• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

11 LEKSIONET E JETËS – SIPAS BILL GATES

November 24, 2013 by dgreca

Shqipëroi: ELIDA BUÇPAPAJ/

“Pas episodit që unë dje pata me vajzën tonë të madhe, mendova se më duhet t’ju postoj një email, i cili më kthen pas në një kohë që unë e dua tmerrësisht. Ky email duhet të postohet në çdo shkollë dhe në çdo dhomë gjumi të fëmijëve. E do apo e urren atë që është shkruar aty, ai fëmijë padyshim përmes kësaj e qëllon gozhdën pikërisht ku duhet për ta ngulur në mur, pra është “arma” që i duhet për jetën që ka përpara!” Bill Gates

Bill Gates ka mbajtur një fjalim në një shkollë të mesme për 11 Leksionet e Jetës që nxënësit nuk i mësojnë dot në bankat ku ndjekin mësimet. Ai tregoi për mënyrën e të ndjerit mirë, se edhe politikisht është në rregull duke i edukuar gjeneratat e brezave të rinj si të njohin realitetin, sepse duke patur një qasje reale, ata nuk dështojnë kur përballen me jetën reale.
RREGULLI 1
Jeta nuk është e drejtë – duhet të mësoheni me të.
RREGULLI 2
Bota nuk do të kujdeset për vlerësimin tuaj personal. Bota pret që ju të bëni diçka, përpara se të ndjeheni mirë me veten.
RREGULLI 3 
Ju nuk do të fitoni sapo të mbaroni shkollën, menjëherë për punën që bëni, 60.000 dollarë në vit. Ju nuk do të bëheni as menjëherë, posa të mbaroni shkollën, zevendëspresident i firmës me telefon në veturën tuaj. Ju do t’i fitoni vetëm me shumë mund të dyja.
RREGULLI 4
Nëse mendoni se mësuesi juaj apo prindi janë të ashpër, prisni deri sa të keni një boss.
RREGULLI 5
Të paguheni më pak sa ju takon, nuk është në dinjitetin tuaj, gjyshërit tuaj përdornin fjalën „mundësi“ në vend të pagesës më pak se të takon.
RREGULLI 6 
Nëse gaboni apo futeni në telashe, nuk është faji i prindërve tuaj, kështu që mos u ankoni për gabimet, por mësoni prej tyre.
RREGULLI 7
Para se të kishit lindur, prindërit tuaj nuk kanë qenë kaq të mërzitshëm sa janë tani. Ata u bënë të tillë nga pagesa e faturave tuaja, pastrimi i rrobave, si dhe duke ju dëgjuar kur thoni aq shpesh se sa „cool“ dhe të zotë jeni. Kështu, përpara se ta pastroni shiun nga parazitët që vinë prej gjeneratës të prindërve tuaj, së pari pastroni nga morrat dollapin e dhomës tuaj.

RREGULLI 8
Shkolla juaj mund t’ju ketë bërë fitues apo humbës në shumë gjëra, por jeta, akoma jo. Në disa shkolla i kanë hequr fare notat që sanksionojnë dështimin, duke ju dhënë shanset deri sa ju të merrni notën kaluese. Por mos harroni, kjo që ndodh në shkollë nuk ka as ngjashmërinë më të vogël me jetën reale, që do të thotë se shanset nuk të jepen shumë herë në jetë!

RREGULLI 9
Jeta nuk është e ndarë në semestra. Ju nuk i ndalni dot stinët e vitit dhe vetëm shumë pak prej punëdhënësve tuaj janë të interesuar t’ju ndihmojnë për të gjetur vetveten. Prandaj gjejeni vetveten se kush jeni në kohën e duhur.

RREGULLI 10
Televizioni nuk është jeta e vërtetë. Në jetën reale njerëzit  nuk kanë kohë të rrinë gjatë në kafenetë e çajtoret sepse duhet të shkojnë në punë.

RREGULLI 11 
Silluni mirë me budallët, sepse shanset janë që ju të punoni për njërin prej tyre.

Filed Under: Kulture Tagged With: Bill Gates, Elida Buçpapaj, leksionet e jetes

BURRAT E SHTETIT I DUAN POETËT – BURRACAKËT E SHTETIT I URREJNË…

November 22, 2013 by dgreca

– KUR JOHN KENNEDY DO TË FTONTE NË PËRURIMIN PRESIDENCIAL POETIN ROBERT FROST/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kur Robert Frost do të bëhej poeti i parë që lexonte poezi në programin e përurimit presidencial më 1961, ishte tashmë shumë i mirëpritur në kryeqytet: ai lexonte poezi dhe hante darka në Shtëpinë e Bardhë; Prokurori i Përgjithshëm mori pjesë në fushatën e tij të suksesshme për ta liruar poetin Ezra Paund (Ezra Pound) nga Spitali Shën Elizabet (St. Elizabeth’s Hospital) mbi të cilin rëndonte akuza për tradhti; atij i ishte ofruar pozita e Këshilltarit të Poezisë nga Libraria e Kongresit; dhe Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e shpallte Robert Frostin “Poeti i madh filozof i Amerikës” (America’s great poet-philosopher).

Sipas poetit William Meredith, përfshirja e Frost në përurim “e tërhoqi vemendjen tek Kennedy si njeri i kulturës, si njeri i interesuar për kulturën”, por vendimi i Kennedy-t për ta përfshirë Frostin, sidoqoftë, ishte më shumë një gjest personal ndaj poetit, pasi Fros kishte qënë faktor sidomos në fazën e hershme të fushatës së Presidentit.

Më 26 mars 1959, para një Feste-Gala në kremtim të 85 vjetorit të tij, Frost dha një konferencë shtypi në hotelin Waldorf-Astoria në New York City. Mes pyetjeve të bëra ishte lidhur me tatëpjetën e mundshme të New England, (rajon në verlindje të SHBA ku përfshihen gjashtë shtete Massachusetts, Maine, New Hampshire, Vermont, Rhode Island dhe Connecticut) së cilës Frosti iu përgjigj: “Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë nga Bostoni. A tingëllon kjo sikur New England po merr tatëpjetën?” Kur e shtrënguar të përmendte emrin, Frost u përgjigj: “Ai është një Puritan i quajtur Kennedy. Të vetmit Puritanë të mbetur në ditët tona janë katolikët romanë. Ja. Më duket se e kam politikën më pranë se këmishën.”
Shtypi amerikan mori pikënisje nga parathënia e Frostit se Senator i ri nga Massachusetts, i cili nuk e kishte deklaruar zyrtarisht kandidaturën e tij, do të zgjidhej President i ardhshëm. Më pak se një muaj më vonë, Kennedy i shkroi Frostit, duke i deklaruar: “Unë dua ta dish sa mirënjohës ju jam që ma përmendët emrin me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes suaj. Mua më vjen keq që ndërfutja e emrit tim, me sa duket jo krejt qëllimshëm, e largoi disi vemendjen nga njeriu që vërtetë e meriton vëmendjen – Robert Frost.”

Frost e përsëriti atë çka than ë 85 vjetorin e lindjes së tij gati në të gjitha paraqitjet e tij në publik gjatë muajve të mëvonshëm, dhe vazhdoi ta përkrahë kandidatin sa herë që e kishte të mundur. Kennedy në shkëmbim ia citoi pjesën e fundit të poezisë së Frostit “Duke u ndalur pranë drurëve në një mbrëmje me borë” – Stopping By Woods on a Snowy Evening) në përmbyllje të fjalimeve të tij të fushatës: “Por unë kam për të mbajtur shumë premtime/ e të përshkoj milje të tëra para se të shkoj të fle” – “But I have promises to keep, / And miles to go before I sleep.” Në përgjigje të lajmit se Kennedy i ka fituar zgjedhjet, Frost e quajti këtë ngjarje “një triumf të protestanizmit – mbi veten – a triumph of Protestantism – over itself”.

Stewart L. Udall, i cili e ka takuar Frostin gjatë kryerjes së detyrës së tij si këshilltar poetik në Bibliotekën e Kongresit – Library of Congress, dhe i cili ishte ftuar nga Kennedy të shërbente si Ministër i Brendshëm, sugjeroi që Frost të merrte pjesë në ceremonitë e përurimit. Kennedy duke bërë shaka, iu përgjigj: “Oh, jo. Ju e dini se Robert Frosti e vjedh gjithmonë çdo shfaqje ku ai bën pjesë. -Oh, no. You know that Robert Frost always steals any show he is part of.” Por ishte vetëm shaka sepse ishte e qartë që Kennedy do ta ftonte Frostin, duke qënë i pari President i SHBA që do të ftonte një poet Amerikan të deklamonte vargjet e tij në përurimin presidencial, traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ftesa e Kennedy-t i erdhi Frostit me telegram dhe poeti iu përgjigj atij po me telegram të nesërmen: “NËSE JU PRANONI NË MOSHËN TUAJ TË JENI PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA, UNË DUHET TË JEM I ZOTI NË MOSHËN TIME PËR TË PRANUAR NDERIN QË TË MARR DISI PJESË NË PËRURIMIN TUAJ. UNË NUK MUND TË JEM I DENJË PËR KËTË, POR E PRANOJ PËR HIR TË ÇËSHTJES SIME – ARTEVE, POEZISË, TASHMË PËR HERË TË PARË PËRFSHIRË NË PUNËT E SHTETARËVE – IF YOU CAN BEAR AT YOUR AGE THE HONOR OF BEING MADE PRESIDENT OF THE UNITED STATES, I OUGHT TO BE ABLE AT MY AGE TO BEAR THE HONOR OF TAKING SOME PART IN YOUR INAUGURATION. I MAY NOT BE EQUAL TO IT BUT I CAN ACCEPT IT FOR MY CAUSE—THE ARTS, POETRY, NOW FOR THE FIRST TIME TAKEN INTO THE AFFAIRS OF STATESMEN.”

Kennedy e pyeti Frostin nëse kishte në plan të recitone një poezi të re. Nëse jo, mund ta recitonte poezinë “The Gift Outright”, një poezi të cilën Frosti e kishte quajtur “një histori e Shteteve të Bashkuara në gjashtëmbëdhjetë vargje të bardha”. Kennedy gjithashtu kërkoi të ndërrohej vargu i fundit në “such as she will become” (i tillë si atdheu do të jetë) nga “such as she would become” (i tillë si atdheu do të bëhej). Frost pranoi. Vargu i fundit origjinal, të cilin Frosti thotë se ka shkruar në mesin e Depresionit të Madh, ishte botuar për herë të parë në vitin 1942 në revistën Virginia Quarterly Review dhe ishte “Such as she was, such as she might become” (I tillë si atdheu ishte, i tillë si atdheu do të bëhet). Dukej me vend që Frost u pajtua të bëjë ndryshim tjetër të poezisë për të reflektuar atmosferën optimiste që e rrethonte presidencë e re.

Teksa dita e përurimit erdhi, megjithatë, Frost e befasoi veten duke shkruar një poezi të re, “Dedication” – Kushtimi (më vonë rititulluar “For John F. Kennedy His Inauguration” – Për Xhon Kenedin Përurimin e tij), të cilën kishte në plan ta lexonte si një hyrje e poemës të cilën Kennedy ia kërkonte. Por përpara Kapitolit, më 20 janar 1961, Frost e pa se poezia, e daktilografuar në makinë shkrimi natën e mëparshme, ishte vështirë të lexohej, madje edhe në dritë të plotë. Kur ai doli të recitonte poezinë, era dhe vezullimet lëbyrëse të diellit të reflektuara nga bora e re ia bënin leximin të pamundur. Ai, sidoqoftë, ia doli të recitonte përmendsh poezinë “The Gift Outright”.

Ndonëse Frost u ndje disi në hall prej situatës që iu krijua, ky moment mbeti i paharrueshëm dhe tronditës. Washington Post raportonte se Frost “ua bëri për vete zemrat të pranishmëve në përurim”, diçka që si me shaka Kennedy e kishte parathënë.

Para largimit, Frost u thirr nga Presidenti i ri dhe nga Zonja e Parë në Shtëpinë e Bardhë për të marrë falënderimet e Kennedy-t për pjesëmarrjen në ngjarje. Ai ia dhuroi Kennedy-t një kopje të dorëshkrimit të poezisë “Dedication”, anash së cilës shkruhej: Kopje e përmirësuar. Dhe tani le t’i përmirësojmë rrugët tona. – Amended copy. And now let us mend our ways.” Ai gjithashtu ia dha Presidentit një këshillë: Të jesh më shumë Irlandë se Harvard. Poezia dhe pushteti është formula për një tjetër stinë madhështire. Mos ki frikë nga pushteti. – Be more Irish than Harvard. Poetry and power is the formula for another Augustan Age. Don’t be afraid of power.”

Presidenti Kennedy ju përgjigje menjëherë. Poshtë letrës së falënderimit të daktilografuar të cilën Kennedy ia dërgoi, ai shkruante: Gjithsesi është poezi dhe pushtet! – It’s poetry and power all the way!”

ZJARR DHE AKULL
Nga Robert Frost

Disa thonë se bota do të marrë fund në zjarr
Disa thonë në akull
Prej dëshirës që më shkon për shtat
Jam me ata që duan flakën.
Por nëse do të duhej rrënuar dy herë,
Mendoj se për urrejtjen kam mjaft njohje
Sa të them se shkatërrimi me akull
Është gjithaq mrekulli
Dhe kjo do të mjaftonte.

FIRE AND ICE
Robert Frost

Some say the world will end in fire
Some say in ice.
From what I’ve tasted of desire
I hold with those who favor fire.
But if it had to perish twice,
I think I know enough of hate
To say that for destruction ice
Is also great
And would suffice.

Kushtimi
Shkruar për përurimin e John F. Kennedy më 1961

Kur artistët janë të ftuar
Ngjarjet e shtetit për t’i madhëruar
Është diçka që ata duhet kremtuar.
Sot për mua është një ditë e ditëve.
Dhe për atë që vlerësoi poezinë e traditës
Për atë të parin që e mendoi këtë gjë.
Kjo poezi që e sjell si mirënjohje zë
Rrënjë larg në të përfundimit nisje
Të asaj e cila prej shekujsh ishte prirje;
Një pikë kthese në historinë moderne.
Kolonia do ta kishte të gjatë jetën
Për aq kohë sa do të zgjoheshin mendjet
Kush do të ish ai që do ta zotëronte
Nisur nga karakteri, gjuha, nga doket
Botën e re që e zbuloi Kristofer Kolombi.
Francezët, spanjollët e hollandezët ishin zhbërë
E përzënë jashtë. Bëma heroike ishin bërë.
Elizabeta e Parë dhe Anglia fituan atë.
Tashi erdhi rendi i ri i stinëve
I cili zë fill në zgjuarsinë latine
(A nuk është shkruar në dollarin
Të cilin në xhepat tonë e mbartim?)
Zoti e dha miratimin e tij të dlirë
Sa që heronjtë tanë e kuptuan mirë,
Pra, katër të mëdhenjtë, Washington,
John Adams, Jefferson, dhe Madison
Panë aq shumë si profetët mirëfilli
Ndoshta aq larg përtej se shkon shikimi,
Ata i shembën perandoritë siç e dini
Dhe për shembull Deklarata jonë
I bëri të gjithë të jenë një komb.
Dhe kjo nuk është një lojë pasunarësh
Që me padijën e popullit bën tallje.
Ne shohim sa bukur energjitë vërshojnë
Në përpjekjet e tyre për sovranitet dhe formë.
Ata janë rojat që pranë do të na rrinë
Për kohën e sotme dhe me pajtimin e tyre
Për t’iu dhënë ç’është Demokracia të kuptojnë.
“Rendi i ri i kohës” vallë a nuk thonë ?
Nëse ajo kohë na duket krejt turbull tani,
Ishte ashtu sepse fillimi ynë ish ai
Prandaj duhej guxim dhe trimëri.
Askush i ndershëm nuk do pranonte
Një sundues që të mos dojë mëtonte
Një tubullirë ku më mirë notonte.
Të gjithë e dinë lavdinë e paskaj
Që Amerika aeroplanit ia dha
Për të shkuar mbi stuhi e tramundanë.
Ka thënë me vete ndoshta ndonjë i marrë
Se lavdia nuk është për art e për të gjallë.
Guximi ynë i revolucionit dhe komitërisë
E ka shpërblyer veten në historinë e lirisë
Tashmë në lavdinë tonë të stërlavdisë.
Le të vimë të zgjedhjet më të vona,
Më madhështoret në të gjitha kohërat,
Aq të ngushta sa për t’u dalluar me zor,
Nuk është çudi, kjo është fitorja jonë.
Trimëria është në ajrin e stuhishëm
Më e përkryer se çdo zagushi mbytëse.
Është një libër shpalosës që deklaron
Ndaj politikanëve të cilët të guxojnë
Të shkëputen prej mbështetësve kur gabojnë,
Një pavarësi e shëndoshë e popullit tonë,
Një formë demokratike e së drejtës hyjnore
Për të sunduar me përgjegjësi e qëllime madhore.
Është një thirrje jete paksa më e fortë
E më e madhe ndaj fituesit, dëshiruesit, dijemarrësit.
Më pak kritika ndaj fushës së lojës e gjyqtarit
Dhe më shumë mbështetje ndaj sportit e lojtarit.
Kjo bën që profeti tek secili nesh të ndjellë
Lavdinë e një kohe madhështore të re
Të një pushteti që buron në forcë dhe krenari,
Të qëllimeve të reja të cilat mezi presin të vijnë,
Të vendosur në besimin tonë të lirë pa ngurim,
Në çdo lojë ku do të luajë kombi ynë,
Të një kohe të artë poezie dhe fuqie
Të cilat nga kjo mesditë e kanë zanafillën.

Dhurata e çiltër

Poezi e recituar në vend të poezisë së mësipërme nga Robert Frost në përurimin e vitit 1961

Atdheu ishte yni përpara se ne të ishim të atdheut.
Ai ishte atdheu ynë më shumë se njëqind vjet
Përpara se ne të ishim populli i tij. Ai ishte yni në
Masçusets, në Virgjinia,
Por ne ishim të Anglisë, ende koloni,
Duke zotëruar atë prej së cilës ende nuk ishim të zotëruar,
Zotëruar prej diçkaje që ne nuk e zotëronim më.
Diçka po mbanim fshehur nga atdheu ku jetonim,
Dhe menjëherë gjeti shpëtim në dorëzimin.
Ashtu siç ishim ne ia dhuruam veten çiltër
(Bërja e dhuratës ia kalonte shumëfish bërjeve të luftës)
Atdheut tonë turbull; duke e zgjeruar drejt perëndimit,
Por ende të paqendisur, të palatuar, të pashfaqur,
I tillë siç ish ai, i tillë si do të bëhej.
—

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, John Kennedy, Robert Frost

TË PROTESTOSH ËSHTË LEGJITIME! TË JESH ANTIAMERIKAN JO!

November 15, 2013 by dgreca

Të protestojmë por t’i themi jo histerisë antiamerikane të tipit të Fatos Lubonjës me shokë/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Një popull i nëpërkëmbur 50 vjet nga diktatura dhe 23 vjet nga tranzicioni del dhe proteston për herë të parë në mënyrë masive në një protestë ambientaliste kundër çarmatimit të lëndëve kimike nga Siria!
Është e drejta e tij të kërkojë të drejtat, por pa humbur logjikën dhe pa lejuar të manipulohet nga partitë kryesore si të jetë dele.
Le të fillojë një erë e re për qytetarin e Shqipërisë, era e përgjegjshmërive dhe përgjegjësive që i takojnë, pa i lejuar vetes që ta përdorin si turmë, si mish për top, ashtu si është indoktrinuar nga politika dhe enturazhet e saj këta 23 vjet tranzicion.
Duke përjashtuar protestat e studentëve që sollën përmbysjen e diktaturës, për 23 vjet tranzicion kemi parë protesta të orkestruara politikisht sa nga njëri krah i politikës në tjetrin.
Për 23 vjet tranzicion kemi parë mitingje dhe mitingashë të dirigjuar sa nga njëri krah politik në tjetrin, që kanë humbur mijëra orë të jetës së tyre duke iu bindur urdhërit politik, pa menduar asnjëherë se këto orë do të duhej t’ia kushtonin familjes dhe punës e cila siguron begatinë dhe prosperitetin për vete dhe fëmijët.
Për 23 vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të kërkuar të drejtat e tyre,  të drejtat e viktimave të diktaturës, për dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare,  për një sistem shtetëror sipas standarteve Perëndimore.
Për 23 vjet tranzicion shqiptarët kanë protestuar për të përmbushur makutërinë dhe pangopësinë e klasës politike e cila i ka katandisur dhe diskriminuar duke i lënë të jenë si qytetarët e dorës të fundit e të paintegruar në BE.
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër keqqeverisjes; kundër të qenit viktimë e sistemeve nepotike dhe klienteliste; kundër të qenit viktimë e korrupsionit, kundër të qenit viktimë e degradimit të sistemit të zhdrejtësisë, kundër të qenit viktimë e shpërdorimit të pushtetit nga pushtetarët!
Për 23 vjet tranzicion shqiptarët nuk kanë protestuar për të ndërtuar një sistem zgjedhor sipas standarteve të civilizimit Perëndimor, ku vota e tyre të jetë transparente dhe të shkojë tek më i mirë dhe jo tek i zgjedhuri i kryetarit të partisë; nuk kanë protestuar kurrë si Sovran, por si servitor i politikës.
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar për të patur media të lira dhe të pavarura, të cilat të jenë zëdhënëse të zërit qytetar, të mendimit të lirë dhe jo megafonë të politikës, të pasunarëve të rinj e të njerëzve të lidhur me sistemin e diktaturës që edhe sot e kësaj dite vjellin vrerë e zeher kundër imperializmit amerikan.
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë nuk kanë protestuar kundër pensioneve minimale të prindërve e gjyshërve të tyre, jeta e të cilëve ishte e mbushur me halle e derte në diktaturë ndërsa tani me të ardhurat që marrin u duhet vetëm sa të mbajnë frymën gjallë; nuk kanë protestuar as për tregun e zi të punës, as për tregun e zi të marihuanës, nuk kanë protestuar as për vlera dhe për moral!
Për 23 vjet tranzicion qytetarët e Shqipërisë ndoqën pas si bagëtia klasën politike e cila u tall me ta sa deshi, i përdori ata si deshi, i mashtroi ata kur deshi, dhe kështu do të vazhdojë që t’i përdorë sa e kur të dojë, nëse shqiptarët nuk do të ndërgjegjësohen dhe vetëdijësohen se ata janë zot të fatit të tyre!
Të jesh zot i fatit tënd do të thotë të protestosh pa e humbur logjikën, pa të ikur mendja që të harrosh historinë tënde, pa të kapur amnezia e të mos dish të dallosh se cilët janë miqtë e armiqtë e kombit tënd, të harrosh se diktatura ishte armiku më i madh i Shqiptarëve, e cila i izoloi shiqiptarët si miu në çark në bunkeret e dhunës  kriminale, ku ligjet e diktaturës mbështeteshin në vëllavrasjen.
Këtyre ditëve, në vend të një sensibilizimi të organizuar, në vend të një sensibilizimi mediatik që nuk do të toleronte as çoroditjen dhe panikun e shqiptarëve, kemi parë se si po përdoren armët kimike për të shfryrë pezmet antiamerikane të mbetura në grykë të disave që nga koha e diktaturës.
Kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja nuk i konsideron SHBA si aleat strategjik të shqiptarëve, kemi dëgjuar se si Fatos Lubonja kërkon ta shpallë non grata ambasadorin e aleatit tonë jetik, kemi dëgjuar e ç’nuk kemi dëgjuar, që në fakt nuk duhet e nuk duam që t’i dëgjojmë, sepse opinioni publik duhet të dëgjojë çka i duhet dhe i bën mirë për higjenën e trurit dhe shpirtit.
Opinionit publik dhe rinisë i duhet t’i mbyllë veshët me dyll si Odiseu për të mos i dëgjuar as Fatos Lubonjën me përrallisjet e tij dhe të shokëve të tij dhe as politikanët e Shqipërisë, sepse ky stan vepron jo për të mbrojtur interesat e qytetarëve, as për të mbrojtur interesat e protestuesve, por veç për interes të pushtetit të tyre.
Përveç protestave mbarëpopullore që sollën përmbysjen e sistemit diktatorial, për gati çerek shekulli tranzicion kemi parë se si populli shqiptar i shkon pas si bisht partive me bindje të verbër e shurdhmecëri të bindur, herë si mitingashë e herë si protestues – jo për të fituar të drejtat e veta, por për t’i dhënë me votën e tij privilegjet e politikës.
Prej protestave mbarëpopullore në mbështetje të studentëve, është hera e parë, që në dukje shohim se populli proteston i paorkestruar dhe i padirigjuar nga politika, por i pasensibilizuar, i paorientuar, duke rrezikuar të manipulohet rishtas.
—

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, por jo antiamerikanizem, protesto

VIKTOR MARTINI – NË SHQIPËRI PAPËRGJEGJSHMËRIA E MBROJTUN ME LIGJI

November 14, 2013 by dgreca

KEMI DETYRIME RECIPROKE NDAJ PARTNERËVE, POR KURRSESI TË MOS JEMI TË NËNSHTRUAR NDAJ DETYRIMEVE TË PAARSYESHME Intervistoi: ELIDA BUÇPAPAJ/*

Z.VIKTOR MARTINI, ish i burgosur politik i diktaturës, themeluesi dhe kryetar i parë i shoqatës së ish të burgosurve dhe të persekutuarve politikë në Shkodër dhe nismëtar për krijimin e shoqatës në shkallë kombëtare dhe nënkryetar i saj na e dha këtë intervistë për zhvillimet e fundit në Shqipëri:
ELIDA BUÇPAPAJ – I nderuari Zotëri Viktor Martini, do t’ju isha shumë mirënjohëse nëse do t’u përgjigjeshit disa pyetjeve që lidhen me ngjarjet e fundit në Shqipëri.
Ju ka marrë malli për Shkodrën, sa kohë u bë që jeni kthyer në shtëpinë tuaj?
VIKTOR MARTINI: Ah! Shkodra. Po kush asht ai njeri që nuk e ndjen mungesën e vendlindjes. Ka 20 vite që jam emigrant në SHBA. Vitet e para ishin tepër të vështira. Si emigrant politik nuk kisha të drejtë të shkoja Në Shqipëri. Por mbas 6 vitesh isha i lirë me shkue. Këto 6 vite i kam kja me lot. Këtë e tregon kjart një poezi e imja:
Nuk e njoh këtë erë që fryen,
Nuk i njoh këto gjeth që bien,
Nuk e njoh këtë bumullim,
Jo, jo s’më kënaq kurr e hueja stinë.
Çdo vit shkoj me shue mallin, por s’ka gja që e shuen. Kthehem në Boston i zhuritun me mall në shpirt e jetoj me mallin për Shkodrën e për Shqipërinë.
ELIDA BUÇPAPAJ – Z. Martini sot tema e ditës është çështja e armatimeve kimike të Sirisë, rreth 1500 ton flitet se çmontimi i tyre do të bëhet edhe në Shqipëri, ju ç’mendim keni?  Ndërsa Kryeministri i Shqipërisë ka deklaruar se « e rëndësishme është partneriteti me SHBA“ – ju si mendoni rreth këtij deklarimi ?
VIKTOR MARTINI: Çeshtja e armeve kimike ne Shqipëri asht e duhet të jetë çeshtja e dites, sepse populli i thjeshtë as qe i njeh keto arme, nje nder ta dhe une vete. Per kete teme duhet te flasin kimistat, bile me detaje e jo te futet kjo teme prej politikanve me qëllime te keqija per t’ju kundërvënë pales tjeter. Dihet se Shqipëria asht partnere e NATOs, gja pozitive per ne e qe duhet rujtun. Por, nëse keto arme rrezikojnë seriozisht jeten e shendetin e populli Shqiptar, une mendoj se kurrsesi nuk duhet te futen ne Shqiperi. Nga ana tjeter, mendoj, OKB-ja po i largon keto arme nga Siria si rrezikun e perdorimit te tyne ndaj njerzimit e si mund te mendohet qe kete rrezik po e poston ne vendin tonë, po të mos jetë e sigurt se çmontimi i tyne nuk ka rrezik? Te dy partitë, maxhorancë dhe opozitë, kanë dhanun kontribute qe te jemi anëtarë te NATOs, dhe sot jemi anëtarë. E duke kenun anëtarë sigurisht kemi dhe detyrime reciproke te arsyeshme ndaj partnerëve e kurrsesi te jemi te nenshtruem ndaj detyrimeve te paarsyshme, sepse kete nuk na e kerkon as NATO-ja vete. Une nuk jam anëtar i asnje ngjyre partiake e duke mos kenun i anëtarsuem shikoj si i paanshem çdo veprim te politikanëve ne dobinë e popullit Shqiptar. Une e vlerësoj qendrimin e Rames ndaj Amerikes si partenere kryesore, por uroj qe se shpejtit te jemi te inkuadruem dhe ne Shtetet Europjane, pra në BE.
ELIDA BUÇPAPAJ – Të jemi të drejtë, kujtoj se ditën e parë të qeverisjes Kryeministri i Shqipërisë mori tre vendimet e parat ë qeverisë ishin: Vendimi i parë është: Zëvendësimi i portretit të Presidentit të Republikës në ceremonialin zyrtar me portretin e themeluesit të shtetit modern shqiptar, Ismail Qemali; vendimi i dytë: Miratimi i Kodit Etik Ministror dhe vendimi i tretë, ndalimi i importit të plehrave“. Pra është e qartë se qendrimi i Ramës është lidhur me SHBA, dhe unë të them të drejtën e shoh pozitiv këtë qendrim, ju si mendoni i nderuari Z.Martini?
VIKTOR MARTINI: Po jam i azhornuem per tre vendimet qe maxhoraca mori me te marrun qeverisjen. Një) Heqja e portretit te te Presidentit Nishanit. Unë per veten time e kam qujtun si nje veprim te nxituem, sepse duke kenun nje president i zgjedhun nga kryetari i partise së Sali Berishes mbrena dy orëve, duket si akt hakmarrjeje. Po keshtu dhe opozita e sotme u soll me presdentin Topi. Keto janë sjellje primitive te natyres Shqiptare, qe nuk dime te shkeputemi nga hakmarrja ndaj njeni tjetrit , sidomos kur jemi ne poste shtetërore. Ne duhet te kemi si busull ne qeverisje sjelljet e qeverive te qytetërueme. Dy) Miratimi i kodit Etik Ministror – e quej te Arsyshem, sepse duhej te bahej kjo, e vlerësoj. Tre) Ne lidhje me plehrat ishte nje vendim tepër i drejte qe plehrat mos te importoheshin ne Shqipëri, sigurisht kjo u ba i mbeshtetun dhe nga zani i nenshtetasve Shqiptarë. Shqipëria nuk duhet te shtyhet nga varferija, qe te jetë koshi i plehrave te Shteteve te tjera.
ELIDA BUÇPAPAJ – I nderuari Z. Martini, opozita doli në protesta me pretekst zgjedhjet në Korçë, si mendoni?
VIKTOR MARTINI: Dalja e opzites ne protestë asht nje e drejte e ligjeshme. Nga partitë politike Shqipëria asht e mbushun me protesta te arsyshme e te paarsyshme. Nje gja nuk mund ta arsyetoj: Kur nje gja e paligjshme dergohet ne organet kompetente ligjore, perse duhet te mos presim vendimet ligjore? Perse duhet te shqetësojmë popullin e shkretë. Kjo ndodh sepse ne Shqiptaret ndihemi si te poshteruem kur biem nga karrikat. Populli duhet te ndergjegjsohet qe të mos bien viktime per karrikat e politikanëve qe nuk ngopen kurrë me pushtet. 97 kje nje mesim qe duhet te merret ne konsiderat. 97 kurrë të mos perseritet ne token Shqiptare.
ELIDA BUÇPAPAJ – I nderuari Z.Viktor, kthehemi tek zgjedhjet e Korçës, çfarë mendimi keni për procesin dhe me faktet e evidentuara nga Fiks Fare, ndërkohë që fitorja e së majtës, duke i krahasuar votat është tre herë më e madhe se opozita?
VIKTOR MARTINI: Persa i perket votave ne Korçe. Une pres vendimin e organeve kompetente, qe Berisha na e ka keshillue gjithmonë. Por, nëse PS ka pague autobuzat votuesve per te marrun pjesë ne votim, mirë ka veprue qe ka lehtesue gjenjen ekonomike te studenteve. Ky asht nje avaz i vjeter ne partitë politike. Nje anekdotë ne Shkoder thotë: HYPI PATA MAJE PLEPIT ÇKA I THA SHOQES JA PAU VEDIT. Pra, Berisha ate qe mbolli, po korr.
ELIDA BUÇPAPAJ – I nderuari Z.Martini, përpara disa ditësh – në një minierë të dalë jashtë pune, pesë djem të një familje, midis tyre humbën jetën tre vëllezër për të bërë e shitur skrap me qëllim për të mbajtur frymën gjallë. Si do të bëhet kjo punë kështu? U shua një familje dhe askush nuk mban përgjegjësi? Kush e ka fajin dhe çfarë duhet të bëhet?
VIKTOR MARTINI: Fatkeqesia e fundit ne miniera asht tragjedia e varferisë, asht turpi i qeverisjes 23 vjeçare qe nuk po din a nuk po don, me e nxjerrë popullin Shqiptar nga varferia qe e lane kampionet e diktatures se kuqe. Qeveritarët duhet te hjedhin sytë urgjentisht per krijimin e kushteve në miniera qe varferia të mos i detyrojë njerëzit qe te rrezikojnë jeten per te mbijetue. Persa thoni ju,  Zonja Buçpapaj, kerkush nuk bëhet pergjegjes, kjo nuk me habit, sepse ne kemi pa krime te shemtume ne kohen e diktatures, kemi pa nanat Shqiptare duke ja u vra neper oborret e shtepijave djelm, burra e me qindra te tjerë te pafajshem në burgje, kampe e interrnime. Kemi perjetue femijë te lindun ne burgje e internime e tjera e tjera e as kerkush nuk u bë pergjegjës. Jo vetem kaq, por, kur nje popull shpresoi se demokracia po vjen dhe do te denoheshin krimet e diktatures, ndodhi e kunderta. Satelitet e diktatures i lehtesuen dhe ju bane gjyqe kafesh. Sa turpe. Kemi pa nje 97 te tmerrshme e kerkush nuk u bë pergjegjes, kemi pa piramidat qe varferuan popullin e askush në qeveris nuk mbajti pergjegjesi. Pa le Gerdecin e tjera e tjera. Duket se papergjegjësia asht e mbrojtun me ligj, per turpin e qeveritarëve. Kur do vijë ajo dite qe jeta e nenshtetasve shqyptarë te jet e garantueme me ligj te pakten sa nje qen ne Amerike.
ELIDA BUÇPAPAJ – I nderuari Z.Martini, disa ditë më parë kryeministri i Shqipërisë emëroi në krye të Institutit të Integrimit të të Përndjekurve zotëri Bedri Blloshmi, i vëllai i poetit Vilson Blloshmit, pushkatuar nga regjimi, edhe vetë Berdiu i burgosur në Burgjet e Diktaturës, në vend të Simon Mirakës. Ne e vlerësuam këtë emërim sepse e dimë se Bedri Blloshmi nuk bëhet dot vëllamë me padrejtësinë dhe kemi besim tek ai, ju çfarë mendimi keni Z.Martini?
VIKTOR MARTINI: Persa i perket emërimit si Drejtor ne insitutin e te denuarve politikë Z.Bedri Blloshmin, aq sa me erdhi keq qe u largue nga kjo detyere Z. Miraka.Thom me erdhi keq, sepse ai u perpoq me ba aq sa kishte mundesi, por kje e pamujtun me ba ate çka ai kishte deshirë, sepse diktatoret e rinj te veshun me emra demokratesh nuk e lajuen ma shume e kjo nuk ashte fajësi.
E uroj Z. Blloshmin ne kete detyre qe mos te jet drejtor i heshtun ndaj çdo padrejtesie qe mund te bahet ndaj kesaj shtrese. Detyra e cila i asht caktue, asht nje prove morale para bashkëvujtesve te vet. Çdokush qe mundohet te hjedhi balte mbi keto shtresa gabohet randë, sepse keto e kan dhanun proven se nuk janë sahanlepisa. I lutem çdo Shqiptari qe te mos hjedhin balte mbi njerëzit e ndershem, për hir te fanatizmit partiak, plage kjo e rand ne shoqerin Shqiptare. Ne perfundim i uroj mbar popullit Shqiptar dite ma te bukura e ma te qeta, duke mbyllun llogoret e vjetra te pergjakuna ne perpjekje per te cilun llogore te reja, per paqe e vëllazërim, larg nga politikat perçarëse. Me shume respekt nga njeriu qe nuk njofti kurr kompromis me asnje pushtet.(* Intervista u dergua nga gazetarja Elida ELIDA BUÇPAPAJ)

Filed Under: Interviste Tagged With: Elida Buçpapaj, Interviste, Vijtor Martini

ÇARMATOSJA E SIRISË PA PASOJA SI NË SHQIPËRI DHE NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-SHBA-NATO

November 12, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Një mik i nderuar në Facebook më shkruante “Tash Elida do të ishte mirë të shkruash një koment për armët kimike, e jo të postosh komentet e të tjerëve! Pershëndetje” –
Zotëria kishte shumë të drejtë, sepse rreth armëve kimike ne kemi heshtur në mënyrë aktive, duke publikuar të gjitha qëndrimet. Për një gjë mbaj qëndrim të prerë, kur sensibiliteti për armët kimike adresohet si antiamerikanizëm. Këtë lloj manipulimi nuk e pranoj assesi.
Ndërsa fushatat sensibilizuese të elitës, ekspertëve të fushës, ambientalistëve, shoqërisë civile dhe shtypit natyrisht që janë të domosdoshme, duke shmangur qëndrimin politik dhe përfitimin politik.
Për armët kimike të Sirisë me destiancion Shqipërinë u mësua përmes një informacioni të rrjedhur. Kam përshtypjen nga Ministria e Jashtme. Pastaj mësuam se Rama dhe Kerry kishin folur në telefon dhe sipas Sausan Ghosheh, e dërguara në Siri e misionit të Kombeve të Bashkuara të Organizatës Kundër Përdorimit të Armëve Kimike, „më datë 15 nëntor pritet të mblidhet Këshilli Ekzekutiv i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, për të vendosur lidhur me procedurat e shkatërrimit dhe vendin“. Vendet që diskutohen janë Franca, Belgjika, Norvegjia dhe Shqipëria.
Unë personalisht, si Elida Buçpapaj parimisht jam kundër ardhjes dhe demontimit të armëve kimike si në Shqipëri ashtu edhe në Europë. Mendoj se armët kimike duhet të eleminohen në Siri nën monitorimin e fortë të OKB-së, BE, SHBA! Mund të demontohen edhe në vendet që i kanë shitur, përsëri nën monitorim shumë të fortë.
Ndërkohë Shqipëria është me SHBA aleat jetik dhe dialogu me ta duhet të jetë shumë i ngushtë, shumë luajal dhe shumë konstruktiv. Pikë.
Ish-Kryeministri Berisha na solli ujgurë në Shqipëri. Po ashtu na solli edhe muxhahedinët në Shqipëri. Nuk i solli me dëshirën e tij, besoj. Aso kohe, qeveria shqiptare pranoi që vendi ynë të strehojë 210 muxhahedinë irakianë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vetë Berisha do të deklaronte se „Premtimi për strehimin e tyre i është bërë edhe Sekretares së Shtetit Clinton gjatë vizitës së saj në Tiranë“. Për strehimin e 210 muxhahedinë irakianë ishte i interesuar edhe përfaqësuesi i Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), por Berisha mori në konsideratë kërkesën e Zonjës Clinton. Dhe bëri mirë. Pikë.
I ndryshëm ishte vendimi i qeverisë Berisha për importin e plehrave, ku sipas tijShqipëria bëhej gropa e plehrave të rajonit, jo në kuptim metaforik, në kuptimin ad literam – të cilin Rama e shfuqizoi menjëherë me një prej tri vendimeve të para të qeverisë së tij. Bota e qytetëruar importon lëndë të para, Shqipëria eksporton lëndë të para dhe do të importonte plehra.
Shqipëria është e ndjeshme me temën e çarmatimeve, sepse e ka përjetuar me një tragjedi deaktivimin e armatimeve të kohës të diktaturës, siç ishte Gërdeci. Por kur ky proces u monitorua nga specialistët, gjithçka shkoi në rregull.
Në këtë konteskt, unë mendoj se kryeministri Rama ka bërë një deklaratë të mirë kur ka thënë se për të “është i rëndësishëm partneriteti me SHBA nga llogoret e Irakut tek çarmatosja e Sirisë”.
Të çarmatosësh Sirinë është detyrë e komunitetit ndërkombëtar, por problemi është që kjo çarmatosje të bëhet pa asnjë pasojë si në Shqipëri, ashtu edhe në marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA dhe NATO-n.

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, pasojat ne Shqiperi, SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 44
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT