• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARIO DRAGHI DHE GJALLËRIMI I EKONOMISË: ARMËPUSHIMI I TARAFEVE

June 5, 2021 by dgreca

Nga FEDERICO FUBINI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Më së fundi Mario Draghi dhe grushti i ministrave e bashkëpuntorve kanë hapur një rrugë në xhungël edhe këtë herë. Nuk kanë përdorur sëpatën, por një dorezë kadifeje për të larguar një nga një, ëmbëlsisht, blloqet në rrugën e reformave ose ndonjë fjalë në tekstet e një dekreti, për t’i dhënë të gjithëve një arsye për t’u quajtur fitues. Krahinat e “interesuara”; nënsipërmarrjet do të jenë nën vërejtje, pra sindikatat mund të jenë të qeta dhe PD mund t’i shkruajë vetes një meritë; mbikqyrjet e sipërmarrjeve do të zhvishen nga pushtetet e tyre vetëm nëse do të flenë mbi vendimet. Të gjithë mund të thonë se kanë mbrojtur katrorin e tyre të pushtetit.  

Por thelbi është gjetiu: të rrethar nga i njëjti pesimizëm tipik italian i shumëve, edhe ndërmjet mbështetësve, Dragi dhe të tijtë shkojnë përpara. Janë duke hapur një rrugë ndërmjet xhunglës së vetove e të esnafeve saktësisht simbas tabelës së ecjes së premtuar. Më 30 prill u nis për Bruksel një Plan i gjallërimit dhe qëndrueshmërisë pesë herë më i imtësuar e i mprehtë se ai i trashëguar nga qeveria e mëparëshme (saktësisht 2480 faqe kundrejt 500). Brënda majit do të dalë në Gazetën Zyrtare dekreti që do të thjeshtësojë kalimet administrative për investimet dhe bazon mbi Pallatin Chiggi (drejtimi politik) e mbi Ministrinë e Ekonomisë(mbarështimi financiar) qeverinë e Recoveryt. E gjithë kjo me po-në e Lëvizjes 5 Yje, të Legës së Matteo Salvinit, të tjerë partive të shumicës, të Cgil të Maurizio Landinit e të Krahinave që deri pak orë më parë kërcënonin padi në Gjykatën kushtetuese. Tashmë nuk fluturon asnjë mizë. Na falni nëse është pak.

Do t’ishte naive të mendohej se gjithë kjo harmoni e papritur i kushtohet një çasti ndriçimi të klasave drejtuese italiane. Mbetemi si më parë të njëanshëm, dritëshkurtër, të prirur secili në mbrojtjen e tarafit tonë më shumë se t’interesit të përgjithshëm. Në këtë Draghi po sprovon të njëjtën parabolë që ka shoqëruar të tjera qeveri institucionale të thirrura në rastin e piskamave. Zakonisht ishin kriza financiare, këtë herë është shëndetësore. Por në fazën e parë të një qeverie teknike fiset e Vendit pezullojnë gjithmonë armiqësitë e ndërsjellta e mblidhen përqark njeriut të thirrur për t’i shpëtuar. Ose së paku e lenë të punojë. Më pas kafshimi i piskamës pakësohet, siç ndodh tani me pandeminë në sajë të fushatës vaksinore, veçoritë ngrenë krye. Secili duhet të ruajë truallin e vet, Lega me taksën e “sheshtë”, Lëvizja 5 Yje që ngulmon kundër një parimi qytetërimi siç është parashkrimi. Për të mos folur për sektarizmat në shoqëri: funksionarët e lartë të Shtetit në kryengritje kundër një reforme të administratës që lejon të punësohen ekspertë të nivelit të lartë me thirrje të drejtpërdrejta; sindikata që kërkon të mbajë ndalimin e pushimeve nga puna me ligj, rasti i vetëm në këtë pikë në të gjithë botën.

Kjo është xhungla në të cilën Draghi duhet të hapë udhën drejt reformave të lidhura me 204 miliard eurot e Recovery-t. Ndërmjet qershorit e korrikut e presin, ndërmjet të tjerave, reforma e rendit gjyqësor, masat e rekrutimit të nëpunësve shtetërorë, projekt-ligji për konkurrencën (konçesionet bregdetare të përfshira?) dhe paraqitja e projekt ligjit mbi reformën fiskale. Kjo e fundit do të duhej të bazohej mbi ”hulumtimin njohës” të komisioneve të Financave të Dhomës së Deputetëve e të Senatit e mund të tregojë së paku ndonjë objektiv themelor për t’i bërë taksat më pak armiqësore për ndërmarrjet e ndershme e më pak të padrejta kundrejt shtresës së mesme të nëpunësve shtetërorë.

A do të mundet Draghi të shkojë përpara, mbasi të ketë mbaruar piskama dhe armëpushimi relativ ndërmjet fiseve korporative italiane? Ndoshta po, mund t’i a dalë sepse ka një gjë të re. Shumë grupe interesi në këtë pikë janë aq të trumhasur, të ndarë në vetvete, aq të dobësuar nga rënia kombëtare, sa që edhe kërcënimet e tyre me veto tingëllojnë tani si rite të lodhura. Parashikohet një sektarizëm qullac. Mjafton pak për t’a bërë të mirë e ndonjëri në qeveri duket se e ka kuptuar.

Kjo natyrisht nuk do të thotë se të gjithë problemet janë zgjidhur. Invesitorët, vëndas apo të huaj po na thonë të kundërtën. Obligacionet e Shtetit italian të dhjetë viteve paguajnë një çmim me rrezik të ulët, por më të lartë se titujt grekë (më parë nuk ishte ashtu), ndërsa Thesari e ka të vështirë të organizojë hua për tridhjetë vjet sepse ka pak oreks në tregjet. Ankandet për energjinë e përtëritëshme n’Itali gjejnë interes as për të katërtën e ofertës, ndërsa në Spanjë për trefishin e saj. Kush mund të investojë mbi Vendin nguron, sepse nuk din se çfarë do të vijë mbas qeverisë Draghi. Tani kryeministri dhe të tijtë po hapin një udhë. Mbetet për të kuptuar nëse do të mbetet aq e ngushtë sa që  xhungla e Vendit të mbyllet mbas kalimit të tyre, apo të gjithë n’Itali do të vendosin të ndihmojnë “teknikët” për të krijuar një hapësirë të gjërë, një hapësirë drite që të mbetet. Është pyetja e madhe e viteve t’ardhëshme.
“Corriere della Sera”, 29 maj 2021    E përktheu Eugjen Merlika     

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Gjallerimi I economize, Mario Draghi

BJELLORUSIA, SANKSIONET MUND TË KENË PASOJA TË PAPARASHIKUESHME

June 5, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Evropa nxjerr lakuriq të gjitha plasat e kundërshtitë e saj, veçanërisht kur bëhet fjalë për të përballuar kryetarët e shteteve totalitarë të Vendeve të mëdha: Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Rexhep Taip Erdogan. Alexander Lukashenko, nga ana e tij, do të paraqiste, në teori, një problem të një rendi më të ulët. Bjellorusia është një vend relativisht i vogël, popullsia e saj është m’e pakët se ajo e Belgjikës, e PPi nuk arrin as atë të Luxemburgut. Ndërmjet burrave të fuqishëm që shfaqen në kufijtë evropianë, Lukashenko është, me gjasë, më pak i zgjuari, gjë që nuk e bën më pak të rrezikshëm.

Megjithatë, për Bashkimin evropian do të jetë tmerrësisht e vështirë për të gjetur kundërveprimin më të përshtatëshëm për t’i u kundërvënë veprimit shkandullor të banditizmit ajror, veç nëse BE do të vendoste më së fundi, gjë shumë e pazakontë, të përpunonte një plan të tijin strategjik. Për të bërë këtë do të duhej të fillonte duke pyetur veten se cilët janë synimet tona: duam një ndërrim regjimi? Duam të ndalojmë një bashkim politik ndërmjet Rusisë e Bjellorusisë? Apo dëshirojmë thjesht për të dërguar një mesazh se ulja e një aeroplani përfaqëson një dhunim të papranueshëm për sigurinë e Bashkimit evropian? Që të tre janë synime të ligjëshme. Por për t’I sendërtuar do të duheshin mjete të ndryshme.

    Nuk arrij të shpjegoj ndalimin e fluturimeve, mbasi Lukashenko sigurisht nuk do të përsërisë trimërinë e tij. Ndalimi i fluturimeve dëmton më shumë politikanët e opozitës se sa Lukashenkon dhe rrethin e tij. Lukashenko i lejon ende zhvendosjet me rrugë ajrore. Rrugët për Poloninë e afërt dhe Lituaninë janë mbyllur për shkak të pandemisë. Shpagimi i Rusisë, në ndalimin e fluturimeve evropiane që anashkalojnë Bjellorusinë, na bën të kuptojmë se Rusia e Bjellorusia veprojnë si aleatë strategjikë. Takimi që u mbajt të shtunën e kaluar, ndërmjet Vladimir Putinit dhe Lukashenkos, e ka përforcuar atë lidhje. Dy Vendet ecin me të njëjtin hap.

Këllilli evropian i ka kërkuar përfaqësuesit të lartë të përpilojë një listë të sanksioneve. Flitet për të shtrirë sanksionet tregëtare tashmë në fuqi, ashtu sikurse për të futur një përgjigje më dëmprurëse, duke e nxjerrë jashtë Bjellorusinë nga sistemi ndërkombëtar i pagesave. Sa për mua, kam frikë se të dy këto veprime nuk do të bëjnë tjetër gjë, veçse të shtyjnë Bjellorusinë në krahët e Putinit, nëse nuk do të shoqërohen nga sanksione të reja për vetë Rusinë. Si fillim, Rusia përfaqëson partnerin kryesor ekonomik të Bjellorusisë, me 50 përqind të shkëmbimeve tregtare, ndërsa Bashkimi evropian mezi arrin në 18 përqind. Një embargo tregtare nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar një ndryshim të regjimit, por mjafton e tepron për t’a shtyrë Lukashenkon dhe Putinin të shpejtojnë projektin e tyre të bashkimit politik të shestuar së fundi. Nëse sanksionet ekonomike janë zbuluar një instrument diplomatik i efektëshëm kundër Iranit, nuk është e thënë aspak që të kenë të njëjtin përfundim me Bjellorusinë. Lukashenko nuk do të jetë një shqiponjë zgjuarsie, por din shumë mirë kujt t’i drejtohet kur është në telashe. I goditur nga sanksionet ekonomike të Bashkimit evropian, mundësia e tij e hershme është të rrjeshtohet me Putinin e të forcojë lidhjet me Kinën.

Një përfundim i këtillë do të ishte rrënues për Bashkimin evropian. Javë më parë kam analizuar rrezikun gjeopolitik të përfaqësuar nga Suwalki Gap, një rryp toke 60 kilometra gjatësi e që ndan territorin rus të Kaliningradit, Köningsbergun e vjetër nga Bjellorusia. Harta e jonë vë në dukje se ai  sqep toke që qëndron ndërmjet kufijve polak e lituan do të përfundonte së ndari dy Rusitë në hamendësimin e një bashkimi politik me Bjellorusinë. Nëse Evropa do të   adoptonte një kundërveprim të tepruar kundrejt ngacmimeve të Lukashenkos, Suwalki Gap do të mund të kthehej në shkëndinë e një kundërshtie gjeopolitike. Kjo, natyrisht nuk është në interesin e Evropës.

Për të shmangur një fatkeqësi të këtillë Evropa ka nevojë për një strategji më të përgjithëshme. Gjermania mund t’i dërgonte një sinjal Rusisë në lidhje me projektin Nord Stream 2, kur kjo të vendoste të ndërhynte në çështjet bjelloruse. Por nëse gazsjellësi nuk do të preket, Putini do të shfrytëzojë në dobi të vet çdo hapësirë ushtrimi gjeopolitik. Megjithatë dyshoj seriozisht se do t’ishte i gatshëm të flijonte rastin për të nënështruar gjithë Bashkimin evropian ndaj furnizimeve energjitike ruse me qëllim të mbronte një diktator të shikuar mjaft keq në një Vend kufitar. Marrëdhëniet e Rusisë me Bjellorusinë nuk janë asgjë kundrejt atyre që e lidhin me krahinat ukrainase të gjuhës ruse.

Është pikërisht këtu që strategjia evropiane për të frenuar Lukashenkon, me shumë gjasë është e paracaktuar të dështojë. Veprimet e Anxhela Merkelit nuk janë të përputhëshme me bisedat e saj. Synimi kryesor i politikës së jashtëme gjermane nuk është aspak integrimi evropian, por afrimi me Rusinë dhe marrëveshja me Kinën.

Prandaj ravijëzohet një skenar i ankthshëm: Evropa miraton sanksionet dhe shtyn Lukashenkon n’orbitën e Putinit, edhe se vazhdon të tregëtojë me Rusinë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. 

Politika e jashtëme dhe e sigurisë e administratës Biden zbulohet shumë më strategjike se ajo evropiane, por ndruhem se amerikanët janë shumë të përqëndruar mbi Kinën, qejfpaprishur kundrejt Rusisë dhe skajshmërisht pohenikë në lidhje me Gjermaninë. Nuk është e vështirë të përfytyrohet një skenar në të cilin i vetmi fitimtar i kësaj galaktike do të jetë pkërisht Putini.

“Corriere della Sera”, 1 qershor 2021     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Bjellorusia, Eugjen Merlika, Sanksionet

TURQIA QË SFIDON EVROPËN (DHE TJETRA QË SHIKON NGA PERËNDIMI)

May 22, 2021 by dgreca

Nga ANGELO PANEBIANCO-Perktheu:Eugjen MERLIKA/

Në jetën ndërkombëtare mund të haset shpesh në dy lloje problemesh: ata të përballueshëm dhe ata të papërballueshëm. Të parët, ata të përballueshmit mbajnë të zotuar diplomacinë. Për shembull, shumë tani po bëjnë çmos për të arritur një pushim zjarri ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Asnjëri nuk mendon të “zgjidhë” ndonjë gjë: bëhet fjalë për një konflikt të paracaktuar të vazhdojë për pale sa vjet, nëmos për dhjetëvjeçarë. Por problemi është i “përballueshëm”, në kuptimin që ndoshta do të jetë e mundur t’i vihet një arnë e përkohëshme. Ka pastaj probleme të një tjetër natyre, krejtësisht të patrajtueshme. Askush nuk din si t’i përballojë. Në përgjithësi kërkohet të zhvendosen, të shtiret sikur nuk ekzistojnë. Në shpresën që të jetë historia e ardhëshme, në paparashikueshmërinë e saj pëbërëse të zgjidhë nyjet. Edhe sa kohë ende bota perëndimore mund të shtiret se Turqia – një antar i organizatës së saj kryesore ushtarake (Nato-s), nuk është bërë një armike?

Të përmbledhim, në vija të përgjithëshme, faktet. Turqia bën pjesë në Nato që nga viti 1952. Për dhjetëvjeçarë ka qënë pjesë përbërëse e aleancës perëndimore, një shtyllë. Për pasojë ishte dhe aleate e Izraelit. Kishte një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet vendosjes së saj ndërkombëtare dhe regjimit të saj të brëndshëm. Turqia bashkëkohore u sendërtua nga Mustafa Qemal Ataturku që e deshi laike dhe “evropiane”.

Qe një trashëgim që ushtarakët, struktura e vërtetë mbajtëse e regjimit turk (edhe në periudhat në të cilat ishte demokracia parlamentare), e mbronin dhe e mbanin gjallë. Laicitet në politikën e brëndëshme, filo – perëndimorizëm në politikën e jashtëme. Pastaj gjërat ndryshuan. Turqia islamike, ajo e katandisur në heshtje ose gati në të nën Ataturkun, u hakmorr duke vënë në një qoshe Turqinë evropiane. Partia islamike, hap mbas hapi, duke shkrehur trashëgiminë e Ataturkut, ka nxjerrë jashtë loje ushtarakët (duke i dhënë shtysën përfundimtare mbas grushtit të Shtetit të 2016-ës) ka ri-islamizuar një pjesë të madhe të shoqërisë. Me ri-islamizimin ka mbaruar perëndimërësia turke. Mund të diskutohet nëse ka ndonjë përgjegjësi Evropa: zjarri pengues kundrejt kërkesës së Turqisë për të hyrë në Bashkimin evropian, sigurisht ka dhënë ndihmesën e vet për të dobësuar dhe poshtëruar turqit evropianë në të gjthë dobinë e Turqisë islamike. Por ndoshta ri-islamizimi ka arsye të shumta e komplekse, nuk është vetëm përgjegjësi e Evropës.

Shënja e parë e ndryshimit të vendosjes ndërkombëtare shkon në vitin 2003 kur, duke qënë në qeveri partia islamike, Turqia, për të parën herë që nga mbarimi i luftës së dytë botërore, i u përgjigj ashpër kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe nuk pranoi t’i lejojë ushtrisë amerikane të përdorte bazat e saj në Turqi për të goditur Irakun e Sadam Hysenit.

Por ndoshta viti në të cilin ndryshimi i vendosjes ndërkombëtare, si pasojë e ndryshimit të regjimit të brëndëshëm dhe ri-islamizimit të shoqërisë turke, u bë më i dukshëm ishte 2010: sulmi izraelian mbi një anije turke që, zyrtarisht dërgonte ndihma humanitare palestinezëve (por që, simbas izraelianëve, kishte dhe armë) lajmëroi botën se ishte në zhvillim një përmbysje e aleancave. Mbaronte marrëveshja dhjetravjeçare ndërmjet Izraelit dhe Turqisë. Dobësimi i vazhdueshëm i aleancës turke me perëndimorët përputhej (në mënyrë koherente) me një ndryshim frontesh nga ana e turqëve edhe në Lindjen e Mesme. Mbaronte aventura properëndimore e dëshëruar nga Ataturku, fillonte ajo neo – otomane.

Sot Turqia luan në të gjitha tryezat e mundëshme. Fakti që vazhdon të jetë antar i Nato-s i lejon të mbajë në ruajtje perëndimorët. Në të njëjtën kohë mban marrëdhënie të ngushta me Putinin (me të cilin është shemër në garën për ndarjen e Libisë). Në sajë të këtyre marrëdhënieve mund t’i lejojë vetes të sfidojë (deri tani me sukses) atë Nato në të cilën bën pjesë. Siç e tregoi kur theu solidaritetin atllantik duke blerë raketa nga Rusia. Është financuese e madhe, së bashku me Katarin, i Vëllezërve Myslimanë. Erdogani luan kundër Arabisë Saudite dhe Egjyptit, duke synuar drejtimin e botës sunite, gjë që nuk e pengon të gjejë pika takimi e mirëkuptimi me Iranin shiit, si në këtë çast (por jo që sot) në mbështetje të Hamasit.

Kush mendon se sidoqoftë veprimi turk ka të bëjë vetëm me Lindjen e Mesme e nuk prek Evropën, gabohet rëndë. Së pari sepse ajo që ndodh atje ka pasoja edhe këtu. Mbështetja turke radikalizmit islamik në Lindjen e Mesme nuk mund të mos na përkasë edhe neve. Nëse Mesdheu do të ndahet qëndrueshmërisht ndërmjet turqëve e rusëve, do të jenë duar të ndryshme nga ato evropiane (dhe armike t’Evropës), që do të kenë kontrollin mbi burimet jetike energjetike dhe mbi rubinetat që rregullojnë valët mërguese.

Për më tepër, veprimi turk dhe dëshirat e Erdoganit i kalojnë kufijtë e Lindjes së Mesme, siç kanë treguar tensionet ndërmjet Turqisë e Greqisë për kontrollin mbi burimet e gazit në Mesdheun lindor. Siç dëshmon edhe ndërhyrja masive në zonën ballkanike, ku Turqia kombinon investime ekonomike dhe indoktrinim fetar.

Ende nuk është e gjitha. Mendoni ndeshjen shumë të fortë ndërmjet presidentit francez Emmanuel Macron dhe diktatorit Erdogan. Turqia këtë herë provon me të tjerë mjete. Dy herë (me rrethimet e Vjenës të 1529 dhe të 1683), perandoria otomane kërkoi rrugën për të mësyer Evropën. Tani Turqia kërkon të rrisë ndikimin e saj politik në kontinent duke financuar xhamitë që sponsorizojnë islamin më radikal, për të kushtëzuar nga përbrënda Vëndet evropiane.

Ndonjëherë, siç u tha, është historia, në paparashikueshmërinë e saj, që zgjidh nyjet të cilat njerëzorët nuk dijnë si t’i përballojnë. Ndoshta (kushedi?) Turqia evropiane, edhe se e goditur ashpërsisht nga ajo aziatiko – islamike, shpejt a vonë do të ngrejë kokë. Megjithë “kurën” Erdogan Turqia mbetet një shoqëri e ndarë, kaluar mes Evropës dhe Azisë. Nëse dy Turqitë do të kthehen për t’u ndeshur, kjo do të ketë sigurisht pasoja dhe ndikime edhe në politikën e jashtëme t’atij Vendi. Ndoshta do t’i a zvogëlojë synimet, ndoshta e bën më pak agresiv si në Lindjen e Mesme si kundrejt Evropës. Nëse ti nuk mund të nxjerrësh gështenjat nga zjarri, duhet të shpresosh që t’a bëjnë ata që disa quajnë Providencë e disa Fat.

“Corriere della Sera”, 20 maj 2012   

Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Analiza Tagged With: Angelo Panebianco-Eugjen Merlika-Evropa-Aleati, Eugjen Merlika, Turqia qe Sidon Evropen

LINDJA E MESME DHE ZBRAZËTIA POLITIKE

May 15, 2021 by dgreca

Nga FRANCO VENTURINI-Perktheu:Eugjen MERLIKA/

Do të kryenim një gabim të stërmadh nëse do të mendonim se jemi të pranishëm  ndërmjet izraelianëve dhe palestinezëve vetëm në një Amarkord tragjik të luftërave të tjera, të gjakut tjetër, të ngacmimeve të tjera. Është e vërtetë që kundërshtia zgjat prej shtatëdhjetë vitesh, e prodhon shpërthime të herëpasherëshme, sikur Historia të kishte nevojë të shfrynte kohë pas kohe. Por këtë herë rreziku i një lufte të vërtetë në Lindjen e Mesme është më i madh. Kësaj rradhe lëshimi i raketave, bombardimet, vrasja e civilëve përmbajnë lajmërime të tmerrshme që bien në një zbrazësirë politike ndërkombëtare (cila është strategjia e Biden-it?) e njëkohësisht u prijnë kundërshtive gjithënjë e më t’ashpra në frontet e brëndëshme të katër aktorëve të parë: Izraelit, Autoritetit palestinez, Hamasit dhe Iranit.

Netaniahu është një kryeministër pa shumicë mbas së satës përgjigje zgjedhore të marsit. Pa dyshim siguria është një përparësi që i përbashkon gjithmonë izraelianët, e në fakt kontaktet për krijimin e një qeverie të re e të ndryshme janë pezulluar. Por askujt nuk i shpëton fakti se Netaniahu është dobësuar e që vendosmëria ushtarake ndoshta mund t’a ndihmojë të nëpërkëmbet. Gjithmonë nëse nuk shtrihen më shumë dhunërat ndërmjet hebrenjve izraelianë e arabëve izraelianë, siç ka ndodhur dje nga Tiberiada deri në Haifa, sepse atëherë do t’ishte një bashkëjetesë nga e cila Izraeli ka nevojë të vihet rrezikshmërisht në diskutim.

Mahmut Abazi është kryetari pak i ligjshëm i palestinezëve të West Bank-ut. Rënia e tij politike zgjatet tashmë prej disa vitesh dhe u vërtetua së fundi në shtyrjen e votimeve, tepër të rrezikëshme për drejtimin e tij të çalë. Çrregullimet e Jeruzalemit Lindor për të janë një lloj shprese e fundit: të gjithë duhet të kuptojnë që palestinezët nuk kanë braktisur çështjen e tyre, nuk janë kthyer në të parëndësishëm, e ky duhet të jetë lajmërimi i fuqishëm që duhet t’i arrijë presidentit të Shteteve të Bashkuara që deri tani ka qënë i zënë për të parë gjetiu.

Hamasi, organizata skajore palestineze që drejton me grusht të hekurt Rripin e Gazës, ka lëshuar e para raketat e saj mbi objektivat civile izraeliane, kur dukej se ndeshja ishte shumë e ashpër por e kufizuar në Sheshin e Xhamive të Jeruzalemit. Mundet që kuptimi fetar veç atij politik i atyre aksidenteve t’a ketë shtyrë Hamasin dhe Xhihadin për të mos u dukur të mbetur mënjanë apo mospërfillës. Por ka edhe një ndërpretim të ndryshëm, që po bëhet gjithënjë e më shumë i besueshëm, e që ka të bëjë me pragun zgjedhor n’Iran, ndërsa në Vienë zhvillohen bisedime për të ringjallur marrëveshjen kundër-bërthamore të 2015. Ky bashkë-bisedim nuk mund të shkojë larg (do të duhej të mbyllej në mënyrë pohenike brënda fundit të majit) nëse ndërkohë Hamasi, fuqimisht i lidhur me konservatorët iranianë, do të vazhdojë të bombardojë qytetet izraeliane apo sapo të ketë mbaruar. Do të mjaftonte një keqësim i mëtejshëm i gjëndjes për të ndaluar Shtëpinë e Bardhë të rivendoste paktin me Teheranin. Dhe konservatorët, me në krye Rojet e Revolucionit, do t’a kishin të shtruar rrugën e zgjedhjeve të 18 qershorit.

Irani pikërisht, është zotuar me Izraelin në një luftë të zvarritur, mik e furnizues i Hamasit, ku ndërmjet kandidatëve për president rimbin Ahmadinexhadi, drejtuesi epror i të cilit, Khamenei, deklaroi mbas fakteve të Jeruzalemit, se Izraeli nuk është një Shtet por vetëm një “garnizon terroristësh” që duhet “luftuar”.

Loja, siç duket, po zgjerohet si kthetrat e një oktapodi, e rrezikon të ndezë gjithë Lindjen e Mesme e Gjirin Persik me një zjarr të pakontrollueshëm. Aq më tepër se pika e riferimit të të gjithëve, Amerika e Biden-it po kalon një tranzicion strategjik që në rajon është veçanërisht i ndjeshëm. Donald Trump-i kishte njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit e kishte shpërngulur aty ambasadën e tij, kishte varrosur teorinë e bisedimeve për dy Shtete, kishte mbrojtur Marrëveshjet e Abrahamit (të Izraelit me Emiratet Arabe, Marokun, Bahreinin dhe Sudanin) që në heshtje arkivonin çështjen palestineze, i kishte prerë Ramallahut fondet e ndihmës duke rënduar në disa raste kriza të vërteta njerëzore. Joe Biden ata fonde shpejt i rivendosi, nuk do t’a rishpjerë ambasadën në Tel Aviv, don të mbajë një lidhje shumë të fuqishme aleance me Izraelin, por politika e tij në lidhje me Lindjen e Mesme, përtej disa deklaratave të përgjithëshme, është ende e gjitha për t’u përcaktuar. Sepse në vështrimin e tij ndërkombëtar janë përparësore Kina e Rusia, është e tillë edhe një marrëveshje, qoftë edhe e pjesëshme me Iranin, e tashti kuptohet se deri në ç’pikë presidenti i SHBA është befasuar nga ngjarjet e këtyre ditëve. Trumbat e luftës jehojnë tashmë në Studion Ovale. Venërisht prej saj duhet të arrijnë sinjale të qarta, ndërsa nuk ka formula të reja për të mbërritur tek paqja, ndërsa në rajon rriten grupet e dhunës dhe skajore, ndërsa është në lojë n’Izrael edhe paqja e brëndëshme e kompaktësia shoqërore. Biden-i, siç i ka ndodhur të gjithë para-ardhësvet  të tij, i duhet të marrë përsipër rreziqet e tij e të hartojë një strategji që nuk mund të jetë një sukses i siguruar.

Por nëse kjo nuk do të ndodhte, e nuk do të ndodhte menjëherë, rreziku do t’ishte akoma më i madh: ai që të lejohej që një tragjedi e pafundëme të thellohej e të zgjerohej, dy hapa larg shtëpisë sonë dhe zonës së shqetësuar të Mesdheut.   

“Corriere della Sera”, 14 maj 2021     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Franco Venturini, Linda e Mesme

A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?

May 9, 2021 by dgreca

A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?

Nga STEFANO MONTEFIORI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/

Një president I Republikës franceze nuk mund të mos përkujtojë Napoleon Bonapartin. Nuk do të kishte mundur t’i shmangej Nicolas Sarkozy,  i hipur mbi kalë dhe me kapellen dycepëshe në fotomontazhin e famshëm të Economist-it para zgjedhjeve fitimtare të vitit 2007, as mund të tërhiqet mbrapsht tani Emmanuel Macron-i, i cili është paditur apo vlerësuar shpesh, simbas pikëpamjeve, për kahun bonapartist, atë prirje për të përqëndruar pushtetet, për t’u folur francezëve pa ndërmjetës, për të marrë pozën e njeriut të fatit n’Evropë. Në fakt Macron-i ka lajmëruar se në pesë majin e ardhshëm Franca do t’a përkujtojë dyqind vjetorin e vdekjes së Perandorit.

Por nuk janë kohë të lehta për personazhet historikë e për atë që do të përballojë kujtimin e tyre. Zëdhënësi i Qeverisë Gabriel Attal i ka vënë duart përpara. Napoleoni do të shihet “me sy të zgurdulluar”, pra duke mbajtur parasysh “edhe çastet më të vështira” e “për zgjedhje që sot duken të kundërshtueshme”. Asnjë shenjtërim të verbër.

Por nëse protestat kundër racizmit e kolonializmit në muajt e shkuar kanë çuar në thyerjen e përmendores së Victor Schoelcher, autorit të shfuqizimit përfundimtar të skllavërisë në 1848, por i bardhë e pra paternalist, merret me mënd se çfarë do t’i takojë Napoleonit që më 1802 rivendosi skllavërinë mbas heqjes së bërë nga Konventa, tetë vite më parë. Në fakt Franca ka gjetur në vitin napoleonian një tjetër rast për t’u ndarë.

”Të përkujtohet por jo të festohet” porosit Hubert Vedrine, këshilltari diplomatik i Francois Mitterrand-it e më pas ministri i Jashtëm socialist gjatë kryesisë Chirac. “Është e drejtë të kujtohet Napoleoni sepse bëmat e tij kanë ekzistuar, por nuk duhet të festohet, sepse festohet gjithshka për të cilin mund të jemi krenarë simbas mendësisë sonë të sotme”. Por janë shumë që ndihen krenarë për Napoleonin edhe sot, si për shembull deputeti i Republicains (e djathta) Julien Aubert: “Më 15 gusht 1969 presidenti Georges Pompidou shkoi në Ajaço për të festuar dyqindvjetorin e lindjes së Napoleonit, e para e një sëre përkujtimoresh në të gjithë Vendin. Franca e vitit 1969 nuk kishte asnjë problem për të mëtuar trashëgiminë napoleoniane sepse njihej në lakminë e një France të fuqishme n’Evropë, me një mesazh drejtuar botës.”

Por Napoleoni nuk qe vetëm kampioni i universalizmit francez, qe edhe themeluesi i kodit civil e i sistemit edukativ bashkëkohor. Ndjeshmëritë nga 1969 deri sot kanë ndryshuar, aq sa përvjetori shkakton mëdyshje edhe në brendësi të qeverisë: Elisabeth Moreno, ministre për Barazinë burrë – grua kujton se “Napoleoni ka qënë një nga mizogjinët më të mëdhenj të historisë”, por ajo do t’i bashkangjitet me pahir vendimeve të qeverisë.

Kujtimi i Napoleonit zgjon interes edhe në Shtetet e Bashkuara, ku muajt e fundit mediat liberale kanë qënë shumë t’ashpër me qeverinë franceze, të dyshuar për lëshime të tepërta islamofobisë, racizmit e mizogjinisë. Me një kryeartikull shumë t’ashpër në New York Times, historiania Marlene L. Daut e universitetit të Virgjinisë fton institucionet franceze që të “shohin më me kujdes historinë skllaviste të Vëndit të tyre se sa të nderojnë një ikonë të epërsisë të bardhë”.

Ndoshta ka arsye Teresa Cremisi, një botuese e madhe italiane  në Paris, kur në Journal du dimanche  kujton një mungesë  hapësire, një paaftësi të përgjithëshme për të shmangur anakronizma qesharake. Është një problem që ka të bëjë jo vetëm me Napoleonin por me të gjithë personazhet historikë. “Kundërshtitë mbi përkujtimoret i shëmbëllejnë zënkave të pallatit. Është njësoj sikur Historia të zbresë me shapka n’oborrin e pallatit, t’i drejtohet njerëzve të mëdhenj sikurse fqinjëve të katit, të emërtuar për mangësitë e tyre. Është çasti të festojmë Voltaire-in? Merre me mënd, një islamofob dhe antisemit. Rousseau? E pamundur, braktisi fëmijtë. Richelieu? Një tradhëtar i lindur.  Baudelaire? Një i droguar mizogjin e zëmërlëshuar. Është për të pyetur nëse së paku Shën Tereza e Lisieux  mund t’i shpëtojë humorit të keq të bashkëkohësve tanë.

“Corriere della Sera” 19 mars 2021    E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: A ËSHTË E DREJTË, Eugjen Merlika, NAPOLEONI, TË PËRKUJTOHET

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 24
  • 25
  • 26
  • 27
  • 28
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT