të konsolidojë plotësisht demokracinë e saj.

Çështja më jetike mbetet ekonomia.Shqipëria renditet mes vendeve më të varfëra në rajon, me papunësi të lartë dhe mundësi të kufizuara ekonomike.Segmente të tëra të shoqërisë besojnë se nuk kanë asgjë në dorë për të përcaktuar të ardhmen e vendit të tyre, ose për të ndikuar tek vendimet politike që kanë të bëjnë me interesat e tyre jetike.Shqipëria është një nga vendet që prodhon numrin më të lartë të imigrantëve.Rreth 20 për qind e popullsisë është largur nga vendi që nga fillimi i viteve ’90.Dhe siç kemi parë me valën e fundit të emigrantëve, Shqipëria po humbet shumë nga qytetarët e saj të edukur dhe në moshë të re – që janë pjesa më vitale e popullsisë.Humbja e shpresës dhe përkeqësimi igjendjes ekonomike, janë tregues që Shqipëria mund të jetë në prag të humbjes së garës mes mundësive ekonomike dhe pakënaqësisë.

Korrupsioni, paligjshmëria e përhershme, dhe dështimi për të forcuar shtetin ligjor, përbëjnë një kërcënim serioz për vetë ekzistencën e demokracisë në Shqipëri.Korrupsioni ka hedhur rrënjë në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe të shoqërisë.Mbajtja e një posti publik ose në administratë është kthyer në rrugën më të mirë për t’u pasuruar.Pasuria dhe pushteti janë përqëndruar në duart e një grupi të vogël.Drejtësia shihet si një nga institucionet më të korruptuara në Shqipëri.Korrupsioni dhe mungesa e shtetit ligjor mishërohen më së miri tek kriminalizimi i parlamentit dhe tek paturpësia se sizyrtarët përpiqen për të ndikuar tek vendimet e gjykatave.Rrallë ndodh që zyrtarë të zgjedhur apo të emëruar të ndëshkohen për abuzim pushteti, korrupsion apo shkelje të tjera.Prandaj nuk është për t’u habitur që publiku nuk ka shumë besim tek fushata e qeverisë kundër korrupsionit dhe tek kryerja e reformave të thella në drejtësi.

Media në Shqipëri ka bërë pak përparim drejt të qënit një pushtet i katërt funksionues.Shumica e mediave janë të lidhura me qeverinë ose me parti apo politikanë të caktuar.Ndonëse qeveri të ndryshme e kanë shpallur veten si kampionë të shtypit të lirë, shpesh ato kanë ushtruar trysni meforma të ndryshme ndaj mediave, si mosdhënie reklamash, apo duke u bërë trysni pronarëve ose bizneseve të tyre.Biznesmenë të njohur, të lidhur ngushtë me partitë politike në qeveri ose opozitë, kanë blerë gazeta dhe stacione të rëndësishme televizive.Shumë gazetarë, të pambrojtur nga trysnia politike dhe ekonomike, praktikojnë gjerësisht auto-censurën dhe kanë një mungesë profesionalizmi dhe etike. Vendosja e një shtypi vërtetë të lirë, do të kërkojë që gazetarët t’i mbrojnë më me forcë të drejtat e tyre. E lidhur ngushtë me këtë, është nevoja që gazetarët t’u qëndrojnë besnik standarteve profesionale të gazetarisë.Në shumicën e rasteve, nuk ka asnjë lloj muri-ndarës midis zyrtarëve qeveritarë dhe pronarëve të mediave nga njera anë, dhe gazetarëve nga ana tjetër, një ndarje e nevojshmepër të siguruar integritetin redaksional dhe pavarësinë e shtypit.

Ndoshta pengesa kryesore që Shqipëria nuk ka arritur potencialin e saj të plotë demokratik, ka qënë polarizimi politik.Politika në Shqipëri vazhdon të jetë tejet konfrontuese dhe përçarëse.Dy forcat kryesore, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike, nuk kanë pranuar të angazhohen në arritjen e kompromiseve, që janë një normë e zakonshme në një shoqëri demokratike.Qëllimkryesor i tyre ka qënë sigurimi dhe mbajtja e pushtetit. Në funksion të realizimit të këtij qëllimi, ato janë angazhuar në praktika të dyshimta demokratike – nuk kanë respektuar shtetin ligjor, kanë shpërndarë pasuritë publike sipas parapëlqimit partiak, kanë ndryshuar rregullat e lojës nga një palë zgjedhje në tjetrën dhe kanë ushtruar trysni ndaj institucioneve të pavarura dhe grupeve të shoqërisë civile. Kur janë në opozitë, ose gjatë fushatave elektorale, politikanët shqiptarë e portretizojnë veten si udhëheqës frymëzues, reformatorë, konsensual, dhe mbështetës të reformave politike dhe ekonomike që synojnë shndërrimin e Shqipërisë në një shtet funksionues demokratik.Por kur vijnë në pushtet, shumë shpejt largohen nga rruga demokratike, shmangin kontrollet dhe balancat institucionale, që më parë i mbështesnin, konsolidojnë pushtetin me qëndrime anti-demokratike, dhe përpiqen të kapin shtetin për përfitime ekonomike.Çdo qeveri e re ka kryer spastrime të mëdha nëadministratën shtetërore.Shqipëria ende nuk ka arritur të zëvendësojë klientelizmin dhe interesat partiake, me meritokracinë për punësimet në administratën publike.

Është e vështirëpër të kuptuar vazhdimin dhe intensifikimin e polarizmit të ashpër politik sot kur dallimet ideologjike mes partive kryesore politike janë ngushtuar ndjeshëm.Ndërsa pranohet gjerësisht se pushteti politik mund të fitohet në mënyrë të ligjshme vetëm nga kutitë e votimit, zgjedhjet në Shqipëri shoqërohen me dramë të madhe. Ato shihen si një betejë për jetë a vdekje, vetëm me fitues e të mundur, dhe jo si një garë mes platformave politike.

Në parlament, debatet janë kthyer në një teatër politik.Fyerjet vulgare, shpifjet dhe gënjeshtrat janë bërë pjesë normale e debatit politik.Kjo retorikë armiqësore dhe provokuese ka krijuar një atmosferë toksike në parlament, që nuk e ndihmon debatin demokratik.Polarizimi politik e ka bërë shumë të vështirë gjetjen e individëve që shqiptarët mund t’i shohin si shembuj pozitiv.Njëzetepesë vjet më parë, ne tek Zëri i Amerikës, mund të intervistonim në periudha krizash të thella personalitete të shquara, si Rexhep Qosja dhe Ismail Kadare, deklaratet e të cilëve kishin ndikim.Sot, është vështirë të gjesh një personalitet që të pranohet si figurë bashkuese dhe një forcë e moderuar.

Zgjedhjet e vitit 2013 krijuan shpresë dhe pritshmëri për ndryshime e reforma.Socialistët korren nje fitore tëthellë, duke siguruar kështu një mandat të jashtëzakonshëm për të bërë ndryshime.Me përjashtim të qeverisë së parë të zgjedhur në mënyrë demokratike në mars të 1992, asnjë qeveri tjetër nuk ka patur një mandattë tillë, dhe bashkë me të, edhe mundësinë për të kryer reforma të thella politike dhe ekonomike.

Kryeministri Edi Rama kishte bërë shumë premtime gjatë fushatës së tij të bujshme elektorale për të forcuar shtetin ligjor, luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, për të reformuar drejtësinë dhe modernizuar ekonominë.Ndërsa qeveria ka bërë përparime në shumë fronte, kryeministri Rama nuk arriti të shfrytëzonte mundësitë e këtij momenti vendimtar për tëndjekur një kurs të rinj.Me që gëzonte një shumicë të mjaftueshme në parlament, Kryeministri Rama nuk e pa të nevojshme tëndërmirtemasa serioze për një marrëdhënie më normale me opozitën.Ndonse para zgjedhjeve ai mbeshteste pavarësinë e insitucioneve dhe kërkonte respektimin e ndarjes së pushteteve, pasi erdhi ne pushtet ai nuk ngurroi që të perpiqej për t’iu shmangur sistemit të kontrollit dhe balancave të institucioneve.Deri tani nuk ka shenja se marrëdhëniet e qeverisë me opozitën mund të përmirësohen së shpejti. Është e pabesueshme që për vite të tëra nuk ka patur ndonjë takim kokë-më-kokë mes udhëheqësve të të dy forcave kryesore politike.

Partia Demokratike është ende në procesin e rimëkëmbjes pas humbjes së thellë elektorale. Ajo ndeshet me sfida të shumta dhe do t’i duhet kohë të rehabilitohet në sytë e elektoratit shqiptar. Sali Berisha, i cili e kishte dominuar partinëpër më shumë se dy dekada dhe shikohej nga baza e partisë si udhëheqes i domosdoshëm, dha dorëheqjen nga posti i kryetarit në vitin 2013 pa përgatitur më parë brezin që do ta pasonte. Dorëheqja e tij ka krijuar njëboshllëk të madh.Lulzim Basha po ecën me kujdes drejt konsolidimit të pushtetit, duke u përpjekur t’i mbajë të bashkuara grupet e ndryshme në parti.Por ai ende nuk ka arritur të krijojë profilin e tij politik.Ai ka zgjedhur rrugën më të lehtë, siç kanëbërë zakonisht udhëheqësit e opozitës gjatë njëzetepesë vjetëve të fundit, duke luajtur rolin e kritizerit të ashpër, duke nxirrë gjithshkaqë bën qeveria dhe duke ndjekur disa prej taktikave të dëmshme që socialistët kishin zbatuar para zgjedhjeve të 2013.Zoti Bashaduhet të luajë rolin e një udhëheqësi vizionar, që shikon nga e ardhmja dhe bashkëpunon me qeverinë për çështjet dhe reformat e rëndësishme.

Ndërsa Shqipëria po shqyrton mundësinë e reformave në drejtësi dhe kushtetutë, bashkëpunimi midis qeverisë dhe opozitës është jetik. Të dyja – qeveria dhe opozita – duhet të ndajnë si barrën ashtu edhe përfitimet nga reformat.

Që Shqipëria të bëjë një shkëputje të qartë nga e kaluara dhe të konsolidojë plotësisht sistemin demokratik, udhëheqësit e saj duhet të bëjnë një vlerësim real dhe të nxjerrin mesime të vlefshme nga mënyra se si është qeverisur vendi deri mëtani.Por cilat janë disa nga këto mësime që mund t’ju ndihmojnë vendim-marrësve në të ardhmen? Unë do të përmend katër mësime të përgjithshme.

  • Përqëndrimi tek interesat partiake dhe objektivat politike afat-shkurtëra, në vend të interesave themelore kombëtare, sjell pasoja të rënda dhe afat-gjatë për politiken e brendshme dhe të jashtme. Reformat graduale janë të lehta politikisht për t’u kryer, por ato sjellin ndryshime të vogla. Përvoja e deritanishme deshmon se ritmi i ngadaltë i ndryshimeve e ka zgjatur agoninë e shqiptarëve dhe integrimin e vendit të tyre në BE. Sfidat madhore të vendit mund të përballohen në mënyrë më të efektshme permes përpjekjeve të përbashkëta të qeverisë dhe opozitës. Zbatimi i reformave rrënjësoreqë kanë të bëjnë me çështjet themelore kombëtare, dhe që do të kenë një jetë më të gjatë se samandatii një administrate, kërkojnë konsensus të gjerë.
  • Dy, përpjekjet e udhëheqësve politikë për të kufizuar hapësirat e kundërshtarit, për të ushtruar kontroll autoritar mbi partinë e grupin e tyre parlamentar, institucionet e pavarura, median,dhe shoqërinë civile, kanë prirjen të sjellin rezultat të kundërt dhe në një këndvështrim afat-gjatë, minojnë përparimin demokratik dhe dëmtojnë mundësitë e vendit për zhvillim. Tashmë duhet të jetëe qartë se Shqipëria nuk mund të shndërrohet në një shtet funksionues demokratik pa institucione të fuqishme të pavarura.
  • Tre, përvoja e shumë vendeve në tranzicion dëshmon se qeveritë që nuk dëgjojnë zërin e popullit dhe nuk respektojnë aspirtat e qytetarëve të tyre për mundësi më të mëdha politike, sociale dhe ekonomike, rrezikojnë veten e tyre. Shembujt e fundit në Ukrainë dhe Rumani janë domethënës. Ishte pakënaqësia dhe zemërimi popullor ndaj elitave të korruptuara që nxiti protesta masive që çuan në rrëzimin e presidentit Victor Yanukovych dhe dorëheqjen e kryeministrit Victor Ponta. Ndërsa gjendja në Shqipëri nuk është e njejtë me atë në Ukrainë dhe Rumani, nuk ka asnjë dyshim se hendeku midis atyre në pushtet dhe atyre pa pushtet është shumë i thellë. Pesimizmi është në ngritje dhe shumë shqiptarë kanë humbur shpresën. Rritja e vështirësive ekonomike, paaftësia e qeverisë për t’u treguar e vendosur në luftën kunder korrupsionit dhe shtimi i pakënaqësisë sociale mund të çojnë në përplasje serioze.
  • Dhe katër, marrëdhëniet jofunksionale mes aktorëve kryesorë politikë kanë pasur pasoja shumë të rënda për vendin. Paaftësia e demokratëve dhe socialistëve për të bërë kompromis dhe punuar së bashku, ka rezultuar në një qeverisje të dobët dhe ka ngadalësuar integrimin në Bashkimin Evropian. Në se nuk vihet nën kontroll, kykonflikt i papërgjegjshëm dhe jo-parimor,dhe retorika e ashpër armiqësore që e shoqëron, mund të dëmtojë seriozisht qëndrueshmërinëe Shqipërisë.Mbetet për t’u parë në se udhëheqësit shqiptarë kanë vullnetin politik për të zgjidhur disa prej mangësive dhe gabimeve më të mëdha, që kanë penguar Shqipërinë të arrijë potencialin e saj demokratik. Deri tani, reformat e thella, qeverisja e mirë, dhe lufta ndaj korrupsionit nuk kanë qënë përparësi e qeverive të ndryshme që kanë drejtuar vendin. Gjendja aktuale, gjithsesi, është e rëndë dhe çmimi i dështimit mund të jetë i madh për elitat politike dhe vendin në tërësi.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë treguar angazhim të thellë për përparimin demokratik të Shqipërisë. Ato kanë mbeshtetur udhëheqësit shqiptarë me shpresëse ata do të udhëhiqnin vendin e tyre drejt një demokracie të vërtetë, e jo që të ndiqnin praktika jo-demokratike e të pasuroheshin në mënyrë të paligjshme, duke vjedhur kështu të ardhmen e popullit të tyre. Ndërsa shtytja për ndryshime reale duhet të vijë nga brenda, bashkësia ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Shqipërinë ta përfundojë procesin e konsolidimit të demokracisë. Bashkësia ndërkombëtare mund ta bëjë këtë duke përdorur levat e ndryshme që ka në dizspozicion për të ushtruar trysni mbi vendim-marrësit shqiptarë. Ata që luftojnë me të vërtetë për një Shqipëri të begatë, demokratike e të drejtë duhen mbështetur, ndërsa politikanët, zyrtarët dhe biznesmenët e dyshuar për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar duhet të përballen me ndëshkime të rënda.

Vendim-marrësit në Tiranë shpesh e shohin mbështetjen që jep bashkësia ndërkombëtare si një ripohim të politikave të tyre.Por ata duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mbeshtesinindividë të caktuar politikë.Ato mbeshtesin aspiratat e popullit shqiptar për një procespolitik gjithë-përfshirës, për vendosjen e shtetit ligjor, dhe për krijimin e një qeverie të efektshme dhe të përgjegjëshme.Nuk ka në të vërtetë asnjë arësye bindëse sot, se përse Shqipërisë i duhet dhënë ndihmë pa kushte.Ndërsa Shqipëria është e rëndësishme, ajo nuk është pjesë e interesave jetikë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.Shqipëria është thjesht pjesë e strategjisë së tyre periferike.Bashkësia ndërkombëtare, e angazhuar sot me çështje të shumta dhe shumë më urgjente se Shqipëria, nuk pritet të jetë më aq e gatshëme për të ndihmuar, në se udhëheqësit në Tiranë perceptohen si të korruptuar, të përçarë, dhe me një angazhim të dyshimtë ndaj demokracisë. Kështu, udhëheqësit shqiptarë duhet të jenë të ndërgjegjshëm nga rreziku i një “lodhjeje me Shqipërinë.”

Sot, njëzetepesë vjet pas përmbysjes së komunizmit, elita politike shqiptare e ka vetë në dorë të nxjerrë mësimet e duhura nga gabimet e së kaluarës dhe të krijojë një sistem ekonomik dhe politik gjithëpërfshirës, me mundësi për të gjithë, që ndërton një të ardhme që forcon demokracinë, shton transparencën dhe përgjegjësinë, dhe përkrah politika zhvillimi të qëndrueshme.Zbatimi i reformave rrënjesore kërkon udhëheqje të efektshme.Që Shqipëria të arrijë potencialin e saj dhe të gëzojë të mirat e plota të një demokracie të konsoliduar, udhëheqësit e saj duhet të venë interesat e larta të vendit para interesave personale dhe të zbatojnë një spektër të gjerë reformash politike dhe ekonomike. Në sedështojnë në këtë pikë, udhëheqësit shqiptarë do t’i mohonin popullit të tyre një të ardhme më të mire.

*Pikëpamjet e shprehura këtu janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e Zërit të Amerikës.

*Fjala në Konferencën “ Shqipëria25 Vjet pas Komunizmit”

Instituti i Studimeve Ndërkombëtare

Tiranë

25 nëntor 2015

Filed Under: Analiza Tagged With: Elez Biberaj, Shqipëria në Udhëkryq të Demokracisë

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT