• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Servilit besnik të Vuçiçit, për kujtesë

August 23, 2021 by s p

Nga Eshref Ymeri/

Para do kohësh, tek po shtegtoja nëpër faqet e internetit, rastësisht hasa në youtube në një informacion mjaft trishtues që jepej në Platformën mediatike analitike “Pamflet” të datës 08 gusht 2021. Informacioni titullohej “Petro / ‘Bomba’ e NATO-s Shqipëria po pushtohet nga politikanët e saj të korruptuar”. Në atë informacion më lanë mbresa fort dëshpëruese faktet në vijim: Aty thuhet: “Në njërin nga samitet e NATO-s është miratuar strategjia e re kombëtare e sigurisë e Republikës së Shqipërisë. Strategjia e sigurisë dhe e mbrojtjes është hartuar me asistencën e veçantë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s… Dokumenti i hartuar nga NATO mbart një të vërtetë tronditëse dhe ulëritëse për shqiptarët dhe Shqipërinë. Sipas dokumentit, rreziku numër një për shqiptarët dhe kombin shqiptar janë korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar. NATO i ka ndarë rreziqet për Shqipërinë në tre grupe. Në krye të grupit të parë listohen korrupsioni dhe krimi, rreziqet e nivelit të parë, korrupsioni dhe krimi i organizuar, kriza enegjetike që kërcënon  sigurimin e furnizimit të Republikës së Shqipërisë dhe cënon rritjen ekonomike, mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme, sulmet kibernetike nga aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë, degradimi mjedisor dhe fatkeqësitë natyrore, shkatërrimi i mjedisit, shpyllëzimi, ndotja e lumenjve dhe fatkeqësitë natyrore industriale apo të shkaktuara nga ndikimi i njeriut…”. Këto fatkeqësi kaq të rënda, të cilat kanë goditur vendin tonë dhe që i nxjerr në pah jo dokushdo, por një strukturë politiko-ushtarake me autoritet të jashtëzakonshëm mbarëbotëror, si NATO-ja, i çjerrin maskën përfundimisht pushtetit 8-vjeçar të Ramës dhe lepitkës së tij me emrin parti socialiste. Pra, gjatë këtyre viteve, ja ku e katandisi vendin qeverisja e neokomunistit Rama dhe e partisë neokomuniste me uniformë socialiste. Reagimin tim ndaj këtij informacioni, për të cilin e pata të pamundur ta kaloj në heshtje, po e përcjell me vargjet e stilit popullor me titullin në vijim.  

O moj Shqipeja me vlerë!

O moj Shqipeja me vlerë!

Shkundu, zgjohu këtë herë!

Nxirr në krye njer’z me nder!

Të të drejtojnë përherë.

Hiqe Ramën që mbjell vrer!

Moj Shqipe në dallg’ të flamës,

Nën pushtet të Edvin Ramës,

Shih se çfarë të ka kurdisur,

Servilserbi i dalldisur,

Sa keq të ka katandisur,

Shih se ku të ka vithisur,

Moj e mira fatgremisur,

Ty të do të boshatisur,

pesëqind mijë t’i ka degdisur

Nëpër botë arratisur.

Të tjerë do degdisë, po pret

Dhe në mandatin e tretë.

Shih si të ka poshtëruar

Me ftesën që ka dërguar

Për armikun e harbuar,

Në koncert na e ka ftuar

Bregoviçin e marruar,

Atë që u ka kënduar

Kriminelëve të tërbuar

Të Serbisë së hakërruar,

Krejt shqiptarët për t’i shuar.

Atë ftesë pse e dërgoi?

Sepse djalli e mësoi:

Se kërkon që të mbjellë vaj,

Shqiptarët t’i përçaj.

Moj Shqipe, me shtat të derdhur,

Rama ty keq ta ka hedhur.

Rama s’ësht’ njeri i hiçit,

Pse kaq servil i Vuçiçit?

Sikur ka marr’ porosinë,

Ta shpërbëjë Shqipërinë,

Po ashtu dhe Dardaninë,

Duke mbjellë dhe tradhtinë.

Dhe të gjithë bukur e dinë,

Qëllimit po ia arrinë

Me trarin e Kalimashit

Nën efektin e hashashit.

Tani dhe vite më parë,

Bashkë me Thaçin i pandarë,

Ky Vuçiçi s’ka karar

Krejt shqiptarët pa i parë

Si askund të përçarë,

Kasht’ e koqe të shpërndarë,

Cep më cep në botën mbarë,

Punë që Rama e ka tharë.

Dhe Rama nuk kuturis

T’i kërkojë hesap Serbisë

Për krimet që i ka kryer

Dardanisë gjakpërlyer

Me vrasje dhe përdhunime,

Me djegie dhe shkatërrime.

S’kuturis se s’ka derman,

Me Vuçiçin nuk ia mban

Se ësht’ burrë pa taban.

Nuk ia mban as sadopak

Se ka lindur frikacak.

Domosdo veç na kujton

Atë diktatorin “tonë”,

Kur  si langua i stanit

I servilosej Dushanit,

Dushanit dhe Miladinit,

Burracak, pjell’ e mjerimit.

Gënjeshtrën e ka parim,

Të ngritur gjer në mashtrim,

Dhe vret mendjen e mendon

Si ta tallë Shqipen tonë.

Që të sundojë pa mbarim

Ka arritë një përfundim:

Me gënjeshtra, punë që dihet,

Me mashtrim gjithçka arrihet.

Ju, shqiptarë, kudo që jeni,

Një bindje të gjithë e keni,

Atje ku banoni, rrini,

Brenda, jashtë apo nga vini

Se ç’është Rama, “kryetrimi”?

Thjesht është një humnerë mashtrimi.

Por ama ka dhe guxim,

Fton Prishtinën në takim,

Të ulet me kriminelë,

Që s’duan gojën me çelë

Për krimet që patën mbjellë

Dardanisë kryekështjëllë.

Dikur me gjuhën e “trimit”,

Si njeriu i “guximit”,

Atje në kështjell’ të krimit,

Në Beograd, pjellën e zisë

Ia pat kujtuar Serbisë

Pavarësinë e Dardanisë,

Çka Vuçiçin e habiti,

Atë fjalë mirë nuk e priti,

Që dardanët peshë i ngriti.

Por koha iku, kaloi,

Rama shpejt mendjen ndryshoi,

Ato fjalë krejt i harroi,

Vuçiçin e përqafoi,

Krimet kurrë nuk ia kujtoi.

Me Vuçiçin flaku sqimën,

Dardanisë i ktheu shpinën.

Kur dardani kritikon,

Rama zë e reagon,

Reagon edhe nuk resht

Edhe shpejt kërcen si plesht,

Por për krimet serbe hesht.

Çdo shqiptar mendjekthjelluar

Lë mendjen i befasuar:

Medet çfar’ na paska qenë

Ky Rama kaq “hijerëndë”

Me të vetët gojëpis,

Por servil që të bezdis

I Vuçiçit të Serbisë,

Armikut të Dardanisë

Dhe të mbarë Arbërisë.

I duket dele mileti,

Se e ka dehur pushteti,

Jo pak, njëzet e dy vjet,

A thua se është mbret.

Çudi me popullin tonë,

Dostojevskin të kujton,

Kur për popullin rus shkruan

Që ka kënaqësi kur vuan.

Ndaj dhe Rama nuk përton,

Diktatorin imiton:

Shtypi njerëzit, nxirru shkumë

Që të të duan më shumë.

Gjasat janë: do zgjatet lëmshi

Deri te dyzetenjëshi,

Qindvjetorin për të pritur

E partisë “mendjendritur”

Për çka bërë e për çka ditur

Të pjellë servilë të selitur,

Servilë të gjyshepartisë,

Shërbëtorë të Serbisë.

Moj Shqipe përballë shqotës,

Rama, ky hajdut i votës,

Të ka bër’ gazin e botës,

Po të luan mendtë e kokës.

Dhe një ditë, nesër  a sot,

Serbogreku do të thotë:

“Shqipja ka mbetur pa zot,

Shqipen e shkeli kush deshi,

Nga Maroku e Bangladeshi”.

Dhe vërtet, u turpëruam,

Trojet dot nuk i bashkuam,

Se kemi qen’ të përçarë,

Njëri-tjetrin duke vrarë,

Që nga koh’ e Ilirisë,

S’na u shqit dell’ i marrisë.

Siç duket, ka qenë bitisë,

Kemi mallkim prej Hyjnisë.

Serbogrekët po gëzojnë,

Njëri-tjetrin e urojnë,

Na përbuzin, na sfidojnë

Dhe duart rrin’ e fërkojnë.

Shqipe, kthe mendjen për mirë!

Largoje këtë “vezir”!

Këtë njeri të vështirë,

Sepse jetën ta ka nxirë,

Ta ka nxirë e bërë pis,

Hundën vetë e mban në lis.

Ta ka nxirë fare katran,

Asnjë lum’ dot nuk ta lan. 

Këto vargje të thjeshta dëshiroj t’i shoqëroj në mbyllje me dy citime.  Në citimin e parë kam përfshirë një poezi mjaft të bukur, por tejet trishtuese për gjendjen ku e ka katandisur Rama vendin tonë, në bashkëpunim të ngushtë me delet neokomuniste, të cilat i rrinë lepe-peqe, pa pasur kurrë guxim ta kundërshtojnë për gjësend. Poezia ka për autore poeteshën e talentuar Alma Feruni.

Ah! vendi im…

Të varfërit po të braktisin…

Të pasurit po të shesin…

Shartohet kombi,

Traditat vdesin..!

Të poshtërit të qeverisin..!

Të diturit pinë expres…

Bërtasin veç varret:

Shqipëria po vdes..! (Faqja e internetit e gazetës “Rrënjët”. 26 prill 2016).

Në citimin e dytë përfshihen fjalët e arta ngushëlluese të Abraham Linkolnit (Abraham Lincoln – 1809-1865), fjalë që Ramës i shkojnë shumë për shtat, duke pasur parasysh psikologjinë dhe enciklopedinë e mashtrimit të popullit, të cilën e ka përdorur dhe vazhdon ta përdorë me shumë marifet dhe me shumë sukses. Ja çfarë ka thënë ai personalitet i shquar i politikës amerikane: “Ju mund të mashtroni gjithë popullin për një periudhë kohe, madje ju mund të mashtroni një pjesë të popullit gjatë gjithë kohës, por jo të mashtroni gjithë popullin për gjithë kohën”. Këto fjalë të ngrohin sadopak dhe të japin një çikë shpresë se Shqipja jonë do të zgjohet një ditë nga gjumi i thellë ku ka rënë, do ta rivendosë dinjitetin e vet në vendin që i takon dhe Ramën do ta heqë qafe ashtu siç e meriton. Të presim. Të shikojmë.

20 gusht 2021

Filed Under: Uncategorized Tagged With: Eshref Ymeri, Servilit besnik të Vuçiçit

Shqipëria është “pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë”

August 16, 2020 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Viti 2020 është viti i përkujtimit të dy përvjetorëve për familjen time. Më 18 shkurt 1970, në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë Babai im i dashur Hasan Ymeri. Kurse më 16 gusht 1980, po në moshën 80-vjeçare, ndërroi jetë nëna ime e shtrenjtë Hanko Ymeri.
Çdokush prindërit i kujton me nderimin dhe respektin më të madh, sepse ata janë njerëzit më të shtrenjtë të jetës së tij. Ata janë busulla orientuese, janë ylli i karvanit për fëmijët e vet, të cilët i rritin dhe i edukojnë me një kujdes të jashtëzakonshëm.
Kur kthej kokën prapa dhe kujtoj rrugën e jetës që kam ndjekur sipas këshillave që më patën dhënë prindërit që në moshë të vogël në fshatin Mesaplik, njëri nga katër fshatrat e Smokthinës së Vlorës, ku jetonte familja jonë, them me plot gojën se ata, ashtu si edhe të gjithë prindërit për fëmijët e tyre, kanë qenë shenjtorë për mua dhe menjëherë më vijnë në kujtesë ca fjalë të arta të disa prej personaliteteve të shquara të lashtësisë, si Menandri (342-291 p.e.r.), komediografi i lashtësisë greke, i cili ka lënë një këshillë fort të vyer për pasardhësit:
“Prindërit nderoji gjithmonë, ashtu si edhe Hyjninë”.
Vlera mjaft të çmuara edukative përcjellin fjalët e Ciceronit (Marcus Tullius Cicero – 106-43 p.e.r.), filozofit, oratorit dhe personalitetit politik të lashtësisë romake, i cili theksonte:
“Dashuria ndaj prindërve është themeli i të gjitha virtyteve”.
Më kujtohet Horaci (Quintus Horatius Flaccus – 65-8 p.e.r.), poeti i “shekullit të artë” të letërsisë romake, i cili thoshte:
“Virtytet e prindërve janë paja më e madhe për fëmijët”.
I ati i Babait, i sëmurë nga pleviti, pati ndërruar jetë në moshë 45-vjeçare, duke i lënë në ngarkim tre vëllezër dhe dy motra më të vegjël. Motrat i martoi, vëllezërit gjithashtu, duke u ndërtuar secilit shtëpi më vete. Vëllai i tij më i vogël, Baxhuli, nuk arriti ta gëzonte jetën pas martesës. Ai qe plagosur në Luftën e Gjormit, në përpjekje me trupat e milicisë fashiste në dhjetor të vitit 1942, kurse në shkurt të vitit 1944, si partizan i Brigadës së Pestë, ra dëshmor në një përpjekje me trupat gjermane në afërsi të fshatit Pilur.
Vëllai im më i madh, Selfoja, në vitin 1948, kur ishte 21 vjeç, si shumë të rinj, pati shkuar vullnetar për gjashtë muaj në ndërtimin e hekurudhës Durrës-Tiranë dhe Peqin-Elbasan. Kur u kthye, Babai dhe Nëna u gëzuan shumë. Në darkë, kur ishim shtruar për të ngrënë, vëllai i tha Babait se në hekurudhë ishte pranuar si kandidat partie. Babai buzëqeshi paksa me ironi dhe i tha: “Po ç’pate, more bir, që i hodhe vetes një zinxhir për gryke?”. Babai nuk kishte pasur simpati për komunistët që gjatë luftës, sepse ata i kishin vrarë padrejtësisht baxhanakun e tij, Murat Hasimin, krejtësisht i pafajshëm. Njëri nga komunistët e fshatit banonte në një kodër, përballë Muratit, matanë një përroi, në shtëpinë e të cilit, që asokohe, ushtonte muzika nga pllakat e gramafonit. Kur dëgjonte tingujt e muzikës, ai komunisti, siç më ka rrëfyer Babai, thoshte me smirë dhe inat: filloi kuja në shtëpinë e Muratit. Që asokohe Murati vishej “allafrënga”, në Vlorë kishte një dyqan të vogël.
Njësiti i Smokthinës, në fshehtësi, kishte hartuar listën se kë duhej të pushkatonte. Në atë listë figuronte edhe emri i Muratit. Një ditë të bukur, kur Murati sapo ishte kthyer nga Vlora, njësiti e arreston dhe vendos ta pushkatojë, paçka se ai s’kishte bërë asnjë krim. Që asokohe Babai pati ruajtur brenda vetes një mëri të heshtur kundër komunistëve.
Nga Babai i ruaj të pashlyera në kujtesë disa këshilla dhe porosi që më pati dhënë, sidomos derisa mbarova shkollën e mesme, dhe një mendim shumë të çmuar, të cilin e kam pasë vlerësuar lart deri tani, kur po i afrohem moshës 82-vjeçare, mendim që më shërbeu edhe si titull i këtij shkrimi.
Më 30 gusht të vitit 1955, në oborrin e shtëpisë sonë, kur po më përcillte për të vazhduar Gjimnazin “Ali Demi” në Vlorë, për ku do të më shoqëronte i ndjeri vëllai i madh, Babai më dha tri porosi:
E para: “Dëgjo, bir i Babait, ki parasysh se këtu e tutje do të jesh larg nënës e Babait. Prandaj ki mendjen, të jesh i kujdesshëm në jetë se Shqipëria është baltë e mallkuar, e ka mallkuar Zoti se shqiptarët nuk e duan njëri-tjetrin. Kur shqiptarët ta duan njëri-tjetrin, atëherë Zoti do ta bekojë baltën shqiptare”.
Disa dhjetëvjeçarë më vonë, Nënë Tereza, 42 vjet pas porosisë së Babait tim, dhe pikërisht pas katrahurës së vitit 1997, erdhi për vizitë në Shqipëri. Para se të hipte në aeroplan për t’u larguar nga aeroporti i Rinasit, ajo iu drejtua Zotit:
“O Zot, hiqja mallkimin Tand Popullit Shqiptar!”.
E dyta: “Atje në gjimnaz përpiqu të jesh i pari në mësime, siç ke qenë këtu në shtatëvjeçare. Por po nuk pate mundësi të jesh i pari, mundohu të jesh mes të parëve dhe atë që është i pari, ta duash dhe ta respektosh si veten tënde, se po pate smirë për të, do t’i bësh shumë dëm kokës”.
Falë kësaj këshille aq të çmuar, nuk e kam njohur kurrë smirën në jetën time dhe ata që kanë qenë më të aftë se unë, i kam nderuar dhe respektuar si veten time.
E treta: “Mos vër kurrë dorë në mallin e botës se, siç të kam thënë dikur, do ta kesh dëmin njëqindfish. E kam porosi nga i ndjeri im atë”.
Këtë porosi Babai ma kishte dhënë që kur isha nxënës në klasën e gjashtë të shtatëvjeçares. Përveç porosisë së të atit, ai kishte pasur edhe një përvojë të hidhur nga jeta e vet. Njëherë, diku aty nga fillimi i viteve ’50, ai kishte shkuar për pazar në Vlorë, e cila ndodhet 54 km larg Smokthinës. Kështu që, për të qenë në Vlorë ditën e pazarit, pra, të dielën në mëngjes, ai nisej me kalë nga Smokthina të shtunën, në të perënduar të diellit, dhe udhëtonte gjatë natës. Atë ditë, pasi kishte blerë gjërat që i duheshin, qe nisur për në Smokthinë pa perënduar dielli. Kishte kaluar mesi i shtatorit. Kur kishte edhe dy orë natë, ai pati arritur në anën e djathtë të lumit të Smokthinës, përballë shtëpive tona, që ndodheshin në një gjysmë lartësie të anës së majtë të lumit. Aty, çuditërisht, kishte sjellë ndër mend atë porosinë e të atit për të mos vënë dorë në mallin e botës. Dhe, aty për aty, kishte thënë me vete: do ta provoj një herë për të mos e vënë në zbatim atë porosinë e tim eti dhe do të shikoj nëse do ta kem dëmin njëqindfish ose jo”. Pati zbritur nga kali dhe i qe afruar një are me misër që ndodhej në anë të lumit, pronë e një fshatari nga fshati Ramicë. Kallinjtë e misrit ishin të shëndetshëm. Këputi njërin prej tyre, i hipi kalit dhe u nis për në shtëpi. Kur arriti, lidhi kalin dhe i hodhi haje, kurse vetë shkoi pranë furrës që kishim në oborr. Nëna, zakonisht, që në darkë, thëngjijtë i mbulonte me hi që të mos fikeshin, në mënyrë që të nesërmen ta ndizte zjarrin me lehtësi. Aty ai i zbuloi, u hodhi ca lëmishte përsipër dhe ndezi zjarrin, zhveshi kallirin e misrit, e poqi, e hëngri dhe shkoi të flinte. Njerëzit e shtëpisë të gjithë ishin në gjumë. Natën e nesërme, gjë që nuk kishte bërë vaki kurrë, një tufë derrash të egër, zbresin nga pyjet në lindje të shtëpive tona, hyjnë në arat me misër dhe batërdisën një dynym e gjysmë. Kur njëherë pati qëlluar që t’i kthehej kësaj ndodhie, unë i thashë me shaka: po ndoshta rastisi që derrat e egër atë natë dëmtuan arat tona, jo se shkaktar qe ai kalliri i misrit që ti more nga ara e huaj. Jo, bir i Babait, – ma ktheu ai. – Ishte ndëshkim nga Ai atje lart në qiell, sepse syrit të Tij nuk i shpëton asgjë nga prapësitë që bëjnë njerëzit këtu në Tokë. Po ja, filani, – ndërhyra unë, – dhe i përmenda emrin e dikujt nga fshtarët, i cili njihej si njeri që vinte dorë në mallin e botës dhe s’kishte pësuar gjë. Prit, bir i Babait, – ma ktheu ai, – se të ligën e ka pas veshit, se kështu është taksur nga Ai lart, që shtëpia jonë ta pësojë menjëherë kur vë dorë mbi mallin e tjetrit, kurse ai që më përmend ti, do ta pësojë më vonë të ligën, mbama mend llafin. Dhe me të vërtetë: ai fshatari pati hipur dikur në hardhinë e tjetrit për të marrë rrush, rrëzohet prej andej dhe mbeti i paralizuar gjatë 18 vjetëve, derisa ndërroi jetë.
Në maj të vitit 1956, mbarova klasën e parë të gjimnazit në Vlorë dhe u ktheva pranë familjes. Komunistët kishin filluar fushatën e ethshme për kolektivizimin e bujqësisë. Ishte muaji qershor. Po korrnim grurin. Bënte vapë dhe vendosëm të çlodheshim pak në hijen e një peme. Ndërhyn Babai: “Këta komunistët qenkan bijtë e djallit, kërkojnë të na marrin tokat dhe bagëtitë dhe të na kthejnë në argatë të shtetit”. Ç’t’i thoshja? Po ndoshta e kanë për mirë, o Baba, – ia ktheva unë. Në fund të majit të vitit 1959, mbarova mësimet e klasës së katërt të gjimnazit dhe gjatë qershorit do të kishim provimet e maturës. Shkova pranë familjes dhe çdo javë kthehesha në Vlorë për dhënien e tyre. E mbaj mend si sot. Ishte data 10 qershor. Po hanim drekë nën hijen e shtratit të hardhisë në oborr. Më 25 maj pati ardhur për vizitë Nikita Hrushovi. Qëndroi tetë ditë në vendin tonë dhe u largua më 03 qershor. Babai pyeti: “Po ky Enveri pse nuk bisedoi me Hrushovin që të ndërhynte te Titua për ta kthyer atë Kosovën këtej nga ne, se ajo është truall shqiptar, është toka jonë?”. U zura ngushtë dhe s’dija ç’përgjigje t’ jepja. I thashë se ndoshta i ka ardhur zor, meqenëse e kishte mysafir. Atëherë ai ma kthen: “Dëgjo, more djalë i Babait! Shqipëria, në këtë gjendje që është, duket si një kopaç përdhe, se kështu na e katandisi Evropa për fajin tonë që s’qemë të zotë t’i mbrojmë tokat tona. Në këtë gjendje, kjo e shkretë Shqipëri është pa kokë, pa shpatulla dhe pa këmbë. Po nuk u bashkuan koka, shpatullat dhe këmbët, ky vend jo vetëm që nuk do ta marrë veten kurrë, por edhe bota do të tallet me të. Dëgjomi këto fjalë që po të them se ti je i ri, e ke jetën përpara, kurse unë sot për nesër jam”. Me “kokë” ai kishte parasysh trojet tona në Mal të Zi dhe Kosovën, me “shpatulla” – trojet e sotme në Maqedoninë Veriore dhe me “këmbë” – Çamërinë. Fakti që Shqipëria s’ka qenë në gjendje të ndërtojë shtet ligjor edhe gjatë këtyre tridhjetë vjetëve, vërteton se ajo s’ka për ta ndërtuar kurrë pa ribashkimin e trojeve tona etnike, që nga Arta e Preveza e deri në Tivar, hapësirë kjo, në të cilën jetojnë gati 10 milionë shqiptarë.
Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendim nr. 4040, datë 14 korrik 1965, Babain, si veteran i Luftës së Vlorës, e dekoroi me medaljen “Për veprimtari patriotike’, me motivacionin “Për trimërinë, guximin dhe vetëmohimin që tregoi në luftë kundër pushtuesve imperialistë italianë më 1920 për çlirimin e Vlorës”.
Ky ishte një gëzim i madh për familjen tonë. Babai ishte vazhdues i traditave atdhetare të pararendësve të vet. Gjyshja e tij nga Babai, Kale Hodja, ka qenë e bija e Hodo Ali Nivicës, e njërit nga udhëheqësit e shquar të kryengritjes antiosmane në mesin e shek. XIX kundër Reformave të Tanzimatit, përkrah Tafil Buzit dhe Zenel Gjolekës, stërgjyshërit e tij, Lulo dhe Muk Bajrami, bashkëluftëtarë të Bilbilenjve të famshëm të Progonatit të Kurveleshit, me urdhër të pashait, janë varur në Rrapin e Janinës dhe në një këngë të vjetër të rapsodit smokthinjot Xhevit Zeneli janë dy vargje: Lulua me Muk Bajramë / gji në gji ç’e dhanë xhanë.
Me respekt dhe nderim të madh kujtoj Nënën e shtrenjtë, e cila njihej për zemrën e saj bujare, për ngrohtësinë e jashtëzakonshme të shpirtit human, për natyrën e saj aq mikpritëse, saqë banorët e lagjes sonë Parika thoshnin: “Hankua i pret mysafirët me bukë që në oborr”, sepse ishte mjeshtre e vërtetë në përgatitjen e gatesave nga më të ndryshme. Veç kësaj, ajo ishte e famshme për punë artistike në vegjë, nga e cila nxirrte qylyma shumë të bukur shumëngjyrësh. Ngrohtësia e shpirtit të saj ishte e përmasave mitike në edukatën që na jepte neve, si fëmijë. Fjalët e saj “kujdes në jetë, të keqen Nëna, që as mizën të mos e shkelni me këmbë”, qenë skalitur për jetë në kujtesën time dhe të të dyja motrave dhe vëllait të madh, Selfos, që prehen në atë jetë. Ajo ishte bijë e një familjeje të madhe nga fshati ynë: ishin shtatë motra dhe katër vëllezër. Njëri prej vëllezërve, Selim Tahiri, kishte dalë partizan dhe pati rënë dëshmor në Jugosllavi. Babai i saj, Abedin Tahiri, kishte marrë pjesë në Luftën e Janinës. Ndërroi jetë në moshën 96-vjeçare. Duke marrë parasysh fëmijët e tezeve, të dajave, të xhaxhallarëve dhe të hallave, ne bëheshim 72 kushërinj të parë.
Unë me time shoqe, Havanë, jemi përpjekur që, të dy fëmijët tanë, djalin dhe vajzën, t’i rritim dhe t’i edukojmë sipas këshillave dhe porosive të prindërve tanë. Dhe ne e ndiejmë veten krenarë me sjelljen e tyre. Të dy erdhën për studime universitare këtu në Shtetet e Bashkuara (djali në vitin 1996, kurse vajza në vitin 1998), ku mbaruan dy fakultete secili dhe tani janë të nderuar në vendet e punës ku japin kontributin e vet.
Me rastin e përkujtimit të datës 18 shkurt dhe 16 gusht, kur Babai dhe Nëna ime patën ndërruar jetë, respektivisht në vitin 1970 dhe 1980, dëshiroj me gjithë zemër që gjithë prindërve dhe fëmijëve të tyre, t’u drejtohem me urimin në vijim:
Qofshin të bekuar prindërit që i edukojnë fëmijët me virtyte të larta! Qofshin të bekuar fëmijët që prindërit i nderojnë po ashtu si edhe Hyjninë!
Kolumbus, Ohajo
16 gusht 2020

Filed Under: Politike Tagged With: Eshref Ymeri, pa koke, shqiperia

Stani i tradhtisë kombëtare

December 3, 2016 by dgreca

eshref-ymeriNga Eshref  YMERI/Ndoqa deklaratat shoviniste të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous, e cila kishte ardhur në Tiranë posaçërisht për t’i futur frikën në palcë Tiranës zyrtare dhe mbarë klasës politike shqiptare. Ajo, pa iu dridhur qerpiku, deklaroi haptas se Himara është tokë greke dhe krejt Vorioepiri është tokë greke që nga lashtësia e kryehershme.

Shovinistja Eleni Theocharous vërtet është eurodeputete qipriote, por në Tiranë ajo erdhi me autorizimin e Athinës, për të shprehur botërisht pretendimet shoviniste të Athinës zyrtare ndaj Epirit të Veriut dhe për të nënvizuar edhe një herë deklaratat e ish-presidentëve Stefanopulos dhe Papulias se Himara është tokë greke. Prandaj jo rastësisht ishte bërë kombinimi i duhur: deklaratat shoviniste të eurodeputetes qipriote Eleni Theocharous, të shoqëroheshin me ngritjen e flamurit grek në kalanë e Himarës dhe me parullën “Vorioepiri është grek”, e cila qe shkruar dhe vendosur pranë rrugës Gjirokastër-Tepelenë.

S’mund të ndodhë ndryshe, sepse stani i tradhtisë kombëtare që përfaqëson Tirana zyrtare, këtë bulmet do të ketë. Tradhtia e interesave kombëtare ka pushtuar çdo qelizë të klasës politike shqiptare, e cila s’përfaqëson gjë tjetër, veçse një qen të rrahur nga Athina zyrtare gjatë një çerek shekulli.

Shqipëria është vend pa zot gjatë këtij çerek shekulli, prandaj edhe stërnipërit dhe stërmbesat e evgjitëve të Nilit dhe të Sinait, me emrin grekë, sillen si zot shtëpie në mes të Tiranës. Se sikur Shqipëri të kishte zot, ajo shovinistja Eleni Theocharous, një sahat e më parë, duhej të përcillej me teneqe për në Rinas ose për në Kakavi. Por Shqipëria është vend pa zot, sepse ka vdekur burrëria shqiptare, ka vdekur inteligjencia shqiptare, ka vdekur rinia universitare me profesoratin e vet, është shuar vetëdija kombëtare. Prandaj edhe shovinizmi grekokaragjoz, me Janullatosin në krye, kërcen valle në mes të Tiranës, si në një varrezë të gjallësh, çka dëshmon se Shqipëria është një e vdekur dhe e pakallur.

Indianapolis, Indiana

03 dhjetor 2016

Filed Under: Komunitet Tagged With: Eshref Ymeri, i tradhtisë kombëtare, Stani

Katër të vërtetat e Kryeministrit Rama për Greqinë

November 4, 2016 by dgreca

…..dhe burracakët e parlamentit/

eshref-ymeri

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Ndoqa me shumë vëmendje fjalën e Vangjel Dules në parlament, i cili kërkonte të krijonte furtunë në një gotë ujë lidhur me prishjet e disa ndërtimeve në Himarë, në kuadrin e masave që ka ndërmarrë qeveria për rregullimin e territorit. Dulja u hallakat gjatë në fjalën e tij, por hallin e kishte vetëm në një pikë: po prishen pronat e “minoritarëve grekë” në Himarë. Si një daulle e shpuar e shovinizmit grekokaragjoz, Dulja, duke e shitur veten si “të prekur thellë” nga prishja e parashikuar e nja 18 objekteve në Himarë, në të vërtetë, kërkonte “të krijonte terren” në opinionin publik shqiptar për tezën shoviniste grekokaragjoze, sipas së cilës Himara na qenka “zonë minoriteti”, si edhe për të dhënë prova besnikërie para Athinës për kryerjen e misionit që ajo i ka ngarkuar. Në fjalën e vet, Dulja la të kuptohet se prej tij dhe Athinës varet “fati” i Shqipërisë për t’u pranuar në Bashkimin Evropian. Unë mendoj se refuzimi i mundshëm i Athinës për të firmosur pranimin  e vendit tonë në Bashkimin Evropian, me siguri që Tiranës do t’ia ngrejë edhe më lartë autoritetin në sytë e opinionit publik evropian dhe do të dëshmojë edhe më shumë që Greqia ka qenë dhe vazhdon të mbetet një mbeturinë mesjetare në kontinentin tonë, e cila ende vazhdon të dergjet nën pushtetin e fesë.

Mbaroi shekulli XX dhe po i afrohemi fundit të çerekut të parë të shekullit XXI dhe përsëri shovinizmi i leckosur grekokaragjoz nuk po heq që nuk po heq dorë nga pretendimet idiote ndaj tërësisë territoriale të vendit tonë. Sigurisht që nuk mund të heqë dot dorë, se ajo nuk i njeh kufinjtë e Republikës së Shqipërisë dhe vazhdon të mbajë në fuqi ligjin e luftës.

Se cila është fytyra e vërtetë e Greqisë në qëndrimin ndaj Republikës së Shqipërisë, që prej shpalljes së pavarësisë e deri tani, çdokush që është i interesuar, le të lexojë në faqet e internetit materialin me titull “Dosja e zezë e Greqisë”.

Kryeministri Rama që e mori fjalën pas Dules, për mendimin tim, vuri ca pika mbi i, të cilat për herë të parë janë vënë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë që prej vitit 1920 e këtej.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë botërisht veprën e tyre kriminale me mbajtjen në fuqi të ligjit të luftës që prej vitit 1940.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ua çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë botërisht të vërtetën për masakrimin e tmerrshëm që shteti shovinist grek kreu kundër popullsisë së pafajshme të Çamërisë, duke bërë kauzë të përbashkët me nazizmin gjerman.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u kërkoi botërisht grekëve që popullsia e Çamërisë të rithehet në trojet e veta amtare, t’i jepen pronat e rrëmbyera me dhunë dhe të dëmshpërblehet.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, u çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë racizmin e tyre të urryer në qëndrimin ndaj emigrantëve shqiptarë, të cilët i ka detyruar të ndërrojnë emrat, një dukuri kjo e paimagjinueshme për realitetin e Republikës së Shqipërisë në qëndrimin ndaj të huajve.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ua çorri maskën grekëve dhe ua përplasi në fytyrë racizmin e tyre në qëndrimin ndaj Konventës Evropiane për të drejtat e minoriteteve, të cilën nuk kanë pranuar ta firmosin, me pretendimin idiot se në Greqi, gjoja, nuk paska minoritete.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, ua përplasi në fytyrë grekëve se si duhet të mos u bëjë përshtypje qimja në syrin e botës, por të shikojnë trarin në syrin e vet.

Kryeministri Rama, për herë të parë nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, i  dha një mësim të mirë azilit të të çmendurve (siç i ka cilësuar grekët Presidenti Karamanlis në vitin 1981) me emrin Greqi, se si respektohen të drejtat e minoriteteve në Shqipëri, e cila është shembull trajtimi për to jo vetëm në Evropë, por edhe në mbarë botën.

Së fundi, Kryeministri Rama u dha një leksion të mirë shovinistëve grekokaragjozë se sa lart qëndron kodi moral i kombit shqiptar, nga i cili ata duhet të mësojnë shumë, të emancipohen dhe të shkunden nga myku mesjetar që i ka mbuluar kokë e këmbë.

Si një qytetar i thjeshtë i Republikës së Shqipërisë, prita që deputetët e Kuvendit, të të dy krahëve, të dilnin në foltore dhe ta mbështetnin fort Kryeministrin Rama për të gjitha ato të vërteta që tha në adresë të shtetit shovinist grekokaragjoz dhe t’i tregonin vendin emisarit të Athinës Vangjel Dule.  Por, për fat të keq, që të gjithë e treguan veten burracakë të pështirë.

Dikush mund të thotë se në fjalën që mbajti, Kryeministri Rama u mundua të ngrejë lart aksionet e veta, meqenëse po afrohet edhe fushata zgjedhore. Por mua nuk më intereson fare puna e aksioneve të Kryeministrit. Mua më intereson gjithçka që ai, nga foltorja e Kuvendit, deklaroi për herë të parë publikisht në adresë të grekëve, me të cilët nënkuptoj jo popullin e thjeshtë grek, të cilin politika e gënjeshtrave dhe e mashtrimeve skandaloze e katandisi në një krizë të rëndë ekonomike. Me fjalën “grekë”, nënkuptoj mbarë politikanët grekë për qëndrimin shovinist që mbajnë ndaj vendit tonë.

Gjithsesi, përsëri dëshiroj t’i bëjë thirrje Kryeministrit Rama që ta mbaj fjalën që ka dhënë dikur publikisht, kur plasi  sherri për kishë-harvallinën e Dhërmiut. Ai deklaroi: “do ta riorganizojmë kishën”. Do të bënte shumë mirë që ta riorganizonte kishën ordodokse, në mënyrë që të vijë në krye të saj një kryepeshkop shqiptar. Sepse Janullatosi ka qenë dhe vazhdon të mbetet një minë me sahat në shërbim të shovinizmit grekokaragjoz dhe për të zezën e Republikës së Shqipërisë.

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Edi Rama, Eshref Ymeri, Kater te vertetat, per Greqine

Pas një lajmi në TV News 24

May 12, 2016 by dgreca

Opinion nga Prof.dr. Eshref Ymeri-Toledo, Ohajo/

 Pas marrjes së një mesazhi të një mikut tim kosovar më 15 mars 2016, ku më shkruante se “Thaçi nuk e ka shitur Kosovën dhe se çështja e bashkësisë serbe nuk do të kalojë ashtu siç shkruajnë gazetat për Kuvendin e Kosovës”, unë ushqeva shpresën se Serbia nuk do të mund ta krijojë një tjetër mikroshtet brenda Kosovës. Por, për zhgënjimin tim të thellë, sot ndoqa një lajm në TV News 24 dhe intervistën e kryeministrit Isa Mustafa. Sipas atij lajmi, rezulton se bashkësia e komunave serbe do të krijohet. Pas këtij lajmi, s’më mbetet gjë tjetër, veçse të përsëris titullin e artikullit tim “Tradhtia në krye të Kosovës”, të botuar në internet më 13 mars 2012. Pra, i dashur miku im kosovar, Thaçi është armik i regjur i Kosovës dhe, për interesat e Serbisë, e cila gëzon përkrahjen e gjithanshme të Brukselit, i lejoi asaj të krijojë një tjetër Republika Srpska në Kosovë. Prandaj tani, mbarë populli kosovar, ka të drejtë të “krenohet” me kryetradhtarin e vet Hashim Thaçi dhe në Sheshin para Shtatores së Ibrahim Rugovës në Prishtinë, t’ia marrë këngës me zë të lartë, që të dëgjohet që nga Brukseli deri në Beograd:

Hashim detyrën mbarove,

Me të madhe burrëri,

Kosovën e tradhtove,

Zure vend në histori.

Pra,në bashkëpunim të ngushtë me tradhtarin tjetër Isa Mustafa, kukullën e pështirë në duart e tij, Hashimi nxitoi me vrap drejt kolltukut të presidentit të Kosovës, në mënyrë që të lajë duart nga tradhtia që kreu në Bruksel më 25 gusht 2015, me firmën që hodhi për krijimin e bashkësisë së komunave serbe. Populli kosovar harroi se çfarë krimesh kreu minoriteti serb në Kosovë, duke u bërë mbështetje e fuqishme e bandave kriminale të Millosheviçit, Arkanit dhe Sheshelit, prandaj, me heshtjen e tij para tradhtisë së Thaçit me Mustafën, le ta mbajë me shëndet krijesën Republika Srpska në trojet e veta amtare.

Toledo, Ohajo

11 maj 2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Eshref Ymeri, në TV News 24, Pas një lajmi

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 6
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT