• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DËSHMI FISNIKËRIE SHQIPTARE

March 3, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

            Këto ditë në gazetën “Dielli” on line dhe në portalin Voal.ch u botua një shkrim i shkurtër me titullin: “E pyeta Kol Bibën nji herë”. Autori i atij shkrimi është Dr. Gjon Buçaj, ish kryetari i organizatës “Vatra” në SHBA. Shkrimi bën fjalë për një bisedë që, shumë vite më parë, autori kishte zhvilluar me z. Kol Bib Mirakaj, një personalitet i njohur politik i Shqipërisë para komuniste dhe autor i një vëllimi kujtimesh historike me titull “Vetvrasja e një kombi”, një nga veprat më të mira, në mos më e mira e publicistikës shqiptare që i referohet periudhës e ngjarjeve të zhvilluara në Shqipëri gjatë luftës së Dytë botërore.

            Shkrimi sjell për lexuesin një episod të thjeshtë por shumë kuptimplotë, që lidhet me një nga ngjarjet më të rëndësishme të periudhës së pushtimit italian, atë të shpëtimit të hebrenjve. Është një ngjarje e mbajtur në frigorifer nga historia zyrtare e periudhës së komunizmit, e zbuluar aty këtu nga dëshmitë e ndryshme dhe nga studimet e kryera mbi atë temë mbas rënies së regjimit. Ajo hyri në historiografinë e këtyre viteve të kalesës, e trajtuar nga studjues të ndryshëm, kryesisht Shaban Sinani, Mergim Korça etj.

 U përvehtësua nga politika që u bë e vetëdijshme nga njohja dhe vlerësimi i dukurisë nga vetë shteti i Izraelit, se shpëtimi i hebrenjve ishte një faqe e ndritur e historisë shqiptare. Por megjithatë, në gjithë këta vite, studimet për atë dukuri historike nuk janë të thelluara, mbasi ka munguar vullneti i plotë për të bërë të njohura e botuar tërësinë e vëllimit të dokumentave arkivore që pohojnë të vërtetën historike. Është kalëruar teza se dukuria ishte diçka spontane e shpirtit bujar të shqiptarëve, që u shfaq fuqishëm në vitet e luftës në të cilën në gjithë Evropën u dërguan në kampet e vdekjes rreth 6 milion hebrenj, me pak përjashtime, ndoshta ajo më e rëndësishmja ishte pikërisht Shqipëria.

            Dr. Gjon Buçaj tregon në shkrimin e tij se si, në verën e vitit 1943, ministri i Brendshëm i qeverisë shqiptare, Z. Kol Bib Mirakaj, kishte ndërhyrë në vetë të parë, me një përfundim të arritjes së qëllimit, për të shpëtuar nga vdekja, një tregtar hebre nga Vlora, njërin prej vëllezërve Levi, që ishte arrestuar nga SIMI italian. Ministri ishte vënë në dijeni nga  përfaqësuesi i Komunitetit hebraik pranë Qeverisë, (një institucion për të cilin nuk kemi dëgjuar asnjëherë të flitet nga historiografia komuniste) Leo Thür, dhe vëllai i të arrestuarit për veprimin e SIMI-t italian. Arrestimi ishte bërë nën njoftimin që i kishte ardhur organit se Levi i kishte dhënë një shumë të mirë parash komunistëve, të cilët i kishin djegur njërin nga dyqanet që ai kishte familjarisht në Vlorë. Koloneli italian kishte kërkuar nga familja 12.000 napolona flori.

            “Ata mund t’i jepshin paret, por kush mund të besonte se megjithate nuk do t’a ekzekutojshin.

            Kol Biba u spiegoi se, tue qenë nën okupimin ushtarak italian , qeveria nuk ka fuqi veprimi mbi ushtrinë, por megjithate premtoi se do të merrte masat e mundëshme dhe u kishte thanë të vijshin përsëri të nesërmen, në orën 6 të mbramjes. Mbas takimit, ministri kishte dërgue dy kabllograme në Vlorë, njenin prefektit e tjetrin federalit, të cilët  kishin konfirmue se faktet ishin ashtu si ia kishin përshkrue Thürr dhe Levi. Të nesërmen, Kol Biba thërret kolonelin italian në zyrë i thotë se “Ju mbani t’arrestuem nji qytetar shqiptar dhe unë kërkoj që t’i dorëzohet menjiherë qeverisë shqiptare.” “Kush asht i arrestuemi?”, kishte pyetë koloneli dhe kur ndigjon emnin e Levit, ai përgjigjet me arrogancë, më kambë gati me dalë përdere: “Ai asht arrestue sepse ka dhanë pare komunistave dhe nesër n’ora 6 të mëngjesit do të ekzekutohet!” Ministri shqiptar ia kishte këthye me ton të fortë: “Ti e pushkaton nesër n’orën 6, por unë do të hypi në aeroplan në orën 9 për Romë dhe do t’i referoj Musolinit se e ke ekzekutue pse nuk të kanë dhanë 12.000 napolona ar!” Kjo e ftofi kolonelin, i cili e ndryshoi tonin: “Shkëlqesë, por për dobinë e të dy palëvet……”. Kol Biba i kishte thanë se për dobinë e të dy palëvet ai e donte qytetarin shqiptar të dorëzuem në zyrën e tij mbrenda ditës! Ashtu edhe u ba.

            Kur Leo Thürr dhe vëllau i të burgosunit erdhën në orën 6 të mbramjes, befasia me gëzim ishte e kuptueshme, kur u takuen me të burgosunin që tashma ishte në dorën e qeverisë shqiptare, që do të thoshte edhe se jeta e tij ishte e shpëtueme. Por befasia edhe ma e madhe, ngarkue me emocion të thellë, ishte kur Kol Biba u tha se ai tash ishte i lirë dhe mund të shkonte me ta në shtëpi.

            Të nesërmen të dy vizitorët i vijnë Kol Bibës në zyre për të tretën herë, por kësaj rradhë për t’a falënderue. Ai u kishte thanë se kishte ba vetëm detyrën dhe mbas nji bisede të shkurtë, i kishte përcjellë te dera me premtimin se hebrejt në Shqipni do të kishin mbrojtjen nga qeveria si të gjithë qytetarët e tjerë shqiptarë. Kur asht këthye te tavolina e punës, ka vërejtë se kishin harrue nji valixhe dore. I ka thanë rojes me i thirrë të vijnë me e marrë, por kur janë këthye i kanë spjegue se nuk e kishin harrue valixhen dhe se aty ishte nji “falënderim” për shpëtimin e jetës së Levit. “Po çka asht ai falënderim?” i kishte pyetë dhe kur i kishin spjegue për shumën në franga ar që ishte në valixhe, ai e kishte marrë si ofendim. “E kuptoj gjendjen tuej shpirtnore, se përndryshe do t’u akuzojshim për tentativë korrupsioni”. Kot u munduen me u arsyetue se ai e kishte shpëtue jetën e njeriut të tyne pa kurrfarë premtimi paraprak, dhe se ata, si hebrej, e kishin obligim shpërblimin dhe mirënjohjen dhe se kjo ishte e vetmja mënyrë e mundun për ta me e nderue obligimin e tyne moral, e tjera. Mbas zemrimit në fillim, ministri asht zbutë dhe i ka ftue të ulen, ka porositë kafe dhe ka zhvillue nji bisedë të qetë me ta, u ka spjegue se për ate ishte shpërblim i madh dhe i mjaftueshëm shpëtimi i jetës së Levit.”

            Ky është tregimi i z. Gjon Buçaj, që sjell fjalë për fjalë atë që i kishte treguar Z. Kol Bib Mirakaj. Episodi vlen të komentohet e të diskutohet sepse paraqet disa këndvështrime të trajtimit të dukurisë e, së bashku me dokumenta zyrtarë, të botuara në ndonjë organ të shtypit të këtyre viteve, dëshmon se cili ka qënë vërtetë roli i ish Ministrit Mirakaj në këtë rast, por edhe i gjithë administratave shqiptare të kohës së luftës, në shpëtimin e hebrenjve. Sjellja e ish Ministrit dëshmon karakter të fortë shqiptari malësor, burrëri, zgjuarsi, guxim, dinjitet, ndershmëri vetiake e profesionale, një integritet moral shëmbullor, që na përkëdhel ndjenjën e krenarisë kombëtare, kur mendojmë se dikur Shqipëria kishte të tillë burra në drejtimin e saj. Vlen të theksohet edhe një tjetër fakt, se këtë episod të lëvdueshëm për cilindo shtetar, të cilitdo Vend të botës, Kol Bib Mirakaj nuk e përmend fare në kujtimet e tij. E hedh mbas krahëve, duke e quajtur si një kryerje detyre të thjeshtë, e gjen shpërblimin moral vetëm në faktin se ka shpëtuar një jetë njeriu.

            Madje për të plotësuar kuadrin e kësaj familjeje të nderuar të Malësive shqiptare, autori i shkrimit pohon se simbas monografisë “Halim Spahia” të prof.dr. Nuri Bashotës, vërtetohet se edhe Pashuk Bib Mirakaj, i vëllai i ish Ministrit, përmendet për ndihmesën e tij për “trasferimin e shumë familjeve hebreje, në mënyrë të organizuar dhe tejet sekrete dhe me emra krejt të tjerë, me automjetet e firmës “Vllaznit Spahija”, prej Kosove e në Shqipni e përtej…”. Por si shpërblim të kësaj vepre madhore që do të mbetetpërjetë një kurorë e ndritëshme mbi kryet e Shqipërisë, në kujtesën demokratike të njerëzimit, Shqipëria komuniste i quajti “tradhëtarë” ata atdhetarë, i degdisi për një jetë të tërë familjet e tyre në kampet e internimit e në burgjet e  errta të diktaturës.

            Krahas admirimit që mund të ndjehet nga kushdo që beson në vlerat tradicionale të popullit shqiptar, kur mëson këto shfaqje fisnikërie të së shkuarës, nuk mund të ndihet keq kur sheh se sot shtati moral i politikanëve është bërë një nga problemet kryesore të shoqërisë shqiptare, që ka një të katërt shekulli që përballohet me një korrupsion gjithënjë në rritje e me lindjen e një klase të re pasanikësh që përbëjnë pjesën më të madhe t’atyre që kanë si profesion politikën dhe mbarështimin e shtetit e te institucioneve të tij.

            Shëmbuj të tillë fisnikërie shqiptare, që na vijnë nga e kaluara, duhet të shërbejnë jo vetëm për t’a njohur më mirë të vërtetën historike, të tjetërsuar plotësisht nga historiografia e 80 viteve të fundit, por edhe për t’i dhënë vëndin e duhur në kujtesën historike të kombit, atyre që i shërbyen atij me të gjithë fuqinë e personalitetit të tyre, që buronte nga respektimi i thellë i vlerave më fisnike të trashëguara të popullit të tyre, në çaste tepër të vështira epokash të hershme pa asnjë përfitim vetiak.

                                                                                                Mars 2020       

Filed Under: Politike Tagged With: deshmi fisnikerie, Eugjen Merlika

EUROPA (E PAPLOTËSUAR) MUND TË BËJË MË SHUMË NË KRIZËN

February 27, 2020 by dgreca

Nga Federico Fubini/

E përktheu Eugjen Merlika nga “Corriere della Sera”/

            Në verën e vitit 2017, gjatë krizës së refugjatëve, qeveria austriake  njoftoi se do të kishte dërguar ushtrinë në kufirin e Brennero-s. Nga Viena u kërkua Paolo Gentiloni për t’i a komunikuar, por kryeministri i atëhershëm nuk i u përgjigj telefonit: e dinte gjthshka. Atëherë ministrat austriakë i u drejtuan kryetarit të Alto Adige-s, Arno Kompatscher me qëllim që t’ishte ai që t’i jepte mesazhin Romës. Kompatscher-i i telefonoi menjëherë Gentilonit, që dëgjoi në heshtje dhe u përgjigj me pak fjalë: “Thuaju austriakëve se ushtrinë e kemi edhe ne”.

Ngjante tre  vjet më parë, jo njëqind vjet më parë. Atëherë ai vendim u tërhoq në pak orë dhe u zhvleftësua si “keqkuptim”.Por Evropa qartësisht ishte në kulmin e shfaqjeve periodike të dobësisë institucionale përballë shkulmeve të baticave të detit që arrinin nga pjesa tjetër e botës. Që atëherë ndonjë hap përpara për refugjatët është bërë (jo shumë), por në këto ditë historia kthehet në një pasqyrë të stërmadhe në të cilën Bashkimi evropian sheh veten e kupton sa e rrezikshme është paplotësia e saj. 

Spikama e koronavirusit sapo ka filluar në Vendet tona dhe përsëri jemi të pranishëm në përsiatjet e përherëshme: kundërveprime kombëtare të parenduara, tejpamje vetëm aty këtu dhe mjaft befasi. Natën e së dielës Austria ka ndaluar për orë të tëra një tren në Brennero. Rumania do të dëshëronte të vinte në karantinë të gjithë ata që vijnë nga Lombardia dhe Veneto (dhe Bazilikata rrjeshtohet me të , duke i shtuar Piemontin, Ligurien dhe Emiglia Romagnën). Një autobuz i linjës që vinte nga Milano u ndalua në Lion sepse shoferi kollitej. Deri edhe nga një aeroplan që arrinte në Mauritius nga Milano kanë zbritur në tokë vetëm ata që nuk banojnë në Veneto e Lombardia.

Tani, nuk ka gjasë që nga Austria të vijnë të tjera veprime të njëanëshme si ata të 2017-ës. Sebastian Kurz, kryeministri, pret të kuptojë se ç’rrugë do të marrë Gjermania dhe do të thuhej se as qeveria gjermane nuk e din: ministria e Shëndetësisë, me seli në Bonn, i tha dje “Corriere-s” se nuk ishte në gjëndje të thonte se sa prova mbi Covid – 19 janë zhvilluar në Vendin “ sepse Gjermania është një Shtet federal dhe autoritetet e krahinave janë vetë përgjegjës për raset e veçanta”. Edhe në Francë ministria e Solidaritetit dhe Shëndetësisë i shmanget përgjigjes së një pyetjeje të “Corriere-s” mbi numurin e provave që janë kryer në Vend. Por  ne italianët e kemi zbuluar mbi lëkurën tonë se, pa njohuri të qarta e të bashkërenduara mbi sasinë e kontrolleve, sa vështirë është të kuptohet sa e përhapur mund të jetë epidemia n’Evropë. Tani Italia po e kupton se në mesin e ditës së hënë numuri i provava të kryera është ngjitur në katërmijë nga pak qindra të javës së shkuar.

I njëjti çrregullim strategjik mbi kontrollet e tipave të tjerë. N’aeroportet italianë prej javësh janë vendosur skanera termikë (Fiumicino) ose termometra me rreze infra të kuqe (Linate e gjetiu), për të matur temperaturën e udhëtarëve, por të tjerë aeroporte evropianë nuk i kanë vendosur. Sigurisht ata do të kenë marrë masa paraprake në spitalet apo në vendet e punës që në Francë, Gjermani, Austri apo Spanjë mund të jenë marrë më parë e me më shumë efektshmëri se n’Itali.

Sidoqoftë mësimi është i qartë: Evropa është një hapësirë në të cilën mund të zhvendosemi lirisht, njëlloj si brënda një Shteti, ka një treg të përbashkët në të cilin mallrat udhëtojnë në një sistem të përgjithshëm që vazhdimisht na mban nën trysni, gjithmonë me goditje të reja. Ndodhi ndërmjet 2015-ës dhe 2017-ës me krizën e refugjatëve, kur Italia e Greqia u lanë vetëm sikur t’ishte një problem posaçërisht i tyre. Rrezikohet të ndodhë përsëri me Covid – 19. Përballë një epidemie globale Evropa nuk ka protokolle të përbashkëta të parandalimit e sigurisë, as standarte të detyrueshme e të vlefshme për të gjithë, as rregulla të qarta se si, kur dhe pse një Vend mund të mbyllë kufijtë me një tjetër për të ndaluar virusin me telat me gjëmba.

Përfundimi është se Vëndet më në dukje – në këtë rast Italia – gjenden edhe një herë të vetmuar e në mundësi subjekti për të marrë mësime. Por duhet të jemi të ndershëm e të pranojmë se Komisioni evropian nuk ka faj: politikat shëndetësore janë ruajtur me xhelozi nga qeveritë kombëtare, pa menduar se në këtë globalizim të parregullt një ditë Kina do të eksportonte një virus të fuqishëm e të panjohur dhe jo vetëm teknologji digjitale apo panelë diellorë. Ajo që ndodh sot vërteton atë që është e qartë prej vitesh: si një ndërtesë e mbetur përgjysmë, Evropa rrezikon të mos u qëndrojë dot goditjeve të një ere që vjen prej së largu. Duhet të plotësojë veprën e saj, pa humbur më kohë tjetër.

Me një hollësi më shumë, sepse të djelën Marine Le Pen qe e para që deklaroi se Italia duhej veçuar. Këtë drejtuese e njohim: aleate e ngrohtë e sovranistëve të shtëpisë sonë, në ngjitje në sondazhet në Francë, e vendosur të garojë përsëri për presidencialet e 2022, Le Pen në këto ditë jep idenë se çfarë do t’ishte për Italinë një Francë e drejuar prej saj e çfarë  do t’ishte një Evropë e mbarështuar nga shumë udhëheqës si ajo. Deri sa të jenë në opozitë, si sot, sovranistët mbeten të bashkuar kundër Brukselit. Por kur në një të nesërme do të qeverisin, do t’u duhet të gjejnë një armik për t’i dhënë gjithë fajet asaj që nuk shkon. Dhe nuk do t’u mbetej tjetër rrugë veçse të padisin njëri tjetrin.

“Corriere della Sera”, 24 shkurt 2020     E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Europa

ELEGJI PER BREZIN TIM-PJ 2

February 21, 2020 by dgreca

“…Nga luftërat vijmë, në luftëra shkojmë…”/

Ismail  Kadare/

NGA EUGJEN MERLIKA/

 

“ Në gjysmën e ecjes së jetës sonë, u gjenda në një pyll të errët…” kështu fillon një nga kryeveprat e letërsisë botërore. Po të perifrazojmë këto vargje, por në kah të kundërt, më duket se sjell idenë e atij ndryshimi të madh, që erdhi në jetën tonë në vitin 1991, një vit më vonë se në të gjitha Vendet e tjera. Kjo vonesë dëshmonte prapambetjen tonë në krahasim me të tjerët. Ndërsa të tjerët kishin vënë si synim rindërtimin e shoqërisë , nëpërmjet tejpamjes, ne derdhnim lotë për vdekjen e tiranit dhe harxhonim dyzet miljonë dollarë për të ngritur piramidën e tij mes Tiranës. Ndërsa të tjerët hapnin kufijtë e i lejonin qytetarët e tyre të kërkonin fatin në botën e lirë, ne shtangeshim para skenash vandalizmash homerike të tërheqjes zvarrë të kufomave të të rijve, “faji” i vetëm i të cilëve ishte se kishin tentuar të kalonin kufirin. Ndërsa të tjerët, të vetëdijshëm për dështimin e pashmangshëm të sistemit komunist, mundoheshin me të gjitha mënyrat të përfitonin nga përvoja dhe ndihma e Vendeve të pjesës tjetër të Evropës, ne e kthenim mbrapsht ofertën e gjermanit Shtraus për kredi e kërkonim armë…”Ne nuk jemi as Lindje as Perëndim” deklaronte atëhere Kryetari bizantin i Shtetit shqiptar, që “shquhej” për “modernizimin” e Vendit nëpërmjet tufëzave dhe arëzave. 

            Nga largësia e viteve duket më qartë absurditeti, në të cilin jetuam. Çdo epitet për të karakterizuar atë është i pamjaftueshëm. Në fund të shekullit të njëzetë, njerëz që të zinin rradhën në mesnatë e t’a ruanin atë deri në mëngjes, për të marrë një litër qumësht, besoj se nuk ka patur as në vendin më të varfër të Afrikës. Ne bashkëjetonim me varfërinë skajore të tregut e tonën, me nenin 55 e internimet dhjetravjeçare, me sulmet kundër antenave të televizorëve e kundër shpendëve të “tepërta” të fshatarëve, me demaskimet “revolucionare” para kolektivave e ankthin para çdo punonjësi të Sigurimit e na dukej se gjithshka ishte normale. Aqë shumë ishim mësuar me të keqen, kaqë shumë na kishte hyrë në palcë, saqë na ishte errësuar arsyeja e na ishin zbehur shqisat.

            Kështu arritëm deri në vitin e ndryshimit të madh, për të cilin ne i mbetëm përsëri borxhli historisë dhe ndërgjegjes sonë. U desh vrulli dhe forca e të rinjve të Shkodrës, Kavajës, Tiranës, studentëve të Universitetit etj., pra të një brezi tjetër, të bijve tanë, që t’i jepnin grushtin e fundit një kufome që kutërbonte, por që mundohej të qëndronte duke ndërruar maskat. Por ajo rini, që u ngujua në grevat e urisë në qytetin Studenti e gjetiu, nuk kishte as përgatitjen, as përvojën për të marrë në dorë drejtimin e një Shteti të ri, në një gjëndje katastrofale e në një rrugë të pashkelur më parë. Periudhën kalimtare nga një sistem i dështuar në një tjetër, që kishte dhënë prova të mjaftueshme rezultatesh e qëndrueshmërie, në popuj të zhvilluar e të lirë, do t’a mbarështonim përsëri ne.

            Ishte prova e së vërtetës, rasti i fundit që koha, si në një tabaka të argjentë, na servirte për të përmirësuar përfytyresën, për të ndrequr gabimet, për t’u shkëputur kryekëput nga një e shkuar pa lavdi. Ishte një barrë e rëndë, por dhe një piksynim tepër fisnik e i bukur: të rimëkëmbnim Atdheun tonë, t’a çlironim përfundimisht nga vargojtë e komunizmit e pasojat e tij, nga mungesa e lirive, nga varfëria, nga shkëputja prej botës, nga prapambetja proverbiale, nga dhuna, gënjeshtra, pabesia e krimi të istitucionalizuara në pushtet. Duhej të ngjallnim shpresën në një të ardhme më të mirë, të nisnim ecjen e ngadaltë, të vështirë por dhe të sigurtë drejt një objektivi të përbashkët me shumë popuj të tjerë, drejt pjesëmarrjes në Bashkësinë Evropjane. Për të sendërtuar këto synime madhore, që do të ndrronin rrjedhën e historisë për një popull të drobitur, siç ishte populli ynë, duhej një mendësi tjetër, jo ajo me të cilën me ose pa dashje ishim brumosur ne. Klasa politike duhej të kishte kurajon dhe largpamësinë e duhur të vinte në jetë një seri reformash rrënjësore, që do të prisnin gjithë urat me sistemin e lënë pas krahëve. Koha e re kërkonte një përveshje të përgjithëshme të mëngëve, kërkonte punë, mund e sakrifica të reja. Nuk kishte asnjë shkop magjik që, me një të rënë, do të sillte mirëqënien.

            Mirëqënia, që përbënte një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve, duhet të arrihej si rezultat i vënies në jetë të parimeve të tjera, të rregullave të tjera, të ligjeve të tjera. Mirëqënia do të vinte dalngadalë, hap mbas hapi të ndërtimit të një shoqërie tjetër, në të cilën, Shteti i plotfuqishëm që drejtonte çdo lëvizje të individit, që nga djepi deri në varr, duhej të hiqte dorë nga një pjesë e funksioneve e t’ua kalonte këto qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thoshte se roli dhe rëndësia e tij pakësohej, por ndryshonte fushë veprimi. Ky Shtet, që nuk duhej njëjtësuar më me partitë politike, duhej të ishte garanti i një objektivi tepër të rëndësishëm: t’u siguronte gjithë qytetarëve të tij mundësi të barabarta në nisjen e startit drejt mirëqënies, në një Vend të lirë, por në të cilin ligjet, që rregullojnë jetesën në bashkësi, duhej të ishin e, mbi të gjitha, të respektoheshin nga të gjithë.

            Shteti duhej t’u kthente qytetarëve jo vetëm liritë e mohuara për pesëdhjetë vite, por dhe pasuritë e shtetëzuara padrejtësisht, nga një regjim kusarësh. Ai duhej të gjente rrugët më të frytshme për të vënë në shfrytëzim gjithë pasuritë e mundëshme të Vendit, nëpërmjet një strategjie të menduar mirë e të zbatuar po aqë mirë. Ai duhej të vlerësonte e të ndante  me kritere të ndershme e të drejta atë pasuri të trashëguar nga homologu i tij i mëparshëm, pasuri që ishte baraz me djersën dhe mundin e gjysëm shekulli pune të papaguar të shqiptarëve nga kapitalizmi shtetëror komunist. Ai duhej të shpërblente veçanërisht ata, që në këtë pasuri kishin ndihmesën e tyre, nëpërmjet viteve të gjata të punës së detyruar pa shpërblim, si pasojë e dhunës së Shtetit proletar. T’i kthente kësaj pjese të popullsisë, jo vetëm me fjalë, dinjitetin e nëpërkëmbur, t’i njihte me sinqeritet peshën e vuajtjeve të saj, të kthente në të shpresën e t’i siguronte mundësitë lëndore për t’u ndjerë barabar me të tjerët, ishin nga të parat detyra, që viheshin para kujtdo që pretendonte të printe ecjen drejt një shoqërie, të bazuar mbi vlerat e larta të qytetërimit.

            Këto ishin përparësitë që duhet të kishte në rrugën e tij Shteti demokratik e së bashku me to, reformimin e tij, krijimin e istitucioneve të reja, futjen e një mendësie tjetër në to. Kjo mendësi e re, që dalngadalë do të pushtonte gjithë mjediset, do të ishte baza e krijimit të një shoqërie civile që, nga ana e saj do të shprehte një klasë politike, të denjë për emrin e të aftë për t’a drejtuar atë shoqëri drejt synimesh gjithënjë e më lakmuese. Por si i realizuam neve këto detyra, që papritmas koha na vuri në tryezë? A qemë në gjëndje t’i përgjigjeshim sfidës së madhe të fundit të shekullit?

            Pa mohuar një sërë arritjesh të rëndësishme si liria, në kuptimin e gjërë të fjalës, nisma private, mërgimi e ndonjë tjetër, më duket se synimet e tjera nuk qemë në gjëndje t’i kapim, madje as të hyjmë në rrugën e drejtë që çon në sendërtimin e tyre. Kuadri politik i vendit, faktor përcaktues në zhvillimet e mundëshme kaloi nga një skaj në tjetrin.Kishim dikur një parti shtet dhe uria gjysëm shekullore për to na çoi sot në një numur të stërmadh, disa dhjetra në një Vend me tre miljon banorë, një paradoks i vërtetë. Nuk mohohet se dhe në Vende të tjera, me sistem parlamentar, ka shumë parti, por kjo gjë nuk është një dobi për to e një arsye për t’u marrë shembull nga ne. Në Vendet që peshojnë sot në botën e zhvilluar, gjejmë një bipolarizëm politik, që përfaqësohet nga dy parti të fuqishme ose, në ndonjë rast  në dy blloqe partish. Këto dy parti ose dy blloqe shprehin dy mënyra të ndryshme të të konceptuarit të shoqërisë e të drejtimit të saj, kanë dy programe të ndryshme e çdo katër a pesë vjet dalin para zgjedhësve, për të marrë votbesimin e qeverisjes. Kush fiton qeveris, kush humbet kontrollon dhe përgatitet të qeverisë.

            Në Shqipëri teorikisht dy grupimet kundërshtare janë të pranishëm, por praktikisht, ndryshimi mes tyre dhe lufta e mprehtë politike nuk ka në qendër, të konceptuarit e ndryshëm të modeleve të zhvillimit, por lakminë e pakufi për të zënë pushtetin. Ky synim është i lidhur krejtësisht, jo me dëshirën për të sendërtuar në të mirë të Vendit ato gjëra që kundërshtari nuk i bëri, por me krijimin e mundësive të përfitimit vetiak, familiar, farefisnor e të rrethit të përkrahësve e simpatizantëve. Si pasojë e kësaj mendësije Shteti, që duhet të ishte garanti i mundësive për të gjithë, është kthyer në një vegël të një grupi, që në çfarëdo mënyre merr drejtimin e tij. Klientelizmi është bërë kriteri bazë i funksjonimit e korrupsjoni, karburanti që e vë në lëvizje. Alternanca e pushtetarëve shërben për të vazhduar “luftën e klasave” deri në nivelet më të ulta të administratës shtetërore, gjë tepër e dëmshme, mbasi nuk lejon formimin e asaj strukture të përherëshme të Shtetit, që është shtylla kurrizore e tij e që, në teori, duhet të formohet duke patur si të vetmin kriter meritokracinë. 

            Në dhjetë vjet Shteti demokratik qeveritë e parlamentet e kuqe apo blu nuk vendosën të kthenin pronat pronarëve të ligjshëm, nuk krijuan në kohë kuadrin e duhur ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, të domosdoshme për daljen nga palëvizshmëria gjysëm shekullore. Ata nuk qenë në gjendje të siguronin funksjonimin normal të Shtetit të së Drejtës, nuk krijuan modelet e istitucioneve të pavarura, vazhduan të qeverisin nga sekretaritë e partive, kaluan stafetën tek njëri tjetri për ligje iliberale, shpërblyen me copa letre pa vlerë jetët e marra apo të gjymtuara të viktimave të komunizmit, kontribuan në shkatërrimin e shtetit dhe imazhit të vendit më 1997, etj. Këto dy forca politike madhore të Shqipërisë drejtohen nga përfaqësues të Brezit tonë, të formuar moralisht e intelektualisht në shkollat e regjimit më dogmatik të Lindjes komuniste, të mbrujtur me mendësinë stataliste e populiste, të paaftë të konceptojnë e të shtjellojnë një strategji afatmesme e afatgjatë, për të nxjerrë Vendin nga bataku. 

            Paaftësia për të shfrytëzuar shortet e demokracisë, shpërdorimi në mundësitë që krijon ajo për të shprehur pikpamjet dhe opsionet politike, pamundësia për të hartuar strategjitë e taktikat e duhura ekonomo-politike bindëse, rezultative e në pajtim me veçantitë e Vendit e kërkesat e kohës, vërtetojnë katërcipërisht se klasa politike shqiptare nuk është në lartësinë e detyrave të saj. Pasojat e këtij përfundimi pasqyrohen në gjendjen e Vendit që, megjithë ndonjë rezultat makroekonomik si monedha,  fatkeqësisht paraqet një mungesë të madhe përsa i përket zhvillimit të gjithanshëm e të ekuilibruar ekonomik, konsolidimit të Shtetit ligjor, imazhit të përgjithshëm dhe treguesit të besueshmërisë, sidomos mbas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Sot Shqipëria , me ose pa të drejtë, hyn në rradhën e vëndeve problematike për kontinentin, quhet qendër trafiqesh të paligjshme nga më të ndryshmit. Me këto kredenciale ajo paragjykon marredhëniet e saj me botën e sidomos me Evropën.

            Sfidën, që koha na vuri para, ne nuk qemë në gjëndje t’a përballojmë. Dështuam në misionin tonë për të ndërtuar një Shqipëri bashkëkohore dhe konkuruese mbi gërmadhat e socjalizmit. Problemeve të vjetra, të trashëguara nga pesë shekuj zgjedhë turke e gjysëm shekulli sprove komuniste, i shtuam të tjera, ose së paku nuk qemë në gjëndje t’i parandalojmë. Më kujtohet një mbasdite festive, për një përvjetor të gazetës Liria në pallatin e kongreseve. Më kanë mbetur në mëndje fjalët e një veterani të burgjeve politike dhe të antikomunizmit: ” Shqipërisë sot i duhen dymijë idealistë”. Ndofta shifra ishte tepër e madhe, ndofta ajo nuk i përgjigjej as popujsh shumë më të mëdhenj e më të zhvilluar se i yni, por pohimi ishte i shenjtë. Ne nuk qemë në gjëndje t’i përgjigjeshim kësaj kërkese parësore të Vendit tonë, në një çast tepër të brishtë për të ardhmen e tij. Ishin vitet e para të demokracisë, ishim ende në kohë për të rimarrë rrugën e drejtë, të cilën, sigurisht, ata qindra idealistë do t’a kishin bërë më të lehtë. Ata nuk u dukën në skenë, ose më saktë nuk patën forcë t’a pushtojnë skenën. Koha dhe të tjerët i thyen dhe ata të paktit që u munduan të qëndrojnë e të luftojnë me të vetmen armë të idealit, ndershmërinë. Asgjë për t’u habitur, historia e botës është e mbushur plot me shëmbuj të tillë…

            Ky shkrim daton vitin 2000, atëherë kur pa për herë të parë dritën e botimit. Kishin kaluar vetëm dhjetë vite që ishte tjetërsuar sistemi e ato pyetje me të cilat ballafaqohej mendimi apo përsiatja për të vërtetën, ishin aty e prisnin përgjigje. Zhgënjimit të dhjetë viteve të para, në të cilët shpresat nuk ishin shkimur plotësisht për të ndërtuar shoqërinë e lirisë e të mirëqënies, sot i a ka zënë vëndin një tjetër tabllo, në të cilin brezi im ka dalë në rolin e vëzhguesit, dyfish kritik ndaj vetes. Nëse në gjysmë shekullin e regjimit ai nuk qe në gjëndje të bënte asgjë për të ndryshuar ecjen drejt greminës, në këto tridhjetë vjet, duke pasur në krye të Shtetit e të politikës disa nga antarët e tij krahas edhe bijve që duhej të merrnin stafetën e ecjes përpara, sheh me hidhësirë në gojë se, me gjithë ndryshimet e mëdha të kryera, përsëri Shqipëria nuk është aty ku kishim menduar se do t’ishte kur nisi rrugëtimin e saj n’epokën mbas komuniste.

            Gjatë këtyre viteve Shqipëria zgjodhi rrugën drejt Perëndimit dhe shoqërive të tij të hapura, u bë antare e Nato-s, ka dy dhjetëvjeçarë që troket në dyert e Evropës, nuk është më një bunker i mbyllur në mjerimin e vet, por një Vend i hapur, nga i cili shumë qytetarë të saj janë larguar për të ndërtuar jetën gjetiu, në anë të ndryshme të botës së madhe. Megjithatë zhgënjimi vazhdon t’a shoqërojë brezin tim, sepse brengat vazhdojnë të jenë bashkudhëtare të tij deri në frymën e fundit.  Atyre që lanë Atdheun në kërkim të një jete më të mirë, larg tij, nuk i u ndanë mundimet e vështirësitë, për t’u kthyer në  shërbëtorë e shërbëtore, duke gëlltitur në heshtje lotët e hidhur të një dinjteti shpesh të lënduar. E ndjenë ajrin e lirisë, i cili u kishte munguar gjithë jetën. Por vetëm liria nuk mjaftonte, sado e çmuar të mbetet ajo gjithmonë, për të përballuar një jetë që fillonte nga hiçi, mbasi e gjithë puna e bërë deri në atë kohë ishte shumëzuar me zero. Tani shumëve prej tyre u mungon atdheu, familja e zgjeruar, shokët, miqtë, mjedisi shqiptar edhe se koha e ka ndryshuar me shpejtësinë e vetëtimës. I pushton çdo ditë malli për vëndlindjen, edhe se politika e kronika shqiptare, nëpërmjet mediave të përditëshme, nuk u a bëjnë atë shumë tërheqëse. Megjithatë zemra mbetet e lidhur me atë Vend, me kujtimet e rinisë, me dëshirën për t’u prehur përgjithmonë në tokën e tij.

            Me dhimbje kalon ditët brezi im i mbetur në Shqipëri, duke luftuar çdo ditë me vështirësi të theksuara ekonomike e jetësore, i velur tej masës nga premtimet e pambajtura të atyre që i drejtojnë ka tridhjetë vite, që vazhdojnë çdo ditë t’i prrallisin me mrekullitë që do të “sjellin”, nëse do t’u japin votën. Shumë prej tyre kanë bijtë jashtë, përmallohen për nipat e mbesat që rriten atje, që me vështirësi flasin shqipen, sepse mësojnë në gjuhët e huaja. Por në thellësi të zemrës gjyshet e gjyshët janë të kënaqur për t’ardhmen e atyre mbesave e nipërve, që mund të gjejnë rrugën e tyre në Vendet ku studjojnë e nuk i shkon në mëndje t’i ftojnë të kthehen pranë tyre, sepse “Shqipëria nuk bëhet”. Në këtë shprehje të shkurtër ndoshta është kyçi i shpjegimit të dramës shqiptare. Humbja e besimit në t’ardhmen e Vendit, në mundësinë për secilin që me punë të ndershme të ndërtojë jetën e tij, të familjes e të japë ndihmesën për zhvillimin e shoqërisë, ndoshta është një ndër të këqijat më të mëdha me të cilat përballohet sot shoqëria shqipfolëse. 

     (vijon në numurin e ardhshëm)

Filed Under: Analiza Tagged With: Elegji per Brezin Tim-2, Eugjen Merlika

20 SHKURTI DITA – KUR ZUNË FILL SHPRESAT

February 20, 2020 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/

Kaluan njëwzetenëntë vite nga 20 shkurti 1991, një ditë e ftohtë por plot diell,  kur populli i Tiranës u derdh si një ortek në sheshin Skënderbej duke ju sulur  me furi simbolit më të dukshëm që epoka komuniste, në perëndimin e saj, ruante ende të paprekshëm, monumentit të Enver Hoxhës. Ishte pika kulmore e një proteste popullore që vlonte prej muajsh dhe e një mllefi të shtratifikuar gjatë një gjysëm shekulli. Duke parë “Perëndimin e Zotave” në gjithë Lindjen socialiste banorët e kryeqytetit shqiptar, nëpërmjet rrëzimit dhe tërheqjes zvarrë të monumentit, shpallën një mesazh historik të rëndësishëm. Ata treguan se me te vërtetë shqiptarët ishin të fundit në ish kampin socialist që mbajtën të ngrehur një sistem të falimentuar, por      që mbeteshin evropjanë e nuk donin të rrezikonin  më të ardhmen e tyre me një përvojë që i mbante të lidhur me Kubën, Kinën, Korenë e Veriut apo Vietnamin.

Në sytë e pjesës më të madhe të shqiptarëve ajo ditë shënonte “kalimin e Rubikonit”, fillimin e një epoke tjetër, që nuk do të mbante më në stemat e saj drapërin e çekanin, simbolet e pushtetit të sovjetëve, shënonte agimin  e ditës së shpresave të mëdha për një Shqipëri të lirë, demokratike, të hapur, të përparuar e të begatë. Për të ushqyer iluzionet në këtë rilindje të Shqipërisë duhej rrëzuar monumenti i Enver Hoxhës dhe gjithshka simbolizonte ai në kuadrin e një epoke historike, së cilës ai kishte patur meritën t’i jepte emrin e tij, epokës gati gjysëm shekullore të komunizmit në këtë Vend. Për fatin e keq të Kombit shqiptar ajo epokë e çoi Vendin në një rrënim të gjithanshëm nga pikpamja ekonomike, shoqërore e politike krejt në kah të kundërt me atributet që duhet të kishte Shqipëria për t’u bërë si gjithë Europa, siç uronin parullat entuziaste të rinisë heroike studentore.

Në emër të ideologjisë leniniste staliniste, të bazuar mbi urrejtjen dhe famëkeqen “luftë të klasave” ajo epokë e shndërroi Vendin në një kamp të stërmadh terrori, të mbarështuar nga Sigurimi i shtetit. Në emër të një doktrine ekonomike absurde e të dështuar  ajo epokë e çoi Shqipërinë në një prapambetje proverbiale e në një varfëri të theksuar, gjë të cilën e konstatuan menjëherë qindra mijra shqiptarët, që në këto vite patën mundësi të shohin e të njohin standartet  e zhvillimit të vendeve që patën fatin e mirë të mos provonin në kurrizin e tyre efektin dhe pasojat e  “socializmit real”. Në emër të idealeve komuniste dhe projekteve  donkishoteske   të    ndërtimit   të “ botës së re” e  ” të njeriut të ri”  ajo epokë e ktheu Shqipërinë në një kullë  mesjetare frymëmarrëse, pa dyer e dritare, pa kontakte me botën e qytetëruar, pa liritë më parësore, pa të drejtën për të besuar e për të lutur as edhe Perëndinë. Në emër të moralit komunist u luftuan sistematikisht pa mëshire traditat shekullore të tabanit shpirtëror të shqiptarëve, duke dëmtuar rëndë strukturën morale të një shoqërie, që megjithëse e prapambetur për arsye të njohura historike, mbetej mjaft e qëndrueshme në vetvete e garantonte mbijetesën dinjitoze dhe në ballafaqimin e mundshëm me një botë të globalizuar në të cilën përparimi ekonomik nuk shkon gjithmonë në të njëjtin hap me ruajtjen e vlerave.

Rrëzimi i monumentit të diktatorit komunist shpejtoi proçeset e ndryshimeve politike në Vend. Duke hartuar e zbatuar një strategji të stërholluar, që kishte si synim ndryshimin e paevitueshëm të sistemit në shumë përbërës të tij por dhe ruajtjen e pozitave zotëruese të shtresës së privilegjuar të tij në fushën ekonomike, kulturore e politike, klasa drejtuese e atëhershme ndofta dhe për një llogari të thjeshtë, lidhur me pasojat e mundëshme të një përsëritjeje të “ dhjetorit rumun”, i pilotoi  ngjarjet larg një gjakderdhjeje të mundëshme. Sigurisht ky fakt mbetet pozitiv për ecurinë e ngjarjeve, pavarësisht nga motivet përcaktuese, por ai barti në vetvete farën e një periudhe të tejzgjatur kalese, në të cilën shumë dukuri nuk morën drejtimin e duhur. 

Vitet që pasuan atë ditë shkurti  të 1991, kur u duk se “qiejt u hapën” e flladi i lirise  filloi të frynte mbi tokën arbërore, a i justifikuan shpresat e atyre dhjetra mijrave në sheshin Skënderbej dhe qindra mijra të tjerëve në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë? Po të gjykohet objektivisht duhet pranuar se përgjigja e pyetjes i ngjan gotës gjysëm të mbushur me ujë, e cila për dikë është gjysëm plot e për të tjerë është gjysëm bosh. A është sot Shqipëria, në të cilën nuk ushqehet më kulti i Enver Hoxhës dhe i “mësimeve të tij”, një Vend i lirë, demokratik, i hapur ,i përparuar e i begatë?

Numuri i pafund i partive politike, shumëllojshmëria e organeve të shtypit e përhapësve radiotelevizivë, qindra mijra shqiptarë që sot kanë marrë rrugët e gjithë globit në dukje pohojnë praninë e një demokracie të hapur e të një Vendi të lirë. Moria e banesave, dyqaneve, bareve, restoranteve etj., që janë ngritur e vazhdojnë të ngrihen krijojnë përshtypjen e një Vendi që vrapon drejt një objektivi  begatie. Të gjitha këto janë rezultatet e nismave të vetë shqiptarëve e sigurisht vërtetojnë përparësitë e një sistemi larg skemave të ngrira të sprovës pesëdhjetvjeçare komuniste.

Krahas këtyre arritjeve vërehen dukuri që prishin përfytyresën e Vendit e që jane simptomat patologjike të një demokracie shtatanike e të sëmurë. A mund të quhet i lirë një Vend, në të cilin, ende mbas gati tridhjetë vjetësh, ka si problem thelbësor pamundësinë për të zhvilluar zgjedhje të lira e të ndershme?  A mund të quhet me të vërtetë demokratik një Vend ku qytetari përballohet me korrupsionin e pandëshkuar në të gjitha  nivelet e Shtetit, duke pësuar mbi shpinën e tij të gjitha pasojat ogurzeza t’asaj dukurie të shëmtuar?  A mund të quhet e hapur në kah pozitiv një shoqëri në të cilën qarkullojnë të gjitha llojet e trafiqeve të paligjëshme, që nga droga deri “eksporti” i vajzave për t’u“ punësuar” në trotuaret e Evropës? A mund të quhet i përparuar një Shtet në të cilin eksporti i prodhimit vendas ze një vend të papërfillshëm në krahasim me importin e mallrave të huaja e në të cilin potenciali i vërtetë ekonomik i Vendit mbarështohet keq e nuk sjell frutet e pritëshme? A mund të quhet i begatë një Vend në të cilin shifrat e papunësisë janë në nivele shumë të larta e në të cilin pensione e rroga urie përballohen me çmime tregu herë herë më të larta se ato të Vendeve Perëndimore?

Përgjigja e këtyre pyetjeve, nënkuptohet, nuk përkon me aspiratat dhe shpresat e atij populli që njëzetenëntë vite më parë rrëzoi monumentin e Enver Hoxhës. Iluzioni se rrëzimi i pushtetit komunist mjaftonte për të sjellë automatikisht Shtetin ligjor, demokratik e të begatë pati jetë të shkurtër. Megjithatë kjo nuk zbeh aspak madhështinë e asaj dite që hyri me forcë dhe autoritet në historinë e Kombit tonë si një ditë e shënuar, dëshmi e aspiratave demokratike të shqiptarëve, e hedhjes poshtë të një sistemi shoqëror të bazuar mbi dhunën, gënjeshtrën dhe urrejtjen, një sistemi që i shkaktoi Shqipërisë shumë dhimbje e plagë ende të pashëruara. Si e tillë ajo duhet të festohet nga të gjithë shqiptarët në të njëjtin nivel që festohet 28  nëntori sepse, megjithë rezultatet e deritanishme, mbetet një datë që simbolizoi shpresën në të ardhmen, shpresën e tyre që t’a shohin atdheun si Vendet e përparuara të kontinentit të cilit i përkasin.

                                                                                                                                       Shkurt 2000

Filed Under: Opinion Tagged With: 20 Shkurti, Eugjen Merlika

KRISHTLINDJA SIMBAS FEDORIT

December 29, 2019 by dgreca

Nga ALESSANDRO D’AVENIA/ Perktheu: Eugjen Merlika/

Shën Pjetërburg, Krishtlindje 1875. Në klubin e artistëve zhvillohet një festë e shkëlqyer Krishtlindjeje, gjatë së cilës shumë të pranishëm përpiqen të vihen në dukje e të duken më të bukur e më të zgjuar. Një njeri që rrinte mënjanë, duke parë me vërejtje skenën dhe fytyrat e të ftuarvet, vinte re se të gjithë zbaviten por që në  realitet asnjëri nuk është vërtetë i kënaqur, atëherë vendos t’i heqë maskën lojës. “Fatkeqësia qëndron në atë që ju nuk e dini sa të bukur jeni. Secili prej jush mund t’i bënte të lumtur të gjithë të tjerët e t’i tërhiqte ata me vete. Kjo fuqi është tek secili, por aq thellësisht e fshehur, sa që është bërë e pabesueshme”. Ai që foli në mënyrë aq djegëse është Fedor Dostojevski që e tregon ndodhinë në Ditarin e një shkrimtari, që përmbledh shkrimet e rubrikës me të njëjtin emër të mbajtur në të përjavëshmen “Qytetari”. Për Dostojevskin, vëzhgues tepër të mprehtë, episodi tregon se njeriu pushon së besuari në praninë e diçkaje që kalon rrethin e ndiesive brënda e jashtë vetes, bëhet i pasigurtë e fillon të përçmojë veten dhe të tjerët. Faktit të kronikës shkrimtari i ve pas një tregim.

            Në natën e Krishtlindjes në një bodrum të akullt, një fëmijë gjashtë vjeç, i ngrirë dhe i uritur, përpiqet më kot të zgjojë t’ëmën. Atëherë del në rrugët me borë të Pjetërburgut me disa lecka në trup: kush e takon bën sikur nuk e sheh për të mos u marrë me të. Ai futet në një shtëpi plot me njerëz që festonin, por përzehet me një lëmoshë të zbehtë të një monedhe që i bie nga duart sepse gishtat ishin të ngrirë. Merr zemër duke parë një vetrinë plot me lodra, por goditet dhe ndiqet nga një djalë i keq. Shpëton dhe fshihet mbas një turre drush. Mbas pak kohe nuk ka më ftohtë dhe ndien një zë të çuditshëm që i thotë: “Hajde në festën time të Krishtlindjes, fëmijë”. Kështu gjëndet në një vënd të nxehtë, plot dritë e shumë fëmijë: për t’a pritur është nëna e qeshur. Të nesërmen, mbas druve të zotët gjejnë kufomën e fëmijës.

            Mbaron këtu tregimi Fëmija në festën e Krishtlindjes tek Jezui, dhe festa në të cilën vogëlushi u gjend është përjetësia. Dostojevski thotë se është frymëzuar nga një ndodhi e vërtetë, por përsa i përket fundit shton: “Përsa i përket festës së Jezuit a mund të ndodhte kjo apo jo? Pikërisht për këtë jam një romancier, për të shpikur”. Tregimi i fëmijës është kyçi për të kuptuar se çfarë nuk besojnë më artistët e festës: në Zotin dhe shfaqjen e tij. Shkrimtari ishte i bindur se ajo e Krishtit ishte një histori që përsëritet në të gjitha jetët njerëzore, në fakt në çdo kryevepër të tij ve në skenë një fragment ungjillor që është çelësi i leximit: pa Lazrin nuk kuptohet Krim e Ndëshkim, pa dasmën e Kanës Vëllezërit Karamazov, pa të tërbuarin e liruar Djajtë… Ishte i bindur sepse kishte sprovuar shumë herë ndërhyrjen e Zotit në konkretësinë e jetës së tij: dënimi me vdekje dhe falja në çastin e fundit; puna e detyrueshme në Siberi dhe leximi përmendësh i të vetmit libër në dispozicion, Ungjillit; sëmundja, kriza ekonomike dhe krijuese, takimi shpëtimtar me gruan e ardhëshme, Anën. Për të prania e Zotit në jetën e çdo njeriu, sado e fshehtë dhe e papranuar, është e vazhdueshme dhe e paprerë. Fëmija i bodrumit, një nga të shumtit që vdisnin nga uria dhe të ftohtit në qytet, është Fëmija i Betlemit: ai endet me pak lecka (pelenat) nëpër rrugët e qytetit-botë në kërkim të njerëzve që duan t’a mirëpresin, për ata vdes (turra e druve) në kryq, por ringjallet në festën e përjetëshme. Për Dostjevskin Zoti kalon pranë nesh në mënyra të panumurta, por kryesisht në krijesat e brishta si fëmijët, nga vuajtjet e të cilëve ishte i sfilitur, sikurse tregojnë faqet e humnerta të romaneve të tij. Brishtësia është veshja njerëzore me të cilën Zoti bëhet i gjallë brënda e jashtë nesh: nuk është kurrë një e vërtetë verbuese, por një psherëtimë, një ftesë, një rast, një dritë e heshtur… Nuk do t’ishim të lirë po të mos ishte kështu, dhe ai që nuk është i lirë nuk mund të dashurojë.

            Të ftuarit në festë “argëtohen por asnjëri nuk është i kënaqur”, sepse kanë pushuar së besuari Atit që i don pa rezerva: kush nuk ndihet i dashuruar ashtu siç është, ka vështirësi të dojë vehten e të tjerët. E shoh çdo ditë: të rinjtë me prindër që i bëjnë të ndihen të dashuruar janë më të qetë, e përballojnë jetën si një aventurë të lodhëshme por premtuese; kanë shpatullat dhe zemrën të mbuluar. Dostojevski beson me ngulm se Zoti kalon pranë secilit prej nesh, me veshje jo që bien në sy, duke kërkuar prej nesh të bashkëpunojmë me të. Ju uroj t’a njihni, të dashur lexues, me fjalët që Dostojevski i shkruante një burri të pasigurtë nëse duhej të ndihmonte apo jo një grua fajtore për vrasjen e fëmijës. “Mos e humbisni çastin në të cilin Zoti bën lëvizjen e tij”. Kështu Krishtlindja do të ndodhë tek ne e nëpërmjet nesh. Urime!

            Corriere della Sera, 23 dhjetor 2019         E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Fedori, Krishtlindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT