• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vrasje dhe mjerim në Pashallëkun e Prizrenit në shek.XIX nga turqit, kleri katolik kërkon ndihmë te ambasadorët e huaj

June 8, 2023 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Shqiptarët e krishterë në Pashallëkun e Prizrenit, dhe jo vetëm, kanë përjetuar vrasje, tortura, vjedhje, grabitje, mjerim, nga turqit muslimanë. Sipas Relacionit Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli (Buçiarelli), dokument i cili është gjendur në Vatikan, dhe i përkthyer nga studiuesi Mark Palnikaj, masakrat ndaj popullsisë së krishterë, nuk vinin me urdhër të Sulltanit, Portës së Lartë, (kjo nuk do të thotë se Sulltani ishte mik i shqiptarëve, por është mirë që çdo dokument të zbardhet ashtu siç është shkruar nga dëshmitarët okularë), por nxiteshin nga përfaqësuesit e qeverisë turke dhe forca të tjera të errëta, si Kisha Ortodokse Serbe. Nëpunësit e pushtetit vendor, në emër të Sulltanit, mashtronin të krishterët se duhej të linin banesat e tyre. Midis banditëve turq, kishte edhe shqiptarë që ishin konvertuar në fenë muslimane, të cilët luftonin vëllezërit e tyre për disa rryshfete dhe ofiqe. Fytyra e shëmtuar në tregimin që paraqet Buçareli, është Nazif Pasha, i cili kishte arrestuar shumë të krishterë, dhe si këmbim për lirimin e tyre nga burgu, merrte rryshfete. Ndërsa gjeneralin Mahmund Hamdi Pashain, arqipeshkvi e veçonte si njeri të mirë, i mençur, i cili bënte gjithçka që të vendosej rendi dhe qetësia, që popujt me besime e kultura të ndryshme të Vilajetit të jetonin në harmoni të plotë. 

Kleri katolik i huaj luajti rol parësor në afrimin e vëllezërve shqiptarë, muslimanë apo të krishterë, duke vendosur paqen në vend. Pikërisht, kleriku Buçareli si Arqipeshkv i Shkupit, me qendër në Prizren, kërkoi ndihmë te ambasadorët e huaj në vend, në mënyrë që të ndërhynin duke marrë masa specifike për të vendosur rregullin dhe qetësinë në vend. Ndër të tjera, i dërgoi letra pa fund Portës së Lartë, faktorit të huaj ndërkombëtar, duke i informuar mbi gjendjen dhe u kërkoi që të merrnin masa për ndalimin e masakrave dhe vrasjeve ndaj të krishterëve. Për rolin e tij shumë të veçantë në vendosjen e paqes, përçimit të kulturës, përkushtimin e tij si një i krishterë i devotshëm, Buçareli mori vlerësime nga ambasadori austriak në Stamboll, i cili thoshte se Arqipeshkvi ishte një dëshmi e shkëlqyer e mbështetjes së fuqishme që të krishterët e atyre anëve gjejnë te madhëria e tij. “Kthimi i madhërisë suaj në Dioqezë është pritur prej katolikëve me brohorima, me atë ndjenjë kënaqësie shpirtërore që ngjall tek njerëzit e pafuqishëm prania e kryetarit të shumëdashur dhe mbrojtësit të tyre të natyrshëm”, ka thënë ai.

Letër ambasadave të huaja

Gjendja në vend kishte marrë tatëpjetën, kryengritësit po ushtronin dhunë dhe terror te të krishterët. Në këto kushte, i gjendur i pafuqishëm përballë një kasaphane të tillë, Buçarelli mendoi që t’i shkruante konsullatave të Austrisë e të Francës në Shkodër: “Të krishterët janë plot me vuajte dhe kryengritësit janë në kulmin e furisë së tërbimit e nga nevoja për mbijetesë të krishterët duhet të hyjnë në konfl ikt, të cilin po me kërkon me çdo kusht pala myslimane, që të kenë një motiv për t’i masakruar njerëzit, kështu, ju lutemi me këmbëngulje që sa më parë të keni mirësinë që të parandaloni një situatë të tillë të mundshme e të njoftonin ambasadën e ndritur që të ndërhyjë pranë Portës së Lartë, në mënyrë që me një ndërhyrje të tillë të shpëtohen jetët, e që të mund të emigrojnë këta të krishterët e Mirditës, që me shekuj kanë derdhë djersë e gjak për t’i shërbyer me besnikëri Sulltanit”.

Përfaqësuesit e pushtetit vendor mashtronin Portën e Lartë, ku masakrat mbi popullsinë e krishterë i cilësonin si skenare të sajuara nga vetë këta të fundit. Një rast tjetër, i cili dëshmon korrespondencën e arqipeshkvit me faktorin e huaj në vend, është ai kur një karabinier në kalë, i ardhur nga Gjakova, i kishte komunikuar një mikut të tij se dy fshatra të krishterë janë grabitur dhe djegur. Sapo mori vesh lajmin arqipeshkvi, shkoi tek I. R. konsull i Austrisë, që t’i bënte një pyetje shkëlqesisë së tij pashait, nëse u sulmuan nga turqit dy fshatrat e Doblibares, domethënë edhe Bradasani. Përgjigja që mori ishte kjo: “Nuk ka ardhur asnjë lajm në lidhje me ndonjë fakt të rëndësishëm. Kjo është vetëm një fjalë e përhapur, një thashetheme”. Pasi kërkoi, pastaj, arqipeshkvi informacione rreth asaj që kishte ndodhur, të cilit, meqë nuk iu tregua ky fakt me rëndësi, iu desh të shkruante dy raporte zyrtarisht, njërin konsullit austriak dhe tjetrin atij rus, që të mund të kishin baza që të mund të vepronin. 

Ndihma për të varfrit

Arqipeshkvi Imzot Dario Buçareli u është drejtuar ambasadorëve të huaj, jo vetëm për t’i informuar mbi gjendjen vrastare ndaj klerit katolik, por u ka kërkuar ndihmë edhe për fëmijët në nevojë, që nuk kanë patur ushqim mjaftueshëm dhe veshje. Ai iu drejtua Austrisë katolike, mbrojtësja e parë e katolicizmit në këto zona, dhe me një letër të datës 15 dhjetor të vitit 1866, me N° 176, i lutej I. R. konsullit të këtij kombi, në Shkodër, që ta dërgonte përmbajtjen e saj në qeverinë austriake, duke kërkuar që të kishte një ndihmë për këta të varfër të shkretë, sikurse tregohet më poshtë: “Me datën 15 dhjetor të vitit të kaluar, me anë të një letre me numër N°176, unë i kam kërkuar me anë të një kërkese madhërisë së tij perandorake apostolike tejet të nderuar një ndihmë në para në favor të të dëmtuarve të këtyre kohëve të fundit nga kryengritja e rebelëve dhe madhëria e tij e lavdëruar është denjuar që të marrë në konsideratë atë që i kam kërkuar, e kështu ka dhuruar një shumë prej 500 fi orintash në vlerë austriake, për një kambial prej lirash sterlina 37.9 P. e cila u shit për 4.100 pjastra turke, nga të cilat 1.600 ju, bashkë me personat që besoni se janë të përshtatshëm, do t’ua shpërndani me këtë qëllim të devotshëm të bamirësit të përshpirtshëm atyre që janë më shumë nevojtarë të dëmtuar nga rebelët dhe 2.500 me një njeri të sigurt, do t’ia dërgoni në një dërgesë (87) famullitarit të Pejës”. Gjithashtu, u ngrit një komision nga Porta e Lartë, për të vlerësuar dëmet që u ishin bërë të krishterëve. Arqipeshkvi u mundua të vendoste rend dhe qetësi, të merrnin fund vrasjet ndaj të krishterëve, por, përsëri, situata degjeneronte nga të pabesët.

Filed Under: Kronike Tagged With: Eneida Jacaj

Zbardhet dokumenti i shek.XIX, shtypja e klerit katolik në Vilajetin e Prizrenit, pa urdhër të Sulltanit

May 8, 2023 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Në arkivat e Europës gjenden dokumente të shumta dhe të vjetra në kohë, sa i takon historisë së popullit shqiptar. Do të ishim shumë me fat nëse do të financoheshin misione studimore, për të zbuluar thesarin historik që mban bota perëndimore për Shqipërinë, dokumente të cilat do të shërbenin për të hedhur dritë mbi shumë enigma dhe të pathëna. Këto dokumente të vjetra mund të jenë mbajtur në hije për shkak të interesave të Europës apo mosinteresimit të shkencës shqiptare, kjo pak rëndësi ka; e rëndësishme është që ato ekzistojnë dhe studiuesit shqiptarë mund t’i zbardhin për interesin e kombit tonë shqiptar. Perandoria Osmane dogji dhe shkatërroi gjithçka, duke mos lënë dokumente dhe prova autentike për historinë, kulturën, ekonominë, jetën fetare të kombit shqiptar, por jemi me fat që Europa në arkivat e saj mban gjithë historinë shekullore të Arbrit. 

                   Pas botimit të dorëshkrimit të shekullit të 17-të, i cili përshkruan në mënyrë të detajuar dhe kronologjike jetën fetare, historike, kulturore, gjendjen sociale, kryengritjet e shqiptarëve për pavarësi kundër turqve, të shkruar nga Fra GIACINTO P. Da Sospello, një tjetër dorëshkrim është zbuluar dhe përkthyer me shumë kujdes dhe profesionalizëm nga studiuesi Mark Palnikaj, i cili me shumë zell po punon fort në arkivat e Vatikanit, duke nxjerrë në dritë dokumente 600 vjeçare për Shqipërinë. Palnikaj është një ndër të vetmit që po i lë një pasuri të madhe arkivave të Shqipërisë, studiuesve dhe lexuesve në veçanti. Bëhet fjalë për Relacionin Sinoptik rreth ngjarjeve të ndodhura në Pashallëkun e Prizrenit, nga data 26 gusht 1866 deri me datën 6 mars 1868, të shkruar nga dëshmitari okular, Arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkup – Prizren, Dario Buçareli (Buçiarelli). Ngjarjet bazohen në torturat dhe masakrat që kanë vuajtur fshatrat me popullsi të krishterë në zonën e Vilajetit të Prizrenit, por dhe në Gjakovë, Deçan dhe në Pejë. Buçareli ishte i lindur në Castelplanio (Itali) më 4 prill 1827, ishte françeskan, dhe në vitin 1864 u emërua Arqipeshkëv i Shkupit, me seli në Prizren.

Vrasjet, rebelimet

                   Kleri katolik i huaj pati ardhur në trevat shqiptare me misionin për ruajtjen dhe pasurimin e jetës fetare, ekonomike dhe kulturore. Një rol të veçantë, kleri katolik luajti në afrimin e shqiptarëve të dy besimeve të Vilajetit të Prizrenit, Gjakovës e të Pejës, po dhe në fshatra, ku ata jetonin së bashku. Pra, konkretisht, konkretisht, vetë Arqipeshkvi Dario Buçareli u zotua të pengonte thellimin e përçarjes mes vëllezërve shqiptarë. Në këtë relacion, i cili tashmë është përgatitur për botim, tregohen qartë nga një dëshmitar okular, vuajtjet, torturat, masakrat, grabitjet, vjedhjet, djegjet e fshatrave dhe shtëpive me popullsi të krishterë, nga rebelët banditë turq, mes të cilëve edhe shqiptarë që ishin konvertuar në fenë islame, dhe, rrjedhimisht, quheshin turq. 

                       Këto vrasje dhe rebelime, nuk vinin me urdhër të Sulltanit, Portës së Lartë, por nxiteshin nga përfaqësuesit e qeverisë turke dhe forca të tjera të errëta, si Kisha Ortodokse Serbe dhe Greke. Këta nëpunës të qeverisë turke, gënjenin dhe mashtronin në emër të Sulltanit, se kishin marrë urdhër prej tij për të dëbuar të krishterët nga banesat e tyre. Ishin banditë, fanatikë myslimanë, që vidhnin, plaçkisnin fshatarët e varfër, ishin sahanlëpirës të qeveritarëve vendorë, merrnin rryshfete dhe paguheshin nga qarqe të errëta sllave dhe greke. Njerëzit që donin paqen, ankoheshin te qeveritarët, si Nazif Pasha, por këta të fundit, akuzat i cilësonin thashetheme dhe shpifje. Ndërsa nga ana tjetër, rebelët banditë shpifnin dhe akuzonin të krishterët për hakmarrje, të cilët më pas përfundonin në burgje. Gjenerali Mahmud Pasha ishte njeri i mirë dhe u mundua të vendoste rend dhe qetësi. Arrestoi shumë turq që kishin grabitur dhe masakruar të krishterët, madje në një aksion me ushtrinë e tij, vrau 5 prej tyre. 

Përpjekjet për paqe dhe stabilitet

                    Kleriku Buçareli si Arqipeshkv i Shkupit, me qendër në Prizren, bëri çmos që të vendoste paqen në vend dhe vrasjet ndaj të krishterëve të merrnin fund. Ai u dërgoi letra pa fund Portës së Lartë, ambasadorëve të huaj, duke i informuar mbi gjendjen dhe u kërkoi që të merrnin masa për ndalimin e masakrave dhe vrasjeve ndaj të krishterëve. Sipas ligjeve të Portës së Lartë, të krishterët ishin të lirë të mbanin besimin e tyre nëse dëshironin, dhe nuk duhej të ushtrohej forcë dhe dhunë ndaj tyre. Por nëpunësit e qeverisë bënin me kokën e tyre, duke përdorur emrin e Sulltanit, dhe abuzonin me ligjet. Sipas dorëshkrimit, burgjet ishin të mbushura plot me njerëz, kryesisht me të krishterë. Autoritetet vendore abuzonin me ligjin derisa kërkonin para për të nxjerrë të krishterët nga burgjet. “Duke filluar nga pashai e duke mbaruar tek mashtruesi i

fundit, e mbanin veten dhe silleshin si të ishin zotat e atij vendi e madje deri edhe ndonjë që mbahej për i ditur, përpiqej që të shpallej i ditur si ai që di gjithçka”, dëshmon Arqipeshkvi.              

 Abuzimet për t’u marrë para fshatarëve të varfër, ishin të pafundme. “Rasti deshi që me datën 12 shtator, në një ditë tregu, një xhandar i kërkonte një fshatari jeshirin (faturën) për disa speca që ai i kishte blerë, domethënë donte ta gjente në faj dhe ta kërcënonte që të mund t’i zhvaste ndonjë beslik (çmimi i 5 piastrave 1 fr dhe 11 cent), e meqë fshatari nuk e kishte e nuk

pranonte që t’ia jepte, u vra nga xhandari me një goditje pistole”, thuhet në dokument.

                      Në dorëshkrimin e tij, Buçareli thotë se shkaku i gjendjes së krijuar në Vilajetin e Prizrenit ishte qeveria vendore e jo ligjet e Perandorisë, të drejtuar nga Sulltani. “Prisni të mirën nga këta lloj njerëzish e personazhesh? Prisni nga ata zgjidhjen e problemeve dhe largimin e të këqijave, që e pikëllojnë aq shumë provincën e Prizrenit, e cila është plot me shfrytëzim, me grabitje, me abuzime, me futjen e duarve misterioze, që minojnë lirisht qeverinë e Sulltanit të madh? Ai, kuptohet, nuk i do këto gjëra, dhe urdhrat që i jep, janë të tjerë, por tradhtohet nga të tijtë, të cilët kërkojnë të angazhojnë vetveten e të mos i drejtojnë popujt sipas dispozitave të drejta që jep qeveria perandorake. Pa hezitim duhet thënë se ky lloj i njerëzve, po të krahasohet me duart misterioze, janë më fajtorë, më të dëmshëm, më të pafytyrë”, shkruan ai. 

                    Madje, ai përmend dokumentin e 10 gushtit të vitit 1867, nënshkruar nga N. N., ku dëshmohet fare qartë terrori i krijuar në fshatra nga rebelët turq. “Filloi stuhia në fshatrat, duke djegur gjithçka që u dilte para. Aq shumë u trash e keqja, saqë me zor i detyronin të krishterët që të mohonin besimin e tyre, ose do t’u merreshin të gjitha pronat e gjëja tyre, e i kërcënuan se do t’i vrisnin e do t’ju merrnin edhe jetën, e kështu, shumë veta, të detyruar nga dhuna dhe forca, që të mos e humbisnin jetën, pasuritë dhe pronat, si dhe nderin, qenë të detyruar që të nënshtroheshin ndaj peshës së rëndë me të cilën po i ngarkonin. Kush mund t’i tregojë dëmet që iu shkaktuan të krishterëve, ndërsa nga 240 shtëpi nuk gjendej më asnjë që të mund të thoshe se nuk ishte dëmtuar?”, thotë dokumenti, sipas Buçarelit.

Rrëmbimi i katolikes, Maria

                   Në fshatin që quhet Kramovik, banonte Preng Kaçinari, i besimit katolik, vendas, me origjinë nga Mirdita, kolon, zotërues i një numri të madh kafshësh bagëti të trasha, një punishte bakri dhe punishte armësh. Ai ishte i martuar me Marian, e cila ishte kthyer në besimin e krishterë. Rebelët turq i erdhën në shtëpi, shkatërruan çdo gjë, ndërsa gruan ia rrëmbyen dhe e mbyllën në kullë, vetëm se kishte qenë muslimane dhe kishte ndërruar fenë. 

                  Maria arriti të largohet nga kulla dhe kërkoi ndihmë te arqipeshkvi Buçareli, ndërsa njeriu i parë i Vilajetit, Nazif Pasha, kërkonte që ai t’ia dorëzonte atij gruan. “Ta dini, pra, shkëlqesia e juaj, se unë jam mësuar të fle me dyshek për tokë, në dysheme, direkt, e në kashtë. Me pullaz mbi kokë e në qiell të hapur, sikurse më ndodhi në udhëtimin e fundit(2). Deri tani mund të them se kam qenë pa banesë. Bamirësit e devotshëm më ndihmuan që të ndërtoj këtë shtëpi. Si në të kaluarën, edhe në ardhmen, mund të rri pa të. Ta dini se, meqë unë kam lënë nënën e babanë, vëllezërit motrat e të afërmit, shtëpinë, pasurinë e gjithçka, miqtë e atë që është më i shtrenjtë, atdheun, vullnetarisht, pa asnjë shtrëngesë në botë, kështu që mund ta kuptoni mirë se të jetoj apo të vdes është e njëjta gjë për mua. Përkundrazi, dashtë qielli që të bëjë që unë ta lë jetën e kësaj toke në shërbim të besimit të shenjtë”, tregon ai përgjigjen që i dha Nazif Pashës. Sa herë që Marian e pyesnin, e cilit besimit ishte, ajo jepte këtë përgjigje: “Si, ende nuk doni ta merrni vesh? Unë jam e krishterë e dua të jem e krishterë. Më bëni copë e grimë. Forca dhe dhuna nuk më thyejnë. Më mbani të mbyllur brenda kësaj kulle deri sa të jem gjallë, unë do të mbetem përgjithmonë e krishterë. Dhe këtë besim që kam, edhe sikur të më premtoni se nuk ma prekni jetën e si edhe po të ofroni të gjithë arin e botës, unë nuk do ta braktis”.

                  Përpjekjet e Dario Buçarelit janë të panumërta për të mbrojtur të krishterët. Ai u dërgoi letra ankese të pafundme qarqeve më të larta drejtuese, të cilat mashtroheshin nga rebelët banditë. Përpjekjet e Dario Buçarelit janë të panumërta për të mbrojtur të krishterët. Ai u dërgoi letra ankese të pafundme qarqeve më të larta drejtuese, të cilat mashtroheshin nga rebelët banditë. Korrespondencat dhe masat që u morën, do i trajtoj në një artikull tjetër.

Filed Under: Kronike Tagged With: Eneida Jacaj

Portreti i Skëndërbeut, në Muzeun e Fermos, dëshmi për miqësinë diplomatike me Italinë

January 20, 2023 by s p

Përgatiti: Eneida Jaçaj/

Portreti i heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu, është zbuluar në Muzeun e qytetit të Fermos, në Itali. Portreti, i cili i përket një periudhe 471 vjeçare, i është dhuruar Muzeut të Fermos, nga një prift në vitin 1550. Ajo që të bën përshtypje në këtë portret ndryshe nga çka e kemi parë, është se hunda me kurriz të dalë nuk paraqitet e tillë; Skëndërbeu paraqitet në një moshë shumë të re, me mollëza të dala, dhe mendohet sipas studiuesve, që i përket periudhës së Rilindjes Europiane, pasi nuk ka autor, dhe kjo është tipike e kësaj periudhe. Zbulimi i këtij portreti tregon qartë marrëdhëniet e ngushta miqësore të prijësit të Arbrit, udhërrëfyesit, strategut legjendar, Skëndërbeut, me Italinë.

Pas krijimit të shtetit të Arbërit, në 1448, Skëndërbeu ishte i pari që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Perëndimin. Heroi legjendar forcoi marrëdhëniet miqësore me Vatikanin dhe Mbretërinë e Napolit, gjë që e ndihmoi me ushtri dhe financa. Pra, nuk është e rastit, zbulimi i një portreti të tillë. Përpos këtij portreti në Muzeun e Fermos, ekziston në një muze tjetër edhe një portret i Skendërbeut me rroba kombëtare të zonës fushore të Shqipërisë së Mesme, i cili ndodhet 500 kilometra larg Fermos. Portreti i heroit tonë legjendar, prijësit të Arbrit, është zbuluar nga studiuesi i mirënjohur, z.Mark Palnikaj, i cili shkoi për një vizitë studimore në Bibliotekën Komunale “Romolo Spezioli”. Studiuesi Mark Palnikaj është mjaft i apasionuar me figurën e Skëndërbeut. Siç dihet, ai është autor i librit “Skënderbeu, letërkëmbimet me sulltanët”, i mbështetur në dokumente të zbuluara nga vetë ai, nga Arkivi i Bibliotekës Kombëtare të Napolit dhe nga Arkivi Sekret i Vatikanit.

Një portret akoma më i hershëm i prijësit të Arbrit është ai i vitit 1466, kur Skëndërbeu vizitoi qytetin e Lagunovës në Itali, ndërsa Gentile Bellini e pikturoi atë me urdhër të autoriteteve venedikase. Fakte të tjera që na bëjnë të ndihemi krenarë për heroin tonë kombëtar, i cili luftoi për të ruajtur tokat e Arbrit për 25 vjet, është se emrin e tij e mbajnë sheshe të shumta në kryeqytetet më të rëndësishëm të botës, duke filluar që nga Tirana, Prishtina, Zyrihu, Parisi, Roma, Çikago, Shkupi, etj. Gjithashtu, buste dhe shtatore të Gjergj Kastriotit Skënderbeu ndodhen në Londër, Spanjë, Buones Aires, Nju York, Kanada, Kosovë, Tiranë.

Në arkivat e Vatikanit gjenden dokumente shumë të vjetra 600 vjeçare për historinë e Shqipërisë dhe marrëdhëniet miqësore diplomatike të Skëndërbeut me Venedikun dhe Mbretërinë e Napolit. Heroi ynë legjendar, Skëndërbeu, një luftëtar trim dhe shumë i avancuar për kohën, në betejat e tij të suksesshme kundër osmanëve kishte për qëllim çlirimin e tokave shqiptare dhe për të penguar shtrirjen e Perandorisë Osmane drejt Europës. Perandoria Osmane kërkonte të tregonte epërsi dhe forcë, duke kontrolluar tokat ku shtrihej Perandoria Bizantine. Synimi i saj kryesor dhe frika më e madhe e saj ishte Venediku, pasi kishte dhe flotën dhe detin.

Europa pati një interes të madh të ruante marrëdhënie të mira me Skëndërbeun, me këtë trim, i cili 25 vite nga jeta e tij ia kushtoi luftës kundër osmanëve. Bëhet fjalë për shekullin e XV-të. Europa e shikonte Skëndërbeun si një barrierë të fuqishme që pengonte shtrirjen e ushtrive osmane drejt Perëndimit. Kur ushtritë osmane filluan të pushtonin zotërimet venedikase në More (Peleponez), pati një afrim dhe bashkëpunim më të madh ndërmjet Skënderbeut dhe Venedikut, për fuqizimin e luftës antiosmane. Papët e Romës, Skënderbeun e cilësuan si “Mbrojtës të krishterimit” dhe i dhanë titullin “Kapiten i përgjithshëm i Selisë së Shenjtë”.

Në marrëdhëniet e mira diplomatike me shtetet italiane, një vend të veçantë kishin ato me Mbretërinë e Napolit. Skënderbeu, në vitin 1451, lidhi traktate me mbretin Alfonsi V të Napolit për të bashkëpunuar në luftën antiosmane. Skëndërbeu mori ndihma ushtarake nga Napoli, në 1455, në betejën e Beratit. Pas vdekjes së Alfonsit të V (1458), lidhjet me Italinë u dobësuan. Marrëdhëniet me Italinë nisën të riforcoheshin kur Skënderbeu ndërhyri në luftën civile që kishte shpërthyer atje dhe i dha ndihmë ushtarake mbretit Ferdinand.

Skënderbeu organizoi sulme të njëpasnjëshme dhe çliroi një varg qytetesh e qendrash të fortifikuara, si Tranin, Sant Anzhelon, San Xhovani Rotondon etj. Në shenjë mirënjohjeje për ndihmën e vyer, mbreti Ferdinand i dhuroi si prona heroit shqiptar, San Azxhelon e San Xhovani Rotondon dhe i caktoi atij një pension vjetor prej 1200 dukatesh. Fakte të tjera historike që dëshmojnë miqësinë me Italinë është se, një nga shpatat e Skënderbeut, i është dhuruar nga Papa në Krishtlindjet e vitit 1466 dhe është me trup të drejtë, e gjatë 85.5 centimetra dhe e gjerë 5.7, peshon 1.3 kg.

Dy herë Papa Piu II kërkoi të vinte në Shqipëri me qëllim kurorëzimin mbret të Skënderbeut. Pra, strategun legjendar, trimin që i njihte mirë taktikat e luftës, diplomatën e mençur, i cili e cilësonte veten pasardhës të Piros së Epirit, Europa e donte dhe kishte interes të madh të mbante marrëdhënie të mira, pasi e shihnin si luftëtarin simbol kundër shtrirjes së Perandorisë Osmane drejt saj dhe më gjerë.

Filed Under: Histori Tagged With: Eneida Jacaj

Islamizimi i shqiptarëve, gjatë periudhës së pushtimit osman

January 9, 2023 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj/

Perandoria Osmane ishte një perandori kozmopolite, me një ekonomi dhe ushtri të fuqishme, sidomos gjatë shekujve 16-të dhe 17-të, me një influencë të madhe midis Lindjes dhe Perëndimit. Perandoria Osmane u krijua në vitin 1299, në Veriperëndim të Azisë së Vogël, dhe kishte për qëllim pushtimin e tokave që kontrolloheshin nga Perandoria Bizantine. Madje, për të arritur qëllimin e tyre, osmanët patën hartuar planin për ekspansion më të gjerë drejt Perëndimit. Pas ardhjes së Sulltan Muratit të Parë në front, i cili kreu shumë fitore, u krijua menjëherë përshtypja se kjo perandori vështirë të ndalej në synimet e saj për të pushtuar Europën. Shqipëria ka qenë 500 vjet nën sundimin osman, në vitet 1384 dhe 1912, deri kur Perandoria Turke u dobësua për shkak të luftës me Rusinë, kur katër vilajetet shqiptare u bashkuan në gusht të 1912, dhe, më pas triumfoi akti i pavarësisë së trojeve shqiptare, nga babai i kombit, Ismail Qemali. 

                Osmanët kanë hyrë në tokat shqiptare, përmes Bullgarisë dhe Maqedonisë, në një kohë kur princat shqiptarë, Topia dhe Balsha II, ishin në konflikt me njëri-tjetrin për të marrë nën administrim sa më shumë toka shqiptare. Balsha II ishte fuqizuar së tepërmi dhe kjo bëri që Karl Topia të xhelozojë, duke bërë një gabim të madh që Shqipëria të shndërrohej në vasalitetin e Perandorisë Osmane për 500 vjet. Pra, Karl Topia i thirri osmanët për t’iu kundërvënë Balshës II, në Betejën e Savrës në vitin 1384, e cila përfundoi me vdekjen e këtij të fundit, por, këtu nisi pushtimi i territoreve shqiptare nga Perandoria Osmane. Osmanët shfrytëzuan mosmarrëveshjet e princave shqiptarë, për të pushtuar tokat shqiptare, dhe për t’u shtrirë më gjerë drejt Europës.

Islamizimi i shqiptarëve

                   Pushtimi osman në tokat shqiptare, zgjerimi i Perandorisë Osmane drejt Perëndimit, është një faqe shumë e gjerë e historisë, e cila nuk nisi brenda një dite. Për të folur për pushtimin osman në trojet shqiptare dhe më gjerë, janë bërë studime të shumta në, nga autorë të huaj modernë dhe të antikitetit, por do të ndalem në një pikë tjetër, në islamizimin e shqiptarëve gjatë periudhës së pushtimit osman. Shumë debate, diskutime, artikuj të ndryshëm janë hapur dhe shkruar sa i takon islamizimit të shqiptarëve, gjatë periudhës së Perandorisë Osmane. A janë islamizuar shqiptarët me dhunë apo me dëshirë? Përse Serbia dhe Greqia nuk janë konvertuar në fenë islame? Diskutimet janë nga më të ndryshmet, ku disa mbrojnë me fanatizëm tezën se osmanët kanë ushtruar dhunë te shqiptarët për të ndryshuar fenë e tyre; pjesa tjetër shprehen se në librat e historisë në shkolla është shkruar një gënjeshtër e madhe, pasi, jo vetëm që nuk kanë ushtruar dhunë, por as gjuhën shqipe nuk e ndaluan, pasi, në rast të kundërt, sot, askush nuk do të mundtte të fliste shqip. 

                Sipas njohësve të mirë të kësaj fushe, profesionistëve të osmanologjisë, konvertimi i shqiptarëve në fenë islame është kryer në një situatë komplekse, dhe nuk mund të ketë një përgjigje përfundimtare për të dyja proceset, me dhunë apo me dëshirë, ose mund të thuhet se janë aplikuar të dyja situatat. Sa i takon shqiptarëve që u islamizuan me dëshirë, kanë ndikuar shumë faktorë si ekonomikë, psikologjikë dhe politikë. Në bazë të të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, elita shqiptare ishte e para që pranoi islamin, për t’u integruar në Perandorinë Osmane dhe për të ruajtur tokat e tyre. Pra, ata shqiptarë që donin të bënin karrierë dhe të kishin privilegje, e pranuan islamin si fenë e tyre. 

                  Sipas të dhënave historike, shumë shqiptarë dhe kushërinj të Skëndërbeut u islamizuan; ata ishin pararoja e ushtrisë osmane kundër tij. Në defterët e Epopesë së Skëndërbeut, të Matit dhe të Dibrës, gjen shqiptarë të islamizuar, që kanë patur shumë privilegje. Ata kanë qenë spahi dhe kanë patur tokat më të mira që ua ka dhënë shteti. Te feja islame shikonin të gjenin sa më shumë privilegje, të mos paguanin taksa dhe të mos kishin probleme me Sulltanin. Por, sigurisht mund të themi se ka patur edhe vrasje përderisa kjo ishte një luftë fetare, në periudhën pas pushtimit. Siç është bërë e ditur, në një nga rastet e dhunës, dy françeskanët e parë që erdhën në vitin 1636 në Shosh, Pader Kerubino ngaa Vallebonas dhe Pader Bonaventura nga Pallazuola, u kërcënuan me vdekje dhe u larguan. Në vitin 1644 janë ngulur në hunj të gjallë dy fretër në Shkodër dhe janë vrarë dy fretër në Kelmend në buzë të lumit Cem. Nga viti 1620 deri në vitin 1750, janë vrarë 11 fretër vetëm në dioqezat e Pultit dhe Shkodrës. 

                 Serbët dhe grekët nuk u islamizuan, pasi ata kishin Kishën e tyre Autoqefale; nuk e ndërruan fenë, por u lanë dorë të lirë osmanëve në tokat e tyre. Popullsia e krishtere ishte e mbrotjur nga Sulltani, por me një kusht; ose do vinin të luftonin përkrah ushtrisë osmane, sa herë të kishte nevojë, ose do paguanin taksa. Vendi ishte vasal gjatë sundimit osman, pra, princat ruanin autoritetin e tyre administrativ, por në politikën e jashtme do t’i bindeshin Sulltanit. Arkivat turke përmbajnë shumë dokumente të vjetra historike, që i përkasin harkut kohor nga viti 1664 deri më 1914, gjatë periudhës kur Shqipëria qeverisej nga Porta e Lartë. Në dokumentet arkivore nuk përmendet asnjë rast dhune në konvertimin e shqiptarëve në islamë. Madje, shqiptarë që kanë punuar në arkivat turke, e mohojnë rreptësisht se është ushtruar dhunë. 

                  Albanologu gjerman, Peter Bartl, thotë se vitet e pushtimit osman nuk mund të quhen kurrsesi si vitet më të errëta. Studiuesi i njohur ka theksuar se shqiptarët kanë bashkëjetuar me osmanët, pasi ishin pjesë përbërëse e perandorisë osmane, dhe ky përfaqësim ishte i madh në proporcion me numrin e popullatës shqiptare. Më shumë se 30 vezirë të mëdhenj ishin me origjinë shqiptare. Shumë shqiptarë kanë mbajtur detyra të larta drejtuese në administratën shtetërore të Portës së Lartë, si kryeministra, ministra, deputetë, etj. Një ndër ta ishte Ismail Qemali, i cili, gjithë përvojën e tij si funksionar i lartë në administratën turke, e përdori për të krijuar shtetin e parë shqiptar. 

                Osmanologu turk, Ilber Ortayli, në një prononcim që ka dhënë për një media, është shprehur se shqiptarët e kanë pranuar besimin islam pas pushimit osman. “Perandoria Osmane, që nga fillimi u zgjerua në vendet e Rumelisë, Perandorinë Romake, jo greke, sepse europianët emrin Rum e përkthejnë si Kisha Ortodokse Greke. Zgjerimi i Perandorisë, në bazë të administratës kozmopolite, natyrisht ka qenë myslimane, natyrisht gjuha ka qenë turke, por ka pasur edhe minotitete të tjera, dhe këto minoritete nëse kanë pasur gjuhë apo origjinë tjetër, kurdo që e pranuan islamin ata nuk patën probleme. E këtillë ka qenë edhe gjendja e shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë filluar të konvertohen në fenë islame pas pushtimit, dhe askujt nuk i ka interesuar etnia e tyre”, thotë ai. 

Toleranca e besimeve fetare

               Sipas të dhënave historike dhe osmanologëve të fushës, Perandoria Osmane kishte tolerancë në besimet e tjera. Duke u gjendur përballë fakteve të shumta, se Perandoria respektonte besimet e tjera, pjesëmarrja e shumë shqiptarëve në administratën dhe ushtrinë osmane, mendoj se ato vrasje ndaj të krishterëve mund të jenë kryer në fillim të pushtimit osman, ose në ato raste kur janë hasur në rezistencën e tyre për të ruajtur tokat dhe kulturën fetare. Megjithatë, pushtimi ishte i padëshiruar dhe nuk kishte asnjë reagim dhe interes nga Fuqitë e Mëdha, për të nxjerrë Shqipërinë nga një pushtim kaq i gjatë; arsyet gjithmonë janë për interesa politike ashtu siç veprohet edhe sot. Gjithmonë, sipas njohurive historike, Perandoria kishte marrë Kostandinopojën, e cila kishte një patriark që ishte shefi i krejt besimtarëve ortodoksë. Detyrat e patriarkut dhe të sulltanit ishin të ndara. Sulltani i kërkonte patriarkut jo rebelim ndaj besimit islam, dhe të mblidhte taksat. Defteri arvanit, i vitit 1431, thotë se në mesin e timarxhinjve kishte edhe të krishterë, pra Perandoria respektonte prakticizmin e riteve fetare.              

              Madje, një dokument turk thotë se shteti perandorak pati ndihmuar me 75.000 guru përfundimin e punimeve të Kishës në Shkodër. Ndërkohë, edhe osmanologu turk, thotë se ka patur tolerancë në besimet fetare dhe gjuha shqipe është folur, pra nuk është ndaluar. “I kanë rekrutuar fëmijët e krishterë, por normalisht shërbyesit civilë dhe madje anëtarët e ulemasë dhe tarikatit, të cilët kanë qenë shqiptarë, në ato lloje shërbime, natyrisht i kanë përdorur gjuhët shqipe dhe turke, si në Maqedoni, Tetovë, si edhe në Shqipëri. Psh, bektashinjtë janë shqiptarë, por e përdornin edhe turqishten, sepse ky ka qenë komuniteti i tyre, duhet të flsinin të dyja gjuhët. Prandaj, shtrirja e perandorisë, para së gjithash, bazohet në këto llojë kozmopolite turke. Ata i ulën taksat. Përfundoi eksploatimi. Para pushtimit”, shprehet osmanologu turk. 

Rekrutimi i shqiptarëve, në ushtrinë osmane

              Interesi i osmanëve ishte që të konvertoheshin sa më shumë shqiptarë në fenë myslimane, në mënyrë që në radhët e tyre të kishin njerëz sa më të besuar, duke fuqizuar sa më shumë ushtrinë turke. Kështu, kemi raste kur osmanët rekrutonin shqiptarë në ushtrinë osmane, duke i joshur me para. Nga gjendja jo e mirë ekonomiko-sociale, shumë prej tyre pranonin jo vetëm të hollat, por edhe islamin. I gjendur në këtë situatë, Skëndërbeu ndoqi një politikë të brendshme dhe të jashtme shumë aktive. Hapi i paë ishte tubimi në një Kuvend i të gjithë fisnikëve të vendit dhe zotëruesve të tokave. Kuvendi u mbajt më 2 mars 1444, në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Ishte kjo një bashkësi e gjerë kombëtare, një bashkërenditje për t’i rezistuar synimeve osmane për pushtimin e tokave shqiptare.      

                Skëndërbeu, në burimet osmane, paraqitet si një personalitet shumë kompleks dhe i avancuar për kohën. Ai ishte luftëtar dhe komandant i jazhtëzakonshëm. Historia e njeh edhe si diplomat të shkathët. Sulltan Murati 2 dërgoi tre ekspedita ndëshkuese më 1455/1488 që të mposhtte Skëndërbeun, por që të tria u thyen keq nga heroi shqiptar, i cili po mahniste princër dhe mbretër të Europës për karakterin e tij të fortë dhe taktikat e luftës. 

Shkollat shqipe

                Të gjithë e dimë se shkolla e parë zyrtare shqipe është hapur më 7 Mars 1887 në Korçë, kur Naim Frashëri ia kërkoi Portës së Lartë. Por shkollat shqipe kanë ekzistuar akoma më herët, gjatë pushtimit osman. Këtu, misionarët katolikë kanë luajtur rol thelbësor në edukimin fetar dhe social të popullsisë shqiptare. Shkollat kanë qenë në gjuhën shqipe, ndërsa programi ka qenë osman. Sipas dokumenteve dhe studimeve që janë bërë, priftërinjtë hapën shkolla që datojnë nga viti 1585; në Kurbin më 1632; shkolla e Pllanës dhe të Blinishtit në vitin 1644; shkolla e mesme në Janjevë të vitit 1670; shkolla e Rrjollit, e hapur nga Pjetër Bogdani me mësues Marin Gjini, në vitin 1675; shkolla e Shkodrës, e hapur nga Filipi, nga Shkodra, në vitin 1698, e shumë shkolla të tjera.

             Kështu, në vitet e pushtimit osman, mësimi i gjuhës shqipe bëhej në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, pastaj në Himarë (1627), Kurbin të Krujës (1632), Vuno e Palasë të Himarës (1632), Korçë (1637), Pllanë (1639), Bilisht (1639), Dhërmi (1660), Janjevë (Kosovë) (1665), në Akademinë e Re në Voskopojë e në Medresenë e Bushatllinjëve në Shkodër, etj. Gjendja e shqiptarëve në dy dekadat e fundit kur Perandoria u largua nga Ballkani, ishte e keqe dhe nuk kishin bërë asnjë investim. Thuhet se në vitet 1500-1600, infrastruktua, ekonomia, ishin shumë më lartë në Shqipëri, por kur filloi të dobësohej Perandoria, ra edhe niveli ekonomik. Pas shpalljes së pavarësisë, popullsia shqiptare vuajti një pushtim akoma më të egër, copëtimin e trojeve dhe përjetoi varfërinë ekstreme, duke u futur në një tjetër kapitull historik pasmesjetar.

Filed Under: Histori Tagged With: Eneida Jacaj

Gazetarja Eva Dori vlerësohet me çmimin “Gruaja e Fuqishme 2022”, në Nju Xhersi

January 4, 2023 by s p

Eva Dori: Mirënjohje ndaj Aleancës Shqiptare dhe kryebashkiakut të Nju Xhersit, çmimin ua dedikoj të gjitha grave në emigracion

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe

Pasioni për punën, profesionin, të bukurën, do ta shoqërojë gjithë jetën njeriun që është i dashuruar pas veprave të mira, dijes dhe kulturës. Në çdo skaj të botës që mund të gjendet, mes vështirësive apo të mirave, dashuria për punën dhe profesionin nuk do ta tradhtojë asnjëherë, pasi është gdhendur rrënjësisht në zemër, për të krijuar vepra të bukura në të mirë të vetes dhe të komunitetit që e rrethon. Njeriu kur arrin të kuptojë se çfarë dëshiron të realizojë apo krijojë, e ka arritur plotësisht lirinë dhe pavarësinë e tij! Kur veprat e mira vlerësohen, mbështeten dhe shpërblehen, kënaqësia është e dyfishtë, dhe të jep kurajë për të punuar akoma edhe më shumë, duke nxjerrë më të mirën në shërbim të vetes dhe atyre që e rrethojnë. Gazetarja Eva Dori është vlerësuar me çertifikatë mirënjohje nga Aleanca Shqiptare dhe kryebashkiaku i Nju Xhersit, Richard Rigoglioso, si “Gruaja e fuqishme 2022”, me dedikimin “Mirënjohje për qëndresën e fortë kundrejt sfidave në jetë”. Eva Dori është një gazetare e apasionuar, e cila jep shumë për komunitetin shqiptar në Filadelfia, me projektet e saj për promivimin e gjuhës, valleve, folklorit shqiptar. Eva Dori, përpos emisonit Albanian Dream, pasqyron të gjitha aktivitetet e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, shoqatë e cila është në promovim të vlerave kutlurore shqiptare, duke mbajtur ndezur pishtarin e gjuhës shqipe, si asetin më të çmuar të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar.

-Shoqata “Bijtë e Shqipes”, me kryetar z.Bujar Gjoka, ka demonstruar se është gjithmonë në shërbim të promovimit të vlerave kulturore shqiptare, ruajtjes së gjuhës shqipe, si asetin më të çmuar të trashëgimisë kulturore të kombit tonë shqiptar. Gjithashtu nuk harron të vlerësojë dhe nxjerrë në pah punën dhe vlerat e personazheve që na nderojnë dhe na bëjnë të ndihemi krenarë si komb. Kjo shoqatë vlerësoi me mirënjohje aktoren Margarita Xhepa, çmim të cilin ia keni dorëzuar ju. Çfarë do të thotë ky çmim, dhe çfarë emocioni përjetuat kur e dorëzuat këtë çmim në duart e aktores së talentuar?

Margarita Xhepa mori çertifikatë mirënjohje për gjithçka që ka dhënë dhe po jep si një aktore e shkëlqyer e kombit tonë, si një qytetare e intelektuale e palodhur në shpalosjen e vlerave dhe bukurisë shprehëse të gjuhës shqipe. Falenderoj z. Bujar Gjoka, kryetarin e kësaj shoqate që më dha mundësinë mua t’i jap këtë çmim! Kam patur fatin që, pothuajse, në të gjitha aktivitetet tona që kemi zhvilluar, znj. Margarita nuk na harron asnjëherë, na mbështet duke na dhënë mesazhe që janë shumë domethënëse për ne emigrantët.

-Të krijosh, të punosh dhe të japësh nga vetja më të mirën e mundshme në të mirë të komunitetit, është kënaqësi, por kur e mira shpërblehet dhe njihet, kënaqësia vjen e dyfishtë, dhe të shtyn të bësh akoma gjëra më të bukura. Ju, Eva, jeni vlerësuar me një çertifikatë mirënjohje nga Aleanca Shqiptare dhe kryebashkiaku i Nju Xhersit, për kontribut ndaj komunitetit shqiptar. E prisnit?

Për të gjithë ne emigrantët, është një moment shumë i bukur kur të vjen një ftesë për të patur të tilla mundësi, të ndalësh për pak kohë ritmin, që të kërkon jeta këtu. Në këtë ndalim, të jepet mundësia të kthehesh te rrënjët e tua; të flasësh, këndosh e të kërcesh shqip, e rrethuar me dashuri miqsh të mirë. Profesioni i gazetarisë, gjithmonë më shtyn të jem aty ku mblidhen e festojnë shqiptarët; të jem me ta, të dëgjoj sukseset e tyre e, natyrisht, duke i pasqyruar sa më shumë efektin e promovimit. Ne duhet të bëhemi një dritë shprese për të gjithë emigrantët e rinj, që edhe ata si ne do ia dalin! E prita me shumë kënaqësi ftesën nga kryetari i Shoqatës Aleanca Shqiptare z. Alban Gaba, i cili tashmë e ka kthyer në një traditë të bukur festimin e të gjithave festave që kanë të bëjnë me promovimin e vlerave të komunitetit shqiptar në Neë Jersey!

-Ju jeni vlerësuar me një tjetër çmim, “Gruaja e Fuqishme 2022”. Çmimi ju është dorëzuar nga vetë kryebashkiaku i Nju Xhersit, z Richard Rigoglioso. Çfarë do të thotë për ju ky çmim?

Nën kujdesin e poetes së talentuar, znj. Arjana Fetahu Gaba dhe znj. Bardha Cela Bushka, Shoqata “Aleanca Shqiptare” vendosi të organizojë në vitin që lamë pas, Mother’s Day – Empowering Woman’s Awards 2022! Unë, gjithmonë, kur shkoj në të tilla organizime xhiroj dhe fotografoj pa fund. Përpiqem të marr emocionet e të gjithëve atyre që vlerësohen në të tilla evente. Emocionohem dhe përlotem njësoj me ta. Çmimi për Gruan e Fuqishme 2022, i ardhur në formën e një çertifikate falenderimi, me dedikimin “Mirënjohje për qëndresën e fortë kundrejt sfidave në jetë”, do të thotë shumë për mua, sepse, unë përfaqësoja jo vetëm Evën, por gratë e Philadelphias! Ky çmim vjen pas një tjetër emocioni të bukur që mora në mbrëmjen e ndërrimit të viteve në Shqipëri, duke u nominuar dhe fituar çmimin e parë, si Gruaja e Vitit për karriere!

-Sa i lidhur është vetëzhvillimi i gruas me rritjen e shoqërisë? Cila është pika konverguese që bashkon zhvillimin e femrës me zhvillimin e shoqërisë në tërësi?

Gruaja luan një rol të rëndësishëm në edukimin e brezave dhe shoqërisë. Patjetër që një grua e arsimuar do të përgatisë fëmijë me një zhvillim më të gjerë kulturor, dijesh dhe të edukuar. Kjo do të ndihmojë të kemi një shoqëri sa më larg veseve të këqija, drejt një shoqërie më të emancipuar dhe të zhvilluar. Ne kemi shumë gra në emigracion që, përveç mëmësisë, janë gra të pavarura, të shkolluara, pra nuk janë vetëm amvisa. Ato gra që kanë shumë vite në emigracion, të cilat e kanë gjetur veten, duhet të japin ndihmën për integrimin e grave që sapo kanë ardhur në një vend kaq të madh si Amerika. Unë njoh gra shumë të mira, që nuk do të përtonin të jepnin ndihmën e tyre, në funksion të një komuniteti shqiptar sa më të bashkuar dhe të zhvilluar.

-Emisioni Albanian Dream është një emision shumë popullor për komunitetin shqiptar në Filadelfia, por jo vetëm. Si arritët të formësonit një program të tillë dhe të qëndrojë kaq i suksesshëm te publiku?

Në Philadelphia kemi shumë biznesmenë, të cilët kanë bërë emër jo vetëm që tashmë janë të suksesshëm, por edhe ndihmojnë shumë komunitetin shqiptar, siç është z. Enver Parllaku, një atdhetar me zemër të madhe. Ishte pikërisht z.Parllaku që më nxiti ta nisja këtë emisionin dhe e falenderoj, sepse më dha shtysën për të filluar një emision që përditë e më shumë më jep mundësinë të njihem me shumë njerëz të sukseshëm e që na përfaqësojnë kudo me dinjitet.

-Ju shikojme të pasqyroni çdo aktivitet që zhvillon shkolla shqipe “Gjuha Jonë”. Si ishte ky vit në syrin tuaj si gazetare?

Unë solla emocionet më të bukura gjatë vitit shkollor 2021-2022! Shumica e nxënësve janë të lindur këtu dhe për ta ishte bukur të mësonin edhe ta shkruanin gjuhën e bukur shqipe. Atë gjuhë ku prindërit dhe gjyshërit e tyre flasin në shtëpi! Dua te falenderoj drejtoreshën e shkollës, “Gjuha Jonë”, Znj Rajmonda Bardhi , mësueset Mimoza Sotiri, Irini Zeneli, Afërdita Muzhaqi, që e bënë aq të lehtë për fëmijët mësimin e gjuhës shqipe! Por një falenderim i veçantë shkon për nënkryetaren e shoqatës, “Bijtë e Shqipes”, njëkohësisht mësuese në këtë shkollë, znj. Rudina Bani!

-Ju keni zhvilluar aktivitete të shumta, ku pjesë e veprimtarisë suaj në shërbim të komunitetit shqiptar në Filadelfia janë bërë edhe personazhe të ndryshëm, të cilët kanë dhënë kontribut në pasqyrimin dhe përçimin e vlerave kulturore ndër breza, por edhe personazhe të cilët janë shumë të suksesshëm dhe na bëjnë të ndihemi krenarë, se ne dimë të ndriçojmë edhe në një vend të huaj. Cilët janë ato personazhe që ju kanë dhënë emocion, gjatë vitit që lamë pas?

Personazhet që mora më shumë emocion ishin Alban Gaba, President i Shoqatës “Aleanca Shqiptare”, në Nju Xhersi. Ai ka një kontribut të vyer në drejtim të përcjelljes së vlerave patriotike shqiptare, i cili u shpall “Qytetar Nderi” i Garfield. Ai ka ndërtuar shtatoren e Nënë Terezës, në sheshin e Garfield. Tri vëllezërit kosovarë Osmanollaj, si Leo, Shkëlqim dhe Përparimi, të cilët ndihmuan familjen Decaj. Gjithashtu, kënaqësi të veçantë dhe emocione kam marrë nga bamirësi Panajot Agalliu, biznesmenin Roland Ismailanji, një atdhetar me zemër të madhe dhe i suksesshëm në punën e tij. Dua të falenderoj z.Haki Collaku, që më dha mundësinë të xhiroj Odën Dibrane, një ndër odat më të bukura në Philadelphia. Gjithashtu, kryebashkiakun e Qarkut Kukës, Abdullah Domi, i cili na nderoi me pjesëmarrjen e tij në 20 vjetorin e Shoqatës “Bijtë e Shqipes”, në Filadelfia, duke ngritur edhe Flamurin e Pavarësisë, një emocion i papërshkrueshëm. Nuk do të lë pa përmendur dy shqiptarë të suksesshëm, si Feliks Haxhija, detektivi më i kërkuar dhe i njohur në Amerikë, dhe stilisten Gerta Cami, e cila punon fustane për princesha të vogla. Në Filadelfia dhe Nju Xhersi u organizua sfilata me fustanet e punuara aq bukur nga Gerta, një vajzë e talentuar, e cila është kërkuar në disa shtete të botës. Emocionet janë të pafundme! Gjej rastin të falenderoj stafin e emisionit Albanian Dream, veçanërisht Igli Tefa, i cili punon me aq mjeshtëri emisionet e këtij programi. Ju uroj një vit të mbarë dhe të bekuar, të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen!

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eneida Jacaj, Eva Dori

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT