• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JOE DIOGUARDI, 80 VJETORI I LINDJES…

September 24, 2020 by dgreca

Skënderbeu i sodit Joe DioGuardi mbushi tetëdhjetë, ndërsa Komuniteti shqiptar në SHBA, për turp, fjetë !-

 Nga Elida Buçpapaj –

Më 20 shtator 2020 ish Kongresmeni Joe DioGuardi festoi 80 vjetorin e lindjes.

Ndërsa komuniteti shqiptaro-amerikan heshti. Heshtën kudo, Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut!

Heshtën për të treguar se sa poshtë kanë rënë.

Prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, por sidomos prej 2008, Komuniteti Shqiptaro-Amerikan  është tjetërsuar, ka dalë nga roli, ka humbur identitetin, ka humbur vitalitetin, nuk ka emra, nuk ka përfaqësues, ka pseudopërfaqësues dhe e ulëta është se ata që pretendojnë se janë kokat kanë mbajtur komunitetin larg nga ish-Kongresmeni Joe DioGuardi!

Për të keqen e kujt? Gjejeni vetë!

Normalisht Komuniteti Shqiptaro-Amerikan mund të organizonte të paktën një Simpozium shkencor me rastin e ditëlindjes së Joe DioGuardit, Skënderbeut të sotshëm të shqiptarëve, të shqiptarëve që tashmë nuk dinë se kush janë dhe janë kthyer në marioneta të Hashim Thaçit, kandidat për Hagë si dhe Edi Ramës, që ka uzurpuar të gjitha pushtetet duke e kthyer Shqipërinë në diktaturë.

Joe DioGuardi prej 1984 si anëtar i Kongresit Amerikan dhe prej 1989 si President i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bëri të pamundurën, për ta kthyer çështjen shqiptare nga më të panjohurën në metropolin kryesor të politikës, që mbizotërohej nga ndikimi serb, në gjithmonë të pranishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan.

Në këto 30 vjet nuk ka asnjë shqiptar që të ketë ndikuar në ndryshimin e rrjedhave të historisë për faktorizimin e shqiptarëve si Kongresmeni Joe DioGuardi.

Nuk ka asnjë shqiptar që t’i jetë përkushtuar çështjes shqiptare, që të ketë luftuar për liritë e të drejtat e njeriut dhe lirinë e shqiptarëve, që të ketë denoncuar krimet serbe të kohës të Milosheviçit, segregacionin antishqiptar në Maqedoni, që të jetë angazhuar për të drejtat legjitime të shqiptarëve në Malin e Zi; nuk ka burrë shteti shqiptar si Joe DioGuardi që t’i ketë ndjekur shqiptarët hap pas hapi, nga koha e pushtimit dhe respresionit, konflikteve deri tek sendërtimi i demokracisë dhe lirive me standart Perëndimor!

Askush nuk mund të kishte atë fuqi si Joe DioGuardi për t’i bërë bashkë shqiptarët e prezantuar në Washington D.C; askush nuk mund të kishte shpirtin arbëresh si ish-Kongresmeni Joe DioGuardi  për të sensibilizuar Washongtin DC se çfarë po ndodh në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zit; askush dhe asnjë veç Joe DioGuardi ka patur si mbështetje emrat më të shkëlqyer të Administratave Amerikane prej Presidentit George W.H.Bush e me rradhë; vetëm Joe DioGuardi ka patur atë ndikim tek përfaqësuesit më të lartë të popullit Amerikan që ta donin Kosovën dhe shqiptarët sikur i do Joe DioGuardi.

Nuk ka shqiptar në mbi njëqind vjet histori të Komunitetit Shqiptaro-Amerikan në SHBA që të ketë bashkëpunuar me ligjvënës të SHBA për çështje themelore të shqiptarëve sikur Joe DioGuardi që ka bashkëpunuar me kongresmenët Tom Lantos, Ben Gilman, Henry Hyde, Dana Rohrabacher, Ileana Ros-Lehtinen, senatorët Charles Schumer, John McCain , Joe Biden, Bob Dole, Claiborne Pell me gjeneralin Wesley Clark në periudhat më kritike që kalonte kombi, në kriza dhe konflikte në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, Luginën e Preshevës etj.

Ish-kongresmeni Joe DioGuardi hyri në kontakt menjëherë me gjithë elitën në Kosovë, Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Luginën e Preshevës që e paraqiti në administratën Amerikane.

Joe DiGuardi bashkëpunoi ngushtë me Ibrahim Rugovën, Sali Berishën, Arbër Xhaferin, Zekeria Canën, Zenun Celajn, Bajram Kelmendin, Imzot Mark Sopin, Rexhep Qosjen, Adem Demaçin, Ramush Haradinajn, Fadil Sulejmanin, Iliaz Halmin, Gjerg Gjokajn, Riza Halimin etj etj.etj.

Askush si Joe DioGuardi nuk ka arritur të mbledhë përpara Shtëpisë të Bardhë e OKB deri në mbi dhjetë mijë veta nga komuniteti shqiptar në praninë e Kongresmenëve dhe Senatorëve Amerikanë ku kërkoheshin të drejtat e Kosovës.

Duhen ekipe historianësh të tregojnë 35 vjet histori me protagonist Joe DioGuardi.

Joe DioGuardi bashkë me bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardi, eksperte e Ballkanit  nuk ndalen dhe ndjekin hap pas hapi fatin e shqiptarëve në rajon, duke u bërë Avokatët Mbrojtës të tyre.

DioGuardi ka qenë gjithmonë me shqiptarët kudo: në Prishtinë, Gjakovë, Tiranë, Tetovë, Bruksel, Gjenevë, Romë, New York, Washington DC. Ai ishte i pranishëm në varrimin e Enver Hadrit, ishte i pranishëm me Shirley Cloyes kur inagurohet Universiteti i Tetovës; ishte në Hagë kur dëshmon në gjyqin e Milosheviçit dhe nuk ndalet asnjë çast. Ka një sukses dhe ndikim të padiskutueshëm në sajë të kredibilitetit që gëzon. Tom Lantos u kujtonte shqiptarëve gjithmonë t’i ishin mirënjohës JoeDioGuardit!

Nuk ka ndodhur kurrë që në Kongresin dhe Senatin e SHBA në një hark kohor prej 30 vitesh të ketë patur dëshmi, seanca dëgjimore dhe Rezoluta në mbrojtje të shqiptarëve sa këto të votuara e sponsorizuara nga LQSHA me në krye Joe DioGuardi. Zor të besoj se ka patur përpara!

Joe DioGuardi ka krijuar lidhje shumë të forta me Lobin Hebre në SHBA. Kongresmenët Tom Lanos, Ben Gilman ishin hebrej që e respektonin dhe e çmonin pa fund. Me Lobin Hebre ka bashkërenduar aktivite, ekspozita, filma; ka sensibilizuar për rolin që patën shqiptarët gjatë Holokasutit, duke ngritur në piedestal “Besën” dhe tolerancën shqiptare e duke sjellë në SHBA familjarë të shqiptarëve që kishin shpëtuar hebrejtë.

Joe DioGuardi gjithmonë u ka dalë në mbrojtje shqiptarëve, sikur Skënderbeu.

Ishte Joe DioGuardi që në një seancë dëgjimi në Kongres mbrojti UÇK-në pas deklaratës të Ambasadorit Rober Gelbard sipas të cilës UÇK ishte një “Grup terrorist”.

Joe DioGuardi bashkë me Shirley Cloyes dhe LQSHA kanë afër katër dekada që u kanë dalë në mbrojtje shqiptarëve.

Ndërsa shqiptarët nuk e kujtojnë as më 20 shtator, kur mbush 80 vjet!

Joe DioGuardi u krenohet hebrejve për “Besën” shqiptare ndërsa shqiptarët e kanë humbur edhe besën edhe veten se cilët janë.

Sa dekorata janë ndarë në Komunitetin shqiptaro-amerikan nga presidentët e Shqipërisë?

Sa tonelata metal do të bëheshin?

Ndërsa Joe DioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi dhe LQSHA nuk kanë marrë asnjë nder e respekt nga shtetet që ata dhanë kontributin e tyre këto shtete të bëheshin.

Vetëm një dekoratë ka nga koha kur ishte Rugova gjallë.

Lajmi tjetër i trishtë është se Joe DioGuardi ka mbi dhjetë vjet që nuk e viziton Kosovën!

JoeDioGuardi që e vizitonte Kosovën në kohë pushtimi, lufte, krizash ka mbi dhjetë vjet që nuk shkon në Kosovë!

A e pyesni veten se përse ? A e gjetët përgjigjen ?

Më në fund!

E vërteta është se Joe DioGuardi nuk e ka pranuar erën e Thaçizmit dhe politikanëve që kanë kapur shtetin; ai ka denoncuar keqqeverisjen, korrupsionin dhe papërgjegjshmërinë e liderëve shqiptarë për të vënë në rrezik sovranitetin shtetëror.

Po Komuniteti Shqiptaro-Amerikan çfarë ka ? Që dallohet për organizimin e ballove e mbrëmjeve gala, pse bën sikur e harron Joe DioGuardi-n? Se Joe DioGuardi nuk harrohet!

Joe DioGuardi është aty në New York ! Të harruar janë kush mbjell harresën për Figurat si Joe DioGuardi që i lindin kombit një herë në 100 vjet !

Konferencat shkencore për Skënderbeun e Krujës janë vetëm demagogji, sepse po të ishte gjallë Kalorësi i Krishtërimit, do të silleshin sikur me Skënderbeun e ditëve të sotme, Joe DioGuardin.

Në fund të këtij shkrimi, më duhet të them, se kemi rreth 30 vjet që bashkëpunojmë me DioGuardët, kjo është në nderin tonë.

Joe DioGuardit dhe Shirley i uroj mbi 100 vjet, ndërsa shqiptarëve u dëshiroj që të zgjohen e të dalin nga ky makth kombëtar!

Kur i bëmë urimin direkt Joe-s, ai na u përgjigj tekstualisht:

“Të dashur Elida dhe Skënder. SHUMË FALENDERIME për urimet tuaja dhe vlerësimin tuaj për punën time për GJITHË Shqiptarët. Dhe, Elida, unë e lexova shkrimin tuaj të mrekullueshëm dhe ju vlerësoj të gjithë ju që zbardhni të vërtetën e Çështjes Kombëtare Shqiptare, sikur do të vazhdoj të bëj me Shirley. Puna ime nuk ka përfunduar ende, edhe nëse i kam mbushur 80 vjeç dje. Nëna ime jetoi deri 95 vjeçe, unë kam genet e forta shqiptare DHE italiane për të vazhduar me Shirley (që mbush 70 vjeç në tetor). Përshëndetje të ngrohta, Joe”

Nuk ka shqiptar e bir shqiptari që të mos i urojë Joe DioGuardit, Skënderbeut të sodit, të ketë gjithmonë pranë Zotin e të mos ndalen bashkë me Shirley duke dhënë kontributin te jashtëzakonshëm për të mirën e Çështjes Kombëtare Shqiptare, që do të fitojë kur shqiptarët të udhëhiqen nga shtete të së drejtës dhe politikanë të përgjegjshëm. U bëfshin mbi 100 vjeç dhe Shqiptarët t’i nderojnë sikur u takon!

Filed Under: Featured Tagged With: Adem Demaçi, Ben Jilman, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova, Ish-Kongresmeni JoeDioGuardi, Shirley Cloyes DioGuardi, Tom Lantos, Zekiria Cana

Presidenti Donald Trump me ndërmjetësinë për njohjen e Kosovës nga Izraeli shkundi Perëndimin, shqiptarët dhe serbët!

September 21, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj-

Më 3 shtator, një ditë përpara se Presidenti i SHBA Donald Trump të zhvillonte takimin mes dy delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, unë u përpoqa të imagjinoj me trurin e magjistarëve dhe iluzionistëve më të famshëm të njerëzimit me fuqi supernatyrale, spiritualistë, mistikë nga ata që bëjnë trike, fakeçudira tek ata që bëjnë mrekullira prej Ali Babës, personazhi i Një mijë e një netëve, Magjistari Oz tek David Copperfield se çfarë mund të ndodhte në Zyrën Ovale një ditë më pas.

Ishte një dyshim që lidhej me ata që do të priste Presidenti i SHBA, Donald Trump.

Nuk prisja që Presidenti serb Aleksandër Vuçiç të çlirohej nga klishetë dhe mitomania e kohës kur ishte ministër i propagandës për ta pranuar Kosovën e 4 shtatorit 2020 sipas tre datave  të sanksionuara:

Në 9 qershor 1999, data kur u nënshkrua Marrëveshja e Kumanovës që e detyronte Milosheviçin si humbës të largonte nga Kosova ushtrinë pushtuese dhe makinerinë e luftës që kishte shkaktuar mijra viktima të civilëve të pafajshëm dhe kishte spastruar etnikisht rreth 1 milionë shqiptarë;

Në 17 shkurt 2008, ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të njohur sot nga 116 shtete prej 192 sa janë anëtare të OKB;

Në 22 korrik 2010, dita e vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që e njohu si legjitim aktin e shpalljen së pavarësisë të shtetit të Kosovës.

Kanë kaluar mbi 21 vjet nga përfundimi i konfliktit të fundit në ish-Jugosllavi dhe paranoja mitomane ndaj Kosovës e mban gjithë rajonin peng të Serbisë, e cila ka angazhuar gjithë makinerinë shtetërore dhe diplomatike që shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën, ta çnjohin, dhe ato që nuk e kanë njohur të vazhdojnë të mos e njohin. Serbia synon kështu që ta kthejë Kosovën mbrapsht nga shekulli XXI në shekullin XX, më të ziun për kujtesën e njerëzimit, që dallohet nga dy Luftra Botërore, nga Holokausti, nga Srebrenica, nga diktaturat totalitare gjakatare naziste dhe staliniste që kanë shkaktuar mbi 200 milionë viktima!

9 qershori 1999, 17 shkurti 2008 dhe 22 qershori 2010 janë vija demarkacioni që ndajnë të shkuarën e përgjakur nga çmenduritë e Milosheviçit me të ardhmen e përbashkët demokratike të gjithë rajonit, të cilën e mban peng Serbia e Vuçiçit dhe kasta e politikanëve shqiptarë të skaduar, që kishin sjellë në Washington DC në Shtëpinë e Bardhë tek Presidenti i SHBA përfaqësuesit e tyre, por jo përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës.

Natyrisht që shqiptarët i kanë ata që përfaqësojnë me dinjitet. Më i shquari është ish Kongresmeni arbëresho-amerikan Joe DioGuardi, me të njëjtën origjinë si Regis Philbi, miku i Presidentit Donald Trump. Joe DioGuardi është Skënderbeu i kohëve moderne. Prej mbi tre dekada ai ka bashkëpunuar ngushtë me figurat me të shkëlqyera të Senatit e Kongresit Amerikan po ashtu edhe me lobin hebre në SHBA! Joe DioGuardi meritonte i pari të ishte pjesë e delegacionit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë dhe të jetë ndërmjetës midis shqiptarëve dhe Presidentit Donald Trump.

Por megjithë situatën e 4 shtatorit 2020 në dukje e pashpresë dhe mediokre, Presidenti Donald Trump i la me gojë hapur të madh e të vogël, shqiptarë e serbë, Prishtinën e Beogradin, Brukselin, Strasbourg-n, Berlinin, Parisin, thinktank-ët, diplomatët e politologët e të gjitha ngjyrave dhe niveleve. Këtë efekt pati njohja që kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu i bëri shtetit të Kosovës, që ishte e papritura madhështore e pritur prej 12 vitesh të bëhej realitet, e lobuar nga të gjitha administratat pararendëse të SHBA por e arritur direkt prej Presidentit të 45-të të SHBA.

Njohja që Izraeli i bëri shtetit të Kosovës i shkon për shtat sloganit MAGA – Make America Great Again.

SHBA fituan menjëherë vemendje pozitive nga bota që me Marrëveshjen në shërbim të paqes në Lindjen e Mesme, e nënshkruar midis Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, e arritur po përmes rolit të Trump. Po ashtu edhe njohja e Kosovës nga Izraeli ka një ndikim shumë të fuqishëm për paqen në Ballkan. Si reagim ndaj arrogancës serbe, sepse presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e shkeli pikēn e 15 të Marrëveshjes nënshkruar në Zyrën Ovale, sapo u kthye në Beograd, duke iu shprehur palestinezëve, në takimin me ambasadorin e tyre, mirënjohjen që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës.

Tash shqiptarët ëndërrojnë që Presidenti Trump t’ia mbushi mendjen Papa Françeskut që edhe Vatikani ta njohë pavarësinë e Kosovës! Përse të mos e njohë Vatikani shtetin e pavarur të Kosovës?! Paqja nuk vjen vetëm me lutje por edhe me veprime!

SHBA janë si një Melting Pot gjigand. Shtetasit amerikanë me origjinë migratore janë nga të gjitha shtetet e globit. Kjo e mban të lidhur pazgjidhshmërisht Amerikën me fatet e njerëzimit. Mua më mahnit Ura e Bruklinit e dizajnuar nga një amerikano-gjerman me mendje të ndritur si John Augustus Roebling, por më ka mahnitur edhe më tepër ura e Korridorit Ajror të Berlinit Airlift ( 26 qershor 1948 – 30 shtator 1949), kur Amerikanët hanin nga një racion mish më pak për t’iu dërguar ushqime dhe qymyr për ngrohje e çka u nevojitej qytetareve gjermanë në Berlinin Perëndimor, ku forcat aleate me në krye SHBA përballuan një nga krizat më kritike të Luftës së Ftohtë duke e mbuluar këtë urë korridor me rreth 280 mijē fluturime që mposhti më në fund bllokadën dhe rrethimin e Berlinit Perëndimor nga BRSS.

Në fund të shekullit XX SHBA me aleatët e NATO-n ndalën një Holokaust të ri ndaj shqiptarëve të Kosovës që janë trashëgimtarët e Skënderbeut, Nënë Terezës dhe i vetmi vend që u kanë dhënë hebrejve strehë e mbrojtje, kur Europa i dorëzonte në Kampet e Përqendrimit në Auschwitz, Mauthausen e Treblinka.

Johanna Neumann, një zonjë hebreje që e kishte provuar mikpritjen e thjeshtë shqiptare me “bukë e kripë e zemër” përsëriste se “Moralin e Europës e shpëtuan shqiptarët”. Nuk ndodhi kurrë dhe nuk ka asnjë hebre të dorëzuar tek gjermanët nga shqiptarët, duke pasur parasysh se Shqipëria ishte nën pushtimin nazist. Johanna Neumann, për t’i shpëtuar Shoah, u largua nga Hamburgu kur ishte 10 vjeçe bashkë me nënën dhe babain e saj. Familja me tre anëtarë, sikur shumë hebrej që u vendosēn aty, jetuan në Shqipëri 5 vjet dhe me mbarimin e luftës gjetën strehë në SHBA. Zonja Johanna ka tre vjet që është larguar nga kjo botë, por nuk ka asnjë dyshim se prej Parajse ajo, një nga Ëngjëjt Mbrojtës të Shqiptarëve, e ka përshëndetur njohjen e Kosovës nga Izraeli me ndërmjetësinë e Presidentit të SHBA.

Të mos diskutohet pastaj mirënjohja e shqiptarëve ndaj Presidentit Trump për këtë njohje kaq të rëndësishme.

Por ndërkohë shqiptarët e Kosovës janë duke përjetuar hutimin dhe ngërçin më të madh që nga vdekja e Ibrahim Rugovës. Në vend të faktorizimit dhe integrimit, janë të defaktorizuar dhe të dezintegruar. Nga lufta në Kosovë dolën të plagosur, por u kthyen në shtëpitë e tyre, ndërsa ranë në fatkeqësinë e sundimit nga kasta politike e korruptuar dhe inkriminuar. E njëjta kastë si në Kosovë, është edhe në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, që ka uzurpuar pushtetin përt të qenë e përjetëshme si Llukashenko dhe miliardere si Silvio Berlusconi apo Donald Trump, pa trashëguar asgjë e pa derdhur asnjë pikë djerse, vetëm duke vjedhur pasuritë e vendit në stanjacion të plotë ekonomik.

Kastat dhe regjimet e korruptuara politike përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin e rajonit njëlloj si regjimet totalitariste.

Nuk ka stabilitet nën regjimet e kastave. Ka diktatura mafioze, regjime hibride, ndërsa stabiliteti është fake.

Po ashtu nuk ka as shpresë për zhvillim ekonomik në regjimin e kastave, sepse shpërdorin pushtetin dhe shkelin ligjin, i cili është far udhëheqës në ekonominë e tregut. Nuk mund të ketë ekonomi të lirë tregu në Kosovën ku shteti është i kapur nga politikanë të konsumuar shtershēm, të korruptuar dhe të komprometuar përfundimisht si përçudnues të demokracisë dhe votës së popullit.

Por shpresë për Kosovën ka. Populli i Kosovës është vetë shpresa që e ka nxjerrë jashtë loje këtë kastë politike.

Njohja e Kosovës nga Izraeli në Zyrën Ovale të Presidentit Trump ishte një shkundje për të gjithë Perëndimin, sepse vetizolimi nga Covid e ka futur të gjithin në një kafaz izolacionist, sipas sloganit seicili për vete e Zoti për të gjithë! Presidenti Donald Trump doli nga kafazi izolacionist!

A do ta njihte Izraeli shtetin e Kosovës?

Normalisht do të duhej të ishte nga shtetet e para, sikur e njohën SHBA dhe vendet kryesore të BE, por u deshën 12 vjet nga administratat e presidentëve George W.Bush, Barak Obama deri tek Presidenti Donald Trump.

Ndikimi direkt i Presidentit Trump për njohjen e shtetit të Kosovës nga Izraeli iu dha fund gjithashtu edhe teorive konspirative dhe i shkundi shqiptarët nga dyshimet dhe apatia.

Prandaj ishte historik takimi i 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale!

Shqiptarët do të donin që me abrakadabra Presidenti Donald Trump, Kancelarja Merkel, Presidenti Macron me aleatë të bëhen bashkë e t’i shpëtojnë edhe prej kronizmit, favoritivizmit, nepotizmit, klientelizmit, të kastës së korruptuar e të inkriminuar që ka si aleate nëntokën e krimit dhe për pushtet e kall rishtas Ballkanin në flakë.

Natyrisht që SHBA me aleatë duhet të marrin në dorë fatin e demokracisë në Ballkan, të rrezikuar seriozisht nga kjo kastë e bashkërenduar me krimin e nëntokës që janë duke krijuar rendin e ri mafioz, e cila  harxhon para të majme për ta falimentuar sistemin demokratik duke korruptuar dhe komprometuar zyrtarë të lartë të institucioneve Perëndimore ! Fatin e tyre duhet ta marrin në dorë edhe vetë shqiptarët, duke mbledhur forcat për të krijuar një dialog të denjë me Perëndimin, me përfaqësuesit e duhur si dhe për të të mbrojtur vlerën e shenjtë që ka vota e popullit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Aleksandër Vuçiç, Elida Buçpapaj, Ish-Kongresmeni Joe DioGuardi, Johanna Jutta Neumann, Presidenti Donald Trump, presidenti i Serbisë, Shtëpia e Bardhë, Zyra Ovale

Alarm për diasporën shqiptare në botë

September 13, 2020 by dgreca

-Nën hundën e pseudo-opozitës në Tiranë Edi Rama po kap dhe klientelizon diasporën-

Nga Elida Buçpapaj –

Për diktatorin Edi Rama tashmë ka filluar fushata zgjedhore.

Duket që sulltani ka ndërtuar një strategji për ta shfrytëzuar diasporën si një burim trafikimi votash – sidomos komunitetin në Greqi dhe Itali, atje ku mendohet se jetojnë rreth 2 milionë shqiptarë.

Edi Rama po financon me paratë e taksapaguesave ofiqe, poste, portale dhe projekte, një pjesë të të cilave mbulohen nga Perëndimi si mbështetje për fuqizimin e institucioneve demokratike apo shtypin e lirë, që Edi Rama i keqpërdor për nevojat e veta. Ky abuzim është mirëfilli korrupsion.

Shqipëria – tipike një Republikë Banane. Edi Rama synon mandatin e tretë dhe për këtë ai përdor që të gjitha mjetet sidomos propagandën, duke varrosur fjalën e lirë dhe gazetarinë profesioniste.

Ai abuzon fare hapur nën dajret e klientëve qyqanë dhe prej apatizmit mjeran të shoqërisë shqiptare, sikur kombi shqiptar të jetojë në mesjetë.

Zyrtarët publikë, të emëruar politikisht, Edi Rama i sposton si gurë shahu nga emërtesa të Ministrisë të Diasporës në drejtues dhe propagandues të portalit qeveritar Majko diasporashqiptare.al!

A është e mundur që shtypi i lirë të ekzistojë duke qenë nën komandën politike të Edi Ramës dhe lakeut të tij Pandeli Majko?

Jo, kurrë! Shtypi i lirë mund të quhet i tillë vetëm kur ekziston si pushtet i pavarur!

Por Edi Rama po investon fort dhe pis, që të kapë edhe institucionin e diasporës.

Në fillim organizoi Këshillin Koordinues të Diasporës për t’i dhënë fuqi përfaqësimi nëpër shtetet ku jetojnë shqiptarët.

Pastaj vuri në lëvizje emisarin e tij, parazitin Pandeli Majko, i cili ka 30 vjet që jeton me paratë e taksapaguesve. Majkon e çoi turizëm nëpër botë që të binte në kontakt me militantë, për t’i përdorur sa herë u duhen, dhe kësisoj ka vazhduar shtrirja e tentakulave të oktapodit edhe në diasporë.

Ky është krim kombëtar, sipas sloganit përça e sundo.

Në Zvicër jeton një komunitet nga Shqipëria londineze prej 1500 shqiptarësh, të cilët për 30 vjet prani të Ambasadës dhe Misionit të Republikës të Shqipërisë në Zvicër asnjëherë dhe kurrë nuk janë bërë bashkë, ndërsa Edi Rama ka organizuar me të ardhurat e taksapaguesve dy Samite të Diasporës për t’i bërë shqiptarët lesh e li.

Ky është mision antikombëtar dhe shumë i rrezikshëm, sepse është krijuar një klimë si në kohën e diktaturës, ku njerëzit kanë frikë të japin pëlqimin apo të bëjnë komente deri edhe në rrjetin social, ngaqë Edi Rama ka kudo ushtrinë e mercenarëve klientë!

Edhe Edi Rama dhe klientët e tij janë tigra prej letre, por duhet të delegjitimohen si shpërdorues të pushtetit.

Për të krijuar autoritet artificial të klientëve të tij në Diasporë, që të justifikohen paratë, Edi Rama u ndan trofe suksesi, i promovon përmes televizioneve që i ka nën kontroll në Tiranë dhe tani u ka vënë në dispozicion edhe portalin qeveritar Majko.

Sikur të mos mjaftonte ky kataklizëm obskurantist, tentakulat e qeverisjes hibride Rama tani kanë shkuar deri aty sa me vendime qeveritare kanë sanksionuar të ashtuquajtur oficerë koordinues, të përfshirë në organikat e ambasadave dhe konsullatave shqiptare në Greqi dhe Itali.

Oficerët koordinues tani janë miratuar nga Këshilli i Ministrave dhe firmosur nga dora vetë sulltanit me shallvare dhe atlete.

Sipas faqes zyrtare, mësohet se ata do të merren me çështjet e Diasporës shqiptare në fushën e kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë dhe do të jenë të paguar nga shteti shqiptar me paratë e taksapaguesve.

Në portalin qeveriar Majko mësohet se: “Komunitetet shqiptare në Greqi dhe Itali për herë të parë në historinë e Diasporë së re do të kenë oficerë koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare pranë posteve konsullore të Republikës së Shqipërisë në Romë, Athinë, Milano dhe Selanik. Oficerët koordinues për çështjet e Diasporës shqiptare emërohen nga ministri përgjegjës për Punët e Jashtme pas bashkëpropozimit të ministrit përgjegjës të fushës ( kulturës, arsimit, financës dhe drejtësisë) që do të mbulojë oficeri dhe ministrit përgjegjës për Diasporën.  Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave oficerët koordinues të Diasporës mund të përzgjidhen edhe nga jashtë Shërbimit të Jashtëm, por ata duhet të zotërojnë njohuri dhe ekspertizë të spikatur në fushën e arsimit, të drejtësisë dhe të nxitjes së investimeve.

Kryeministri dhe Ministri i për Evropën dhe Punët e jashtme, Edi Rama ka firmosur emërimin e katër emrave, përkatësisht Aurela Konduri, Selanik, Joneda Dodaj, Athinë, Luljeta Cobanaj, Milano dhe Edmond Kumarakun, Romë të cilët do të ushtrojnë detyrën e oficerit koordinues për Diasporën. Oficerët koordinues do të ushtrojnë funksionin e tyre sipas fushave të përcaktuara si: zhvillimi i marrëdhënieve me komunitetet shqiptare në shtetin pritës, kjo në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës, identifikimin e nevojave për arsimimin dhe komunikimi me mësuesit e programeve plotësuese të gjuhës e të kulturës shqiptare në bashkëpunim me Qendrën e Botimit të Diasporës, nxitjen dhe organizimin e bizneseve shqiptare në vendin pritës në bashkëpunim me Dhomën e Biznesit të Diasporës si dhe identifikimin dhe asistimin e shtetasve shqiptarë, të cilët vuajnë dënimin me heqje të lirisë në shtetin pritës në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për drejtësinë. “Oficerët e posaemëruar do të kenë gradën diplomatike të Sekretarit të Parë.

Pra, me pak fjalë, Edi Rama ka sanksionuar kësisoj me ligj kapjen e diasporës shqiptare në botë.

Pa dyshim që kriteri përzgjedhës është korruptiv, antiPerëndimor dhe antikombëtar.

Një gjë është e qartë se Edi Rama ka në dorë mjete të mëdha financiare të cilat do t’i përdorë fuqishëm për fushatën zgjedhore.

Diaspora duhet të organizohet një orë e më parë.

O sot o kurrë.

Sa për opozitën në Shqipëri, ajo është inekzistente, pret të riciklohet dhe kjo rrit alarmin për reagim.

Filed Under: Politike Tagged With: diaspora, Edi Rama, Elida Buçpapaj, kapje, oficere, voal.ch

Presidentja e Zvicrës nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji

August 3, 2020 by dgreca

-Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga me rastin e Ditës Kombëtare nderon shqiptaro-zviceranen Xhemile Fetaji me mirënjohjen”Heroinë e Përditshmërisë”-

Nga Elida Buçpapaj- Voal.ch – Këtë vit 1 Gushti Festa Kombëtare e Zvicrës u kremtua në mënyrë të veçantë.E megjithatë, nën rregullat që dikton situata pandemike e koronavirusit, u festua nëpër familje, rrethe shoqërore e komunat në të 26 kantonet.

Po ashtu Presence Swisse hapi një faqe online për diasporën zvicerane nëpër botë.

Fishkzjarret shkëlqyen qiellin helvetik prej natës të 31 korrikut deri pas mesnatën e 2 gushtit.

Presidentja e Zvicrës Simonetta Sommaruga për ta kremtuar këtë ditë me kaq rëndësi kombëtare zgjodhi një mënyrë shumë të veçantë.

Në Rütli, në vendin që quhet “djepi i Zvicrës” buzë Liqenit të Lucernës, atje ku çdo vit kremtohet festa zyrtarisht, për të patur të pranishme gjithë Konfederatën, zonja Sommaruga kishte ftuar për çdo kanton nga një grua dhe burrë që ishin dalluar për kontributin e tyre gjatë pandemisë. Po ashtu ishin të ftuar edhe 2 përfaqësues të “Zvicrës të Pestë”, sikur quhet diaspora zvicerane. Gjithësej 54 përfaqësues, të cilëve  zonja Sommaruga u ndau mirënjohjet për kontributin e tyre të çmuar në përballimin e krizës, duke i quajtur ata “Heronjtë e Përditshmërisë”.

Në fjalën e saj zonja Presidente nënvizoi faktin se “forca e Konfederatës është solidariteti”. Ajo përmendi me nderim ndihmën e qytetarëve të Zvicrës në mbështetje të më të dobtëve dhe të moshuarve  me qëllim përballimin e situatës të jashtëzakonshme, që jeta e vendit në kushte aspak normale të vijonte normalisht, duke filluar nga supermerkatot, farmacitë, mjetet e transportit publik, por jo vetëm. Në ato momente të vështira u dëshmua solidariteti zviceran i qytetarëve për të ndihmuar të moshuarit, duke u bërë blerje dhe u ardhur në ndihmë atyre që kishin vështirësi ekonomike.

“Sot dua të them faleminderit. Faleminderit atyre që bënë blerje për të moshuarit në lagjet e tyre, atyre që i shërbyen vendit tonë pavarësisht virusit, stafit në spitale, stafit të shitjeve, punonjësve të hekurudhave, drejtuesve të kamionëve, fshatarëve, punëtorëve në vendet e ndërtimit dhe stafit në shtëpitë e të moshuarve “: këto ishin fjalët e Simonetta Sommaruga në kremtimet zyrtare për 1 gusht. “2020 ishte viti i koronavirusit, tha ajo, “por shpresoj që të quhet edhe viti i solidaritetit”.

Ceremonia po për shkak të situatës korona zgjati vetëm 90 minuta dhe prania ishte shumë e kufizuar, gjithësej ishin 150 të pranishëm.

Midis të nderuarve ishte edhe shqiptaro-zvicerania Xhemile Fetaji, me origjinë nga Gostivari, e cila mori direkt nga Presidentja e Zvicrës mirënjohjen bashkë me nga një fidan molle, që do të mbjellen në kantonet ku jetojnë.

Xhemile Fetaji është dalluar për kontributin e saj shembullor gjatë pandemisë si shitëse në Migros. Xhemilja ka punuar në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë periudhës të lockdown.  Xhemilja është shumë aktive në jetën sociale. Këtë vit kandidoi për parlamentare në zgjedhjet lokale të kantonit të saj.

Për voal.ch Xhemile Fetaji tha: “Dje ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta hiç natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Aktiviteti kishte një organizim të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Kur filloi ceremonia më prekën shumë fjalët e Presidentes, zonjës Sommaruga, kur na u drejtua dhe tha :” Ju me siguri e keni pyetur veten pse pikërisht unë jam e ftuar këtu!” Edhe unë kur më erdhi ftesa për Rütli i kisha bërë vetes të njëjtën pyetje: Përse unë. Sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj unë, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne, 54 përfaqësuesave nga e gjithë Zvicra. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Voal.ch e uron për këtë nderim duke i uruar suksese të tjera./Elida Buçpapaj

**** Bisedë me Xhemile Fetajin,e nderuar nga Presidentja e Zvicrës me mirënjohjen si “Heroinë e Përditshmërisë” Nga Elida Buçpapaj

Në ceremoninë zyrtare me rastin e 729 vjetorit të Ditës Kombëtare të Zvicrës kishin një ftesë të veçantë 54 zviceranë, që përfaqësuan nga dy persona të dy gjinive 26 kantonet përfshi Zvicrën e Pestë, sikurse quhet diaspora zvicerane. Ata ishin të ftuar në kremtimet festuese me Presidenten e Konfederatës Simonetta Sommaruga-n në Rüetli, “djepin e Zvicres” kur më 1291 u lidh besa, u firmos pakti i përhershëm dhe lindi Konfederata Helvetike. (CH)

Ky vit është shumë i veçantë për shkak të koronës që kërkon respektimin e rregullave. E megjithatë, zonja Sommaruga e shfrytezoi Festën Kombëtare për të falenderuar e shprehur mirënjohjen një grupi qytetaresh që simbolikisht përfaqësonin atë komunitet që, në kushtet e lockdown-it, i shërbyen vendit duke bërë që jeta të përvijonte normalisht.

Midis atyre të cilët Presidentja e Zvicrës i quajti “Heronjtë e përditshmërisë” në kohë krize, ata të cilët nuk “e respektonin” sloganin “stay home be safe” ishte edhe Xhemile Fetaji, një shqiptaro-zvicerane me origjinë nga Gostivari, e cila në mënyrë shembullore i shërbeu qytetarëve si shitëse në Migrosin e Steckborn, qytezë me rreth katër mijë banorë në kantonin e Thurgaut në verilindje të Zvicrës buzë Liqenit të bukur të Konstancës.

Dje kur biseduam Xhemilja ishte me plot emocione.

“Kur znj.Sommaruga na tha gjatë ceremonisë nëse i kishim bërë pyetjen vetes “përse unë jam ftuar në Rütli” unë në fakt ia kisha bërë vetes këtë pyetje”, më tregoi ajo.

Xhemilja është një “heroinë” e lockdown-it, periudhës kur ne ishim të këshilluar të rrinim të mbyllur dhe të dilnim nga shtëpia vetëm pēr domosdoshmeritë tona, sikur jane blerjet e ushqimeve, shkuarja ne postë, farmaci, mjek etj.etj.

“Gjatë gjendjes lockdown” më thotë Xhemilja, “u ndryshuan krejt planet e punës. U desh që ne të punonim pa plan, sepse, sapo i vendosnim mallet dhe ushqimet në raftet e Migrosit, ato zbrazeshin menjëherë, aq shumë bliheshin nga qytetarët.”.

E kush nuk i kujton ato ditë plot zymtësi kur njerëzit mbushnin karrocat me majë për të krijuar rezerva sa më të mëdha për familjet e tyre që nga mielli, majaja e bukës deri tek letrat higjenike që zhdukeshin nga raftet e supermerkatove sa hap e mbyll sytë, pa marrë parasysh se gjithë ditën mediat në Zvicër qetësonin popullatën duke u thënë se nuk ka asnjë arsye për shqetësim se dyqanet do të jenë gjithmonë plot e përplot, e, megjithatë, të qetësohej popullata ishte e pamundur.

“Kur i shihja raftet e zbrazura dhe njerëzit që mbushnin karrocat, të merrte frika, kaq e tmerrëshme dukej situata”, vazhdon të më tregojë Xhemilja. “Shefi më thirri me ndihmu 2 orë plus, por nuk dilnin as dhjetë orë për të mbushur raftet nga ku mallrat bliheshin menjëherë. Dukej qartë që njerëzit kishin frikë. Frikë kisha edhe unë. Por kujtoja njerëzit nëpër botë që vdesin për një kore buke, ndërsa ne jetojmë në Zvicër me gjithë të mirat.” “E megjithatë”, ngulmon Xhemilja për një situatë që unë e njihja shumë mirë, “dukej sikur do të niste lufta. Çuditesha, por bënim gjithçka që të plotësoheshin kërkesat e blerësve, edhe kur disa kishin dëshira speciale, kur kërkonin papaya apo letër higjenike të aromatizuar. Atë periudhë, prej ngarkesës së punës unë në shtëpi isha shumë pak e pranishme dhe bashkë me bashkëshortin jemi shumë krenarë se fëmijët tanë (kanë dy fëmijë, djale e vajzë, Emirin dhe Emirën përkatësisht 12, 15 vjeç) nē atë periudhë aq të vështirë u organizuan shumë mirë, studionin vetë dhe u treguan shumë të përgjegjshëm edhe pa ndihmën time. Sepse unë nuk kam punuar 100% por 200% se më duhej që t’iu ndihmoja kolegëve, rrija pa orar në punë, në shërbim të blerësve. Dhe fëmijëve u them gjithmonë të ndihmojnë, të japin ndihmën e tyre sa herë të kenë mundësi. ”

“Përveç kësaj”, vijon Xhemilja, “në mbrëmje kur kthehesha, kisha kontakte përmes WhatsApp-it me shumë gra shqiptare në kantonin e Thurgaut, ku u sqaroja situatën, masat mbrojtëse kundër koronës, u jepja informacion, i pyesja si i kishin hallet, si shkonin me bashkëshortët, u jepja këshilla atyre me fëmijë të vegjël. Ishte ky një angazhim ndryshe nga ai i Migrosit, por edhe këtë e bëja me shumë përkushtim.”

Xhemilja kësaj pranvere në zgjedhjet lokale ishte kandidate e PS për parlamentin në Kantonin e Thurgaut. “Ylfeten e kam shembull, por më duhet ende pune”, më thotë ajo. E ka fjalën për Ylfete Fanajn, anëtare e parlamentit të Lucernës. Ylfetja ka lindur në Prizren. Bijë emigranti. I jati ishte punëtor ndërtimi, ndërsa Ylfetja gjatë 2020/21 drejton parlamentin e kantonit të Lucernës. Arritje të paimagjinueshme për dy dekada më parë!

Më tutje, Xhemilja më tregon: “Nē mëngjes fillonte ngarkesa e punës nga e para. Kishte njerëz që dëshironin t’jua çonim mallin në shtëpi. Kishte të moshuar që më vinte shumë keq kur i shihja të mundoheshin dhe i ndihmoja e ua çoja vetë blerjet nëpër shtëpi”.

“Kētu në Steckborn më njohin të gjithë!”, më thotë Xhemilja dhe pa dashur ajo i kishte dhënë përgjigje pyetjes: “Përse kishte marrë ftesë për në Rütli”.

Të gjithë ne banorët e Zvicrës në ditët kritike të rrezikut eksponencial të përhapjes të koronës, në mungesë të plotë të maskave, sepse me Kinën ku importoheshin ishin pezulluar fluturimet, ndërsa Franca e Gjermania kishin maska vetëm për vete, nuk harron frikën, si një paranojë kolektive kur të duhej të dilje nga shtëpia për blerje, ndërsa shitësit nëpër supermerkato të dukeshin kushërinj me ET, Samaritanë të Mirë apo superheronj.

Xhemilja është njëra prej tyre. Pjesë atij komuniteti që sakrifikuan pēr interesin e përgjithshëm kombëtar. Së bashku me ushtrinë e mjekëve, infermierëve dhe ekipet ndihmëse nëpër spitale.

Presidentja e Zvicrës në fjalën e saj gjatë ceremonisë midis të tjerave tha se “2020 ka qenë viti i koronavirusit, shpresoj se 2020 të jetë edhe viti i solidaritetit”, duke e nënvizuar këtë tipar të Konfederatës. Jo më kot motoja kombëtare e Konfederatës Helvetike është: “Unus pro omnibus, omnes pro uno” –
«Einer für alle, alle für einen» – “Një për të gjithë, të gjithë për një”.

Biseda jonë u përmbyll duke më treguar për ceremonë e kremtimeve në Rütli. Nuk kanë kaluar as 24 orë nga takimi me Presidenten e Konfederatës, por Xhemilja është plot emocion: “Dje”, më thotë ajo, “ishte një ditë shumë speciale për mua. Nuk fjeta fare natën e 31 korrikut kur u zbardh 1 Gushti. Ceremonia ishte organizuar në mënyrë të përsosur. Nuk quhet kot Zvicër. Moderatorja ma shqiptoi emrin shumë bukur. E falenderova. Zonja Sommaruga na takoi. I dhurova disa produkte të kantonit tonë. Bëmë edhe foto. Isha me fat sepse në Thurgau, kantonin ku jetoj, ka patur shumë njerëz që janë angazhuar kështu sikur unë. Zonja Sommaruga na falenderoi ne. Unë do të falenderoja Zonjën Sommaruga dhe Zvicrën, për shtetin demokratik që kemi.”

Filed Under: Featured Tagged With: Elida Buçpapaj, Presidentja e Zvicres, Xhemile Fetaji

Kujtim Spahivogli, jeta tragjike e gjigandit të madh të skenës shqiptare shembur nga diktatura…

July 31, 2020 by dgreca

– Bisedë me Luljeta Minarolli Hana-

Portret i gjigandit të skenës shqiptare dhe tek fotoja bashkëngjitur Luli, Ani dhe Timi tek obelisku i Muntaz Dhramit kushtuar Kujtim Spahivoglit–

Nga Elida Buçpapaj–

E dashur Luli, ti je mbesa e Kujtim Spahivoglit, vajza e motrës, pra je një njeri shumë i afērt.

Luljeta Minarolli: Po, është e vërtetë, kam qenë shumë e afërt dhe shumë e lidhur me dajën tim. Fillimisht ne jetonim në të njëjtën shtëpi, pasi prindërit e mi, kur u martuan, nuk ishin sistemuar ende me banesë dhe u strehuan tek gjyshja. Daja ishte me studime në Moskë, por natyrisht, kur vinte me pushime në shtëpi kimia me mbesën e vogël ishte shumë e madhe dhe e tillë mbeti deri kur ai u largua nga kjo jetë. Ka qenë shumë i pranishëm në jetën time, kurdoherë. Shumë koncepte për jetën, për mënyrën e sjelljes, për përballimin e vështirësive , madje edhe shumë vendime që kam marrë në jetë ia dedikoj këshillave të tij.

Pra ke pasur një lidhje shumë të veçantë me dajën, që në vetvete kishte një emër të madh, ishte Kujtim Spahivogli.

Luljeta Minarolli:  Unë kam qenë mbesa e parë, dhe thonë që i pari ka privilegjet e gjyshërve, dajave, xhajave, hallave e tezeve. Fatmirësisht i kam pasur këto privilegje sepse kam qenë e para edhe nga ana e mamit, edhe nga e babit. Por Tani ishte djali i parë dhe ai gjithashtu ishte i privilegjuari. Nga ana e mamit ai mbeti i vetmi nip, pra kishte dy herë privilegj. Për gjyshen ishte i veçanti.

Tek familja e mamit ishin gjyshja dhe tre fëmijët e saj. Daja i madh, u martua shpejt, u bë me familjen e tij dhe me fëmije, por edhe jetoi edhe shumë kohë në Sazan. Ishte inxhinier nëndetëseje. Natyrisht dashuria ishte e madhe, por lidhja shpirtërore ishte jo si me Kujtimin edhe për faktin se e zgjati shumë beqarinë. Unë kam qenë 19 vjeç kur daja u bë me vajzë, me Anin.

Për rrethanat e jetës, ai e vazhdoi lidhjen e ngushtë me familjen tonë deri në fund.. Si i thonë: “Në të mirë dhe në të keq, dera e motrës është e hapur” dhe Kujtimi gjente gjithmonë dashuri, jo vetëm tek mami unë edhe Tani, që kishim lidhje gjaku, por edhe tek babi dhe farefisi i tij.

Në shtëpinë tonë kishte gjithmonë njerëz, shoqëri, farefis dhe Kujtimi e ndjente veten të rrethuar me dashuri, Atij i pëlqente zhurma njerëzore, e përfshinte brenda dhe e vinte në qendër të saj për aftësitë komunikuese që kishte.

Le ta fillojme këtë nga fëmijëria e Kujtimit, familja ku lindi dhe u rrit Kujtimi si dhe diçka edhe për rrethin familjar.

Luljeta Minarolli: Prindërit e mamasë sime, pra edhe të Kujtimit e Skënderit vinin nga një familje qytetare prej Elbasani. Gjyshi u rrit jetim, kurse gjyshja ishte një bijë nga familja Narazani, shumë e njohur në Elbasan.. Gjyshi ka punuar në administratën financiare dhe megjithëse shumë ri, ngjiti shkallët e hierarkisë financiare me shpejtësi. Në qershor 1934, transferohet me punë në ministrinë e financave dhe vendoset përfundimisht me familjen në Tiranë ku ble një shtëpi në rrugën Hoxha Tasin.

Kujtimi e ka vendlindjen në Lushnjë pasi ishin i transferuar familjarisht atje ku i ati punonte si n/drejtor i financave të qarkut.

Gjyshi vdiq në moshë te re, 40 vjeç dhe gjyshes iu desh të përballonte e vetme rritjen dhe edukimin e tre fëmijëve që mbetën jetimë të mitur. Ajo ishte një grua e fortë, autoritare, shumë e zgjuar dhe arriti t’i shkollojë të tre fëmijët e saj. Edhe kur ishin të rritur fjala e “momës” ishte ligj për ta.

Një herë e pyeta dajë Kujtimin që kishte natyrë rebele: “Si ka mundësi, që fjala e nanës ( kështu e quaja unë) është ligj për ju? Mirë mami dhe dajë Skënderi që janë të butë, po ti që je zjarr?” “Na ka mbetur që në vogëli- u përgjigj ai- që të na mbante lidhur me njeri-tjetrin , të kujdesshëm, sepse i duhej të punonte. Nga një herë dilte nga shtëpia dhe na thoshte se do të kthehej kur të bëheshim të mirë dhe të mos grindeshim me njeri tjetrin. Ne – tregonte daja- e mendonim se e ajo e kishte me tërë mend dhe betoheshim të tre se do ta dëgjonim momën, do të bëheshim të mirë dhe nuk do grindemi me njeri-tjetrin. Kjo na edukoi dhe na shoqëroi gjithë jetën”.

Familja e Kujtim Spahivoglit, Nëna, Babai, dhe tre fëmijët, Dhurata, Kujtimi dhe Skënderi

Kam lexuar se shtëpia e familjes të Kujtimit ishte bazë e luftës ?

Luljeta Minarolli: Që kur filluan të depërtonin idetë komuniste, gjyshja i pëlqente ato. Si një grua e ve, me tre fëmijë të vegjël dhe me shumë vështirësi për rritjen e tyre, i dukej se do të vinte një epokë e re që do të zgjidhte dhe hallet e saj. Propaganda dehu edhe njerëz që jetonin më mirë se gjyshja ime me tre jetimë.

Me fillimin e luftës, në shtëpinë e gjyshes mblidheshin të rinj dhe ilegalë dhe zhvillonin mbledhje. Idealizmi i saj, pa qenë kurrë anëtare partie, ndikoi erdhe tek Skënderi dhe Kujtimi. Ata filluan që në moshën 10-12 vjeçare të merreshin me pune të vogla të lëvizjes. Në 1944 dolën partizanë dhe mbanin armë, daja i madh 14 vjeç, Kujtimi, i vogli 12.

Pas çlirimit në shtëpinë gjyshes u vendos një pllakë ku shkruhej se kjo shtëpi kishte qenë bazë e Luftës.

Çlirimi e gjen Kujtimin 12 vjeçar. Fillon faza e shkollimit të tij. Vokacionin për teatrin kur kishte filluar ta shfaqte. A mund të na e tregosh me hollësi?

Luljeta Minarolli:  Pas Çlirimit, Kujtimi ndoqi shkollën fillore Hasan Prishtina, sot Kongresi i Lushnjës.  Në 1945, ai u regjistrua në shkollën teknike, por mendjen e kishte tek teatri. Fshehurazi bënte plastikë përpara pasqyrës në dhomën e tij dhe mbyllej me çelës. Gjyshja e tij nga nena, që shpesh vinte të banonte tek e bija, u bë kurioze, vë syrin në vrimën e çelësit dhe sheh se ç’bënte. Vrapon duke bërtitur nëpër shtëpi: “Qyqja m’u çmend çuni, flet me vete dhe shtrembëron fytyrën!!!  Por nuk e pranuan në Teatër, sepse nuk kishte përvojën e duhur. Ai e la shkollën teknike në vitin e dytë dhe u regjistrua ne Liceun Artistik “Jordan Misja”, që çel për herë të parë në 1946. Atje jepnin mësim profesionistë të atëhershëm të artit skenik. Si i pasionuar pas teatrit dhe regjisë që në rininë e hershme, ai filloi të bëjë shfaqje në oborrin e shtëpisë, nëpër fshatra, së bashku me djemtë e lagjes. Në 1951 niset për studime në Moskë.

Kujtimi adoleshent

Më 1958 Kujtim Spahivogli diplomohet ne Institutin e Lartë të Artit ne Moskë, cili është angazhimi i tij kur kthehet ne atdhe?

Luljeta Minarolli:  Në 1956, punoi për Diplomën në Institutin Teatror të Moskës “GITIS”  me temë vënien në skenë të pjesës “I çuditshmi”, të dramaturgut turk Nazim Hikmet, të cilën e realizoi në Teatrin e Tiranës, me aktorët Sandër Prosi, Ndrek Shkiezi, Drita Pelingu, etj. Kjo shfaqje, ku spikati regjia ndryshe, u cilësua si risi regjisoriale dhe bëri bujë në Tiranën e asaj kohe.  Këtë punë diplome, pedagogët e tij rusë e vlerësuan shkëlqyeshëm. Një vit më vonë luan rolin e Xherxhinskit tek ‘orët e Kremlinit”, edhe ky një sukses tjetër, për plastikën aktoriale.

Por ky sukses i tij nuk u prit mirë nga partia. Kur Kujtimi u paraqit tek Ministri i Arsimit dhe Kulturës së asaj kohe, Ramiz Alia, për të marrë emërimin e punës, ky i komunikoi se duhej të shkonte në Korçë sepse ishte caktuar atje. Kujtimi refuzoi, sepse vuante nga një azëm e vjetër kronike, kishte nënën vetëm, dhe të vëllanë që shërbente si inxhinier nëndetëseje në Sazan. Ramiz Alia nuk i përfilli arsyet. Kujtimi nuk shkoi në Korçë. Drejtori i Teatrit asaj kohe Xhemal Broja e përkrahu shumë, edhe aktorët e atëhershëm gjithashtu, i ndenjën afër dhe ai u aktivizua me role të ndryshme dhe regji të pjesëve, duke u paguar me honorarë, jashtë borderosë.

Kujtim Spahivogli pati një sukses të jashtëzakonshem si aktor, autor, regjisor dhe pedagog. Kush ka parë rolet e interpretuara prej tij ka mbetur i mahnitur, po ashtu edhe regjite, per te mos lene pa nēnvizuar rolin si pedagog, krijues i Teatrit të Rinisë. Ishte poet dhe deklamonte poezi mrekullisht. Ishte nje talent dhe potencial i madh. Perse partia e futi menjëherë ne rreth te zi. Ai nuk merrej me politike veç me art?

Luljeta Minarolli: E sigurt që armik nuk ishte, por duke iu kthyer së shkuarës mendoj se ishte një xhelozi profesionale, e mbështetur nga persona politikë me pushtet të fuqishëm, e përforcuar edhe nga qëndrimi krenar dhe i patjetërsueshëm i Kujtimit. E ç’ishte jeta e një njeriu në atë sistem, ta merrnin i dhe nuk i dridhej dora askujt! Sa raste njohim, sa shembuj boton edhe ti. Daja gjithmonë thoshte se në të gjithë këtë kishte dorë Ramiz Alia. Dikur kishin qenë fqinjë, në një rrugicë.

A i ke ndjekur shfaqet e dajës, që ishte nje aktor dhe regjisor aq i shquar por që ne moshën 40 vjeçare regjimi komunist ia shkaterroi jetën.

Luljeta Minarolli:  Nuk mund te pretendoj se kam ndjekur të gjitha shfaqjet.  Në 1958 u shfaq premiera e pjesës “Majlinda”. Si autor ishte Xhemal Broja dhe regjia nga Zina Andri. Kujtimi kishte rolin kryesor, Agronin,ishte një dramë familjare. Duke banuar në të njëjtën shtëpi, për herë të parë më mori tek kjo shfaqje. Isha rreth 5 vjeç, por më ka mbetur gdhendur rruga kur po shkonim në teatër, daja më shtrëngonte dorën fort dhe e bëmë në këmbë, ndaluam tek fillimi i rrugës dhe morëm edhe Ora Pelingun, vajzën e Drita Pelingut, që ishte një vit më e madhe se unë. Ajo luante rolin e fëmijës në dramë.

Edhe një rast tjetër. Isha gjashte vjeç e gjysmë, përgatitesha për t’u futur në klasën e parë. Përsëri më kishte marë me vete, por përpara se të shkonim në teatër ndaluam tek Dyqani i Pionierit dhe më bleu çantën e klasës së parë.

Në vogëli nuk me kujtohen shfaqjet e tjera, por daja me merrte me vete dhe më vinte në lozhën e projektorëve në katin e trete. Aty ishte edhe sufleri.

Nuk numërohen titujt. Në Teatrin Popullor ai vuri dhe luajti afërsisht 25 pjesë, pa përmendur shfaqjet me studentët. Asnjëra nuk ngjasonte me tjetrën, zgjidhja regjisoriale gjithmonë ishte e ndryshme. Vetëm në vitet ’60-‘70 ai vuri në skenë 19 shfaqje duke luajtur edhe role në to. Ai u lartësua shumë lart si personalitet në fushën e artit skenik

Veç kësaj, me hapjen kursit të parë të artit dramatik 1959 Kujtimit iu shtua ngarkesa, ishte ndër pedagogët kryesorë. Në 1960 arti dramatik kaloi në ndërtesën që është sot dhe krijohet Instituti i Lartë i Arteve Kujtimi u caktua dekan detyrë që e la pas 2 vitesh me pretekstin se kishte shumë burokraci. Ai ishte i lidhur vetëm me skenën. Vetëm në vitet ’60- ‘62 ai vuri në skenë 4 drama.

Luli në ditën e parë të klasës të parë me dajën e saj, të madhin Kujtim Spahivogli

Cili rol i tij të ka mbetur në mendje?

Nuk mund të veçoj ndonjë rol, pasi kur aktronte unë isha e vogël për të veçuar ndonjë rol, nuk kisha shije artistike, shikoja vetëm dajën. Kur fillova të kuptoj ai merrej kryesisht me regji dhe rrallë luante ndonjë rol episodik. Fillova t’i kuptoj më e rritur, 12- 13 vjeç e lart. Mbaj mend “Ngjarje në fabrikë”, “Drita” e Mimika Lucës e shume të tjera. Kishte përfunduar koha kur viheshin pjesë të huaja. Në mesin e viteve ’60 ishte ndikimi i revolucionit kinez.

Me ka pëlqyer shumë “Karnavalet e Korçës”, vënë me trupën teatrore të Shkupit, 1972. U shfaq edhe në Tiranë. Risi regjisoriale! “Një shok i klasës sonë”, shfaqur ne teatrin e Rinise, në Institutin e Arteve. Luante edhe e madhja Vaçe Zela. ( Shkruar nga vetë Kujtim Spahivogli). Dramën “Banja” e Majakovskit e kam parë në prova gjenerale në Institutin e Larte të Arteve. Kjo shfaqje u ndalua, nuk u shfaq për publik. Kam shijuar shumë rolin e Selimit tek filmi artistik “Familja e peshkatarit”. Edhe tashti kur e shoh me pëlqen loja e tij. Më kujtohet, premiera u shfaq tek kinema Republika. Unë isha me gjyshen, mamin, Tanin. Më kujtohet që gjyshja e përjetoi shumë keq fundin e filmit, kur personazhi i Selimit vritet..

Sipas një shkrimi të botuar me të dhëna nga Dosja e tij del se zanafilla e kalvarit mban datën e gushtit 1972, pra përpara Festivalit të 11-të, me një karakteristikë të nxirë që gjendej në degën e kuadrit të Komitetit të Partise të Tiranës firmosur nga sekretari i partise i organizatës bazë me inicialet S.B. A e keni parasysh se kush e drejtonte atë kohë Komitetin e Partisë të Tiranës, kush eshte S.B., a kujtoni diçka nga viti 1972 që ka lidhje me dajën tuaj, aktorin dhe regjisorin e shquar Kujtim Spahivogli?

Luljeta Minarolli: Ndoshta këto të dhëna kanë dalë tashti, pasi janë hapur dosjet.. Kujtimin mund ta kenë survejuar, por ai në asnjë rast nuk ishe armik. Çdo gjë mund të jetë e vërtetë, por ishte nën rrogoz sepse deri në 1972 nuk ishte ndjerë asgjë. Në prill të 1972 lindi Ani, familja ishte shume e lumtur. Unë shkoja shpesh sepse kishte ardhur një vajzë e vogël ne shtepi. Çdo gjë ecte normalisht.  Në vjeshtën e vonë të 1973 filloi lufta kundër liberalizmit. Që aty nisin edhe mbledhjet në Institutin e Arteve kundër Kujtimit dhe përfundojnë në Plenumin e 4, kur Enver Hoxha e quan mbartës të liberalizmit. Datat nuk i di me saktësi.

Pas Festivalit të 11-të nisi kalvari per Kujtim Spahivoglin, pasi e shohin si bashkëunetor me Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin. Në nje mbledhje te organizatës bazë te partisë të Institutit të Lartë të Arteve të firmosur nga sekretari me inicialet Xh.S., propozohet që Kujtim Spahivogli të shkarkohet nga detyra e shefit të katedrës dhe propozohet t’i jepet vërejtje me shënim në kartën e regjistrimit e të dergohet dy vjet për riedukim në një teatër në rrethe, por Komiteti i Partisë i Tiranës vendosi që ai të shkonte për riedukim si punëtor bonifikimi në Fier. A e kujton atë periudhë, pasi që keni qenë tepër e re. Kush ishte në krye të Komitetit të Partisë asaj kohe?  Kujtim Spahivoglit i ishte përgatitur largimi prej një viti më parë.

Luljeta Minarolli: Të gjitha këto dihen janë të shkruara dhe të rishkruara, në një intervistë një ish-student, thotë se Kujtimi ishte naiv. Jo, kjo nuk është fare e vërtetë. Kujtimi ishte i drejtë, i ndershëm, i njihte të poshtrit, i përbuzte hapur, madje edhe me fjalë, por nuk mendonte se do bëhej pre e tyre. E konsideronte veten te paprekshëm, shumë i talentuar, shumë i përkushtuar profesionalisht, kishte vetëm suksese, ishte anëtar partie, politikisht i përfocuar, pra nuk mund ta ngiste asnjeri.

Gjithmonë besonte se do vinte dita që ai do rikthehej. Besonte në madhështinë e vet. Një herë më tha: “Të gjithë këta, një ditë do të krenohen që më kanë pasur “të njohur”.
Dhe u vërtetua profecia e tij..

Nga një intervistë e bashkëshortes Vllosava Musta mësohet se ajo shkoi nē KQPPSH të kērkonte ndihmë për Kujtimin, por Sevo Tarifa, sekretari i Enver Hoxhes e priti me këmbët e para dhe i tha se Kujtimin e priste arrestimi. Gjyshja juaj që kishte dhënë aq shumë për lëvizjen antifashiste a trokiti në ndonjë derë?

Luljeta Minarolli: Po është e vërtetë. Ky ishte opinion i përgjithshëm se ”Kujtimin do ta burgosin!”. Edhe ndodhte atëherë! Sevo Tarifa e njihte mirë familjen e Kujtimit. Kishte punuar me gjyshen gjatë luftës.
Gjyshja, grua e zgjuar, aktiviste, e fortë, sikur u shastis nga e gjithë kjo, rrinte me një stol ulur tek dera e shtëpisë në rrugën Hoxha Tasin dhe ndoshta me heshtjen e saj bluante atë që kishte ndodhur. Kurrë nuk e kisha dëgjuar të fliste për atë që ndodhi, veç për ankesa ekonomike.

Sa zgjati periudha e riedukimit e Kujtimit, vetëm si punëtor bonifikimi në Fier punoi apo punoi edhe tjetër kund. Gjatë kohës të dënimit a vinte në Tirane të takohej me vajzën, nënën dhe ju?

Luljeta Minarolli:  Kur e dënuan për “liberalizëm”, “faji” i Kujtimit ishte se nuk kishte plotësuar regjistrat. Dënimi ishte të vihej në dispozicion të Teatrit Popullor. Kur vajti të marrë në Komitet fletën e punës, i thanë se nuk ka vend ne Teatrin Popullor, por do të shkosh në dispozicion të Teatrit te Fierit. As atje nuk e pranuan dhe i thanë do shkosh për riedukim, në shkresë shkruhej për pesë vjet

Zakonisht vinte në Tiranë çdo dy javë, por ndonjëherë edhe çdo javë. Vinte tek ne, sillte rrobat që ia lante mami. Mami shkonte merrte edhe Anin e ia çonte në shtëpi. Kur Ani u u bë 7-8 vjeç, daja e merrte vetë.
Pasi kreu “riedukimin” për 5 vjet dhe nuk kishte ndonjë shenjë që do ta rehabilitonin, Kujtimi e kuptoi se do ta linin përgjithmonëë atje, braktisi punën dhe u kthye në Tiranë.. Gjithmonë besonte se do ta rikthenin ne Teatër.

Kam lexuar shumë për Kujtimin, kudo kam vënë re se atë e deshi i madh dhe i vogël. Kolegët, artdashësit, punetoret kur ishte i denuar – si e shpjegon gjithe kete simpati e respekt për të si një “mit”.

Luljeta Minarolli: Kujtimi ishte kolos si artist dhe shumë njerëzor në jetën e përditshme. Atë e gjeje me mekanikë, punëtorë, njerëz të thjeshtë dhe po ta shihje nuk e mendoje që ky është ai njeriu i madh. Kur punonte për “t’u riedukuar”, njerëzit e thjeshtë me të cilët rrinte e pyesnin:”Pse të kane dënuar ty Kujtimo, ti je rob zoti”. Dhe daja merrte shume gëzim nga dashuria e këtyre njerëzve që kanë qenë miqtë e vërtetë të tij.

Në vitin 2014 u përurua një relief me fytyrën e Kujtimit, punuar nga Mumtaz Dhrami, vendosur në afërsi të urës së Mbrostarit, buzë rrugës për Fier. Me këtë rast, një banor i zonës, dikur punëtor me të si hekurkthyes, që kishte hapur një lokal, shtroi një drekë të madhe për të gjithë të pranishmit, duke quajtur Kujtimin mikun e tij të madh.

Prej 1978 deri 1983, Kujtimi u kthye në Tiranë por ishte pa punë. Ku rrinte? Gjyshja jetonte? E kujton atë kohë? Si mund të lihej pa punë një artist sikur ai?
Luljeta Minarolli:  Ajo ishte koha kur ai ishte pranë nesh më shumë se kurrë. Jetonte me gjyshen në shtepinë në rrugën Hoxha Tasin. Kujtimi pati shumë miq e shokë që nuk iu ndanë për asnjë çast. Më i rëndësishmi prej tyre ishte Ferdinand Radi. Aq e madhe ishte dashuria sa edhe vajzës të parë Ferdinandi ia vuri emrin Andeta, sikur e ka emrin edhe vajza e Kujtimit dhe Vllasovës, që unë e kam si motrën time.

Kujtimi gjente qetësi në familjen e tij. Vinte tek ne me dy pasta në dorë, aq kishte mundësi, dhe kur ngrihej për të ikur thoshte se po i çonte tek Nandi. Një gjest mirënjohjeje e një njeriu që jetonte vetëm me pensionin e së ëmës. Sado përpiqej familja ime t’i jepte diçka, por nuk mund të mbahej gjatë. Ai kishte dhe shumë miq që përpiqeshin ta ndihmonin, por ishte shumë krenar, nuk pranonte. Një herë ishim tek një pastiçeri tek Pazari i Ri. Kujtimi kishte marrë diçka për të pirë. Një dashamirës, i thotë banakieres: “Mos i merr lekë Kujtimit, e ka nga unë”, daja u kthye dhe i tha se “Kujtim Spahivogli, nuk i shtrin dorën askuj”. Edhe kur vinte tek ne në kohën e drekës, mami shtonte edhe një pjatë, kurrë nuk pranonte që mund të mos kishte ngrënë: ”Kam ngrënë, por po e marr që mos ta prish qejfin”.

Dy vitet e fundit i kaloi i metodist ne shtëpinë e kulturës në fshatin e Bërzhitës në rrethin e Tiranës. 15 vjet tortura, largimi nga teatri dhe instituti i arteve, denimi si punetor ne fshatrat e Fierit, shkaterrimi i familjes deri sa dha frymën e fundit në moshën 55 vjeçare duke mos pasur asnjë faj. E kujton atë ditë korriku te vitit 1987?

Luljeta Minarolli: Mami im në tetor të vitit 1985 u operua dhe e diagnostikua me kancer. Atë ditë, ndërkohe që prisnim të dilte mami nga salla e operacionit, Kujtimi nuk po dukej. U shqetësuam. Pas operacionit unë vajta në shtëpi, duhej të përgatitesha të rrija natën me mamin. Ndërkohë bije zilja e telefonit dhe një zë më thotë: “Familje e Kujtim Spahivoglit? Flasim nga spitali, Kujtimit i ka renë infarkt.” U nis në spital dhe daja tjetër.

Ditën që ndërroi jetë Kujtimi, unë isha me nxënësit tek liqeni në kamp veror, organizoheshin në atë kohë. Atje vijnë një grup aktorësh dhe më thonë se duhet të vish, Kujtimi eshtë shumë keq. Nuk di si më kishin gjetur, por mbaj mend vetëm Xhemil Taganin. Kur erdhëm tek ish- kinema Partizani, ata më thane se duhej të shkoja të vishesha në shtëpi. E kuptova që nuk jetonte më. Një vit e gjysmë më parë kisha humbur mamin, në moshën 52 vjeçare.

Kur shkuam tek shtëpia e dajës, në fund të Tiranës së Re, sapo ishte larguar mjeku që kishte konstatuar vdekjen. Kujtimi dergjej në toke dhe në dorë mbante ilaçet e zemrës.

E kishte gjetur ashtu Ani, vajza 15- vjeçare. Ai nuk iku, e vrau regjimi. Ishte shumë krenar për të shprehur dhimbjen, por zemra nuk ia duroi. Dhe ishte vetem 55 vjeç.

Çfarë u bë me shtëpine e gjyshes, ku lindën dhe u rriten tre fëmijet, Kujtimi me vellain dhe motrën, zysh Dhuratën, mamanë tuaj, që ishte baze e levizjes antifashiste në rrugën Hoxha Tahsin. Kush jeton aty tani?

Luljeta Minarolli:  Në 1982, kur Kujtimi ishte ende i papunë, pa ndonjë vendim Komiteti, pa asnjë copë letër, vjen njëë person që merrej me lagjen dhe lajmëron se shtëpia do të prishej. Ishte një tragjedi e vërtetë. Erdhi kamioni mori gjyshen time dhe e çuan në një apartament të vogël, atje ku u gjet pa jete Kujtimi. Aq i madh ishte hidhërimi i gjyshes sa humbi mendjen dhe ndërroi jetë pak muaj me vonë, në mars 1983.

Kujtimi që nuk e pranonte dot prishjen e shtëpisë, për ditë me rradhë flinte në renojat e saj, tragjedi. Në 1988, në atë truall filloi ndërtimi i një pallati nga punonjës të Uzinës së autotraktorëve. Tre vjet më parë ne morëm një kompensim për truallin,

Kam dëgjuar se aq respekt dhe simpati gëzonte Kujtim Spahivogli sa ditën e varrimit, Teatri anulloi shfaqjen, po keshtu edhe estrada dhe cirku, a mori shumë pengje me vete Artisti i madh?
Luljeta Minarolli:  Ajo ishte një ditë shumë e trishtuar, mbushur me emocion dhe dhimbje dhe une nuk i mbaj mend keto hollësi. Di vetëm qe ishte një varrim madhështor, nuk kisha pare ndonjëherë aq shume njerëz. Gjatë 7 ditve, siç ishte zakoni, aty pashe te vinin njerëz tufa tufa, SI DUKET VDEKJA E KUJTIMIT UA KISHTE VRARË FRIKËN

Kujtimit ia shembën të gjitha karierën, ëndërrrat, familjen dhe në fund jetën. A mund të jenë indiferent shqiptarët me mijëra e mijëra jetë të shkatërruara nga regjimi mizor?

Luljeta Minarolli: Daja u bë tjetër njëri kur u martua. Nga një beqar moskokëçarës, që gjente çdo gje gati, filloi të merrej me probleme që ka njeriu në familje. Një herë gatoi Sova (Vllasova)  byrek dhe ky, që nuk dinte ku ishte furra, e mori tepsinë dhe me shaka bërtiste nëpër lagje se sa e veshtirë ishte të ishe burrë i martuar se duhej të çoje edhe byrekun në furrë.  Kishte shume humor dhe nuk e kuptoje nëse mërzitej ndonjëherë apo jo. Jeta e një artisti të madh, e një fenomeni, e një njeriu të gjitha shkuar dëm, vrarë nga regjimi. Kush i harron bëmat e atij regjimi është njeri pa gjak. Kam përshtypjen se ne shqiptarët kemi memorie të shkurtër.

Sa zgjati periudha e suksesit dhe e lumturisë e Kujtimit, periudhë gjatë së cilës ai krijoi edhe familjen, u martua me Vllosavën dhe lindën vajzën?

Luljeta Minarolli:  Kujtimi ishte një talent i lindur , një punëtor i jashtëzakonshëm për profesionin e tij dhe nga 1956, kur mbrojti diplomën deri kur vuri në skenë dramën e Majakovskit “Banja”, që godiste burokracinë në pushtet që ishte edhe shfaqja e fundit e tij, karriera profesionale pati vetëm ngritje. Një parantezë. “Banja” është vënë në skenë në sallen e Akademise se Arteve  në korrik të vitit 2000 me regji të Altin Bashës në  nder të Kujtim Spahivoglit. – (13 Korrik 2000). Për “Banjën” Kujtimin e akuzuan edhe mbledhjet e Institutit të Lartë të Arteve.

Nga bisedat me aktorë, atë e cilësojnë si fenomen në artin skenik shqiptar.

Megjithëse beqaria i zgjati, daja mbeti deri në fund një djalosh me shpirt rinor. Më kujtohet që erdhi dhe më tha se ishte njohur me një vajzë të talentuar, poeteshë nga Gjirokastra, që studionte në vitin e fundit për gjuhë-letërsi. Unë isha gjimnaziste. E solli per vizitë në shtëpinë tonë dhe ne u miqësuam shumë. Dilnim të dyja, shkonim në kinema, estradë. Daja bëri dasmë të madhe, unë isha krushkë në Gjirokastër, me dajën e madh dhe të shoqen. Pastaj erdhi Andeta, emrin ia vuri Kujtimi, në kujtim të muajit të mjaltit kaluar anes detit, Kujtimi ishte dashnor i detit. Po ta kërkoje në verë e gjeje vetëm buzë detit. Ishe nje çift i sapomartuar, sapo ishin bërë prindër, lundronin në qiellin e shtatë, por tak lumturia e tyre, këputet në mes!  Sova 24 vjeç, me një fëmijë të vogel, me një presion psikologjik të jashtëzakonshëm kudo, shoqet e punës, njerez të afërt…

Kam lexuar se djali i Anit, vajza e Kujtimit, e ka amrin Tim, pra mban emrin dhe i ka sytë e kaltër si të gjyshit, po talentin e tij e ka?

Sytë e kaltër, Kujtimi dhe mamaja ime, i kishin trashëguar nga gjyshja e tyre. Ajo ishte turke nga Stambolli dhe kishte fytyrën ngjyre gruri, me sy te kaltër, si xixa. As fëmijët e saj, nuk i trashëguan ata sy si xixa, por asnjë e nga ne të brezit të tretë. Vetëm daja, mami im dhe Timi i ka bojë qielli, si xixa.

Timi, kur ishte i vogël me syçkat si të Gjyshit të tij Kujtim Spahivogli

Qeverisja antikombëtare e Edi Ramës shembi Teatrin Kombëtar dhe Teatrin Eksperimental që mbante emrin e Kujtim Spahivoglit. Të dy monumente të kulturës shqiptare qe i kishin rezistuar tërmeteve që u shembën me aq barbari sikur jeta e pafajeshme e artistit te madh e shume e shume kolegëve të tij. Apo jo?

Luljeta Minarolli:  Shembja e teatrit ishte jo vetëm një krim kombëtar kundër kulturës, trashëgimisë, por edhe goditje për nostalgjinë e brezave e gjithë brezave. Për mua, ishte një dhimbje tmerrësisht e madhe tek shikoja makinën shkatërruese që tërhiqte zvarrë suvanë e teatrit Eksperimental që mbante emrin Kujtim Spahivogli.

Por edhe diçka tjetër. Në hapësirën midis dy ndërtesave, në korrik 1992, me rastin e 60-vjetorit te lindjes së Kujtimit dhe 5-vjetorit të vdekjes, me kujdesin e Ferdinand Radit, u mboll një pemë me emrin e Kujtim Spahivoglit dhe nga një pemë për të gjithë aktorët e Teatrit që nuk jetonin më. Me duket se mbjellja e tyre vazhdoi sa herë qe largohej nga kjo jetë një aktor(e). U shkatërrua edhe ky oz përkujtimor i figurave të ndritura të artit skenik.( Por mos mërzitemi se kemi shtëpine me gjethe…).

Kujtim Spahivogli ishte daja e regjisorit aq të talentuar Artan Minarolli, vëllait tënd, i cili u nda papritmas nga jeta duke u gëdhirë 31 dhjetor i vitit 2015. Artani e trashëgonte talentin e Kujtimit, filmi me skenarin e tij “Delegacioni” fitoi Grand Prix ne Festivalin e 34-ert  Ndërkombëtar të Varshavës që u shfaq postum ne 2018. A kishte lidhje te madhe mes dajës artist të madh dhe nipit?

Tani kishte lidhje që i vogël me dajën. Kujtimi vinte enkas, me kujtohet, thërriste mamin nga poshtë (ne banonim në katin e pestë të një pallati tek rruga Durrësit , përballë Kafe Florës), dhe i thoshte ta bënte Tanin gati se do ta merrte në ndeshje futbolli, kur luante Tirona, skuadra e zemrës.

Kur Tani ishte në gjimnaz, tek Sami Frashëri, e aktivizuan në një pjesë teatrale. Si duket, dëshira e fshehur u zgjua dhe filloi të këmbëngulë për të ndjekur Akademinë e Arteve. Filloi të mësonte me Kujtimin. Mami ishte e shqetësuar dhe e pyeti dajën: ”Kujtim vlen për teatër ky djalë, apo jo? Ndërkohë Tani kishte mesatare 9.7 dhe mund të kërkonte degë tjetër, Daja, më kujtohet, iu përgjigj: Si mendon ti Dhurata, do ta linte Kujtim Spahivogli nipin e tij të studionte dramë, nese nuk ishte 100% i sigurt se ky vlen?

Dhe koha tregoi se ai ia vlente, u bë regjisor i suksesshëm, por edhe shkrimtar i talentuar. Tani i ngjante shumë dajës në entuziazmin kur tregonte për projektet e veta, entuziazmin kur shkruante diça, entuziazmin dhe këmbënguljen kur punonte. Të dy tregonin plot patos dhe duhej t’i dëgjoje me vëmendje, sepse mërziteshin, njëlloj fare!

Në përfundim dua të shtoj, unë e falënderoj dajën tim për shumë mësime që më ka dhënë, për praninë e tij në jëtën time, por më e rëndësishmja është se më ka falur një motër të pakrahasueshme. Daja e kishte shume merak që unë ta mbaja afër Anin që ishte dashuria e madhe e jetës së tij. Çdo njeri do të ishte e lumtur te kishte një motër si kjo imja. Por këtë dashuri që na lidh të dyja ia dedikoj edhe Sovesqë  ia ka ushqyer që në fëmijëri për mua dhe për Tanin.

Kujtimi dhe Ani disa muajshe

E dashur Luli, të flam shumë për këtë intervistë me kaq emocione. Unë e kam peng që nuk kam mund ta kem parë në skenë Kujtim Spahivoglin, se padyshim që do të isha edhe unë krenare, por kam patur fat të kem njohur Zysh Dhuratën, motrën e Kujtimit mësuesen time të fiskulturës në Gjimnazin Sami Frashëri, një grua e jashtëzakonshme me zemër të madhe, Artan Minarollin, nipin e tij, talenti i të cilit i mungon sot skenës shqiptare dhe ty, mbesën e Kujtim Spahivoglit, që e mban gjithmonë në zemër dajën tënd dhe nuk i harron kurrë vuajtjet e tij!

Uroj që një ditë të jemi bashkë kur të inagurohet Teatri Eksperimental me emrin e Kujtim Spahivoglit, krahas Teatrit Kombëtar, që duhet të jenë identikë me ata që shembi fatkeqësia e shqiptarëve Edi Rama!

Filed Under: Featured Tagged With: Ani Spahivogli, Artan Minarolli, Elida Buçpapaj, Kujtim Spahivogli, Luljeta Minarolli Hana

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT