Nga Akri Çipa/
Kur i referohen angazhimit të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, mjaft zyrtarë dhe analistë kanë tendencën të thonë se Ballkani iku nga harta gjatë administratës së Presidentit Obama dhe vazhdon akoma të mos figurojë . Teksa ky pohim mbart në vetvete një të vërtetë në lidhje me një zbehje të politikës amerikane në rajon në lidhje me disa çështje të caktuara dhe problematika të tejzgjatura të hasura nga vendet e rajonit, nuk mund të mohohet se ka një kontinuitet në interesat e shfaqura amerikane dhe në angazhimin e patjetërsuar deri më sot të instituticioneve të politikës së jashtme amerikane për stabilitetin dhe balancën gjeopolitike në gadishull.
Gjatë administratës së tanishme, në rajone të caktuara të botës politika amerikane ka implementuar një sërë ndryshimesh substanciale bazuar në objektivat e deklaruar nga Presidenti Trump në fushatën presidenciale dhe më tej. Rishikime të politikave për rajone specifike kanë qënë të dukshme në Lindjen e Mesme, ku administrata e re ka ndjekur një strategji kryekëput të ndryshme në krahasim me ato të administratave të mëparshme dhe ka insistuar për të ndryshuar statuskuonë në lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. Në të njëjtën mënyrë, SHBA ka transformuar marrëdhëniet me vendet arabe dhe ka ashpërsuar qëndrimin ndaj Iranit.
Është e pamohueshme se, përtej ndryshimeve të qasjeve ndaj disa rajoneve, SHBA ka bërë edhe tërheqje nga rajone të caktuara të cilat nuk paraqesin interes të drejtpërdrejtë për SHBA. Përgjithësisht, tendenca është që Ballkani të kategorizohet në këtë grup. Por kjo nuk është aspak e vërtetë. Angazhimi amerikan në Ballkan ka qënë në zbehje gjatë administratës së kaluar, veçanërisht në mandatin e dytë të Presidentit Obama, por që kurrsesi nuk ishte një tërheqje.
Kjo vazhdon të jetë e vërtetë edhe për administratën aktuale. Pavarësisht se ditët e interesit të drejtpërdrejtë amerikan në Ballkan janë të largëta, kontinuiteti në politikat e sigurisë, angazhimi për stabilitetin e rajonit, kundërvënia ndaj influencës ruse dhe surrogatëve të asaj influence, si dhe mbështetja për aleatët strategjikë janë elemente thelbësore dhe të pamohueshme që reflektojnë pulsin e prezencës amerikane në gadishullin ballkanik..
Kjo u vërtetua plotësisht në vizitën e javës së kaluar të Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Wess Mitchell. Në një tur që përfshiu vizita në Prishtinë, Shkup, Beograd, Athinë dhe në Nikosia, Ndihmës Sekretari Mitchell ritheksoi qëndrimin e pandryshuar dhe koherent të Shteteve të Bashkuara për rajonin dhe ndaj vendeve të rajonit.
Administrata e Presidentit serb Vuçiç ka kohë që tashmë po përpiqet të rregullojë marrëdhënien me SHBA. Zgjedhja e Presidentit Trump ka përkuar me një intensifikim të përpjekjeve serbe në këtë drejtim. Në këtë kontekst duhet parë dhe deklarata e shtatorit e Presidentit Vuçiç pas takimit me Presidentin Trump në New York në vazhdën e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, kur presidenti serb konfirmoi pranimin e ftesës së presidentit amerikan për të vizituar Serbinë.
Por, vizita e Ndihmës Sekretarit Mitchell dhe deklarata e tij pas takimit me Vuçiç se SHBA jo vetëm që mbetet mbështetës i Kosovës, por mbështet fuqimisht dhe formimin e ushtrisë së Kosovës, e kundërshtuar me forcë nga Serbia dhe administrata Vuçiç, është një dëshmi e pakundërshtueshme se vizioni amerikan për rajonin nuk ka ndryshuar dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ndryshojë.
Politika amerikane në Ballkan mbetet një gur-themel stabiliteti. Përpara pak muajsh, Council on Foreign Relations, një nga qendrat kryesore amerikane për analizimin e zhvillimeve ndërkombëtare dhe që vazhdimisht këshillon dhe bën rekomandime për instituticionet zyrtare të politikës së jashtme amerikane, paraqiti raportin e përvitshëm për rajonet e rrezikuar për të degraduar në dhunë dhe në konflikte të armatosura për vitin 2018. Raporti i ndante rreziqet në tre kategori, në varësi të intensitetit dhe mundësisë për t’u materializuar. Teksa në nivelin e parë shfaqeshin rreziqe të tilla si sulmet terroriste, Korea e Veriut, Irani, etj., ajo çfarë binte në sy ishte fakti se në nivelin e tretë listohej edhe Ballkani. Raporti vlerësonte si shqetësuese tensionet e mundshme ndërmjet disa vendeve të rajonit.
Rreziqe të tilla për Ballkanin janë pak të ekzagjeruara, për shkak se banorët e shteteve ballkanike janë tashmë të lodhur nga konfliktet dhe të shqetësuar nga ekonomia dhe perspektiva për të ardhmen. Por, ajo cka është e rëndësishme ka lidhje me idenë se në Washington, qoftë në politikën zyrtare të SHBA dhe qoftë në punën e institucioneve joqeveritare, ka një interes dhe vëmendje të veçantë për Ballkanin. Interesi amerikan është që Ballkani të mos bëhet pre e destabilitetit dhe gjasat janë që angazhimi në rajon do vazhdojë të jetë i pandryshuar për ta garantuar atë.
Problemi i vetëm me qasjen e politikës amerikane është se e ka deleguar plotësisht misionin dhe përgjegjësinë për demokratizimin dhe forcimin e instituticioneve në vendet e rajonit te Bashkimi Europian. Deri më tani, BE-ja është treguar tejet dritëshkurtër në këtë drejtim dhe madje e paaftë për të shtyrë proceset e demokratizimit dhe të forcimit të institucioneve të pavarura. Është pikërisht kjo paaftësi që ka forcuar pozitat e Vuçiç dhe politikanëve të tjerë autoritarë dhe të korruptuar sivëllezër të tij në vende të caktuara ballkanike. Nëse do ishte për BE-në, më shumë mundësi sot në Maqedoni Gruevski dhe rrjeti i tij i korruptuar do ishte akoma në pushtet dhe duke i fryrë nacionalizmit arkaik. Ishte padyshim ndërhyrja amerikane nëpërmjet Brian Hoyt Yee që solli zgjidhjen e krizës politike që kaploi Maqedoninë pasi Gruevski dhe shërbëtori i tij politik, Presidenti Ivanov, refuzonin të lejonin formimin e qeverisë së re.
Mike Pompeo pritet të konfirmohet së shpejti nga kongresi amerikan për të zëvendësuar Rex Tillerson në postin e Sekretarit të Shtetit. Pavarësisht ndryshimit në krye të Departamentit të Shtetit, të gjitha gjasat janë që politika amerikane në raport me Ballkanin të ketë kontinuitetin që nuk e patën mjaft rajone të tjera të botës me ardhjen e administratës së re. Kjo është me rëndësi të veçantë për faktorin shqiptar në Ballkan pasi ka një përforcim të dukshëm të pozitave në rajon. Ligji i gjuhës shqipe që kaloi në Maqedoni pak ditë më parë është një shenjë e drejtpërdrejtë se kemi një momentum të rëndësishëm që vjen prej vazhdimësisë së politikës amerikane. Mbështetja që Ndihmës Sekretari Mitchell shprehu për Kosovën dhe krijimin e ushtrisë së saj është një tjetër indikacion domethënës.
Forcimi i institucioneve demokratike në vendet ballkanike do vazhdojë me shumë gjasa të jetë një proces i ngadaltë, sa për shkak të pengesave të krijuara nga elitat e korruptuara të Ballkanit, aq edhe për shkak të paaftësisë së Bashkimit Europian për ta ngritur diskursin politik në këto vende. Dhe kjo është padyshim e vërtetë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën. Por, nga ana gjeopolitike, stabiliteti i Ballkanit vazhdon të jetë drejtpërdrejtë investim i SHBA. Kontinuiteti i politikës amerikane është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe Kosovën dhe politika e jashtme e dy shteteve shqiptare në Ballkan (pa harruar edhe faktorin politik shqiptar në Maqedoni) duhet të vazhdojë të ketë si synim kryesor intensifikimin e bashkëpunimit me institucionet amerikane. Dhe duhet të vazhdojnë pashmangshmërisht të lobojnë për një përfshirje sa më të madhe të SHBA në rajon, si siguria më e madhe për stabilitetin e rajonit dhe forcimin e pozitave të faktorit shqiptar në një kohë ndryshimesh të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.