• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Deputetët e LDK-së do ta votojnë Vjosa Osmanin si Presidente të Kosovës

February 23, 2021 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj*/

Jam duke krahasuar statistikat e zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 me zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kur LDK e kishte projektuar Vjosa Osmanin në postin e kryeministres. Në këto zgjedhje VV mori rreth 220 mijë vota ose 26% , ndërsa LDK 206 mijë vota ose 25 %, me një diferencë shumë të vogël.

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 Vjosa Osmani ishte votuar nga 176 mijë qytetarë të Kosovës duke patur një ndikim direkt në rezultatin e LDK-së që ishte vetëm një hap larg fitores.

Pra 176 mijë qytetarët që votuan Vjosa Osmanin tek LDK më 2019, e kanë rivotuar Listën Guxo të Vjosës tek VV  në zgjedhjet e 2021.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit VV dhe Lista Guxo e Vjosa Osmanit u votuan nga 379 mijë qytetarë ose nga 48 % e atyre që morën pjesë në zgjedhje, ndërsa LDK nga rreth 100 mijë votues ose 13 %.  Dmth VV, falë Listës Guxo të Vjosa Osmanit, fitoi 22 % më tepër se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019.

Nëse këto 22 % do t’i shtoheshin 13 % që ka fituar aktualisht do të përktheheshin me një fitore të qartë të LDK-së, por me një kusht – që kjo parti të hynte në zgjedhjet e 14 shkurtit pasi të kishte kryer katharsis të plotë përmes kongresit të jashtëzakonshëm duke e rikandiduar Vjosën, diçka që nuk ndodhi.

Elektorati i LDK-së hyri në zgjedhjet e 14 shkurtit i zhgënjyer shterrshëm nga të gjitha mashtrimet e lidërshipit të kësaj partie prej 2007 që arritën kulmin me rrëzimin e qeverisë Kurti ardhur në pushtet nga aleanca parazgjedhore LDK-VV si dhe lufta me stil thaçist kundër Vjosa Osmanit nga enturazhi i Isa Mustafës.

Po ju sjell një shembull.

Ju kujtohen sulmet prej rrugaçi të Driton Selmanajt, deputet i LDK-së, kundër Vjosa Osmanit në Parlamentin e Kosovës, kur LDK votoi për rrëzimin e qeverisë Kurti? Për ato sulme Isa Mustafa e gradoi Driton Selmanajn  nënkryeministër të qeverisë ilegjitime të Avdullah Hotit, ndërsa elektorati i LDK-së e ndëshkoi Driton Selmanajn duke mos e votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, sikur ka ndëshkuar shumë deputetë që nuk e respektuan votën e këtij elektorati.

Rrethi i ngushtë i Isa Mustafës ka mbetur kryesisht jashtë parlamentit, përveç Agim Veliut, ministër i Brendshëm, Arben Gashit dhe Armend Zemajt, figura të konsumuara bashkë me Abdullah Hotin. Nga rezultati i zgjedhjeve nuk ka asfare dyshim se nuk gëzojnë aspak simpatinë e elektoratit të LDK-së.

Elektorati i LDK-së votoi masivisht Listën Guxo të Vjosa Osmanit e cila i ka qendruar loyale premtimeve.

Humbja drastike e partisë së themeluar nga Rugova ishte rezultat i humbjes së besimit të elektoratit të LDK-së, që me fuqinë e votës shkaktoi revolucion, duke e detyruar gjithë kryesinë të japë dorëheqjen dhe ta çojë LDK-në drejt kongresit të jashtëzakonshëm.

Kongresi i jashtëzakonshëm do të duhet të jetë një reformim i plotë dhe çlirim i LDK-së nga mendësia dhe metodat autoritariste-uzurpuese të lidërshipit të vjetër drejt një partie me format europian, në gjurmët e themeluesit të saj, presidentit Ibrahim Rugova.

Treguesi i parë i reformimit të LDK-së do të jetë votimi që kjo parti do t’i bëjë Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës.

Nuk ka shans që Kosova të shkojë në një krizë të re numrash, sepse, nëse do të ndodhë që  LDK-ja do të votojë kundër Vjosa Osmanit, atëhere në zgjedhjet e ardhëshme të jashtëzakonshme ky formacion politik do të shkojë drejt shkrirjes nën nivelin e AAK.

Votimi i Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës edhe nga grupi i deputetëve të LDK-së do të jetë shenja e parë se kjo parti i është kthyer pritshmërive të elektoratit të saj.

Elektorati i LDK-së ka një format shumë të përgjegjshëm që meriton nderim!

Ky elektorat e nxori jashtë loje klanin e zi të Isa Mustafës dhe të pararendësit, klan që e kishte marrë peng partinë e Rugovës prej 2007!

*VOAL

Filed Under: Analiza Tagged With: elektorati i LDK-së, Elida Buçpapaj, Vjosa Osmani

Mjerim i politikanëve kosovarë….

February 4, 2021 by dgreca

-që harrojnë se për njohjen e Kosovës nga Izraeli, Shqiptarët duhet t’i jenë mirënjohës presidentit Donald Trump/

Nga Elida Buçpapaj/ 

Më 1 shkurt Kosova dhe Izraeli zyrtarizuan marrëdhëniet diplomatike përmes një ceremonie virtuale nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi ku të dy homologët nënshkruan dokumentin ku shkruhej se Kosova dhe Izraeli vendosën marrëdhënie diplomatike.

Pas një periudhe disa vjeçare në një stanjacion të plotë të diplomacisë të Kosovës, falë politikbërjeve krejtësisht të gabuara nga lidërshipi kosovar që vendosi në peshore interesat personale, në 4 shtator 2020, në mes të pandemisë, në mes të Shtëpisë të Bardhë dhe të Zyrës Ovale ku ishin ftuar në nivelet më të larta shtetërore përfaqësuesit politik të Kosovës dhe të Serbisë, Presidenti i SHBA Donald Trump bëri me dije se pas kontakteve të tij personale me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu ishte rënë dakord që Izraeli të njihte shtetin e Kosovës!

Natyrisht kjo njohje ishte një ngjarja më e madhe e kësaj dekade për Kosovën, për nga rëndësia superngjarje për diplomacinë Perëndimore dhe superlajm për shtypin botëror . Që i atribuohej direkt Presidentit Donald Trump.

Nuk mund të mos marrin me mend se për këtë njohje duhet të kenë qënë të interesuara të gjitha administratat Amerikane prej kur Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008, pra nga administrata e presidentit George W.Bush, në administratën e të cilit Kosova u njoh si shtet i pavarur.

Njohja e Kosovës nga Izraeli është një sukses direkt i presidentit të 45-të të SHBA Donald Trump dhe natyrisht kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.

Njohja e Kosovës nga Izraeli ka rëndësisë e shteve më të fuqishme dhe është një nga shtyllat e fuqishme themelmbajtëse të shtetit të Kosovës.

Janë shumë hebreo-amerikanë që kanë dhënë kontributin e tyre për atë që është arritur sot në Kosovë, emra emblematikë të administratave, politikës të jashtme, diplomacisë dhe të këtij komuniteti në SHBA si Tom Lantos, Madeleine Albright, Wesley Clark, Richard Holbrooke, Elie Wiesel, Johanna Jutta Neumann, Norman Gershman e të tjerë e të tjerë, emra të cilët Kosova duhet t’i ngulë dhe të mos i shqisë kurrë nga memoria e saj historike!

Pikërisht shkak për këtë opinion shërbeu amnezia dhe censura e lidërshipit e diplomacisë kosovare e shqiptare, sepse në të gjitha deklaratat zyrtare të shqiptuara më 1 shkurt 2020 rreth zyrtarizimit të marrëdhënieve midis Izraelit dhe Kosovës pala kosovare shprehu mirënjohjen në mënyrë të gjeneralizuar , kur e ka për detyrim të shprehet në mënyrë eksplicite, se njohja e Kosovës nga Izreali i detyrohet Presidentit Donald Trump i cili në kontakt me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu e arriti këtë sukses madhor!

Periudha 4 vjeçare e presidencës Trump nëse ka qenë e vështirë për shqiptarët, kjo për shkak të kastës me në krye Hashim Thaçin, Edi Ramën, Isa Mustafës and CO të cilët vunë në rrezik integritetin territorial të Kosovës. Kjo kastë në vend që të aktivizonte dhe fuqizonte me figura të reja lobin e mirënjohur shqiptaro-amerikan LQSHA të kryesuar nga ish kongresmeni Republikan Joe DioGuardi afroi tek presidenti Donald Trump njerëzit e Hashim Thaçit, i cili që t’i shpëtonte Hagës ishte i gatshëm ta coptonte Kosovën! Coptimi i Kosovës nuk është fjalë goje, por spiral i ri konflikti.

Kjo është e vërteta, të cilën nuk e shqiptojnë as politikanët e Kosovës, as diplomacia shqiptare dhe as shtypi shqiptar i klientelizuar nga politika e korruptuar.
Shqiptarëve pak duhet t’ju interesojë se cili është President i SHBA, a është Republikan apo Demokrat, sepse për shembull Kosova është një arritje si e presidentëve Republikanë ashtu edhe atyre Demokratë gjithmonë në aleancën Euro-Atlantike dhe të bashkëpunimit të SHBA me BE.

Mjafton të kujtojmë fjalët e ish kongresmenit republikan Joe DioGuardi, që nuk u afrua nga administrata e presidentit Donald Trump, (jam e bindur prej intrigave të shqiptaro-amerikanëve), i cili në 3 nëntor 2020 një ditë para zgjedhjeve në SHBA deklaroi se kësaj here mbështet kandidatin e Demokratëv, por se “Shqiptarët do të kenë miq në Washington D.C. edhe nëse fiton Biden edhe nëse fiton Trump!”

Këto katër vite që lamë pas kanë qenë të vështira edhe për vetë SHBA, (sikur për shqiptarët e gjithë Perëndimin e botën mbarë) nga pandemia Covid 19, nga vrasja e George Floyd, nga protestat Black Lives Matter (BLM), nga vandalizmat ndaj monumenteve e pronës publike e private deri tek sulmi në Kapitol më 6 Janar 2020.

Por nuk është as e para dhe as e fundit herë që Amerika ka zjerë për drejtësi, jo më kot është demokracia më e madhe e botës! Amerika kur bie, ngrihet edhe më lart, gjithmonë falë bipartizanizmit midis Republikanëve dhe Demokratëve dhe anasjelltas.

Mjafton të kujtojmë veprimin e Zvpresidentit Mike Pence më 6 janar të 2021 apo një deklaratë nga Sekretari i Shtetit i sapozgjedhur nga Presidenti i 46-të i SHBA Joe Biden, Antony Blinken, edhe ky me rrënjë hebreje, se “qasja e ashpër të Trump ndaj Kinës,ishte e duhur por taktika e gabuar”.

Ndërsa ne shqiptarët kemi tre detyrime kryesore që duhet t’i përmbushim si strategji kombëtare: t’i jemi mirënjohës SHBA, aleanca me të cilën është jetike, ekzistenciale; së dyti të forcojmë lobin shqiptaro-amerikan në SHBA me personalitete e figura, jo të emëruar nga partitë dhe së treti që është themelore: ta pastrojmë politikën shqiptare, kosovare e maqedone nga kasta e vjetër, kjo gangrenë e korruptuar që është armiku i popullit të vet, sepse i shet interesat e vendit për të përjetësuar pushtetin, duke rrezikuar paqen dhe stabilitetin e rajonit e më gjërë.

Ndërsa urojmë që Presidenti Joe Biden të ndikojë në Vatikan që Papa Françesku të njohë shtetin e pavarur të Kosovës!

Sa më tepër njohje Kosova aq më tepër çlirohet Serbia nga e shkuara e saj….    

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Izraeli, Joe DioGuardi, Papa Françesku, president Donald Trump, SHBA, Vatikan

Komisioni i “tutorëve” të PD preludi i dhurimit të madatit të tretë tiranozaurit të Shqipërisë

January 10, 2021 by dgreca

NGA ELIDA BUÇPAPAJ/

PD është në kulmin e krizës të saj të identitetit prej konsumimit të lidërshipit dhe humbjes së besimit tek elektorati.

Në emër të ndryshimit të PD-së pas zgjedhjeve të 2013-tës, Lulzim Basha bëri një riorganizim me bazë vullnetare të partisë, duke mos përfshirë në listën e deputetëve të asaj kohe majën e kupolës që e zëvendësoi me një prurje të re. Ky riorganizim mbështetej po tek dora e fortë e njëshit, që përpilonte listat e deputetëve, duke eleminuar kështu garën free and fair që nga niveli brenda partisë deri në nivelin e deputetëve.

Prej tetë vjetësh Edi Rama ka eleminuar të gjitha shtyllat e shtetit, ka shfrytëzuar pushtetin për afera gjigande korruptive, ka bërë të nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntat pa hasur asnjë pengesë nga opozita, sepse opozita ka krizë përfaqësimi.

E vetmja opozitë ka qenë ajo e organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, kjo zyrtarja është pa gojë e pa zë, sepse zëri i saj është i pabesueshëm!

Tiranozauri i Shqipërisë do të jetë deri sa opozita do të mbetet një hardhucë, pa emra, pa identitet, pa kauza, pa kredibilitet tek elektorati!

Kjo opozitë, përfshirë edhe Jozefina Topallin me shokë po i japin mandatin e tretë Edi Ramës, duke e rrezikuar të ardhmen e Shqipërisë.

Por veprimi më arbitrar, i ndërmarrë nga lidërshipi i PD është krijimi i një pseudoforumi ilegjitim i ashtuquajtur “Komisioni i vlerësimit të kandidaturave në PD”, ku Lulzim Basha riciklon emra si Besnik Mustafaj, Mark Marku, Genc Ruli që i përjashtoi më 2013. I katërti i këtij komisioni Bujar Nishani deri më 2017 ishte presidenti i Republikës!

Ky komision nuk gëzon respekt në opinion dhe ka fytyrën e një komisioni tutorësh, duke i dhënë këtë fytyrë edhe PD-së.

Kam dëgjuar se ky komision ka përjashtuar Dr.Halim Kosovën, sikur përjashtoi edhe historianin e njohur Romeo Gurakuqi!

Është e papranueshme që fytyra të PD-së të konsumuara nga ndryshku i lluksit të pushtetit, të shkaktojnë  kataklizmën e partisë! Një akt që duhej të shmangej!

Tutorët dihet se do të zgjedhin profile që i shkon për shtat tutorizmit të PD dhe jo interesit kombëtar të shqiptarëve!

Nëse në derën e PD qëndrojnë këta katër tutorë, askush nuk do të dëshirojë as të trokasë dhe as të jetë pjesë e kësaj partie!

Sot luhet fati i Shqipërisë! Nëse do të kthehet definitivisht një Republikë Banane apo do të dalë nga vorbulla ku e ka futur kasta politike.

Duket sikur ka një marrëveshje të heshtur midis dy anëve të monedhës, kastës që riciklon pushtetin këto tre dekada duke e kapur shtetin dhe degjeneruar përfundimisht sistemin demokratik!

Komisioni i tutorëve në PD është barrierë për ta kthyer në zero efektin e reformës së sistemit zgjedhor, sepse përjashton të gjithë ata emra që kanë personalitet, integritet dhe simpatinë e elektoratit.

Integriteti i kandidatëve për deputetë është kompetencë e institucionit përkatës, jo e një komisioni ilegjitim, emrat në përbërje të të cilit nuk gëzojnë asnjë lloj reputacioni as në opinionin publik dhe as në elektorat.

Jemi në gjysmën e parë të janarit e zgjedhjet janë tek dera.

Nëse populli kërkon ndryshim, duhet ta dijë se kjo opozitë e paralizuar nga brenda, është në shërbimin e uzurpatorit të të gjitha pushteteve dhe po përgatitet t’ia dhurojë në tabaka mandatin e tretë tiranozaurit Edi Rama.

Kjo është e vërteta!

Filed Under: Analiza Tagged With: Elida Buçpapaj, Komisioni I tutoreve, PD, tiranozauri

Emri i Vjosa Osmanit rimon me liri, shpresë, shtet të së drejtës në Kosovë, Shqipëri & Ballkan

December 20, 2020 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Vizita triditore e Vjosa Osmanit në Tiranë shkaktoi tronditje.

E tronditi nga themelet Tiranën e tiranozaurit!

Solli një klimë tjetër, doli jashtë habitatit të kënetës, ujit të ndenjur .

Vjosa Osmani foli me një zë tjetër, larg zhargonit hipokrit të politikanëve shqiptarë, që tjetër thonë e tjetër bëjnë!

U shpreh shqip, pa nënkuptime,duke i turbulluar tryezat e bandave të opinionistëve që përsërisin me mendje “Big Brother is watching us” –

prandaj “gomari fluturon”, “liria është skllavëri”, “injoranca është forcë”, tekstualisht si tek Viti 1984 i George Orwell-it.

Vjosa Osmani solli në mes të Tiranës dhe në mes të Kuvendit të Shqipërisë vizionin jo futurist por të së ardhmes;se e ardhmja e politikës duhet të jetë patjetër e pastër, me integritet, që të ketë të ardhme!

Prania e Vjosa Osmanit në Tiranë e theu klishenë e takimeve të klasës të politikanëve zgjyrë që ua kanë shkatërruar jetën shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë.

Ishte krejt ndryshe vizita e saj nga takimet e Edi Ramës me Hashim Thaçin, me këshilltarin e përbashkët Baton Haxhiu, lidhje morboze homologësh, që sillnin jehonën e bashkim-vëllazërimit, duke i hequr Kosovës copa e duke e kthyer rajonin e Ballkanin nën rrezik të një lufte të re!

Vjosa Osmani foli 14 minuta, të sinqerta, me zemër në dorë dhe i tha të tëra, foli për dramat ndërshqiptare, për luftën e Kosovës me 13 mijë viktima të pafajshme, shumica të shtresës vulnerabël, civilë, fëmijë, gra e pleq, 1600 viktima ende të pagjetur, foli për Nënat Kosovare që kanë 22 vjet që presin, pastaj kërkoi rezolutë të përbashkët për genocidin serb, pastaj foli për “traun” midis Shqiptarëve.

Lufta e 1998-1999 e shembi “Murin e Berlinit” ndërshqiptar, ndërsa Edi Rama ngriti traun!

Edi Rama e ka personalizuar veten me traun!

Thuaj Edi Rama nënkupto tra, thua tra nënkupto Edi Rama!

A nuk është hipokrit Edi Rama si gjithë kasta e vjetër, halldupë xhepafryrë nga vjedhjet dhe poshtërsitë ndaj popullit?!

Këtej krijon barrierë të ekonomisë së tregut të lirë me tra ndërshqiptar, këtej i bën jehonë MiniShengenit!

Këtej nga ana e Shqipërisë Edi Rama ngre tra për Kosovën, ndërsa ana tjetër ia hap dyert Serbisë me Minishngen sipas shpikjes së Aleksandër Vuçiç!

Por Vjosa Osmani i tha se kështu nuk shkon!

Ballkani do paqe, por paqen nuk e vendosin dot liderë të komprometuar dhe të konsumuar që shesin edhe paqen, edhe Atdheun për interesa vetjake!

Paqen e vendosin liderët si formati i Vjosa Osmanit, që kërkojnë barazi dhe reciprocitet për të gjithë banorët e Ballkanit, duke ua hequr shqiptarëve vulën si qytetarë të dorës të dytë, të cilëve një kryeministër faqezi u vendos edhe tra dhe i ndan në mes!

Vjosa Osmani e tronditi Tiranën pa shtet të së drejtës, pa shtyp të lirë, Vjosa Osmani e tronditi të shkuarën dhe të tashmen pa të ardhme të kastës politike shqiptare.

Prandaj Vjosa Osmani ka fytyrën e së ardhmes, së cilës populli i Kosovës ia beson votën dhe ajo ia mban popullit të Kosovës premtimet –Vjosa Osmani nuk i ka shitur kurrë premtimet që i ka dhënë sovranit me një post ambasadoreje në New York apo Romë; apo me një post ministror në Prishtinë –

Vjosa Osmani është kjo që shihni, ajo është ato që thotë, ato që bën.

Vjosa Osmani nuk mashtron, nuk e shet integritetin e saj.

Vjosa Osmani ka një edukim dhe formim të shkëlqyer në SHBA, ka një eksperiencë të shkëlqyer në politikën e Kosovës, ka një lidhje të pandarë me sovranin e Kosovës!

Kosova ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Shqipëria ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Ballkani ka shpresë deri sa ka figura të tilla si Vjosa Osmani!

Sepse Vjosa Osmani mbjell paqe, liri dhe shtet të së drejtës!

Vjosa Osmani dhe liria janë në sintoni të plotë, si dy emra sinonime.

Sepse liria është themeli i barazisë, reciprocitetit dhe vëllazërimit, si qytetarë të Ballkanit, si ballkanas, si qytetarë të Europës, si europianë si qytetarë të botës.

Liria na takon të gjithëve – sikur thotë Paul Eluard tek poezia La Liberté – .

Liria ka fuqinë që të rilind, që të bën t’ia nisësh jetës nga e para,

dhe secili prej nesh ka lindur dhe ka të drejtë supreme për ta njohur lirinë!

Filed Under: ESSE Tagged With: Elida Buçpapaj, Shprese, Vjosa Osmani

TAKIMI I POETEVE AZEM SHKRELI ME VEHBI SKENDERIN

December 8, 2020 by dgreca

–E falenderoj veprimtarin Sallah Jonuzi për këto foto të takimit të poetëve Azem Shkreli me Vehbi Skënderin–

Shkruan:Nga Elida Buçpapaj-

Këto dy foto i ka publikuar  veprimtari i çështjes kombëtare  në Zvicër Sallah Jonuzi.

I takojnë majit të vitit të mbrapshtë 1997.

Dega e LDK-së në St. Gallen do të organizonte asaj kohe promovimin e librit të poetit Vehbi Skënderi “Bëjmë Sikur”,

Në takim do të merrte pjesë edhe poeti i shquar nga Kosova Azem Shkreli.

Azem Shkreli kishte lindur në Rugovë të Pejës për të cilin Atdheu ishte dheu i birit, atit e shpirtit të shenjtë.

Vehbi Skënderi i lindur në malësinë e Gorës gjithë jetën i ishte lutur Zotit që ta linte gjallë deri sa ta shihte Kosovën e lirë.

Në një ditë maji të vitit 1997 buzë Liqenit të Kostancës, komunitetit shqiptar në Zvicër organizoi në mënyrë të shkëlqyer takimin e dy poetëve.

Merita i takon veçanërisht LDK-së të asaj kohe.

Azem Shkreli dhe Vehbi Skënderi kishin midis një kohë të ndaluar, të ndarjes të shqiptarëve për së gjalli, që do të deshnin ta mbushnin.

Të pinin mijra kafe e çaje që do t’i kishin pasur për t’i pirë gjatë viteve të Murit të Berlinit ndërshqiptar, në kafenetë e Tiranës apo Prishtinës,

të flisnin me mijra orë që do t’i kishin folur, të recitonin pa rreshtur poezitë e njëri tjetrit për fituar kohën e humbur.

Më 1994 Vehbi Skënderit, falë vlerësimit të shkrimtarëve të Kosovës, iu dha çmimi i parë edhe në Festivalin e Ditëve të Naimit në Tetovë,

që asaj kohe kishte startuar si aktivitet mbarëkombëtar i poezisë shqiptare.

Por ai maj i vitit 1997 do të ishte i fundit i jetuar në tokë për Azem Shkrelin.

Ajo rrokje duarsh me Vehbi Skënderin po e fundit.

Ne patëm fatin ta takonim Azem Shkrelin po gjatë asaj pranvere të mallkuar, në një takim me lexuesit ku ishte e ftuar edhe Flutura Açka

duke shkëmbyer trishtimin e asaj që po ndodhte mes shqiptarëve në Shtetin amë.

Ka një poezi Azem Shkrel ku shkruan:

Sonte

qava sonte për ty
Arbëri

Nuk më vjen turp
pse qava
më vjen turp pse s’munda
të bëj tjeter

Nga turpi qava.

Me plagë në shpirt do të ishte edhe Vehbi Skënderi ato ditë të fundshekullit XX, kur ngjante se fati i shqiptarëve ishte i pafat,

Vehbi Skënderi që e kishte vuajtur gjithë jetën braktisjen që iu bë Kosovës,

kishte frikë se mos historia përsëritej

pasi më 1998 nga njëra anë shqiptarët luftoheshin midis veti,

nga ana tjetër Milosheviçi përgatitej t’i çrrënjoste në Kosovë.

Prandaj do të shkruante:

“Nga ferri dole Ti, Kosovë! Lart na ngrite
Ti më e mira nënë, në Altarët e këtij Tempulli.
Thua prap po të lemë në tym, pa fije drite:
Në këtë mbarim dite e këtë mbarim Shekulli?”

Janë ca kohë që rrezikohen të bien nën dominimin e fataliteteve.

Dhe që dalin prej zonës të predestinuar, vetëm kur e merr fjalën fuqia supreme.

Poetët janë njerëzit më të afërt të Zotit, sepse e kanë ndërgjegjen të kulluar,

këtu dallohet poeti nga turmat dhe amatorët –

por “Zoti është poeti perfekt” thotë Robert Browning një nga poetët më të shquar të periudhës viktoriane.

*******

Sot 23 vjet larg asaj date, dua të kujtoj se komuniteti shqiptar asaj kohe kishte një organizim të mbështetur në vlerat e kulturës dhe të patriotizmit.

Ishte ky komunitet që paguante 3 %, që kishte startuar  me LAPSH-in, hapjen e Shkollës Shqipe për mësimin e gjuhës amtare,

ishte ky komunitet që mbështeti si rrallëkush liderin europianist Ibrahim Rugova,

ishte po ky komunitet nga rradhët e të cilit dolën strategët e UÇK-së si Agim Ramadani me shokë.

Komuniteti shqiptar në Zvicër mbante një peshë të madhe, peshën e maleve, me njerëzit më të mirë, ku të gjithë sakrifikonin për idealet Perëndimore, kulturë e edukim.

Sot mjerisht ky komunitet është më i përçarë se kurrë,

faktori politik e ka defaktorizuar, duke promovuar antivlerën, interesin ndaj fitimeve pa meritokraci, një copy paste sikur ndodh në Shqipëri dhe Kosovë.

Shqiptarët kanë përjetuar diktaturën, pushtimin dhe tash shtetin e kapur prej krimit dhe korrupsionit.

Nga dy fatalitetet e para është çliruar,

padyshim që do të çlirohet edhe nga fataliteti i tretë, sepse shqiptarët meritojnë të fitojnë dinjitetin e mohuar si nga diktatet e konjukturave të historisë,

edhe nga diktati i një kaste politike të degraduar nga abuzimi

që ua ka humbur e çuar kohën dëm shqiptarëve.

Shqiptarët kanë tejkaluar rreziqe në dukje të patejkalueshme.

Albert Camus, një fuqi e jashtëzakonshme e mendjes njerëzore shkruan:

“Në mes të dimrit

unë më në fund zbulova

se brënda meje ishte

një verë e sigurt, e paprekëshme”.

Fjalë kyçe: Vehbi Skënderi, Elida Buçpapaj, IBRAHIM RUGOVA, Zvicër, AZEM SHKRELI, AGIM RAMADANI, eprorë të UÇK-së, Robert Browning, St Gallen, Bëjmë sikur, Sallah Jonuzi, komunitetit

Filed Under: ESSE Tagged With: Azem Shkreli, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova, VEHBI SKËNDERI

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 5
  • …
  • 58
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Neuroshkenca e Reziliencës së Stresit te Studentët: Rishikim literature (2020-2023)
  • Pse nuk jep Lajçaku dorëheqjen nga posti i ndërmjetësuesit?
  • Presidentja Osmani në pritjen e Presidentit Biden: Themelet e lirisë dhe shtetësisë së Kosovës janë në aleancën e përhershme me SHBA-të
  • Kryetari Glauk Konjufca: Gjuha e urrejtjes po sfidon secilin shtet të botës
  • KËRKESA E SINQERTË PËR FALJE SI URË DREJT CIVILIZIMIT PERËNDIMOR
  • Censura studimore dhe politika në një kontent historik
  • VATRA priti kryetarin e Komunës së Prishtinës z.Përparim Rama
  • Presidentja Vjosa Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
  • SOT NË ORËN 12.30 PM, ISH-PRESIDENTI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Z.BEHGJET PACOLLI VIZITON VATRËN
  • Shqipëria në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
  • NJË VEPËR ESESH DINAMIKE
  • Në 25 vjetorin e rënies, përkujtojmë heroin Fehmi Lladrovci, ideologun dhe strategun e UÇK-së
  • Atje ku viti i ri  që po vjen nuk do të jetë 2024
  • SHËNIME NGA LUFTA E KOPLIKUT 1920
  • Narcisi i shekullit të 21-të

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT