• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOÇO KOTTA-BURRI QË LARTËSONË NDERIN E KOMBIT

August 27, 2013 by dgreca

Ne Foto: Koco Kotta1888 – 1949/

 Shkruan Eugen SHEHU

 Kombi kurdoherë ka nevojë për burra të mëdhenj,ashtu siç kanë nevojë lumenjtë për borën e maleve,ashtu siç kemi nevojë të gjithë ne për ajrin dhe dritën.Vepra dhe jeta e këtyre burrave,po aq sa ndriçojnë disa emra të përveçëm,aq edhe mund të shuhen,nën netët e zeza të ideologjive.Por në vetvete,prushi i shqiptarizmës së tyre,mbetet kurdoherë i pafikur.Këta burra,me veprën e tyre, përbëjnë ashtin e memories së kombit.Koço Kotta e merriton plotësisht një përcaktim të tillë.

Lindi në Korçë,në vitin 1888.Në vitin 1895 fillon mësimet e para në shkollën fillore të qytetit, e cila,falë përpjekjeve të mëdha të patriotëve shqiptarë të atyre trevave,pat filluar t’u mësonte bijve të shqipes,gjuhen e mëmës së tyre.Korça e fillimshekullit të njëzetë,po gjallërohej gjithnjë e më tepër nga shqiptarizma,çetat e komiteteve të Kolonjës,Manastirit e Starovës, e patën detyruar prefektin turk të qytetit,të ndërmerrte disa herrë ekspedita ndëshkimore,por sapo u ngjiteshin maleve,  ktheheshin nën breshërinë e plumbave të komitëve shqiptarë. Në vitet 1902-1906, Koço Kotta,vazhdon studimet e mesme në Korçë e Manastir,duke shfaqur haptaz dëshirën e tij të madhe për dije.Ai ndërkaq  parandjen se lëvizja autonomiste shqiptare është në rritje dhe shumë shpejt do të trokasë në dyert e historisë.Me ndihmën e prindërve dhe disa patriotëve të tjerë korçarë,ngase në studimet e mesme pati rezulltate të larta,vazhdon më tej stdudimet universitare në Athinë,për jurispondencë dhe administratë shtetërore.Edhe këtu,djaloshi korçar do të binte në sy për përgaditjen e lartë kulturore.Qarqet helene të Athinës,kërkuan me ngulm gjatë kohës që Koço ishte në Universitet,t’i injektonin në shpirt,antishqiptarizmën,por asesi nuk mundën.Djaloshi trupëhedhur prej Korçe,në bisedë me shokët dhe pedagogët e Universitetit,shprehej kurdoherë se vendlindja e tij ishte krahinë shqiptare prej shekujsh dhe se ortodoksët korçarë,mbeteshin kurdoherë bij të denjë të shqiptarizmës.E vërteta është se mbas mbarimit të studimeve universitare,Koço Kotta mbaron edhe një specializim për pedagogji dhe mbase njohu mirë gjuhët greqisht,anglisht,serbisht,italisht i propozohet të punojë në Athinën e atyre viteve.Djaloshi nga Korça,preferon të shkojë në atdhe,duke dashur që krejt ato dijeni të marra nëpër vite,të mund  t’ua transmetojë bashkëkombasve të vet.

Në Shqipëri,ai bie në kontakt me patriotët Kristo Luarasin,Mihal Grameno e Sali Butka,tek të cilët parasheh vrullin e asaj lëvizjeje të fuqishme autonomiste,që rritej dita ditës.Koço Kotta,do të ishte kësisoj,ndër nismëtarët e ngritjes së flamurit në qytetin e Korçës,përmes reaksionit të fuqishëm të andartëve grekë,të cilët bënë çmos që kjo trevë,të mos bashkohej me aktin madhorë të ngritjes së flamurit si edhe njohjes së pavarsisë së Shqipërisë.Zëri i tij i bukur kumboi në mitingun madhështor të fundnëndorit 1912,kur mijëra patriotë të Korçës,Kolonjës e Starovës, u tubuan nën flamurin kuqezi dhe marrshet e këngëve patriotike shqiptare.

Në janarin e vitit 1913,me këmbënguljen e madhe të patriotëve korçarë,të cilët ja njihnin aftësitë,Koço Kotta shkon në vlorë,me ndihmë të qeverisë së shtetit të parë shqiptar, e cila ishte rrethuar prej njëmijë e një hallesh e rreziqesh.Aty në shoqërinë e Luigj Gurakuqit dhe Bedri Pejanit, biri i Korçës do të kontribojë sa të mundet lidhur me reformat arsimore në Shqipëri.Këtu,Koço Kotta do të bashkohet edhe me atdhetarin tjetër,Sali Gjykën,duke ndarë me të krejt problemet organizative të arësimit shqiptar.Ndonëse kryen funsionin e kryesekretarit në ministrinë e arsimit,24 vjeçari Koço Kotta,do të shkonte vetë në këmbë,nëpër qytete e fshatra,duke bërë çfar ishte e mundur,për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe,si edhe për pasijen e tyre me mjetet e domosdoshme për të funksionuar.Dihet tanimë se çfar manovrash politike dhe ushtarake ndoqën fqinjët shoven,për të parandaluar me çdo kusht veprimtarinë e qevrisë shqiptare,të dalë nga kuvendi historik i Vlorës.Me dorheqjen e Ismail Qemalit,pas disa muajsh,u formua qeveria nën drejtimin e Turhan Pashës, e cila u përpoq të shpëtonte me çdo mjet pavarsinë e kërcënuar të territoreve shqiptare,të caktuar padrjetësisht në Konferencën e Londrës më 1913.Edhe në këtë qeveri Koço Kotta,kreu me dlirësi dhe inisiativë,funksionimin e drejtorit në Ministrinë e Arsimit,duke u përpjekur në çeljen e një sërë shkolave shqipe.Në vjeshtën e vitit 1914,shkon në qytetin e Shkodrës,ku nis menjëherë përpjekjet për kryerjen e reformave të mëdha arsimore:Këtu mirëpritet nga Terenc Toçi,Sali Gjyka e atdhetarë të tjerë Shkodran të cilët,shihnin tek djaloshi nga Korça,jo vetëm aftësinë organizuese në rrafsh të arësimit,por sidomos prushin e pafikur të shiqptarizmës së tij.Në këto vite,në Shkodër,ishte krijuar komiteti “Krahu Kombëtar”,në themel të të cilit,qëndronin,idetë dhe veprimtaritë për independencën politike,morale dhe shpirtërore të qytetit verior të Shqipërisë.Duhet kujtuar se në vitet 1915-1918,Shkodra ka qenë një trevë tejet e lakmuar prej malaziazve,me ç’rast “Krahu Kombëtar” kreu besnikërisht misionin e vet atdhetar kunër pushtuesve malazias.Për 1 vit rresht,në krye të këtij komiteti,atdhetarët shkodranë,vendosën Koço Kottën.Me ngjarjet madhore të janarit 1920,atëhrë kur mbahej në Lushnjë Kuvendi historik për krijimin e një qeverie të pavarur shqiptare,Koço Kotta do të ngarendë i pari,në vorbull të ngjarjeve.Me vendimin unanim “të gjithë përfaqsuesve të krahinave shqiptare z.Koço Kotta, zgjidhet sekretar i Kongresit”(Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë,Fondi Kongresi i Lushnjës, dosja 7 fleta 4 ).Në krah të burrave të shquar të Shqipërisë si  Hoxhë Kadriu,Mehdi Frashëri,Ahmet Zogu, Bajram Curi etj,djaloshi nga Korça do të vinte të gjitha forcat,për të nxjerrë kombin e vet prej trazirave të brendshme dhe të jashtme,për të çuar Shqipërinë drejt një të ardhmeje sa më demokratike e të bashkuar.

Në vitet 1922-1923,Koço Kotta emrohet prefekt në Berat.Në këtë funksion,ai do të punonte pa u lodhur,si për vendosjen e rendit dhe të qetsisë,po aq edhe për edukimin e brezave të rinj,me idetë e shqiptarizmës.Me nismën e tij si prefekt,në mjaft shkolla të Beratit e rrethinave të tij,këndohej hymni kombëtar çdo mëngjes,ndërsa nxënësit puthnin flamurin kuqezi.Veçanërisht në lidhje me patriotin e madh Sali Gjukën,ai ndërmori një varg masazh në këtë qytet,për të nxitur ndjenjat atdhetare të popullit të Beratit,këtu duhet nënvizuar se në fillimet e punës si prefekt Koço Kotta u muarr nëpër gojë prej parisë myslimane të qytetit,por vizioni largpamës dhe veprimet konkrete atdhetare bënë që burri nga Korça të bëhej mik me parine myslimane,po aq sa me ortodoksit beratas.Ndërkaq,emri i tij tanimë përmendej me respekt,në rrethet e nacionalistëve shqiptarë.Në zgjedhjet parlamentare të 27 dhjetorit 1923,Koço Kotta zgjidhet deputet i këtij parllamenti.Së bashku me zërat e nacionalistëve tjerë,do të bashkohej edhe zëri i Koço Kottës,me betimin e madh për të qenë kurdoherë shërbestar i kombit dhe ruajtjes i vendosur i tërësisë toksore shqiptare,ç’prej dhjetorit e deri në prillin e vitit 1939,Koço Kotta,do të dëshmonte në parllament ( madje në vitet 1926-1928 dhe 1930-1935 në funksionin  e kryetarit të parllamentit shqiptar) pjekurinë politike dhe guximin për të përballuar çdo situatë.Në vjeshtën e vitit 1926,kur pas shumë trazirash të mbrendshme,u duk se Shqipëria po ecte drejt rrjedhave normale të zhvillimit,qeveria shqiptare,në mënyrë demokratike,duke spjeguar rrugët dhe format e zhvillimit të kombit,kërkoi prej dhomës së deputetëve shqiptar,parapëlqimin e përfaqsuesve të popullit.Pas debatesh të shumta,fjalën e mori kryetari i parllamentit,z.Koço Kotte,i cili pos të tjerave do të shprehej : “Nuk mungojmë sot,të shfaqim kënaqësinë e thellë për organizimin e mirë të ushtrisë dhe gjindarmërisë,duke qenë të sigurtë se ky organizim dhe përmirësim,i përshtatet plotësisht mbajtjes së qetësisë së vendit dhe aplikimit të ligjeve,tue qenë nën vështrimin e posaçëm të Shkëlqesisë Suaj,prej kah,ç’do shqiptar, mëson bindjen në ligje,rregull e disiplinë.

Populli shqiptar,i mërzitun prej ideve të kalueme dhe i bindun që prishja e qetsisë,ven në rrezik qenien dhe gjallnin e shtetit asht gati për çdo sakrificë dhe në çdo rast,per të perballë e ndalue çdo lëvizje për prishjen e qetsisë,që fatbardhësisht mbretëron në të gjithë Shqipërinë e që lakmohet prej botës.Populli shqiptar e çmon shumë dhe asht i sigurtë se qetësia e vërtetë që mbretëron anë e mbanë Shqipërisë, rrjedh ma tepër prej hijes madhështore të Shkëlqesisë Suaj, e prandaj ju adhuron një popull i tanë.Ju adhuron populli shqiptar,se Shkëlqesa Juej,dijti me i sigurue,atë që ai dëshiron dhe që ka derdhur gjakun : lirinë dhe qetsinë,dy burime perparim të gjithfarshëm.Me këtë liri e qetësi,populli shqiptar sot ka arsye të lavdërojë me shumë dashuri,Residentin e vet, shpëtimtarin e Kombit,se nën hijen e tij,asht tue hedhun hapa të mëdha e të sigurtë në udhën e përparimit”. ( “ Bisedimet e Dhomës së Deputetëve ” Shtypshkrojna  “Luarasi”  – Tiranë 1926, faqe 185 ).

  Në vitin 1928,me shpalljen e monarkisë shqiptare,Koço Kotta,është ndër përkrahësit kryesorë të Mbretit të Shqiptarëve,Ahmet Zogut.Njohës i temperamentit të popullit të vet,por edhe duke paraparë situatat ballkanike dhe evropiane,së brendshmi,ai është i bindur për vendosjen e monarkisë dhe bën çfar është e mundur për vendosjen e rregullave dhe ligjeve të mbretërisë,në terrenin konkret të ideve dhe trazirave shqiptare.Ai zgjidhet kryeministri i parë i monarkisë,duke dëshmuar kështu jo vetëm afërinë e tij në ide me Mbretin Zog,por edhe besimin e madh që ushqenin nacionalsitët shqiptarë të asaj kohe për burin e Korçës.Në këtë funksion,Koço Kotta,kreu edhe detyrën tjetër,ate të Ministrit të Brendshëm,duke dëshmuar në çdo moment,jo vetëm pjekurinë,por edhe aftësinë në kapërcimin e situatave të vështira që Mbretëria Shqiptare kalonte në vitet e para të mëkëmbjes së saj.Të kësaj periudhe,janë me dhjetra urdhëra,të firmosura prej Koço Kottos,ku bëhet fjalë pos të tejrave,për organizimin e rojës kufitare.Ky organizim,parashihte jo vetëm vendosjen e disa reparteve në kufijtë si në veri e sidomos në jug,por edhe marrjen e një sërë masash për gatishmërinë e reprateve të Ushtrisë sonë Kombëtare,në ruajtjen e kufijve.Bashkëpuntor i afërt i Mbretit Zog, biri i Korçës,do të rriste pandërprerë aftësitë luftarake mbrojtëse,të trupave shqiptare,duke paraparë kurdoherë me largëpamësi situatat politike në Ballkan,dhe ato brenda shtetit shqiptar.Por edhe brenda grupimeve politike në Shqipëri,roli i kryeministrit shqiptar të asaj kohe do të ishte tejet i madh.Askurrë,biri i Korçës,nuk i shihte shqiptarët të ndarë në barikada të ndryshme duke luftuar me armë kundër njëri-tjetrit.Madje edhe kur bashkëkombasit e vet,pozicionoheshin si të tillë,me urtësinë dhe pjekurinë politike që e karakterizonte Koço Kotta,do të ishte kurdoherë pajtues i mërive të verbëra.Ka qenë pikërisht kjo veti e karakterit të tij,çka bëri që në zgjedhjet e nëndorit 1932,në  seancën e parë të parllamentit shqiptar,në mënyrë unanime,Koço Kotta të zgjidhet kryetar i këtij parllamenti.Përmes duartrokitjeve,i emocionuar,ai do të shprehej më 3 dhjetor 1932, në këtë seancë.”Zotërinj të ndershëm ! E ndjej për detyrë t’u falenderoj nga zemra per zgjedhjen time si kryetar i kesaj dhome.Koha e gjatë,qe kam veprue si kryetar i parlamnetit,do të jetë edhe pas këtej,një garanci për zellin dhe paansinë në kryerjen e detyrave që më ngarkon kjo kryesi. Nga ana tjetër jam i bindur,se të gjithë të nderuemit kolegë,do të më japin ndihmën dhe përkrahjen e duhur,që kështu mund të arrijmë të përmbushim misionin e naltë që na është ngarkue prej popullit dhe kësisoj të realizohet shpresa për nderë të popullit dhe të Sovranit tonë”.( “Mbretnija Shqiptare.Bisedime në Parlament”.Legjislatura II,Sesioni i parë.Viti 1932-1933, faqe 6-7 ).

Në nëndorin e vitit 1936,pas dorëheqjes së Mehdi Frashërit si kryeministër i qeverisë shqiptare,Mbreti Zog,thërret sërish Koço Kottën.Mbreti i Shqiptarëve  e pat kuptuar lëvizjet e nëndheshme aneksioniste italiane dhe për të  mos cënuar sovranitetin e vendit të vet,thirri pikërisht burrin e mençur dhe nacionalsitin e vendosur,Koço Kottën.”Me urdhër të Mbretit Zog,datë 8 nëndor 1936,zoti Koço Kotta emërohet në funksionin e kryeministrit të Shqipërisë “. (Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë.Fondi kryeministria.Dosja personale e K.Kottës,fleta 124 ).

Tre vitet e qëndrimit të tij në këtë funksion,do të ishin vite lufte dhe pune,vite sakrificash të mëdha,për të drejtuar qeverinë shqiptare,në ate vorbull betejash politike që përgatitën Luftën e Dytë Botërore.Fjalëpak,por tejet i guximshëm,Koço Kotta,do të mbetej deri në fund,diplomati atdhetar, i cili u shndrrua në barikadë të fuqishme kundër synimeve aneksioniste të Italisë fashiste.Tejet vizionar,duke bashkëpunuar me Mbretin Zog,biri i Korçës,dijti të ece përmes praktikave qeverisëse që e largonin Shqipërinë prej rreziqeve,duke e afruar me rrjedhat e cilvilizimit botëror.Kështu për të ardhur deri në ditët tragjike të prillit 1939,me vendim të parllamentit shqiptar familja mbretërore dhe vetë Mbreti Zog u detyruan të mërgojnë jashtë Shqipërisë.Ngase pat mbajtur një qëndrim të hapur antiitalian,miqtë e këshillojnë Koço Kottën që të largohej nga Shqipëria,burri i Korçës shkon në vendlindje dhe gjen aty mikpritjen e ngrohtë korçare,por autokolonat ushtarake italiane e detyrojnë të kapërcejë kufirin dhe të kaloj në Greqi.Pak gjëra dihen për periudhën 1939-1944,të cilën ish kryeministri dhe ish kryeparllamentari shqiptar, e kaloi në Greqi.Por dihet se ai disa herë shkoi ilegalisht në Korçë duke krijuar lidhje të ngushta me nacionalistët shqiptarë të trevave të jugut.Dihet gjithashtu se ai mbeti deri në fund,një antikomunist i vendosur.Është kjo arsyeja që në janarin e vitit 1945,komunistët grek,pasi e arrestojnë, e dërgojnë,Koço Kottën,në Shqipëri,në duart gjakatare të klikës komuniste të Tiranës.Në ditët e para të prillit 1945,Koço Kotta del në gjygjin-farsë të drejtuar prej shërbetorit të serbëve,Koçi Xoxes.Ndaj e shoh të udhës të sjell në këto radhë,vetëm disa rreshta nga akuzat qesharake që iu bënë,personalitetit të madh shqiptar Kottës.

“ Koxi Xoxe : Ke vepruar kundër interesave të larta të atdheut.Ke ndihmuar dhe kontribuar në përhapjen e imperializmit fashist italian dhe përgaditjen  e terrenit.Ke qenë në lidhje me qevrerinë kuislinge të Tiranës dhe me organizatat tradhëtare,Balli Kombëtar dhe Legaliteti.Je përpjekur për realizimin e një marrëveshje që kishte qëllimin bashkimin e reaksionit shqiptar dhe ate grek,me qëllim që të shuaje lëvizjen popullore çlirimtare në Shqipëri,marrveshje që nuk u arrit dot për shkaqe të pavarura nga vullneti yt.Për këtë marrveshje ti ishe përfaqsues i Legalitetit,ç’ke për të thënë ?

Kostaq Kotta… Unë mund të jemë përgjegjës vetëm për dy periudhat që kam qenë në qeveri…

Koxi Xoxe : Nuk na intereson të na bësh histori,por të na tregosh pse nga dita e 7 prillit nuk u organizua rezistencë ?

Kostaq Kotta ;… Më 7 prill të vitit 1939,qeveria janë jo vetëm që nuk u frikësua,por organizoi edhe rezistencë të armatosur,duke bërë ate që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila,ishte shumë herë më e armatosur se qevria e jonë.Pikërisht,ate që se bëri qeveria çekosllovake e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar …

Koxi Xoxe : Ti ke thënë në deponimet e tua në hetuesi se qevria nuk e bëri rezistencën aktive ose pasive pasi nuk kishte mjete ?

Kostaq Kotta : Jo,jo,përkundrazi,qeveria vendosi rezistencë aktive.

Koxi Xoxe : A u bë kjo rezistencë ?

Kostaq Kotta : Edhe unë mund t’ju them që unë personalisht i kamë sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë.U mor vendimi nga qevria për rezistencë dhe nota italiane nuk u pranua .

Koxi Xoxe ; Po ti në deponimet e tua ke thënë se ne nuk kishim mjete për të bërë rezistencë ?

Kostaq Kotta ; Unë pjesën time si qeveri e bëra.Në rast se ka pasur ndonjë neglizhencë,kjo u takon Forcave të Armatosura.

Koxi Xoxe ; Kur shkove ti këndej ?

Kostaq Kotta ; Ditën e 7 prillit,Mbreti shkoi në Zemblak,ndërsa unë të shihja ç’bëhej në Korçë.

Koxi Xoxe ; A të tha Veli Vasjari se populli ishte gati për rezistencë ?

Kostaq Kotta ; Përkundrazi,prefekti i Korçës,Veli Vasjari na tha të mos vinim atje pasi qe prishur qetsia dhe të burgosurit kishin dalë nga burgu.Xhandarmëria nuk siguronte dot qevrinë.Me gjithë këto unë kam vajtur vetë në Korçë dhe atje Kryebashkiaku më ka thënë se populli dhe tregtarët të tubuar,kërkonin të luftonin e bënin rezistencë.

Koxi Xoxe ; Në bashki unë kam qenë vetë si antar dhe bashkë me 16 delegatë të tjerë e 3 mijë vullnetarë prisnin  Koço Kottën për të organizuar rezistencën !

Kostaq Kotta ; Nuk  e di këtë gjë.Kështu më tha kryetari i bashkisë Agathokli Xhitoni.

Koxi Xoxe : Ne,Fejzi Alizoti,na ka thënë se Koço Kotta ishte kundër rezistencës ! (Pyetet Fejzi Alizoti si dëshmitar dhe provohet e kundërta e thënieve të Koxi Xoxes.Më pas lexohen deklaratat e Konstandin Mines dhe Frederik Nosit,kundër K.Kottës).

Koxi Xoxe ; Po pse dëshmojnë këta,mos vallë të kanë inat !?

Kostaq Kotta : Si thashë nuk kam firmosur ndonjë akt nënshtrimi.Unë po të isha i atij mendimi nuk do të kërkoja të hyja në marrveshje për një lëvizje këtu në Shqipëri.

Koxi Xoxe ; Kur dhe pse erdhe në Selanik ?

Kostaq Kotta ; Pas kapitullimit të Italisë erdha nga Athina në Selanik për të hyrë në Shqipëri,se në gazetat kisha mësuar se Shqipëria ishte indipendente…

Koxi Xoxe : Nga Balli dhe qevreia u caktove me anë të Xhavit Leskovikut si delegat i Legalitetit në aleancën ushtarake me reaksionin grek ?

Kostaq Kotta ; Këtë letër e mora vesh këtu dhe më ka ardhur shum keq.Është krejt absurde që me një letër të një organizate të panjohur të prezantohem për një aleance ushtarke”.(Arkivi Qendror i shtetit Tiranë,Fondi Kryeministria,dosja personale e Koço Kottës ).

Pradoksalisht,ky burrë i mençur dhe atdhetar i madh,dënohet me burgim të përjetshëm.Por ndërsa shihnim sa krenarisht sillej edhe në birucat e errëta të dorës kriminele komuniste,atdhetari korçar, komunistët gjakatar prapëlqyen vdekjen  e tij të mynxyrshme.E lanë ditë të tëra pa bukë,deri sa Koço Kotta,emri i të cilit i bënte nder kombit të vet,mbylli sytë përgjithmonë,në vitin 1949.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, koco Kotta

TELLALLËT E DJALLIT

August 21, 2013 by dgreca

Nga Eugen Shehu/ 

 Shqiptarët e besimit ortodoks të qytetit të Beratit kanë vepruar me kurajo,duke shpallur hapur Autoqefalinë që në vitin 1922.Prej kësaj periudhe ata kanë vepruar në emër të saj dhe i kanë dhënë kuptimin besimit Ortodoks në shtetin amë Shqipëri.Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare është një dimension i institucionalizuar i besimit ortodoks tradicional shqiptar,i cili erdhi si nevojë e kohës,për shkak të presionit të kishës ortodokse greke e cila edhe sot e kësaj dite mban të mbyllura në sirtarët e saj Statutin e Shenjtë të miratuar që në vitin 1922 nga patriotë ortodoksë shqiptarë në inaugurimin e saj në qytetin e Beratit.

„Ky Kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptarë sepse vendosi përfundimisht të drejtën e ligjshme të shqiptarëve ortodoks për përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.Me vendim Nr.807 të datës 18.09.1922 këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe miratoi ato plotësisht sepse ishnin mbështetur në parimin e pavarsisë së shtetit Shqiptar“ .(A.Q.SH.fondi 251,dosja 1254,viti 1922).

Misionarët më në zë të saj janë Fan S..Noli,Visarion Xhuvani,Ikonom Vasil Marku,Papa Josifi,Papa Harallambi e dhjetra patriotë të tjerë përfshi dhe qeverinë e kohës e sidomos roli i Zogut si Ministër i Mbrendshëm në atë kohë,dhe numrin e dhjetra intelektualëve patriotë të besimit ortodoks shqiptarë të cilët nën frymën e pastërt kombëtare bënë fakt një traditë shekullore të kombit tonë në rrugën e besimit fetar.Ishin po ata atdhetarë që në vite kishin dhënë kontribut shumë të çmuar në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare,në mbrojtjen e saj,duke dëshmuar kësisoj lidhjen e saj shpirtërore me kombin dhe Shqiptarizmën.Berati ky qytet i lashtë shumë shekuj para Krishtit si dhe njëri nga qytetet më të lashta të Evropës,jepte provën më të lartë të mbrojtjes së autoqefalisë,të besnikërisë Kombëtare në ruajtjen e vlerave nga vetë besimtarët ortodoks beratas të cilët me sakrificë njerzore ruajtën,nga bisha komuniste,Kodikët e shenjta të Beratit.Në këtë akt kombëtar u vranë shumë njerëz besimtarë e klerikë,që këto vlera të mëdha kombëtare mos binin në duart e pabesimtarëve komunist.Shqipëria sot lirshëm mund të krenohet para tërë botës së qytetëruar,si një vend që edhe në lashtësi është drejtuar me ligje e kode të shkruara dhe të pashkruara ndaj dhe ka mbijetuar mbi të gjitha perandoritë dhe pushtuesve të ndryshëm.Përpjekjet Greke nuk pushonin kundra K.O.A.SH.,në kundër liturgjisë në gjuhën shqipe ballë të këtyre përpjekjeve antishqiptare u vu përballë Visarioni i emëruar edhe nga Mbreti Ahmet Zogu i I-rë.

Ndërkaq ortodoksët e Vlorës me Tol Arapin që kishin në krye,dërgonin një telegram  At Vasil Markos të datës 10 qershor.1926 ku mes të tjerave thuhej;“Krisanthi vjen në Korçë,kini kurajo patriotike dhe mos bini viktimë e dhelpërive fanariote.Kemi lindur shqiptarë,rrojmë dhe do të vedesim shqiptarë.Statuti i Beratit për të cilin jemi betuar nga ana jonë nuk cenohet“.Të gjitha sulmet që vini një pas njëje nga Athina e Stambolli Mbreti zog u rrezistoi ashpër duke thënë „“Aq më ban ç’mendon Patriarkana.Në Shqipni jam zot vetë dhe komandoj unë“.(70 vjet të Kishës Ortodokse Autoqefale,Tiranë më 1993,faqe 71).

Më vonë në vitin 1935 Naltmadhnija e tij,Mbreti Zog,kërkoi përsëri njohjen e Autoqefalisë nga Patriarkana kur dërgoi në Stamboll Koço Kotën e Josif Kedhin. Kështu që me largimin e Visarionit më 12 prill të vitit 1937,Patriarkana e Stambollit miratoi Tomusin.Këhtu formuan dhe Sinodin e tyre.

E formuar më 12 shtator të vitit 1922,ajo ushtroi autoritetin e saj në territoret shqiptare,duke i rrezistuar me shumë dinjitet presionit,shantazhit, dhunimit deri në vrasje të klerikëve shqiptarë prej kishës ortodokse greke, e cila sipas gjykimit të saj paradoksal,pretendon se kudo ku ka ortodoks ata janë grekë.Në këtë kuadër duke vlersuar këtë dokument autentik,shihet e nevojshme që çdo besimtar të veprojë në mënyrë atdhetare,duke bërë të njohur çdo dokument të kësaj natyre dhe duke i bërë ato pjesë e pandarë të trashëgimisë sonë kulturore e fetare.Të tilla dukumente pranojnë dhe dëshmojnë mbi aktivitetin atdhetar të mëmëdhetarëve shqiptarë edhe të besimit ortodoks.Përmes fakteve dhe dokumentave arrijmë të kuptojmë themelimin,ecjen,autoqefalinë e deri tek ditët e sotme të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare,që ka vepruar në mënyrë institucionale,duke vlersuar koh pas kohe kontributet e besimtarëve të saj në interes të shqipërisë.Kjo pasuri kombëtare dëshmon edhe një herë se ortodoksët shqiptarë nuk janë grekë,por se një pjesë e tyre janë të manipuluar apo abuzuar me besimin e tyre të dëm të kombësisë së vet.Raste të tilla kemi mjaft të dukshme,sidomos në gjatë dy decenieve të fundit.

Tendenca e turavrapit të qarqeve shovene greke dhe segmentëve dashakeqës brenda fesë dhe në politikë (Janullatosi me Fenë,Vangjel Dule me Politikë dhe Omonia me minoritarët),për greqizimin e jugut të shtetit amë Shqipërisë,të sinkronizuara me ftohtinë politike,(ligji i luftës),ekonomike (në sistemin bankar dhe industri) dhe ajo Fetare (priftërijn grek të emëruar në hierarkinë e lartë kishtare,dhe uzurpimin e pronave shoqërore,ngritjen e varezave të paqena etj),janë hapsirat që mbajnë peng ende sot e kësaj dite peng çështjen çame,çështjen e minoritetit dhe të emigracionit shqiptar,por dhe marrëdhëniet me dy shteteve dhe çështjen e njohjes së Republikës së Kosovës.Në këtë çështje i referohemi vetëm të vërtetës  të mbështetur në faktet historike dhe politike të rëshqitjes së Autoqefalisë jo vetëm me ndryshimet statutore të Kishës të vitit 1950 por dhe ajo më e keqja që pësoi më ndryshimet e bëra më 12.korrik.1992,nga ajo kohë e stërgjatur tranzicioni demokratik e socio-ekonomik,kombi ynë vuan nën agresionin grek në hapsirë të gjërë,jo vetëm atë shpirtëror dhe psikologjik,por jeta shqiptare po e ndjen morsën greke në të gjitha segmentet shoqërore dhe institucionale e politike.

Fillozofia e erët e „Megaliidhesë“ dhe „Vorioepirit“ po vepron hap pas hapi për ç’kombëtarizimin,asimilimin dhe shtrembërimin e memorjes historike shqiptare.Nuk është e vështirë sott ë përcaktohen drejtimet themelore ku vepron kjo filozofi dogmatike,raciale e mbarsur me ideologjinë fetare me frymë greke.Nën petkun e klerikëve të ortodoksisë greke,strukturat qeveritare greke synojnë që në Shqipëri të ngjallin tendencën e rritjes së besimtarëve në besimin ortodoks me të gjitha format (madje duke ua ndryshuar dhe emrat në kufi,apo toponimet etj) që ky kontingjent të jetë një mbështetëse e sigurtë në të ardhmen për tendencën greke të besimit të njësuar me shtetin grek. Ortodoksia greke pra synon shkombëtarizimin e besimit ortodoks tradicional shqiptar për të vurë në jetë projektet dhe idetë e neobizantizmit.Nga ky kënd themi se argumenti ideologjik në bazë të vlersimit që i bëhet besimit fetar në Shqipëri është i pranishëm,por asnjëherë ajo nuk mund të pranohet apo vëhet në pyetje sipas metodologjisë bizantine greke.Ai ka marrë formën e tij të shprehjes së bashkëjetesës fetare e cila deri më sot nuk i ka shkaktuar vështirësi çështjes shqiptare,përkundrazi toleranca e tepërt dhe boshe e politikës shqiptare  është ajo që ma së shumti i ka hapur rrugë rrezikut të greqizimit të jugut shqiptar duke mos i kushtuar vëmendje depërtimit të nacionalshovenizmit grek nën petkun fetar,kjo ka hapur dhe rrugën ortodoksisë greke, e cila koh pas kohe tenton të përfshihet në skandale politike,si pjesë e veprimtarisë,siç thamë dhe më lartë,por edhe kapjen e sam ë shumë të institucioneve jo vetëm politike por edhe shtetërore.

Emërtimet e priftërinjëve grekë,tashmë shfaqen hapur qëndrimet arrogante të kishës në TiranëTradicionalizmi i ortodoksisë shqiptare vazhdon të goditet në sy të opinionit shqiptar dhe atij ma gjërë.Tashmë nuk ka vënd për dyshime se Sinodi i shenjtë përbëhet në shumicë nga priftërinj grekë.Në kohën e Monarkisë në statutin kishtar thuhej „“liturgjia të mbahej vetëm në gjuhën shqipe“ dhe mëtj vazhdonte „ Kryepeshkopi dhe prftërinjë të jenë së paku tre breza gjak shqiptari“ (Mbreti Zog I i Shqiptarëve“Tiranë 1993).

Tanimë kemi një realitet krejtësisht të ri dhe të dhimbshun,kur kisha drejtohet nga priftërinj grek  në shërbim të qarqeve „vorioepirote“këto marifete politike të politikës hegjemoniste greke ka vite që janë kthyer në një rrezik permanet për sigurinë kombëtare shqiptare.Zgjidhjet e konflikteve mes shteteve „për fqinjësi të mirë“ kërkon dhe një subkoshiencë politike,gjë që fatkeqësisht nuk vërehet nga fqinjët e shqipërisë dhe shqiptarëvet,e kjo nënkupton në të kundërtën e saj që s’mund të kalojnë kursesi pa lënë gjurmë të hidhura në memorjen historike të popujve që dëshirojnë dhe aspirojnë Lirinë dhe harmoninë e kombit të vet.

Politika dhe institucionet qeveritare shqiptare,duhet patjetër me fanatizëm të respektojnë kodin kombëtar të shqiptarëve,që më pas brezat që vijnë të jenë më të rahatshëm në perspektivën dhe shëndetin e tyre kombëtar.Përballë kësaj,si parësore mbetet misioni i intelegjencës shqiptare,angazhimi i saj në edukimin patriotik kombëtar për të rritur vitalitetin krijues në dimensionet e saja nacionaliste,gjë që do të shmangte vakumet në hapsirën e mbrojtjes së interesave kombëtare.Ky kontribut intelektual e patriotik si një pararojë e një rezerve të fuqishme për të arritur në ato lartësi përgjegjësie,do ti bënte shqiptarët të ndjehen dhe më dinjitoz kudo ku ata shtrihen në gjeografinë etnike natyrore dhe jashtë saj,dhe mbi të gjitha do të ishte arma më e fuqishme në luftë kundra albanofobisë ballkanike.

Rastet e njëpesnjëshme kohëve të fundit të përballjes me shovenizmat greke dhe së fundmi ai i Përmetit,që sinjalizojnë ogurzinë duhet të na vetëdijësojnë se strofulla e tyre gjendet tek tellalli i Djallit i ulur këmbëkryeq në Tiranë.Janullatosi duhet sam ë parë larguar nga shteti shqiptar duke e shpallur persona non grata.Shqipëria asht e Shqiptarëve.

Bern-Zvicër

Filed Under: Editorial Tagged With: Eugen Shehu, tellallet e djallit

RAMADAN ZASKOCI,MESAZH I ARDHUR PREJ KRISMAVE LUMJANE

August 19, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEH/

 Po të hypish në malin e bukur të Sharrit,po të hedhish vështrimin në vargun e bjeshkëve që zbresin poshtë në një bukuri mahnitëse,do të mrekullohesh sigurisht me krahinën e Lumës.Luginat pjellore midis Drinit të Bardhë dhe Drinit të Zi,ujrat e kulluar të bjeshkëve të ngelin të pashlyera në kujtesë, ashtu siç mbetet bukuria e shenjtë e peisazheve në celuloidin e filmit.Por bukuria e Lumës alpine do të ishte sidoqoftë e mangët pa bukurinë e shpirtërave njerzore që gjalluan aty në shekuj.Këta shpirtëra jo vetëm me jetën e tyre,por edhe me vdekjen e tyre,treguan se ishin të gjërë të thellë sa Luma,buçare dhe besnike deri në frymën e fundit ndaj lirisë së trojeve stërgjyshërore.

Ramadan Zaskoci qe padyshim një prej tyre. Një fat i mbrapshtë dhe i çuditshëm,paracaktoi lindjen e këtij trimi të ardhshëm.Një fat që gjithsesi,me trillimet e veta nuk mund të luante dot gjatë,me jetën e këtij djali.Ramadani i vogël,lindi në burgun e Prishtinës.Qelia e errët dhe e ftohtë,ishte jataku i parë i tij. Askush nuk shtiri pushkë sipas zakonit,askush nuk urroi sipas zakoneve të vjetra shqiptare,askush nuk këndoi në odën e madhe të burrave.Në errësirën dhe ftohtësinë e qelisë,në shtatorin e viti 1860,nënë Humneja mbështjellte me frymën e saj trupin e të birit duke e ushqyer me qumësht e dhimbje.Jeta i pat paracaktuar këtë fat vogëlushit ngase i jati i tij,Selmani,pat luftuar vite me radhë me armë në dorë kundër ushtrisë Osmane.Disa herë,koshadhet i bënë prita burrit të Lumës por ai u shpëtoi atyre.Disa herë krerët e parisë së Lumës e këshilluan mikun e tyre që t’i ulte armët që shkrehte ndaj Portës së Lartë,por Selman Zaskoci nuk dëgjoi.Prandaj ai u burgos familjarisht,në prtje të vendimeve të gjygjit ushtarak.Kur një prej xhandarëve të burgut,në fshehtësi i tha se gruaja të ka lindur djalë,Selmani iu përgjigj buzëgaz se tash e tutje për asgjë nuk do të kthehej më prapa.Kështu përmes qethullit të halleve,do të rridhte më pas krejt jeta e Ramadanit të vogël.Mbas vrasjes së babait,ai do të detyrohet të punojë si yzmeqar pa i mbushur ende të dhjetë vitet.Natyrisht i mungon dashuria atërore,lodrat e bukura të fëmijërisë, shoqëria gazmore.Fëmijëria i ishte vrarë përfundimisht.Të vetmet nete gëzimplota,ishin ato kur kthehej në shtëpi dhe nëna gjente kohë t’i këndonte këngë trimash e t’i fliste për zanat e shtojzavallet që dilnin natën anës Drinit.

Kur ishte 15 vjeç,Ramadani u detyrua të lërë fshatin dhe të shkojë për bukën e gojës në Prizëren.Aty djali Lumjan nuk përton të punojë edhe kamarier në një kafe ngase duhej të jetonte vetë por edhe të mbante familjen.Në kafe hynin e dilnin plot njerëz e midis tyre edhe patriotë.Në bisedat e tyre kishte filluar të ishte e pranishme ideja e një autonomie e krejt vilajeteve shqiptare të cilët nuk mund të duronin më zgjedhën shekullore të osmane. Veçmas me birin trim të Lumës,do të bisedonin Ymer Prizëreni dhe Shuaip Spahiu.Pasi u bindën në trimërinë dhe ndershmërinë e tij,ata nisën të flasin hapur me Ramadanin i cili anipse i rritur mes hallesh,kishte një trup të drejtë si lastar,muskuj të fuqishëm dhe sy zhbirues.Ndër organizatorët e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,Ramadan Zaskoci do të jepte mendimet e tij jo vetëm të guximshëm por edhe të pjekura,sa u përket vendimeve luftarake.

Pushka e parë që trimi i Lumës,do ta shkrepte në ndezje të idealeve autonomiste të Lidhjes së Prizërenit,ishte ajo e gushtit,të vitit 1878.Dihet tashmë se Kongresi i Berlinit,në mënyrë krejtësisht të padrejtë,i fali trevat e Plavës e Gucisë,Malit të Zi.Për të sendërtuar  këtë krim etnik,në Prizëren,në krye të mijëra vetëve,mbrrin Mehmet Pashë Maxhari.Organizmat ushtarake të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,për t’i treguar të dërguarit të Sulltanit se ishin kundër këtij coptimi të trojeve,vendosën së pari ti bëjnë atentat,telegrafistit të tij,Sokrat Argjiriadhit.Kjo detyrë kaq e vështirë iu besua Ramadan Zaskocit dhe dy miqve të tij të ngushtë.Ka qenë pikërisht data e 27 gushtit të vitit 1878,kur përmes mizerisë së ushtarëve osman,Ramadani me dy trimat e tjerë,mundi të depërtojë mrekullisht dhe u gjend fare afër telegrafistit.E shtëna e armës dhe thirrja e kotë e telegrafistit,suallën konfuzion në pazar me ç’rast Ramadani dhe miqtë e vet,duke qenë të lumtur pse kryen misionin u larguan si era.Krisma e pushkës së birit të Lumës,do të dëgjohej jo vetëm në Prizëren por deri larg,nëpër shtypin e Evropës.Ajo pushkë do të parathoshte zgjim të vetëdijes nacionale të nëpërkëmbur prej natës osmane.Ato krisma,do t’u kumtonin jo vetëm Fuqive të Mëdha por sidomos fqinjëve tanë,se Shqipëria nuk mund të ishte një kafshatë që mund të kapërdihej lehtë prej kujdo.Pas atentatit aq të bujshëm,kur Ramadani u takua me të vëllanë e vet,Rexhën dhe ky e lavdëroi për trimëri,biri i Lumës iu përgjigj : “Kur kapaklia shkrep për me mbrojt votrën,krisma e saj ndigjohet 100 hapa larg votrës.Por kur ajo shkrep për me mbrojt trollin e Shqypnis,atëherë zani i shkon deri larg Berlinës”.

Pas këtij atentati trimëror,Ramadan Zaskoci do të lidhej plotësisht me burrat e tjerë të Shqipërisë që luftonin për autonominë e saj së bashku me Islam Spahinë dhe Ymer Prizërenin,ata do të ndërmerrnin disa arsione luftarake duke bërë të mundur krijimin e disa zonave të lira të trojeve tona. Nëse mendimtarët e mëdhenj të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit si Abdyl Frashërit,Iljaz Pashë Dibra, e dhjetra të tjerë,patën guximin dhe kurajon e madhe të ngrinin zërin e tyre në mbrojtje të të drejtave kombëtare,padyshim ata u mbështetën në trima si Ramadan Zaskoci,Islam Spahia,Ded Gjo Luli,Hasan Ferri  e mijëra burra të tjerë pushka e të cilëve mbronte me gjak çdo pëllëmbë të Shqipërisë sonë Etnike. Më 1 nëntor 1878,Ramadan Zaskoci,në krye të dhjetra trimave lumjanë,merr pjesë në tubimin që Dega e Lidhjes për Dibrën,organizon së bashku me Abdyl Frashërin.Në këtë tubim,kur nuk mungoi as bujaria dhe as besa tradicionale dibrane,pos të tjerave u vendos :

“Së pari-bashkimi i Shqipërisë së lartëpërmendur në një vilajet dhe caktimi si qendër e vilajetit i një qyteti që ndodhet afër dhe që ka lidhje me gjithë krahinat e tij.

Së dyti-të gjithë nëpunësit që do të jenë në Shqipëri,duhet të dinë gjuhën  evendit.

Së treti-të përhapet arësimi dhe në shkolla të mësohet edhe gjuha shqipe.

Së katërti-të zbatohen vendimet që do të merren për reformat e dobishme për shëndetin dhe kombin,nga ana e kuvendit të përgjithshëm,i cili do të mblidhet çdo vit,katër muaj në qendrën e vilajetit.

Së pesti-të ndahet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit për tu shpenzuar për përparimin e arsimit si edhe për ndërtime publike”. ( Arkivi i Institutit të Historisë,Fondi Lidhja e Prizërenit,dokumenti 17 ).

Mendoj se prej të gjithëve ne,tashmë është i pjekur dhe i pandryshuar mendimi se Lidhja Shqiptare e Prizërenit,është një ndër epopetë më të mëdha e të ndritura të popullit tonë në mijëvjeçarë. Mesazhet e kësaj epopeje jo vetëm që transmetohen nga brezi në brez,por rezonojnë ende nën drita të reja,deri në ditët e sotme.Parë në këtë rrafsh,padyshim që Ramadan Zaskoci është ndër protagonistët e kësaj faqeje të ndritur në historinë tonë.Mirëpo duhet thënë se egërsia me të cilën Porta e Lartë,nisi të shtypë lëvizjen tonë kombëtare (pas viteve 80 të shekullit të kaluar) nuk ishte parë ndonjëherë në krejt viset e pushtuara të Perandorisë të Osmane.Ishin mbi 20 batalione osmane të cilat  të armatosura deri në dhëmbë kaluan Selanikun,Shkupin dhe iu drejtuan visive të Dibrës dhe Kosovës,aty ku në fakt ishte foleja e Lidhjes Shqiptare të Prizërenit.Marsi i vitit 1881,do të përgjakej prej disa betejave radhazi ku u dëshmua jo vetëm egërsia osmane por sidomos shpirti kryengritës i popullit tonë i cili përpara lirisë së trojeve të veta nuk vinte asnjë besë tjetër. Shtimja, Slivova dhe sidomos Caraleva gjëmuan në pranverën e vitit 1881 prej gjëmimeve të topave e pushkëve.Tashmë Ramadan Zaskocin e shohim jo vetëm si trim,atentator dhe luftëtar të sprovuar.Më tepër se kaq,figura e tij lartësohet prej pjekurisë dhe peshës së fjalës.Nën komnadën e birit të Lumës,viren qindra burra e djem sytë e të cilëve kërkonin veç beteja për trojet amtare.Së bashku me Islam Spahinë,Bajaram Currin e Bajram Gjanën,Ramadan Zaskoci ndërmerr veprime të përbashkëta luftarake duke u bërë simbol i qëndresës kulmore të krejt visive të Lumës ndaj ekspeditave të Portës së Lartë.Është më se kuptueshme,që përballë këtyre mijëra jeniçerëve osman,formacionet luftarake shqiptare të Lidhjes së Prizërenit,të goditeshin rëndë.Po tu shtosh këtyre betejave edhe mospërkuljen e disa krerëve shqiptarë të nacionalizmit tonë të sapolindur,bindesh se vështirë që organizmat ushtarake shqiptare të qendronin në këmbë.Kështu në dimërin e vitit 1881,Dervish Pasha,kishte kryer një sërë reprezaliesh në Kosovë e Dibër,duke djegur plaçkitur e shkretuar fshatra të tëra,si edhe duke vrarë mijëra,njerëz.Me këto veprime shtazarake.Porta e lartë kërkonte t’u jepte “mësim” shqiptarëve që këta,të ulnin kokën përgjithmonë.

Sidoqoftë edhe në këto kushte,atdhetarët e shquar shqiptarë,nuk u përkulën.Ata kanë qenë dhe mbetën si ata lisat e lartë që durojnë furtunat e mëdha për t’u ringritur akoma më të mëdhenj pas këtyre furtunave.Anipse për kokën e Ramadan Zaskocit,ishin paguar shuma të mëdha  floriri,ai nuk mund të rrinte i fshehur dhe i friguar.Sipas zakonit të lashtë lumjan,mbledh rreth vehtes dhjetra trima(të cilët ishin të martuar dhe kishin të paktën një djalë) dhe kryen disa aksione trimërore duke shfaqur dukshëm frymën e mosnënshtrimit të bashkëkombasve të vet ndaj dhunës të egër të Portës së Lartë. Diku sulmon një garnizon dhe merr armë e municione për çetën,diku u jep ultimatume serbëve që të mos shkelin hapësirat shqiptare,diku bën atentat ndaj shërbetorëve të verbër të Turqisë e më tej grish burrat e Lumës të lidhin besën që mos t’i lëshojnë skurrë armët.Në një dokument të atyre kohëve thuhet tekstualisht ;”Brenda krahinës së Lumës disa luftëtarë qëndrojnë maleve,kanë kundërshtuar urdhërat e Dervish Pashës,madje kanë guxuar të sulmojnë ushtarët e perandorisë”. (Arkivi i Institutit të Historisë,viti 1881,dokumenti Nr.1 dosja nr.3).

Pas këtyre ngjarjeve,Luma do të percillej jo pa shqetsim,me rrethet më të larta të Perandorisë. Shpirti kryengritës i popullit të saj do të shkëlqente në sa e sa beteja,ç’prej vitit 1881 e deri në vitet e fundit të shekullit.Porta e Lartë,duke paraparë në këtë shpirt kryengritës të lumjanëve,humbje të mëdha politike dhe ushtarake u rrekën të ndëronte strategjinë e saj.Kështu ajo nisi të falte me dekrete të veçantë disa prej trimave lumjanë duke dhënë idenë se Sultani ish mik me shqiptarët.Por çuditërisht,në asnjë prej këtyre dekreteve,nuk u shkrua për “Faljen” e Ramadan Zaskocit i cili me sa dukej do të ishte armik deri në fund i sundimit osman.Sidoqoftë,kjo nuk do ta ligështonte askurrë burrin i cili i pat dhënë besën atit të tij e krejt atdheut se veç liria do të bënte që ai të kthehej në vatrën e ngrohtë familiare.Detyrimet osmane për rekrutimin e djelmoshave lumjanë,Ramadan Zaskoci iu përgjigj me qëndrimin e prerë se “Na nuk kena djem për asqerë na kena djem për pushkë e veç për vatanin tonë”.Thirrjes së trimit iu përgjigjën qindra djem të Lumës të cilët rrëmbyen armët dhe mbushën rradhët e çetave shqiptare,në roje të kufijve tanë etnike.

“Duke vlersuar rezikun e jashtëm që këcënonte trojet amtare dhe nevojën e mbajtjes të forcave ushtarake në vend,popullsia e kazave të Prizërenit,Lumës dhe ajo e Sanxhakut të japin sasinë e rekrutëve të caktuar nga autoritetet qeveritare”.(Arkivi Qendror i shtetit,fondi 17,dos.nr 13).

Si një refleks i Lidhjes së Pejës,së vitit 1899,do të shfaqej në vitin 1901,kuvendi i besës dhe i kushtrimit të lumjanëve.Nën emrin simbolik “Dheu”,trimat e Lumës,bashkonin gjokset dhe armët,në institucionin e lashtë moral shqiptar,të besës.Përfaqsuesit legjitimë të krejt visive të Lumës,në këtë kuvend të “Dheut” shpallën pos të tjerve platformën e tyre: luftë e papajtueshme si ndaj Portës së Lartë ashtu edhe ndaj Serbëve,të cilët,mësynin jo rrallë kufijtë etnike shqiptare.Ky kuvend zgjodhi kryesinë prej 18 burrash trima e me influencë në krejt Lumën dhe kryetar Ramadan Zaskocin i cili me ç’rast u betua edhe një herë se jeta e tij do të ishte veç e lidhur me fatet e viseve arbërore.Besëlidhja “Dheu” funksionon ç’prej 1901 e deri në vitet 1909-1911.Në parametrat gati të një kushtetute,ky mekanizëm bese,u kthye në simbol të bashkimit të lumjanëve rreth idesë kulmore për autonominë shqiptare.Janë me qindra kuvendet,beslidhjet,partimi i gjaqeve,të kryera në këto vite,ku u ndie jo vetëm maturia por edhe ndershmëria dhe shpirti i madh i burrit Ramadan Zaskoci. Ndodhte që dy lumjanë të ishin betuar për të luftuar deri më vdekje sho-shoqin,por përpara fjalës së bekuar të kryetrimit të tyre,ata heshtnin e s’u mbetej mëri në damarë veç dashuri vëllezërore. Vite 1904-1905,do të kalonin plot rrebeshe në viset e Dibrës dhe Kosovës.Tashmë vetëdija kombëtare shqiptare kish nisur të zgjohej dhe prej këtij zgjimi trembeshin jo vetëm autoritetet turke në vilajetet shqiptare por edhe vet Porta e Lartë.Veçmas në Lumë,u dërguan disa  herë radhazi ekspedita ndëshkimore për marrjen me forcë të taksave dhe rekrutëve.Barbarisht u dogjën kulla,barbarisht u malltretuan dhe vranë shqiptarë,barbarisht u rrëmbyen djem 10 vjeçarë prej gjokseve të nënave. Por Lumjanët asesi nuk u nënshtruan. I paisur me dhuntitë e prijësit popullor, e strategut të maleve, Ramadan Zaskoci mundi të organizojë disa prita që edhe sot mund të merren si modele të mençurisë dhe trimërisë popullore.Arti ushtarak i mësuar në male e gryka,triumfonte kësisoj ndaj ekspeditave ndëshkimore të udhëhequra prej oficerëve me akademi të Stambollit. Epokale do të mbetet beteja në Grykën e Morinës,në vitin 1909.Por përpara kësaj beteje,kishin pasuar disa të tjera në Pejë,Prizëren e Gjakovë me ç’rast forcave osmane u ishin shkatuar dëme të mëdha.Duke parë se revolta shqiptare sa vinte e rritej,në verën e vitit 1909,Porta e Lartë,dërgoi drejt visive të Kosovës e Dibrës gati 15 batalione ushtarësh të komanduara prej Xhavit Pashës.Hierarku i lartë i ushtrisë osmane,kish marrë bekimin e Sulltanit,me ç’rast kish premtuar një nënshtrim total të shqiptarëve.Ndaj në mbështetje të tij nuk munguan repartet më moderne të asaj kohe. Ramadan Zaskoci,me të marrë lajmin,mbledh në mënyrë urgente pleqësinë e “Dheut” dhe merr mendimin e bashkëluftëtarëve të tij.Të gjithë njëzëri aprovojnë rezistencën e armatosur. Ndërkaq është dhënë kushtrimi dhe djem,burra, e pleq (prej 10-70 vjet) rrëmbyen armë,sopata e ç’të mundnin duke u organizuar në çeta vullnetarësh.Ramadan Zaskoci,bëri ç’ishte e mundur që,në vijën e parë të mbrojtjes,të vinte burrat më me përvojë e të armatosur mirë ngase e dinte që trupa e Xhavit Pashës do të ishte tepër e fuqishme.Ai vetë nuk mungoi të shkonte pozicion me pozicion,të këshillonte e t’u jepte zemër bashkëluftëtarëve të vet.

Beteja nisi e ashpër dhe Xhavit Pasha rrahu me artieri të rëndë pozicionet e lumjanëve në dy anët e Grykës së Morinës.Falë këtyre mburojeve natyrore,formacionet vullnetare shqiptare, e zbrapsën vrullin e sulmit të parë e mandej ndërmuarën edhe kundërgoditje sidomos në shpatet e Drinit të Bardhë.Xhavit Pasha ndërmerr valën e dytë të sulmit pas dy-tri ditëve duke kombinuar goditjet me artileri dhe manovrat krahmarëse.Ndërkaq,mençurisht Ramadan Zaskoci,duke u organizuar në thellësi e duke pritur përforcime prej Kosove e Dibre.Dhe ai nuk mund të gabonte.Prej tejdrinit, Kalisit,Dollovishtit e Malaziut erdhën qindra vullnetarë shqiptarë të armatosur ndërsa forcat e Elez Isufit kishin nisur marrëshimin në drejtim të Morinës për të vënë armikun midis dy zjarreve.Edhe Qafa e Kolsjanit,u zu prej forcate të Islam Spahisë dhe Bajram Gjanës duke kërcënuar realisht përparimin e forcave turke.Gati dy muaj rresht,në shtator-tetor të vitit 1909,u zhvilluan dhjetra luftime të përgjakshme.Tashmë,askush prej vullnetarëve shqiptarë nuk tërhiqej.Për ta ishte më se e qartë se kjo betejë do të ishte lavdia e tyre e nesërme ose pluhuri i harrimit që mund të binte. Nën thirjen majëkrahi,në vjeshtën e këtij viti,shpatet e maleve të Lumës gjëmuan prej batareve dhe në vend të mjergullës pat veç tym baroti.Drini i bardhë u la me gjak e ndër 10 jeniçerë turq,binte edhe nga një trim shqiptar Shtypi i asaj kohe,duke iu referuar vetë ushtarakëve turq në këtë betejë shkruante : “Për sa shuplak që na kanë dhanë njerëzit tuaj,pohoi një ushtarak turk për luftimet në Lumë,kaq ngushtë e pamë veten,saqë po të mos na vinin në ndihmë taborre të tjerë… Kjem t’u ra të gjithë në dorë të shqiptarëve.Edhe pak ditë me pas zgjat,asnji prej nesh nuk ishte kthyer…” (Gazeta “ Dielli”, Boston,numër 34, 19 nëntor 1909 ).

Si kurodherë edhe në këto beteja spikatën guximi dhe mençuria e Ramadan Zaskocit.Në krejt betejat e zhvilluara,në krye të një grupi trimash,biri i Lumës u gjend kurdoherë në vijën e parë të sulmit. Ai  su frigua aspak e askurrë edhe kur gjylet i ranë tek këmbët,edhe kur bataret e repta ja hoqën sharkun e murrme prej krahëve.Jeta riniste tek ai me forcë më të madhe prej krismave të armëve,ashtu siç rinis jeta e pemëve në mars. Në vitet 1909-1914 ,përpjekjet e tij me kahje nga shqiptarizma ishin të paprera.Tashmë emrin e Ramadan Zaskocit e mbajnë në buzë me respekte jo vetëm Luma e Dibra po krejt Kosova e Shqipëria.Takohet me Ismail Qemalin dhe i jep besën në emër të krejt Lumës,ka miq të ngushtë Hasan Prishtinën dhe Islam Spahiun,nga tmerr i turqve,është kthyer tashmë në tmerr për serbët. Natyrisht ai nuk do të pajtohej askurrë me coptimin e trojeve shqiptare.Në shtatorin e vitit 1914,niset për në Bicaj ku do të lidhej edhe një herë besa e do të jepej kushtrimi për të ruajtur kufijtë tanë etnike.Askush s’mund ta ndalte trimin e Lumës t’u flasë burrave me fjalë burri.Por sigurisht kanë dashur ta ndalojnë qindra serbë që i bëjnë pritë dhe e plagosin rëndë.Pas tri deceniesh lufte paprerë,Ramadan Zaskoci, ndjen ta lënë fuqitë.Shokët e marrin në krahë dhe e vendosin në një jatak të sigurtë.

Ka qenë vjeshta e parë e vitit 1914.Me një merak të madh për të nesërmen e atdheut të vet,Ramadan Zaskoci mbyll sytë.Vallë ç’mund të ketë qenë mesazhi i fundit i këtij vigani luftërash e bese ? Natyrisht,ai i lirisë i përcjellë në gjakun e lumjanëve përmes krismave të armëve.

Bern-Zvicër(Ne Foto:  Ramadan Zaskoci në Pikturë)

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, permes krismave, Ramadan Zackoci

JAKUP FERRI,DETI ME GJËMIME

August 14, 2013 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

Ju ka qëlluar të shihni një det të qetë,të kaltër e të butë si mëndafsh ? Mbi valët e tij lozonjare luajnë pulëbardha e gjthfarë zogjsh të gëzuar.Por unë do t’i falem kurdoherë atij deti me dallgë.Brenda ujërave të kaltër të tij,ku gjëmojnë heshtur kënga e fortunaleve.Brenda gjoksit të këtij deti,ku buçet me zë të lartë gjëmimi me afsh lirie.Dhe një det i tillë me gjëmime,një zemër e pafriguar në kërkim të lirisë  siç ishte edhe jeta e Jakup Ferrit.

U lind në Pllavë të vitit 1832.Ishte djali i dytë i trimit Ferr Ferri rreth të cilit ishin grumbulluar një grusht burrash trima duke shpërthyer hera-herës në revolta të përgjakshme ndaj dhunës morale dhe fizike që ushtronin autoritetet vendore të Portës së Lartë.Ferr Ferri ka ftuar me këtë rast miqtë në kullën e vet të madhe duke iu kumtuar atyre se radhët e çetës ishin shtuar edhe me një trim.Kësisoj,jeta e Jakup Ferrit,ende e njomë,ende në djep,ishte paracaktuar për t’u jetuar në grykat e malet e Plavës e Gucisë,në ruajtje të kufijve shqiptare.

Në mesin e shekullit të kaluar,invazionet osmane,synuan në trevat e Plavës dhe Gucisë, ndryshimin e krakterit të regjionit.Me që në pjesën e madhe të këtyre trevave sundonte besimi katolik.Në mjaft raste,misionarët osman të ardhur nga Stambolli u bashkuan me masat e tyre në ato shtërnguese të autoriteteve vendase veçanërisht në lidhje me arësimin në gjuhën osmane,synonin gjithashtu të luftonin institucionin e besës shqiptare i cili veçanërisht në Plavë e Guci kishte një shtrirje të çuditshme.Por tërë këto përpjekje,nuk mundën të përçajnë fiset shqiptare përpara të cilave shenjtëria e trojeve ishte në kufijtë mitik.Ndër ata burra që i vunë gjokset këtij presioni,ishin padyshim edhe Ferr Ferri me të bijtë.

Në fillim të viteve 60 të të shekullit të XIX,pasi kishin thyer kryengritjet e mëdha shqiptare në vilajetet e Janinës,Manastirit e Shkupit,turqit iu drejtuan për realizimin e reformave të Tanzimatit,Plavës e Gucisë.Të vënë midis dy zjarresh,nga njeri krah rreziku serbo-malazez dhe nga krahu tjetër ai osman,shqiptarët e këtyre trevave i thirën së mbrendshmi institucionit të tyre të besës.Të udhëhequr mençurisht prej Zeqë Jakup Ferrit,Osman Omeragës dhe Adem Shahmanit,gati katër mijë burra të armatosur,brenda tri ditëve u rreshtuan në formacione të rregullta luftarake të gatshëm të sakrifikonin edhe jetën.Për më tej,në potencimin e kësaj lëvizjeje të qartë çliruese,që iu dërgua prej kryengritësve një peticion Portës së Lartë ku i kërkohej : të mos egzistonte administrata për mbledhjen e taksave të reja,të përjashtohej detyrimi ushtarak sipas urdhërave të rinj,madje të hiqeshin edhe disa detyrime të tjera që egzistonin përpara reformave të reja të Tanzimatit. Edhe pse Porta e Lartë,synonte në shtrirjen e pushtetit të egër të saj,deri në periferitë e largëta,ajo nuk rendi për luftë në Plavë e Guci.Porosià e saj ndaj kajmekamit ishin të qarta,gjithshka të kalonte butë derisa ushtria të vinte aty.Dhe kështu ndodhi në betejën e Moraçës ku përballë trimave shqiptarë u vunë mijëra jeniçerë osman.Në Moraçë,në ballë të luftimeve,vritet Zeqë Ferri.Jakupit i këputet kësisoj një krah por jo për ta dekurajuar ate.Dhe ç’prej këtij çasti e deri në fund,Jakup Ferri dijti të marrë gjakun e babait, vëllait dhe krejt shqiptarëve që u vranë prej serbo-malazezëve apo osmanllinjëve.

Ndërkaq,re të tjera të zeza do ti afroheshin në heshtje qiellit shqiptar në Plavë e Guci.Ushtritë osmane ishin mundur në luftë me rusinë dhe shkatërimi i Perandorisë shoqërohej me ngjalljen e ambicieve të reja etnike.Në kufijtë e Plavës e Gucisë,këtyre trevave shekullore të arbërit,malazezët dhe serbët kishin nisur të zbraznin pushkë.Nuk bëhet fjalë natyrisht për sulme të organizuara por,për një varg provokacionesh që do të mund të ndiznin një ditë zjarrin e madh në Ballkan. Sigurisht ngjalli një trishtimi tek shqiptarët e këtyre trevave,vendimi i Kongresit të Berlinit,çka i fal Malit të Zi,në kundërshtim të plotë me dëshirat e njerëzve dhe historinë e tyre,Plavën dhe Gucinë.Populli i revoltuar në Plavë,me të marrë vesh këtë lajm,rrethoi ndërtesën e garnizonit osman nën thirjen ; duam armë ! Ndërkaq burrat shqiptarë,ata që ndjenin së mbrendshmi vajtimin e vatanit të tyre,u mblodhën sërisht në kontaktet e tyre.E ndritura Lidhje Shqiptare e Prizërenit,ndër të tjera pat vendosur që krahina e Plavës e Gucisë të mos dorëzohet,madje krejt shqiptarët do të derdhin gjak për ta mbrojtur ate.Në këtë rrafsh,mendoj se duhet parë nën një dritë të re fakti që tërheqja e ushtrisë osmane nga kufijtë e Plavës dhe Gucisë u bë e menjëhershme,gati misteriose.Por ishte pikërisht zgjuarsia dhe mençuria prej prijësit popullorë të Jakup Ferrit i cili,nën thirrjen e lashtë të kushtrimit,mblodhi e organizoi rreth një mijë burra të armatosur të cilët zunë vendet dhe fortesat e boshatisura prej ushtrisë osmane.Vojvoda Bllazho Petroviç,kish filluar disa manovra ushtarake për t’iu dhënë shqiptarëve të kujtonin se çka ishte vendosur në Berlin do të çohej deri në fund.Madje dy shqiptarë që ruanin kufirin në Qafën e Previjës,mbasi u vranë prej malazezëve,u coptuan me thike,u futën në një thes dhe u përcuallën tinëz në tokën shqiptare.Makabriteti synonte dobësimin e guximit atdhetar,ç’ka gjithsesi s’mundi të ndodhte tek shqiptarët e këtyre trevave.Tashmë ruajtja e trojeve shqiptare,vlente të bëhej me grykën e pushkës.Jakup Ferrit i bashkohet i biri,Hasani,Ali Pashë Gucia,Mulla Jaha,Kadri Bajri dhe Binak Alia.Por jo vetëm trimat e Plavës por edhe ato të Karsniqes,Rugovës dhe Gashit iu bashkuan lëvizjes madhore për ruajtjen e kufijve shqiptarë të Plavës e Gucisë.Kështu në gushtin e vitit 1879,në Plavë u organizza një tubim i këtyre patriotëve për të lidhur besën.Në këtë tubim u tha hapur se nuk luftohej për fe,por për atdhe e popull,sepse atdheu ësht ma i shenjtë.Duke qenë se Jakup Ferri prej vitesh ish spikatur si strateg popullor, ushtarak,në këtë takim trimash atij iu kërkua mendimi mbi mbrojtjen dhe rrugët e realizimit të saj.I matur,nën një zë që dukej se ruante kurdoherë gjëmimet e largëta të qiellit,Jakup Ferri u përpoq të argumentojë se pamvarsisht si do luhej me fatin e tyre,vetë shqiptarët do të mbronin trojet stërgjyshërore.”Historia,foli,ndër të tjera,Jakup Ferri,na ka mësue se askush prej fqinjëve tanë s’na e ka dash të mirën,por vetëm të keqen”.Më pas duke patur parasysh ushtrinë e madhe malazeze,ky burrë trim kërkoi një mobilizim të madh,një thirrje me armë të gjitha meshkujve prej 15 deri më 80 vjeç.Vetëm në këtë lloj mobilizimi dhe duke u organizuar tërësisht,u mendua që të përballohej tërbimi serbo-malazez. Menjëherë pas mbarimit të këtij tubimi,Jakup Ferri niset për të lidhur besën me malësorët e Gashit dhe të Krasniqes.Ai niset për aty duke menduar se ka jo vetëm emër të mirë por edhe miq të ngushtë me të cilët ishin lidhur në gati katër decenie luftë kundra serbo-malazezëve.Zëri tingëllues i tij,kumtoi në prani të dhjetra burrave që gati sa nuk i përpinin fjalët e trimit të Plavës.Ngase qëllimi i Jakup Ferrit ishte që krejt malësija e Gashit dhe Krasniqes të lidhte besën për të luftuar  kundër serbo-malazezëve,generali popullor nuk harroi të përmend se Plava ishte e para fortesë që duhej mbrojtur prej të gjithë atyre që e donin autonominë dhe lirinë shqiptare.“ Pra juve a do të na ndihmoni ? Neve kemi besim se po,se jemi të një fisi,të  një gjaku arbanas,të nji vllaznie.Ju e doni krahinën tone si vendin tuej,sepse asht nji truell e nji vatan.Po kështu duhet ta dini se Plava e Gucia,asht e vetmja kala që prêt Cernagorën,si për ju,si për krahinat e Rrafshit të Dukagjinit.Pra Cernagora sot po troket në dyert e kësaj kalaje.Jakup Ferri,pa përfundue fjalën,u ndigjuen thirjet e malësorëve ; Prina o Jakup Ferri,të gjithë jena me ju,nuk ka se kush na prapson,do ta bajmë deken si me le”.(E.Plava,kujtime dhe dokumente historike,Marin Barlleti, 1995, faqe 56 ).

Meqenëse Lidhja Shqiptare e Prizërenit po shihte një vonesë të madhe të Portës së Lartë,në marrjen e vendimeve të rrezikut serbo-malazeze në Plavë e Guci,burrat e saj,Abdyl Frashëri,Iljaz Pashë Dibra,Sulejman Vokshi e të tjerë caktuan direkt Ali Pashë Gucinë si komandant suprem për mbrojtjen e kufijve shqiptarë në veri.Ky menjëherë lidhet me shokun besnik të idealit,Jakup Ferrin dhe të dy së bashku ideojnë dhe organizojnë mbrojtjen e trevave të tyre.Në këtë mbrojtje,do të shkëlqente më pas jo vetëm trimëria e burrave dhe grave të Plavës e Gucisë,por sidomos edhe mendimi i guximshëm ushtarak i këtyre prijësve popullorë.Sipas burimeve të historiografisë shqiptare,për të mbrojtur krahinën e Plavës dhe Gucisë,u rreshtuan nën armë mbi 5 mijë burra.Armatimi dhe ushqimi i tyre u mundësua edhe nga paria e krahinave të tjera,kudo ku shkeli këmba e Jakup Ferrit,kudo ku u dëgjua zëri i tij që ftonte në dasmën e shenjtë të lirisë.Në krye të këtyre 5 mijë burrave u vendos të komnadojë Jakup Ferri.Ky nga ana e vet,studjoi jo vetëm aftësitë luftarake të shqiptarëve por sidomos terrenin ku do të zhvilloheshin betejat,të cilat,tek e mbramja do të vendosnin mbi ardhmërinë e krejt këtyre trojeve,të ndara me një të rënë të lapsit në tryezën  famëkeqe në Berlin.Madje disa prej pritave natyrore çka do të ishin të domosdoshme,filluan të hapen nën kujdesin e dretëpërsëdrejti të Jakup Ferrit.

Në muajt nëndor-dhjetor 1879,Mark Milani,ndërmorri dy beteja të përgjakshme në kufijtë e Plavës dhe Gucisë.Në krye të një ushtrie disa mijëshe,të armatosur mjaft mire,ai u përpoq të çante një shteg prej nga më pas do të mund të shtinte në dorë krejt krahinën.Luftimet u zhvilluan të ashpra sidomos në qafë të Previjës,Qafë të Diellit,Arzhenicë dhe Cakorr.Përballë qindra të vrarëve dhe të plagosurve të ushtrisë së Mark Milanit,dhanë jetën edhe trima shqiptarë si : Osman Hoti,Dush Gjeri,Mysli Syla,Halil Radonja,Brahim Cela,Ibrahim Omeragaj etj. Gjaku i tyre duke lagur borën e dimërit të egër të vitit 1879,klithte në thellësi për lirinë e ëndërruar aq shumë prej shqiptarëve. Në të dy këta muaj,Jakup Ferri ishte në krye të ushtrisë shqiptare si komandant legjendar i saj.Ate e shihje të hipur në kale,të armatosur,duke u dhënë krah luftëtarëve e sidomos duke patur në duar situatën e veprimeve luftarake.Duke ngarendur sa në një karakoll në tjetrin,sa në një çetë tek tjetra,trimi i Plavës jo vetëm dinte të organizonte me intuitë pritat,por aty ku e shihte se goditja e armikut mund të ishte fatale,luftonte edhe vetë me orë të tëra.Është i vërtetë fakti se ndërsa vullnetarët shqiptarë dëgjonin trokun e kalit të tij,ata merrnin zemër duke u kapur grykë me grykë me forcat malazeze.Ai dijti si një strateg i madh popullor që edhe në afshet më të nxehta të betejave të gjykonte situatat me një ftohtësi admironjëse.Kuptohet,ajo çka të çonte drejt mitit,Jakup Ferrin,është beteja e Nikshiqit,në janarin e vitit 1880.Knjaz Nikolla,duke menduar se tri muaj luftimesh e kishin rraskapitur ushtrinë vullnetare shqiptare ndërmorri hapa konkrete në drejtim të një mësymjeje të përgjithshme në trojet shqiptare të Plavës e Gucisë.Përkrahja e parisë së Cetinjës në këto momente ishte e madhe e cila u pa me çrast dërgimin e mijëra  ushtarëve të rinj në aventurën e madhe.E vërteta është se dy ditë përpara se armata malazeze të mbrinte në kufijtë e Plavës dhe Gucisë,një korier i dërguar enkas prej Knjaz Nikollës,solli një letër për Ali Pash Gucinë ku midis tjerave thuhej; “Për hir të gospodarit Nikolla Petroviq,me vullnetin e popullit,Knjazi i Malit të Zi,ushtria e natmadhërisë së tij,do të marrshojë për të okupuar krahinat e Plavës e të Gucisë,në zbatim të vendimit të kongresit të Berlinit.Pse edhe vetë Abdyl Hamidi i otomanëve,i është shtruar atij vendimi,pra pse edhe vetë sovrani turk na e ka dhënë ate krahinë,o Ali Beg,nuk ke kurrfare arsye të kundërshtosh.Dhe Organizata Shqiptare e Prizërenit nuk do të bëje aspak dobi,mos e torturo pra popullin,mos e fut në zjarr e flake krahinën… Ktheje situatën ndryshe dhe sovrani ynë August,Knjaz Nikolla ka për të pasur mëshirë edhe për juve,ka për të bërë amnisti, e ka për t’ju falë çdo gabim e llogari nga e kaluara si edhe për të tashmen”.  (Arkivi I Institutit të Historisë,dosja Plava e Gucia në vitin 1880 ).

Tregojnë se Ali Pashë Gucia,pasi ka lexuar telegramin e ardhur prej Cetinje,i mendur ka mbledhur për të mbramen herë,bashkëluftëtarët e tij.Sapo ka mbaruar së lexuari mesazhin,ka qenë Jaku Ferri i cili duke ngritur mes trimave,ka kumtuar me ate zërin e tij tingëllues.”Në këmbë o burra ! Sikur të çohen shtat krajlat dhe vetë mbreti i Stambollës,neve nuk mun të na ndalojënë me dekë.Dekjen e kena borxh për vatan e sibijan !”.

Pas kësaj në datën 4-7 janar,krejt populli i Plavës dhe Gucisë është mobilizuar maksimalisht.Në të shumtën e rasteve,furnizimet me buk e ujë të luftëtarëve popullorë i kryenin  punët por ngase lufta ishte në prag,pati edhe prej tyre që rrëmbyen armët.Luftëtarët e rinj të ardhur nga Rrafshi i Dukagjinit,drejtoheshin për nga kullat e Jakup Ferrit në pritje për të marrë detyrën luftarake.E rëndësishme është të potencohet fakti që dhimbja e tragjedisë së kësaj treve shqiptare u ndje së mbrendshmi më shumë prej viseve veriore të Shqipërisë.Luftëtarëve përforcimet e para erdhën në këto momente edhe nga qyteti i Shkodrës.Ka qenë pikërisht mëngjezi i 8 janarit të vitit 1880,kur përmes mjergullës së dendur e dëborës që nuk reshtete,u dëgjuan krismat e para të topave malazeze.Jakup Ferri,duke ditur që më parë këtë armatim,pat dhënë porosi bashkëluftëtarëve për ta pritur armikun nëpër kështjellat natyrore duke shmangur sa të ishte e mundur rrezikun e dëmtimit nga artileria.Qitjet e artilerisë malazeze nuk kursyen edhe qindra kulla të fshatarëve në Arzhonice, Kose e Nokshiqit,Jeçnishtaj,Pepaj.Pas kësaj,ka qenë thirrja shqiptare ; përpara djem për Shqypni ! e cila ka çuar peshë qindrat e mijërat e trimave vullnetarë në mbrojtje të trevave të Plavës e Gucisë.

Forcat e Knjaz Nikollës i kalonin të 14 mijë vetat,përfshi këtu edhe artileritë dhe forcat e tjera ndihmëse.Përpos armatimeve të tjerë,dëshmohet se këta forca ishin të paisura me topa ruse.Bllazho Petroviqi i cili ndodhej  në ballë të trupave malazeze,kërkonte të fitonte betejën nëpërmjet sulmeve rrufe në të gjitha frontet njëherësh.Duke mos pyetur për të vrarët e plagosurit e çasteve të parë,ai dha urdhër që mësymja drejt Plavës e Gucisë të ishte frontale dhe aspak e manovrueshme. Intuita dhe mjeshtria prej strategu e Jakup Ferrit,kanë shkëlqyer edhe një herë pikërisht në këto momente.Ai urdhëron tërheqjen në thellësi të formacioneve luftarake që mbronin Plavën duke paraparë një gabim trashanik të Petroviqit i cili në ekstazë urdhëronte trupat e tij vetëm përpara.Pasi mijërat e trupave malazeze kaluan urën dhe dy vahet në lumin Lim,atëherë Jakup Ferri i shkatëroi këta duke krijuar një rrethim natyral të malazezëve ngase lumi në janar ishte krejtësisht i pakalueshëm.Anipse,Jakupi vetë në çetën e tij ndodhej në zemër të këtij cikloni,ai nuk mund të përfillte jetën përpara shpresës për fitore.Bashkëluftëtarët e tij,duke kuptuar manovrën e zgjuar të komnadantit të frontit u hodhën me tërbim mbi ushtrinë malazeze, duke i vënë në mes dy zjarreve.Tashmë përleshjet ishin trup me trup dhe në ate zallahi  klithmash e armësh,vendosej më tepër se fati i një beteje.Duke u gjendur taman në nyjen më nevrallgjike,që do të vendoste fatin e kësaj beteje,Jaku Ferri,hipur në kalin e tij të bardhë,të bukur dhe sikur të jetë i mbështjellë nga legjendat lufton pa u epur.Kështu,për të ardhur deri në fatzezën ditë të 10 janarit,që u zgjua pa zërin dhe kushtrimin e tij.I goditur për vdekje,Jakup Ferri do të mund vetëm të shqiptonte ; Përpara Sokola ! Më pas vargjet e drithshme të lahutës kënduan ;

                                                       “Njëqind vetë sot na kanë mbetë

                                                         tre me emra sot po jua  kallxoj

                                                         nja ma i pari Sadik Hamza

                                                         e i dyti Cel Shabani

                                                         haj me det  për Jakup Ferrin …

Dhjetë ditë rresht,luftëtarët trima të Plavës e Gucisë,pas fitores madhështore që arritën,kërkonin nëpër dëborën e madhe trupat e bashkëluftëtarëve të vet.Përzihej kështu trishtimi i madh për të rënët me gëzimin se gjaku i tyre nuk u derdh kot.Më 20 janarin e vitit 1880,ndërsa varri i Jakup Ferrit vizitohej prej mijëra qytetarëve,Ali Pashë Gucia thosh ; “O ju dëshmorë që dhatë jetën për këtë vatan.E lehtë ju kjoftë lendnina,akulli,bora e sorotina… Juve nuk do harroheni sa të jetë jeta.I gjithë fisi i juaj do t’ju kujtoje brez pas brezi.Nipat e stërnipat do knojnë këngët e trimërisë tuej.E ti shpirtmadhi Jakup Ferri,qe na le ate nam e jehonë për me shpetue këte vatan e sibijan,do të jesh i paharruar për të gjithë brezat e arbnisë !”.

Absurdi që ka shoqëruar kurdoherë,udhëheqjen e diktaturës komuniste shqiptare,këtë radhë u orientua me kahje nga denigrimi i kësaj figure legjendare.Kështu,me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, në shtetin amë,në vitin 1978,nga një grup komunistësh i ka qenë propozuar qeverisë komuniste të Tiranës që Jakup Ferrit t’i jepej një dekoratë heroizmi pa pretenduar aspak se atij po i jepej ajo çka meritonte.Dhe ndërsa shqiptarët kanë pritur në heshtje vendimin e qeverisë komuniste të asaj kohe,Mehmet Shehu,ish kryeministër i asaj kohe ka pas deklaruar se Jakup Ferri s’e meritonte dekoratën ngase “nipërit e tij ishin bërë ballistë… !”.Madje disa nga propozuesit edhe ishin burgosur.

Sidoqoftë,le të mbeten këto radhë të mija si një kujtesë për një  të ardhme respekti për të gjithë ata,që në saje të trimërive dhe gjakut të derdhur të tyre ne frymojmë.Shpallimet historike pa paragjykime i bëjnë nder kombit tonë,meqë e kaluara ashtë si një fanar për të ardhmen.Kombi ynë ka shumë histori me të cilën mund të krenohet,ani se kemi fatin tragjik që rrethohemi nga hienat sllavo-helene,të cilët jo vetëm që mbajnë territore tona të pushtuara,por edhe vjedhin nga historia jonë pasi që janë të vobegët me  të tyren.

Bern-Zvicër

 

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Jakup Ferri

PRENG PREVIZI,GJENERALI I MBROTJES KOMBËTARE

August 11, 2013 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

Në gjelbërimin e atyre kodrave të buta,nën malin e Krujës,në ato djepe që prej erës ende kërcasin e këndojnë bëmat e shenjta të Gjergj Kastriot Skenderbeut,ndodhen akoma rrënojat e një kulle të vjetër,të harruar,gati të mbuluara prej barit  dhimbës në moshën  e shekullit.Në gjoks të tyre,në fshatin e vogël Skuraj,do të lindëte në majin e vitit 1900,Prenga ai djalosh i zgjuar e trim i cili do të arrinte gradën e gjeneralit në moshën 43 vjeçare,pasi shërbeu plot 25 vjet në Ushtrinë Kombëtare Shqiptare. I paisur me një natyrë tepër studioze,Preng Previzi dërgohet prej prindërve të vet,në Shkodër ku nën ndikimin e konfesionit kristian,mëson në shkollën fillore e mandej qytetëse të Shkodrës.Në rrethet shkollore bie në sy urtësia e tij,gati-gati e shenjtë,një butësi,a thua të futur në shpirt prej prindërve apo kodrave të bukura të Skurajt,qarkuar me ullinj të përjetshëm. Më tej studion në Seminarin Severian të Shkodrës.

Ishin ditë të mbushura me ngjarje.Vitet 1912-1914,fitorja e pavarsisë shqiptare,ngritja e flamurit në Vlorë,nuk mund të kalonin pa u ndjerë edhe në Shkodër.Ky djep kuluture e tradite të hershme e përjetoi ngritjen  e flamurit në Vlorë përmes krismave të armëve që trimat e Malësisë së Shkodrës e Dukagjinit,“u dhuronin“ trupave serbo-malazeze që mbanin të rrethuar qytetin.Sidoqoftë,nëse në seminarin Saverian në Shkodër,edukatorët përpiqeshin të mbyllnin sa më tepër nxënësit,brenda mureve të skolastikës së ngurtë,të rinjtë kristianë jetonin kohën në krejt dramën e vet.Mbase duhet të veçojmë një fakt tepër domethënës nga jeta e Preng Previzit në këtë periudhë.Ndonëse ishte tepër i ngjeshur programi shkollor,biri i krujës kurdoherë gjente kohë të lexonte literaturë të huaj në Italisht e Gjermanisht.Mandej në bangat e Seminarit Saverian,Preng Previzi lidhet në një miqësi të ngushtë me atdhetarin Gjergj Fishta,miqësi që do të vazhdonte për decenie të tërë.Fishta i madh i cili jepte mësim në këtë Seminar,do të pëlqente pos të tjerave tek karakteri i butë i Previzit,ato shkëndija të një bote të madhe,të paqme,hyjnore.Nën ndikimin e mësuesit të vet,Preng Previzi do të thellojë njohuritë e veta jo vetëm në rrafsh të kulturës e qytetërimit perëndimor,por edhe lidhur me ngjarjet e fundme në trojet etnike shqiptare.Mësimet në Shkodër i ka mbaruar me rezulltate të shkëlqyera në pranverën e vitit 1914,me ç’rast përmes emocioneve do të dije se çdo të bëhet me të ardhmen e tij.Pranvera dhe vera e vitit 1914,do të shkonte në Shqipëri përmes ngjarjeve tragjike me një densitet të jshtëzakonshëm.Forcat regresive të yshtura prej Beogradit dhe Athinës,përpiqeshin të mbytnin ate shtet-foshnjë,të dalë me aq dhimbje e mundime prej lëvizjeve të shqiptarëve për independencë.Sikur të mos mjaftonin fqinjët shoven,ndaj kufijve shqiptarë u vërsulën edhe diplomancitë e fuqive të mëdha evropiane me ç’rast trazirat ballkanike sa vinin e shtoheshin. Preng Previzi,falë aftësive dhe intuitës shkollore,ka fituar ndërkaq një bursë austriake prej administratës së Princ Vidit.E vërteta është se fillimisht,birin e Krujës e ka kapluar trishtimi ngase kjo bursë ishte për shkollë kadetësh me ç’rast sikur virej në konflikt me shpirtin e butë e delikat të Prengës.Por i etur për libra e shkollë,për qytetërim,shpirti i djaloshit 14 vjeçar do ta kapërcente shumë shpejt këtë ligështim.Në shtatorin e vitit 1914,shkon në Austri dhe nis studimet në shkollën ushtarake të kadetëve të Uellsit e cila padyshim asaj kohe ishte  ndër më të dëgjuarat në Evropë.Edhe këtu,Preng Previzi,ai djalosh trim i Skurajt,ajo natyrë e qetë dhe studionjëse,do të ishte model në çdo aspekt.Në mes të kursantëve nga vise të ndryshme të Evropës,Preng Previzi,do të binte në sy,sidomos për etjen e tij në përvetsimin e dijeve.Tashmë modelet ushtarake të dhjetar betejave,organizimi dhe drejtimi i tyre,do të shpinin „kristianin shqiptar“ në vitet e largme të luftërave duke e paisur ate me die e nocione të reja për rolin dhe organizimin e ushtrisë shqiptare.Kthehet në Shqipëri në nëntorin  e vitit 1918,me një diplomë të shkëlqyer të shkollës së Uellsit dhe me rekomandimet përkatëse për të vazhduar më tej studimet ushtarake.Tashmë Preng Previzi njeh disa gjuhë e kultura,ka njohuri të thella për Artin Ushtarak bashkëkohor,por njëherazi nuk ka hequr dorë nga studimet e tij në rrafsh të letërsisë evropiane.Kanë mjaftuar vetëm disa ditë pushime pranë familjes e më tej,me gradën e togerit,me uniformën e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Previzi i është drejtuar viseve Shqiptare të Dibrës,Lumës dhe Hasit.

Në dimrin 1918-1919,në këto vise do mësynin mijëra forca serbo-malazeze,me ç’rast kërkonin daljen e tyre në Adriatik.Qeveria shqiptare e Turhan Pashës,duke mos qenë e zonja t’u bënte ballë këtyre vërshimeve të mëdha,u bëri një thirrje patriotëve shqiptarë për të mbrojtur kufijtë e tyre nga një copëtim i mëtejshëm,duke dërguar në këto vise edhe disa dhjetra ushtarë dhe oficerë të ushtrisë kombëtare.Preng Previzi,në krye të repartit të tij,ende 18 vjeç,pa përvojë,do të ndjente së mbrendshmi nevojën e bashkëpunimit të tij me kapedanët popullorë të këtyre trevave.Në veçanti,ai do të bashkëpunonte me forcat e Elez Isufit të këtij trimi nga Nëntë Malet  e Dibrës.Një varg dokumentash historike,flasin për ate lidhje të vazhdueshme të Preng Previzit,me Elez Isufin dhe Alush Lumën,përgjatë vijës së Drinit ku më së paku,në çdo muaj janë zhvilluar rreth 25 ditë luftime me serbët pushtues.Në këto luftime ku njoftohej çdo ditë për të vrarë e plagosur nga të dy  palët ndërluftuese,karakteri i Prengës u burrërua.Ai fitoi tanimë dimensionin e qëndresës,të mos përkuljes ndaj çdo vështirësisë,përballë çdo fatkeqësie.Njëherazi,ky bir i Krujës,do të mësonte jo vetëm ligjet e luftës,por edhe trimërinë e pashoqë të dibranëve të cilët në çdo rast dijtën të vënë interesat e Shqipërisë përballë interesave të vogla të kullave të tyre.Në këto luftime,pos Elez Isufit,Preng Previzi do të lidhej ngushtë gjithashtu,me nipin  e tij,Cen Elezin.Luftërat kundër serbëve do vëllazëronin më shumë këto burra paçka se njeri mysliman e tjetri katolik.Ende pa u shuar zjarri i luftërave në Lumë e Has,në vjeshtën e vitit 1919,Preng Previzi thirret në Tiranë dhe komanda eprore duke falenderuar për trimëritë dhe aftësitë e treguara,mjafton pjesmarrjen e tij në mbarëvajtjen e punimeve të Kongesit të Lushnjës.Duke mos diskutuar aspak mbi rreziqet aty,Preng Previzi,në krye të pak ushtarëve niset sërish drejt Lushnjës dhe vendoset në afërsi të fshatit Vajkan prej nga pritej sulmi i mundshëm i forcave italiane.Pa u ndalur në vendimet historike të Kongersit të Lushnjës,në polemikat e debatet e zhvilluara aty,une mund të ndalem vetëm me pak rreshta që Mid’hat Frashëri,në cilësinë e deputetit të shoqatës mbarëshqiptare „Vatra“ i dërgon ato ditë në Paris,drejtorit të një gazete të përditshme,Pol Luisit,një artikull.Pos të tjerave në këtë letër shkruhet ;

„Shqiptarët nuk kanë rreshtur së manifestuari dëshirën e tyre të vendosur për pavarsinë e plotë të vendit të tyre dhe sovranitetin e rikonfirmuar pa asnjë ndërhyrje nga jashtë.Një provë për këtë është qeveria e re, e dalë nga Asambleja Kombëtare,mbajtur në Lushnjë më 28 janar.Pra në rast se duam të sigurojmë paqën në Ballkan dije të frenojmë lakmitë imperialiste,ne duhet të mbajmë parasysh edhe aspiratat shqiptare“.( Arkivi Qendror i shtetit, fondi 35 , dosja 112 , fleta 1 ).

  Në krye të ushtarëve të Mbrojtjes Kombëtare,në janarin e vitit  1920,për gati një muaj rresht,Preng Previzi mbajti qëndrim të vendosur në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës.Provokacioneve italiane si edhe bashkëpuntorëve të tyre,Prenga iu përgjigjej ftohtësisht por edhe trimërisht duke u dëshmuar aytre se punimet e këtij kuvendi madhor,do të mund të ndërpriteshin vetëm nëse forcat italiane do të kalonin përmbi kufomat e gjakosura trimërisht të shqiptarëve.Më pas,në përfundim të këtij kongresi Preng Previzi së bashku me një grusht trimash matjanë do të shoqëronte Ministrin e  Mbrendshëm të dalë aty,Ahmet Zogun,nëpër peripecitë e mëdha të rrugës për në Tiranë.Nëse qeveria e dalë prej Kongresit të Lushnjës,zhvilloi me sukses punimet dhe vajti triumfuese në Tiranë,këtu padyshim ka shkëlqyer edhe trimëria e togerit Preng Previzi.Pos trimërisë dhe vendosmërisë së terguar në Lushnjë,Preng Previzin do ta shohim në një varg detyrash të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare në Tiranë.Organizator i talentuar,biri i Krujës do të ndikonte së tepërmi jo vetëm në vendosjen e një disipline të ndërgjegjshme,por sidomos në pikëpamje të modernizimit të ushtrisë kombëtare.Ndërkaq ai ka marrë gradën e kapidenit dhe emri i tij ngjall repsekt jo vetëm në mjediset e gazermave por edhe më tej,në shoqërinë shqiptare të kohës.Ngjarjet e qershorit të vitit 1924,do të përcilleshin me dhimbje në ndërgjegjen e prengës.Ajo çka historiografia shqiptare e quajti për decenie me rradhë si revolucion demografiko-borgjez,ishte në fakt një grusht shteti e disa njerëzve që ëndërronin demokraci të kulluar duke shkatërruar pikërisht qelizat e shtetit modern.E vërteta është se ky i ashtuquajtur revullucion,degjeneroi në marrjen e pushtetit prej një grumbulli njerëzish të paaftë dhe që s’mundën ta mbanin dot ate,as pesë muaj,pa fajin e Nolit i cili ishte përkushtuar diplomacisë dhe gjendej jashtë Shqipërisë.

Besnik i kulturës gjermanike,i ligjve të shtetit (pamvarësisht se ç’shkallë mund të ishtin ata) Preng Previzi,që në momentet e parë të „revullucionit“ alla markësist,jep dorëheqjen.Për më tej,duke patur besim në aftësitë politike dhe në vendosmërinë e Ahmet Zogut,ai kalon në Jugosllavi ku viret në kontak me këtë,si dhe një pjesë të madhe të gardës mbretërore.Rikthehet sërish me Ahmet Zogun në fundvitin 1924,duke kërkuar të shkojë në ate detyrë që pat dhënë dorëheqje.Në vitin 1925, Ushtrija jonë Kombëtare,do të riorganizojë në pikëpamje të strukturave me ç’rast do t’u përgjigjej më me shpejtësi situatave të turbullta që kalonte atdheu.Në bazë të këtij rikonstruktimi,Ushtria Kombëtare u përcaktua në katër zona të mëdha gjeografike dhe operative.Pikërisht në zonën e qendrës,ç’ka përfshinte Tiranën,Krujën,Durrësin,Elbasanin dhe rrethinat e tyre,me dekret mbretëror,emërohet zonëkomandant,kapiten i klasit të Parë,Preng Previzi.Në krye të kësaj detyre,ky bir i Krujës,do të shpaloste jo vetëm aftësitë e veta ushtarake por sidomos shqiptarizmën e tij.Kërkend nuk fyejti,këkend nuk shau,madje edhe në momentet shumë të vështira dijti të trajtojë me urtësi vartësit e vet.Mbase vlen të theksojmë se edhe emërimet e tjera të Ahmet Zogut,në tri zonat e tjera,ishte mjaft domethënëse.Kështu në zonat veriore  dhe verilindore ishin caktuar si komandantë vendi trimat Hysni Dema dhe Muharrem Bajraktari,ndërsa në jug me qendër Korçën,ushtaraku Fiqri Dine.Të katër këta prijës ushtarakë për vite me radhë i lidhi një miqësi e pazakontë.Në konturet e kësaj miqesie,ravijëzohej qartë ndjenja e atdhedashurisë e cila kapërcente çdo lloj interesi vetiak apo pazar të bërë në dëm të marëvajtjes së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare.Veçanërisht me Muharrem Bajraktarin,birin e Krujës do ta lidhte miqësia e përjetshme.Bajraktari do të ndihej në shtëpinë e Prengës në Tiranë,njëlloi si në shtëpinë e vet në malet e Lumës.

Natyrisht shkollimi i Preng Previzit nuk kishte qenë i plotë.Për këtë,me bursën e shtetit shqiptar,në vitet 1930-1934,ai studion në Akademinë e Lartë të Torinos,në ate shkollë ku studionte edhe princi italian Umberto.Në Torino,merr me vete edhe familjen me ç’rast djemtë,Lekën,Valentinin dhe Gentin,i dërgon të mësojnë në shkollë.Vetë,si një prind i mrekullueshëm gjen kohë jo vetëm të bisedojë me djemtë e gruan por edhe t’u mëkojë atyre dashurinë për fshatin e vogël Skuraj,Krujën dhe krejt viset shqiptare.Diplomohet shkëlqyeshëm edhe në këtë akademi të lartë të luftës dhe në vitin 1934,në vjeshtë kthehet sërish në atdhe duke marrë edhe lëvdatat e trupës mësimore italiane të Akademisë.Kthimi i Previzit në Tiranë,u prit me admirim nga rrethet intelektuale ushtarake.Ai pat rrezatuar kulturën ende pa shkuar në Itali e tani pritej të ndikonte edhe më shumë në modernizimet e ushtrisë sonë kombëtare.Por pak kohë,Previzi mundi të qëndroi në Tiranë.Ai kishte nisur të shfaqte hapur tani tendencat antiitaliane,me ç’rast edhe nuk shihej me sy të mirë prej disa pseudopatriotëve shqiptarë.Caktohet në një detyrë në Korçë dhe plotësisht i bindur për misionin  e vet,Preng Previzi dëshmon edhe në jugun e Shqipërisë aftësitë organizative ushtarake.Punon pa u lodhur e përpiqet që në çdo gazermë shqiptare të ketë një mendim e mentalitet të shenjtë për simbolet kombëtare.Festa e flamurit,do të përcillej kurdoherë në këto garnizone,përmes zërit të butë të ushtarit të lartë dashurisë atërore së tij për vartësit.Gjithsesi rregullat e ngurta të jetës ushtarake,nuk do të mund të fshinin nga shpirti i tij gjurmët e atij artisti të heshtur i cili thërret gazin dhe harenë edhe atëherë kur ato janë të padukshme.Mban korrespondencë të vazhdueshme me mësuesin e tij të dashur Fishtën dhe me një letër nga Korça i shkruan : „Mbasi Korçën pikturore e pate në stinën e dimërit,duhet të vini ta shifni edhe në verë e cila besoj se do t’u pëlqejë më tepër“.( Arkivi Qendror i shtetit,dosja 36,fleta 46 ).

Ka një interes të veçantë për Previzin në fillimvitin 1939,nga pala italiane.Por ai qëndron në Korçë duke u shprehur hapur për qëllimet italiane.Për më tej,në një bisedë që ka patur me Musolinin,mendimi i tij ka qenë i prerë se Ushtria Kombëtare Shqiptare është e zonja vetë të ruajë kufijtë e saj.Prilli i vitit 1939 do ta gjejë të dyzuar ashtu si qindra oficerë shqiptarë që patën studiuar në akademitë e larta ushtarake të Italisë.Sidoqoftë në çastet e mbrame,ai vendos të rije në Shqipëri e të kontriboje sa të jetë e mundur për ushtrinë e kombit të vet me ç’rast i pat falur vitet më të bukura të jetës.E vërteta është se ishin me dhjetra oficerë të lartë shqiptarë të cilët në fillim të viteve 40-të ringritën ushtrinë shqiptare në pikëpamje të funsionimit të saj.Preng Previzi,tashmë ka kaluar hapur në krahun e nacionalizmit shqiptar duke besuar jo vetëm programet e tyre por edhe aftësitë dhe frymën perëndimore që ata përkrahnin.Në vjeshtën e vitit 1943,del haptaz në përkrahje të ideve për një asamble kombëtare me përfaqsues të krejt viseve etnike shqiptare.Në bashkëpunim të ngushtë me Fiqri Dinën me Mid’hat Frashërin dhe Bedri Pejanin,bënë çmos që kjo asamble duke përfituar nga politikat europiane të ditës,të hedhë sytë sidomos në kufitë etnike shqiptare.Në ditët më pas,qeveria shqiptare e dalë prej kësaj asambleje,vendosi për „“organizimin e Mbrojtjes Kombëtare Shqiptare dhe Preng Previzi komandant i saj“.(Arkivi  Qendror i Ushtrisë Tiranë,Fondi 249,dosja 11-58,fleta 155 ).

Disa ditë më pas,Preng Previzi,në këtë funksion merr gradën e gjeneralit,ç’prej atij momenti e deri më sot,gradat e gjeneralit mbetën të lavdishme në supet e atij burri që për një çerek shekulli u ra kryq e tërthor trojeve amtare.Ai dijti jo vetëm të organizoj dhe aftësoj reparte shqiptare të asaj kohe,por edhe t’i udhëheqë ato në përpjekje ndaj reparteve serbo-malazeze,bullgare e greke.Si rallëkush në histori në çerkeshekullin e formimit të Mbrojtjes sonë Kombëtare,Preng Previzi dijti të transmetonte me urtësi e largpamësi dijet e mëdha të tij,të fituara,në breza të tëra ushtarësh shqiptarë.Prandaj ato grada të gjeneralit jo vetëm që nuk mund të përfliten,por duhen shkundur prej pluhurit të viteve e të zënë vendin e tyre në shtetin amë,si simbole të një sakrifice të denjë për atdheun.E theksoi këtë die ngase çerek shekulli pune vetmohuese,nuk mund të hidhen dot poshtë me një laps,të një grupi historianësh bollshevik që kanë zhgaravitur historinë tonë duke u përpjekur të denigrojnë figura të tilla,të përmasave të Previzit.E vërteta është se qershorin e vitit 1944,biri i Krujës, e la funksionin në fjalë duke u përpjekur të mbajë kontakte sa më të afërta me nacionalistët shqiptarë.Ai parashihte luftën e rrezikshme që komunistët bënin për marrjen e pushtetit e duke mos dashur të derdhe gjak shqiptari bëri ç’mos për kompromise në të mirë të çështjes shqiptare.

Duke marrë shkas nga biseda e përfaqsuesit anglez I.Amery,me Nuredin Vlorën lidhur me situatën e krijuar në gushtin  e vitit 1944,historiografia komuniste citon se :“Nuredin Vlora,pas këtij takimi,vuri në dijeni kryeministrin,Fiqri Dine,i cili së bashku me „gjeneralin“ pa ushtri Preng Previzin i cili njihej si „komandant i forcave ushtarake shqiptare“ më 18 gusht vrapuan për tek Abaz Kupi,në Krujë“.(Arkivi i Ministrisë së Punëve të Mbrendshme,Tiranë,dokumenta të zyrës së shërbimeve strategjike,19 gusht 1944, nr.1475 ).

  Natyrisht këta  kuazihistorianë të degjeneruar do të bëjnë të paditurin,ngase në mijëra faqe është shkruar se komandant i përgjitshëm atëherë ishte diktatori xhelat E.Hoxha dhe pas tij shkonin mijëra shqiptarë.Kjo ironi për Preng Previzin nuk vlen aspak,përballë asaj vepre madhore së tij,për kombin e vet.Tek e mbramja historia e fund shekullit dëshmoi këtë.

Në vjeshtën e vitit 1944,së bashku me dhjetra nacionalsitë të tjerë shqiptarë,Preng Previzi kalon në Greqi me brengën e madhe për murtajën komuniste që po mbërthente atdheun e vet.Aty,jeta e tij kalon përmes  privacionesh të mëdha deri sa një ditë emigron për në belgjikë.Edhe këtu,do të jetonte duke bërë punë nga më të ndryshmet e duke shpresuar sidoqoftë në ditën e nesërme të atdheut.Në familjen Bajaraktari ende sot,ruhet një letër e dërguar prej Prengës,ku i thot Muharremit :

„Malli për Shqipninë po ma than shpirtin,por dashtë zoti e fëmijët tanë kanë mujtë me pi ujë,të lirë, në ato gurra“.

Mbyll sytë në Lelimon të Belgjikës , më 6 shtator 1977,kur ende ishte në valët e punëve për organizimin e emigrantëve shqiptarë në frontin e rezistencës antikomuniste.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugen Shehu, Preng Previzi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 10
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • …
  • 18
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT