
Nga Eliton Baba Pashaj/
Xhevat Kallajxhiu është ndër njerëzit e rrallë të Shqipërisë, i cili sikundër disa nga personalitetet më të njohura të dijes shqiptare e ndau jetën e tij mes dy kontinenteve, Shqipërisë dhe Amerikës. Duke qenë një shqiptar i vërtetë, një atdhetar i lidhur fort me vendin e tij, me historinë e hershme të Shqipërisë dhe me vendlindjen, ai kudo dhe kurdo mbajti lidhje të forta me atdheun, me njerëzit, me fatet e kombit. Një njohës i mirë i historisë në thelbin e saj, një histori që është e lidhur fort me sakrificat njerëzore ndër shekuj, me gjakun dhe djersën e mijërave që kanë vënë jetën e tyre në kurbanin e mbijetesës së Shqipërisë, Xhevat Kallajxhi e ktheu në një mënyrë jetese këtë sakrificë dhe njohjen e madhe që ai kishte për njerëzit dhe ngjarjet madhore të atdheut të tij. Kjo lidhje e fortë, ky përjetim i thellë i një morali prej luftëtari dhe intelektuali dijeplotë, e bënë Xhevat Kallajxhiun të gjente gjithmonë një rast, një mundësi, një detaj dhe një formë të komunikimit me atdheun. Dhe jeta e tij mbeti e tillë, një luftëtar i skalitur në të gjitha mënyrat e sakrificave që kërkon atdheu dhe që mund t’i bëjë një njeri i denjë shpirtërisht dhe moralisht.
Të njehsuar me çdo lëvizje kombëtare në shekujt e nëntëmbëdhjetë dhe të njëzetë në Jugun e Shqipërisë, brezat e Kallajxhinjve, me një edukim shpirtëror të mirëfilltë bektashian, pa zhurmë e bujë, përmes një përulësie të mahnitshme që të dhuron ky tarikat i Islamit, u përpoqën dhe vendosën zemrat e tyre, forcat e tyre, sakrificat sublime me përbërje të betejave për formimin e identitetit tonë. Me të drejtë historiografia shqiptare ka shënuar se “zgjimi i ndjenjave kombëtare në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë në trevën e Gjirokastrës lidhet me dy emra të mëdhenj bektashian Shefki Kallajxhiu dhe i krishteri Koto Hoxhi nga Qestorati. Këta të parët dhe të tjerë pas tyre, e kuptuan se përpara se të ishin të krishterë apo myslimanë nën zgjedhën otomane, vinin nga një histori iliro – shqiptare dhe kishin një gjuhë e një farë, prej Mitrovice në Prevezë…”.
Fëmijëria e Xhevatit, do t’i kapërcente kufijtë gjeografikë të qytetit, përmes përshkrimeve të të atit, Rasim Kallajxhiu, i cili ndonëse kish shërbyer në disa qendra të zhvilluara të perandorisë otomane, u kthye në atdhe për të dhënë kontributin e tij atdhetar. Por ajo, çfarë mendoj se ka mbushur me kuptim dhe dashuri për dijen, jetën e Xhevat Kallajxhiut, është padyshim dita fatlume kur u takua me vërsnikun e tij, shenjtorin baba Rexheb, krijuesin, frymëzuesin dhe mësuesin shpirtëror të mijëra shqiptarëve brenda viseve shqiptarë, deri këtu në teqenë bektashiane të Detroitit – Michigan. Qysh nga mosha dhjetë vjeçare dhe derisa u larguan nga kjo botë e përkohshme këta rrëfyen besnikërinë e tyre të përjetshme ndaj besimit, ndaj detyrave kombëtare, ndaj njëri – tjetrit. Unë besoj se ende sot, ata shëtisin së bashku në kopshte të xhenetit, si shembulli i shkëlqyer i trashëgimisë së tarikatit të rrëfyer në ajetin kuranor: “Ashtu siç ju ka krijuar, ashtu edhe do të ktheheni tek Ai…”
Pjesa e parë e jetës së tij është e lidhur fort me zhvillimet sociale, politike dhe kulturore të vendit të tij, ku dhe kaloi një pjesë të jetës. I lindur në Gjirokastër në vitin 1903, Xhevat Kallajxhiu nëpër fëmijërinë e tij ka prekur realitetin e ngjarjeve madhore të vendit të tij, që nga Pavarësia (1912), luftërat e shumta në Veri dhe në Jug që i paraprinë Pavarësisë së Shqipërisë, pastaj Lufta e Parë Botërore, e cila përmes pushtimit nga Italia të Jugut të Shqipërisë e preku mjaft rëndë Shqipërinë, dhe në moshën rinore ka përjetuar Luftën e Vlorës, Kongresin e Lushnjës, ngjarjet e vitit 1924, atë lloj pluralizmi që u krijua gjatë kësaj kohe në Shqipëri. Ai jetoi Mbretërinë, prerjet e caktuara kulturologjike shqiptare, zhvillimet politike me krahët politik të majtë dhe të djathtë, pushtimin fashist të vendit në vitin 1939, dhe ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 Kallajxhi ishte 42 vjeçar, një burrë i pjekur dhe një njohës i mirë i gjithë asaj që kishte ndodhur në Shqipëri.
Xhevati ynë qysh herët, përmes botës së letrave, kish kaluar në radhët e atyre atdhetarëve, që u shndërrua në interpret të mendimit dhe veprimit të ndjenjave kombëtare, madje me një perceptim të qartë për të ardhmen e vendit, kështu që largimi i tij nga Shqipëria, për shkakun e luftës politike në vend ku ai ndjehej i rrezikuar, ishte i dhimbshëm por i detyruar. Gjatë gjithë kësaj periudhe të zhvillimeve të mëdha, në hapësirën e viteve 1900-1945 nga gjithë faktorët politik, kulturorë dhe shoqërorë, Shqipëria kishte shpalosur një dëshmi të veçantë të shtresave të popullsisë, të klasave, qëndrimet, rrymat politike dhe kulturore, raportet dhe marrëdhëniet me të huajt dhe tendencat e zhvillimit. Kështu që për një njohës të mirë si Kallajxhiu, kjo tablo disa herë rrëqethëse ishte një mësim i rëndësishëm, të cilin ai e ruajti gjatë gjithë jetës.
Largimi i Xhevatit nga atdheu, në nëndorin e vitit 1944, së bashku me Mid’hat Frashërin, baba Rexheb Beqirin, imam Vehbi Ismailin dhe dhjetëra personalitete të tjerë të nacionalizmit shqiptarë, nuk ishte vetëm i dhimbshëm. Ashtu siç provuan kohërat pas kësaj tragjedie, misioni i mërgimtarëve u shndërrua në një zë të fuqishëm, therës, për çfarë ndodhte brenda telave me gjemba të diktaturës komuniste, e cila nuk kish asgjë të përbashkët me ëndrrën e evropiane të bashkëkombësve të tyre në mjerim. Zëri i këtyre mërgimtarëve, i përcjellë plot seriozitet dhe kërshëri nëpër dyert e kancelarive evropiane deri këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpesh herë ka qenë i vetmi akt proteste që lidhej me aspiratën e shqiptarëve për të drejtat esenciale njerëzore dhe demokraci. Brenda këtyre zërave, ai i Xhevat Kallajxhiut, ka spikatur për tonet e duhur kombëtarë, për mirënjohjen e thellë ndaj SHBA, për kurajën qytetare në kërkim të lirisë universale.
Shpesh, në faqet e shkruara prej penës së tij, shfaqet edhe një përmasë tjetër, ajo e nënshtrimit trishtues përballë fatit njerëzorë. Për Xhevatin, të rritur përmes kumteve bektashianë, të mëkuar me atë dashuri për vëllazërinë e Hakut, është plotësisht e kuptueshme se jeta e kësaj bote, është vetëm një akt i dramës ngjethëse që ka lindur përpara lindjes dhe vazhdon përtej vdekjes. Ndërsa bashkëkombasit e tij, ata, nacionalçlirimtarët bolshevikë, nuk kanë kuptuar asgjë prej këtyre gjendjeve hyjnore dhe “si Juda do të dëgjojnë në shpirt vuajtjet e mëkateve dhe nën kulmin e dëshpërimit do të bredhin andej – këtej, të ndjekur vazhdimisht nga britmat e një populli të tërë dhe nga mallkimi i të vdekurve, viktima të terrorit të tyre…”. A nuk thuhet për mëkatarët: “Dëshmitë e tyre do të shkruhen dhe ata do të merren në pyetje.”
Xhevat Kallajxhi kishte qenë gjithherë një njeri i lidhur fort me lirinë dhe fatet e vendit, një person aktiv në luftën për çlirimin vendit nga pushtuesi, por dhe një njeri i hapur për vlerat, të cilat ishin në të gjithë anët e politikës dhe të kulturës. Dhe pse ishte i larguar nga Shqipëria, në kohën kur i duhej më shumë vendit, ai kishte lënë mjaft nga vlerat e tij në Shqipëri, për t’u marrë më fondamente të rëndësishme po kaq dhe në SHBA-të, ku kaloi pjesën tjetër të jetës dhe ku zhvilloi më tej personalitetin dhe profilin e tij prej publicisti, gazetari, monografisti, poeti dhe intelektuali, zemra e të cilit rrahu deri në çastet e fundit për fatet e atdheut.
Duke u larguar nga Shqipëria, Kallajxhiu mori më vete virtytet e çmuara të shqiptarit, mendjen e kthjellët për të kuptuar se ku e kishte burimin liria e njerëzve, në kushtet e një zhvillimi absurd të luftërave dhe burimin e dijes, nevojës që shqiptarët kishin për tw thithur ajrin e shëndetshëm të dashurisë për njëri – tjetrin si edhe për arsim e kulturë. Këta universe të përgjegjshmërisë nacionale të cilat i shërbyen gjatë gjithë jetës ishin Amerika, një mbrojtës dhe trashëgues i padiskutueshëm i lirisë së popujve dhe shkolla, e cila e kishte lidhur shumë me besimin bektashi, për të cilin do të kontribuonte gjatë gjithë jetës.
I dalluar në brezin e atdhetarëve të asaj periudhe Xhevat Kallajxhi, përveç punës si gazetar, publicist, kontribues vlerash në komunitetin shqiptar në Amerike për nismat në mbështetje të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, rrëfen thellësisht tiparet si studiues, monografist dhe poet. Rreth këtyre tri fushave të veprimtarisë dhe kontributeve të Kallajxhiut edhe ne do të reflektojmë idetë dhe mendimet e kthjellëta përmes të cilave arriti deri në majën e medies amerikane për një kohë relativisht të shkurtër.
Ndërkaq, nuk ka asnjë dyshim pse Kallajxhi kishte një raport jo të mirë me politikën që ndiqej në Shqipëri gjatë kohës që ai punonte në kryeqendrën e mendimit politik dhe gjeo-strategjive politike të globit, në Zëri i Amerikës, pasi në një lloj kuptimi edhe ai ishte njëri nga viktimat e sistemit politik që ishte instaluar në Shqipëri pas vitit 1945, por në çdo rast, në mendimin e tij shfaqet gjithmonë koncepti fondamental i shtetit amerikan, ai që lidhet me lirinë njerëzore, ku sistemi demokratik është shprehje e mundshme e demonstrimit të saj.
Konceptin mbi lirinë, e cila buron nga historia e vetë Amerikës dhe që e kanë jetësuar njerëzit e këtij vendi të bekuar, e kanë përcjellë mjaft mirë të gjithë shqiptarët që e kanë prekur dhe kanë jetuar në Amerikë. Në librin e Kallajxhiut, i cili titullohet “Bektashizmi dhe teqeja shqiptare në Amerikë”, që në rreshtin e parë të parathënies, të cilën e ka bërë baba Rexhebi, një figurë e njohur bektashiane shkruhet: “Amerika është vendi ku pothuaj të gjithë ëndrrat mund të bëhen realitet”, gjë e cila tregon qartë rrethanat, klimën dhe nevojën e botimit të një libri të tillë, në kushtet specifike në të cilat gjendeshin shqiptarët në Amerikë, por dhe në Shqipëri.
Libri ka në vlerën e tij më së pari themelimin e teqesë së parë bektashiane në Amerikë dhe pastaj vlerat e rëndësishme fetare historike dhe kulturore, deri në esencën e lirisë që bektashizmi ka në historinë e popullit shqiptarë. Në qershorin e vitit 1957 në inaugurimin e xhamisë në Uashington, ish Presidenti amerikan Eisenhauer ka thënë: “Është një privilegj për mua të marr pjesë në këtë inaugurim. Mbledhja me ju, në ballin e njërës prej godinave më moderne e më të bukura të Uashingtonit, përbën një rast të përshtatshëm për ne që ta rikushtojmë veten ndaj përparimit paqësorë për të gjithë njerëzit ndën Një Perëndi…” dhe : “Amerika ka mbrojtur dhe do të mbrojë kurdoherë me gjithë fuqi të drejtën e çdo njeriu që të ketë këtu faltoren e vet dhe të lutet sipas ndërgjegjes së tij.”
Është kaq e kuptueshme marrëdhënia që Amerika ka me lirinë njerëzore, me njërën nga gjërat më të shenjta, besimin që njerëzit në botë e marrin dhe e përftojnë në rrethana të ndryshme, me lirinë për të besuar, siç kishte ndodhur dhe me besimin bektashi të shqiptarëve, ndërkohë kur në Shqipëri lufta kundër besimeve fetare kishte arritur kulmin me prishjen dhe shkatërrimin dhe nxjerrjen jashtë ligjit të besimeve fetare në vend. Amerika ishte vendi për të besuar, për të gëzuar lirinë dhe për të ushtruar besimin. Jo pak shqiptarë të besimit katolik, ortodoks, myslimanët dhe bektashinjtë çelën vendet e tyre të adhurimit, kishat, xhamitë dhe teqetë, duke e bërë akoma më të mrekullueshëm mozaikun fetar të këtij vendi.
Mes shqiptarëve dhe SHBA-ve kishte një histori marrëdhëniesh vëllazërore kur Kallajxhiu filloi jetën si emigrant dhe më vonë si një aktor i rëndësishëm, jo vetëm i komunitetit shqiptar por edhe i shoqërisë amerikane, pasi kjo është e vetmja në botë, e cila nderon dhe funksionon përmes vlerave, pavarësisht nga vjen një kontributor apo një tjetër. Xhevat Kallajxhiu pa dyshimin më të vogël është produkti i kësaj shoqërie që është liberale në zbulimin vlerave.
Bektashizmi është një nga vlerat dhe kontributet që iu shtuan komunitetit shqiptar në Amerikë. Duke pasur në vetvete një kumt hyjnor, një frymë që universialisht e njeh Zotin si të vetmen fuqi të mbinatyrshme, si të gjithë besimet e tjera në botë, në kushtet historike të Shqipërisë dhe të arkivuara në një letërsi brilante të Rilindjes sonë, si esencë shpirtërore të njerëzimit, bektashizmi ka lënë gjurmët e pashlyera në Shqipëri dhe në të gjithë peizazhin fetar ballkanik, lidhur me dijen, kulturën dhe shkollën, me ç’rast mjaft nga klerikët bektashinj dhe teqetë në jugun e Shqipërisë në veçanti, u kthyen në vatra dijeje dhe në shkolla ku fëmijët mësuan shqip dhe u vetëdijësuan në udhëtimin e tyre drejt lëvizjes autonomiste kombëtare.
Koncepti substancial dhe mjaft i rëndësishëm deri në ditët e sotme, se gjuha e kombit njehsohet me identitetin kombëtar, përbën motivin më të rëndësishëm që jo pak bektashinj patën parasysh në të gjitha reformat e tyre brenda dhe jashtë hapësirave të tarikatit. Teqetë bektashiane në Shqipëri gjatë pushtimit otoman dhe politikave të ashpra për të shkombëtarizuar dhe për të shkatërruar identitetin e shqiptarëve, kryesisht gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare u bënë ndër qendrat më të rëndësishme për përhapjen e idesë shqiptare, po ashtu për shpërndarjen e librit shqip, për strehimin dhe mbrojtjen e luftëtarëve shqiptarë, ato ishin dyer të hapura për përparmin dhe idetë progresive të zhvillimit shoqërorë të vendit.
Libri “Bektashizmi dhe teqeja shqiptare në Amerikë” e studiuesit Xhevat Kallajxhi është një libër i ndërtuar mjeshtërisht me një strukturë mjaft funksionale, pasi ai është botuar rreth një çerek shekulli pas vendosjes së sistemit totalitar ne Shqipëri, ndërsa brezi i fëmijëve të të larguarve nga Shqipëria në Amerikë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishin në moshën njëzetë e pesë vjeçare. Ishte një brez të rinjsh shqiptarë, të cilët kishin nevojë për ta njohur trashëgiminë e vendit të tyre, historinë dhe vlerat e çmuara që bektashizmi ka demonstruar dhe ka lënë në historinë e kombit tonë.
Hapja e teqesë së Detroitit është një ngjarje e shënuar, jo vetëm pse ajo përçonte historinë e bektashizmit në Shqipëri, por hapja e dyerve të saj në Amerikë, ku kishte një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh, krijonte një dimension tjetër në shtetin më të madh të botës nga njëra anë, por përbënte dhe një pengesë të sigurt përballë sulmit që shteti i kohës në Shqipëri kishte filluar ndaj institucioneve fetare dhe kulteve të besimit, të cilët kanë rëndësinë e vet në historinë kombëtare.
Është një ditë e shënuar në komunitetin shqiptar të Amerikës, veçmas ndër bektashinjtë dhe klerikët bektashinj shqiptar të cilët kishin emigruar në Amerikë pas viti 1945. Rreth kësaj vatre kombëtare u mblodhën njerëz dhe kontribues të shumtë, duke i dhënë jetë idesë dhe objektit të besimit bektashi në një vend si Amerika. Dalja në dritë e organit të saj “Zëri i Bektashizmës” në gjuhën shqipe dhe angleze ishte një tjetër vlerë e çmuar që teqeja afronte për të hyrë dhe kuptuar bektashizmin, parimet, filozofinë dhe misticizmin bektashian, por edhe lirinë njerëzore në SHBA.
Autori përshkruan me një gjuhë mjaft komunikuese një realitet dhe mjedis bektashi si vazhdimësi e vendeve të adhurimit të doktrinës paqësore, ku teqeja ka pronën e saj, mjediset e mrekullueshëm dhe kremton festat e shënuara, ato janë të hapura dhe baballarët kanë një dëgjesë të përhershme ndaj njerëzve që duan të dinë dhe të besojnë. Xhevat Kallajxhi është njëri nga publicistët më të mirë dhe më të njohur të kohës, i cili e ka filluar profesionin e gazetarit dhe të botuesit që në Shqipëri. Si i tillë ai është dhe një mjeshtër i krijimit të kronikës, që sjell në libër me rastin e hapjes së teqesë bektashiane në Amerikë, duke krijuar një informacion të rëndësishëm përmes personazheve të njohura dhe njerëzve që kanë kontribuar dhe frekuentojnë këtë objekt të kultit, nga shqiptarë besimtarë, por dhe të huaj.
Kjo vatër e të gjithë shqiptarëve në vendin e ëndrrave të tyre, pa dallim besimi dhe ideje ka qenë lajm dhe kronikë veprimtarish dhe në gazetat më të njohura të SHBA-ve, pasi ajo është ngritur me një kontribut të çmuar të shqiptarëve të Amerikës, myslimanë dhe të krishterë, ku përçohet dëshira e mirë në misionin që ka një objekt kulti bektashi, siç thotë dhe një kontribuues i krishterë, se:” Jam tepër i gëzuar, që në Amerikë, krahas me kishën dhe xhaminë, u ngrit dhe një teqe bektashiane. Teqetë në Shqipëri kanë qenë pararoja e përpjekjeve kombëtare për liri e pavarësi. Kanë simbolizuar gjithashtu tendencat liberale dhe ndjenjat e kulluara për forcimin e vëllazërimit midis shqiptarëve…”
Pas kësaj kronike, studiuesi dhe publicisti Kallajxhi, i ka afruar lexuesit shqiptar dhe të huaj një histori të mrekullueshme të integruar me historinë dhe kontributet madhore të bektashizmit në Shqipëri, e cila mbart vlera njohëse, koncepte përparimtare mbi “doktrinën” bektashiane, mbijetesën e bektashizmit përballë pushtuesit, por dhe të ideve të shumta që kanë qenë të pranishme në Shqipëri, aktivitetet dhe vlerat kombëtare që ka përcjellë bektashizmi si me ndërtimin e një vëllazërie mbi bazën e devocionit të pashembullt ndaj Zotit të Lartësuar, ashtu edhe në një bashkëjetesë të qëndrueshme fetare në të gjitha viset shqiptare, pavarësisht trilleve të fatit historik të tyre.
Xhevat Kallajxhiu arriti të krijojë një raport të rëndësishëm me shtetin e madh amerikan përmes punës intelektuale dhe kontributeve të shënuara shkrimore të tij në tokën e premtuar. Është raport që shumë shqiptarë, të cilët e njohën dimensionin e lirisë përmes jetës në Amerikë, u përpoqën t’ia shpërblejnë asaj përmes librave të shkruar dhe mundësive të tjera që të krijon toka amerikane. Ndër librat monografik të Xhevatit, është dhe ai që i kushtohet njërit nga presidentët më të suksesshëm, më tragjikun dhe më të rëndësishmin në kohën e lirisë, A. Lincolnit, botuar së pari këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe së fundmi në Tiranë. Ky është një libër që përveç analizës, kronikës së gjerësishme, mbetet një dashuri e demonstruar pa kushte jo vetëm për Linkolnin, por dhe vendin e tij.
Libri ka natyrën monografike, por në thelb ai krijon një marrëdhënie të brendshme që përmes një stili analitik shpalos një kronikë të rëndësishme zhvillimesh, jo vetëm për Linkolnin, por dhe shoqërinë njerëzore në vlerat më të spikatura të saj. 150 vjetori i Linkolnit (1961), siç dhe kuptohet, ka përbërë një mundësi të admirueshme komunikimi nga Kallajxhi, për të folur për presidentin e ndjerë, për Amerikën, por përmes këtij komunikimi ai ka arritur të shtrojë paralele të rëndësishme me fatin e popullit të tij dhe të popujve të tjerë. Libri “Lincoln” ngjan të jetë dhe një mirënjohje e shqiptarëve të SHBA-ve në vazhdën e veprimtarisë dhe të atdhetarëve të tjerë si: K. Çekrezi, F. Konica, K. Dako, F. Noli, N. Drizari, P. Qiriazi dhe të tjerë, të editorëve të “Vatrës” apo “Diellit”, që kanë shërbyer dhe kanë mbetur një urë lidhjeje mes vendit të vogël të Ballkanit dhe shtetit të madh amerikan, dhe që jetësohet tek kontributi dhe i teqesë bektashiane në Amerikë. Në këtë kontekst, mendoj se nuk mund të ketë qenë e rastësishme, por i menduar së thelli dhe thënë si një përgjërim, kushtimi i Xhevatit në hyrje të librit: “Teqesë bektashiane shqiptare në Detroit, e para në Shtetet e Bashkuara, për kujtim dhe nderim të veprimtarisë kombëtare që zhvilloi në Shqipëri dhe të shërbimit të shquar njerëzor që bën në Amerikë, këtë vepër modeste, autori ia kushton me admirim.”
“Kur qiriri im të shuhet në Lindje, do të ndizet në Perëndim” kish thënë dikur, Piri i tarikatit bektashian, Haxhi Bektash Veliu. Gati shtatë shekuj më pas, profecia e tij do të realizohej, çuditërisht nga një dervish shqiptar që la teqenë e Zallin në Gjirokastër, që u përndoq nga vëllezërit e tij të ndryshëm në ideale, që jetoi me frymën hyjnore të paraardhësve në Rexhio Emilia të Italisë e më vonë në teqenë bektashiane të Kajgusës Sulltanit në Egjipt, për të zbritur në këtë tokë të realizimit të çdo ëndrre të mundshme. Erërat dhe ngricat e Anadollit, regjimet ideologjike të Ballkanit, stuhitë ateiste shqiptare, nuk e kishin fikur dot çirakun e tarikatit tonë, në gurëthemelet e të cilit mbetet e pranishme jetë e mot, sentenca shekullore e mistiçizmës islame “Ashku është jeta e zemrës”. Vepra e bektashiut të shquar Xhevat Kallajxhi në jubileun e dhjetë vjetorit të ngritjes së teqesë së parë bektashiane në Detroit – Michigan, mbetet dëshmi e ashkut të përjetshëm të një grupi të vogël besimtarësh të cilët mbajtën mbi supe peshën kozmike të misionit ngadhënjyes të tarikatit, sigurisht duke qenë në bashkëjetesë të plotë me tipologjitë e universializmit shoqëror e moral në SHBA.
Duke qenë një libër i shkruar me shumë dashuri monografia kushtuar Linkolnit, përveçse shpërfaq të gjithë jetën e presidentit më të rëndësishëm të historisë së Amerikës, shërben dhe si modeli më i mirë dhe më bashkëkohor për popujt dhe kombet, pasi përçon në thelb konceptin e “nevojës së bashkimit”. Përveç vlerave të tjera Lincolni mbetet një gjeni, i cili pasojat e rënda të Luftës Civile në ShBA, të vitit 1863, ku pati shumë viktima, i shndërroi në një rast unikal për t’i bashkuar amerikanë, pasi viktimat nga të dy anët e konfliktit u varrosën me nderime, të vëllazëruar në amshim.
Në këtë rast filozofinë e tij e përçon një ndjenjë dhe një raport substancial për Amerikën dhe njerëzimin, ekuilibri dhe zhvillimi i të cilës vjen vetëm përmes vëllazërimit. Fjalimi i Lincolnit (Gettysburg) në këtë rast, mbetet ndër më të shënjuarit në jetën politike të SHBA-ve, ku thotë: “Jemi mbledhur për të kushtuar një pjesë të kësaj lufte, si vend çlodhjeje të përjetshme, për ata që dhanë jetën e tyre këtu, që ky komb të mund të jetojë. Kjo që bëjmë ne është një gjë me vend dhe e përshtatshme. Por, në një kuptim më të gjerë, ne nuk mund ta kushtëzojmë, nuk mund ta shenjtërojmë këtë truall. Të gjithë heronjtë, të gjallë dhe të vdekur, që luftuan këtu, e kanë shenjtëruar aq shumë, sa fuqia jonë e varfër nuk mund të shtojë e as të pakësojë asgjë. Bota do ta vërë re fare pak dhe nuk do ta mbajë mend për shumë kohë atë që bëjmë ne këtu, por nuk do ta harrojmë kurrë atë që bënë ata trima në këtë vend…”
Është një moment ideal, dhe pse në dukje është në pikun e luftës civile, që Lincolni, një personalitet i jashtëzakonshëm, një president i cili më shumë se çdo president tjetër i SHBA-ve kuptonte rolin e tij në këtë ngjarje, bëri gati të pamundurën, tragjedinë e një lufte të brendshme e ktheu në favor të unitetit dhe të mbijetesës së kombit të vet. Populli amerikan dhe gjithë struktura e shoqërisë amerikane e mori mjaft mirë mesazhin që përcolli një mëndje e ndritur si Lincolni, me ç’rast ai u “referua” si armiku i betuar i skllavërisë, për të cilën punoi gjatë gjithë jetës. Kjo ditë u quajt dhe “Shpallja e çlirimit”, në metaforë domethënëse, e cila u njoh nga Kushtetuta amerikane, si një ligj i rëndësishëm dhe që ka vepruar gjatë gjithë kohës në SHBA.
Xhevat Kallajxhi ishte një mëndje e hollë, i cili mbartte në vetvete një traditë kulturologjike dhe atdhetare të njohur, pasi që në fëmijërinë e tij, ai kishte marrë edukatën dhe kumtin e të parëve të tij, të cilët kishin qenë kaq shumë të lidhur me vëllezërit Frashëri, dhe pjesëmarrje aktive në ngjarjet e mëvonshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por dhe të ngjarjeve të Kongresit të Berlinit, për të ndaluar cungimin e tokave shqiptare për lakmi të fqinjëve, duke krijuar paralele me zhvillimet në Shqipëri, e cila ishte përfshirë në një luftë të brendshme (lufta e klasave) dhe ku konfliktet politike po e dëmtonin shumë unitetin kombëtar, po zvetënonin atë trashëgimi të shkëlqyer të dashurisë për njëri – tjetrin, duke gërryer kodet tanë të shqiptarizmit, për t’i zëvendësuar me prirje ideologjike të importuara.
Ai ishte deklaruar që në krye të herës si kundërshtari politik i regjimit shtypës të vendit, pas 1945, ndërsa jeta në shtetin më demokratik të botës ishte një shembull i mrekullueshëm, pasi kontrastet mes formacioneve historike – politike në vendin e tij ishin të thella dhe në një armiqësi të përjetshme, njëra palë nderohej ndërsa tjetra ishte në ndjekje të vrazhdë dhe të asgjësueshme deri në jetët fizike. E gjithë kjo marrëdhënie që Kallajxhi krijoi me të shkuarën e Shqipërisë dhe me kohën, tregonte sa i lidhur kishte mbetur ai me tokën e të parëve, ndërsa objekti i studimit të tij, në një stil të thjeshtë komunikues, elegant, ku tërësia ishte ndërtuar mbi elemente dhe detaje analitike nga jeta dhe veprimtaria e Lincolnit, ku shquajnë aftësia si burrë shteti dhe raporti i plotë me të gjithë shoqërinë amerikane, i barabartë me të gjithë dhe për të gjithë, pa dallim politik, ishte një ëndërr që ai nuk e pa dot qysh në gjallje. Një lidhje të tillë e demonstruan gati të gjithë shqiptarët e njohur në Amerikë.
Në zbulesën që Kallajxhi i kishte vënë vetes për ta prurë njërën nga figurat më epike dhe më të rëndësishme presidenciale të SHBA, ai ka përdorur hulumtime dhe përsiatje filozofikë, bazike, nga media, studime, interpretime, opinione dhe personazhe të jetës politike amerikane, të cilët e njohin nga afër jetën, punën dhe veprimtarinë e një presidenti në Amerikë. Kissinger, njëri nga njohësit më të mirë të politikës amerikane dhe të diplomacisë botërore, në një deltë të gjerësishme dakordësish dhe kundërshtish, shquan në personin e Limcolnit aftësinë e tij për të diktuar dhe kuptuar sfidat që i shfaqen vendit të tij dhe aftësinë e shkëlqyer për t’i përballuar.
Dhe kjo përvojë presidenciale dashur pa dashur shndërrohet në një sfidë për çdo figurë politike që merr përsipër të drejtojë një vend, të madh apo të vogël. Në të gjithë kontekstin e gjerë të librit, Kallajxhi, në parathënien e tij shkruan:”Abraham Lincolni është një nga figurat më të shquara të historisë amerikane dhe një nga njerëzit e rrallë të botës. Jo vetëm në historinë e republikës së re Amerikane, por në krejt atë të njerëzimit kanë qenë të paktë ata burra që kanë lënë gjurmë të thella të veprës së tyre, gjurmë të cilat nuk mund t’i mbulojë kurrë pluhuri i kohës. Midis këtyre burrave të paktë, ngrihet lart me madhështi figura e Lincolnit, si njeri dhe si patriot. Prandaj populli amerikan e nderon kujtimin e Lincolit pa rezervë dhe pa ndryshim besimesh politike, pasi …., Lincolni mbrojti gjithnjë në jetën e tij me vetëmohim kauzën e lirisë. Foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë.…”.
Duke qenë ndërkohë dhe presidenti që i dha besim konceptit jetësor amerikan përmes politikës së tij presidenciale “qeveri e popullit”, ai pa dyshim themeloi dhe bëri të veprueshëm përmes qeverisjes dhe ligjit, praktikën që iu siguron të drejtat e qytetarëve të Amerikës. Ai ishte armiku i shpifjes dhe gënjeshtrës, për të cilën tekstualisht thotë: “Në qoftë se veprimet tona shkojnë mbarë, suksesi ynë për të mirën e popullit është përgënjeshtrimi i plotë i shpifjeve; në qoftë se nuk mbarojmë dot punë, atëherë sikur dhjetë engjëj të dëshmojnë në favorin tonë, s’kemi për të shpëtuar nga dënimi”. Ndërsa për gënjeshtrën dhe gënjeshtarët ai thotë: “Të gjithë njerëzit mund t’i gënjesh për disa kohë. Disa njerëz mund t’i gënjesh për gjithë kohën. Por nuk është e mundur të gënjesh gjithë njerëzit për të gjithë kohën”.
Suksesi i librit në fjalë, pavarësisht fundit tragjik të Lincolnit, është aftësia e tij për të kuptuar thelbin e gjërave, një studim analitik që është racionalizuar dhe referuar në të gjashtëmbëdhjetë detajet strukturore, një analizë dhe kronikë e interpretuar shkëlqyer, një model i jashtëzakonshëm për të zbuluar njërin nga presidentët më të suksesshëm të Amerikës. Qëmtimi i fakteve jetësorë, kujdesi për të skicuar paralele të largët mendimi, midis kohërave dhe meraku për të transmetuar sa më kthjelltësisht tek lexuesi bashkëkombas “atë që dhimbshëm i mungonte popullit të vet… që në Shqipëri kishte marrë forma të shpërfytyrimit të skajshëm, ku nuk njihej familja, shkolla e shoqëria, në emër të aventurës për pushtet”, shfaqen përmes një sqimeje letrare prej gjirokastriti të mençur.
Me një aftësi unike, për të nxjerrë në pah dhe për të shpjeguar “në dritë të diellit” situata të ndërlikuara të historisë së kombit vëlla amerikan dhe vetë Lincolnit, Xhevat Kallajxhi u ofron lexuesve në të njëjtën kohë botëkuptime të traditës dhe të filozofisë njerëzore të asaj epoke. Gjithsesi ai nuk e lë emocionin apo mendimin e beftë ta marrë me vete dhe ta çojë ku të dojë, por me thjeshtësi të dukshme, çdo fjalë, çdo ide, çdo qëndrim dhe veprim të Presidentit të nderuar Lincoln e sheh kurdoherë nga optika e perspektivës së atij qytetërimi, i cili jo vetëm pati nevojë për burra të tillë, por e kish kuptuar në thelb të tij se çdo ide përparimtare lidhej pikërisht me idetë dhe frymën vepruese të këtij lidershipi.
Duke e parë urtësinë dhe guximin e Lincolnit, si një tërësi perspektivash intelektuale me vlefshmëri të përhershme, autori në fjalë ka përcjellë me një ndjenjë të qartë ngazëllimi rigorozisht atë forcë madhore që e shenjtëron jetën e këtij burrështeti, dhe që lidhet me besimin e tij të pakontestueshëm në asnjë moment, tek Krijuesi. Me tri – katër rreshta, kur ende nuk kish ulur në karrigen e rëndë, në Shtëpinë e Bardhë, Lincoln zbulon kredon e vet dhe të paraardhësve kur thotë: “Mbi mua rëndon detyrë e madhe dhe e vështirë se çdo detyrë që ka provuar tjetër njeri, pas Washingtonit. Ai nuk do të kishte mundësi të dilte faqebardhë pa ndihmën e Perëndisë… Lutjuni o miq të mij, që të më ndihmoj edhe mua…”. Këto fjalë se Linkolnit kanë qenë dhe mbeten të përjetshme, siç është e përjetshme dhe pazëvendësueshme në asgjë tjetër, dashuria e jonë për Zotin e Lavdëruar.
Të nderuar bashkëkombës, lexues të bibliotekës bektashiane!
Ribotim i librit të Lincolnit dhe përcjellja që të gjithë ne po ju bëjmë veprimtarive në kuadër të njëqind vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri – SHBA, përbëjnë akte tepër domethënës. Nuk duhet të harrojmë se nga këta njëqind vjet, gati gjysma e tyre, u përdor nga Tirana bolshevike, për të derdhur vrerë dhe helm ndaj rendit demokratik, vlerave njerëzore dhe fetare të këtij vendi të mrekullueshëm ku dallgët e fatit na kanë mbledhur të jetojmë sot. Ngjarjet e trishtuara të pasvitit 1944 në Shqipëri dëshmuan diktaturën më të dhunshme të ngritur në sistem, mohimin e të drejtave më elementare, si edhe grabitjen e shenjtërisë së saj, lirinë njerëzore. Vitet 1945 – 1990, në këtë kuptim do të shpresoja dhe dëshiroja sinqerisht, të mbeten të paharruar për të gjithë brezat tanë, që historia të mos përsëritet me dramat e përgjakshme të saj. Por edhe përtej mureve ideologjike dhe telave me gjemba që rrethuan tokën shqiptare, pati edhe dritare, kur breza besimtarësh shihnin qiejt e lirë të besimit të tyre. Teqeja jonë, ato vlera të rralla shpirtërore që rrëfyen baba Rexhebi, baba Bajrami, dervish Lytfiu dhe dervish Arshiu gjatë periudhës në fjalë, por edhe brezat e myhibanëve dhe dashamirësve të tarikatit, shërbyen për të mbajtur gjallë besimin tek Krijuesi dhe dashurinë për atdheun.
Realiteti i gjallëruar prej parimesh moralë, mistik dhe hyjnorë, në teqenë tonë të sotme, përveç të tjerave mendoj se duhet të shihet si një mrekulli e Zotit dhe e këtij vendi të bekuar ku jetojmë. Ndër perlat, të cilat Kallajxhiu ka zgjedhur të personifikojë Lincolnin është edhe një shprehje nga William Taft në momentin e inaugurimit të monumentit të tij më 30 Maj 1922: “ Një tempull në të cilin mund të falen të gjithë; një altar mbi të cilin u bë sakrifica supreme për liri; një strehim i shenjtë fetar në të cilin mund të gjejnë frymëzim e çlodhje të gjithë ata që dashurojnë kombin dhe perëndinë”.
Duke falënderuar bektashiun tonë të shquar për këtë vepër (midis të tjerave) që u la brezave, bashkëkombasve të vet, ne u bashkohemi sot miliona njerëzve në botë, të cilët u janë mirënjohës SHBA-ve, për kontributin madhor në ndërtimin e paqes universale dhe promovimin e vlerave më të shenjta njerëzore dhe hyjnore. Çdo bukuri e shfaqur në faqet e librit në fjalë, çdo ngjarje në aspektin vetëdijësues, është në të vërtetë pohim i përpjekjeve sizifjane të secilit prej nesh, për t’iu afruar mirësive të Krijuesit.
Amin, ashtu qoftë!
Detroit, gusht – shtator 2022.