Nga Elida Buçpapaj/
Brenda një nate Edi Rama jep intervista në katēr mediume shumë të rëndësishme në Itali. Tek Porta a Porta e Bruno Vespa-s, tek La Repubblica,TG5 dhe La7, L’Aria che tira. Nuk di një personazh kaq atraktiv për mediat italiane veç “lato B” i Belen Rodriguez!
Do ta konsideroja normale nëse intervistat do të zhvilloheshin në kushte të paritetit sipas Volterit, ku nëpër studio përveç Edi Ramës të ishin të pranishëm edhe shqiptarë që mendonin ndryshe nga ai.
Kryeministri aktual i Shqipërisë bën propagandë me stilin e Enver Hoxhës dhe çdo gazetar që nuk i thotë atij “amin”, regjimi opak i Edi Ramës e shpall ose “kazan”, një huazim nga turqishtja ose non grata. Si rasti i gazetares britanike Alice Taylor për të cilën nuk dinin asgjë asnjë nga gazetarët dhe mediumet që intervistuan Edi Ramën, përfshi edhe Bruno Vespa!
Për Bruno Vespën, shqiptarët kanë shumë simpati, përfshi autoren e këtyre rradhëve, por mjerisht kësaj here Grenza i Porta a Porta u bë portavoce i Edi Ramës.
Bruno Vespa u paraqit në emision fare i papërgatitur, me një dok 2-3 minuta sikur të ishte parapërgatitur nga ERTV, televizioni privat i Edi Ramës nga gazetarë lakej që ia puthin atletet adidas. Midis të ftuarve që mbajtën profil servil ishte edhe Igli Tare, i cili në vitin 1992 shkeli ligjin dhe hyri ilegalisht në Gjermani për një jetë më të mirë! Ndërsa gjatë këtyre 5 viteve të fundit nga Shqipëria janë larguar çerek milioni të rinj, çerek shekulli pas largimit të Igli Tares nga Atdheu, sepse nuk duan të kenë fundin e gjyshërve të tyre, të cilët pas 40 vitesh punë e jetojnë periudhën e fundit të jetës nën diktaturën e varfërisë me 100 Euro pension në muaj! E di këtë fakt Bruno Vespa? Po nëse nuk e di, çfarë di atëherë?!
Me gjithë simpatinë që kam për Bruno Vespën, dua t’i them sinqerisht se në intervistën me Edi Ramën u paraqit nga enciklopedik apo poliedrik – sikur është rëndom – në tabula rasa, ose në thjesht një yesman i kryeministrit albanes, pozicion të vështirë që nuk e kam parë kurrë Vespën. Siç u kuptua, misioni i Vespa-s ishte që ta linte Edi Ramën të bënte gramafonin e prishur, me manipulimet e tij si në mediat e Tiranës, ku ka kapur shtetin. Edhe për rastin kur Edi Rama foli për gjysmë milioni turistët italianë që kishin vizituar Shqipërinë më 2018, Bruno Vespa do të duhej ta pyeste “a mos vallë keta gjysme milioni turistë italianë janë me origjinë shqiptare!” Nuk e dinte Vespa? Po Bruno Vespa nuk ka gjë që nuk e di!
Bruno Vespa foli edhe për periudhën e diktaturës. Si ndjekëse jo besnike e Porta a Porta, ishte hera e parë që e dëgjoja të fliste për këtë temë dhe ngrita veshët se kur po dëgjoj Vespën të dënojë krimet e diktaturës! Ma chi se ne frega per i crimini della dittatura! Po kush e çan kokën për krimet e diktaturës! Bruno Vespa kujtoi se asaj kohe ishte një gazetar i privilegjuar nga regjimi i Enver Hoxhës, të cilit diktatura kriminale i kishte hapur derën, e kishte mirepritur duke i dhuruar veprat e diktatorit bashkë me plot shishe konjaku! Të markës Scanderbeg patjetër, që për hir të së vërtetës ishte shumë më i mirë se brandy Metaxa! Bruno Vespa pinte konjakun e Enver Hoxhës, dehej dhe iu vinte vizën 3 milionë shqiptarëve që jetonin në bunkerët e izolimit, iu vinte vizën sikur për ndërgjegjen e gazetarit italian të mos ishin fare as shqiptarët dhe as Shqipëria, paçka se vetëm 60 km larg ! Pesë a gjashtë vjetë më vonë shqiptarët do të bënin të fliste për ta e gjithë Italia, kur do të zbarkonin në 1991 në brigjet italiane.
Por një surprizë e pati mbrëmja e Vespës me Edi Ramën tek Porta a Porta!
Në fund të emisionit, Edi Rama bëri gafën historike, qē ia dëgjoi gjithë Italia dhe shqiptarët. Apo jo, Dottor’ Vespa!
Ne shqiptarët kemi një të thënë “gjuha shkon ku dhemb dhëmbi”.
Dhe Edi Ramës i shkau goja dhe i shkoi gjuha tek dhëmbi i implantuar, sepse atë kokë ka, kur bëri paralelizmin e largimit të deputetëve të opozitës nga Parlamenti i Shqipërisë në vitin 2019 me atë në vitin 1924 të deputetëve të opozitës italiane të seksionit të Aventinos, të cilët i dorëzuan mandatet në formë proteste kundër regjimit fashist për vrasjen e politikanit e gazetarit Giacomo Matteotti. Matteotti u vra me urdhër direkt të Duçes, sepse kishte denoncuar vjedhje të votave nga fashistët. Që ishte edhe vdekja e demokracisë dhe pluralizmit.
E pra kjo është situata në Shqipëri. Edi Rama vjedh votat me ndihmën e mafies. Fashistët e Duçes i vidhnin vetë dhe pastaj vrisnin Matteotti-n.
A ka lidhje Edi Rama me mafien? Dy ministra të brendshem të tij kishin lidhje të ndërsjellta me mafien. Edhe bashkëpunëtorë të tjerë të afërt të Edi Ramës. Po të isha në vendin e Bruno Vespës do ta kisha pyetur kryeministrin rreth transkripteve të telefonatave të kryetarit të bashkisë të Durresit Vangjush Dako me figura të krimit të organizuar.
Bruno Vespa mund ta pyeste Edi Ramën se përse në vizitën zyrtare që kryeministri i Shqipërisë bëri në Zvicër në 2016 shoqërohej pikërisht nga ky Vangjush Dako.
Nuk e dinte këtë fakt Bruno Vespa? Po, nëse nuk e dinte, le ta punësojë Edi Rama tek televizioni i tij privat dhe të mos zhgënjejë hapësirën publike të RAI-it, duke i bërë jehonë një inkarnimi të ri të Enver Hoxhës apo Benito Mussolinit.
***
Tek La7 Edi Rama shoqërohej nga Vittorio Sgarbi, edhe kjo një figurë eccellente paçka se kontraverse.
Nuk do të zgjatem. Kam vetëm nga një objeksion për Dottor’ Sgarbin dhe gazetaren Myrta Merlino.
Nga prononcimet për median u kuptua se zoti Sgarbi deri tani nuk e di, por në fund duhet ta mësojë se partia aktuale e Edi Ramës nuk ka lidhje as me artin, të bukurën apo me kulturën, por është pasardhësja direkte e partisë të Enver Hoxhës, që vetë Edi Rama e krahason me Korenë e Veriut. Sot problemi nuk është PS e Shqipërisë, se tek ky krah politik ka plot figura liberale te reformuara, problemi është Edi Rama i cili në aleancë me mafien ka kapur sistemin politik në Shqipëri dhe Shqipëria sot mund të krahasohet me Italinë e 1924. Kjo sipas vetë gojës së Edi Ramës tek Porta a Porta i Bruno Vespës!
I kujtoj Myrta Merlin, drejtueses të L’Aria che tira tek LA7, se prania e Edi Ramës në emisionin ku kujtoheshin në retrospektivë refugjatët shqiptarë të vitit 1991 ishte nonsens dhe jo adeguat. Kjo lloj gazetarie ka ngelur në klasë, sepse është manipulatore dhe jo konform të vërtetës. Gazetarja duhet ta dinte dhe, nëse nuk e di, dmth nuk është gazetare se Edi Rama është njeriu i fundit që mund të shprehet per refugjatët e 1991, sepse ishte një rampollo i përkëdhelur i diktaturës, dandy parazit ishte në kohën e regjimit hoxhist dhe një dandy parazit ka mbetur. Por problemi është se kërkon me çdo kusht të trashëgojë përjetë pushtetin me të gjitha mjetet si despot, si Enver Hoxha apo si Mussolini!