• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi

March 18, 2019 by dgreca

Federika Mogherini e ka rrënuar dialogun Kosovë-Serbi sepse nuk është arbitre mbi palët,por trajnere e një Serbie mitomane

Nga Elida Buçpapaj/

Për sa kohë do të vazhdojë të drejtojë Federica Mogherini dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nuk do të ketë dialog. Përkundrazi do të ketë krizë dhe apetite të Serbisë për të kthyer orën mbrapsht!

Që të kishte dialog midis Kosovës e Serbisë, do të duhej që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, pra të dyja palët, të kishin një komunikim të barabartë mes tyre. Serbia duhej të hynte në dialog duke respektuar të gjitha arritjet e mundimshme të faktorit ndërkombëtar NATO/SHBA/BE/Gjykata Ndërkombëtare mbi Kosovën dhe për Kosovën, ndërsa Zonja Mogherini si palë e tretë mbi palët, do të duhej të ndiqte mbarëvajtjen, me atributet e arbitrit.

Nëse do të shihte interesin e BE-së, Federica Mogherini, për mbarëvajtjen e dialogut do të duhej të vendoste që në krye kushte, ku duhej të ndalohej çdo tentativë e Serbisë për të penguar njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe integrimin e saj në organizmat ndërkombëtare, nisur nga fakti se edhe Serbia është pretendente për t’u anëtarësuar në BE.

Federica Mogherini mund ta tregonte dashamirësinë e saj me Serbinë vetëm në rezonancë me interesat e BE-së, duke i ofruar Serbisë një shans pranimi direkt në BE, me kusht që Beogradi të njihte Kosovën, të korigjonte Kushtetutën dhe të nënshkruante një marrëveshje me BE-në, ku të përjashtonte çdo lloj vetoje dhe aktiviteti kundër interesave Kosovës! Serbia do të privilegjohej, por mes Kosovës e Serbisë të hapej një faqe e re në histori në të mirë të ardhmërisë e brezit të ri. Sikur Franca dhe Gjermania!

Por Federica Mogherini, duke shkelur obligimet e saj si zyrtare e lartë e BE-së, ka hequr dorë nga arbitrimi free and fair dhe ka kaluar hapur me Beogradin, i cili sot ka dalë me pretendime mitomane të kohës së kriminelit Sllobodan Milosheviç, çka vë në rrezik hapur stabilitetin e rajonit dhe interesat e BE-së.

E kemi dëgjuar Federica Mogherinin një milionë herë t’i kërkojë Haradinajt heqjen e taksës 100 % që Kosova ka vendosur pas minimit nga ana e Serbisë të kushteve minimale për dialog midis dy vendeve sovrane, por kurrë që t’i tërheqë vemendjen Serbisë !

A loboi zonja Mugherini pranë UNESCO-s apo pranë INTERPOLI-it, si përfaqësuese e BE-së, meqë 23 vende të BE e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që Kosova të anëtarësohej në këtë dy organizma ndërkombëtare ?

Jo!

A i bëri zonja Mogherini ndonjëherë thirrje Daçiçit që të heqë dorë nga retorika agresive dhe lufta diplomatike e Beogradit që Kosova të mos pranohet në organizmat ndërkombëtare?

Jo!

A i ka tërhequr vemendjen ndonjëherë zonja Mogherini palës serbe që Beogradi të ndalë angazhimin shtetëror për anullimin e njohjes së pavarësisë të Kosovës nga shtete që e kanë njohur Kosovën shtet të pavarur?

Jo!

A i ka bërë thirrje Federica Mogherini Aleksandër Vuçiçit që ta heqin Kosovën nga Kushtetuta serbe, ku rezulton të jetë ende e pushtuar nga shteti që në konfliktin 1998-1999 e humbi luftën me NATO-n dhe shtetet e BE-së !

Federica Mogherini jo vetëm që nuk ka përmbushur funksionet e zyrës që përfaqëson, por e trajton Kosovën si një shtet të dorës të tretë, duke i privuar shqiptarët e Kosovës nga e drejta e e qarkullimit të lirë, ndryshe nga pakica serbe në Kosovë e cila e përfiton këtë të drejtë prej shtetësisë të dyfishtë!

Dua t’i bëj një pyetje zonjës Federica Mogherini: Kush ishte vendi agresor që dëboi 1 milionë shqiptarë nga vatrat e tyre dhe kush ishte viktima në konfliktin e vitit 1998-1999, Kosova apo Serbia,  ?

Federica Mogherini s’ka se çfarë t’i thotë sot as Këshillit të Sigurimit, as BE-së, as vendeve të Kuintit, as NATO-s dhe as Ramush Haradinajt, sepse ajo ka shkelur obligimet që kërkon arbitrazhi i paanshëm e me integritet dhe, nga arbitre e BE-së, ka kaluar hapur si trajnere e shtetit serb dhe Beogradit, duke nxitur oreksin e Serbisë me tema eksploduese që tashmë janë mbyllur një herë e përgjithmonë nga Perëndimi!

Sovraniteti territorial i Kosovës, i cili prej 20 vitesh mbrohet nga trupat e KFOR-it, është i pacënueshëm!

Kur them Federica Mogherini është trajnere e Serbisë, nuk është fjala për trajnere të një vendi që bën një garë të ndershme duke synuar BE-në, por është trajnere e një Serbie që i është kthyer mitomanisë të së djeshmes me rreziqe për të gjithë!

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë i mirëpritur kur të ngrihet mbi themele të shëndosha, me këmbën e mbarë dhe nga arbitër që interesohen për të mirën e përbashkët të shqiptarëve dhe serbëve larg çdo lloj reminishence të së shkuarës. Na duhet t’i kurojmë plagët, jo t’i hapim rajonit plagë të tjera!

Për fatin e Kosovës në vitin 1998-1999 vendosi Perëndimi dhe populli i Kosovës, se Kosova është në zemër të Europës,  në respekt të së drejtës ndërkombëtare dhe lirive e të drejtave themelore të njeriut, duke ndalur përmes ushtrisë së NATO-s dhe UÇK-së spastrimin etnik dhe genocidin që Serbia e Milosheviçit kishte ndërmarrë ndaj popullësisë civile në Kosovë.

Kur themi Perëndimi nënkuptojmë Madeleine Albright, Hillary Clinton, Angela Merkel, por jo Federica Mogherini!

Filed Under: Politike Tagged With: Elida Buçpapaj

Ma che schifo fa tek Porta a Porta dhe me Vittorio Sgarbin!

March 9, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Brenda një nate Edi Rama jep intervista në katēr mediume shumë të rëndësishme në Itali. Tek Porta a Porta e Bruno Vespa-s, tek La Repubblica,TG5 dhe La7, L’Aria che tira. Nuk di një personazh kaq atraktiv për mediat italiane veç “lato B” i Belen Rodriguez!

Do ta konsideroja normale nëse intervistat do të zhvilloheshin në kushte të paritetit sipas Volterit, ku nëpër studio përveç Edi Ramës të ishin të pranishëm edhe shqiptarë që mendonin ndryshe nga ai.

Kryeministri aktual i Shqipërisë bën propagandë me stilin e Enver Hoxhës dhe çdo gazetar që nuk i thotë atij “amin”, regjimi opak i Edi Ramës e shpall ose “kazan”, një huazim nga turqishtja ose non grata. Si rasti i gazetares britanike Alice Taylor për të cilën nuk dinin asgjë asnjë nga gazetarët dhe mediumet që intervistuan Edi Ramën, përfshi edhe Bruno Vespa!

Për Bruno Vespën, shqiptarët kanë shumë simpati, përfshi autoren e këtyre rradhëve, por mjerisht kësaj here Grenza i Porta a Porta u bë portavoce i Edi Ramës.

Bruno Vespa u paraqit në emision fare i papërgatitur, me një dok 2-3 minuta sikur të ishte parapërgatitur nga ERTV, televizioni privat i Edi Ramës nga gazetarë lakej që ia puthin atletet adidas. Midis të ftuarve që mbajtën profil servil ishte edhe Igli Tare, i cili në vitin 1992 shkeli ligjin dhe hyri ilegalisht në Gjermani për një jetë më të mirë! Ndërsa gjatë këtyre 5 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar çerek milioni të rinj, çerek shekulli pas largimit të Igli Tares nga Atdheu, sepse nuk duan të kenë fundin e gjyshërve të tyre, të cilët pas 40 vitesh punë e jetojnë periudhën e fundit të jetës nën diktaturën e varfërisë me 100 Euro pension në muaj! E di këtë fakt Bruno Vespa? Po nëse nuk e di, çfarë di atëherë?!

Me gjithë simpatinë që kam për Bruno Vespën, dua t’i them sinqerisht se në intervistën me Edi Ramën u paraqit nga enciklopedik apo poliedrik – sikur është rëndom – në tabula rasa, ose në thjesht një yesman i kryeministrit albanes, pozicion të vështirë që nuk e kam parë kurrë Vespën. Siç u kuptua, misioni i Vespa-s ishte që ta linte Edi Ramën të bënte gramafonin e prishur, me manipulimet e tij si në mediat e Tiranës, ku ka kapur shtetin. Edhe për rastin kur Edi Rama foli për gjysmë milioni turistët italianë që kishin vizituar Shqipërinë më 2018, Bruno Vespa do të duhej ta pyeste “a mos vallë keta gjysme milioni turistë italianë janë me origjinë shqiptare!” Nuk e dinte Vespa? Po Bruno Vespa nuk ka gjë që nuk e di!

Bruno Vespa foli edhe për periudhën e diktaturës. Si ndjekëse jo besnike e Porta a Porta, ishte hera e parë që e dëgjoja të fliste për këtë temë dhe ngrita veshët se kur po dëgjoj Vespën të dënojë krimet e diktaturës! Ma chi se ne frega per i crimini della dittatura! Po kush e çan kokën për krimet e diktaturës! Bruno Vespa kujtoi se asaj kohe ishte një gazetar i privilegjuar nga regjimi i Enver Hoxhës, të cilit diktatura kriminale i kishte hapur derën, e kishte mirepritur duke i dhuruar veprat e diktatorit bashkë me plot shishe konjaku! Të markës Scanderbeg patjetër, që për hir të së vërtetës ishte shumë më i mirë se brandy Metaxa! Bruno Vespa pinte konjakun e Enver Hoxhës, dehej dhe iu vinte vizën 3 milionë shqiptarëve që jetonin në bunkerët e izolimit, iu vinte vizën sikur për ndërgjegjen e gazetarit italian të mos ishin fare as shqiptarët dhe as Shqipëria, paçka se vetëm 60 km larg ! Pesë a gjashtë vjetë më vonë shqiptarët do të bënin të fliste për ta e gjithë Italia,  kur do të zbarkonin në 1991 në brigjet italiane.

Por një surprizë e pati mbrëmja e Vespës me Edi Ramën tek Porta a Porta!

Në fund të emisionit, Edi Rama bëri gafën historike, qē ia dëgjoi gjithë Italia dhe shqiptarët. Apo jo, Dottor’ Vespa!

Ne shqiptarët kemi një të thënë “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”.

Dhe Edi Ramës i shkau goja dhe i shkoi gjuha tek dhëmbi i implantuar, sepse atë kokë ka, kur bëri paralelizmin e largimit të deputetëve të opozitës nga Parlamenti i Shqipërisë në vitin 2019 me atë në vitin 1924 të deputetëve të opozitës italiane të seksionit të Aventinos, të cilët i dorëzuan mandatet në formë proteste kundër regjimit fashist për vrasjen e politikanit e gazetarit Giacomo Matteotti. Matteotti u vra me urdhër direkt të Duçes, sepse kishte denoncuar vjedhje të votave nga fashistët. Që ishte edhe vdekja e demokracisë dhe pluralizmit.

E pra kjo është situata në Shqipëri. Edi Rama vjedh votat me ndihmën e mafies. Fashistët e Duçes i vidhnin vetë dhe pastaj vrisnin Matteotti-n.

A ka lidhje Edi Rama me mafien? Dy ministra të brendshem të tij kishin lidhje të ndërsjellta me mafien. Edhe bashkëpunëtorë të tjerë të afërt të Edi Ramës. Po të isha në vendin e Bruno Vespës do ta kisha pyetur kryeministrin rreth transkripteve të telefonatave të kryetarit të bashkisë të Durresit Vangjush Dako me figura të krimit të organizuar.

Bruno Vespa mund ta pyeste Edi Ramën se përse në vizitën zyrtare që kryeministri i Shqipërisë bëri në Zvicër në 2016 shoqërohej pikërisht nga ky Vangjush Dako.

Nuk e dinte këtë fakt Bruno Vespa? Po, nëse nuk e dinte, le ta punësojë Edi Rama tek televizioni i tij privat dhe të mos zhgënjejë hapësirën publike të RAI-it, duke i bërë jehonë një inkarnimi të ri të Enver Hoxhës apo Benito Mussolinit.

***

Tek La7 Edi Rama shoqërohej nga Vittorio Sgarbi, edhe kjo një figurë eccellente paçka se kontraverse.

Nuk do të zgjatem. Kam vetëm nga një objeksion për Dottor’ Sgarbin dhe gazetaren Myrta Merlino.

Nga prononcimet për median u kuptua se zoti Sgarbi deri tani nuk e di, por në fund duhet ta mësojë se partia aktuale e Edi Ramës nuk ka lidhje as me artin, të bukurën apo me kulturën, por është pasardhësja direkte e partisë të Enver Hoxhës, që vetë Edi Rama e krahason me Korenë e Veriut. Sot problemi nuk është PS e Shqipërisë, se tek ky krah politik ka plot figura liberale te reformuara, problemi është Edi Rama i cili në aleancë me mafien ka kapur sistemin politik në Shqipëri dhe Shqipëria sot mund të krahasohet me Italinë e 1924. Kjo sipas vetë gojës së Edi Ramës tek Porta a Porta i Bruno Vespës!

I kujtoj Myrta Merlin, drejtueses të L’Aria che tira tek LA7,  se prania e Edi Ramës në emisionin ku kujtoheshin në retrospektivë refugjatët shqiptarë të vitit 1991 ishte nonsens dhe jo adeguat. Kjo lloj gazetarie ka ngelur në klasë, sepse është manipulatore dhe jo konform të vërtetës. Gazetarja duhet ta dinte dhe, nëse nuk e di, dmth nuk është gazetare se Edi Rama është njeriu i fundit që mund të shprehet per refugjatët e 1991, sepse ishte një rampollo i përkëdhelur i diktaturës, dandy parazit ishte në kohën e regjimit hoxhist dhe një dandy parazit ka mbetur. Por problemi është se kërkon me çdo kusht të trashëgojë përjetë pushtetin me të gjitha mjetet si despot, si Enver Hoxha apo si Mussolini!

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Porta a Porta

Bernd J. Fischer i nxori në pension si manipulatorë e sharllatanë historianët e Shqipërisë!

February 28, 2019 by dgreca

1 Elida Bucpapaj ok

Nga Elida Buçpapaj/

Tani e kemi me dokumenta se kur është larguar pushtuesi nazist nga toka shqiptare.Dokumentat kanë qenë gjithmonë, por historianët shqiptarë i kanë fshehur për të vazhduar manipulimin e historisë.Historiani i njohur Bernd J. Fischer, në simpoziumin e organizuar nga IDMC (Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë) mbi qasjen aktuale studimore ndaj komunizmit, paraqiti dokumenta të Wehrmach-it, sipas të cilave ushtria naziste është larguar nga Shqipëria më 4 dhjetor 1944 dhe jo më 29 nëntor 1944 sikur pretendojnë historianët shqiptarë, që edhe sot e kësaj dite paraqiten si deformatorët e fakteve historike dhe shërbëtorët më faqezinj të diktatorit Hoxha.

Raportin e Wehrmacht-it, Ministrisë të Mbrojtjes të forcave ushtarake të Gjermanisë hitleriane, e bëri të njohur Bernd J. Fischer,se historianët shqiptarë “nuk e gjenin dot”!

Në këtë raport thuhet qartë e saktë se ushtria gjermane është larguar nga toka shqiptare më 4 dhjetor 1944, jo sikur ka bërë blabla për 75 vjet historiografia shqiptare!

Shqiptarët e kanë ditur se 29 Nëntori ishte vendosur nga Enver Hoxha, por historianët shqiptarë pa iu vrarë ndërgjegjia,( se nuk kanë fare), kanë vijuar retushimin e të vërtetave historike edhe postmortum diktatorit.

“Vendosja e datave historike ka qenë vendim politik”, tha në diskutimin e tij në simpozium historiani Fischer!

Padyshim që është kështu. Caktimi 29 Nëntorit si ditë e çlirimit të Shqipërisë ishte vendimi politik i diktatorit Hoxha për t’i dëshmuar besnikërinë e tij Broz Titos, një lidhje e krijuar përmes Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës me të cilët themeloi Partinë Komuniste të Shqipërisë.

29 Nëntori ishte datë historike për ish-Jugosllavinë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Këshilli antifashist Nacional Çlirimtar i Jugosllavisë vendosi në Jajce më 29 nëntor 1943, që ta zëvendësonte monarkinë me republikë, duke krijuar një shtet brenda kufijve të Mbretërisë së Vjetër, plus bregdetin slloven dhe Istrian e që do të quhej Jugosllavia Demokratike Federale me Josip Broz Titon kryeministër. Duke u nisur prej kësaj ngjarje, 29 Nëntori 1945 u shpall si dita e Republikës Popullore Federative të Jugosllavisë, të cilën Enver Hoxha për servilizëm ndaj Titos e shpalli si ditën e Çlirimit të Shqipërisë, pasi asaj kohe diktatori Hoxha i kërkoi Marshallit që ta integronte Shqipërinë si republikë të shtatë të Jugosllavisë!

Këto janë faktet që i kanë manipuluar historianët shqiptarë gjatë diktaturës edhe tranzicionit.

Që 29 nëntori ishte vendim i diktatorit kjo dihej. Këtë fallsifikim e hodhën në librin e historisë historianët e diktaturës që patën paturpësinë ta mbajnë në këmbë edhe pas rrëzimit të regjimit mizor, ndërkohë që për gati tre dekada i kanë patur të gjitha kushtet të kryejnë hulimtime direkte nëpër arkivat e shteteve Perëndimore që Dokumentin e Wehrmacht-it të mos e sillte Bernd J.Fischer por ta kishin sjellë ata, jo sot në vitin 2019 por menjëherë pas 1991.

Në fakt, historianët shqiptarë kanë 30 vjet që bredhin nëpër arkivat e Europës dhe SHBA dhe nuk ka si të mos u ketë rënë në dorë ky dokument e megjithatë kanë vazhduar të mbrojnë datën e Hoxhës. Të deformosh të vërtetën kryen krim!

Dokumenti i Wehrmacht-it që bëri publik historiani i njohur Bernd J. Fischer përveçse hedh dritë në të vërtetën historike, u çjerr maskën historianëve shqiptarë që vazhdojnë të jenë portavocet e diktatorit stalinist që kreu krime kundër njerëzimit! Janë i njëjti kontigjent historianësh që Kampin famëkeq të Tepelenës, nga kamp të vdekjes, e quajnë kamp rehabilitimi!

Dokumenti i Wehrmacht-it duhet të vejë në lëvizje elitën shqiptare, pa dallime politike, me qëllim që të ketë ndikim të menjëhershëm në institucionet e shtetit për ta ndryshuar ditën e çlirimit të vendit sipas fakteve historike dhe jo sipas vendimeve politike të Enver Hoxhës.

Elita shqiptare në bashkëveprim me Akademinë dhe institucionet e shtetit mund të ndërmarrin po ashtu një vendim politik për të caktuar ditën e çlirimit, por kjo datë duhet që lidhet me faktet, emrat dhe ngjarjet që kanë ndodhur në vend larg reminishencave apo jehonave që kanë lidhje me datat historike të Jugosllavisë apo të diktatorit Hoxha.

Sa për historianët shqiptarë, edhe një herë e treguan shëmtimin, që lidhet me skeletët e të shkuarës së tyre!

Pa dyshim që ky kontigjent historianësh duhet të dalë në pension, me njollën e turpit si manipulatorë recidivë dhe njerëz të pandershëm!

Sepse sikur thotë Buda, tre gjëra nuk fshihen dot gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta!

Dokumenti i Wehrmacht-it, sjellë në Shqipëri nga historiani Bernd S.Fisher, nxjerr në pah sharlatanizmin e historianëve shqiptarë si devijues të fakteve dhe shtrëmbërues të historisë të nxitur nga regjimi barbar dhe të vijuar prej mungesës së integritetit personal dhe profesional edhe pas vdekjes së diktatorit e ndryshimit të sistemit. Padyshim, këtu vihemi përballë edhe profilit të ulët të shtetit shqiptar që operon me të tillë përbindsha.  Diktatori Hoxha ka 34 vjet që ka shkuar në ferr, regjimi diktatorial ka 27 vjet që është rrëzuar, ndërsa superstruktura e diktatorit me të njëjtën stretegji, qëndron ende në këmbë duke mbajtur në këmbë shtrembërimet historike!

Kjo superstrukturë duhet rrëzuar, që të ngrihet shteti i së drejtës!

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, manipulatorë, sharllatanë historianët

Pikaso i ri, Periudha Blu dhe Periudha Rozë

February 25, 2019 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Më 3 Shkurt u përurua në Zvicër një ekspozitë shumë e rrallë e Picasso-s.

Konsiderohet një ekspozitë e jashtëzakonshme e hapur nga Fondacionit Beyeler pranë Bazelit që tregon Picasso-n e ri në kërkim të identitetit të tij si piktor. Ekpozita mban emrin “The young PICASSO – Blue and Rose Periods” – Pikaso i ri, Periudha Blu dhe Periudha Rozë.
Kjo është ekspozita më e përpunuar dhe e shtrenjtë e paraqitur ndonjëherë nga Fondation Bayeler e siguruar me një vlerë prej 4 trilion Euro.

Punimet  nga vitet e hershme të piktorit janë edhe më përfaqësueset e penelit të Picasso-s që më vonë do të bëhej një nga artistët më e famshëm të shekullit të 20-të.

Kurrë më parë nuk janë bërë bashkë kaq shumë  kryevepra të Picasso-sa, sikur tani në një ekspozitë të tillë të nivelit më të lartë botëror.

Të përfshira janë rreth 80 prej pikturave dhe skulpturave më të famshme në botë, një pjesë e vogël e tyre huazuar  nga muzetë e njohur në Evropë, SHBA, Kanada, Rusi, Kinë dhe Japoni. Vetë Fondacioni Beyeler ka në fondin e vet, një nga më të mëdhajat në botë, 30 punime nga koleksioni i Picasso-s.

Kuratori Raphaël Bouvier ka zgjedhur si kopertinë një autoportret të artistit të njohur me emrin “Yo Picasso” (I Picasso- Unë Picasso),  në ngjyra të gjalla, që i  mikpret duke u uruar mirëseardhjen vizitorëve të panumurt. Ky autoportret mban datën 1901. Në vitin 1981 është blerë nga Wendell Cherry për 5.8 milionë $, ndërsa në majin e May 1989, Cherry ia shiti një koleksionisti privat përmes Sotheby’s për 47.9 milionë $.

Që në moshën 20-vjeçare,  Pablo Ruiz Picasso (1881-1973) që ëndërronte të bëhej artist u vu në kërkim të temave të reja dhe formave të reja të shprehjes.

Ky rrugëtimin i tij në kërkim të Pablo Picassos prej 1901 deri më 1906  është gjithashtu tema e ekspozitës, që shpërhapet në dhjetë salla në mënyrë kronologjike.

Lartë e poshtë Paris

Një autoportret me plot ngjyra të gjalla ndiqet nga pikturat në blu.Kjo është “Periudha blu” e Picassos (1901-1904)  e ndikuar nga hidhërimi për mikun e tij të ndjerë Casemaga, që kishte udhëtuar me të nga Barcelona në Paris. Artisti në këtë periudhë pikturonte subjektet melankolike dhe njerëzit në skajet e shoqërisë. Veprat e tij të kësaj periudhe dëshmojnë për vuajtjet dhe mjerimin e jetës të cilën e kishte përjetuar edhe ai vetë, i vetmuar dhe i varfër në një nga lagjet më skamnore të Parisit.

Rreth vitit 1905, i vendosur tashmë në Paris, Picasso filloi të ashtuquajturën “Periudhë Rosë” me ngjyra më të gëzuara dhe tema ku përshkruan shpresat dhe dëshirat e banorëve të cirkut –  sikur janë xhonglerët, akrobatët dhe harlekinët.

Hapja e ekspozitës ishte një ngjarje e madhe, ku të pranishëm ishin disa qindra gazetarë e vizitorë të panumërt që mbushnin Fondacionin Beyeler.

Vizitor nderi ishte Claude Picasso, 71 vjeç, i biri i artistit. Ai tani është administrator i pasurisë së veprave të mëdha të babait të tij.

Kjo ekspozitë, e cila do të jetë e hapur deri më 5 maj, pa dyshim do të jetë një nga pikat kulmore të ngjarjeve kulturore të Europës për vitin 2019./ Elida Buçpapaj-VOAL

Yo – Picasso,1901

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Periudha Blu, Periudha Rozë, Pikaso i ri

Jepni dorëheqjen, Z.Sandër Lleshaj!

February 14, 2019 by dgreca

1 elida Lleshaj

Nga Elida Buçpapaj/

Pas publikimit të një tjetër video-skandali ku përfshihet shefi i policisë së zonës Gruemirë, që ngacmonte seksualisht një 15-vjeçare, ministri i brendshëm Sandër Lleshaj shkoi sot për një vizitë në Malësinë e Madhe.

Në kontaktin me gazetarët duke u gjendur përpara një prove faktike eklatante, e cila vërteton katërcipërisht akuzën për shpërdorim detyre dhe ngacmim seksual ndaj një minorene, ministrin Lleshaj e shqetëson fakti se sipas tij “për rastin në fjalë problemi më i madh që duhet zgjidhur për momentin është të gjendet denoncuesi, pasi nuk dihet kush është personi që ka bërë denoncimin për policin.”(!!!!)

Ministri Lleshaj nuk e konsideron denoncuese as nënën e vajzës dhe fokusohet tek denoncuesi në mungesë.

Përse, çfarë i duhet denoncuesi ministrit, kur ka provën materiale!

Është e qartë se denoncuesi nuk ka besim tek shteti, sepse kryepolici i Gruemirës është fytyra e pisët e shtetit!

Denoncuesi nuk ka besim tek asnjë segment shtetëror përfshi edhe vetë ministrin e brendshëm i cili është duke e humbur kredibilitetin sikur ministrat e tjerë pararendës.

Imazhi i Policisë të Shtetit është në nivel underground, për shkak se ky institucion është drejtuar nga njerëz me lidhje të tërthorta me mafien dhe krimin e organizuar.

Policia e shtetit ka humbur tërësisht integritetin, kur oficerët e policisë që kanë denoncuar mafien në rastin e Dritan Zaganit apo shpërdorimin e pushtetit nga politika në rastin e Emiliano Nuhut janë detyruar të kërkojnë azil jashtë Shqipërie pasi janë konsideruar “kriminelë most wanted” nga vetë kryeministri i Shqipërisë, që ka marrë në mbrojtje krimin dhe ka sulmuar ata pak policë që kryer detyrën ndaj shtetit dhe qytetarëve!

Ministri Sandër Lleshaj do t’i duhej të bënte një reformë rrënjësore, por nuk ka se me kë dhe si, sepse nëse do të fillonte pastrimin, shpejt do të detyrohej edhe Sandër Lleshaj të largohej nga Shqipëria, sepse Edi Rama do ta deklaronte edhe atë “most wanted”!

Më mirë të të quajë Edi Rama “most wanted” se sa të vihesh në shërbim të tij!

Në rastin në fjalë, kur ministri e ka në dorë provën, ai fokusohet tek personi që e bëri atë publike, kur dihet se dëshmitari është i rrezikuar dhe nuk ka besim se ministri Lleshaj nuk mund t’i ofrojë siguri, pasi shefi i policisë të zonës Gruemirë është fytyra e policisë shqiptare sot!

Një nga gazetarët në kontaktin që pati sot i kujtoi se zoti Lleshaj paska thënë “se fytyra e policisë ështe fytyra e vetë Ministrit të Brendshëm”!

Shumë bukur e paska thënë Sandër Lleshaj !

Por ministri e korigjoi  aty për aty atë që kishte thënë dhe u përgjigj: “Po, fytyra e policisë është fytyra ime dhe e gjithë shoqërisë!

Jo zoti ministër, këtu gabohesh!

Fytyra e shtetit nuk është fytyra e shoqërisë!

Fytyra e kryepolicit të Gruemirës nuk është fytyra e shoqërisë,

por fytyra e shtetit, dmth edhe fytyra juaj!

Shteti mafioz ia nxin fytyrën shtetarëve të vet dhe sterros jetën shoqërisë, ndërsa shteti i së drejtës ia zbardh fytyrën shtetarëve të vet dhe ia zbukuron jetën shoqërisë!

Fytyra e shtetit shqiptar është e nxirë dhe e urryer, sikur edhe fytyra e shtetarëve.

Ju mund të bënit një përjashtim, por jo kësisoj!

Në rastin e kryepolicit kriminel të Gruemirës, ju largoni vemendjen nga e keqja dhe krimi tek personin që bëri trimërinë, që denoncoi!

Mos do ta shpallni “most wanted”!!!

Sikur shteti ka shpallur Zoganin dhe Nuhu, kur denoncuan krimin!

Kërkoni denoncuesin që të vrisni dhe eleminoni përfundimisht guximin qytetar, veprimi i fundit që vendi të shkojë në një diktaturë mafioze!

Ju bëj një thirrje, se duke i shkuar bisht Edi Ramës,  shkelni Kushtetutën, sepse Policia e Shtetit është institucion i pavarur!

Ju bëj thirrje të kujtoni se Edi Rama sot nuk do të duhej të ishte kryeministër në mandatin e dytë sepse shkeli Kushtetutën kur përpara kamerave i kërkoi policisë të shtetit që të involvohej direkt në zgjedhjet e 2017 duke mbledhur vota për kryeministrin në fuqi! Policia e shtetit është kthyer në yesman i bindur urdhërave të Edi Ramës!

Sepse nëse nuk do t’i bindej, do të duhej të zbarkonte e gjitha në Zvicër me azil politik, por ajo është bërë pjesë e krimit!

Ardhja juaj nuk ka ndryshuar asgjë!

Unë do t’ju ftoja të jepnit dorëheqjen, të mbronit emrin tuaj, sepse për sa kohë që do të rrini, fytyra juaj, dashur pa dashur do të jetë e njëjtë me kryekomisarin kriminel të Gruemirës!

Në vend të shkaktonit tërmet në këtë institucion të kalbur, kur provën e ka parë e gjithë Shqipëria dhe bota, ju kërkoni dëshmitarin e video skandalit!

Pse ju duhet dëshmitari ? Që ta ndëshkoni ? Që të nxjerrin mësim të gjithë qytetarët e të mos kenë guxim më të denoncojnë krimet e Policisë së Shtetit!

Kjo nuk ju falet!

Prandaj ju bëj një apel, z.Sandër Lleshaj, jeni dorëheqjen!

Nuk ju drejtohem si Ministër i Brendshëm, sepse figura e Ministrit të Brendshëm është e diskretituar,

por ju bëj thirrje si një njeri që keni qenë gjeneral i NATO-s dhe duhet të keni integritet personal!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Ministri i Brëndshëm, Sandër Lleshaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT