• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË VËND TË NJË TUFE ME LULE

September 24, 2022 by s p

(Kujtimit të një mësuesi)

Nga Eugjen Merlika

“Edhe kur kryet të na e mbulojnë thinjat

     Ndër mend do të sjellim nji emën nderues,

                                                  Emën të dashun porsi fëminija,

Emnin e thjeshtë por të madh, mësues”

Llazar Siliqi

I kam kujtuar shpesh gjatë jetës sime këto vargje të ngulitura herët, në fillimet e moshës para rinore, kur konceptet mbillen si fara në nji farishte pjellore, mbijnë e vazhdojnë të rriten me kalimin e kohës. Sa më shumë i largohem asaj periudhe, sa më shumë rrjedhin vitet, aq më tepër ata vargje mbeten të freskëta në kujtesën, tashmë të lodhur, nga pesha e viteve e nga bombardimi i pamëshirshëm i botës së larmishme që na rrethon.

Në gjithë kuadrin e zymtë të fëminisë e rinisë sime, të kaluara në kampet e vdekjes e t’internimit, në atë morí figurash njerëzore, me të cilat, dashje pa dashje, lidheshin episodet e përditëshme të të qenurit, figura të ndryshme, shumica e të cilave vazhdon të projektojë në kujtesë diktaturën, në mënyrë të pavetëdijshme veçohen ato të mësuesvet. Ndoshta n’atë realitet të zymtë e t’errët, kur ballafaqimi me botën ishte një vazhdimësí sinjalesh armiqësore që, çdo ditë, më kujtonin vargun madhor të Dantes “… Lini çdo shpresë….”, ndër të pakët njerëz, në të cilët nuk shihnja egërsinë e sistemit, ishin mësuesit. Për vetë thelbin e misionit të tyrë, ata së  bashku me mjekët ishin më pak të prirur për të pasqyruar fytyrën e përbindëshme të regjimit. Si të tillë ata mbetën në kujtesë edhe pse ka kaluar më shumë se gjysëm shekulli që u ndava nga bangat e shkollës.

Shumë prej tyre në vite kanë mbyllur sytë. Shkëputja e gjatë ka bërë që shpesh lajmi i humbjes së tyre më ka ardhur me shumë vonesë dhe keqardhja ka mbetur thellë në zemër e mendime, pa u trupëzuar në një ngushullim për familjet e tyre. Por më datën 14 shkurt një thirrje nga Shqipëria më lajmëroi se ish mësuesi im, z. Shefqet Karaj, kishte ndërruar jetë në apartamentin e tij modest e të vjetër, në qytetin e Durrësit. Diçka më sëmboi në shpirt n’atë çast dhe dhimbja, thellë në vete, më solli para sysh takimin e fundit me të, në tetorin e shkuar, kur ai më paralajmëroi, me qetësi e stoiçizëm, fundin e afërt të tij. Sëmundja e gjatë e kishte lodhur fizikisht, kurse gjëndja e vështirë ekonomike familjare peshonte mbi humorin e tij të rënduar nga vitet. Por mendimi ishte i kthjellët, bindjet e konsideratat të sinqerta, të brejtura e të ndryshuara, në një pjesë të tyre, nga ndërrimi i kohëve.

Duke biseduar me të më vinte në mëndje figura e një djaloshi të hijshëm rreth 25 – vjeçar, që kisha njohur në të largëtin vit 1956, një fytyrë e qeshur e optimiste për jetën. Ishte mësuesi im i letërsisë, në klasën e parë të të parit gjimnaz të rrethit të Lushnjës. Ishte me origjinë nga Peza. Ishte rritur pa prindër sepse, fatkeqësisht, prindërit ishin vrarë gjatë luftës. Fëminia e rinia e parë kishin rrjedhur konvikteve ku ngrohtësinë prindërore e kishte zëvendësuar propaganda e partisë që synonte, krahas marrjes në mbrojtje dhe shkollimit, t’i edukonte me frymën e saj, si modelët e zgjedhur të “ njeriut të ri “. Me diplomën e Institutit dyvjeçar të Shkodrës në xhep, mësuesi erdhi në Lushnjë, qëndra m’e madhe e kampeve t’internimit në Shqipërinë e viteve të komunizmit. Mësuesi i ri u bë antar partie, madje thuhej se ishte dhe oficer sigurimi, nuk di akoma sa ishte e vërtetë. Nuk dua të hyj në këtë vështrim të jetës, që mund të ketë patur dritë – hijet e tij, por mund të them me bindje se mësuesi djalosh, në marredhëniet mësues – nxënës, me mua dhe shokët e mij, t’ashtuquajtur “armiq të klasës”, mbeti thjesht një mësues i mirë, duke marrë përsipër edhe barrën e prindit apo vëllait të madh, të këshilltarit apo shokut.

Ai ishte një i ri, të cilit i pëlqenin librat, e tërhiqte arti i madh, e shikonte botën me syrin e idealistit. Si mësues pati një meritë të madhe profesionale : nxënësve të tij u rrënjosi dëshirën për dije, pasionin për librat, u mbolli farën e vlerësimit të tyre e të kulturës në përgjithësi, futi tek ta konceptin e “ambicjes fisnike”, siç e quante ai dëshirën për të treguar konkretisht vlerat vetiake në studim e nxënie. Ende, mbas më shumë se një gjysëm shekulli, un ruaj ndonjë fletore të referateve dhe analizë – komenteve, që çdo fund jave ne do të mbushnim mbas leximit të detyrueshëm të një libri. Ishte një përvojë për të cilën, ish nxënësit e tij, i janë ende mirënjohës, mbasi i bëri të dashuronin librin e t’a vlerësonin atë me kokën e tyre. Qe një metodë pune që zbatohej në vitin e parë të gjimnazit e të cilën nuk e kam gjetur n’asnjë shkollë tjetër brënda e jashtë Shqipërisë….

Jam takuar me mësues Shefqetin mbas gati dyzet vitesh, kur Shqipëria kishte ndërruar sistem e jetët tona kishin përshkuar hullí krejt të ndryshme nga njëra tjetra. Ai kishte patur karierën e tij shtetërore, gjithënjë në fushën e arsimit, ndërsa un kreva “universitetet e mija” në fushat dhe objektet e ndërtimit të Myzeqesë, për të përfunduar në kampin famëkeq të Spaçit, apo dhjetë vitet e fundit si i internuar në Grabian të Lushnjës. Botkuptimet nuk ishin të njëjta, por konsiderata dhe respekti i ndërsjelltë kishin mbetur ato të viteve të shkollës, mbasi për ne vlerat njerëzore ishin shumë më të çmuara se bindjet politike.

Na bashkonte një përfundim i hidhur, ai i zhgënjimit nga Shqipëria e ditëve tona. Në këtë përfundim ne arrinim duke u nisur nga pika të ndryshme, nga këndvështrime jo të njëjta, por të dy ishim të ndërgjegjshëm se Shqipëria “demokratike”, me të gjitha të metat e saj, ishte më e mirë se parardhësja e saj “socialiste” e se përparimi, me të gjithë mangësitë e shanset e humbura, ishte një fakt i vërtetë.

Ndërmjet nesh u ringjall ajo ngrohtësi njerëzore e më shumë se pesëdhjetë viteve të shkuara, kur ai mësues i ri, i rritur jetim, shihte tek një fëmijë 12 vjeçar, jo vetëm nxënësin e tij të zgjedhur, përsa i përkiste rezultateve të studimit, por edhe një gjysmë jetimi, që nga mosha dyvjeçare nuk shihte babanë se ishte në burg e për vite nuk kish parë as nënën mbas telave me gjëmba të kampeve të punës së detyruar. Jetimi e kuptonte se ai dhe të tjerë si ai kishin nevojë për një përkëdhelje, për një buzëqeshje, për një inkurajim, për një vështrim miqësor. Ai m’i dhuroi këto kur un kisha më shumë nevojë. Sot, kur ai nuk është më fizikisht në këtë jetë dua që, nëpërrmjet këtyre rrjeshtave të thjeshtë, të botuara në gazetën që ai lexonte çdo ditë, t’a kujtoj me shumë respekt e dashamirësi, duke i shprehur këto ndjenja të mijat, që besoj se përkojnë edhe me ato të bashkënxënësve të mij, edhe familjarëve të tij si një formë, sado të vogël, ngushullimi e keqardhje, pjesëmarrjeje të sinqertë në dhimbjen e tyre.

Ju qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë, profesor, i asaj toke që ju, në idealizmin entuziast të profesionit tuaj na mësuat t’a duam shumë e t’i shërbejmë me të gjitha forcat tona për t’a përmirësuar vazhdimisht e për t’i zbukuruar imazhin. Kujtimi juaj do të na shoqërojë gjithmonë, si ai i një njeriu të dashur, të cilit i urojmë të prehet i qetë në botën e amshimit, në paqen e përjetëshme.                                                                                     

                                                                                                                 Shkurt 2011

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA 1 Tiranë 2011 

Filed Under: Rajon Tagged With: Eugjen Merlika

LEKSION  NJERËZOR

September 23, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Më 5 tetor, në Tiranë, në Kinostudjon “Shqipëria e re”, në sallën Marubi, u hap Festivali Ndërkombëtar i filmit për të drejtat e njeriut. Organizatorët e festivalit, në ditën e parë, zgjodhën filmin “Divorc shqiptar” si të parin e këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor. Filmi është i gjinisë dokumentare dhe ka për regjizore e skenariste bullgaren Adela Peeva. 

Filmi ka meritën se i kapërcen shumë kufijtë e një dokumentari që fotografon një realitet të caktuar të një Vëndi apo të një periudhe. Ai paraqet, nëpërmjet episodeve të jetës së tre çifteve të përzjera, një tabllo të plotë të Shqipërisë komuniste. Shqipëria e Enver Hoxhës, Vendi i besnikërisë së pandërprerë ndaj ideologjisë komuniste, në versionin e saj më të keq, atij të tiranit gjeorgjan Josif Stalinit, shpaloset në pamjet e një filmi prej pak më shumë se një ore, në gjithë hapësirën e saj shtetërore e shoqërore. Nëpërmjet fatit të të tre çifteve, ecurisë dramatike e tragjike të jetës së tyre, dëshmive të personazheve, vërtetësisë rrënqethëse të pohimeve të tyre, spektatorit i shfaqet, në të gjitha përmasat e tij shkatërruese, spektakli famëkeq i një diktature që nuk njeh shëmbëlltyrë të saj në të gjithë Lindjen komuniste evropiane…

Arkitektura e filmit mbështetet në këto tre çifte, tri familje të viteve 60, të formuara nga studentë shqiptarë të diplomuar në Vendet e ish kampit socialist dhe vajza të këtyre Vendeve të dashuruara me ta e të vendosura për të jetuar së bashku në dheun e tyre. Regjizorja, zonja Peeva, na njeh me të përbashkëtën e dukurive  që nuk i fotografon thjeshtë, por mundohet të hyjë në brëndësi të tyre, të mekanizmit që përcakton ecjen, të kuptojë logjikën e tij, nëse do të ketë një të tillë. Por, krahas forcës përgjithësuese të ndodhive, së përbashkëtës së tyre, autorja e filmit na paraqet edhe të vecantën e dukurive, ndryshimet ndërmjet tri familjeve, që përbëjnë boshtin kryesor të dramës së filmit.

Nga tri familjet që, deri para prishjes me B.S., jetonin mirë e bukur në qytetet e tyre, duke punuar e lindur fëmijë, në fund të atij lundrimi të gjatë në një det të stërtrazuar nga valë cunami të trilleve e ligësisë shpirtërore e intelektuale të një kaste kriminelësh, me në krye një kampion të species,  vetëm njëra mbijeton. Dy të tjerat shpërbëhen, tjetërsohen, ligështohen, zhduken. Ky është përfundimi i njerëzve bisha, oficerë sigurimi, apo sekretarë partije, hetues e prokurorë, që qenë dora  e zezë e sistemit kriminal, në të cilin besonin e për të cilin ishin krenarë të kryenin edhe krimet më të përbindëshme. Përzgjedhja e tri familjeve, me tre përfundime të ndryshme, të treja të vëna në darën e diktaturës që i njeh vetes të drejtën për të përcaktuar fatin e qytetarëve të saj deri në imtësitë më vetiake, është sa e zgjuar aq dhe e saktë në vërtetësinë e saj.

Njerëzit arrestohen jo kur bëjnë krime, por kur vjen koha e arrestimeve, kohë që e përcakton tirani dhe kasta e tij. Për ta fabrikohen akuza, përmbajtja e të cilave nuk përputhet as me fantazinë më të ndezur të një njeriu të zakonshëm. Për të pohuar këto akuza t’arrestuarit mbahen në kushte terrori, duke provuar mbi ta gjithë arsenalin e përvojës më të keqe kriminale të GPU së staliniane e metodave, akoma më të stërholluara, të Sigurimit shqiptar. Dhe nëse t’arrestuarit qëndrojnë, nuk pranojnë akuzat, ata përsëri dënohen, sepse ky është interesi i partisë e i regjimit. Përpara këtij realiteti, që ka qënë normaliteti i Shqipërisë socialiste, realitet në të cilin janë vrarë e gjymtuar dhjetra mijra qytetarë të pafajshëm, fati i tri familjeve është një paraqitje përgjithësuese e tyre. Pasojat e arrestimeve të prindërve bien mbi fëmijët, viktimat më të brishta të ligësisë së një sistemi kriminal. Realiteti shqiptar u mbush me fëmijë që u rritën pa prindër, që u detyruan t’urrejnë prindërit, t’i përbuzin ata, t’i shihnin me të njëjtin sy të Sigurimit të Shtetit, t’i mohonin. Por në shumë raste të tilla ishin gjyshërit ata që u kujdesën për fëmijët, në rastn tonë ata të Minellës e të Vasilit u rritën nga prindërit e tyre, në traditën më të mirë të mendësisë njerëzore të familjeve shqiptare. Diçka i qëndroi cunamit, nuk u shemb.

Episode të ndryshme, qëndrime të ndryshme, jetë të ndryshme. Minella dhe Elena i qëndrojnë stuhisë të bashkuar, e sfidojnë diktaturën duke dalë fitues moralisht edhe pse të rrënuar fizikisht. Vasil Orgocka e sheh të shkatërruar familjen e tij, mbasi gruan e dashur, polaken Barbara, shteti shqiptar e ktheu në një kavje që humbi të gjitha aftësitë njerëzore, si pasojë e marrjes forcërisht të substancave kimike. Tragjedia është tepër rrënqethëse e bindëse, do të mjaftonte e vetme të vinte para gjyqit një system të tërë për shkelje të të drejtave të njeriut. Vetmia cfilitëse e  dy personave, dikur të dashuruar e sot të tjetërsuar nga dhuna brutale e shtetit, është një aktakuzë që filmi shpalos me forcë para spektatorit.

Po aq e fuqishme mbetet, në llojin e saj, edhe drama e Voilës, vajzës ruse që  erdhi në Shqipëri për të sendërtuar dashurinë e saj në bashkimin me djalin e zgjedhur. Një ditë arrestohet e, mbas pak kohe, i komunikohet se burri kërkon ndarjen.. Në shpirtgjërësinë e saj e justifikon veprimin e të shoqit, duke menduar se ky i shërben shpëtimit të fëmijëve nga pasojat e arrestimit të saj. Më vonë merr vesh se i dashuri i saj është martuar me një tjetër grua dhe iluzioni i fillimit kthehet në një zhgënjim të madh, që merr përmasa shkatërruese kur djali i saj, atëhere mjek në një fshat të largët të Peshkopisë, nuk pranon as t’a takojë mbas vitesh të gjata burgu. Çfarë drame e llahtarëshme, çfarë rrënimi shpirtëror e moral!

Filmi trajton vetëm një pamje të tragjedisë së shqiptarëve, atë të grave të huaja e familjeve të tyre. Ishte një pjesë e vogël e atij realiteti, tërësinë e të cilit e përbënte dhuna mbi “armiqtë e klasës”, me të gjithë gamën e pasojave të saj shkatërruese mbi një pjesë të mirë të popullsisë. Por filmi shkon më tej: nëpërmjet bisedave me njerëz si Ylli Hila, Pandi Konomi, Dolores Velaj, përfaqësues të organeve të dhunës së regjimit, ai tregon se tragjedia e shqiptarëve nuk kishte vetëm një arkitekt, nuk ishte pjellë  vetëm e mëndjes djallëzore e paranojake të Enver Hoxhës, siç duan t’a paraqesin edhe sot mjaft dëshmitarë t’asaj përvoje. Ajo tragjedi, që ende sot gjen idhtarë që fshihen poshtërsisht mbas valëve të internetit, në shumicën e rasteve, në nivel publiku të thjeshtë, e në deklarata, libra apo intervista të eksponentëve politikë si maja e piramidës, Ramiz Alia, etj kishte shumë autorë në të gjitha nivelet. Ajo ishte shprehje e një maisjeje të rrezikëshme të organizmit të popullit shqiptar. Mbështetja në arsyetime të tilla si “ashtu ishte koha”, “kemi kryer detyrën”, “ kemi zbatuar ligjin”, e të tjera justifikime si këto tregojnë se një pjesë e shqiptarëve pak ose aspak janë të vetëdijshëm për të keqen që kanë prodhuar në jetën e tyre, me pasoja rrënuese mbi jetë njerëzish të pafajshëm. Shëmbja e sistemit, dështimi i plotë i tij, vënia   para gjyqit të historisë, për ta nuk kanë kurrfarë kuptimi. Ata vazhdojnë të jetojnë në botën e tyre të Enverit e të krimit të pandëshkuar, përparojnë në karjera apo gëzojnë pensione të favorshme, pavarësisht se pushteti demokratik ka ngjyrë rozë apo blu.. Filmi e nxjerr në pah këtë dukuri e, tërthor, pohon një kërkesë morale të shoqërisë, atë të vetëpastrimit, të të kërkuarit falje, të paditjes e dënimit të krimit e pasojave të tij.

Është një kërkesë që, prej njëzet vitesh, bie në vesh të shurdhër, mbasi mendësia komuniste vazhdon të mbijetojë në një shoqëri të re, në kohë të reja, por që nuk arrijnë të shkëputen plotësisht nga e vjetra. Është një problem që e bartim mbi vete, pa patur kurajën e forcën t’a përballojmë me urtësi, me ndërgjegjësim, me kah kritik e vetëgjykues, por edhe me idenë e e tolerancës që na detyron qytetërimi, madje edhe të faljes që na mësojnë doktrinat fetare. Është një lëmsh që na vërtitet nëpër këmbë, që nuk na le të shkojmë para, të shohim t’ardhmen me qetësinë e atij që nuk fsheh kufoma në raftet.

Filmi vë përballë njeri tjetrit Vasil Orgockën e shokët e tij, të dënuar padrejtësisht nga diktatura, dhe xhelatët e tyre që nuk ndjejnë as brejtjen më të vogël për jetët e gjymtuara që duhet t’u rëndojnë në ndërgjegje. Mes tyre duket se nuk ka asnjë pikë takimi, vazhdon lufta, urrejtja, thellohet gremina. Këtë të vërtetë tronditëse na e jep qartë filmi.. Fakti që ai ka tre vjet që qarkullon nëpër  Evropë, duke marrë çmime ndërkombëtare të nderuara ndërsa askush nuk ka guximin t’a shfaqë në Shqipëri, është tepër domethënës. Ai na zbulon përmasat e vërteta të ngërçit tonë si shoqëri e si popull, paaftësinë për të parë në sy të vërtetën e për t’a pohuar haptas atë. Fakti që këtë film e prodhon një regjizore bullgare duhet t’i bëjë të reflektojnë shumë punonjësit tanë të artit, jo vetëm kinematografik, mbi domosdoshmërinë e ndihmesës së tyre, si formues të opinionit publik në zgjidhjen e nyjës gordiane të pas komunizmit shqiptar, asaj të dënimit të sinqertë, pa mëdyshje, pa dredha të krimit komunist.

E falënderojmë nga zemra zonjën Peeva, jo vetëm për vërtetësinë e paraqitjes së një pjese të dhimbëshme të historisë sonë e nivelin e lartë profesional të veprës së saj, por edhe për leksionin e madh njerëzor që na dha.

                                                                                                                  Tetor 2010                                                                                      

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike”OMSCA-1 Tiranë 2011

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

BELEGU (I VËSHTIRË) I PERËNDIMIT NDAJ REGJIMEVE

September 22, 2022 by s p

Nga ANGELO PANEBIANCO

Gjithshka faj i Perëndimit, gjithmonë e gjithsesi. Për çfarëdo gjëje që të bisedohet. Vdekja e Mihail Gorbaçovit i ka dhënë rastin specialistëve  të vetëfshikullimit për të na shpjeguar se Perëndimi e braktisi dhe qe ajo braktisje e pabesë dhe cinike që shkaktoi mungesën e tij të suksesit politik, paaftësinë e tij për të modernizuar Bashkimin Sovjetik të atëhershëm, duke na dhuruar Vladimir Putinin. I gjithi është faji i ynë. Është një ide që bëhet palë me një tjetër – e mbështesin shpesh të njëjtit njerëz – simbas të cilëve, mësyemja e Ukrainës do t’ishte pasoja e zgjerimit të NATO-s në Lindje. Gjithmonë faji i ynë. Putini është një i keq, sigurisht, por në fakt e kemi krijuar neve. Të këqijtë e vërtetë, përgjegjës për të gjitha fatkeqësitë, jemi ne. Le të mbahet parasysh rasti i Afganistanit. Një titull shumë i përdorur nga disa gazeta është ky: “talebanët shtypin përsëri gratë”, i ndjekur nga e pamunguara “në mospërfilljen e Perëndimit”. Shpesh tituj të tillë lexohen në gazeta që ishin kritike të ndërhyrjes amerikane e të tjerëve Vënde perëndimore n’Afganistan. Në thelb Perëndimi është fajtor edhe kur ndërhyn ushtarakisht kundër talebanëve edhe kur pushon t’a bëjë. Në Perëndimin e sharë liria e fjalës është e shënjtë dhe kanë të drejtë të qarkullojnë edhe ide të marra. Por është një e drejtë për t’i vulosur si të tilla.

Të kthehemi tek Gorbaçovi. Ai ra mbasi i kishte dhënë fund Luftë së ftohtë, jo për fajin e Perëndimit, por sepse u gjënd para përballimit të tre problemeve të pazgjidhëshme. Dy të karakterit të përgjithshëm dhe një tjetër i posaçëm për Rusinë. Problemi i parë ishte se perandoritë mund të mbahen së bashku me shtrëngimin dhe frikën që ato përhapin tek nënshtetasit. Nëse perandori vendos (siç vendosi lëvdueshëm Gorbaçovi) të mos përdorte më detyrimin, pushoi frika dhe perandoria u shpërbë. Problemi i dytë i pazgjithshëm ishte se ndërsa ishte e lehtë – mjaft të jepej urdhëri – të shtetëzoheshin tërësisht mjetet e prodhimit, të mëkëmbej një ekonomi shtetërore, ekonomia e tregut nuk mund të krijohet në të njëjtën mënyrë: ekonomitë e tregut ngrihen ngadalë, “nga poshtë”, me mundimet e të shumëve që i kushtohen krijimit të ndërmarrjeve. Askush nuk e di se në çfarë mënyre tjetër mund të lindet. Për këtë, me fundin e ekonomisë shtetërore në Rusi lindi, jo ekonomia e tregut por ekonomia e grabitjes  prej oligarkëve (siç e ka kujtuar Sergio Romano në Corriere të 4 shtatorit). Problemi i tretë i pazgjidhshëm që gjeti përballë Gorbaçovi, kishte të bënte me historinë dhe traditën ruse. Rusia, me përjashtim të një sprove të shkurtër e mjaft të brishtë kushtetuese mbas vitit 1906, ka njohur në historinë e saj vetëm tiraninë, vetëm despotë, (ndonjëherë të ndritshëm, më së shumti mizorë). Zakonet e Rusisë, besimet e përhapura në shoqëri, janë damkosur në zjarr nga shekuj e shekuj tiranie. E të qezaro-papizmit: Patriarku i Moskës që bekon  luftën e Putinit është vetëm i fundit i një sëre kryetarësh të Kishës ortodokse ruse, të poshtëruar në këmbët e carit të rradhës.

Duke i dhënë fund Luftës së ftohtë, Gorbaçovi  dhe grupi i tij kanë përfaqësuar një risi absolute në historinë ruse: për shekuj e shekuj para tij – por me Putinin zakonet e vjetra janë rivendosur – qeveritarët rusë kanë ligjëruar pushtetin e tyre despotik brënda, përtej thirrjes së mitit të Romës së Tretë, të Rusisë shembëlltyrë të krishterimit ortodoks (të zëvendësuar nga komunizmi mbas revolucionit të Tetorit) edhe e mbi të gjitha duke thirrur popullin rus të mblidhej kundër armikut të jashtëm, kundër fuqive armike, qëllimi i të cilëve ishte sigurisht shkatërrimi i Rusisë. Gorbaçovit i takon merita e madhe historike e ndërprejes s’asaj tradite. Por u pa si përfundoi.

Siç ka pohuar shkrimtari rus Mihail Shishkin, për luftën në vazhdim: “Bota e lirë do të duhej të kuptonte se nuk po lufton kundër një diktatori të marrë, por kundër një sistemi pushteti të pavarur, agresiv dhe të vetëripërtërishëm. Struktura e lashtë shoqërore e autokracisë ruse është ruajtur në magazinën e historisë dhe përcjellë në shekuj. Dhe ja e gatëshme të ndryshojë qime për t’u dukur me të tjera paraqitje: si perandoria e romanovëve dhe Bashkimi Sovjetik komunist i Stalinit, e së fundi “demokracia e kontrolluar”e Putinit. (Corriere della Sera, 4 shtator).

Gabimi i rëndë i kryer nga Perëndimi në marrëdhëniet me Rusinë ka qëndruar (e thënë pas pilafit) në të besuarit që, e integruar në tregun botëror, ajo do të kishte humbur cenet e saj historike, që ndërvartësia e interesave dhe tregëtisë e shpërngulja e teknologjive që do t’a kishin favorizuar, do t’a kishin zbutur, do t’i kishin shuar prirjen e saj të lashtë perandorake. Nuk u mbajt parasysh se ajo që vlen për Vëndet, qeveritarët e të cilëve kërkojnë të ruajnë pushtetin duke ndihmuar zhvillimin ekonomik dhe grumbullimin e shpërndarjen e pasurisë, nuk mund të vlejë për një Vënd të zotëruar nga një sistem grabitjesh i armatosur deri në dhëmbë, i painteresuar – siç ka qënë pothuaj gjithmonë pushteti në Rusi – për mirëqënien e popullit të tij.

Vetëfshikullimi i Perëndimit, prirja për të paditur shoqëritë tona për gjithshka shkon keq në botë, ka shumë shkaqe e sheh të zotuar aq njerëz të ndryshëm. Të mendohet për shëmbull fshirja e kulturës, sulmi kulturës perëndimore – “të bardhë” e pra kolonialiste – nga ana e pakicave fanatike (bashkëpuntorë edhe shumë profesorë) në shumë Universitete perëndimorë. Sulmet Perëndimit nga ana e intelektualëve ose të hamendësuarve të tillë, gjithsesi është një sëmundje e lashtë. Siç shkruajti shumë vite më parë ekonomisti Joseph Schumpeter, ndërmjet veçorive të qytetërimit perëndimor është dhe ajo e rritjes së një numëri të lartë të intelektualëve të cilët i kushtohen më shpirt e me trup një misioni: të mallkojnë qytetërimin perëndimor. Gjithmonë bujarë me vetveten, shumë prej tyre e quajnë atë “shpirt qortues”. 

Idetë qarkulluese mbi fajet e hamendësuara të Perëndimit  kundrejt Rusisë nuk janë vetëm të marra, janë edhe të rrezikshme. Sepse, nëse janë shumë të përhapura, ndihmojnë çarmatimin moral përpara belegëve të pushteteve autoritare. Në këtë rrethanë nuk mund t’a lejojmë.

“Corriere della Sera”, 6 shtator 2022     Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

NJË  DËSHMI  E  FUQISHME

September 19, 2022 by s p

(Mbresa nga leximi i librit “Grabiani rrëzë kodrave” i Lek Tasit)

Nga Eugjen Merlika 

Kur e mbaron së lexuari librin me kujtime të Lekë Tasit të krijohet përshtypja se je kthyer mbrapa në kohë e në hapësirë, në mjedise e ngjarje të jetuara apo të dëgjuara, në një botë sa të vogël e të mjerë në ndodhi e veprime, po aq të madhe e fisnike në përsiatjet, ndërpretimet e spjegimet e autorit mbi to.

Libri është i shkruar në formë ditari e ky është një nga meritat e shkrimtarit që ka patur guximin, në kohë plot rreziqe në mjedisin ku jetonte, të hidhte në letër përshtypjet e jetës së përditëshme. Sot ato shënime, të cilat në kohën kur janë mbajtur nuk kishin asnjë shpresë për të parë dritën e botimit, të plotësuara e të përpunuara, i apin lexuesit shqiptar një vepër të fuqishme, në gjininë e saj. Është një vepër që pasqyron me një vërtetësi tronditëse realitetin e një Vendi, në të cilin diktatura komuniste u sendërtua në forma skajore, përsa i përket mënyrave e mjeteve të ushtrimit të saj.

“Grabiani rrëzë kodrave” është një libër që tërheq lexuesin. Larmia e personazheve, më së shumti episodikë, por të gjithë realë, e temave, e dukurive, e mjediseve, e analizave e bëjnë veprën një farë soj enciklopedie në miniaturë të jetës shqiptare të 15 viteve të fundit të sistemit, por në sajë të retrospektivave apo kapërcimeve t’autorit, na jep kuadrin e plotë edhe të viteve të mëparëshme. Vepra ka si bosht qëndror jetën e autorit dhe të familjes së tij, bashkë me të cilën zbulohen dhe ato t’atyre që e rrethojnë, bashkëvuajtësve, personave me detyra partiake e shtetërore, të levave të tyre, të njerëzve të thjeshtë që marredhëniet e jetës së përditëshme i kthejnë në pjesë plotësuese të të qënurit të tij.

Lekë Tasi është një artist. Si i tillë ai mjedisin e përcepton në gjithë shtrirjen e tij dhe e pasqyron deri në cikërrima, me gjithë pasurinë e ngjyrave e tingujve. Shkrimtari është tepër realist. Pena e tij është si një telekamera që filmon pa pushim, në vazhdimësi, por që herë pas here e ndërpret filmimin për t’i lënë vëndin zërit të folësit, që spjegon, ndërpreton, filozofon në vetminë e mendimit të tij. Tipari kryesor i mënyrës së të shkruarit të tij është vërtetësia. I nënëshkruari ka jetuar me vite në Grabianin rrëzë kodrave, në të njëjtat kushte, e mund të sigurojë se gjithshka përshkruhet në libër, episodet e personazhet janë marrë nga jeta reale e trapiantuar në kujtimet e tij ashtu siç ishin, pa vënë në punë fantazinë për të ndryshuar sado pak cilësitë, tiparet apo veprimet.

Grabiani ishte njëri nga tetë qëndrat e internimit në Myzeqenë, e zgjedhur nga udhëheqia si vëndi më i përshtatëshëm  për grumbullimin masiv të njerëzve të padëshiruar nga regjimi mbas prishjes së kampit famëkeq të Tepelenës. Ishin kryesisht sektorë ferme, ku këtyre njerëzve u sigurohej puna e vazhdueshme në bujqësi. Ata ishin edhe vënde izolimi për “armiqtë e klasës”, të cilët, duke qënë në pakicë si frymë në raport me popullsinë, ishin kthyer në specie të rralla të një kopshti zoologjik ku, popullsia vëndase apo e ardhur vullnetarisht, çdo ditë stërvitej për të bërë “gjuetinë e shtrigave”, duke i treguar partisë se sa e aftë ishte për t’ë vënë në zbatim “mësimet e saj të ndritura” mbi luftën e klasave. Episodet e arrestimeve, të “demaskimeve”, të diferencimeve, që nga fëmijët në shkolla, tek puntorët në fushë, tek të sëmurët që edhe duke vdekur duhej të paraqiteshin tek polici i rradhës, tek të tjerë që për muaj e vite u ndalohej vajtja në qytet edhe për arsye shëndetësore, ishin pjesë përbërëse e një strategjie të hartuar në majat e Shtetit e të zbatuara nga njerëz besnikë, shpirtkazmë e të vegjël, që gjenin në të fushën magjike të shpalosjes së “aftësive” krijuese në përsosjen e luftës. 

Lekë Tasi është një shqiptar atdhetar. E gjithë trysnia kriminale, që u ushtrua mbi të në vite të gjata, nuk arriti t’a thyejë mburojën atdhetare të shpirtit të tij.Në atë botë të vogël, në të cilën çdo ditë i u desh të luftojë për mbijetesë, ku u urrye, u përbuz,u gjuajt me gurë, u provokua, u dënua, u penalizua në të gjitha mënyrat nga mjaft bashkatdhetarë të tij, pa i bërë keq asnjë mize, ai ruajti fisnikërinë e shpirtit dhe kthjelltësinë e gjykimit. Ai nuk i fut të gjithë  në një thes, di të dallojë ndryshimet mes personave të fushës kundërshtare, të pasqyrojë nuancat e veprimeve e të sjelljeve karshi tij dhe shokëve e shoqeve të fatkeqësive. Për disa prej tyre ndien respekt e konsideratë, duke e shprehur atë. Në këtë dukuri ai, në një farë mënyre, sheh dështimin e sistemit që nuk arriti t’i bëjë të gjithë shqiptarët kriminelë, por sheh edhe fuqinë e qëndresës së racës, që u vu para një prove tepër të vështirë. Është një meritë e madhe t’a duash Atdheun edhe në kushtet që përshkruan shkrimtari në veprën e tij, kur ai bëhet më keq se njerkë, kur e ndjen veten të huaj në tokën tënde. Kapitulli mbi Përmetin, qytetin e origjinës, me kujtimet fëminore e rinore, me historinë e traditën e tij, me lirizmin e përshkrimeve, është një nga pjesët më të bukura e më të frymëzuara.

Qëndresa! Është kjo një nga motivet përshkuese të veprës, qëndresa ndaj së keqes të ngritur në sistem me mobilizimin e gjithanshëm të individit që gjen forcat në vetvete, në moralin e trashëguar, në traditën pozitive të familjes, në besimin tek Zoti. Simbol i qëndresës është motra, Tefta, një grua me të vërtetë e rrallë, përsa i përket forcës së karakterit, largpamësisë e aftësisë për të depërtuar në esencën e ngjarjeve, për të parë dritën në fund të tunelit, dhe atëherë kur ishte errësirë e plotë. Verbali i hetuesisë së saj është manual i disidencës së vërtetë, parimore e pa dredha, pasqyrë e një guximi të jashtzakonshëm, dëshmi vlerash që koha do të dijë t’i ngrerë në piedistal. Ajo i përket asaj aradhe shqiptarësh që nuk u thyen n’asnjë situatë, në të cilën ai fut edhe një djalosh të fismë, Ded Gjomarkaj, i thinjur në birucat e Sigurimit që në moshën 25 vjeçe. Në të  rrjeshton edhe herojtë e Spaçit, Xhelal Koprenckën, Vangjel Lezhën, Fadil Kokomanin , të cilët nga burgu i dërguan letra diktatorit, duke paditur dëmin e madh që po i sllte Atdheut ai dhe sistemi i ngritur prej tij, e këtë e paguan me kokë. Pranë tyre, më pak në dukje, ishin qindra të tjerë që pranonin të shkonin në burgje për të mos u bërë varrmihës të shokëve të tyre.

Kjo disidencë e vërtetë, e paguar me jetë të humbura apo të gjymtuara, fatkeqësisht edhe mbas rënies së sistemit nuk gjeti nderimin që meritoi. U kultivua ideja se antikomunizmi lulëzoi në gjysmën e dytë të 1990-ës, kur në ndonjë takim intelektualësh u kërkua ndonjë ndryshim i pilotuar, apo se qe pjellë e lëvizjes së studentëve. Duke lënë në vëndin e tyre të merituar studentët dhe drejtuesit e tyre të vërtetë, indiferentizmi me vepra ndaj antikomunizmit jo pasiv tregon se shoqëria jonë dhe klasa e saj politike e kanë shumë të vështirë të presin kordonin ombelikal, që i mban të lidhur me mendësinë dhe traditën e komunizmit. Kjo përligj edhe faktin që punonjës të organeve të dhunës së regjimit, të cilët kanë kryer krime të llahtarëshme ndaj qytetarëve të pafajshëm “n’emër të ligjit”, sot jo vetëm nuk kanë kërkuar falje, por, në ndonjë rast, e shohin veten edhe të dekoruar e pothuajse të gjithë mbajnë poste të rëndësishme n’administratën shtetërore.

Autori me dhimbje tregon fatin e familjes Çeliku, i njohur edhe nga shkrime të tjera para këtij libri: Mehdiu i arrestuar me akuza absurde, të ngritura mbi hamëndje fantastike të njerëzve të Sigurimit, vdes në hetuesi; e shoqja, Adelina, nënë e gjashtë fëmijëve, detyrohet, nëpërmjet metodave djallëzore të hetuesisë të firmosë një padi të rreme kundër burrit, kur kupton të vërtetën i jep fund jetës, vajza e mrekullueshme që braktiset nga i fejuari e nga njerzit e afërm, fëmijët qe rriten jetimë në një mjedis amiqësor. Një nga familjet e shumta shqiptare të shfarosura, një histori e njohur si ajo e poetëve të Vërshestës apo e poetit nga Kukësi, fakte të stërditura që duhet të kishin imponuar zbatimin e një ligji universal: atë të dënimit të krimit. Mbas 64 vitesh të mbarimit të luftës së dytë botërore e thyerjes së strategjisë shfarosëse naziste, autorët e atyre krimeve, edhe se mund të kenë kaluar 90 vitet, ndiqen, kapen e dënohen. Kriminelët tanë kanë “imunitet” të përjetshëm, nuk janë të panjohur, vazhdojnë të qetë karjerat e tyre, megjithë proçeset e rreme që kanë sajuar dhe jetët e shqiptarëve që kanë marrë!

Por autori do të gjejë edhe në botën e tyre të ngjyrës së gjakut, njerëz tek të cilët, sado me vonesë, ndërgjegja ngre krye mbi shpirtërat e nxira nga krimet dhe i dënon me vetëgjyqësi. Nuk është e zakonshmja, fatkeqësisht është përjashtimi, por autorit i pëlqen t’a verë në dukje, ndoshta për t’u kapur mbas ndonjë iluzioni tolstoian se pendimi do të jetë shpresa e s’ardhmes.

Libri është një analizë e drejtpeshuar e sistemit Shqipëri. Janë shumë interesante, konstruktive e novatore idetë e autorit për zhvillimet politike të kohës së luftës. Duke trajtuar figurën e babait, studjuesit e politikanit të njohur Koço Tasi, bën një ndërpretim objektiv e të paanshëm të motiveve e faktorëve politikë që sollën humbjen e nacionalizmit shqiptar. Me po të njëjtin stil ai analizon edhe regjimin në të cilin jeton, “një dhunë e gjithëmbarëshme”, “një fitore e armiqësisë si faktor social”, një Vend i dënuar me vetmi, një sistem që lindi për vullnetin e dy të huajve e që u trashëgua nga një maniak i pushtetit, që urrente gjithshka.

Ishin këto disa nga përshtypjet që ngjall dhe idetë që zgjon leximi i librit për të cilën fola, janë një pjesë e vogël e tyre sepse ai është një pus i pashterrshëm ku lexuesi gjen gjithshka, mbi të gjitha, përmasat e vërteta të një diktature të pashembullt në gjithë Evropën e dëmin e stërmadh që ajo i shkaktoi shpirtërave të shqiptarëve. Libri i Lekë Tasit është një dëshmi e fuqishme  e së shkuarës sonë të afërt. Ai i shtohet shkrimeve të At Zef Pllumit, Makensen Bungos, Visar Zhitit, e të tjerëve shkrimtarë që përshkruan në veprat e tyre artistike përvojën e hidhur të të dënuarve politikë në Shqipërinë socialiste.. Me keqardhje më duhet të ve re se ndihmesa në letërsinë artistike n’atë drejtim është ende e pakët, gjë që e bën “Grabiani rrëzë kodrave” një ngjarje të shënuar për letërsinë e sotme shqipe. Duke përgëzuar Lekë Tasin për vlerat e veprës së tij uroj që pena e tij të vazhdojë së shkruari për dobinë e kulturës shqiptare.

                                                                                                                   Gusht 2009                                                                                            

Marrë nga vëllimi: “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” OMSCA-1 Tiranë 2011 

Filed Under: ESSE Tagged With: Eugjen Merlika

RUSIA DHE KINA, ALEANCA QËNDRON POR BARAZPESHA PO NDRYSHON

September 17, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

Takimi i nivelit të lartë të Samarkandës nuk do të kalojë në histori  për ndarjen ndërmjet Xi Jinping-ut dhe Vladimir Putinit. Së paku deri sa të bëhet fjalë për të krijuar një front të bashkuar kundër Perëndimit, aleanca ndërmjet Kinës e Rusisë qëndron. Por në marrëdhëniet e tyre barazpesha ndryshon dhe shenjat e tensionit shtohen. Në raportet zyrtare të takimit në Uzbekistan udhëheqësi kinez nuk ka përmëndur kurrë luftën n’Ukrainë, për të shmangur që të gjinden shënjat e gishtave në një tërheqje të mundëshme ruse. Xi e ka shtrënguar Putinin të bënte zëdhënësin e tij kur ai zbulon “shqetësimet kineze” mbi atë luftë. Pekini nxjerr furnizime energjitike me çmim të mirë nga Moska (“kinezët janë bashkëbisedues t’ashpër” pranon Putini), por këto leverdi ekonomike nuk shpërblejnë të gjithë dëmet e një konjukture botërore që dëmton Republikën Popullore. Burime amerikane vërtetojnë se deri tani Xi i paskësh mohuar furnizimet ushtarake ushtrisë ruse n’Ukrainë, për të shmangur sanksionet perëndimore në shënjestrën e të cilëve do të përfundonin sipërmarrjet e mëdha kineze. 

Herën e fundit që u takuan, më 4 shkurt në Lojrat dimërore të Pekinit, Putini do t’i ketë dhënë një përshkrim ngadhnjimtar të fuqisë së tij ushtarake e të aftësive të tij të shpagimit në teatrin evropian. Shtatë muajt e fundit kanë zhvleftësuar pohimet e tij. Por ka një lidhës ideologjik që qëndron ndërmjet dy udhëheqësve dhe ideologjitë mund të jenë po aq të fuqishme sa dhe interesat lëndore. Xi ruan tregimin simbas të cilit lufta n’Ukrainë është gabim i NATO-s; sheh një rend ndërkombëtar për t’u përmbysur sepse është i zotëruar nga Amerika; e quan Perëndimin si një qytetërim në një rënie të pakthyeshme. Duke shpallur këtë këndvështrim, Xi ka helmuar marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara por edhe me Bashkimin Evropian: sanksionet e fundit të Brukselit mbi dhunimet kundër të drejtave njerëzore janë një shenjë e mëtejshme. Akulli me Perëndimin është njëri ndër erërat e kundërta që Xi duhet të përballojë, së bashku me një ekonomi në vështirësi dhe çmimet e larta të ashpërsisë së tij kokëfortë mbi Kovidin. 

Presidenti kinez është i bindur se armiqësia e tij kundrejt Perëndimit nuk do të ketë pasoja të rënda sepse ne jemi të paaftë për t’u liruar nga vartësia jonë kundrejt made in China. Tani për tani kjo siguri e tij gjen një përkrahje të pjesëshme nga të dhënat. Ka një dalje të kapitaleve perëndimore nga Kina, por rivendosjet e veprimtarive prodhuese janë ende të pakta dhe shpërblejnë vetëm në një pjesë të vogël Vëndet perëndimorë. Apple zhvendos disa prodhime, tani për tani mjaft të pakta, nga Kina drejt Vietnamit. Në gjysëmpërçuesit ka filluar një rishindustrializim i Amerikës, i financuar nga ndihma bujare shtetërore. Viti 2022 do të mbyllet me një kthim në Shtetet e Bashkuara të 350.000 vëndeve të punës nga jashtë, një përqindje ende shumë e vogël në krahasim më shumë milionë vëndesh që janë zhvendosur në Kinë në një tridhjetëvjeçar të globalizimit. 

Xi nxjerr përfundimin se nuk mund të bëjmë pa të, çfarëdo fyerje ai të n’a shkaktojë. Basti i tij gjeopolitik përmban skenarë të ndryshëm. Fitorja e Putinit n’Ukrainë ishte më e leverdisëshmja për të shpejtuar tkurrjen e Perëndimit. Një thyerje e pjesëshme e Putinit do të pakësonte kundrejt Evropës burimet ushtarake dhe vëmëndjen strategjike të Shteteve të Bashkuara; veç asaj nië Rusi e varfëruar do t’a shihte veten në rolin e kolonisë kineze. Pekini shpreson t’a luajë mirë atë kundrejt botës së të paangazhuarve. Shanghai Cooperation Organization – ajo që ka organizuar takimin e Samarkandës – është një grumbull jo i një rodi: bëjnë pjesë edhe Hindia e Pakistani që janë kundërshtarë krenarë mes tyre; dhe New Delhi ka një shemëri të zjarrtë me Kinën. Megjithatë një dobësim i ndikimit rus n’Azinë qëndrore do të shpejtonte depërtimin kinez, në sajë t’atyre investimeve në infrastrukturat (Belt and Road ose Rrugët e Reja të Mëndafshit) të cilat Perëndimi as që përpiqet t’i kundërshtojë me një propozim alternativ. Një përimtim i ndritur i Shanghai Cooperation Organisation ka shumë për të na mësuar. Nga një anë është një botë e gjërë, madje në shumicë, që ka vendosur të mos marrë pjesë në sanksionet tona kundër Moskës. Nga ana tjetër në hartat e të “paangazhuarve” janë Vënde të ndryshme që megjithatë kanë dënuar agresionin kundër Shtetit sovran të Ukrainës. Ka zona të botës në pasiguri, ku ndikimet e Kinës e të Rusisë mund të kundërshtohen, nëse ne e duam e vemë në fushë mjetet për t’a bërë.

Tragjedia ukrainase duhet të na shërojë nga naiviteti mbi plotfuqinë dhe pagabueshmërinë e autokratëve. Gabojnë edha ata, së paku aq sa dhe qeveritarët e demokracive. Me rënduesen se sistemet politikë iliberalë nuk kanë mekanizma të brëndshëm të peshimit, të lajmërimit e ndreqjes së gabimeve. Bën përshtypje çfarë shkruan në revistën Foreign Affairs një ish profesoreshë e shkollës së formimit të drejtuesve komunistë kinezë, Cai Xia, që  sot jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Profesoresha që formoi kuadrot komunistë e përshkruan Xi si një drejtues i dështuar, që grumbullon zgjedhje të gabuara, e në të njëjtën kohë, nuk është i detyruar të njohë gabimet e tij sepse ka mënjanuar të gjithë rivalër e brëndshëm duke përdorur mjete të bosëve mafiozë.

Sa i përket basteve të Putinit e Xi-ut mbi rënien e pakthyeshme të Perëndimit, një provë e rëndësishme po afrohet me hapa të mëdha. Dimri do të jetë vendimtar për të kuptuar nëse kemi brumë për t’i qëndruar kërcënimit energjitik. Në vitet Shtatëdhjetë ekonomitë evropiane – shumë më pak të pasura nga këto të sotmet – dolën nga goditjet e para energjitike të gunguara, por pa dëme të pandreqëshme. Sot si atëherë, një përzjerje masah kursimi, ndryshueshmëri burimesh, risi teknologjike e kalim drejt modeleve të rinj energjitikë, do të duhej të na jepte rezultate të ngjajshme. Mbas kalimit të kthesës së dimrit, viti 2023 mund të na paraqesë pamjen e një Evrope të nisur drejt “çhelmimit” përballë vartësisë nga gazi e nafta ruse.

Asgjë nuk ka sukses sa suksesi, parimi vlen edhe anasjelltas. Një Putin i dobësuar, ndërmjet të tjerash do t’ishte i detyruar t’i paguante një çmim gjithënjë e më të lartë ndihmës së kushtëzuar të mikut të tij Xi.

“Corriere della Sera”, 16 shtator 2022    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 3
  • 4
  • 5
  • 6
  • 7
  • …
  • 67
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT