Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Janë disa pyetje që duan përgjigje të sakta, duke i vënë pikat mbi « i ».
Ku janë intelektualët në Shqipëri?/
Ata janë të atashuar pranë oligarkisë politike. Përfitojnë privilegje në këmbim të heshtjes. Ata që kanë dashur të ruajnë integritetin dhe nderin, janë të papunë rrugave të ekskomunikuar nga regjimi kriminal i tranzicionit.
Ku janë gazetat dhe televizionet në Shqipëri?
Janë, janë pa fund, tituj gazetash dhe televizione private me statusin e televizioneve kombëtare, me një teknikë të orës së fundit, me mundësi të pafundme për të qenë në funksion të pushtetit të katërt, por që kanë dalë nga funksioni dhe nuk mbrojnë assesi interesat e kombit dhe shtetit, porse veç të xhepit të tyre. Janë të ndarë. Mbrojnë një palë dhe sulmojnë një palë. Pra nuk janë të paanshëm dhe as të pavarur.
Ku janë elitat në Shqipëri?
Nëse nuk kanë zgjedhur statusin e servitorit, të përuljes, përkuljes, të të përkulurit në këmbim të luksit dhe komoditetit, nëse nuk e kanë vënë dijen e tyre në shërbim të konformizmit me të keqen, ata janë të përjashtuar nga sistemi i ri që po krijohet në Shqipëri.
Ndërkohë që braindrain vazhdon.
Si një tragjedi kombëtare. Kapitali më i çmuar njerëzor, i destinuar për të qenë në shërbim të vendit, largohet nga atdheu, sepse klanet e familjeve të politikanëve nuk u lenë asnjë mundësi që ata të dëshmojnë talentin, kompetencat dhe aftësitë e tyre profesionale dhe morale.
Por megjithatë ka nga ata personalitete të elitës, shumë të rrallë, duhet thënë, që janë vënë në shërbim të vendit, duke sakrifikuar komoditetin personal, por mjerisht politika bën sikur nuk i vë re, kur do të duhej t’i mbante në krah të djathtë.
Çfarë sistemi po krijohet në Shqipëri?
Kur nuk funksionon shteti i së drejtës;
kur gjykatat janë të korruptuara;
kur gjykatësit janë milionerë me paratë e kriminelëve;
kur politikanët jetojnë në një luks të shfrenuar;
kur korrupsioni është për fushë dhe askush nuk guxon të hapë gojën ose kush e hap gojën shpallet heretik për turrën e druve;
kur mediat kanë dalë nga roli dhe vetëm manipulojnë e kamuflojnë realitetin e për të fshehur të vërtetën;
kur klasa politike ka si objektiv pasurimin e vet në kurriz të varfërimit të mëtejshëm të popullit;
kur informaliteti përbën 70% duke i hapur portat korrupsionit dhe mafies;
kur Shqipëria perlë e krijuar nga Zoti për turizëm është vend i frikshëm për turistët dhe biznesin e huaj,
kur vriten bankierë, deputetë, biznesmenë dhe kriminelët bredhin të lirë në rrugët e vendit ose janë bodyguardë të politikës;
kur meritokracia, njeriu i ndershëm dhe me integritet nuk gjen vend në këtë vend për të jetuar;
kur nuk ndalet dëshira tragjike për të braktisur Atdheun, sepse ky nuk të siguron jetën dhe nuk të jep punë që t’i rrisësh fëmijët me djersën e ballit e punën e pastër;
kur brezi i ri nuk gjen mundësi të shprehë talentin e tij,
ku përfundimisht ka hyrë në fuqi ligji i xhunglës, ku ligjin e bën më i forti, i cili pasuron zyrtarët më të korruptuar, i mbron politikanët më të korruptuar dhe u jep para të zeza mediave që t’i mbrojë ata duke shtrëmbërojnë dhe ta fshehin të vërtetën,
atëhere sistemi ka dështuar dhe vendin e tij e ka zëvendësuar sistemi mafioz.
Pra ka rënë sistemi në Shqipëri?
Mjerisht ka rënë ose është në gjendje kome.
Ka shpresë?
Ka shpresë, sepse shpresa vdes e fundit. Por kjo kërkon një ndërhyrje të fuqishme, të të gjithë shqiptarëve të përkushtuar, pa dallime politike, si një akt vëllazërimi, për të shpëtuar vendin.
Kauza e madhe që duhet të na bashkojë janë fëmijët tanë dhe fëmijët e fëmijëve, të cilëve po u lemë si trashëgimi një shtet rogue nëse nuk intervenojmë tani, të gjithë, më të mirët!
Por kjo kërkon detyrimisht që pozita dhe opozia të jenë bashkë. Shqiptarë të dinjitetshëm ka.
Ky angazhim përjashton luftën e palëve dhe përdorimin e një demagogjie vulgare për një popull lopë. Opinioni publik nuk ha bar më.
Le të sjellim në qendër të vemendjes skandalet më të fundit.
Po të hapësh gjithë televizionet, opozita si megafon i prishur akuzon pozitën për gjoja «aferën CEZ », ndërsa autore e marrëveshjes me Kompaninë çeke është ajo vetë, kur ishte në pushtet. Nëse mazhoranca e sotme bëri koncesion në favor të CEZ, këtë e bëri sepse Çekia e kushtëzoi me veto kundër statusit të Shqipërisë në BE. Çekia përfitoi, natyrisht, sepse këtë shans ia krijuan politikanët e Shqipërisë, të cilët majmen në luks të shfrenuar me paratë e taksapaguesve duke mashtruar besimin e Sovranit.
Kemi skandalin më të fundit të vjedhjes së Bankës së Shtetit, ku Guvernatori i saj ka dështuar së qeni guardian i pasurisë publike paçka se për të kryer këtë detyrë ka marrë një rrogë super të majme dhe ka bërë një jetë tycoon-i me privilegje totalisht të papërshtatëshme në raport me varfërinë e vendit. Guvernatori duhej të jepte menjëherë dorëheqjen, sepse me rrogat që ka marrë nuk e ka kryer detyrën. Por Guvernatori bëhet sharlatan dhe i pacipë, sepse i ka miq e shokë, duke i komprometuar me privilegje të gjitha palët. Përfiton gjithashtu sepse mediat nuk po e venë me shpatulla për muri.
Ndërsa lideri i opozitës ndaj skandalit të BSH hesht. Me një heshtje të patolerushme.
Po ashtu lideri i opozitës hesht dhe nuk u përgjigjet fakteve rrëqethëse që flasin se njerzit e afërt të mazhorancës së djeshme dhe opozitës të sotme, dmth njerëzit e afërt të zyrtarëve të lartë të PD, janë të punësuar pranë institucionit ku guvernator është Ardian Fullani, duke patur një konflikt të hapur interesi. Çka është shpërdorim i detyrës dhe i dënueshëm nga ligji.
Kësisoj daljet e opozitës duke kërcënuar me destabilitetin e vendit janë në funksion të tymnajave dhe thashethemnajave për të larguar vemendjen, sepse opozita ka televizionet dhe gazetat e veta për të publikuar të vërtetat nëse i ka, për të përgënjeshtruar nëse faktet që botohen janë rrena, gjë nuk e ka bërë dhe nuk e bën sepse është pjesë e sistemit të kalbur.
Palët mbrohen me sulme të ndërsjellta ndaj palëve, makiavelizëm kooperativist. Sepse kjo katrahurë nuk u krijua sot dhe as dje, por gjatë 23 viteve dhe prandaj përgjegjësia i bie edhe njërës edhe tjetrës palë, pra përgjegjës janë PD dhe PS. Ky fakt i pakundërshtueshëm, se janë shkaktarët e katrahurës kombëtare, kërkon reflektim obligues të palëve dhe bashkërendimi pozitë-opozitë është detyrues për të shpëtuar vendin dhe sistemin nga gjendja koma ku gjendet. Ose sot, ose kurrë.
MAZHORANCA DHE OPOZITA NË UNISON
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Mazhoranca dhe opozita janë në unison. Sado absurd që të duket ky fakt, kur ke para sysh se si bëhen mish për qofte në Kuvendin e Shqipërisë, se si e poshtrojnë pala palën, me fjalët më të pështira, më të ndyra që i kanë zili horrat e horrave me gjithë zhargonin e tyre të rrugëve.
Mazhoranca dhe Opozita janë në unison. Sepse e bojkotuan të dyja palët ligjin e ri për KLD – që kërkonte një votim me të paktën 84 vota.
E keni dëgjuar ju premierin e Shqipërisë si krenohet me 1 milionë votuesit e 23 qershorit. Ku i kishte dje?
Ku i kishte kryeministri i Shqipërisë deputetët kur dje dështoi votimi i ligjit për reformën në drejtësi? Ku ishte Tom Doshi, Armando Prenga, Pjerin Ndreu, Parid Cara dhe Mark Frroku? Në ditëlindjen e Mark Frrokut? Si ndihet premieri i Shqipërisë kur deputetët e PS tallen me të kësisoj?!
Sepse Tom Doshi vetë i pestë a nuk e diskreditoi dje Edi Ramën?
Ndihet sot mirë premieri i Shqipërisë pas sfidës të djeshme, kur Tom Doshi ia hodhi dorashkën turinjve? Do ta kalojë si pa u vënë re këtë skandal të deputetëve të tij Edi Rama?
Cila është përgjigjia që kryeministri i Shqipërisë i jep popullit shqiptar, kur deputetët e mazhorancës, që e kanë votuar atë në postin e kryeqeveritarit, e nëpërkëmbin, e poshtrojnë dhe nuk përmbushin një detyrim as si shumicë dhe as si deputetë të PS? Kur nga të gjitha anët bien kambanat e alarmit.
Apo kjo është lojë dhe inskenim i Edi Ramës?! Të gjithë kemi të drejtë ta çojmë në mendje, sepse ne e dimë se Edi Rama është autoritarist në parti, ashtu si edhe Berisha dhe nuk lejon asnjë mizë të fluturojë pa lejen e tij?
Por, ndërkohë, anën e Tom Doshit, Armando Prengës, Pjerin Ndreut, Parid Carës dhe Mark Frrokut kishte marrë edhe opozita, për një kinse arsye tjetër, se gjoja i paska mbetur hatri nga regjimi i urryer i Edi Ramës që ka eleminuar demokracinë në Parlamentin e Shqipërisë, ku kryeparlamentar është Ilir Meta, një aleat i vjetër i PD, me të cilin opozita në një simbiozë perfekte drejtoi vendin për katër vite?!
Po kujt ia hidhni këto. Popullit shqiptar? Po a e kanë matur Koeficientin e Inteligjencies deputetët e Kuvendit të Shqipërisë? Se sa lë për të dëshiruar?
Prandaj them se shumica dhe pakica janë në unison, ashtu si kanë qenë gjithnjë bashkë në të gjitha të ligat që i kanë ndodhur Shqipërisë, vetëm për faj të tyre.
Dhe nëse Shqipëria vazhdon të hiqet zvarrë me një sistem totalisht të dështuar, kjo i dedikohet unisonit PD-PS.
Ligji për KLD do të rivotohet javën që vjen. Ilir Meta ka lajmëruar se PD ka nisur parakohe pushimet verore, ndërsa Ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu është takuar me disa deputetë të PD-së, të cilëve u ka nënvizuar faktin e njohur se reforma në Gjyqësor është imperative dhe për realizimin e saj duhet gjithpërfshirje. “Ne ramë dakord që reforma është një nevojë urgjente për vendin,” u shpreh Arvizu pas takimit.
Të njëjtën gjë e pohojnë si PD edhe PS sa për demagogji, por kur vjen puna për reforma bojkotojnë. Dhe bojkotojnë në unison. Në mënyrën më perfide të mundëshme. Bojkotojnë pesë deputetë të PS dhe gjithë opozita.
Dhe kështu ka 23 vjet që nuk ndal kjo lojë me duar të pista, duke e lenë vendin të mbetet peng i oligarkëve të politikës dhe mafies.
Unë do të doja të ndihesha e sfiduar e javën që vjen ky ligj të votohet prej shumicës.
Por nëse Edi Rama nuk do të jetë në gjendje që të ketë ndikim tek deputetët e tij, ai duhet të mendojë ta çojë vendin në zgjedhje të reja, ku si kusht i nevojshëm dhe domosdoshëm duhet të vihet integriteti i deputetëve, të cilët duhet të votohen me një sistem që i krijon mundësi të plotë konkurencës së lirë dhe i heq kreut të partisë të drejtën uzurpuese që të vendosë ai se cilët do të jenë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.
KUJTESË PËR HASHIM THAÇIN
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Sapo Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me VV shprehu qartë pozicionin e vet – nga një segment ekstremist brenda PDK-së – ka filluar një agresion i hapur me kërcënime. Them brenda PDK-së. Sepse në emër të tyre kërcënojnë.
Nga ana tjetër, një segment ekstremist që mban krahun e Fatmir Sejdiut dhe klanit të Llapit, klan që ka bashkëqeverisur me Hashim Thaçin, që kanë qenë e mbetur probatina pushteti e prosperiteti, kështu thuhet në Kosovë, ka nxjerrë kokën me sulme kundër Isa Mustafës. Ata Isa Mustafën e kishin pasë aty gjithmonë, por janë kujtuar pikërisht tash, kur kanë pësuar një grusht turinjve nga rezultatet e zgjedhjeve.
Niveli i sulmeve është shumë i ulët, nga njerëz shumë të ulët dhe që nuk ia prishin drejtimin e tymit as Koalicionit dhe as Isës, veç Hashim Thaçit.
Pra dëmtojnë Hashim Thaçin. Prandaj këtë shkrim po e shkruaj si një kujtesë për të, pa asnjë dashakeqësi, si analiste.
Qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit ka koinciduar me kosto të hidhur për shumë politikanë të Kosovës, kundërshtarë politikë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Thaçit. Përmendim këtu Haradinajn dhe Limajn, të cilët, pas një procesi të gjatë gjyqësor, kanë dalë të pafajshëm si nga Gjykata e Hagës ashtu edhe nga drejtësia në Kosovë.
Ndërkohë të tjerë bashkëpunëtorë të Thaçit, të enturazhit të tij më të ngushtë gjenden sot prapa hekurave, me akuza të rënda dhe ata logjikisht do të duan me çdo kusht që Hashim Thaçi të jetë kryeministër i Kosovës, të paktën edhe për një mandat të tretë.
Por kjo dëshirë e tyre është një impossible mission për Hashim Thaçin, sepse rezultati i zgjedhjeve nuk mund të ndryshohet.
Çfarë i mbetet Thaçit?
Të gëzojë rolin si lider i opozitës dhe ta luajë këtë rol në mënyrë sa më fair.
Thaçi nuk mund të ketë një mandat të tretë, por ai ka qenë kryeministër i Kosovës për dy mandate shumë të rëndësishme. Është kryeministër i Pavarësisë të Kosovës. Dhe për këtë do të mbetet në histori.
Thaçi ka imituar Ibrahim Rugovën në raport me SHBA, në formë, sepse natyrisht si format janë larg, por prapë është diçka shumë pozitive.
Ndërkohë Kosova ka mbetur si një Lager në zemër të Evropës. Kosova ish-viktimë e një konflikti – tani penalizohet dhe është i vetmi vend në Ballkan që nuk gëzon liberalizimin e vizave, me një varfëri drastike dhe papunësi që shkon në 70%, ndërsa korrupsioni nga keqqeverisja e ka bërë Kosovën të jetë në top listat e statistikave të organizmave ndërkombëtare. Po ashtu njohja e Kosovës nga bota është stopuar që në fillimshkurtin që shkoi. Këtë vit Kosovën deri tash e kanë njohur vetëm dy shtete, ndërsa më 2013 vetëm shtatë syresh. Pra Kosova ka ecur me hapa as të breshkës.
Në këtu kushte, Hashim Thaçi nuk mund të imponohet me asnjë sukese për një mandat të tretë. Ai duhet të dalë sa më shpejt publikisht e të distancohet nga vala e kërcënimeve që lëshohen në emër të tij.
Kundërshtarët politikë dhe ish-bashkpunëtorët e Thaçit që tashmë janë pjesë e Aleancës së shumicës pas eksperiencave të tyre me drejtësinë, ata tani detyrimisht duhet të jenë kthyer në bodyguardë të standardeve demokratike. Sepse nuk ia lejojnë vetes të kthehen atje ku kanë qenë. Aq më tepër kur tash janë fitues.
Në këtë kontekst Thaçi ka mbetur zbuluar për çdo akt dhune që segmente të ndryshme paralajmërojnë kur ai do të kalojë në opozitë. Sepse do t’i kthehet në boomerang vetë Hashim Thaçit.
Edhe sikur në Kushtetutën e Kosovës të kishte hapësira ligjore, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, Thaçi nuk do të kishte asnjë shans – përkundrazi, nëse Kosova do të kalonte në zgjedhje të reja, pikërisht aty Thaçi do të merrte goditjen përfundimtare, sepse humbja do të ishte shterruese për të, çka do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga kreu i PDK-së.
Por s’ka arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja, dhe kjo tingëllon si fatmirësi për Hashim Thaçin, i cili duhet të startojë punën për të përmirësuar sa më shpejt imazhin e tij nga përshtypja skandaloze që ka shkaktuar libri i Veton Surroit dhe sidomos nga pakënaqësitë e atyre që votuan kundër tij në zgjedhjet e 8 qershorit.
Nga pozita shumë komode, ai duhet të mos e vonojë më legjitimimin e institucioneve të reja të Kosovës, sikur bëri Presidentja me kërkesa infantile Gjykatës Kushtetuese, kur Kushtetuta e Kosovës flet në mënyrën eksplicite.
Sepse të gjitha vonesat e shkaktuara nga kapriçiot e Thaçit kanë kosto për popullin e Kosovës, i cili ka nevojë për një qeverisje të ndershme dhe energjike, për t’u ringjallur sa më shpejt. Kosova i ka të gjitha burimet natyrore, njerëzore dhe institucionale për t’u integruar sa më shpejt në kontinentin europian, atje ku jetojmë dhe vazhdojmë të mbetemi të ekskomunikuar për faj të politikanëve.
INTERVISTË E SUPERSTARIT RITA ORA TEK “20 FRIDAY” ZVICËR
Pas yjeve të futbollit Zviceran, Rita Ora është një personazh shumë i njohur në Zvicër, me përmasat e një ylli botëror të krahasueshëm me Mbretëreshën e Muzikës pop – vetë Madonën. Kësaj jave ajo kishte pushtuar kopertinën dhe faqet e revistës zvicerane më të lexuar në Konfederatën Helvetike – një suplement javor 20 Minuten, gazetës gratis që gjendet në çdo cep të Zvicrës.
RITA ORA NJË SUPERSTAR NGA KOSOVA – PAS ALBUMIT TË PARË ORA I CILI ISHTE NË MAJË TË ÇARTSEVE BRITANIKE – ASHTU SI EDHE ME SINGELIN AKTUAL « I Will Never Let You Down», NË SHTATOR VJEN ME ALBUMIN E DYTË
Me flokë të lyer në biond platin së bashku me Gwen Stefani, Michelle Williams, duke u cilësuar nga eksperti Eddine Belaid – si perfekte në look – Rita Ora e çmend rininë zvicerane me magjinë e saj – prandaj ajo është e kudogjendur në shtypin helvetik, gati për çdo ditë, ku lexuesi merr informacion për çdo të re që vjen prej Planetit Rita Ora. Lexuesit shqiptar po i sjellin pjesë nga intervista që ajo dha për redaktorin e Friday Marc-André Capeder.
SUPERSTAR-I RITA ORA ISHTE VETËM 1 VJEÇ KUR PRINDËRIT E SAJ U VENDOSËN NË LONDËR
Rita Ora sot 23 vjeç, ishte vetëm një vjeçare, më 1991, kur bashkë me familjen u vendos në Londër për shkak të konfliktit në ish-Jugosllavi. Më 2009 ajo nënshkroi një kontratë me Jay-Z, të cilin e konsideron mentorin e saj, që do t’i hapte asaj dyert e suksesit në të gjithë botën. Suksesi në muzikë i Rita Orës shoqërohet edhe me pamjen e saj fantastike, në look dhe veshje, duke e bërë që të jetë sa sfiduese aq e kërkuar nga bota e lartë e modës dhe firmave më të famshme të sportit – si Donna Karan, Met Gala, Rimmel DKNY, Adidas etj. Të gjitha dyert janë të hapura për të. Dhe ajo në çdo intervistë nuk harron të tregojë kurrë se vjen me prejardhje nga Kosova, fakt që e bën të ndihet krenare. Më poshtë po ju sjellim pjesë nga intervista që i dha redaktorit të 20 minuten Friday Marc-André Capeder.
«Asnjë pyetje për marrëshëniet e saj me Calvin Harris». Ky ishte mesazhi që mori gazetari nga Shtëpia diskografike e superyllit përpara se ai të vinte këmbën në dhomën ku do t’i merrte intervistë Rita Orës. Në fakt, gazetari i Friday dëshironte të mësonte nëse në vilën e saj, Rita kishte një dhomë të mbushur me albumet dhe fotot e Calvin Harris. Gjithësesi ajo u tregua shumë miqsore me gazetarin, ashtu si tregohen njerëzit me miqtë e tyre, duke i treguar foto nga celulari i saj ku ajo bënte grimasa dhe në fund duke i thënë se „Ajo është gjithmonë Rita ora – njëlloj si ka qenë dy vite më parë“. „Superylli britanik me rrënjë kosovare.“ Kështu shkruan gazetari zviceran.
INTERVISTA
Rita, ti je shumë kohë e ikur nga shtëpia me aktivitete, çfarë bën ti kur ke një pauzë?
Rita Ora: Qendroj gjithë ditën në krevat, duke parë Realityshows si «The Real Housewives of Atlanta». Në këto ditë nga krevati ngrihem vetëm kur më duhet të gatuaj e të ha.
Do të kesh ti një Realityshow?
Rita Ora: Kurrë. Nuk mund ta duroj, do të rraskapitesha krejt nëse rreth meje do të sillej një ekip me kamera.
Po më habit.
Rita Ora: Përse kështu?
Sepse ti je shumë ekstroverse, një person që dukesh se merr energji kur rrethohesh nga njerëzit. A nuk pozove ti për Terry Richardson (fotograf amerikan i famshëm) me BH thuajse transparente.
Rita Ora: Terry Richardson është një legjendë. Unë duhej patjetër të punoja me të…
Prandaj interpreton ti në filmin «50 Shades of Grey» (një romancë erotike) ?
Rita Ora: Po interpretoj këtu, por askush nuk më sheh të zhveshur. Luaj rolin e motrës të Christian Grey…
Ju tregoni shumë lehtë, diçka që ngjan rrallë tek yjet.
Rita Ora: Unë jam gjithnjë e çiltër në intervista. Por ne mund të flasim edhe për Albumin tim të ri apo jo.
Okay. Përse jo?
Rita Ora: Albumi përmban këngë dashurie – në kohën më të bukur të një raporti dashurie, të muajit të mjaltit, kur jemi të dashuruar marrëzisht dhe bota e gjithçka të duket me ngjyrë rozë. Ky Album del në shtatorin që vjen.
Ka Albumi diçka të veçantë?
Rita Ora: Po, Prince është në Album. Ndaj jam unë kaq krenare.
Ti i dhe fund shkollës në moshën 16 vjeçare për t’u bërë një Star. Cili ka qenë qëndrimi i prindërve të tu?
Rita Ora: Babait tim nuk i pëlqente kjo gjë. Ndërsa mamaja më ka mbështetur. Ajo më thoshte gjithmonë:«Rita, a ke ëndërruar ndonjëherë në gjumë, sikur ndodhesh përpara një turme prej 20’000 njerëzish, ku të gjithë ulërasin emrin tënd. Kjo ëndërr do të bëhet realitet.» Ajo kishte të drejtë.
Si je përfshirë me karrerën tënde?
Rita Ora: Tashmë kam themeluar Firmën time. Shumë shpejt do të dalin në treg produkte të Rita-Ora-Beautyprodukte. Motra ime Elena e drejton këtë firmë së bashku me prindërit. Dua të ndërtoj një Ora-Imperum të vogël.
Ke të një shtëpi edhe në Kosovë?
Rita Ora: Ende jo, por shpejt do të kem. Por tashmë kam investuar në një skuadër futbolli të Kosovës.
A mund të qarkullosh lehtë nëpër rrugë atje?
Rita Ora: Natyrisht, njerëzit atje janë kaq të natyrishëm. Kur jam në Prishtinë, njerëzit më thërrasin në rrugë «Hey Rita, ç‘kemi?». Unë jam si ata, njëra prej tyre.
Më 23 Korrik Rita Ora jep koncert live në Festivalin Blue Balls Festival në Luzernë.
(Shqipëroi dhe përgatiti për botim Elida Buçpapaj)
KLASA POLITIKE PËRGJEGJËSE PËR VRASJEN E ARTAN SANTOS NGA MAFIA
Nga ELIDA BUÇPAPAJ/
Kur u mor vesh vrasja mafioze e Artan Santos – ishte fillimisht heshtja që e mbuloi këtë akt terrorist – e cila të jepte mundësi të kuptoje menjëherë degradimin e klasës politike shqiptare.
Në parlamentin e Shqipërisë u vazhduan punimet sikur të mos kishte ngjarë asgjë. Vetëm Ben Blushi e prishi heshtjen. Më vonë do të fillonin të dilnin deklarimet e para zyrtare – një pjesë e mirë në Facebook.
Opinioni publik, i shokuar, pa se si killerat u lanë të lëvizin të lirë. Shteti me të gjitha kapacitetet e tij, u tregua qyqan përpara dy vrasësve të paguar të cilët u fokusuan nga kamerat tek bridhnin të zinj me skafandra, duke e lënë të vrarë njeriun më të rëndësishëm të financave shqiptare të dergjej i pajetë, i vetmuar. Mafia tregoi dhëmbët për të friksuar popullin i cili është po aq i vetmuar sa Artan Santo.
Ne kemi klasë politike prej 23 vitesh post diktaturë por nuk kemi shtet. Ne kemi klasë politike dhe në vend të shtetit kemi mafie, që do të thotë se kjo klasë politike është në krah të mafies dhe jo të popullit, ashtu si nuk ishte as në krahun e Artan Santos që e la në mëshirën e terrorit.
Artan Santo mund të ishte kryeministri që i duhej Shqipërisë, njeri i financave, njeri i sistemit dhe tregut të lirë që krijon vlera me punë të ndershme e djersë të ballit, që nuk pasurohet brenda natës, brenda mandatit të deputetit.
Artan Santon e njihnin të gjithë, të majtë e të djathtë, ish-kryeministra e kryeministra, ish-kryeparlamentarë e kryeparlamentarë, ish presidentë e presidentë, ish-deputetë e deputetë, e njihte bota e biznesit, njerëzit e artit, bota mediale.
Artan Santo ishte njeriu më i rëndësishëm i sistemit. Themelues i Bankës së parë shqiptare, pas tragjedisë të piramidave mafioze, ishte themelues i sistemit që promovoi lirinë e tregut, themelues i kapitalizmit shqiptar të pastër dmth në luftë të hapur me informalitetin dhe mafien.
Prandaj e vrau mafia Artan Santon, killerat e paguar nga kupola e Tiranës. Kështu tha Avokat Ngjela.
E gjithë klasa politike aktuale është fajtore për këtë tranzicion mafioz që e vrau Artan Santon, ashtu si vret çdo ditë biznesmenë, në një vend ku rendi mund të merret nën kontroll shumë lehtë nga shteti nëse funksionon.
Artan Santo simbolizonte kapitalizmin shqiptar në antitezë të plotë me sistemin e korruptuar, me votat e prodhuara nga shit-blerja, në antitezë të plotë me sistemin që rrezikon të dështojë nga trafiku, nga republika e hashashit, ku drejtësia mban anën e krimit, ku drejtësia trimëron kriminelët, killerat e paguar që ta eleminojnë përfundimisht sistemin.
Jozefina Topalli tha se vrasja e Artan Santos është e përmasave të vrasjes së Azem Hajdarit. Azem Hajdari njihet si simboli i rrëzimit të diktaturës, Artan Santo si simboli i sistemit kapitalist, i lirisë së tregut dhe lirisë të individit, ku shteti është shërbëtor i sovranit dhe jo i gjunjëzuari nga mafia.
Artan Santo u vra kur shteti sapo bëri demonstrimin e parë në Lazarat për t’i marrë pushtetin mafies dhe kur BE i ndizi dritën jeshile Shqipërisë.
Vrasja e Artan Santos ishte një reagim i drejtpërdrejtë i mafies e cila është e inkurajuar nga mungesa e shtetit ligjor ne Shqipëri.
Mafia që vrau Artan Santon është e inkurajuar nga lufta politike në Parlamentin e Shqipërisë, ku deputetët shajnë me fjalë të ulta njeri-tjetrin, në vend që të kryejnë detyrimin ligjor që kanë ndaj Kushtetutës të vendit për të aprovuar ligje dhe ndertuar shtetin e së drejtës.
Opozita dje mungoi në Parlamentin që heshti kur mafia vrau Artan Santon, në Parlamentin që i vazhdoi punimet sikur në zemër të Tiranës të mos kishte ngjarë asgjë, sikur të kishte qenë një ditë e zakonshme, sikur jo 100 metra larg nga selia e premierit të Shqipërisë, në dritën për diell, mafia përmes killerave të paguar bashkë me Artan Santon,të mos kishte qëlluar në zemër edhe shtetin edhe sistemin dhe demokracinë.
Është klasa politike e Shqipërisë, fajtorja e këtij tranzicioni kriminal, që po e shpërqendron vemendjen e opinionit publik gjetiu, sikur populli shqiptar të jetë një popull primitiv, kur në fakt kjo klasë politike është përgjegjësja kryesore edhe për ikjen nga kjo botë të njeriut i cili ia kushtoi jetën ndërtimit të një shoqërie të lirë, të vlerave dhe lirisë të tregut, e cila e konsideron armike pa kushte mafien që e vrau Artan Santon.
- « Previous Page
- 1
- …
- 34
- 35
- 36
- 37
- 38
- …
- 58
- Next Page »