• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Turpi grek i Përmetit

August 23, 2013 by dgreca

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Përmeti ka rrit këto ditë temperaturën midis dy vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë.  Zbatimi i një vendii të Gjykatës Kushtetuese të Sqipërisë për rikthimin e shtëpisë së kulturës së Përmetit në pronësi të Bashkisë dhe zhvendosja e Kishës së imprivizuar prej aty, ka krijuar tension në Përmet, më pas tension në Athinë, akoma më tepër tension në pikat e kalimit kufitar me Greqinë dhe pak tension në Tiranë. Ministria e Jashtme e Greqisë denoncimit të saj për “dhunën ndaj kishës në Përmet” ka folur dhe për një rast “tensioni” në Gjirokastër, ku sipas saj dikush paska gjuajtur me gurë konsullatën greke, (çuditërisht me një gur të vetëm) dhe për këtë guralec të rënë në oborrin e konsullatës shpreh “kënaqësinë” e saj se “nuk ka patur të lënduar”.  Një montim i keq i alibisë, të cilën nuk e beson as vetë autori i shpifjes. Mesa duket rrenës greke nuk i ka mbetur më asnjë alibi fantaziste që bind dikë për “vërtetësinë” e saj.

Për të mos u marrë me histori grekësh të injektuar me urrejtje, shovinizëm dhe fobi antishqiptare, po përpiqem të kuptoj vërtet çka ndodhur që e gjithë Greqia është ngritur në këmbë dhe merr vendime antishqiptare të gjendjes së luftës, deri te mbyllja e kufijve! Asnjë lloj arsyetimi, gjykimi e përceptimi nuk mund të të çojë deri te ajo çfarë ka ndodhur e po ndodh këto ditë midis të dy vendeve fqinjë, Shqipërisë dhe Greqisë.

Në Përmet përmbarimi zbatoi një vendim gjykate, madje 11 vite me vonesë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i formës së prerë, i takon vitit 2002. Bazuar në vendimin gjyqësor të të gjitha shkallëve, Shtëpia e Kulturës, e cila më 1997, me dhunë, me forcën e kallashëve grekë të rrënimit të Shqipërisë u shndërrua në kishtë, iu kthye mësë fundmi pronarit të saj të ligjshëm, Bashkisë së qytetit të Përmetit. Vendimin e Gjykatës nuk e zbatoi përmbarimi zyrtar shtetëror. Por me të u mor përmbarimi privat. Më tej nuk u kujdes për këtë veprim asnjë polic me uniformën e policisë së shtetit, por veproi policia private.  Dy priftërinjtë e qytetit si dhe disa besimtarë ortodoksë reaguan me forcë për të ndaluar zbatimin e vendimit. Policia private i largoi po me forcë, por jo me dhunë, këta njerëz nga lokacioni ku kryheshin veprimet. Dikush mund të shtrojë pyetjen se çfarë ndryshimi ka forca me dhunën. Forca e balancuar e veprimit me atë të kundërshtarit nuk është dhunë. Më pas përmbarimi privat dhe policia private i morën ikonat kishtare të vendosura në shtëpinë e kulturës dhe ia dorëzuan më proçes-verbal përfaqësuesve të Bashkisë, me qëllim që ato të ruhen e të shkonin në gjëndjen ekzistuese te pronari – kishë.

Por Kisha Ortodokse Shqiptare dhe shteti kishtar i Athinës reaguan ashpër. Ato akuzuan ligjet shqiptare, gjyqet shqiptare, pushtetin lokal e qendror të Shqipërisë për shkelje të të drejtave fetare, pra të të drejtave të njeriut. Të gjitha mediet e Greqisë shkruan dhe u ankuan me zë të lartë për “rikthimin e regjimit komunist të vitit 1967 në Shqipëri”. Korit të tillë iu bashkua edhe “fort i ndrituri” Anastas Janullatos. Kështu tha përfaqësuesi i qeverisë greke, zëdhënësi I ministrisë së Jashtme të Greqisë, deputeti fashist i Agimit të Artë, deputeti neofashist i parlamentit europian në Bruksel. Kështu thanë të gjitha gazetat dhe televizionet greke. Dhe nga e thëna, menjëherë në të bërë: Të mërkurën e kaluar (21.08.2013) u mbyllën kufijtë me Greqinë. Shqiptarët, të cilët dëshironin të udhëtonin në Greqi ose nëpër territorin grek nuk u lejuan të kalojnë traun e kalimit kufitar. Fillimisht iu thanë se duhet të keni 1500 euro me vete, veç pasaportës biometrike. Më pas atyre që patën paratë, u thanë se nuk mund të kaloni sa kohë nuk i ktheni shtëpinë e kulturës kishës së Përmetit. Drejtori i Policisë Lufitare në MPB urdhëroi ndërkohë që policia kufitare shqiptare të bllokojë kalimin e kufirit për qytetarët grekë, të cilët donin të hynin në Shqipëri. Ai vendosi sjelljen reciproke midis dy vendeve, për herë të parë në historinë 23 vjeçare mbas hapjes së Shqipërisë. Kjo solli, siç u tha, ndërhyrjen e konsullit grek në Gjirokastër dhe normalizimin e situatës kufitare. Dikush tha se për këtë Rama kishte folur në telefon me Venizellosin, por askush nuk beson në zgjidhjet me telefonata. Eshtë e natyrshme t’i besosh reagimit me të njëjtën monedhë, që të fitosh të drejtën që të takon.

Në këto ngjarje të shumëpërfolura disi me vonesë reagoi edhe Ministria e Jashtme e Shqipërisë me një formulë “as mish, as peshk”, pa thënë asgjë të rëndësishme, madje si e zënë në faj. Nuk do të prisja ndonjë reagim tjetër nga një ministër, që nuk mban as ekuilbrin njerëzor të vetin, jo më të mbajë ekuilibrin diplomatik në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe vendeve të tjera. Ministria e Jashtme e Greqisë bën ultimatume, kjo e jona e thërret ambasadorin grek në Tiranë për t’u shfajësuar për vete, pa bërë asnjë faj. Kryeministri Berisha e qortoi ashpër qëndrimin e Greqisë dhe qeverisë së saj, duke e konsideruar atë si ndërhyrje flagrante në punët e brendshme të Shqipërisë, por ndërkohë kritikoi mënyrën sesi veproi përmbarimi dhe policia private.

Dhe nga e gjithë kjo çfarë ka ndodhur e si duket do të vijojë të ndodhë në këto ditë të nxehta vere, dëshiroj të ndalem në disa shkelje e ndërhyrje të rënda që politika, qeveria dhe diplomacia greke bën në Shqipëri.

Më së pari, opinioni publik shqiptar e më gjerë rikonfirmoi faktin se jo vetëm kisha greke, por edhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë është e varur dhe e njësuar me Greqinë e politikën qeveritare dhe joqeveritare antishqiptare greke.  Eshtë fakt i pamohueshëm se qeveria e Athinës, ministria e Jashtme e Greqisë, autoritetet policore, doganore e me radhë në Greqi nuk kanë reaguar për shkak “të shkeljes së të drejtave të njeriut” në Shqipëri, por për shkak të faktit se ata e quajnë Kishën Ortodokse të Shqipërisë si Kishë Greke. Shkurt, pas 23 vitesh në demokraci Athina dhe Janullatos në Tiranë na rikonfirmojnë qëndrimin e tyre të njësuar për varësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare te Kisha Ortodokse Greke. Ky është thelbi i konfliktit. Sa kohë që do të ruhet kjo situatë statukuoje në Kishën Ortodokse të Shqipërisë, (për mua ajo nuk është as e pavarur, as autoqefale)aq kohë do të ketë konflikt midis Greqisë dhe Shqipërisë. Shqipërisë do t’i duhet luftojë për ruajtjen e sovranitetit të saj shtetëror, Greqisë për ta tjetërsuar atë me presione të natyrës kishtare.

Të gjithë ne besojmë se askush në Greqi nuk do të reagonte, nëse do të veprohej ngjajshëm me një xhami ose një kishë katolike apo evangjeliste . Reagimi i Greqisë shpreh dhe njëherë mentalitetin agresiv të politikës dhe kishës greke ndaj Shqipërisë dhe Kishës Ortodokse të Shqipërisë. Vetë Kisha shqiptare është bërë në fakt njësh me politikën greke. Prej këtej rrjedh arsyetimi se roli i Kishës Ortodokse Shqiptare të drejtuar nga Janullatosi nuk ka mision të saj besimin te Zoti, por përçimin e politikës greke në Shqipëri dhe ndikimin politik në vendin tonë për të realizuar ambicjet nacionaliste dhe shoviniste të diçituara si “Çeshtje e Vorioepirit”, një çeshtje, e cila ka lindur pas revolucionit grek të gjysmës së parë të shekullit XIX. Vorioepiri është politikë e hapur e dhjetra organizatave joqeveritare, e disa partive politike ekstremiste të pranishme në parlament, që prej komunistëve e deri te fashistët, është gjithashtu politikë e hapur dhe e fshehtë e qeverisë dhe diplomacisë greke. Axhenda vorioepirote, e cila rivendikon territoret shqiptare të jugut, u shfaq sërishmi para disa ditësh në Himarë, kur deputetë grekë dhe autoritete të tjera grekomane e grekofile në Shqipëri  përkujtuan vrasjen e Gumes.

Së dyti, Greqia në kundërshtim me ligjet demokratike të shtetit të së drejtës, ka atakuar me dhunë një vendim gjykate. Nëse në demokraci pranohet se gjykatat janë të pavarura dhe vendimet e tyre duhen zbatuar, atëherë nga ky rregull nuk mund të përjashtohet askush, qoftë dhe kisha ose xhamia. E vetmja rrugë e reagimit të palës kundërshtare, në rastin konkret të Kishës, do të ishte ankimimi në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Por në Greqi duket se nuk funksionon drejtësia. Njësoj sin ë vendet diktatoriale, ose vendet e brishta në demokraci, edhe në Greqi përdoret politika në funksion të së drejtës. Ndërkaq përdorimi e shpërdorimi politik i së drejtës është tipar i vendeve të pazhvilluara, ose në zhvillim e sipër. Demokracia greke e proklamuar si demokracia më e përparuar ka pësuar rishtaz fiasco. Ajo nuk mund të shërbejë si model për Europën e mrekulluar nga filozofia e Aristotelit dhe apologjia e Sokratit. Eshtë një demokraci nën nivelin e demokracisë ballkanike në përgjithësi. Opinioni publik në Europën Perendimore është vetëdijësuar se Greqia nuk përfaqëson vlerat e demokracisë së proklamuar. Por, për shkaqe interesash gjeopolitike ende nuk e pranojnë hapur këtë fakt udhëheqësit politikë të BE-së. Nëse do të pranohej kjo, atëherë BE do të bënin vlerësime më reale ndaj asaj çfarë ndodh në Europën Juglindore dhe do t’i jepnin Greqisë faturën përkatëse, edhe pse është vend anëtar i BE-së. Të qenit anëtar i BE-së nuk mund të jetë liçensë e së drejtës për ta transferuar përgjegjësinë te vendet aspirante për t’u pranuar në BE.

Së treti, për më tepër politika dhe demokracia greke e përpunuar në Athinë, është demokraci dhe politikë e hakmarrjes kolektive te njerëzit e pafajshëm. Greqia u hakmor me shqiptarët në nevojë, të cilët konform ligjeve europiane donin të udhëtonin në këtë vend. Ajo ua mbylli atyre kufijtë pa asnjë arsye ligjore të së drejtës europiane. Me qindra shqiptarë u kthyen mbrapsht, duke ndjerë dhimbjen e hakmarrjes primitive të shtetit grek. Ky veprim nuk shpreh demokraci, përkundrazi shpreh një primitivizëm të egër në marrëdhëniet midis shteteve dhe qytetarëve. Të hakmerresh te qytetarët shqiptarë  pse një organ kompetent ligjor zbaton një vendim gjykate, madje me 11 vite vonesë, do të thotë të ndërtosh marrëdhënie konfliktualiteti me një nga vendet fqinjë. Kështu ndodhi këto ditë me Greqinë, fqinjin tonë jugor, kur refuzoi me forcë kalimin kufitar të shqiptarëve. Ndërkohë në BE ka mundësi që të përkdhelin sedrën greke të Athinës e të sulmojnë institutcionet e shtetit shqiptar për atë që do ta quaja “Turpi grek i Përmetit”.

Dhe nëse Greqia dëshmoi agresivitet të pamasë në politikat e saj antishqiptare, qeveria shqiptare reagoi me shumë maturi. Kam parasysh në këtë rast reagimin e kryeministrit, sepse reagimi i ministrit të Jashëtm nuk është për t’u përmendur. Agresiviteti grek nuk erdhi për shkak të temperaturave të larta të gushtit e nuk mund të motivohet me kthimin në gjendjen e mëparshme të një shtëpie kulture, pronë e bashkisë së një qyteti. Qëndrimi hakmarrës i Greqisë ka lidhje me politikat imponuese në rajon e sidomos kundër vendeve të tilla si Shqipëria e Maqedonia. Ajo është e motivuar me kërkesat e Athinës për të përfituar territore nga Shqipëria.

Athina kërcënoi para disa vitesh se do të përdorte veton e nuk do ta miratonte nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me BE-në. Më pas kërcënoi se do të bllokonte anëtarësimine  vendit tonë në NATO.  Me këto kërcënime e detyroi qeverinë shqiptare të Berishës të nënshkruante marrëveshjen detare, aq të përfolur nga opozita e derisotme e majtë. Madje opozita  e Ramës e çoi atë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, e cila në unanimitet vendosi anullimin e saj.  Të gjithë anëtarët e Gjykatës kushtetuese, edhe ata që ishin simpatizantë të Berishës, edhe ata që vijnë nga partia e Ramës, votuan kundër marrëveshjes dhe e zhbënë atë. Por kjo ndodhi pasi Shqipëria bëri kërkesë për statusin e kandidatit për pranim në BE dhe pasi ajo u pranua në NATO. Greqia e përjetoi këtë si “dredhi” të Berishës, ndërkohë që i ftohu marrëdhëniet me opozitën e majtë, për shkak të iniciativës së saj në Gjykatën Kushtetuese.

Tani kjo marrëveshje ka ngelë në derën e mazhorancës së re. Rama është para dilemës për të bërë ose për të mos bërë lëshime. Një lëvizje tij taktike për lidhje më të ngushta me Ankaranë e Romën sesa me Athinën, ka bërë që në Greqi të mendohet se Rama nuk do të bëjë lëshimet që grekët i duan. Për këtë arsye është rritur presioni. U gjet dhe kazusi për këtë. Shtëpia e Kulturës në Përmet, e cila mban emrin e të madhit Naim Frashëri. Ndoshta ka ndikuar dhe emri I njërit prej Frashërlinjëve më në zë që grekët të vepronin në kushtet e terrorit të vitit 1997, kur pushtuan shtëpinë e kulturës dhe e improvizuan atë si kishë të qytetit. Tani e përdorin kundër Shqipërisë, për të tensionuar gradualisht situatën e marrëdhënieve midis të dy vendeve, me qëllim që të shkohet hap pas hapi deri të vetoja greke për marrjen e statusit kandidat për në BE. Këtë kishte parasysh eurodeputeti i Demokracisë së Re, kur pyeti në parlamentin europian, nëse Komisioni Europian ka dijeni dhe do t’i pasqyrojë ose jo ngjarjet në Përmet në raportin e radhës për Shqipërinë.

Harmonizimi i politikave antishqiptare vjen kështu në një lijë të përhershme, të sinkronizuar prej Përmeti në Gjirokastër, prej aty në Athinë, nga Athina në Bruksel e rikthimi përsëri në kufirin shqiptaro – greko – shqiptar. Nga ana tjetër, duket se në Athinë kërkohet një kompensim i humbjes së presitigjit grek me qëndrime të ashtuquajtura të forta, por antidemokratike dhe nacionaliste. Nacionalizmi bëhet gjithnjë strehë për maskarenjtë në politikë, kur politika kalon kriza të tilla si ajo e Greqisë. Dhe më e dëmshmja është kriza e besimit. Ajo çfarë ka ndodhur dhe ndodh në Greqi që prej gati pesë vitesh, është vërtet tragjike, e dhimshme, sepse në atë vend ka humbur besimi. Dhe përdorimi i instrumenti t kishë është më efektivi për rikthimin e besimit. Kjo dhe për faktin se kisha në Greqi është sipas pyetësorëve institucioni më i besueshëm në vend, krahas ushtrisë.

Presioni ndaj palës shqiptare dhe formula nacionaliste e forcimit të pushtetit janë dy arsyet kryesore të ngjarjeve të fundit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë. Të dy këto faktorë janë njëkohësisht shkak i tensionimit të marrëdhënieve disavjeare midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe të përhershme midis Ankarasë dhe Athinës. Por jo pak problem Greqia ka edhe me Bullgarinë. Duhet përmendur se këto marrëdhenie sjellin në vëmendje Luftrat Ballkanike, sidomos Luftën e Dytë Ballkanike, e cila u shkaktua më së shumti për arsye të konfliktit bullgaro-grek. E njëjta situatë është dhe sot. Vetëm se ka ndryshuar harta politike e Ballkanit dhe kushtet gjeopolitike të rajonit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, i permetit, turpi grek

Pse Nikoliç “ndihëmon” për bashkimin e shqiptarëve?!

August 19, 2013 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka deklaruar se vendi i tij është i vendosur që të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, edhe nëse e rrezikon hyrjen në Bashkimin Evropian.

“Serbinë tash e pret një periudhë e zhvillimit dhe prosperitetit, gjendemi në rrugën për hyrje në Bashkimin Evropian, dhe jemi këmbëngulës që të mos e pranojmë pavarësinë e Kosovës, saqë jemi të gatshëm ta rrezikojmë atë rrugë, e cila është ardhmëria jonë, por ekziston diçka që quhet krenari”, tha Tomisllav Nikolliq, gjatë takimit të sotëm në Beograd, me presidentin e fondacionit “Barack H. Obama”, Abongo Malim Obama.

Ky ishte lajmi i të shtunës dhe të dielës. Po a është dhe a do të mbetet një lajm i ri, fakti që Nikoliç refuzon kategorisht njohjen e Republikës së Kosovës, shtet të pavarur e sovran? Një retrospektivë e zhvillimit të ngjarjeve prej më shumë se njëzet vitesh na njeh me faktin se të gjithë presidentët e kryeministrat e Serbisë, të gjithë shefat e diplomacisë së saj, të gjithë krerët e Kishës Ortodokse Serbe, të gjithë emrat prominentë të Alkademisë së Shkencave dhe Arteve të Beogradit, pa përmendur çetnikët e të gjitha kohërave dhe rrymave, kanë refuzuar të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Këtë e ka bërë edhe Milosheviçi, edhe Koshtunica, edhe Tadiç, po e bën Nikoliç, pasuesi i Vojisllav Koshtunicës, i cili me platformën e tij antishqiptare të vitit 1995 rekomantonte shfarosjen e shqiptarëve përmes shpërnguljes, ushtrimit ekstrem të dhunës, deri edhe të infektimit të tyre me virusin e SIDE-s. Pra, shqiptarët janë mësuar me çmendurinë politike, ushtarake, paramilitare, policore, barrikaduese, shkatërruese e asgjësuese të Serbisë, çmenduri, të cilën e shohim çdo ditë të na shfaqet në veriun e Mitrovicës e kudo ku serbët kanë mundësi ta shfaqin.

Por ajo që bën përshtypje në këtë rast është se deklarata e presidentit të Serbisë i drejtohet vëllait të Barak Obamës, Abongo Malim Obama. Kjo i jep një dimension të ri konceptit revanshist të Serbisë për Kosovën. Kjo do të thotë se Nikoliç kërkon aleatë në SHBA për revanshin e tij politik në Kosovë. Ndoshta i shkon mendja se mund të tërheqë edhe presidentin e SHBA-ve në aventurën e tij, njehrësh të zakontë e njëkohësisht të pazakontë, për shkak të një marrëveshjeje që dy kryeministrat e të dy vendeve kanë nënshkruar më 19 prill të këtij viti në Bruksel.

Një deklaratë e tillë e shpallur në sytë e një prej personaliteteve më të njohur, me lidhje gjaku me presidentin Obama, duket edhe si një sfidë e llojit të veçantë, të cilën vetëm nacionalistët, ekstremistët dhe terroristët serbë dijnë, kanë guximin dhe vetëdijen e tillë që ta bëjnë. Një prej tyre, presidenti serb, Nikoliç, nuk bën përjashtim nga garnitura nacionaliste e Serbisë e gatuar me mentalitetin e doktrinave të shumta shoviniste si ajo e Naçertanies se Ilia Garashaninit, apo platformat e tjera të mëvonëshme, duke filluar me Cvijiçin, Pashiçin, Çubrilloviçin, Rankoviçin e deri te Sllobodan Milosheviçi. Breza të tërë të mëkuar me mitin për Kosovën kanë lënë pasardhësin e tyre të denjë në krye të shtetit të Serbisë, me emrin famëkeq, Tomisllav Nikoliç, për shkak të angazhimit të tij krah Shejshelit dhe Milosheviçit për asgjësimin dhe shfarosjen e shqiptarëve.

Pa bërë shumë histori, le të kthehemi te realiteti i sotëm në Kosovë, Serbi e në rajon, për të saktësuar sa reale dhe logjike është deklarata e Nikoliç. Serbia dhe Kosova kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për normalizimin e lidhjeve midis tyre. Kjo marrëveshje vazhdon të negociohet për zbatimin praktik të saj. Ajo ka në themel të saj njohjen e realitetit në Kosovë, dmth vendosjen e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke mbajtur parasysh faktin se tashmë Kosova funksionon si shtet i pavarur e sovran, i njohur nga më shumë se gjysma e shteteve anëtare të OKB-së. Nëse i heq marrëveshjes midis Prishtinës e Beogradit këtë substancë të sajën, atëherë ajo bëhet e paqenë. Nëse e zhvesh marrëveshjen e 19 prillit nga pranimi i realiteteve të reja të krijuara me formimin e shtetit të Kosovës, atëherë vjen pashmangshëm dështimi i përpjekjeve të BE-së dhe baroneshës Eshton për vendosjen e paqes e të sigurisë në Europën Juglindore. Ndërkaq duket se Nikoliç është i pakënaqur me marrëveshjen në fjalë nënshkruar nga aleati i tij, Daçiç e kryeministri shqiptar, Thaçi. Ai luan rolin e kalit të Trojës në normalizimin e këtyre marrëdhënieve dhe bën diversion politik përkarshi SHBA-ve, Europës, Kosovës e shqiptarëve në Ballkan si dhe përkarshi disa udhëheqësve politikë në Beograd, të cilët preferojnë Brukselin në këmbim të Kosovës.

Një analizë e ftohtë e situatave që zhvillohen, çon në përfundimin e pakontestuar, sipas të cilit Serbia e ka të pamundur kthimin mbrapsht të proceseve integruese e bashkëpunuese rajonale, si kushti kryesor i hapave integruese në Bashkimin Europian. Por pengesa Nikoliç si dhe pengesa të tjera të kësaj natyre do të zgjasin procesin e integrimit jo vetëm për Serbinë, por edhe për të gjithë rajonin. Mësë paku deklarata e tij do të trimërojë serbët e veriut të Kosovës, me qëllim që ata ta refuzojnë projektin europian të normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd. Se do të ndodh kështu duket edhe në disa ngjarje të tjera të kohëve të fundit. Qeveria e Serbisë vendosi të krijojë strukturat e saj të ashtuquajtura legale aty ku jetojnë serbët në Kosovë. Ishte ky një vendim provokativ që i kundërvihet drejtpërdrejt marrëveshjes së nënshkruar në Bruksel më 19 prill. Strukturat paralele në veri të Kosovës u mblodhën dhe vendosën gjithashtu që të refuzojnë zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, me të cilat do të njihej autoriteti i Prishtinës në këtë pjesë të Kosovës.

Po t´i shtojmë deklaratës së Nikoliç të gjitha ndodhitë kundraproduktive në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, atëherë duket qartë se nuk do të jetë lehtë zhvillimi komplementar i të gjithë rajonit e në veçanti integrimi në BE e në NATO. Prandaj Prishtina zyrtare si dhe strukturat joqeveritare, institucionet, njerëzit që kanë kompetencën të marrin vendime, të gjithë shqiptarët, madje dhe Tirana zyrtare, shqiptarët në Maqedoni, ata në Serbi, në Malin e Zi kanë detyrimin të përcaktojnë sjelljen e tyre në rrethana, të cilat Beogradi mund t´i imponojë. Derisa presidenti i Serbisë deklarohet kaq hapur kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj atëherë duhet marrë në konsideratë dhe duhet vlerësuar si serioze situata që mund të krijohet pas kësaj. Refuzimi i Beogradit do të çojë domozdoshmërisht në refuzimin e Moskës, pra legalisht do të pengohet jo vetëm përparimi e integrimi i saj, por edhe pranimi në OKB.

Tashmë statuskuoja në marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë do të shndërrohet në një pengesë serioze për të gjithë shqiptarët në rajon, sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, jo vetëm në kuptimin e krijimit të hapësirës “Shengen” të Ballkanit, por edhe më gjerë. Nëse Nikoliç është serioz në deklaratën për mosnjohjen “kurrë” të pavvarësisë së Kosovës, atëherë edhe shqiptarët duhet të bëhen më seriozë në reagimin e tyre të përbashkët. Një plan B është vërtet i domozdoshëm. Ky plan duhet të përfshijë në programin e tij një zgjidhje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare të problemit shqiptar në Ballkan. Kjo do të thotë se në të duhen planifikuar çeshtjet e risendërtimit të hartës politike të rajonit, jo më në bashkëbisedim me Serbinë e Nikoliçit e të Milosheviçëve të rinj, por më bashkësinë ndërkombëtare.

Nëse kemi parasysh diversionin serb të pandërprerë, atëherë duhet shkuar kah gjetja e një zgjidhjeje, e cila jo vetëm i jep Kosovës të drejtën e shtetësisë, por e bën të pamundur ndërhyrjen e Beogradit në punët e saj të brendshme. Zgjidhje të tilla nuk janë pak, ato janë disa. Një prej tyre është vendosja e rendit kushtetues në veri të Kosovës, pa i marrë leje Beogradit. Një tjetër zgjidhje është krijimi i një konfederate fillimisht Shqipëri-Kosovë dhe më pas bashkë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, madje të hapur, nëse do të dëshironte, edhe për Serbinë.  Unë po përmend këto dy opcione, të cilat nuk janë të lehta për t´u realizuar. Por në të vërtetë realizimin e tyre po e lehtëson vetë Serbia. Njësoj siç bëri Milosheviçi para vitit 1999. Nëse Milosheviçi nuk do të kishte hequr autonominë e shqiptarëve, nëse ai nuk do të kishte shkaktuar masakra e dhunë të tmerrshme që tronditi botën kundër shqiptarëve, zor se shqiptarët do ta kishin përkrahjen e botës për të patur shtetin e Kosovës. Pra, Milosheviçi mori jetë njerëzish, shumë jetë njerëzish, por është fakt se e lehtësoi qëndrimin e Perendimit në vendimmarrjen për Kosovën. Kështu po ndodh dhe do të ndodh edhe me udhëheqësit e sotëm e të ardhshëm të Serbisë, të cilët vijojnë ose do të vijojnë të udhëhiqen nga ideologjia fashiste e parardhësit të tyre. Qëndrimi i tillë çfarë ë shfq vazhdimisht presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikoliç, ka dy efekte pozitive, kompaktëson shqiptarët në idenë fikse të një zgjidhje radikale dhe përfundimtare të probllemit të tyre në dobi të lirisë e të demokracisë dhe mënjanon shumë prej vështirësive për t´u njohur ndërkombëtarisht kjo zgjidhje.

Zhagitja e mëtejshme e problemit të Kosovës dhe shtetësisë së saj të njëmendtë, kokëfortësia e Beogradit për të krijuar edhe më tej problem të panumërta, me idenë fikse të “neutralitetit ndaj statusit”, si dhe format e stërholluara të refuzimit të pavarësisë si ajo e logos së Republikës në fletët e votimit, vetëm se çojnë në radikalizimin e veprimeve në Kosovë. Nikoliç u përpoq në Beograd që ta bindë vëllain e presidentit amerikan për të mbështetur këto veprime të çmendura të tij dhe nëse Kosovës i hiqet bindja se “Amerika është me ne”, atëherë ky vend si dhe gjithë rajoni nuk do të kenë më qetësi. Kjo do të thotë që integrimi euro-atlantik të shtyhet për një kohë të gjatë, kjo do të thotë një cikël i ri i izolimit rajonal, kjo do të thotë hezitim i investimeve të huaja në Europën Juglindore. Dhe gjithë kësaj situate të padëshirueshme as për serbët vetë i kontribuon Tomisllav Nikoliç si dhe bëshkëpunëtorët e tij të ngushtë në qeverisjen e Beogradit.

Ndërkohë në Bashkimin Europian deklarata të tilla priten ftohtë e nuk vihet re asnjë shqetësim, ndonëse ndonjë deklaratë elektorale e politikanëve shqiptarë është interpretuar me forcë si “destabilizuese për rajonin”. Ky qëndrim i dyfishtë I Brukselit, pra kjo politikë proserbe dhe antishqiptare, duhet të marrë fund, ndryshe Stefan Fyhle me shokë nuk kanë pse akuzojnë viktimat e të shpërblejnë agresorët. Deklarata e Nikoliç ishte një aggression i ri kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Mësë paku ajo shërben si thirrje për të mos zbatuar marrëveshjen e nënshkruar më 19 prill 2013 për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Dhe kjo nuk është pak, nëse kemi parasysh që sponsor i asaj marrëveshjeje është Bashkimi Europian.

Por në Bruksel e kanë më të lehtë të bëjnë presion ndaj Thaçit, sesa ndaj Nikoliçit e Daçiçit. Prej këtej buron presioni që bëhet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të mos përdorur simbolet e Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 3 nëntorit. Nëse ndodh kjo, atëherë marrëveshja e Brukselit është ajo çfarë thonë serbët, shkurt një marrëveshje me parimin e neutralitetit ndaj statusit të Kosovës. Nëse është kështu, atëherë duhet të presim që nesër në Beograd të nisë iniciativa tjetër politike e diplomatike për të ridiskutuar për statusin e Kosovës. Dhe kur kjo të jetë pikë diskutimi, atëherë deklarata e pavarësisë, e lexuar me aq bujë nga Hashim Thaçi, do të rrëzohet, sepse do të duhet një deklaratë tjetër “pavarësie” apo “varësie”, e cila nuk do të jetë e formatit të deklaratës së 17 shkurtit 2008. Shkurt ka dy rrugë, ose duhet mbrojtur lufta e popullit shqiptar në Kosovë për liri, pavarësi e demokraci, ose duhet shkuar drejt një zgjidhje, të cilën e dëshirojnë serbët agresorë e për të cilën ata bëjnë presion të vazhdueshëm. Nëse udhëheqësit politikë në Prishtinë vihen përkrah ambicjeve të Beogradit, atëherë shqiptarët do të promovojnë një udhëheqje tjetër më dinjitoze për zgjidhjen përfundimtare të çeshtjes së tyre, në funksion të lirisë së pakushtëzuar nga askush.

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e shqiptareve, Enver Bytyci, ndihmon, per bashkimin, pse Nikolici

Pse shpërfillet suksesi i futbollit kukësian?!

August 4, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Një fenomen shqiptar mediatik po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e opinionit publik. Injorimi i ngjarjes. Mospërfillja mediatike si shprehje e pozicionimit të botuesve, pronareve. Ose shpërfillja e ndodhive pozitive, si mjet për të mos çuar te qytetarët suksesin, përkushtimin, energjinë e njerëzve që e ndërtojnë të sotmen e të ardhmen e këtij vendi. Pra, bojkoti i suksesit, siç dijnë të bojkotojnë censorët e sotëm mediatikë. Skuadra e futbollit të Kukësit është shembulli tipik i kësaj fytyre të shëmtuar të medias shqiptare. Të enjten e kaluar kuësianët shënuan dy gola kundër një prej skuadrave më me emër të futbollit europian, asaj Metalurg të Ukrainës. Kukësi sfidoi në ndeshjet e superligës shqiptare dy nga skuadrat me emër te futbollit, perkatësisht Flamurtarin e Tiranën, duke u ngjit në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit. Dhe gjithçka me meritën e përkushtimit, të punës dhe të energjisë së jashtëzakonshme. Vendi i dytë i dha kësaj skuadre të drejtën të luajë si nënkampione në superligën europiane. Kukësi kapërceu dy etapa të rëndësishme të superligës europiane, duke e rrëmbyer fitoren kundër Sarajevës, një skuadër me emër në Europën Juglindore si dhe kundër skuadrës estoneze.

Turin e tretë Kukësi e filloi me një skuadër tjetër me emër në Europë, atë të Metalurg të Ukrainës. Mbrëmjen e 1 gushtit futbollistët e tij shënuan dy gola në Qemal Stafa, duke mos e lejuar kundërshtarin të prekë rrjetën e kukësianëve, edhe pse arbitri dha një goditje me penallti për skuadrën ukrainase. Ky rezultat i pastër dhe i merituar për shkak të lojës brilante që lojtarët e mrekullueshëm të Kukësit bënë në praninë e mijëra spektatorëve, jep shanse që Kukësi të shkojë me tej me performancën e tij në ndeshjet e ardhshme të superligës europiane.

Kanë shkruar e folur për ngjarjen surprizë dhe fitoren e kukësianëve të gjitha mediat boshnjake, kur skuadra e qytetit verilindor luajti me Sarajevën. Kanë shkruar e folur po ashtu gazetat e mediet e tjera estoneze. Ndërsa në rastin e fitores me skuadrën e Ukrainës në Tiranë, njoftuan jo vetëm mediet e Kievit, por edhe portalet e mediet europiane, ndër to portali i FIFA-s. Ishte vërtet një sukses i merituar dhe i paparashikuar. Ndërkohë shumica e medieve tona shqiptare të pozicionuara politikisht përdorën heshtjen vrastare për ta ndëshkuar suksesin e Kukëit. Asnjë televizion shqiptar nuk e transmetoi ndeshjen drejtpërdrejt. As Televizioni Publik Shqiptar, i cili ngadalw po pwrshtatet t´i shkojw e tw futet nwn bishtin e kalit tw ri tw qeverisjes. Asnjë medie nuk organizoi një tryezë të rrumbullakët e të flasë me ekspertë, gazetarë e specialistë të sportit për këtë ngjarje historike në sportin shqiptar. U shfaq në mënyrë unanime, me një mirëkuptim të heshtur apo të aranzhuar përmes kabllove telefonike, një bojkot mediatik i pashembullt. Nuk e bënë një bojkot të tillë mediet e huaja, por e bënë mediet tona të vitit 2013, ato media, të cilat çdo ditë e çdo orë shesin moralin e “së drejtës” dhe “peshores” në shoqërinë, në politikën, në jetën sociale e morale të shqiptarëve. E bënë televizionet e ndara në dy kampe “armiqësore” në politikë, të ashtuquajturat të djathta dhe televizionet e majta. E bojkotuan Kukësin mediet e shkruara. Një televizion që ushqehet nën sqetullën e PS-së, të cilin e mbaj mend kur dy orë radhazi, çdo minutë përsëriste më 23 qershor urdhërin partiak të rremë se “Në Laç është vrarë një komisioner i Partisë Socialiste”, nuk gjeti as edhe një sekondë të shqiptojë fitoren e Kukësit. Thashë të rremë, se viktima rezultoi qw s´kishte të bënte me PS-në. Pra, një stacion televiziv, i cili manipuloi dy orë qytetarët shqiptarë me qëllime politike, për arsye ideologjike nuk pranon të anonçojë një lajm suksesi, qoftë ky edhe në fushën e sportit.

Rasti i bojkotit mediatik për Kukësin, ose më saktë rasti i injorimit të një prej ngjarjeve më të mëdha të sportit shqiptar, e cila bën krenar jo vetëm çdo kukësian, por edhe çdo shqiptar, rasti i shpërfilljes ekstreme mediatike të fitores së datës 1 gusht në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës duhet ta bëjë çdo njeri të mendojë thellë për atë çfarë ndodh me medien e për pasojë me shoqërinë shqiptare. Shoqëria shqiptare thuhet se është deformuar. Dhe nëse e pranojmë këtë fakt, atëherë duhet thënë e vërteta se është deformuar shtylla e katërt e pushtetit në këtë vend, janë deformuar mediet shqiptare. Kur bëj përgjithësimin e medies në tërësi, besoj se do të ma falin këtë gabim ato pak media që përpiqen të jenë objektive, të ndershme e të ekuilibruara në informimin e qytetarëve. Por fatkeqësisht duhet pranuar se kësaj medie ia kanë zënë frymën mediat që kanë mbërritur këtu ku janë si rezultat i shkathësive mafioze dhe bashkëpunimit të dyshimtë jo thjesht me krahët e politikës shqiptare.

E di se dukem pak idealist me konstatimet e mia. Por e ndjek prej më shumë se dy dekadash ecurinë e mediave tona dhe fatkeqësisht ndjesitë negativiste vetëm se përforcohen çdo ditë e sa herë përballesh me emisionet “famëmëdha” të butaforikëve moderatorë të televizioneve shqiptare. Shiheni emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut. A nuk i kemi parë prej 15 vitesh të njëjtat fytyra analistësh në këtë emision?! A nuk ju duket sikur shohim të njëtin arsyetim në debatet e tij si para 15 vitesh, e nërkohë vetë moderatori famoz bën moralin e ndryshimit dhe evolucionit! Kur njerëzit e medies krijojnë vetë një rreth vicioz, nga Nexhmija deri te Vitoja, nga Sulo Gradeci, te ai hetuesi nga Korça e nuk dalin prej vrimave të skuadrës së futbollit të Dinamos e Partizanit, si mund të presim që ata të bashkohen ne suksesin e Kukësit?!

Ka prej atyre njerëzve, të cilët pozicionimin e medies e justifikojnë me ekonominë e tregut. Në fund të fundit media është private, thonë ata. Në të vërtetë mediet vetëm nga pikëpamja financiare janë private. Ato janë krijuar për të komunikuar me publikun e për këtë shkak janë pronë e publikut. Nëse pranojmë këtë fakt unë besoj se publiku ka nevojë shumë herë më tepër për informim kur një skuadër, si kjo e Kukësit, arrin sukses të merituar e spektakolar si askush tjetër në Shqipëri, sesa ngjarjet e tjera sportive. Ndërkohë te ne ndodh e kundërta. Gazetat, televizionet, radiot i hapin emisionet e tyre me lajmin për falimentimin e Flamurtarit. Një vëmendje e jashtëzakonshme pati para një viti një ndeshje e politizuar midis Flamurtarit dhe Laçit. Por aspak vëmendje për një sukses të paparë të sportit shqiptar, për pesë fitoret e mrekullueshme të futbollistëve kukësianë.

Ndërkohë mediat kryesore televizive te ne janë edhe në aspektin moderativ private. Ato nuk janë pronë e publikut, por janë pronë e editorit. Pronari përcakton cilat pamje filmike do të transmetohen. Pronari urdhëron pasqyrimin ose jo të veprimtarive kulturore, politike, ekonomike, sportive, shkencore, letrare, në Tiranë e më gjerë. Pronari urdhëron që një person të afërt të tij ta shfaqin çdo javë në televizion me intervista të njëjta e pandërprerje, thjesht se dëshiron ta promovojë këtë person, në një anë dhe largimin nga kronikat të një personi tjetër, ndonëse shumë të suksesshëm. Pronari vendos kush të marrë pjesë e kush jo në enisionet e shumta televizive, kush të shfaqet bukur e kush i shëmtuar, kush të vejë makiash e kush jo, cilit kriminel t´i shqiptohet origjina e cili të hiqet nga emisioni i lajmeve, cili politikan të bombardohet me pyetje provokative në debatet televizive e cilit t´i jepen pyetjet një javë më parë, me qëllim që të rritet performaca e tij në ekran. Pronarët e TV-ve vendosin gjithçka, kontrollojnë çdo fjalë, bëjnë analizën ideologjike e politike të gjithçkaje që thuhet e emëtohet, duke kritikuar gazetarët rebelë e duke i nxjerrë ata në rrugë, kur nuk i binden joprofesionalizmit.

Nuk ka fushë e aspekt shoqëror që mediat tona nuk e bëjnë objekt të diskutimit e debatit. Madje edhe perzervativët e viagrën i kanë në fokus të vëmendjes së tyre e madje i lidhin me politikën e politikanët, jo me shoqërinë. Por nuk u gjet e udhës që të bëhet një diskutim jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe më gjerë, psikologjik, analitik sa i përket drejtimit e menaxhimit të një skuadre të tillë të sukseshme ,siç është skuadra e futbollit e kukësianëve. Kur para gati tetë vitesh Greqia u shpall kampione e Europës, e gjithë bota mediatike u përqëndrua te aftësitë e trajnerit të saj gjerman. Por askush nuk kujtohet të thotë se shqiptarëve u ka trokitur në derë një trajner kalibri, si Armando Cungu. Kur Bajerni kap majat e suksesit, presidenti i tij është në faqet e para të të gjitha gazetave dhe stacioneve televizive gjermane e më gjerë. Ato hapin të gjitha emisionet e lajmeve me ngjarjen sportive të ditës. Ndërkohë presidenti i skuadrës së Kukësit, Safet Gjici, është bërë i njohur më shumë nga një takim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, sesa nga suksesi që korri në fushën e gjelber të Qemal Stafës natën e 1 gushtit 2013, ose në Sarajevë e në fushat e tjera të futbollit europian.

Nuk zunë ekranet televizive as presidenti Gjici, as trajneri Cungu, as kapiteni i skuadrës, Hallaçi, as ndonjë golshënues e lojtar tjetër sulmues, mesfushor ose në mbrojtje në rastin e fitoreve të njëpasnjëshme në ndeshje me skuadrat europiane. Duket sikur të gjithë këta po ndëshkohen. pasi konsiderohen se “kanë bërë njëkohësisht edhe një sfidë morale për nostalgjikët ideologjikë të Dinamos e Partizanit”, kanë bërë një “krim” tjetër, se “dolën nga shpellat e po vijnë të na dëshmojnë ne se ç´është futbolli e si arrihet suksesi”. Kanë bërë sfidën e tretë, se në kushtet e krizës ekonomike, një “malok” tjetër kukësian gjen burime financiare e jo vetëm mban gjallë një ekip, por shpërblen lojtarët e tij për çdo fitore, ndërkohë që të tjerë biznesmenë harxhojnë shumë herë më tepër se Gjici për të shkuar në sallën e parlamentit. Kjo ndoshta është sfida qytetare më e spikatur, sepse paratë e Gjicit shohin suksesin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, ndërkohë që paratë e atyre që ulën në karriken e deputetit janë përdorur në mënyrë mafioze për blerje e shitje votash.

Kukësi ka një veçori, me të cilën çdo medie serioze dhe e pandikuar do të merrej me të. Eshtë skuadra e vetme që luan për herë të parë jashtë Shqipërisë. Dhe për herë të parë shkon në superligën europiane më larg se çdo skuadër tjetër tradicionale shqiptare. Në vend të zbardhjes së ketij fenomeni, medien tonë e ka zënë sëmundja e xhelozisë dhe fanatizmit ideologjik, për të mos shkuar më tej, pra për të mos përmendur sëmundjen e afeksionit “malokist” të “civilizimit” mediatik, i cili mburret me HD, sepse nuk ka asnjë shans të mburret me paanësinë, me pasqyrimin e të vërtetës, me profesionalizmin mediatik edhe kur kjo shkon përtej opsionit ideologjik të botuesve e pronarëve të kësaj medie të uzurpuar shumëfish, nga pikëpamja e interesit të pronarit, nga politika, nga interesat financiare e ekonomike, madje të dyshimta e mafioze, që shkojnë deri te lidhja me krimin e organizuar.

Në kushte të tilla të një gjendjeje mizerabël të medies shqiptare, (të më mirëkuptojnë disa stacione televizive dhe gazeta, të cilat nuk bëjnë pjesë në këtë kategori fëlliqëisrash mediatike), pres që edhe shumë kohë në mediat tona të gjallojë nihilizmi e të injorohet suksesi, të shfaqen shëmtitë e këtij vendi e këtij kombi e të lëvdohen vetëm sukseset e qeverive, por jo edhe të qytetarëve, të sundojë mentaliteti provincial, për tu gjendur me kamera te qyteti e fshati i lindjes së pronarit, por jo 5 metra larg godinave të TV-ve, në rastin konkret te stadiumi “Qemal Stafa”.  Kukësi dhe skuadra e tij e futbollit na dha një mësim të vlefshëm. Zbuloi sëmundjen mediatike të rrezikshme për shoqërinë shqiptare, zbuloi lëngatën e medieve tona nën efektin e censurës së diktaturës. E ndonëse diktaturat rrëzohen lehtë, është vështirë të rrëzohet diktatura mediatike e ndërtuar në më shumë se dy dekada përmes aferave të pista në këtë vend.

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, futbolli, kuksian, pse shperfillet

Miti, mitika dhe egoja për famë e Lubonjës

July 22, 2013 by dgreca

Shkruan: Enver Bytyçi/

Këto ditë po zhvillohet një debat e gjerë rreth deklaratave të Fatos Lubonjës, të cilat ai i ka plasuar në një revistë gjermane të destinuar për Ballkanin. Ai artikull i Lubonjës, i shkruar enkas për revistën e përmendur, përmban në thelb deheroizimin e shoqërisë shqiptare, çmitizimin e historisë dhe veçmas të heronjve të sotëm, e akoma më veçmas të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas tij shqiptarët, të cilët mbështesin e nderojnë “vrasës” si Haradinaj, pra shqiptarët shumicë, janë “skicofrenë”.

Reagimet e shumta kanë shkuar nga njëri ekstrem te tjetri. Një palë është vënë në mbrojtje të Lubonjës. Midis tyre edhe analisti nga Prishtina, Arben Idrizi. Po kështu mediat serbe kanë ngritur lart aktin e Lubonjës. Sigurisht edhe aktin e Idrizit, i cili në reagimin e tij ndaj artikullit të Lubonjës bën një listë “vrasësish” të Kosovës, në mesin e të cilëve përmend Adem Jasharin. Kjo e ka acaruar kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, i cili ka reaguar ashpër ndaj Arben Idrizit., ndërkohë që përkharësit e Idrizit e akuzojnë Krasniqin për qëndrime raciste e fashiste. Në të vërtetë nuanca të tilla gjenden në deklaratën e Jakup Krasniqit, por askush nuk tha se “skicofrenia” për shqiptarët është gjithashtu një etiketim racist e fashist. Pashë dikënd që thoshte se “Më mirë të jesh fashist, sesa serbo-sllav”, çka do të thotë se ne shqiptarët duhet ta ridiskutojmë procesin e demitizimit nga të gjitha pikëpamjet. Pra duhet ta shkruajmë objektivisht raportin tonë me Gjermaninë e Hitlerit (jo me ideologjinë fashiste), gjithnjë të krahasuar me sundimin serb në Kosovë.

Vetë Ramush Haradinaj është treguar i matur dhe nuk ka ndezur ndonjë debat me kundërakuza ndaj Lubonjës e Idrizit. Por ai ka shpjeguar në një emision televiziv gjithë procesin e gjyikimit të tij në Hagë, duke dëshmuar me fakte e argumente pafajësinë e tij. Unë dua t´i besoj zotit Haradinaj në ato që ka shpjeguar, thjesht dhe për faktin se është i vetmi person i akuzuar dy herë dhe i vënë dy herë në gjykatën e Hagës dhe në të dy rastet ka marrë pafajësinë. Të shkosh dy herë për të njëjtën akuzë në një gjykatë ndërkombëtare dhe të shpallesh dy herë i pafajshëm, besoj se është argument i mjaftueshëm për çdo njeri normal që ai të mos etiketohet si “vrasës”, qoftë dhe nga analistë liberalë të llojit të Lubonjës e Idrizit.

Megjithatë besoj se nuk është e udhës që të merresh me vërtetësinë ose jo të një akuze të ngritur publikisht ndaj dikujt. Këto janë punë të gjykatave dhe drejtësisë e sa kohë drejtësia vepron, aq kohë i duhet besuar asaj. Problemi qëndron në argumentet e palëve gjatë reagimeve me mllefe e pasion të dukshëm. Sigurisht që është e pamundur të evitohet pasioni, mllefi, veçmas nga ata që mendojnë ndryshe nga tjetri dhe kjo nuk përbën krim. Por ftohtësia në analizën e një fenomeni të tillë ndoshta sjell më shumë qartësi, urtësi dhe logjikë. Le të ndalemi në disa aspektë të debatit:

Së pari, përkrahësit e Lubonjës e të Idrizit, sidomos ata që janë vetëshpallur si “moderatorë”, i justifikojnë ata me të qenit njerëz të lirë, me mendim të lirë e të pavarur. Ky lloj arsyetimi është i pa vend, sepse as Lubonja, as Idrizi nuk janë aq tolerantë dhe liberatorë, sa të pranojnë ose të heshtin kur ata sulmohen me akuza, të qena ose të paqena, nga të tjerët. Ne i kemi parë ata në debatet televizive, i kemi ndjekur në analizat që bëjnë dhe reagimet që kanë pasur në shtyp dhe në asnjë rast nuk kemi fiksuar në memorie ndonjë akt tolerance përballë njerëzve me pikëpamje e ide të kundërta, me të cilët ata përballen. Madje shpesh herë të dy dëshmohen më agresivë sesa kritikët e tyre që shfaqen këto ditë me shumicë në mbrojtje të Haradinajt apo “miteve” shqiptare. Aq më tepër të qenit “liberator” nuk të jep asnjë të drejtë morale e civile të bësh lista “vrasësish” e të luash rolin e prokurorit e të gjykatësit. Edhe nëse nuk ke vendime gjykatash për të provuar krimin e dikujt, analisti duhet të ketë së paku disa indicje dhe prova morale për të mbrojtur akuzën që bën. Në këtë pikëpamje Lubonja dhe Idrizi duket se duan të luajnë rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, përballë “skicofrenëve” shqiptarë, të cilët besojnë te e drejta e shqiptarëve për tu çliruar dhe me armë nga pushtimi, sundimi dhe dhuna e pashembullt e Serbisë në Kosovë.

Një analist, opinionist dhe komentator ka përgjegjësi për fjalën që artikulon. Në një analizë timen të para 20 ditëve kam përdorur fjalën “shpurë” për një grup intelektualësh dhe partiakësh, të cilët ikën dhe u rikthyen te Berisha. Miku im, Frrok Çupi, më tha se “nuk shkon kjo fjalë për këta njerëz. Ata nuk janë shpurë, janë intelektualë”. I kërkova falje. Frroku kishte të drejtë. E drejta nuk anonte nga unë. Më ka pëlqyer mua ose jo ikja e rikthimi i tyre te Berisha, kjo është pjesa e sentimentit personal. Si analist nuk kam asnjë të drejtë të përdor epitete, aq më pak të akuzoj dikë pa asnjë fakt e argument. Ndërkaq Lubonja i thotë vrasës një personaliteti politik të Kosovës, për të cilin nuk ka asnjë të dhënë e argument. E si mund t´i thuash vrasës një duzine njerëzish?! Si mund t´u thuash “skicofrenë” miliona bashkkombasve të tu, siç bën Fatos Lubonja?! Eshtë e paimagjinueshme! Eshtë e pakonceptueshme! Të qenit i lirë nuk e justifikon një veprim të tillë. Së paku për këtë Lubonja dhe Idrizi duhet të kërkojnë ndjesë. Jo Ramush Haradinajt, jo listarëve të Arbenit, po opinionit publik. Të listuarit, nëse duan, kanë se ku e kërkojnë të drejtën e të vërtetën, nëse jo, le të pajtohen me të qenit kriminelë. Eshtë punë e tyre.

Së dyti, e gjithë piramida e akuzave që kanë ndërtuar Lubonja dhe Idrizi është vënë në funksion të deheroizimit. Unë besoj se një mision i tillë është fisnik dhe i drejtë. E vërteta është se të gjithë ballkanasit jetojnë me mitet e heronjve, të tradhëtarëve e të viktimës. Heronjtë i përdorin për të mbajtur të bashkuar sa më shumë njerëz rreth vetes, ose për të identifikuar racën, çka sjell fobitë, antivlerat dhe më pas konfliktet, dhunën, luftrat, vrasjet e kështu me radhë. Tradhëtitë i përdorin për të justifikuar gijotinën politike, morale ose edhe fizike kur e lejojnë rrethanat. Viktimizimin e përdorin për mbrojtje kur bëjnë prapësi dhe krime. Kjo prirje dhe ky realitet është i përhapur shumë më tepër te popujt e tjerë, përjashtuar sllovenët,  sesa te shqiptarët. Kujtoni rastin e lirimit nga Haga dhe pritjes se gjeneral Gotovinës me mbi 500 mijë njerëz në sheshin e Zagrebit. Ishte i njëjtë me rastin e Haradinajt.

Çmitizimi dhe deheroizimi në princip është një mision civil, por që shkon në raport me civilizimin e vetë shoqërisë, madje jo vetëm në një vend të caktuar, por në të gjithë rajonin. Lubonja është partizan i çmitizimit, por fatkeqësisht edhe vetë luan shpesh herë rolin e heroit. Le të kujtojmë vitin 2003-2004, kur ai u përball me Nanon dhe përdori gjithçka në funksion të rolit tragjio-komik të heroit, pra edhe të viktimës. Unë kam pasur një milion arsye më shumë sesa Lubonja që të luaja rolin e heroit e njëkohësisht të viktimës, por nuk e mora përsipër këtë rol, jo nga paaftësia, thjesht se nuk doja të obligoja opinionin publik me problemet e mia si botues e gazetar me shtetin, SHIK-un, gjykatat, Bashkinë e Tiranës dhe segmente të tjera të luftës kundër fjalës së lirë. Edhe unë isha gjobitur me 20 milion lekë të vjetra, madje për një shkrim të dikujt tjetër në revistën “Koha”, i cili kishte emër dhe mbiemër. Por “mbatha këmbët e ika”. Qëndrova në hije për të mos luajtur rolin e heroit, siç bëri Lubonja.

Nëse Haradinaj u kthye nga Haga si hero, Lubonja me akuzën e vrasësit, u bë “hero i fjalës së lirë”, kur kishte shumë më pak kontribute se shumë të tjerë në këtë fushë. Heronjtë e fjalës së lirë të kohës së Lubonjës morën edhe ndonjë plumb me vete e nuk u ndjenë, përveçse u përmenden në lajmet e ditës, sikur të ishin pjesë e kronikës së zezë. Fatkeqësisht te ne ndodh gjithnjë i njëjti cikël. “Antiheronjtë” shfaqen të tillë që të zënë vendin e heronjve dhe heronjtë luftojnë me thonj e me dhëmbë që të mbeten të tillë. Moralisht janë më të pranueshëm këta të dytët, sesa të parët. Ndodh ashtu si me lëvizjet tona njëshekullore për vetëvendosje, të cilat përfundojnë në luftë për pushtet. Njëra palë në emër te deheroizmit e demitizimit e shpall veten hero e mitik. Tjetra palë shpallet luftëtar për vetëvendosje e shtet-kombformim dhe përfundon te lufta për karrige, pushtet e para. Në të dyja rastet funksionon paraja, ndërkohë që në rastin e Lubonjës funksionon kapja e pushtetit mediatik, ndërsa te politika kapja e pushtetit politik.

Edhe unë besoj se është e nevojshme që heronjtë t´i shohim si njerëz, por që kanë disa cilësi të veçantë, të avancuara, siç janë aftësitë, përkushtimi, vendosmëria, guximi, pse jo dhe mençuria e urtësia. Kështu ndodh madje me kryeheroin e shqiptarëve. Edhe Skënderbeu ka qenë njëri prej prijësve shqiptarë të kohës. Kjo do të thotë se ai ka patur thjesht një ose dy cilësi më shumë sesa të tjerët, ndaj është vënë në krye të rezistencës së shqiptarëve për tu mbrojtur nga pushtimi i osmanëve. Por dhe ai ka patur difektet e tij, dhe ai ka bërë një jetë njeriu e nuk pati rënë nga qielli. Po Lubonja e disa të tjerë nuk shkojnë përtej kësaj logjike, kur ata flasin për heronj të tillë si Skënderbeu. U mveshin atyre lloj-lloj cilësish negative dhe nga heronj i shndërrojnë në antiheronj. Nëse lexojmë filozofët e shumtë, të cilët janë marrë me studimet për mitet e heronjtë, atëherë do të gjendej një mesatare e logjikshme dhe civile për të pranuar heronjtë dhe heroizmin e njerëzve. Ndërkaq Lubonja dhe Idrizi e trajtojnë me përbuzje e urrjejte të pabazuar këtë kategori njerëzore, e cila ze vend edhe në vendet e qytetëruara. Kjo ndodh gjithashtu me Arben Idrizin, kur ai i adresohet figurës së Adem Jasharit. Në një kohë paqeje, në e në kohë stabiliteti, logjika e Arbenit është vërtet e pranueshme. Madje kjo logjikë ka qenë e pranueshme nën zë edhe në kohën kur u vra Adem Jashari, përkatësisht fakti se nuk duhej sakrifikuar e gjithë familja në një konflikt të tillë si ai që ndodhi në Kosovë. Megjithatë kjo nuk e zbeh aktin e heroit, i cili u përball me një forcë të pabarabartë, ushtrinë dhe policinë serbe. Pra nuk e justifikon kritkën arbirtrare të analistit Idrizi. Aq më tepër nëse e gjykojmë Adem jasharin me qëllimin e vetëm që t´i bëhet një shërbim i caktuar propagandës së Serbisë, pra për të justifikuar krimet e saj në Kosovë. Nuk jam i sigurt as për Lubonjën, as më Idrizin, nëse me akuzat ndaj Haradinajt e Adem Jasharit ata duan të relativizojnë krimet serbe në Kosovë. Kjo nuk është as detyra ime, edhe pse thash e theme ka plot, së paku sa i përket Lubonjës.

Në këtë kuptim nuk shkojnë gjithashtu disa krahasime që i bëhen Lubonjës dhe Idrizit me Natasha Kondiçin e dikë tjetër në Serbi. Natasha Kondiç, kur flet në përkrahje të shqiptarëve, ajo i referohet vendimeve të Hagës dhe jo akuzave prej prokurorësh. Mbi këtë bazë ajo i ka dënuar gjithherë krimet serbe në Kosovë. Nuk ka luajtur asnjëhherë rolin e prokurorit, siç bëjnë Lubonja e Idrizi. Megjithatë ajo është atakuar në publikun serb si “tradhëtare” e interesave serbe. Unë nuk besoj se Lubonja e Idrizi janë “tradhëtarë” të interesave shqiptare, por besoj se janë i njëjti brumë shqiptarësh, njerëz skicofrenë (nëse besojmë se të tillë jam unë e shqiptarët e akuzuar prej Lubonjës”. Ata të dy janë njerëz mitomanë, madje nga ata që mendojnë se “Bota sillet rreth tyre”. Dredhitë e interpretimit të konteksteve të Lubonjës nuk e zhbëjnë akuzën kolektive të tij kundër nesh, pjesës tjetër të shqiptarëve. Dhe akuzat kolektive janë definime të racizmit e fashizmit në çdo vokabolar të botës.

Në vendet e qytetëruara janë zhvilluar me shekuj luftëra civile e rajonale për të shkuar te ideja reale e mitit dhe heroizmit. Nëse në shekullin e 16-të shpërtheu në Gjermani e në Europë lufta civile fetare e drejtuar nga Martin Luther, ajo u drejtua kundër autoritetit të Papës dhe rolit të tij absolut në jetën fetare europiane. Por ama vetë Martin Luther u shndërrua në një mit për evangjelistët europianë. Ndërkohë që Papa mbeti një institucion me fuqi absolute deri në ditët e sotme. Njerëzimi vërtet zhvillohet përmes të kundërtave, por jo përmes mllefeve, të cilat ne i shohim të shfaqen me bollëk edhe nga kampi pro-Lubonjë, edhe nga kundërshtarët e tij. Rolin e heroit luante gjithashtu Berat Buzhala, në rastin kur i hidhej për hakmarrje politike Jakup Krasniqit.

Së treti, mjeti me të cilin Lubonja lufton për “civilizimin” e shqiptarëve është vërtet një mjet, të cilët e përdorin njerëzit jo civilë. Kur ai thotë se “shqiptarët janë skicofrenë”, shpreh një ngërç në gjetjen e argumentit për tezat që ai lëvron. Dhe përdor fyerjen si mjet “civilizues”. Të jesh moderator, të jesh civil, të kërkosh të jesh ndryshe nga të tjerët, pra i një sëre më të lartë, më të kultivuar, do të thotë të jesh fisnik, do të thotë të jesh i urtë dhe të imponohesh me forcën e argumentit. Të përdorësh një fjalë fyese për një komb të caktuar, edhe nëse ky komb nuk i përket etnitetit që ti i përket, dëshmon për të kundërtën e asaj që predikon. Këtij lloj konflikti nuk i ikin shumica e sojit tonë të analistëve, komentatorëve dhe opinionistëve. Atëherë, pse Lubonja e përdor këtë fyerje kaq të rëndë për bashkkombasit e tij, nëse ai na quan ne bashkkombas? Jam i bindur se ai është i mësuar me autocensurën dhe e njeh mirë instiktin e prodhimit të asaj çfarë i pëlqen, në rastin konkret botuesit. Ai e di se bëhet i famshëm vetëm me skupe të tilla. Rendja pas famës është rendje pas mitit, pas heroizmave. Dhe Lubonja e luan mjaft mirë këtë rol, duke luajtur rolin e antiheroit, antimitit. Për këtë shkak mesazhi i Lubonjës është i pamoralshëm dhe shfaqet si hipokrizi. Ai shfaqet i të njëjtit model si dhe Rahmi Memushi, i cili disa ditë më parë fyente me të pavërteta dhe akuza të çuditshme të gjithë komunitetin katolik në Shqipëri. Këtij trendi të rrezikshëm për shoqërinë njerëzore i duhet dhënë fund. Lavdia dhe fama nuk arrihen mbi fatkeqësitë e të tjerëve ose bazuar në shpifje e akuza. Së paku në një rast të tillë nuk meriton askush të quhet analist, komentator, filozof a ku e di unë çfarë.

Eshtë krejt nornalë që në shoqërinë njerëzore të ketë tokësorë, të cilët me çdo mjet përpiqen për famë. Por vetëdija njerëzore, vetë shoqëria, i ka seleksionuar gjithmonë ata që artficialisht kërkojnë të arrijnë famën dhe mitin. Lubonja beson se është shndërruar në mbinjeri, kur u hakërrehet të gjithëve, kolektivisht, pa dallim. Pikërisht këtë duhet ta evitojmë në shoqëritë e civilizuara që të shndërrohemi në një komb me konkurencë efektive në mesin e vendeve të qytetëruara.

 

 

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e Lubonjes, egoja per fame, Enver Bytyci, miti mitika

Mitika dhe misticizmi te Sali Berisha

July 2, 2013 by dgreca

Atributet e epokës “Berisha” (III)/

Shkruan: Dr. Enver Bytyçi/

Mitika dhe misticizmi në shkallë të ndryshme janë dy përceptime, të cilat e ndjekin çdo udhëheqës politik të përmasave të mëdha. Shumë prej tyre përpiqen që ta ndërtojnë mitikën përmes një lloj misticizmi që bartin në raportet me medien, njerëzit, bashkëpunëtorët, vartësit, piramidën shtetërore, shkurt me publikun.  Por ka një lloj udhëheqësish, të cilët realizojnë vepra të paimagjinueshme dhe për këtë shkak bëhen mitikë, bëhen mbinjerëz, në kuptimin përceptues te fansat e tyre. Ka të tjerë të cilët kombinojnë shumë mirë misticizmin, pra distancën, janë enigmatikë me publikun e ndërkohë japin përceptimin se bëjnë vepra të mëdha. Këta janë të sukseshëm për të arritur atë shkallë të mundëshme si njerëz mitikë, pra si njerëz të shenjtë, të cilët i ka bekuar Zoti me disa cilësi të veçanta, cilësi që ndihëmojnë për të realizuar një epokë në zhvillimet politike e shoqërore.

Duke qenë se kam studiuar veprën e udhëheqësit dhe liderit të shqiptarëve, presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, kam privilegjin të ndërtoj një paralele krahasuese midis tij dhe udhëheqësit antikomunist e demokrat të Shqipërisë moderne, Sali Berisha. Rugova ishte mistik. Ai, në ndryshim nga Berisha, fliste pak, shfaqej pak në publik, nuk mbante kontakte intensive me njerëzit, për pasojë ishte disi enigmatik, çka favorizonte të qenit edhe mitik. Pra njerëzit kishin arsye që nga dukja të kishin një përceptim mitik për njeriun që solli lirinë e Kosovës dhe që në fakt parashikoi si orakulli një gati një dekadë më parë, atë çfarë do të ndodhte me Kosovën më 1999.

Sali Berisha, ndonëse një aleat i natyrshëm i Rugovës, nga karakteri, nga sjelljet, nga formimi, edukimi, temperamenti është shumë më ndryshe. Berisha është i drejtpërdrejtë. Ai lexohet menjëherë. Askush nuk ka patur vështirësi të dallojë se çfarë përfaëson, çfarë synon dhe çfarë bën lideri i demokratëve shqiptarë. Përkundrazi sinqeriteti dhe qëndrimi i lexueshëm shpesh herë i ka krijuar probleme atij, sepse kundërshtarët politikë, duke e lexuar qartë, kanë patur mundësinë t’i kundërvihen me një strategji e taktikë të dukshme aggresive, ekstremiste dhe demprurëse. Kjo do të thotë se Berishës i ka munguar mistika, si farë e brumit të mitikës. Atëherë shtrohet pyetja: Si është e mundur që lideri demokrat i shqipraëve, Sali Berisha, të mbartë me vete një farë miti? Ndërsa kundërshtarët e tij do të shtronin pyetjen tjetër: A mund të ketë mite në demokraci dhe në shoqëritë moderne? Për pasojë mund të thonë, si mund të flitet për Sali Brishën si mit?!

Për të sqaruar momentin do të më lejohet të ndalem pak në anën filozofike e sociologjike të çeshtjes. Miti (Mithos), një fjalë që vjen nga greqishtja e vjetër, sipas filozofëve përdoret për të shprehur një të vërtetë ose për të arsyetuar një ngjarje apo të vërtetën e veprimit të një njeriu të caktuar. Ndonëse mitet kanë një domethënie simbolike të pakontestueshme nga pikëpamja morale, ato  mund të jenë të tilla edhe në rastet kur të pavërtetat ose rrenat janë shndërruar në mit. Për Platonin, mitet janë reale ose të sajuara, fallco. Për Aristotelin mitet qëndrojnë më shumë afër të vërtetës sesa imagjinatës. Për filozofin e shekullit 19-të, Schelling, miti është një instrument i shfaqjes së njeriut. Ndërsa për Fridrich Nitsche në shoqëritë moderne mitet humbasin domethënien e kuptimin që kishin në shoqëritë paramoderne. Çka do të thotë se ato nuk zhduken, por marrin format e përmasave reale. Filozofët shpjegojnë se mitet nuk kanë nevojë të provohen nga pikëpamja historike, ato janë të dhëna të pakontestueshme, e të paverfikueshme. Kurse Hans Blumenberg i rehabiliton mitet e shekullit XX, duke i shpjeguar ato me përvojën e trashëguar dhe aftësinë e personave për të realizuar vepra të jashtësakonshme.

Shqipëria dhe Ballkani kanë vuajtur nga mitet më shumë sesa kanë përfituar prej tyre. Por shoqëritë moderne përpiqen të përfitojnë, duke u përpjekur të krijojnë modele të caktuara.  A është një model unikal, i shndërruar në ikonë dhe legjendë, veprimtaria e udhëheqësit demokrat, Sali Berisha? Rrallë herë ka ndodhur që dorëheqja e një udhëheqësi politik të përjetohet si dramë. Nuk njoh ndonjë rast tjetër kur një i ri të përbetohet se do ta ketë gjithmoë ikonë të vetën udhëheqësin e sapodorëhequr. As nuk ka ndonjë shembull tjetër kur dikush ditën e dorëheqjes së udhëheqësit të të realizojë portretin e tij në gjoks. Nuk po përmend turmën që e shoqëroi Sali Berishën para shtëpisë së tij thuajse gjithë atë natë të 26-27 qershorit të kaluar. Dikush, prej diku i bënte thirrje ultimative djaloshit që shkroi në FB për Berishën që të mos e lexonte përgjigjen e liderit. Por askush nuk mundet të deformojë përceptimin njerëzve të thjeshtë për figurat historike e politike, si të Berishës.

Berisha në 23 vite është shfaqur mijëra herë në mesin e turmave, duke u bërë njësh me to. Në këto kushte ndodh natyrshëm që përceptimi për udhëheqës të tillë të venitet, pra që një udhëheqës me kaq shumë kontakte, thuajse të përditshme me njerëzit e madje me turmat të mos shihet si ikonë, si legjendë, si një mit. Por jo, ai mbeti njësoj i vlerësuar në çdo ditë të këtyre 23 viteve, sepse ishte njësoj i lidhur në formë të drejtpërdrejtë ose indirekt me njerëzit, me demokratët dhe me të gjithë shqiptarët. Një lidhje të tillë ai e mbajti, ndonëse në largësi, edhe me shqiptarët në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi, Luginën e Preshevës e gjetkë. E megjithatë ai mbetet një mit në këto lidhje. Miti është një dhunti, një vepër e pabesueshme. Dhe vërtet është e pabesueshme sesi një udhëheqës politik mund të mbajë të njëjtat lidhje të forta me publikun, si Sali Berisha në këto 23 vite radhazi e pandërprerje.

Mitet maten me veprat dhe karakteristikat personale të individit. Në këtë këndvështrim, midis Sali Berishës dhe përceptimit të tij si mit qëndrojnë disa të dhëna, që shkojnë në kufijtë e legjendës. Ata që më 1997-ën i dhanë biletën për pension politik, ende janë si në ëndërr dhe nuk kanë kuptuar sesi Berisha u rikthye në pushtet. Të tjerë njerëz të këtij vendi që brez pas brezi shqetësim të vetëm kishin si do të lidheshin me pjesën tjetër të vendit për shkak të infrastrukturës së shkatërruar, e shohin ende si ëndërr faktin që Berisha ndërtoi rrugën e Kombit, tunelin e Kalimashit, apo tunelin e Kërrabës. Ata që vinin vërdallë dhe paguanin qimet e kokës për një vizë për në vendet europiane, e kanë ende enigmë, sesi Sali Berisha arriti ta kapërcejë këtë pengesë e të liberalizojë vizat. Bashkëpunëtorët e tij, kur dëgjuan për herë të parë nga goja e kryeministrit për domozdoshmërinë e përpjekjeve për të realizuar projektin TAP, ishin habitur dhe e kishin ironizuar shefin e tyre. Dhe kur hap pas hapi ky projekt gjigand u miratua, atëherë thanë se ende nuk e kuptonin se cila ishte magjia e Berishës për ta realizuar pjesën e tij të punës.  Ata që janë pranë Berishës nuk mund ta imagjinojnë sesi një udhëheqës si ai mundet të ruajë të njëjtën energji, përkushtim dhe aftësi si në fillimet e karrierës së tij politike e nuk mund ta përceptojnë sesi njeriu mund të punojë 18 orë në ditë. Për këtë arsye Berisha ndoshta është i vetmi udhëheqës politik në Shqipëri e më gjërë, I cili shihet si mit edhe prej shumë bashkëpunëtorëve të vet.

Por ka patur dhe faktorë të tjerë, të cilët kanë ndikuar në mitizimin e figurës së kryeministrit shqiptar. Për shqiptarët është enigmë sesi e gjithë shpura antiberishë e shkëputur prej tij në dhjetëvjetëshin e parë së tij politike, iu ngjit dhe basjkëpunoi ngushtë me të atij në këto tetë vite të qeverisjes së demokratëve. Është enigmë sesi kjo shpurë akuzuesish e kritikuesish më të ashpër e më të rreptë të Berishës u vunë në mbrojtje të tij, madje me fjalime patetike të pazakonta. Edhe kjo risi në politikën shqiptare e më gjerë ka shërbyer si shkak për krijimin e mitit Berisha.

Të gjitha keto, e të tjera fakte të panjohura, kanë krijuar idenë se Berisha nuk është njeri i zakonshëm, çka do të thotë se ai është i jashtëzakonshëm. E jashtëzakonshmja është e destinuar të prodhojë mitin e një perosni ose të bëmave të tij. Që nga antikiteti e deri sot njerëzit dhe veprat e tyre të shndërruara në mite janë përjetësuar në poezi e poema, romane artistike e historike, si dhe në forma të tjera të të bërit art. Arti, letërsia rrit kështu shanset që këta njerëz të ruajnë vazhdimësinë e të qenit mit i një kohe të caktuar. A do të jetë Berisha personazh epik  e mitik i letërsisë dhe artit shqiptar? Këtë do ta dëshmojë koha, por për një gjë jam krejt i bindur. Figura e Berishës si udhëheqës, si politikan, si intelektual, si vizionar me ide të mëdha për zhvillimin e kombit shqiptar, nuk do të zhvleftësohet nga ndonjë e dhënë e panjohur, sepse ai u shndërrua në një mit për shumicën e shqiptarëve për shkak të transparencës së tij, për shkak të lidhjeve të ngushta e të sinqerta me njerëzit, për shkak se ai është tashmë interpret dhe realizues i ëndërrave të tyre. Kurdisjet dhe fabrikimet e opozitës në këto 23 vite e veçmas në tetë vitet e fundit janë e do të dëshmohen thjesht fantazi e sëmurë e llojit të vet specifik, me frymëzime e mentalitete bolshevike. Dokumentet, arkivat, faktet nuk do të shkojnë në ndihmë të atyre kritikëve, të cilët nga dita e parë e karrierës e deri në ditët e sotme pas dorëheqjes, e akuzojnë Sali Berishën për autoritarizëm e etatizëm, për të mos përmendur faktin se më dhjetra e qindra herë e kanë etiketuar edhe si diktator, madje duke e krahasuar me diktatorin komunist, Hoxha.  E gjitha çfarë është thënë e stërthënë për të do të arkivohet si një shpifje ordinere, por me qëllime politike për ta bërë doktorin gogolin e shqiptarëve. Në të kundërt ai është dhe do të mbetet një mit për shimicën e shqiptarëve.

Në këtë kuptim mitizimi i Berishës dhe veprës së tij nuk vjen nga qëndrimet enigmatike të tij, as nga doza e autoritetit të tij falls, as nga distanca me njerëzit e thjeshtë. Përkundrazi, miti Berisha ka fituar terren me përkushtimin e tij të pashoq në shërbim të njeriut e të kombit, me energjinë e tij të pashtershme për të realizuar ide dhe projekte gjigande, të paimagjinueshme edhe për vende të zhvilluara e industrializuara në botë.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Enver Bytyci, Mitika dhe misticizmi, te Sali berisha

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • 29
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT