Nga FEDERICO FUBINI-Përktheu Eugjen Merlika/
Mbas pesëmbëdhjetë muajsh pandemie, as edhe burrat e fuqishëm nuk janë më ata të një kohe. Hapi i rëndë i Viktor Mihály Orbán-it, kryeministër i Hungarisë pa ndërprerje prej dhjetë vitesh, papritmas nuk është më aq i sigurtë. Dy vjet më parë ai kishte vepruar në mënyrë që të përzihej nga Hungaria Central Europan University, që është amerikan, liberal, i rëndësishëm e, mbi të gjitha, i pavarur nga pushteti politik. Asgjë e befasishme, për të. Nga ana tjetër në Hungari edhe mediat e opozitës e kanë të vështirë të gjejnë botues. Gazetat kryesore janë në dorë të një fondacioni të lidhur me qeverinë e çfarëdo figurë që bëhet e bezdisëshme për rrethin e kryeministrit është objekt i fushatave tejet të fuqishme të baltosjes.
Jo shumë kohë mbasi kishte larguar Central European University, Orbani në të vërtetë ka paraqitur një alternativë: një fushë të pamasë në periferi të Budapestit për Fudan Univesity, kinez por i paguar me 1,5 miliardë të llogarisë publike hungareze. Jo një institucion akademik dosido. Në dhjetorin e vitit 2019 Fudani ka fshirë nga statuti i tij parimin e “pavarësisë e të lirisë së mendimit” dhe e ka zëvendësuar me “zotimin për të ndjekur drejtimin e partisë komuniste”. Së fundi Orbani e shpërbleu duke vënë veton, vetëm, mbi një deklaratë evropiane që kritikonte përndjekjen kineze në Hong Kong.
Banorëve të Budapestit nuk u ka pëlqyer. Të shtunën me mijra kanë zbritur në rrugë për të kundërshtuar përdorimin e një pjese të gjërë të truallit komunal për kampusin e pafund kinez. Gergely Karácsony, kryetari 45 vjeçar liberal i bashkisë së Budapestit, e drejtuesi i pritshëm i opozitës në votimet politike të më pak se një viti, menjëherë ka marrë qëndrim. Rrugët për rreth truallit të dhënë për kampus janë pagëzuar me emrat “Rruga Liri për Hong Kongun”, “Rruga Martirët ujgurë” ose “Rruga Dalai Lama”. Ambasada kineze është ankuar, qeveria hungareze gjithashtu, por më së fundi Orbani është detyruar të lëshojë pe: projekti i Universitetit të Fudanit do t’i nënështrohet një referendumi ndërmjet banorëve të Budapestit. Pra, me gjasë nuk do të fillojë kurrë, sepse armiqësia në kryeqytet është shumë e përhapur.
Nuk është rastësi që kryeministri hungarez fillon të tregojë shënja dobësie pikërisht tani. Për të parën herë të gjitha partitë e Opozitës janë bashkuar në një aleancë për t’a mundur në zgjedhjet politike mbas më pak se një viti dhe veprimi mund t’i a arrijë. Fidesz, partia e kryeministrit, në hulumtimet e fundit është dhjetë pikë mbrapa bashkimit të opozitave (45% me 55%) dhe hapësira për tani po vjen duke u zgjeruar. Nga ana tjetër Hungaria nuk del aspak mirë nga pandemia. Është Vendi që shënon zyrtarisht numurin më të madh të të vdekurve në botë mbas Perusë, në përpjestim me popullsinë. Rënia e ekonomisë ka qënë e ashpër dhe e zgjatur, shtresat e mesme janë varfëruar, ndërsa rrethi i miqve dhe familiarëve të Orbanit vazhdon të fitojë shumë prej tenderave më të pasur publikë. Luca Visentini, sekretar i përgjithshëm i Konfederatës evropiane të sindikatave, e përcakton Hungarinë e sotme “një oligarki iperliberiste simbas modelit rus”. Sigurisht gjatë pandemisë qeveria ka miratuar një dekret që fshin çdo lloj forme kontrate kolektive të punës nëpër fabrika e në sektorët publikë të arsimit e të shëndetësisë. Të gjithë punonjësit e atyre sektorëve mund të pushohen nga puna ose të ulen në detyrë për çfarëdo arsye, edhe se vetëm për pjesëmarrjen në një grevë. E cilido puntor që vendos të largohet nga puna më parë se të ketë plotësuar programin dyvjeçar të orëve të punës të paracaktuara, duhet t’i derdhë ndërmarrjes pagën përkatëse që do të duhej të kishte marrë n’atë periudhë. Në thelb, sikur t’ishte një skllav që duhet të paguajë për t’u liruar.
Një numur në rritje i hungarezëve po arrin në përfundimin se modeli iliberal i Orbanit paraqet mbi të gjitha humbje. Kur t’a kuptojnë edhe admiruesit e tij n’Evropë e n’Itali, ndoshta nuk do të jetë shumë vonë.
“Corriere della Sera”, 9 qershor 2021 Përktheu Eugjen Merlika