• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NGJYRA DHE RITME ME RIMAT SI PUTHJE

May 10, 2021 by dgreca

Eseja e një mamaje në ditën e saj.(Parathënia e librit “Të rritesh nga dashuria”)/ nga Eda Zhiti/

T-R-O-K-I-T-J-E…/

Sa herë trokiste dera në shtëpinë tonë, teksa shko¬ja ta hapja, do më duhej të kërceja sa andej këndej në majë të gishtave mes lodrave pafund, që vogëlushi im me emrin Atjon, kishte përhapur nëpërkudo. Duhej të bëja kujdes të mos shkelja asnjërën prej tyre. Në kthim, pra nga dera e jashtme deri në sallon, vajtje–ardhje, ndodhte që Atjonin ta gjeja të hipur mbi aparatin e televizorit, që e mbanim ulët, drejt e mbi dysheme. Madje e gjeja dhe të shtrirë sipër tij, me kryet plot kaçurrela të varur para ekranit për të parë më nga afër, duke u bërë kështu pjesëtar në ndodhitë, sepse Charlie Brown po adoptonte Snoopy-n. Ishte ende më vështirë ta hiqje nga ai përqendrim “përsipër televizorit”, kur shfaqeshin Tomi e Xherri. Me Zorro-n më ndryshe…Trokitjet, besoj, i zgjuan kërshërinë, teksa lodrat, dihet, që të shtojnë argëtueshëm dëshirën për veprim, fantazinë e aftësitë, ndërsa ekrani i televizorit ishte, si të thuash, një si lloj ftese nga bota jashtë, ku krahas merakut tim, duhej dhe përkujdesi i veçantë.Siç duket ato prapësi aq gazmore i ndiente më fort duke i parë kokëposhtë. Ndonjëherë hidhte vështrimin nga lodrat përreth, aq të shumta, mes rrëmujës të të cilave gjendeshin kasetat e videos me po ata personazhe, librat fletë trashë sa biskotat apo dhe plastikë, që e shoqëronin të voglin tim në vaskën e dushit e pluskonin nëpër valët që i krijonte me duar duke i përplasur hareshëm.Kështu do të ketë ndjerë praninë e detit dhe të varkave.Pastaj mes lodrave u shtuan dhe fletët e vizatimit dhe ngjyrat, që do të kalonin nga gishtat e Atjonit deri dhe në mure si gjurmë veprash arti.Veprimtaritë gjatë një dite përpiqeshim që të mos ngjanin shumë me njëra–tjetrën, por mbrëmjet e Atjonit ndiqnin një ritual të caktuar natyrshëm: banjoja, ngrënia e darkës, larja e dhëmbëve dhe “ora e plalave” siç i quante përrallat Atjoni 2–3 vjeçar. Pas atyre që i tregoja shqip, libri që parapëlqente ishte “Nel regno delle fiabe”, italisht, se ne banonim në Romë atëhere, punonim në ambasadë e Atjoni do të shkonte në kopsht dhe do t’i kuptonte të dy gjuhët. Pas përrallës së Pinokut, Hamletit të fëmijëve, i vinte radha “Shitëses së vogël të shkrepseve”, “Ushtarit prej plumbi”, “Të bukurës dhe bishës”…, “Lejlekët e egër” të Andersenit e mahniste, kur dëgjonte sesi të njëmbëdhjetë vëllezërit, të kthyer në lejlekë, e ngritën në qiell me krahët e tyre e fluturuan me motrën e vogël, Elisa. – E si është qielli brenda? Unë dua një zog, – këm-bëngulte Atjoni. Kur shikoja se po kapsalliste sytë nga gjumi, filloja t’i këndoja nina–nana. Aq rutinë iu bë kjo, saqë kur u rrit, deri dhe adoleshent, më i gjatë se sa unë, më thoshte: “Dua një nina–nana, ma, me atë zërin tënd të bukur” – dhe unë filloja t’i këndoja menjëherë duke buzëqeshur me kapriçon e tij. Po nejse, le të kthehemi te librat, më saktë te ky libër, që kemi ndër duar. Te vizatimet dhe poezitë e tij.Së pari do të desha të tregoj se Visari, shkruante dhe me Atjonin e vogël pranë. E kujtoj të ulur në divan, kur e mbante të shtrirë në njërën këmbë, e kishte zënë gjumi, dhe në gjurin tjetër Visari kishte bllokun e hapur, shkruante. Kështu u bë dhe “Ninullë burri për foshnjën që fle”, që u fut nëpër libra e u përkthye. Për herë të parë unë shikoja një poezi të tillë, s’e di a ka tjetër.Kurse përreth Atjonit të vogël kishte vazhdimisht fleta të bardha dhe ngjyra. Ne s’i thoshim: vizato! Ishte i lirë. Nëse e ndiente e do të kishte zell, po.Aq shumë u shtuan vizatimet e tij, që nga zhgarravinat e këndshme e te portretet, llojet e kafshëve, sendet, peizazhet etj, sa vendosëm të hapnim një “ekspozitë shtëpiake”, ftuam fëmijët e pallatit, jo vetëm të familjeve të ambasadës. Njëri nga vizatimet, ai me Shenjtën Nënë Tereza, e bëri kur ishte tre vjeç e gjysmë, iu botua dhe shkruajtën dhe gazetat.Poezia për Atjonin filloi si lojë, kështu besoj. E ngazëllente rima, siç thotë dhe Visari në njërën nga poezitë këtu. …Dhe një fjalë çfarëdo hidhje për ta rimuar unë.– Sa më do?– Sa gjithë bota, më shumë.S’e di kush kërkoi i pari të rimonim fjalë, Visari Atjonit, Atjoni Visarit apo unë?Pastaj të tre, duke shëtitur buzë detit, tashmë misioni ynë në Romë kishte përfunduar dhe ishim kthyer në Vlorë, në qytetin, ku Atjoni kishte lindur, ku e magjepsnin pulëbardhat, befas Visari nga rimimi i fjalëve kaloi në vargje me rimë. Dhe Atjoni i rriti kërkesat. Ende nuk dinte të shkruante, por donte vjersha, t’ia thoshe shumë herë, deri sa t’i mësonte, nga strofa në strofë, të gjithën.Varka mbi det rrëshqet ngadalë.Sa bukur e ngetatë një djalë.Shpesh e përcaktonte ai temën, për çfarë t’i kapte syri, për kopshtin e shtëpisë, për qenin tonë, Kelly, donte dhe një lepur dhe një poezi për të, etj, etj.Visari i shkruante e i rishkruante me shumë dëshirë. E mësonim përmendësh dhe ne, duke ia përsëritur Atjonit dhe ai pastaj ia thoshte Kaltrës, vajzës së motrës time, rrinin bashkë si motër e vëlla, ndërsa Tetisi sapo kishte lindur dhe e dinin lodër.Shpesh fjalët i shqiptonte jo mirë, p.sh. në vend të “pulëbardha këtu” thoshte “pulubardha kutu”, ashtu e mësonte dhe Kaltra dhe sa lezet u kishte!. Mjaftonte këmbimi i ndonjë zanoreje, që të krijonin muzikë më tepër. Ndërkohë bëra dhe unë një fletore “Fjalori i Atjonit”, ku shkruaja në dy kolona fjalët. Në të parën si i shqiptonte e në tjetrën fjalën e saktë, se ndryshimi mund të ishte i ndjeshëm.Nuk ka fjalor më të bukur në botë se ai i fëmijëve, kur përpiqen të shqiptojnë fjalët, ato duhet të ketë qenë paraket, që më pas ne i kemi kultivuar në formën e sotme.Vitet kalonin, unë vazhdoja t’i shkruaja letrat për Babbo Natale-n, që Atjoni m’i diktonte, njërën syresh e ruaj ende dhe tani, në moshën 23 vjeçare të tij. Vogëlushi im më argumentonte në to se ishte aq i mbarë, sa meritonte plot dhurata. Dhe të gjitha i mbërrinin.Krishtlindja deri në Vitin e Ri ishte koha më e bukur për mua, kudo që të ndodheshim. Më pëlqenin shumë rrugët e pasditeve të vona, të zbukuruara me drita pafund dhe ecejaket e njerëzve, ngarkuar plot me dhurata feste. Bashkë me Evën, time motër, por dhe me Visarin e Dashin, paketonim dhuratat, ja ashtu fshehurazi dhe pak përpara mesnatës së Krishtlindjes, i vendosnim pas derës së jashtme, prapë fshehurazi, ca më vonë krijonim rastin dhe njëri nga ne trokiste fort te dera, sërish fshehurazi, ndërkaq thërrisnim plot gëzim: “Erdhi Plaku i Krishtlindjes”. Atjoni dhe Kaltra rendnin tek dera jashtë plot ngazëllim dhe tërhiqnin zvarrë dhuratat që ishin më të mëdha se ata vetë. Mes lodrave të shumta, veglave muzikore, teleskopit të madh që ia dhuroi im vëlla, Ariani, ia solli nga Amerika, nuk duhej të mungonin librat, përralla e legjenda, që nga ato shqiptaret e ballkaniket e deri te ato në Veri, “Bambi”, “101 dalmatët”, etj. Më vonë Atjoni më tregoi se së bashku me Kaltrën e kishin zbuluar se si vinin dhuratat, por gjithsesi u pëlqente kjo lojë.A do të duhej ta vazhdonim po ashtu?Më mirë të bënim një ekspozitë të re. Dhe ku? Në kopshtin para shtëpisë, pikturat i varëm nëpër degët e pemëve dhe në përurim ftuam gjithë kalamajtë e lagjes…Atjoni rritej shpejt dhe bukur. Mbaroi shkollën filloren “Ylber” në Tiranë dhe kërkonte këngë apo himne, madje njëri prej tyre doli dhe në një nga botimet e shkollës. Ndërsa vizatonte me hope. Por kërkonte të bënte ndonjë nga kopertinat e librave të babit, atë të gjyshit patjetër.Por ishin dhe muret. Ashtu si në Romë që i llangoste, në Tiranë po i pikturonte dhe po i shkruante, edhe në anglisht. I erdhi radha dhe derës, ku vizatoi një trup femre e shkroi fjalën “Trokit”. Përpara syve kishim fëmijën, por dhe djalin e rritur në të njëjtën kohë. Po donte mëvetësinë. Më duket se ia kërkuam ne që fjalës “Trokit”, t’i shtonte “Trokit–je në zemër”, që të merrte dhe kuptime të tjera…Puna na çoi përsëri në Romë dhe Atjoni bëri ca vite shkollë atje, mbaroi dhe klasën e parë në Liceun Klasik, të famshëm në të gjithë Italinë, “Giulio Cesare”, nisi latinishten dhe greqishten e vjetër, por gjimnazin e përfundoi në Tiranë, në “Ismail Qemali”, nga që u kthyem. Fillimet e ndryshimeve ishin të vështira për atë si andej dhe këndej, por vinte dita që ai i tejkalonte duke i shtuar shokët dhe shoqet, edhe sot i ka, jo vetëm në Romë e në Tiranë. Kujtoj kur erdhi një herë dhe më tha: “Mush, e di ku ndryshon liceu në Romë nga gjimnazi në Tiranë?”. Ma trego – iu përgjigja gjithë vëmendje. “Ndërsa në lice na mësonin të mendonim, këtu na detyrojnë të mësojmë përmendsh”. Mbeta. Por dhe u ndjeva mirë me arsyetimin e ftohtë e të prerë të tij. Do të më duhej të lajmëroja arsimtarët…Shumë shpejt u afrua koha për të shkuar në universitet. Zgjodhi jo nga ato çfarë do të donim ne dhe nuk u luhat për asnjë moment: F.I.L.O.Z.O.F.I.Nga Milano, ku studionte, do të na shkruante se kishte zbuluar “mrekullinë e studimit”.Atjoni papritur botoi esenë e parë, pastaj të dytën, dërgoi të tretën… dhe i vinte keq që s’kishte dhe aq kohë, gjithë ditën në bibliotekë, sa të shkonte dhe andej nga Akademia “Brera” në Milano për të parë se si pikturohej.Po qeshja me vete, kur një pasdreke në shtëpi, ndërsa shfletoja një libër të Elias Canetti-t, “Gjuha e shpëtuar”, rilexoja vizimet, përshkrimin që ai i bënte nënës së vet, kur ajo i fliste për familjen e saj me emër të mirë dhe po përfytyroja librat e tim biri, ku ai do të bënte humor me mua, pasi dhe unë kisha rrëfime të tilla. Dhe ne vërtet botuam një libër me shkrimet e Atjonit 19 vjeçar, që u prit mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika. Më shkundi nga mendimet, tani si dhe atëhere, një trokitje që më dridhi zemrën, një sinjal zileje, i shtre-njtë, që veç ne të tre e njihnim. Më vjen një zë nga jashtë derës: “O mush, jam Atjoni”.Kishte ardhur nga Milano për të na bërë surprizë mua dhe Visarit… dhe festa filloi. Më mori hopa në krahë e më solli rrotull nëpër shtëpi hareshëm. “I vogli im i madh, lum nana për ty”, e përkëdhela siç e përkëdhelja gegërisht, s’e gjej pse. Ishte rritur sa hap e mbyll sytë, ishte bërë “gjigant”.Bënim plane pa fund të tre dhe jo gjithçka ia mbërrinim të realizonim.S’e di a e kishim kristalizuar dëshirën për të bërë një libër me poezitë dhe vizatimet e rritjes së Atjonit… Po sa sukses patën në ekspozitën e Tij, që u përurua në Universitetin “Polis” në Tiranë dhe në albumin që iu botua më pas! I vlerësuan këtu e jashtë vendit.Dhe çuditërisht Visari i vazhdoi poezitë dhe më vonë, në Vatikan, në Uashington, ku na çoi puna, sikur Atjoni të ishte ende fëmijë me ne, shtoi të tjera, pjekurinë, dhimbjet e mungesës, yllësitë. Qiell, horoskope…si engjëll i përshkon.Tani rruga joteka emrin “Atjon”.Dhe ai ka shumë vizatime gjithë pikëlime të ndritshme yjeshVizatimet e Atjonit mbeten po ato, mrekulli fëmije për ne, tani e përgjithmonë.…po jua dhurojmë bashkërisht poezitë dhe pikturat, që dhe pse nuk janë bërë enkas për to, japin gjendje të përbashkëta plot dritë. Duke falënderuar botuesin, kam bindjen se do të pëlqehen nga ju, që në shtëpitë tuaja rrisni fëmijë, por dhe nga ju, të rriturit, që ruani brenda vetes fëmijën, një lloj Piter Pan-i tuajin. Cilëtdo qofshi.S’ka gjë më të rëndësishme, deri në shenjtëri, se sa të rritësh nga dashuria fëmijën dhe vetveten, se ritmi i saj, fjalët dhe ngjyrat, që gjithsesi rimojnë ashtu si puthjet prindërore. Konsiderojeni dhuratën tonë si një… trokit–je në zemër…

Filed Under: ESSE Tagged With: Eda Zhiti, esseja e nje mamaje, trokitje, Visar Zhiti

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT