• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CEN ELEZI NDREU, BESË NGA MALET E DIBRËS

November 5, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/  Kur fillimshekulli i trazuar i shqiptarëve thëriste prej natës së pambarimtë osmane për pak dritë e liri,ishte plejada e shkëlqyer e burrave shqiptarë që e dëgjuan zërin.Klithmat ishin të largëta ato vinin prej gjakut.Ato shungullonin nga mali në mal duke trembur vetë netët rrobëruese.Burrat shqptarë rrëmbyen armët dhe penën,iu falën nënlokes së tyre të madhe dhe i thanë Europës se Shqipëria ka Zot.Burrat u gjakosën në prita u mblodhën në kuvende i kthyen kullat e tyre kala të qëndresës dhe askurrë nuk ju ankuan askujt.Në shpirtin e tyre të lodhur luftërash të gjata,Atdheu ish veç një Promete,një referencë për të shkuar drejt aktit sublim,pa pyetur për pranverat e njoma në supe.Një burrë nga kjo plejadë ka qenë dhe mbetet CEN ELEZI.Kur fati i jetës paracaktohet,kjo më tepër se me orakujt e Delfit lidhet me rrëmbat e gjakut.Që Cen Elezi ishte djali i parë i Legjendarit Elez Isufit kjo ishte rastësi,që jeta e tij do të shkonte në luftëra për pamvarësinë e trojeve arbërore,kjo mendoj se ka qenë e besueshme për të gjithë ata që dëgjonin tek qante në djep.Përcellja e heshtur e genit trimëror nga brezi në brez do të kumtonte në mos lirinë,së paku imazhin e saj në teatrin e rreptë të luftërave ballkanike.

  Cen Elezi lindi në Lisivalle të krahinës së Sllovës në vjeshtën e vitit 1884.U rrit në kullat e gjata me gurë të gdhendur mjeshtërisht atëherë kur gurët gdhendeshin paralel me sa e sa luftime në kujtesën e pasur të dibranëve,ku mençuria dhe trimëria e Elez Isufit,vështirë dalloheshin ku ndaheshin e ku bashkoheshin.Elezi edhe pse e shihte dëshirën e madhe të të birit për shkollë,në heshtje nuk do ta inkurajonte atë.Kur lind djalë,kullës i shtohej një pushkë,thuhej atë kohë në Dibër,madje atje ishte tepër luksoze të thërisje penën në vend të dyfekut.Babë e bir i shohim në agun e shekullit të ri të dy së bashku,në krye të një grupi luftëtarësh,ata do të bisedonin e lidhnin besën si dy prijësa për luftë kundra Perandorisë Osmane prej Mirdite e deri në thellësitë e Kosovës ku më pas në krah të Elezit,akoma pa i mbushur të njëzetat ai lufton me armë në dorë dhe kundra pushtuesve serbosllav që ishin armiku numër një i kullës së Ndrevet dhe shqiptarëve në përgjithësi. Që në betejat e para (Elezi gjithmonë e ndiqte nga afër të birin në çdo luftim) tribuni i thinjur i betejave pasi do të vërente se syri dhe plumbi i Cenit nuk gabonin,do të uronte të birin duke i thënë „Ne të dy duhet të luftojmë për Atdheun por veç e veç…!“.Që nga ajo kohë krismat e pushkës së Cenit,serbët do t’i njihnin në luftimet e rrepta në Qafën e Trojakut më 1915,në Shumbat,Peshkopi,Dardhë e Aras më 1915-1917,në Korab e Shar dhe në betejat e pandërprera të Lurës në vitet 1920-1921.

  Në verë e vitit 1926 dhe një herë do virej në provë jo vetëm trimëria por edhe mençuria e atdhedashuria e Cen Elezit. Duke parë se shteti shqiptar po organizohej e strukturat e tij kërkonin pavarsi të plotë,serbët organizuan lëvizjen e Shalës e cila në thelb godiste rëndë integritetin toksorë të Shqipërisë. Mbreti Zog duke parandjerë rrezikun i bën thirrje Cen Elezit për t’iu kundërvënë planeve ekspansioniste serbosllave që synonin destabilizimin dhe coptimin e shtetit shqiptar.Nga ana tjetër edhe pse Ceni ishte opozitë me Mbretin Zog e pranoi kërkesën e tij dhe përleshjet me serbët e Pashiqit,duke dëshmuar trimërinë dhe atdhetarizmin e flaktë të trashëguar në gen, theu keqas çetnikët serb dhe njëherit fjala e tij e urtë dhe burnore e bindi parinë e Shalës,duke iu shmangur kësisoj gjakderdhjes vëllezërore.

  Pushtimin nga Italia fashiste,trimi Nacionalist me namë,do ta priste me dhimbje por edhe me revoltë sipas mënyrës së vet,meqë fjala e tij zinte vend kudo në parinë e maleve të Dibrës,ky patriot u bë promotor i një lëvizjeje të fuqishme që në thelb çoi drejt krijimit të një zone të lirë e të pa trazuar.Numëroheshin rreth 200 pushkë në pritje të urdhërave luftarake që mund të dilnin nga buzët e Cenit. Kështu në qershor të vitit 1943,forcat fashiste italiane disa herë ishin orvatur të vënin lidhje me Cen Elezin por pa dobi.Italianët e dëshpruar nga refuzimi i nacionalistit dibran u vunë hapur kundra tij,disa batalione të divizionit „Firence“ organizuan një pritë në kodrat e Okshtinës,por luftëtari trim në krye të 200 burrave e çau rrethin dhe pas kësaj humbjeje të thellë të Italianëve,ata me përforcime të reja ndërsehen mbi kullat e Cen Elezit,mirëpo kësaj rradhe,luftimet do të ishin dhe më të ashpra dhe më me përmasa,meqë prej disa ditësh aty ndodhej një delegacion i udhëheqjes së Ballit Kombëtar dhe i madhi Mit’hat Frashëri,për bashkërendimin e punëve dhe detyrave midis parisë së Dibrës dhe Ballit Kombëtar. Kjo ndërlidhje dhe rigrupim forcash nacionaliste,jo vetëm që po u jepnin shpresa të reja nacionalistëve,por ndërkohë godisnin rëndë synimet fashiste italiane e bullgare,dhe nga ana tjetër ata serbosllave tashmë të maskuara nën petkun komunist, që ia dolën të përhapnin luftën civile mes shqiptarëvet.Ky rireshtim forcash nuk u konvenonte asnjërës palë,andaj dhe filluan goditjet ndaj nacionalistëve nga të dyja krahët,bombardimet e avionëve të ndërthurura me veprimet luftarake këmbësore,tregojnë më së miri se frika e pushtuesve ndaj nacionalistëve ishte reale.Dhe nga ana tjetër bandat mercenare të partizanëve të komanduara nga Sheqet Peçi e Haxhi Lleshi tentonin që si të thejnë forcat e Cenit,Mefailëve,Xhemës e deri tek Mulla Idrizi e Sylë Hotlla,në marrëveshje e bashkëpunim me forcat partizane,çetnike serbosllave.Kjo tregon katërcipërisht se Cen Elezi e Mit’hat Frashëri jo vetëm që nuk kanë bashkëpunuar me armikun fashist ( siç paragjykon historiografia komuniste dhe „historianët“ e saj servil) por përkundrazi mbi ta është derdhur zjarr e hekur për t’i zhdukur fizikisht pa kursyer as fëmijët e djepit.

  Gjatë betejave në malet e Dibrës dhe të Mavrovës e deri në Karadak,ka pasur raste kur janë zënë dhe robër partizanë komunist shqiptarë dhe Ceni ka dëshmuar ate humanizmin e madh duke i liruar me shpresë se ata do të edukohen që të mos ngrejnë pushkë kundra vëllaut të një gjaku,por të luftojnë pë  mbrojtjen e tokës arbërore. Mirëpo kjo ëndër e bukur e Cenit ishte e kotë,meqë partizanët komunist shqiptarë veçmë ishin shitur këmbë krye tek bandat sllavokomuniste të Titos,ata veç kishin filluar të godisnin pas shpine nacionalistët.Kështu një faqe e re luftërash do të shkruheshin nga vatra e Ndrevet edhe kundër gjermanëve,ku kryeheroi mbetet gjithnjë Ceni.

Janë të njohura tanimë se pse plaku trim e vital kishte mbetur „në hije „gjatë gjithë kësaj periudhe.Mendoj se kjo më shumë se me Cen Elezin ka të bëjë me keqpërdorimin e historisë.Nuk duhet haruar faktin se aso kohe qarkori i Partisë Komuniste në Dibër,shpërndante dhe zbatonte urdhërat dhe direktivat e marra drejt përsëdrejti nga udhëheqja komuniste jugosllave e Dibrës së madhe.Janë dokumenta të përpikëta Angleze që kanë vërtetuar tani se edhe misionet angleze në Dibër të vendosur pranë komandave partizane,nuk lejuan në asnjë moment të lidheshin me parinë nacionaliste të Dibrës.Edhe atëherë kur anglezët me inicijativën e tyre vajtën për bisedime në shtëpinë e Cen Elezit,ata u rrethuan dhe u deshën jetët e disa pinjollëve të kësaj familjeje të martirizoheshin që të shpëtonin miqtë kokën e tyre.Ndera e vatrës shqiptare thotë ; të mbrosh mikun.Mirëpo partizanët shqiptarë tashmë rrokulliseshin në labirintet e pandershmërisë komuniste-sllave.

Sidoqoftë,ndërkohë u krijua një urë marrveshjeje midis Esat Ndreut,Nijazi Islamit dhe Sotir Vullkanit nga njëra anë dhe Cen Elezit me një pjesë të parisë së Dibrës nga ana tjetër për të bashkëpunuar në luftë kundra gjermanëve.Kjo marrëveshje u hodh poshtë nga komanda partizane shqiptare,madje ironikisht është anatemuar si kompromisi i ngjashëm me ate të Mukjes…!. Dhe sikur të mos mjaftonin të tëra këto pazare të komunistëve shqiptarë,regjimi i ndyrë i diktatorit Hoxha,që në ditët e parat ë „fitores“ dhe ardhjes së tij në pushtet,që atëherë kur si parazit filloi të ushqehej me gjak shqiptari,thiri edhe emrin e patriotit,nacionalistit e atdhetarit,trimit Cen Elezi. Por Ceni ishte ai,i cili që në moshën miturake të tij kishte përkdhelur këmbëzën e pushkës,i kishte dhënë besën atdheut dhe s’mund të dorëzonte armën,ndaj ai del në male,lufton dhe shpreson.Populli e fsheh dhe e ushqen.Në kërkim të jetës së tij vihen me qindra mercenarë komunist shqiptarë,ashtu si dikur që i ishin vënë prapa qindra e mijëra serbë, italianë.Përballë kësaj tragjedie plaku do të ligështohej.

  Kapërcen malet e Dibrës së bashku me Mehdi Elezin,Qazim Hazizin,Dan Kaloshin e Lam Bazën,ato male që i deshi si fëmijët e tij,kaloi në pjesën tjetër të atdheut të vet,tashmë nën jugosllavinë titiste.Ka qenë përfunduar muaji i mjaltit Hoxha-Tito,por gjithsesi gjuha e gjahtarit të krimit ndaj nacionalistëve shqiptarë do të vazhdojë e përbashkët. E përbashkët do të ishte kjo gjuhë edhe në kërkim të trimit Cen Elezit. Pas tij tanimë do të vëhen OZNA dhe UDB-ja me gjithë arsenalin e vet të spiunëve.Ceni tradhëtohet dhe burgoset në qelitë e ftohta dhe të erëta në burgun e Shkupit,torturat dhe mundimet ngelin mes atyre katër mureve të qelisë,që në 9 majin e vitit 1949 në mënyrë mizore dhe të mistershme ja shuajnë jetën këtij burri të madh të shqiptarizmës.

  …Ka jetë fati i të cilëve paracaktohet.Por nëse ky fat lidhet me ate të një populli të tërë me lirinë e tij,atëherë bën pjesë në radhët e atyre që kombi do dhe të respekton,dhe Cen Elezi u  përket këtyre njerëzve që e mbajtën dhe nuk e thyen askurrë besën e dhënë Atdheut.

Bern-Zvicër, nentor 2013

Filed Under: Histori Tagged With: Bese nga malet e Dibres, Cen Elezi, Eugen Shehu

Camëria në vitet 1923-1925

October 14, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen Shehu/

Veçanërisht në fillim të vitit 1923,Athina ndërmori një varg inkursionesh në trevat shqiptare të çamërisë. Në ndihmë të klerit ortodoks dhe andartëve të cilët prej kohe ushtronin në këtë trevë, terror psikologjik dhe fizik, në janar të vitit 1923, rreth 1800 ushtarë të trupave të rregullta helene, u shpërndanë në Prevezë, Janinë,Paramithi,Filat dhe Artë. Ky inkursion, ashtu siç u mësua më vonë,kishte për qëllim të afërt ndjekjen e atdhetarëve çamë, shuarjen e rrevoltës popullore shqiptare, e cila kërkonte të jetonte në barazi me popullsinë tjetër ortodokse.Ndërsa qëllimi disi më i largët i këtyre inkursioneve ushtarake, ishte të terrorizonin banorët autokton të çamërisë që këta të largoheshin për kah Anadolli i largët,madje duke u quajtur me kombësi turke.

E vërteta ashtë se,lidhur me shkëmbimin e popullsisë turke me ate greke, Athina pat menduar qysh herët.Kështu,më 14 maj 1914, atëherë kur ambasadori turk në Athinë,Galib Beu, i propozoi kryeministrit grek Veneziellos shkëmbimin e popullatës myslimane me ate ortodokse, grekët iu përgjigjën pozitivisht këtij propozimi, qysh ditën e nesërme. Interesat e Greqisë dhe Turqisë, në këtë rast ishin të ndërsjellta.Greqia duke quajtur turq shqiptarët etnikë të çamërisë, kërkonte kërkonte të zhdukte sa më parë këta nga tokat e tyre stërgjyshërore.Ndërsa Turqia,nisur nga pasuritë e patundshme të mëdha të banorëve çamë, mendonte të fuste sa më shumë flori në arkën e vet,pasi në bazë të ligjeve të nxjera enkas nga Athina, myslimanët që shkëmbeheshin nuk u jepej pasuria e tyre.Kjo pasuri, në vlerë leku,posedohej nga qeveria turke, e cila gjoja do të merrej me vendosjen dhe strehimin e këtyre myslimanëve.Por shkëmbimi në fjalë kish edhe arsye tjetër që shpejtohej nga Athina e Stambolli në kuriz të çamërve.

Dihet se pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore,Europa bëri çmos të nënshkruante me gjithë shtetet përbërës, traktatin për minoritetet, duke dashur të shuaj çdo revoltë që mund të ndizej prej padrejtësive të bëra. Shqiptarët me të firmosur atë traktat, ishin të parët që njohën të drejtat natyrore të 7-8 mijë grekërve, në jug të shtetit amë.Qeveritë shqiptare në vitet 1918-1922, ndonëse të preokupuar prej problemeve pafund që përballeshin, u kujdesën që të çelinin shkolla greke në ato 5-6 fshatra minoritare helene, duke u garantuar atyre pronat e lujtshme dhe të palujtshme, madje patën përfaqsues të këtij minoriteti deri në karrige ministrore.Parë në këtë rrafsh, Athina ishte e humbur në pretendimet e saj.Prandaj duke mos dashur të ndërkomëtarizonte problemin çam, në janar të vitit 1923, me dërgimin masiv të ushtrisë, kërkonte të thellonte tragjedinë e shqiptarëve etnikë, duke shpifur „shkëmbimin e vullnetshëm“ të popullsive me Turqinë. Për më tej,ushtria helene pati edhe një qëllim tjetër.Ajo donte të merrte në mbrojtje ardhacakët e krishterë të Anadollit të cilët u dukën në çamëri në tetor-nëntor të vitit 1922. Me termin „nën mbrojtje“ duhet kuptuar që këta ardhacakë, u shtruan këmbëkryq në shtëpitë e banorëve çamë, duke u bërë në mjaft raste zot,të bagëtive,ullishteve apo pasurive të tjera të shiptarëve në këto treva. Janë të shumta me këte rast protestat që atdhetarët çamë iu dërguan jo vetëm Athinës e Tiranës, por edhe kancelarive europiane.Të krishterët e Anadollit, duke patur mbrojtjen e andartëve grekë, nuk vonuan të bëjnë edhe ndrytësira të tjera. Kështu në letrëne patriotit Muzar Dino nga Paramithia i dërgonte Ministrit të Punëve të Jashtme në Tiranë, pos të tjerave shkruante tekstualisht;

„Nga fundi i vjeshtës së dytë dhe fillimi i së tretës, të vitit që shkoi, Në Greqi kanë ardhur shumë të krishterë të Anadollit, prej këtyre 12 mijë zbritën në Gumenicë Margëllëç, Pramithi, Gradhiq,Varfani etj… Turma e ardhacakëve përveç dëmeve „lëndore“ që u shkaktoi të zotërve të shtëpisë ku qenë strehuar,shpesh herë u mori nëpër këmbë edhe nderin“.( A.Q.Sh-Tiranë.Fondi 251,dosja 80,fleta 5 ).

Përpjekjet e menjëhershme të atdhetarëve çamë,qofshin këto me armë në dorë apo diplomatike, bënë që qeveria shqiptare të ngrejë lart zërin në mbrojtje të bashkëkombasve të vet.Kështu që përfaqsuesi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, Mehdi Frashëri, iu drejtua në janarin e vitit 1923, Kryesisë së kësaj lidhjeje si edhe kryetarit të Komisionit të minoriteteve, me anë të një proteste ku pasi argumentohej se çamët banonin në ato vise, qysh nga kohët e vjetra, zhvilloheshin padrejtësitë e Athinës ndaj këtyre shqiptarëve etnikë. Shkëmbimi i popullsive, i ndërmarë prej Turqisë dhe Greqisë, sipas qeverisë shqiptare të asaj kohe,ishte vetëm një manovër e ulët për greqizimin e trevave në jugun e Shqipërisë, protesta shprehej, pos të tjerave se ;“Përfshirja në shkëmbimin e kësaj popullsie shqiptare,duke e konsideruar atë turke,edhe pse s’kishte asnjë lidhje gjaku,gjuhe dhe zakoni me elementin turk, do të ishte një padrejtësi e madhe e hidhur dhe me pasoja“.

Argumentet e parashtruara nga përfaqsuesi i qeverisë shqiptare,Mehdi Frashëri bën përshtypje në Lidhjen e Kombeve.Nga ana tjetër Mehdi Frashëri shfrytëzoi sidomos qëndrimin Italian pro shqiptar si dhe miqësitë me zyrtarët e lartë turq, duke mundur të krijojë në Lozanë, në janar të vitit 1923, një klimë sa ma të favorshme për çështjen shqiptare.Ai nuk mungoi të paraqesë atje një varg dokumentash autentike që kishin të bënin jo vetëm me historinë e çamërisë, por sidomos me terrorin në të cilin jeton praktikisht, shqiptarët etnik të asaj treve.E detyruar përballë këtij presioni ndërkombëtar,Athina preferoj tërheqjen dinake, në vend të sulmeve të verbëta.Në këtë mënyrë,Venizellosi,njoftonte me telegram Lidhjen e Kombeve se myslimanët në Greqi,pasardhës të racës shqiptare nuk do të përfshihen në shkëmbim.ndërsa përfaqsuesi grekë në Tiranë, i deklaronte qeverisë shqiptare se ;“Qeveria greke do t’i përmbahej me rigorizitet deklaratës solemne që kish bërë në Lozanë,në Lidhjen e Kombeve,për mospërfilljen e popullsisë shqiptare të çamërisë në Këmbim“. ( Dokumente për çamërinë – Tiranë 2000 , dokument 53 , faqe 96 ).

Aty ku mbaronte fjalën e vetë diplomacia, fillonte padyshim dinakëria greke.Në pranverën e vitit 1923, me anën e një qarkore gjysëm legale,Athina urdhëronte banorët e çamërisë që të mos punonin tokat e tyre,pasi aty do të vendoseshin ardhacakë prej Anadollit.Madje në Janinë dhe Prevezë, përhapi lajmin se tokat e banorë çamë aty, i duheshin për të sistemuar „refugjatët“ grekë që vinin nga Azia e Vogël.Për më tej, gjatë vitit 1923,ardhacakët ortodoks, zhvilluan konferencën e parë të tyre.Konferenca në fjalë, zgjodhi një përfaqësi prej katët vetësh, të cilët firmosën një memorandum drejtuar kryetarit të qeverisë greke. Është tejet e lehtë, të kuptosh cinizmin tradicional helen, kur mëson se katër nga kërkesat kryesore të këtyre ardhacakëve ishin;

1-   Të shpronësohen pronarët çamë dhe tokat të na falen neve

2-   Ky shpronësim të bëhet pa asnjë kompesim ndaj pronarëve çamë

3-   Strehimi ynë të bëhet patjetër nëpër shtëpitë e myslimanëve çamë që duhet të largohen një orë e ma parë.

Këto kërkesa u quajtën plotësisht të drejta nga shtypi i Athinës i asaj kohe, ndërsa qeveria helene i tundte këto paçavure të mërive etnike, si „të drejta“ të popullsisë ortodokse greke për të jetuar në shtetin e  tyre.Nga ana e tyre atdhetarët çamë,askurrë nuk heshtën së punuari dhe luftuari për të drejtat e tyre.Mendoj se ka qenë shans i madh për ta, vendosja nga ana e qeverisë shqiptare si Ministër fuqiplotë në Athinë, burrin e shquar Mid’hat Frashërin. Që në ditët e para të punës,biri i Frashërllinjëve mori kontakte me atdhetarët çamë dhe pasi u njoh me imtësi lidhur me terrorin helen ndaj bashkëkombasve të vet, ndërmori një fushatë të ethshme diplomatike. Mendoj të sjellë në këto rradhë disa pasazhe nga fjala e tij, në Asamblenë e Përgjithshme të Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë më 24 shtator 1923, në cilësinë e të Deleguarit të Parë të Shqipërisë, pasi bëri një rezyme të gjendjes së mjerueshme të banorëve të çamërisë, duke folur për padrejtësitë e ligjit të ri agrar të Greqisë, ai është shprehur tekstualisht ;

„Sipas ligjit të ri agrar të Greqisë, i treti i llojit të vet, çifligjet shpronësohet pa i vlersuar nga një gjykatë e lirë dhe pa u paguar çmimin e tyre pronarëve. Kur është fjala për shqiptarët,ligji përbën një masë të ashpër për këto arsye ;

1)- Është në kundërshtim me zotimet që Greqia ka marrë në 1913 në lidhje me pronat myslimanëve.Ky zotim është ripohuar në deklaratën lidhur me pasuritë myslimane në Greqi,nënshkruar në Lozanë nga zotërinjt : E.K.Venizellos, dhe D.Caclamanos, më 24 korrik 1923.

2)- Sepse vlersimi dhe mënyra e pagesës së sipërpërmendura, kur zbatohen ndaj subjekteve shqiptare, janë larg për të qenë po aq të paanshëm sa ato të parashikuara nga turqit,që janë përcaktuar të largohen nga Greqia, pronat e të cilëve,sipas Traktatit të Lozanës, duhet të vlersohen në monedhë të shëndoshë dhe nga një komision i përzier.Një trajtim i ngjashëm duhet zbatuar ndaj shqiptarëve.

3)- Sepse i krishteri, shtetas grek, që gëzon plotësisht të drejtat e tij, mund të pranonte një rentë shumë të vogël,meqë të gjitha të drejtat dhe përparësitë janë siguruar,ndërsa shumica e shqiptarëve që u janë marrë pasuritë, do të gjinden të detyruar të largogen nga Greqia dhe për pasojë pa kapitalet e tyre dhe pa asnjë mjetë jetese.

4)- Sepse që prej shtatë vjetësh shqiptarët myslimanë, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të pronarëve,u është hequr e drejta të shesin dhe të japin me qira pronat e tyre,çka u ka shkaktuar atyre dëme të mëdha.

5)- Sepse pronarët myslimanë kanë pasur kufizime në të drejtën e tyre të pronësisë,të korrat e tyre qysh prej disa vitesh,kanë qenë të konfiskuara nga qeveria greke ose kanë qenë të detyruar po nga ato autoritete, të japin me qera pronat e tyre me çmime qesharake.

Për pasojë ju lutem.Zoti Sekretar i pPërgjithshëm në emër të qeverisë sime, t’ia parashtroni këtë Notë Këshillit të Lidhjes së Kombeve, me qëllim që Këshilli të shprehet për dispozitat që duhet marrë me qëllim që ;

1-   Pasuritë që u përkasin shqiptarëve si racë a si shtetas, të vlersohen me vlerën e tyre faktike nga një autoritet gjyqësorë i lirë.

2-   Shuma e vlersimit t’i paguhet tërësisht në të holla pronarit „

( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 251, dosja 201, fleta 205-206).

Sidoqoftë edhe pse qeveria shqiptare, në vitet 1923-1925, bënte çfar ishte e mundur për të mbrojtur bashkëkombasit e vetë, në çamëri, Athina vazhdonte me politikën e saj për shkombëtarizimin e trevave shqiptare. Në fund të vitit 1923 dhe në fillim të vitit 1924, nga këto treva u shpërngulën gati 11 mijë banorë të cilët ose kërkonin vend nëpër ishujt e largët të Greqisë ose merrnin rrugën e mundimshme drejt Azisë, si të vetmin shans për egzistencë.Për më tej, nuk ishin të pakta edhe ato familje çame, të cilat u drejtoheshin kufijve të shtetit amë,me shpresë për të mos vdekur nga uria apo thikat e andartëve grekë. Jo pa qëllim, me urdhër të qeverisë greke, u zaptuan shtëpitë e mëdha të familjeve më të pasura shqiptare në Artë,Janinë Prevezë,Paramithi, Filat e gjetiu,kinse për nevojat ushtarake të Athinës. Aty ku rezistenca shqiptare ishte më e madhe,ndërhyrte xhandarmëria helene me forcë,duke arrestuar e torturuar kryefamiljarët që ishin pleqtë mbi 70vj.

Përballë këtyre ngjarjeve fatkeqe, atdhetari i shquar Mid’hat Frashëri, i cili çdo ditë të punës së tij në Athinë, ja pat kushtuar zgjidhjes së çështjes çame pas veprimtarisë së madhe diplomatike, kujdesej edhe për jetesën e bashkëkombasve të vet dhe pranë qeverisë shqiptare të kohës. Në një letër, të tij,lidhur me vendosjen e çamërve në Shqipëri ai pos të tjerave propozon tekstualisht ;”Me gjitha hapat diplomatike pranë qeverisë greke dhe pushteteve të mëdha, me gjithë veprimtarin e Shoqënis së Kombeve, kam shumë frikë se shqiptarë e greqisë ndodhen në shtërngim që të mos ,umdin të mbesin në vent të tyre.Pas evoulimit tim shqiptarët në Greqi ( të çamërisë,të Kosturit,të Florinës dhe ata të përndarë në katunde të ndryshme) arrijnë numrin 60.000 frymë.Është fort rëndë për ta dhe shumë keq për neve qi këta shqiptarë të emigrojnë në Turqie ashtu si çdo Greqia vetë edhe në e zënçim se Turqia do t’i pranojë.Po duke parë atituden e Turqis dhe ca më tepër akoma, vështirësitë për të emigruar në Anadoll dhe rreziku në të cilën do të gjenden është për të besuar se shqiptarët e Greqisë do të vijnë në Sqhipëri, ku i tërheq afërsia e kufisë dhe interesi i përbashkët.Punës së këmbimit të popullsisë ndërmjet Turqis dhe Greqisë do t’i japë një jov i math në ndaj të keti moti, kështu që, për së shpejti munt të gjinden përpara nji korenti të madh të emigrimit.Nji migrim i tillë do të formojë një vështirësi të madhe ekonomike dhe politike për Shqipërinë në qoftëse nuk parashifen konsenkuencat e s’mirës masat e duhura.Jam pranë ne mendimin e që nji komision i posaçëm të caktojë mënyrën e instalimit të emigrantëve dhe të refugjatëve, duke shënuar ndihmën që mund të japë Qeverija jonë dhe lehtësinat që mund të bëjë. Instalimi duhet të parshohë disa kategori refugjatësh.

1-   Ata që do të vendosen në tokën e shtetit.

2-   Ata që s’kanë kapital dhe duan subvencionin e shtetit.

3-   Ata që s’kanë pak kapital.

4-   Ata që munt të hyjnë si bujqë në pasuni të pronave private.

Për kategorin e katërt duhet konkursi matrial dhe ndihmë morale e pronarëve të venit, të cilët janë përfaqësuar begadisht dhe në Asemblet. Bashk me keto masa marr lirinë të kujtoj këtu dhe ato që kanë prekonizuar në letrën time të sipërthënë, në viset e Delvinës.

Pritni ju lutem, Zoti Ministër, të falat e mija me nderime.

                                                                                  Mid’hat Frashëri.

( Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë.Fondi 251, dosja 81, fleta 37 ).

Në dhjetorin e vitit 1924,si rrjedhojë e përpjekjeve të gjithanshme diplomatike të qeverisë shqiptare, Këshilli i Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, u detyrua të marrë përsipër në shqyrtim, problemet e banorëve të çamërisë. Një tjetër komision i kësaj lidhjeje do të niste punën në këtë drejtim. Ai përbëhej nga Ajnar Ekstrand (Suedi) Karl Marius Viding (Danimark) dhe Manuel Manrikue de Lara (Spanjë), të tre, të paisur me mandat nga Lidhja e Kombeve, për të verifikuar nga afër ankesat e qeverisë shqiptare. Komisioni në fjalë, kishte me vehte në çdo rast,një përfaqsues grek dhe një shqiptar, të cilët do të ndihmonin për mbarëecurinë e aktivitetit të këtij komisioni.

Ndërkaq edhe pse Komisioni Miks, filloi të shihte dokumentacionin në Athinë, lidhur me problemin çamë, dinakëria helene nuk vonoi të përdorte pushtetin lokal, për të realizuar qëllimet e eveta të mbrapshta,veçanërisht në Konicë, Katerinë, Kostur e rrethina, u ndau shitja e tokës nga pronarët çamë të cilët kishin vendosur të shkonin në Shqipëri.Prefektët e këtyre qyteteve, urdhëruan të gjitha zyrat e shitblerjes së pasurive të paluajtshme, që të mos kryenin asnjë veprim ndaj çamëve,me preteksin se ata do të shkëmbehen dhe pasuria e tyre do t’u kalojë në ngarkim ardhacakëve grekë.Në shumë raste, kur ky fat iu bë i ditur Komisionit Mikst, askurrë nuk u provua faktikisht, pasi urdhërat e prefektëve helenë ishin dhënë me gojë, dhe nuk mund të përbënin provë. Në kundërshtim me ata myslimanë turq, të cilët iu bindën menjëherë urdhërave të qeverisë greke për shkëmbim, banorët e çamërisë, ndonëse të paralajmëruar se do të shpernguleshin, në pranverën e vitit 1925, mbuallën të gjitha tokat e tyre, duke u kumtuar grekërve se nuk do të largoheshin kurrë prej trojeve të tyre stërgjyshërore.Edhe kësaj radhe dinakëria dhe mizoria helene num munguan. “Shqiptarët e fshatit Leshnicë dhe Mehall të Florinës, megjithëse të ndodhur pranë një stacioni hekurudhor, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u trasferuan në një stacion tjetër, me qëllim që kur Komisioni të kalonte në fshatrat Leshnicë dhe Mëhall, këto lokalitete të ishin të zbrazura”.(A.Q.Sh. – Tiranë, Fondi 251, dosja 132, fleta 186 ).

  Nuk munguan gjithashtu dredhitë tinzare të Athinës, të paguanin ndonjë myfti, i cili të merrte vrapin për t’u takuar me pjestarët e Komisionit, duke u thënë atyre se shumë myslimanë të çamërisë janë turq dhe dëshirojnë të shkojnë në Anadoll. Është kjo arsyeja që edhe gjatë vitit 1925, përpara syve të Komisionit Miks, u dëbuan nga vatrat e tyre me mijëra banorë të çamërisë.Madje në fund të vitit 1925, ndodhi një precedent shumë i rrezikshëm, ku çamëve nuk iu lejohej as shkuarja e tyre në Sqhipëri. Nëpërmjet hekurudhës, ata dërgoheshin në Shkup e Sofje, duke i dërguar më pas tokave të Anadollit.

Bern-Zvicër

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Cameria, Eugen Shehu, ne vitet 1923-25

KOLONEL RAUF FRATARI, PERSONALITET I SPIKATUR I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

October 11, 2013 by dgreca

 Shkruan:Eugen SHEHU/

  Fratari,ai vend i thyer në cep të Mallakastrës së egër,ka bërë emër jo vetëm në jug,por në krejt viset e shtetit amë.Burrat e atij vendi ishin mbështetja e parë e Rrapo Heklait,i cili ngase kundërshtoi trimërisht Portën e Lartë në mesin e shekullit të 19-të,u dënua me vdekje.Nga Fratari janë me dhjetar burra që u qëndruan trimërisht tufanave të kohës.Dhe në mesin e këtyre burrave,qëndron nacionalisti i shquar,ai që e deshi atdheun dhe monarkinë njësoj si shtëpinë e vet, Rauf Fratari.Lindi në Fratar,në vitin 1908,në Mallakastër ku kishin nisur të frynin erërat e autonomisë shqiptare.Nënë Sabires,asaj gruaje trime nga dera e shquar e Frashërllinjëve të Përmetit,i shkuan plot miq e dashamirës për ta uruar.I mungonte vetëm i shoqi Hajredini.Po kush ishte Hajredin Fratari?

I diplomuar në Stamboll në universitetin e Hylqies,Hjaredini ende 24 vjeçar dërgohet në Janinë.Aty mëson nga administrimi praktikisht dhe pas disa provimesh të tjera në Stamboll,në vitin 1906, dërgohet nga Porta e Lartë me detyrën e nënprefektit,në një prej nënprefekturat e Mamisit,të Vilajetit të Izmirit në Turqi.Aty ndonëse punon deri në vitin 1910 ka qenë i lidhur ngushtë me krerët kryesorë të lëvizjes autonomiste shqiptare.Është ndër nismëtarët e Komitetit Shqiptar të Beratit,të cilët mbështetën fuqimishtë Ismail Qemalin,Shahin Kolonjën dhe Hasan Prishtinën për të ngritur zërin në parllamentin turk,lidhur me alfabetin dhe gjuhën shqipe.Në fillim të vitit 1912,Hajredin Fratari e braktis përfundimisht karierën e lartë në administratën turke.Ai shkon në Mallakastër e berat dhe duke mos kursyer as forcat e mendjes dhe as pasurinë e tij,viret në ballë të lëvizjes për pavarsinë e trojeve shqiptare.Natyrisht një personalitet si Hajredin Fratari e kishte të qartë se Pavarsia e Shqipërisë mund të arrihej vetëm në saje të bashkimit të ideve dhe forcave të krejt shqiptarëve,drejt qëllimit të përbashkët,për këtë qëllim ai merr pjesë në Kuvendin e Junikut,më 25 maj 1912 si përfaqsues i popullit të Mallakastrës dhe beratit.Fjala e tij do të dëgjohej plot me respekt në mes të 250 burrave të mbledhur në Junik,të cilët përfaqsonin krejt vilajetet shqiptare. Nisur nga aktiviteti i madh patriotik,nga mençuria dhe guximi i tij,populli i Mallakastrës e zgjedh Hajredin Fratarin si delegatë të saj në Kuvendin historik të Vlorës,në nëntorin e vitit 1912.Në këtë mënyrë,burri i Mallakastrës u radhit ndër 33 firmëtarët që shpallën me aktin e tyre,pavarsinë e trojeve amtare.Në vitet 1912-1914,Hajredin Fratari do të punonte si nënprefekt i Skraparit.Si do të vinte në jetë njohurit e tij,duke dashur të çojë sa më parë idetë dhe punën e madhe të qeverisë së parë shqiptare,dalë nga Kuvendi i Vlorës.Pas mijëra halleve që kishin shqiptarët e asaj kohe,Hajredin Fratarit iu desh të përballej edhe me elementë anadollakë të cilët ende shpresonin se e ardhmja e Shqipërisë,ishte Stambolli.Edhe kur në Shqipëri shkoi Princ Vidi,ndonëse pati shumë kërcënime,Hajredini nuk e la detyrën.Por me largimin e tij atëherë kur Shqipëria e mesme dhe ajo e Jugut po binin në duart e Esat Pashë Toptanit dhe Haxhi Qamilit,atëherë burri i Mallakastrës shkon në shtëpinë e vet,në Fratar dhe për tri-katër muaj merret me ndërtimin e shkollës së parë shqipe në Fratar.Por qëndrimin e Hajredinit nuk mund ta harronin rebelët mallakastriotë që në mënyrë të verbër,shkonin pas Haxhi Qamilit,kësj figure të urryer të shqiptarëve në ato vise.Në ditët e para të prillit 1915,ata shkojnë në Fratar dhe e arrestojnë Hajredinin,në shtëpinë tij.Katër ditë më pas kinse ai donte t’u largohej rojeve është qëlluar dhe vrarë prapa krahëve.Gjithsesi në telegramin për këtë vrasje thuhej : “Berat 15 prill,ora 8 e ditës.Drejtur kryesisë së Komitetit Elbasan,Tiranë,Krujë. Zoti Hajredin Fratari tue qenë nga nënprefektët e administratës së Turqisë,është mbështetës i personit të Ismail Qemalit dhe u bë nënprefekt i Skraparit.Mbas ngjarjeve të bamë së voni është burgosur në burgun e Beratit dhe mbasi nuk u pa e pëlqyeshme mbajtja e tij në burg, e pamë të udhës transferimin e tij në burgun e Kavajës.Për dijeni ju njoftohet se sot,ku po përcillesh për në Kavajë nën vërejtjen e një detashmenti… u muar vesh se rrugës ka tentuar me u arratis dhe mbasi nuk iu bind urdhërit “ndal” të dhanun dy-tri herë prej detashmentit,asht vramë nga të qitunat e pushkëve të bame nga ana e detashmentit”.(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi 245,dosja 26,fleta 118).

Raufi 7 vjeçar do të shkonte të fillonte mësimet në shkollën e Fratarit,të cilën e pati ngritur që nga themelet i jati,Hajredini,madje edhe mësuesit e parë të kësaj shkolle ishin paguar nga burri i shquar i Mallakastrës.Së bashku me vëllanë më të vogël Skënderin,ata do t’i rriste me dashurinë e saj nënë Sabirja.Pas mbarimit të shkollës fillore në Fratar,Raufi shkon në Gjirokastër ku mbaron dy klasa të tjera.Më pas në vitet 1923-1927 ai shkon në Modena të Italisë dhe me ndihmën e pakursyer të familjes,mbaron me rezulltate të shkëlqyera,studimet në shkollën e mesme ushtarake,Tejet autoritar,me ambicie të vazhdueshme për t’u thelluar në studimet ushtarake,Rauf Fratari do të këmbëngulte për të vazhduar akademinë e lartë ushtarke.Për fat të tij në nëndorin e vitit 1928,mbretëria shqiptare e spalli të jatin Hajredinin “Dëshmor të Kombit” me ç’rast të birit Raufit i ofrojnë studime të larta në Itali.Në këtë mënyrë së bashku edhe me studentë të tjerë shqiptarë,në vitet 1929-1933,Rauf Fratari vazhdon studimet në Akademinë Mbretërore të Romës,në degën e Kavalerisë.Autoritetit dhe pretsigjit që gëzon ndër shokë do t’i shkonte shumë kjo degë e për më tej, Raufi do t’u futej studimeve të thella për rolin e madh të kavalerisë në betejat që kishin zhvilluar në shekuj me radhë bashkëkombasit e vet,ndërkaq ai nuk do të qëndronte indiferent edhe ndaj politikave italiane për fashistizimin e jetës së studentëve shqiptarë në krejt Italinë.Kundërshton me forcë nderrimin alla romane dhe në bisedat me miqtë e vet shprehet hapur se studentët shqiptarë duhet të ruajnë nderimet ushtarake që bëheshin në atdhe dhe asesi nuk duheshin harruar zakonet e mrekullueshme shqiptare.

Në vjeshtën e vitit 1933 pasi mbaroi me rezulltate të larta Akademinë Mbretërore në Romë,Rauf Fratari me detyrën e nëntogerit emërohet në Gardën Mbretërore Shqiptare.Për gjashtë vjet me radhë ai do të shërbente në këtë Gardë me përkushtim dhe devocionin më të lartë.Veçanërisht në këto vite,duhet pranuar se italianët nuk lanë gur pa përdorur,për ta kthyer Mbretin Zog në instrument të politikave kolonizuese të tyre.Kur e panë se në këtë drejtim karakteri i Mbretit të Shqiptarëve ishte i papërkulur,ata u përpoqën me anë të mercenarëve shqiptarë të kërcënonin deri fizikisht jetën e tij. Rauf Fratari,në çdo moment u gjend kurdoherë në situatën më të vështirë,duke shmangur në kohë çdo rrezik.Betimi si oficer besnik i Gardës Mbretërore,do të ishte për birin e Mallakastrës jo vetëm një udhëheqje por edhe thirrje për të sakrifikuar gjithshka vetëm që nderi i Gardës Mbretërore dhe i vetë Mbretit Zog të mos cenohej,është kjo arsyeja që brenda gjashtë vjetëve të detyrës së tij në atë vend,Rauf Fratari arriti të marrë gradën e majorit të Gardës Mbretërore.

Ndërkaq 7 prilli 1939 do të shënonte ditën e zisë kombëtare shqiptare.”Raufi ishte ndër ata qindra oficerë të Monarkisë së Zogut i cili e priti me indinjatë të madhe pushtimin fashist të vendit dhe në shenjë proteste ai grisi flamurin italian.Pas atij xhesti ndoshta simbolik,por që shprehte gjendjen e tij shpirtërore dhe indinjatën e madhe të një shqiptari të vërtetë,autoritetet italine e arrestuan Raufin dhe  embajtën për disa kohë në burgun e Tiranës”(Gazeta Shqiptare,Tiranë,10janar2003)

Ka qenë pikërisht ndërhyrja e Fejzi bej Alizotit ( gruaja e të cilit ishte motër me gruan e Raufit) që ky i fundit të lirohet nga burgu.Meqenëse autoritetet italiane i njihnin aftësitë ushtarke të Raufit,në kuadrin e thirrjes për t’u kthyer të gjithë oficerët shqiptarë në detyrat e tyre,ky shkon në garnizonin  e Kuçovës.Disa muaj më pas,në fund të vitit 1940,Rauf Fratari thirret në komandën e lartë të ushtrisë italiane dhe i bëhet thirrje të grumbollojë sa më shumë vullnetarë nga vendlindja e tij,Mallakastra për të luftuar në frontin italo-grek që niste nga Saranda.Sidoqë nën parrullat se do luftohej për Shqipërinë Etnike,Raufi e kuptoi se kjo gjakderdhje e shiptarëve sish gjë tjetër,pos zbatimit të planeve strategjike për territore të reja të pushtuara nga fshistët.Ka qenë kjo arsyeja që Rauf Fratari nuk pranoi të luajë këtë rol,me ç’rast u arrestua përsëri dhe u dërgua në burgun e Gjirokastrës.Edhe aty nuk munguan presionet,ndërsa burri i Mallakastrës me një italishte të kulluar i kumtonte karabinierëve italianë se shqiptarët një fjalë kanë.Edhe këtë radhë me ndërhyrjen e Fejzi bej Alizotit autoritetet italiane detyrohen ta lirojnë nga burgu duke e porositur që të shkoj në shtëpi ndryshe e priste internimi.Në vitet 1941-1943,Rauf Fratari akademist i shkëlqyer i Romës dhe mbretëror i sprovuar,bashkëpunon ngushtë me nacionalistët shqiptarë.Ai bie në kontakt me Hysni Lepenicën,Ismail Golemin,Tefik Cfirin dhe sidomos me Abaz Kupin,heroin e rezistencës shqiptare të 7 prillit 1939.Dihet se në fillimet e veta lëvizja nacionaliste shqiptare lindi si nevojë imperative e luftës kundër fashizmit italian,i cili kishte robëruar vendin.Rreth 70-80 burra  të Mallakastrës së Epërme,në janarin e vitit 1943 lidhin besën so do të luftonin nën komandën e Rauf Fratarit.Brenda dy-tri muajve radhët u shtuan dhe kjo njësi luftarake u pagëzua batalioni “Hajredin Fratari”.Në mars të vitit 1943,do të vinte aksioni i parë i madh i këtij batalioni,kundër forcave italiane që lëviznin në autokolonën prej Fieri në Tepelenë.Në vendin e quajtur kthesa e Greshicës,Rauf Fratari ndërton një pritë model duke iu përshtatur terrenit,si edhe aftësive luftarake të batalionit që udhëhiqte.Duke shfrytëzuar befasinë vullnetarët nacionalistë,hapin një zjarrë të fuqishëm në drejtim të autokolonës italine dhe brenda dy orë luftimesh lënë dhjetra të vrarë dhe të plagosur.Komanda e qarkut të Fierit, lajmëronte Tiranën për “dërgimin e trupave të tjerë pasi prita ka qenë e befasishme dhe shiqptarët nuk përmbahen në sulmin e tyre”.(A.Q i shtetit-Tiranë,Fondi Mëkëmbësia,dosja.47,fleta 233 ).

Mbas këtij aksioni i cili bëri jehonë në krejt Shqipërinë e Jugut,forcat ushtarake italine ndërmuarën një operacion të gjërë,në Mallakastër duke djegur qindra shtëpi,duke vrarë e burgosur shqiptarë të pafajshëm.Nuk mundet kursesi të jetë rastësi që e para shtëpi e djegur prej italinëve ishte ajo e Hajredin Fratarit.Pas djegjes së parë që i bënë shtëpisë së madhe forcat e Haxhi Qamilit,në vitin 1915,kjo ishte e dyta e cila rrënoi deri murat e lashta prej guri.Raufi me ndihmën e miqve të vet mundi ta largojë familjen dhe në krye të batalionit u hodh në aksion luftarak akoma më të rreptë,kundër pushtuesit italian.Tashmë emri i tij përcillej me respekt në çdo vatër mallakastriote.Sigurisht ka qenë kjo arsyeja që Qarkori Komunist i Mallakastrës,ngarkoi Mehmet Shehun të bisedonte me Raufin,me qëllim që ky të rreshtohej në batalionin e vet,në radhët e nacionalçlirimtarëve.Sipas kujtimeve të bashkëkohësve të tij,takimi ishte kryer në vendin e quajtur Poçen disa ditë përpara se aty,të mblidhej populli e të jepte besën për të luftuar okupatorin italian.Rauf Fratari me horizontin e gjërë dhe personalitetin që zotëronte,i tha Mehmet Shehut se nuk mund të virej asesi në komandën e komunistëve,e para,sepse ajo doktrinë nuk përshtatej Shqipërisë dhe se e dyta,sepse komunistët shqiptarë të rangjeve të larta,pothuaj të gjithë merrnin urdhëra nga Beogradi.Kjo bisedë e çiltër do t’i kushtonte shumë shtrenjtë Rauf Fratarit,dhe se prej atij momenti ai u shpall armik i partisë komuniste e cila udhëhiqej nga motoja bolshevike “O me ne ,O kundra nesh”.Sidoqoftë as premtimet dhe as presionit nuk do të mund t’a përkulnin burrin e Mallakastrës.Ai do të ndërmerrte një varg aksionesh të tjera kundër italainëve,pa i ndërprerë kontaktet,veçanërisht me heroin Abaz Kupi.Madje me insistimin e këtij të fundit,çeta e Raufit do të kordinonte veprimet luftarake me çetat e Ismail Golemit dhe Tafik Cfirit.Më pas po në shoqërinë e ngushtë të Abaz Kupit,burri i Fratarit do të njihej nga afër edhe me Mit’hat Frashërin,i cili me urtësinë e vet do të thellonte më tej ndjenjat antikomuniste të birit të Mallakastrës.Falë urtësisë dhe veprimit energjik luftarak kundër fashistëve italianë,Rauf Fratari do të ftohej nga Mit’hat Frashëri dhe Abaz Kupi për të marrë pjesë në kuvendin historik të Mukjes.Dihet tanimë se delegacioni i nacionalistëve shqiptarë,përbëhej nga figurat e shquara si ;”Mid’hat Frahsëri,Hasan Dosti,Thoma Orollogaj,Skënder Muço,Hysni Lepenica,Isuf Luzaj,Kadri Cakrani,Rauf Fratari,Xhevat Peshkëpia  ,Halil Mëniku,Vasil Andoni dhe Ismail Petrela”.(A.Q.i shtetit-Tiranë.Fondi 40,dos.173.fle.19-20).

Ndonëse i ri në moshë,Rauf Fratari do të dëgjohej plot respekt në Kuvendin  e Mukjes,në mënyrë të Veçantë ai do të këmbëngulte për të vendosur në nenin dy të Proklamatës,luftën pa asnjë kusht për zbatimin e parimeve të garantuara nga Karta e Atllantikut,për vendosjen e kombeve,ç’ka nënkuptonte bashkimin e trojeve të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare me shtetin amë,si edhe të drejtat e Shqipërisë Etnike.Por dihet tanimë nga të gjithë shqiptarët se si u tradhëtua Mukja.Për turp të historiografisë komuniste,kjo tradhëti u kërkua t’i transplatohej veprimeve të nacionalistëve,por balta e hedhur mbi ta një ditë u pastrua.Ajo baltë në vetvehte ka dashur të mbulojë lumenjtë e gjakut që komunistët e Tiranës dhe të Beogradit provokuar ndaj mijëra shqiptarëve të pafajshëm,duke i hedhur ata në vëllavrasje,dhe ç’prej këtij momenti Rauf Fratari shkon në Mallakastër dhe dërgon tek miqtë e vet gruan Ganimetin,me të birin,Hajredinin një vjeçar.Tashmë nuk ishin okupatorët ato që mund të hakmerreshin kundër tij dhe familjes,por forcat e verbërta të nacionalçlirimtarëve shqiptarë.Pas kësaj ai iu bashkangjit njësive luftarake të Abaz Kupit duke udhëhequr çetën e vet sa në luftë kundër italianëve po aq edhe kundër gjermanëve.Heroizmi dhe mjeshtëria e vet luftarake do të shkëlqente sa në Mat edhe në Krujë,sa në Zallher aq edhe në Prezë.Ai ishte i bindur deri në fund se fatet e Shqipërisë,e ardhmja e saj ishte lidhur ngushtë me autoritetin e padiskutueshëm të Mbretit Zog,i cili ashtu sikundër pati udhëhequr 15 vjet me radhë popullin e vet,do të dinte ta mbronte atë sa prej okupatorëve të huaj aq edhe prej mortajës komuniste.Mirëpo,me uzurpimin e pushtetit nga bollshevikët e shtetit amë,Rauf Fratari e parndjen tragjedinë që po pllakoste atdheun e vet.Ai largohet plot dhimbje nga Shqipëria,duke lënë aty jo vetëm historinë e ndritur të familjes së tij,por edhe nënën,gruan,dhe djalin dy vjeçar të cilin e kishte quajtur Hajredin,në kujtim të atit të vet.Duke iu drejtuar brigjeve të Italisë,së bashku me dhjetra nacionalistë të tjerë,ai ishte i ndërgjegjshëm se kudo të ndodhej do të luftonte me mish e me shpirt,për të shpëtuar kombin nga tragjedia e shekullit,komunizmi.Të shtatë vitet e qëndrimit të tij në Itali,Raufi do t’i kalonte duke u përballur me vështirësitë e shumta të jetës dhe privacioneve të mërgimit.Ai do të ishte kurdoherë përkrahë kulmeve të nacionalizmit shqiptar si Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti,Zef Pali,Abaz Kupi,madje do të mbante lidhje edhe me Mbertin Zog.Në këto lidhje ai do të shihte kurdoherë mundësinë e organizimit të forcave antikomuniste shqiptare,pa dallim partie.Ai ishte dhe mbeti deri në fund të jetës së vet fatos i bashkimit të gjitha forcave politike,vetëm e vetëm për të shembur muret e komunizmit të përdhosur,ato mure që ndan për pesë decenie me radhë kombin shqiptar,prej kombeve të tjera të qytetëruara.

Në vitin 1951 pas disa kërkesave të herpashershme Rauf Fratari thirret në zyrën e Refugjatëve,në Romë dhe i jepet e drejta të mërgojë në SHBA.Atje fillimisht në shtëpinë e një mikut të vet,Hiqmet Delvinës (ish krytar i parlamentit në kohën e monarkisë) në shtetin e Nju Xhersit.Më pas filloi veprimtarinë ekonomike private,por duke ndjekur me vëmendje të madhe gjithë zhvillimet në Shqipëri.Malli për të afërmit në vendlindje  e kapllon,sidomos kur mëson se ata keqtrajtohen nga qeveria komuniste e Tiranës.Merr pjesë në veprimtarinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” duke dalë në mbrojtje jo vetëm të bashkëkombasve të vet në shtetin amë por edhe për ata në Kosovë e Maqedoninë shqiptare.Ka qenë kjo arsyeja që në fund janar 1973,sapo del nga shtëpia e vet,Rauf Fratarin e qëllojnë për vdekje dy vrasës me pagesë.Dora gjakatare e sigurimit të shtetit shqiptar të asaj kohe,ishte shtrirë deri në Nju-Xhersin e largët,ajo dorë shtrinte përdhe burrin dhe nacionalistin e shquar,por asesi idenë dhe shpresën e tij,për një Shqipëri të çliruar nga mortaja komuniste, për një Shqipëri Etnike.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Rauf Fratari

PREKË CALI, SHTIZË E BAJRAKUT

September 27, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

Një emëri i madh,i cili ka ngarendur si legjendë në malet dhe ujërat e Kelmendit,një vetëtimë stuhie, e cila në decenie nuk u shua por u bëri dritë trimave,një thirrje kushtrimi që i shtyn gjeneratat e shqiptarëve etnikë t’i përgjigjen kurdoherë asaj,është padyshim figura e Prekë Calit.

Lindi në vjeshtën e largët të vitit 1872,në vllazninë e Hasanajve të bajraktarit në Selcës,i cili bënte pjesë në Kelmendin e Gurit.Shkolla asaj kohe nuk kishte,por kullat e kelmendit,ashtu si krejt kullat shqiptare e kishin nga një odë ku mblidheshin burra e djem të rinj.Këto oda,padyshim kanë qenë shkolla e madhe e formimit të vetëdijes malësore ku çmoheshin nderi,dinjiteti dhe krenaria,ku përbuzeshin veset dhe dënohej me vdekje tradhëtia ndaj atdheut.Në moshën ende 10-12 vjeç, Prekë Cali do të njihej me luftërat trimërore të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit,në mënyrë të veçantë në viset shqiptare të Plavës e Gucisë.I jati i prekës në këto momente do të merrte pjesë në çetën e luftëtarëve të Selcës,e cila udhëhiqej prej Ujk Gilës,t’merrit të vojnikëve serb.Në vitet e para të shekullit që lamë pas,mëritë etnike midis malazezëve dhe shqiptarëve të Kelmendit,erdhën duke u rritur.Në bjeshkët e Kelmendit gjenin tanimë prehje jo vetëm burrat e Plavës dhe Gucisë që ndiqeshin nga monarkia e Malit të Zi,por edhe luftëtarë nga Kosova,të cilët përndiqeshin prej Portës së Lartë.Shtëpia e trimave dhe vetë Preka,tanimë 30-35 vjeçar,shtatlartë,kurdoherë me armën në krah, do t’u dilte në mbrojtje këtyre burrave,duke i marrë në besë dhe shpesh duke i përcjellë deri në viset më të largët të Shqipërisë Etnike.Fjala e Prekë Calit ishte  e rëndë si guri sepse ai fliste rrallë dhe pas çdo mendimi nuk kish si të fshihej ideja e pavarsisë së trojeve tona etnike.Në janarin e vitit 1911,Shevqet Pasha,mori urdhër të prerë,të ndalë me zjarr dhe hekur lëvizjen autonomiste që pati nisur në veri të Shqipërisë.Me dhjetra mijëra ushtarë turq,të armatosur deri në dhëmbë iu vërsulën viseve të Kosovës martire si dhe atyre të Kelmendit,Hotit dhe Grudës. Përballë këtij rreziku,burrat e Shqipërisë u mblodhën dhe vendosën të luftojnë ndaj forcave të Portës së Lartë me çdo çmim,ngase vetëm në mënyrë të tillë mund të sigurohej pavarsia.”Në ditën  e parë të pranverës të vitit 1911, në mesin e burrave që kanë ngitur armët për kryengritjen e Hotit,Grudës dhe Kelmendit është dhe Prekë Cali.Sa u dha shenja e sulmit,bashkë me Uk Turkun e Selcës ( nip i të cilit ishte Preka) u prijnë kelmendasve nën komandën e Ded Gjon Lulit dhe sulmojnë.Natën e 23-24 marsit sulmohet mbi kaushet e turkut në fushën e Rrapshës”.( H. Buçpapa “Kreshta historie në kelmend” – Tiranë 2000 , faqe204 ).

Çeta e burrave të Selcës,të prirë prej Prekë Calit dhe Uk Turkut do të rrëfente trimëri të rrallë edhe në luftimet për marrjen e Deçiqit ku më 6 prill 1911,aty valoi krenarisht flamuri ynë kuqezi. Luftimet e përgjakshme midis forcave turke dhe kryengritësve shqiptarë,në mënyrë të veçantë në muajin prill të vitit 1911,bënë që Porta e Lartë të ndërrojë taktikë.Shevqet Turgut Pasha,me ferman të veçantë,u kërkoi udhëheqësve të kryengritjes të hynin në bisedime duke deklaruar “faljen” e tyre,madje i siguruar se Stambolli do të plotsonte disa prej kërkesave të tyre.Burrat e kelmendit ,Hotit dhe Grudës,sikundër e donte zakoni mblidhen në kuvend.Aty flasin pothuaj të gjithë trimat ;Marash Pali,Dedë Gjo Luli,Sokol Begu,Marash Luca,Mehmet Shpendi.Të gjithë janë të një mendjeje që kryengritja nuk duhet të pushojë,deri në aktin e shpalljes së pavarsisë së krejt trojeve shqiptare.Ndërsa trimi Prekë Cali e mbyll fjalën e vet ,”Na duhet me i kthye përgjigje Turgut Pashës,t’ue i thanë se,mirë ti që po na falke na,po gjakun e vllaznëve tanë të ramun këto ditë,na s’kemi kurrë me e falë se na dënon edhe gjindja edhe Zoti”.Edhe në vitet 1912-1913,Prekë Cali do të ishte kurdoherë në krye të burave të Selcës,për t’u dalë zot kufijve arbërorë.Por,sikur të mos mjaftonin intrigat dhe veprimet ushtarake të malazezëve, tanimë,malsorët shqiptarë ata në vise të Kosovës,Maqedonisë shqiptare dhe Çamërisë u nxorën në treg, prej Konferencës së Abasadorëve në Londër.Kjo ishte një tjetër thikë pas shpine që Evropa i ngulte Shqipërisë,për të kënaqur orekset sllavo-helene.Ngase shteti i parë shqiptar i dalë prej Kuvendit të Vlorës në 28 nëndorin e vitit 1912,ishte i pafuqishëm t’u bënte ballë zgjidhjeve dramatike të Evropës,atdhetarët shqiptarë nga jugu në veri,rrëmbyen armët dhe u ngritën në luftë të armatosur duke mos u pajtuar askurrë me coptimin e tmerrshëm të trojeve tanë etnike.Në thirrje të Mehmet Shpendit dhe Sokol Begut ka qenë Pekë Cali që në krye të 70 burrave të Selcës është përballur për muaj të tërë në vitin 1913,kundër malaziasve,në mënyrë të veçantë në malësitë e Grudës aty ku rreziku ishte tejet i madh.Siç dihet,Fuqitë e Mëdha pas coptimit që i bënë trojeve tanë në Londër,dërguan menjëherë në Shqipëri,Komisionin Ndërkombëtar të Kufijve,i cili do të vendoste në mënyrë premanente se ku do të kalonte vija kufitare.Në vjeshtën e vitit 1913 anëtarë të këtij komisioni shkuan edhe në Kelmend.Aty,së pari ata kanë bujtur në kullën  e Prekë Calit dhe ky i ka pritur sipas zakoneve të vendit.Kur të nesërmen oficerët e huaj kanë dashur të paguajnë Prekën,ky i ka thënë mendueshëm “Jo ,shqyptari nuk i merr pare mikut.Ani dalkadalë edhe ju kini me i nisue do zakone këtu,në këto bjeshkë”.Dhe vërtetë,oficerët e huaj i mësuan zakonet.Ata vendosnin shenjat e piramidave gjatë ditës dhe natën zhdukeshin.Vetë Preka,7 herë e pati shkatërruar një bazament piramide e vënë në tokë shqiptare,për të ndarë vëllaun prej vëllaut.”Kur e vunë për të shtatën herë,Prekë Cali e ngrehi armën kundër tyre,tue i thanë se tash nuk thej gurë por krena njerëzish që duan me më rrëmbye tokën e babës.Ai vetë e pati caktue kufirin ndërmjet Kelmendit e Malit të Zi,ku asht edhe sot.Malazezët ngulën këmbët për të marrë një bjeshkë që nuk ishte caktueme si vend i shqiptarëve barinj,as e këtillë për malazez.Por,malazezët thanë se asht Bjeshka e Kuçit dhe kërkuan me e marë mirëpo Preka i tha komisionit se asht e shqiptarëve dhe thirret Bjeshka e Kuqe e jo Bjeshka e Kuçit.Fitoi Preka dhe ajo tokë sot asht Skrapatusha e Shqipnis”.(Gazeta “Dielli” Boston 16 janar 1985 ).

Një tjetër betejë ku do të shkëlqej heroizmi dhe mendimi ushtarak intuitiv i Prekë Calit,është pdyshim edhe beteja e Koplikut e vitit 1920.Gjetkë e kam përmendur këtë betejë, e cila për nga dimensioni atdhetar mbetet shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit midis burrave.Prekë Cali së bashku me Hamëz Kuçin,Hamid Gjylbegun,Dodë Nikollën etj,kanë luftuar për ditë e netë të tëra në frontin më të vështirë duke u përleshur me forcat pushtuese jugosllave.Në këto beteja Prekë Cali njihet nga afër edhe me trimërinë dhe guximin e Ahmet Zogut,asaj kohe Ministër i Punëve të Brendshme,i cili gjithashtu në krye të trupave qeveritare,mbrojti territoret shqiptare,duke i treguar Beogradit se tanimë shteti shqiptar po konsolidohej dhe ai asesi nuk mund të pranonte intervenime ushtarake të tillë.Ahmet Zogu e falenderon Prekë Calin për trimërinë e treguar në këto luftime duke kërkuar më tej edhe bashkëpunimi të vazhdueshëm me ushtrinë dhe shtetin shqiptar.Pas luftës së Koplikut,Prekë Cali shkon sërish në Selcën e vet,në Kelmend,duke mbajtur të gjallë besën e kelmendasve përballë çdo dhelpërie malazeze.Dihet tanimë se problemi i kufijve veriorë të shtetit amë,ishte shndruar në çështje të diplomacisë evropiane.Për rreth 6 vjet nga 1920 deri më 1926,përcaktimi i kufirit shtetëror midis Shqipërisë dhe Mali të Zi,kaloi përmes përpjekjeve të vazhdueshme të të dy palëve,të cilat jo rrallë u shndruan në beteja me armë:Për palën shqiptare në krejt këto luftëra u shqua legjenda Prekë Cali,i cili në mënyrë të veçantë për mbajtjen e Vermoshit dhe të Gërçarit,si pjesë të pandara prej trungut amë,duke mos kursyer gjakun ( u plagos në një prej luftërave) mbajti me shpenzimet e veta dhjatra luftëtarë kelmendas.Është kjo arsyeja që në ditët e para të shaplljes së tij si Mbret i gjithë shqiptarëve,Ahmet Zogu e thërret Prekë Calin në audiencë dhe e falenderon për krejt ç’kish bërrë burri i Kelmendit,për mbrojtjen e kufijve të shtetit shqiptar. Nga ana tjetër,Prekë Cali duke e uruar Mbretin Zog e siguroi se Kelmendi kish qënë dhe do të mbetej ndër mote tokë e shqiponjave të lira.Në vitin 1930,me urdhër të mInistrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë,Prekë Cali ngarkohet në funksionin e komandantit të xhandarmërisë shqiptare për Malësinë e Madhe,madje atij iu dha dhe grada e majorit.Mund të tingëlloj disi çuditshëm ky fakt,veçanërisht në ato vite kur në krye të xhandarmërisë shqiptare Mbreti Zog pati vendosur ekseprtë të shkëlqyer britanikë.Por nisur nga situatat e turbullta brenda dhe jashtë Shqipërie,nisur nga prapambetja dhe mentaliteti i kelmendasve,nisur nga funksionimi aty i kuvendeve të besës,zgjedhja e Prekë Calit në atë funksion ishte plotësisht e gjetur.Prekë Cali,ky bir i viseve kreshnike,nuk e shfrytëzoi askurrë këtë post për t’u pasuruar,as për t’u hakmarrë kundër dikujt,përkundrazi me autoritetin e ligjit dhe respektin që gëzonte në popullin e asaj treve,vendosi rregull e qetësi në komunitet,duke u kujdesur veçanërisht për ata malësorë që ishin në vijën e parë të kufirit me Malin e Zi.Tejet emocionant ka mbetur në kujtesën e kryeqytetasve të vejtër,28 nëdnori i vitit 1937.Për nder të 25 vjetorit të shpalljes së Pavarsisë,pothuaj nga gjithë viset etnike shqiptare,kanë shkuar në Tiranë për të përshëndetur Mbretin Zog.Por,shumëve do t’u binte në sy,grupi i parisë së Malësisë së Madhe,gati 90 burra të veshur me kostume kombëtare,të prirë nga Prekë Cali edhe ky i veshur me kostumin tradicional kelmendas.Mbi dy metra i gjatë,me kobure sermi në brez e plis në kokë,Preka do të fitonte admirimin e qytetarëve të Tiranës që përshëndesnin turmën.Në hyrrje të Oborit Mbretëror,grupi i Malësisë së Madhe është prirur nga vetë Mbreti i Shqiptarëve,i cili nuk ka munguar t’i drejtohet Prekë Calit ;”Flamuri shqiptar i ngritur në vlorë,ndihet sot krenarë me trima si ju kelmendasit !”. Preka nga ana e tij me atë krenarinë emblematike e ka siguruar edhe një herë Prijësin se “Burrat e Kelmendit nuk njohin as frikën ndaj armikut dhe as koritjen.Ata njohin vetëm nderin e burrit”.

Mbase nuk duhet me lanë në haresë edhe një fakt.Në të vërtetë,Prekë Cali nuk pati kryer ndonjë shkollë,pasi të tilla ishin kushtet e Shqipërisë në ato kohra.Por ai dijti të vlersojë kurdoherë atdhetrët shqiptarë të pendës.Që pas Luftës së Parë Botërore,atëherë kur rreziku i coptimit të mëtejshëm të atdheut ishte evident,burri i Selcës do të lidhej në mënyrë të pazgjidhshëm me atdhetarin e shquar Gjergj Fishta.Janë të dy këta burra që kanë protestuar krah njëri-tjetrit,për fatet e kelmendit,Plavës dhe Gucisë,duke iu drejtuar me letra dhe telegrame Fuqive të Mädha.Për më tej edhe në vitet “30-të të shekullit që lamë pas,veprimtaria e tyre atdhetare nuk u ndal për asnjë moment.Është kjo miqësi një ndër arsyet që emri i Prekë Calit,përmendet me respekt edhe në veprën gjeniale të Fishtës “Lahuta e Malcis”, e cila përndryshe mund të quhet si saga e heroizmit epokal të malësorëve shqiptarë për lirinë e tyre.Intuitiv në politikë,Prekë Cali do të ndiqte me vëmendje në mënyrë të veçantë shpalljen e luftës midis dy boshteve,atij Romë Berlin dhe Forcave Aleate.Kjo shtjellë e re veprimesh ushtarake,patjetër që nuk mund të kalonte pa pasoja mbi shqiptarët.Ngase në fund të vitit 1941, kryeministër i Shqipërisë ishte Musa Juka ( mik i hershëm i Prekë Calit) ky i fundit së bashku me Prenk Grudën shkojnë në Tiranë,drejt e në shtëpinë e Musa Jukës.Më mori me vete Prekë Cali dhe shkuem në shtëpinë e kryeministrit Kruja.Na priti mirë,me bujari shqiptare.Mbas përshëndetjeve e pyetjeve të rëndomta të traditave të popullit tonë,u shruem në bisedime mjaft delikate.Preka e pyeti Mustafën nëse asht dëmtue fort çashtja shqiptare,me këtë shpallje lufte Anglisë dhe Amerikës.Mustafai gjegji me duf ;”Edhe Mali i Zi,i lidhur mbas Rusisë i ka pasë deklaruar luftë dikur Japonisë.Veç aleatët e dijnë fort mirë se nuk ka shpall luftë Tirana,por Roma,porse e pata unë fatkeqsinë me fol n’emën të Shqipnisë,viktimë e parë e fashizmit n’Evropë” këtu ndaloi Mustafa mendueshëm kurse Preka vijoi me pyetë ma gjatë…”(Prenk Gruda “Ditari i një zemre të lëndueme “ Tiranë 1995 , faqe 218 ).

Sikundër në Kosovë apo në Viset  e Maqedonisë shqiptare edhe në trevat shqiptare nën Mal të Zi,në vitet 1941-1943 u rigjallërua shpresa për bashkimin e trojeve tanë atnike.Zhvillimet ushtarke në Ballkan,favorizuan çështjen shqiptare dhe së paku në krejt viset arbërore u vendos flamuri kuqezi,u çelën shkolla shqipe dhe admnistrata u muar prej shumicës shqiptare.Pikërisht në këto momente,burrat e Plavës dhe Gucisë,iu drejtuan Prekë Calit që me autoritetin e tij të ndërhyjnë në ato treva për t’u dhënë një tjetër mësim malaziasve.Në janarin e vitit 1943,në krye të rreth 120 burrave të Kelmendit,Prekë Cali,pasi hedh në erë piramidat e vendosura në vitin 1926,prej Komisionit Ndërkombeëtar të Kufijve,i drejtohet Plavës dhe Gucisë.Përpara se të hyjë aty,ai u dërgon lajme autoriteteve malazeze se nuk  e njeh pushtetin e tyre nda të mos guxojnë t’i presin udhën.Është e vërtetë se autoritetet ushtarake malazeze i lanë pa shkrepur asnjë pushkë garnizonet e tyre.Po në qiejt shqiptarë tashmë po shfaqej veç robërisë edhe një tjetër re e zezë, komunizmi. Ai predikonte internacionalizëm,vëllezërim me serbosllavët,pavarsisht se kufijtë e Shqipërisë Etnike mund të rimereshin,pamvarsisht se drama e shqiptarëve të mbetur jashtë shtetit amë,mund të vazhdonte akoma më e dhimbshme.Në këto momente me nismën e atdhetarëve të Malësisë së Madhe,organizohet në fundqershorin e vitit 1943,një kuvend bese.Pati ide që ky kuvend të mblidhej në Shkodër por burri i mençur Prekë Cali parapëlqen Tuzin,qytetin e lashtë shqiptar dhe trimat nuk ia bëjnë fjalën dy.Në Tuz pati trima nga të dy anët  e kufirit ndërshqiptar siç ishin ;Gjelosh Luli,Mul Bajraktari,Has Ferri,Llesh Marashi,Nikë Gjoka etj.Fjala e Prekë Calit u prit me padyrim prej të gjithëve dhe burri i mençur i porositi bashkëluftëtarët e vet të ruhen prej dy armiqve.Të parët ishin serbosllavët që ndonëse patën shkuar në Cetinë e gjetkë mezi prisnin të mësynin përsëri Plavën dhe Gucinë.Të dytët sihin komunistët.Këta duheshin luftuar sepse nuk njihnin as Fe e as Atdhe.71 vjeçar me trupin e drejtë si shtizë bajraku me fjalën  e urtë,Prekë Cali tanimë dukej se ngarendëte nga legjenda në legjendë.Pushka e tij në vitin 1944,do të ndihej në Kelmend e Postribë, në Guri e mal të Kakariqit.Po në dhjetorin e po këtij viti,duket së ëndra e keqe e Prekë Calit po dilte në shesh.Komunistët shqiptarë dhe ata serbomalazias, e mbushën Shkodrën me flamuj jugosllav dhe nëpër rrugë,nacionalçlirimtarët këndonin hymnin jugosllav.Emri i Titos nuk hiqej as nga banderolat dhe as nga buzët e komunistëve që derdhnin gjakun  e shqiptarit duke marrë urdhër prej komisarëve të titos.Natyrisht miqësia e thellë e klikës së Tiranës me atë të Beogradit,nuk mund të linte pa ndëshkuar antisllavin Prekë Cali.Me t’u larguar gjermanët nga kufijtë e shtetit amë,forcat nacionalçlirimtare s’kishin objektiv tjetër pos “luftës pa kompromis ndaj banadave të reaksionit”. Kështu Shabi i Korparmatës së Tretë gjatë ditëve të fundit të dhjetorit 1944,mori përsipër riorganizimin e forcave partizane,me synimin  e vetëm për të luftuar “reaksionin”.Ndërsa në Shkodër po arrestoheshin dhjetra nacionalistë dhe shumë të tjerë po pushkatoheshin pa gjyq,komandnati i kësaj Korparmate,Shefqet Peçi,së bashku me ushtarakët jugosllav në shtabin e vet,jepte në formë të prerë “Urdhër Operacionin” ku pasi  urdhëronte organizimin e forcave,vinte si detyrë :”Me zhdukë njëherë e përgjithmonë çdo mbeturinë nacionaliste të organizuar ose jo”. (Arkivi Qëndror i Ushtrisë – Tiranë. Fondi Korparmata e Tretë, dosja 9,fleta 31 – 32 ).

Në këtë mënyrë në 14 janar 1945 forca të mëdha nacionalçlirimtare nisen drejtë Kelmendit.Të dhënat arkivore na bëjnë me dije; “Më shumë problem paraqiste banda e Prekë Calit në Kelmend prandaj partizanëve të Brigadës së Parë dhe Njëzetekatër iu ngarkua detyra të asgjësonin atë dhe të vendosnin pushtetin nacionalçlirimtar.Itinerari i forcave partizane ishte Shkodër-Hot-Rrapsh-Tamarë-Selcë-Vukël-Vermosh.Ishte dimër shum i ftohtë… Ndërsa kolona partizane po merrte drejtimin për në fshatin Brojë,forcat bashibozuke me në krye Prekë Calin kishin aorganizuar pritën ogurzeze”.(Historiku i Brigadës së parë Sulmuese “ Tiranë 1971 , faqe 218 ).

Po si është e vërteta ? Kelmendasit e moshuar e mbajnë mend mirë se në ato vise,ku nuk pati shkelur as këmbë turku,as këmbë shkjau,as këmbë cërnagorasi,gjermani apo italiani,tani donte të shkelte këmba e klikës komuniste.E përse ? Vetëm  evetëm të merrte jetë nacionalistësh,për t’i treguar Beogradit servilizmin e tyre të mjerë.Ata pa pyetur dhe në mënyrë tinzare godasin të parin kelmendas që sapo dilte prej mullirit ku pat blojtur një trastë misër për të mbajtur gjallë jetën  efëmijëve të vet.Përballë këtij akti dhune shtazarakësh,Prekë Cali jep urdhër të hapet zjarr,pa patur asnjë mundësi të bisedojë me kriminelin Shefqet Peçi.Beteja vazhdoi disa orë rresht dhe bora e bardhë e Kelmendit u skuq në mënyrë tragjike nga gjaku i shqiptarëve që vriteshin vllau me vëlla. Vonë në mesnatën e 15 janarit,nacionalçlirimtarët e kriminelit Shevqet Peçi,lanë Tamarën dhe iu drejtuan Tuzit,duke kërkuar të nesërmen,ndihmën e forcave partizane sllave.

Disa studiues të shtetit amë,me të drejtë,tashmë kanë dalë në konkluzionin se dërgimi i 200 forcave partizane në kelmend,ka qënë vepër e kolonelëve jugosllavë pranë Shevqet Peqit.Vrasja aty e disa dhjetra nacionalçlirimtarëve,do të ishte preteksi që në vitet 1945-1947,prej burrave të kelmendit të shuheshin të gjithë,një nga një ndërsa bijtë e tyre u dergjën burgjeve.Në këtë mënyrë,Beogradi dhe Cetina merrnin hakun ndaj nacionalistëve të kulluar shqiptarë.Atë çka nuk arritën ta bënin dot me dorën e tyre,e arritën nëpërmjet kriminelëve shqiptarë që e kishin për mburrje të quheshin internacionalistë.Në këtë mënyrë,në ditët e para të shkurtit 1945,drejt Kelmendit mësynë më shumë se 2000 forca të partizanëve.73 vjeçari Prekë Cali e kuptoi se ndëshkimi komunist nuk donte si kurban vetëm kokën e tij,por krejt burrave të Kelmendit,të cilët e patën ndjekur prijësin e tyre në të gjitha luftimet,kundër çdo okupatori.Së bashku me 14 burra të tjerë ai ngjitet lartë në shkëmbijtë e Vuklit,ndërsa informatat që merrte e bëjnë me dije për masakrën e madhe që pat filluar  krimi partizan e komanduar tanimë nga Mehmet Shehu.Që të derdhej sa më pak gjak kelmendas,Prekë Cali pret në shkëmbijtë e Vuklit priftin e fshatit Vukël,të cilin e patën dërguar si ndërmjetës partizanët.Prekë Cali pranon të dorëzohet duke kërkuar dy gjëra.Së apri ata të shkojnë deri tek kisha e fshatit të armatosur.Mandej luftëtarët e tjerë të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre e çdo llogari ta jepte vetë Prekë Cali përpara gjyqit.Mehmet Shehu pranoi.Por në kisha ata u çarmatosën,u lidhën dhe u dërguan të gjithë në Shkodër.Në agun e 27 shkurtit 1945,qelia e Prekë Calit ushtoi nga zëri i kriminelëve.Preka buzëqeshi dhe u përqafua me disa bashkëluftëtar.Po atë ditë ai u gjykua dhe në mesnatë u pushkatua.Varr nuk ka.Eshtrat s’dihet ku janë.Sot në Shkodrën martire një shesh mban emrin e legjendës së Kelmendit,Prekë Cali dhe një bust përshëndet kalimtarët,por jo komunistët.

Bern-Zvicër

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Prek Cali

KRYENGRITJA E VJESHTËS 1913 NË DIBËR E MAQEDONINË SHQIPTARE

September 25, 2013 by dgreca

 Ne Foto; Kryengritësit e Dibrës me artilerinë e zaptuar kundër ushtrisë serbe

 Shkruan:Eugen SHEHU/

    22 Marsi i vitit 1913,do të shënonte për shqiptarët fillimin e një tragedie të gjatë dhe të dhimbshme. Caktimi i kufijve të rinj,ku jashtë shtetit amë mbetetshin treva të tëra etnike shqiptare,zonat më urbane të saj,mbeten ende sot dëshmi e papërgjegjshmërisë historike të Fuqive të Mëdha, përfaqsuesit e të clave në Londër,një Jug të Evropës e coptonin,ata  dremitnin të përgjumuar në kariget e tyre të fëlliqura me turpin e historisë.Indiferenca e tyre do të dërmonte flakët  e një populli të “vogël”,po aq sa do të shndronte në pafundësi Ballkanin,ne një “fuqi baroti”.

Merret lehtë me mend se një gjë të tillë,nuk mund të ishte e rastësishme në Londër.Për trevat lindore dhe verilindore shqiptare,pat qenë e interesuar së tepërmi Sërbija,madje që në dhjetorin e vitit 1912,atëherë kur nuk kishin kaluar veç disa ditë nga shpallja e indipendencës shqiptare.E kaptuar prej sindromit të “Stara Sërbijës” duke lakmuar  përnjëmend ujërat e ngrohta të Adriatikut,politikanët,shkenctarët,studiuesit,ushtarakët,kjo aradhë çmendurake e Beogradit,nuk nguronte aspak të deklaroheshin për coptimin e Shqipërisë e për më tej,për zhdukjen edhe fizike të shqiptarëve.Beogradi pos terrorit e dhunës fizike,parashihte edhe masa të tjera,me ç’rast donte të dilte “i larë” me Evropën.Kështu,në një telegram që Pashiqi i dërgonte më 19 dhjetor 1912,kryekomandantit të trupave serbe në Shkup,pos të tjerave e porosiste ; “Bëni çfarë të jetë e mundur që,nesër prej arnautëve të parisë së Pejës,Gjakovës,Prizërenit dhe Dibrës,të dërgojnë telegrame në Londër,në emër të krahinave të tyre dhe t’u luten ambasadorëve të Francës, Gjermanisë,Italisë,Rusisë,Austrohungarisë dhe sër Eduard Greit,që krahinat e tyre të mbeten nën qeverimin serb,pa u bashkuar me Shqipërinë bregdetare.Ata duhet patjetër të pohojnë se shumica e banorëve flasin serbisht,ndërsa më të paktët në numër,që nuk flasin këtë gjuhë,rrojnë në harmoni me serbët dhe kështu duan edhe në të ardhmen”.(Arkivi Qendror i shtetit,Tiranë. Fondi I.Erebara viti 1912-1914,dosja 14,fleta 18 ).

Ndërsa në drejtim të Londrës u nis ndonjë zë korbi që binte në sinkromë coptimin e trojeve arbërore,ishin me qindra e mijëra burra të shqipërisë të cilët firmosën me laps e me besë,kërkesën për ruajtjen e tërësisë së territoreve shqiptare,me idenë se ky komb,ndër më të vjetrit në ballkan është i aftë të vetëqeveriset,të rrojë e lulëzojë falë guximit,mençurisë dhe trimërisë së tij.Me rëndësi është të theksohet se këto telegrame drejt Londrës,u nisën nga të gjitha trojet shqiptare prej Presheve deri në Ulqin,prej Vlore deri në Kumanovë.Menjëherë pasi Konferenca e Ambasadorëve në Londër, përcaktoi në mënyrë definitive dhe arbitrale,kufijtë e rinj të Shqipërisë,në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare u ndje dhuna e pashembullt e “Cërna Rukës”.Të mësuar me aromë gjaku,pjestarët e kësaj bande çetnike u shpërndanë nëpër viset shqiptare duke shtypur me zjarr çdo lloj qëndrese që mund të vinte prej trevave të shkëputura padrejtësisht prej shettit amë.Famëkeqi Dragutin Dimitrieviq,në krye të kësaj organizzate,ishte i gatshëm të kryente çdo lloj krimi,vetëm e vetëm për t’u hapur udhë formacioneve të ushtrisë së rregullt serbe.Ndër të parat masa me karakter thellësisht policorë,që Sërbia ndërmori në Maqedoninë Shqiptare,ishte çarmatimi i dhunshëm i banorëve të kësaj treve.Ditën apo natën,me apo pa paralajmërim,ata hynin në kullat e banesat e shqiptarëve të kësaj treve,duke bërë kontrolle të rrepta për gjithshka.Kur gjendej ndonjë armë,më e keqja ishte arrestimi i meshkujve të shtëpisë,dhe kur nuk gjendej,atëherë ulurimat e çetnikëve serbosllav arrinin qiellin.Ata konfiskonin gjithshka që gjenin në shtëpi ,kinse pushkët mbaheshin të fshehura dhe në disa raste (në Strugë,Kërçovë,Gostivar,Tetovë e Kumanovë) u dogjën mjaftë shtëpi shqiptare. Por nuk mund të mbaronin me kaq vuajtjet e banorëve të Maqedonisë Shqiptare.Me urdhër ushtarak të administratës vendore,këta të fundit,iu nënshtruan me dhunë një varg punëve nga më të rëndat fizike siç ishin hapja e trasheve për luftime të ardhshme,apo hapja e rrugëve të cilat hynin në planet luftarake strategjike të Beogradit.Mosha e banorëve të Maqedonisë Shqiptare,të cilët bënin punë të detyruar pa asnjë lloj pagese,nuk njihnin asnjë kufi.Që prej 15 vjeç e deri më 70,djemtë dhe burrat e këtyre viseve etnike shqiptare,ishin të detyruar të punonin angari,nën goditjet e kërbaçëve të serbosllavëve.Në një raport të “Naçellnikut” të Dibrës S.Popoviç,dërguar komandës supreme lidhur me emrin e ndërtimit të rrugëve,më 10 maj 1913,pos të tjerave thuhej se gjysma e rrugës Dibër – Gostivar që e lidhte këtë qark me Shkupin,kishte përfunduar kryesisht me punën e detyruar të banorëve të Rekës.Ndërsa po me punë të detyruar do të përfundonte së shpejti rruga Dibër-Strugë.S.Popoviç,në këtë njoftim është i detyruar pos të tjerave të pohojë varfërinë dhe mjerimin e banorëve të maqedonisë shqiptare ndërsa shkruan ; “Banorët e mjerë të Rekës,duhet të punojnë vetëm me duar për të thyer shkëmbijtë gigante të luginës së Radikës”(Sërpski izvori za istoriata në makedonskiot narod 1912 – 1914 . Skopje 1979, faqe 105).

Ndërka “naçallniku” i qarkut të Tetovës,në një njoftim për komandën supreme në po këto ditë,bën fjalë për punën e detyruar të banorëve të Maqedonisë shqiptare për riparimin dhe zgjerimin e rrugës ; Shkup-Tetovë-Gostivar-Kërçovë-Prilep etj,si edhe hapjen e rrugës në drejtim Gostivar – Dibër, e konsideruar tejet e rëndësishme në pikëpamje strategjike.Gjithashtu ky far naçellniku kishte mundur forcërisht të grumbullonte edhe disa forca shqiptarësh të cilët do të vireshin në dispozicion për hapjen e rrugës Kërçovë – Ohër.Madje ishin me qindra shqiptarët,të cilët me kafshët e tyre apo karroca,transportuan për muaj të tërë në qarkun  e Kumanovës,lëndë drusore e materiale të tjera për Armatën e Tretë të Shkupit.Është e natyrshme që këto punë angari,taksat apo detyrimet e tjera,kishin një qëllim final,nxitjen e mërive shekullore ndaj shqipatrëve.Tek e mbramja,përpara shqiptarëve të Kosovës ose në këto troje tona etnike në Maqedoninë Shqiptare,shtroheshin dy zgjidhje ; ose largimi i shqiptarëve përgjithmonë nga vatrat stërgjyshore,ose nënshtrimi i plotë ndaj zgjedhes sllavomaqedonase.Krahas masave të tilla me karakter shtypës dhe gati asgjësues,Beogradi nisi të godasi edhe kulturën,gjuhën dhe fenë myslimane të shqiptarëve.Në Gostivar,Kërçovë, Manastir,Shkup e Tetovë u mbyllën shkollat në gjuhën shqipe dhe u zavendësuan ato me shkolla në gjuhën serbokroate,shqiptarët ose duhej të braktisnin shkollat ose përfundimishtë duhej t’i mirrnin dituritë e tyre,përmes gjuhëve sllave.

Në këtë garë të shfrenuar të shkombëtarizimit të shqiptarëve nuk mungoi të japë “kontributet” e saj,as kisha ortodokse sllave.Politika fetare e Beogradit synonte të kthente me dhunë popullsinë e Maqedonisë Shqiptare në fenë ortodokse për të patur më të lehtë pastaj,asimilimin shpirtëror të tyre.Ndonëse kjo masakër shpirtërore nuk u relizua plotësisht,ajo më pastaj u shëndrua në një masakër fizike të llahtarshme.Kështu,në një letër të dërguar nga trevat e Dibrës dhe e botuar në revistën “Makedonskiji Gllas” thuhet tekstualisht kur flitet për masakrën në Raven të Gostivarit  ku mjaft prej popullit aty nuk iu përgjigj thirrjes së kishës ortodokse sllave për të ndëruar fenë : ”Popullsia në Raven iu nënshtrua një thirjeje të përgjithshme,ndërsa shtëpitë u dogjën të tëra.Në përgjigje të lutjes për mëshirë,serbet u propozuan shqiptarëve që kishin mbetur gjallë të pranonin fenë serbe,ose përndryshe do të thereshin deri tek fshatari i fundit… Banorët myslimanë që kishin mbetur të gjallë e pranaun këtë propozim” ( “ Makedonskij Gllas “ më 2 mars 1914 ).

Dëshmitarët e kësaj fushate të egër terrori,ka qenë në Maqedoninë Shqiptare,në vitin 1913 edhe studijuesja e famshme angleze Edit Durham.Në kujtimet e veta për këto masakra,ajo pos të tjerave ka shkruar se shqiptarët e kësaj treve të cilët nuk pranonin të pagëzoheshin i hidhnin në akullin e lumit ose i digjnin në turrën e druve të ndezura.Deri në këtë pikë arrinte marëzia serbe.Por gjithsesi,të gjitha këto masakra shtypëse dhe terrori represiv,u kulmuan në shtatorin e vitit 1913,atëherë kur Beogradi spalli haptas aneksimin e Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare.Ky akt,do të përbënte ndërkaq fillimin e një kryengritjeje të madhe ku shqiptarët e trevave lindore dhe verilindore e patën kuptuar përfundimishtë se fatet e tyre mund t’i zgjidhte vetëm gryka e pushkës.

Lëvizja e kaçakëve shqiptarë, e cila dukej se ishte tulatur pas 28 nëndorit të vitit 1912,tanimë u rizgjua duke njohur edhe një organizim konkret në zonat e okupuara nga sllavomaqedonasit.Elez Isufi,Hasan Pristina,Isa Bolentini etj,në krye të çetave të tyre me luftëtarë shqiptarë,mundën të organizojnë disa luftime të befasishme,me ç’rast lëvizja çlirimtare mirrte krahë.Veçanërisht në Dibër në mesin  e shtatorit,u shënua një organizim konkret i forcave vullnetare shqiptare i cili çoi në arritjen e një startegjie të përbashkët luftarake.Mendoi të përmend në këtë rast se mjaft prej bejlerëve të Dibrës dhe Maqedonisë Shqiptare,dhanë ndihma konkrete nga ana e tyre,në para të cilat shërbyen për blerjen e armëve si edhe ushqimeve për kryengritjen.Pas aktit të aneksimit të Kosovës dhe Maqedonisë Shqiptare,mbreti i serbisë Pjetri i Parë,nxitoi të firmosë planin e luftës kundër Shqipërisë të propozuar nga ministri serb i luftës Vili Bozhanoviq,me ç’rast Divizionit të këmbësorisë “Morava” i bashkangjiteshin edhe disa reparte speciale të artilerisë.Ora e madhe kishte rënë.

Më 21 shtatorë 1913,trimat e Dibrës të ndarë në formazione luftëtarësh deri më 200-250 burra,nisën luftimet kundër formacioneve të rregullta të ushtrisë serbe.Brenda dy ditëve në krejt Dibrën dhe Maqedoninë Shqiptare,u përcuall kushtrimi në luftë kundër Serbit.Ky kushtrim,përmblodhi në gjirin e vet,më shumë se tre mijë luftëtarë të sprovuar në sa e sa beteja. Formacionet luftarake serbe,nuk mundën të përballen dot me furinë e sulmeve të para të kryengritësve.Duke lënë qytetin e Dibrës,ata mundën të sigurojnë pozicionet e favorshme për të ruajtur urën e lumit Radikë,me çrast do të siguronin kalimin e tyre për në treva të Maqedonisë shqiptare.Në ndihmë të tyre u nis edhe një repart nga Ohri por pa sukses.Trimat e Dibrës dhe Maqedonisë shqiptare,duke kaluar valët e Radikës të veshur dhe të armatosur,mundën tu dalin prapa krahëve forcave serbe të cilat lanë pranë brigjeve të lumit,qindra të vrarë dhe të plagosur.

“Në 20-26  shtator 1913,kryengritja u zhvillua në një vijë ngjitëse.Brenda kësaj kohe ajo përfshiu të gjithë krahinën e Dibrës,dhe u shtri në një hapësirë që arrinte deri në afërsi të Resnjës (Në malin e Prishtinës),të Manastirit (në malin e James),të Velesit dhe të haneve të Zdunjës pranë Gostivarit. Ushtritë okupatore dhe pushtetarët lokalë serbe u dënuan prej këtyre viseve”.( “Dibra dhe etnokultura e saj “ Tetovë 1995 , faqe 305 ).

Në të vërtetë,pas sulmeve të kryengritësve shqiptarë në Gostivar,Kërçovë,Strugë e Tetovë,formacionet luftarake serbe u tërhoqën.Ata nuk mund të përballonin shpirtin kryengritës të shqiptarëve të Dibrës dhe Maqedonisë Shqiptare të cilët nuk vonuan t’i dërgojnë edhe një telegram Fuqive të Mëdha ku deklaronin  se trojet e tyre i bashkangjiten përfundimishtë shtetit amë Shqipërisë.Ndërkaq nuk duhet lënë në harresë faktin që me nënpunësit serbosllavomaqedonas të administratës vendore,kryengritësit shqiptarë u suallën me korrektësi duke mos kryer asnjë vepër terrori apo hakmarrjeje.Kjo flet edhe një herë për pjekurinë dhe idetë largpamëse të kryengritjes së shtatorit në Maqedoninë Shqiptare.Është fakt i pamuhueshëm se në këtë kryengritje,u ngritën së bashku,shqiptarët mysliman dhe ata të krishterë duke dëshmuar kësisoj se për këtë komb të vejtër dhe autokton të Ballkanit,liria është më e shtrenjtë nga gjithshka.Ndonëse zotëruan plotësisht pushtetin kryengritësit e Maqedonisë Shqiptare,nuk ndërmuarën asnjë akt dhune edhe ndaj pakicave etnike të tjera siç ishin maqedonasit apo bullgarët,përkundrazi,shumë prej tyre,të armatosur u vunë nën komandën e kapedanëve tetovarë,gostivaras apo kërçovarë.Dhe e paimagjinueshmja është ky qëndrim i kryengritësve shqiptarë,mbahej në një kohë kur serbët patën deklaruar me zë të lartë ; “Se i kanë vënë vehtes qëllim të çfarosin me gra e fëmijë,të gjithë shqiptarët që jetojnë brenda kufirit të ri  serb”.(Arkivi i Institutit të Historisë-Tiranë.Sipas dukumentave të Vjenës.Dosja 64/17 , raport i Starckut nga Beogradi dërguar Bertholdit ).

Të dhënat e burimeve arkivore,flasin për një përqëndrim të madh të forcave serbe në trevat e maqedonisë shqiptare.Kështu,vetëm në Manastir me rrethina ishin dislokuar 1400 ushtarë të regjimentit 16 serb,si edhe katër bateri artilerie me afro 400 ushtarë dhe oficerë të përgaditur. Gjithashtu në Prilep,Krushevë dhe Kërçovë,ishin vendosur për çdo vend nga 1 regjiment të cilët mbështeteshin nga artileria e Divizionit “Morava”.Forca ushtarake serbe kërkuan të futeshin edhe në rrethina të Tetovës e Gostivarit por ata u pritën me pushkë nga kryengritësit shqiptarë të atyre trevave.Luftimet u zhvilluan në datat 25-27 shtator në Maqedoninë Shqiptare,jo vetëm e rritën lartë  moralin e kryengritësve,por tërhoqën edhe vëmendjen e Beogradit,i cili nuk vonoi të hartonte planet e reja ndaj “rebelëve”.Në ditët e zhvillimit të këtyre luftimeve,kryengritësit e Maqedonisë Shqiptare treguan heroizëm të pashoq.Veçmas betejat e zhvilluara përgjatë grykës së Radikës,si edhe në Kërçovë e rrethina të Gostivarit,dëshmuan shpirtin e lartë të vetëmohimit dhe dëshirën e madhe të këtyre burrave për të qenë kurdoherë të lidhur me shtetin amë.Në këto luftime,trimat e Maqedonisë shqiptare rrëfyen jo vetëm pjekurinë në vendosjen e administratës shtetërore por sidomos edhe përgjegjsi të lartë në pikëpamje strategjike,ata u ndeshën me formacionet serbe në ato momente dhe në ato vende ku ishin të sigurtë për fitore.Kjo solli që pas mjaft të vrarëve nga ana serbe,t’u mireshin atyre një sasi e konsiderueshme armësh ku nuk munguan edhe topat e artilerisë,me ç’rast u paisën formacionet kryengritëse shqiptare.Përkundër shtypit të Beogradit,i cili e paraqiste kryengritjen e shtatorit 1913 në Dibër e në mbarë Maqedoninë shqiptare,si vepër e disa myslimanëve “mosmirënjohës”,Evropa po e kuptonte se ndarja e kufijve dhe coptimi i shqipërisë ishte shkaku kryesorë i tërë këtyre trazimeve.Janë një sërë dokumentash autentike të Austrohungarisë,Italisë,Rusisë e deri të Anglisë të cilat provojnë karakterin e vendosur të kryengritësve shqiptarë për të mos iu nënshtruar coptimit tragjik të trojeve të tyre shumshekullore. Mendoj të sjell në këtë rast,disa fragmente të arkivave të Ministrisë  së jashtme të Anglisë,përkitazi me ngjarjet e shtatorit të vitit 1913,të marra sipas informacioneve të z.C.A.Greik,nënkonsull anglez në Manastir.Pos të tjerave,në këto informacione thuhet tekstualisht ; “Meqë rezistenca serbe ishte e vogël,banorët e Dibrës myslimane dhe të lkrishterë u ngritën kundër nënpunësve administrativ të cilët ikën për në Strugë.Atyre së shpejti iu bashkangjitën trupat serbe që kishin mbetur gjallë,të cilët kishin zënë pomicione në kahjen midis Dibrës dhe Strugës.Dibra është marrë nga malësorët me 22 të këtij muaji,numëri i saktë i humbjeve serbe nuk dihet.Oficeri që komandonte këtu ishte i mendimit se humbjet e tyre silleshin rreth numrit 200 dhe 300 ushtarë… Bejlerët e Dibrës qenë jashtëzakonisht të pakënaqur me caktimin  ekufijve,i cili i ndan ata nga tokat e tyre në Shqipëri,vetëm e vetëm për hirë të përfshirjes në shetin serb të një minorateti të parëndësishëm sllav me më pak se 10 përqind popullsi,pa asnjë arsye strategjike,etnografie apo justifikim ekonomik.Ky kufi do të ndajë popullatën e Matit,Lurës,Kalisit dhe Dardhës, e mandej edhe një pjesë të Lumës nga qyteti i Dibrës,i vetmi treg i vendit i hapur për në shtetin e tanishëm.Kjo do t’i ndante këta po ashtu,edhe prej teqeve dibrane të Këllec-Babasë dhe Shaban Dedes,të adhuruara nga myslimanët deri në Krujë,ku ishte zakon që nga “Kryesitë e shehlerëve”,të gjithë llojet e mosmarveshjeve të zgjidhen pa kurrfarë marre në pyetje,të cilët kishin vlera të mëdha praktike,krahasuar me manastiret e zbrazëta apo kishat e pa shfrytëzuara përmes të clave,shtetet e krishtera ballkanike shtrijnë pretendimet territoriale të tyre… Kryengritja e shtatorit… në esencë është drejtuar kundër vendimeve të padrejta të konferencës së Amabasdorëve në Londër”

( Dibra dhe etnokultura e saj “ vëll I , Tetovë 1995 , faqe 301 – 302 ).

Në datat 26-28 shtator 1913 veçanërisht të ashpra u zhvilluan luftimet në shpatet e Jamen mbi Kërçovë si edhe në hanet e Mavrovës.Forcat kryengritëse të Maqedonisë shqiptare,ndonëse të pakta në numër (krahasuar me forcat serbe) dhe të armatosura keq e mos ma keq,mundën të zhvillonin disa beteja heroike ku ranë në sy,jo vetëm patriotizmi por edhe shpirti i lartë i sakrificës.Këta kryengritës,vlen të thuhet se patën në këto momente,ndihmë të madh edhe të pakursyer të fshatarëve të Gostivarit,Kërçovës e Strugës,të cilët nxuarën nga sepetet e vjetra fishekët e fundit dhe ua dhanë kryengritësve.Për rjedhojë më 28 shtatorë 1913,Mavrova,Kërçova e deri Gostivari me rrethina “dominohen plotësisht prej forcave kryengritëse të cilat kërkojnë bashkimin me Shqipërinë “(Arkivi Qendrorë i shtetit –Tiranë.Fondi 71 , dosja 4 , fleta 2 ).Këtë lajm e jepte në Vlorë,edhe vet Haxhi Vehbi Agolli,i cili ishte vënë në krye të administratës shtetërore në Dibër.Po në këto ditë,forcat kryengritëse mundën të vendosin pushtetin shqiptar edhe në Ohër,Strugë e Resnjë ku ndonëse se rezistenca serbe ishte më e madhe,gatishmëria e popullit të kësaj treve për t’u rreshtuar me kryengritësit ishte tejet e madhe.Megjithëse në këtë drejtim,Divisioni “Morava” pat dërguar rreth 2000 forca të armatosura deri në dhëmbë,brenda katër pesë ditëve humbjet e serbëve ishin tejet të mëdha.Në mjaft raste,ushtarët serb u fshehën në shtëpitë e  sllavomaqedonasve të këtyre trevave duke dëshmuar pos të tjerave se ishin të dyzuar në kauzën për të cilën luftonin.Prijësat e kryengritësve të Maqedonisë shqiptare,nga ana e tyre,kishin dhënë urdhëra të prerë që ushtarët apo oficerët serb që zotëronin nga ushtria e tyre,të trajtoheshin si robër pa u hakmarrur. Po pikërisht në fund të shtatorit,atëhrë kur u duk se kryengritja do të përfshinte edhe vise të tjera shqiptare,Beogradi vendosi të sundojë me dorë të hekurt.Tërheqja e tij,nga ana taktike kish të bënte vetëm me një riorganizim të forcave,duke vënë tanimë në dispozicion të shtypjes së kryengritjes,në Maqedoninë shqiptare,me mijëra ushtarë dhe oficerë të Divizionit “Morava” të armatosur deri në dhëmbë dhe të vendosur për të vënë në jetë planin e “tokës së djegur”.Në natën e 30 shtatorit 1913 mijërat e ushtrisë serbe,patën rrethuar Ohrin,Strugën,Prilepin,Mavrovën dhe Kërçovën.ata formalisht u kërkuan forcave kryengritëse që t’i lëshonin pozicionet pa luftë, e më tej të shkonin në shtëpitë e tyre.Prijësat popullorë të Maqedonisë Shqiptare nuk mund të gënjeheshin përballë këtyre propozimeve.E vërteta është se Qeveria shqiptare e asaj kohe,ndiqte me vëmendje situatën në tervat e saj të aneksuara nga Sërbija por kushtet për të ndihmuar kryengritjen mendoj se kanë qenë tejet të pafavorshme.Një inkursion i ministrit të luftës së qeverisë shqiptare,Mehmet Pashë Derallës,si edhe dërgimi i disa armëve në Maqedoninë Shqiptare,kanë një rol,por në kontekstin e ngjarjeve ky akt nuk mund të kishte ndonjë peshë të madhe.Qeveria shqiptare,në vjeshtën e vitit 1913,ishte e kërcënuar prej fqinjëve të vet deri në mosegzistencën e saj,pa pyetur më tej,për problemet e brendshme aq shumë të koklavitura.Protestat e politikanëve shqiptarë nëpër kancelaritë  evropiane,sigurisht që binin në vesh të shurdhur. Gjithsesi kryengritësit e Maqedonisë shqiptare,nuk mund të pranonin të lëshonin armët,për t’u pajtuar përgjithmonë me idenë e coptimit të tyre si edhe ate të robërisë nën terrorin serbosllav.Ata luftuan trimërisht në pozicionet e tyre,përballë një lukunije ujqish të etur për gjak.Në Kërçovë e rrethina,beteja vazhdoi plot 36 orë dhe vetëm në mbrëmjen e 1 tetorit 1913,forcat e divizionit “Morava” mundën të pushtojnë qytetin.Ndërkaq,më 2 tetor,forcat serbe,pas luftimesh të aspra me kryengritësit pushtuan Strugën dhe Ohrin duke vendosur edhe aty pushtimin e egër serb dhe një pjesë e konsiderueshme e këtyre formacioneve,muarën edhe qytetin e Pogradecit,brenda kufijve të shetit amë shqiptar. Tashmë dhuna dhe terrori serb,shkonin drejt një strategie të përcaktuar qartë,prej elaborateve famëkeqe të inicuar në Beograd.Të dhënat burimore dhe ato arkivore,flasin për ate,se vetëm në vijën Ohër – Gostivar u dogjën rreth 180 fshatra të cilët ishin të banuar ndër shekuj me shqiptarë etnik. Kinse për ndihmën që i dhanë “rebelëve” shqiptarë,të gjithë këta fshatra i mbuloi tymi i zjarrit dhe ndërsa banorët e pafajshëm u ngjiteshin pyjeve,ata i prisnin mitralozët dhe pushkët e formacioneve serbe të divizionit “Morava”.Në Kërçovë,aty ku gjithmonë ka qenë i ndezur prushi i rezistencës,serbët dërguan rreth 4000 ushtarë dhe oficerë të cilët në dy javët e para të muajit tetorë 1913,vetëm në 11 fshatra të kësaj treve,dogjën më shumë se 1500  shtëpi të gjitha të banuara prej shqiptarëve etnikë.Ndërsa me qindra familje nga Gostivari e rrethinat,duke patur shtëpitë e djegura dhe asnjë mjet jetese,iu drejtuan shtetit amë,duke u vendosur më së shumti në Elbasan dhe Tiranë.

Ndonëse po shtypej me masa të tilla repressive,revolta popullore në Kosovë e Maqedoninë Shqiptare,asesi nuk mund të shuhej prushi i shqiptarizmës .Shqiptarët po dëshmonin qëndresën,madhore për bashkimin e kufijve të copëtuar padrejtësisht në Londër.Shtypi i kohës shkruante ; “Po buçasin në të katër anët e dheut trimëritë shqiptare.Këto janë ata që na tregojnë se “stara serbija” s’është veçse vendi i thjeshtë : Shqipëri.Këto lajme i japin Evropës një mësim të plotë që kurrë shqiptari s’do të durojë nën zgjedhe”. ( Gazeta . “Liri e Shqipërisë “, datë 12 tetorë 1913 ).

Ajo papërgjegjësi e madhe e byrokracisë dallkauke evropiane,përsëri e nxjer kombin shqiptar para sfidave të përgjakura në mijëvjeçarin e ri.Shqiptarët kanë forcë dhe moral për ti përballuar.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Featured Tagged With: Eugen Shehu, Kryengritja e Dibres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 18
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT