• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTIME PËR PROFESORIN EQREM ÇABEJ

June 1, 2018 by dgreca

1 Thanas GjikaNga Thanas L. Gjika/(Plotësuar me rastin e 110-vjetorit të lindjes së tij)/eqrem ÇabejNga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve./

Ndjehem fatlumtur që kam pasur rastin të njihja nga afër profesorin Eqrem Çabej, personin tek i cili shprehjet Shkencëtar i Madh dhe Njeri i Madh ishin në harmoni të plotë. Sa herë sillja në mendje kujtime të ndryshme për të, ndjeja kënaqësi.

Këto kujtime desha t’i shkruaja e botoja në vitin 2008, me rastin e 100-vjetorit të lindjes së profesorit, vit i cili u shpall Viti Eqrem Çabej, por u stepa, sepse mendova se ata që e kishin njohur më nga afër dhe për kohë më të gjatë se unë si profesorët Emil Lafe, Xhevat Lloshi, Jani Thomai, Gjovalin Shkurtaj etj, mund të shkruanin gjëra me më shumë vlerë dhe më bukur se unë. Mirëpo në vitin 2011, mbas disa komunikimesh me bijën e tij, z-njën Brikena Çabej, e cila nuk u kursye të më ndihmonte me korrigjime e saktësime, i shkrojta e i botova kujtimet e mia. Duke parë se këto kujtime vijojnë të lexohen me interes, në shkurt-mars të vitit 2016 i ripunove dhe i pasurova më tej. Por kujtimet të ndryshme për Profesor  Çabejn vijojnë të më vijnë herë pas here dhe ja tani, në fund të majit 2018 po shtoj dhe disa kujtime të tjera…

* * *

Nga koha sudentore: Ora e fundit e leksioneve.

Në vitet 1962 – 1966, isha student në “Fakultetin Histori dhe Filologji” të UT. Fakulteti përdorte dy katet e para të asaj godine, kurse në katin e tretë kishin zyrat e tyre “Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë” dhe “Instituti i Folklorit”. Gjatë pushimeve midis orëve mësimore në oborrin e fakultetit rastiste të shikonim duke ecur ngadalë për të vajtur tek kafja aty pranë Prof. Eqrem Çabejn, të shoqëruar prej treshes shkodrane: Pashko Geci, Anton Krajni dhe Filip Fishta, intelektualë të shkolluar në Austri, Gjermani, ose Itali. Ashtu si Profesor Çabej edhe ata shquheshin për njohjen e thellë të disa gjuhëve të huaja, por në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë punonin si forca teknike për vjeljen e fjalëve të gjuhës shqipe në gazeta dhe libra të ndryshëm.

Profesor Eqrem Çabej jepte në degën Gjuhë Letërsi Shqipe të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë kursin e plotë të leksioneve Historia e Gjuhës Shqipe, vepër origjinale e tij. Këtë lëndë ai e zhvillonte në dy semestra, gjatë semestrit të dytë të kursit të tretë dhe gjatë semestrit të parë të kursit të katërt. Ai ishte pedagogu më mbresëlënës i fakultetit, ndoshta dhe i gjithë Universitetit të Tiranës. Ai ishte nga ato rastet kur përputhen tek një person i vetëm gjithë të mirat: pamja fizike madhështore, bukuria shpirtërore, aftësitë profesionale, sjellja fisnike dhe talenti. Mbas shkërmoqjes së diktaturës, kur shpërtheu shfaqja e pakënaqësive të ndrydhura, ky profesor ishte një nga personalitetet e pakta të kulturës sonë, që nuk u kritikua për asgjë prej askujt, dëshmi e vlerave të tij.

Ishte burrë i gjatë e i pashëm, elegant, me një shikim të ëmbël, gjithnjë i natyrshëm, asnjëherë pozant ose kërcënues. Mbante kapelë republikë, kur ecte i vetëm, ecte shpejt me hapa të gjatë, si atlet. Pëshëndetja e tij na bënte përshtypje: të shikonte në sy dhe pasi perulte kokën, e çonte pak kapelën me dorën e djathtë. Në sallën e leksionit, ose në korridoret e fakultetit, si dhe gjatë viteve që punova në institut, nuk e pashë kurrë të parruar dhe asnjëherë nervoz. Gjithnjë i matur në të folur, madje pak i ngadalshëm. Na sillej sikur ishim të barabartë me të. Leksionet i mbante gjithnjë duke folur në këmbë tek katedra, kurse fragmentet që sillte për ilustrim mendimesh prej stujuesve të tjerë i lexonte. Kur lexonte vinte syzet. Vënia dhe heqja e syzeve i kishte shumë lezet. Disa fjalë kyçe të leksionit i shkruante në dërrasën e zezë. Fliste me zë jo të lartë, gjë që e shtonte qetësinë në sallë. Ato që shqiptonte ai, ne përpiqeshim t’i përpinim. Në pamjen dhe sjelljen e tij kishte diçka madhështorer që të tërhiqte e të bënte për vete. Leksionet e tij, ndonëse trajtonin probleme të vështira, ishin plotësisht të kuptueshme. Në to sundonte analiza logjike dhe argumentimi, rrallë përdorte fjalë të huaja, gjithçka ishte e qartë.

Profesori përdorte disa shprehje të vetat, midis të cilave më kanë mbetur në mendje dy. Shprehjen: Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, e përdorte për të miratuar një mendim të kundërshtuar më parë, kurse shprehjen: Këtë, një Zot e di, e përdorte për të treguar dyshim ndaj një mendimi ose hipoteze të pazgjidhur. Këtë shprehjen e dytë, e cila ishte një shprehje popullore shumë e vjetër, e shqiptonte duke ngritur deri te fytyra e tij gishtin tregues të dorës së djathtë. Shprehjen e parë filluan ta përdornin me gojë e me shkrim dhe disa pedagogë, studiues e studentë, por shprehjen e dytë nuk guxonte ta thoshte askush tjetër veç tij. Për bindjet e tij fetare ishte e vështirë të krijoje një mendim të qartë. Ai asnjëherë nuk hapi ndonjë bisedë me temë fetare. Botëkuptimi dhe sjellja e tij ishin brumosur që në rini gjatë jetës në Austrinë e qytetëruar, prandaj ishte i çliruar prej shumë dobësive që manifestonin shqiptarët e lindur dhe plakur brenda atdheut. Në sjelljen dhe pamjen e tij binin në sy tipare prej një europiani të vërtetë, tipare që nuk i gjeje as në të krishterët e muhamedanët e përkorë.

Ora e fundit e mësimit me të, aty nga fundi i dhjetorit 1965, më ka mbetur në mendje. Atë orë, profesori nuk shpjegoi lëndë nga teksti, por duke na konsideruar kolegë, na dha disa këshilla për jetën tonë të ardhëshme. Për të krijuar afrimitet me ne, atë orë ai foli ulur. Këshillat e asaj ore më kanë lënë mbresë, ndoshta sepse, kujtimi i mjaft prej tyre më bën të ndjehem fajtor. Ndjehem fajtor, sepse në rininë time dhe më vonë nuk i vlerësova sa duhej dhe nuk i zbatova si duhej…

Mbasi u vendos qetësia, profesori filloi:

-Ju do të bëheni mësues. Mësuesia nuk është profesion, ajo është mision. Ju do të punoni për formimin e njeriut. Gabimet që mund të bëni ju me nxënësit, janë të pakorrigjueshme. Po ta formosh shtrembër karakterin e një njeriu, është shumë, shumë e vështirë, në mos e pamundur, ta ndreqësh atë.

Ju duhet të edukoni përmes sjelljes suaj, përmes shëmbullit tuaj. Në rast se ju silleni keq, edhe sikur të mbani dhjetra leksione morali, ose leksione për nevojën e sjelljes së mirë, nxënësit nuk do të përfitojnë asgjë, ata do të ndikohen kryesisht prej sjelljes suaj. Shembulli të bën ta ndjekesh njeriun.

Kur punoni, punoni seriozisht dhe me ritmin e duhur. Mos u merrni me biseda gjatë punës. Kur të pushoni, pushoni vërtet. Mos e përzieni kohën e punës me kohën e pushimit dhe as kohën e  pushimit me atë të punës. Ata të cilët gjatë punës bëjnë muhabete dhe gjatë pushimit përpiqen të kryejnë ndonjë punë të mbetur në mes, nuk arrijnë rezultatet e duhura.  

Mos jini kategorikë kur shprehni mendimet tuaja.

Gjithçka shikojeni me sy kritik.

Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime.

Mos kini turp të pyesni për gjëra që nuk i keni të qarta. Gjërat e paqarta nuk mbahen mend.

Mos bëni asnjë punë shkel e shko.

Mos filloni të shkruani diçka pa e pasur të qartë në kokën tuaj.

Mos lini asnjë punë pa e përfunduar plotësisht dhe si duhet.

Mos merrni dhe mos lejoni t’ju marrin dinjitetin nëpër këmbë.

Jeta e njeriut është një fragment i planeve, dëshirave dhe ëndrrave të tij, prandaj kushtojuni planeve, dëshirave dhe ëndrrave tuaja kyreysore….

Profesor Çabej nuk i pëlqente djallëzitë dhe jetonte thjesht

Mbasi mbarova fakultetin, në verë të vitit 1966 u emërova redaktor në Radio Tirana. Në vitet 1967-1969 punova në redaksinë e kulturës  dhe përgatisja emisionet Enciklopedia e Radios, Në Botën e Shkencës dhe Teknikës, Universiteti Popullor i Radios, Përkujtim Datash Historike, etj. Midis bashkëpunëtorëve që më ndihmonin për materiale të ndryshme kisha aktivizuar edhe agronom Ilia Mitrushin, specialist i dendroflorës shqiptare. Ai kishte studjuar në Grac të Austrisë. Aty për më se një vit, ai, Eqremi e Lasgush Poradeci, kishin qenë studentë në degë të ndryshme e jetonin në shtëpi të ndryshme nëpër familjet e vendasve.

Një herë ing. Mitrushi (ky nuk e quante veten agronom, por ingjinier) e solli materialin në fund të orarit zyrtar dhe iu luta të shkonim bashkë. Po ecnim drejt lumit Lana. Ilia më tregoi se prof. Norbert Jokli, albanologu më i shquar i kohës, i ftonte këta tre studentë shqiptarë një herë në dy javë të djelave për vizitë në shtëpi të tij. Aty ai hapte diskutime për probleme të gjuhës shqipe. Eqremi ndonjëherë mungonte.

–Unë me Lasgushin, shtoi Ilia, mendonim se Eqremi mungonte sepse si student i regullt i Joklit i kishte dëgjuar ato diskutime në leksione. Mirëpo Jokli një të djelë tha:

–Çabeu është i ri, për të ka më shumë rëndësi një shëtitje me një vajzë të bukur sesa diskutimet e mia që i ka dëgjuar në auditor. (Ing. Mitrushi, profesor Aleks Buda dhe Lasgush Poradeci, e përdornin formën e shquar te mbiemrit: Çabeu /  Çabeut / Çabeun, njësoj si Skënderbeu / Skënderbeut / Skenderbeun dhe jo si e përdorim ne aot: Çabej / Çabejt / Çabejn).

Ing. Mitrushi desh të më tregonte me këtë thënie të prof. Joklit, se Eqremi i ri nuk kishte qenë një student i mbyllur, nga ata që ne i quanim “peshkop”, por dhe qejfli e modern, që dinte ta vlerësonte shoqërinë me vajzat e bukura. Unë kisha idenë se Çabej kishte qenë gjithnjë si tani, njeri i përkorë dhe i përkushtuar pas studimeve. Për ta ngacmuar z.-in Mirtushi thashë:

–Profesor Eqremi më duket pak naiv dhe njeri i padjallëzuar.

–Eqremi dhe ne të tjerët që kemi studiuar në Austri dukemi naivë, por nuk jemi të tillë. Ne i kuptojmë fare mirë djallëzitë e të tjerëve, por nuk bëjmë vetë djallëzira. Ne u rrijmë larg djallëzive, sepse e kemi të qartë ku të shpien ato…

Kjo përgjigje ma qartësoi më tepër karakterin e profesorit dhe ma shtoi dashurinë e respektin për të. Një gjë e ngjashme më ndodhi edhe në një nga takimet me z. Nush Shllaku, i cili kishte qenë nxënës i gjimnazit të Shkodrës rreth vitit 1935. Padër Gjergj Fishta i ftuar prej pedagogut Eqrem në një nga orët e mësimit të letërsisë shqiptare, u kishte thënë nxënësve:

–Eqremi ka le me u ba klerik, por i asht kushtue shkencës.

Si redaktor i Radjos, për të përgatitur emisionet shfrytëzoja përveç bashkëpunëtorëve të jashtëm dhe nja dy revista të huaja që vinin në bibliotekën e atij institucioni. Një ditë shtatori të vitit 1969, duke shfletuar revistën franceze Science et Vie (Shkenca dhe Jeta), pashë brenda saj një disk me inçizime. Mësova se në Francë kishte filluar krijimi i enciklopedive zanore, me inçizime të personaliteteve të artit, shkencës, kulturës, politikës, etj.  Më shkoi mendja se mund ta filloja dhe unë një punë të tillë sado modeste me disa njerëz të shquar të botës shqiptare. Disa ishin inçizuar prej kolegëve të mij, ose prej meje në emisione të ndryshme, por shiritat nuk i ruanim. I sugjerova shefit të redaksisë, z. Ruzhdi Pulaha që t’i ruanim disa disqe me inçizime me këtë synim, por ai më tha se shiritat ishin mall importi dhe sot për sot ruhen vetëm inçizimet e fjalimeve të udhëheqësve kryesorë të partisë. Në Shqipëri nuk ka filluar hartimi i enciklopedisë së shkruar me fjalë, enciklopedisë zanore kushedi kur i vjen radha…

Atëhere mendova të bëja diçka vetë, së pari me profesorin më të dashur, prof. Çabejn. E takova dhe i thashë se doja të inçizoja një leksion përmbledhës të tij, me synimin që ta ruante ai e familja për kohën kur mund të krijohej një enciklopedi zanore. Ai më tha se i kishte të inçizuar disa leksione të Historisë së Gjuhës Shqipe. Më ftoi për t’i dëgjuar dhe pastaj të vendosnim ç’duhej bërë. Vend takimi ai la shtëpinë e tij, mbi Unazë, në lagjen Varri i Bamit.

Aty, gjatë diteve te djela ne tetor-nëntorit ‘69, të djelave njoha familjen e profesorit. Zonja Shyhret, nikoqirja e shtëpisë, në minutat e para të pritjes vinte rrotull me lëvizje të shpejta, na qiraste regullisht me ëmbëlsira të bëra vetë e ndonjë shurup frutash, pastaj ulej për të dëgjuar dhe ajo. Ishte elegante dhe shumë e kujdesëshme. Ishte një dibrane e vërtetë, shtëpinë e mbante shumë pastër, në biseda ishte e shpejtë, hazër xhevap, si i thonë fjalës; gjykimet i formulonte shpejt e saktë. Kuzhina dhe dhoma e pritjes ku pata rast te rrija, ishin mobiluar thjesht, me disa kolltuqe, divane e karrike të bëra dikur nga marangozët privatë, që ndryshonin prej mobiljeve uniforme që prodhonte kombinati Misto Mame, të cilat i gjeje në apartamentet tona.

Djali, Artani 16 vjeçar, i gjatë, i ngjante babait. Kishte qejf të konsultonte herë pas here fjalorin francez Petit Larousse. Ndjehej se kishte lexuar shumë për moshën e tij. Mori pjesë vetëm në dëgjimin e leksionit të parë, herët e tjera, pas përshëndetjeve, shkonte te dhoma e vet, ku lexonte e studionte.

Vajza, Brikena 12 vjeçe, ngjante nga të dy prindërit. Ishte elegante dhe e shkathët si mamaja, por vështrimin e kishte të qetë e meditativ si të babait. Ajo kishte qejf të lexonte në dhomën e vet, ose të luante jashtë me shoqet. Nuk erdhi kurrë për të dëgjuar leksionet.

Pata rast të njihja dhe tre nga nipat e profesorit, Tanushin, Hysenin dhe Fatosin, djem të gjatë, seriozë dhe të pashëm, nuk ngjanin midis tyre. Hyseni kishte diçka të ngjashme me profesorin në qëndrim dhe buzëqeshje. Ata erdhën herë njëri herë tjetri, herë dy bashkë. Një të djelë rastisi të vinte për vizitë në atë orë dhe mjeku Flamur Topi, i cili ishte mik i familjes. Unë e njihja, sepse ai ishte gazetar i jashtëm në Radio Tirana.

Për disa të djela me radhë dëgjuam nga një leksion, një orë e gjysëm. Prej z-njës Shyhret mësova se ditët e djela profesori i shfrytëzonte zakonisht për të shkruar letra, për të bërë ndonjë vizitë a shëtitje. Ai mbante korrespondencë të rregullt me shumë studiues e miq austriakë, gjermanë, francezë, rumunë, italianë, etj. Nuk dij a i shkruante lertat duke përdorur letër kopiativ për të ruajtur një kopje për vete, apo jo. Mësova gjithashtu se profesori pëlqente të lexonte shpesh herë duke qëndruar në shtrat gjysëm shtrirë e duke vendosur librin në një copë kartoni, të cilën e mbante me dorën e majtë mbështetur mbi gjoks. Kurse për të shkruar, më shpesh ai ulej te tavolina e punës.

Shyhreti e qortoi veten se tani që kishin ardhur në këtë apartament larg pazarit nuk gjente kohë për të shkuar shpesh për të blerë peshk të freskët, ushqimin e nevojshëm për bashkëshortin e saj.

Të djelën e parë të dhjetorit ’69 dëgjuam leksionin e fundit. U thashë se inçizimet kishin cilësi të mirë dhe duheshin ruajtur me kujdes. Prej tyre mund të riprodhohej një material më i shkurtër, duke e hedhur në një bobinë të re, etj.

Para se të ngrihesha për të ikur, profesori tha se kishte dëgjuar që zyra e kuadrit të Universitetit po kërkonte të merrte disa kuadro të rinj, midis të cilëve ishte përmendur dhe emri im, pra unë mund të transferohesha nga Radio Tirana tek Instituti i Historisë e i Gjuhësisë (në atë kohë ky institut varrej nga Universiteti i Tiranës). Pastaj më pyeti nëse kisha kërkuar unë që të transferohesha, apo drejtoria e Institutit po më kërkonte me që kisha mbaruar fakultetin me nota të larta. I thashë se puna në Radio ishte shumë robotike, aspak shpirtërore dhe nuk më pëlqente. Unë kisha kërkuar disa herë të vija me punë në institut, sepse më pëlqente të merresha me studimin e jetës dhe krijimtarisë të rilindasve tanë, të cilët i admiroja.

–Gëzohem, që ke kërkuar vetë të vish aty. Nuk ka më mirë sesa ta zgjedhësh punën vetë. Kur ta zgjedhin punën të tjerët, shpesh herë bëhen gabime, tha ai dhe shtoi: Unë fëmijët e mij i nxis të mësojnë, të lexojnë dhe të luajnë me shokët, por nuk iu imponoj asnjë lloj drejtimi, atë duhet ta gjejnë vetë…

Gjatë viteve kur punova në Institut: prof. Çabejn e admironim të gjithë.

Në janar të vitit 1970, u realizua transferimi im nga Radio Tirana në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Në Radio punën e fillova me qejf, por shumë shpejt e ndjeva se nuk ishte e ardhmja ime në atë punë. Mezi i shtyva tre vjet e gjysëm. Natyrisht përfitimi ishte i madh, u njoha nga afër me gazetarë të aftë e të talentuar, si Fuat Bozgo, Ruzhdi Pulaha, Kiço Blushi, Nasi Lera, me spikerë të talentuar si Haki Bejleri, Kiço Fotiadhi, Vera Zhei, Meropi Xhai, Luiza Papavangjeli, etj. Aty mësova proceset e inçizimit e të daktilografimit; u njoha me intelektualë të formuar jashtë shtetit që punonin si përkthyes  si Viktor Kraja, Abaz Xhomo, etj. Puna e atjeshme ma shkundi ngathtësinë. Në institut fillova punë në sektorin e letërsisë shqiptare, ku ishin punësuar para meje Klara Kodra, Jorgo Bulua, Luan Kokona, Floresha Haxhia (Dado) me shef Koço Bihikun.

Profesor Çabej, për të më uruar mirë se erdhe në Institut, më ftoi një ditë për kafe. Shkuam bashkë tek një ëmbëltore në rrugën e Kavajës karshi kishës katolike, të cilën në atë kohë e kishin transformuar në pallat sporti dhe nga jashtë i kishin bërë disa maskime që të kujtonte kamjonët që parakalonin për festën e 1 Majit. Eqremi mori një tas të vogël me hashure, unë një kafe, të dyja kushtonin nga 7 lekë të asaj kohe. Më sqaroi se hashurja i kujtonte fëmijërinë, familjen e Gjirokastrës. Pastaj më uroi për punën e re:

–Bëre mirë që kërkove të vish në Institut, këtu është vendi më i mirë për të vijuar formimin tënd shkencor. Tani je në moshën më të mirë për të mësuar gjuhë të huaja…

Unë i thashë se ndoshta do të ishte më mirë të kisha ardhur menjëherë nga bangat e shkollës, tani jam gati 26 vjeç dhe më duket se jam vonë për të mësuar gjuhët e huaja, të cilat i dij jo mirë.

-Jo, ma preu ai, ti ke ardhur në moshën më të mirë. Vitet e punës në Radio Tirana të bënë mirë, ke njohje më të gjerë për jetën, ke tjetër horizont. Kujtesën e ke akoma të freskët, pastaj tani je më i pjekur. Pjekuria të bën më të ndërgjegjshëm dhe ta shton vullnetin për studim.

Unë, pas pak, për t’u treguar i zgjuar, formulova një ankesë ndaj mbreti Zog, se ai duhej të kishte bërë më shumë për ekonominë, arsimin dhe shkencën.

–Mbreti Zog nuk duhet fajësuar shumë, tha profesori, në atë kohë ishte zor të bëhej më tepër. Ai u përpoq t’ia kthente fytyrën Shqipërisë nga Europa, por shqiptarët nuk ishin të gatshëm. Mbaj mend se mbreti kishte dhënë urdhër që të punësoheshin vajzat dhe gratë. Mirëpo në tërë Tiranën mezi pranoi një grua, a vajzë e moshuar, që të punësohej tek zyra e postës. Kur u ktheva nga Shkodra në Tiranë, pashë se shumica e meshkujve bënin xhiro duke kaluar nga ajo rrugë për ta parë fytyrën e asaj femre te dritarja e punës. Për ta ishte diçka dëfryse, ose e çuditshme.

Ne shqiptarët gjejmë gjithnjë shkaqe jashtë vetes sonë për prapambetjen tonë. Në kohën e Mbretit Zog e dëgjoja shpesh thënien “fajin na e ka Turqia që na la shumë prapa”, pas Luftës (ai nuk e përdorte togfjalshin Luftës Nacional Çlirimtare), kemi shtuar dhe thënien “fajin na e ka Ahmet Zogu që na la prapa”. Ne duhet t’i shohim shkakqet e prapambetjes sonë së pari te vetja jonë, duhet të punojmë më shumë.

Pasanikët shqiptarë, në kohën e Turqisë dhe të Mbretërisë i kishin qypat plot me florinj, por asnjëri prej tyre nuk bëri ndonjë investim në bujqësi ose industri.

Çdo gjë do kohën e vet…

Herën tjetër e ftova unë profesorin për kafe. Ia kujtova me respekt treshen shkodrane Pashko Gecin, Anton Krajën dhe Filip Fishtën.

-“Ata u nxorrën në pension për arsye moshe, por aftësitë e tyre nuk u shfrytëzuan si duhej, tha profesori. Njeriun e kualifikuar, vijoi ai, po ta vësh të bëjë punë të thjeshta, e shkualifikon. Kështu ndodhi dhe me ta. Pashko Geci dhe Filip Fishta mund të hartonin fjalorë të pasur gjermanisht – shqip dhe latinisht – shqip, ose mund të hartonin dhe artikuj shkencorë në fushën e leksikografisë. Kurse Anton Krajni ishte një enciklopedist i vërtetë, njohës i thellë i historisë së disa vendeve europiane. Ai na mahniste me kujtesën e tij dhe histori të ndryshme, që i tregonte bukur. Bisedat e mia me ta mund t’i quaj biseda pune. Shpesh diskutonim bashkë edhe për origjinën e fjalëve të shqipes...”

Me fjalë të tjera profesori dhesh të thoshte se shteti i diktaturës së proletariatit duke vënë politikën në plan të parë, zgjodhi bij e bija punëtorësh e fshatarësh të varfër për t’i kualifikuar si punonjës shkencorë, kurse bijtë e borgjezisë që ishin kuadro të gatshëm shkencorë të formuar në vendet e Europës Perëndimore, nuk i shfrytëzoi, por i shkualifikoi, ose më keq akoma i burgosi dhe i internoi.

Gjatë atyre minutave u hap biseda për punën e tij lidhur me etimologjinë e fjalëve të shqipes. U çudita kur tha se edhe gjuhëtarë të tjerë mund të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, po puna e vazhdueshme e me pasion. Pastaj shtoi:

-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…

Në vitin 1974 u hartua regullorja e kualifikimit shkencor, u dhanë orjentime se si do të kandidonim për të mbrojtur gradat shkencore Kandidat i Shencave Filologjike dhe Doktor i Shkencave Filologjike.  Ne që do kandidonim në fushën e letërsisë për gradën e parë na u caktuan katër provime dhe hartimi i një vepre studimore si disertacion. Për provimin e zgjeruar të historisë së letërsisë na u dha një listë shumë e gjatë veprash letrare, ku pëfshiheshin edhe veprat e disa autorëve të ndaluar si Ernest Koliqi, Pader Gjergj Fishta, Faik Konica, etj. Mirëpo midis veprave me studime nuk na u dha asnjëra prej veprave studimore të profesor Çabeut ku trajtoheshin probleme të letërsisë si Për gjenezën e literaturës shqipe, Studime italo-shqiptare dhe Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe. Kur ia hapa bisedën rreth këtij problemi, profesori nuk shprehu asnjë shqetësim dhe nuk dha asnjë sqarim mbi arritjet e tij në fushën e studimeve letrare. Ai nuk donte të më impononte mendimet e tij. Unë duhej t’i lexoja e gjykoja vetë ato vepra.

Në sjelljet, veprimet, bisedat e tij binte në sy karakteri burrnor. Ndryshe nga ne të tjerët, profesor Çabej në biseda e shkrime nuk i përmendte emrat parti dhe Enver. Koha kur u shfaq edhe më dukshëm karakteri i tij i fortë ishte koha mbas vdekjes së djalit të tij. Vdekje tepër tronditëse, por që ai nuk e lëshoi veten, ruajti po atë temperament, po atë dashuri për punën, po atë sjellje me njerëzit.

Mirëpo fakti që ne, ish studentët e tij ndjenim për të një admirim të hapur, nuk durohej prej drejtorisë dhe instancave partiake. Në vitin 1973-74, kur udhëheqja e partisë rimori luftën kundër shfaqjeve të huaja, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë u organizua një mbledhje, për të luftuar shfaqje të tilla. Në fakt, punonjësit e Institutit ishin njerëz të thjeshtë, pa pretendime, shikonin punën, mirëpo dhe midis tyre duheshin gjetur ndikimet e huaja, dhe organizata bazë e partisë, sipas orientimeve, i kishte gjetur. U kritikua së pari zonjusha Beatriçe Keta për mbajtje të fundeve të shkurta. Beatriçja ishte vajzë e gjatë e pamartuar, fundet deri tek gjunjët i shkonin për bukuri. Të gjithë e pëlqenim atë pikërisht për ato fundet që i sajonte vetë me gusto, por ja që duhej kritikuar. Kritika vijoi, jo më kundër ndonjë punonjësi, po me sulm ndaj fëmijës së vetme të profesor Çabejt. U kritikua vajza e tij, atëhere 16-17 vjeçe, se mbante minifunde.

Për herë të parë e pashë profesorin të reagonte i revoltëuar e nervoz. U ngrit me furi dhe tha me zë të lartë:

–Këto janë shpifje, ime bijë hodhi shtat shpejt këto dy vjet dhe fundet e fustanet i rijnë tek gjuri, këtë nuk e bën për ndjekje mode.

Nja tre vjet më vonë, kur Brikena, vajza e tij, që ishte studente, shkoi në aksion ku i mblodhi gjuri ujë, në fakultet i varrën një fletë-rrufe, ku e kritikonin se mbante flokët e gjata, si ndikim i modës perëndimore…

Për të tilla sulme ndaj vajzës, fëmijës së vetme, që i kishte mbetur profesorit pas vdekjes tragjike të djalit, ne na vinte turp, por nuk guxonim të flisnim. Përmes terorrit partia shtet na kishte kallur frikën në mendjet e në zemrat tona dhe ne ishim pajtuar me të si të ishte një ndjenjë e qëndrim i moralshëm. Kuptohej se të tilla sulme synonin që të na e shkulnin atë nga zemrat tona.

Për turpin e politikës së partisë, Eqrem Çabej nuk u sulmua vetëm si person e si familje, por edhe në plan shkencor. Kështu, në fund të viteve 50-të Eqremi mbaroi transkiptimin dhe transliterimin shkencor të veprës monumentale Meshari të Don Gjon Buzukut. Kjo vepër e tij mban datë botimi vitin 1962, sepse u dërgua e u botua atë vit në Rumani, por në fakt atë e dërgoi amabasada jonë nga Bukureshti pas disa vjetësh, kur kishte filluar lufta kundër fesë. Ballkanologët rumunë u shprehën me superlativa.

Për t’i treguar botës së huaj se partia e vlerësonte shkencën, kësaj vepre iu dha Çmimi i Republikës i klasit të parë, por ajo nuk u nxorr kurrë në shitje. Preteksti ishte se kjo vepër mund të përdorej si vepër liturgjike nga besimtarët e krishterë…

Vepra, së cilës ky studjues i kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe me të cilën dëshmoi aftësitë e ralla, formimin e lartë si komparativist dhe talentin e vet, është puna për shpjegimin e origjinës së fjalëve të shqipes. Mbas botimit të shumë artikujve me karakter etimologjik në revistën shkencore Studime Filologjike dhe në revista të huaja, ai ndërmori ripunimin, zgjerimin dhe përgatitjen për botim të veprës madhore Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes në disa vëllime. Në vitin 1975 dorëzoi për botim dy vëllimet e para, prej të cilëve, më 1976 u botua vetëm vëllimi i dytë. Vëllimi i parë nuk u lejua të botohej me preteksin se autori përmendëte aty me respekt Faik Konicën dhe Mustafa Merlika Krujën, si eruditë shqiptarë që kishin dhënë ndihmesë në fushën e etiomologjisë së gjuhës shqipe. Ky fakt u quajt gabim ideologjik, mbivlerësim i dy figurave reaksionare, por profesori nuk pranoi t’i hiqte emrat e tyre dhe vlerësimet për ta. Kështu vëllimi i parë u pezullua dhe u botua vetëm mbas vdekjes së tij, kur nxënësit e tij ia redaktuan (hoqën) ato fjalë e shprehje. Vëllimet e tjera, ndonëse ishin pothuaj gati, u botuan pak nga pak por jo të gjitha deri më 1990 e më vonë…

Ata që donin ta përulnin Himalajën e shkencave albanologjike, përpiqeshin si e si të mos ia botonin veprat, sidomos kryeveprën, ose kur detyroheshin t’ia botonin, të mos ia nxirrnin në qarkullim.

Profesor Çabejn, sa qe gjallë, e respektuan dhe e gëzuan si e meritonte intelektualët dhe zyrtarët shqiptarë të Kosovës, sidomos punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Shtëpia botuese Rilindja botoi një përmbledhje të veprës së tij në gjashtë vëllime, botim lluksoz, me format të madh, lidhur me kapakë të fortë ngjyrë çokollatë. Punonjësit shkencorë të Institutit Albanologjik, pedagogët e Fakultetit Filozofik dhe studentët e Kosovës me pritjet shumë të përzemërta plot respekt, që i bënin prof. Çabejt gjatë vajtjeve të tij për leksione në Prishtinë, i krjijuan atij emocione dhe gëzime të mëdha, të cilat na i tregonte me një ngazëllim të përmbajtur.

Në vitin 1975 mua më komunikuan qarkullimin, meqënëse kisha qenë martuar me vajzën e zv. ministrit të tregëtisë, Vasil Katit, i cili u arrestua atë vit me grupin e shpallur armiq në ekonomi. Unë, si shumica e atyre që u ndodhi kjo fatkeqësi, u ndava nga bashkëshortja, por ky veprim i imi nuk i kënaqi anëtarët e partisë së Institutit. Ata vendosën të më qarkullonin. Shokët filluan të më rrinin pak ftohtë…

Një ditë, mbas punës, kur po ecja vetëm në rrugën e Kavajës drejt qendrës, m’u afrua profesor Çabej dhe e bëmë rrugën bashkë. Zakonisht ai punonte nga ora 8:00 deri 13:00, atë ditë ndoshta kishte pasur ndonjë mbledhje që po shkonte në shtëpi me vonesë. Duke ecur e pyeta pse nuk e merrte autobuzin e Unazës për të mos u lodhur.

–Më pëlqen të eci në këmbë, e konsideroj si fiskulturë. Pastaj kam mendimin se ne që na bie rruga të kalojmë nga Qendra e Tiranës, kemi një favor, njihemi të parët me ndryshimet që mund të ndodhin në qendër. Këtë favor nuk e kanë ata që kalojnë rrugëve anësore.

Për të më dhënë kurajë, hapi bisedën rreth qarkullimit. U çudita kur tha pa drojtje:

–Qarkullimi, për kuadrot e rinj është i dëmshëm, sepse i shkëput nga procesi i kualifikimit. Qarkullimi për ty është çkualifikim.

Ndoshta këtë mendim ai e kishte thënë edhe gjetkë… Im vëlla, kur dëgjoi prej meje mendimin e profesorit, mori kurajë dhe shkoi e u ankua tek një punonjës i Komitetit të Partisë së Tiranës, te z. Bujar Kolaneci, i cili kishte punuar më parë në Kinostudio si ekonomist filmi. Ky duket se ndërhyri dhe organizata bazë e partisë së Institutit nuk nguli këmbë për të realizuar qarkullimin tim. Mbasi disa rrethe u përgjigjën se nuk kishin vende pune, qarkullimi im u la në qetësi. Pra profesori me idenë e çkualifikimit dhe Bujar Kolaneci me ndërhyrjen e tij, më shpëtuan nga qarkullimi, se kushedi si do më kishte shkuar filli, po të kisha shkuar diku mësues fshati.

Figura e profesor Çabejt ishte shumë autoritare. Me personalitetin e tij, pa qenë kurrë shef, pa pasur asnjë pushtet administrativ, ai ndikonte tek punonjësit më tepër se drejtori, sekretari i partisë dhe shefat e sektorëve. Mbi të gjitha ai na bënte për vete me praninë e tij, me sjelljen korekte, me kulturën profesionale dhe thellësinë e analizave shkencore. Ai rezatonte kulturë në çdo lëvizje, në çdo fjalë. Rezatimi i kësaj kulture ndjehej tek të gjithë punonjësit e Institutit, madje nuk e teproj të them se kultura e autoriteti i tij ndikonin edhe tek komunistët e sigurimsat. Nuk ishte e rastit që valët e qarkullimit në vitet 1967-68 dhe 1973-74 në Institutin tonë u kaluan më lehtë se në institutet e tjera shkencore. Sejcili prej punonjësve përpiqej të ishte sado pak më zotni, sado pak më Eqrem. Kjo përpjekje deri diku i kishte fisnikëruar ata. Në atë institut, mendoj se jo rastësisht, nuk realizohej plani i arrestimeve, asnjë punonjës i tij nuk u arrestua gjatë mëse 30 vjetëve…  

Në lagjen Ali Demi, mjaft afër me pallatin ku banoja unë, ishte dhe shtëpia e poetit Lasgush Poradeci. Shkoja tek ai bashkë me Julian, gruan time poete. Një ditë Lasgushi, duke qeshur, tha:

-Unë jap karakterizime shumë të shkurtra për njerëzit. Ja dëgjoni si e karakterizoj Skënder Luarasin: Shumë patriot, shumë demokrat, shumë nevrik.

–Të lumtë se e paske qëlluar, i thashë unë që e njihja karakterin e Skënderit, po për profesor Eqremin a mund të japësh ndonjë karakterizim?

–Pa tjetër, tha Lasgushi dhe duke u drejtuar sikur do të recitonte, deklaroi: Njeri shumë zotni, shkencëtar shumë i zoti. E duartrokitëm ne dhe vajza e tij, Maria, që ndodhej aty.

Lasgushi për të treguar se kuadrot e formuar në Austri kishin marrë krahas formomit profesional dhe formim të lartë kulturor, tha:

–Sot Shqiperia është mbushur me shkolla, shkollim merret nga të gjithë, ama kulturë, shqiptari nuk ka hic fare.

Vite më vonë, kur profesor Çabej kishte vdekur, erdhi në Shqipëri z. Henrik Genscher, Ministër i Jashtëm i Gjermanisë Federale dhe tha se Gjermania është gati t’i japë Shqipërisë vit për vit nga 4.000 (katërmijë) byrsa studimi për shkolla të mesme profesionale, për shkolla të larta dhe studime pasuniversitare. Unë, si simpatizant i kuadrove me kulturë gjermane, e pyeta profesor Kostallarin kur u ndodhëm bashkë:

–Pse nuk e pranoi udhëheqja e partisë sonë propozimin e z. Genscher? Të studjojnë katërmijë shqiptarë në Gjermani do të thotë të rigjenerohet inteligjenca shqiptare.

–Po në Shqipëri kishte vetëm disa kuadro me kulturë gjermane dhe ne nuk i mposhtëm dot, ma ktheu ai. Të formohen 4.000 kuadro në Gjermani vit për vit, do të thotë që fëmijët e udhëheqjes që janë formuar e po formohen në Francë të mos kenë më vlerë dhe drejtimin e Shqipërisë ta marrin njerëzit me kulturë gjermane.

Eqrem Çabej e jepte opinionin e tij për të tjerët me fjalë jo fyese.

Në mbledhjet e sektorit dhe në mbledhjet e Këshillit Shkencor të Institutit, sa herë bëheshin diskutime artikujsh ose veprash të punonjësve shkencorë, binte në sy ndryshimi midis diskutimeve të profesor Çabejt dhe profesorëve të formuar në shkollën sovjetike, ose në atë të vendit që ishte një shkollë në formim e sipër. Profesori, së pari përpiqej të vinte në dukje vlerat e punimit dhe vështirësitë që kishte kaluar studiuesi, pastaj ndalej për të vënë në dukje dhe dobësi e mangësi, pa hyrë në hollësira, jepte dhe ndonjë rrugë për kapërcimin e tyre. Raporti midis pjesës vlerësuese dhe asaj kritike ishte gati në proporcion të barabartë. Kurse profesorët dhe shefat e sektorëve që ishin formuar në shkollën sovjetike ose që po formoheshin gjatë punës në Institut, shquheshin për vëmendjen e madhe që i kushtonin diskutimit të dobësive, për të cilat ndaleshin në shumë hollësira, kurse vlerat e punimeve i përmendnin me një a dy fjali. Kjo frymë diskutimi duke i dhënë rëndësi të dorës së parë kritikave, mendoj se ishte krijuar nën presionin e ideologjisë sunduese të luftës së klasave, ose ndoshta fshehte egoizmin e diskutantëve dhe dëshirën për të treguar se ata ishin shumë të aftë…

Kultura europiane sipërore manifestohej tek profesori në çdo veprim e bisedë. Ai nuk merrej kurrë me thashetheme dhe nuk komentonte punën ose karakterin e dikujt në mungesë të tij. Nervozizmi, hakmarrja, mosmirënjohja, ishin të huaja për të.

Në ato vite drejtor i institutit ishte profesor Androkli Kostallari, studiues i formuar në shkollën ruse, në Universitetin Lomonosov. Në moshë të re kishte mbetur jetim, shkollën e mesme e kishte kryer në gjimnazin e Shkodrës. Kishte qenë partizan, mbas L2B u dërgua për studime në Moskë, ku përvetësoi arritjet e shkencës gjuhësore sovjetike. Mbas kthimit në atdhe udhëheqja e partisë e emëroi në Institutin e Shkencave, pastaj drejtor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë. Këtu mori dhe detyrën e shefit të sektorit të leksikologjisë, atë të kryeredaktorit të revistës Studime Filologjike dhe të kryetarit të Këshillit Shkencor të institutit. Ky studjues shquhej për ambiciet shkencore, për formim solid në fushën e leksikologjisë, aftësi organizative, etj, por si karakter njerëzor linte për të dëshiruar… Gjatë bisedave tona private me të, ndjeheshim shpesh herë ngushtë, por si frikamanë që ishim, nuk e kundërshtonim për pasionin me të cilin ai shprehte kritikat e tij ndaj kolegëve, sidomos ndaj profesorëve Çabej e Domi, në mungesë të tyre. Duke kritikuar këta profesorë, ai synonte të krijonte idenë se ai ishte më i zoti se ata. Për fat të keq këtë ves të tij e morën dhe disa punonjës shkencorë, sidomos shefa sektorësh. Kurse gjatë bisedave tona private me këta dy profesorë ne nuk dëgjuam kurrë pakënaqësi e kritika personale ndaj Androkli Kostallarit, apo dikujt tjetër.

Drejtori, sa herë hynte në institut, hynte me zhurmë duke u mëshuar takave të këpucëve, të cilat i kishte prej sholli, ose të veshura me pafta hekuri. Donte pa tjetër të tërhiqte vëmendjen e atyre që ndodheshin në korridor, salutonte me zë të lartë dhe për t’u treguar masovik ndalonte e takohej me ata që gjente aty. Kurse profesor Eqremi hynte në institut pa zhurmë me ecjen e tij të shpejtë, salutonte duke ngritur kapelën dhe mund të ndalej vetëm po të kishte ndonjë porosi për dikë që ndodhej në korridor.

Kur u kthye profesor Dhimitër Shuteriqi prej Italie, ku kishte bërë një ekspeditë kërkimore nëpër fshatrat arbëreshe, mbajti në Lidhja e Shkrimtarëve një takim ku tregoi për rezultatet e kësaj ekspedite. Midis tjerash ai tregoi se kishte gjetur, pra se i kishin dhënë për të dorëzuar në Arkivin e Shtetit, mjaft dorëshkrime poezish dhe veprash të poetëve arbëreshë. Profesor Shuteriqi e mbylli bisedën duke thënë:

–E shikoni këtë çibuk, dhe tregoi çibukun me të cilin pinte vetë duhan, ky është çibuku i Jeronim De Radës, ma dhanë bashkë me penën e poetit, të cilën e dorëzova në Arkivin e Shtetit bashkë me dorëshkrimet…

Ne që e dëgjuam ulëm kokat. Nuk na erdhi mirë që ky personalitet i letërsisë dhe i shkencës shqiptare kishte mbajtur për vete një relike me vlerë muzeale të De Radës. Të nesërmen rastisi që të pinim kafe me Eqremin dhe ia treguam ato që dëgjuam prej Dhimitër Shuteriqit. Po prisnim që dhe ai ta quante atë hajdut, si e kishim quajtur ne në bisedat tona. Mirëpo profesori e formuloi mendimin e tij pa asnjë fjalë fyese:

–Nuk është mirë që njeriu të mos dijë ç’është e tija dhe ç’është e shtetit.

Vizitat e fundit: Kujtimet për jetën e profesorit duhen shkruar

Në nëntor të vitit 1979 profesor Çabej u sëmur rëndë. Sapo ishte kthyer nga Vjena, ku ishte dërguar për të mbajtur leksione, i shoqëruar prej leksikologut Jani Thomai. Apartamenti ku i kishte strehuar ambasada jonë nuk kishte ngrohje. Mushkëritë i kishin mbledhur ujë. Doktorët e përcaktuan sëmundjen: kamcer në mushkëri, sëmundje që në atë kohë ishte e pashërueshme dhe përparonte shumë shpejt.

U pikëlluam të gjithë kur mësuam se ai nuk e kishte të gjatë. Filluam t’i bënim vizita për t’i dhënë kurajo. Jani Thomai, Minella Totoni, Gjovalin Shkurtaj dhe unë, që jetonim bashkë në një pallat të bërë me punë vullnetare anës lumit Lana, shkuam për vizitë. Profesori rrinte i qetë, nuk ankohej, tregonte ndonjë përshtypje nga Vjena, ndonjë plan për punën e ardhëshme. Ishte periudhë dimri, ndaj ai rrinte në kuzhinë, i vetmi ambjent me ngrohje. Aty na priti z-nja Shyhret sipas zakonit të saj.

Mbas disa ditësh a javësh, profesorin e dërgoi shteti në Romë, ku e operuan. Kur u kthye, shkova për vizitë sërisht, kësaj radhe me bashkëshorten time. Shyhreti po lante disa tufa me spinaq te çezma, i kishte duart akull të ftohta.

–Doktorët këshilluan që Eqremi të hajë sa më shumë zarzavate, tha Shyhreti. Atij dhe neve na pëlqejnë zarzavatet, por ti Julia e di sa punë do spinaqi, dhe tregoi duart e skuqura prej ujit te ftohtë.

Kësaj radhe, profesori rrinte dhe më i qetë. Shyhreti e kishte shoqëruar në Romë dhe thoshte se mjekët italianë, me sjelljen e tyre shumë xhentile, me të folurën e qetë me zë të ulët, me ato rrobat e tyre shumë të bardha, i ishin dukur si engjëj.

Unë dhe Julia nuk ngopeshim së pari engjëllin që kishim para syve tanë, të cilin nuk kishim për ta parë më…

Ceremonia e varrimit të tij u zhvillua me një pjesëmarrje njerëzish shumë më të madhe se ceremonia e varrimit të djalit të tij. Gjithçka u zhvillua si atëhere me seriozitet, askush nuk qau me zë, lotët rrëshqisnin nëpër faqe, ose gëlltiteshin me ngashërim. Disa njerëz rrinin brenda në apartament, shumë të tjerë tek shkalla e pallatit, akoma më shumë rreth pallatit dhe të tjerë në rrugë. Kortezhi u bë shumë i gjatë, pikëllimi ishte shumë i madh. Ndjehej se Tirana dhe gjithë Shqipëria kishin humbur një personalitet vërtet të madh, që e donte pa ndërhyrjen e organeve të shetit…

Profesor Çabej u nda nga jeta më 13 gusht 1980, në moshën 72 vjeçare, kur ishte ende shumë i gjallë e me kapacitet të plotë mendor. Ai u largua nga kjo jetë pa e humbur bukurinë fizike e shpirtërore, duke na lënë në kujtesë figurën e një njeriu madhështor dhe ndikues.

Me rastin e dyvjetorit të vdekjes, më 13 gusht 1982, në institut nuk po ndjehej se do të shkonte kush tek familja e profesorit, si një vit më parë. Atëhere vendosa të shkoja me Palok Dakën, mikun më të mirë të profesorit dhe timin. Paloka kishte punuar me profesorin që nga viti 1949, që kur ishte krijuar Instituti i Shkencave. Ai ruante shumë kujtime për të, madje dhe shumë intimitete. Ai më kishte treguar se si e kishin sulmuar profesorin në vitet e mbrapta 1967-1968. Në mbledhjen e organizuar në institut për të dënuar shfaqjet e huaja, në prani të Manush Myftiut, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Fadil Paçramit, sekretar i parë i Komitetit të Partisë të Tiranës, drejtori i institutit, Androkli Kostallari e sulmoi profesor Çabejn. E quajti kuadër që i nënshtrohej shkencës borgjeze. Si argument ai përmendi se Çabej në studimet e tij nuk citonte rezultatet e arritura të shkencës shqiptare që po zhvillohej nën kujdesin e partisë; dhe se me rastin e vdekjes së albanologut gjerman Maximilian Lambertz, ai kishte shprehur në shkrimin nekrologjik vetëm lavdërime, kur dihej se ky studjues borgjez kishte përkthyer në gjermanisht poemën Lahuta e Malsisë të poetit reaksionar Gjergj Fishta.

Profesori e kishte mbrojtur veten me pak fjalë:

-Për citimet në veprat e mia shkencore unë ndjek parimin ndërkombëtar, sipas të cilit citohen vetëm veprat e botuara në shtypin e lartë, pra në libra dhe revista shkencore. Unë nuk kam cituar e nuk mund t’i citoj rezultatet e studjuesve tanë që janë botuar nëpër dispenca, sepse artikujt e botuar në to konsiderohen jo përfundimtare, mbasi janë në përpunim e sipër. Botime të tilla nuk i ruan as Biblioteka Kombëtare.

Për studjuesin Maximilian Lambertz dhashë vlerësime pozitive, sepse në shkrime nekrologjike nuk shprehen kritika e rezerva.

I ndodhur ngushtë Manush Myftiu e mbylli diskutimin duke thënë se partia e ka vlerësuar Lambertz-in me titull të lartë dhe në nekrologji vërtet shprehen vetëm vlera dhe jo kritika…

Duke kujtuar të tilla momente gjatë ecjes në këmbë i thashë Palokës se duhej t’i shkruante kujtimet e tij për profesorin dhe t’i thoshte z-njës Shyhret, se ajo dhe njerëz të tjerë të afërt duhej të shkruanin kujtimet për profesorin. Kur arritëm në shtëpi nuk gjetëm njerëz të tjerë përveç zonjës së shtëpisë dhe një vëlla të profesorit, avokatin Ferid, një burrë që i ngjante atij, por ishte më i shëndoshë. Ai jetonte në Lushnjë bashkë me vëllain tjetër Ihsanin, mjek.

Paloka e gjeti rastin dhe tha se mbledhja e kujtimeve për jetën e profesor Çabeut është punë me vlerë dhe duhet bërë sa më parë. Z-nja Shyhret nënqeshi, dhe tha: po, po, duke na lënë të kuptonim se ajo e vlerësonte këtë mendim dhe se një ditë do të ulej për të shkruar kujtimet e saj…

Profesor Çabej më ndihmoi edhe i vdekur.

Kur erdha në Amerikë më 1996, 52-vjeçar kisha gradën Doktor i Shencave Filologjike dhe titullin Profesor i Asocuar. Duke mos ditur anglishten u detyrova të punoja pjatalarës, ndihmës kuzhinier, pastrues, roje, punëtor fabrike në turnin e tretë, etj. Shkova në shkollë nate dhe munda të mësoja anglisht në nivelin që ta flisja dhe ta shfrytëzoja për studime. Atëhere thashë me vete: ky është ai qarkullimi që më mbeti pa bërë në rini. Tani nuk jam më fillestar, ky qarkullim nuk do të më çkualifikojë, prandaj duhet të filloj të merrem dhe me punë shkencore. Dhe fillova të lexoja e të grumbulloja matriale për sqarimin e problemit se a kishte punuar apo jo shën Pali gjatë udhëtimeve të tij në trojet ilire, gjë që ai vetë e kishte pohuar në letrën drejtuar besimtarëve të Romës.

Pas gati tetë vjet pune me përqendrim të lartë arrita të provoja e ta shpija përpara traditën gojore shqiptare e cila thoshte se shën Pali kishte punuar në territore shqiptare (atë kohë ilire). Këtë mendim para meje e kishin formuluar me disa të dhëna, por pa sjellë prova bindëse disa historianë, si italiani Daniele Farlato (1817), amerikani E. Jacques (1995) dhe shqiptarët Marin Barleti (1520) e Kristo Frashëri (2001). Unë e shpura këtë rezultat më tej, duke provuar me shumë argumente se shën Pali jo vetëm kishte punuar për krijimin e kishave të para të krishtere në troje ilire, por dhe kishte shkruar dy letra në Durrës (Dyrrach) dhe një letër në Nikopol të Epirit.

Duke ditur se në mbarë Mesdheun, pra dhe në gadishullin Italik deri në shekullin e IV përdorej greqishtja si gjuhë predikimi midis besimtarëve dhe se latinishtja u bë gjuhë fetare, gjuhë e kishës, vetëm mbasi u përkthye Bibla prej shën Jeronimit në fund të shek IV fillim i shek V, më lindi një mendim. Përhapja e Krishtërimit në qytete ilire prej vetë shën Palit e nxënësve të tij që në shek I dhe pastaj në shek II-IV duhej të ishte kryer në gjuhën greke, gjuha e predikimeve fetare të atyre shekujve, herë herë duke përdorur dhe përkthyes nga greqishtja në ilirisht. Në këtë proces predikimi, terminologjia fetare në ilirisht duhej të kishte hyrë fillimisht prej greqishtes duke u përshtatur në gjuhën vendase. Pra duhej që të vërtetoja se disa fjalë nga kjo terminologji, gjuha ilire (prej së cilës u trashëguan te pasardhësja e saj, shqipja) i kishte marrë, ashtu si latinishtja, drejtpërdrejt nga greqishtja e lashtë që në shekujt I-IV dhe jo nga latinishtja, ndikim i së cilës në këtë fushë kishte filluar vetëm gjatë shek V e këtej.

Mirëpo, hipoteza se shqipja i kishte marrë fjalët e terminologjisë fetare prej latinishtes ishte formuluar prej disa studjuesve gjermanë në kohën kur sundonte mendimi se krishtërimin në popullin ilir e kishin sjellë misionarë të ardhur prej kishës së Romës. Këtë mendim e kishte pranuar dhe profesor Çabej. Me një fjalë më duhej që për origjinën e disa fjalëve kishëtare të jepja një shpjegim ndryshe nga ai që kishte dhënë idhulli im. Mendo e stërmendo. Herë pas here sillja në mend fjalët e tij:

-Kur mendoni ndryshe, mos e konsideroni veten tepër të rinj dhe të paformuar për të shprehur dyshime, për të hapur diskutime. Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen.

Shkova në Shqipëri dy herë, bleva gjashtë vëllime të fjalorit etimologjik të Çabejt dhe lexova e rilexova vëllimin e parë (hyrja teorike) mbajta shënime, lexova me kujdes shpjegimet për shumë fjalë. Lexo e vra mendjen, kujto profesorin e prapë lexo, prapë vra mendjen dhe më në fund dhashë shpjegimet e mia se disa fjalë si apostull-i, ungjill-i, engjëll-i, kish,ë-a, e disa fjalë të tjera të Krishtërimit, të cilat latinishtja i kishte marrë vetë prej greqishtes, edhe ilirishtja (nëna e shqipes) i kishte marrë drejtpërdrejt prej greqishtes dhe jo prej latinishtes.

Më 2007 e botova librin tim Kur dhe Ku u Shkrua Dhiata e Re dhe shkova në Tiranë ku organizova promovimin e tij në Muzeu Kombëtar. Aty kisha trajtuar dhe këtë problem. Mirëpo punonjësit e institutit, pikërisht ata që merreshin me studime gjuhësore, si Seit Mancaku, etj, vlerësuan aspekte të ndryshme të veprës, por u stepën, nguruan të jepnin gjykime për nënkapitullin ku jepja sqarimet e mia etimologjike për këto fjalë. Dukej se ata vuanin nga mendimi se brezi ynë ishte i papërgatitur për të dhënë ndihmesë në fushën e etimologjisë. Ata e kishin kthyer Çabejn në një tabu, gjë që ai vetë nuk e kishte dashur, madje e kishte luftuar. Ai vetë kishte thënë në praninë time dhe të kolegëve të tjerë se edhe gjuhëtarë të tjerë mund dhe duhet të merren me studime të tilla, mjafton pasioni dhe këmbëngulja. Tha se atë e bëri etimolog jo shkolla, por puna e vazhdueshme e me pasion.

-Shumë shpjegime të mia për origjinën e fjalëve mund dhe duhet të diskutohen, na thoshte ai, studimet etimologjike në fushë të shqipes duhet të pasurohen edhe nga të tjerë…

Me të tilla këshilla dhe me punën e tij, profesor Çabej më ndihmoi edhe mbas vdekjes, këtu në Amerikën e largët, duke më dhënë kurajon e nevojshme për të punuar edhe në fushën e tij, aq të vështirë…

Dhe ja studiuesit Prof. Bardhyl Demiraj dhe Prof. Kolec Topalli ka vite që po kontribuojnë me sukses në fushën studimit të origjinës së fjalëve të gjuhës shqipe. I ndjeri Akademik Kolec Topalli që u nda nga jeta këto, botoi dy vjet më parë “Fjalor Etimologjik i Shqipes” përmbledhur tre vëllime në një.

Ky studjues gjatë diktaturës kishte pasur fat të ndryshëm nga ai i shumë gjuhëtarëve që punuan në të njëjtin institut me profesor Çabejn. Ai, për shkak të “biografisë së keqe” kishte punuar si mësues fshati në rrethet Kukës, Gramsh e Krujë. Mirëpo pasioni për gjuhën shqipe e shtynte, që edhe në atë kohë të vështirë, të merrej me përkushtim me studime në fushën e gjuhës shqipe, sidomos të fonetikës e gramatikës së saj. Dorëzonte artikuj shkencorë për t’i botuar në revistën Studime Filologjike, por redaksia ia vononte me vite botimin e tyre.

Shkërmoqja e diktaturës solli dhe për këtë studjues mundësi të reja. Duke punuar me pasion për kualifikim të mëtejshëm dhe rezultate të rinj, ai i shpuri përpara studimet në fushën e historisë së gjuhës sonë dhe në fushën e etimologjisë së fjalëve të saj. Po të ishte gjallë profesor Çabej do të ndjehej i lumtur që një nxënës i tij, Akademiku Kolec Topalli, e shpuri përpara veprën e tij duke ndjekur porositë e tij…

(Botohet me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Prof. Eqrem Çabejt me disa shtesa dhe korrigjime nga varianti i botuar në vitin 2016)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eqrem Cabej, KUJTIME PËR PROFESORIN, Thanas L Gjika

Ju puth duart me ndér si biri t’atit

October 23, 2016 by dgreca

1-eqerem-cabej

1-gjergj_fishta_1932Shkruar nga : Mërgim Korça*/

Kësisoji e mbyll letrën e tij tek i drejtohet  Atë Gjergj Fishtës profesor Eqrem Çabej, (dokument i cili gjëndet në Arkivin Qëndror të Shtetit, F17  D36 fl.12). E filluam këtë replikë ndaj shkrimit të profesor Nasho Jorgaqit me pozicionimin e profesor Çabeut ndaj Atë Gjergj Fishtës, pikërisht që ta mësojë profesor Nashua se që në fillim ai e nis shkrimin e tij me një insinuatë të gabuar !

Nisur nga fakti se dëshira e ime e sinqertë është t’u trashëgojmë brezave të rinj të dhëna historike si edhe sa më shumë të vërteta si edhe fakte bashkëkohore tonat që ata jo që nuk kanë se si t’i dijnë por as që i marrin dot me mënd, (nisur nga shtrëmbërimet që i janë bërë historisë nga historianët e periudhës diktaturës si edhe në vazhdim), prandaj edhe e fillova këtë replikë timen kësisoji, ndaj asaj të ashtuquajture analizë që i bën veprimtarísë së Atë Gjergj Fishtës profesori Nasho Jorgaqi i cili titullin e shkrimit të tij e ka përzgjedhur pikërisht të jetë :

A FLIRTOI GJERGJ FISHTA ME PUSHTUESIT FASHISTË ?

Pak informacion për lexuesin :  Në vitin e largët shkollor 1948 – 49, në shkollën e mesme Gjimnazi 29 Nëndori i Shkodrës, (qytet në të cilin na shpërngulën familjarisht duke na hequr nga Tirana në vijim të luftës së klasave), rastisi të kem shok klase paralele, (ai ishte nxënës i shkollës pedagogjike, nën të njajtën çatí si edhe drejtorí shkolle), autorin e shkrimit të lartpërmëndur, Nasho Jorgaqin. Ky i fundit bënte pjesë në kontingjentin e konviktorëve të asaj shkolle, të kërkuar urgjentisht nga kryetari i Degës Punëve të Brëndëshme Hilmi Seiti ministrit të Punëve të Brëndëshme Mehmet Shehut, për ta shtruar gjëndjen disidente të studentëve kundra-komunistë të asaj shkolle.

Për hír të së vërtetës si edhe objektivitetit që dua të ketë kjo analizë, nuk kam se si ta mohoj faktin që, me aq sa mundem, të pohoj simbas ngjarjeve për të cilat isha dëshmitár në vetë të parë, se Nasho Jorgaqi ecte asokohe për plogëtí, (duke mos qenë flamurtar egërsíje), mes radhës  konviktorëve të sjellë në Gjimnazin e Shkodrës me detyra të caktuara sa i takon ashpërsísë që e shquante masën e tyre të étur në drejtimin e zbatimit të luftës së klasave, si rezultat i punës së të cilëve pati përjashtime nga shkolla, arrestime, si edhe dënime me burgim bashkënxënësish tonë të asaj kohe !

Me kalimin e viteve doemos i humba lidhjet e drejtpërdrejta me Nashon i cili iu kushtua karrierës mësimdhënësit e në vazhdim të shkrimtárit si edhe analistit.

Ç’E SHKAKTOI FILLIMISHT ZHGËNJIMIN TIM PËR NASHON ?  Leximi i dy vëllimeve të tij, “MËRGATA E QYQEVE“ !  E përzgjodha jo rastësisht cakun gjuhësor fillimisht, sepse në vijim të viteve erdhën pastaj edhe intervistat e tija, (të N.Jorgaqit–shënim i M.K.), ku ai theksonte se si  ishte munduar, derisa edhe i bindi udhëheqësit komunistë të shtetit, ta miratonin shkrimin e në vazhdim doemos edhe botimin e një romani ku burim kryesor informacioni kishte qenë një i infiltruar i Sigurimit të Shtetit për thuajse dhjetë vite në radhët e emigracionit kundra-komunist, (Isuf Mullai), si edhe disa të infiltruar të tjerë jo të kësaj rëndësije !  Megjithatë, duke mos dashur  të bëj asnjë hamendësí, pa lé insinuatë sa i takon një ure eventuale mes konviktorit Nasho Jorgaqi si edhe shkrimtarit si edhe analistit bashkëkohës, nuk kam se si mos të ndalem e ta analizoj kritikën që ky i fundit i bën atdhetárit të shquar Atê Gjergj Fishtës !  Fillimisht pyes veten :  Cila kishte me qenë zanafílla e hullísë që vazhdon e ndjek profesor N.Jorgaqi me t’ashtuquajturën analizë të tij të botuar me 2 tetor të 2016-ës ?  Padyshim që janë direktivat që ka  pasë dhënë “KOMANDANTI” dhe botuar në gazetën Bashkimi të datës 22 gusht 1947, para një grupi të rinjsh që morën pjesë në Pleniumin e IV-të të rinisë popullore që po e kopjojmë tekstualisht siç qé shprehur asokohe vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij :
“ Miqësínë me popujt e Jugosllavisë nuk mund ta errësonte shërbëtori i imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta me “Lahutën e Malësisë”, ku ai nga një vepër kusare të thjeshtë, kërkon t’i bëjë apologjinë shovinizmit më të tërbuar dhe ta ngrerë armiqësinë që nuk ka ekzistuar në mes të malësive të veriut dhe Malit të Zi, në një teori të çmëndur … ! ”

Pikërisht mëkimi, fillimisht me mësimet e Enver Hoxhës dhe në vazhdim pastaj karriera e tij … bënë që profesor Nashua ta hartojë atë shkrimin e tij gjuha e të cilit në pamje sipërfaqësore e predispozuar pozitivisht ndaj Atë Gjergjit por në efekt e mbushur me insinuata negative ku herë figurën e Atë Gjergj Fishtës e quan me probleme e gjithashtu me hije q’e rrethojnë.  E doemos objektivi kryesor është që figura e Atë Gjergj Fishtës të mjegullohet me pohime ekuivoke !  Shëmbull madhor përbën ajo që Nasho Jorgaqi e quan “tundimi fashist”, e si pasojë pranimi nga ana e Atë Fishtës për t’u bërë  akademik i Italisë !  Kësisoji profesor Nasho Jorgaqi sjell një shëmbull, një të vetëm por sipas tij fakt  tejet kuptimplotë lidhur me figurën problematike të Atë Gjergj Fishtës, një letër që Atë Fishta ia paska drejtuar, (në gjuhën italiane), NJË OFICERI TË LARTË FASHIST. Mirëpo profesor Nashua nuk e mendoi fare se si lexuesit të zakonshëm, pun’e parë që do t’i shkojë në mëndje kishte me qenë të pyeste : Kujt i drejtohet kjo letër ?  Nga ana tjetër letra i paraqitet lexuesit e shkruar në një toskërishte dialektale ku përkthyesi, sa për një shëmbull, i ka vënë në gojë Atë Gjergjit edhe shprehjen “ … kam rrufitur, në Resto del Carlino, artikullin tuaj magjistral …”.  Kurse unë shtoj se së pari, letra e Atë Gjergjit, (sipas profesor Nasho Jorgaqit), nuk është përgjigje që i jepet letrës që Ai ka marrë nga një oficer i lartë fashist e për më tepër edhe i paemër.  Për hir të së vërtetës, Atë Gjergj Fishta me 7 qershor të vitit 1939 mori një letër urimi nga Presidenti i Akademisë Mbretërore Italiane Luigi Federzoni ku ai e përgëzonte ndër të tjera Atë Gjergjin si më poshtë vijon : “ … Emërimi i Juaj si Akademik i Italisë, nga njera anë flet për vetë konsideratën e lartë të DUCE-s por nga ana tjetër ësht’edhe një shpërblim i drejtë sa u takon vlerave t’Uaja si edhe një shquarje e posaçme që i bëhet poezísë shqipe, duke marrë nga ana tjetër edhe kuptimin e një njësími të përkryer shpirtëror të dy popujve tanë që deti Adriatik, me lavdítë e tija shekullore i bashkon përjetësisht …”.    

Kurse Atë Gjergji me telegramin e Tij të datës 12 qershor 1939 i përgigjet Presidentit të Akademísë, Luigi Federzoni-t si vijon :

“ … I mallëngjyem Ju falënderoj për urimet si edhe sa i tokon miratimit t’Uej si edhe të kolegëve t’Uej akademikë lidhun me dekretimin t’êm si pjestar i institucionit mâ të naltë të kulturës të regjimit fashist si rrjedhoj’e miratimit prej anës Duces si edhe vullnetit të Perandorit tonë i bindun se prej gjinit të Italisë ka me u rilindë Shqipníja ideale …”  Unë personalisht e ftoj gjithsecilin ta verë veten në pozitat e Atë Gjergjit dhe t’i lexojë me sy kritik si thënjet e Federzonit e gjithashtu edhe telegramin e përgjigjes.  Mendimi im është se që të dyja, si urimet e Federzonit e gjithashtu edhe telegrami i falënderimit përshkohen si një éndje e thurur me gjuhë të dyanëshme diplomatike dhe me respekt të ndërsjellë !

Përgjatë kësaj vázhde, do t’i sjell profesor Nashos dy fakte, (jo si letra që ai e quan fakt që e mvishka me hije figurën e Atë Gjergj Fishtës), por dy fakte që t’i drejtpeshojë lexuesi.

Fakti i parë : Duke hamendësuar në mënyrë spekulluese rreth ndjenjave kundra-komuniste si klerik françeskan i vendosur që Atë Gjergj Fishta ishte, të cilat përkonin me pozicionimin politik të Italisë fashiste, hapi i parë i qeverisë italiane ishte që për vlerat e Tija madhore si edhe ndikimin e madh në popull që Ai gëzonte, qeverija fashiste italiane t’i akordonte Atë Gjergj Fishtës dekoratën nga më të lartat që ajo dekretonte. Këtu edhe pika kyçe e spekullimit rreth figurës At Gjergjit :  Nuk zihet në gojë fare fakti se jo që Atë Gjergji nuk e pranoi dekoratën e lartë por edhe si e priti Ai këtë dekoratë duke u shprehur se “ KJO DEKORATË NUK ÂSHT PËR MUE ! “

Fakti i dytë : Në meshën e përmortëshme që e mbajti Ipeshkvi Imzot Thaçi, i tha morísë së pjesëmarrësve në atë takim mortór “ … para dy ditësh, kah shkova m’e tokue Patër Gjergjin në spital, ashtu me gjysë fryme muejti me më thânë – Dekën e kena borxh të tânë, por âsht kah më vjen keq se po dés tue e lânë Shqipninë të shkelun prej kâmbës huej …!  Këtë fakt unë personalisht e kam mësuar nga kujtimet e Atë Zef Pllumbit të cilët profesor Nashua parimisht i përmënd në shkrimin e tij por ama pa u ndalur tek ky pohim madhor i Atë Gjergjit ! Me pak fjalë, edhe sikur vetëm këtë fakt të kishte mësuar profesor Nasho Jorgaqi duke lexuar kujtimet e Atë Zef Pllumit, duhej të ishte lëkundur sa u takon insinuatave të tija … pa lé sikur ta ketë lexuar edhe letrën e Profesor Eqrem Çabej-t drejtuar Atë Gjergj Fishtës !

Vijmë tek dekretimi si akademik i Italisë që iu bë Atë Gjergjit.  Pikërisht nga që ky fakt është fryrë kaq shum’e me aq keqdashje sa s’ka më nga ana e historianëve të ideologjizuar me frymën e partisë komuniste e doemos edhe nga ana e shkrimtarëve të rrymës realizmit socialist, (të shtyrë këta të fundit nga egoizmi si edhe cmira e tyre e pakufí ndaj veprës së Tij madhore letrare), do të ndalemi e t’i hedhim dritë pikërisht këtij fakti.  Atëbotë akademikët e Italisë, si anëtarë të një institucioni të pavarur kulturo-shkencor që ishin, njëzëri e propozuan Patër Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Italiane.      (Për ta biseduar me Atë Gjergjin paraprakisht mendimin e Akademisë Italiane, qé ngarkuar Prof. Agostino Gemelli, klerik françeskan si edhe akademik. ).

Me këtë  veprim  Akademia  e shpërfilli  si  edhe  e shpotiti qeverinë italiane, duke ia rritur skaj-shmërisht prestigjin  jo  vetëm  Atë  Gjergjit por bashkë me të edhe Shqipërisë.  Akademia Italiane, nga ana  e  saj, záret i kishte  hedhur.  Pritej përgjigja  e  Fishtës. Hapin tjetër të priftit krenár vërtet’e priste me padurim Akademia e Italisë, por e priste me kureshtje dhe inat akoma më të shtuar qeveria fashiste, gjoja e pa interesuar.  Vonoi përgjigja, po më në fund erdhi :  Patër Gjergji e kish për ndér propozimin  që  i  bëhej  dhe  falënderonte  të  gjithë anëtarët e Akademisë për vlerësimin që i bënin ! Këtu tashti edhe forca e karakterit të atdhetárit të madh e cila hedh poshtë të tëra insinuatat :
Në  konferencën  e  parë  solemne si akademik në Kinema Rozafat, për t’a pozicionuar veten e Tij botërisht, duke folur për dukurinë e ngjashme ndërmjet pushtimit të dikurshëm romak të Ilirisë me pushtimin e atëhershëm fashist të Shqipërisë Ai guxoi e tha :
“ … Rezistenca që romakët hasën ndër fiset dhe Mbretëritë Ilire të gjitha ndodhën sepse ilirët e panë menjëherë se trupat romake po sillnin robërinë në vënd të lirisë …”

Sikur të përqëndroheshim vetëm rreth këtij pohimi të Atë Gjergj Fishtës, bërë nga ana e Tij publikisht si edhe zyrtarisht, nuk ka se si të mos na dal’e qartë se si akuza e ngritur kundra Tij si “shërbëtor i imperializmit si edhe i fashizmit italian”, (nga ana e udhëheqësit dhe diktatorit komunist të Shqipërisë Enver Hoxhës, cituar më lart), bíje poshtë me plot kuptimin e fjalës si një çpifje skajshëm keqdashëse, përçarëse si edhe e pavënd !

Nisur tashti nga të gjitha zhvillimet, të kundruara ato me përparësínë që na jep kqyrja në mënyrë  mbrapavështruese, si ta quajmë titullin e përzgjedhur nga profesor Nasho Jorgaqi ku pyetja e drejtuar lexuesit mbështetet në një “folje” (në paskajore – të flirtosh), e cila ka kuptimin të bësh dashuri por me kusht mos të jenë të përfshira aspak ndjenjat. Nuk mund ta mendoja se insinuata e autorit të shkrimit ndaj Atë Gjergj Fishtës, pa u zgjatur aspak se cila kategori femrash “flirtojnë”, do të formulohej kësisoji pikërisht 69 vite mbasi diktatori e quajti Atë Fishtën shovinist dhe shërbëtorin e fashizmit !  E të gjitha këto profesori Nasho Jorgaqi i mbështet në një letër eventuale gjuha e së cilës është skajshëm diplomatike dhe ai këtë letër e quan fakt kundra Atë Gjergj Fishtës !(?)

Dhe unë i mbyll këto radhë duke e riformuluar pyetjen :  Ishin duart e Atë Gjergj Fishtës për t’u puthur me respektin më të madh, siç qé shprehur profesori ai vet’i madh, Eqerem Çabej, apo ishte figura e klerikut, atdhetárit të madh si edhe poetit e shkrimtarit skajshëm të madh Atë Gjergj Fishtës, të qëmtohej në se kishte flirtuar ai me pushtuesin fashist,apo jo ?!

* Replikë e marrë nga Gazeta “Minerva”       

Filed Under: Opinion Tagged With: At Fishta, Eqrem Cabej, Ju puth duart me ndér si biri t’atit, Mergim Korca, Minerva

Çabej mbi Shqipërinë dhe shqiptarët

July 29, 2013 by dgreca

Qëndrimi i ndërmjemë midis Perëndimit e Lindjes, i bashkuar me ruajtjen e ngulur të natyrës së vet etnike, i ka gdhendur Shqipërisë gjithmonë fytyrën e saj të veçantë. Këtë nuk ka mundur ta fshijë as sundimi turk. Kjo shprehet në krejt mënyrën e jetesës, në historinë dhe në historinë kishtare, në zakonne dhe në poezi popullore dhe artistike të popullit shqiptar. Duhet shënuar me këtë rast se Shqipëria ka qenë e orientuar më tepër nga Perëndimi sesa fqinjët e saj. Midis gjithë vendeve ballkanike – edhe Rumania, me gjithë idiomin roman të saj, e papërjashtuar – Dalmacia e Shqipëria, pastaj  Ishujt Jonikë janë vendet që kanë qenë të çelura direkt e më tepër ndaj influencës kuturore të Perëndimit. Lëkundja e Shqipërisë ndërmjet Ballkanit  na shfaqet, pothuaj ashtu si në Dalmaci, edhe në pikëpamje politike dhe jo më në fund gjuhësore, në mënyrë që elementet latine kanë pësuar në të dyja këto gjuhë një trajtim të ngjashëm.

*   *   *

Përçarja e vendit në shumë krahina malësore e të ulëta, të ndara shumë herë thellësisht njëra prej tjetrës, ka lindur në Shqipëri fiset dhe i ka mbajtur gjer më sot. Fisi, forma e zgjeruar e familjes së madhe, është shprehja më e thjeshtë e individualizmit kolektiv, i cili i përshtatet ndjenjës që ka shqiptari për jetë.  Shqipëria gjendet tani brenda në një proces shoqëror të padukshëm, në kalimin prej jetës vetjake të fisit në jetën e përbashkët nacionale.

*   *   *

            Trajtat e moçme në mënyrën e jetesës dhe në kulturën materiale e shpirtërore, siç i përfytyrojmë në mënyrë retrospektive për indogjermanët e vjetër, nuk janë ruajtur, them, aq besnikërisht te asnjë nga popujt e sotëm indogjermanë sa ndër shqiptarë. Ky konstatim ka vlerë edhe përkundrejt Ballkanit, i cili është edhe ky mjaft konservativ. Sepse helenët që u civilizuan shpejt i lanë heret doket e lashta, popujt e tjerë u dukën në Ballkan në një shkallë më të zhvilluar të kulturës ose u formuan këtu më vonë. Vetëm te shqiptarët mund të flasim për një traditë sedentare dhe të paprerë që nga koha evjetër.

*   *   *

            Mendimi themelor që vihet për kriter në goditjen e banesave është mundësia e mbrojtjes, Përkundrejt këtij mendimi, komoditeti i ndejtjes dhe pikëpamja ekonomike mbeten në rend të dytë. Këtij  shpirti i përshtatet shtëpia e fortifikuar, kulla, të cilën e ndeshim më shpesh a më rrallë në gjithë Shqipërinë, dhe në Ballkan kudo atje ku ka ose ka pasur shqiptarë. Është krejt karakteristike për natyrën individualiste të shqiptarit që ky, ashtu si stërgjyshët ilirë dhe të tjerë popuj indogjermanë të moçëm si p. sh. gjermanët, banon një shtëpi të vetme mjaft të izoluar. Kjo me rritjen e familjes së madhe zmadhohet me oborre (Gehofte), bëhet lagje fisi dhe së fundi një katund i tërë fisor. Katundi fisor është katundi i vërtetë shqiptar dhe sot e gjithë ditën katundi i zakonshëm i maleve.

*   *   *

            J. Ph. Fallmerayer Shqipërinë e quan vendin e vullnetit të fortë dhe të mendjes së shkurtër. Ky nuk është i vetmi kontrast që përmban karakteri i popullit shqiptar. Po meqë kontrasti përmban në vetvete thelbin e dramaticitetit, shohim se një rremb dramatik e përshkon karakterin shqiptar, i mësuar më shumë të veprojë me rrëmbim sesa të rrijë të mendojë. Karakter dramatik ka dhe historia shqiptare me fytyrat e saj kryesore.

*   *   *

            Thelbi shpirtëror i shqiptarit është rezervimi. Kjo veti e popujve të Veriut duhet të na çuditë disi te një popull i Jugut. Kjo cilësi sidoqoftë e dallon këtë popull mjaft thellë prej popujve të tjerë të Europës Jugore. Spjegimin do ta kërkojmë për këtë si në veti të trashëguara si dhe në natyrën e mbyllur e të ashpër të vendit. Kjo e detyron banorin që jo vetëm kundrejt të huajit, por edhe me të afërmin të sillet në fillim i matur e i rezervuar, edhe i mbyllur. Kështu na spjegohet rezervimi i thellë i shpirtit të popullit shqiptar. . . Kjo është sjellja e njeriut që është i zoti i vetvetes, i cili, për të ruajtur të drejtat e veta, është i matur në fjalë e në punë. Por ky rezervim nuk përjashton karakterin e hapur,  edhe këtë cilësi e gjejmë me të vërtetë te shqiptari. Përbri saj na shfaqet tek ai edhe dhelpëria e lindur e banorit të maleve.

            Është një shenjë e individualistit, siç ka qenë gjithmonë shqiptari, që rezervimi i tij në raste të veçanta të jetës të kthehet në një qëndrim të egër kokëfortë. Kjo veçori që rron në gjithë shqiptarët është pasoja e racës, e na kallëzohet edhe për ilirët e moçëm. Edhe kolonitë shqiptare, sado të shkëputura prej shekujsh nga toka-mëmë dhe tani në mes të të huajve, nuk kanë mundur ta fshehin sjelljen kokëfortë të karakterit shqiptar.

*   *   *

            Në lëmën sociale themelin e qendrën e jetës shqiptare e përbën familja e madhe. Shqiptari është për gjithhë jetën e tij i lidhur përhera me të. Kjo lidhje patriarkale ekziston jo vetëm për katundarin, por edhe për banorët e qytetit. Ç’është për malësorin fisi dhe familja e madhe është për qytetarin familja. Është qëllimi i jetës së gjithkujt të përpiqet për nderin dhe mbrothësinë e njerëzve të vet. Me këtë lidhet malli i tokës që e shquan këtë popull si gjithë popujt malësorë. Dëshira për shtegtim dhe malli i tokës bashkohen te karakteri shqiptar në mënyrë të çuditshme. Lidhja shpirtërore me tokën u është e përbashkët gjithë shqiptarëve. Kështu ne shohim te i ikuri në dhe të huaj se si, i shtyrë nga malli, dëshiron gjithmonë të kthehet ndonjëherë në atdhe.

*   *   *

Tenaciteti në jetë dhe ngjitja pas zakoneve është një veti tjetër e përbashkët e karakterit shqiptar, “Forca e ekzistencës së gjuhës shqipe dëshmon tenacitetin e kombit” (A. Meillet). Edhe në qoftë se doket dhe zakonet e sotshme të Shqipërisë nuk paraqesin një fytyrë të njënjëjtë, ruajtja e ngulur e tyre është një fenomen i përbashkët për ta. Përgjithësisht analogjive që shkojnë midis zakoneve të krahinave të ndryshme të Shqipërisë nuk u është dhënë vëmendja e duhur. Në qoftë se qërojmë një nga shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim më së fundi në thelbin indoeuropian. Të nxjerrësh në dritë këtë shtrat themelor do të thotë të zbulosh rishtas atë që ka qenë e përbashkët në zakonet shqiptare. Shumë zakone të lindjes, dasmës e vdekjes, kalendari i së kremteve të vitit, supërsticionet dhe figurat mitologjike, paprekësia e gruas dhe e të voglit, qëndrimi i posaçëm ndaj mikut e armikut janë disa nga gjurmët dhe aspektet e këtyre zakoneve të përbashkëta shqiptare.

 Shënim i editorit. Fragmentet e mësipërme janë nxjerrë nga vepra “Për etnogjenezën e literaturës shqipe”, botuar fillimisht në revistën “Hylli i Dritës”, në vitet 1938-1939, dhe  më vonë, në vitin 1994, nën titullin “Shqiptarët midis Perëndimit e Lindjes”, së bashku me veprën “Romantizmi në Europë lindore e juglindore dhe në literaturën shqiptare”, shkruar në vitin 1945.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe shqiptaret, Eqrem Cabej, mbi shqiperine

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT