• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BURRAT E SHTETIT I DUAN POETËT – BURRACAKËT E SHTETIT I URREJNË…

November 22, 2013 by dgreca

– KUR JOHN KENNEDY DO TË FTONTE NË PËRURIMIN PRESIDENCIAL POETIN ROBERT FROST/

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Kur Robert Frost do të bëhej poeti i parë që lexonte poezi në programin e përurimit presidencial më 1961, ishte tashmë shumë i mirëpritur në kryeqytet: ai lexonte poezi dhe hante darka në Shtëpinë e Bardhë; Prokurori i Përgjithshëm mori pjesë në fushatën e tij të suksesshme për ta liruar poetin Ezra Paund (Ezra Pound) nga Spitali Shën Elizabet (St. Elizabeth’s Hospital) mbi të cilin rëndonte akuza për tradhti; atij i ishte ofruar pozita e Këshilltarit të Poezisë nga Libraria e Kongresit; dhe Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një rezolutë që e shpallte Robert Frostin “Poeti i madh filozof i Amerikës” (America’s great poet-philosopher).

Sipas poetit William Meredith, përfshirja e Frost në përurim “e tërhoqi vemendjen tek Kennedy si njeri i kulturës, si njeri i interesuar për kulturën”, por vendimi i Kennedy-t për ta përfshirë Frostin, sidoqoftë, ishte më shumë një gjest personal ndaj poetit, pasi Fros kishte qënë faktor sidomos në fazën e hershme të fushatës së Presidentit.

Më 26 mars 1959, para një Feste-Gala në kremtim të 85 vjetorit të tij, Frost dha një konferencë shtypi në hotelin Waldorf-Astoria në New York City. Mes pyetjeve të bëra ishte lidhur me tatëpjetën e mundshme të New England, (rajon në verlindje të SHBA ku përfshihen gjashtë shtete Massachusetts, Maine, New Hampshire, Vermont, Rhode Island dhe Connecticut) së cilës Frosti iu përgjigj: “Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë nga Bostoni. A tingëllon kjo sikur New England po merr tatëpjetën?” Kur e shtrënguar të përmendte emrin, Frost u përgjigj: “Ai është një Puritan i quajtur Kennedy. Të vetmit Puritanë të mbetur në ditët tona janë katolikët romanë. Ja. Më duket se e kam politikën më pranë se këmishën.”
Shtypi amerikan mori pikënisje nga parathënia e Frostit se Senator i ri nga Massachusetts, i cili nuk e kishte deklaruar zyrtarisht kandidaturën e tij, do të zgjidhej President i ardhshëm. Më pak se një muaj më vonë, Kennedy i shkroi Frostit, duke i deklaruar: “Unë dua ta dish sa mirënjohës ju jam që ma përmendët emrin me rastin e 85 vjetorit të ditëlindjes suaj. Mua më vjen keq që ndërfutja e emrit tim, me sa duket jo krejt qëllimshëm, e largoi disi vemendjen nga njeriu që vërtetë e meriton vëmendjen – Robert Frost.”

Frost e përsëriti atë çka than ë 85 vjetorin e lindjes së tij gati në të gjitha paraqitjet e tij në publik gjatë muajve të mëvonshëm, dhe vazhdoi ta përkrahë kandidatin sa herë që e kishte të mundur. Kennedy në shkëmbim ia citoi pjesën e fundit të poezisë së Frostit “Duke u ndalur pranë drurëve në një mbrëmje me borë” – Stopping By Woods on a Snowy Evening) në përmbyllje të fjalimeve të tij të fushatës: “Por unë kam për të mbajtur shumë premtime/ e të përshkoj milje të tëra para se të shkoj të fle” – “But I have promises to keep, / And miles to go before I sleep.” Në përgjigje të lajmit se Kennedy i ka fituar zgjedhjet, Frost e quajti këtë ngjarje “një triumf të protestanizmit – mbi veten – a triumph of Protestantism – over itself”.

Stewart L. Udall, i cili e ka takuar Frostin gjatë kryerjes së detyrës së tij si këshilltar poetik në Bibliotekën e Kongresit – Library of Congress, dhe i cili ishte ftuar nga Kennedy të shërbente si Ministër i Brendshëm, sugjeroi që Frost të merrte pjesë në ceremonitë e përurimit. Kennedy duke bërë shaka, iu përgjigj: “Oh, jo. Ju e dini se Robert Frosti e vjedh gjithmonë çdo shfaqje ku ai bën pjesë. -Oh, no. You know that Robert Frost always steals any show he is part of.” Por ishte vetëm shaka sepse ishte e qartë që Kennedy do ta ftonte Frostin, duke qënë i pari President i SHBA që do të ftonte një poet Amerikan të deklamonte vargjet e tij në përurimin presidencial, traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Ftesa e Kennedy-t i erdhi Frostit me telegram dhe poeti iu përgjigj atij po me telegram të nesërmen: “NËSE JU PRANONI NË MOSHËN TUAJ TË JENI PRESIDENT I SHTETEVE TË BASHKUARA, UNË DUHET TË JEM I ZOTI NË MOSHËN TIME PËR TË PRANUAR NDERIN QË TË MARR DISI PJESË NË PËRURIMIN TUAJ. UNË NUK MUND TË JEM I DENJË PËR KËTË, POR E PRANOJ PËR HIR TË ÇËSHTJES SIME – ARTEVE, POEZISË, TASHMË PËR HERË TË PARË PËRFSHIRË NË PUNËT E SHTETARËVE – IF YOU CAN BEAR AT YOUR AGE THE HONOR OF BEING MADE PRESIDENT OF THE UNITED STATES, I OUGHT TO BE ABLE AT MY AGE TO BEAR THE HONOR OF TAKING SOME PART IN YOUR INAUGURATION. I MAY NOT BE EQUAL TO IT BUT I CAN ACCEPT IT FOR MY CAUSE—THE ARTS, POETRY, NOW FOR THE FIRST TIME TAKEN INTO THE AFFAIRS OF STATESMEN.”

Kennedy e pyeti Frostin nëse kishte në plan të recitone një poezi të re. Nëse jo, mund ta recitonte poezinë “The Gift Outright”, një poezi të cilën Frosti e kishte quajtur “një histori e Shteteve të Bashkuara në gjashtëmbëdhjetë vargje të bardha”. Kennedy gjithashtu kërkoi të ndërrohej vargu i fundit në “such as she will become” (i tillë si atdheu do të jetë) nga “such as she would become” (i tillë si atdheu do të bëhej). Frost pranoi. Vargu i fundit origjinal, të cilin Frosti thotë se ka shkruar në mesin e Depresionit të Madh, ishte botuar për herë të parë në vitin 1942 në revistën Virginia Quarterly Review dhe ishte “Such as she was, such as she might become” (I tillë si atdheu ishte, i tillë si atdheu do të bëhet). Dukej me vend që Frost u pajtua të bëjë ndryshim tjetër të poezisë për të reflektuar atmosferën optimiste që e rrethonte presidencë e re.

Teksa dita e përurimit erdhi, megjithatë, Frost e befasoi veten duke shkruar një poezi të re, “Dedication” – Kushtimi (më vonë rititulluar “For John F. Kennedy His Inauguration” – Për Xhon Kenedin Përurimin e tij), të cilën kishte në plan ta lexonte si një hyrje e poemës të cilën Kennedy ia kërkonte. Por përpara Kapitolit, më 20 janar 1961, Frost e pa se poezia, e daktilografuar në makinë shkrimi natën e mëparshme, ishte vështirë të lexohej, madje edhe në dritë të plotë. Kur ai doli të recitonte poezinë, era dhe vezullimet lëbyrëse të diellit të reflektuara nga bora e re ia bënin leximin të pamundur. Ai, sidoqoftë, ia doli të recitonte përmendsh poezinë “The Gift Outright”.

Ndonëse Frost u ndje disi në hall prej situatës që iu krijua, ky moment mbeti i paharrueshëm dhe tronditës. Washington Post raportonte se Frost “ua bëri për vete zemrat të pranishmëve në përurim”, diçka që si me shaka Kennedy e kishte parathënë.

Para largimit, Frost u thirr nga Presidenti i ri dhe nga Zonja e Parë në Shtëpinë e Bardhë për të marrë falënderimet e Kennedy-t për pjesëmarrjen në ngjarje. Ai ia dhuroi Kennedy-t një kopje të dorëshkrimit të poezisë “Dedication”, anash së cilës shkruhej: Kopje e përmirësuar. Dhe tani le t’i përmirësojmë rrugët tona. – Amended copy. And now let us mend our ways.” Ai gjithashtu ia dha Presidentit një këshillë: Të jesh më shumë Irlandë se Harvard. Poezia dhe pushteti është formula për një tjetër stinë madhështire. Mos ki frikë nga pushteti. – Be more Irish than Harvard. Poetry and power is the formula for another Augustan Age. Don’t be afraid of power.”

Presidenti Kennedy ju përgjigje menjëherë. Poshtë letrës së falënderimit të daktilografuar të cilën Kennedy ia dërgoi, ai shkruante: Gjithsesi është poezi dhe pushtet! – It’s poetry and power all the way!”

ZJARR DHE AKULL
Nga Robert Frost

Disa thonë se bota do të marrë fund në zjarr
Disa thonë në akull
Prej dëshirës që më shkon për shtat
Jam me ata që duan flakën.
Por nëse do të duhej rrënuar dy herë,
Mendoj se për urrejtjen kam mjaft njohje
Sa të them se shkatërrimi me akull
Është gjithaq mrekulli
Dhe kjo do të mjaftonte.

FIRE AND ICE
Robert Frost

Some say the world will end in fire
Some say in ice.
From what I’ve tasted of desire
I hold with those who favor fire.
But if it had to perish twice,
I think I know enough of hate
To say that for destruction ice
Is also great
And would suffice.

Kushtimi
Shkruar për përurimin e John F. Kennedy më 1961

Kur artistët janë të ftuar
Ngjarjet e shtetit për t’i madhëruar
Është diçka që ata duhet kremtuar.
Sot për mua është një ditë e ditëve.
Dhe për atë që vlerësoi poezinë e traditës
Për atë të parin që e mendoi këtë gjë.
Kjo poezi që e sjell si mirënjohje zë
Rrënjë larg në të përfundimit nisje
Të asaj e cila prej shekujsh ishte prirje;
Një pikë kthese në historinë moderne.
Kolonia do ta kishte të gjatë jetën
Për aq kohë sa do të zgjoheshin mendjet
Kush do të ish ai që do ta zotëronte
Nisur nga karakteri, gjuha, nga doket
Botën e re që e zbuloi Kristofer Kolombi.
Francezët, spanjollët e hollandezët ishin zhbërë
E përzënë jashtë. Bëma heroike ishin bërë.
Elizabeta e Parë dhe Anglia fituan atë.
Tashi erdhi rendi i ri i stinëve
I cili zë fill në zgjuarsinë latine
(A nuk është shkruar në dollarin
Të cilin në xhepat tonë e mbartim?)
Zoti e dha miratimin e tij të dlirë
Sa që heronjtë tanë e kuptuan mirë,
Pra, katër të mëdhenjtë, Washington,
John Adams, Jefferson, dhe Madison
Panë aq shumë si profetët mirëfilli
Ndoshta aq larg përtej se shkon shikimi,
Ata i shembën perandoritë siç e dini
Dhe për shembull Deklarata jonë
I bëri të gjithë të jenë një komb.
Dhe kjo nuk është një lojë pasunarësh
Që me padijën e popullit bën tallje.
Ne shohim sa bukur energjitë vërshojnë
Në përpjekjet e tyre për sovranitet dhe formë.
Ata janë rojat që pranë do të na rrinë
Për kohën e sotme dhe me pajtimin e tyre
Për t’iu dhënë ç’është Demokracia të kuptojnë.
“Rendi i ri i kohës” vallë a nuk thonë ?
Nëse ajo kohë na duket krejt turbull tani,
Ishte ashtu sepse fillimi ynë ish ai
Prandaj duhej guxim dhe trimëri.
Askush i ndershëm nuk do pranonte
Një sundues që të mos dojë mëtonte
Një tubullirë ku më mirë notonte.
Të gjithë e dinë lavdinë e paskaj
Që Amerika aeroplanit ia dha
Për të shkuar mbi stuhi e tramundanë.
Ka thënë me vete ndoshta ndonjë i marrë
Se lavdia nuk është për art e për të gjallë.
Guximi ynë i revolucionit dhe komitërisë
E ka shpërblyer veten në historinë e lirisë
Tashmë në lavdinë tonë të stërlavdisë.
Le të vimë të zgjedhjet më të vona,
Më madhështoret në të gjitha kohërat,
Aq të ngushta sa për t’u dalluar me zor,
Nuk është çudi, kjo është fitorja jonë.
Trimëria është në ajrin e stuhishëm
Më e përkryer se çdo zagushi mbytëse.
Është një libër shpalosës që deklaron
Ndaj politikanëve të cilët të guxojnë
Të shkëputen prej mbështetësve kur gabojnë,
Një pavarësi e shëndoshë e popullit tonë,
Një formë demokratike e së drejtës hyjnore
Për të sunduar me përgjegjësi e qëllime madhore.
Është një thirrje jete paksa më e fortë
E më e madhe ndaj fituesit, dëshiruesit, dijemarrësit.
Më pak kritika ndaj fushës së lojës e gjyqtarit
Dhe më shumë mbështetje ndaj sportit e lojtarit.
Kjo bën që profeti tek secili nesh të ndjellë
Lavdinë e një kohe madhështore të re
Të një pushteti që buron në forcë dhe krenari,
Të qëllimeve të reja të cilat mezi presin të vijnë,
Të vendosur në besimin tonë të lirë pa ngurim,
Në çdo lojë ku do të luajë kombi ynë,
Të një kohe të artë poezie dhe fuqie
Të cilat nga kjo mesditë e kanë zanafillën.

Dhurata e çiltër

Poezi e recituar në vend të poezisë së mësipërme nga Robert Frost në përurimin e vitit 1961

Atdheu ishte yni përpara se ne të ishim të atdheut.
Ai ishte atdheu ynë më shumë se njëqind vjet
Përpara se ne të ishim populli i tij. Ai ishte yni në
Masçusets, në Virgjinia,
Por ne ishim të Anglisë, ende koloni,
Duke zotëruar atë prej së cilës ende nuk ishim të zotëruar,
Zotëruar prej diçkaje që ne nuk e zotëronim më.
Diçka po mbanim fshehur nga atdheu ku jetonim,
Dhe menjëherë gjeti shpëtim në dorëzimin.
Ashtu siç ishim ne ia dhuruam veten çiltër
(Bërja e dhuratës ia kalonte shumëfish bërjeve të luftës)
Atdheut tonë turbull; duke e zgjeruar drejt perëndimit,
Por ende të paqendisur, të palatuar, të pashfaqur,
I tillë siç ish ai, i tillë si do të bëhej.
—

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, John Kennedy, Robert Frost

PRESIDENTIN XHON F. KENNEDY E VRANË…

November 19, 2013 by dgreca

50 vjetë ma parë… me 23 Nandor 1963…/

Shkruan: Fritz RADOVANI/

            Nuk më besohet se janë ba 50 vjetë që u vra Presidenti Amerikës, Xhon Kennedy!

            Ndoshta, edhe janë ba aq vite! Kalonim nga një stacion tek tjetri në radio, per “me besue” atë lajm aq të papritun, sa edhe të trishtueshëm per né Shqiptarët!

“Presidenti Xhon Kennedy u vra me atentat!” persëritej në të gjitha anët e Botës!

E bashkë me Xhon Kennedy-n, u vra edhe shpresa ynë per Liri!

Xhon Fitzgerald KENNEDY, ka lé në Brooklin, Massachusetts, me daten 29 Maji 1917. Asht vra me atentat me daten 22 Nandor 1963, në Dallas, Teksas të ShBA.

Ishte me origjinë nga një familje katolike irlandeze, i vendosun kur imigroi në Boston, Amerikë. Me daten 20 Janar 1961, Xhon Kennedi u betue si President i ShBA, dhe per tri vjet mbeti i perjetshëm në Historinë e Amerikës, edhe até Botnore.

Atëherë, kur pritej dhe ishin të gjitha mundsitë e një “këthese” të Shqipnisë në gjiun e Europës, dhe pikrisht porsa Kennedy mërrijti në Paris, me 2 Qershor 1961 në Pallatin Shaijo, mbas bisedimeve me Presidentin e Francës Sharl De Gol, deklaroi: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Kjo është arsyeja,” – tha Kennedi – “për të cilën mendoj, se rrota po rrotullohët në favor të Botës së Lirë, dhe jo të komunistëve.” (Gazeta “Zëri i Popullit” dt. 9 Qershor 1961, Nr. 139, (3982), fq. 4. “Përgjigje zotit Kennedi”).

“Kush mendon se asht i mirë komunizmi të vijë e të shohin Berlinin!..” Kennedy.

Presidenti Kennedi, ishte i 35-ti President i ShBA, dhe i treti që vritet me atentat në moshen 46 vjeçare, mbas  Abraham Linkoln në 1885, dhe Mc. Kinley, në vitin 1901. Mbas 10 muejsh hetime në 1964, komisioni hetimor i drejtuem nga kryetari i Gjykatës së Naltë të ShBA, Earl Warren…“mbylli dosjen Kennedy” per 50 vjetë…të cilen e kam lexue, ndonse, rrallë ka ngja që per vrasje politike me u ba shpjegime të plota dhe bindëse.

Nga materialet që kam lexue per vrasjen Xhon Kennedy, kam veçue një…

 RASTËSI… apo…

Edhe Abraham Linkoln u vra…ashtusi Xhon Kennedy…

 ■Abraham Linkoln u zgjodh në Kongresin Amerikan në vitin 1846…

   Xhon F. Kennedy, u zgjodh në Kongresin Amerikan në vitin 1946…

 ■Abraham Linkoln u zgjodh President i SHBA në vitin 1860…

   Xhon Kennedy u zgjodh President i SHBA në vitin 1960…

■Emnat Linkoln dhe Kennedy, të dy kanë nga shtatë shkronja…

 ■Të dy Presidentët janë vra per mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut…

■Të dy Presidentët janë vra nga “agjentë sudistë”…

 ■Kur shkuen në Shtëpinë e Bardhë, gratë e të dyve kanë humbë fëmijë…

■Të dy Presidentët janë vra me nga një goditje në kokë…

■Të dy Presidentët janë vra në diten e merkurrë…

 ■Sekretaria e Presidentit Linkoln, kishte mbiemnin “Kennedy”…

  Sekretaria e Presidentit Kennedy, kishte mbiemnin “Linkoln”…

 ■Vrasësi i Linkoln ka gjuejtë nga një kinema dhe asht kapë në një magazinë.

   Vrasësi i Kennedy ka gjuejtë nga një magazinë dhe asht kapë në kinema.

 ■Pasuesi i Linkoln kishte emnin Andrew Jonson, kishte lé në vitin 1808.

   Pasuesi i Kennedy kishte emnin Lyndon Jonson, kishte lé në vitin 1908.

■Të dy emnat e pasuesëve të Presidentëve kishin nga gjashtë shkronja.

 ■John Wilkes Booth, vrasësi i Linkoln ka lé në vitin 1839…

  Lee Harvey Osvalt, vrasësi i Kennedy ka lé në vitin 1939…

■Të dy vrasësit e Presidentëve kanë tre emna me pesmëdhjetë shkronja.

■Të dy vrasësit, Booth dhe Osvalt, janë vra para se me u ba procesi i tyne…

 ■Të dy vrasjet e Presidentëve kanë mbetë edhe sot misterioze…

…Kujtoj si sot, atëditë, kur iu ba funerali Presidentit Kennedy, ndigjuem në radio një kangtare që këndoi “Ave Maria”… në kishen ku ishte martue…ishte po ajo kangtare që kishte këndue atëherë… Aty e shoqja Zhaklin, organizoi edhe ceremoninë mortore…

Melbourne, Nandor 2013.

 

 

 

Filed Under: Featured Tagged With: 50 vjet nga, John Kennedy

KUJTOJME XHON F. KENNEDI NE DITEN E LINDJES

May 29, 2013 by dgreca

Shkruan:  Fritz RADOVANI/Melbourne/

 Xhon F. KENNEDI (John Fitzgerald KENNEDY), ka lé në Brooklin, Massachusetts, me daten 29 Maji 1917. Asht vra me atentat me daten 22 Nandor 1963, në Dallas, Teksas të ShBA.

Ishte me origjinë nga një familje irlandeze me besim katolik, i vendosun kur imigroi në Amerikë, në Boston. Me daten 20 Janar 1961, Xhon Kennedi, u betue si President i ShBA, dhe per tri vjet mbeti i perjetshem jo vetem në Historinë e Amerikës, po edhe até botnore. Njihej si një nder gjenialitetet e universiteteve amerikane, mbasi kishte mbrojtë titullin doktor me një studim të veçantë të zhvillimit ekonomik të ShBA, per 50 vjetët e ardhëshme. Në kjoftë se Europa Perëndimore, ku perfshihej edhe ShBA në zhvillimet politike, kishte arrijtë me krijue njëfarë stabiliteti edhe në ekonomi, Europa Lindore komuniste kishte humbë edhe atë ekonomi që kishte pasë para Luftës së Dytë Botnore, mbasi gjithshka shkonte në buxhetin ushtarak nder të gjitha shtetet që ishin nën dhunen e diktaturës stalinjane bolshevike të Bashkimit Sovjetik, ndersa t’ ardhunat nga kampet e punes dhe të shfarosjes, “rezervoheshin” nder bankat Perëndimore…

Kontrasti ma i madh mes dy bloqeve ishin “të Drejtat dhe Liritë e Njeriut”. Mbas vdekjes së Stalinit, disa lëvizje me karakter demokratik në Europen Lindore, u shtypen me tanket blokut komunist tue e rikthye pushtimin e tyne nga sovjetikët, që gjoja në vitet 1956 – 58 kishin dënue kultin e Stalinit, me të cilët aso kohe u bashkue edhe “udhëheqja” e Tiranës komuniste, pra edhe Shqipnia, që mbas viteve 1961 – 62 filloi me dënue “revizionizmin modern sovjetik”, mbasi Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, nuk ishin dakord me lëshue postet drejtuese të tyne dhe me ba ndryshimet që vendet e “demokracive popullore” të Lindjes po banin ata vite. Perballë me ShBA, ishte edhe Kuba komuniste, që kishte fillue instalimin e luftanijeve e raketave sovjetike në portet e saja, gja që kishte zgjue prej gjumit edhe amerikanët. Data 14 Prill 1961 sjelli até që Kennedi me avionet e Tij, i tregoi Botës se politika që do të ndjekin shkon drejtë ndryshimeve.

N.S.Hrushov në vitin 1959 ishte kenë “mysafir” i Ajzenhauer në Kemp Devid, të ShBA, por gjithshka mbeti e “mësheftë” mes dy kryetarëve të shteteve ma të fuqishme të Botës.

Ndaj veprimeve të Kennedit kunder Kubës, si kunderveprim Hrushovi, me daten 13 Gusht 1961 filloi mu në zemren e Europës ngritjen e Murit të Berlinit. Gjithshka dukej se bahet në një prag të një gjendjes së re dhe të rrezikshme botnore…

Kennedi ishte nder Presidentët ma të rij (43 vjeç), kur kandidoi si President në ShBA.

Me daten 22 Nandor 1963, Presidenti Kennedi në një limousine me të shoqen Zhaklin Kennedi, shoqnuesin dhe shoferin arritën në Dallas, për zgjedhje të reja. Nga një dritare në një kthesë, Lia Harvei Osvald gjuejti dy here dhe Presidenti, mbas pak kohe vdiq në një klinikë ku e operuen pa sukses. Ngjarja atje ka ngja rreth ores 12.30’. Pra me daten 23 në mengjes në Europë, u hap lajmi i vrasjes së Xhon J. Kennedit. Tue shkue tek stacioni i urbanit me dale në punë, tek Dugajt’ e Reja, lajmin ma dha spijuni Pjerin Vata, i cili ishte i gzuem per suksesin e zhdukjes së Presidentit amerikan, që né e konsideronim President të “ndryshimeve të pritëshme”…

Me daten 24 Tetor (në ShBA), kur policia po çonte Lia Osvald nga burgu per në një burg tjeter, një “qytetar” amerikan i “zemruem” per vrasjen e Presidentit, i quejtun Xhek Rubi (Jack Ruby), në mes rojeve shtinë me pistoletë dhe vret atentatorin Osvald. Në dukje çeshtja u mbyll!

Presidenti Kennedi, ishte i 35-ti President i ShBA, dhe i treti që vritet me atentat në moshen 46 vjeçare, mbas  Abraham Linkoln dhe Mc. Kinley, në vitin 1901.

Nga Raporti Worren kam veçue një frazë: “Historia rrallë perpilon spjegime të plota dhe bindëse mbi vrasjet e Burrave të shtetit. Një njeri i vetem shumë rrallë kryen ndonjë vrasje.” Po në Raportin Worren, thohet se mbas 50 vjetësh, do të zbulohet e verteta e vrasjes…pra, në 2013.

Në një kohë rekord Ai ka lanë një dafinë lavdije per shpresat e popujve të shtypun.

Në Amerikën moderne, Xhon Kennedi asht Presidenti i parë që u nderue nga zezakët.

Në vitin 1961 erdhi në Europë dhe me 2 Qershor, në Pallatin Shaijo, në  Paris, mbas bisedimeve me Presidentin e Francës Sharl De Gol, deklaroi: “Mund të ketë turbullira prapa perdes së hekurt, për shkak të lidhjeve të dobëta që ekzistojnë, në një gjendje në të cilën Shqipëria është radhitur përkrah Kinës komuniste në grindjen ideologjike me Bashkimin Sovjetik. Kjo është arsyeja,” – tha Kennedi – “për të cilën ai mendon se rrota po rrotullohët në favor të Botës së Lirë, dhe jo të komunistëve.” (Gazeta “Zëri i Popullit” dt. 9 Qershor 1961, Nr. 139, (3982), fq. 4. Artikulli “Përgjigje zotit Kennedi”).

 

Mbas pak ditësh Presidenti Kennedi u takue me N.S.Hrushovin në Vienë.

Kur Nanë Tereza kerkoi me ardhë në Shqipni, me takue Nanen e vet dhe motren që aso kohe jetonin në Tiranë, terroristi Enver Hoxha, jo vetem, nuk pranoi kerkesen e Saj, por edhe me një mllef të turpëshem shprehi mendimin e vet në gazeten “Zëri i Rinisë” aso kohe… (E ndoshta, ajo deklaratë e tija pengon edhe sot Kuvendin Popullor, “mos me ia prekë tituj e dekorata”!!).

Nanë Tereza iu drejtue Presidentit Kennedi, i cili, iu pergjegjë: “Unë e detyroj qeverinë e Shqipnisë me Ju lejue me shkue mbrenda 24 orëve, por nuk e quej me vend shkumjen Tuej atje, mbasi drejtuesi i shtetit shqiptar jo vetem asht vetshpallë ateist, po asht edhe një terrorist vrasës i shumë klerikëve katolik të pafajshem. Shkuemja e Juej atje asht një nderim që i bahet atij…e ai, nuk mendoj se e meriton këte.”

 

Xhon F. Kennedi në Berlin.

         Me 13 Gusht 1961 Xhon Kennedi shkoi tek Muri i Berlinit dhe aty tha:

“Unë sot jam një Qytetar Berlinez!” dhe vazhdoi:

“Kush mendon se asht i mirë komunizmi të vijë e të shohin Berlinin!..”

Kjo flakë nuk fiket!

Kjo flakë nuk fiket as nder zemrat e mendjet e Atdhetarëve Shqiptarë!

Kjo flakë nuk fiket…Presidenti Kennedi e ka ndezë per mos me u shue kurrëma!

Kjo flakë nuk fiket se asht e ndezun me dashuninë e Tij per jeten, Njeriun, Lirinë!

Ajo flakë, perditë ndritë Boten me virtytet e Shpirtit të Tij human,…

Me “të Drejtat e Liritë e Njeriut”, për të cilat Kennedi, dha edhe jeten e vet.

Melbourne, 2013.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, John Kennedy, Kujtojme

Artikujt e fundit

  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DR. GJON BUÇAJ DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • HOMAZHET DHE LAMTUMIRA PËR DALIP GRECËN DO ZHVILLOHEN MË 19-20 MAJ 2022
  • LAMTUMIRË DALIP GRECA
  • SHUHET DALIP GRECA, IKONA E DIELLIT, VATRËS E MEDIAS SHQIPTARE NË AMERIKË, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • Një lutje për shëndetin e mikut tonë të çmuar Dalip Greca
  • SHUHET PATRIOTI I MADH DR. GJON BUÇAJ, VATRA MESAZH NGUSHËLLIMI
  • SUPREME COURT LEAK LEADS THE HEADLINES
  • GAZZETTA DI VENEZIA (1919) / SHKRESA E DJEMVE TË ISMAIL QEMALIT DREJTUAR MINISTRIT TË PUNËVE TË JASHTME TË ITALISË ME RASTIN E VDEKJES SË BABAIT TË TYRE
  • TURKEY’S COLLUSION WITH RUSSIA – NEW REPORT
  • Jo, po: ka Shqipni për Zotin
  • GJON KAMSI DHE RRËNJËT E FAMILJES SË TIJ MESJETARE
  • KAFSHËT LUFTËTARE SI DHE NJERËZIT
  • ALBANIAN LANGUAGE – ELECTIVE COURSE – AT HARVARD UNIVERSITY
  • MITINGU I MADH I 13 MAJIT 1910 NË BOSTON NË PËRKRAHJE TË KRYENGRITSËVE TË KOSOVËS DHE KRYEKOMANDANTIT ISA BOLETINI
  • Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA mirëpret të gjithë shqiptarët në festën e 110 vjetorit të krijimit të saj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Tregim Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT