• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Arkeologji, fortifikimi prehistorik i Qytekut në luginën e Shkumbinit

April 24, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Shkëmbi ku gjenden rrënojat e vendbanimit që në pjesën më të madhe të tij është i fortifikuar në mënyrë natyrore njihet me emrin Shkëmbi i Qytekut. 

Kështjella natyrore “Shkëmbi i Qytekut” ndodhet në luginën e Shkumbinit të Mesëm dhe është pjesë e territorit të fshatit Mirakë. Fshati Mirakë  tani bënë pjesë në njësinë administrative Polis, bashkia Librazhd. Ky fortifikim ndodhet në majën e Shkëmbit me lartësi 638 m mbi detare. Shkëmbi është tepër i thiktë dhe në të mund të ngjitesh vetëm nga veriu(fig. 1).

C:\Users\USER\Desktop\Ervini\Shkembi i Qytetit\Shkembi i Qytekut (7).JPG

Fig. 1. Pamje e fortifikimit të Qytekut

Shkëmbi i Qytekut ndodhet midis dy shkëmbinjve, i pari ngrihet direkt mbi lumin Shkumbin, kurse i treti i quajtur Maja e Qishës ngrihet më sipër Shkëmbit të Qytekut. Të dy këta shkëmbinj janë bien thikë nga tri anë, kurse në pjesën veriore ata janë të sheshtë. Në pjesën e sheshtë të shkëmbit të parë, ende e pa dëmtuar nga pranija e një guroreje, gjenden në sipërfaqe  fragmente të periudhës antike ilire, kurse shkëmbin e tretë ne nuk mundëm ta vizitonim. Sipas banorëve në pjesën e sheshtë ka gjurmë muresh dhe këtë e përforcon edhe vetë emri që mbart ai. Të tre këta shkëmbinj nga ana lindore bien direkt në shtratin e përroit të Lugjeve. Gjatë pellgut të përroit të Lugjeve ka një shteg kalimi që niset nga lugina e Shkumbinit drejt qafës së Barit për ta lidhur me fshatrat e malësisë së Çermenikës. 

Pozicioni i përshtatshëm dhe dominues i Shkëmbit të Qytekut bën të mundur jo vetëm vrojtimin e rrugëve për gjatë luginës së Shkumbinit, ku më e rëndësishmja është ajo që në periudhën romake mori emrin Egnatia, por dhe shumë nga majat e kodrave ku gjenden rrënoja kështjellash të periudhave të ndryshme (fortifikimi i Shkëmbi Mbret, fortifikimi i Menglit, etj).

Burimet historike dhe identifikimi 

Emri i shkëmbit sipas banorëve lidhet me fjalën “qytet”, por që në zonën e Librazhdit dhe Elbasanit dhe më gjerë përdoret forma e saktë “qytet” ose “qytezë”. Një variant tjetër mund të lidhet me fjalën “qytyk” që është një sinonim i fjalës trung. Ndër burimet e shkruara, ku më e plotë është lista e kështjellave të ndërtuara ose rindërtuara nga perandori Justinian I të dhënë nga Prokopi i Cezaresë, nuk ka ndonjë përafërsi me emrin që trashëgon kjo kështjellë apo ndonjë në afërsi të saj. 

Historiku i kërkimeve arkeologjike 

Për herë të parë Shkëmbi i Qytekut është vizituar nga grupi i arkeologëve që ka ndjekur gjurmët e vendbanimeve arkeologjike në luginën e Shkumbinit në vitin 2002, por nuk i kanë publikuar të dhënat që ata kanë parë gjatë kësaj vizite. Më pas në vitin 2017 mjediset rreth saj janë vizituar nga arkeologët N. Ceka, S. Muçaj, S. Xhyheri të cilat panë aty një kohëzgjatje me ndërprerje nga koha e periudhës së bronzit të vonë deri në antikitetin e vonë, të dhëna që m’i komunikuan gojarisht. Në vitin 2018 u realizua një vëzhgim i plotë i kësaj qendre rezultatet e mbledhura për periudhën prehistorike janë objekt i këtij disertacioni.

Planimetria 

Shkëmbi Qytekut, i lartësuar nga terreni përreth krijon një masiv që bie thiktë në tri anë (jug, perëndim, lindje) kurse në veri ai lidhet me një qafë përmes një shtegu të ngushtë që kalon përmes dy rënieve shkëmbore. Nisur nga qeramika që gjendet në sipërfaqe pjesa e banuar shtrihet në pjesën më të lartë të shkëmbit, në pjesën e pjerrët që ndodhet midis platformës së sipërme dhe deri në buzën shkëmbore të anës jugore, si dhe një shesh që ndodhet në anën veriore  midis rënies shkëmbore të majës dhe një rënie shkëmbore që zbret drejt qafës. Nga qafa vetëm një shteg i ngushtë midis dy shkëmbinjve lejon ngjitjen drejt sheshit dhe më pas një shteg i dytë që depërton midis shkëmbinjve të pjesës sipërme të faqes lindore të ngjitë në platformën e sheshtë të majës shkëmbore. Ky është shtegu i vetëm që ndërlidh qafën me masivin shkëmbore, që në pjesën më të madhe ka qenë përdorur si vendbanim në periudha të ndryshme historike.

Platforma shkëmbore në pjesën veriore ka vetëm hapësira të vogla midis shkëmbinjve dhe ka qenë e papërshtatshme për ndërtime, kurse në pjesën qendrore shkëmbinjtë janë më të rrallë dhe larg njeri tjetrit duke krijuar disa sheshe të vegjël për ndërtimin e banesave. Nga kjo pjesë mund të zbritet në pjesën jugore deri në buzën shkëmbore, megjithëse terreni është i pjerrtë, qeramika tregon se edhe aty ka pasur banesa. Po ashtu edhe në veri, poshtë majës shkëmbore dhe një brezi tjetër shkëmbore që mbyll faqen veriore dhe lindore të faqes lindore të masivit shkëmbor ka vende të përshtatshme për banim. Ne mundëm të kontrollojmë vetëm sheshet që ndodhen pranë qafës, kurse atë që është mbi rënien shkëmbore që zgjatet paralelisht me përroin e Lugjeve, për shkak të shkurreve të dendura qe e pamundur hyrja në të.  

Në sheshin që ndodhet midis qafës dhe majës shkëmbore qeramika e shumtë tregon se edhe aty ka  pasur ndërtime banimi. Mbetjet e shumta të grumbujve të gurëve poshtë rënies shkëmbore që qarkon sheshin e banuar si dhe në shtegun që lidh qafën me sheshin tregojnë për praninë e mureve me përmasa më të mëdha se ato të banesave. Të parët janë gurë të thyer, pa mbetje llaçi, kurse të dytët me mbetje llaçi. Këta të fundit kanë qenë në murin që mbyllte shtegun. Gjatë vizitës sonë kjo pjesë ishte e prishur nga punimet e bërë për të diagnostikuar shkëmbin nga punonjësit e karrierës për nxjerrjen e blloqeve të gurit. Të dhënat e sjella nga banorët tregojnë se aty ka pasur një mur mbrojtës të ndërtuar me gurë të lidhur me llaç gëlqereje. 

Nisur nga qeramika që datohet kryesisht në shek. VI m. Kr. muri duhet të jetë pjesë e ndërtimeve të kësaj periudhe duke plotësuar sistemin fortifikues të luginës së Shkumbinit.

Shkumbinit. Poshtë buzës shkëmbore mbi të cilën ndodhet sheshi ka një grumbull të madh gurësh dhe më shumë gjasa ata duhet të kenë qenë pjesë e një muri të ndërtuar me gurë të vendosur në të thatë që do t’i përkiste periudhës prehistorike të cilës i përket dhe qeramika e gjetur në këtë vendbanim.

Vetë forma e shkëmbit të lartësuar dhe të shkëputur në tri anë nga pjesa tjetër ka mundësuar edhe formën e vetë këtij vendbanimi të fortifikuar në mënyrë natyrore. Vendbanimi i fortifikuar në mënyrë natyrore dhe i mbyllur me mur vetëm në shtegun pranë qafës ka një sipërfaqe të përgjithshme 1.5 prej ha dhe sipërfaqe ku mund të ketë pasur ndërtime banimi 0.3 ha. Këto sipërfaqe banimi janë vendosur në lartësi të ndryshme mbi nivelin e detit në qendër, në pjesën jugore në veri. 

Teknikat e ndërtimit 

Nga mbetjet e materialeve të ndërtimit, gurë pa gjurmë llaçi dhe me gjurmë llaçi ne mendojmë se në këtë qendër të fortifikuar në mënyrë natyrore, në mbylljen e të vetmit shteg që lejon ngjitjen në të i përkasin dy teknikave të ndryshme. Njëra teknikë me gur të thyer të madhësive të ndryshme të vendosur në të thatë dhe tjetra me gurë të thyer të lidhur me llaç gëlqereje. Nga mbetjet për të dy teknikat janë përdorur gurë gëlqeror të thyer me përmasa të mëdha dhe mesatarë.

Fortifikimi i fazës së parë (periudha prehistorike)

Muri i kësaj periudhe ka mbyllur jo vetëm shtegun në qafë por dhe një pjesë të vargut shkëmbor që zbret drejt përroit që në disa pjesë të tij ka mundësi ngjitje. Qeramika e gjetur në sipërfaqe tregon se në këtë periudha gjithë sheshi pas shtegut, platforma e majës shkëmbore si dhe një pjesë e rrafshit në jugë të majës kanë qenë të banuara. Jashtë këtij fortifikimi ka qenë e banuar dhe një pjesë e qafës. Nga kjo periudhë, përveç gjetjeve arkeologjike të lëvizshme (fragmente enësh dhe grih), ne nuk ndeshëm në sipërfaqe mbetje të strukturave të banesave.

Duke u mbështetur në elementët fortifikues të mësipërm, mendojmë që fortifikimi i përket fazës së Hekurit të Hershëm.  Bazuar në tiparet teknike të sistemit fortifikues, të cilat janë të ngjashme me fortifikime të tjera të kësaj lugine si: Bodin, Valsh, Dragostunjë, Qafë Thanë etj. Por që ky përfundim kërkon mbështetje më të plotë arkeologjike.

Fortifikimi i fazës së dytë (periudha antikitetit të vonë) 

Në këtë periudhë është fortifikuar me mur të ndërtuar me gurë mesatarë të lidhur me llaç vetëm shtegu i ngushtë i krijuar midis dy shkëmbinjve, në jug të qafës. Muri u gjet i gjithë i prishur nga ndërhyrjet me ekskavator kohët e fundit dhe vetëm pjesë të shkëputur në përmasa të vogla u gjetën të hedhura poshtë në greminë. Në këta gurë kishte mbetje llaçi që tregon se ato vijnë nga një ndërtim solid që për antikitetin e vonë i përkasin mureve rrethues dhe ndërtimeve kishtare, kurse ato banesave edhe në qytete kanë qenë të ndërtuara me gurë të lidhur me baltë. Meqenëse prania e një kishe është e përjashtuar nga mungesa e sipërfaqeve të mjaftueshme, atëherë këto janë mbetje të murit rrethues. Një gjë të tillë e pohojnë edhe banorë të zonën që kanë parë mbetje të murit me llaç në këtë shteg. Materiali arkeologjik i parë në sipërfaqe është i shpërndarë në tre pjesët e përshtatshme për banim dhe përbëhet nga mbetje tjegullash, fragmente pitosash dhe enë tavoline e kuzhine. Veç tyre u gjetën dhe dy fragmente mokrash. 

Bazuar në teknikën opus incertum të ndërtimit të tij mendojmë që fortifikimi i mësipërm i përket periudhës së Vonë Antike, gjasisht periudhës së Justinianit(527-565).

Bibliografi

AMORE et al. 2005

M. G. Amore – L. Bejko-Y. Cerova – I. Gjipali, Via Egnatia (Albania) Project: Results of  fjeld Work 2002.“JRA”, vol. 18, f.336 – 360.

ZAMPUTI 1965

I.Zamputi, Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë Veriore e të Mesme në shekullin XVII, Tiranë, 237 – 341

Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Tiranë, 1980, 1625.

KUJTILA 2022

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit(Disertacion), Tiranë 2022, f.181-187.

Filed Under: Histori Tagged With: Ervin Kujtila

FORTIFIKIMI PREHISTORIK I ZDRANJSHIT NË ZONËN E LIBRAZHDIT

August 25, 2023 by s p

C:\Users\ERVIN\Desktop\ddddddddddddddddd.jpg

Dr. Ervin KUJTILA

Akademia e Sudimeve Albanologjike

Instituti Arkeologjik/

Vendbanimi i fortifikuar i Zdrajshit, i njohur me emërtimin “Qytetas”, ndodhet rreth 1.5 km në perëndim të fshatit Zdranjshë. Pozicioni gjeo – topografik i tij  i referohet krahun të majtë të rrjedhës Rrapun, afluent lindor i lumit të Shkumbin, në zonën e Çermenikës. Kreshta ku ndodhet fortifikimi me lartësi mbidetare 838 m, ka karakter shkëmbor dhe në pjesën më të madhe të saj është e zhveshur nga vegjetacioni. Ajo ka pozicion dominant dhe strategjik në kontroll të rrugëve që kalonin nëpër luginën e Rrapunit dhe më tej në atë të Shkumbinit.

Pozicioni gjeo – topografik 

Koordinatat: N. 41.16.21   E. 20.14.35   Z. 838 m.

Në pjesën veriore, ku terreni është më pak i thyer,ajo kufizohet me Kodrën e Kuqe dhe Shkëmbin e Haxhiut, në jug me tokat e fshatit Floq, ndërsa juglindje me kodrën e Zabelit të madh dhe përroin e Galonit.  Në anën jugore që të çon poshtë në lumin e Rrapunit, faqet e kodrës bien mjaft pjerrtas. Kjo pozitë e zgjedhur siguronte mbrojtje natyrore për vendbanimin e fortifikuar të Zdranjshit. Qyteza e Zdranjshit është vizituar fillimisht nga studiuesi vendas Sh. Zharri dhe më vonë edhe nga arkeologu A. Koka.

Rilevimi topografik

Planimetria e vendbanimit të fortifikuar është elipsoidale: diametri verilindje – jug-perëndim arrin gjatësinë rreth 200 m dhe ai veriperëndim-juglindje afërsisht 100 m. 

Një shesh i vogël me dimensione përkatësisht 25 x 50 m, ndodhet brenda mureve rrethuese, ku gjenden mjaft fragmente qeramike, si parete enësh. Fortifikimi gjendet në formën e trakteve të rrënuara, dhe vetëm në disa pjesë shihen karakteristikat e tij të përgjithshme. Fortifikimi është i ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë, me lidhje të thatë, si në rastet e fortifikimeve të tjera të këtij tipi në vendin tonë. Fortifikimi ka orientim verilindje-jugperëndim dhe mbron të gjithë anën e arritshme të kreshtës. Vetëm pjesa jugore dhe juglindore bie thikë në lartësi të madhe e cila është thuajse e pamundur të ngjitesh.

Teknika e ndërtimit të fortifikimit prehistorik

Fortifikimi prehistorik është ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe mesatarë të papunuar, me lidhje të thatë. Hapësirat midis gurëve, janë të pambushura. Gjatësia e fortifikimit prehistorik është 251 m, ndërsa lartësia maksimale e ruajtur në anën verilindore është 0.80 m. Gjerësia maksimale e ruajtur është 1.80 – 2.20 m, Blloqet e gurëve janë të një madhësie mesatare me përmasa 0.35 x 0.50 m.

Brenda sipërfaqes së këtij fortifikimi në vitin 2019 u krye një sondazh arkeologjik rezultatet e të cilit do paraqiten më poshtë.

Sondazhi I, me përmasa 2.00 x 1.00 m, u vendos në pjesën e brendshme të faqes verilindore të fortifikimit. Depozitimet kulturore arritën në thellësinë 2.90 m. Përshkrimi i US-ve të këtij sondazhi paraqitet si më poshtë:

US 01: Njësia e parë stratigrafike përfshin thellësitë 0 – 0.20/0.25 m dhe kishte këto karakteristika: dhe i thatë, me ngjyrë kafe të errët, me përmbajtje të lartë humusore. Trashësia e njësisë us. 01 arriti konkretisht në: veri – perëndim 0.20 m, veri – lindje në 0.25 m, në jug perëndim 0.20 m, dhe jug – lindje 0.20 m. Në gjithë hapësirën e sondazhit nuk u gjet asnjë fragment qeramike.

US. 02. 0.20 – 0.70 m. Dhe me ngjyrë kafe të errët i thatë, me grimca gurësh gëlqeror. Thellësia e përgjithshme e sondazhit në këtë njësi arriti përkatësisht në: veri – perëndim 0.70 m, veri – lindje në 0.76 m, në jug perëndim 0.66 m, dhe jug – lindje 0.66 m. Gjetjet ishin të shumta në numër duke filluar, nga paretet që përbënin edhe numrin më të madh, vegje, buzë, funde enësh, si dhe zbukurime, të cilat i përkasin periudhës së Bronzit të Vonë. Po ashtu gjatë gërmimit doli një numër i madh kockash kafshësh. Fragmentet e enëve tipologjikisht i takojnë periudhës prehistorike dhe antikitetit të vonë.

US. 03 0.70– 1.32 m. Dhe argjilor me ngjyrë kafe të çelët i thatë, me përmbajtje të madh të gurëve mesatarë që formonin një shtresë horizontale. Dheu përmbante grimca të shumta karboni. Ky us përmbante shumë fragmente enësh. Depozitimet kulturore i takojnë periudhës Bronzit të Vonë. Ngjyra e dheut u bë edhe me e çelët. Në këtë njësi gurë mesatarë dhe të mëdhenj, të cilët vështirësonin punën e gërmimit. Thellësia e kësaj njësie stratigrafike arriti në: veri – perëndim 1.14 m, veri – lindje në 1.21 m, në jug perëndim 1.15 m, dhe jug – lindje 1.16 m. 

Numri i gjetjeve në këtë njësi stratigrafike  ishte i madh, ku paretet zinin pjesën më të madhe, më pas vegjët e buzët e enëve. Gjithashtu një numër të madh e zinin edhe kockat e kafshëve, të cilat në shumicën e rasteve ishin shumë të dëmtuara të thyera në disa pjesë. Në këtë njësi stratigrafike kishim grimca  qymyri të vogla, por të shumta në numër, që na bën të mendojmë për ekzistencën e një vatre zjarri, por me kaq informacion është vështirë për ta përcaktuar se ku ndodhet. Gjithashtu gjatë gërmimit u zbulua një strall i vogël e cila ishte prerëse që duhet të ketë shërbyer për prerje apo gërryerje. Në profilin e sondazhit duket qartë prezenca e madhe e gurëve, të cilët i  përkasin grupit të gëlqerorëve, ashtu sikurse janë në zonën përreth. 

US. 04 1.32– 1.66 m. Dhe argjilor me lagështirë, ngjyrë kafe e hapur  i vendosur mbi një horizont banimi. Horizonti  II i banimit përfaqësohet nga një gjurmë dyshemeje argjilore të pjekur, me shumë mbetje karboni, të vendosur mbi një platformë gurësh të vegjël në trajtë çaklli. Gjithashtu në këtë njësi vazhdon prezenca e gurëve të vegjël dhe mesatarë. Kjo njësi ndryshe nga us e tjera, kishte një trashësi më të vogël rreth  0.20 – 0.25 m, ku thellësia maksimale arriti konkretisht në: veri – perëndim 1.36 m. Prezenca e qymyrit në këtë us bëhet më e madhe se në us paraardhëse, duke menduar që vatra e zjarrit ka qenë më poshtë. Copat e qymyrit ishin në formën e thërrimeve të vogla dhe shtriheshin në të gjithë tabanin e kësaj njësie stratigrafike, por prezencën më të madhe e kishin në zonën veri – perëndimore. Si në US. 03 edhe këtu kemi një material të shumtë arkeologjik, parete të cilat janë në numër të madh, vegjët, buzët, dhe funde. Depozitimet kulturore  të vendosura mbi këtë dysheme i takojnë periudhës së Bronzit të Vonë. 

US. 05 1.66 – 2.00. Dhe argjilor i lagësht, me ngjyrë kafe e errët. Kjo njësi ishte e vendosur nën US. 04. Me pak gjetje.

US 06-2.00 – 2.40 m. Dhe i shkrifët argjilor me pak lagështirë me ngjyrë kafe të errët. Gjatë gërmimit të njësisë stratigrafike US. 06, dheu është i zi, i shkrifët përshkak të vatrës së zjarrit që kishte ekzistuar. Dyshemeja e horizontit I është vendosur direkt mbi tabanin gjeologjik. Ajo përfaqësohej nga dhe argjilor me ngjyrë kafe të errët dhe gjurmë të shumta karboni. Fragmentet e enëve të kësaj US janë të pakta dhe tipologjikisht lidhen me Bronzin e Hershëm.

US. 07 2.40 – 2.90 m. Tabani gjeologjik përfaqësohet nga dhe i ngjeshur argjilor me ngjyrë kafe në tullë me  lagështi, sterile. 

Stratigrafia

            Sipas sondazhit arkeologjik të realizuar në këtë fortifikim rezulton se depozitimet kulturore të Zdranjshit stratigrafikisht i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm dhe Bronzit të Vonë. Me periudhën e Bronzit të Hershëm lidhen US. 05- 06 (Sond III) dhe US. 04 (Sond IV)..

Analiza kulturore

Klasifikimi i materiali arkeologjik është bërë sipas kriterit kronologjik dhe atij tipologjik. Materiali arkeologjik i përbërë tërësisht nga qeramika kronologjikisht i referohet periudhës së Bronzit të Hershëm, Zdanjsh I dhe asaj të Bronzit të Vonë, Zdranjsh II. 

Shtresa kulturore e Bronzit të Hershëm e emërtuar si Zdranjsh I, përputhet me US 06 – 04 dhe mbulohet pothuajse në pjesën më të madhe nga shtresa kulturore e US 03 që i  përket periudhës së Bronzit të Vonë, e emërtuar Zdranjshë II. Shtresa kulturore Zdranjshë I, me trashësi 0.80 m, përfshin thellësitë 1.30 – 2.10 m, ndërsa shtresa kulturore Zdranjsh II me trashësi 0.60 m, përfshin kuotat 1.32 – 0.70 m.

Shtresa e Bronzit të Hershëm, Zdranjshë I

Fragmentet e enëve që i takojnë Bronzit të Hershëm janë numerikisht të pakta në raport me ato të Bronzit të Vonë. Në pikëpamjen teknologjike qeramika i përket me shumicë asaj me fakturë të trashë dhe asaj mesatare. Karakteristikë për qeramikën e kësaj shtrese është sitja dhe pastrimi i dheut, pjekja e mirë e njëtrajtshme, dhe lyerja me ajkë lëmuese me ngjyrë kafe të errët ose më të hapur. Bazuar në tiparet morfologjiko- strukturore, rezulton se enët e kësaj periudhe përfaqësohen nga dy tipe kryesore: 

  1. Tasa me buzë të sheshtë;
  2. Enë me buzë të prerë pjerrtas.

a. Tipi I, ndahet në dy nën tipe:

I.a.1 Nëntipi i parë përfaqësohet nga tasat me buzë të sheshta, që janë një nga format karakteristike të kësaj shtrese. Trashësia e pareteve lëviz nga 0.4 – 1 cm, ndërsa diametri 18 – 20 cm. Enë të tilla me këto karakteristika i gjejmë edhe në: Zagorë I, Kukum I, Maliq IIIa-b. Gajtan I, Shkodër Ia-b. Topojan III, Manasdren I, Ganjollë I.

I.a.2 Tenxhere me buzë të sheshta, të zbukuruara me gropëzime gishti. Ky tip përfaqësohet nga enë masive, me fakturë trashanike, trashësia e pareteve arrin deri 1.5 cm. Zakonisht janë me përmasa të mëdha me diametër deri në 29 cm.Enë të këtij tipi me këto karakteristika i gjejmë në: Zagorë I, Maliq IIIa-b. Sovjan V, Shkodër Ia – b, Topojan III, Manasdren I.

Tipi II ndahet në dy nën tipe:

II.1 Tenxhere me grykë gjerë dhe buzë të sheshta. Ky tip përbëhet nga ekzemplarë me fakturë mesatare dhe trashanike, me pjekje të njëtrajtshme e plotë, me trashësi muri nga 0.8 – 1.2 cm, dhe diametër të madh 21 – 22 cm. 

Enë të tilla me këto karakteristika i gjejmë edhe në: Zagorë I, Maliq IIIa-b. Sovjan V, Shkodër Ia-b. Topojan III, Manasdren I.

II.2 Tasa konikë më buzë të sheshta. Ky tip përbëhet nga qeramikë me fakturë mesatare, pjekje të njëtrajtshme e plotë, me trashësi muri 0.4 – 1.2 cm. Dhe me një diametër 18 – 20 cm. 

Enë të tilla me këto karakteristika i gjejmë edhe në: Zagorë I, Maliq IIIa-b. Kukum I, Sovjan V, Shkodër Ia-b. Topojan III, Nezir IIIa,  Manasdren I.

Katalogu i qermikës, me veçoritë morfo-strukturore dhe analogjitë përkatëse, mundësojnë datimin e qeramikës së kësaj shtrese në periudhën e Bronzit të Hershëm, me të cilën  pajtohen dhe të dhënat stratigrafiko-kulturore të paraqitura më lart. 

Si përfundim mund të themi se fillimet  e banimit të fortifikimi të Zdranjshit i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm. Bazuar në të dhënat e mësipërme, si dhe  në pozicionin e favorshëm gjeo – topografik të kësaj qyteze, ashtu si dhe në rastin e Orenjës mendojmë se gjatë kësaj periudhe ajo shërbente kryesisht si vendbanim baritor me karakter sezonal.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Ervin Kujtila

SISTEMI FORTIFIKUES I LUGINËS SË SHKUMBINIT

July 27, 2023 by s p

Dr. Ervin KUJTILA

Akademia e Sudimeve Albanologjike

Instituti Arkeologjik/

Lugina e Shkumbinit është korridori më i rëndësishëm natyror që përshkon Shqipërinë në mënyrë transversale nga lindja në perëndim, përkatësisht nga Valamara dhe Mokra në Adriatik. Kushtet e përshtatshme gjeo – klimatike dhe bio – ekonomike të kësaj lugine kanë kushtëzuar banimin e saj që në periudhat më të hershme të prehistorisë, duke filluar që nga Neoliti i Hershëm, siç kanë dëshmuar gërmimet arkeologjike të kryera në Rrajcë dhe Rashtan. 

Kjo luginë ka shërbyer gjatë gjithë periudhave parahistorike dhe historike jo vetëm si arterie kryesore komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit. Nëpërmjet këtij korridori natyror kanë lëvizur kultura të ndryshme dhe bartësit e tyre, duke filluar nga grupet neolitike anatolo – ballkanike dhe deri tek transhumancat eneolitike apo ato të Bronzit të Hershëm. Në funksion të mbrojtjes së kësaj arterie rrugore që në epokën e Bronzit ndërtohen disa fortifikime prehistorike në të dy anët e kësaj lugine lumore. Pikërisht për këtë atribut të saj, lugina e Shkumbinit u përzgjodh nga Perandoria Romake për të ndërtuar rrugën Egnatia në shekujt e parë të erës sonë, në kohën e ekspansionit të saj më të madh në drejtim të Ballkanit kontinental dhe të Lindjes. Gjithashtu, kjo luginë është konsideruar edhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore kryesore kulturore të epokës së hekurit të Ilirisë së Jugut, atij Glasinac-Mat në veri dhe grupit  Devollit në jug.

KARAKTERISTIKE THELBËSORE PËR FORTIFIKIMET PREHISTORIKE

Karakteristike thelbësore për fortifikimet prehistorike është planimetria e tyre eliptike apo ovale, pa kulla mbrojtëse dhe me një hyrje  që formohet nga ndërprerja e murrit në vendin më të përshtatshëm të komunikimit. Këto vendbanime kanë një sipërfaqe nga 1-2 ha. Zakonisht vendbanimi vendoset brenda fortifikimit prehistorik, por njihen edhe raste ku vendbanimi është vendosur jashtë tij. 

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, në raport me rrjedhën e lumit, ndahen në dy grupe të mëdha:

  1. Fortifikime të krahut lindor;
  2. Fortifikime të krahut perëndimor.

Në fortifikimet e krahut lindor bëjnë pjesë fortifikimet e Qafë Thanës, Dragostunjës, Orenjës, Zdranjshit, Funarës, Shkëmbit Mbret, Gracenit, Bixëllenjës, Bodinit, Saragut dhe Sofra e Skëndërbeut. 

Në fortifikimet e krahut perëndimor përfshihen fortifikimet e Selcës së Poshtme, Bërzeshtës, Qukës Skëndërbe, Lleshanit, Valshit dhe Belshit.  

Trajtimi i fortifikimeve të luginës së Shkumbinit fiton një vlerë të veçantë historiko-kulturore, për atributin  jashtëzakonisht të rëndësishëm komunikues të saj, si dhe për faktin se është pikërisht kjo luginë që ka shërbyer dhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore ilire, atij Glasinac – Mat në veri dhe grupit Devollit në jug.

Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, janë evidentuar qysh herët nga studiuesit e mëparshëm. Është fjala vetëm për vrojtime sipërfaqësore e të kryera nga studiuesit N. Ceka, L. Papajani, A. Baçe, I. Gjipali dhe A. Koka. Gërmime arkeologjike janë kryer vetëm në fortifikimin e Lleshanit nga  R. Hasa, por rezultatet e plota të tyre akoma nuk janë botuar, si dhe në Gradishtën e Belshit nga N. Ceka.

Rëndësia e madhe dhe impakti i jashtëzakonshëm social-historik dhe kulturor që lugina e Shkumbinit luan në zhvillimet pre dhe protohistorike dhe ato antiko-mesjetare të vendit, kushtëzon studimin më të thelluar të sistemit fortifikues të kësaj lugine gjatë prehistorisë së vonë, përkatësisht gjatë periudhës së vonë të epokës së Bronzit (shek. XIII – XII para Kr.), gjatë fazës së hershme të epokës së Hekurit (shek. VIII – VII para Kr.) dhe gjatë periudhës arkaike ose protourbane (shek. VI – V para Kr.)  

Njohja më e plotë e sistemit fortifikues të këtij koridori të rëndësishëm rrrugor, bazë e mëvonshme e Via EGNATIAS, krijon një përfytyrim më të plotë mbi këtë dukuri arkeologjike, si reflektim i nevojave për mbrojtje të banorëve të këtij rajoni, gjatë periudhave pre dhe protohistorike.

Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër relativisht i madh fortifikimesh prehistorike, që krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. Është fjala për më shumë se 20 fortifikime prehistorike dhe protohistorike, që e shoqërojnë luginën e Shkumbinit në të gjithë gjatësinë e sipërme dhe të mesme të saj. Ato fillojnë nga fortifikimi i Selcës së Poshtme dhe Qafë-Thanës në jug dhe vazhdojnë deri në fortifikimin e Saragut dhe të Belshit në perëndim. Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër i madh fortifikimesh prehistorike, të cilat krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. 

FORTIFIKIMET E BRONZIT TË VONË

Fortifikimet e Bronzit të Vonë, ngrihen në kreshta të fortifikuara dobët, me një teknikë primitive ndërtimi, në përputhje me potencialin e dobët ekonomik dhe presionin e rrezikut të jashtëm. Fortifikohen vetëm anët pa mbrojtje natyrore. Muret rrethojnë sipërfaqe të vogla rreth 1 – 2 ha. Muret ndjekin linjë të përkulur, pa kënde e kthesa, sipas terrenit. Muret përbëhen nga dy faqet dhe mbushja midis tyre. Gurët janë të papunuar, pa material lidhës. Faqja e brendshme shpesh formon linjë të çrregullt. Nuk përdoren pyka për mbushjen e fugave. Gjerësia e mureve lëviz nga 2.20 – 3.50 m. Planimetria është eliptike ose oblike, pa forma gjeometrike. 

Fortifikimet e periudhës së hekurit të hershëm vendosen në tarraca lumore dhe kodrinore pika dominuese. Zbatohen teknika më të përparuara ndërtimore dhe krijohen sisteme të fuqishme fortifikuese. Shfaqet përpjekja e parë për të nxjerrë faqen kryesore të gurëve në fasadë. Përdoren pykat për mbushjen e fugave. Ritet sipërfaqja e vendbanimeve të fortifikuara deri në 10 – 20 ha. Vendbanimi i rrethohet me 1-3 radhë muresh. Ruhet koncepti planimetrik që mbështetet në linjën e harkuar të murit, pa kënde e kthesa, me hyrje të pakta e të ngushta. Përdoren disa elementë të rinj konstruktiv, si vendosja e hyrjeve në vendet më të pjerrëta (Gajtan), ndërtimi i mureve parapritë për mbrojtjen e hyrjes (Karos, Lleshan), muri i brendshëm që përshkon sistemin fortifikues, ndarja e akropolit nga muri rrethues etj. Krijohen sisteme fortifikuese për zona e rajone të veçanta, që në pikëpamje hapësinore mbrojnë territorin e një federate fisnore, të cilat formohen pikërisht në këtë kohë. Vendbanimet janë qendra fisesh ose bashkësish fisnore.

Fortifikimet e periudhës arkaike vendosen pranë rrugëve tregtare e burimeve ekonomike. Fortifikimet ndërtohen me një teknikë më të përparuar. Planimetria eliptike fiton përdorimin e këndeve e kthesave, pa aplikuar kullat. Nxirret faqja kryesore e gurit në fasadë. Shfaqet koncepti i rreshtit të gurëve në Kalivo. Shfaqet përpunimi i gurëve me çekan, dhënia e formave katërkëndëshe, që i avitet murimit poligonal fillestar. Qendrat prourbane lindën edhe jashtë vendbanimeve të fortifikuara paraurbane, të orientuara nga zhvillimi i zejtarisë e tregtisë. Qendrat e fortifikuara përmbanin gjatë periudhës protourbane premisat që përgatitën lindjen e qytetit të mirëfilltë antik, kurse vendbanimet e hapura fshatin antik. Evolucioni i vendbanimeve të fortifikuara që nga bronzi i vonë deri në periudhën arkaike, buron nga zhvillimi i brendshëm ekonomiko – shoqëror, që shënon rezultanten e zhvillimit historik të Ilirisë së Jugut drejt procesit urbanizues, fillimet e të cilit materializohen në fund të shek. V dhe fillim të shek. IV para Kr.

Fortifikimet prehistorike përfaqësojnë një tip mjaft interesant dhe të rëndësishëm të vendbanimeve prehistorike në Shqipëri. Studimet arkeologjike kanë dëshmuar  ekzistencën e sistemeve të organizuara fortifikuese sipas rajonizimeve gjeografiko-kulturorë të territorit të Shqipërisë. Këto sisteme fortifikuese janë konfirmuar në rajonet e Shqipërisë veriperëndimore, Shqipërisë Lindore, Shqipërisë Juglindore, asaj Jugperëndimore dhe Shqipërisë qëndrore. Rajoni i Shqipërisë qendrore territorialisht i lidhur me luginën e Shkumbinit përbën dhe thelbin e këtij punimi. 

NË FUSHËN E ARKEOLOGJISË PREHISTORIKE

Në fushën e arkeologjisë prehistorike, studimi i fortifikimeve dhe sistemeve mbrojtëse të tyre paraqet një drejtim të veçantë dhe të rëndësishëm të studimeve prehistorike. Kjo çështje ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve shqiptarë. Janë propozuar disa skema kronologjike të tipologjisë së fortifikimeve prehistorike, që në thelb shprehin nivelin e kërkimit dhe mendimit arkeologjik në këtë fushë studimi. Megjithëse nuk mund të konsiderohen përfundimtare ato shërbejnë si mbështetje për studime më të thelluara të fortifikimeve prehistorike në vendin tonë. Edhe pse shumica e fortifikimeve prehistorike në Shqipëri i referohen periudhës së Bronzit të Vonë dhe Hekurit të Hershëm, fortifikimet  prehistorike në Shqipëri shfaqen që në periudhën e Bronzin e Hershëm. Dy janë fortifikimet e Bronzit të Hershëm të njohura deri më sot,  fortifikimi i Ganjollës në rajonin e Shkodrës dhe fortifikimi i Kukumit në Himarë. 

Kërkimet arkeologjike të viteve të fundit të kryera në luginën e Shkumbinit konfirmuan për herë të parë se depozitimet më të hershme kulturore të vendbanimeve të fortifikuara i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm. Ky përfundim arkeologjikisht është dokumentuar në fortifikimet e Orenjës dhe të Zdranjshit. Në kuptimin historiko-kulturor ky konstatim është mjaft i rëndësishëm pasi e zgjeron hapësirën gjeografiko-kulturore të shtrirjes së Bronzit të Hershëm në vendbanimet prehistorike të vendit tonë. Përveç depozitimeve kulturore të kësaj periudhe të njohura deri më sot të kalasë së Rozafës (Shkodër Ia-b), kalasë së Ganjollës (Shkodër), dhe asaj të Kukumit në Himarë, harta e shtrirjes së tyre përfshin tashmë edhe dy fortifikimet e sipërpërmendura të luginës së Shkumbinit, përkatësisht qytezën e Orenjës dhe atë të Zdranjshit. 

Megjithëse stratigrafikisht është dëshmuar se fillimi i jetës në këto qyteza i referohet periudhës së Bronzit të Hershëm, ende nuk mund të thuhet që fortifikimi prehistorik i tyre, mund të lidhet me këtë periudhë të hershme të epokës së Bronzit. Ky përfundim është në përputhje me të dhënat stratigrafike, pasi niveli i fillimit të fortifikimit prehistorik në Orenjë stratigrafikisht përputhet me fillimet e shtresës së Bronzit të Vonë. Për këtë arsye, në pikëpamje stratigrafike kulturore fortifikimi prehistorik i Orenjës i referohet periudhës së Bronzit të Vonë.Ky fortifikim në pikëpamje të konceptit fortifikues dhe të teknikës së ndërtimit është i ngjashëm me fortifikimet prehistorike të Zdranjshit dhe të Lleshanit në luginën e Shkumbinit.

Sondazhet e realizuara në fortifikimet prehistorike të Orenjës dhe Zdranjshit të luginës së Shkumbinit, mundësuan njohjen më të plotë të zhvillimit kronologjik të jetës së tyre. Kështu në Orenjë u përftuan të dhëna stratigrafiko-kulturore që e mbështesin zhvillimin e jetës në këtë vendbanim, në 3 faza kronologjike të emërtuara Orenjë I-II-III, përkatësisht të lidhura me Bronzin e Hershëm, Bronzin e Vonë dhe periudhën e vonë antike. Ndërsa në fortifikimin e Zdranjshit, u fiksuan dy faza kronologjiko-kulturore zhvillimi, Zdranjsh I dhe II, që i referohen përkatësisht periudhës së Bronzit të Hershëm dhe asaj të Bronzit të Vonë. 

Bazuar në materialin arkeologjik, rezulton se jeta në qytezën e Orenjës ka kaluar në tre faza, që dallohen nga intensiteti dhe karakteri. Faza e parë është periudha e Bronzit të Hershëm. Faza e dytë i përket periudhës së Bronzit të Vonë dhe faze e tretë periudhës së Antikitetit të Vonë.

FAZA E DYTË E ZHVILLIMIT TË FORTIFIKIMEVE NË LUGINËN E SHKUMBINIT

Faza e dytë e zhvillimit të fortifikimeve në luginën e Shkumbinit i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit. 

Gjatë kësaj periudhe intensifikohen fortifikimet prehistorike dhe ritet ndjeshëm numri i tyre në raport me periudhën e Bronzit të Vonë. Nga 6 fortifikime të klasifikuara si të Bronzit të Vonë, numri i tyre tani shkon në 12. Duke u nisur nga lindja drejt perëndimit, sipas rjjedhës së Shkumbinit, fortifikime të tilla gjenden në Qafë-Thanë, Dragostunjë, Funarës, Valsh, Bodin, Qytek, Shkëmbi mbret, Ballë, Shën Mëria, Bixëllenjë dhe shkëmbin e  Shën Lliut.

Në disa nga këto fortifikime, ruhen dy linja murreth rrethuese, përkatësisht të lidhura me periudhën e zhvilluar të Hekurit dhe periudhën e vonë antike. Rasti më i qartë përfaqësohet nga Dragostunja, ku Dragostunjë I i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit (Dragostunjë I- shek. VIII-VII para Kr.) dhe Dragostunja II periudhës së vonë antike.

Gjatë kësaj periudhe vihet re lëvizja e vendbanimeve të fortifikuara më afër luginës së Shkumbinit dhe rrugës që kalonte përgjatë saj.

Në periudhën e Hekurit të Hershëm përveç ndryshimeve në karakterin e fortifikimeve është vënë re edhe zgjedhja e vendit për ngritjen e këtyre fortifikimeve. Afërsia ndaj burimeve ekonomike duket që ishte kusht parësor për banorët e asaj periudhe. Minierat, rrugët, ujërat apo edhe tokat bujqësore kanë qenë elementët që banorët merrnin parasysh gjatë ngritjes së fortifikimeve. Gjithashtu element i rëndësishëm është miniera e Pishkashit e cila ndodhet në luginën e Shkumbinit, që mendohet ti ketë shërbyer banorëve të këtyre trevave. Në luginën e Shkumbinit vihet re se gjatë periudhës së hekurit të hershëm, janë braktisur shumë fortifikimeve të epokës së bronzit të vonë. Gjatë kësaj kohe banorët filluan të lëvizin nga lartësitë drejt fushave, tarracave lumore dhe rrugëve tregtare, duke braktisur në këtë mënyrë edhe vendbanimet e vjetra si Dragostunja. Pikërisht këto kushte kanë bërë të mundur që vendbanimet e kësaj periudhe të ngriheshin pranë rrugëve të komunikacionit, ose mbi fusha dhe kodrina në lartësi relativisht të vogla.  

Fortifikime të periudhës arkaike ndeshen në 5 raste (Selcë, Lunik, Gracen, Belsh, Sarag)

Nevoja për akumulimin e të mirave materiale, kontrolli i territorit dhe pasurive natyrore, si dhe diferencimi shoqëror, mendohet të ketë qenë burim i konflikteve dhe luftërave ndërfisnore gjatë kësaj periudhe. 

Duke qenë pjesë e këtij ndryshimi të madh edhe banorët e luginës së Shkumbinit janë detyruar të ndryshonin mënyrën e tyre të jetesës. Lindja e fortifikimeve të kësaj periudhe shihet si pasojë e këtyre konflikteve të vazhdueshme dhe pasigurisë, si dhe lindjes së një elite ushtarake e aftë për të ndërmarrë ndërtime në një shkallë të gjerë, të cilat kërkonin një pushtet qendror shumë të organizuar. 

Këto qendra të fortifikuara ndërtohen me mure me linja të thjeshta të planimetrisë, me kulla dhe hyrje të pakta, me gurë në forma trapezoidale me faqe të sheshta, që në një terren fushor kalojnë në forma poligonale. Në kodrën e Saragut pranë Derevenit të Bishqemit, vihet re e njëjta skemë planimetrike, me kulla katërkëndëshe me dalje të cekët dhe hyrje në korridor. Format e gurëve janë katërkëndëshe me punim të rrafshët të faqes.

Sistemi fortifikues prehistorik dhe i Antikitetit të Vonë i luginës së Shkumbinit është reflektim i nevojës për kontrollin dhe mbrojtjen e këtij aksi të rëndësishëm rrugor, ku siç dihet në periudhën romake do të ndërtohet rruga Egnatia. 

Trakt  i  fortifikimit prehistorik të Orenjës

Trakt  i  fortifikimit prehistorik Zdranjsh

  Hartë gjeo – topografike e luginës së Shkumbinit dhe fortifikimet e saj

Filed Under: Histori Tagged With: Ervin Kujtila

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT