• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“NJË GARDIAN PAKSA I PËRGJUMUR”!?

March 20, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Të nderuar lexues, këtë vështrim gazetaresk do ta ndërtoj duke iu referuar një deklarate të presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, i cili në fjalimin e tij në fund të vitit që lamë pas, veç të tjerash, tha: “…, në rajon ekzistojnë individë me ide radikale që mendojnë për shtete të mëdha! Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, kryetari Ivanov si duket këto porosi ia përcolli kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, si përgjigje lidhur me deklaratën e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, si dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, për zotimin e tij se Kosova do të jetë GARDIAN I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË”! Si deklarata e parë, njashtu edhe e dyta, të krijojnë përshtypjen kinse përcjellin ca “selame kërcënuese”, kinse askush nuk guxon t’i ngucë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, në Mal të Zi, si dhe në Luginën e Preshevës!? Unë si një qytetar i rëndomtë, jo se (nuk) dua t’u “besoj fjalëve” të presidentit Ivanov, por pse ma do “xhani” që të qeshem me shakanë e radhës të zotit Sali Berisha, për të cilin gojëkëqijtë dhe kundërshtarët e tij do të thonë me plot gojën se ai këtë “mot zgjedhor” e filloi duke ndryshuar fjalorin politik, ashtu thjesht duke bërë nacionalizëm provincial, nacionalizëm zyrash, nacionalizëm të trazuar a të rebeluar e tjera nacionalizma!? Në do më duhet të “zgërdhihem” me shakanë e zotit Berisha, njëkohësisht do më duhet ta “mbështes” idenë e z. Hashim Thaçi lidhur me të ashtuquajturin “gardian nga Drenica”! Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, fjala a nocioni “gardian” ka këtë kuptim: Rojtar i qelive të burgut. Gardian burgu.

Nga kjo deklaratë e presidentit Ivanov, unë do të bëj përpjekje të (ri) ndërtoj tri tregime. Tregimi i parë llafos ndodhitë e fundit që u hetuan në Shkup, kur huliganët e qelbur maqedonas, pa pikë faji rrahën të rinjtë shqiptarë…, ata këtë e bënë me porosi të politikanëve si dhe me urdhër të prindërve të tyre, të cilët në vijimësi “hiç pa pare” marrin leksione nga teoria e nacionalizmit dhe shovinizmit katundaresk, nga ata prindër që dekada të tëra kanë “akumuluar tepricë lirie të pamerituar, njerëz që kanë tepricë bukë, ata që kanë tepricë parash, ata që hanë me tepricë, kanë tepricë luks, tepricë urrejtjeje patologjike, tepricë megalomanie, tepricë qaramanie e rehatie, tepricë shovinizmi e të tjera mut teprica”.

Protagonisti i tregimit të dytë sipas meje do të duhet të jetë “gardiani komunist” i kasabasë sonë të viteve të gjashtëdhjeta (jo gardiani i kryeministrit kosovar). Unë, me sa mbaj mend, e di se ky “gardian” ishte goxha i sertë. Atij i mungonin dy dërrasa, ai asnjëherë nuk e vinte mendjen në punë, ai shprehej me shumë elegancë, ai aq shumë ishte i aftë sa që të burgosurve me shumë elegancë ua vidhte ushqimet e “thata” dhe cigaret e sjella nga familjarët e tyre. Ai “gardian” me emrin Tripun, lëre që ishte i trashë nga mendja, po njëkohësisht ishte tekanjoz, brekëçjerrë (brekëdhjerë), ishte një idhnak që të krijonte përshtypjen se mendjen e “kishte bruto a toptan” të rrjedhur…, një e kishte të përbashkët… me atë batutën që është “paksa fyese” ku, pos të tjerash, thuhet përafërsisht: “sikur mos të ishte kunji, ky gardiani i kasabasë sonë, kurrën e kurrës nuk do e shihte Stambollin”!? Ai fliste një sllavishte tejet të bastarduar, saqë nuk e merrje dot me mend se vërtet komunikonte bullgarisht, maqedonisht a ndonjë sociolekt të saj. Pavarësisht nga e  gjithë kjo, “gardiani Tripun” punën e bënte me përpikëri dhe pa hile…, ashtu siç e kishte mësuar disiplina komuniste!?

Tregimi i tretë shpjegon “një vaki” që i kishte ndodhur një fshatari të urtë dhe të pambrojtur! Dikur moti një “njeri shpellor” gjithmonë e kishte rrahur bashkëfshatarin e tij i cili kishte qenë shumë i urtë. Këtij fshatari dhe njeriu të qetë sikur i mungonte “integriteti fizik dhe ai moral”… dhe kur këto integritete i mungojnë njeriut, atëherë gjithsecili e ka shumë kollaj ta rrahë kur të dojë dhe sa të dojë…, madje njëkohësisht edhe ta ngarkojë me të shpifura shumë të neveritshme. Fshatari asnjëherë nuk ia kishte kthyer fjalën. Një ditë prej ditësh kishte kaluar atypari një mik i këtij që “hante dajakun”. Ky kishte mëtuar që t’i dalë zot. I ishte drejtuar “shpellorit duke i thënë: “…, hajde të të shoh se si do ta godasësh mikun tim…”!? Shpellori pa një pa dy, filloi ta godasë. Ky prapë iu drejtua, por tani më pyetje kërcënuese: “e po, hajde të të shoh se kësaj radhe a do të mund ta godasësh mikun tim”!? Shpellori nuk ia vuri veshin dhe prapë vazhdoi ta godiste. Çuditërisht fshatari i qetë dhe i urtë kësaj radhe mezi bëri një zë paksa lutës drejtuar mikut të vet: “I dashur miku im, të lus ta mbyllësh gojën se kështu si ke filluar ta kërcënosh “shpellorin me llafe bosh”, ai do të më rrahë derisa t’ia dojë qejfi”!? Duke e përfunduar këtë paragraf të këtij tregimi, më “shkoi mendja” te Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 8, ku, pos të tjerash, thuhet: 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.., si dhe te z. Sali Berisha. A mos vallë kryeministri iu referua verbazi nenit në fjalë…, apo në instancë të fundit këto deklarata nacionaliste, këto ulërima, këto kërcënime a bërtitje, ishin rezultat i atij fiksimi të tij se s’ka njeri a shtet që do t’i ngucë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve!?? Se a ka apo nuk ka njeri a shtet në këtë Gadishull Ilirik që edhe në të ardhmen do t’i ngucë apo do t’i rrahë shqiptarët, unë nuk e di, por unë e di se të rinjtë shqiptarë, edhe sot e kësaj dite rrihen atypari në anën e djathtë të Shkupit dhe gjetiu. A mos vallë kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, me “gardianin” e tij do të duhet t’i mbrojë të rinjtë shqiptarë…, së paku ata përtej Urës së Gurit, a mos vallë mbrojtja e shqiptarëve do të bëhet me llafe kafenesh, me muhabete që bëhen nëpër “kapixhike”, me deklarata radikale, me intervista gazetash me tarafe. Së fundi, atdhetaria nuk duron improvizime. Është një fjalë jona e vjetër ku thuhet: “NUK BËHET STANI ME LEPUJ”…, por me dele, shqerra e me çobanë.

Ndërkombëtarët, që kohë pas kohe duken me e pa sebep këtej pari Shkupit, kësaj “vakie” do t’i thonë punë kalamajsh të përkëdhelur!?

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, i pergjumur, Nje gardian, per Luginen e Presheves

NJË “QYMEZ” ME SHUMË PRONARË

February 28, 2013 by dgreca

Të nderuar lexues, nëse nuk personalizohem, do të më duhet që këtë shkrim t’ia dedikoj gjyshit tim, i cili më 16 shtator të motit 1943, në Mbledhjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ndërtoi fjalimin e tij të fundit politik./

Nga Fadil LUSHI/

Eh, ky Haxhi baba nga blloku jonë, kohë më parë më tha, nëse shkrimin e radhës a në vijim do ta kesh të “ndotur” me pis llafe, të betohem se nuk do ta lexoj. Nuk i premtova se nuk do ta bëj të “ndotur”, ashtu siç ai më “urdhëroi”, po i thash troç se nuk më shkojnë shkarravinat nëse pak nuk e “ngjyej” a nuk ia “fus” (më falni) ndonjë llaf rrugaçërie.

Pa marrë parasysh se si do të dalë ky shkrim i radhës, unë jam i ndërgjegjshëm se ky Haxhi baba ynë gjithsesi s’do ta paragjykojë si të tillë. I sugjerova: o do e lexosh (në “sabah”), ashtu siç është shkruar, o do të heqësh dorë nga avdesi i akshamit…, ndryshe nuk bën! Pavarësisht se nuk më dha “xhevap”, unë e di se ai këtë shkrim do ta lexojë me kënaqësi, ndonëse pak do mbetet i zhgënjyer. Para se të “ikte” për të falur namazin e “jacisë”, mu lut që këtij shkrimi t’ia shtoj një paragraf nga një vaki që i kishte ndodhur atij. Ma shpjegoi pikë për pike: … ka shumë kohë që ia kam “vënë syrin dhe mendjen” një monedhe prej  njëqind eurosh, të cilën zonja e shtëpisë, gjegjësisht haxhica “e ka harruar” nën “cergë”. Kam përshtypjen se zonjës hiç nuk i shkon mendja se “ku e ka barikaduar”!? Do më duhet të “pres edhe disa ditë” që mandej lirisht të vë dorë mbi të dhe ta kem në xhep se, “helbete”, takohem me ndonjë ministër të Doktorit dhe ia “qes një kafe” (siç do thonë shqiptarët nga Kosova pesëvjeçe), madje edhe ty, që merresh me shkarravina, ta paguaj një lëng të trashë. Shihe ti Haxhiun, ai mendon se unë jam kalama. I thash, o do paguash dy gota nga ajo e rrushit të Skraparit, o do të spiunoj te “haxhica”! Tekefundit, edhe ajo nga lëngu i rrushit edhe eurot janë haram!? Haxhi babës i tregova se në shkrimin në vijim do të shkruaj për një “qymez” me shumë pronarë!?

Të nderuar lexues, përfytyroni si mund të duket një “qymez” që ka zënë vend në një cep të Gadishullit Ilirik (fig. mospërf. Shtëpi e vogël dhe e keqe; vend i ngushtë e pa rehati). Ky “qymez” është ngarkuar e mbingarkuar me njerëz me profesione, karaktere, kualifikime dhe trashëgime nga më të ndryshmet. Mund ta merrni me mend se këta njerëz sa shumë janë të zhgënjyer dhe sa pak mund të jenë të gëzuar! “Fundin” e këtij “qymezi” unë nuk mund ta përfytyroj se si mund të duket!? Në atë “qymez” ka njerëz të përgjumur…, është një “qymez” i mbushur me njerëz të përkëdhelur, të lazdruar, maratonistë të fjalës së shkruar e të pashkruar, të vërtetë a edhe të shtrembëruar…, ca të tjerë duken si të kllapitur, do të tjerë inatçorë, por që në mënyrë të përkryer dhe perverse arrijnë të “bashkëjetojnë, të bashkësundojnë, të bashkëveprojnë, të bashkëvjedhin, të bashkëgënjejnë” me të gjithë ata që kanë fiqir të zhvilluar sa i përket njohjes së psikologjisë së turmës dhe nënshtrimit të saj”.

Aty, në atë “qymez”, jetojnë intelektualët me njerëzit të pashkolluar…, aty jetojnë edhe mercenarët politikë…, ca janë qaramanë e të tjerët megalomanë…, aty është ulur krimineli i kushedi sa luftërave të pista që përballë ka bamirësin a humanistin. Aty është ulur edhe pronari i bordellos, i cili klerit mysliman, atij ortodoks dhe katolik u ligjëron për moralin kolektiv…, aty është ulur edhe harami që përballë ka hallallin…, çuditërisht, “sojsëzi e këshillon sojliun”, ndërkaq “analfabeti me kollare (në qafë) dhe me nja dy qime në prapanicë” mundohet që shehërliut (shqiptarit) t’ia shpjegojë se ku duhet të jenë kufijtë e hapësirës shqiptare!? Toptan këta njerëz udhëhiqen nga interesa të caktuara, ca me ato provinciale dhe do interesa të tjerë. Defekti më i madh i “qymezit” konsiston në faktin se çdonjëri prej tyre dëgjon me kujdes llafet a fjalët e tjetrit, ndonëse të dy palët e dinë se ato fjalë krejt fare janë të rreme.

Njerëzit e “qymezit” frymëmarrjen e kanë paksa të rëndë. Ata ballafaqohen me “hallin e kockës në fyt.., çdonjëri prej tyre në fyt e ka atë “kockën e nacionalizmit provincial, tjetri ka kockën e korrupsionit, ndjenjën e të qenit antik, kockën e irredentizmit dhe atë kockën e shovinizmit shtetmadh”! Thonë se në atë “qymez” jetojnë edhe të tillë njerëz të rrjedhur, gjegjësisht njerëz që kanë humbur aftësinë për të gjykuar qartë e në mënyrë të shëndoshë. Njohësit e mirë të njerëzve që jetojnë në këtë hapësirë thonë: të komunikosh me këta duhet të jesh edhe ti paksa i rrjedhur… dhe për këtë çdo njeri e ka vështirë kur atyre u drejtohet me kërkesën që sado pak ta rregullojnë e ta “freskojnë” atë hapësirë politike, rebeluese dhe torturuese. Në vend të përgjigjes, ata bëjnë “të shurdhin”, të tjerët bëjnë “të verbrin”, a mbajnë shikimin mënjanë!

Njeriu që është ulur në kryeminderin e “qymezit” dhe që është i “paguar” të mbajë rend në “fjalëmarrje dhe fjalëdhënie ose edhe në vendimmarrje” nuk është kurrgjë tjetër pos një “vjeshtak” i shëmtuar dhe me lëkurë shollë, i cili me rast dhe pa rast, me a pa “sebep” do të thotë: “… sa kohë që unë do t’i kem punët në terezi a në rregull… dhe derisa nuk do vesh çorape të arnuara dhe derisa nuk do t’i mbath përsëri opingat e gjyshit tim nga Anglia rrospi, hiç nuk do më hajë palla se pse ky vend është mbushur plot e përplot me fukarenj, me njerëz që u ka ikur fiqiri, me njerëz të shëmtuar në surat, me njerëz skizofrenë, me fëmijë të lanë pas dore…, hiç nuk do më hajë palla pse ca primitivë pështyjnë në dyshemenë edhe ashtu të pluhurosur të “qymezit”…, nuk do më hajë palla edhe për ata pak më qytetarë, që do mëtojnë të pështyjnë nga dritarja drejt kalldrëmit që gjendet aty pranë “qymezit”…, hiç nuk do më hajë palla edhe për ata që në këtë “qymez” u futën me merita, inate a me dhunë, dhe ca të tjerë me urdhër të despotit të tyre (Millosheviqit, Sheshelit dhe tajfës së tyre). Hiç nuk më ha palla pse të gjithë zhvillohen, lëvizin, shumohen dhe pështyjnë horizontalisht…, nuk më ha palla se pse këta njerëz të tërbuar shtrembërojnë historitë e vërteta dhe i ushqejnë ato të sajuarat, të njërës a palës tjetër…, hiç nuk më ha palla pse këta njerëz jetojnë në një hapësirë të ngushtë…, a pse nuk gjejnë dot “farë kosi”, pse nuk e dinë dot ku ta hedhin bërllokun e apartamentit, atë bërllokun nacionalist, politik dhe atë katundaresk”!?

Të gjithë këta njerëz që i përmendëm në këtë shkrim, sidomos ata me nofka…, sipas meje përfaqësojnë një komb a një popull. Për këtë dhe arsye të tjera, unë nuk di se si ta emërtoj ndryshe këtë “qymez”!? Mund të them se ky “qymez” ka histori disfatash. I nderuar lexues, nëse ti ke ide tjetër, atëherë këtë “kotec” quaje si të duash.

P.S.

Të nderuar lexues, nëse nuk personalizohem, do të më duhet që këtë shkrim t’ia dedikoj gjyshit tim, i cili më 16 shtator të motit 1943, në Mbledhjen e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, ndërtoi fjalimin e tij të fundit politik.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, me shume pronare, nje qymez

“AGAI I JENIÇERËVE POLITIKË ME STRAJCË NË KRAH…”

February 18, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Dikur moti, gjyshërit tanë kishin ndërtuar një mirëqenie të mirëfilltë morale. Sa herë që ata donin “t’i iknin vëmendjes së të tjerëve”, parapëlqenin atë llafosjen me “isharete”… Kjo llafosje e tyre ishte përplot me “esnafllëk” e burrëri, thjesht ishte një bisedë e këndshme, e lezetshme, transparente dhe pa prapavijë keqbërëse. Të gjithë ata që ishin të përjashtuar a që duhej t’i rrinin mënjanë këtij komunikimi nuk mund të ngelnin indiferentë dhe të mos thoshin se “ky shkëmbim i lirë mendimesh ndërmjet tyre” vërtet qe pa hile.

Kur gjyshërit gjendeshin në siklet, i bënin punët me shumë merak, sidomos kur nuk pëlqenin bëmat e njerëzve përreth tyre. Mbaj mend kur në vitet nëntëdhjetë u “(ri) punësova si njëfarë këshilltari” pedagogjik, babai i kishte parashtruar pyetje zonjës së tij, gjegjësisht nënës sime: “Pa më thuaj, moj zonjë, se ç’punë do bëjë ky çapkëni ynë”? Ajo ia kishte kthyer: Po do bëjë këshilltarin. Eh, ky ka nevojë vetë për një këshilltar! Ky “hazërxhevap”  i babait sot na duket “denigrues”!? Ku ta di njeriu, ndoshta kishte pasur të drejtë. Po unë pajtohem plotësisht se kishte pasur të drejtë, sepse shumë kohë më parë, me një rast i pata thënë: “Më bëj baba t’i ngjaj gjyshit”!? Ai ma pat kthyer kështu: “… po mirë, unë të bëj, por ama ti nuk bëhesh”!?… Dhe, vërtet, kurrën e kurrës nuk u bëra i tillë, si gjyshi dhe i biri i tij.

 

Sot parashtrohet pyetja se a mos vallë mëhallës së inteligjencies shqiptare i mungon një intelektual të llojit të Faik bej Konicës. Udhëpërshkruesit mund të thonë se Konica, në mendje a fiqir ishte aristokrat, ndërkaq në ecje ishte elegant, në çdo mexhlis ishte më i privilegjuar, më shumë se kritik, më i vendosur e të tjera. Edhe sot, pas sa e sa dekadash nga ikja e tij fizike nga dynjaja shqiptare, mbetet aristokrati dhe kryeredaktori i fjalës së shkruar shqipe në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës…, aristokrati  më i madh i pendës shqiptare, aristokrati i kostumit alla konicane!? A mos vallë, edhe sot e kësaj dite mexhlisit dhe mëhallës së politikës shqiptare i mungon një figurë e kalibrit të ballistit siç ishte Mithat bej Frashëri…, a mos vallë mendimit politik gjegjësisht higjienës së mendjes shqiptare do t’i duhet të presë edhe një shekull për të krijuar një Mithat tjetër.

Disa ditë më parë një intelektual relativisht i ri nga mosha, përndryshe nga një qytet shqiptar që shtrihet në hapësirat e Gadishullit Ilirik, kishte vendosur të hidhet në grevë politike. Motivi kryesor i grevës së tij konsistonte në kërkesën e tij paksa utopike. Ai kërkonte që “agai” (lidershipi) i tij i ardhshëm fillimisht do të duhej të ishte i pashëm, i moralshëm, të ketë taban kombëtar, të jetë “shehërli e namuzli”, komunikativ dhe pasanik, të mos të jetë “nën varësinë e fjalës lavdëruese” të miqve dhe votuesve të tij…, atij nuk i duhet një “aga” (lidership) që do të prodhonte a do krijonte më shumë prokopi, sesa mençuri… Ai ëndërronte me sy hapur një “aga” (lidership), i cili më shumë do t’i dojë dhe do t’i respektojë simpatizantët e vet sesa që do ta preferojë pushtetin…, atë pushtet që ndoshta do ta marrë me vota klandestine gjegjësisht me dhunë…, ai dhe të tjerët si ai parapëlqejnë të ketë një “aga” (lidership) demokrat, kurse jo një të tillë me origjinë diktatori ose edhe provincialisti…, ai do të preferojë një “aga” (lidership) karizmatik e me mendje femër, kurse jo një karrierist që ka devijuar nga fiqiri respektivisht i anashkaluar nga fisi i vet dhe më gjerë… Ai edhe më tej do të preferojë një “aga” (lidership) me origjinë aristokrati dhe jo një “aga” (lidership) që ka trashëguar mbeturina dhe vese arroganti, respektivisht “aga” me sjellje a me qëndrim përbuzës e mospërfillës kundrejt të tjerëve. Ai nuk do të preferojë një “aga” (lidership) me “çorape të arnuara”, jo një “aga jeniçerësh politikë me strajcë në krah”, jo një lidership që do të sundojë të drejtën absolute mbi fjalën dhe mendimin e lirë…, ai do të preferojë një “aga” (lidership) me mendje në kokë, me mendje femër a mendjendritur. Ky “grevist” i lartpërmendur politik nuk do të preferojë një “aga jeniçerësh”, të cilit sa herë që do t’i lëkundet karrigia, aq herë do të prodhojë “nacionalizëm të rrejshëm” apo edhe aq herë do premtojë “dyshtetësi dhe Shqipëri natyrale”!?? (është një proverb gjerman ku thuhet: “Kush ngjitet më shumë seç e meriton, bie shumë më poshtë seç e mendon”!). “Grevistit” të shkrimit tonë  nuk i duhet një “aga” (lidership) i cili vazhdimisht do t’i “buzëqeshë të keqes”!? dhe jo të mirës…, atij nuk i duhet një “aga” (lidership), i cili në lloj-lloj mexhlisesh politike, ashtu “pa hiri”, do ta turpërojë veten, fisin dhe do të denigrojë votën e partisë politike që përfaqëson…, që e prish imazhin e fisit të vet…, ai i cili do të duhet të hiqet si çuni i familjes dhe jo të  identifikohet me legenin e mëhallës a edhe të bllokut…, ai i cili historinë e prindërve dhe të fisit të tij do ta shpjegojë bythëpraps…, dhe jo të hiqet si “aga që do  mbajë veten për të mençur”?

“Grevistit” nuk i duhet një “aga jeniçerësh politikë”, nuk i duhet një “hyzmeqar shkau a komunisti”…, atij nuk i duhet një i tillë që kur t’i teket do t’i bëjë qejfin e prapanicës së tij, prapanicë që ndërron parti e bajrak, “grevistit politik” nuk i duhet “aga” i cili dikur i shkonte pas elitës apo të përzgjedhurve e politikës së atëhershme!…, një politikan që sot e kësaj dite ndihet i “pikëlluar për mungesë qytetarie dhe aristokracie familjare të trashëguar”!? “Grevistit” nuk i duhet që “agai” i tij i ardhshëm të fshehë a të mohojë origjinën e tij nga fshati…, aq më tepër kur e dimë se një gjë të tillë nuk e bëri as edhe Sharl de Goli…, nuk i duhet një “aga jeniçerësh” i cili do t’i shkojë pas “hijes së urrejtjes dhe çallëmit katundaresk të ish-komunistit, ai i cili dikur e kishte për detyrim të numëronte pordhat e pordhaxhiut të mëhallës së tij”!?… “Grevistit dhe grevistëve të tjerë politikë shqiptarë” sot gjithsesi se nuk u duhet një lidership i cili me strajcë në krah do të trokasë dyerve të pasanikëve…, apo edhe kur do të përfundojë a perëndojë koha e “dinastisë politike të tyre” tok me ato strajca do ikin.., si ata biznesmenët bythëçjerrë, që kur filloi lufta në Kosovë dhe më vonë në Maqedoni, me do të tilla të mbushura me dollarë ua mbathën këmbëve drejt  Evropës, Shqipërisë, kurse ca të tjerë “anavatan” Turqisë. Ata që futën hundët në këtë vaki sot do të thonë se asnjëherë nuk u mor vesh se të kujt ishin ato strajca, a ishin thesar i fisit apo i popullit…, këtë një Zot e di…, po ndoshta këtë e di edhe “pronari” i strajcës.

Edhe në këtë njëqindvjetor shqiptar (konferenca e ambasadorëve të vitit 1913), “grevistit politik” do t’i duhet një “aga” (lidership) që do t’u nënshtrohet provimeve nga leksionet e atdhedashurisë dhe demokracisë…, një “aga” që detyrimisht do të duhet t’i maturojë këto provime…, nëse këtë nuk do ta bëjë, atëherë do të ketë “ llogari të hapura” me inatet e tij histerike ose edhe homerike.

Mitrush Kuteli, i zhgënjyer fund e krye nga varfëria, dikur kishte “bërtitur”: “Rroftë mileti pa brekë”!? Ndërkaq, ky “grevisti politik” i kësaj shkarravine do të ulërijë: “Rroftë agai i jeniçerëve politikë (të moderuar) me strajcën në krah”!?

Filed Under: Opinion Tagged With: agai i jenicereve politike, Fadil Lushi

DAÇIQI DHE “ATO” TË KALIT TË SKENDERBEUT?

February 6, 2013 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Disa ditë më parë, në Republikën e Maqedonisë, u duk kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Erdhi në Shkup për të ndërtuar një komunikim!? Por ama asnjeri nuk e mori vesh se ç’kuptim kishte ky “komunikim” i tij. Disa thanë se mos vallë ishte një komunikim i moderuar, erotik,  nacionalist, politik, klandestin, fëmijëror, institucional, instinktiv, komunikim – mexhlis katundesh, komunikim emocional (hiq mënjanë komunikimin racional), provincial dhe, së fundi, komunikim dialektor…, (ata që ishin të angazhuar në protokollin e tij., thanë se kjo e “folme e tij dialektore” nuk u përkthye, ndoshta nuk kishte nevojë për një gjë të tillë). Disa të tjerë thanë se ky “llaf-muhabet” më shumë i përngjante një komunikimi me “isharete”, një komunikim i ndërtuar nga njerëz që në surratet e tyre kishin vënë maska mortore, maska shoviniste a edhe maska nacionaliste. “Inatçorët politikë shqiptarë” assesi nuk mund të thonë se ky komunikim nuk ishte “identik” me ato “delet që nuk japin qumësht…, ose me ato llaf-muhabetet pa bereqet”!? I gjithë ky komunikim me “isharete” ngërthente në vete një temë goxha serioze, gjegjësisht temën që përfliste gjendjen aktuale të shqiptarëve të Luginës së Preshevës…, të cilët edhe kësaj radhe dëshmuan burrërinë e tyre, atë pjekurinë politike të tyre, sa për të mos ua prishur rehatinë dhe për mos ua trazuar indiferencat politikanëve të Tiranës, po edhe atyre të Prishtinës (kuptohet atyre të pushtetit), të cilët edhe kësaj radhe nuk bën asnjë të vetmen përpjekje që të lirohen nga ngërçi i kompleksit të virgjërisë politike (hiq mënjanë atë të Edipit dhe të Elektrës), nga kompleksi i virgjërisë a edhe rrospisë urbane, nga kompleksi i provincializmit e të tjera komplekse. Kështu siç u ndërtua ky komunikim, të krijon përshtypjen se nuk i ka mbetur as faqe, as surrat, as ballë, as bisht, as buzë, as sy, as “din e iman”, as prapanicë, as lesh, as esnafllëk, as lezet e tjerë. Ka ardhur vakti që “raca e mykur e njerëzve legen që mëtojnë të ndërtojnë kësi komunikimesh thjeshtë të bitiset”.

Prezenca e tij në Shkup prodhoi më shumë gjeografi dhe kureshtje ndaj historisë së lapidarit të kalit të Skënderbeut të vendosur në anën e djathtë të lumit Vardar, sesa ndonjë protokoll të mirëfilltë. Logjikisht, Ivica Daçiqi nuk është kalë, ai është njeri, por është pasardhës dhe zëdhënës i politikës së Millosheviqit. Që nga dita kur u hoq lapidari në Luginë, disi ka filluar të krekoset e të çallëmdiset…, aq shumë po preokupohet e dalldiset me atë folk-patriotizmin e tij foshnjarak, saqë do humbasë aftësinë e të dalluarit të sendeve a gjërave. Ka filluar të ëndërrojë se si mund të luajë me koqet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe në veçanti me koqet e kalit të Skënderbeut!? Mendon se ato (koqe) mund të hahen. (Sipas ambientalistëve dhe vegjetarianëve, meqë njerëzit sot hanë çdo gjë prej mishi, assesi nuk kanë të drejtë dhe nuk duhet të therin kuajt, pasi që janë shumë të bukur dhe gjithsesi fisnikë, ndonëse ka pasur raste kur ata kanë ngrënë edhe koqet e njëri-tjetrit. Briggite Bardot thotë se është gjynah të hash mishin e kalit, në veçanti herdhet e tij). Ky i mjeri Daçiq, këto koqe kohë pas kohe i koncepton si lodra për fëmijë të lazdruar…, njëkohësisht ka filluar të hiqet si këshilltar politik për Ballkanin. Thjesht, po bën inatçorin. Eh, ky ka nevojë vetë për një këshilltar koqesh. Sipas nesh, ky çallëm nuk i shkon moshës dhe karakterit të tij.

I nderuar lexues, a e di pse nuk i shkon e gjithë kjo!? Ja po ta them unë: ky Ivica, ka faqe adoleshenti dhe paksa u përngjan atyre “dylberëve” të padishahut, i cili në sarajin e tij dikur moti mëtonte të organizonte do “gara” të çuditshme? I pari i garave të padishahut konsiderohej ai “dylber” që do të pshurrte drejt dhe më larg!? Ky zoti Daçiq, nuk ma mbush rradaken se në një garë të tillë mund të zinte ndonjë vend meritor. Jo pse nuk mund të urinojë përtej Pashallëkut të Beogradit, por pse dyshoj se do të kishte “pshurrur shtrembër”! Ata që “pshurrin shtrembët”, sipas fesë, shumë shpejtë marrin “mësysh”!?

Dhe ditën kur mori udhë për në hapësirat e qeverisë së Maqedonisë, nga dritarja e veturës me të cilën kishte shëtitur, kishte parë lapidarin e Skënderbeut dhe koqet e kalit të tij. Kali i Gjergjit është më i bukur se Daçiqi…, kali nga Gadishulli Ilirik ecën më bukur se ky politikan me memorie dhe moral të dyfishtë…, ndonëse i ka të dyfishta, asnjë prej tyre nuk i shërben e nuk i hyn në punë. Meqenëse Ivicës i kishte interesuar historia e kalit shqiptar si dhe gojëdhënat që i dedikohen, ja unë po i shpjegoj ca: “Ti mund ta dërgosh kalin te burimi, por s’mund ta bësh atë të pijë ujë”! Thonë se kali nuk të dëmton po nuk e teprove së rrahuri vitheve të tij, kali nuk ha bar e nuk pi ujë pse e do ti atë, kali thjesht dhe pa hile bën punën e vet. Kali i mirë e shton vetë tagjinë…, kali nuk fle, kali nuk zgërdhihet si pronari i tij, kali nuk urinon kur do pronari i tij, ai e bën këtë kur…, kali shqiptar nuk ka “dërrasa mangët…, deri më tani nuk kam dëgjuar kuajt të kenë rrjedhur nga “fiqiri”…. Kam krijuar përshtypjen se kali, si kafshë shtëpiake, “fiqirin gjithmonë e ka esëll”, kurse Ivica shpesh e ka “tapë”. A mos vallë keni parë ndonjëherë kalë të shëmtuar… Malësorët shqiptarë, për kalin thonë edhe këtë mendim: “Kalit po t’i biesh nga vithet, bën përpara, po t’i biesh nga koka, ecën prapa”? Kur para shumë vitesh, Brukseli dhe NATO-ja ia mëshuan Millosheviqit vitheve, ai bëri pordhë, kur i ranë nga koka, bëri teatër ose edhe cirk!? Kur i ranë koqeve, bëri alarmin dhe alarmistin…, kur ia futën…, filloi t’i djersitet bytha.

I nderuar lexues, ditën që Daçiqi “e pa lapidarin e Skënderbeut me kalin e tij”, sikur deshi që nikoqirit të tij, z. Nikollë, t’ia shpjegojë fabulën për kalin.

Dikur moti, një fermer kishte blerë një kalë, një ekzemplar të shkëlqyer!!! E kishte paguar goxha shtrenjtë, por pas një muaji kali u sëmur. Kështu fermeri, i dëshpëruar, thirri veterinarin:

– Ç’të them…, kali juaj ka një virus dhe duhet të pijë këto ilaçe për tri ditë; pas ditës së tretë do vij ta kontrolloj: nëse nuk do të bëjë më mirë, do na duhet ta vrasim!

Derrkuci që ishte aty afër e dëgjoi të gjithë bisedën. Pas ditës së parë me ilaçe, asgjë nuk ndryshoi! Derrkuci iu afrua kalit dhe i tha:

– Jepi mik, ngrihu në këmbë!

Ditën e dytë po njëlloj, kali nuk po reagonte.

– Jepi mik, ngrihu, ndryshe do të vdesësh! – e paralajmëroi derrkuci.

Ditën e tretë ia dhanë prapë ilaçet, por asgjë!

Veterinari erdhi dhe tha:

– Fatkeqësisht nuk kemi zgjidhje tjetër, duhet ta vrasim sepse ka virus dhe mund të infektojë kafshët e tjera!

Derrkuci, si i dëgjoi këto fjalë, vrapoi te kali për ta paralajmëruar:

– Hë pra mik, ka ardhur veterinari, jepi, o tani o kurrë më! Shpejt, ngrihu në këmbë!!!

Menjëherë kali i dha vetes, u ngrit në këmbë dhe filloi të vrapojë!

– Mrekulli!!! Duhet ta festojmë – bërtiti fermeri.

– Hajt të bëjmë një festë! Të therim derrin e të gostitemi!

Në këtë fabul ka ca të pavërteta. Fillimisht kali i Skënderbeut, kurrën e kurrës nuk ka pasur virus, asnjëherë nuk ka ndenjur shtrirë dhe së fundi nëse ky kalë ka pasur prejardhje anadollake, atëherë pranë tij nuk ka mundur të ketë një derrkuc nga Shumadia. Edhe z. Nikollë nuk e pëlqeu këtë fabul, sepse ishte në versionin serb! Ku ta dijë njeri, ndoshta edhe ai ka të drejtë. Unë e di se atyre që “do të trazojnë kalin e Gadishullit Ilirik” do t’u hiqet koka.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Daciqi, dhe ato te, Fadil Lushi, kalit te Skenderbeut

“KALLËPE LLAFESH POLITIKE”?

January 14, 2013 by dgreca

NGA Fadil LUSHI/

Këtë shkrim të radhës po e filloj me thënien e një mjeku gjerman, me emrin Andreas Heinz, përndryshe Shef i Departamentit të Psikiatrisë pranë Universitetit të Berlinit. Ai në një studim të tij, pos tjerash, thotë se “…, përjashtimi social dhe përvojat negative u shkaktojnë njerëzve dëme të paparashikueshme… dhe gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë dikujt është që ta fusin atë në ndonjë kallëp”. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fjalën arabe “kallëp”, e shpjegon kështu: 3. keq. Model a skemë që pranohet dhe zbatohet verbazi, pa e studiuar, pa ia nënshtruar kritikës, shabllon, shtampë. 4. fig. keq. Njeri që nuk është në gjendje të gjykojë e të mendojë në mënyrë të pavarur, që nuk i vështron gjërat me syrin e vet dhe i merr a i zbaton ashtu siç janë, pa i gjykuar fare; njeri i trashë nga mendja. 5. keq. …, Njerëz të çdo kallëpi.., nuk duhen futur në një kallëp, në një plan politik a moral.

Cilido qoftë lexues ka të drejtë të parashtrojë pyetjen se ç’lidhje ka ky paragraf me vështrimin gazetaresk!? Unë, me “takatin” tim mental do të bëj përpjekje që të ndërtoj një lidhje logjike mes paragrafit të lartpërmendur me ato në vijim, duke thënë se viti 2012, që kohë më parë shkoi a na iku ashtu me inate, u karakterizua me protesta, rebelime dhe tensione politike, gjithsesi të llojit ballkanas. Të gjitha këto ishin produkt a pjellë e “votimit të dhunshëm të buxhetit (kundërthënës) për vitin 2013”. Ata që ishin prezent në Kuvendin e Maqedonisë do të thonë se…, “aty u përdor dhuna ndaj deputetëve opozitarë, aty ku edhe “kinse” u lënduan  dy deputete të partisë opozitare, gjegjësisht të LSDM-së…, kinse kishte pasur tentim për sulm ndaj kryeparlamentarit z.Trajko Veljanoski”!?? Kulmi i këtij rebelimi do të hetohet në momentin kur sigurimi i Kuvendit largoi me dhunë nga galeria gazetarët e akredituar, me qëllim që të mos mund të ndjekin nga afër “zënkat e ca adoleshentëve politikë”!?

Pas gjithë kësaj hallakame, u shfaqën dy reagime, njëra ishte politike dhe tjetra mediale…, e shkruar a elektronike. Opozitarët maqedonas thanë me gojën plot se u “kontrabandua demokracia parlamentare”, ndërkaq kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, z. Naser Selmani, me të drejtë u prononcua se u suspendua demokracia e gazetarisë respektivisht opinionbërjes!

Se çka u solli “viti i dështuar parlamentar” maqedonasve, kjo ka pak rëndësi, sepse kjo ishte punë e “kurdisur” e partive politike maqedonase (pavarësisht se janë në opozitë a në pozitë), po edhe kjo është me pak rëndësi…, për ne është me vlerë se partitë politike shqiptare, në këtë fillimvit politik, a mos vallë do ta kopjojnë këtë “kallëp llafesh politike” a model të palës tjetër dhe kështu ta zbatojnë verbazi dhe në instancë të fundit, a do t’i shkojnë pas kësaj zallamahie a avazi të vjetër. Në këtë fillim viti neve na mbetet të shohim se “pushteti aktual” (që assesi nuk do t’i nënshtrohet pyetësorit të demokracisë parlamentare) a do të vazhdojë ta margjinalizojë dhe ta atrofizojë “ortakërinë politike, ekonomike, arsimore, sociale, kulturore etj., ortakëri” nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, a do të mëtojë  ta monopolizojnë “kryeminderin” e pushtetit absolut. Neve edhe në këtë fillimvit gjithqysh do të duhet të na interesojë se ky shtet “biblik” a do vazhdojë të mbajë inat me vetveten…, a do të vazhdojë të thyejë kokën e vet, sepse kjo “vetëthyerje koke” mund t’ua dërrmojë turinjtë atyre që i ka  rreth e rrotull, përfshi aty edhe shqiptarët!? Ata që kanë sado pak njohuri politike, do parashtrojnë pyetjen se maqedonasit me çfarë të drejte do të na e “imponojnë kodin e tyre të mospërfilljes”…, ca të tjerë “nacionalistë të përbetuar” shqiptarë, do të thonë se pse ne me aq lehtësi e “heshtim” këtë IMPONIM politik!?

Se ky fillimvit “parlamentar” do të jetë i mbarë a jo, do të duhet të presim e të shohim. Se ky fillim viti do jetë a jo “ogurbardhë”, do të duhet të jemi “hem sabërxhi, hem sahatçi”!? Që ky vit të mos jetë “ogurzi”, toptan partitë politike shqiptare, duhet ta rrënojnë dhe t’ia vënë flakën kështjellës së “karantinës sonë inatçore”…, do t’u duhet ta ndryshojnë atë konservatorizmin dhe provincializmin e tyre të mykur politik…, do t’u duhet ta asgjësojnë “shkollën (politike) famullitare dhe atë të fallxhorëve”!? Nëse nuk do ta ndryshojnë këtë filozofi, atëherë zor se do ta prishin a anulojmë “ortakërinë politike, financiare, kulturore e të tjera ortakëri”!? Ne edhe këtë vit duhet bërë përpjekje që të mos mbetemi peng gjithfarë premtimesh, peng gjithfarë zhurmash politike, retorikash nacionaliste, shoviniste dhe përbuzëse…, peng “heqje veshi”…, apo pse mbamendja jonë kolektive, duhet të mbetet peng i “miqësisë politike, peng i hatërisë, peng i dëgjueshmërisë”…, peng i ndërmjetësuesve të Brukselit a edhe Uashingtonit…, peng i (jo) Marrëveshjes së Ohrit…, peng i autoritarizmit të lidershipit që është ulur në kryeminderit e pushtetit makiavelist e të tërbuar…, peng i mospajtimeve të mendimeve ndërpartiake maqedonase…, peng i marrëzive politike…!

Unë nuk di se ç’kuptim do të kishte që edhe pas dy dekadash të mëvetësimit të shtetit të Maqedonisë, shqiptarët duhet lejuar vetvetes që vullneti dhe toleranca e tyre e kallkanosur dhe e çuditshme, të shndërrohet në peng të politikëbërjes stereotipe dhe jo pjellore të palës tjetër. Nëse shqiptarët, nuk do ta ndryshojnë filozofinë e politikëbërjes, atëherë hiseja tyre, në kuadër të institucioneve kushtetuese të shtetit, o do të zbehet, o do të anulohet a edhe toptan do të përjashtohet. Përjashtimet janë të dhimbshme. A mos vallë shqiptarëve, edhe këtë fillim moti “dikush do t’u sugjerojë që të bëjnë avokatllëk”, gjegjësisht të ndërmjetësojnë ndaj zgjidhjes së “mosmarrëveshjeve” mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së !??…, po ç’kuptim do të kishte ky “avokatllëk” a kjo ndërmjetësi jona, sidomos kur kemi parasysh se neve historikisht na kanë konceptuar si “huamarrës, si zaptues tokash, qaramanë, kokëkrisur, pllaninari e kokëndryshkur”!? Së fundi, ne kemi nevojë për avokatinë tonë. “Inshallah” kundërshtarët tonë politik, nuk na fusin në ndonjë kallëp kumarexhinj, kallëp tyxhari, sapuni a kallëp këpucëtari!?

Ju, të nderuar lexues, mos vallë mbani mend që dikur maqedonasit të kenë bërë një të vetme përpjekje për të na pajtuar neve? Unë për këtë as që kam dëgjuar ndonjëherë. Qofsha i gabuar. Mos dhëntë Zoti që kjo “shemëri” me shumë “hata” të vazhdojë së funksionuari me përpikëri edhe në motin 2013.

Ata që i kanë “shijuar hilet e ortakërisë” me të drejtë do të thonë se po të ishte “ortaku” i mirë, atëherë edhe Perëndia do të kishte një të tillë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, kallepe llafesh, koment, politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT