Dr. Ervin KUJTILA
Akademia e Sudimeve Albanologjike
Instituti Arkeologjik/
Vendbanimi i fortifikuar i Zdrajshit, i njohur me emërtimin “Qytetas”, ndodhet rreth 1.5 km në perëndim të fshatit Zdranjshë. Pozicioni gjeo – topografik i tij i referohet krahun të majtë të rrjedhës Rrapun, afluent lindor i lumit të Shkumbin, në zonën e Çermenikës. Kreshta ku ndodhet fortifikimi me lartësi mbidetare 838 m, ka karakter shkëmbor dhe në pjesën më të madhe të saj është e zhveshur nga vegjetacioni. Ajo ka pozicion dominant dhe strategjik në kontroll të rrugëve që kalonin nëpër luginën e Rrapunit dhe më tej në atë të Shkumbinit.
Pozicioni gjeo – topografik
Koordinatat: N. 41.16.21 E. 20.14.35 Z. 838 m.
Në pjesën veriore, ku terreni është më pak i thyer,ajo kufizohet me Kodrën e Kuqe dhe Shkëmbin e Haxhiut, në jug me tokat e fshatit Floq, ndërsa juglindje me kodrën e Zabelit të madh dhe përroin e Galonit. Në anën jugore që të çon poshtë në lumin e Rrapunit, faqet e kodrës bien mjaft pjerrtas. Kjo pozitë e zgjedhur siguronte mbrojtje natyrore për vendbanimin e fortifikuar të Zdranjshit. Qyteza e Zdranjshit është vizituar fillimisht nga studiuesi vendas Sh. Zharri dhe më vonë edhe nga arkeologu A. Koka.
Rilevimi topografik
Planimetria e vendbanimit të fortifikuar është elipsoidale: diametri verilindje – jug-perëndim arrin gjatësinë rreth 200 m dhe ai veriperëndim-juglindje afërsisht 100 m.
Një shesh i vogël me dimensione përkatësisht 25 x 50 m, ndodhet brenda mureve rrethuese, ku gjenden mjaft fragmente qeramike, si parete enësh. Fortifikimi gjendet në formën e trakteve të rrënuara, dhe vetëm në disa pjesë shihen karakteristikat e tij të përgjithshme. Fortifikimi është i ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatarë, me lidhje të thatë, si në rastet e fortifikimeve të tjera të këtij tipi në vendin tonë. Fortifikimi ka orientim verilindje-jugperëndim dhe mbron të gjithë anën e arritshme të kreshtës. Vetëm pjesa jugore dhe juglindore bie thikë në lartësi të madhe e cila është thuajse e pamundur të ngjitesh.
Teknika e ndërtimit të fortifikimit prehistorik
Fortifikimi prehistorik është ndërtuar me gurë të mëdhenj dhe mesatarë të papunuar, me lidhje të thatë. Hapësirat midis gurëve, janë të pambushura. Gjatësia e fortifikimit prehistorik është 251 m, ndërsa lartësia maksimale e ruajtur në anën verilindore është 0.80 m. Gjerësia maksimale e ruajtur është 1.80 – 2.20 m, Blloqet e gurëve janë të një madhësie mesatare me përmasa 0.35 x 0.50 m.
Brenda sipërfaqes së këtij fortifikimi në vitin 2019 u krye një sondazh arkeologjik rezultatet e të cilit do paraqiten më poshtë.
Sondazhi I, me përmasa 2.00 x 1.00 m, u vendos në pjesën e brendshme të faqes verilindore të fortifikimit. Depozitimet kulturore arritën në thellësinë 2.90 m. Përshkrimi i US-ve të këtij sondazhi paraqitet si më poshtë:
US 01: Njësia e parë stratigrafike përfshin thellësitë 0 – 0.20/0.25 m dhe kishte këto karakteristika: dhe i thatë, me ngjyrë kafe të errët, me përmbajtje të lartë humusore. Trashësia e njësisë us. 01 arriti konkretisht në: veri – perëndim 0.20 m, veri – lindje në 0.25 m, në jug perëndim 0.20 m, dhe jug – lindje 0.20 m. Në gjithë hapësirën e sondazhit nuk u gjet asnjë fragment qeramike.
US. 02. 0.20 – 0.70 m. Dhe me ngjyrë kafe të errët i thatë, me grimca gurësh gëlqeror. Thellësia e përgjithshme e sondazhit në këtë njësi arriti përkatësisht në: veri – perëndim 0.70 m, veri – lindje në 0.76 m, në jug perëndim 0.66 m, dhe jug – lindje 0.66 m. Gjetjet ishin të shumta në numër duke filluar, nga paretet që përbënin edhe numrin më të madh, vegje, buzë, funde enësh, si dhe zbukurime, të cilat i përkasin periudhës së Bronzit të Vonë. Po ashtu gjatë gërmimit doli një numër i madh kockash kafshësh. Fragmentet e enëve tipologjikisht i takojnë periudhës prehistorike dhe antikitetit të vonë.
US. 03 0.70– 1.32 m. Dhe argjilor me ngjyrë kafe të çelët i thatë, me përmbajtje të madh të gurëve mesatarë që formonin një shtresë horizontale. Dheu përmbante grimca të shumta karboni. Ky us përmbante shumë fragmente enësh. Depozitimet kulturore i takojnë periudhës Bronzit të Vonë. Ngjyra e dheut u bë edhe me e çelët. Në këtë njësi gurë mesatarë dhe të mëdhenj, të cilët vështirësonin punën e gërmimit. Thellësia e kësaj njësie stratigrafike arriti në: veri – perëndim 1.14 m, veri – lindje në 1.21 m, në jug perëndim 1.15 m, dhe jug – lindje 1.16 m.
Numri i gjetjeve në këtë njësi stratigrafike ishte i madh, ku paretet zinin pjesën më të madhe, më pas vegjët e buzët e enëve. Gjithashtu një numër të madh e zinin edhe kockat e kafshëve, të cilat në shumicën e rasteve ishin shumë të dëmtuara të thyera në disa pjesë. Në këtë njësi stratigrafike kishim grimca qymyri të vogla, por të shumta në numër, që na bën të mendojmë për ekzistencën e një vatre zjarri, por me kaq informacion është vështirë për ta përcaktuar se ku ndodhet. Gjithashtu gjatë gërmimit u zbulua një strall i vogël e cila ishte prerëse që duhet të ketë shërbyer për prerje apo gërryerje. Në profilin e sondazhit duket qartë prezenca e madhe e gurëve, të cilët i përkasin grupit të gëlqerorëve, ashtu sikurse janë në zonën përreth.
US. 04 1.32– 1.66 m. Dhe argjilor me lagështirë, ngjyrë kafe e hapur i vendosur mbi një horizont banimi. Horizonti II i banimit përfaqësohet nga një gjurmë dyshemeje argjilore të pjekur, me shumë mbetje karboni, të vendosur mbi një platformë gurësh të vegjël në trajtë çaklli. Gjithashtu në këtë njësi vazhdon prezenca e gurëve të vegjël dhe mesatarë. Kjo njësi ndryshe nga us e tjera, kishte një trashësi më të vogël rreth 0.20 – 0.25 m, ku thellësia maksimale arriti konkretisht në: veri – perëndim 1.36 m. Prezenca e qymyrit në këtë us bëhet më e madhe se në us paraardhëse, duke menduar që vatra e zjarrit ka qenë më poshtë. Copat e qymyrit ishin në formën e thërrimeve të vogla dhe shtriheshin në të gjithë tabanin e kësaj njësie stratigrafike, por prezencën më të madhe e kishin në zonën veri – perëndimore. Si në US. 03 edhe këtu kemi një material të shumtë arkeologjik, parete të cilat janë në numër të madh, vegjët, buzët, dhe funde. Depozitimet kulturore të vendosura mbi këtë dysheme i takojnë periudhës së Bronzit të Vonë.
US. 05 1.66 – 2.00. Dhe argjilor i lagësht, me ngjyrë kafe e errët. Kjo njësi ishte e vendosur nën US. 04. Me pak gjetje.
US 06-2.00 – 2.40 m. Dhe i shkrifët argjilor me pak lagështirë me ngjyrë kafe të errët. Gjatë gërmimit të njësisë stratigrafike US. 06, dheu është i zi, i shkrifët përshkak të vatrës së zjarrit që kishte ekzistuar. Dyshemeja e horizontit I është vendosur direkt mbi tabanin gjeologjik. Ajo përfaqësohej nga dhe argjilor me ngjyrë kafe të errët dhe gjurmë të shumta karboni. Fragmentet e enëve të kësaj US janë të pakta dhe tipologjikisht lidhen me Bronzin e Hershëm.
US. 07 2.40 – 2.90 m. Tabani gjeologjik përfaqësohet nga dhe i ngjeshur argjilor me ngjyrë kafe në tullë me lagështi, sterile.
Stratigrafia
Sipas sondazhit arkeologjik të realizuar në këtë fortifikim rezulton se depozitimet kulturore të Zdranjshit stratigrafikisht i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm dhe Bronzit të Vonë. Me periudhën e Bronzit të Hershëm lidhen US. 05- 06 (Sond III) dhe US. 04 (Sond IV)..
Analiza kulturore
Klasifikimi i materiali arkeologjik është bërë sipas kriterit kronologjik dhe atij tipologjik. Materiali arkeologjik i përbërë tërësisht nga qeramika kronologjikisht i referohet periudhës së Bronzit të Hershëm, Zdanjsh I dhe asaj të Bronzit të Vonë, Zdranjsh II.
Shtresa kulturore e Bronzit të Hershëm e emërtuar si Zdranjsh I, përputhet me US 06 – 04 dhe mbulohet pothuajse në pjesën më të madhe nga shtresa kulturore e US 03 që i përket periudhës së Bronzit të Vonë, e emërtuar Zdranjshë II. Shtresa kulturore Zdranjshë I, me trashësi 0.80 m, përfshin thellësitë 1.30 – 2.10 m, ndërsa shtresa kulturore Zdranjsh II me trashësi 0.60 m, përfshin kuotat 1.32 – 0.70 m.
Shtresa e Bronzit të Hershëm, Zdranjshë I
Fragmentet e enëve që i takojnë Bronzit të Hershëm janë numerikisht të pakta në raport me ato të Bronzit të Vonë. Në pikëpamjen teknologjike qeramika i përket me shumicë asaj me fakturë të trashë dhe asaj mesatare. Karakteristikë për qeramikën e kësaj shtrese është sitja dhe pastrimi i dheut, pjekja e mirë e njëtrajtshme, dhe lyerja me ajkë lëmuese me ngjyrë kafe të errët ose më të hapur. Bazuar në tiparet morfologjiko- strukturore, rezulton se enët e kësaj periudhe përfaqësohen nga dy tipe kryesore:
- Tasa me buzë të sheshtë;
- Enë me buzë të prerë pjerrtas.
a. Tipi I, ndahet në dy nën tipe:
I.a.1 Nëntipi i parë përfaqësohet nga tasat me buzë të sheshta, që janë një nga format karakteristike të kësaj shtrese. Trashësia e pareteve lëviz nga 0.4 – 1 cm, ndërsa diametri 18 – 20 cm. Enë të tilla me këto karakteristika i gjejmë edhe në: Zagorë I, Kukum I, Maliq IIIa-b. Gajtan I, Shkodër Ia-b. Topojan III, Manasdren I, Ganjollë I.
I.a.2 Tenxhere me buzë të sheshta, të zbukuruara me gropëzime gishti. Ky tip përfaqësohet nga enë masive, me fakturë trashanike, trashësia e pareteve arrin deri 1.5 cm. Zakonisht janë me përmasa të mëdha me diametër deri në 29 cm.Enë të këtij tipi me këto karakteristika i gjejmë në: Zagorë I, Maliq IIIa-b. Sovjan V, Shkodër Ia – b, Topojan III, Manasdren I.
Tipi II ndahet në dy nën tipe:
II.1 Tenxhere me grykë gjerë dhe buzë të sheshta. Ky tip përbëhet nga ekzemplarë me fakturë mesatare dhe trashanike, me pjekje të njëtrajtshme e plotë, me trashësi muri nga 0.8 – 1.2 cm, dhe diametër të madh 21 – 22 cm.
Enë të tilla me këto karakteristika i gjejmë edhe në: Zagorë I, Maliq IIIa-b. Sovjan V, Shkodër Ia-b. Topojan III, Manasdren I.
II.2 Tasa konikë më buzë të sheshta. Ky tip përbëhet nga qeramikë me fakturë mesatare, pjekje të njëtrajtshme e plotë, me trashësi muri 0.4 – 1.2 cm. Dhe me një diametër 18 – 20 cm.
Enë të tilla me këto karakteristika i gjejmë edhe në: Zagorë I, Maliq IIIa-b. Kukum I, Sovjan V, Shkodër Ia-b. Topojan III, Nezir IIIa, Manasdren I.
Katalogu i qermikës, me veçoritë morfo-strukturore dhe analogjitë përkatëse, mundësojnë datimin e qeramikës së kësaj shtrese në periudhën e Bronzit të Hershëm, me të cilën pajtohen dhe të dhënat stratigrafiko-kulturore të paraqitura më lart.
Si përfundim mund të themi se fillimet e banimit të fortifikimi të Zdranjshit i referohen periudhës së Bronzit të Hershëm. Bazuar në të dhënat e mësipërme, si dhe në pozicionin e favorshëm gjeo – topografik të kësaj qyteze, ashtu si dhe në rastin e Orenjës mendojmë se gjatë kësaj periudhe ajo shërbente kryesisht si vendbanim baritor me karakter sezonal.