Nga PAOLO MIELI – “Corriere della Sera”, 24 tetor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika /
Deri tani goditjen më të ashpër Hamasit i a ka dhënë një gazetare e re arabe, Rasha Nabil, që duke e intervistuar tek Al Arabija, udhëheqësin e organizatës terroristike, Kaled Meshal, e ka vënë në vështirësi disa herë. Al Arabija – shemër e katariotes Al-Zhazira – është një stacion televiziv i themeluar në Emiratet arabe të bashkuar njëzet vite më parë, ka selinë në Dubai dhe gëzon financime saudite. Për të tjerat përgjigja e Izraelit atentatit shkandullues të 7 tetorit ka qënë deri tani e paefektëshme, pak e kuptueshme dhe simbas çdo vështrimi, kundërprodhuese. Në gjithë botën – duke bërë përjashtim për pakica të vogla – është ngritur një valë e fuqishme kundërizraeliane e gjithënjë e më shumë kundërsemite me përmasa shqetësuese. Vala ka gjetur jehonë deri tek kryet e Kombeve të Bashkuar ku sekretari i përgjithshëm Antonio Gutierres – edhe se pa rënë në stereotipe kundër judaike – mbas fjalëve të dënimit të sulmit të 7 tetorit, që mund të dukeshin të pasinqerta, e ka shpënë përgjegjësinë e ngjarjes në “pesëdhjetegjashtë vitet e pushtimit mbytës izraelian”. Një gjëmë. Fjalë të një nënkuptimi të pamohueshëm justifikues. Edhe se për tepri ngutjeje gaboi delegati izraelian duke kërkuar dorëheqjen e sekretarit të Kombeve të Bashkuar. Gutierres, në çdo rast, nuk është i vetëm. Veprimi fillestar i konfliktit të sotëm , më shumë se njëmijë banorët e therur, të djegur për së gjalli e, pjesërisht të rrëmbyer të Izraelit, ai veprim pothuajse është zhdukur nga gjithësia e komunikimeve. I është dashur t’i lëshojë vëndin “gjenocidit” të kryer kundër popullsisë së Gazës për të cilin hedh fjalën sekretari i OKB-së. Personalitete të mëdhenj të mbarë botës – edhe t’asaj perëndimore ndjekin “modelin Gutierres” dhe i përshtaten gjithënjë e më shumë kësaj mënyre të frikëshme të vështrimit të asaj që po ndodh në Izrael. Çdo shpresë e pakët i është besuar “ndërmjetësimeve” të Katarit (njëri ndër mbështetësit kryesorë të Hamasit), në sajë të të cilëve arrihet të kihet , pikë pikë lirimi i ndonjë të burgosuri. Edhe në Izrael gazetat diskutojnë se kur do të vijë ora e dorëheqjes së Netaniahut – për disa ka kaluar – dhe përshkruajnë pa u vetëpërmbajtur ndasitë në brendësitë e ushtrisë. Tregojnë për drejtues politikë e ushtarakë, synimi kryesor i të cilëve është të mbeten jashtë kundërshtimeve dhe padive mbrapa, kur gjithshka të ketë mbaruar.
Por a do të vijë shpejt ajo mbrapa? Mund të them se është çështje ditësh, të ndonjë jave? Të na lejohet të dyshojmë. Çdo krahasim me luftërat e së shkuarës është i pasaktë. Në kuptimin që ato të peëdhjetë, gjashtëdhjetë viteve më parë(1956, 1967, 1973) qenë luftëra të një Shteti kudër Shteteve të tjera. E pjesërisht përsa i përket Libanit qe kështu. Por kundër organizatave terroriste – veçanërisht kur kanë dhënë prova se gëzojnë ndonjë miratim nga popullsia civile – çështja është krejtësisht e ndryshme. Që kur Sharoni “liroi” Gazën (2005) luftërat me Izraelin janë shumëzuar, e secila nga këto luftëra ka përfunduar në mënyrë të tillë që të mund të rifillonte pak kohë më mbrapa. Këtë tip ndeshjesh me terroristët mund të “fitohet” vetëm në mënyrën që Putini përdori në kohën e tij me Çeçeninë. Një terren mbi të cilin urojmë që asnjë drejtues i Izraelit të mos ketë ndërmënd të kuturiset.
Biden-i kur me guxim i ka kujtuar se si shkuan gjërat në Irak e kryesisht në Afganistan, ka provuar t’u a bërë t’a kuptojnë. Nuk është ajo rruga për t’u rrahur. Sulmi i zgjatur në Gaza, i shoqëruar me pamje të përditëshme pleqsh, grash e fëmijësh që tregojnë zitë e tyre, nuk “kompensohet” me lajmin që u godit ky apo ai drejtues i Hamasit, aspak. Me kohë do të jenë të shtrënguar të jenë të pranishëm në shtime tensioni dhe në mbërritjen e raketave edhe në pjesën tjetër të Izraelit, duke patur në sfond rivendikimin provokues nga ana e Iranit të regjisë së gjithshkaje që po ndodh.
Nuk vlen asgjë fakti që Hamasi nuk e ka aspak në zemër fatin e palestinezëve, që obietivi i shpallur në operacionin e filluar më 7 tetor është shkatërrimi i Shtetit të Izraelit. Evropa (për fat jo e gjitha) e veçon çdo ditë e më shumë Ursula von der Leyen që – siç ndodh tashmë për Ukrainën – duket se është nga të paktat që kupton atë që po ndodh në të vërtetë. Manifestimet armiqësore kundrejt hebrenjve si në Vitet Tridhjetë nuk bëjnë përshtypje. Bën përshtypje të jesh i pranishëm në shfaqjen e njerëzve që nuk derdhën asnjë pikë loti për vrasjen e të pafajshmëve në Mariupol, e tani shqyejnë rrobat për diçka – që deri tani – nuk mund të krahasohet as së largëti me atë që është parë në Ukrainë.
Megjithatë , fakti që Rasha Nabil ka guxuar të sfidojë Kaled Meshalin na shtyn të shpresojmë se pëlhura e endur me Arabinë Saudite nuk është çjerrur plotësisht. Që mbreti Abdullah II i Jordanisë nuk ka pranuar të takohet me Biden-in vetëm për oportunizëm. Që n’Egjypt Al Sizi të jetë ndoshta më i shqetësuar se Netaniahu për atë që po ndodh. Që Emiratet arabe të bashkuar janë duke vlerësuar me kujdes kuptimin e vërtetë të “ndërmjetësimit” të Katarit. Vite më parë në raste të tilla i drejtoheshim “islamit të moderuar”. Këtë herë – për ndershmëri kundrejt vetes sonë, nuk e kemi bërë atë thirrje. Megjithatë, ndoshta, kur bënte ato pyetje bezdisëse Meshalit, Rasha Nabil ishte e ndërgjegjëshme se kishte mbas shpatullave një botë, një botë më të madhe se sa ajo që mund të përfytyrojmë sot.
“Corriere della Sera”, 24 tetor 2023 – Përktheu: Eugjen Merlika