• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MAQEDONIA E VERIUT DHE SHQIPËRIA “SHOHIN” EVROPËN

July 17, 2022 by s p

Nga FRANCESCA BASSO/

Këtë herë jemi. Nuk ka më pengesa për hapjen e bisedimeve për hyrjen në Bashkimin Evropian të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. E ardhmja e dy Vëndeve në BE është e lidhur e pa Shkupin as Tirana nuk mund të bënte përparime. Dje Parlamenti maqedonas ka miratuar propozimin e çuar përpara nga kryesia e rradhës franceze (ka mbaruar detyrën në fund të qershorit e zëvendësuar nga ajo Çeke), që kishte si synim të kalonte ngërçin në sherrin historik identitar me Bullgarinë. 

Nuk ka qënë e lehtë, deputetët e opozitës konservatore, kundërshtarë të dokumentit, kanë dalë nga salla përpara votimit. Dhe dje ka patur protesta përpara Sobranies me thirrjet “Jo bullgarizimit” dhe “Nuk jemi një protektorat”. Kanë kaluar 18 vite që kur Shkupi ka bërë kërkesën për hyrjen. Vite zotimesh të mëdha e reformash. Në 2018 ka pranuar të ndryshojë emrin në Maqedoni të Veriut, për të shmangur njëjtësinë e emrit me krahinën e Maqedonisë që ndodhet në Greqi, për t’i dhënë fund një  sherri tridhjetëvjeçar me Athinën që kërcënonte veton (për të hapur bisedimet për hyrjen nevojitet njëzëshmëria e Shteteve antarë).

  Pastaj erdhi rradha e Bullgarisë, që ka hequr veton e saj në 24 qershorin e shkuar. Një ditë më parë në Bruksel në një takim të nivelit të lartë ndërmjet drejtuesve të BE e atyre të Ballkanit Perëndimor, kishte nxjerrë në pah zhgënjimin e atyre Vëndeve, që po presin prej vitesh të shikojnë të sendërtuar t’ardhmen e tyre në Bashkim. Kryeministri shqiptar Edi Rama kishte shpjeguar se ishte “peng” i Sofjes për arsye të politikës së saj të brëndëshme. E disa Vënde të ndryshme kanë qortuar Bullgarinë. Me përjashtim të ndonjë të papriture, të hënën ambasadorët pranë BE do të përshtasin kuadrin e bisedimeve e të martën do të zhvillohen konferencat ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Një gjë është e sigurtë, nëse BE nuk ndryshon mënyrën e marrjes së vendimeve, duke tejkaluar njëzëshmërinë, do të mbetet rob i vetove dhe egoizmave kombëtare.

“Corriere della Sera”, 16 korrik 2022   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

HISTORIA E SHKRUAR NGA PUTINI ME PËRÇMIMIN E SË VËRTETËS

July 14, 2022 by s p

Nga ERNESTO GALLI DELLA LOGGIA/

Me Putinin është pak si me Hitlerin. Si në mijë raste, duke filluar nga Mein Kampf (1925), Führeri nuk u lodh së thëni gjithë botës se kush ishte e se çfarë kishte ndër mënd të sajonte – por që në Perëndim shumë nuk e merrnin me seriozitet – në të njëjtën mënyrë në këta vite Putini është shkapërderdhur në dhjetra fjalime mbi projektet e tij të pandalëshme kombëtar-imperialistë, pa i kushtuar pothuaj asnjëri prej nesh shumë kujdes. Ndoshta sepse shumë prej atyre bisedave kishin të bënin me të shkuarën, ishin fjalime historike. Kishim harruar se në kohën tonë historia (përdorimi I saj) është mjeti më I parapëlqyer i diktatorëve për të pohuar këndvështrimin e tyre të botës e për të mbështetur prapësitë e tyre, veçanërisht për të ligjëruar synimet e tyre agresivë. Në fakt, duke lexuar sot pjesë të shumta t’atyre fjalimeve në një syzim të shkurtër të sapo botuar nga një historian I njohur sllavist francez, Nicolas Werth (Putini, kryetari I historianëve, Gallimard) kuptojmë se të gjitha llogaritë janë të sakta.

I bindur që nga fillimi i karierës së tij se “rezerva kryesore e fuqisë dhe e s’ardhmes së Rusisë qëndron në kujtesën e saj historike” dhe që “për të ringjallur njinjisinë tonë kombëtare, vetëdijen tonë kombëtare, duhet të rivendosim lidhjet ndërmjet epokave të ndryshme të së njëjtës histori mijëvjeçare, të pandërprerë, Putini i u kushtua në mënyrë pasionale risajimit të asaj historie me një përçmim të pakufizuar të së vërtetës.

Synimi i tij kryesor qe para së gjithsh të “çkomunistizonte” për të thënë përvojën sovjetike, duke e katandisur Tetorin në një aksident të historisë, një vepër simbas tij e një grushti kriminelësh pa asnjë lidhje të vërtetë me Vëndin e për më shumë përgjegjës mbi të gjitha të nënëshkrimit në 1918 të paqes së Brest-Litovskit me Gjermaninë gulielmine. Kështu “Vëndi i ynë u shpall i mundur nga një Vënd tjetër i cili vetë kishte humbur luftën! – pohon i zemëruar Putini – : një fakt i përveçëm në historinë e njerëzimit! Ishte rezultati i tradhëtisë t’atyre që atëherë qeverisnin Vëndin (…); territore të pafund, interesat jetike të Vëndit tonë janë shitur nën çmim për të plotësuar interesat e një grupi që dëshëronte vetëm të fuqizonte pozitën e tij të pushtetit”.

E pastruar nga komunizmi përvoja sovjetike është kështu e gatëshme të lidhet drejtpërsëdrejti me të shkuarën cariste, të ribojatisur me ngjyrat e madhështisë më të shkëlqyer. Është e vërtetë që në përvojën sovjetike spikat figura e rëndë e Stalinit, për shkak të të cilit “milionë qytetarë tanë kanë vuajtur”. Putini e pranon , por për të shtuar se “nuk duhet harruar se demonizimi i Stalinit është njëri ndër drejtuesit e sulmit të Perëndimit kundër Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik”. Është e qartë arsyeja përse përvoja sovjetike duhet shpëtuar me çfarëdo çmimi: sepse në brëndësinë e saj vendoset fitorja mbi nazizmin dhe një fitore e tillë thirret për të përbërë themelin historik të pakundërshtueshëm si të shtyrjes rishimperialiste të udhëheqjes putiniane, si të krenarisë kombëtaro-atdhetare ruse që Putini vetë synon t’a ushqejë në të gjitha mënyrat për të mbështetur atë shtyrje.

Besoj se nuk ekziston askund në botë një ngjarje historike e mbrojtur nga një blindim gjyqësor si ai që në Rusi, me dalzotësinë e despotit, mbron “Luftën e madhe atdhetare 1941-1945. Një luftë, që thotë ndërmjet të tjerave Werth, në doracakun e sotëm të historisë të rrethit të fundit të shkollave ruse, është paraqitur krejtësisht e shkëputur nga lufta e Dytë botërore në tërësinë e saj, pra as duke cekur sado pak për shëmbull luftën në ballin perëndimor, fitoren gjermane mbi Francën, betejën e Anglisë apo Pearl Harbor-in. Një nen i ligjeve përkujtesorë, të miratuar të nesërmen e pushtimit të Krimesë më 2014, parashikon deri në pesë vite burg (pesë vite!) secilit që, përveç vënies në dyshim të themelësisë së gjykimit të Gjykatës së Nurembergut, a) “ përhap lajme shkencërisht të rreme mbi veprimtarinë e BRSS gjatë luftës së Dytë botërore”; b) “përhap lajme haptas jo në respekt të datave të lavdisë ushtarake të kujtesës së Rusisë, që lidhen me mbrojtjen e atdheut, apo të përdhosë simbolet e lavdisë ushtarake ruse”. Nuk mjafton. Më 24 shkurtin e shkuar, menjëherë mbas sulmit mbi Ukrainën, u shtua një shtojcë e bishtit të kashtës – që ndalon shprehimisht “çfarëdo orvajtje të kryer në hapësirën publike, që synon të verë në të njëjtin rrafsh veprimet e Bashkimit Sovjetik dhe të Gjermanisë naziste gjatë luftës së Dytë botërore”. Mbas ligjeve kanë breshëruar dënimet: për shëmbull në ngarkim të atij që kishte guxuar të kujtonte paktin Hitler-Stalin të gushtit 1939, ose e kishte përcaktuar “kasap” gjeneralin Rudenko, që më parë se të ishte prokuror sovjetik në gjyqin e Nurembergut, kishte qënë antar i gjykatave të jashtzakonëshme që, në vitet e Terrorit të Madh stalinian kishin dërguar në vdekje mijra të pafajshëm.

Siç është e lehtë të përfytyrohet, Ukraina përbën një objekt të zgjedhur të Putinit historik, pikëpamja e të cilit është përmbledhur në një tekst të gjatë të vitit 2021, i cili që nga titulli thotë gjithshka: “Rreth bashkimit historik të rusëve me ukrainasit”. Këta të fundit përshkruhen si një popull sllav, të cilin mësyemja mongole e shekullit Xiii i shtyu drejt perëndimit, duke i dorëzuar ndikimit të Polonisë dhe katoliçizmit, ndërsa rusët themelonin Moskën, e paracaktuar në sajë të Pjetrit të Madh dhe pasuesve të tij, të bëhej “qëndra përbashkuese” e gjithë sllavizmit. Pra Ukraina si madhësi e pavarur nuk ka qënë kurrë, ka qënë një shpikje e “politikës bolshevike të kombësive në kurriz të Rusisë historike” dhe e lënë në vetvete ka shfaqur një prirje të fshehtë të kalojë nga ana tjetër: me polakët, katolikët, suedezët, nazistët. Mbi karakterin e “çnazifikimit” të Vëndit Putini deri tani nuk është shprehur në publik. Ka parapëlqyer të lerë të flasin ideologët e tij si ky Timofei Sergeizev, për të cilin me të drejtë Werth e quan të dobishme të sjellë qëllimet e tij rrënqethëse: “Çnazifikimi qëndron në një tërësi masash kundrejt masës naziste të popullsisë që, për arsye teknike, nuk mund të jetë e përndjekur drejtpërsëdrejti për krime lufte (…); është e nevojshme të vazhdohet një pastrim i përgjithshëm (…); përveç drejtuesve më të lartë duhet të quhet njëlloj fajtore një pjesë e rëndësishme e masave popullore, përgjegjëse për nazizëm pasiv, për bashkëpunim me nazizmin (…). Koha e çnazifikimit nuk mund të jetë në asnjë rast më e pakët se sa një brez njerëzor. (…) Çnazifikimi do të jetë pashmanshmërisht një çukrainizim (…) Çnazifikimi i Ukrainës do të thotë edhe çevropianizimin e saj të pashmangëshëm”.

Ka ende ndonjë që n’emër të “paqes” synon t’i mohojë armët atyre që prej muajsh po maten me kriminelë të tillë?

“Corriere della Sera”, 8 korrik 2022 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Emigracion Tagged With: Eugjen Merlika

MISIONI I SHKRIMTARIT

July 12, 2022 by s p

(Duke lexuar librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumbit)

Nga EUGJEN MERLIKA

“ Zoti asht i madh. I kjoshim falë atij të lumit që ka krijue vdekjen, se përndryshe njerëzit do t’kishin me kenë gjithmonë skllav të tiranve. Edhe kta do t’desin nji ditë e ti duhet të jetojsh vetëm sa me tregue. Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue. A e kupton ç’ka due me t’thanë? Mbaruen të tjerët, mbarojmë na, mbaron dhe ti: të gjithë shkojnë si qeni në rrush po nuk kje dikush me kallzue se si kje puna. Kush të teprojë le të kallzojë!”

Këto fjalë profetike të meshtarit të vjetër At Marin Sirdanit, drejtuar autorit, atëhere ende djalë i ri e i pashuguruar si prift, përbëjnë lejt-motivin e veprës së At Zef Pllumbit. Ishte një porosi me vlerë, një nga ata amanete “që nuk i tret dheu”, që ve në lëvizje gjithë energjitë, përkushtimin, motivimin shpirtëror, moral e mendësor të një njeriu të letrave, që synon t’i shërbejë tërësisht një qëllimi të shenjtë, shpalosjes të së vërtetës. Në vetëdijen e autorit ai amanet bëhet besim, ideal, ëndërr, kuptim jete; e shoqëron çdo orë, çdo ditë, çdo muaj, dhjetëvjeçarë me rradhë, në një rrugë të gjatë, të vështirë, gjithmonë në të përpjetë, që është jeta e shkrimtarit. Ai amanet i jep forcë, vullnet, qëndueshmëri, për të sfiduar sfinksin, për të mbijetuar në një xhungël ku sundojnë egërsirat, ku çdo ditë rrezikohet të gjymtohet, të humbë, të asgjësohet. Ai amanet kthehet në një dritë të fuqishme që ndriçon çdo qelizë të kujtesës së pazakontë, për të hedhur në letër gjithë bagazhin jetësor të një përvoje vetiake e të përgjithëshme, që përbën shtyllën kurrizore të veprës që sendërtohet e merr formën e librit të kujtimeve, duke hyrë, mendoj un, me dinjitet në fondin e letrave shqipe.

”28 nandor 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë,ndoshta me zymta që prej shpalljes së pavarësisë” është një fjali në fillim të veprës, është penelata e parë që paralajmëron koloritin e saj. Zymtia përshkon gjithë faqet e librit, duke pasqyruar atmosferën në të cilën hynte një komb i tërë, pas një tragjedije që nuk kurseu askënd në kontinentin e vjetër. Por në Vendin e autorit tragjedia do të kishte përmasa makabre, para të cilave dhe bota shekspiriane do të dukej e zbehtë. Autori është një misionar e misioni i tij është shumëplanesh. Si shkrimtar duhet të paraqesë me art   epokën e trazuar së cilës i përket, si famullitar, pjestar i  bashkësisë së klerit katolik duhet të marrë në mbrojtje arsyet e tij, si i përndjekur politik i regjimit duhet të dëshmojë dramën e asaj pjese të popullsisë që “koha e re” i vuri në qafë një zgjedhë. Si i tillë, por edhe si njeri, si qytetar, ai rrjeshtohet në anën e të mundurve, të viktimave, të atyre që e pësojnë historinë, por me vetëdijen e plotë se duhet të pasqyrojë të vërtetën, vetëm të vërtetën. Eshtë kjo një nga meritat kryesore të kujtimeve të At Zef Pllumbit, të qëndruarit besnik ngjarjeve në pasqyrimin e tyre, ashtu siç kanë ndodhur, me dritat e me hijet.

Merr tepër rëndësi ky fakt, po të kemi parasysh se bën fjalë për pasqyrimin e një epoke në të cilën e vërteta është dhunuar katërcipërisht, në të gjitha shfaqjet e saj, për një gjysëm qindvjete, duke ju servirur për së prapthi një populli të tërë. Dita e çlirimit u hymnizua në të gjitha format, u bë motiv zotëronjës kudo, në artet, letërsinë, shkencat historike e shoqërore. U paraqit gjithmonë në simbiozë  me fitoren e Evropës kundër diktaturave, u quajt prej shumicës si pika kulmore në historinë tonë të shekullit të kaluar. Në fakt ajo ditë solli në fron një regjim që u mbështet mbi mashtrimin e dhunën e që, për fat të keq, në sajë të jetëgjatësisë, mundi të futë tentakulat e tij në indet e segmenteve të ndryshme të shoqërisë duke krijuar tabu të rreme në mendësitë e vetëdijen e një pjese të dy brezave shqiptarësh.

Ndërsa për At Zefin “ Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma. Njerzit e dijtun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerzit e paditun kishin në dorë gjithshka; ate që nuk dihej” Nëpërmjet episodeve të ndryshme përshkruhen bëmat e partizanëve, në të cilat ai merr pjesë në vetë të parë. Objektiviteti në vlerësimin dhe paraqitjen e personave dhe ngjarjeve është i dukshëm: për tregues mund të përmenden bisedat me Shefqet Peçin apo me Mehmet Shehun, episodi i rojeve të burgut Dhimitër e Tomorr, gjyqi kundër klerit katolik, bisedimet për Statutin e Kishës etj. Autori i ka vënë detyrë vetes të dëshmojë gjithë përvojën e tij. Ai mbetet në qendër e rreth tij vërtiten ngjarje e persona të cilët, për mirë apo për keq, lidhen me të. Vështrimi i shkrimtarit është shumë i gjërë, kap një kënd prej 360°, gjithshka që rrezaton jeta materiale, shpirtërore, intelektuale e mjedisit në të cilin ndodhet, doket, zakonet, filozofinë, historinë, politikën, kulturën e popullit të tij.

Kujtimet e autorit rrokin një shtrirje kohore të gjatë, i ngjajnë një Sage të gjithë periudhës së komunizmit, që nga lindja deri në shëmbjen e tij. Pjesa më e madhe e tyre i përket burgjeve e kampeve të punës. Kjo, jo vetëm për faktin se jeta e autorit, për forcë madhore, kaloi më shumë në to, por dhe për një farë nënteksti filozofik të një realiteti të zotëruar nga një diktaturë, që gjente shprehjen e saj ideale pikërisht në ata kampe e burgje. Nëpërmjet personazheve të vërteta, të hasur në këto mjedise, personazhe që drejt për së drejti apo tërthorazi kanë bërë historinë e kohës së tyre, nëpërmjet historive të jetëve të tyre ravijëzohet një Vend i cili është shndrruar në një burg të madh. Në të secili e sheh me dyshim lindjen e ditës, mbasi nuk e di se ç’do të ndodhë me të deri në mbrëmje, kufiri mes “tanëve” e “armiqve” pothuajse është zhdukur mbasi, sa hap e mbyll sytë, ish luftëtarët, drejtuesit e Partisë, gjeneralët, shkrimtarët përfundojnë në qeli nga ku vazhdojnë t’i besojnë përrallës së komunizmit.

Përshkrimi i atyre burgjeve, në të gjithë vërtetësinë rrënqethëse të tyre, është ndihmesa më e madhe që autori i ep shqiptarëve e historisë së tyre. Ato copëza jete të mnerëshme të ngulura në vepër dëshmojnë se deri ku arriti krimi i organizuar në formën e Shtetit e do të vlejnë për të ardhmen, kur Shqipëria të jetë bërë një Vend normal e kur Historia do të shkruhet në termat e saj të vërteta. Ato dëshmi do të hedhin dritë mbi një realitet për të cilin, fatkeqësisht, në Shqipëri e më shumë në Evropë, shfaqet prirja për t’a zvogëluar, për t’a harruar, për t’a fshirë nga kujtesa. Autori është i vetëdijshëm për këtë, duke patur parasysh se kjo mundësi bie ndesh me amanetin që ka marrë në të rit e vet: me tregue. Ai nuk ndalet, vazhdon të kujtojë e të tregojë, i bindur se jo gjithmonë tregimi i tij do të bjerë në vesh të shurdhër.

Por një qëllim ka për zemër autori e që lidhet me misionin e tij si shërbyes i Krishtit. Ai don të paraqesë në dritën e së vërtetës Kishën e tij, këtë institucion që ishte nga më të luftuarit, mbi të cilin ranë “rrufetë e Zeusit” në mënyrë të posaçme, të pandara, me ashpërsinë më të madhe, deri në paradokse. Përse komunizmi shqiptar u tregua kaqë gjaksor me fenë në përgjithësi e me atë katoliken në veçanti? Sepse, siç e thashë më sipër, ishte një sistem që themelin e kishte mbi mashtrimin e dhunën, dukuri që çdo besim, në veçanti ai i krishteri, i quajnë të papranueshme e i luftojnë me të gjitha mjetet. Që të ngrihej godina duhej pastruar themeli nga morali, duhej vënë atje imoraliteti, duhej asgjësuar kushdo që i kundërvihej këtij të fundit. Kisha katolike shqiptare nuk pranoi të bëhej krah i regjimit, nuk pranoi të ligjësonte krimin, nuk pranoi të shkëpuste lidhjet e saj shekullore me Vatikanin. Ja pra arsyeja e barbarizmit të pashembullt që u martirizua më shumë se çdo simotër e saj, që u kërcënua me shuarjen e plotë si asnjë tjetër.

Ç’përfaqësonte Kisha katolike për Shqipërinë e popullin shqiptar? Pa dyshim ka qenë një nga pjesët më cilësore të superstrukturës së këtij Vendi. Tradicionalisht një nga tempujt më të fuqishëm të kulturës sonë, dha një ndihmesë themelore në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve, pati merita të jashzakonshme në kultivimin në popull të dashurisë për Atdheun, gjuhën e historinë e tij, pati rol përcaktues gjatë pushtimit otoman në ruajtjen e identitetit kombëtar, i dha Shqipërisë një thesar të paçmuar në fushat e ndryshme të kulturës. Përfaqësuesit më në zë të saj, në qindvjetorin që lamë pas, si Dom Nikoll Kaçorri, At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Imzot Luigj Bumçi, At Anton Harapi etj. ishin korifej shqiptarizmi e Baballarë Kombi.

Këto të vërteta, të mohuara për një kohë të gjatë nga regjimi e veglat e tij në të gjitha nivelet, autori i shpalos me mjeshtëri nëpërmjet portretizimit të figurave, ndërhyrjeve filozofike, bisedave politike, kujtesës historike, episodeve që trajtojnë arkivin apo bibliotekën. Në sytë e lexuesit prakalojnë, në dritën e së vërtetës, eprorët apo kolegët, martirë të fesë  e të kombit, secili me personalitetin e tij. Ato hyjnë lehtë në mëndjen e tij e mbeten gjatë. Aftësia  e autorit në portretizimin e personazheve më duket se është me të vërtetë spikatëse. Më duket me vënd të sjell këtu një pjesëz nga gjyqi i madh në redaksinë e Hyllit të Dritës. Flet At Mati Prendushi që, në krahasim me gjykatësit e tij, më duket si Guliveri me Liliputët:

“ Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër huj e na kanë varë në konop ata që nuk deshtën as fenë, as kombin, por e kemi thirrë vedin gjithmonë katolikë shqiptarë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë e si në paqe: në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njani na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jena da kurr prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë ate kulturë që ka Evropa e mos me u dallue për keq prej të tjervet. Na kemi hapë shkolla shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli shqiptar të ecin në rrugën e Zotit…”

Fjalë lapidare, të gdhendura në mermerin e ndërgjegjes së kombit, që pohojnë një të vërtetë të mohuar, të njollosur, të kthyer përmbys nga një bandë kriminelësh të institucionalizuar në krye të Shtetit, për fatin e keq të Shqipërisë. Këtë të vërtetë rivendos në mendjet e lexuesve me mjeshtri At Zef Pllumbi, duke ja arritur plotësisht qëllimit të tij. Figurat e At Anton Harapit, At Gjon Shllakut, Dom Alfons Trackit, At Pal Dodajt, At Ciril Camit, At Mati Prendushit, At Donat Kurtit e sa e sa meshtarëve të tjerë mbeten në kujtesën e lexuesit, në thjeshtësinë e njëherësh në shkëlqimin e tyre si shërbyes të kishës së Krishtit, si njerëz, si shqiptarë.

Portretizimi është i efektshëm dhe në vizatimin e figurave të tjera, të atyre që në këtë sagë kujtimesh gjysëm shekullore, bëjnë pjesë në viktimat apo në fitimtarët. Është mjaft goditës portretizimi i veglave të diktaturës, të atyre “heronjve të heshtur” ose jo, që penda të tjera të fuqishme të letrave shqipe, për dhjetëvjeçarë të tërë i hymnizuan, i veshën me lavdi edhe se përfaqësonin krimin, dhunën, imoralitetin.

“ Shikjo Dul, këta janë dokumenta tepër të randsishme për historinë e Shqipnisë, prandej tregoni kujdes të veçantë për ta!

-Mos u ban marak P. Marin, se këto paçavure ne nuk na vlejnë fare: historinë e shkruejmë neve!”

Thuhet se një përgjigje të përafërt dha dhe Hitleri kur dikush pati guximin t’i kujtojë krimet e ushtrive të tij dhe historinë. Dul Rrjolli ishte një partizan i thjeshtë i paditur, por mendësia që shprehin fjalët e tij është ajo e arrogancës së pjesës më ekstremiste të komunistëve shqiptarë që arritën të mbizotëronin e të merrnin pushtetin, me të gjitha pasojat që pësoi Shqipëria. 

Ka një tjetër shtysë të fuqishme në misionin e tij shkrimtari e kjo është dashuria për popullin e vet dhe Vendin e të parëve. Është një ndjenjë e fuqishme, e përzjerë me krenarinë e dhimbjen, por që në ndonjë rast shpërthen në një zemëratë që na kujton shprehjen e Çernishevskit  për rusët:   “Komb skllevërish, fund e majë të gjithë skllevër!”

“ Shka kishte me thanë bota kur të shofin se gjithë jeta e këtij populli paskësh kalue tue u shkrrye barkas rrshanë, pa mujtë kurrë me u çue në kambë?” shfryn ai në një çast dëshpërimi, kur sheh se objektet e kultit, vendet ku populli i tij ishte falë në qindvjetorë të gjatë, që i kishin qëndrue stuhinave të kohëve, tani shëmbeshin nga turma të pandërgjegjëshme, të infektuara nga frika e padija. E sheh këtë çast si humnerën më të thellë, në të cilën janë zhytur bashkatdhetarët e tij. E din mirë se ringjallja do të jetë tepër e vështirë e duhet të kalojë nëpërmjet një prove të madhe dashurije. Ai mundohet t’a kalojë këtë provë çdo ditë të ferrit të tij të dhimshëm, në marredhëniet me bashkëvuajtësit, sidomos me ata që, deri pak kohë më parë, bënin pjesë në turmën e xhelatëve të tij. Bën pjesë dhe kjo në misionin e shkrimtarit, veç atij të famulltarit, sepse arti në genet e tij ka predikimin e dashurisë ndërmjet njerëzvet, brezave, popujve, dashurisë që ndërton familjen, shoqërinë, Kombin. Sa larg misionit të tyre ishin ata shkrimtarë që, në gjithë veprën e tyre, hymnizuan “luftën e klasave”, “ urrejtjen klasore” mes pjestarëve të një populli, të një kombi, mes folësve të një gjuhe, që evokuan “armët e zbrazura për t’uruarin komunizëm” e bëmat e tij “heroike”…

Nga lartësia e misionit të tij, i vetëdijshëm për peshën e rëndë që ka marrë mbi supe, me modestinë e artistit e të fetarit, autori i drejtohet lexuesit bashkëkohës të tij, por dhe atij të kohëve të mëpastajme, me një kërkesë sa të thjeshtë aqë dhe të ndërlikuar:

“Ngjarjet që tregohen ktu janë tepër të vështira me u shkrue, prandej autori u kërkon të falun mbasi nuk asht shkrimtar, dhe me dashamirsi ju këshillon qi të reflektoni shumë mbi këto ngjarje dhe të kërkoni shkakun e vërtetë se pse ndodhën ato…Pse?”

Pyetja e autorit  del nga përmasat e veprës së tij e godet fort ndërgjegjen e një shoqërie që bart në vetvete krimin e pandëshkuar e që është shoqëria shqiptare. Por ajo shkon dhe më tej, i kalon kufijtë e brishtë të truallit të ngjarjeve e i drejtohet botës së madhe, ku një kulturë e tërë e ashtuquajtur “progresiste” mbetet indiferente kundrejt tyre, duke vënë theksin gjithmonë vetëm mbi një lloj tjetër krimi, atë nazifashist. Teoria e dy peshave e  dy masave, që kushtëzoi për gati gjysëm shekulli çdo hap të jetës së shqiptarëve, në Evropën demokratike vazhdon të paragjykojë ndërpretimin dhe analizën e historisë së tyre. Nuk është e rastit dhe heshtja e kësaj të fundit në lidhje me kundërvënien ndërmjet Shtetit shqiptar dhe të përndjekurve politikë të komunizmit që kërkojnë dëmshpërblimin për vitet e punës së papaguar në kampet e punës së detyruar.

Misioni i autorit është tepër fisnik e i lëvdueshëm. Do t’ishte në dobi jo vetëm të së vërtetës, por dhe të ripërtëritjes shpirtërore të shqiptarëve, të përqafohej nga një numur më i madh shërbyesish të artit. Këto lloj shkrimesh do të vlenin shumë, sidomos për të rijtë, që të kenë mundësi të krijojnë përfytyrimin e saktë se në ç’absurditet të llahtarshëm jetuan prindët e gjyshët e tyre, cila qe përgjegjësia, ku u shfaq forca apo dobësia e tyre. 

Meritat letrare e artistike të veprës më duket se janë të bollshme, aftësia përgjithësuese e madhe, gjuha e stili të rrjedhshëm, galeria e personazheve dhe e mjediseve e larmishme, pasqyrimi i së vërtetës jetësore i saktë. U mundova të paraqes përshtypjet mbi vlerat kryesore të mesazhit që buron nga libri “Rrno vetëm për me tregue”. Aspekte të ndryshme mund të analizoheshin shumë më gjërë e besoj se do të jenë objekt i kritikës më cilësore.

Si lexues e quaj të udhës të shpreh vlerësimin, mirënjohjen dhe respektin e thellë për personalitetin e autorit që do t’a quaja pa mëdyshje një Sollzhenicin shqiptar.

                                                                                                                Qershor 2003

Marrë nga vëllimi “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011                                                                                        

Filed Under: LETERSI Tagged With: Eugjen Merlika

LAJMËRIMET E KISSINGERIT UKRAINËS. KUR DUHET BISEDUAR ARMËPUSHIMI? DHJETË MUAJ VENDIMTARË PËR PUTININ

July 11, 2022 by s p

Nga FEDERICO FUBINI/

Dy herë Henry Kissinger ka thënë diçka që është dukur jashtë boshtit kundrejt vijës së G7 për Ukrainën. Më shumë se një muaj më parë në Davos ish sekretari I Shtetit amerikan, tashmë gati njëqindvjeçar, ka vërejtur se bisedimet për paqe do të duhej të fillonin brënda fundit të korrikut “më parë se të krijohen kryengritje dhe tensione që mund të bëheshin të papërballueshme”. Kissinger ka shtuar më pas një fjali që duket si një ftesë Kievit për të hequr dorë nga Krimea dhe pseudo-republikat e Donjeckut e të Luganskut: “Idealisht gjëndja do të duhej të kthehej në status quo ante (më 24 dhjetor (shën. i dr.). Besoj se vazhdimi I luftës përtej asaj pike do t’a shndërronte në një luftë jo për lirinë e Ukrainës, por kundër Rusisë”. Gari Kasparov, kundërshtari I madh rus, I është përgjigjur se ajo ide është treguar e gabuar: t’I lëshohen territore Kremlinit “nuk është e përkrahëshme, sepse me kohë diktatorët kanë nevojë për luftë”. Në të vërtetë lënia e Krimesë më 2014 veçse ka shtuar etjen e agresionit të Vladimir Putinit.

Megjithatë javën e shkuar Kissingeri u këthye në temën me Luigi Ippolito në Corriere. Duhet thyer mësyemja e Ukrainës, tha, “jo Rusia si Shtet” dhe duhet “kthyer në rrugën historike për të cilën Rusia është pjesë e sistemit evropian”. Dhe ka vazhduar: “Kemi arritur në një çast në të cilin duhet përballuar çështja e fundit të luftës në termat e synimeve politike po aq sa edhe ushtarake. Nuk mund të vazhdohet thjesht të luftohet pa patur një synim”. 

Çfarë donte të thonte Kissingeri? Pa dyshim sheh edhe ai vështirësitë në të cilat ndodhet Ukraina në përplasjen. Ushtria ruse është kthyer në taktikën cariste  të tokës së djegur me artileri e vetëm më pas të përparohet me këmbësori; Lugansku është marrë dhe tani po depërton thellësisht në Donjeck. Është e mundur që ukrainasit të orvaten në një kundërsulm në Jugë me hedhësit e raketave t’arritura nga Shtetet e Bashkuara. Ndërkaq, sulmet ajrore ruse, nga dyzet deri në pesëdhjetë në ditë, shkatërrojnë sasi të mëdha të armëve të dhëna nga perëndimorët dhe i shkaktojnë humbje ushtrisë së Kievit: simbas disa përllogaritjeve, deri në 40 % të ushtarëve ukrainas janë vrarë apo nuk janë në gjëndje të luftojnë (të tjerë qindra mijra njerëz në trupat e rendit publik kanë nevojë për stërvitje që të shkojnë në luftë).

Putini ka kryer gabime trashanike në dimër por asnjëri nga veprimet e tanishme, fatkeqësisht, nuk duket i rastit. Raketat mbi mbitregjet ose mbi pallatet e Kievit, të Kramatorskut apo të Odesës i shërbejnë terrorizimit të civilëve, por edhe ngritjes së çmimit psikologjik e (sigurues) për qeveritë dhe ndërmarrjet perëndimore që premtojnë të rindërtojnë Ukrainën. Rusifikimi i territoreve të pushtuara i paraprin një orvajtjeje bashkëngjitjeje me një vlerë ligjore të mbrapshtë: për Moskën, çdo kundërsulm në Donbas do të kthehej n’atë pikë në një sulm të territorit të vetë  Rusisë, e si i tillë do të ngrinte çështjen e doktrinës së frikësimit bërthamor.

Edhe Kremlini po paguan një çmim të lartë, natyrisht: disa pasoja të sanksioneve perëndimore fillojnë të bëhen të dukëshme. Prodhimi i automobilëve në Rusi ka rënë me 97%, huatë e bankave ruse me 27 %. Por ndoshta çasti i katastrofës ekonomike ruse nuk do të jetë nesër. Një veteran i industrisë së naftës të Moskës, së fundi i ikur jashtë, Sergei Vakulenko, i ka shpjeguar Corriere-s se koha është faktori thelbësornë luftën ekonomike mes Rusisë dhe Evropës. Në periudhën e shkurtër logjika e Putinit çon në pakësimin skajor të furnizimeve me gaz të evropianëve, në mënyrë që të shkaktojë inflaksion, racionim në dimër, pra armiqësi të opinioneve publike kundrejt politikanëve nëse këta të fundit mbështesin Ukrainën. Nuk është e rastit që qeveria franceze ka paraqitur një projekt-ligj që i lejon shtetëzimin e çentraleve me gaz  në rast piskame. Në të njëjtin skenar, në Berlin zhvarroset një normë e viti 1960, për t’i lejuar qeverisë të marrë kontrollin e gjithë industrisë kombëtare e të vendosë se cilët sektorë duhet të ngadalësojnë apo të ndalojnë. Çështja se si do të përballohen kriza të mundëshme të furnizimit në muajt e ardhshëm do të vihet edhe n’Itali.

Vetëm në rrethin e një apo dy viteve raporti i forcave do të përmbyset. Evropa do të zëvendësojë gazin rus. Dhe mungesa e përbërësve industrialë, e vendosur nga sanksionet, do të bëjë që koha të fillojë të luajë kundër Moskës, duke i sjellë dëme serioze sistemit të saj prodhues. Rrëshqitja e rërës në klesidrën luan për Putinin në nëntë apo dhjetë muajt e ardhshëm, mbrapa kundër tij. Në këto kushte qeveritë evropiane duhet t’i përgjigjen pyetjes më të pavolitëshme sot: a me të vërtetë mendojnë se vetëm Volodimir Zelenski ka të drejtë  të përballojë çështjen se kur dhe si do të ndiqet armëpushimi? Mario Draghi pak ditë më parë e ka përmbledhur kështu qëndrimin e G7: “Nëse do të ketë një gatishmëri për bisedime, jemi gati”. Duket e qartë se do të jetë shumë e vështirë të rimerren territoret tashmë të përfunduara nën kontrollin rus e të kihet iluzioni për t’i marrë, tani, mund të sillte tjetër gjak. Duket po aq e qartë se të njihet sot pushtimi nuk do bëjë tjetër veçse t’i japë kohë e arsye Putinit për të përgatitur  të tjera agresione nesër. Ndërmjet këtyre dy pohimeve, vështirësisht të rrëzueshëm, por të papajtueshëm, përvijohet misioni më i ashpër për evropianët në muajt e vitet e ardhëshme: të mbahet shtrënguar zbatimi i sanksioneve, të veçohet Rusia deri sa t’i bëhet i papërballueshëm çmimi i zgjedhjeve të saj. Megjithatë dëshira për t’u kthyer në bussines as usual është përtej qoshes: Draghi është i vetmi udhëheqës evropian që ka thënë se Vëndi i tij nuk do të blejë më energji ruse, deri sa Putini të qëndrojë në Kremlin.

“Corriere della Sera” 6 korrik 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Komente Tagged With: Eugjen Merlika

KODORKOVSKI: “ME PUTININ TË GJALLË NUK KA PAQE. TË BISEDOHET NUK KA KUPTIM”

July 9, 2022 by s p

Nga ANDREA NICASTRO/

KIEV – Mihail Kodorkovski mendon më të keqen e mundëshme për Vladimir Putinin dhe është e lehtë të kuptohet përse.  Më 2003 ishte njeriu më i pasur i Rusisë dhe Putini, atëherë president, e shkatërroi me një sërë dënimesh për mashtrim, mos pagim taksash, qarkullim parash të pista. Kodorkovski përfundoi dhjetë vite në burg e pastaj në mërgim. Duke shtrydhur atë, Putini i dha shëmbullin të gjithë  pasanikëve të tjerë mbas sovjetikë: kush e ngre kokën e humb atë. Në Londër që nga viti 2015 ish oligarku rus mbetet kundërshtari rus më me ndikim, kontaktet e tij e njohja e mekanizmave të brëndëshme të Kremlinit e kanë kthyer në një nga analistët më të ndritur të putinizmit. 

Kodorkovski, kur do të mbarojë kjo luftë?

“Kur Putini të ketë arritur përfitimin më të madh që fuqia e tij i premton ose kur të fillojë të humbasë si pasojë e fuqisë që e kundërshton”.

E nëse, në sajë të armëve perëndimore, Ukraina do t’a zbrapste mësymjen?

“Putini do t’a bindëte popullin e tij se sidoqoftë ai ka fituar”.

A është e mundur? 

“Opinioni publik rus, si shumë të tjerë, e ka kujtesën të shkurtër. Synimi i shpallur nga Kremlini, në fillim ishte ndryshimi i regjimit në Kiev. Tashmë është bërë Donbasi. E të gjithë në Rusi i besojnë. Të ndryshojë përsëri shpjegimi nuk do t’ishte problem.”

Propagandë apo jo, sidoqoftë a do të vijë paqja?

“Deri sa Putini të jetë i gjallë, jo. Kufiri i 2500 kilometrave do të jetë gjithmonë i nxehtë, siç ishte muri i Berlinit. Nëse Putini do të pranonte një armëpushim, do të shpërthente një tjetër luftë sa më shpejt. Vëndet Balltike dhe Polonia janë synimet e tij të ardhshëm. Prandaj duhet përmbajtur me forcë. Bisedimet nuk kanë kuptim.”

Një rrymë mendimi e mishëruar nga Kisinxheri  nuk është n’atë mëndje.

“Kisinxheri dhe njerëzit e tij nuk e kuptojnë se me kë kanë të bëjnë: Putini nuk është një politikan, është një kriminel që ka shkrirë fatin e tij me atë të Shtetit.”

Pastaj?

“Nga e shkuara e tij në Kgb, shërbimi i fshehtë, Putini ka ruajtur përçmimin për jetën njerëzore. Për të qytetarët janë vetëm vegla të Shtetit. Ndërsa nga psikologjia e tij kriminale rrjedh se do të ndalohet vetëm kur të kuptojë se ka para vetes ndonjë më të fuqishëm se ai”.

Duke arsyetuar kështu mbërrihet në përballimin bërthamor.

“Atomikja do të ishte më shumë një problem se sa një dobi për Putinin. Gjeneralët rusë nuk duan të proçedohen për kriminelë lufte, NATO do të mund të përgjigjej duke vënë në shënjestër pikërisht Putinin dhe, mbi të gjitha, asnjë “i marrë i dobishëm” në botë nuk do t’a mbronte më. Putini ka frikë të shpallë mobilizimin e përgjithshëm për të mos gjindur popullin kundër. Merret me mënd sa don të përdorë bombën atomike”.

A keni njoftime mbi sëmundjen e carit?

“Zëra. Edhe sikur t’ishte, nuk më ngushullon. E dij se lufta do të shkojë gjatë. Vetëm një thyerje ushtarake mund t’a shkarkojë. Kështu ka qënë gjithmonë në historinë ruse”.   

A pritej kaqë vështirësi për të mbizotëruar në Ukrainë nga ana e “fuqisë së dytë ushtarake në botë”?

“Duke përjashtuar arsenalin bërthamor, Rusia nuk është aq e fuqishme. Dhe po e vërteton. Shtetet e Bashkuara dhe Kina po e kuptojnë me qetësi. Rezervat janë ende të pakufishme, mund të fitojë mbi Ukrainën, por ka treguar se “putinizmi” nuk funksionon. Rrethi i tij i tregon atë që ai don të shohë e ndërkaq vjedh ç’është e mundur, si ai nga ana tjetër. Është naive të presësh efektshmëri nga këta njerëz.”

Juve deshët t’i shisni naftë Kinës. Tani e bën Kremlini për t’i ikur sanksioneve perëndimore.

“N’atë çast, teknologjia ruse ishte më e pëparuar se sa ajo kineze. Për Moskën do të kishte qënë një dobi strategjike. Sot nuk është më kështu. Putini i flet Kinës me kësulë në dorë. E do të shkojë gjithënjë e më keq. Për çsstin sanksionet perëndimore kanë kufizuar ndikimin e agjentëve të Putinit mbi politikën perëndimore, por nuk kanë plagosur ende ekonominë ruse. Ndërsa në afatet e mesme, do të pengojnë rritjen teknologjike e do të gjymtojnë pritmëritë e Vëndit”.

Bllokimi i  mallrave i detyruar nga Lituania në enklavën e Kaliningradit, a mund t’a shtynte Putinin të zgjeronte luftën?

“Nuk e shoh të fillojë një mësymje tjetër, por mendoj se do të verë në provë NATO-n. Nëse NATO nuk do të kundërveprojë do të jetë fillimi i fundit për Aleancën. Pa siguri përgjigjeje NATO-ja nuk ka kuptim”.

Si është e mundur që të gjithë oligarkët ukrainas i kanë qëndruar besnikë Zelenskit?

Është një zgjedhje aq ndjenjësore po aq sa dhe pragmatike. Të jesh i pasur dhe kozmopolit nuk  do të thotë të mos jesh i lidhur me Vëndin tënd. Pastaj, afaristët ukrainas kanë frikë se, pavarësisht nga ajo që u premton Putini sot ai, në çdo çast, mund t’u a xhvasë ndërmarrjet, siç ndodhi me mua. Kanë më shumë mundësi të bëjnë biznes në një Ukrainë të pavarur”.

“Corriere della Sera”, 29 qershor 2022   Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT