• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KTHIMI I ILIR KERNIT NË SHQIPËRI SI DREJTOR I TOB

November 11, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ilir Kerni, primobalerin dhe baletmaestro i Teatrit të Baletit në Zagreb, braktis normalitetin e jetës të artistit të suksesshëm në një metropol të Europës dhe pranon të kthehet në Tiranën e metropolit dhe rrëmujës ballkanase si drejtor i ri i TOB me synimin për t’i kthyer dinjitetin e humbur këtij teatri e për ta bërë realitet ëndërrën e shndërrimit të tij në kult të Kulturës shqiptare dhe shtëpi të përbashkët për të gjithë artistët shqipfolës kudo që ata ndodhen.
Kam dëgjuar histori të pafundme të trishta për TOB këto vitet e fundit. Ajo më e njohura dhe më skandalozja është se nuk i ftonte yjet shqiptare nëpër botë të jepnin shfaqje, me gjithë mallin dhe dëshirën e artistëve për të dalë gratis në skenën shqiptare. Merrni me mend këngëtarë, këngëtare, instrumentistë e balerinë me famë botërore që nuk kanë marrë ftesa nga ky institucion. Të shpallur në heshtje „non grata“. Kam dëgjuar histori se si TOB i largonte artistët kur i trokisnin në derë; se si TOB ua refuzonte projektet e tyre artistike dhe në vend që të jepte mbështetje financiare për të zbukuruar jetën artistike dhe shpirtërore të qytetarëve bënte të kundërtën. Kuptoni?! Dmth kërkonte para prej tyre! Pra ishte një TOB si nata me ditën krahasuar me ëndërrën e Ilir Kernit.
E dëgjuam Ilir Kernin të intervistuar nga moderatorja e Top Channel Arbana Osmani tek Tête-à-tête në programin E Diell. I thjeshtë, modest, i kursyer në fjalë, pa shitmendje, pa megallomani, pa kryeneçësi, pa blablabla. Gjëja që më mbeti në mendje ishte kur tha „se na kanë mbetur disa sekonda për të shpëtuar këtë vend“. Përdori një metaforë shumë dramatike, që të rrënqeth mishin, për të treguar situatën reale. Ashtu është, shteti, demokracia dhe qytetari i këtij vendi ndodhen në zgrip – gati për t’u humnerisur.
Jemi shumë që mendojmë si Ilir Kerni. Se vendi dhe demokracia shqiptare po fundosen dhe kërkojnë ndihmë përmes SOS – Save Our Spirits. Ky ideal, për të ndihmuar vendin tonë duhet të na bashkojë të gjithëve.
Sot Shqipëria ka nevojë për shqiptarët më të mirë. Sot shteti shqiptar ka nevojë për sakrifica, për ideale, për unifikim, për konsensus, për dialog, për bipartizanizëm, për konstruktivitet, për ura, për respektim të ligjeve, për zbatim të rregullave, për meritokraci, për integritet, për njerëz fjalëpak e punëshumë, për njerëz dinjitozë që kanë ëndërra dhe që aspirojnë t’i realizojnë ato.
Kur Ilir Kerni u emërua drejtor i ri i TOB, askush nuk tha se ky emërim është politik. Sepse nuk ishte i tillë. Emërimet politike po e kthejnë Shqipërinë në Titanik.
Ilir Kerni e ka ndërtuar jetën e tij dhe të familjes me talentin dhe arritjet personale. Shteti i tij ishte në tranzicion. Nuk pyeste për artistët. Artistët ashtu si 3 milionë shqiptarë kishin marrë rrugat me fëmijët e plaçkat në krahë. Sikur të kishte pritur shtetin Ilir Kerni nuk do të ishte ky që është sot. Ai nuk u bë balerin i parë dhe baletmaestro në Teatrin e Zagrebit me abra kadabra. Atij iu desh që ta derdhte djersën lumë. E fitoi atë vend me meritokraci. Prandaj shqiptarët besojnë tek Ilir Kerni, se do t’ja dalë. Tek kjo lloj kategorie dëshirojnë shqiptarët të mbështeten, duke qenë të bindur se nuk do të nëpërkëmben, nuk do të zvarriten, nuk do të tallen nga një strukturë si ajo e mëparshmja që e kish transformuar TOB në një vend të ndarjeve politike, të antikulturës, si një shpellë të ftohtë, të ndyrë, kur në dimër të duhet të shkosh me batanije të ndjekësh shfaqjet.
Nuk ka shtet pa Teatër – tha Ilir Kerni. Ai shtet që nuk ka Teatër nuk është shtet. E njëjta vlen edhe për letërsinë, për pikturën, për poetët, për shkrimtarët. Ai vend që nuk ka poetë, shkrimtarë, piktorë, balerinë, aktorë nuk është vend. Ai vend është shkretëtirë.
Diçka e ngjashme ku ndodhej TOB, sikur të ishte qendër zëri e propagandës e sherreve partiake. Si të ishte pushtuar nga barbarët këta 23 vjet tranzicion, si të ishte plaçkë tregu e zhvleftësuar, të cilin sot Ilir Kerni synon që ta shndërrojë në një tempull paqeje për artistët, në një metropol të kulturës të kontinentit europian, në një kryeqendër të Artit Shqiptar, kudo ku flitet gjuha shqipe. Let‘ it be! le të bëhet! Ashtu të bëhet!

Filed Under: Kulture Tagged With: Elida Buçpapaj, Ilir Kerni

OPOZITA, ASNJE FJALE PER TRAGEDINE NE POGRADEC

November 8, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Duke u gdhirë 7 nëntor, mediat në Tiranë lajmëruan tragjedinë e rradhës në minierat e Shqipërisë. Kësaj here pranë Pogradecit dhe Librazhdit humbën jetën 7 vetë. Pesë djem të rinj nga 23-28 vjeç nga Familja Hamolli duke kërkuar skrap për të mbijetuar, ndërsa dy bij, prindër e bashkëshortë ikën prej kësaj bote nga kushtet mizerabël të punës.
Brenda ditës në Shqipëri u shuan njëherësh jetët e tre vëllezërve, të pesë kushërinjve – të shtatë shqiptarëve, kot së koti, pa patur shkak ndonjë sëmundje apo katastrofë, por sepse shteti nuk u siguroi asnjë kusht minimal për ta fituar bukën e gojës përmes punës me dinjitet. 
Merreni me mend, djem të rinj të mbushur me plot ëndërra, të cilëve shteti nuk u jep asnjë alternativë dhe u mbetet ose të emigrojnë, ose të kërkojnë skrap në miniera vrastare ose të bëhen trafikantë droge.
Në një vend normal, humbja e jetës e shtatë djemve e burrave do të mjaftonte që të uleshin flamujt në gjysmë shtize, sepse këta njerëz humbën jetën për faj të mungesës së shtetit. Ata nuk u vranë në Siri, as nëpër sheshet e Kajros, as në Irak apo Afganistan. Ata u vranë në Shqipëri, në një vend që rrezikon të degradojë plotësisht nëse nuk ulërijnë sirenat e alarmit për të ndërtuar shtetin ligjor, i cili ka si prioritet ndihmën për shtresën më në nevojë dhe vulnerabile, të atyre 400 mijë shqiptarë, të cilët sipas statistikave të INSTAT-it për 2013 mbijetuan me 59 $ në muaj! 
Ndërtoni një paralele midis kësaj shtrese që vdes për bukën e gojës apo që mban frymën gjallë me 59 $ dhe ktheni kokën për të parë klasën politike. Përpara 23 vitesh, ata e filluan me hiç, shihni sot pasuritë që kanë, ndërsa shtatë njerëz, djem të rinj, vdesin sepse nuk kanë bukë të ngopin barkun e uritur. Në një vend normal, kaq do të duhej që të ngriheshin më këmbë elitat, mediat, shoqëria civile për t’i shkundur politikanët, sepse fajtorë të kësaj gjendjeje të mjerë janë pikërisht ata. Ata që e patën pushtetin për këta 8 vitet e fundit, ata që e kanë patur pushtetin këta 23 vjet tranzicion.
Por asgjë. Askush nuk u shqetësua prej kësaj gjëme të rradhës. Nuk u ndryshuan axhendat, dita e tyre vijoi sikur në Shqipëri të mos kishte ndodhur asgjë. Opinionistët dhe anchormenët vazhduan sipas planifikimit, në orën e caktuar me politikanët e rradhës, të cilët i pyetën për gjithçka por jo rreth tragjedisë ku humbën jetën 7 njerëz, faji i të cilëve është vetëm sepse votojnë për një klasë politike të tillë mizerabël që nuk meriton assesi të drejtojë. 
Sot deri në mesditë bëra një hulumtim në rrjetin social të Facebook-ut për të parë se si është reflektuar tragjedia e 7 shqiptarëve. U fokusova në Facebook për të parë përgjegjshmërinë e opozitës shqiptare, sepse këtu është vendi ideal ku ata shprehin hipokrizinë e rradhës. Aq më tepër, edhe për faktin se e kanë drejtuar vendin prej shtatorit 2005 deri në shtator 2013. 
Së pari, shkova tek ish-kryeministri i Shqipërisë. Aty gjeta asnjë rradhë për shtatë viktimat që humbën jetën në minierat në rrethinat e Pogradecit dhe Librazhdit. Gjeta vetëm heshtje. Më datën 7 Nëntor kur ndodhi tragjedia, në faqen e tij, Sali Berisha ka vetëm një përshëndetje për vendimin e Gjykatës Administrative për pallatin e Vlorës, të ashtuquajtur „pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës“ . Ky ishte mesazhi që u dha më 7 nëntor mbi 700 mijë friendsave të tij ish-lideri i PD-së.
Në profilin e ish-kryetares të Kuvendit të Shqipërisë, zonjës Jozefina Çoba Topalli – asnjë rresht për shtatë viktimat, të shuar prej kushteve të mjerueshme të jetës, pa mundësi punësimi dhe pa mundësi për ta përballuar jetën në mënyrë të denjë, pa asnjë mbështetje sociale për të bërë një jetë që do t’i mbante larg tmerrit ku gjenden sot minierat shqiptare, që i përpijnë jetët e shqiptarëve si kuçedrat e legjendave. Asnjë ngushëllim nuk ka shkruar Jozefina Topalli për viktimat e minierës, që humbën jetën sepse shteti nuk u krijoi asnjë kusht jete. Në faqen e saj të Facebook-ut ka vendosur„fjalimin“ që mbajti dje në Kuvend, ku i bën jehonë „kryeministrit të 20 mijë lekëshit“ – ashtu si ka vepruar edhe më 5 dhe 6 nëntor, kur do të duhej t’i bënte jehonë vdekjes tragjike të atyre djemve që u shuan si qirinj sepse s’ka shtet, ndërsa ka shtetarë që jetojnë në një lluks të shfrenuar.
Shkova tek faqja zyrtare e kryetarit të grupit parlamentar të PD, Edi Palokës me background gazetar. Edhe tek ai asnjë fjalë, asnjë dhimbje, asnjë ndjesë, asnjë pikë e presje për shtatë viktimat – djem të rinj që e humbën jetën pa e nisur – sepse qeveritë i vjedhin votat e popullit për t’u vetëpasuruar. Më 7 nëntor në faqen e tij zyrtare, Edi Paloka kopjon statusin që ka vendosur Sali Berisha në lidhje me vendimin e gjykatës administrative për pallatin buzë detit në Vlorë, duke shprehur kënaqësinë. Por për shprehur dhimbje nuk ka vend.
Edhe shqetësimi i deputetit të PD Sokol Olldashit lidhet me 20 mijë lekëshin, por nuk analizon faktin se përse shiten shqiptarët për një shumë kaq të mjerë, ndërsa për shtatë viktimat e minierave reagimi është vetëm indiferencë. I njëjti reagim edhe nga Majlinda Bregu, Kryetare e Komisionit te Integrimit, e cila në faqen e saj zyrtare në Facebook vazhdon e shpreh shqetësimin për kryeministrin e 20 mijë lekëshit. Ashtu si veprojnë Eduard Halimi, Gent Strazimiri etj. Ose u dhemb shpirti për 20 mijë lekëshin, ose shprehin lumturinë për vendimin e gjykatës administrative për pallatin në Vlorë, por për shtatë viktimat nuk e shprehin as mëshirën më të vogël.
Vetëm kryetari i PD-së Lulzim Basha dhe deputeja Albana Vokshi, e cila është ndërkohë Kryetare e Komisionit te Shendetesise, Punës dhe Çeshtjeve Sociale në Parlamentin e Shqipërisë, kanë gjetur hapësirë në faqet e tyre zyrtare në Facebook për të përfshirë tragjedinë dhe ndjenjën e mëshirës. Tragjedia e ditës të djeshme do të duhej ta kishte bërë zonjën Vokshi të ndryshonte axhendën e punës në Komisionin që ajo drejton, për ta kthyer në një prioritet emergjent mbështetjen që duhet t’u jepen familjeve shqiptare që të mos vdesin për bukën e gojës. Por jo, Albana Vokshi i devijoi edhe axhendës të ditës, por ndërkohë është nga të vetmet deputete të PD-së që ka shprehur ngushëllim për viktimat: „Sot, dy ngjarje tragjike dhe tronditese, njera ne minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe tjetra ne minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Bilanci: 7 viktima. Dua te shpreh ngushellimet e mija per familjaret e te afermit. Zoti i prehte ne paqe!“, shprehet në Facebook Albana Vokshi.
Të njëjtën gjë bën në faqen e tij zyrtare në Facebook edhe kryetari i PD-së. Ja ngushëllimi integral i Lulzim Bashës: „Dua të ndaj sot dhimbjen me familjarët, të afërmit dhe miqtë e 7 personave që humbën jetën në minierën e Beragozhdit në Pogradec dhe minierën e kromit në fshatin Gurrë të Librazhdit. Ende pa u nxjerrë trupat e 5 të rinjve nga miniera e Beragozhdit, u tronditëm nga lajmi i humbjes së jetës së dy personave në minierën e fshatit Gurrë. Dhimbja është e madhe dhe fjalët të pamjaftueshme, për të ngushëlluar familjet e Edisonit, Ledjonit, Nertilit, Sazanit dhe Arjan Hamollit si dhe të inxhinier Drini Bogdanit dhe minatorit Haki Danga. Bilanci tragjik i shënuar sot në komunën Dardhas të Pogradecit dhe Komunën Qukës të Librazhdit është një tronditje e madhe për mua dhe jam i bindur për çdo shqiptarë. Ngushëllime familjeve dhe Zoti ua lehtësoftë dhimbjen.“ 
Por lideri i opozitës nuk analizon shkaqet e humbjes të shtatë jetëve. Nuk guxon. Nuk guxon të thotë se „faji është joni“! Në një vend ku jeta e njeriut – nga dhuratë e Zotit – kthehet në gjënë më të pavlerë të kësaj bote. Në Shqipëri jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk ka asnjë vlerë. Ashtu si konstaton me të drejtë Frank Shkreli publicisti i shquar shqiptaro-amerikan, ish shefi i Zërit të Amerikës dhe drejtor i Divizionit të Euro-Azisë përmes pyetjes retorike „ A ka vlerë jeta e njeriut në Shqipëri!“ Jo nuk ka asnjë vlerë. Shihini këta shtatë viktima, që e humbën jetën për bukën e gojës ose sepse kushtet e punës sjellin vdekjen. Vetëm në Shqipëri, në një vend në zemër të Europës, që Zoti i ka dhënë të gjitha mrekullitë natyrore për të qënë vendi më i begatë për të punuar e jetuar,  jeta e shqiptarëve të thjeshtë nuk kushton asnjë cent.
E pra, nuk mund të vazhdohet kështu, ka ardhur koha të zgjohemi, të kuptojmë realitetin dhe ta ndryshojmë. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ne si qytetarë europianë meritojmë një jetë të denjë, që ta fitojmë me dinjitet. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s jo për t’i siguruar kushte lluksi klasë politike, por për t’i siguruar kushte normale jetese qytetarëve të këtij vendi, duke nisur prej atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë dhe mbëshetje. Por shikoni se çfarë politikanësh kemi, me çfarë zemër të pamëshirëshme, kur nuk gjejnë forcë as të derdhin lot krokodili dhe as të shkruajnë dy rradhë ngushëllim për ato familje që sot janë në tragjedi. Sepse shteti që kanë krijuar ata vetë ka dështuar. Parlamenti i Shqipërisë duhet ta kthejë në prioritet të prioriteteve mbijetesën e shqiptarëve, të krijimit të kushteve për të ekzistuar si qytetarë të denjë. Parlamenti i Shqipërisë duhet të marrë në mbrojtje jetën e shqiptarëve, të cilët po fiken, kur në Shqipëri faleminderit Zotit nuk ka luftë, nuk ka kriza, nuk ka katastrofa natyrore! Por mjerisht nuk ka as shtet!

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, ne Pogradec, Opozita, per tragjedine

A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!

November 6, 2013 by dgreca

Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë./

Opinion nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Është normale që në një parti të tipit Perëndimor, lideri i saj historik të projektojë pasardhësin, fati i të cilit pastaj vendoset sipas parimeve e normave demokratike deri tek verdikti i votës. Si mund të ishte rasti i Lulzim Bashës, të cilit Sali Berisha pas një çerek shekulli timonier, t’i lëshonte vendin. Pas një mijë gabimesh, do të ishte veprimi i parë i tij i drejtë. Por Sali Berisha nuk ka ndër mend të ndryshojë kurs dhe po e përdor Lulzim Bashën si trampolin për t’u rikthyer dhe rimarrë frenat e partisë. Sali Berisha e ka shumë lehtë ta bëjë lolo PD-në, kur të gjithë deputetët ia dinë atij për nder karriken. Dhe për Sali Berishën është shansi i fundit.
Për t’u rithyer në krye të PD-së, Sali Berishës i duhet ta djegë njeriun të cilin, pas disfatës personale të 23 qershorit, e « zgjodhi » si pasues të tij. E vendosa në thojza fjalën « zgjodhi »- sepse në psikën e tij Berisha nuk pranon të ketë një lider më të mirë se vetja. Egocentrizmi, arrivizimi dhe komplekset e së shkuarës nuk kanë lejuar që në PD të ketë vend për njerëz të suksesshëm dhe me integritet, të cilëve Sali Berisha ua ka drojën. Mos hapja e Dosjeve, popullimi i PD-së me ish-Sigurimsa dhe sistemi zgjedhor që i jep liderit të partisë monopolin për të zgjedhur deputetët, është në funksion për të monopolizuar lidershipin e PD-së, të përqëndrimit të pushtetit në duar të njëshit, dmth të Sali Berishës.
Disfata e 23 qershorit me dorëheqjen e Berishës, në vend që të ishte arsye për të reflektuar e për të nxjerrë në pah shkaqet e humbjes, me qëllim gjallërimin e demokracisë inekzistente brenda PD-së, ishte në fakt një fiksion për të larguar vëmendjen e opinionit publik nga analiza dhe shkaktarët e saj. Sepse po të pranoheshin de jure humbësit dhe shkaktarët e humbjes, largimi i Sali Berishës do të ishte definitiv. Andaj katapultimi i Lulzim Bashës ishte zgjedhje më e mirë që bëri Berisha, por vetëm si një procedurë e përkohëshme e lidershipit historik. Sepse mentaliteti autoritarist i Sali Berishës nuk pranon as rivalë, as konkurencë fair dhe as të lëshojë pushtetin.
Për të realizuar skenarin e rikthimit, Sali Berishës i duhet që figura e Lulzim Bashës të konsumohet shterrshëm në atë farë grade sa të shkaktojë pakënaqësi si në bazë, në instancat e larta të partisë, mundësisht deri tek ndërkombëtarët. Për koincidencë, sot gazetat e Tiranës, botonin inkskenime protestash të PD në rrethe që e kërkojnë prapë liderin historik edhe de jure në krye.
Lulzim Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992, si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë.
Lulzim Basha i takon gjeneratës së re, nuk ka qenë anëtar i PPSH, nuk ka qenë ish-Sigurims, është i arsimuar në Perëndim, me një profil të suksesshëm, i përfshirë në të gjitha projektet më të rëndësishme gjatë dy mandateve qeverisëse të PD-së. Ai ishte ministër Transporti në projektin e Rrugës të Kombit; ishte ministër i Jashtëm gjatë vizitës të Presidentit Bush në Shqipëri dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO; ishte Ministër i Brendshëm gjatë reformave që kërkonte liberalizimi i vizave dhe kandidati i vetëm i PD-së që mundi Edi Ramën për kreun e Bashkisë të Tiranës. Ai është karizmatik, elokuent dhe është i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar. Pra Sali Berisha kur e katapultoi, e kishte të qartë se me Lulzim Bashën efekti mediatik do të ishte i plotë, pasi do të thoshin se, të paktën pas disfatës, ai veproi si do të duhej.
Veprimi aktoresk i Berishës për t’ia dorëzuar çelësat e PD Lulzim Bashës është vetëm një manipulim. Sepse Sali Berisha synon rikthimin edhe de jure, dhe sa më të shpejtë. Ai ka dy muaj që e ka provuar shijen e të qenit pa pushtet, pa puthadorë, pa kamera 24 orë nonstop për të shqiptuar retorikën e tij pa proteina dhe pa jetë. Ai e ka shijuar hidhësinë se sa i parëndësishëm është në një shoqëri klienteliste pa norma dhe pa moral, të cilën e ka krijuar vetë.
Por që të ketë rikthim, si kusht sine qua non, atij i duhet që të djegë Lulzim Bashën. Qëllimi i tij bie në rezonancë të plotë me klanet brenda PD-së. Klanet në PD e urrejnë Lulzim Bashën, sepse tek ai shohin konkurentin real, çka përbën rrezik për kolltukët dhe pushtetin e tyre. Aq më tepër, kur Lulzim Basha, që i njeh shumë mirë se sa të pavlerë janë, do ta kishte si objektiv të tij vendosjen e partisë në shina demokratike.
Aktualisht Lulzim Basha gjendet në një pozitë shumë të vështirë. Në njërën anë atij i duhet të vendosë standarte demokratike në një parti që nuk e njeh demokracinë brënda vetes së saj. Pastaj i duhet të mbrojë veten nga Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilët janë bërë të gjithë bashkë me objektivin për ta djegur Lulzim Bashën.
Djegien e liderit të ri ata po e bëjnë për çdo ditë, si mjeshtra diabolikë, duke mediatizuar njollosjen e integritetin e tij. Po të hapni gazetat dhe televizionet për çdo ditë dëgjoni për „aferën e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë“. – Pra kësisoj Lulzim Basha paraqitet si njeri me lidhje nepotike, që e ka përdorur pushtetin për të përfituar privilegje e pasuri. Nga ana tjetër, në publik, shohim një Lulzim Bashë që ka dalë totalisht nga lëkura dhe nga fjalori i tij. Vokabolari që përdor Lulzim Basha sapo ka marrë në dorë partinë, nuk është i një lideri të qendrës të djathtë, por i një ekstremisti, aventurieri dhe anarkisti, i cili përbën rrezik për sigurinë jo vetëm të vendit, por edhe të rajonit. Sepse, sa herë del përpara kamerave, Lulzim Basha kërcënon me kobure, protesta dhe rebelim kundër një qeverise e cila nuk i ka mbushur dy muaj.
Edhe në daljen më të fundit, me rastin e humbjes të PD-së në Korçë, në vend që të përdoret për reflektuar, duke i denoncuar natyrisht shkeljet, Lulzim Basha akuzon mafien për blerje votash. Po lind pyetja, kjo mafie për të cilën ai flet nuk lindi për 60 ditë, ajo do të duhet të jetë fuqizuar pikërisht gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së. Pastaj pretendimi që ka PD është vetëm për efekte propagande, sepse unë jam dëshmitare se, sa herë në Shqipëri ka patur zgjedhje, kemi marrë ftesa për të udhëtuar gratis me avion, si simpatizantë të PD! Këta të PS kanë financuar udhëtimin e me autobuz të studentëve, ndërsa këta të PD-së udhëtimin me avion?! Bëjini llogaritë!
Në këto pozita ndodhet Lulzim Basha. Shumë të vështira. Po të kemi parasysh të gjitha vështirësitë ku ndodhet sistemi dhe shteti ligjor, të cilit do t’i duhej një opozitë dhe një lider opozite me nivel europinist. Lulzim Basha mund të jetë i tillë. Lulzim Basha mund ta bëjë, por nuk e lejon vetë Sali Berisha dhe klanet brenda PD-së, të cilat duan ta djegin, sepse kësisoj do të vegjetojnë brenda degradimit, pa analiza, pa shkaktarë të disfatës, pa shpresa për rimëkëmbje dhe për ringjallje deri në degjenerimin e PD në një parti me katër-pesë deputetë. Nëse nuk do të ketë shkundje dhe pastrim, mos u çudisni, kjo ditë do të vijë…

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, Klanet, Lulzim Basha, Sali berisha

KADELIZMI NË PD, PARLAMENT DHE SHOQËRI

November 1, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Ne Foto: Gjovalin Kadeli me ish Kryeministrin dhe Kryetarin e PD, dr. Sali Berisha/

Merkatoja në Parlamentin e Shqipërisë e bëri deputetin e PD Gjovalin Kadeli të shitej rishtas. Është e treta shitje rradhazi. Brenda disa muajsh, ai kaloi nga deputet i PS, tek PD dhe tani tek LSI. Për këto lëvizje kaq energjike sa majtas djathtas e prapë majtas, Kadeli përbën prototipin e trafikut të deputetëve – ose ndryshe fenomenin e kadelizmit, i cili ka depërtuar në çdo qelizë të jetës shqiptare, duke filluar nga PD, Parlamenti dhe shoqëria, që është shit-blerja pa asnjë moral, vetëm me qëllim përfitimi personal.
E nisim nga PD – e cila u dënua nga verdikti i sovranit më 23 qershor sepse e aplikoi pa asnjë limit fenomenin e kadelizmit. Kopje si Kadeli, PD ka të paktën disa deputetë, që përfaqësojnë kahe të ndryshme politike, por e kanë fituar karriken e deputetit me votuesin e PD. Kastriot Islami është një tjetër syresh. Nard Ndoka po ashtu. Koncentruar tek numri dhe aspak tek vlerat, nga PD e 22 marsit 1992 nuk ka mbetur më asnjë shenjë. Tani ka filluar të përjetojë të tatëpjetën, konsekuencat dhe pasojat e makiavelizmit vulgar, se për hir të pushtetit nuk ka asnjë ligj dhe parim që e ndalon. PD jo vetëm që nuk blen më dot deputetë, por as nuk është në gjendje që t’i mbajë as ata që ka blerë dhe as të vetët, sepse merkatoja ka rënë fare, deri aty sa PD nuk e preferon më as skota Kadeli. Degradim, deklin, disfatë quaje si të duash. Pa ideale dhe me fuqi blerëse zero, sepse PD tani s’ka më kolltukë, s’ka më tendera, s’ka më as kredibilitet, s’ka më miq, s’ka më asgjë. Edhe nga këta 40 deputetë që ka de jure, shumica janë pa asnjë lloj kontributi, veç të katapultuar nga ish-lideri historik, të cilit klanet brenda PD-së ia llogarisin edhe blerjen e Kadelit. Edhe Kadeli vetë ashtu thotë për gazetat. „Kisha kontratë me Berishën“! Gallatë e madhe! 
Kadeli nga një ish-deputet mediokër, tashmë është kthyer në një figurë interesante për kryetitujt dhe faqet e para të gazetave e lajmeve të televizioneve të Tiranës. Në fakt, ky është modeli bruto i deputetit të parlamentit të Shqipërisë. Që gdhihet majtas e ngryset djathtas, e pastaj mesnata e gjen në një tjetër parti. Kadeli po përrallis se largimi i tij nga PD tek LSI është kthim në origjinë. Tani problem është origjina e PD-së. Një gjë është e sigurt, se PD e sotme nuk ka lidhje me PD e para 23 viteve, kur populli i besonte dhe kur rreth saj afroheshin figura dhe njerëz me vlera, si Pjetër Arbnori me shokë. PD e sodit e ka kredibilitetin e Kadelit. 
Ndërkohë largimi i Kadelit, i ka kthyer në shurdh-memecë, ata që u tradhtuan më së fundmi prej tij. Heshti edhe ai që e bëri për vete Kadelin përpara disa muajsh. Vetëm kreu i grupit parlamentar të PD-së tha se „Kadeli iku për interesa vetjake, por nuk e dëmton PDnë“! Nuk ka deklaratë më qesharake se kjo. Ndërsa të tjerët në PD menduan se mbrojtja më e mirë për t’ia bërë vetes së tyre nga Afera Kadeli është rritja e agresivitetit të deklaratave kundër maxhorancës. Berishës i takonte të parit që të bënte një koment. Sepse ai i ka shumë qejf komentet. Kujtoni se me çfarë triumfalizmi folklorik ish-kryeministri do të shpallte deri në Facebook fitoren e votës së blerë të Kadelit. Ja çfarë prodhoi largpamësia e liderit historik. Shiheni vetë se si Kadeli fluturoi nga ish-blerësi tek blerësi i ri dhe kadelizmi është kthyer në sindromën malinje të politikës dhe shoqërisë shqiptare.
Në muajin prill 2013 Sali Berisha ishte në ekstazë nga blerja e Kadelit, ndërsa tani në fundtetori 2013 hesht. Në fillim prilli Berisha ishte në apoteozë të retorikës, ndërsa tani rastin Kadeli e kalon në retiçensë të plotë. Po ku i shkoi ironia Berishës? Ku i vajtën kalamburet? Sepse largimi i Kadelit meriton një koment prej oratorisë së tij gjëmuese. Koment pritej edhe prej Jozefina Topallit, e cila na pozon rezëllitëse në Facebook nga një zyrë luksoze që posa ia ka dhuruar Ilir Meta. Me meritokraci padyshim! Se e çoi Shkodrën në humbje! Por opinioni publik dëshiron që t‘ia dëgjojë zërin se si zonja Topalli do ta komentojë trafikimin më të freskët të Kadelit, i cili sot është deputet i LSI, me votat e PD-së. E pra, flisni, ku shkoi elokuenca e lidërshipit të PD-së, ku mbetën shpotitë, talljet, rromuzet. Kllouniadat ku mbetën. Apo prapë në sulm për t’u mbrojtur, duke e përçunduar moton e njohur të gjeneralit dhe strategut ushtarak prusian Carl von Clausewitz sipas të cilit “Sulmi është Mbrojtja më e mirë” – “Der Angriff ist die beste Verteidigung.” Carl von Clausawitz ishte shefi i shtabit në luftrat Franko-Prusiane kundër Napoleonit deri në betejën përfundimtare të Waterlosë. Teoria e tij e luftës mbështetej në një moral të pastër, por ajo u shfrytëzua si nga marksistë leninistët deri tek akademitë ushtarake sovjetike. Në kuptimin e von Clausewitz, mbrojtja më e mirë bëhet përmes sulmit, por jo si metodologji ortodokse për t’i dezertuar së vërtetës. Ashtu si vepron sot opozita. Së cilës nuk i skuqet më faqja për asgjë.

Këto ditë Presidenti Obama paraqiti shefin e ri të FBI-së. Në mbi 100 vite histori, Jim Comey është shefi i shtatë i Byrosë Federale Investigative. Në takimin prezantues Obama tha se: “Besnikëria, Trimëria dhe Integriteti që është Motoja e këtij institucioni kaq të rëndësishëm për sigurinë e vendit, ndërkohë që Jim Comey, lideri i ri i saj i jeton në çdo moment të ditës principet e përmendura në moton më lart”.
E pra, në fjalorin e politikës shqiptare nuk ekzistojnë më fjalët, “kompetencë”, “aftësi”, “meritokraci”,”talent”, “besnikëri”, “ndershmëri”, “integritet”. Këto fjalë politika i ka hequr edhe nga falori i gjuhës shqipe, duke ushtruar ndikimin fuqishëm që këto fjalë t’i harrojë se ekzistojnë edhe vetë shqoëria shqiptare e cila po ashtu është infektuar nga kadelizmi. Por kësisoj nuk mund të vazhdohet më. Kadelizmi duhet të izolohet në karantinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, kadelizimi i Parlamentit, PD

KUR DO TE NDODHE QE ZERI I ARSYES TE BEHET EDHE ZERI I QEVERISE?

October 24, 2013 by dgreca

PROF. DR. ROMEO GURAKUQI: SHKARKIMI I ZJ.NIKA VEPRIM I PAJUSTIFIKUAR PËRKUNDREJT FRYMËS SË SHTETIT, LIGJIT, RENDIT E PËRGJEGJSHMËRISË QEVERITARE, RESPEKTIT NDAJ INTELEKTUALIT/

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

Në fushatën e shkarkimeve ndërmarrë nga qeveria e re, që opozita e ka denoncuar si fushatë hakmarrjeje, është edhe ajo e zonjës Nevila Nika, drejtore e Arkivit të Shtetit e cila u zëvendësua me Gjet Ndoj, kryetar i partisë “Aleanca Arbnore Kombëtare”, ish koordinator i aleatëve me ish-kreun e opozitës dhe kryeministrin aktual, Edi Rama, para zgjedhjeve të 23 Qershorit.
Pra që me vështrimin e parë duket se zëvendësimi është bërë politik.
Duke shkuar në websitin e Komisionit Qendror Zgjedhor – partia AAK që drejton Gjet Ndoj, ishte e 18 në listën e Aleancës për Shqipërinë Europiane, e cila ka arritur të mbledhë vetëm 3575 vota ose 0.21%, një rezultat shumë minimal për t‘u shpërblyer me një post të rëndësisë të tillë.
Në lidhje me këtë shkarkim morëm mendimin e Prof.Dr.Romeo Gurakuqi një figurë e shkëlqyer me background akademik, shumë aktiv në lidhje me debatin e shtetformimit dhe shtetit të së drejtës, që në Shqipëri lë kaq shumë për të dëshiruar dhe është larg standardeve të një shteti Perëndimor. Sepse në Shqipërinë e këtyre 23 viteve tranzicion, sa herë ka rotacion politik, ka edhe rotacion të administratës publike. Ja cilat janë disa nga pyetjet që i drejtuam Prof.Dr. Romeo Gurakuqi: „Do t‘ju lutesha në lidhje me shkarkimin e drejtoreshës të Arkivit të Shtetit –zonjës Nevila Nika mendoni se largimi i saj është në funksionin të justicionalizmit partiak? Mendoni se emërimi i saj në krye të këtij institucioni ishte apolitik? Duke nisur nga fakti se gjatë diktaturës në krye të këtij institucioni emëroheshin njerëz të besuar të sistemit, dhe nisur nga fakti i drejtuesave që ka patur gjatë tranzicionit ky institucion, a mendoni se ka një vijimësi, pa marrë parasysh ndryshimin e sistemit? Gjet Ndoj, emërimi i ri që ka bërë PS, që ngjan një veprim i pastër politik a nuk bie ndesh me premtimet e z.Rama për rilindje?”Më poshtë po ju përcjellim prononcimin e Prof.Dr. Gurakuqit: „Di te them vetem se Nevila Nika ka qene nder njerezit me te pergjegjshem dhe me te ndergjegjshem te administrates shqiptare. Nje sherbyese dinjitoze e shtetit dhe njerezve te thjeshte; nje profesioniste e shkalles me te larte, nje partnere serioze e institucioneve anologe, qe ka garantuar staturen e institucionit te rendesise se veçante te Arkivave te Shtetit Shqiptar.
Ajo eshte profesioniste qe eshte rritur ne ate institucion, qe per here te pare garantoi hapjen e tij per publikun e gjere dhe veçanerisht per studiuesit. Ne rrethanat e veshtira ne te cilat gjendet institucioni persa i perkete financimeve shteterore, ajo beri çfare ishte e mundur qe ky institucion te modernizohej dhe te krijohej mundesia e perdorimi te teknikave bashkekohore te vjeljes se rekordeve nga ana e studiuesve.
Aftesite e saj komunikative jane te spikatshme te nje shkalle shume te larte, gje per te cilen vuan e gjithe administrata e shtetit shqiptar. Kesisoj, largimi i saj nga kjo detyre e larte eshte nje veprim i papershtatshem, i pajustifikuar dhe perkundrejt frymes se Shtetit, Ligjit, Rendit dhe pergjegjshmerise qeveritare.
Une e kam te qarte se gjeneratat e administrates do vijne nje dite qe te nderrohen, por per disa punonjes te tille te spikatur, Shteti ka nevoje gjithmone, Publiku ka nevoje gjithmone mbasi ato jane veshtiresisht te zevendesueshem.
Mbi te gjitha menyra se si eshte kryer ky zevendesim, dhe menyra se si eshte zevendesuar statura e saj publike e arritur me shume pune sistematike dhe shkencore dhe komunikim, eshte nje fyerje e rende jo vetem per personin e saj te respektuar, por per te gjithe intelektualet shqiptare, punonjesit kerkimore, publikun e gjere, qe kane gjetur tek ajo nje sherbenjese te pangjashme ndaj kerkesave te natyrave te ndryshme dhe kane pare nje kujdestare perfekte te pasurise dokumentare te Shtetit Shqiptar.
Ne kohen kur prisja qe ekipi i ashtuquajtur rilindas te ekspozohej ne publik me nje plan te detajuar per investimin ne shkalle te gjere ne Institucionin e Arkivave, per zgjerimin e bazes infrastrukturore, te ndertesave dhe sigurise se tyre, per ngritjen nje kompleksi dinjitoz te Nationa Archives, ne rritjen e shkalles se sigurise, modernizimin dhe digitalizimin e sistemit, rritjen e shkalles se cilesise se sherbimit, hapjen edhe me te madhe ndaj interesave studimore, sjelljen nen strehen e ketij institucioni te fondeve te arkivave te huaja, per te cilat vuan shkenca shqiptare, publiku dhe dokumentacioni pronesor i shtetit, ndodh nje sjellje e pangjashme per prestigjin e seriozitetin e nje qeverije te europianizuar, te hapur dhe pa paragykime politike, sic eshte pretenduar.
Shkarkimi ne kete menyre i Nevila Nikes, eshte nje fyerje per forcat intelektuale, punonjesit e atij institucioni, historianet dhe profesoret universitare. Nje levizje e tille nuk mund te kryhej pa nje shpjegim edhe ndaj nesh nga Kryeministri aktual, pa nje shpjegim ndaj Publikut, nqs pretendohet se sjellja kryeministrore tashme eshte e ndryshme; e hapur, transparente, ne kahun e te mires publike dhe ne konsulence me forcat intelektuale.
Une e kuptoj se Shqiperia eshte ende nje vend anormal dhe brenda ketij anormalitetit eshte edhe menyra bizantine e ketij ndryshimi, mungesa e kurajos per t’i dale ne balle njerezve me shpjegim mushamendes dhe deri edhe paaftesia per te korigjuar nje gabim, apo mungesa e kurajos per te kerkuar PARDON.
Nuk jemi mesuar deri me sot qe nje Prime Minister Office te tregohet e vemendshme ndaj kritikes publike. Por nqs mendohet qe te fillohet nje stil i ri komunikimi dhe degjimi ndaj Publikut, eshte momenti per te treguar se, kur eshte e nevojshme qe gabimet te korigjohen, kjo mund te ndodhe dhe zeri i arsyes te behet ze i qeverise. »
Këtu përfundon prononcimin e tij Prof.Dr. Romeo Gurakuqi në lidhje me shkarkimin e zonjës Nevila Nika nga vendi i drejtores të Arkivit të shtetit.”

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, Prof. Romeo Gurakuqi, shkarkimi i Nevila Nikes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 45
  • 46
  • 47
  • 48
  • 49
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT