• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBROJTJA EVROPIANE DHE BOTA E DJESHME

September 16, 2021 by s p

Nga DANILO TAINO

Sa gjasë ka që Bashkimi Evropian do t’arrijë të na japë një politikë serioze të përbashkët të Mbrojtjes? Atë autonomi strategjike për të cilën flet Emmanuel Macron e që nga pak të gjithë e quajnë të domosdoshme? Mbas tërheqjes tronditëse të Joe Biden-it nga Afganistani, çështja ka brofur në krye të përparësive politike evropiane, sëpaku për çastin. Vështirësitë për të krijuar një Mbrojtje të përbashkët  janë të shumta e të rrënjosura. Është njëra shpesh e nënvleftësuar: shumica e qytetarëve evropianë nuk don t’i a dijë. Të rritur në paqe e në demokraci, të mbrojtur nga shqyti i NATO-s, më së shumti amerikan, duket se nuk kanë kuptuar se bota ka ndryshuar, është bërë më e rrezikëshme. Që është kthyer shemëria agresive  mes fuqive, e ngjajshme me atë të gjysmës së parë të Nëntëqindit, akoma më komplekse se ajo ndërmjet SHBA dhe BRSS gjatë luftës së ftohtë.

Një hulumtim serioz të opinionit më të fundit mbi qëndrimin e evropianëve sa i përket Mbrojtjes e ka kryer Pew Research Center në fillim të vitit 2020. Në përgjithësi kishte rënë besimi në NATO-n, më të shumtën për shkak të politikës së America First të Donald Trump-it: për shembull nga 60 në 49 % në Francë, nga 67 në 57 % në Gjermani nga 2017 në 2019 (ndërsa n’Itali ishte shtuar me 3 %, 60 % në të njëjtën periudhë). Por ajo që është interesante për të kuptuar nëse opinionet publikë evropianë janë të gatshëm  për të marrë përsipër Mbrojtjen është e dhëna që ka të bëjë me Nenin Pesë të NATO-s, simbas të cilit antarët e konsiderojnë sulmin kundër një Vendi t’aleancës si sulm kundër vetë atyre, pra duhet të ndërhyjnë në anën e tij. Pyetjes nëse Vëndi tyre do të duhej të mbronte një aleat të NATO-s të sulmuar ushtarakisht nga Rusia, 66 % të italianëve i përgjigjej jo. Përgjigje johenike edhe nga 60 % e gjermanëve, nga 53 % e francezëve, nga 56 % e spanjollëve. Të vetmit evropianë, në shumicë në dobi të ndërhyrjes, ishin hollandezët, britanikët dhe lituanët. Por pelivançe 75 % e italianëve mendonin se në rastin e një sulmi rus Shtetet e Bashkuara do të kishin ndërhyrë. I njëjti mendim për 72 % të spanjollëve, 63 % të gjermanëve, 57 % të francezëve. Mundet që rasti i Afganistanit të sqarojë pak realitetin. Por përshtypja është që shumica e evropianëve kujton se jeton ende në botën e djeshme. E kuptueshme. Për fat të keq nuk është kështu.

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021  Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europa

11 SHTATORI : SHENJAT E TEPOSHTES AMERIKANE

September 16, 2021 by s p

Nga ANTONIO POLITO

Ushtari I fundit sovjetik, gjenerali Boris Gromov, la Afganistanin më 15 shkurt 1989. Muri I Berlinit u shemb në nëndor, nëntë muaj mbrapa. BRSS u shkri në Krishtlindjen 1991. Perandoria komuniste nuk i mbijetoi thyerjes në Kabul. Fundi i perandorisë britanike – ka kujtuar së fundi  historiani Niall Ferguson – filloi mbas një krize financiare dhe një pandemie rrënuese, gripit spanjoll të viteve 1918 – 1919. Shtetet e Bashkuara, në një hapësirë kohe të krahasueshme, kanë njohur njërën dhe tjetrën. 

Paralele historike tronditëse po nxjerrin në dritë në këto javë profecitë e “teposhtes amerikane”. Shumë besojnë se Dymija nuk do të jetë si Nëntëqinda, “shekulli amerikan”. Nga ana tjetër të gjitha perandoritë shpejt a vonë mbarojnë, në mos për tjetër  për “overstretch” e tyre, pra për zgjatjen e tepërt, pa patur më burime ekonomike dhe ushtarake të mjaftueshme për të kontrolluar hapësirën e madhe të botës mbi të cilën shtrijnë interesat e tyre. Nga pikpamja ushtarake Amerika nuk ka ende rivalë; por, ushtarët e saj, qindra mijra,  janë të pranishëm në 150 Vënde. Nga pikpamja ekonomike  kriza e 2007-08 ka bindur Kinën dhe botën se mbreti është lakuriq: turbo-kapitalizmi anglosakson, deri atëherë i shkërbyer gjithandej (edhe në Pekin), nuk është i pandalshëm, madje mund të eksportojë krizat e saj. Shënjat e teposhtes me një fjalë janë. Por duhet të themi: pasardhësve vendimi i vështirë.

Më shumë se fatet e Shteteve të Bashkuara, në fakt ne evropianëve duhet të na interesojnë fatet e botës që do të vijë “mbas” SHBA. Pyetja e vërtetë që ka të bëjë me ne nuk është nëse jemi të pranishëm në rënien e perandorisë amerikane, të paralajmëruar nga Paul Kennedy që nga fundi i viteve tetëdhjetë, gjë për të cilën është më se e ligjëshme të kemi dyshime, por më mirë nëse Amerika është ende “kombi i domosdoshëm”. Nëse pra bota mund të shpresojë në një rend thelbësisht paqësor e të begatë, e njëherësh të karakterizuar nga zgjerimi i lirisë, i të drejtave njerëzore dhe i demokracisë, pa udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara.

Qe Madeleine Albright, ndoshta e fundit Sekretare e madhe e Shtetit amerikan, që përdori përcaktimin e “kombit të domosdoshëm”, mbas rastit të fundit në të cilin SHBA kanë pranuar të bëjnë “luftën e të tjerëve”: ndërhyrja e 1999 kundër Sërbisë në mbrojtje të Kosovës. Ishte ideja e Shteteve të Bashkuara sigurues të qëndrueshmërisë ndërkombëtare, si e vetmja mbifuqi e mbetur. Por ishte edhe një riformulim i parimit të “jashtzakonshmërisë amerikane”, bindja se ai komb ka një detyrë të veçantë kundrejt gjithë botës, sepse të veçanta janë vlerat që përfaqëson. Kjo teori është ndërpretuar shpesh si një shfaqje e thjeshtë e imperializmit. Megjithatë ndjenja e të pasurit të një misioni mbarë botëror i ka bashkuar në histori të gjithë kombet e lindura nga një revolucion: nga BRSS tek Franca, tek Britania e Madhe.   

Që atëherë, ndoshta në vazhdim të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar në një përzgjedhje gjithënjë e më të ngushtë të interesave të tyre kombëtare. Dy luftërat n’Afganistan dhe n’Irak janë njohur si “luftëra amerikane”, edhe se të veshura me arsye morale e zotimesh të “nation building”. Që nga Obama, më pas me ashpërsinë e Trump-it, e së fundi me sinqeritetin befasues të Biden-it, arriti lajmi që Amerika tërhiqej nga fushat e betejave ku mendonte se kishte sendërtuar qëllimin e saj parësor: të kapte Bin Ladenin e të shkatërronte Al Qaedën n’ Afganistan. Të nxirrte jashtë ndeshjen me skajshmërinë islamike në Irak, të çonte pra terrenin e betejave larg truallit kombëtar, duke pranuar të humbiste ushtarë për të shpëtuar civilë. Në fund të fundit kjo ka ndodhur. Tashmë shkëmbimi nuk është më i nevojshëm, prej njëzet vitesh terrorizmi nuk godet më Amerikën, pra kthehemi në shtëpi.

Është e mundëshme që goditja e 11 shtatorit të ketë qënë vendimtare për t’i dhënë fund idesë së “kombit të domosdoshëm”. Pyetja e parë që bënë amerikanët atë të martë qe: “Përse na urrejnë kaq shumë?” Përgjigja, me kalimin e kohës, duhej t’ishte zorile një prirje për t’u zotuar më pak në botë, për të hequr dorë nga roli i viganit që vërtitet duke shtrënguar në një dorë një karrotë e në tjetrën një shkop me xhunga. Me kalimin e kohës përgjigja qe: secili të bëjë për veten. Nëse befason ndryshimi ndërmjet premtimit të Biden-it në fushatën zgjedhore mbi ngritjen e rolit ndërkombëtar të SHBA dhe së vërtetës së qëndrimit të tij faktik që në rastin e parë, nuk befason drejtimi i ecjes që mbetet ai i njëjti i para-ardhësve të tij: sjellja në shtëpi e ushtarëve.

Megjithatë, edhe pse mund të duket një kundërthënie, mbarimi i një lufte nuk do të thotë detyrimisht fillimi i një paqeje. Për shembull n’Afganistan prej kohësh nuk kishte luftë, ndërsa mbas tërheqjes amerikane rifilloi me fitoren talebane e betejën e Panshirit. Veç asaj zbrazësia strategjike e lënë nga SHBA do të mbushet. Saigoni ra në pranverën e 1975, duke shënuar humbjen më përvëluese të viganit amerikan n’Azi: katër vjet më pas Bashkimi Sovjetik u ndje kaq i sigurtë në vetvete sa që mësyu Afganistanin, duke i dhënë fund fazës paqësore të uljes së tensionit ndërmjet Lindjes e Perëndimit. Ndërsa Obama vinte në jetë strategjinë e “leading from behind”, një mëtim i qeverisjes së botës nga ulësja e mbrapme, Putini ndërhyri në Ukrainë dhe në Siri. E mund të jemi të sigurtë se tani, mbas Afganistanit, kombëtarizmi kinez do të ndjehet më i fuqishëm e më guximtar.

Nga ana tjetër, provën që bota nuk është aspak m’e sigurtë pa xhandarin amerikan, e patëm pikërisht në Kabul në këto ditë: qenë talebanët që liruan qindra militantë të Isis-K, grupit që mori përsipër plojën e aeroportit, dhe emëruan kryeministër një terrorist ndërkombëtar në listat e OKB.

Bota ndoshta nuk do t’a kalojë provimin e teposhtes amerikane. Njëzet vite mbas Kullave binjake, Shtetet e Bashkuara nuk dëshirojnë më të jenë “kombi i domosdoshëm”. Por ne kemi një nevojë shumë të madhe.
“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika  

Filed Under: Analiza Tagged With: 11 shtatori, Eugjen Merlika

“TËRHEQJA E SHBA NJË QUMËSHT DALLËNDYSHEJE PËR KINËN, JEMI NË LUFTËN E DYTË TË FTOHTË”

September 12, 2021 by s p

Nga FEDERICO FUBINI

Historiani Ferguson: “Biden-i ka gabuar gjithshka në Kabul, tani një shkallëzim me Pekinin”. “Dyluftimit  mbi armët bërthamore i ka zënë vëndin ai mbi zgjuarsinë artificiale”

Nga i dërguari i ynë në Cernobbio

Juve flisni për një luftë të ftohtë të dytë botërore. Çfarë doni të thoni?

“Kanë qënë  e Para dhe e Dyta luftë botërore. Përse të mos jenë edhe e para dhe e dyta luftë e ftohtë botërore? – pyet  buzë Forumit Ambrosetti të  Cernobbios historiani i madh i Stanfordit Niall Ferguson – Do të ishim të verbër nëse do të shtireshim se nuk është kështu. Zgjatet prej pak kohësh dhe ka zanafillën në kalimin e Xi Jinping-ut – i pastër, i ndërgjegjshëm – drejt një shëmbëllese marksiste-leniniste më autoritare brënda e në planin ndërkombëtar drejt një shemërie të hapur me Shtetet e Bashkuara për zotërimin, së paku, të zonës së Paqësorit. Në planin e brëndshëm është mendimi i Xi Jinping-ut, mbikqyrja digjitale, përqëndrimi i pushtetit në shumë pak duar, kthimi në totalitarizëm. Në botë është rruga e Mëndafshit e e gjithë armëria e shtrirjes kineze”

A mjaftojnë këto për t’a përcaktuar një luftë të dytë të ftohtë?

“E para kishte përmasa ideologjike, gjeopolitike, ekonomike dhe rendjen drejt armatimit. Përsëri kemi të gjitha këto. Shemëria ideologjike është bërë e dukëshme që kur Xi ka deklaruar se idetë perëndimore janë më të këqiat. Pastaj ka një shemëri ekonomike dhe teknologjike. Jo më për armët bërthamore, por për zgjuarsinë artificiale. Ka një rendje për armatim, me kinezët që ndërtojnë raketa tokë-ajër në gjëndje që të fundosin një aeroplanmbajtëse. E nëse shohim hartën gjeopolitike, bota është tashmë e ndarë në dy blloqe: Vëndet që përdorin Huawei dhe të tjerët”.

A flisni me kolegët tuaj kinezë?

“Kur u them atyre privatisht se kjo është një luftë e ftohtë, ata më shohin e thonë: është afërmëndsh”

Shtetet e Bashkuara dhe Kina a nuk janë shumë të ndërvarur në planin ekonomik?

“Mund t’i ndajnë interesat e tyre ekonomike shumë shpejt. Në 1914 Gjermania dhe Britania e Madhe e bënë në pak kohë. Kina, me ndërveprimtaritë e saj ekonomike, mund të bëjë spiunazh në një shkallë shumë më të gjërë se sa sovjetikët nuk kanë arritur kurrë t’a bëjnë. E dinim përsosmërisht se çfarë bënte cilido qytetar sovjetik në Shtetet e Bashkuara. Por kinezët janë milionë: studentë, njerëz me viza pune…”

Universitetet amerikane a do të duhej të ndalonin dyndjen e tyre?

“Jo. Besoj se nuk ka asnjë lloj problemi në ardhjen e studentëve kinezë për të studjuar në Shtetet e Bashkuara. Është një gjë shumë pohenike e nëse ndokush do t’i ndalojë ai njeri do të jetë Xi Jinping-u. Por është më pak e mundëshme që kinezët të mund të punojnë në laboratorët e zgjuarsisë artificiale të Google apo Apple ose të pranohen në laboratorët e kërkimeve më të përparuara të Stanfordit. Do t’ishte sikur të kishim qytetarë sovjetikë në role të tilla në vitet 50”.

A nuk po e teproni me demonizimin?

“Ka një vështrim historik: në kohët e para të luftës së parë të ftohtë, shumë amerikanë dhe evropianë parapëlqenin t’a largonin këtë realitet. Disa vazhdojnë t’a bëjnë edhe sot, deri aty sa t’i venë fajin e shemërisë mes mbifuqive Shteteve të Bashkuara. Nuk është e pazakontë që në fillim të luftës së ftohtë intelektualët ose vëzhgues të tjerë t’i mohojnë vetvetes dukjen sheshit të dukurisë. Mua më duket se është një tjetër tregues. Edhe mbas luftës kishte ndonjë që donte të mbante marrëdhënie të mira me Stalinin e kishte vështirësi të kuptonte kush ishte e me çfarë merrej. Tani me Kinën jemi në një fazë si vitet 1946 ose 1947 ishin me Rusinë”.

Çfarë do të thoni?

“Nuk kemi mundur të përvehtësojmë plotësisht faktin që do të ketë një shkallëzim, sepse Xi Jinping-u ka nevojë të jetë luftarak – si Stalini – për arsye shtëpijake. Sistemi e kërkon sepse baza e ligjëshmërisë së Xi-së nuk mund të jetë përgjithmonë rritja ekonomike. Ekonomia do të ngadalësojë dhe tashmë ka prodhuar një pabarazi jugamerikane. Nëse ka një plutokraci në botë, ajo është Kina. Shtrirja ndërkombëtare shërben për të bërë levë mbi ndjenjën kombëtariste”

Pra Afganistani është një betejë e humbur nga ana e Perëndimit dhe e fituar për Kinën?

“Besoj se nga pikpamja kineze ka qënë një qumësht dallëndysheje, sepse administrata Biden nuk ishte e shtrënguar të gabonte gjithshka në këtë mënyrë. Mund t’a zbërthesh një mision kolonial në mënyrë të përshtatëshme, britanikët ishin mjaft të zotët në këtë. Ose mund të bëhet si Joe Biden në Afganistan. Bën të duket e mirë edhe ikja nga Saigoni më 1975”.

“Corriere della Sera”, 8 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Afganistan, Eugjen Merlika, USA

EVROPA E NDËRDYME PËRBALLË KRIZAVE BOTËRORE

September 12, 2021 by s p

Nga PAOLO MIELI

Tani që, me daljen e të fundmit ushtarak amerikan, n’Afganistan është kthyer fleta, duhet thënë se në ditët e fundit qëndrimi i Evropës kundrejt Shteteve të Bashkuara ka qënë pak bujar, shumë pak bujar. Në kontinentin e vjetër janë ngritur zëra, pothuaj krejtësisht kritikë, a thuaj se ne evropianët në njëzet vitet e fundit, madje edhe në njëzet ditët e fundit ishim ngatërruar vetëm në mënyrë të pavetëdijshme n’atë aventurë. Qortime të rënda veprimtarisë së administratës amerikane i kanë ardhur edhe nga shumë intelektualë dhe politikanë amerikanë: por pothuaj të gjithë kritikët amerikanë  kanë vënë në dukje ndërlikimin e mëparshëm të tyre n’atë që ndodhi në njëzet vjetëshin e fundit. Ne jo.  Madje këtu n’Evropë mendohet se, së paku në bisedën publike, kishte qënë rasti për të vënë në diskutim themelet e vetë gjithë aleancës perëndimore. Duke filluar natyrisht nga NATO. Jo për t’a “prishur” Aleancën Atllantike, përcaktoi në Lajmëtarin Romano Prodi, por për t’a bërë  më “të dobishme” e më të aftë për të përballuar realitetet e reja të planetit.   

Padia që ne i bëjmë Washingtonit është në thelb se nuk na ka lajmëruar për rreziqet që do të kishim kaluar në çastin e largimit. E që nuk na kanë dëgjuar për atë që kishim për të thënë mbi mënyrën e ikjes. Qortimi i parë, ai që nuk na kishin vënë në dukje rreziqet e lindura nga braktisja e fushës në të cilën ishim mundur, sido që të hartohet është vërtetë foshnjarake: kushdo që të ishte në vend i kishte mjetet për të kuptuar vetë se çfarë do të ndodhte. Po kufizohemi për të mbajtur parasysh pjesën e dytë të vëzhgimit: nga ajo që përceptohet, evropianët – nëse do t’ishin pyetur – do të kishin këshilluar që të mos linin në korrik bazën e Bagramit për të bërë të mundur ngritjen nga ai aeroport të aeroplanëvet të paracaktuar për kthimin n’atdhe të trupave amerikane. Ndoshta do të kishte qënë një këshillë e urtë (edhe se rruga që çon në Bagram është pa mbrojtje, aq sa është pagëzuar “rruga e gjuajtjes në shënjestër”). Por në thelb pranimi i asaj këshille nuk do të kishte ndryshuar shumë rendin e gjërave. Do të kishte lehtësuar paksa dramaticitetin  e daljes nga një luftë e humbur. Veçse nëse këto kritika të kishin nënkuptuar vullnetin e Vëndeve evropiane për të mbetur në Afganistan, duke zëvendësuar me ushtarët e tyre ata amerikanë në nisje. Por nuk duket se ishte ky qëllimi i Evropës, i asnjë Vëndi evropian.

Sa i përket nënkuptimeve, të përpiqemi të përimtojmë se çfarë mund të fshihet mbas vënies në diskutim të NATO-s. Aleanca Atllantike ka humbur funksionin e saj parësor tridhjetëedy vite më parë, me shëmbjen e murit të Berlinit. Që atëherë ka mbijetuar si strukturë ushtarake, në thelb nën drejtimin e SHBA, e përshtatëshme për të ndërhyrë në krizat në çdo qoshe të planetit. Kudo ku një Evropë “parazite” (mjeshtërisht e pikturuar nga Sergio Fabbrini në Il Sole 24 ore) nuk ishte dukshëm e gatëshme të bënte pjesën e vet kurrë. As në zjarret që ndizeshin në kufijtë e saj. Evropës i ishte lejuar të merrte përsipër vetëm 20 % të kostos së NATO-s, e edhe për këtë, me arsye, dinjiteti i barabartë në drejtim ishte një gjë pothuajse formale. Tani  – mbas një sërë humbjesh – është e qartë se NATO (ndoshta) do të mbijetojë por ndërhyrje si ato të së shkuarës nuk do të shohim më.

Tani do të shihet se çfarë do të jetë i aftë të ngrejë në këmbë kontinenti i ynë. Për çastin përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit evropian, Josep Borrel, ka lajmëruar (në këtë të përditëshme, me Federico Fubinin) krijimin e një “Initial Entry Force” prej “pesëmijë ushtarësh në gjëndje të mobilizohen me një thirrje të shpejtë”. Një fillim shumë i mirë, edhe se mbi “mobilizimin me një thirrje të shpejtë” është e ligjëshme të ushqehet ndonjë dyshim. Por që këtu deri në krijimin e një strukture ushtarake kontinentale në gjëndje të përballojë krizat që – merret me mënd – do të shfaqen, hapi është shumë i madh. Pa llogaritur që një lloj strukture e tillë ushtarake do të jetë e vlefshme vetëm nnëse do të ketë mbas shpine një njësi politike të bashkuar dhe – siç ka vënë në dukje efektshmërisht në këto faqe Angelo Panebianco – do të kërkojë “një qasje të jashtëme, me synim përfundimtar paqësimi në zonat më të turbullta të Lindjes së Mesme e t’Afrikës, nga mund t’i vijnë kërcënimet Evropës”. Për të patur këtë lloj “qasjeje” ushtria e re evropiane duhet të jetë e pajisur me atë “leje” të veçante për të parandaluar krizat me liri lëvizjeje, – që është prej kohësh e për të gjitha ushtritë – gjatë disa vijave të kufirit mes dritës e hijes.

Asgjë prej tërë kësaj nuk shihet në horizont. Evropa është prej dhjetëvjeçarësh një kontinent i specializuar në artin  e “shpëtimit të paqes” duke i u drejtuar krejtësisht diplomacisë. Nuk ka asnjë Vënd evropian që të ngurojë përpara mundësisë për të ndërmjetësuar, për të ndërhyrë e biseduar. Më mirë nëse me regjimet më iliberalë të tokës. Është e vetmja gjë që dijmë të bëjmë. Në ditët e zisë derdhen lotë e ngrihet zëri. Pastaj menjëherë kthehet ndërmjetësimi, ndërhyrja, bisedimi. Gjë që mund të duket pozitive përballë pështjellimesh të mëdha si ata të këtyre ditëve të fundit. Por nuk është e thënë që një bashkësi prej 27 Vëndesh ndërmjetësuesish – herë herë secili simbas kokës së tij – krejtësisht të paaftë të bëjnë të vlejë forca, as në rastet skajorë, të  jetë në gjëndje t’i japë jetë një bote më të paqësuar se sa kjo që po lemë mbas krahësh.

Corriere della Sera, 31 gusht 2021   Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europa

BIDEN, MBAS KABULIT ANKTHI I VAKSINAVE

September 11, 2021 by s p

Nga MASSIMO GAGGI

“Corriere della Sera”, 3 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika  

E përfunduar – me pasoja politike, etike dhe të sigurisë që do të vazhdojnë të  peshojnë – tërheqja nga Afganistani, Joe Biden-i u kthye të merret me pandeminë, piskamën kryesore që i është dashur të përballojë që nga fillimi i mandatit të tij. Zbulon se përparësia e fituar nga Amerika me një fushatë vaksinale fillimisht shumë të shpejtë – suksesi kryesor i rish presidentit – ka mbaruar. Biden-i e dinte me kohë se qëndresa e shumëve, veçanërisht konservatorëve, për t’u vaksinuar do t’a kishte bërë të pa-arritshëm synimin e parë që ai kishte përcaktuar: 70 % të vaksinuar brënda festës kombëtare të 4 korrikut. Shpresonte gjithsesi t’arrinte ose t’i afrohej imunitetit të tufës në muajt e mëpastajmë, por tashmë, me të vaksinuarit në 61 % (mjaft më pak se sa një Evropë që e kishte filluar me vonesë e me pak serume), ky objektiv duket i pa-arritshëm. 

E nëse në Kontinentin e Vjetër jo vax-ët janë një pakicë luftarake por e kufizuar, me mbështetje politike të lëvizëshme veçanërisht nga llogari leverdie, pra të brishtë, në Shtetet e Bashkuara ndeshja ndërmjet miratuesve dhe kundërshtarëve të vaksinës dhe masave të tjera të parandalimit duke filluar nga maskat, shumë e ashpër që nga fillimi i pandemisë, është ideologjik, i hapur dhe i përhapur sepse skajorët e individualizmit gjykojnë si të papranueshëm çfarëdo caku që i vihet lirisë vetiake. Edhe përballë përparimit të shpejtë të variantit Delta dhe piskamave të reja spitalore.

Shumë guvernatorë republikanë jo vetëm nuk kanë futur detyrimin e maskave në shkolla, por tani kërcënojnë institucionet që e kanë dekretuar vetë përballë valës së infektimeve që i ka detyruar të venë nxënësit në karantinë: ai i Texasit, Greg Abbott, një trampian i bindur se mund të shpresojë në zënien e vëndit të The Donald, duke ndjekur një vijë akoma më t’ashpër, don t’i presë fondet publike  shkollave ”rebele”, edhe se ai vetë ka kaluar Covidin. I vetmi sinjal kurajues vjen nga privatët: një hulumtim Ipsos tregon se numuri i amerikanëve të vendosur për të mos u vaksinuar është ulur në 20 %, niveli më i ulët  që nga fillimi i matjeve (në prill ishin 29 %). Kundërshtimi bie kryesisht sepse rritet në vazhdimësi numuri i punëdhënësve që i kërkojnë gjithë vartësve të vaksinohen dhe venë detyrim për përdorimin e maskës.

“Corriere della Sera”, 3 shtator 2021   Përktheu Eugjen Merlika    

Filed Under: Analiza Tagged With: Biden, Corriere Della Sera, Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT