Thonë që fotografia është fiksimi i realitetit në dritë , por për mua është shumë më tepër sesa kaq sidomos kur hulumtoj setin e fotografive të mjeshtrit të fotos arkitektonike dhe etnografike Ilir Rizaj. Ky pasues i Gjon Milit dhe Fadil Berishës që jo vetëm kanë edukuar pasionin e tij për fotografinë por edhe e kanë frymëzuar atë, shkon përtej realitetit që percjell momenti i fotografisë duke na rrëfyer një jetë përmes epizmit që falë ngjyrave , hijeve dhe shkëlqimeve që i fal objektivi , Rizaj ka arritur ti japë edhe një përmasë të re në fotografi ; kohën. Ajo vjen magjikisht në foto , herë e mjergullt e herë e qartë , herë e lashtë e herë e freskët , herë me ngjyra dhe herë gri por gjithmonë duke na rrëfyer.
Epizmi fotografik i Ilir Rizajit nuk ka kufinj: është objekt , është human, është subjekt që rrëfen kohën , rregullin , stilin , trendin,lëvizjen . E quaj magjik epizmin e tij fotografik sepse është magjepsës edhe pse objektet e stërlashta janë lënë në mëshirën e fatit, jashtë kujdesit njerëzor dhe institucional , drita e objektivit fotografik duket se sjell bashkë me vjetërsinë edhe freskinë e dashurisë dhe pasionit me të cilin është fotografuar.
Një pasion që panoramon me foto historinë tonë diverse dhe të bukur , të lashtë dhe të re. Objektivi i Zotit Rizaj që është mësuar të ndjekë trendin amerikan të arredimit, madhështitë e jetës njujorkeze brenda dhe jasht godinave klasike falë punës së tij të përditëshme, përmasën e botës shqiptare din ta sjellë edhe më bukur dhe kjo falë origjinës , lidhjeve të tij me realitetin atje dhe formimit të tij të pamohueshëm si i diplomuar për të drejtën në Universitetin e Prishtinës. Duket se aparati fotografit në duart e një intelektuali nuk ka vetëm efektin estetik ,memorizues, përshkrues të ngjarjes, por atë krijues, rrëfyes, përcjellës emocionesh dhe lëvizjesh që fjala nuk i transmeton dot , madje as tingulli muzikor.Ai depërton në thelbin e karakterit njerëzor kur fotografon humanët duke ngulitur gëzimin në portret,cudinë, befasinë, seriozitetin, bukurinë , e gjitha kjo me klas dhe finesë pa retushime e artificializma. Maturimi fotografik i gërshetuar me cilësitë e momentit që përcjell objektivi e bëjnë magjike kohën që në cdo kohë e risjell aktin që ka në qendër njeriun, ngjarjen ,objektin që artisti Rizaj din ta shndërrojë në monument.