Dr. Ervin KUJTILA
Akademia e Sudimeve Albanologjike
Instituti Arkeologjik/
Lugina e Shkumbinit është korridori më i rëndësishëm natyror që përshkon Shqipërinë në mënyrë transversale nga lindja në perëndim, përkatësisht nga Valamara dhe Mokra në Adriatik. Kushtet e përshtatshme gjeo – klimatike dhe bio – ekonomike të kësaj lugine kanë kushtëzuar banimin e saj që në periudhat më të hershme të prehistorisë, duke filluar që nga Neoliti i Hershëm, siç kanë dëshmuar gërmimet arkeologjike të kryera në Rrajcë dhe Rashtan.
Kjo luginë ka shërbyer gjatë gjithë periudhave parahistorike dhe historike jo vetëm si arterie kryesore komunikimi midis Lindjes dhe Perëndimit. Nëpërmjet këtij korridori natyror kanë lëvizur kultura të ndryshme dhe bartësit e tyre, duke filluar nga grupet neolitike anatolo – ballkanike dhe deri tek transhumancat eneolitike apo ato të Bronzit të Hershëm. Në funksion të mbrojtjes së kësaj arterie rrugore që në epokën e Bronzit ndërtohen disa fortifikime prehistorike në të dy anët e kësaj lugine lumore. Pikërisht për këtë atribut të saj, lugina e Shkumbinit u përzgjodh nga Perandoria Romake për të ndërtuar rrugën Egnatia në shekujt e parë të erës sonë, në kohën e ekspansionit të saj më të madh në drejtim të Ballkanit kontinental dhe të Lindjes. Gjithashtu, kjo luginë është konsideruar edhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore kryesore kulturore të epokës së hekurit të Ilirisë së Jugut, atij Glasinac-Mat në veri dhe grupit Devollit në jug.
KARAKTERISTIKE THELBËSORE PËR FORTIFIKIMET PREHISTORIKE
Karakteristike thelbësore për fortifikimet prehistorike është planimetria e tyre eliptike apo ovale, pa kulla mbrojtëse dhe me një hyrje që formohet nga ndërprerja e murrit në vendin më të përshtatshëm të komunikimit. Këto vendbanime kanë një sipërfaqe nga 1-2 ha. Zakonisht vendbanimi vendoset brenda fortifikimit prehistorik, por njihen edhe raste ku vendbanimi është vendosur jashtë tij.
Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, në raport me rrjedhën e lumit, ndahen në dy grupe të mëdha:
- Fortifikime të krahut lindor;
- Fortifikime të krahut perëndimor.
Në fortifikimet e krahut lindor bëjnë pjesë fortifikimet e Qafë Thanës, Dragostunjës, Orenjës, Zdranjshit, Funarës, Shkëmbit Mbret, Gracenit, Bixëllenjës, Bodinit, Saragut dhe Sofra e Skëndërbeut.
Në fortifikimet e krahut perëndimor përfshihen fortifikimet e Selcës së Poshtme, Bërzeshtës, Qukës Skëndërbe, Lleshanit, Valshit dhe Belshit.
Trajtimi i fortifikimeve të luginës së Shkumbinit fiton një vlerë të veçantë historiko-kulturore, për atributin jashtëzakonisht të rëndësishëm komunikues të saj, si dhe për faktin se është pikërisht kjo luginë që ka shërbyer dhe si kufi konvencional midis dy grupeve kulturore ilire, atij Glasinac – Mat në veri dhe grupit Devollit në jug.
Fortifikimet prehistorike përgjatë luginës së Shkumbinit, janë evidentuar qysh herët nga studiuesit e mëparshëm. Është fjala vetëm për vrojtime sipërfaqësore e të kryera nga studiuesit N. Ceka, L. Papajani, A. Baçe, I. Gjipali dhe A. Koka. Gërmime arkeologjike janë kryer vetëm në fortifikimin e Lleshanit nga R. Hasa, por rezultatet e plota të tyre akoma nuk janë botuar, si dhe në Gradishtën e Belshit nga N. Ceka.
Rëndësia e madhe dhe impakti i jashtëzakonshëm social-historik dhe kulturor që lugina e Shkumbinit luan në zhvillimet pre dhe protohistorike dhe ato antiko-mesjetare të vendit, kushtëzon studimin më të thelluar të sistemit fortifikues të kësaj lugine gjatë prehistorisë së vonë, përkatësisht gjatë periudhës së vonë të epokës së Bronzit (shek. XIII – XII para Kr.), gjatë fazës së hershme të epokës së Hekurit (shek. VIII – VII para Kr.) dhe gjatë periudhës arkaike ose protourbane (shek. VI – V para Kr.)
Njohja më e plotë e sistemit fortifikues të këtij koridori të rëndësishëm rrrugor, bazë e mëvonshme e Via EGNATIAS, krijon një përfytyrim më të plotë mbi këtë dukuri arkeologjike, si reflektim i nevojave për mbrojtje të banorëve të këtij rajoni, gjatë periudhave pre dhe protohistorike.
Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër relativisht i madh fortifikimesh prehistorike, që krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë. Është fjala për më shumë se 20 fortifikime prehistorike dhe protohistorike, që e shoqërojnë luginën e Shkumbinit në të gjithë gjatësinë e sipërme dhe të mesme të saj. Ato fillojnë nga fortifikimi i Selcës së Poshtme dhe Qafë-Thanës në jug dhe vazhdojnë deri në fortifikimin e Saragut dhe të Belshit në perëndim. Përgjatë luginës së Shkumbinit janë ndërtuar një numër i madh fortifikimesh prehistorike, të cilat krijojnë një sistem të plotë fortifikues për gjithë këtë zonë.
FORTIFIKIMET E BRONZIT TË VONË
Fortifikimet e Bronzit të Vonë, ngrihen në kreshta të fortifikuara dobët, me një teknikë primitive ndërtimi, në përputhje me potencialin e dobët ekonomik dhe presionin e rrezikut të jashtëm. Fortifikohen vetëm anët pa mbrojtje natyrore. Muret rrethojnë sipërfaqe të vogla rreth 1 – 2 ha. Muret ndjekin linjë të përkulur, pa kënde e kthesa, sipas terrenit. Muret përbëhen nga dy faqet dhe mbushja midis tyre. Gurët janë të papunuar, pa material lidhës. Faqja e brendshme shpesh formon linjë të çrregullt. Nuk përdoren pyka për mbushjen e fugave. Gjerësia e mureve lëviz nga 2.20 – 3.50 m. Planimetria është eliptike ose oblike, pa forma gjeometrike.
Fortifikimet e periudhës së hekurit të hershëm vendosen në tarraca lumore dhe kodrinore pika dominuese. Zbatohen teknika më të përparuara ndërtimore dhe krijohen sisteme të fuqishme fortifikuese. Shfaqet përpjekja e parë për të nxjerrë faqen kryesore të gurëve në fasadë. Përdoren pykat për mbushjen e fugave. Ritet sipërfaqja e vendbanimeve të fortifikuara deri në 10 – 20 ha. Vendbanimi i rrethohet me 1-3 radhë muresh. Ruhet koncepti planimetrik që mbështetet në linjën e harkuar të murit, pa kënde e kthesa, me hyrje të pakta e të ngushta. Përdoren disa elementë të rinj konstruktiv, si vendosja e hyrjeve në vendet më të pjerrëta (Gajtan), ndërtimi i mureve parapritë për mbrojtjen e hyrjes (Karos, Lleshan), muri i brendshëm që përshkon sistemin fortifikues, ndarja e akropolit nga muri rrethues etj. Krijohen sisteme fortifikuese për zona e rajone të veçanta, që në pikëpamje hapësinore mbrojnë territorin e një federate fisnore, të cilat formohen pikërisht në këtë kohë. Vendbanimet janë qendra fisesh ose bashkësish fisnore.
Fortifikimet e periudhës arkaike vendosen pranë rrugëve tregtare e burimeve ekonomike. Fortifikimet ndërtohen me një teknikë më të përparuar. Planimetria eliptike fiton përdorimin e këndeve e kthesave, pa aplikuar kullat. Nxirret faqja kryesore e gurit në fasadë. Shfaqet koncepti i rreshtit të gurëve në Kalivo. Shfaqet përpunimi i gurëve me çekan, dhënia e formave katërkëndëshe, që i avitet murimit poligonal fillestar. Qendrat prourbane lindën edhe jashtë vendbanimeve të fortifikuara paraurbane, të orientuara nga zhvillimi i zejtarisë e tregtisë. Qendrat e fortifikuara përmbanin gjatë periudhës protourbane premisat që përgatitën lindjen e qytetit të mirëfilltë antik, kurse vendbanimet e hapura fshatin antik. Evolucioni i vendbanimeve të fortifikuara që nga bronzi i vonë deri në periudhën arkaike, buron nga zhvillimi i brendshëm ekonomiko – shoqëror, që shënon rezultanten e zhvillimit historik të Ilirisë së Jugut drejt procesit urbanizues, fillimet e të cilit materializohen në fund të shek. V dhe fillim të shek. IV para Kr.
Fortifikimet prehistorike përfaqësojnë një tip mjaft interesant dhe të rëndësishëm të vendbanimeve prehistorike në Shqipëri. Studimet arkeologjike kanë dëshmuar ekzistencën e sistemeve të organizuara fortifikuese sipas rajonizimeve gjeografiko-kulturorë të territorit të Shqipërisë. Këto sisteme fortifikuese janë konfirmuar në rajonet e Shqipërisë veriperëndimore, Shqipërisë Lindore, Shqipërisë Juglindore, asaj Jugperëndimore dhe Shqipërisë qëndrore. Rajoni i Shqipërisë qendrore territorialisht i lidhur me luginën e Shkumbinit përbën dhe thelbin e këtij punimi.
NË FUSHËN E ARKEOLOGJISË PREHISTORIKE
Në fushën e arkeologjisë prehistorike, studimi i fortifikimeve dhe sistemeve mbrojtëse të tyre paraqet një drejtim të veçantë dhe të rëndësishëm të studimeve prehistorike. Kjo çështje ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesve shqiptarë. Janë propozuar disa skema kronologjike të tipologjisë së fortifikimeve prehistorike, që në thelb shprehin nivelin e kërkimit dhe mendimit arkeologjik në këtë fushë studimi. Megjithëse nuk mund të konsiderohen përfundimtare ato shërbejnë si mbështetje për studime më të thelluara të fortifikimeve prehistorike në vendin tonë. Edhe pse shumica e fortifikimeve prehistorike në Shqipëri i referohen periudhës së Bronzit të Vonë dhe Hekurit të Hershëm, fortifikimet prehistorike në Shqipëri shfaqen që në periudhën e Bronzin e Hershëm. Dy janë fortifikimet e Bronzit të Hershëm të njohura deri më sot, fortifikimi i Ganjollës në rajonin e Shkodrës dhe fortifikimi i Kukumit në Himarë.
Kërkimet arkeologjike të viteve të fundit të kryera në luginën e Shkumbinit konfirmuan për herë të parë se depozitimet më të hershme kulturore të vendbanimeve të fortifikuara i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm. Ky përfundim arkeologjikisht është dokumentuar në fortifikimet e Orenjës dhe të Zdranjshit. Në kuptimin historiko-kulturor ky konstatim është mjaft i rëndësishëm pasi e zgjeron hapësirën gjeografiko-kulturore të shtrirjes së Bronzit të Hershëm në vendbanimet prehistorike të vendit tonë. Përveç depozitimeve kulturore të kësaj periudhe të njohura deri më sot të kalasë së Rozafës (Shkodër Ia-b), kalasë së Ganjollës (Shkodër), dhe asaj të Kukumit në Himarë, harta e shtrirjes së tyre përfshin tashmë edhe dy fortifikimet e sipërpërmendura të luginës së Shkumbinit, përkatësisht qytezën e Orenjës dhe atë të Zdranjshit.
Megjithëse stratigrafikisht është dëshmuar se fillimi i jetës në këto qyteza i referohet periudhës së Bronzit të Hershëm, ende nuk mund të thuhet që fortifikimi prehistorik i tyre, mund të lidhet me këtë periudhë të hershme të epokës së Bronzit. Ky përfundim është në përputhje me të dhënat stratigrafike, pasi niveli i fillimit të fortifikimit prehistorik në Orenjë stratigrafikisht përputhet me fillimet e shtresës së Bronzit të Vonë. Për këtë arsye, në pikëpamje stratigrafike kulturore fortifikimi prehistorik i Orenjës i referohet periudhës së Bronzit të Vonë.Ky fortifikim në pikëpamje të konceptit fortifikues dhe të teknikës së ndërtimit është i ngjashëm me fortifikimet prehistorike të Zdranjshit dhe të Lleshanit në luginën e Shkumbinit.
Sondazhet e realizuara në fortifikimet prehistorike të Orenjës dhe Zdranjshit të luginës së Shkumbinit, mundësuan njohjen më të plotë të zhvillimit kronologjik të jetës së tyre. Kështu në Orenjë u përftuan të dhëna stratigrafiko-kulturore që e mbështesin zhvillimin e jetës në këtë vendbanim, në 3 faza kronologjike të emërtuara Orenjë I-II-III, përkatësisht të lidhura me Bronzin e Hershëm, Bronzin e Vonë dhe periudhën e vonë antike. Ndërsa në fortifikimin e Zdranjshit, u fiksuan dy faza kronologjiko-kulturore zhvillimi, Zdranjsh I dhe II, që i referohen përkatësisht periudhës së Bronzit të Hershëm dhe asaj të Bronzit të Vonë.
Bazuar në materialin arkeologjik, rezulton se jeta në qytezën e Orenjës ka kaluar në tre faza, që dallohen nga intensiteti dhe karakteri. Faza e parë është periudha e Bronzit të Hershëm. Faza e dytë i përket periudhës së Bronzit të Vonë dhe faze e tretë periudhës së Antikitetit të Vonë.
FAZA E DYTË E ZHVILLIMIT TË FORTIFIKIMEVE NË LUGINËN E SHKUMBINIT
Faza e dytë e zhvillimit të fortifikimeve në luginën e Shkumbinit i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit.
Gjatë kësaj periudhe intensifikohen fortifikimet prehistorike dhe ritet ndjeshëm numri i tyre në raport me periudhën e Bronzit të Vonë. Nga 6 fortifikime të klasifikuara si të Bronzit të Vonë, numri i tyre tani shkon në 12. Duke u nisur nga lindja drejt perëndimit, sipas rjjedhës së Shkumbinit, fortifikime të tilla gjenden në Qafë-Thanë, Dragostunjë, Funarës, Valsh, Bodin, Qytek, Shkëmbi mbret, Ballë, Shën Mëria, Bixëllenjë dhe shkëmbin e Shën Lliut.
Në disa nga këto fortifikime, ruhen dy linja murreth rrethuese, përkatësisht të lidhura me periudhën e zhvilluar të Hekurit dhe periudhën e vonë antike. Rasti më i qartë përfaqësohet nga Dragostunja, ku Dragostunjë I i referohet periudhës së hershme të epokës së Hekurit (Dragostunjë I- shek. VIII-VII para Kr.) dhe Dragostunja II periudhës së vonë antike.
Gjatë kësaj periudhe vihet re lëvizja e vendbanimeve të fortifikuara më afër luginës së Shkumbinit dhe rrugës që kalonte përgjatë saj.
Në periudhën e Hekurit të Hershëm përveç ndryshimeve në karakterin e fortifikimeve është vënë re edhe zgjedhja e vendit për ngritjen e këtyre fortifikimeve. Afërsia ndaj burimeve ekonomike duket që ishte kusht parësor për banorët e asaj periudhe. Minierat, rrugët, ujërat apo edhe tokat bujqësore kanë qenë elementët që banorët merrnin parasysh gjatë ngritjes së fortifikimeve. Gjithashtu element i rëndësishëm është miniera e Pishkashit e cila ndodhet në luginën e Shkumbinit, që mendohet ti ketë shërbyer banorëve të këtyre trevave. Në luginën e Shkumbinit vihet re se gjatë periudhës së hekurit të hershëm, janë braktisur shumë fortifikimeve të epokës së bronzit të vonë. Gjatë kësaj kohe banorët filluan të lëvizin nga lartësitë drejt fushave, tarracave lumore dhe rrugëve tregtare, duke braktisur në këtë mënyrë edhe vendbanimet e vjetra si Dragostunja. Pikërisht këto kushte kanë bërë të mundur që vendbanimet e kësaj periudhe të ngriheshin pranë rrugëve të komunikacionit, ose mbi fusha dhe kodrina në lartësi relativisht të vogla.
Fortifikime të periudhës arkaike ndeshen në 5 raste (Selcë, Lunik, Gracen, Belsh, Sarag)
Nevoja për akumulimin e të mirave materiale, kontrolli i territorit dhe pasurive natyrore, si dhe diferencimi shoqëror, mendohet të ketë qenë burim i konflikteve dhe luftërave ndërfisnore gjatë kësaj periudhe.
Duke qenë pjesë e këtij ndryshimi të madh edhe banorët e luginës së Shkumbinit janë detyruar të ndryshonin mënyrën e tyre të jetesës. Lindja e fortifikimeve të kësaj periudhe shihet si pasojë e këtyre konflikteve të vazhdueshme dhe pasigurisë, si dhe lindjes së një elite ushtarake e aftë për të ndërmarrë ndërtime në një shkallë të gjerë, të cilat kërkonin një pushtet qendror shumë të organizuar.
Këto qendra të fortifikuara ndërtohen me mure me linja të thjeshta të planimetrisë, me kulla dhe hyrje të pakta, me gurë në forma trapezoidale me faqe të sheshta, që në një terren fushor kalojnë në forma poligonale. Në kodrën e Saragut pranë Derevenit të Bishqemit, vihet re e njëjta skemë planimetrike, me kulla katërkëndëshe me dalje të cekët dhe hyrje në korridor. Format e gurëve janë katërkëndëshe me punim të rrafshët të faqes.
Sistemi fortifikues prehistorik dhe i Antikitetit të Vonë i luginës së Shkumbinit është reflektim i nevojës për kontrollin dhe mbrojtjen e këtij aksi të rëndësishëm rrugor, ku siç dihet në periudhën romake do të ndërtohet rruga Egnatia.
Trakt i fortifikimit prehistorik të Orenjës
Trakt i fortifikimit prehistorik Zdranjsh
Hartë gjeo – topografike e luginës së Shkumbinit dhe fortifikimet e saj