A ËSHTË E DREJTË TË PËRKUJTOHET NAPOLEONI?
Nga STEFANO MONTEFIORI-Perktheu-Eugjen MERLIKA/
Një president I Republikës franceze nuk mund të mos përkujtojë Napoleon Bonapartin. Nuk do të kishte mundur t’i shmangej Nicolas Sarkozy, i hipur mbi kalë dhe me kapellen dycepëshe në fotomontazhin e famshëm të Economist-it para zgjedhjeve fitimtare të vitit 2007, as mund të tërhiqet mbrapsht tani Emmanuel Macron-i, i cili është paditur apo vlerësuar shpesh, simbas pikëpamjeve, për kahun bonapartist, atë prirje për të përqëndruar pushtetet, për t’u folur francezëve pa ndërmjetës, për të marrë pozën e njeriut të fatit n’Evropë. Në fakt Macron-i ka lajmëruar se në pesë majin e ardhshëm Franca do t’a përkujtojë dyqind vjetorin e vdekjes së Perandorit.
Por nuk janë kohë të lehta për personazhet historikë e për atë që do të përballojë kujtimin e tyre. Zëdhënësi i Qeverisë Gabriel Attal i ka vënë duart përpara. Napoleoni do të shihet “me sy të zgurdulluar”, pra duke mbajtur parasysh “edhe çastet më të vështira” e “për zgjedhje që sot duken të kundërshtueshme”. Asnjë shenjtërim të verbër.
Por nëse protestat kundër racizmit e kolonializmit në muajt e shkuar kanë çuar në thyerjen e përmendores së Victor Schoelcher, autorit të shfuqizimit përfundimtar të skllavërisë në 1848, por i bardhë e pra paternalist, merret me mënd se çfarë do t’i takojë Napoleonit që më 1802 rivendosi skllavërinë mbas heqjes së bërë nga Konventa, tetë vite më parë. Në fakt Franca ka gjetur në vitin napoleonian një tjetër rast për t’u ndarë.
”Të përkujtohet por jo të festohet” porosit Hubert Vedrine, këshilltari diplomatik i Francois Mitterrand-it e më pas ministri i Jashtëm socialist gjatë kryesisë Chirac. “Është e drejtë të kujtohet Napoleoni sepse bëmat e tij kanë ekzistuar, por nuk duhet të festohet, sepse festohet gjithshka për të cilin mund të jemi krenarë simbas mendësisë sonë të sotme”. Por janë shumë që ndihen krenarë për Napoleonin edhe sot, si për shembull deputeti i Republicains (e djathta) Julien Aubert: “Më 15 gusht 1969 presidenti Georges Pompidou shkoi në Ajaço për të festuar dyqindvjetorin e lindjes së Napoleonit, e para e një sëre përkujtimoresh në të gjithë Vendin. Franca e vitit 1969 nuk kishte asnjë problem për të mëtuar trashëgiminë napoleoniane sepse njihej në lakminë e një France të fuqishme n’Evropë, me një mesazh drejtuar botës.”
Por Napoleoni nuk qe vetëm kampioni i universalizmit francez, qe edhe themeluesi i kodit civil e i sistemit edukativ bashkëkohor. Ndjeshmëritë nga 1969 deri sot kanë ndryshuar, aq sa përvjetori shkakton mëdyshje edhe në brendësi të qeverisë: Elisabeth Moreno, ministre për Barazinë burrë – grua kujton se “Napoleoni ka qënë një nga mizogjinët më të mëdhenj të historisë”, por ajo do t’i bashkangjitet me pahir vendimeve të qeverisë.
Kujtimi i Napoleonit zgjon interes edhe në Shtetet e Bashkuara, ku muajt e fundit mediat liberale kanë qënë shumë t’ashpër me qeverinë franceze, të dyshuar për lëshime të tepërta islamofobisë, racizmit e mizogjinisë. Me një kryeartikull shumë t’ashpër në New York Times, historiania Marlene L. Daut e universitetit të Virgjinisë fton institucionet franceze që të “shohin më me kujdes historinë skllaviste të Vëndit të tyre se sa të nderojnë një ikonë të epërsisë të bardhë”.
Ndoshta ka arsye Teresa Cremisi, një botuese e madhe italiane në Paris, kur në Journal du dimanche kujton një mungesë hapësire, një paaftësi të përgjithëshme për të shmangur anakronizma qesharake. Është një problem që ka të bëjë jo vetëm me Napoleonin por me të gjithë personazhet historikë. “Kundërshtitë mbi përkujtimoret i shëmbëllejnë zënkave të pallatit. Është njësoj sikur Historia të zbresë me shapka n’oborrin e pallatit, t’i drejtohet njerëzve të mëdhenj sikurse fqinjëve të katit, të emërtuar për mangësitë e tyre. Është çasti të festojmë Voltaire-in? Merre me mënd, një islamofob dhe antisemit. Rousseau? E pamundur, braktisi fëmijtë. Richelieu? Një tradhëtar i lindur. Baudelaire? Një i droguar mizogjin e zëmërlëshuar. Është për të pyetur nëse së paku Shën Tereza e Lisieux mund t’i shpëtojë humorit të keq të bashkëkohësve tanë.
“Corriere della Sera” 19 mars 2021 E përktheu Eugjen Merlika