• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LETËR E VEHBI SKËNDERIT NGA PARAJSA PËR 20 SHKURTIN

February 21, 2014 by dgreca

Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ/

do të kisha arritur/
nga fundi i botës/
sot më 20 shkurt/
23 vjet/
pas asaj dite/
kur Zoti kishte zbritur në/
Tiranë për të mbjellë/
tek rinia/
trimërinë dhe/
shpresën/
e jetës/
tonë të vrarë/
për së gjalli
në mënyrat
më të përbindshme
të tokës tonë
që pikon
në vend të shiut
lot

do të kisha marrë
avionin
trenat
do ta kisha kaluar
Adriatikun dhe Jonin
me not
do të kisha zbritur
rendshëm
shkallëve të qiellit
nga fryma
do të isha bërë
rishtas

do të kisha ecur
pa u ndalur
me ditë e muaj
natën e ditën
do t’u kisha hypur
kuajve të stuhisë

do të isha bërë 20 vjeç
si ata djemtë e vajzat
më 20 shkurtin 1991
që sot janë dyzetë
e ca vjeç
të gjithë të zhgënjyer
si unë

do të kisha ardhur
edhe i vdekur
nëse nuk do të më
kishin vrarë
të gjallë
dalë e ngadalë
pronarët e lirisë
sikur liria të ishte
jo shenjtore
por prostitutë

do të isha aty
i pari
me mish e kocka
me kocka e shpirt
nëse
nuk do të më
kishte rivrarë
prapë për së gjalli
diktatura e tranzicionit
duke i zëvendësuar
torturat reale
me plumbat
abstraktë
të indiferencës
shurdh-memece
nën breshëritë
e kryetitujve
ku shfaqej
Mesia
ndërsa mëkatonte
si satanai
pa vrarje ndërgjegjeje

ishte një vrasje e ngadaltë
e pabesë
heshtas
për njëzetë vite rresht
pa plumba
me këngët e sorrave
duke i nxjerrë të tepërt
poetët
nga dheu që i lindi
nga qielli e dielli
që i mbuloi
e u dha frymëzimin
edhe në kohën e kolerës

ju u bëtë shpirti binjak
me persekutorët
që i mbajtët rreth vetes

ju ishit artileria e rëndë
e antilirisë
me skuadrën e pushkatarëve
që i shkrepin karikatoret
e të vrasin me heshtjen
kriminale

unë do të isha aty
i gjallë apo i vdekur
nëse Tirana
do të merrte frymën
që Zoti i dha rinisë
atë 20 shkurt
23 vjet më parë
kur unë u futa mes atij oqeani
shpresash njëzetëvjeçare
i gatshëm të vdisja
nga plumbat
që mezi prisnin urdhërat të shtinin
nga tarracat
tek muzeumi
tek 15 katëshi
tek pallati i kultures

ju e mashtruat rininë
e mashtruat Tiranën
i mashtruat poetët
që besojnë të parët
por që e ndjejnë
po të parët tërmetin e
zhgënjimit
andaj rebelohen
të parët

ju ishit falls
ju shitës
ambulant  sloganësh
ju ishit falls
si paret falls
me të cilat nuk blihet asgjë
aq më pak liria

ishit një iluzion
që shkrumboi
miliona ditë
shqiptarësh

tani i pafuqishëm
të ripërsërisësh skenarin
e dramës që luhet
për 23 vjet
unë që prehem
diku në Zvicër
jam shumë më i fuqishëm se ti

sepse duke i patur të gjitha çelësat
në duar
me to u hapën
zgafellat e urrejtjes
sikur nuk na mjaftoi koha
kur na detyruan
të urreheshim
pa asnjë tjetër
rrugëzgjedhje

rrugët tona tashmë
janë të ndara
një herë
e përgjithmonë
unë do të vazhdoj të rend
si shpirt i lirë
pas rinisë
që nuk njeh kurrë plakje
që nuk njeh kurrë vdekje
që rilind
20 vjeçarë
çdo 20 shkurt

ti s’je ndalur
duke i zvarritur shqiptarët
sa herë ka ardhur 20 shkurti
për 23 vite rresht
nëpër tranzicionin
makabër

shumëzoji
23 vite me 5 milionë shqiptarë
sa milenarë jete bëjnë

tashmë një kapitull
i historisë
është mbyllur
si dështim i përkryer
i poetëve dhe popullit

tani asnjë dhe askush
nuk do të të mundë
të imitojë më
këta 23 vjet tërheqjezvarrë
të gjithë
dishepujt e tranzicionit
majtas apo djathtas
tash e mbas janë
buratinë letre
përpara oqeanit
të rinisë

sa për mua
nëse do të rilindja
nga universi i hirit
apo do të ngrihesha nga varri
i baladave
bashkë me të gjithë
shpirtrat e poetët
që i dhanë shpirtin
këtij vendi
për ta bërë më të mirë
s’do bënim gjë tjetër
veç do t’i bashkoheshim
rinisë
për të përsëritur
20 shkurtin…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Elida Buçpapaj, Leter e Vehbi Skenderit, nga Parajsa, per 20 Shkurtin

BURAT E SHQIPËRISË ME FLOKË TË SAPOLYERA IA KANË ELEMINUAR GERMËN E 25-TË ALFABETIT TË SHQIPES

February 16, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Nga televizionet shqiptare për çdo ditë na shfaqen figurat publike të vendit. E kam fjalën për burat e Shqipërisë. Që e kanë minimalizuar përgjegjshmërinë e tyre duke reduktuar fare gërmën e 25 të alfabetit të shqipes që brenda fjalës „burrë“ duke u shqiptuar si një onomatopei dëshmon rëndësinë e pranisë së mashkullit në një shoqëri, sidomos në shoqërinë maskuliste shqiptare, ku roli i femrës kishte funksionin e ornamentit dhe makinerisë për të lindur fëmijët.
Edhe në folklorin shqiptar, në trashëgiminë shpirtërore, burri njihet si shtylla e familjes, shtylla e vendit dhe e shtetit. Skënderbeu ishte një burrështeti, sepse u ndesh me Perandorinë turke dhe triumfoi. Nuk iu tremb as luftës dhe as sakrificave. Ky është burri i vërtetë brenda konotacionit të rolit që ka. Dhe jo vetëm për shqiptarët, por për gjithnjë njerëzimin. Sakrificat i kanë bërë burrat, arritjet dhe hopet gjigande po ashtu iu dedikohen burrave. Natyrisht femrat nuk janë vetëm Kleopatra, Kasandra,Çirçe, Helena apo kurtizane. Ato janë edhe Zhan D’Arka, Teuta, Mari Kyri, Nënë Tereza, Margaret Thatcher, Madeline Albright, Hillary Clinton që është profili i gruas kontemporane e cila kërkon të fitojë pozitë të barabartë me burrin duke garuar përmes kompetencave dhe aftësive.
Pra autoria e këtyre rradhëve, ndërsa po e shkruan këtë opinion, nuk niset aspak nga pozita feministe, por nuk luhatem të pohoj se femra sot meriton vendin që i takon barabartë me burrin. E bëj këtë si grua, si bijë, si nënë, si qytetare, si profesioniste kur shoh se vendi im po shkon drejt tatëpjetës dhe nuk po del asnjë burrë që të bëj deal me një tjetër ashtu si thotë edhe Kadare në intervistën më të fundit se Noli, Konica dhe Zogu ikën nga kjo botë të pajtuar.
I them Kadaresë se asnjëri prej këtyre politikanëve që na kanë parë sytë këta 23 vjet nuk është as Noli, as Konica dhe as Mbreti Zog. Sepse këta 23 vjet në Shqipëri është mbjellë urrejtje dhe luftë e paskrupullt për pushtet në kurriz të shtetit dhe qytetarit.
Konica, Noli dhe Mbreti Zog ishin burra dhe për më tepër burrashteti. Konica shkriu pasurinë për Shqipërinë. Noli dha një kontribut të pashoq për Kulturën, Gjuhën dhe Kishën autoqefale shqiptare, ndërsa Mbreti Zog ndërtoi shtet.
Buri i pushtetit të tranzicionit shqiptar shfaqet përpara ekraneve me flokë të sapolyera. Kjo është risia që ka sjellë. Ai nuk lodhet të lexojë ndonjë liber, të frymëzohet nga bëma të burrështetasve shqiptarë apo të botës, por gjithë energjitë e tij, që janë totalisht energji të harxhuara kufizohen në pasurimin vetjak dhe pamjen e jashtme, ndërsa vazhdon që të konservojë një prani uzurpatore në raport me femrën. Jo si supermaci vlerash, por muskujsh dhe kulisesh. Përpara disa ditësh pamë se si gratë deputete të dy formacioneve të së majtës në aleancën qeverisëse jepnin dorëheqjen dhe në vend që të zëvendësosheshin nga gra, sipas ligjit, vendet e tyre uzurpoheshin nga burra të asaj kategorie që vazhdon të bëjë ligjin si në një shoqëri tribale duke e lënë vendin pa ligj,,pa shtet, me një sistem të përçudnuar që po shkon drejt greminës.

Kjo lloj burërie vazhdon ta lejë gruan shqiptare në pozitat e kurtizaneve dhe konkubinave, le të themi një imitim banal i llojit të Holland apo të Berluskonit, ta lejë femrën shqiptare në rolin e sekretareve të kolme, që kontrollojnë moshën biologjike të njëra tjetrës,se kush është më e re se tjetra. Apo të jenë përfituese të posteve për hir të klaneve apo simpatisë të kryeburit të partisë. Këto gra deri tani nuk kanë bërë gjë tjetër veçse janë kthyer në tellalle të mirënjohjes ndaj atij që e përfshiu në listë apo të klanit që e zgjodhi dhe i vuri në atë rol.
Kryeministri Rama është i rrethuar prej grave. Në pamje të jashtme kjo shkakton entuziazëm pozitiv, nëse nuk i paragjykojmë se ato mund të vërtiten si satelite rreth Diellit Mbret.
Pa e zgjatur, në Shqipëri mungon roli i burrështetësit, i atyre burrave të cilët thërrasin rreth vetes pjesën më të zgjedhur për nga vlerat dhe aftësitë e së bashku, ndërmarrin vendimet më të rëndësishme për vendin, shoqërinë dhe fëmijët.
Jo më kot vendi ku i kemi shtrirë rrënjët brez pas brezi quhet Atdhe, Mëmëdhe, fjalë të përbëra, ku dheu dhe toka janë të lidhur me Atin apo Mëmën, me burrin dhe gruan, me prindërit e dheut e të tokës.
Jo më kot burrat e shtetit që marrin mbi vete përgjëgjshmërinë për të marrë mbi shpatulla fatet e vendit, për të nxjerrë në dritë vendin nga një tunel apo nga një ferr prej kaosit të antiligjit, quhen At apo Etër të Kombit.
Pater Patriae, ky lokucion latin që do të thotë Baba i Kombit ishte një titull onorifik nga antikiteti romak. Jul Qezari përshembull ishte Pater Patriae. Ai i kishte të gjitha atributet e një burrështeti. Ishte ushtarak, konsull, perandor, orator dhe shkrimtar, i konsideruar njëri nga personazhet më me ndikim i historisë. Ai mbahet si shembulli i shtetarit,që asnjëherë nuk iu shmang rrezikut dhe sakrificave për hir të vendit të tij.
Më thoni se cili nga burështetasit shqiptarë këta 23 vjet tranzicion ka sakrifikuar pushtetin e tij për të mirën e vendit?
Tek Wikipedia në listën e Etërve të Kombit në krah të Gandit dhe Qemal Ataturkut, gjendet edhe emri i Ibrahim Rugovës si At i Kombit. Po shikoni luftën që i bëhet Rugovës, ku edhe të vdekur nuk e lënë të prehet i qetë nga burat shqiptarë. Shikoni luftën që i bëhet Kadaresë, ku janë burat shqiptarët ata që luftojnë që të mos marrë Nobelin!
Të gjitha ata burrështetas që kanë marrë përsipër diçka shumë të rëndësishme për kombin, vendin, dhe atdheun e tyre, njihen nga popujve të tyre si “Baba i Kombit”, “Baba i Atdheut”, “Ai i Vendit“ ose është Hero Kombëtar si Gustavi I i Suedisë që e shkëputi Suedinë nga pushtimi i Danimarkës apo si Skënderbeu.
Asnjëri prej Etërve të Kombit nuk ka rendur pas privilegjeve, vilave, pasurive, sekretareve, kurtizaneve apo salloneve të bukurisë me qëllimin diabolik për t’ia zgjatur vuajtjet atdheut, përkundrazi të gjithë kanë ndërmarrë veprime sublime, të cilat kanë patur rëndësi dramatike për fatet e atdheut të tyre që ata kanë përfaqësuar.
Cili prej politikanëve të Shqipërisë tranzicionale mund t’i shkojë ky emër?
George Washington,John Adams,Thomas Jefferson, James Madison, Benjamin Franklin njihen si Founding Fathers – Etërit Themelues, që nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë për shkëputjen nga kurora britanike dhe pastaj morën pjesë në formimin e Kushtetutës së ShBA. Washington përkufizohej si një personalitet që “ishte i pari në luftë, i pari në paqe dhe i pari për të fituar zemrën e popullit të tij”. John Adams ishte një burrështeti, diplomat, avokat brilant, promovues i republikanizmit, Jeffersoni dishepull i edukimit dhe arsimit… e kështu me rradhë. Sipas këtij modeli udhëhoqën Rilindasit e Shqipërisë, emrat e të cilëve sot përveç emrit të Ismail Qemalit, në Shqipëri nuk i njeh askush.
Për faj të diktaturës dhe diktaturës së tranzicionit.
Pas diktaturës gjysmëshekullore që ishte një tragjedi kombëtare sepse pati si parim themelor luftën vëllavrarëse për shkaqe ideologjike, Shqipëria dhe Shqiptarët kishin nevojë për një Rilindje.
Por më thoni cili prej politikanëve të Shqipërisë, ata që me veprat e tyre të padenja ia e kanë reduktuar alfabetin e gjuhësh shqipe me 35 shkronja, do të meritonte emrin e madh të Rilindasit Modern të Kombit?
Më thoni se cili prej tyre, janë të njëjtat emra që i shohim në konfiguracione të ndryshme politike, gjithnjë si arrivistë, si profiterë pushteti, por asnjëherë si patriotë apo si përçues të idealeve kombëtare europianiste…
Deri tani, mjerisht asnjëri.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, germa 25 e alfabetit, me floke te sapolyer

A ËSHTË UKË RUGOVA DJALI PLANGPRISHËS?! DYSHOJ!

February 7, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Pas arrestimit të Ukë Rugovës kam lexuar komente turlifare nga gazetarë që me kohë e kanë shitur profesionin, nderin dhe integritetin e tyre. Lidhjet klienteliste me politikën i kanë bërë ata bosë të kamur nga pseudogazetaria e tyre e trafikuar që u ka prodhuar mirëqënie, bollëk dhe përfitime. Kokëmajmur dhe qafëmajmur prej darkave, drekave dhe zdërhalljeve, ata tani japin leksione për drejtësinë, kur në fakt janë përçudnues të saj.

Ndërkohë, pozita e gazetarisë klienteliste, u ka hequr atyre të drejtën të flasin në emër të drejtësisë. Pa asnjë fakt, vetëm me akuza. Po a është e mundur që gazetaria investigative të bëhet nga çajtoret dhe kafenetë e Tiranës e Prishtinës apo nga zyrat lluksoze të politikanëve, nga ku prodhohen fabrikate për t’ia shërbyer pastaj shabllon një lexuesi thellësisht të politizuar, që e di se punë dhe bukë gjen vetëm kur je ose militant ose zagar i partive dhe sidomos i politikanëve.

Unë dyshoj tek ato që thuhen për Ukë Rugovën, sepse kam parasysh se kundër tij në prag të zgjedhjeve të 2010 e para u ngrit LDK, kur Uka ishte vetëm 30 vjeç dhe posa ishte kthyer nga një shkollim në SHBA. Nuk e donin në LDK pikërisht ata që e shkatërruan LDK-në nën flamurin e rrentë të rugovizmit.

Atëherë ata a e urrenin Ukë Rugovën për fajin e vetëm se ishte i biri i Ibrahim Rugovës dhe duke qenë i ri në moshë nuk kishte kaluar si ata nëpër të gjitha ndyrësitë e periudhave të jugosllavizmit, titizmit dhe ish-jugosllavizimit e ish-titizmit. Ata kishin për Ukën një urrejtje të sëmurë të barabartë me atë të armiqve të Ibrahim Rugovës. Që atëherë m’u krijua bindja se kundër Ukë Rugovës posa kishte nisur një gjueti shtrigash nga klani më famëkeq i Kosovës që ka pushtuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës.

Dyshoj në përfshirjen në krim të Ukë Rugovës dhe në kapjen e tij si fajtor, sepse prej 1998 e deri sot në Kosovë flenë mijra dosje të krimeve të pazbardhura, të cilat presin drejtësinë e vonuar dhe të harruar.

Janë vrarë gazetarë, politikanë, biznesmenë dhe deri më sot nuk është kapur asnjë autor. Janë akuzuar dhe burgosur si fajtorë që pastaj kanë dalë të pafajshëm, ndërsa fajtorët bëjnë qejf.

Modus Vivendi në Kosovë e Shqipëri është se zyrtarët e lartë e të korruptuar janë peshkaqenët që nuk i kap kurrë rrjeta e drejtësisë, sepse drejtësia operon me grepa që të zgjedhur për të kapur vetëm cironka.

Bashkimi Evropian në vend që të obligojë kritere reciprociteti, i ve si objektiv Hashim Thaçit përnbushjen e detyrimeve ndaj minoritetit serb, duke lënë totalisht në harresë shqiptarët, që do të thotë shumicën e gërryer nga papunësia dhe pasojat që lindin prej kësaj plage. Thaçi kësisoj synon të përfitojë lobimin e serbëve, sepse ai i ka djegur të gjitha shanset për të fituar në zgjedhje.

Autorja e këtyre rradhëve kërkon barazi midis të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se çfarë etnie dhe religjioni kanë, pa harruar kurrë se shqiptarët janë viktima të dala pas një pushtimi mizor dhe lufte.

Për çfarë faji penalizohet shumica e popullsisë në Kosovë, dmth shqiptare, që nuk përfiton ende nga marrëveshja Schengen? A mos populli i thjeshtë i Kosovës ka bërë trafik vizash që trajtohet nga BE si qytetar i dorës së fundit në Europë dhe burgoset me izolim duke u getoizuar?!

Prandaj dyshoj në drejtësinë e cila është në një krizë të plotë morale.

Pastaj shkencërisht është e ditur se baza që i lind kriminelët zakonisht krijohet nga kushtet sociale mizerabël, prej injorancës, ekstremizmave dhe varfërisë, kushte të cilat Ukë Rugova nuk i përmbush. Ai është rritur, edukuar nga një baba të cilin Uka e quan Heroi im. Ne i kemi parasysh të gjithë bijtë e njerëzve të shquar. Ata janë pasardhës të denjë të etërve dhe gjyshërve të tyre. Përjashtim bën vetëm Djali Plagprishës.

Por mua më kujtohet prilli 1999 kur në redaksinë tonë na vinin e këmbëngulnin – më kot – të na impononim të botonim lajme sipas të cilave thuhej se Rugova kishte bërë pakt e shtrëngonte duart me Milosheviçin, ndërsa ne u thoshim me bindje se Ibrahim Rugova ishte peng lufte.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Uke Rugova

SË PARI ATA ERDHËN PËR….

January 30, 2014 by dgreca

POEZIA E FAMSHME E MARTIN NIEMÖLLER – I KUSHTOHET INDIFERENCËS SË INTELEKTUALËVE GJERMANË QË LEJUAN HOLOKAUSTIN/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

“Së pari ata erdhën …” është një poezi e famshme shkruar nga pastori Martin Niemöller (1892-1984) që i kushtohet indiferencës së intelektualëve gjermanë pas ardhjes të nazizmit në pushtet, të cilët i arritën qëllimet e tyre duke i bërë spastrimet me rradhë, grupe pas grupesh, ndërsa inteligjencia gjermane heshti. Dhe jo vetëm ajo. Heshti gjithë Europa. Poezia është shumë e njohur dhe përdoret si një model për të denoncuar rreziqet nga apatia politike dhe gjumi intelektual.
“First they came …” me gjithë theksin provokativ është një hymn kundër egocentrizmit intelektual, që bëhet i rrezikshëm, sepse lejon tragjedi të përmasave. Versioni i kësaj poeme që filloi qarkullimin e saj nëpër botë nga vitit 1950, është vendosur në Muzeumin Memorial të Holokaustit në Washington D.C. Lexuesit po ia sjell këtë version të shqipëruar prej meje dhe versionet gjermanisht dhe anglisht.

Në fillim ata iu sulën…
Në fillim ata iu sulën Socialistëve
dhe unë heshta –
sepse nuk isha socialist
Pastaj ata iu sulën Sindikalistëve
dhe unë heshta –
sepse nuk isha sindikalist
Pastaj ata iu sulën hebrejve
dhe unë prapë heshta-
sepse nuk isha hebre
Pastaj më erdhi rradha mua
m’u sulën mua
por s’kishte mbetur më askush
për mua të fliste
First they came…
First they came for the Socialists,
and I did not speak out—
Because I was not a Socialist.
Then they came for the Trade Unionists,
and I did not speak out—
Because I was not a Trade Unionist.
Then they came for the Jews,
and I did not speak out—
Because I was not a Jew.
Then they came for me—
Als sie die…
—
Als sie die Sozialdemokraten einsperrten,
habe ich geschwiegen;
ich war ja kein Sozialdemokrat.
Als sie die Gewerkschafter holten,
habe ich nicht protestiert;
ich war ja kein Gewerkschafter.
Als sie die Juden holten,
habe ich geschwiegen;
ich war ja kein Jude.
Als sie mich holten,
gab es keinen mehr,
der protestierte.”

Niemöller krijoi shumë versione të poemës së tij, të cilat gjatë karrierës shpesh iu keqintepretuan. Më 1976, Niemöller përgjigjet rreth origjinës së poezisë dhe Fontacioni Martin-Niemöller-Foundation e konsideron këtë versionin klasik.
“Kam bërë formulime të ndryshme, thotë Niemöller në këtë intervistë, por ideja është e njëjta, ne lejuam qetësisht që në fillim t’u ndodhë komunistëve, pastaj sindikalistëve, ne i lejuam vetë Social-Demokratët të humbisnin. Sepse thamë “e ç’na duhet ne të merremi me ta. Po ashtu edhe Kisha në fillim nuk u shqetësua se çfarë po bënte politika. Por më 1933, ne krijuam Federatën e Emergjencës të Pastorëve (Pfarrernotbund) dhe në pikën 4. të aktit themelues të saj ne shkruam se për çdo sulm kundër hebrejve që bëhet vetëm sepse ata janë hebrej, ne si Kishë do të themi “JO”. Ky prononcim ndofta është i pari kundër-antisemitizmit.”
Martin Niemöller ishte një pastor (prift protestan) gjerman lindur më 1892 në Lippstadt. Në fillim Niemöller ishte antikomunist dhe mbështeste Hitlerin, por u zhgënjye shpejt dhe pas kësaj udhëhoqi një grup klerikësh në opozitë kundër Hitlerit. Më 1937, ai arrestohet dhe dërgohet në kampet e përqendrimit në Sachsenhausen dhe Dachau, dhe del prej tyre i gjallë më 1945. Ai qëndroi në Gjermani dhe vazhdoi rrugën e klerikut për ripajtimin e popullit gjerman. Ai nuk jeton më prej 1984, por poezia e tij si një rebelim kundër letargjisë së intelektualëve, vazhdon rrugëtimin në përherësi, sepse indiferenca iu ka mbijetuar tragjedive.

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, indiferenca e intelektualeve gjermane, Martin Niemöller, se pari ata erdhen per

IBRAHIM RUGOVA ËSHTË LIDERI HISTORIK – BERAT BUZHALA ËSHTË NJË GRAFOMAN KOMIK

January 23, 2014 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

„President historik? Kjo është histerike…“, kështu titullohej shkrimi i botuar sot tek MAPO i Berat Buzhalës, deputet i PD-së në Parlamentin e Kosovës. Hashim Thaçi në fillim e emëroi kryeredaktor të gazetës Express dhe pastaj, për shërbime shembullore, e përfshiu në listën e deputetëve të PD në zgjedhjet e nëntorit 2007. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky është folklori shqiptar, më jep të jap, që në zhargonin e politikës quhet klientelizëm. Unë po e zhdramatizoj dhe po i them loyal.

Sapo mori pushtetin, Hashim Thaçi gjënë e parë i pastroi gazetat e Kosovës nga çdo zë kritik. Në trevat shqiptare ku demokracia është vetëm fjalë goje, nuk është ndonjë habi që politika të mbajë mediat nën kontroll. Tani duan të mbajnë nën kontroll dhe historinë. Siç pretendon edhe Berat Buzhala, që i quan histerikë të gjithë ata që e konsiderojnë lider historik Ibrahim Rugovën!
Kur Rugova ishte gjallë, grafomanët e tipit të Berat Buzhalës, që ngrysen gazetarë dhe gdhihen deputetë, kanë harxhuar tonelata bojë e letër për të nxirë imazhin e liderit indipendentist. Pasi mendonin diabolikisht se duke nxirë imazhin e Rugovës do të lartonin imazhin e kundërshtarit të tij politik.
E vërteta është se, sa më tepër ata shpenzonin e shpenzojnë bojë e letër dhe sa më tepër shfaqen nëpër televizionet shqiptare duke anatemuar Rugovën, aq më tepër rrënojnë imazhin e tyre.
Ibrahim Rugova ka formatin e mendimtarit europian, shkencëtarit iluminist dhe liderit indipendentist që, sa qëndroi në politikë, asnjëherë nuk u prononcua publikisht kundër Hashim Thaçit, megjithëse e dinte mirë se të gjitha fushatat propagandistike kundër tij ishin të orkestruara politikisht nga rivali i tij që nuk i fitoi kurrë zgjedhjet sa Rugova ishte gjallë.
Gjatë procesit të pavarësisë, kur të dy bashkë ishin pjesëtarë në Ekipin e Unitetit dhe kur Hashim Thaçi pranoi të shtrëngonte duart me Ibrahim Rugovën, kam shkruar se ky duarshtrëngim ishte historik, sepse kam menduar se, më në fund, lideri i krahut të luftës hap një kapitull të ri për fatin e Kosovës, duke hequr dorë nga ndasitë për arsye ideologjike për hir të idealeve kombëtare dhe europiane-atlantike.
Pas vdekjes së Rugovës, Hashim Thaçi është njëri nga ata që e ka vizituar varrin e Rugovës, që, sipas Beratit, vizitohet nga karvanë të politikanëve hipokritë.
Unë jam dakord në këtë pikë me Berat Buzhalën, por nuk besoj se Berati e fut edhe Hashim Thaçin në rradhët e këtij karvani. Them kështu sepse Hashim Thaçi është prononcuar qartas për Ibrahim Rugovën me tone vlerësuese.
Por lider historik Ibrahim Rugovën nuk e ka cilësuar politika. Këtë cilësor ia dha populli i Kosovës dhe Perëndimi që e ka patur aleat loyal Ibrahim Rugovën.
Berat Buzhala për të definuar histerikë ata që e konsiderojnë Ibrahim Rugovën lider historik, citon Çu En Lain, numrin dy të Kinës komuniste. Sipas Buzhalës, kur presidenti Richard Nixon, gjatë takimit të tij më 1972, e kishte pyetur se çfarë mendimi kishte për Revolucionin Francez, Çu En Lai është përgjigjur, se “është shumë herët të japim për këtë ngjarje mendim”. “Edhe 200 vjet pas revolucionit francez”, magjepset Berat Buzhala, “Çu En Lai thotë se duhet të presim”. Prandaj,konkludon Buzhala,kush e quan Rugovën lider historik,është histerik.
Sepse sipas Berat Buzhalës çfarë thotë Çu En Lai qenka ashtu, dhe pikë!
Mao Ce Duni dhe Çu En Lai,dy figurat kryesore të Partisë Komuniste të Kinës që udhëhoqën revolucionin kinez dhe lejfenizuan shoqërinë.Megjithatë, Çu En Lai kujtohet për dy veprime të mira: Veprimi i parë, lidhet me periudhën e Revolucionit Kulturor, kur Mao Ce Duni urdhëroi prishjen e tempujve dhe veprave të artit, Çu En Lai ndali shkatërrimin e Pallatit Imperial në Pekin dhe të disa qendrave të lashta arkeologjike. Veprimi i dytë është se arriti që të ndikojë tek Mao Ce Duni për takimin historik midis SHBA dhe Kinës. Çu En Lai e dinte sa e rëndësishme ishte për Kinën hapja e vendit dhe vendosja e marrëdhënieve me SHBA. Pikërisht me këtë rast, një stalinist faqezi në zemër të Europës, siç ishte Enver Hoxha, pas takimit Nixon-Mao Ce Dun, do të ndërpriste marrëdhëniet me Kinën Komuniste.
Berat Buzhala shfaqet si fans i Çu En Lait, por mbetet rob i një «sentence» të liderit komunist, pa marrë në analizë veprimin historik të Çu En Lait, si ndërmjetësues për të afruar Kinën me SHBA. Sepse ky veprim e ka bërë Çu En Lain të hyjë në histori.Por të mos harrojmë se çfarë regjimi udhëhoqi Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, të cilin Berat Buzhala e mban si mentor për të rrëzuar rolin historik të Ibrahim Rugovës!
Ndërkohë, sulmi më i fundit i Beratit kundër Rugovës është në vazhdën e një fushate, e cila u evidentua me deklarimet e padenja të Adem Demaçit se Ibrahim Rugova ka qenë “frikacak”! Duket se Demaçi, Berat Buzhala dhe ata që vijnë pas tyre po ndërmarrin një Revolucion Kulturor alla Mao Ce Dun, për të rrëzuar të gjitha monumentet e kultures dhe historisë moderne shqiptare të Kosovës, ku Ibrahim Rugova padyshim që është një nga majat e saj.
Ku po shkon kështu Kosova?!
Duhet të presë Kosova 200 vjet sipas teorive të Çu En Lait, mentorit të Berat Buzhalës për të shkruar historinë!
A mos Amerika priti 200 vjet për të nderuar Etërit e saj. A mos vallë Amerika priti 200 vjet për t’i konsideruar baballarë të Kombit Jeffersonin, Washingtonin, Lincolinin. A mos vallë Amerika priti 200 vjet për ta nderuar Martin Luther King Jr. si lider historik i lëvizjes civile të të drejtave të njeriut!
Ibrahim Rugova është lider historik i pavarësisë së Kosovës, sepse kauzës së tij iu bashkangjit gjithë populli i Kosovës. Ibrahim Rugova, siç ka nënvizuar me të drejtë Jusuf Buxhovi, sendërtoi në Perëndim imazhin e civilizuar të popullit të Kosovës, të cilin pushtuesi e kishte nxirë. Ibrahim Rugova respektoi deri në frymën e fundit orientimin Amerikan, sepse e diti mirë se asnjë lëvizje çlirimtare e popullit të Kosovës nuk do të triumfonte pa mbështetjen e SHBA, Europës dhe NATO-s. Dhe kishte shumë të drejtë Rugova, prandaj është lider historik.
Hashim Thaçi e ka ndjekur kursin e Rugovës në raport me SHBA, dhe ka bërë shumë mirë, por është shumë larg formatit të Ibrahim Rugovës. Hashim Thaçi nuk është lider historik. Sepse gjatë mandateve të tij, ka ruajtur një farë sigurie dhe stabiliteti të vendit, por me profilin e një autoritaristi.
Sipas Berat Buzhalës, kush e konsideron Ibrahim Rugovën „lider historik“, nuk po bën gjë tjetër veç po e mitizon figurën e tij! Andaj Berati po merret me çmitizimin e Rugovës! Berat Buzhala vazhdon me avazin e Çu En Lait dhe thotë se Rugova nuk i ka mbushur ende 10 vjet që ka vdekur, dhe se populli i Kosovës e historianët duhet të presin të paktën edhe 190 vjet të tjerë për ta gjykuar se kush ishte!
Duke qenë me profesion gazetar, Berat Buzhala nuk i shmag dot faktet. Duke i nxjerrë vetë ai në pah, ato janë të vërteta të pakundërshtueshme që e bëjnë Buzhalën të duket qesharak. Berat Buzhala thotë se “ në zgjedhjet e vitit 2000, LDK e Ibrahim Rugovës kishte fituar rreth 80 për qind të votave në nivel vendi…”..Ndërsa më poshtë përmend se gjatë kohës së luftës, Rugova votohej 95%!” Berat Buzhala nuk bën gjë tjetër veçse me fakte tregon se Ibrahim Rugova gëzonte kredibilitetin dhe besimin e mbarë popullit të Kosovës që nuk merrte aspak parasysh makinerinë propagandistike që harxhonte tonelata bojë e letër për të rrëzuar imazhin e liderit historik.
Pastaj për t’i bërë shoqëri Adem Demaçit, Berat Buzhala përsërit se Rugova na paska qenë “frikacak”! Të fitosh 80 % të votave dhe qenke frikacak! Adem Demaçi humbi në votime sepse ishte trim!
Shumë të turpëshme këto sulme kundër Rugovës,tetë vjet pasi i është larguar skenës politike të Kosovës.
Por diku më në fund Berat Buzhala thotë me gojën e tij se “pa fijen e dyshimit kontributi i Rugovës në vitet e para pas shpërbërjes së Jugosllavisë, 1989 – 1995, ka qenë jetik”.
Le të ndalemi këtu, tek ky deduksion i Berat Buzhalës. Nëse roli i një politikani është jetik për fatin e popullit e tij, ashtu si ishte roli i Rugovës që e shpëtoi Kosovën nga skenari i një Bosnje të dytë, që do të ishte një kasphanë e vërtetë, a nuk meriton që ky lider të quhet historik.
Por roli i Rugovës nuk pushoi më 1995, përkundrazi ai edhe në vitet që do të vinin më pas deri në frymën e fundit do të ishte figura më identifikuese e liderit europianist.
Por bllofi më eklatant i Berat Buzhalës tek “President historik?Kjo është histerike…” vjen kur e akuzon Ibrahim Rugovën si “indoktrinues i popullit të Kosovës, me bindjen se shpëtimi i Kosovës i vjen nga Perëndimi”! Në fakt Ibrahim Rugova besonte se shpëtimi i Kosovës vjen nga SHBA! Dhe kishte shumë të drejtë!
Përse Buzhala e konsideron indoktrinim një të vërtetë të pakundërshtueshme. A nuk i erdhi Kosovës shpëtimi nga NATO dhe Perëndimi, bash ashtu si i kishte thënë popullit të vet Ibrahim Rugova? Prandaj quhet lider historik,sepse në momentet më dramatike dhe vendimtare për fatin e Kosovës,ai zgjodhi rrugën e duhur.
A nuk do të ishte SHBA dhe Europa që e vendosën në qendër të vemendjes Hashim Thaçin krahas Ibrahim Rugovës e faktorëve të tjerë të politikës. A nuk ishte SHBA dhe Perëndimi që i bashkoi Rugovën me liderët e UÇK-së, të gjithë bashkë në Rambuje?
Po pastaj çfarë u bë, në vend që të mos ndaheshin kurrë më, i gjithë faktori politik, pikërisht pas Rambujesë nisi lufta për pushtet politik me një nonsens gjigand. Në vend që të përdorej si model shembulli i Rugovës, nisi lufta për njollosjen e figurës së tij. Dhe sa më tepër bojë harxhohej, aq më tepër figura e tij lartësohet! Dhe sa më tepër bojë do të harxhohet, Rugova do të skalitet në ndërgjegjen e popullit të vet dhe Perëndimit si lideri historik i pavarësisë të Kosovës.
Kot e ka Berat Buzhala që lodhet me Çu En Lain.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berat Buzhala, Cu en Lai, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT