• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DY “DEKLARATA NACIONALISTE”, NJËRA, PA LAJTMOTIV?

December 27, 2012 by dgreca

Të nderuar lexues, bëj be për kokë të 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës se vërtet nuk ju gënjeva me këtë shkrim. Qofshi të nderuar për mot e zaman. Në doni, uroni 100-vjetorin e Shqipërisë Londineze (1913-2013)./

Nga Fadil LUSHI/

Kohë më parë, Vetoni, që zonja e shtëpisë e ka shumë për zemër, më sugjeroi që shkrimin tim të radhës dhe të fundit për këtë mot, ta qëndis me më shumë optimizëm. Ndoshta kishte të drejtë! Edhe sikur këtë shkarravinë ta bëja sipas dëshirës së tij, gjegjësisht me “porosi”, me siguri se nuk do më dilte natyrale, sepse shkrimet e tilla, lëre që nuk më shkojnë, por mbase edhe nuk janë në hisen time. Nejse, unë do shkruaj (aq sa do më lejojë takati im mental) për nocionin e patriotizmit shqiptar, për atë nocion që, sa herë shqiptarit i bëhen padrejtësi, ai aq herë edhe do t’i referohet. Do të shkruaj për patriotizmin 100-vjeçar të shqiptarëve që e gëzuan lirinë, do të shkruaj edhe për atdhetarinë e atyre që nuk e lumturuan Shqipërinë politike…, do të shkarravis toptan për shqiptarët ku jetojnë e ku veprojnë, gjithandej Shqipërisë Londineze.

Duke qenë se mua në vijim më duhet ta dërdëllis këtë vështrim gazete, le të më lejohet të bëj paksa plagjiaturë të ca mendimeve që para disa ditësh dolën nga një emision debatues që u organizua në hapësirat e një televizioni prestigjioz të Tiranës, ku ekspertë fushash të ndryshme, në veçanti nga ajo e politikëbërjes, diskutuan për patriotizmin patetik të shqiptarëve. U parashtruan shumë ide dhe pyetje lidhur me këtë nocion. U ra dakord se jo akëcili njeri (qoftë ai të jetë politikan, blegtor, tyxhar, mësues, mjek, shehërli a katundar) mund të merret me të, pavarësisht ngjyrës, kombit dhe religjionit e tjerë, me kusht nëse “patriotizmin nuk do ta makijavelizojë a edhe nuk do ta konceptojë si strehë të fundit të horrave”!? Ca prej të pranishmëve thanë se sot, kushedi pas sa dekadash, nuk mund të mohosh patriotizmin e Hasan Prishtinës, Faik Konicës…, atë të Fan Nolit, të Mit’hat Bej Frashërit dhe shumë të tjerëve të tillë si ata, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme dhe të thella në ndërgjegjen dhe në ndërtimin e kështjellës së filozofisë së politikëbërjes shqiptare, në kuadër të shekullit të fundit.

Në atë “debat politik” nuk u anashkalua as “hiseja” e monarkut Ahmet Zogolli për ekzistimit e shtetit shqiptar…, nuk u “shtrembërua” as edhe politika e Enver Hoxhës, ai i cili ishte i pari dhe i fundit politikan diktator në historinë më të re shqiptare…, ai që nuk e kishte “zor” të bënte pordhë dhe gojë në çdo institucion, në çdo ndejë a mexhlis, në çdo mëhallë, në çdo katund, në çdo kohë, me rast e pa rast. Ata që pësuan më shumë prej tij, sot, edhe pas kushedi sa kohësh, do të parashtrojnë pyetjen se a mos vallë është e vërtetë se (diktatori që u fut ashtu bythëpraps në gojë të dynjasë shqiptare) kishte pasur kontroll në jetën seksuale të shqiptareve dhe në atë të “dylberëve” të Shkodrës, Kavajës, Korçës, Gjirokastrës e tjerë. Kjo “muhabetbërje provinciale” (që ishte sa vetëreferuese, po aq edhe ipsative)…, përfundoi në momentin kur timoni i saj u bllokua ashtu keqas, sa që nuk shkonte as djathtas e as majtas!?

Nëse Enver Hoxha ishte diktatori i fundit i shqiptarëve, atëherë duhet parashtruar pyetjen se vallë kush është “nacionalisti a patrioti i fundit shqiptar”!?? Njerëzit që nuk kanë për të bërë punë më të mençur, do të thonë se ai duhet të jetë kryeministri i nderuar dhe i respektuar i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, ai i cili më 4 dhjetor të vitit që po ikën gjeti “guximin” për ta ndryshuar protokollin e agjendës së qeverisë, me çka  mbledhjen e radhës e organizoi në Vlorën e Ismail Qemalit. Sipas meje, këtu nuk ka kurrgjë anormale a të keqe, pavarësisht se dikush e “kërkon” këtë të keqe! Në atë mbledhje, ai e dha atë deklaratë, sa “historike, humane, nacionaliste, patriotike (po aq edhe të papritur) rreth “krijimit të Shqipërisë së Madhe a Natyrale”!??  (atë fjalë, natyrale, veshët e mi nuk e dëgjuan). Kjo deklaratë e tij “nacionaliste” për krijimin e Shqipërisë së Madhe, lëre që trazoi mendjen politike të fqinjëve, por njëkohësisht rebeloi dhe mbamendjen e kundërshtarëve të tij politikë, duke i detyruar të parashtrojnë pyetjen se a mos vallë kjo deklaratë e tij ishte e ngjyrosur me bajraktarizëm, amatorizëm politik, makijavelizëm, diletantizëm, me patriotizëm të vakët, të shtirë dhe të rremë, me nihilizëm, eufori, folkpatriotizëm, subjektivizëm, provincializëm katundaresk apo edhe… Në instancë të fundit ishte një denigrim i radhës së teorisë dhe praktikës së rregullave të politikëbërjes institucionale!?? Tekefundit, kjo deklaratë e tij “vështirë” se do të ndryshojë a do të korrigjojë diç nga gabimet e Konferencës së ambasadorëve (të Londrës), të motit 1913! (sikur kjo deklaratë e z. Sali Berisha, nuk do të interpretohet ndryshe dhe nëse nuk do t’i jepet konotacion krejt tjetërfare, atëherë është njësoj sikur të “pyesësh të verbrin a do sy”!)

A mos vallë, kjo deklaratë e tij ishte edhe rezultat i një ngazëllimi a i një euforie të tepruar dhe të pakontrolluar mbarëshqiptare, që u hetua më 28 Nëntor të motit që është duke perënduar…, a mos vallë ishte një deklaratë – shaka e radhës…, apo ndoshta ishte  një zhargon i tij (i ri) profesional. Nëse ishte zyrtare (në emër të qeverisë), atëherë sehirxhinjtë do të parashtrojnë pyetjen se “…, pse pas 23 vjet bërje politikë u shpreh pikërisht në këtë kohë dhe jo më herët, në do ishte private (në emër të Partisë Demokratike ai do mëtojë ta përdorë kartelën e nacionalizmit dhe patriotizmit të rremë) atëherë inatçinjtë e politikës së kryeministrit, lëre që nuk do t’i përsërisin pyetjet e sehirxhinjve, po përkundrazi, do të thonë se ky “prononcim i tij nacionalist nuk është kurrgjë tjetër, përveç rezultat i një krize morale që e ka kapluar politikëbërjen e kryeministrit…, një lajtmotiv i gabuar si dhe një lajthitje e rastit në kuadër të fushëveprimit të dobët politik ”!??

Kur jemi te “pasaportat e ashtuquajtura gjithëkombëtare” (që kohë më parë i përmendi kryeministri), do të duhet të parashtrojmë pyetjen – çka nëse shqiptarët nga Lugina e Preshevës, Mali i Zi e trevat e tjera do të pajiseshin me të tilla “dokumente udhëtimi gjegjësisht me nënshtetësi të dyfishtë”…, a mos vallë do t’u jepej “mundësia që t’i braktisnin trojet e tyre autoktone”…, a mos vallë kjo do t’i shkonte në hesap shtetit serb dhe shteteve të tjera përreth. Unë këtë nuk e di.

Të nderuar lexues, bëj be për kokë të 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës se vërtet nuk ju gënjeva me këtë shkrim. Qofshi të nderuar për mot e zaman. Në doni, uroni 100-vjetorin e Shqipërisë Londineze (1913-2013).

Filed Under: Opinion Tagged With: dy deklarata, Fadil Lushi

NJË POST FESTUM?

December 3, 2012 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

Duke e shkarravitur këtë shkrim, në mbrëmje, më mori motra në telefon, ajo heroina fatkeqe e gjeneratës së saj, ajo që u çatdhesua për t’u degdisur në Dardanele, gjegjësisht në pjesën e Trakisë turke. Biseda ishte përplot nota nostalgjike e emocionale. Qortimet e saj, ishin me vend…, sepse ka kohë që nuk jam dukur atypari, në Stamboll. Ajo, pos të tjerash, si me një urdhëresë më tha: ti im vëllaçko, më dëgjo me vëmendje, shko e gjeje atë gocën e bukur, atë çapkënen e mëhallës sime, ajo që ndoshta vazhdon të quhet me emrin Shqipe, atë lazdraken që besoj se, hallet dhe vuajtjet e saj nuk e kanë plakur. Dhe, në do e takosh, të lus puthe në ballë…, sepse ka shumë kohë që nuk e kam parë, që s’ia kam dëgjuar zërin, që nuk ia kam nuhatur erën… U solla poshtë e lart, në kërkim të “Shqipes” dhe, për fat, e “gjeta” diku në një cep të mëhallës së vjetër të kasabasë sonë. Nuk e kisha ditur se jetonte vetëm. Nuk ishte, as çapkëne e as lazdrake, ndërkaq prej bukurisë së saj, s’kishte mbetur dot gjë! Pas ca ditësh, iu paraqita motrës duke e pyetur: ti, moj motër, pa më thuaj se për cilën “Shqipe”e kishe fjalën. Ma ktheu, si me inat, se nëna jonë, Nazë, dikur kishte plot të drejtë kur më thoshte se këtë djalë e kemi paksa “mendjetrashë”(!?)… Andaj këtij “sugari të nënës”, gjatë rrugëtimit, do t’i duhet një përcjellës…, por njashtu edhe gjatë meditimit gjithsesi i duhet një njeri me mendje femër. Eh, le t’i lutet Zotit, se e kam motër dhe është njëmijë e një herë më e mençur se unë, se do t’ia ktheja atë “hazërxhevap”: Po pse nuk më the që në fillim se e ke mendjen te flamuri i Ismail Qemal Bej Vlorës e jo tek ajo “Shqipja” që, kur unë ashtu fshehurazi dua t’i përcjell një “gjysmë përshëndetje”, ma mban kokën dhe shikimin mënjanë e me inat!? Pikërisht kjo telefonatë ma ndryshoi kryekëput subjektin e shkrimit në fjalë e në vijim.

Ç’është e vërteta, subjekti i kësaj shkarravinës do të jetë historia e flamurit si dhe manifestimet e fundit që u organizuan gjithandej trevave shqiptare dhe që iu dedikuan 104-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, po, në do të kem të drejtë, do të them edhe 99-vjetorit të Shqipërisë londineze. Sot ia vlen ta shkruajmë këtë vështrim gazete, kur më nuk na udhëheqin emocionet, patetizmat dhe kur uji ka rënë në vend të vet. Nuk do të gabojmë nëse do të themi se në këtë 100-vjetor, shqiptarët “pollën” gjithfarë datash të “paqena, gjithfarë figurash patriotike nga mëhallët provinciale”.

Se këto manifestime ishin thjeshtë një “hallakamë”, këtë më së miri i filozofoi, Edmond Tupja (autori i fjalorit erotik shqip), i cili në një shkrim të tij të fundit, pos të tjerash, thotë: “A do t’ia arrijmë asaj dite kur të vizitojmë më në fund panairin e pavarësisë pa u trembur se mos (larg qoftë!) i vetmi panair festiv që do të na mbetet të vizitojmë do të jetë ai i kotësisë”!? Unë, do të vazhdoj të them e të pyes se: a mos vallë këto manifestime, kështu siç u organizuan, nuk “prodhuan” një mal euforish e patetizmash…, a mos vallë nuk “ndërtuam një zabel” ngazëllimesh të pakontrolluara, jo natyrale dhe jo karakteristike për një komb të vjetër…, a mos vallë ky 100-vjetor të gjithë shqiptarëve u dha mundësi të eksponohen pavarësisht se dikur ishin kolaboracionistë, pavarësisht se ishin fukarenj, pasanikë, katundarë, shehërlinj, sherxhinjë e tjerë…, a mos vallë, këtë 100-vjetor e ngarkuam me folkpatriotizëm të skajshëm dhe me kiç (shund)…, a mos vallë nga këto manifestime, me a pa hiri, përjashtuam atdhetarët, gjegjësisht, njerëzit të cilët kishin kryer misionin e tyre patriotik.

Disa prej këtyre manifestimeve iu kushtuan edhe vetvetes, por ama me lekët e popullit, ca u bënë sa për të treguar se edhe ata ishin pjesë e këtij shekulli që na iku…, ca të tjerë i bënë sepse e kishin detyrim moral, ca pse e kishin “detyrim të rremë patriotik” e tjerë.

Të nderuar lexues, më lejoni të shpjegohem edhe pak (me kusht të mos ju bezdis). A mos vallë, manifestimet (të ndara), karshi 100-vjetorit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, (sa herë dhe sa më shumë i referohem historisë së Flamurit të Ismail Qemal Bej Vlorës, aq më shumë ndihem i vockël) (nuk) ishin, toptan manifestime që padyshim (edhe kësaj radhe)…, “shprehën atë fytyrën e absurdit” të shqiptarëve të përçarë, gjithandej Kosovës, Maqedonisë, Republikës politike të Shqipërisë, Luginës së Preshevës dhe Malit të Zi…, të atyre shqiptarëve, me inteligjencë qytetare, oksidentale, orientale e rurale…, a mos vallë, edhe në këtë 100-vjetor, gjithfarë “protagonistë patriotë shqiptarë” mëtuan ta (ri) shpalosin e ta (ri) ngritin flamurin kombëtar, vend e pa vend, në rrugë, në stadiume, në sheshe qytetesh, në tezga pazaresh, në ura autostradash e jo ku tjetër, dhe kështu duke u mundësuar “personave të panjohur” ta djegin atë. Lëre që nuk i dolën zot flamurit, por edhe as që i vunë vetes (pa) përgjegjësinë foshnjarake e qesharake!

A mos vallë, njerëzit që ishin trashëgimtarë të rrugëtimit të flamurit të Ismail Qemal Bej Vlorës, nuk i privuam nga e drejta e tyre (Rexhep Qosja, e shumë të tjerë) për të qenë të pranishëm në manifestimin qendror në Sheshin Skenderbej!??.., a mos vallë, kështu siç e festuam NDARAS këtë 100-vjetor (që ditë më parë na “iku ashtu kokulur”), meritoi një “kostumografi dhe skenografi politike tejet të ngarkuar”…, a mos vallë, skenës së Sheshit Skenderbej në Tiranë, i munguan akademikët dhe studiuesit e mirëfilltë të historisë së Flamurit dhe shtetit të plakut vlonjat…, a mos vallë nuk kishte një vend, së paku për Kristo Frashërin, në jo për diçka tjetër, atëherë së paku për moshën e tij…, në jo për diçka tjetër, atëherë së paku për pendën e tij. Ndoshta, profesori i nderuar Frashëri, nuk deshi të duket atypari, ndoshta ishte i frikësuar se Historinë do t’ia përflisnin e do t’ia lexonin bythaprapthi, njashtu siç nuk u duk atypari edhe i madhi ynë, Ismail Kadare!??

Ti, i nderuar lexues, “vërtet beson” se vallë, në Sheshin Skenderbej, nuk u gjet një cep për njerëz, të cilët një pjesë të kësaj historie e shkruan me gjakun e bijve dhe bijave të tyre…, a mos vallë, këtij manifestimi, i nevojitej një gjuhë popullore dhe një filozofi krejt tjetër, pse vallë i duhej e gjithë kjo arrogancë, ky egoizëm, ky duf patologjik, që i duhej e gjithë kjo paradë nihilizmi, bajraktarizmi…, gjithë ky folklor i stërngarkuar a kjo çmirësi e NDASI, qoftë ajo të ishte gjeografike, politike, urbane, rurale e të tjera ndasish! A mos vallë, edhe pas 100 vjet mëvetësie të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlorës, shqiptarët anembanë trevave të tyre autoktone, nuk e mësuan leksionin që llafos urtësinë e rilindësve shqiptarë si dhe atë leksionin që shpjegon bashkimin e mendimit politik ndërshqiptar…, një bashkim që s’ka hiç takat të lëvizë nga udhëkryqi!??…, apo  në do të vrasësh flamurin, gjunjëzoja memorien a mbamendjen.

Kështu, siç shqiptarët i organizuan dhe i festuan këto data të shenjta (ndaras), atyre u mbetej vetëm ta “NGRITNIN E TA SHPALOSNIN FLAMURIN KOMBËTAR NË GJYSMËSHTIZË”, siç do të thotë, Mesila Doda, në një shkrim të saj të paradokohshëm.

At Gjergj Fishta, dikur tha: FLAMURI KOMBËTAR S’KA ÇKA LYP NDËR NE, PO QE SE DASHNI S’KEMI PËR ATDHE”!.., dhe për njëri-tjetrin.

E shtrenjta ime Motër, të fala nga vatani dhe urime Ditëlindja e Shqipes sate.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, pasfesta

“PËR KAUZËN KOMBËTARE, VEÇ M’BANI ZA, SE UNË JAM GATI“

November 15, 2012 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

 Dikur moti një hokatar mendjendritur mirditas, pos tjerash, kishte thënë: “Eh, mor vëllaçko, për të bërë “pordhë” në një ndejë a në një mexhlis, nuk mjafton vetëm të kesh prapanicë, por duhet të kesh edhe këllqe dhe guxim për ta “arsyetuar atë budallaki që e ke bërë”! Në vitet 60, kur unë dhe disa shokë të tjerë të klasës vijonim leksionet në vitin e tretë, kishim shumë “telashe” me një nxënës që quhej Pëllumb B., i cili sot e kësaj dite, njihet me nofkën “kandarxhiu”. (Ai (nuk) kishte po edhe sot, nuk ka hiç gjë të përbashkët me “tyxharët dhe tregtarët toptanxhinj”, që kur afrohet koha e mbylljes së pazarit, blejnë për pak para mallrat që kanë mbetur pa myshterinj). Ai shpesh, me rast e pa rast, me “kandarin e tij mental” mëtonte të maste heshtjen e akëcilit që qëndronte pranë tij, ose maste edhe të (pa) vërtetat, arrogancat, dëshpërimet, dufet patologjike të shqiptarëve dhe gabimet e përbashkëta të tyre, si dhe lavdet e njerëzve që sot nuk përmenden hiç fare. Nuk harronte të vinte në kandar çdo fjalë të shkruar e të pashkruar, çdo mendim qoftë të ishte i qartë, i gabuar a edhe i paragjykuar…, e vinte në kandar edhe historinë e ndasive shqiptare. Pasi i evidentonte faktet a provat e grumbulluara, ashtu me përpikmëri i redaktonte dhe i bashkëngjiste në “rabushin e tij”, sa për të mos i harruar. Në “kryeminderin e rabushit”, që moti i kishte vënë edhe nja tri, katër fjali, fjali këto për ne të mirënjohura, siç janë: “O sa mirë me qenë shqiptar…, Bac u kry! Rroftë Shqipëria e Madhe, pa ujë e pa rrymë ”e të tjera “thashetheme”!

          Ç’është e vërteta, i nderuar lexues, ky “kandarxhiu” edhe pas pesë dekadash, as që e ka ndërmend të mbyllë gojë e veshë. Një ditë më takoi në “udhëkryqin e tij” dhe ashtu me “dhunë ma preu rrugën”. Më sugjeroi që me vëmendje të duhur t’ia dëgjoj shpjegi-

min e tij lidhur me një mesele a një vaki. Më tha: …, eh, sa të lezetshëm jemi ne, shqiptarët, sidomos kur debatojmë (në vetën e parë), për atë prirjen tonë të brendshme për të pasur diçka që nuk e meritojmë…, për ato çrregullimet tona mentale, për narcizmin tonë politik, për udhëkryqet e historisë shqiptare…, për ca çështje tonat madhore të pazgjidhura, për çështje të paragjykuara, për çështje që na zvarriten ditë për ditë e njëra pas tjetrës, si ato gjarpërinjtë e varrezave të humbura…, për do çështje kombëtare, në veçanti për do festa të saj, të cilat i kremtojmë kuturu, gjegjësisht pa e ditur se në ç’kohë dhe në ç’vend duhet të ndodhin. Më duhej t’ia përgjysmoj fjalën, sepse e zgjati a e trashi tmerrësisht hyrjen e “muhabetit”. (mbase ngjashëm siç e stërzgjas edhe unë këtë paragraf gazete).

      Nejse, t’i biem shkurt këtij “muhabeti”! Ia parashtrova pyetjet: kush të futi në siklet, kush ishte ai qaraman e qerrata që ta përpiu, ta drodhi dhe ta bëri fjalën dysh dhe veresi!? Ma dha këtë përgjigje: “Para disa ditësh, ca biznesmenëve shqiptarë u parashtrova një kërkesë për  ndihmë materiale. Me këto lekë, kisha ndërmend që të shpirtëzoj një ide timen të kahershme…, gjegjësisht sa i përket gjallërimit të një date të shqiptarisë. (nuk e kuptova dot, se për cilën “shqiptari” e kishte fjalën, për të djeshmen apo për “shqiptarinë” e sotme). Çuditërisht, në kohë të caktuar disa prej “punëdhënësve”, më dhanë përgjigje nga më të ndryshmet. Njëri prej tyre, “hazërxhevapin” e kishte të paqartë, tjetri e kishte në xhepin e xhupit të qëndisur “alla katundarçe”, tjetri përgjigjen e bëri tërkuzë, tek ai që nuk besoja se nuk do na jepte hiç gjë, na dha më shumë lekë, se ç’na duhej, njëri na dha përgjigjen: nuk japim lëmoshë (nuk kërkoja lëmoshë), një tjetër më tha: kërkesa juaj nuk kaloi në komisionin ekonomik të ndërmarrjes që ju drejtuat…, një tjetër na tha se kërkesa juaj nuk u mor në konsideratë, e të tjera përgjigje (jo) meritore!

       Pëllumb “kandarxhiut” më duhej t’i them se është e drejta e çdonjërit të të ndihmojë apo mos të të ndihmojë. Ato lekë janë pjellë e djersës së tyre dhe, rrjedhimisht, akëcili prej nesh kur shtrin dorën për mbështetje materiale, parimisht nuk ka të drejtë të hidhërohet. Pëllumb “kandarxhiut” i thashë se assesi nuk ka të drejtë të zemërohet  me “zemërngushtësinë mikroborgjeze” të ca biznesmenëve, përkundrazi, mund ta shqetësojë vetëm cinizmi i tyre. Me këtë “gjysmë sentencë” timen, sikur u pajtua bashkëbiseduesi, por nuk ra dakord me pyetjen që ia kishte parashtruar “një taze biznesmen” (me kombësi shqiptare), e cila përafërsisht tingëllonte: “…, po më thuaj ti, gjynahqar e lëmoshëtar, vallë a nuk kanë të sosur këto festat “E TUA” kombëtare, ç’janë këta 100-vjetorë, ç’janë këta flamuj e këta Ismail Qemala, e të tjera festa e festivale folklorike, konferenca, kongrese (“manastiresh”) akademi shkencore, mbrëmje përkujtimore, manifestime politike e artistike…, ç’janë këto Shtatë a Tetë Mars, ç’janë këta Kurban Bajrama, ç’janë këto donacione a ndihma humanitare, ç’janë këta përvjetorë dedikuar Skënderbeut, a edhe asaj Nëne të përbotshme, ç’janë këta përvjetorë kushtuar dëshmorëve të 2001-it e të tjera broçkulla!??? ” E gjithë kjo, te Pëllumbi, kishte krijuar përshtypjen kinse ky “biznesmen” dorërrudhur, (paraprakisht) i paskësh mbështetur (materialisht) të gjitha këto manifestime, kinse ky farë burri paskësh “b…ë për t’i bërë pordhë”. Historisë së Ismail Qemal Bej Vlorës dhe 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të tij. Nuk “doja t’i besoja” shokut të klasës, për meselenë që ma shpjegoi, andaj edhe nuk i thashë: qofsh i gabuar, për këto shpjegimet e tua. Unë, shpreh bindjen se ky biznesmen, ka të ndërtuar një dallim të madh material ndërmjet njerëzve dhe një diferencë të tillë morale.

       Që “…, mos t’i hyjmë në hak këtij biçim qyqari që zemrën e ka të ngarkuar me një furgon urrejtjesh” dhe i cili me kësi “mut pyetjesh” dhe me kësi marrëzirash të zakonshme vetëm për të…, do t’ia shtojmë atë thënien e Fan Stilijan Nolit: “Bishti i qenit, bisht qeni mbetet. Nuk ka shkencë që e ndreq. Madje as varr”!…, apo edhe ajo mesele për punën e gomarit: “Hall ta lësh pa ujë se e ngordh, hall t’i japësh shumë se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë se e…,”! Pëllumb “kandarxhiu” aq shumë qe i dalldisur me meselenë a vakinë, me të cilën ishte ballafaquar, më propozoi që këtë “muhabet” ta vazhdojmë në “mejhanen” e tij të preferuar, diku te mëhalla e “tabakëve”, aty ku tubohen “hallallët”, të cilët i “kanë dalë shtëpisë nga pas”, siç do të thotë, gjyshi, Ilir kosovari. Ai priste edhe përgjigje të tjera nga unë, por nuk ia dhashë, nga “frika” se mos vallë po ia ngarkoj edhe më shumë shqetësimin dhe, në fund, të mos ia “shtrembëroj” krejt ato llafe që m’i “plasi në fytyrë”!?  

      Që nuk më gënjeu, jam i ndërgjegjshëm këmbë e krye, që nuk ma trullosi rradaken, edhe këtë e di, që nuk më bezdisi, edhe këtë e di…, por ama se ku e gjeta durimin ta dëgjoj, veç shpirti im e di. Një gjë nuk e kuptova Pëllumb “kandarxhiun”, pse i kishte ardhur majë hunde “tahmahqarllëku” i njerëzve, që hiç nuk u ha palla për “romantiz-

min, utopinë dhe folk-patriotizmin ” e tij dhe shqiptarëve të tjerë të tillë si ai. Ikëm nga “mejhaneja” duke mos i vënë kapak bisedës, njashtu siç shqiptarët edhe në vigjilje të 100-vjetorit nuk do t’i zgjidhin do çështje të rëndësishme. Fatura na ngeli pa paguar, sepse kamerieri ishte bërë “dërrasë”, dhe ne, “pakëz tapë”!

 P.S. Urime 100 vjet mëvetësi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Kauza Kombetare, opinion

100 VJET INATE HOMERIKE

November 9, 2012 by dgreca

Nga Fadil Lushi/

I nderuar lexues, në eterin tonë politik, flitet, përflitet a lakohet një aforizëm që përafërsisht tingëllon kështu: “Inati i burrave dhe grave (shqiptare) është më i fortë se inati i urisë”! Vërtetësinë e këtij aforizmi do mëtoj ta gjej (nëse do ta gjej) në historinë e njëqindvjetorit të shtetit të cunguar shqiptar, e cila histori filloi të ndërtohet me inate. Kjo  do të karakterizohet me një sërë lëvdatash, harresash, shtrembërimesh, nihilizmash, bajraktarizmash, folklorizmash… Të gjitha këto së bashku të stisura nga akëcili kalorës i vonuar i kauzës shqiptare, nga akëcili politikan që shumë pak i dha Shqipërisë dhe më shumë mori (vodhi) nga ajo. Ndaj, jo rastësisht, kjo histori do të ngarkohet me një thes inatesh histerike dhe homerike. Nuk mund të thuash se “shpikësit e këtyre anakronizmave” ishin vërtet inatçinj homerikë, aq sa ishin shtirës a njerëz që kishin lindur në kohë dhe vend të gabuar. Kjo histori do të karakterizohet edhe me një sërë idealistësh, nacionalistësh, të cilët këmbëngulnin t’i shkonin pas virtytit duke dashur “të gatuajnë” një politikë tjetërfare…, si dhe me një varg neronësh…, me njerëz të fodullosur, kokëkrisur, kokëbosh, a edhe “biçim njerëz të minderit”, të cilët edhe sot do të mbajnë inat me të kaluarën. Në ndërtimin e kësaj historie 100-vjeçare, s’do mend se do kenë hise edhe gjithfarë akademikësh…, gjithfarë kronistësh, të cilët fatkeqësisht, lëre që nuk dhanë kontributin e tyre, po përkundrazi kësaj historie i ngjitën një mal të pavërtetash, i ngjitën shumëçka që “ndoshta” edhe nuk e meritonte. Disa këtë e bënë me urdhër të mbretit Ahmet Zogolli, ca të tjerë me diktat të diktatorit Enver Hoxha dhe, së fundi, nga politikanët e moderuar, të cilët, lëre që nuk e humanizuan a emancipuan këtë histori të lavdëruar, po përkundrazi duke shtrembëruar turinjtë e tyre, disa pjesë të kësaj historie i përudhën krejt tjetërfare dhe gjithsesi në drejtim të gabuar. “Ndofta” ata nuk kishin “takat” t’i kundërshtonin urdhrat e “Neronit shqiptar”! Ata që ishin të “padëgjueshëm”, o do përfundonin në kazamatet famëkeqe të Shqipërisë, në Burrel, Spaç e gjetiu, ose do t’u vihej litari në qafë, o do “iknin nga kjo dynja” me plumbin në kokë. Në përgjithësi, këta (hiq mënjanë idealistët dhe historianët pa taraf) në vend se ta frenonin fanatizmin e çmendur dhe të hanin bukën e tyre, hëngrën kokat e ndritura shqiptare, pa dallim në ishin ateistë të bindur, fetarë, shehërlinj, katundarë, toskë ose gegë. Nëse shqiptarët mendjendritur i dhanë kësaj Shqipërie frymën e kohës dhe atë kombëtare, ca të ashtuquajtur “historianë tarafxhinj e të imagjinuar”, me shëndet të brishtë mental si dhe do kalorës të vonuar të politikës ditore…, do të shkojnë deri aty sa që padrejtësisht të ndërtojnë lloj-lloj shpifjesh. Një e tillë shpifje (për inat) do t’i “faturohet” edhe Ismail Qemal bej Vlorës, kinse ai “…, paskësh lidhur krushqi me Perandorinë Osmane, në këmbim të një autonomie (turke) të cunguar, mandej do t’ia hedhin fajin (prapë për inat) se pse ky nuk paskësh marrë pjesë në punimet e Lidhjes së Prizrenit dhe të Kongresit të Manastirit!”…, e shumë sajime të tjera të ulëta. Çuditërisht, këto shpifje a trillime sot po”gëlltiten” nga injorantët si dhe nga ana e gjithfarë kontrabandistësh të historisë sonë kombëtare.

I nderuar lexues, se vështrimet e paraqitura në paragrafët e lartpërmendur janë të vërteta a jo, nuk ka nevojë për të shpjeguar etimologjinë e tyre, sepse ato flasin vetë. Sot, në vigjilje të 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të Ismail Qemal Bej Vlores, neve na duhet ta diskutojmë kalendarin historik shqiptar, të cilin (prapë në emër të inatit) aq shumë  e kemi abuzuar, saqë nuk i gjendet fija, thjesht na është bërë si lesh arapi. Në do bësh përpjekje që ta zgjidhësh këtë pështjellim a këtë “nyjë gordiane”, nuk mjafton të kesh vetëm mendje femre, këllqe dhe…, por duhet të kesh guximin që t’i “sikterisësh” të gjithë ata, që nuk e njohin aq sa duhet këtë kalendar tonin kombëtar.

Parashtrohet pyetja se kush, në këtë vigjilje të 100-vjetorit, do të “pushtojë kalanë” e organizimit të manifestimit qendror (mbarë!?)kombëtar, që sot e gjithë ditën nuk dihet se a do të “mbahet në Tiranën e Partisë Demokratike a në Vlorën e Partisë Socialiste”!??…, nuk dihet se ky 100-vjetor a do të kremtohet më 28 nëntor në Tiranë, gjegjësisht në kryeqendrën administrative të shqiptarëve, apo në Vlorë më 27 nëntor, gjegjësisht në kalanë e historisë së Ismail Qemali Bej Vlorës…, apo edhe kush do të jetë ai “bir nëne që do ta uzurpojë të drejtën që t’i bëjë dinjitet flamurit kombëtar”!? Do t’i bëjnë të “kuqtë apo të kaltrit”, do t’i bëjnë politikanët aktualë, të cilët në vijimësi mëtojnë që me makiavelizmin e tyre të dominojnë mbi vullnetin e të tjerëve, apo ata që kundërsh-

tojnë regjimin e pushtetit aktual dhe filozofinë e politikëbërjes së tyre. Të parët do të gjejnë njëmijë e një arsye, karshi vazhdimësisë së sundimit të “demokracisë foshnjarake” dhe të zbehtë, ndërkaq sehirxhinjtë, hazërxhinjtë dhe sejmenët do të presin që një ditë ta zaptojnë kryeminderin e pushtetit.

Nëse kjo datë e shenjtë (jo e saktë!??) nuk do të përfillet dhe nuk do nderohet, atëherë kësaj i mbetet të qëndrojë në hava. Do të parashtrojmë pyetjen se kujt do t’i “takojë” e drejta ta shenjtërojë këtë datë a këtë ditë. Vallë do ta organizojë pushteti aktual, opozita shqiptare, apo politikanët (në hije) që ëndërrojnë autoritarizmin gjegjësisht pushtetin absolut…, a edhe ata politikanë të moderuar shqiptarë, që ende nuk e kanë kaluar moshën adoleshente. Nëse të gjithë politikanët e Shqipërisë politike nuk bien dakord me ditëlindjen dhe vendndodhjen e Flamurit, atëherë do të detyrohen “t’i bien dajres së evgjitit (çdo respekt për të) apo…, “ fyellit në një vrimë”, siç do të thotë një analist nga Shqipëria. Pse kjo çështje duhet të ngelë e pazgjidhur sot e mot, këtu në Shqipëri e gjetiu në hapësirat e Shqipërisë politike dhe asaj londineze!??? Pse kjo çështje nuk zgjidhet në qarqet akademike dhe në ato historike, por duheshka të “redaktohet, (ri) defininohet, rishkruhet dhe recensohet” në hapësirat e shtabeve partiake, diku në bllokun e Tiranës!?… Pse kjo datë e shenjtë na duheshka të përflitet e lakohet sipas qejfit të akëcilit shqiptar, qoftë ai të jetë politikan, diplomat, kronist, ose edhe të jetë kalorës i vonuar i çështjes kombëtare…, në veçanti nga ata të cilët kur nuk kanë për të bërë punë më të mençur, ashtu thjeshtë do të anashkalojnë edhe ato pak vlera historike, që i kanë mbetur njëqindvjetorit të shtetit të Ismail Qemal bej Vlorës. Nëse ne do të vazhdojmë të “frymojmë” me kësisoj inatesh histerike, po edhe homerike, atëherë një ditë do të “çmendemi vetvetiu dhe njëkohësisht do ta çmendim” gjithë atë histori, sa të lavdishme po aq edhe të ngatërruar keqas.

Sot, të “çirresh e të bësh shaka” me kryeministrin, kryeparlamentarin a edhe me presidentin e shtetit, besoj nuk “bëhet kiameti”, por ama të tallesh me këto data të shenjta madje edhe me flamurin e Vlorës dhe me vlonjatin mendjendritur, është përtej çdo idiotësie…, nuk mund të tallesh as me “historiografinë tonë qoftë të jetë i vonshme, e ideologjizuar, e sakatosur, po dhe e folklorizuar”! Askush nuk ka të drejtë ta pronësojë këtë manifestim, po qoftë të jetë edhe “pasuri e patundshme e gjyshërve të tyre me opinga”!?

Tekefundit, nëse këto data (tona) të shtrembëruara nuk do të përcaktohen saktë, sidomos tani në vigjilje të 100-vjetorit, akëcili prej nesh të mos shpresojë e ëndërrojë se ashtu “kollaj’ do të zdirgjet tatëpjetës së Qafë Thanës ose edhe të Morinës për të marrë atë udhën e Evropës e të Brukselit…, me një kusht “të mos i plasë goma furgonit të politikanëve tanë me inate homerike”!?

“… Kur Madona kishte shkuar në Moskë për të dhënë koncert, një zyrtar (fetar) rus i qe drejtuar me një kërkesë: … ose hiq kryqin ose vish brekët!” Mos vallë, ky zyrtari moskovit kishte kërkuar etikën e munguar të këngëtares me shtetësi amerikane. Unë, sinqerisht nuk e di. Unë mund të them se gjithsecili nga ne, o do të bëjë punën për çka është i ngarkuar e i paguar, o do të duhet ta braktisë atë…, o do duhet të mbyllë gojë. Ndryshe nuk bën.

Është një shprehje ballkanase ku, pos të tjerash, thuhet: “Njeriun prite (gostite) sipas veshjes dhe përcille sipas mendjes!”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjet, Fadil Lushi, inate homerike, inate shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT