Shkruan:Eugen SHEHU/
Malet dhe gerxhet e Kolonjës,kanë pritur në supet e tyre dhjetra e qindra stuhi e rrebeshe. Por ata kanë qendruar e qendrojnë ende sot të paepura,pse rënjët i kanë në gjakun e bijve të tyre. Plejada e ndritur e burrave që luftuan deri në fund për lëvizjen kombëtare shqiptare,natyrisht do të ishte jo e plotë,pa emrin e Shahin Kolonjës,këtij burri mendimtar i cili edhe në çastet më të rënda të jetës,u përpoq veç për atdhenë e vet të robëruar.
Shahin Teki Ypi,lindi në fshatin e madh e të bukur Starje të Kolonjës në vitin 1865.I biri i beut të madh Kahreman Ypi,do të edukohej qysh në vitet e fëmijërisë,me këngët trimërore e legjendat e komiteteve kolonjare të cilat askurrë nuk kanë rreshtur së ngrituri krye për Liri.Shkollën fillore,Shahini e mbaroi në fshatin e lindjes,ndërsa më pas shkon në qytetin e Korçës,ku ndjek mësimet në shkollën Ruzhdije.Natyrisht,koha le gjurmët e veta në njerëzit dhe ngjarjet që ajo përcjell.Rinia e Shahin Ypit,do të kalonte mes ngjarjeve kulmore të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit ku i jati i tij,do të renditej me trimat e tjerë të Gjirokastrës,Frashërit dhe Janinës në vazhdën e udhës së çelur nga Abdyl Frashëri.Këto ngjarje do të ndikonin së tepërmi në formimin e vetëdijes nacionale të birit të Kolonjës.Pas mbarimit të shkollës Ruzhdije në qytetin e Korçës,ashtu si plot shqiptarë të tjerë,Shahini merr udhët e Stambollit.Falë personalitetit të Kahreman Beut,si atdhetar i shquar,i biri do të njihet personalisht me vëllezërit Frashëri,me Ibrahim Temon,Said Najdenin,Hamdi Ohrin dhe plot shqiptarë të tjerë që patën bërë emër në perandorinë e madhe të gjysëmhënës.Për më tej i ndihmuar nga Naim Frashëri,ai do të vazhdonte studimet e mesme si dhe ato në fakultetin e Dretësisë,në Universitetin e Stambollit.
Në vitin 1894,kur ishte ende 19 vjeçar,plot ëndrra dhe ambicije profesionale, e emërojnë drejtor gjimnazi në qytetin e Edrenes.Por detyrës dhe ofiqit të drejtorit diçka i mungon.Ai e ndjen së mbrendshmi se nuk është i prirur të japë leksione,apo të jetë autoritar në mabrëvajtjen e gjimnazistëve.Diçka tjetër e shtyn të paguaj lekë nga rroga e tij,të blerë libra dhe abetare shqip nga Rumania e për t’ua shpërndarë shqiptarëve e miqve të tyre në Stamboll.Në pranverë të vitit 1886,Shahin Kolonjën e shohim në shoqërinë e Said Najdenit (Hoxhë Voka) si edhe të Ibrahim Mitrovicës.Por ndërsa Saidi burgoset,Shahini nuk trembet aspak,përkundrazi duke shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare si drejtor gjimnazi,kërkon leje dhe takohet disa herë me Said Najdenin.Kështu,në qershorin e këtij viti,me urdhër të Stambollit,birin e Kolonjës e dërgojnë në vendin e quajtur Gjymulxhine.Por këtu,veprimtaria e tij atdhetare nuk do të gjente prehje.Mban korespondencë të vazhdueshme me Ibrahim Temon,i cili nga rreziku është larguar në Bukuresht,me Said Najdenin dhe Mid’hat Frashërin.Do të dije për gjithshka ngjet në Shqipëri e sidomos në Kolonjën e tij të dashur.Pas luftës greko-turke të vitit 1897,u duk se Porta e Lartë do të favorizonte disa të drejta të shqiptarëve,qoftë edhe për koniukturat politike në Ballkan.Është kjo arsyeja që Shahin Kolonja i kërkon zyrtarisht Portës,që ta lejojë të çele një gazetë në gjuhën shqipe,për të cilën ishte aq shumë e dëshiruar.Përgjigjja i vjen negative dhe për mos ta bërë kundërshtar këtë shqiptar të zgjuar,Stambolli e emëron ate në detyrën e kajmekamit të Kozhanit në sanxhakun e Selfixhies. Shahini e pranon detyrën e re me entuziazëm,ngase do të ishte tanimë shumë afër Kolonjës e sidomos pranë Manastirit ku Hamdi Ohri,Dervish Hima dhe miq të shumtë të tjerë po punonin për të ndezur shqiptarizmën.Ai që në ditët e para të detyrës,do të shfaqte hapur simpatinë për shqiptarët,ç’ka do të bënte që valiu i Manastirit,Abdyl Qerim Pasha t’i shkruante Portës së Lartë pos të tjerave : „Të mos i besoni shumë këtij Shahin Teki Ypit ngase një pis arnaut që nuk shfaq mendime të mira për mbretërinë dhe kur rrëmbehet del jashtë“.(Gazeta „Drita“ 19 nëndor 1904).
Në ato katër vite që Shahin Kolonja shërbeu në Kozan,pa me sytë e tij,korruptimin në masë të nënpunësve osman,padrejtësitë e gjykatave ndaj fshatarëve të varfër,si edhe kundërshtimin e shqiptarëve ndaj taksave të larta të Stambollit.Në emër gjoja të detyrave shtetërore,Shahini shkonte shpesh në Manastir dhe takohej me patriotët e kësaj treve.Por kjo histori nuk zgjati shumë,spiunët e Portës së Lartë bënin punën e tyre dhe në fillim të vitit 1900 ai u detyrua të shkonte në Ministrinë e Punëve të Brendshme në Stamboll për të dhënë spjegime rreth atyre lidhjeve.Falë oratorisë dhe vendosmërisë së tij,biri i Kolonjës do të spjegohet fortë qetë në ato zyra duke iu shpëtuar mrekullisht kurtheve.Në mungesë të provave konkrete,dërgohet sërish në Kozan me porosinë të shohë vetëm detyrën dhe sgjë tjetër.Por Shahini me të shkuar aty,nuk vonon të duket në Manastir duke marrë takime sërish me atdhetarët shqiptarë aty.Kësaj kohe konsulli i Austro-Hungarisë,Kral,takohet në mënyrë të fshehtë me Shahinin dhe pas bisedës,i shkruan Vjenës se padyshim që nismat e komiteteve të fshehta i kanë rrënjët në këto biseda. Sidoqoftë kjo nuk do të zgjasë shum.Në verën e vitit 1900 Shahin Kolonjën e çojnë në Malin e Shenjtë,sërish në detyrën e Kajmekamit.Manovra të tilla,Porta e Lartë bënte rëndom,duke ndjerë rreziqe që mund t’u vinin prej lidhjeve të fshehta të shqiptarëve.Edhe këtu,biri i Kolonjës,do të rrëfnete se ishte shqiptar i madh. Ngase në malin e Shenjtë kishte me qindra shqiptarë,ai i mblidhte ato fshehurazi në shtëpinë e tij dhe u lexonte librin e shenjtë të Sami Frashërit „Shqipëria çka qenë,çështë e çdo të bëhet“. Por si kajmekam ai luftoi vendosmërisht edhe ndaj mijëra murgjeve ruse të cilët nën petkun fetar kërkonin të zaptonin me ardhje të tjera,Malin e Shenjtë.Ai u bë pengesë e pakapërcyeshme për ardhjen e tyre,me ç’rast detyroi qeverinë e Carit të ndërhynte tek Sulltani që të largohej prej andej arnauti Shahin.Sulltani u përkul përpara Carit rus,por gjithsesi figura e Shahin Kolonjës tashmë sa vinte e lartësohej në administratën osmane.Për këtë,biri i Kolonjës amërohet në detyrën e kajmekamit në qytetin e Vlorës,gjë të cilën e pritën me emocione mjaft burra të mençur në Shqipërinë e asaj kohe.Por Shahini nuk udhëtoi dot,drejt Vlorës.Tashmë i bindur se jeta e tij duhej vënë plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare,ai i përgjigjet ftesës për bashkëpunim që prej kohësh ja pat bërë Ismail Qemali.Për më tej,nisur edhe nga të ardhurat e mira ekonomike në Kolonjë,Shahini donte ti kushtohej plotësisht,ëndrrës për të çelur një gazetë në gjuhën shqipe.Kështu stacioni i parë i qëndrimit të tij pas arratisjes nga Turqia ishte Brukseli.Kështu ai takohet me Ismail Qemalin dhe Faik Konicën,bisedon me ta për çështjet në Ballakn dhe herë-herë ka mendime të kundërta,sidomos me rolin e qëndrimin e turqve të rinj,në çështjen kombëtare shqiptare.Në fillim të marsit 1901 „Albania“ e Faik Konicës do të shkruante për te ; „Shahin Bej Starja,kajmekam i Kozanit,i Malit të Shenjtë e më në fund i Vlorës, e la shkollën e tij për të qenë i lirië t’i vihet i tërë propagandës kombëtare“. Në vjeshtën e po atij viti (1901) biri i Kolonjës udhëton për në sofje.Aty e pret me mirësinë e vet të njohur,një tjetër atdhetar i shquar Kristo Luarasi,i cili i lëshon edhe një dhomë nga shtëpia e vogël e tij.Ndonëse në kushte të vështira ekonomike,Kristo Luarasi i jep fjalën Shahinit se do ta ndihmojë në nismën e tij për çeljen e një gazete në gjuhën shqipe.Dy muaj më pas në 14 nëndorin e vitit 1901,në Sofje del numri i parë i gazetës „Drita“ në krye të së cilës,në faqen e parë shkruhej me germa të mëdha ; „Punoni për vehten tuaj ! Mos për botë e për të huaj „. Që në numrin e parë të saj „Drita“ e Shahin Kolonjës,shpalli idetë e propagandës për lëvizjen tonë kombëtare,duke u mbështetur në veprën madhore të Frashërllinjëve.Nëse që nga numri i parë e deri tek i mbrami burri i Kolonjës e vuri theksin tek bashkimi i shqiptarëve,këtë e bëri ngase në fillim të shekullit të kaluar,në të vërtetë shqiptarët ndodheshin të përçarë në die e në fe.Nëpër faqet e kësaj gazete,numër pas numri,nëpërmjet stilit origjinal gazetaresk,Shahin Kolonja nisi të flase për vuajtjet fizike dhe morale të shqiptarëve,për dasitë fetare,për sundimin osman,për rreziqet që mund t’i vinin Shqipërisë prej fqinjëve të saj ballkanike.Kur Dervish Hima pa në faqet e „Dritës“ se si goditej aty ideja e bashkëpunimit me turqit e rinj,në fillim nuk u besohej syve ngase asaj kohe plot atdhetarë shqiptarë shpresonin shumë tek reformat e propozuara prej tyre.Për më tej,në një letër miqësore ai e kritikonte Shahinin se nuk duhej të flitej me ate gjuhë.Ndërsa po miqësisht,Shahin Kolonja i përgjigjej : „I nderuari doktor !… duhet ta dish se jam ai,që do ta derdhi gjakun i pari, kur shqiptarët kann me pasur nevojë me luftuar kunder turkut“.(A.Q.i Sh.Tiranë fondi 19,dos32/2)
Ajo çka vlen të kujtohet,është sidomos shqetsimi i madh që „Drita“ ngjalli në rrethet shovene bullgaro-maqedonase.Ngase në mjaft shkrime të saj,hidheshin die të qarta për tërësinë toksore të trojeve shqiptare.Pikërisht autoktonia me fakte e këtyre trojeve i nxiste shovenët bullgaro-maqedonas t’i kundërviheshin hapur Shahin Kolonjës.Jo rrallë zyra ku ai punonte ish kontrolluar prej policisë ndërsa në një rast u kërcënua nga disa bullgarë se po të vazhdonte kështu,do të zhdukej fizikisht.Por mjeranët bullgarë ndofta nuk dinin nga ç’far familjeje vinte botuesi i „Dritës“.Ata kurrsesi nuk mund të dinin as për Kolonjën dhe as për komitetet e saj që të merrnin gjak në vetull kur ishte fjala për të drejtat shqiptare.Kanë qenë pikërisht disa djem të Kolonjës të cilët punonin e jetonin në Bullgari të cilët iu bënë një mbështetje e fuqishme bashkatdhetarit të tyre,me ç’rast ai vijoi luftën propagandistike lidhur me çështjen gjoja Maqedonase.Pikërisht në një prej numrave të gazetës së tij,Shahin Kolonja nxirrte në shesh lakuriq,tezat „shkencore“ të Bullgarit Vasil Kençov i cili paska shkruar diku se kufijtë e Maqedonisë janë ; „Që nga derdhja e lumit Masta afër Thasos e me anën e detit vete gjer tek lumi Aliakom,Inxhekara.Se endejmi le detin dhe shkon ne mes te Karaferjes e të Katerines,afër Selfixhijes e Dishkatës evete në malet e Pindit e afër Meçovës.Edhe së andejmi,në Samarinë e nga Gramozi vete në Zvezde,afër Korçës.Edhe së andejmi,duke marrë mbrenda .Starovën,Ohrin,Dibrën,Gostivarin,Tetovën,Shkupin,vete në Kaçanik,merr mbrenda Kumanovën,Preshevën e afër Vranjës bashkohet në kufinë e Serbisë.Bullgarët këtë vend e quajnë Maqedoni… dhe duan të thonë se tre katërt e banorëve janë bullgarë“.(Gazeta „Drita“ 8 shtator 1903).Pas këtij pohimi absurd,është pena e mprehtë e Shahin Kolonjës e cila i bën me dije lexuesit e shumtë shqiptar jo vetëm për bashkësinë e trojeve shqiptare,por edhe se ku e kanë qëllimin bullgaromëdhenjtë e tipit Kençov.Ai spjegon situatën e pështjelluar të Stambollit,si edhe politikat serbe,maqedonase,austro-hungareze e italiane,në ballkanin e trazuar.Ai i fton shqiptarët të mblidhen rreth ideve kombëtare se vetëm kështu do t’i bëjnë ballë rrezikut të madh të coptimit të trojeve të tyre.Tek e mbramja,pasi shkroi një varg artikujsh për Mqedoninë,Shahin Kolonja dhe mesazhin e madh para Evropës se nuk egziston vetëm çështja maqedonase por edhe çështja shqiptare.Nëse këto dy çështje nuk do të shiheshin të pandara nga njëra – tjetra,atëherë midis këtyre dy popujve do gjenerohej kurdohere konflikte dhe luftë.Se sa largpamës ka qenë kjo die e Shahin Kolonjës e shpallur botërisht më 1903,flet vetë e sotmja.
Ndonëse „Drita“ e Shahin Kolonjës botohej në 1000 kopje prej saj shiteshin shumë pak,sepse shumica u falej shqiptarëve në të katër vilajetet.Kjo e vuri në krizë ekonomike si Shahinin edhe Kristo Luarasin.Për më tej në vitet 1904-1906,shpesh gazeta nuk doli për shkak të largimit të Shahinit nga Sofja.E vërteta është se gjatë këtyre dy viteve,në bashkëpunim me Gjergj Qiriazin,Hamdi Ohrin,Bajo e Çerçiz Topullin,si edhe Idriz Gjakovën,burri i Kolonjës pati marëdhënie të fshehta por tepër të ngushta çka lidhet me krijimin e çetave të luftëtarëve të lirisë si edhe komiteteve të fshehta me qendër në Manastir.Një tjetër ngjarje e dhimbshme do të ndodhte në Kolonjën e dashur të Shahinit.Kisha greke, e tërbuar prej mësuesit të shqipes Papa Kristos nga fshati Negovan,paguan njerëz që e vrasin këtë pioner të palodhur të arësimit shqip dhe të çështjes kombëtare në përgjithsi.Ka qenë Gjergj Qiriazi i cili e ka njoftuar Shahinin në Sofje lidhur me këtë vrasje të ndyrë.E vërteta është se „Drita“ gjatë vitit 1905 disa herë kishte replikuar me disa gazeta greke lidhur me problemet e kishës e më gjërë.Mandej në të gjitha rastet,toni i Shahin Kolonjës pat qenë tepër i ashpër dhe forca argumentuese tejet e thellë.Por në këtë rast,ai do t’i shkruante mikut të ngushtë të tij,Asdrenit ; „Meqë zotëria juaj, enjihni fort mirë,stilin e gazetave greke,na dërgoni ju lutem ndonji artikull të shkruar greqisht.Gazeta „To Kratos“ është drejtëpërdrejt kundra kombit tonë“.( Arkivi Qendror i shtetit,Fondi 2 , dosja 74/1, fleta 436). Më pas kanë qenë Asdreni dhe Noli që u janë përgjigjur në gjuhë të pasur publicistike dhe politike,idhtarëve të kishës greke dhe atyre që donin të hapej lufta midis shqiptarëve dhe grekërve në Jug.
Në fund të vitit 1906,në Sofje shkojnë Bajo e Çerçiz Topulli.Të tre këta,në cilësinë e udhëheqësve të Komitetit të Manastirit,zhvilluan bisedime me ministrin e mbrendshëm Bullgar Genadiev rreth ndihmave që mund të merrnin sidomos në armatime,për çetat e luftëtarëve shqiptarë.Për hirë të së vërtetës,duhet thënë se Genadiev u premtoi luftëtarëve pushkë dhe pare por me kushtin që të njiheshin prej tyre pretendimet bulgare ndaj Maqedonisë.Në këtë rast,edhe Shahini por edhe Bajo e Çerçizi nuk vonuan t’ia bëjnë të qartë pozicionin e tyre,ministrit bullgar duke i deklaruar se ç’janë troje shqiptare do të mbrohen në mos me pushkë,me sopata dhe hanxhare.Këto qëndrime burrërore gjetën pasqyrim edhe në gazetën “Drita”.Në vitet 1907-1908,në bashkëpunim me Bajo Topullin, Çerçiz Topullin,Luigj Gurakuqin,Mihal Gramenon dhe të tjerë atdhetarë shqiptarë,Shahin Kolonja,bënë përpjekje të ngrenë Komitetin “ Për Liri a për Vdekje të shqiptarëve e Shqipërisë “ i cili do të mund të përgjigjej për fatet e popullit në të katër vilajetet shqiptare.Jo vetëm nëpërmjet faqeve të “Dritës” por edhe në biseda e takime në Sofje,Bukuresht apo Vjenë,Shahin Kolonja pat çuar tej,idenë e këtij Komiteti i cili parashihte në thelb,bashkimin e krejt çetave shqiptare nën një komandë unike,duke i dhënë kështu,një lloj sigurie lëvizjes kombëtare që po rritej përmes rreziqeve të mëdha.Në të njejtën kohë,ai ndiqte me vëmendje veprimet trimërore të çetës së Çerçiz Topullit duke e përkrahur sidomos ate në rrafshin propagandistik.Kështu ndërsa Porta e Lartë,donte të shuante lëvizjen e komiteteve shqiptare,në krejt vilajetet,Shahin Kolonja me penën e vet të matur do të kumtonte qëllimet e vërteta të kësaj shtypjeje të egër.Për të krijuar idenë e rreme se shqiptarët e duan sulltanin dhe duan të jetojnë kurdoherë nën hijen e tij.Komandat ushtarake të garnizoneve osmane në trevat shqiptare,bënin çmos të shuanin me zjarr e dinakëri,çdo lëvizje liridashëse.Për më tej,Shahin Kolonja nuk mungoi të demaskonte edhe ata shqiptarë,të cilët për të siguruar përfitime nga Porta e Lartë,arrinin të ngrinin pushkën kundër vëllezërve të tyre komitë.Tepër ironikë,në publiçistikën e tij,Shahin Kolonja,bën me dije lexuesin e “Dritës” dhe krejt opinjonin shqiptar,për fytyrën kriminale të Hilmi Pashës i cili kish vënë një qese me flori për ate që do t’i çonte kokën e Çerçiz Topullit.”Pasi kreu disa reforma shumë” të bukura në Jemen”,tani ai ka shkuar në Rumeli për të vazhduar “historitë” e tij”.Gazeta “Drita” më 15 janar 1908,Sofje).Ndërsa në muajin mars 1908,atëhrë kur trimat e Çerçiz Topullit hynë në Gjirokastër dhe vrasin bimbashin osman i cili pat bërë njëmijë e një krime,Shahini do të ishte ndër të parët që do të përshëndeste këtë akt.Përndryshe nga fjalët që përhapnin turqit se vrasja ishte e disa hajdutëve shqiptarë,Shahin Kolonja do të shkruante : “Ashkollsun u qoftë ! Bravo njëmijë herë të vërtetë.Kështu duhet të bëjnë komitët shqiptarë,fort bukur kanë punuar gjer tashti.S’kemi as me të paktin dyshim që edhe pasketej, keshtu kan per të punuar.Dhe ne u vrafshim,ata mbeten perjetë dëshmorë të Kombit”. ( Gazeta “ Drita “ më 15 maj 1908 , Sofje ).
Fitorja e turqve të rinj,në verën e vitit 1908 e ndryshoi të paktën qëndrimin zyrtar turk,ndaj atdhetarëve të njohur shqiptar.Pas tërë atyre viteve të një sakrifice të madhe,Shahin Kolonja ndërmerr një udhëtim për në Stamboll.Ai qëndron disa ditë në shtëpinë e vëllait të vet ku rrethohet nga një dashuri e ngrohtë familjare.Më tej do të ishte vizita në shtëpinë e Frashërllinjëve ku do të njihej edhe me shoqen e vet të jetës,Nevrezin,të bijën e Naim Frashërit.Mosha që po shkonte,vitet e tëra të lodhshme,sakrificat dukej se kërkonin një çmim që mund të ishte jeta e ngrohtë familjare. Pati edhe miq, që duke njohur aftësitë intelektuale të Shahin Kolonjës e këshilluan ate,që të niste punë në administratën turke,në Stamboll,ku nuk do t’i mungonte karriera.Por edhe nga Stambolli, Shahin Kolonja nuk i ndërrpret asnjëherë lidhjet me kapedanët shqiptarë.I lajmëruar prej Çerçiz Topullit,ai niset në gushtin e vitit 1908 në Selanik ku takohet me Çerçizin,Bajon,Mihal Gramenon dhe Mid’hat Frashërin.Ndonëse pati asaj kohe shqiptarë që besuan në “Mrekullitë” e turqve të rinj,këta atdhetarë u ndalën më së shumti në rrugët që duhej të ndiqte lëvizja kombëtare shqiptare. Çerçizi ka folur aty mbi lidhjet e fshehta të çetës së tij pos të tjerave më së miri me çetën e Nijazi Resnjës e cila vepronte në Manastir.U përcaktuan qartë në Selanik edhe lidhja me atdhetarët të tjerë që vepronin në Çamëri,Shqipëri e Epërme dhe në Kosovë.Menjëherë pas kësaj Shahin Kolonja merr rrugën për në Shkup dhe i ndihmuar prej Çerçiz Topullit,fillon të punojë për krijimin e klubit të qytetit.Aty është takuar edhe më pas me Bajram Currin ku burrat kanë bërë planet e ardhme të kryengritjes shqiptare.Nisur nga kjo,ngase kjo kryengritje kërkonte patjetër një organizim ushtarak “Shahin Kolonja gjatë ditëve të qëndrimit të tij në Shkup,Tetovë,Gostivar,u përpoq të fuste në radhët e Komiteteve të këtyre trevave,sa më shumë oficerë me origjinë shqiptare”.( “Alfabeti i Gjuhës shqipe”, dokumenti 32 Shkup. Më 1 nëndor 1908, faqe 314 ).
Të ndodhur përpara organizimeve të reja të administratës,turqit e rinj,organizuan në vjeshtën e vitit 1908 zgjedhjet e reja të Parlamentit.Kanë qenë sigurisht Çerçiz e Bajo Topulli,të cilët kanë ndikuar tek Shahin Kolonja,që ky të vendoste kandidaturën e tij në Kolonjë në vendlindjen e tij.Kjo kandidaturë do të përballej sidomos me një tjetër të vendosur e ndihmuar prej grekofilëve të Korçës dhe Kolonjës.E vërteta është se ndonëse emri i Shahinit përmendej me respekt në krejt Kolonjën,ai nuk ka mundur të shkonte atje ngase ish zgjedhur si përfaqsues i asaj krahine,në Kongresin e Manastirit.Dihet tanimë se çfar aritit ky kongres madhorë i shqiptarëve. Pa folur për to,pa dashur të lënë nën hije çështjen e përdorimit të alfabeteve,unë dua vetëm të kujtojmë se Kongresi i Manastirit,në mënyrë të fshehtë shpalli edhe një program kombëtar,përndryshe mund të merret si manifest i kërkesave shqiptare për çështjen kombëtare.Burime të historiografisë së huaj dhe asaj shqiptare,prej kohe kanë pohuar se anëtari i vërtetë i përpilimit të këtij programi,ka qenë Shahin Kolonja i cili, ndonëse pjesmarrës i drejtëpërdrejtë në problemin e alfabetit shqiptar,nuk mungoi të shfaqte në ate program,guximin intelektual.Është kjo njëra nga arsyet që në ditët e zhvillimit të Kongresit të Manastirit,nga atdhetarët shqiptarë u organizua një konferencë e veçantë mbi rolin e gazetës “Drita” në formimin e ndjenjës kombëtare.Ndërkaq,në ditët e fundme të kuvendit të Manastirit jeta dhe vepra e madhe e Shahin Kolonjës,u shpërblye me një tjetër gëzim.Pas numërimit të votave në Kolonjë,ai u shpall deputet me ç’rast shtëpia ku rrinte biri i Kolonjës, e ktheu gëzimin në një dasmë të vërtetë.Pa humbur kohë,Shahin Kolonja bisedon me miqtë e tij se si do të mund të vinin në jetë të gjitha idetë e programit kombëtar duke ndërthurur idetë politike me ato diplomatike e propagandistike.Qëndrimi i Shahin Kolonjës në parlamentin turk,si deputet i popullit të Kolonjës,do të mbetet pa dyshim një tjetër faqe e ndritur e biografisë së këtij atdhetari.Së bashku me Ismail Qemalin,Nexhip Dragën,Hasan Prishtinën etj,Shahin Kolonja do të formonte Krahun Kombëtar,i cili do të godiste në Parlament,të gjitha orvatjet e turve të rinj,për absolutizëm si edhe shuarje të lëvizjes kombëtare shqiptare.Kompaktësia e deputetëve shqiptar,u pa veçmas në rastin kur parlamenti turk kërkoi të nxirrte në gjyq Ismail Qemalin për gjoja nxitjen e tij për ngjarjen e 13 prillit 1909.Këtu u dëgjua edhe një herë,zëri i prerë i Shahin Kolonjës,i cili pasi mbrojti me zjarr bashkëatdhetarin e vet,nuk nguroi të nxjerrë në shesh pazaret që Porta e Lartë bënte në Fuqitë e Mëdha,për fatet e ardhshme të Shqipërisë.Fjala e Shahin Kolonjës,gjëmoi fort edhe në rastin e diskutimit të ligjit për kishat në Rumeli.Në fjalën e vet,duke vënë në dukje tendencat e theksuara antishqiptare të kishës greke, e cila pat arritur deri në therrjen e patriotëve shqiptarë,deputeti i Kolonjës u shpreh ; “për njohjen e karakterit dhe Veçorive kombëtare të kishave shqiptare si edhe mos varjen e tyre prej fanarit”.(Arkivi i Institutit të historisë – Tiranë.Fletorja zyrtare e Parlamentit otoman,nr.282, dt. 13 korrik 1909 ).
Anipse Shahini gjatë kohës së tij si deputet,u tregua mjaft i ashpër ndaj turqve të rinj,ai gjithsesi së bashku me Nexhip Dragën do të ruanin një lloj statuskuoje me politikan turq të ndryshëm,ngase parashihnin ngjalljen e mërive të mëdha ballkanike.Për Shahinin si edhe për dhjetra patriotë të tjerë shqiptarë,është e qartë se në këto vorbulla të rrezikshme të ngjarjeve në Ballkan,Shqipëria duhej të kishte së paku një përkrahje sado të vogël,për mos tu gjendur e vetme në mes të ujqve.Ndaj edhe ai nuk u përfshi tërësisht në ngjarjet për ngritjen e Flamurit në Vlorë.Ndonëse pat zhvilluar edhe disa biseda me Luigj Gurakuqin,Shahini mendonte se shpallja e pavarsisë mund të kryhej,atëherë kur së paku të ishin të siguruara gjysma e territoreve shqiptare pasi ky fakt do të vinte në pozitë edhe Fuqitë e Mëdha kur vendosnin.Mendoj se kjo ka qenë arsyeja që lidhur me shpalljen e pavarsisë,shtypi shqiptar të shkruante : “Po të kishin dëgjuar shqiptarët,fjalët e urta të Shahin Kolonjës,këshillat e tij për bashkimin e tërë kombit si një shpirt i vetëm,ndoshta Shqipëria do të kishte pasur një fat tjetër”. ( Gazeta “ Liri e Shqipërisë ” më 11 prill 1913 ).
Ditët që pasuan pas 28 nëndorit 1912,do të ishin të trishtueshme për Shahinin,si për krejt shqiptarët.Qëndrimi i tij në Stamboll ishte gati i padurueshëm ngase turqit i kishin ende të freskëta fjalët e mençura të tij në parlamentin osman.E vetmja rreze drite që hyri në jetën e këtij luftëtari të pendës,ishte lindja e një vajze nga martesa e tij me Nevrezin,të bijën e Naim Frashërit.Për kujtim të poetit të madh shqiptar,Shahini e thërret vajzën e vet me emrin Naime.
Ka qenë sigurisht në shoqërinë e atdhetarëve të tjerë në Stamboll,atëhrë kur mori vesh çka po përgaditej në Londër,në kurriz të Shqipërisë midis dhjetra telegrameve që iu dërguan kësaj konference,ishte edhe ai i Shahin Kolonjës i cili pos të tjerave kumtonte : “Kemi mësuar se ushtritë greke e serbe,po detyrojnë me thikën në grykë vëllezërit tanë të Korçës,Dibrës dhe Ohrit,që të nënshkruajnë një kërkesë drejtuar Fuqive të Mëdha,me çrast territoret shqiptare të lihen nën sundimin grek e serb.Korça,Dibra,Ohri nuk kanë qenë askurrë as greke as serbe,ata kanë qenë gjithmonë shqiptare dhe kanë luftuar gjithnjë për të gëzuar një jetë politike të tyren.Kemi nderin të besojmë që Fuqitë e Mëdha,të mos u zënë kurrë besë përpjekjeve armiqësore lidhur me Shqipërinë, e cila qysh nga fillimi i luftimeve,është shndrruar në shehsh të egërsirave të padëgjuara.Shahin Kolonja ish deputet i Korçës”.( Gazeta “Atdheu” Konstance,Rumani,8 shkurt 1913 ).
Burime të historiografisë sonë,na bëjnë me dije se në prillin e vitit 1913,Shahin Kolonja shkon në Vlorë.Aty takohet me miqtë e ngushtë të tij,Mid’hat Frashërin,Mihal Gramenon,Sali Gjukën duke iu gëzuar sadopak punëve të vështira që pat nisur qeveria e përkohshme shqiptare.Ai nuk pret as të takohet me Ismail Qemalin i cili në krye të delegacionit shqiptar ishte në Evropë,por niset sërish për në Turqi.Në Stamboll merr vesh prej miqve dhe shokëve të vet,për konferencën e Londrës e cila pat vendosur coptimin e trojeve shqiptare.Biri i Kolonjës do të ligështohej shumë duke sjellë ndërmend sakrificat dhe gjakun e derdhur të shqiptarëve,pikërisht për të ruajtur ato troje.Nërmerr një udhëtim për në Sofje ku takohet me mikun e vjetër të tij Skender Luarasin,kërkon të hapë sërish një gazetë,ku mund t’i flase Evropës por si gjithmonë ndodhet i ngushtë nga ana ekonomike. Pas Sofjes ai do të shkonte në Bukuresht,ku edhe këtu,shqiptarët do ti hapnin dyert e shtëpive për birin e dashur të kolonjës.Sidoqoftë edhe këtu,Shahini e ndjente se nuk kish kush të mbështeste financiarisht.Për më tej,këtu trupi i tij i drobitur bie në shtrat dhe janë disa atdhetarë që mundën ta dërgojnë deri në Stamboll. Midis vetmisë,sëmundjes dhe antishqiptarizmit qeveritar turk,Shahin Kolonja kaloi vitet e fundit të jetës së tij.Kur mbyllte sytë,pranë vajzës,Naimes,do të sillte ndër mend vetëm Kolonjën e vet të dashur.Ishte tetori i vitit 1919 dhe qindra patriotë shqiptarë e qanë me lot të nxehta burrin e palodhur për çështjen kombëtare.Ndërsa gazeta “Koha” e tetorit 1919,nën titullin e madh “Shahin Kolonja vdiq !” pos të tjerave do të shkruante ;”Le të derdhim lotë të nxehtë,le të vajtojmë dhe të bashkohemi të gjithë,në zinë e madhe që pushtoi mëmën Shqipëri,me humbjen e njërit nga bijt e saj më të shquar dhe më të dashur që kishte,Shahin Kolonjën ! “.Penda të tilla si ajo e Shahinit e Mit’hat e patriotëve dhe atdhetarërve të vërtetë do të jenë gjithmonë shtylla e fortë ku me besnikëri do të mbështetet ardhmëria dhe fatlumësia e kombit shqiptar.
Bern – Zvicër