Nga ANGELO PANEBIANCO-Perktheu:Eugjen MERLIKA/
Në jetën ndërkombëtare mund të haset shpesh në dy lloje problemesh: ata të përballueshëm dhe ata të papërballueshëm. Të parët, ata të përballueshmit mbajnë të zotuar diplomacinë. Për shembull, shumë tani po bëjnë çmos për të arritur një pushim zjarri ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Asnjëri nuk mendon të “zgjidhë” ndonjë gjë: bëhet fjalë për një konflikt të paracaktuar të vazhdojë për pale sa vjet, nëmos për dhjetëvjeçarë. Por problemi është i “përballueshëm”, në kuptimin që ndoshta do të jetë e mundur t’i vihet një arnë e përkohëshme. Ka pastaj probleme të një tjetër natyre, krejtësisht të patrajtueshme. Askush nuk din si t’i përballojë. Në përgjithësi kërkohet të zhvendosen, të shtiret sikur nuk ekzistojnë. Në shpresën që të jetë historia e ardhëshme, në paparashikueshmërinë e saj pëbërëse të zgjidhë nyjet. Edhe sa kohë ende bota perëndimore mund të shtiret se Turqia – një antar i organizatës së saj kryesore ushtarake (Nato-s), nuk është bërë një armike?
Të përmbledhim, në vija të përgjithëshme, faktet. Turqia bën pjesë në Nato që nga viti 1952. Për dhjetëvjeçarë ka qënë pjesë përbërëse e aleancës perëndimore, një shtyllë. Për pasojë ishte dhe aleate e Izraelit. Kishte një marrëdhënie të ngushtë ndërmjet vendosjes së saj ndërkombëtare dhe regjimit të saj të brëndshëm. Turqia bashkëkohore u sendërtua nga Mustafa Qemal Ataturku që e deshi laike dhe “evropiane”.
Qe një trashëgim që ushtarakët, struktura e vërtetë mbajtëse e regjimit turk (edhe në periudhat në të cilat ishte demokracia parlamentare), e mbronin dhe e mbanin gjallë. Laicitet në politikën e brëndëshme, filo – perëndimorizëm në politikën e jashtëme. Pastaj gjërat ndryshuan. Turqia islamike, ajo e katandisur në heshtje ose gati në të nën Ataturkun, u hakmorr duke vënë në një qoshe Turqinë evropiane. Partia islamike, hap mbas hapi, duke shkrehur trashëgiminë e Ataturkut, ka nxjerrë jashtë loje ushtarakët (duke i dhënë shtysën përfundimtare mbas grushtit të Shtetit të 2016-ës) ka ri-islamizuar një pjesë të madhe të shoqërisë. Me ri-islamizimin ka mbaruar perëndimërësia turke. Mund të diskutohet nëse ka ndonjë përgjegjësi Evropa: zjarri pengues kundrejt kërkesës së Turqisë për të hyrë në Bashkimin evropian, sigurisht ka dhënë ndihmesën e vet për të dobësuar dhe poshtëruar turqit evropianë në të gjthë dobinë e Turqisë islamike. Por ndoshta ri-islamizimi ka arsye të shumta e komplekse, nuk është vetëm përgjegjësi e Evropës.
Shënja e parë e ndryshimit të vendosjes ndërkombëtare shkon në vitin 2003 kur, duke qënë në qeveri partia islamike, Turqia, për të parën herë që nga mbarimi i luftës së dytë botërore, i u përgjigj ashpër kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe nuk pranoi t’i lejojë ushtrisë amerikane të përdorte bazat e saj në Turqi për të goditur Irakun e Sadam Hysenit.
Por ndoshta viti në të cilin ndryshimi i vendosjes ndërkombëtare, si pasojë e ndryshimit të regjimit të brëndëshëm dhe ri-islamizimit të shoqërisë turke, u bë më i dukshëm ishte 2010: sulmi izraelian mbi një anije turke që, zyrtarisht dërgonte ndihma humanitare palestinezëve (por që, simbas izraelianëve, kishte dhe armë) lajmëroi botën se ishte në zhvillim një përmbysje e aleancave. Mbaronte marrëveshja dhjetravjeçare ndërmjet Izraelit dhe Turqisë. Dobësimi i vazhdueshëm i aleancës turke me perëndimorët përputhej (në mënyrë koherente) me një ndryshim frontesh nga ana e turqëve edhe në Lindjen e Mesme. Mbaronte aventura properëndimore e dëshëruar nga Ataturku, fillonte ajo neo – otomane.
Sot Turqia luan në të gjitha tryezat e mundëshme. Fakti që vazhdon të jetë antar i Nato-s i lejon të mbajë në ruajtje perëndimorët. Në të njëjtën kohë mban marrëdhënie të ngushta me Putinin (me të cilin është shemër në garën për ndarjen e Libisë). Në sajë të këtyre marrëdhënieve mund t’i lejojë vetes të sfidojë (deri tani me sukses) atë Nato në të cilën bën pjesë. Siç e tregoi kur theu solidaritetin atllantik duke blerë raketa nga Rusia. Është financuese e madhe, së bashku me Katarin, i Vëllezërve Myslimanë. Erdogani luan kundër Arabisë Saudite dhe Egjyptit, duke synuar drejtimin e botës sunite, gjë që nuk e pengon të gjejë pika takimi e mirëkuptimi me Iranin shiit, si në këtë çast (por jo që sot) në mbështetje të Hamasit.
Kush mendon se sidoqoftë veprimi turk ka të bëjë vetëm me Lindjen e Mesme e nuk prek Evropën, gabohet rëndë. Së pari sepse ajo që ndodh atje ka pasoja edhe këtu. Mbështetja turke radikalizmit islamik në Lindjen e Mesme nuk mund të mos na përkasë edhe neve. Nëse Mesdheu do të ndahet qëndrueshmërisht ndërmjet turqëve e rusëve, do të jenë duar të ndryshme nga ato evropiane (dhe armike t’Evropës), që do të kenë kontrollin mbi burimet jetike energjetike dhe mbi rubinetat që rregullojnë valët mërguese.
Për më tepër, veprimi turk dhe dëshirat e Erdoganit i kalojnë kufijtë e Lindjes së Mesme, siç kanë treguar tensionet ndërmjet Turqisë e Greqisë për kontrollin mbi burimet e gazit në Mesdheun lindor. Siç dëshmon edhe ndërhyrja masive në zonën ballkanike, ku Turqia kombinon investime ekonomike dhe indoktrinim fetar.
Ende nuk është e gjitha. Mendoni ndeshjen shumë të fortë ndërmjet presidentit francez Emmanuel Macron dhe diktatorit Erdogan. Turqia këtë herë provon me të tjerë mjete. Dy herë (me rrethimet e Vjenës të 1529 dhe të 1683), perandoria otomane kërkoi rrugën për të mësyer Evropën. Tani Turqia kërkon të rrisë ndikimin e saj politik në kontinent duke financuar xhamitë që sponsorizojnë islamin më radikal, për të kushtëzuar nga përbrënda Vëndet evropiane.
Ndonjëherë, siç u tha, është historia, në paparashikueshmërinë e saj, që zgjidh nyjet të cilat njerëzorët nuk dijnë si t’i përballojnë. Ndoshta (kushedi?) Turqia evropiane, edhe se e goditur ashpërsisht nga ajo aziatiko – islamike, shpejt a vonë do të ngrejë kokë. Megjithë “kurën” Erdogan Turqia mbetet një shoqëri e ndarë, kaluar mes Evropës dhe Azisë. Nëse dy Turqitë do të kthehen për t’u ndeshur, kjo do të ketë sigurisht pasoja dhe ndikime edhe në politikën e jashtëme t’atij Vendi. Ndoshta do t’i a zvogëlojë synimet, ndoshta e bën më pak agresiv si në Lindjen e Mesme si kundrejt Evropës. Nëse ti nuk mund të nxjerrësh gështenjat nga zjarri, duhet të shpresosh që t’a bëjnë ata që disa quajnë Providencë e disa Fat.
“Corriere della Sera”, 20 maj 2012
Përktheu Eugjen Merlika