
Nga SERGIO ROMANO/ Corriera della Sera, 27 tetor 2019/ Perktheu Eugjen Merlika/

Vendet që firmosën Traktatet e Romës në Campidoglio, për krijimin e një tregu të përbashkët, më 25 mars 1957, ishin gjashtë: Belgjika, Franca, Gjermania, Luksemburgu, Italia dhe Vendet e Ulta. Sot janë 28 dhe kanë shtrirë rëndësishëm zonën e bashkëjetesës e bashkëpunimit të tyre. Nuk është çudi që ndonjeri (në këtë rast presidenti francez Emmanuel Macron) të fillojë të pyesë veten nëse ka ardhur çasti për të bërë një pushim e për të marrë frymë. Por kur në Corrieren e 21 tetorit, Maurizio Caprara thotë se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk mund të lihen në sallën e pritjes, ai ka të drejtë. I kemi hapur katër kanatash dyert e Bashkimit Vendeve që kishin të tjera horizonte, të tjera perspektiva dhe të tjera koncepte të Shtetit demokratik. Kemi lejuar që ndonjë Vend i Mittelevropës, tashmë antar i Bashkimit Evropian, të vinte në diskutim pavarësinë e pushtetit gjyqësor e të shtrëngonte një universitet të lirë të shpërngulej në një tjetër Vend. Kemi lejuar që një kryeministër (Viktor Orban) të përcaktohet me krenari iliberal.
A duhet t’i trajtojmë Maqedoninë dhe Shqipërinë me kriterin e të huajve të papregatitur e të papjekur? Ka ardhur çasti në të cilin Bashkimi duhet të sillet në këtë fushë si një Shtet i madh. Nuk kemi vetëm kufij kombëtarë. Kemi edhe zona të ndikimit për të cilat është interesi i ynë t’i mbrojmë e t’i përmirësojmë, lidhje historike që duhen ruajtur e përforcuar. Duhet të kemi kuptuar që nga koha e luftërave jugosllave se Ballkani është dera e shtëpisë sonë dhe që asgjë që ndodh atje nuk duhet të na lerë mospërfillës. Është e vështirë të përfytyrohet se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria (pak më shumë se dy milion banorë e para, pak më pak se tre e dyta), do të bëhen ashtu si Zvicra dhe Finlanda. Nëse nuk do të jenë antarë të Bashkimit Evropian në kohë relativisht të shkurtëra, do të gjejnë të tjerë mbrojtës e do të kthehen në prirje të përshtatëshme për veprimtari të diskutueshme.
Italia është shumë pranë atyre trevave për të mos u interesuar për fatin e tyre. Mendoj kryesisht për Shqipërinë. Mbas një pushimi të shkurtër italian, në fillim të viteve dyzet, Vendi qe nën udhëheqjen e Enver Hoxhës një shëmbull i ngrefosur i ortodoksisë komuniste, ku edhe deri Nikita Hrushovi quhej një revizionist i rrezikshëm. Por gjatë atyre viteve, në sajë të programeve të Radiotelevizionit italian, Italia qe dritarja e saj mbi Evropën dhe mbas krizës së Shtetit komunist, Vendi që i dha punë numurit më të madh të qytetarëve të saj. Nuk mjafton. Në mos gabofsha jemi i vetmi Vend që mirëpret në një shesh të kryeqytetit të saj statujën mbi kalë të heroit kombëtar shqiptar: princit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, protagonist e fitimtar i betejave të mëdha kundër turqëve otomanë në shekullin e XV-të.
“Corriere della Sera”, 27 tetor 2019 E përktheu Eugjen Merlika