• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

July 1, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

(Vijon nga numuri i kaluar)

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë” – FIODOR DOSTOJEVSKI.

Emrat e tyre janë të shumtë e secili prej tyre përfaqëson një stoli për kujtesën kombëtare, por besoj se ai i Mark Gjomarkajt zë vendin e parë në atë rrjeshtim të gjatë heronjsh. Nëse Shqipëria do të bëhet një ditë një Vend që të fillojë të përkundë nëpër djepat vlerat e shqiptarizmit, shtatoren e parë të saj duhet t’a ngrejë për këtë HERO të rrallë e të pavdekshëm në zemrat e bashkëkombësve, idhtarë të lirisë e të vlerave të kombit. Atdheu mbështeti mbi shpatullat e tij rinore, zemrën e tij të madhe e mëndjen e tij të mprehtë, të gjitha shpresat në çastin më të kobshëm të historisë së tij, duke e vënë në krye të trimijë djemsh azganë me një detyrë krejtësisht të pamundur: të ndalonte vërshimin e brigadave filosllave komuniste në Veriun e tij, me shpresën po aq të papërfytyrueshme të zbarkimit anglo-amerikan në Shqipëri. Ai e pranoi me vullnetin e një Prometheu bashkëkohor, me vetëdijen e plotë për pamundësinë e sendërtimit të ëndrrës liridashëse të kombit të tij, por me vendosmërinë me të cilën spartanët e mbretit të Spartës së lashtë, Leonidhës së I, u flijuan më shumë se dymijëekatërqind vite më parë në të njëjtin gadishull. 

Shtetari kombëtarist Tahir Kolgjini përshkruan në shkrimin e tij, mbrëmjen e fundit të kaluar në kullën e Kapidanit në Shkodër së bashku me këtë të fundit e me birin e tij, Markun. Kjo prozë ka vlerë të veçantw për të kuptuar përmasat e jashtzakonshme morale e njerëzore të heroit, largpamësinë e tij, vullnetin e qëndrueshmërinë karakteriale kundrejt një gjëndje pa shpresë, virtutin madhor të njeriut që flijon gjithshka për hir të detyrës, me gjykim të ftohtë e pa lëkundje, që mendon për të gjithë e për të gjitha pritmëritë, pa menduar kurrë për vetveten…..

“Rrethi për ditë e mâ tepër vinte tue u ngushtue. Ishte data 23 nandor 1944. Hangrëm darkë. Të tjerët shkuen secili në punë të vet. Mbetëm Kapidani medis nesh dhe un e Marku në skajet ë ngushta të tavolinës, kundrejt njâni tjetrit. Në kët rasë Marku më drejtohet:

“Or Tahir, duhet të përgatitesh se ti do të dalësh nesër bashkë me babën.”

“Për ku or Mark?

“Për ku t’a ketë shkrue Zoti. Nji herë për Gjermani. Babës, mbasi nuk zotnon ndonji gjuhë të huej, do t’i jap me vehte njanin prej vëllazënve. Do të niseni me ushtrín gjermane qi ritirohet”.

Na mâ, o duhet të nisemi krejt kështu, sikurse jemi, e pra edhe Ti, ose duhet të qëndrojmë të gjithë bashkë, siç jemi”.

“Baba âsht i vjetër, prandej nuk âsht i malit. Ti Tahir, je shumë i lodhun. Të kemi ngarkue mjaft, e shërbime në vende të ndryshme. Je edhe i vetëm. Prandej duhet të largohesh. Sa për mue, un jam djali mâ i madh i Kapidanit të Merditës. Rândimi kryesor peshon mbi mue, sepse kam qênë i ngarkuem me autoritet. Mandej kam ngarkue shum miq, shum kumarë e shum dashamirë dhe farefis me përgjegjësina. Këta nuk mundt’i lâ vetëm. N’atë minutë qi un të largohem nga Shqipnia, ka vdekun dera e Kapidanit të Merditës. E, po të vdes un, dera e Kapidanit të Merditës rron. Prandej un do të qindroj në malet e Shqipnís.”

Dhe si i mallëngjyem Marku vazhdoi:

“E dij. Do të jetë e pamundun me qëndrue n’arratí, kur të zbatohen sistemet e ashpra të komunizmit. Do të vritem, por s’ka gjâ. Vdekjen e pranoj për idealin kombtar dhe për mos me i lanun vetëm shokët e këtij ideali. Shqipnia dikur, në nji mënyrë ose në nji tjetër, prap ka me e gjetun rrugën e vet të natyrshme. Dhe juve ju uroj rrugë të mbarë.”

Markut, kur shprehte fjalinat e fundit, i u rrokulluen nja dy pika lot mbi mollëzat e faqeve teposhtë. Un nuk pata gjâ me shtue, mbasi ai parapëlqeu rrugën e burrnís shqiptare.

Më 24 nandor 1944, në mëngjes u hallatosëm me tê dhe, bashkë me Kapidan Gjonin lamë Shkodrën, tue marrun rrugën e arratís. Karakteristika qi e dallon Mark Gjomarkajn prej shqiptarëve të tjerë, âsht kjo. Ai qëndroi në malet e Shqipnís për t’u vramë e të tjerët qëndruen për të shpëtue.”

Ernest Koliqi në shkrimin e tij tregon atë që i kish thënë Ali Këlcyra për bisedën që kishte patur me princin e Mirditës në prefekturën e Shkodrës në ditët e fundit para hyrjes së komunistëve:

“Aliu, pasi lufta e nacionalizmit kundër fuqive shkatërrimtare mund të quhej e humbur e këshilloi të dalë në mërgim për t’i vazhduar jashtë orvatjet për çlirimin  e Shqipërisë nga zgjedha sllavo-komuniste. Ai u përgjigj: “Jam edhe unë i mendimit që nacionalistët duhet të dalin dhe t’a vazhdojnë jashtë veprimtarinë për të shpëtuar Shqipërinë nga robëria e rëndë mizore që po i kërcënohet. Shkoni ju e do t’ju jap me vete babën që është në moshë të thyer dhe një vëlla që t’a përcjellë. Sa për vete , mendoj se vendi im është këtu. Nuk mund t’i le mirditasit vetëm tani që një shuplakë e rreptë po përplaset mbi të gjithë ne. Kam vendosë me nda fatin me ta.Juve ju qoftë udha e mbarë e bëfshi punë të mbara në atë anë”.

Ndjenja dhe përgjegjësia e detyrës vetiake kundrejt atyre bashkatdhetarëve, shokëve e miqve, që kishin ndarë me të idealet e shqiptarizmit dhe përpjekjet për t’i shmangur atdheut fundin tragjik, janë në mëndjen dhe zemrën e Mark Gjomarkajt në një shkallë të tillë sipërore të pakrahasueshme të natyrës njerëzore, sa që të ligjërojnë plotësisht vetmohimin në kufijtë e hyjnores, i cili është karakteristika më e spikatur e botës së brëndëshme të  një heroi të shekullit të shkuar, i paracaktuar të mbetet feneri më i lartë e më i ndritur i idealizmit shqiptar për breza të tërë. 

Pak më shumë se një vit e gjysmë për Markun vazhdoi jeta në malet e shpellat e Veriut të Shqipërisë, në krye të qëndresës kundër-komuniste. Kanë qënë muaj e ditë të një heroizmi të pazakontë, në të cilët ai dhe bashkëluftëtarët e tij, ishin të përkrahur nga populli i atyre krahinave, që i furnizonte me ushqime e i mbronte, duke u treguar për veprimet e forcave të mbrojtjes, gjithënjë në kërkim të tyre. Populli e pagoi shumë shtrenjtë ndihmën e përkrahjen kundrejt “bijve të malit”, nëpërmjet pushkatimeve, burgimeve, internimeve, shkatërrimit të jetëve të qindra e mijra familjeve të përndjekura pa mëshirë nga regjimi. Në shumicën e tyre ato qindra familje të shpërngulura forcërisht në kampin e çfarosjes së Tepelenës nga Mirdita, përbëheshin nga pleq, gra e fëmijë, duke vuajtur urinë, skamjen, sëmundjet, vdekjet. Bujaria, vendosmëria e flijimi i atyre njerëzve të thjeshtë ishte shqetësimi më i dhimshëm që përshkonte zemrat e atyre luftëtarëve të lirisë, por nga ana tjetër, ata së bashku shkruajtën një nga faqet më të ndritëshme të historisë shqiptare, duke na lënë edhe neve sot një krenari të ligjëshme.

Ai popull e ata heronj gjatë viteve të qëndresës, ashtu si klasa politike e kohës së luftës së Dytë botërore me mbrojtjen e hebrenjve, i ngritën vehtes një “exegi monumentum” të paarritshëm, e shënuan çaste kulmore të heroizmit të markës shqiptare, fatkeqësisht të papranuar e të mbuluar me baltën shekullore të harresës së diktuar nga kundërvlerat e ngritura në pushtet mbas 29 nëndorit të vitit 1944. 

Gjatë atyre muajve të luftës kapidan Marku u vu jo vetëm në rolin e komandantit, duke u kujdesur që të shpërndante në krahina të ndryshme ushtrinë vullnetare të tij, për të mos mbetur vetëm në një vënd, si prè e përshtatëshme për forcat e Sigurimit e të ushtrisë së regjimit, duke ruajtur lidhjet në kushte krejtësisht të pafavorshme. Ai ishte organizatori i talentuar e pika e riferimit më e besueshme e më e vlefshme për luftëtarët e lirisë. Krijimi i një organizate kombëtare, të shtrirë në pjesën më të madhe të Shqipërisë, ishte vepër e tij. N’atë bënte pjesë edhe grupi i qëndresës së Shkodrës, që drejtoi kryengritjen e Postribës, e cila, ndoshta për arsye të pamundësisë së komunikimit e të ndërlidhjes, filloi i pari betejën pa pritur urdhërin e komandantit. Megjithë befasinë e veprimit e suksesit të ditës së parë, kryengritja dështoi si pasojë e pamundësisë për të patur ndihmën e trupës së plotë të luftëtarëve të lirisë e grumbullimit të fuqive të shumta qeveritare. U vranë e u kapën mjaft prej atyre luftëtarëve e përfundimi i veprimit pati ndikim johenik tek ata që kishin rrëmbyer armët për të kundërshtuar regjimin komunist.

Lufta vazhdoi edhe për pesë vite të tjera, në kushte pabarazie të llahtarëshme e vështirësish të papërfytyrueshme, duke lënë në beteja lulen e rinisë qëndrestare, deri sa të fundmit luftëtarë e kuptuan se ëndrra e idealit të tyre ishte krejtësisht e pamundur të sendërtohej, dhe para forcës madhore të kundërshtarëve, u tërhoqën e shkuan në mërgim.  

Në Prosek të Mirditës, simbas një dokumenti të botuar nga studjuesi Kastriot Dervishi: “Shtabi antikomunist, 19 veta ishte nisur për lëvizje brënda Mirditës. Në mëngjesin e datës 13 qershor 1946, shtabi ra në pritë të komunistëve. Beteja zgjati shumë orë. Mark Gjomarkaj u plagos rëndë. Korieri i tij u vra. Duke mos patur shpresë shpëtimi, si dhe duke mos dashur të binte në dorë të komunistëve, Mark Gjomarkaj  vrau veten. Megjithatë, regjimi komunist nuk donte të evitentonte këtë fakt, por vetëm atë të forcave të veta. Në këto raste, ai i daroviste ushtarët e vet me dekorata e grada në mënyrë që t’i kishte në raste të tjera edhe më të bindur në shërbim të tij.

Me anë të një shkrese të datës 6.7.1946 , kryeministri Enver Hoxha i kërkonte Presidiumit të Kuvendit Popullor, dekorimin e ushtarakëve që “u shquan për trimëri dhe abnegacion të veçantë në rrethimin dhe vrasjen e e Mark Gjomarkajt. (Vazhdon lista e emrave)”

Kështu u mbyll jeta tokësore e komandantit të përgjithshëm të kombëtarizmit shqiptar. Në ora 7 të mëngjesit të datës 14 qershor, pranë trupit të vdekur të një djaloshi 17-vjeçar, në kushte të pamundura për të vazhduar luftën, që për të ishte sinonim i vetë jetës, ky katolik i bindur, me gjakftohtësinë, maturinë e vendosmërinë, me të cilat kishte marrë të gjithë vendimet e jetës së tij të shkurtër, ai i dha fund jetës me një të shtënë revolveri, me fishekun e fundit që kishte në të. 

Sigurisht n’atë çast vendimtar mendimi i ka shkuar tek Jezui, të cilit i ka kërkuar jetën e pasosur edhe se po kryente vetëvrasjen e dënuar nga kisha e Krishtit. Ndoshta n’atë çast vetëtimthi i ka kaluar nëpër mënd një shprehje e famshme e shkrimtarit të njohur italian Alessandro Manzoni, të cilën e kishte lexuar në një libër të tij, kur studjonte drejtësi në universitetin e Romës: “Kur për të ndjekur drejtësinë nuk ka rrugë tjetër veç vdekjes, është e sigurtë për ne që Zoti na ka shënuar atë për të arritur tek Ai.”  

Komunistët u gëzuan shumë për “vrasjen” e tij, e si njerëz pa asnjë lloj respekti për vlerat shqiptare e njerëzore, e keqtrajtuan trupin e tij pa jetë në Sh.Pal, në Lezhë e në Shkodër. Atyre kriminelëve të regjimit u mungoi shpirtmadhësia e heroit të Homerit, që para hidhërimit të mbretit Priam të Trojës, nuk nguroi të dorëzonte me nderim kufomën e kundërshtarit të tij të vrarë prej tij, për t’i bërë varrimin që meritonte, si mbrojtës fisnik e guximtar i atdheut të tij.

Më pëlqen t’a mbyll këtë syzim timin mbi këtë personalitet të paperëndueshëm kurrë në kujtesën historike e në qiellin e lartë të shqiptarizmit të kombit arbëror, me pak fjalë të një shkrimtari simbol të shqiptarizmit në historinë e letrave shqipe, profesor Ernest Koliqit:

“Qëndresa e Mark Gjomarkaj-t në malet e Shqipërisë së Veriut mbështillet me rreze epopeje. Në krye të një çete luftëtarësh të lirisë, rrethuar nga dashuria e mbarë popullit me përjashtim të disa kapulajve të pavlerë, tërbuar nga dëshira për t’u rritë duke shqyer njerëzit me vlera, ai dha provën e gjallë se s’ka fuqi, sado e tmerrshme, që i shkulë rrënjët e traditës. Tradita më e kulluar shqiptare lulëzoi në Të me trimëri epike, në vetitë e kreut që e dallonte e shpirt therorizmi i cili vë nderin e detyrat njerëzore e kombëtare mbi jetën…..

Gjaku i dy pinjollëve të Derës së Gjomarkajve, i Markut e i Lleshit, i cili ndoqi trimërisht fatin e vëllait më të madh, nji vit ma mbrapa në malet e Mirditës, si dhe flija e trimave që shkrinë jetën anë e kand nëpër treva shqiptare për të pohuar para botës se shqiptari çmon ma fort lirinë e vlerat gojdhanore të jetës, vlon si tharm përherë i gjallë e i fuqishëm në thellësinat e mistershme të shpirtit arbënor.”

   Së fundi pak vargje monumentalë të poetit Koliqi që do t’ë ishin epitafi më i madhërishëm në një përmendore më se të merituar të atij HEROI:

“Vajton granija e po ban gjam burrnimi

po e ama zemrën ndryn n’nji dry heshtimi

pik loti ajo nuk derdh qi mbet shkret votra

edhe vajin ndalon n’vllazën e motra:

S’e qajm na Markun, le t’a qajë Shqipnija

pse rrezja e fundme ai kje qi lshoi lirija…”

Fund

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 28, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika

(vijon nga numuri i kaluar)

Në ngjarjet e atyre muajve të vitit 1944 del në pah roli i Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjonit, në përpjekjet për të organizuar forcat kombëtariste, për t’i bashkuar ato në një luftë të vendosur kundër “rrezikut komunist, që e ndjejmë rrezik vdekje për Kombin”. Personaliteti i shquar i tij, përfaqësonte ndërgjegjen kritike të kombit, që nuk donte të binte nga pushtimi gjerman në sundimin komunist. Atdhetar i kulluar, kishte kudërshtuar që në ditët e para të pushtimit italian këtë të fundit në mbledhjen e parlamentit shqiptar që do të miratonte “bashkimin e kurorave”, në alternativë të të cilës ai kërkonte vetëm princin italian në funksionin e mbretit të larguar. Madje në muajt e fundit të vitit 1943, së bashku me mikun e tij, Mustafa Krujën, kishte arritur në përfundimin se për të shmangur “rrezikun komunist”, duhej mbështetur mbreti i ligjshëm i Shqipërisë, Ahmet Zogu, tashmë në mërgim e i mbajtur nga anglezët pa lidhje me politikën shqiptare. Në ditët kur Mustafa Kruja ishte mik në shtëpinë e tij në Shkodër, në një bisedë me Imam Sali Myftinë që ishte në lidhje me mbretin Ahmet Zogu të dy i shprehën atij dëshirën për t’i përcjellë mbretit mendimin e tyre se ai ishte, simbas tyre, “i vetmi që mund të shpëtonte Shqipërinë nga rreziku komunist, e Kapidan Gjoni e miku i tij nga Kruja i viheshin në shërbim duke u quajtur thjesht “ushtarë të tij”.

Kapidani dhe Mustafa kishin qënë për vite të gjata kundërshtarë politikë të mbretit e kjo kthesë në bindjet e tyre ishte e diktuar nga gjëndja në buzë të humnerës në të cilën ishte atdheu i tyre. Sigurisht besimi tek “mrekullia” e mbretit të mërguar mbështetej tek konsiderata që ushqenin për të e për aftësitë e tij të veçanta në njohjen e popullit të tyre e në mënyrën e qeverisjes. Por kjo shprehje e hapur e mendimit të ndryshuar, tregonte në rradhë të parë shqetësimin e tyre tejet të fuqishëm për fatet e Shqipërisë, e ndershmërinë e tyre intelektuale për t’i njohur kundërshtarit meritën e “shpëtimit të kombit”, pa përfillur ndonjë zë që mund t’i padiste në skenën politike për kundërthënie të vetvetes. Mustafa Kruja e kishte shprehur shumë vite më parë, në një artikull të botuar në gazetën “Shqipëria e Re” e Kostancës, më 8 dhjetor 1929, të titulluar: “ Ç’po zjen?” me një nëntitull të tillë: “Kur armiku i jashtëm i kërcënohet Atdheut, pasionet reshtin dhe kombi shqiptar paraqitet i bashkuar në një trup”. N’ata çaste armiku i jashtëm kishte arritur të drejtonte lëvizjen Nac.-Çl. e trevat shqiptare, të bashkuara me aq mundim me “dheun amë” rrezikoheshin të shkëputeshin përsëri prej tij.  

Në gjithë përpjekjet e Kapidan Gjonit për të organizuar qëndresën kundër-komuniste, pranë tij qëndronin bijtë e tij, kryesisht ish ministri Marku, që kishte një rol parësor edhe në vendimet e babait të tij. Në Arkivin qëndror të Shtetit gjëndet një letër e shkruajtur nga Mustafa Kruja e i drejtohet Mark Gjomarkajt. Letra niset nga Kruja e mban datën 23 korrik 1944 e trajton probleme te çastit politik, pikërisht të asaj qëndrese për të cilën u fol më sipër. Ish kryeministri, që jeton në vëndlindje, kërkon nëpërmjet kësaj letre të japë ndihmesën e vet, sado të vogël, në harmonizimin e përpjekjeve për qëndresë e i drejtohet Kapidan Markut, si një figure qëndrore që vinte duke marrë peshën e tij në ngjarjet e pritëshme:

“I dashuni Mark,

Mbrâmë të prita e s’erdhe. Do të kishem diftue shumë punë t’idhta me gojë, qi në përgjithsí, do t’i marrsh vesht prej letrës së dërgueme Fiqriut. Me Dedë Cokun nuk dij ç’ke bâ ti. Por duket se edhe Kurbîni, me Skurajt në krye, po don me na tradhtue. Ka pasë dhânë fjalën se do t’u niste nesër me bajrakun tradicjonal përpara. Por kishin lajmue Shitën, qi âsht atje, se Skurajt paskan dalë me ruejtë katundin e vet mbasi andej pari qênka pá nji çetë komuniste! E në mos ardhshin Skurajt shthuret krejt ajo anë. Gjithë uzdajën e kemi pasë në Kurbî. Katundet e epra myslimane e kanë dhânë nji farë kontributi.

Tash në mos mujshim me i sigurue krahët Bazit ka me qênë nji katastrofë për ne….”   

Kjo letër e thjeshtë pasqyron një realitet të rrethit të Krujës, në të cilin tregohet një pamje aspak inkurajuese e qëndresës që bazohet mbi premtime të pambajtura, e që dëshmojnë një mungesë aftësie për të kuptuar rrezikun që i kanosej pjesës jo komuniste të popullsisë. Kjo gjëndje duket se pasqyron atë që ndodhte në përpjekjet në nivel kombëtar, për të hartuar e zbatuar një strategji të efektëshme në përballimin e sulmeve të pritëshme nga brigadat partizane, që synonin të “lironin“ Vëndin nga pushtuesit e huaj. 

“Në fillim të Tetorit 1944, në shtëpinë e Gjon Fushës në Bulgër Kapidani i Mirditës takohej me Mit-hat Frashërin, Abaz Kupin, Abaz Ermenin, Ali Klisurën, Fiqiri Dinen, gjeneral Preng Përvizin, Hysni Demën e tjerë. Shqipnia e Jugut, Dibra, Luma, Mati dhe pjesa ma e madhe e krahinës së Elbasanit, kishin ra në dorë të brigadave komuniste. Sulmi kishte fillue edhe kundër Mirditës.

Mit-hat Frashëri e Abaz Kupi propozuen të shkohej në Lurë e atje të shpallej Qeveria e Përkohshme. Gjon Markagjoni i njoftoi se Lura ishte pushtue nga Mehmet Shehu, e se vendi ma i përshtatëshëm për të formue nji  qeveri do t’ishte Shkodra, meqë edhe po të arrihej të pushtohej Lura nga nacionalistët, nuk do të kishte asnji dobi praktike kenia e nji qeverie n’at katund të vogël malsije pa ndërlidhje rrugore; me që prej andej nuk do të ishte e mundun të furnizohen fuqitë luftarake me ushqim e municion, ndërsa nga Shkodra, do t’ishte kjo mundësi për ushqim me që ende rruga Shkodër-Prizren ishte e lirë. Prandej, mendimi im,  – tha Kapidani – âsht që Mit-hat Frashëri me njerzit e nevojshëm e me pleqtë të nisen për Shkodër, e në marrëveshje me Sylço begun e tjerë Parsi të Shkodrës të formojnë qeverinë. Na, me fuqitë luftarake të veprojmë këtej e menjëherë të vihemi kundër Mehmet Shehut e brigadave komuniste. Nëse nuk veprojmë, por rrijmë si deri sot, – shtoi Kapidani – sigurisht, që si qeveri, nga ana e aleatëve, ka për t’u njohë ajo e komunistëve, ndërsa ne, do të vazhdojmë të mbesim komitë (ilegal).

Propozimi i Gjon Markagjonit nuk u pranue. Shumica preferoi Lurën e ashtu i u shtrue vendimit të shumicës edhe kapidani….

Bisedimet përfunduen me vendimet që vijojnë:

1.Gjon Markagjoni të nisej për Lumë, për t’u takue e marrë vesh me Muharrem Bajraktarin që të fillohej sulmi nga ajo anë.

2.Abaz Kupi e Abaz Ermeni me fuqitë e tyne të venin në Përlat, për të mësye Lurën në kombinim me fuqitë e Kapidanit, që do të mësynin nga ana e Vjerthit.

Me t’u pushtue Lura, të shpallej qeveria e përkohëshme.

Kapidani i përcjellun prej treqind mirditësve, arrijti në katundin Arrën të Lumës, ku ftoi menjëherë Muharrem Bajraktarin me krenët e Lumës. Mbledhja u ba në shtëpi të  Halit Osmanit. Muharrem Bajraktari e krenët aty e pranuen pa ngurim propozimin. Luma e filloi menjëherë sulmin në Kala të Dodës, Luzën e Novosellë e të tjera vende, madje 2-3 ditë parakohe. Në kohën që Kapidani vendosi të dërgojë në ndihmë të lumjanëve një pjesë të fuqisë prej treqind vetësh që kishte me vete, e vetë po nisej për Mirditë, për me veprue simbas planit të paracaktuem, arriti një udhëtar (korier) me letër nga i biri Ndoi, me të cilën e lajmonte se kishin arritë në Sh’Pal Mit-hat Frashëri, Ali Këlcyra, Koço Muka, Vasil Antoni e tjerë, gjithsejt shtatëmbëdhjetë vetë. Ai i tha: se Balli e Legaliteti kishin shpërnda forcat dhe hjekë dorë nga veprimi i kombinuem në marrëveshjen e Bulgërit, se Abaz Kupi kishte marrë drejtim kah Bregu i Matës, gjasa ishte, për t’u ngarkue për Itali së bashkut me oficerë anglez dhe se Abaz Ermeni, nuk dihej ma nga askush se ku gjendej.

Ky lajm e kjo gjendje e papritun, krijue nga paqëndrimi ndaj marrëveshjes e planit të veprimit, siç ishte vendosë në Bulgër, shtërngoi Gjon Markagjonin të këthejë menjëherë  nga Arrni me të gjithë njerzit që kishte me vete. Arrijti në Fand, mori vesh se një fuqi komuniste kishte dalë në Nënshejt, e u ra. Si rezultat i kësaj befasije, ky sulm kje nji grusht i mirë kundra të kuqëve, por i përkohshëm.

Kësisoj Luma u muer në qafë e Mirdita mbeti vetëm.

Shpërnda në Bulgër, Mit-hat beu me shokë u nis për Sh’Pal, Fiqiri Dine, Hysni Dema, Selim Damani me shtatdhjetë vetë shkuen në Thkellë në shtëpi të bajraktarit Nikoll Mëlyshi, e prej andej nëpër Mirditë: Spaç e Gojan, ku u takuen me Kapidanin që këthente nga Luma. Simbas kërkesës së tyne Kapidani i përcolli për Naraç të Zadrimës, për t’arrijtë Shkodrën.

Mit-hat Frashëri me shokë, të përcjellun nga njerëzit e Ndue Markagjonit arrijtën në Fushë-Arrës te Dod Ndrec Qafa, ku takohet rruga Shkodër-Prizren, e prej andej arrijtën në Shkodër me automjete gjermane, për të kalue mandej n’Itali.

Ndërkohë, pjestarët e Këshillit të Naltë dhe të qeverisë e lanë pushtetin pa ia dorzue askujt, pa i ba Popullit kumtim, pa dhanë një fjalë këshille, as shprese dhe as dëshprimi, së paku tue e hjedhë në “ettër” me anë të radios se e “la Tiranën e mori udhën për hesapin e vet”.

Kjo gjendje këshilloi formimin e Komitetit Ekzekutiv në Shkodër, të përbamë nga Sylço beg Bushati e Gjon Markagjoni; dhe të Komandës së Përgjithëshme të Fuqive ushtarake të Shkodrës, nën komandën e Mark Gjonmarkagjonit, me nënkomandantë të përgjithshëm Xhelal Bushatin, Halil Alinë, Kol Mirakaj e – në mos gabohem – edhe Isuf Luzaj.

Qëllimi i formimit të Komitetit e të kësaj komande kje:

a)Për të mbajtë rregullin n’ato krahina që ende nuk kishin ra në dorë të komunistëve.    

b)Me sigurue strehë, ushqim e mikpritje në Shkodër, njerzve e ushtarëve që kishin fillue të vinin nga viset e tjera të Shqipnisë e sidomos nga Jugu.

c)Me u përpjekë për të mujtë me organizue rezistencën e fundit.”   

Kjo histori qe fundi i palavdishëm i Shqipërisë zyrtare kundër-komuniste, një fund i përcaktuar nga mosmarrëveshjet në kohën që ishte urdhëruese marrëveshja e detyruar, sepse në lojë nuk ishte fati vetiak i secilit, por fati i përgjithshëm i atdheut të bashkuar, për të cilin cilido që kishte patur funksione drejtuese në Shtetin shqiptar, duhej të jepte ndihmesën e tij deri në fund. Fatkeqësisht nuk ndodhi kështu. Mbledhjet që pasonin njëra tjetrën jepnin përshtypjen se të tjera gjëra diskutoheshin e të tjera vërtiteshin në mëndjet e disa bashkëbiseduesve, se ishin thjesht formale, mbasi pas pak orësh marrëveshjet e nënëshkruara ktheheshin në letra pa vlerë, e një pjesë e atyre që kishin firmosur shqetësoheshin vetëm për rrugët e hapura deri në Shkodër, prej nga do të hipnin në anije apo varka për në Itali, apo do të bashkoheshin me trupat gjermanë drejt Evropës së perëndimit.

Është tepër e vështirë për ne sot të japim gjykime, sepse koha ishte tepër e ndërlikuar e pesha e ngjarjeve paloste vullnete, dëshira e personalitete, duke paralizuar zgjedhjet njerëzore. Kush nuk mund të marrë lëvdata për ato zgjedhje besoj se i ka bërë llogaritë me ndërgjegjen vetiake, në vite të gjata mërgimi e brengash e dhimbjesh pa fund, me familjarët para syve të mëndjes, të dergjur për dhjetëvjeçarë me rradhë duke pritur vdekjen mes jetës së burgjeve e kampeve të internimit të regjimit më barbar që ka njohur historia e Shqipërisë, me një atdhe të rindarë nga lakmitë e fqinjëve dhe vendimet e fituesve, të rihedhur pa mëshirë në botën e Lindjes, madje në atë të komunizmit që përbënte pjesën e saj më johenike…..

Por n’a takon të japim vlerësime, madje të ngremë shtatore në të katër anët e botës shqiptare, me nderimin më të madh, për ata fatosa të kombit, që vazhduan luftën duke u flijuar për t’i u kundërvënë rrymës së fituesve në mbrojtje të atdheut të bashkuar, të Shqipërisë etnike, të shqiptarizmit si ide dhe ideologji, të traditës shqiptare, duke shkruajtur faqet më të ndritura të qëndresës kombëtare për vite të tëra. Shumë prej tyre u flijuan për Shqipërinë e sot nuk kanë as varre ku shqiptarët mirënjohës t’u përulen me nderim duke i stolisur me tufa lulesh të freskëta, ashtu siç i meritojnë plotësisht.

Vijon

Filed Under: Kulture Tagged With: Eugjen Merlika

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 24, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.” – FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika

(Vijon nga numuri i kaluar)

Më 13 tetor 1943 u bë një atentat në Tiranë kundër ish kryeministrit Mustafa Kruja, tashmë pa asnjë funksion e i larguar nga politika vepruese. Mbrëmjen e asaj dite, mbasi u muar vesh se ai kishte marrë një plagë në krah pa pasoja e ishte kthyer në shtëpi, afër mesnatës, trokiti dera e jashtëme e shtëpisë së tij, e  pyetjes së nuses së shtëpisë se kush ishte, i u përgjigj një zë burri: “Hape nuse derën se jam Kapidan Gjoni”. Nusja hapi derën e oborri u mbush me rreth treqind mirditorë të armatosur, të prirë nga Kapidani e dy bijtë e tij, Marku dhe Aleksandri. Mbas përshëndetjes së zakonëshme dhe urimeve të miqve për shpëtimin e tij nga e shtëna e guerrilasve tiranas, ata së bashku me të zotin e shtëpisë u mbyllën në studion e këtij të fundit dhe mbetën deri në të gëdhirë, duke biseduar për gjëndjen e Shqipërisë me ndërrimin e pushtuesve e pritmëritë për t’ardhmen edhe në dritën e atentatit të asaj dite. 

Miqtë e shquar i vunë në dispozicion Mustafës forcat e tyre për të zhvilluar një përndjekje të ashpër në komunistët e Tiranës, të cilët ishin autorët e shtënies me armë mbi të. Në orët e mesditës, mbas plagosjes, i mjekuar nga dentisti Xhevdet Asllani, para se të hipte në ambulancën që do t’a çonte në shtëpi, i ishte dashur t’i përgjigjej pyetjes së oficerit gjerman se çfarë duhej të bënin me shoferin të cilin e kishin zënë gjermanët. Ai ishte përgjigjur: “Lereni të lirë. Nuk bëhet hakmarrje me gjakun s shoferit!”. Kështu do të shkruante vite më vonë Genc Korça, që kishte përkthyer fjalët e mikut të babait të tij, Dr. Xhevat Korçës,  drejtuar oficerit gjerman.

Ky qe thelbi i arsyetimit të tij edhe në bisedën e natës së 13 tetorit 1943, me miqtë e vyer të ardhur nga Shkodra, ish zv.ministrin e tij të besuar, babanë e tij, Kapidanin e Mirditës dhe djalin tjetër, Lleshin, i cili ishte më i prirur nga hakmarrja, për më tepër se i njihte të rinjtë e njësiteve guerrile. Por vendosmëria e ish kryeministrit ishte e plotë dhe pa asnjë mëdyshje: asnjë pikë gjak shqiptari nuk do të derdhej për hakmarrje të tij, atë e kishte goditur partia komuniste shqiptare, me të cilën ishte në luftë të hapur që kur mori vesh se ishte krijuar me ndërmjetësimin e drejtimin e dy jugosllavëve, aq sa theu betimin që kishte bërë për të mos marrë pjesë në asnjë qeveri të Vëndit të pushtuar e mori përgjegjësinë e formimit të qeverisë së 16-të të shtetit shqiptar të pavarur. Ai falënderonte nga zemra miqtë e vyer që i u gjëndën pranë në çastin më të vështirë, si miku mikut. Biseda vazhdoi për disa orë e miqtë pranuan arsyet e të zotit të shtëpisë, por për sigurinë e tij i kërkuan që t’a merrnin me vete në shtëpinë e tyre në Shkodër për disa kohë. Mustafai pranoi dhe të nesërmen u nis së bashku me ta për në kryeqendrën veriore, i strehuar në kullën e Gjomarkajve për rreth tre muaj.   

E gjithë kjo histori nuk dëshmon vetëm për miqësinë e shëndoshë që ishte ndërmjet tyre, por tregon edhe si konceptohej ajo nga zbatuesit e Kanunit në malet shqiptare, sepse ishte e themeluar mbi respektin e ndërsjelltë që arrinte deri në detyrim në raste të veçanta rrethanash të jashtëzakonëshme, e vendimet merreshin nëpërmjet rrahjes së fuqishme të mendimeve, të shtyra nga arsyeja e mirëfilltë e dhomës së burrave, ku secili kishte të drejtën e shprehjes së pikëpamjeve, deri sa bihej në një ujdi që shprehte urtësinë shekullore shqiptare.

Tregon edhe një gjë tjetër: ndryshimi ndërmjet klasës politike të asaj kohe dhe pasardhësve të tyre në drejtimin e Shtetit shqiptar. Mbas tetë vitesh nga kjo ngjarje ndodhi “hedhja e bombës” n’oborrin e ambasadës sovjetike në Tiranë dhe qeveria e Enver Hoxhës, ndaj një dëmi krejt të paqënë, vendosi të pushkatojë pa gjyq, në kundërshtim me mendimin e ministrit të saj të Drejtësisë, 21 intelektualë shqiptarë, ndërmjet të cilëve edhe zonjën Sabiha Kasimati, një shkencëtare biologe tejet të çmuar për dijet e saj, për më tepër ish shoqe klase e kryeministrit shqiptar.

Ndërsa Mustafa Kruja, viktimë e një atentati kur nuk kishte më asnjë funksion shtetëror, dhe miqtë e tij kombëtaristë ndërmjet të cilëve edhe ish ministri Mark Gjomarkaj, vendosën të mos kishte asnjë lloj hakmarrjeje kundrejt atentatorëve komunistë, këta të fundit gjetën një shkak për të vrarë 21 shqiptarë të pafajshëm, vetëm për të treguar miqësinë me Bashkimin Sovjetik.   

Por ajo klasë politike, në tërësinë e saj, nuk arriti të krijojë një platformë të përbashkët kundër-komuniste, në të cilën të ishte parësore mbrojtja, deri në fund të luftës, e kufinjve të 1941-shit dhe sigurimi i tyre në traktatin e paqës pasues. Për shumicën e saj mbetën të papajtueshme dasitë mbi ndikimet e huaja, kryesisht italiane, dasi që u zgjatën edhe në mërgim me ndërpretime e gjuhë komuniste, me termat “tradhëtarë” e “bashkëpuntorë” të fashizmit, edhe se dihej shumë mirë se bashkëpunimi me fashizmin kishte një qëllim të vetëm, interesin për çështjen kombëtare që, më së fundi, në një farë mënyre u sendërtua. 

Lidhur me këtë këndvështrim të gjërave, besoj se libri “Vetvrasja e një Kombi” i Kol Bib Mirakajt, është një pasqyrë e plotë e pa asnjë dyshim e saktë e asaj periudhe dhe nyjeve më të rëndësishme të saj. Po sjell këtu një pjesë të arsyetimit të autorit të nderuar të kësaj vepre, që mbetet gjithmonë jo vetëm burim i mirëfilltë njohurish historike, por edhe nxitës i një përsiatjeje të thellë mbi atë epokë, të vlefshme për kohën kur është shkruar, po aq sa edhe për sot e po ashtu për t’ardhmen:

“Nuk ishin ushtritë partizane  jugosllave ato që erdhën në ndihmë të komunizmit në Shqipni me marrë pushtetin e për të dëbue okupatorin, po ishin partizanët Shqiptarë (komunistët) që shkuen në Jugosllavi, me i ndihmue ata kundër gjermanëve, e kje Mehmet Shehu me divizjonet e tij, që pushtuen Kosovën tradhëtisht e ua dorzuen Jugosllavisë së Titos.

Nga sa asht thanë e që nuk mund të ketë kontestim përveç asaj të ndërhymjes s’ushtrive anglo-amerikane, asht e padyshim, se po të kishin kenë të bashkueme forcat kombtare antikomuniste, gja që na e kemi kërkue si në kohën qi kishim pushtetin në dorë, si ma vonë, (dhe siç po e kërkojmë edhe në mërgim), thomi e dëshmojmë për historinë, se kurrë e askurrë komunizmi nuk do të kishte mundë të marrë pushtetin në dorë në Shqipni, përveç me e pasë prue forcat ushtarake jugosllave ose sovjetike, në rasë se, nuk do të vijshin me pushtue vendin abglo-amerikanët, dhe do të lejoheshin fuqitë sllavo-bolshevike për një abuzim të tillë.

Sikur t’a përjashtojmë krejtësisht ndërhymjen anglo-amerikane, megjithse, kushdo që t’ishte në krye të qeverisë, tue dijtë rrezikun që mund t’i kërcnohej Atdheut nga fqinjët, do t’i ftonte aleatët. A nuk do të kishte kenë shumë ma e lavdishme për historinë, e ma e dobishme politikisht me e shejtnue me gjak të drejtën e bashkimit të shqiptarëve, në një shtet Shqiptar ndër kufinjt Etnikë, siç ishin realizue në Prill të 1941?

A nuk do të kishte kenë historikisht (në rasën ma të keqe) ma me vlerë që nacionalizmi Shqiptar, kombi Shqiptar, të mundej nga divizjonet e kolosit bolshevik, mbasi të kishte zbrue në gjak kufinjtë e Atdheut të zmadhuem, se sa të shpartallojë vetveten, tue i ra njani thumbit e tjetri patkoni, me grindje e ndasina që ishin fryt i bindjes verbsisht të urdhnave të disa agjentëve të huej?

A nuk ishte shumë ma nder e ma e dobishme-po themi-që qëndresa Shqiptare, të dërmohej nga divizjonet e hueja anmike se sa me ”varazhvara” ta linte veten (siç e la) të shpartallohej nga një grusht aventurierësh komunistë të pa plang e, të pa shtëpi, dhe t’urryem nga shumica e Popullit tonë?

Përgjegjen e këtyne pyetjeve, le t’ua japin lexuesi e historia, e maparë, t’ia napin ndërgjegjes së vet ata Shqiptarë, që kanë kenë shkaktarë të mosbashkimit, pra të disfatës së nacionalizmit.” 

Mbas një paraqitje të thukët të ngjarjeve dhe nënshtrimit gjakftohtë të tyre, në hapësirë vitesh të shkuar, kur autori hedh në letër kujtimet e tij, para lexuesit shpaloset një gjëndje e pakuptueshme, si një ëndërr e keqe që ngjall trishtim e zgjon mosbesim për absurditetin e saj. Autori ngre aty disa pyetje, të cilat ai u a beson shqiptarëve të brezave pasardhës e, krahas tyre, historisë, që do të gjykojë të shkuarën, kohën e tij, vendimet apo mungesën e tyre, amullinë e ideve dhe pasojat e tyre.

Para lexuesit ashtu si para shumë mijra dëshmitarëve të asaj kohe, ngrihet si një sfinks i stërmadh kryepyetja: a ishte një fatalitet i pashmangshëm për Shqipërinë 29 nendori 1944, me të gjitha pasojat e tij tragjike e dramatike në një gjysmë qindvjeti? Qe zgjedhja e shqiptarëve apo vendim i ardhur nga fituesit e luftës e , si i tillë, i pamundur të ndryshohej? A bënë shqiptarët gjithshka mundën për të mbrojtur shqiptarizmin në kufinjtë e pranverës së vitit 1941? Apo u treguan të mefshët, të paqartë në idetë, të pavullnetshëm, robër të iluzioneve e dogmave të një bote që kishte vetëm dy ngjyra: bardh e zi?

Janë pyetje që ende mbas tetëdhjetë vitesh nuk gjejnë përgjigje, aq janë të ndërlikuara në përbërëset e tyre, edhe se koha ka fshirë, pothuajse krejtësisht shkaqet e pasojat e asaj epoke, duke depozituar në sitën e historisë bëmat dhe personazhet e atyre viteve. 

Por le të vazhdojmë, gjithënjë simbas librit të Kol Bib Mirakajt, kronikën e ngjarjeve të zhvilluara në kampin kundër komunist, në vitin e fundit të luftës për Shqipërinë:

“Nuk jam në gjendje të përcaktoj datën, por dihet se në muejin janar e kah fillimi i shkurtit 1944, personalitete të grupit Indipendent, morën nisjativën rishtas, për të mujtë me arrijtë në marrëveshje bashkpunimi me dy partitë e tjera, për të përballue rrezikun bolshevik…..

Mbas pak ditësh mbledhja u ba përsër në shtëpi të  Kapidanit, ku kanë marrë pjesë:

Për Grupin Indipendent: z. Sylço beg Bushati, Gjon Markagjoni, Hafiz Ali Kraja, Shuk Gurakuqi e Maliq beg Bushati.

Për Legalitetin: Ndoc Çoba e Shefqet Muka

Për Ballin Kombëtar: Mit-hat Frashëri, Lec Kurti, Jup Kazazi, , Vasil Andoni, etj.        

U arrijt në rradhimin e nënshkrimin e një protokolli në tri kopje origjinale, për bashkëpunim  dhe që asht quejtë:

“BESËLIDHJA E SHKODRËS”

U morën vendimet e rastit ndër të cilat ishin këto:

1.”Beslidhja e Shkodrës” do të mbledhë dhjetë deri në dymbëdhjetmijë vullnetarë të parrogë nga krahinat e Shkodrës: Mirditë, Malësi e Madhe e Rranxa, Pukë, Dukagjin, Malësi e Lezhës e Fusha.

2.Forcat do të mblidhen nga “Besëlidhja e Shkodrës” me karakter kombtar e jo partish, dhe do të vihen  në shërbim të qeverisë për luftën kundër komunizmit. Qendra e këtyne forcave, mbas spastrimit të Shqipnisë së Jugut, do të jetë Tirana.

3.Të ftohen sa ma shpejt Krenët e Maleve për një mbledhje në Shkodër, së bashku me Parinë e qytetit. Për këte qëllim u dërguen përfaqësues të “Beslidhjes” për çdo Nënprefekturë, për të bisedue me Krenët qëllimin e mbledhjes.

4.Të dërgohen tre përfaqësues në Tiranë, për të lutë qeverinë të marrë mbi vete shpenzimet që parashiheshin për mbledhjen e rekrutimin (ushqim, banim etj.). Hafiz Ali Kraja, Ndoc Çoba e Jup Kazazi u dërguen në Tiranë për t’i parashtrue Këshillit të Naltë e Qeverisë sa u tha, ndërsa Mit-hat Frashëri dha premtimin me dhanë përkrahjen e Tij, pranë autoriteteve shtetnore për përmbushjen e këtyne nevojave.

Në bisedimet e para që u banë me Këshillin e naltë e Kryetarin e qeverisë, autoritetet në fjalë e pëlqyen nisiativën e Shkodrës dhe premtuen me vue në dispozicion  të “Beslidhjes” mjetet e nevojshme financiare. Me këte premtim këthehej dërgata e Shkodrës nga Tirana.”   

  Dukej sikur marrëveshja që solli “Beslidhjen e Shkodrës” ishte vënë në rrugë të mbarë, mbasi pjesëmarrja ishte në nivel të lartë nga të gjitha forcat politike kombëtariste, madje edhe zotimet e marra ishin premtuese. Shuarja e miklimeve për një bashkëpunim me Frontin Nac. Çl., në pritmërinë e luftës së përbashkët kundër pushtuesit gjerman dhe qeverisjes së gjërë mbas mbarimit të luftës që dukej se anonte tashmë nga fitorja e  Aleancës Angli-SHBA- BS., si pasojë e hedhjes në kosh të marrëveshjes së Mukjes, duhej t’i shtynte të gjithë atdhetarët shqiptarë që duhej të kishin si synim kryesor të çastit e të perspektivës ruajtjen e gjëndjes së krijuar në pranverën e vitit 1941, me bashkimin e trojeve shqiptare, që ajo marrëveshje të ishte themeli mbi të cilin do të ngrihej Shqipëria e mbas luftës. 

Fatkeqësisht nuk ndodhi ashtu. Arsyet i tregon hollësisht Kol Bib Mirakaj në përimtimet e tij:

“Pse vepra e “Beslidhjes së Shkodrës” u sabotue, kjo gja u kuptue e asht marrë vesh në hollësina. Autoritetet e Nalta të Shtetit e Mit-hat Frashëri me ta, nuk deshtën të mblidheshin forcat e Malësivet të Shkodrës, pse dyshonin që kur t’arrinin gjithë këto forca në Tiranë, mbasi të kishin spastrue Shqipninë e Veriut, së bashku me forcat e Dibrës, Lumës, Matit e Elbasanit, që mund të shkapërcejshin numrin e tridhjetmijë luftarëve, do të kërkojshin ramjen e Këshillit të Naltë dhe të qeverisë, për të marrë pushtetin në dorë Sylço beg Bushati e Gjon Markagjoni me miqtë e vet. Kjo e asgja tjetër, kje arsyeja e sabotimit të programit të Beslidhjes së Shkodrës, e të nji tjetër nisjative po aq me randësi në mbarim të gushtit 1944….

Mit-hat beu i preu krejtësisht marrëdhaniet me “Beslidhjen”, mbas ardhjes së At Anton Harapit e Gjylbegut në Shkodër.

E sabotueme dhe e paralizueme si u pa atëherë, “Beslidhja” arrijti në Maj 1944, të mbledhë një pjesë të ndijshme të Krenëve të Maleve në Shkodër. Krentë pranuen të marrin pjesë në lëvizje e t’japin kushtrimin kurdo t’u jepej lajmi nga “Beslidhja”, tue vue njizani kushtin që u tha: Të merrshin pjesë edhe qyteti i Shkodrës me Sylço beun e Kapidan Gjon Markagjonin, e tjerë Parësi shkodrane në krye. Të gjithë, përveç Krenëve të Malësisë së Madhe, deklaruen se nuk kërkojnë asgja tjetër prej qeverisë, veçse pushkë, fishekë e bukë….”

Vijon

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika

NDËRMARRJE DHE POLITIKË: BERLUSKONI DHE TRASHËGIMIA E VËSHTIRË

June 22, 2023 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Mbas një mirësie e një ëmbëlsie shumë milaneze Silvio Berluskoni fshihte një temperament e një vullnet çeliku. I turbulluar nga mijëra interesa, i pajisur me mijëra jetë e mijëra aftësi, tejet i qëndrueshëm ndaj fatit të keq dhe humbjes, i gatshëm gjithmonë të rifillonte pa dhënë kurrë veten për të mundur: një temperament prej çeliku, pikërisht. Ndërsa Forca Italia, krijesa e tij politike, ka mbetur gjithmonë një parti plastike: mbledhëse e miratimeve të mëdha zgjedhore, sigurisht, por gjithmonë pa aftësinë e vërtetë të jetës së pavarur, pa organe të vërteta të brëndëshme, pa asnjë lloj nyjëzimi territorial për veprimtarinë e të cilit njihej. Pra një krijesë e bindur në duartë e pronarit të saj që kështu e donte gjithmonë. Pikërisht kjo dyfytyrësi – nga një anë cilësia e njeriut dhe jashtzakonshmëria e rolit të tij në ekonomi e nga ana tjetër mangësia e krijesës së tij politike – ndihmon në daljen në pah të kuptimit të pranisë qëndrore të Silvio Berluskonit në historinë e Italisë.   

Berluskoni i përket atij rrjeshtimi të sipërmarrësve të mëdhenj, të pajisur me një shpirt gjenial përtëritës që, duke filluar nga vitet Pesëdhjetë të shekullit të shkuar, shënuan hyrjen e Italisë në numërin e Vëndeve të mëdha industrialë bashkëkohorë. Rrjeshtimi i Enrico Matteit, të Giovanni Borghit, të Enzo Ferrarit, të Serafino Ferruzzit, të Michele Ferreros: Kavalieri ishte i asaj race.

Nuhatja e tij dhe fati deshën që fusha kryesore e veprimit në të cilën në një çast të dhënë vendosi të çimentohet qe televizioni, i cili ishte sektori që për arsye të natyrshme politike është më i gërshetuar me jetën publike e prandaj më i afërti me politikën, me interesat e saj pak a shumë të ligjëruara e pra edhe me kundërshtitë e saj. Silvio Berluskoni  u gjënd fatalisht i shtrënguar të ketë të bëjë në një masë të madhe me politikën, t’a përdorte atë e të ruhej prej saj. Si pasojë, më 1992-93, me rënien e perdes së rehatëshme të ndërmjetësimit të ofruar për vite nga kraksizmi, ai hyri drejt për së drejti në politikë, për t’u bërë ai vetë një politikan.

Që nga ai çast ndodhia e tij bëhet shëmbullore për shumë gjëra, por veçanërisht për njërën: për mënyrën e qëndrimit kundrejt politikës të atij që vjen nga bota e të vepruarit, të sipërmarrjes. Në fakt, Berluskoni ka qënë një shëmbull përfaqësie i kulturës politike t’asaj bote. Së bashku me të i kulturës politike të një pjesë të mirë të votuesve italianë: të atyre që vërtiten rreth universit shumë të gjërë të sipërmarrjes së vogël, të tregëtisë, të mijëra njerëzve që synojnë të bëjnë pjesë në njërën apo tjetrën. Janë njerëz që në përgjithësi kanë idetë shumë të qarta (e shpesh edhe të drejta) mbi ato që duan nga politka, mbi ato që politika do të ishte mirë të bënte, edhe se pothuajse kurrë mbi mënyrën se si këto gjëra do të mund të bëheshin në të vërtetë.

Në asnjë rast nuk ishin armiq të rendit të ngritur. New York Times i pardjeshëm ka titulluar nekrologjinë e Sivio Berluskonit: “Lamtumirë njeriut që n’a dha Trump-in”. Asgjë më e gënjeshtërt. Kurrë Berluskoni do t’i kishte shtyrë ndjekësit e tij të sulmonin Monteçitorion (prova më e madhe subversive që mund t’i vishet qe disa vite më parë një kor prekës i pesëdhjetë parlamentarëve të Forca Italias përpara Pallatit të drejtësisë së Milanos). Ata që për vite kanë folur përçart  për Kaimanin të gatshëm të nxiste harbutërinë për të vënë në hekur e në zjarr Italinë, tani nuk mund të mos njohin lajthitjen e tyre.

Është ky një gabim themelor nëse do të kuptohet çështja e Berluskonit: një gjë është kundërpolitika, një tjetër qëndrimi jashtë saj. E kjo qe veçoria në të cilën ish kryeministri ishte një kampion natyror (duke fituar kështu suksesin që ka patur në njerëzit e zakonshëm). Të gjithë përbërësit e përditshëm të praktikës politike demokratike – që nga grindjet parlamentare tek deklaratat e mbushura me nënkuptime – nuk i thonin asgjë. Por në të vërtetë pak i interesonte,  me gjasë ndoshta e mërzisnin  edhe marrja e vendimeve, edhe qeverisja kur bëhej fjalë për gjëra larg nga interesat e tij (nuk e kam fjalën vetëm për ndërmarrjet e tij).

Nuk është një gjë e rastit që qeveritë Berluskoni, edhe se kanë patur gjatë shumica të mëdha, kanë qënë në shumë drejtime një koleksion premtimesh e rastesh të munguara. Po të mendohet mirë është një gjë shumë e veçantë për një njeri që në pak vite qe i afë të bëjë atë që ai ka bërë. Megjithatë ai u tregua pashpjegueshmërisht i paaftë të vendoste e të ndryshonte mprehtësisht pikërisht aty ku do t’ishte më e natyrshme që të vendoste e të ndryshonte: për shëmbull në reformimin e makinës së administratës publike e rregullave të saj, në shpyllëzimin e xhunglës burokratike italiane, në fshirjen e institucioneve dhe enteve të kota, në dhënien e një shtyse vepruese investimeve publike (rasti tipik puna e kantiereve), në uljen e taksave. Shkurt të sendërtonte atë revolucionin liberal aq të premtuar e madje as të filluar.

Çështja është që “të bërët e ndërmarrjes” është një gjë mjaft e ndryshme nga “të bërët politikë”. Përvoja e Berluskonit vërteton jo vetëm këtë ndryshim, por gjithashtu një të dhënë historike të rëndësishme: vështirësinë e klasës së sipërmarrësve italianë të kuptojnë në të vërtetë mekanizmat e politikës, hyrjen në logjikat e saj, e pra thjeshtëzimin , qëndrimin shumë shpesh të epërsisë së kollajtë  me të cilën shpesh herë  përfaqësuesit e saj i afrohen politikës dhe atij që jeton me të e për të. Bëhet fjalë për një vështirësi e qënie dorëjashtë në të cilën peshon në mënyrë vendimtare një e dhënë tjetër, fakti që nuk mund të njëjtësohet me politikën, nuk mund t’a ndjejë si gjënë e tij, të dëgjojë pasionin “për t’a bërë”, që së fundi do të thotë pikërisht pasion për të vendosur për llogari e në interes të bashkësisë , nëse nuk ka atë që quhet ndjenja e Shtetit, t’atij Shteti që nuk është tjetër veçse organizimi politik i një bashkësie, nëse nuk ekziston vetëdija  e rëndësisë vendimtare të institucioneve të tij, të historisë së tyre, të vlerës së tyre, të dobisë së tyre. Është një vetëdije e tillë, që ashtu sikurse shumë kolegë të tij, Silvio Berluskoni nuk e kishte në masën e duhur, e që jep ndihmesën për të shpjeguar kufizimet e veprimit të tij politik dhe trashëgiminë e vështirë që ai i le Forca Italias.

“Corriere della Sera”, 19 qershor 2023    Përktheu Eugjen Merlika      

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Eugjen Merlika

MARK GJOMARKAJ – “THEROR I TRADITËS” DHE SHQIPËRIA E KOHËS SË TIJ

June 21, 2023 by s p

Nga Eugjen Merlika/

(Vijon nga numuri i kaluar)

“Flijimi vullnetar me vetëdije të plotë dhe I lirë nga çfarëdo detyrimi, flijimi i vetëvetes për të mirën e të gjithëve, është simbas meje, treguesi I zhvillimit më të madh të personalitetit, të epërsisë, të zotërimit të plotë të vetëvetes, të më të madhit vullnet të lirë.”

FIODOR DOSTOJEVSKI

Nga Eugjen Merlika

(Vijon nga numuri i kaluar)

Mbas kërkesave të z. Mirakaj , që fliste n’emër të tij, por përfaqësonte Bllokun Kombëtar Indipendent dhe shqiptarët në përgjithësi, i erdhi rradha kryeministrit italian të shprehte pikëpamjet e tij e të Shtetit të tij, në lidhje me gjëndjen e përgjithëshme dhe, në veçanti, mbi marrëdhëniet ndërmjet Italisë e Shqipërisë. Mussolini tregohet shumë dashamirës e i vendosur të sigurojë popullin shqiptar, në lidhje me t’ardhmen e tij. Nga ajo bisedë po shkëpus për t’i paraqitur këtu pjesët më të rëndësishme: 

“Jam thellsisht i prekun nga sinqeriteti me të cilin më foli kaq kjartë e me zemët të haptë kamerata Mirakaj. Më keni folë burrnisht edhe tjera herë si Ju shkëlqesë, ashtu edhe të tjerë përgjegjsa e patriotë Shqiptarë.

I çmoj burrat e sinqertë qi kanë guximin t’a thonë të vërtetën edhe kur të jetë e hidhun”

Është një hyrje më duket, më shumë diplomatike, se sa e sinqertë, në përputhje më shumë me mendësinë shqiptare se sa atë italiane. Por të rëndësishme janë fjalët që ai thotë, pavarësisht se ato ishin të kushtëzuara nga shumë faktorë, e nuk mundën të sendërtohen në vepra.

“Përveç korigjimeve që janë në vazhdim simbas dëshirës së shprehun nga përgjegjsat Shqiptarë, provën ma të prekëshme të dashunisë e të ndjenjës së drejtësisë, u a kam dhanë tue i këthye në gjiun e Atdheut tokët iredente menjëherë, pa pritë mbarimin e luftës; me këte kam dashtë t’u jap provën e të drejtave të njëpërnjëshme të dy popujve tanë në çështjet që i përkasin veçmas njanit apo tjetrit. Lufta siç ka barrën e randë e rreziqet, ka edhe të drejtat e saj. Në parim të këtyne të drejtave, Italia po të kishte dashtë kishte mujtë me i konsiderue Kosovën e të tjera vende, pjesë integrale të Jugosllavisë së mundun, e si të tilla, me i administrue për llogari të vet deri në mbarim të luftës.

Nuk desha të përfitoj këte rasë e këte të drejtë, konseguent me premtimet  që i kam ba un Popullit Shqiptar.

Kemi lanë të varun për tashti çështjen e Çamërisë me administratë autonome dhe një Komisar Shqiptar, pse ashtu e lypshin rrethanat, por edhe kjo në mos ma përpara, në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor të Shqipnisë pse asht e drejtë e saj.”  

Ka një dozë të theksuar hipokrizie në këto fjalë të Kryeministrit italian. Ai e din se flet për një problem tejet qenësor e jetik për shumicën dërmuese të shqiptarëve e përdor në këtë rast “shkopin dhe karrotën”. Nga një anë ve në pah rëndësinë e vlerën e vendimit te qeverisë italiane për t’i bashkëngjitur Shqipërisë krahinat e rrëmbyera me fuqinë ushtarake nga Vëndet fqinjë e në tjetrën i përmënd bashkëbiseduesit “të drejtën për t’i administruar për llogari të vet deri në mbarim të luftës” që bie ndesh me premtimin e mëposhtëm se “në mbarim të luftës do të zgjidhet në favor të Shqipnisë pse asht e drejta e saj”. Mbi të njëjtin objekt, simbas tij, ka dy të drejta. 

Për sa i përket bashkimit të Çamërisë ai thotë një të pavërtetë, të cilën e mbulon me shprehjen e përgjithëshme “pse ashtu e lypshin rrethanat”. Fakti ishte se edhe mbas dy vitesh të prillit 1941 ai mbeti vetëm një shpresë e pasendërtuar, megjithë përpjekjet e pafund të kombëtaristëve shqiptarë. Madje ai përgënjeshtrohet nga vetë komisari i caktuar prej tij, që nuk është as Fejzi Alizoti dhe as Xhemil Dino, por Karlo Umiltà, njeriu drejtpërdrejtë përgjegjës për mos bashkimin e Çamërisë, si pasojë e raporteve të rreme që dërgonte nga terreni. Ja çfarë shkruante vetë komisari Umiltà në librin e tij: “Jugosllavia e Shqipëria”: 

“Të gjithë ishin të një mendimi, të përjashtonin  si të papërshtatëshëm zmadhimin e Shqipërisë drejt jugut, me bashkimin e territoreve të  tjera, të banuara, pothuajse krejtësisht nga grekët. Edhe shqiptarët  myslimanë ishin kundër bashkimit me çamët e racës dhe besimit të tyre. Nga ajo anë kufijtë shqiptarë ishin mirë ashtu siç ishin.

Megjithë ankesat e Xhemil Dinos  dhe të atyre si ai që ishin t’interesuar për projektin e rrezikshëm të Çamërisë, qeveria e jonë miratoi plotësisht përfundimet e mija dhe u arrit të bindej dhe qeveria shqiptare për mungesën e leverdisë për të mbajtur në Shqipëri e jashtë saj, një shqetësim në dobi të bashkimit, që tashmë nuk mund të sendërtohej në kundërshtim me opinionin e pothuaj gjithë popullsisë, që do të bëhej viktimë pa dobi për askënd.

Për Çamërinë nuk u fol më dhe vetë Xhemil Dino u kthye nga Tirana në Romë pa bezdisur më qeverinë tonë”    

Duket qartë kundërshtia në mendime ndërmjet Mussolinit dhe komisarit Umiltà mbi çështjen e bashkimit të trevave jugore. Kjo gjë të le një farë dyshimi në strategjinë italiane n’atë drejtim, dyshim që kthehet në siguri, sepse nuk u vu asnjëherë në tryezë për zgjidhje. Por le të vazhdojmë të ndjekim fjalën e kryeministrit në përgjigje të bisedës së Mirakajt:

“Një gja asht e krejt e kjartë  dhe e pandryshueshme në koceptin tim evropian, e në të cilin hyn në konsideratën ma të favorshme edhe Atdheu i të Madhit Gjergj Kastrioti-Skënderbé, i Atij Hero që nuk asht vetëm i Shqipnisë, por edhe i gjithë Evropës: një  ndër shpëtimtarët e qytetërimit evropian-kristjan. Ky koncept përmblidhet në këtë formulë:

“Do t’ishte utopija ma e shëmtueme e shekullit të XX me synue aneksimin e kolonizimin e një Populli Evropian cilido kjoftë. Do t’ishte mohimi i misionit qytetnues e turp për historinë e Italisë po të synonte këtë padrejtësi, e po e them: vepër barbare në dam të Popullit Shqiptar, që asht ndër ma të vjetrit e autokton të këtij kontinenti.”

Retorika e kryeministrit italian është në një nivel të lartë. E po n’atë nivel është edhe mashtrimi i tij, por le t’a ndjekim deri në fund në këtë sprovë gojtarie të lëvdueshme:

“Ju ap autorizimin t’a shkëmbeni Partinë Fashiste Shqiptare në “Lëvizjen e Birëve të Shqipes” e t’i epni ato karakteristika e atë frymë që ma mirë e ma me dobi u përshtaten  ndjenjave, nevojave e dëshirave të Popullit tuej. Ju autorizoj të formoni njëzet bataljone shëtitës e jam i bindun se do të jenë të denjë për emnin me të cilin keni vendosë t’i pagëzoni; emën magjik “Birt e Shqipes” (nome magico “figli dell’aquila), për të cilin ata, që do të kenë nderin me e pasë, duhet të jenë krenarë (orgogliosi). Do t’u ve në dispozicion  gjithshka  u lypet për plotsimin  e këtyne  formacioneve, përfshi këtu edhe fondet. Ka kohë që kam vendosë me i dhanë individualitetin kombtar ushtrisë Shqiptare, në kuadrin e përgjithshëm t’ushtrisë italiane. Kemi shembull HONVED-in e dikurshëm të Hungarisë. Hapi i parë asht ba  në bashkfjalimin qi kam pasë së fundit me shkëlqesën Kruja, i cili m’a pat kërkue këte gja, tue i përmbledhë përnjëherë bataljonet Shqiptare në katër regjimente, e tue i dallue me Kunorën e Skënderbeut në qafore të xhaketës. Që atëherë i premtova shkëlqesës Kruja , me arrijtë në katër divizione e me iindividualizue krejt Shqiptarisht.” 

“U kam premtue Shqipninë e Madhe; e Madhe them, pse tregu politik ndërkombëtar e pat gjymtue tepër padrejtësisht ndër kufinjtë e 1913-ës. Do të keni mbas ksajë lufte Shqipninë Shtet Sovran, ndër kufinjtë etnikë tansisht.”

“Edhe në rasën ma fatkeqe, të hipotezës së humbjes së luftës nga ne, nuk kanë për t’iu mungue armët as tjerat mjete, e as teknikët për të mbrojtë ekzistencën e Kombit. Kam mjaft djelmoça që, me një shenjë të shprehjes së vullnetit tim, kanë për të ngelë në Shqipni, e që do të vihen vullnetarë në rreshtat e forcave t’armatosuna Shqiptare. Justifikimi i një veprimi të tillë asht i thjeshtë. Un due t’i jap Popullit Shqiptar provën e plotë se, në Popullin italian ka me të vërtetë një vlla ma të madh, tek i cili ka për të gjetë përherë mbështetje të sinqertë.”

Këtu mbaroi fjala e Benito Mussolinit. Për z. Mirakaj dhe shoqëruesit e tij qenë fjalë shprese e besimi që mbështeteshin tek vetë shpresa e kryeministrit italian që e bëri të tejdukej në aluzionin për armët speciale të gjermanëve. Falënderimet qenë të sinqerta, por nuk mungoi nga ana e tij, shprehja e shqetësimit dhe ritheksimit të nevojës imediate e të domosdoshme për Shqipërinë, duke paralajmëruar një tjetër “trokitje në derën e Duçes”:

“Gjaja e ngutëshme për t’i a  arrijtë qëllimit përfundimtar në çështjen Shqiptare asht sigurimi i qetësisë së mbrendëshme, sigurimi i rregullit. Kjo arrihet me shkatrrimin e lëvizjes komuniste, që çështja Shqiptare e ka thikë mbas shpatullash në shërbim të sllavizmit, prandej, gjaja e parë e kryesore për tani asht me rekrutue e organizue bataljonet shëtitës, i vetmi mjet për të vue qetsinë e për të shkatrrue lëvizjen bolshevike.

Porsa të kthejmë në Tiranë , do të vé në dijeni Kryeministrin dhe Ministrin e punëve të mbrendëshme, me të cilët më lidhë edhe miqësi e ngushtë (e ka fjalën për Mark Gjomarkajn) (shënim i autorit), e kështu, na vihemi në dispozicjon pa kushte. Po kje se ndeshim në moskuptime e pengesa, kemi për të trokitë prap në derën e Duçes”     

   Siç shihet në këtë bisedë jo zyrtare të ish ministrit Mirakaj, vihet në dukje një problem i hershëm i Shqipërisë së pushtuar nga italianët, ai i kërkesës për mundësinë e armatosjes së një numëri të caktuar të të rinjve shqiptarë, që të ishin të varur nga ministria e Brëndëshme e që të ishin të gatshëm për të mbrojtur kufinjtë e Shqipërisë etnike kur të vinte çasti i volitshëm e i nevojshëm. Kjo kërkesë ishte bërë edhe nga Mustafa Kruja, si kusht për të marrë në dorëzim qeverinë në dhjetor 1941. Edhe atëherë ishte premtuar nga ana e Italisë, por mbeti vetëm një premtim. Kola e dinte mirë, por ka dashur t’i a shkëpuste këtë premtim kryeministrit italian, si e vetmja shpresë për të përballuar gjëndje shumë të vështira që hamendësonte se mund të vinin për Shqipërinë e për kombëtarizmin shqiptar. Mussolini e premtoi përsëri por nuk pati mundësi t’a sendërtojë, sepse mbas tre muajsh ai nuk ishte më kryeministër. Ishte vetëm kjo arsyeja e mos realizimit të premtimit apo mungesa e dëshirës e ndoshta frika tek italianët se ata ushtarë shqiptarë do të ktheheshin kundër tyre? Fakti ishte se premtimi i bujshëm mbeti vetëm në fjalët e tij pa gjetur zbatim. 

Megjithatë ai mbeti në histori si një veprim në dobi të atdheut e dëshmon se ajo klasë politike, bashkëpunuese me Italinë, ka punuar me ndershmëri për interesat e vërteta të Shqipërisë, pa vështruar interesat vetiake. Edhe Marku ishte i vendosur në vijën atdhetare të kolegëve të tij. Mbas dorëheqjes së qeverisë Kruja ai u kthye në shtëpi, por më 12 shkurt 1943 ai u betua përsëri si ministër i Punëve të Brëndëshme në qeverinë  e Maliq bej Bushatit, që mbeti në fuqi vetëm 76 ditë. Në librin  “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë” të studjuesit e gazetarit Roland Qafoku shkruhet: “Vetëm pas disa ditësh që mori detyrën kryeministri pati debat të madh me ministrat, shumica e të cilëve ishin nga Veriu. Një prej tyre ishte Marka Gjoni, ministër i Brëndshëm , i cili kërkonte të vepronte me forcë në jugë të Vëndit për të shtypur rezistencën. Kryeministri nuk e pranoi këtë, madje debatoi gjatë, deri sa i mërziti italianët…”Ky fragment i cituar është marrë nga libri “Shqipëria gjatë luftës “1939-1945”të historianit e e politologut amerikan Bernd Fischer.

Muajtë kalonin me shpejtësi e lufta kishte ndërruar drejtim përsa i përkiste fateve të saj. Si pasojë e fuqisë së aviacionit amerikan të zotuar në qiejt e Bashkimit Sovjetik, Stalingradi qëndroi kundër rrethimit gjerman  e, më pas, filloi kundërsulmin sovjetik. Italia kapitulloi më 8 shtator 1943 e Gjermania mbeti e vetme në luftë kundër aleatëve. Megjithatë, për të mos lejuar hapjen e një fronti të ri në Ballkan me ndonjë zbarkim të anglezëve, komanda e lartë gjermane dha urdhër të pushtohej Shqipëria. Marku, siç e thamë më sipër, me mirditorët e tij siguroi qetësinë e duhur për të lejuar zhvillimin e lirë të punimeve të Asamblesë kombëtare të dalë nga zgjedhjet e vetme të përgjithëshme të Shqipërisë etnike.

Vijon

Filed Under: Mergata Tagged With: Eugjen Merlika

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT