Nga Enver Bytyçi/ Banoret e Mishtishtit ne Komunen e Suharekes ne Kosove kane kthyer mbrapsht dy autobuze me qytetare te etnise serbe, te cilet do te vinin ketu per here te pare pas luftes per te marre pjese ne ceremonine e rindertimit te kishes ortodokse. Shqiptaret e Mushtiishtit jane perleshur me policine dhe nuk i kane lejuar serbet te behen pjese e kesaj ceremonie. Kjo ka ngjall debate e diskutime dhe Serbia e perfaqesuesit serbe ne qeverine e Kosoves po thone se “Kjo ndodh vetem ne Kosove ne shekullin e XXI”. E megjithate po ne shekullin e XXI Serbia ne Beograd e serbet ne Kosove ende nuk kane kerkuar ndjese per krimet e shemtuara kunder Kosoves dhe shqiptareve banore shumice te saj. Te dy palet po e bllokojne shtetesine e Kosoves dhe nuk po e njohin ate shtet te pavarur e sovran. Pasi e vrane dhe e dogjen Kosoven, pa i dhene askujt denimin qe meriton e pa iu skuqur askujt faqja, akuzojne shqiptaret. Vetem ne fshatin e Mushtishtit me 1999 serbet vrane17 banore te saj, plagosen me dhjetra te tjere, dogjen 1061 shtepi, shkaktuan dhjetra milione euro deme materiale dhe Kosova sot ende nuk i di eshtrat e viktimave te shumta qe Serbia shkaktoi ne kete vend. Tash, mbas ketij genocidi kerkojne paqe. Por nuk japin paqe. Ate e kerkojne vetem nga shqiptaret, ndersa per vete rrijne me arme te Ura e Ibrit e kudo neper Kosove. Ne keto kushte banoret shqiptare te fshatit ne fjale une do t’i quaj njerez qe me guxim mbrojne vlerat e tyre si shqiptare dhe si qytetare te civilizuar. Vrasesit duhen denuar e ndeshkuar. Nese nuk e ben kete Serbia dhe bashkesia nderkombetare, me e pakta mbetet qe populli i Kosoves te mos pajtohet me padrejtesine. Prandaj dhe policia e Kosoves duhet te jete e kujdeshme. Per hater te Serbise e ne shenje servilizmi te politikes se Prishtines ndaj nderkombetareve policia nuk duhet te deshmoje dhune e te sjelle hijet e Miloshevicit ne Kosove. Arrestimet e policise ne Mishtisht jane arbirtrare. Banoret e ketij fshati nuk kane kryer asnje krim. Thjesht kane bllokuar perfaqesuesit e vrasesve e zjarrvenesve per te marre pjese ne nje ceremoni te nje kishe qe eshte deshmuar si strehe dhe ushqim shpirteror per kriminelet e Milosheviçit. Keto jane fakte qe i di gjithe bota, por ne Beograd nuk duan t’i pranojne. Por jane fakte tronditese, te cilat as Thaçit e Isa Mustafes nuk po ju pelqen shume t’i permendin. Prandaj qytetaret e Kosoves detyrohen t’i dalin zot vetes. Nese beheshin vertet zoter te Kosoves institucionet legjitime te saj, nuk do te kishte nevoje per protesta e bllokada te tilla nga qytetaret e ketij vendi. Por eshte ne doren e Beogradit pajtimi i shqiptareve te Kosoves me serbet e Kosoves ne radhe te pare e me pas me ata te Serbise. Beogradi ka per detyrim ta njohe shtetin e Kosoves, te kerkoje falje per krimet qe ka kryer kunder shqiptareve ne Kosove dhe bjere ne gjunje me garanci se kurre me nuk do te perseritet historia tragjike e shekullit XIX e te XX. Atehere autobuzet me serbe e kane udhen te lire ne Kosove. Por jo duke shkelur mbi varret, mbi te sotmen dhe te ardhmen e Kosoves. Ne Beograd duhet heç dore nga manovrat. Dielli me shoshe nuk mbulohet. Beogradin e Serbine nuk e shpeton askush, as diplomacia e saj e shkathet nga pergjegjesia qe ata kane per genocidin e kryer ne Kosove. Nuk i shpeton as miqesia me Edi Ramen.
Kryeministri i pajtimit me Serbinë dhe i përçarjes së shqiptarëve!
Nga Enver Bytyçi/Kur kancelarja gjermane Angela Merkel erdhi në Shqipëri në korrik të vitit 2015 dhe më pas fluturoi drejt Serbisë, ajo u ndal gjatë si në Tiranë edhe në Beograd rreth idesë së “pajtimit shqiptaro-serb”. Në Tiranë Merkel i kërkoi kryeministrit shqiptar pajtimin me Serbinë dhe bashkëpunim të ngushtë të të dy vendve. Në Beograd ajo i kërkoi kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç, jo vetëm pajtimin me Shqipërinë, por edhe me Kosovën. Rama dhe Vuçiç u zotuan para saj se do të vijonin procesin e pajtimit midis të dy popujve dhe vendeve që ata përfaqësojnë. Sipas gazetës më me emër në Gjermani Frankfurter Allgemeine Zeitung të datës 10 korrik 2015 kjo çeshtje kishte zënë thuajse vendin kryesor në agjendën e vizitës së Merkel në Tiranë. Por çfarë ndodhi? Vuçiç është angazhuar vetëm në “pajtimin” me Tiranën dhe Rama i përgjigjet atij pa bërë asnjë përpjekje që në këtë frymë “pajtimi” të përfshihet edhe Kosova. Pas zonjës Merkel Shqipërinë e vizitoi sekretari i Shtetit të SHBA-ve, Xhon Kerry, i cili udhëtoi gjithashtu në disa vende ballkanike. Ndërsa para pak javësh Xho Biden vizitoi Kosovën dhe Serbinë. Përfaqësuesit amerikanë nuk kishin si agjendë kryesore pajtimin formal midis shqiptarëve dhe serbëve, por respektimin e marrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë. Për amerikanët duket se nuk është me rëndësi ndonjë kontribut specifik plus i kryeministrit të Shqipërisë për pajtimin e shqiptarëve dhe serbëve. Kjo jo se ata nuk e duan këtë pajtim, por se duhen respektuar normat morale të sjelljes midis palëve. Për amerikanët duket se sjellja konstruktive e shqiptarëve duhet të vazhdojë, me qëllim garantimin e stabilitetit rajonal, por për ta shqiptarët si viktimë nuk kanë asnjë arësye tu kërkojnë falje agresorëve dhe vrasësve në Serbi. Për amerikanët pajtimi duhet të vijë në linjën Prishtinë-Beograd dhe jo në linjën Tiranë-Beograd. Sjellja morale kërkon që Serbia si shtet të kërkojë falje për krimet makabre që ajo ka bërë në Kosovë e shqiptarët, në radhë të parë e kryesisht ata të Kosovës, t’i përgjigjen pozitivisht, nëse ndjesa serbe është e sinqertë. Ndërkaq gjatë dy viteve të fundit këmi parë një kryeministër shqiptar, zotin Rama, që të rrëmbejë vullnetarisht, me eufori dhe makinacione mashtrimi, flamurin e pajtimit shqiptaro-serb. Në shumë komente dhe analiza kam shkruar rreth idesë së pajtimit shqiptaro-serb të inicuar në vitin 2011 nga ish-presidenti I Serbisë, Boris Tadiç, prandaj nuk kam ndërmend të ndaloj në këtë histori. Thjesht po përsëris se iniciativa dhe kërkesa e tij që konfliktin shqiptaro-serb të zhvilluar në Kosovë ta zgjidhë me bisedime midis Tiranës dhe Beogradit ishte një iniciativë provokuese e përçarëse për shqiptarët dhe kombin shqiptar. Tani jemi para një prove të re të angazhimit të Edi Ramës në intenerarin e përcaktuar nga kumbari i tij, Tadiç. Në tetor kryeministri ynë do të shkojë i shoqëruar me gjysmën e qeverisë së tij në Nish dhe aty do të marrë pjesë në inagurimin e disa projekteve që lidhin Adriatikun me Serbinë. Në këto projekte bëjnë pjesë ndërtimi i autostradës dhe hekurudhës që do të kalojnë nëpër territorin e Kosovës. Gjithçka që do të bisedohet dhe vendoset në Nish ka të bëjë më parë se me Shqipërinë me Kosovën. Por Kosova nuk do të jetë e pranishme në këto ceremoni, ajo nuk është pyetur dhe nuk do të pyetet për ato çfarë do të vendosin Rama dhe Vuçiç për të. Thuhet se do të shkojë të marrë pjesë në këtë ceremony një zv. ministër shqiptar i Pushtetit Lokal të qeverisë së Kosovës. Por ky zv. ministër nuk ka tagër dhe dijeni të flaës për projrkte rajonale. E shumta ai mund të ketë dijeni për çeshtjet që lidhen me auronominë lokale, ose për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Dhe një zv. ministër, nëse merr mandate përfaqësimi nga qeveria e Kosovës, mund të manipulohet shumë, shumë lehtë nga dy “udhëheqësit ballkanikë”, siç kanë dëshirë të prezantohen zoti Rama dhe zoti Vuçiç. Nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë pranuar si pjesmarrës në tryezën e Ramës e të Vuçiç për t’i bërë presion për implementimin e marrëveshjes pëe asosacionin e komunave serbe. Por një gjë është e sigurt, ai nuk është palë në atë aktivitet politik e diplomatik, është viktimë e tij, nëse do të pranojë të jetë i pranishëm. Megjithatë nuk po ndalem në formën dhe formalizimin e çeshtjes. Por ne jemi para një sprove dhe sfide të rrezikshme. Para disa ditësh disa lojtarë të kombëtares së Shqipërisë u larguan nga Tirana dhe shkuan të marrin pjesë në kombëtaren e Kosovës. U ndez një debat i nxehtë, deri te etiketimet si “tradhëtar”. Andi Bushati ishte akuzuesi i madh i atyre djemve që vendosën t’i dalin zot vendit të tyre të sapo pranuar në FIFA dhe UEFA. Po kë kemi parasysh se Bushati asnjë qasje jo atdhetare të qeverisë së të majtëve në Shqipëri nuk e ka kritikuar e qortuar e aq më pak ta ketë cilësuar si “tradhëti”, duket qartë se arma e tij e akuzave për “tradhëti” është e rezervuar për t’u përdorur si armë ideologjike. Por e theksoj përsëri se nuk është ky thelbi i trajtesës që bëj. Besoj se janë të shumtë ata që besojnë si unë, se shfaqja e këtij konflikte në dukje për sportin, nuk është në fakt për sportin. Eshtë si puna e dikujt që mbushet diku e zbrazet diku tjetër. Futbollistët nga Kosova ishin rrufepritësit, ndërsa rrufetë vinin nga sjellja e kryeministrit Rama në marrëdhëniet e tij me Serbinë e shpërfilljen totale që ai i bën Kosovës. Reagimet nga Kosova ishin të natyrës së kundërshtive me politikat e qeverisë shqiptare ndaj Kosovës. Kryeministri ynë ka marrë përsipër të flasë në emër të të gjithë shqiptarëve në rajon, edhe pse atë e kanë zgjedhur dhe njëkohësisht e kanë tradhëtuar zgjedhësit e tij në Republikën e Shqipërisë. E kanë tradhëtuar se i ka tradhëtuar ai si demagog, mashtrues dhe gënjeshtar klasi të papërsëritshëm në historinë politike të shtetit shqiptar, madje i pakrahasueshëm edhe me diktatorin dhe diktaturën e regjimit komunist. Ai ka vendosur jo vetëm të rikthejë lavdinë e viteve 1945-1948 në marrëdhëniet shqiptaro-serbe, por njësoj si atëherë të shpërfillë interesat e viktimave reale të terrorit serb, shqiptarët e Kosovës. Ai po shkon në Nish, jo për të folur e lidhur marrëveshje bilaterale, por për të imponuar marrëveshje që prekin shtetin e Kosovës. Ndërkaq në Kosovë disa ende e konsiderojnë Edi Ramën si heroin e tyre për shkak të deklaratës në Beograd se “Kosova është shtet i pavarur”. Nëse kjo deklaratë do të ishte e sinqertë, ai nuk mund të vazhdonte më tutje marrëdhëniet aq të ngushta e të ngrohta me qeverinë e Serbisë pa u bërë realitet njohja e Kosovës nga ana e Beogradit dhe pa ardhur ndjesa e Serbisë për krimet shtetërore kundër shqiptarëve në Kosovë. Por nuk ndodhi kjo. Edi Rama ka vendosur të shkojë jo vetëm në Nish, por edhe në Beograd si piktor me zhgarravinat e tij. Në Beograd do të kujtojnë dhe “ngjarjen historike” të vizitës së një kryeministri shqiptar në Serbi të para dy viteve, 67 vite pas vizitës së diktatorit komunist, Enver Hoxha. Ai nuk le rast pa dëshmuar servilizëm ekstrem ndaj gjermanëve dhe francezëve me pozat e tij pro një pajtimi shqiptaro-serb në modelin e pajtimit gjermano-francez menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Edhe modelin e zgjodhi të njëjtë, aktivizoi si shou të radhës grupet rinore të të dy vendeve për shenjë pajtimi. Dmth kopjoi pikë për pikë modelin gjermano-francez. Por kushtet, rrethanat, territori ku kanë ndodhur krimet serbe nuk janë të njëjta me ato të situatës së krijuar në rastin e pajtimit gjermano-francez. Ato ndryshojnë krejtësisht. Franca u pajtua me gjermanët dhe anasjelltas, por nuk mori përsipër të përfaqësojë bie fjala Belgjikën. Gjermania po ashtu nuk mori përsipër të përfaqësojë bie fjala, Austrinë. Edi Rama ka marrë përsipër të mënjanojë institucionet e Kosovës, përfaqësuesit legjitimë të saj dhe të hiqet si “udhëheqës panshqiptar”, ndërkohë që ai dëshiron të paraqitet i tillë vetëm në funksion të pajtimit me Serbinë dhe hapjes së rrugës së saj për integrime europiane. Ndërsa për integrimin e Serbisë në NATO nuk bëhet fjalë. Kryeministri shqiptar nuk do të lexojë faktet që rrjedhin nga ngjarjet e fundit ne Ballkan e te serbët. Megjithatë po i kujtojmë se partitë politike nga pesë shtete sllave të Ballkanit, përfshirë dhe partinë në pushtet të kryeministrit Vuçiç, në fund të qershorit të kaluar nënshkruan në Moskë në prani të presidentit rus, Vladimir Putin, një deklaratë të përbashkët “të territorit neutral në Ballkan”. Ne shqiptarët e dijmë më mirë se të gjithë popujt e tjerë të rajonit, krahas kroatëve, se çdo të thotë një Ballkan “neutral”. Mësë paku do të thotë një zonë e influencuar nga Rusia dhe e pozicionuar kundër NATO-s. Më së paku do të thotë rikthimi i teorisë së sponsorizuar nga Moska dhe e pëlqyer aq shumë nga Milosheviçi dhe e majta shqiptare, “Ballkani ballkanasve”, që do të thotë nxjerrje jashtë tij të SHBA-së dhe rikthim të Moskës në vend të tyre. Ka shumë gjasa që kjo zonë ballkanike të orientohet drejt Bashkimit Europian në pikëpamje ekonomike, një politikë e gjithmonëshme e Serbisë që gjeopolitikisht të qëndrojë në sferën ruse dhe ekonomikisht e fusha të tjera të lidhet me Europën. Por nuk është politikë e integrimit në NATO. Serbia dëshiron marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë, por me kush që Shqipëria të injorojë autoritetin e shtetit të pavarur të Kosovës, pra që Tirana zyrtare të ndjekë de facto të njëjtën linjë politike me Beogradin. Në Europë ka vende, të cilave nuk u prish punë “neutraliteti” i Serbisë, Bosnjës, Maqedonisë, mjafton që këto vende të jenë pjesë e agjendës europiane. Shkurt në Europë nuk ka ndonjë shqetësim të theksuar nëse këto vende bëhen ose jo anëtare të Aleancës atlantike. Por për ne shqiptarët është e duhet të jetë krejt ndryshe. Ne kemi interes jetik pranimin në NATO të të gjitha vendeve ballkanike, me qëllim që t’i jepet fund konfliktit në këtë rajon. Në këtë konteks është enigmë se cilin interes ndjek kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama?! Interesin e pikturave?! Interesin e pushtetit?! Interesa materialiste dhe korruptuese me përmasa rajonale, sepse ky lloj kostumi në Shqipëri i rri ngushtë?! Interesa shpirtërore që lidhen me “lavdinë” dhe tërheqjen e vëmendjes te “partnerët europianë”?! Apo interesin e Rusisë e të Serbisë?! Të gjitha këto pyetje retorike e gjejnë përgjigjen vetëm te kryeministri ynë i pajtimit me Serbinë dhe i përçarjes së shqiptarëve.
A e ka Basha fuqinë të diktojë qeverinë teknike?!
Nga Enver Bytyçi / Një kërkesë gati e pakthyeshme e liderit të opozitës për krijimin e një qeverie teknike, si kusht i domozdoshëm për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të drejta, të pamanipuluara dhe reale ka hasur në reagime jo të pakta të kundërshtarëve të kësaj skeme. Disa i motivojnë kundërshtitë e tyre me arësye institucionale e disa të tjerë me nevojën e vazhdimit të reformave e në dukje duket se argumenti është deri diku bindës. Megjithatë zoti Basha mbetet këmbngulës në aksiomën e tij të zgjedhjeve me kushtin e “qeverisë teknike”, duke i dhënë idesë së tij gjithnjë e më shumë një koperturë absolute. Diskutimet kontraverse gjithmonë kanë dilemën mes tyre. Dilema është se si do të implementohet një alternativë e tillë politike? A do të ketë konsensus për këtë opsion? Nëse jo, si do të arrihet që të rrëzohet qeveria aktuale, e cila do të duhej t’i lëshonte vendin një qeverie tjetër “ekspertësh”, “teknikësh”, “të pavarurish”? Cilat do të ishin detyrat themelore të asaj qeverie dhe cila do të jetë mbështetja e saj politike? Të gjitha këto dilema dhe diskutime kontraverse do të duhej të viheshin në peshoren e arësyetimit të paanshëm dhe të shkohej drejt një përfundimi sa më të saktë. Kritikët e idesë së shndërruar në një vendim për aksion politik, që zoti Basha ka hedh në publik, thonë e shkruajnë se kjo nismë, kjo alternativë “dobëson shtetin dhe institucionet”, se “Shqipëria humb kohë dhe ne s’kemi kohë për të humbur”, sepse “për nëntë muaj do të duhet që vendi të qeveriset pa program politik të mirëfilltë”. Ata i adresohen edhe eksperiencave të shkuara të vitit 1991 e të vitit 1997 dhe thonë se “qeveritë teknike të atyre kohëve ishin të pasuksesshme”. Dikush e trajton këtë aksiomë të qeverisjes me “teknicenë” si ultimatum të liderit të opozitës, i cili, nëse nuk gjen zbatim do të shoqërohej me bojkotin e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Por këta kritikë nuk kanë artikuluar dy-tri çeshtje kyçe të problemit që diskutohet: Së pari, ata nuk e marrin aq seriozisht kreun e opozitës shqiptare. Zoti Basha në mbështetje të idesë dhe vendimit të Partisë Demokratike ka kërkuar dhe realizuar mbështetjen e të gjithë aleatëve opozitarë, republikanë, mjedisorë, liberalë, zhvillimorë, përveçse nja dy partive “të djathta” të formuara me sponsorizimin e Rilindjes. Megjithatë kritikët e zotit Basha nuk po e marrin seriozisht faktin e mbështetjes që ai ka gjetur te aleatët e tij. Këta kritikë nuk po marrin seriozisht as aleancën që opozita dhe zoti Basha kanë krijuar me qytetarët shqiptarë, të cilët janë të gatshëm të përballen me qeverisjen e Rilindjes dhe ta “lëshojnë atë për tokë”, madje para kohe. Kjo aleancë e opozitës me qytetarët shqiptarë është dhuratë e qeverisë, të cilët kritikët e Bashës e konsiderojnë “institucionale”, “të ligjshme” dhe gati-gati “të paprekshme”. Nuk do të ndalem të analizoj arësyet pse dhe si mazhoranca ia bëri kaq shpejt një dhuratë të tillë opozitës, pra kundërshtëve të saj politikë. Thelbi është se kjo mazhorancë dhe kjo qeveri në tri vite bëri reforma në favor të oligarkisë dhe në kurriz të qytetarëve, madje duke i dhunuar ata në mënyrën më brutale dhe më përbuzëse. Jo vetëm ua shkatërroi jetën, por edhe i poshtroi. Në asnjë moment qeveria Rama nuk u shfaq si “shërbëtore” e qytetarit, megjithëse këtë ua premtoi një ditë pas fitores së 23 qershorit 2013. Kryeministri nga shërbëtor u shndërrua në despot e mashtrues dhe ndërtoi tullë pas tulle një mal me gënjeshtra. Prandaj dhe zoti Basha llogarit në forcën qytetare të imponimit të projektit të tij: Zgjedhje të lira e të ndershme vetëm me qeveri teknike. Së dyti, fuqia e Bashës është dëshmuar në dy aksionet politike të fundit, të cilat përbëjnë një fitore epokale në kapërcimin e tranzicionit në Shqipëri. Ai dhe opozita imponuan ligjin e dekriminalizimit si dhe ligjin për reformën zgjedhore. E vërteta është se këto dy ligje zoti Basha i imponoi me ndihmën e aleatit të zotit Rama, pra të Ilir Metës. Por është fakt se idetë, këmbngulja, ballafaqimi me të vërtetën dhe rrugën e drejtë të zhvillimit e bënë shefin e opozitës dhe opozitën në tërësi promotor të zgjidhjes. Në këto dy aksione politike, sidomos për reformën zgjedhore, u duk se kundër zotit Basha është rrjeshtuar faktori ndërkombëtar. Megjithatë. kur është fjala për marrëdhëniet ndërkombëtare topi nuk mund të përfundojë në rrjetën e Bashës. Ai i ka dëshmuar aftësitë e tij në këtë fushë së paku në tri raste: Gjatë fushatës diplomatike për pranimin e Shqipërisë në NATO, gjatë aksionit diplomatik për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe gjatë veprimit me ngulm për realizimin e standardeve për liberalizimin e vizave. Ai i ka paraprirë kërkesës politike për qeveri teknike me një aksion të gjerë ndërkombëtar për të realizuar zgjedhje të lira e demokratike në vend. Ky vit do të jetë viti i ballafaqimit të qeverisë Rama me Bashkimin Europian dhe SHBA-të për shkak të hashashizimit të të gjithë territorit të Shqipërisë dhe kjo do të jetë një arësye bindëse e pakontestueshme për argumentin e shkuarjes në zgjedhje elektorale me një qeveri teknike. Nisur nga ky realitet i krijuar tashmë si dhe eksperienca e mëparshme duhet besuar se opozita do ta çojë deri në fund angazhimin e saj për zgjedhje të lira e të ndershme përmes krijimit të një qeverie teknike. Në këtë aksion ajo do të ketë në një moment të caktuar, kur konflikti do të shkojë në majë, edhe mbështetjen e LSI-së, e cila ka marrë mësimet e veta gjatë fushatës së zgjedhje lokale të 21 qershoorit të vitit të kaluar. Në fund të fundit nuk do të kishte kuptim as dekrimanilizimi, as ligji i reformës në drejtësi, nëse Shqipëria do të vazhdonte pa fund manipulimin e zgjedhjeve, blerjen e votës e të komisionerëve, nëse pasanikët e baronët e drogës në politikën shqiptare do ta shndërronin këtë vend në një vend pa shpresë. Zgjedhje të vjedhura, të blera e të manipuluara do të thotë përfundimisht degradim total e humbje e çdo shprese për zhvillim e përparim, për qeverisje të mirë. Së treti, motivi i kërkesës për “qeveri teknike” është shumë më bindës sesa të gjitha argumentet që paraqiten kundër. Institucion i qeverisjes nuk është vetëm qeveria dhe strukturat e saj vartëse. Qeverisja ka një numër të pafund institucionesh ndërtuar në tri rrafshe, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori. Legjislativi funksionon në çdo vend edhe kur ka qeveri teknike. Madje në rastin konkret do të duhet të funksionojë në mënyrë konsensuale, para së gjithash për të miratuar një ligj të drejtë elektoral. Nga ana tjetër sfida kryesore e kësaj periudhe është përgatitja e zgjedhjeve të reja dhe infrastrukturës që duhet për to. Këtë process nuk e ndalon dhe as e pengon krijimi i një qeverie teknike. Nga eksperienca dijmë se qeveria të tilla në të kaluarën nuk kanë ndërmarrë reforma ekonomike e politike të mirëqena, por kanë krijuar një mjedis besueshmërie më të madhe për ndërtimin e të ardhmes. Ndërsa në kushtet e kësaj qeverisje të sotme, kur akti i saj i parë dhe i fundit është aksioni i kultivimit të hashashit, aksioni i linçimit të kundërshtarëve politikë, si dhe aksioni i valimit të drunit mbi qytetarët dhe varfërimit të tyre, qeveria teknike do të ishte së paku indiferente dhe jo nxitëse e këtyre fenomeneve. Propozimi për “qeveri teknike” është ndihmë e të sotmes e për më tepër garanton për një përspektivë të qarte dhe përfaqësim dinjitoz në qeverisjen e ardhshme. Për mua, shqetësimi kryesor i shumicës së kritikëve të propozimit të Bashës për “qeveri teknike” deri në zgjedhjet e reja është se “të shkosh në zgjedhje me qeveri teknike, do të thotë të krijohet fryma e ndryshimit”. Në këtë pikë ndoshta ata kanë disi të drejtë. Krijimi i frymës së fitores në një palë zgjedhje është detyrë dhe sfidë e çdo opozite. Më rezultatin e dy aksioneve politike opozita ka krijuar parakushtet për krijimin e kësaj fryme. Por besoj se ende nuk ka një atmosferë të gjallë e të palëkundur të besimit për rrotacion në zgjedhjet e ardhshme. Nëse zoti Basha dhe opozita formulojnë një program të saktë e bindës, atëherë fryma do të vijë duke u forcuar në favor të tyre. Mbetet të merret seiozisht vetëm një aspekt i krijimit të bindjes për këtë: – Mosmbajtja e premtimeve dhe mashtrimet e Rilindjes kanë bërë efekt shkatërrues në formimin dhe besueshmërinë e qytetarit te politikani. Për të qenë realist, në mjaft raste edhe vetë Partia Demokratike në qeverisjen e saj nuk i ka mbajtur premtimet e saj. Do të ishte mirë që qytetarëve t’u premtohet vetëm aq sa do të mund të realizohet, madje më pak se kaq, me qëllim që ata të mos zhgënjehen e mbi të gjitha të vendoset standardi I një marrëdhënjeje korrekte midis politikës dhe qytetarit. Do të kishte rezultat nëse gjithçka do të shfaqet e detajuar dhe argumentuar, me shifra, me fakte, me numra, me veprime aritmetike në ekranet televizive. Një fushatë bindëse dhe një aksion i çuar deri në fund do ta krijojë frymën e fitores për opozitën. Qeveria teknike duhet thjesht për të garantuar votën e lirë. Nëse qeveria teknike shihet si qëllim në vetvete, ajo nuk sjell e nuk mund ta sjellë rrotacionin politik në këtë vend. Përfundimisht mund të besojmë plotësisht në fuqinë dhe zotësinë e zotit Basha dhe opozitës për të imponuar jo vetëm zgjedhje të lira, të drejta e të ndershme, të çertifikuara si të tilla nga institucionet demokratike ndërkombëtare, por edhe për të imponuar formimin e një qeverie teknike, si dhe për të formuluar një program bindës e korrekt për Shqipërinë.
Majlinda Kelmendi na kujton se shiten politikanët, por jo shqiptarët.
Nga Enver Bytyçi/
Në memorandumin famëkeq të shpërnguljes dhe ekzekutimit të shqiptarëve, hartuar nga akademiku serb, Vasa Çubrilloviç në vitin 1936, thuhet se në Tiranë dhe te politikanët shqiptarë mund ta blejmë heshtjen me flori.
Majlinda Kelmendit i kanë ofruar miliona që të përfaqësojë një shtet tjetër në lojërat olipmike. Por ajo nuk ka pranuar, duke i dhënë Kosovës një emër të jashtëzakonshëm, emër të cilin nuk kanë mundur t’ia japin politikanët në Prishtinë gjatë më shumë se tetë viteve pavarësi. Ajo nuk pranoi as flori, as euro, as dollarë amerikanë, por përfaqësoi me dinjitet dhe vullnet të pastër patriotizmi vendin e saj, Kosovën, duke i dhënë asaj një emër të ndritur në botën e civilizuar. Madje ajo me shumë delikatesë solli në vëmendje tragjedinë e luftës së fundit në Kosovë dhe masakrave serbe kundër shqiptarëve.
Ndërkohë shoh se politika ka filluar të mburret me medaljen e artë që Majlinda Kelmendi fitoi në Rio. Politikanët shqiptarë sot nuk mund të mburren me rezultatin e saj. Shqiptarët janë e do të jenë krenarë me këtë simbol të fitores së Kosovës. Por politikanëve u shkon në këto momente vetëm heshtja e meditimi. Ata duhet të reflektojnë për atë se sa i kanë qëndruar tundimit të parave e dhuratave të armiqve të Kosovës, me qëllim shkatërrimin e të ardhmes së saj.
Majlinda Kelmendi edhe në këtë pikëpamje do të duhet të bëhet model i moralit, sjelljes dhe përkushtimit për lirinë, shtetësinë, sovranitetin, integritetin dhe ardhmërinë e Kosovës. Para së gjithash për politikanët në Prishtinë, në Tiranë, në Shkup, në Podgoricë e në Luginën e Preshevës. Ajo çfarë rekomandonte Çubrilloviçi para 80 vitesh duhet të marrë fund tashmë, e të shihet si një turp për elitën politike shqiptare të çdo kohe, sigurisht për atë pjesë të joshur nga pasuria, korrupsioni, bashkëpunimi me krimin e kriminelët, pra, nga paratë e pista, të cilat janë dhe mbeten pengesa kryesore e zhvillimit dhe prosperitetit tonë kombëtar.
Dhuna e shkatërron shtëtësinë dhe të ardhmen e Kosovës
Nga Enver Bytyçi/
Dje në Prishtinë dikush ka gjuajtur me një predhë zjarri godinën e parlamentit të Kosovës. Kjo ngjarje e rëndë, e pajustifikueshme, me sfond terrorist kundër institucioneve të shtetit të Kosovës, dëmton jo vetëm imazhin, por edhe interesat jetike të shtetit më të ri në Europë. Unë nuk mund të ve gishtin se kush e kreu aktin e shëmtuar e kush qëndron prapa tij, siç nguten disa ta bëjnë këtë. Por jam i bindur se konflikti politik në këtë vend i ndihëmon armiqtë e Kosovës që të hedhin gurin, të fshehin dorën e ta nxisin Kosovën në një luftë civile, në zjarrin e së cilës do të ngroheshin e shullaheshin të gjithë ata që nuk e duan Kosovën shtet sovran e të pavarur. Mesa duket qarqet antishqiptare, ata që janë kundër pavarësisë së Kosovës e ata që kanë bërë krime makabre, masakra dhe terror kundër shqiptarëve nuk janë të kënaqur me mosfunksionalizimin e institucioneve të Prishtinës dhe duan me çdo kusht asgjësimin e tyre, si parakusht për asgjësismin e shtetësisë e më pas të popullsisë. Për fat të keq institucionet e Kosovës funksionojnë dobët e shumë dobët. Ato nuk mundën në më shumë se tetë vite pavarësi t’i dëshmonin botës se janë të aftë të bëjnë shtet modern, demokratik e të së drejtës, ku të gjithë qytetarët, pa dallim të jenë të barabartë para ligjit, para shtetit, siç janë para Zotit. Nuk po shkoj më tej, por bisedat telefonike të Adem Grabovcit janë vetëm një pjesë e kësaj dëshmie të hidhur e fatkeqe për Kosovën e përvuajtur e të masakruar me dekada pikërisht për shtetësinë e saj. Prandaj dhe nëse rendis shembuj të tjerë, nuk besoj se lexuesi do të më durojë duke i numëruar. Për fatin edhe më të keq të Kosovës, aty është formuar një opozitë që jo vetëm nuk pajtohet me institucionet e vendit, por ka shpallur si program të saj “asgjësimin” e tyre. Madje jo thjesht si program, përkundrazi dhe si praktikë pune e lufte opozitare. Një opozitë, e cila në vend të reagojë me mjete demokratike kundër qeverisë, reagon me mjete të dhunshme kundër institucioneve të vendit. E padëgjuar dhe e paparë kjo në vende të civilizuara. Në këtë sfond erdhi dje sulmi luftarak kundër godinës së Kuvendit. Nuk them se është autore e këtij sulmi opozita. Kjo e bën përgjegjëse gjithë politikën shqiptare në Kosovë, por në veçanti opozitën, e cila duhej e duhet të distancohet, siç bëri Ramush Haradinaj, nga kjo aventurë antishqiptare dhe e rrezikshme. Shteti, opozita si pjesë e institucioneve, të gjithë shqiptarët, i gjithë opinioni publik, do të duhet të bëjnë presion të pandërprerë që rasti të ndriçohet, të zbulohen fajtorët dhe të dënohen ata me ashpërsinë më të madhe të ligjit. Dhuna nuk është e nuk mund të jetë zgjidhje e asnjë prooblemi në Kosovë. Dhuna është shërbet në bakllavanë e Serbisë dhe vendeve e qarqeve të tjera, të cilat do të donin një Kosovë të destabilizuar. Dhuna krijon një imazh negativ të shqiptarëve në botën e civilizuar. Dhuna do ta vështirësojë ndihmën e përpjekjet e miqve të Kosovës për ta ndërtuar ardhmërinë e saj brenda institucioneve ndërkombëtare si subjekt i njohur shtetëror. Dhuna do të destabilizoje politikën dhe gjendjen sociale të qytetarëve të vendit, do të shkaktojë ritme të ngadalta ekonomike dhe do të çojë në krizë financiare e papunësi. Nëse dikush e ushtron dhunën, me qëllim përkeqësimin e situatës politike, sociale, ekonomike e financiare atje, dhe, duke shfrytëzuar këtë situatë të marrë pushtetin, atëherë duhet ditur se ky është krim politik, krim shtetëror dhe krim antishqiptar. Por edhe qeverisja, sidomos qeveria, nuk mund të vazhdojë të qeveris kësisoj. Kosova ka e do të ketë shumë probleme për të zgjidhur. Sot është vija e kufirit me Malin e Zi, nesër do të vijë në rend dite përsëri çeshtja e asosacionit të komunave serbe. Pasneser do të shohim se do te duhet të vendoset vija e kufirit, apo demarkacionit, me Serbinë. Madje do të duhet të vijë në rend dite edhe marrëveshja për kufirin me Shqipërinë. Nuk po flas për çeshtje të tjera, si energjia, Trepça, telekomunikacioni, vendosja e sundimit të ligjit mbi Urën e Ibrit. Të gjitha këto janë të parashikuara në pakon Ahtisaari, si dhe janë pranuar në bisedimet midis Prishtinës e Beogradit. Një mënyrë e tillë e komunikimit me qytetarët e me publikun e qeverisë së Kosovës do të çojë gjithnjë në konflikt. Por ky vend nuk është në gjendje të përballojë konflikte politike e sociale kaq të shpeshta e kaq serioze. Prandaj duhet ndryshuar stili dhe metoda e punës së qeverisë, koncepti dhe filozofia e saj, cilado të jetë ajo. Transparenca, diskutimi i çeshtjeve para se të firmosen marrëveshjet, e para se ato të vijnë në qeveri e parlament për ratifikim, është metoda më e mirë për të siguruar rezultatin e duhur. Eshtë e ditur se çdo projekt, çdo marrëveshje ka e do të ketë kundërshtarët e vet, por nëse gjithçka argumentohet e ballafaqohet para se të vijhet te vendimmarrja, atëherë konflikti do të zbutet dhe vendi nuk do të vuajë pasojat, çka i kemi parë para disa muajsh dhe çfarë i pamë dje në Prishtinë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 13
- 14
- 15
- 16
- 17
- …
- 29
- Next Page »