Tregim nga Faruk Myrtaj/
Shefat e mëdhenj thuajse s’e dinin. I njihnin vetëm duart, parakrahët, shputën dhe gishtrinjtë e dorës, kur ai zgjaste dosjet e arkivës nëpërmjet sportelit. Përpikmëria e lëvizjeve, korrektesa dhe saktësia e dokumentave që përcillte, ishin arësyet që miratuan menjëherë sugjerimin për kalimin e tij në një zyrë të posaçme që do të merrej me vënien e vulës në shkresat e Shtetit.Shumë njerëz humbasin orë e ditë të tëra për të provuar vërtetësinë e dokumentave, u kishte thënë një ditë shefave të vjetër.
Ata e dëgjuan, ishte e para herë që ai fliste në sy të tyre. Tavolina e punës së tij, thuajse nuk binte në sy, e vendosur në aneksin jo aq të ndriçuar dhe pa dritare.
Tjetërkund vendoset por, me një vulë të miratuar dhe të hedhur nga kjo zyrë, shkresat do të bëhen të paraqitshme dhe serioze. Dhënia e vulës është formalitet, por ajo çfarë do të garantoj kjo zyrë është vërtetesia e dokumentit nëpërmjet vulës. E vetmja shtesë që lipset është hapja e një sporteli në murin e jashtëm të aneksit.
Zyra, megjithatë, për ditë të tëra pas hapjes së sportelit, vazhdoi të ish po ai aneks i zakonshëm. Kur s’kishte njerëz që vinin për të vulosur shkresat e tyre, sporteli shërbente thjesht si dritare. Natyrisht që u bë më tërheqës, kur e veshën me dru arre të lëmuar dhe më serioz, kur nga jashtë, përmbi sportel, u vendos një tabelinë ku ishte shkruar me gërma kapitale: ZYRA E VULËS.
***
Vinin tërë qytetarët që kishin nevojë për Vulën. Ishte vulë që lëshohej vetëm aty.
“Të vësh vulën, kjo është puna jote.”, i tha vetes njeriu i zyrës, kur u ndodh i vetëm.
“Për kaq gjë do marr lekun e shtetit unë?!”, mërmëriti nëpunësi që po merrte formë tjetër dhe përmasë të papritur brenda tij.
“Pse, të duket pak…?!”, nënqeshi njeriu nëpunësin.
Tërë jetën, Evret Dimri do t’i ndjehej borxh asaj pjese të vetes që kishte thënë: “…pse, te duket pak ty?!” Pas kësaj kishte nisur tërë lëvizja. Si rrëshqitja e pabujshme e një ane mali që nuk do të reshtëte më. Kollajshmërinë e fillimit, ngutjen për një sportel fare të zakonshëm në pjesën e pasme të ndërtesës, pak më vonë ndarjen e aneksit prej pjesës ku punonin edhe të tjerët, dalja si zyrë më vehte, e tëra kjo kishte lindur si një sipërmarrje thuajse naive.
I mbante mend të gjitha, por më kthjellët se çdo gjë kujtonte njeriun e parë që erdhi për tek sporteli. Evret Dimri e kishte vënë re që atje tej. I bëri një shenjë për ta siguruar se pikërisht kjo ishte zyra që i duhej atij dhe ku ai ishte i mirëseardhur.
“Ju i hidhni vulat?”, kërkoi të sigurohej tjetri.
“Mua ma besuan këtë punë, ju zgjidhni hallin tuaj, por edhe shteti ka leverdi.
I mëshoi vulës mbi formularët dhe ia ktheu tjetrit, duke përcjellë edhe kënaqësinë e tij për punën e kryer. “Eja përsëri, sa herë të duhet vula!”
Tjetri e vështroi i befasuar. Dhe, për pak, mbeti aty, tek kuadrati i sportelit.
Kush e di nga cili cep i shtetit kishte ardhur, i gjori, ç’sorollatje i kishin ndodhur, që hezitoi të largohej. Mbase gruaja e pati kujtuar të merrte diçka më shumë në kuletë. Për vulat, kush e di, duhej dhënë diçka.
Nëpunësi brenda këtij sporteli nuk i dha asnjë shenjë se priste diçka prej punëmbaruarit, që mbase e shtyri ta falenderonte nëpunësin përtej kuadratit edhe për këtë.
“Mos e thuaj atë fjalë…Faleminderit duhe të themi ne, kur e shohim njeriun që vjen e kërkon vulën e shtetit për të rregulluar punët e tij…”
“Megjithatë faleminderit… S’jemi mësuar kështu ne…”
Nëpunësit të Zyrës së Vulës i kujtohej mirë, i pari i të ardhurve për vulë ishte larguar fillimisht duke ecur mbrapsht, përkulur pak në supet, pastaj disa hapa brinjazi, duke vazhduar të pëshpëriste falenderjen, gjersa atje tej, ku ishte i sigurt se kishte humbur madhësinë për t’u perceptuar ende prej syrit të nëpunësit në sportel.
Kush e di ç’kish shtuar e zbukuruar në përshkrimin e tij prej njeriu të ngazëllyer vulëmarrësi i parë, përderisa vetem pak çaste apo pak orë më pas, dhe më shumë ditën e javën tjetër, radha përpara sportelit nisi të zgjatej gjer përtej sheshit.
Nëpunësi thjesht vinte vulën në shkresat që i zgjateshin, duke vënë re ngutin, ndjesinë e pritjes dhe pastaj lehtësimin, tek fytyrat e atyre që shfaqeshin për pak minuta në kuadratin e sportelit, por ndërkaq provonte edhe ëndjen e fjalosjes me veten. Shkresat që i viheshin përpara ngjanin si copa letrash pa vlerë, deri në momentin kur arrinin sportelin. Sapo ai ngrinte dorën për të vënë Vulën, ato nisnin e tjetërsoheshin, merrnin vlerë, sikur u binte një nur tjetër apo u ngrihej vlera në bursën e ditës. A thua prej kur bukuroheshin me vulën në krye të tyre, mbarësia e ligjit u bëhej dritë dhe u hapte rrugë. Njerëzit e shkretë, i dërgonin shkresat me Vulë atje ku duhej dhe hallet zinin e ç’kokolepseshin.
Evret Dimri bënte shaka kur paralajmëronte mbarësi e fat në vënien e vulës, por pas një farë kohe ndjente se vërtetë po bindej për këtë.
***
Ditët kur ai e hidhte vulën lehtë e lehtë, sikur fluturonin. Vula në duart e tij sikur po bëhej më e rëndë. Filloi t’i shqyrtonte të shkruarat, në fund të të cilave kërkohej të vihej vula. Ishte më mirë kështu. Njerëzit vinin për të ikur, kjo dihej, por nëse nuk do të harxhonin pak kohë për të marrë Vulën, për ç’dreq tjetër ia vlente koha e tyre. Në të vërtetë ishte vetë ai që e mendoi vonesën. Ata që shfaqeshin tek sporteli ndjeheshin të kënaqur që aty do të mbaronin punë.
Thyerja, vramendja se në procesin e vulëhedhjes mund të ndryshonte diçka, ndodhi një ditë kur dikush prej vulëmarrësve, jo vetëm nuk po shqitej nga sporteli por e tronditi me këmbënguljen e tij për t’i lënë doemos një dhuratë.
“Këtë vulë, që ti e lëshon aq lehtë…nuk ka çmim ta paguaj. Ndokush tjetër, do dinte ta përdorte ndryshe, këtë fat…!”
Jo se nuk e kishte menduar edhe vetë këtë gjë, o diçka të përafërt me të, por fjala e tjetrit e ndezi së brendshmi. E mbylli me vërtik sportelin prej brenda dhe pështeti kryet mes pëllëmbëve të duarve. Le të prisnin ca, ata atje jashtë…
Ata jashtë pritën, pa u ndjerë, pa dhënë asnjë shenjë se ishin atje. ai ndenji një copë herë, mbase disa orë, por edhe sikur të kishte heshtur për disa ditë rresht, aty do t’i gjente, kur ta rihapte kanatin e sportelit…
Evret Dimri nisi t’i bënte gjërat më ngadalë e më shtruar. Shkresat mes gishtave te tij sikur po merrnin vërtetë peshë dhe njerëzve po u duhej të prisnin më gjatë në sportel. Erdhi një ditë kur për të mbaruar punë në sportelin e tij duhej të dilje nga shtëpia qysh në pikë të mëngjezit dhe, pak javë më vonë, duhet të gdhiheshe në radhën e gjatë. Ndodhte të duhej të mbaje rradhën për ditë të tëra. Në fund të fundit ishte Vulë…
“Për atë shkresë” duhet thënë, jo “për atë besë”, ngriti një ditë zërin.
E folura e Evret Dimrit u dëgjua në tërë ndërtesën. Më tej akoma, rreth e qark atsaj ngrehine që sikur u shndërrua në moment në një Pallat të Madh ku fillonte rregulli dhe Ligji që u kishte munguar njerëzve.
Nuk e kishte menduar më parë se ta nxirrte prej dhëmbëve. Thënia i erdhi natyrshëm, si tërë rëndomtësitë që shoqërojnë punët e njeriut dhe ata që e dëgjuan nisën të qeshnin mendueshëm. I dhanë të drejtë.
E the bukur, i thanë.
E tha vërtetë bukur, u thanë të tjerëve që takuan në rrugët e jetët e tyre. Nisën ta përdornin e ta përsërisnin gjithnjë e më shumë njerëz.
Ishte lajm që, të tjerë, si mirënjohje dhe intimitet, ia sollën edhe atij.
Në fillim u gëzua, pastaj u bind se thënia që lidhte besën me shkresën po merrte gjithnjë e më shumë vlerë reale. Përdorimi i saj u rrit, gjersa dikush e shkroi me të kuqe në një rrip të gjatë të bardhë bezeje. E vunë si parrullë, në murin e jashtëm të ndërtesës, mbi sportelin e zyrës së vulës, ku tashmë shërbenin edhe të tjerë, si ndihmës të tij.
Të arrije në sportel tashmë s’ishte kollaj, ishte mundim i madh duhet thënë, por nuk se mbyllej me aq. Në çastin kur arrije ta shfaqje fytyrën në kuadratin e sportelit, përballë asaj të nëpunësit të Zyrës së Vulës, duhej të paraqisje prova të tjera. A ishte i rregullt dokumenti? Nga cila zyrë dhe pse ishte lëshuar shkresa? Sa më shpejt duhej shërbyer, Evret Dimri nuk mënonte dhe ndihmësit i rrinin më këmbë, por që dora e tij të hidhte vulën, duhej mbushur më parë mendja e tij. U përgatit një pyetsor i hollësishëm të cilin duhet ta plotësoje aty, në vend. Le të ishe i lodhur nga radha e gjatë, le të bezdiseshin ata pas teje në radhë dhe të kandiseshin gjer në të shtyra e grindje me njeri tjetrin, për të arritur sportelin. Të merrje Vulën s’ishte një fjalë goje.
***
Evret Dimrit i kujtohet, aq më furishëm, njeriu i parë të cilit i vonoi dhënien e vulës.
Diku, kishte thënë për të se në fund të fundit “një copë vulaxhiu” ishte. Por tashmë ishte kapërcyer. Me qetësi, si edhe më parë i sjellshëm, pasi e pyeti përfolësin për shëndetin e fëmijëve dhe punët e stinës, ia ktheu shkresat, për rishikim.
Ka nevojë të plotësohen, i tha atij.
Nuk u kujtua t’i jepte asnjë hollësi më shumë. Tjetri mbase e mendoi shkakun e vonesës, por s’guxoi të pyeste se çfarë duhej të plotësonte në formularët e tij.
“Një copë vulë është kjo që hedh unë, por ajo letra që sjellë ti, për të merituar vulën e shtetit, duhet të bëhet shkresë më parë, apo jo…”
Tjetri e la radhën i djersitur, i lodhur, i tronditur. Pse vallë…e ktheu? Pse duhet të llapte? Ia kishin sjellë përfoljen…Kush?
Nëpunësi i Vulës e përcolli me sy, gjersa i refuzuari përshkoi sheshin. Vetëm pastaj vazhdoi me shkresat e tjetrit në radhë.
Sy e gojë të tjera, treguan më pas se prej atij momenti vulëvonuari ishte parë me dyshim. Në lokalin afër shtëpisë nuk i kish bërë kush shoqëri. Disa gota alkohooli i kishte kthyer vetëm fare. Të nesërmen nuk e panë të dilte në rrugë. Të pasnesërmen e njoftuan se vulëhumburit i ishte shkurtuar vendi i punës. Thjesht se nuk kishte mundur të mirrte Vulën e Shtetit të Tij.
“Paskam diçka në dorë!” mendoi i gëzuar Evret Dimri. “Kësaj bote nuk iu dalka vetëm me të mirë…”
Në ditët më pas ndodhi të kthente, për plotësim dokumentash, edhe njerëz të tjerë. Nuk shtoi, as zbukuroi, kur i pohoi vetes se kishte filluar të ndjente një lloj kënaqësie teksa në fytyrat e vulëvonuarve shfaqej një lloj trishtimi i thellë, një si lodhje bërtitëse por deri në fund e heshtur. Për shkak të shtyrjes së datës së lëshimit të vulës, kish njerëz që humbën jo vetëm shanse të mira pune e trashëgimi pasurie, por fëmijëve të dikujt nuk u dhanë as të drejtën për të vazhduar shkollat e larta. Një tjetri i ishte shtyrë dita e dasmës, gjë që u interpretua si paralajmërim për fatkeqësi që do ta shoqëronin çiftin tërë jetën e jetës, edhe nëse do arrinin ta bënin dasmën.
Njëherësh me kënaqësinë që buroi e hovi prej brenda tij, dëgjoi se nisën të flisnin gjithnjë e më shumë për të. Sidomos kur bëheshin shumë vetë bashkë, ishte e sigurt që lëvdonin dhe betoheshin për të.
Kështu po, kështu ka lezet, ngazëllehej Evret Dimri. Nuk është pak të të mburrin shumë njerëz njëkohësisht. Vazhdoi të ruante humor të mirë, madje bëhej edhe më i këndshëm, kur i tregonin se sapo njerëzit ndaheshin nga njeri tjetri, disa prej tyre bëheshin dy e nga dy apo mbeteshin fare vetëm, dhe nisin e shanin. Ndokush edhe të mallkon, i thanë. Kjo është mrekullia vetë, shtonte aty për aty Evret Dimri. Mallkimi i njerëzve, është shenjë e dobësisë së tyre…
Nuk do ta harronte kurrë njeriun e parë të cilit ia refuzoi dhënien e Vulës së Shtetit.
“Nuk ke për ta marrë…”, i tha.
Tjetri, matanë sportelit, kishte mbetur i ngrirë: “Ka ndonjë gjë që nuk shkon aty? Duhet të plotësoj…apo të shtoj diçka?”
“Nuk do të mundësh dot t’i plotësosh, kurrë…”
Tjetri përballë sportelit sikur humbi edhe gojën. Buzët provuan përsëri e përsëri, pa mundur as të belbëzonin. Vetëm dora arriti të ngrihej paksa, aty te syprina e dërrasës së lëmuar të sportelit ku ishte mbështetur, por ra në çastin tjetër si lëvizje e fundit e të gjallit.
“Po ky është hall i madh. Pa vulën e shtetit, tani nuk shkohet gjëkund. Jemi njerëz, o njeri… Nuk më thua dot, ç’të bëj, a ku ta kërkoj tjetër vulën?”
“Sa të jem unë në këtë sportel, s’ke për të marrë vulë të këtij shteti!”
Tjetri mund të shndërrohej në tym në momentin tjetër, por edhe vetë nëpunësi ndjehej tjetërgjë teksa i bëhej se dëgjonte jehonën e asaj që sapo kishte artikuluar. Kishte folur në emër të Shtetit…për herë të parë. Dhe, për më tepër, pas kësaj nuk ishte kundërshtuar…
Njeriu të cilit sapo i ishte hequr e drejta për të marrë vulën e shtetit, u largua i përkulur më dysh, për shkak të barrës së rëndë që sapo i kishin hedhur në shpinë. Dukej që atje tej, i pashpresë, i përfolur, i përtallur, kot sa do rronte nëse do ia dilte pa Vulë, kot sa kthehej në shtëpinë e tij nëse do arrinte atje perpara se të mbrrinte lajmi se s’do ta kishte kurrë vulën, lajm që mund të mos ja hapte më as derën e shtëpisë së tij. Por edhe më të mjerë akoma do fillonin të ndjeheshin ata që e prisnin, që megjithatë mund t’ja hapnin derën se e kishin baba, burrë, apo e dinin zot shtëpie. Refuzimi i Vulës prej nëpunësit të Zyrës së Vulës tingëllonte si pamundësi për të ëndërruar, kurse mënyra e refuzimit ishte thuajse ç’mendëse…
Vet-me-vete, vjedhurazi edhe prej vetes, vulëhumburi guxoi të mendonte disi më ndryshe. Thjesht hamendësoi duke ripërtypur një-pas-një fjalët e betimit rrënqethës të nëpunësit. “Sa të jem unë në këtë sportel…” Sipas kësaj logjike, i mbetej të priste heqjen e këtij nëpunësi, zëvendësimin prej një vulëdhënësi tjetër, ose vdekjen e atij…ose…ose vetë shteti i kësaj vule, shteti që po i shfaqej si i njeriut të kësaj vule të refuzuar përgjithnjë…s’duhej të ishte ky shtet që ishte…
O gjëmë e madhe! Ishte i tmerruar nga idea se kishte shkuar ndërmend ndryshimin e shtetit, vetëm e vetëm për të përfituar të drejtën e vulës…Po sikur edhe mendimet të vileshin në një farëlloj mënyre, dhe të shkonin brenda sportelit të Zyrës së Vulës?
“Mirë është të dihet edhe për njerëzit që provojnë të bëjnë pa vulën e shtetit…”, tha një ditë më vonë nëpunësi i Vulës.
Ia tha këto fjalë rojes së zyrës vulës, kryerojës, në të vërtetë. Se ishte një trumbë e tërë njerëzish që punonin për të tashmë. Zyra e Vulës jo veç kishte përfshirë zyrat e atij kati, aneks i të cilit kishte qenë dikur, por aty vuloseshin edhe tërë shkresat e vendimet e zyrave të tjera të asaj ndërtese.
“E kemi menduar edhe këtë, shef…”, e qetësoi në çast kryeroja. “Kemi hapur dosje të posaçme për secilin. Edhe për ata që vetëm sa u vonohet vula, kemi mbledhur informacione…”
***
Evret Dimri i harronte fytyrat e njerëzve, sapo largoheshin prej sportelit. Me kalimin e viteve, i harronte në të njëjtën mënyrë ata që iknin pa marrë vulën, njëlloj si ata që e merrnin atë. Nuk kam kohë, as fuqi e as nerva, të gëzohem a të trishtohem me gëzimet dhe hallet e tyre, thoshte. Nuk është detyra ime, në fund të fundit. Unë vë vula. Nuk jam dezhurni i Maternitetit, as defteri i Zyrës së Funeraleve apo regjistri i Gjendjes Civile…
Jam si vula, i njëllojtë për të gjithë. Si shkresa jam, kur ka vulën në fund!
Dikur ndjeu se nuk shqetësohej më kur nuk shprehej në formën “nuk ta hedh dot Vulën e Shtetit”. I vinte më për mbarë kur përdorte trajtën “nuk e merr dot vulën time ti…”
Natyrshëm nisi të besonte se ishte pjesa e gjallë, dominuesja, e pashmangshmja në procesin e vulëdhënies. Nuk iu duk tepër, teksa ndjeu se besonte: pa të s’kishte as kuptim, jo vetëm që s’ishte e mundur, dhënia e Vulës. Prej sportelit të tij tashmë nuk pritej thjesht vënia e vulës, si kohëve të para. Tërë zyrat e tjera, edhe pse ishin më sipër, ishin vënë në punë në funksion të Zyrës së Vulës. Madje askush nuk u befasua kur ishte ndryshuar edhe emërtimi i saj. Në tabelën sipër sportelit lexohej ZYRA E VULËS SË SHTETIT.
***
Një mëngjez nuk u ndje mirë. Vendosi të mos shkonte në zurë. Le të bënin një ditë pa vula. U ngrit nga shtrati i telekosur, por arriti të dilte në ballkon. Hodhi vështrimin për nga ndërtesa ku ishte zyra e vulës, dhe sesi u ndje kur pa se njerëzit si në radhë për të marrë vulën, kishin ardhur deri pranë shtëpisë së tij. pyeti dhe i bën të ditur se nuk kërkonin vulën.
“Duam të dijmë shëndetin e tij. Të jetë mirë Evret Dimri…Vula është…”
Paskësaj, fare natyrshëm ai mendoi se sikur të mos ishte ai, edhe vula edhe vetë shteti nuk do të ishin ata që ishin. Caktoi një nëpunës tjetër për pritjen e njerëzve që kërkonin vulë. Ky nëpunës, nga ana e tij, kishte një ndihmës të parë për të seleksionuar e ndarë kërkesat për vula afatshkurtëra dhe afatgjata, dhe një ndihmës të dytë, që merrej me plotësimin e fletëanketës, pyetjet për të cilën ishin shtuar e nënshkruar prej dora vetë Evret Dimrit dhe po përfshinin gjithnjë e më shumë hollësi të lloj-llojshme.
Në ditët më pas, ashtu siç priste, numri i njerëzve në radhën për vulë u shtua edhe më shpejt. Ai po bindej se njerëzit nuk mund të bënin pa të, njerëzit prisnin për të. Për vulën e tij. Ai mund t’i gëzonte, po ai kishte në dorë t’i mërziste. Ai mund t’u nxinte jetën.
Rrinte orë të tëra, i mrekulluar, duke dëgjuar bisedat e tyre, të rregjistruara pa dijeninë e tyre, në orët e gjata të pritjes për vulën e tij. Njerëzit që kishin rezerva për të i adresonte për tek nëpunësi tjetër dhe ndihmësit e tij. Le të vendosnin ata për fatin e përfolësve të tij. Kjo lojë maca-minjsh i shkaktonte humor të mirë. Dikur kishte ardhur një kohë kur ai e dinte që ata e dinin se ai i mirrte vesh të gjitha ç’thoshin për të. Evret Dimri i turbullonte edhe më, kur ia kthente dokumentat ndokujt që e kishte mburrur e lëvduar me të madhe dhe ia ofronte shpejt e shpejt vulën dikujt që e kishte marrë nëpërgojë! Merrte dhènë fjala se për Evret Dimrin ishin njëlloj të gjithë. Ata që e donin dhe ata që s’e donin. Ai i ndëshkonte të gjithë. Ishte e kotë t’i fshiheshe, ishte e pamundur të shtireshe ndaj tij. Më e mira ishte të mos flisje fare për të. T’i bindeshe në heshtje vulës së tij. Kaq. Më e mira e të mirave ishte të mos kishe të bëje fare me të, por ishte e pamundur të bëje pa vulën e shtetit. Dhe vulën e këtij shteti e jepte ose nuk e jepte ai…
Pohimit se publikisht e donin njëlloj të gjithë, për të ishte njëlloj sikur e urrenin njëlloj të gjithë. Pikërisht kur arriti pa asnjë shqetësim në këtë përfundim, u bind se Zyra ku hidhte Vulën ishte vetë Shteti.
Ngaqë pa vulë nuk bëhej asgjë, të gjithë e mendonin ditën kur u duhej të shfaqeshin përpara sportelit të tij. Prej tij do t’u vinte e mira dhe e keqja, kjo nuk vihej në dyshim. Ata që gëzoheshin duhet t’i ishin mirënjohës, teksa të tjerët, që u binte rasti të vuanin vonesën, shtyrjen, refuzimin, do të bindeshin se vetëm prej Vulës së Tij mund t’i shpëtonin së keqes që i kishte zënë. Nuk merrej vesh ku mbaronte respekti dhe ku fillonte urrejtja për Evret Dimrin.
Ngaqë ndodh kështu, jam vula vetë, mendonte.
I bindur tashmë se ishte fati i të gjithëve. Vulës i binden, edhe kur nuk e duan.
Netëve, kur trupi prehej, truri sikur rrekej ta provokonte. Vetëtinte nga ide të çuditëshme. I ofronte trupit mundësinë të merrte formën e cilindrit që rrihte e godiste papushim, vertikalisht. Në bazën e poshtme të tij, tek këmbët të bashkuara në një, ishte fiksuar vula që stampohej mbi shkresa, çeqe, trupa e gjymtyrë njerëzish të tjerë, madje edhe mbi trurin dhe zemrat e tyre. Turma e njerëzve atje poshtë duartrokiste dhe qeshte. Qeshte dhe lotonte. Pastaj binin të gjithë përmbys dhe trupi i tij cilindrik rrihte si tokmak mbi ta. Dhe i vuloste. Vetëm pas shenjoheshin me vulën e tij, nisnin të punonin zemrat, truri, trupat e tyre.
Secili bën zgjedhjen e tij
(Monolog në shumës me Trifon Xhagjikën)/
Nga Faruk Myrtaj*/
Ajo ishte zgjedhja jote, ne bëmë zgjedhjen tonë. Ti zgjodhe ikjen për të mbetur, ne zgjodhëm mbetjen për të ikur! Në rregull, pra! Kot vjen e na shfaqesh herë-pas-here përmes ca vjershave që, pikërisht për shkak të asaj zgjedhjeje, mbetën të pabotuara në gjalljen tënde, të fshehura diku, për të ta rrëmbyer e fshehur edhe jetën tënde, ca më vonë.
Drama jote nuk ndodhi për shkakun tonë. Ne i botuam vjershat tona. Të paralajmëruam atëherë intimisht të silleshe edhe ti si ne, por ti veprove ndryshe, ndryshe e kishe edhe jetën tënde edhe fatin e vjershave të tua. Ti mbase nuk je gabuar! Besoje që pikërisht ashtu do të siguroje përjetësinë dhe mbase kjo ishte ç’kishe ëndërruar! Bukuri! Fli i qetë, pra!
Edhe ne jemi të qetë në zgjedhjen e bërë, ndryshe nga jotja. Përse atëherë vjen e na prish qetësinë e zgjedhjes e të jetës sonë? Vetë ngulmove të shfaqeshe siç ishe! Bëre ç’mund të të merrnin vesh që ishe ndryshe nga ne të tjerët. Sikur ne të kishim dëshirë tjetër! Sikur ne nuk kishim sedër, ego, etje për lavdi e përjetësi! Kërkove të merrej vesh brendësia jote. E dije se ç’do të thoshte kjo?! Në rregull pra! Ne u fshehëm, ulëm kokat, por mbetëm. Ti, ku je?! U shfaqe dhe ike! Sikur të ishte problem ikja, jo mbetja!
Ata që morën vjershat e tua dhe që kishin në dorë jetën tënde, bënë punën e tyre. Edhe ata kishin te drejtën e zgjedhjes. Kjo ishte zgjedhja e tyre. As ata nuk kanë faj, madje edhe pse nuk dinin t’i kuptonin vjershat e tua. Se, nuk shkruajnë vjersha gjithë njerëzit, dè! Dikush merr përsipër të bëj shtetin, dikush të shkruaj vjershat, por është edhe ndokush tjetër që vigjëlon për ta ruajtur shtetin nga vjershat. Ti e dije këtë, apo jo?! Në gjithë kohët duhen ca njerëz që ruajnë shtetin prej vjershave!
Në këtë botë ushtrohen lloj-lloj zejesh: secili ka zgjedhjen e tij. Jeta nuk e përfshin vdekjen, por asnjë kuptim s’do të kishte jeta pa ekzistencën e vdekjes. Në fund të fundit, ata respektuan zgjedhjen tënde: pranuan këmbimin e jetës me vjershat, ta morën jetën tënde “ndryshe”, në këmbim të vjershave ndryshe. Ti mbase s’kishe faj, por cili ishte faji i tyre, në fund të fundit?!
Ti shkruaje në atë mënyrë se mbase besove se ia vlente vetëm asisoj. Kujtove se me vargje të lira do të vinte liria, do të ndryshoheshin gjërat?! I gjori ti! S’e dije se edhe pa vjershat njerëzit e shtyjnë si e shtyjnë jetën?! Në të gjitha kohët kjo. Edhe dje, jo pak njerëz, arritën të ndjehen lumtur. Si kanë mundur?! Punë e tyre. Zgjedhje e tyre, pra! Mbase edhe së vdekuri do vije buzën në gaz kur ne deklarojmë edhe sot se ishim të lumtur dje, por ja që kështu ishte. Ne jemi gjallë dhe dëshmojmë! I ikuri nuk dëshmon dot…
Ti, meqë ndjeheshe krijues, si Krijuesi atje lart, si Ai për të cilin thonë se është por s’duket, këtë kërkove. Madje kërkove diç më tepër: të bëje Krijuesin, por edhe të dukeshe!
Sikur ne të tjerët, nuk dëshironim të ishim të tillë! Bëre edhe një hap marrëzie më tej: besove se gjithë sa shkruhen, botohen. E kur na paska ndodhur kjo? Në cilën kohë? Në cilën epokë?! Kur na paskan qenë barabar Liria, që dhuron natyra njerëzore dhe Liria që lejon shteti?!
Jo pak njerëz të letrave, të fjalës, të mendimit, zgjodhën rrugë tjetër: prej të gjallësh. Edhe sot e kësaj dite janë gjallë e janë ndë jetë…Ti mbase thua se je ndë dritë të vërtetë! Ashtu beson, vërtetë?! Ndonjëherë, kohë-për-kohë, ne kemi qenë edhe të lavdishëm. Ti e pak të tjerë si Ti, as mbetët gjallë, e as i gëzuat dot kënaqësitë e të gjallëve. Ne të tjerët pranuam të mbetemi, ashtu në heshtje, por mbetëm gjallë.
Së fundi kanë nisur të ta përmendin emrin nëpër gazetat. Ty dhe atyre të tjerëve si ti. Po ua botojnë ato që nuk i botuat dot në gjallje. Më shumë si një kuriozitet ngjan kjo punë, gjersa ju vetë as dëgjoni, as shikoni, as u gëzoheni dot këtyre botimeve. Pastaj, tani botohen aq shumë libra, sa nuk është më ngjarje botimi i librave tuaj të para 30-40 vjetëve! Kurse vjershat tona, të të gjallëve, vazhdojnë të mësohen prej brezave, kanë hyrë prej kohësh e aty janë, në tekstet shkollore. Edhe kjo bën pjesë në zgjedhjen tënde. Nëpër vjershat duket se gjërat do të ndryshohen sa hap e mbyllë sytë, por shteti mezi lëvizë, mezi ndryshohet, po ata njerëz janë, po ata bëjnë librat shkollorë! Njerëz që pranuan të mbeten gjallë me të gjallët!
Këta të rinjtë e sotëm janë allasoj: neve, që kemi mbetur gjallë, na shohin si të vdekur, teksa për ju të Ikurit flasin si për ca të gjallë! Mirë bëri ai, thonë për ty, mirë bëri që braktisi atë jetë që bënit atëkohë. S’kanë ngè të na dëgjojnë e jo më të na kuptojnë neve të gjallëve. Për shkak të thinjave tona, por edhe për shkak se ne i kemi endè gazetat e televizionet, rrinë e na dëgjojnë, por pastaj, kur vjen fjala tek ti e poezitë e tua, na pyesin: edhe poet, edhe i panjohur?! Edhe poet, edhe në burg?! Kaq shumë poetë paskemi pasur, sa i kemi futur edhe nëpër burgje?! Po ju ç’bënit kur ata shkonin nga kjo jetë?!
Ndokush prej tyre na pyet intimisht për ty. Po, ashtu ka qenë, i tregojmë ne, ashtu ka qenë, por kjo ishte zgjedhja e tij. Jona ishte tjetër. Gjithësekush paguan një çmim. Se, të flasim midis nesh, edhe kjo tjetra, jona, jeta siç pranuam ta bëjmë ne, e kishte një lloj çmimi. Edhe ne paguam për jetën që bëmë, por nuk qahemi, ishte zgjedhja jonë. Siç edhe ti kishe zgjedhjen tënde, apo jo?! Këmbeve të Vërtetën, që u duhej të gjithëve, me Jetën që ishte vetëm e Jotja!
E mbajmë mend mirë se si pagove për jetën tënde, por edhe ti mos harro çmimin që paguam ne për jetën. Liria nuk ka qenë aq e lirë sa sot, u themi ne këtyre të rinjve të sotëm. As sot nuk është e lirë, na i kthejnë ata, ne prandaj pëlqejmë atë!
Ti thoshe se lexuesi nuk vdes kurrë? Ne zgjodhëm lexuesin tjetër, atë që do të jetonte e do të vdiste bashkë me ne. Çdokush zgjedh lexuesin e vet. Përderisa jemi gjallë ne dhe është gjallë lexuesi ynë, ne do të lexohemi! Ti doje lexues të përjetshëm, prit pra kur të lindet ai!
Ike, ngaqë e pe Atdheun Lakuriq. E the me zë të lart këtë.
Sikur vetëm ti kishe sy për ta parë dhe gojë për ta rrëfyer atë që pe! Sikur ne të tjerët s’ishim aty, apo sikur nuk kishim të njëjtin Atdhe! Po Atdheu bëri si bëri, edhe lakuriq, edhe pa vjershat e tua! Me këto vjershat tona, por Atdheu mbeti gjallë, edhe ai, si ne. Vërtet nuk e dije se njerëzit bëjnë edhe pa vjershat, madje edhe pa të vërtetën?! Më shumë akoma: edhe pa të bukurën. Ti vendose të ikësh dhe ata, ç’të bënin? Të harruan. Ne mbetëm, neve na deshën. Pse, si thua ti, të të duan ty njerëzit e shkretë, ty që ike për t’u thënë se ishin lakuriq?! Po pse, nuk i kishin sytë në ballë ata?!
S’e dije ti se edhe atë që bëri Himnin Kombëtar ne e lamë pa emër, pa kryeqytet, pa flamur?! S’e dije se dashuria e tepërt për atdheun kthehet në mallkim! Nuk ke pse bën për Atdheun, më shumë se ç’bën ai për ty! Gjërat e tepërta, gjer edhe dashuria e tepërt, kthehen në sëmundje, në prekje, në cerozë…as kaq gjë nuk more vesh ti?! Pastaj, na e thuaj pra, si i përjetshëm që beson se je: sot, si është Atdheu: I veshur apo lakuriq?! Ë?! Hë de! Thuaje, de!
Pse nuk përgjigjemi ne? Jo! Ne vetëm bëmë një pyetje! Nuk pyetëm veten, se nuk e mbajmë veten për të mençur, idealistë, të përjetshëm! Të pyesim ty, se ti u përgjigjesh këtyre pyetjeve! Ti u përgjigje edhe atëherë, kur na rrinte ngusht rroba e fjalës: na thuaj pra, si është Atdheu sot? I veshur apo lakuriq?! Lakuriq, do përgjigjesh ti flakë për flakë?! E presim këtë përgjigje nga ti! Kështu u përgjigje edhe atëherë! Se vetëm ti ke sy ndër të gjallët e ndër të vdekurit… Por kjo është e drejta jote, e drejta që ke zgjedhur vetë. Ti thua atë që do, ne jemi ushtruar të dëgjojmë, të zemë veshët me duar, të mos jenë lakuriq veshët tanë së paku, ia mbajmë vrapit e shkojmë e mbyllemi në shtëpi. Prej brenda shtëpisë, Atdheu s’duket. Atdheu mbetet jashtë, kur ne shkojmë e mbyllemi brenda. E ç’farë pastaj si është Atdheu?! U përgjigje atëkohë, por, ja, ku më je sot, ku?! Dhe Atdheu ku është?! Çfarë përfitoi nga vdekja jote, nga zgjedhja jote?!
Çfarë pastaj se guxove, çfarë pastaj se dyshove kur besohej, çfarë se shkruajte vjersha që s’botoheshin? Ti nuk kuptove dot se ç’hyjnë në punë vjershat me Atdhe lakuriq! Shkove dhe bëre motër vdekjen…Mbase s’ta kishin mësuar vdekjen të tjerët, përpara nesh, por ne, së paku, e mësuam nga ty…Për këtë të jemi mirënjohës. Sa për të ardhur pas teje, nuk të vinim dot, s’kishte përse të na e kërkoje këtë.
Mbase je penduar për zgjedhjen tënde. Se, nuk ka qenë e lehtë të shkruaje “Shko o Republikë/ Mua më duhet të eci në rrugën time…”, teksa ne të tjerët merrnim Çmime Republike, të kësaj Republike! Kishe mundësi edhe ti të jetoje si moshatarët e tu. Por edhe kjo ka të bëjë me zgjedhjen tënde, siç thuhet për ty gjatë përkujtimeve!
Ç’ti bësh, ne të mjerët nuk ditëm të bënim zgjedhjen tënde! Ne zgjodhëm të mbeteshim, ti zgjodhe të ikje! Se, as mund të rrinim e as mund të iknim të tërë, dè!
Sekush nga të sotmit e zë në gojë gjestin tënd si “trill poeti”. Ne të gjorët, asnjë gjest të tillë nuk arritën ta kryejmë dot, por ja që mbetëm! Ti po deshe thuaj që as kemi qenë dhe as jemi poetë, është e drejta jote! Por ja që ne jemi sot. Si i bëhet?! Kështu janë të gjallët! Ky është çmimi i të gjallit. Gjërat e kanë një çmim… Ti pagove me jetë vdekjen, ne paguajmë me vdekje jetën!
U gjend dikush për t’i botuar vjershat e tua, por fare mirë ato mund të kishin humbur diku. As emrin, as namin s’do ta kujtonte njeri. Dhe, në fund të fundit, ç’vlerë kanë vjershat, kur nuk je vetë?! Ti mund të mbeteshe gjallë dhe t’i ruaje vjershat e tua. Nuk të dukej zgjidhje, as kjo?
Kanë mbetur edhè ca si puna jote. Me ne rrinë e këmbejmë biseda. Ne nuk fshehim gjë. U lutemi ndonjë herë, ashtu duke shkelur syrin, të na huajnë ca vite burgu, nga burgjet që kanë bërë! Zëmë e qeshim, si të gjallë që jemi. Qeshin edhe ata. Të na i kishit kërkuar ca kohë më parë këto vite burgu, na thotë ndokush prej tyre. Jeta kështu është, ç’ti bëjmë jetës ne! Kështu ka qenë gjithnjë. Këta të sotmit nuk na besojnë neve kur u themi se të gjithë e kemi paguar çmimin për atë kohë. Edhe kur ndëshkoheshe ti, apo të tjerët si ti, qëllimi nuk ishte ndëshkimi juaj, që iknit përgjithnjë: qëllimi ishte të trembeshim ne që do të mbeteshim përgjithnjë! Ne jemi trembur për shkakun tuaj, pra ju jeni fajtorë përballë nesh! Ha, ha, ha!
Ti shkove ballëhapët vdekjes duke shkuar nëpër buzë thënien e Gëtes, “e vërteta duhet përsëritur gjithnjë, sepse edhe gënjeshtra përsëritet kurdoherë”, por edhe jeta, nuk se na jepet aq shpesh që ne ta dhurojmë për vjersha.
Ka edhe sot një grusht të tjerësh si ti, kujtohen e na thonë që Atdheu është Lakuriq! Por ne e dimë se në të gjitha kohët ky Atdheu ynë, lakuriq ka qenë!
Por ç’punë ka Atdheu me vjershat tona, me jetën tonë ç’punë ka Atdheu?!
TE GJITHE KTHEHEN NE VENDLINDJE…POR KRIJUESIT NUK IKIN KURRE
NGA FARUK MYRTO/
Betim Muço më dërgoi on line,përkthyer për qejf prej tij, tregimin “Vdekja e Plakut” të Vasili Shukshin. Në këtë prozë prekëse, deri në rreshtin e mbramë humane, teksa ndjen orën e fundit, Plaku i prozës s’rri dot pa i thënë plakës së tij se ‘…kishte qenë ca i ashpër me të…’
Në vëllimin poetik, titulluar “Bumerang”, vetë Betimi, mes tjerash, ka një poezi malli trishtues kujtesë-ëmbël për të ndjerin Robert Shvarc, i cili merret vesh, e pati një shkak që mbeti në Tiranë, kur mund të kishte nxituar gjithkundtjetër në botë, tek gjaku i tij…
Por duket se njeriu mësohet atje ku e çon rrota e fatit. Të tjerët veç mësohen me zgjedhjen e tij, siç pranojnë jetë-fatin, reciprokisht, njerëz në bashkëjetesë a fqinjësi të gjatë. Edhe kur e mërzisin njeri tjetrin, u binden heshtur orëve a ditëve të bukura që, në të vërtetë, i japin sens fjalëbe të mëdha qetësi e lumturi. Letërsia e artet, thjesht shërbejnë për t’i përjetësuar këto orë.
Për rusët adresojmë Revolucionin e Kuq më të madh që Tronditi Botën, por s’themi dot se bolshevikët i kandisën të presin kordonin e kërthizës prej natyrës, karakterit rus tolstojan. As edhe në vitet më staliniste të tyre.
Në Tiranë, post-stalinistët fare kollajshëm e prenë, fill pas Luftës së Dytë, linjën e letërsisë, kulturës, humanizmit që ngjizi Rilindja shqiptare dhe mbollën e shërbyen vitet ’30. Sot e kësaj dite s’po pranojmë dot shkoqur se ajo societe, ndonëse me sfond lindor, me sytë nga dielli i perëndimit, ishte truall që prodhoi vlera qytetare, edhe në fushën e kulturës, filozofisë e letrave. Madje inercia vazhdoi edhe përgjatë gjysmës së shekullit në vijim, teksa provuan ta helmojnë me pesticidet e artit të borive që gjëmonin nën mecenatin e shefave të politikës së kohës, që veç njeriun nuk e vendosën dot në qendër të tij.
Kudo shkrimtari ndjehet dyshues e i shqetësuar, por në këtë përmasë largimi ndaj fatit njerëzor, sa ç’ju imponua letrave shqipe, jo. Për më tepër, jo veç autorëve. Më keq akoma: personazheve.
Mjaft të njihesh me peripecitë e Lasgush Poradecit për të shpëtuar nga pushkatimi si “qen rrugaç” Cucin e tij, për të ndjerë në ç’borxh e futën autorin rrethanat politike, borxh që nuk shlyhet dot pa u pranuar si mëkat.
Bota sot është krejt tjetër, tjetër edhe se dhjetë vite më parë, kur Betim Muço fluturoi dhe e la Tiranën, natyrisht jo pa kthim. Zogjtë, në shëmbëllim me poetët, kthehen hera-herës. Nuk është ikja, e as përshtatja, fenomen shqiptar. Njeriun e sotëm, kudo, e udhëzojnë, e joshin, me globalizmin, por në asnjë rast nuk mundën, as kur ia bën fare shkoqur ftesën, të harronte atdheun…
Shkrimtarët nuk ikin kurrë prej atdheut, as kur u ndodh ose detyrohen, as kur fizikisht shfaqen tjetërkund. Ekzili ndaj është burim veprash të mëdha dhe ndaj përshkëndit memoria e tij e fosfortë. Kur adaptimi me atdheun tjetër ka suksesuar bujshëm, është vënë në dyshim integriteti moral, në mos vlera si shkrimtar.
Megjithatë, në gjithë rastet, shkrimtarët bartin me vete gjuhën e dheut ku ishin fëmijë. “Shenjën” e Atdheut.
Mbase janë qenia më e rrallë, padyshim më e pasionuar, që beson se mund ta shpjegojnë botën me shkak e shenja prej kujtesës së ngjizur në atdheun e kulturën e tyre, dhe anasjelltas. E ndjejnë krejt oportune të gjejnë çdo element të natyrës e njerëzve të vendlindjes, në territoret ku shkojnë. Janë gati të pranojnë se universi s’është tjetër veç tërësi e gjithë gjuhëve, kulturave dhe jetëve të individëve, të cilët të gjithë mund të kundrohen si heronj…Edhe vetja u merr trajtën e këtyre personazheve, zëri i të cilëve thuajse nuk arrin në vendlindje…
Me logjikë e princip tjetër, por duket sikur atyre që u ka mbetur në dorë Atdheu – pas Ikjes së tyre- nuk u del koha, nuk duan t’ia dinë, madje i gëzohen mungesës së të Ikurve. Aq më pak për krijuesit e shfaqur e madhuar në hapësirat andej larg.
Shkrimtarit, pavarësisht distancave dhe gjuhës me të cilën niset për tek lexuesi, edhe kur nuk i ndodh të përkthehet kurrë, i përndrit vegimi i mundësisë së komunikimit me shkrimtarë e lexues në botë, kudo ku merr me mend se ka shkak se mund ta ndjejnë apo të ketë shkak shëmbëllimesh subjekt apo kumtesh estetike apo sociale.
Por, pa dyshim, përgjithnjë e pashmangshëm, krijuesi është e ndjehet në gjuhën e vet, në trojet ku gjuha artikulohet në belbëzimet e para të fëmijëve…
…
Ka të ngjarë që në një bisedë shtruar-shtruar në shtypin e Tiranës, krejt pashpjegueshëm, mbase pa asnjë sebep, një i nderuar jo pak si autor, qenkej shprehur se ata që ikin nga Shqipëria, mbarojnë, humbasin…(!)
E thënë nga një krijues, për kolegët…tingëllon pa sens, ca naive, në mos fluturake, edhe pse e lëshuar pa adresë, pa të keq. Sidosi, jep shkas për kthjellime, paraqitje realitetesh dhe eksperiencash të reja.
Merret vesh, Të Ikurit, natyrshëm do duhet ta llogaritin që ky tjetri, I Gjalli Mes Të Gjallëve në mëmëdhe, pra I Pa Mërguari, nuk i lexon më, edhe nëse i ka lexuar dikur. Deri këtu s’ka asnjë problem. As për të pa-lexuarin, as përmoslexuesin. Njeriu i sotëm, lexuesi shqiptar në veçanti, në atdhe e kudo, nuk është ai i Djeshmi, kur laj thaj, vetëm shkrimtarët e botuar nga “Naim Frashëri” i shtetit lexonte, ata që sugjeronte ideologjia e lëvdonte kritika zyrtare gjente në tekstet shkollore. Të tjerët, që gjykohej se nuk duheshin, madje e “prishnin” lexuesin shqiptar, shkrimtarët që “kishin mbaruar”, të huaj apo shqiptarë, në s’ishin “jashtë shtetit”, qenë në burgjet…
Shqiptarit të sotëm pa kufij, edhe me gjuhë të huaja “jo-armike” tashmë, nuk i mjafton koha të lexoj qoftë edhe vetëm nobelistët dhe të nominuarit!
Ata që marrin rrugët e botës, pas përshtatjes në kushte të tjera – proces jo aq i kollajtë ky-, dikur-dikur i kthehen pasionit të librit. Tashmë, jo vetëm librit shqip…
Në krye si lexues, Të Ikurit vënë re se Harta e Botës së Librave të Lexuesve në Liri është krejt e tjetërt nga ajo me të cilën ishin populluar bibliotekat e Këndeve të Kuq në shtëpitë e qendrat edukative, ku oferta dihej: një autor nga politika, një nga letrat, sipas hierarkisë…
Pas pak kohe përshtatjeje, kur sapo ndjehet se është shans për t’u dëshiruar dalja nga fshati, ikja nga qyteti i vogël drejt qytetit të madh, qoftë edhe si mërgim për njeriun në përgjithësi; aq më shumë për shkrimtarin.
Të mund të ikësh e të kthehesh sërish ku je nisur. Të mund të dilje e të ktheheshe, kur Shqipëria ishte e mbyllur, kur vetëm zogjtë dilnin, duhej përjetuar si privilegj. Qoftë edhe në heshtje. Madje kishe rastin të ndjeheshe edhe pak në faj, kur e dije se kolegët apo lexuesit e tu shkonin në burg, kur thjesht e zinin ngoje “botën Andej” dhe mos o Zot, Ikjen për Andej.
Tërë këto i di edhe shkrimtari që, një Zot e di përse, u shpreh se…të Ikurit humbasin, mbarojnë!
Tërë ne e dimë se, për goxha kohë, pothuaj tërë emrat e mëdhenj të letrave shqipe, i kemi pasur Ikur, mërguar a ndaluar në dheun e tyre. Me përjashtim të Fishtës, sidosi botoheshin (ktheheshin) në Prishtinë. Në Tiranë jo…
Më mirë ta lemë citimin si perceptim prej inercisë së plogësht të izolimit, ta justifikojmë si rehatllëk kombëtar, nëse ka shtysë mjaftueshmërinë e vetë të dikurshme…
“Të Ikurit”, s’ka si druhen të pohojnë: “Po, atje ku jemi tashmë, jeta mund të ndjek tjetër korsi. Të Shkruarit mund të ketë qenë një pasion e aq…E, çfarë pastaj?! Mund të ndodh atje, çfarë do ndodhte këtu, nëse s’do kish ndodhur Ikja, nëse individi do mbetej në mëmëdhe e do popullonte numrin e librave këtu…
Edhe kur “atyre që ikën…” jeta e fati u është shfaqur më ashpër “se sa ëndërronin” apo seç “meritonin”, së paku kanë arritur t’i gëzohen po këtij pasioni në trajtën tjetër: si lexues, pasurojnë botën shpirtërore, plotësohen duke lexuar libra të lirë, marrin frymë lirisht…
B. Muço, përpara se të ikte, pa e menduar ikjen, solli në Tiranë, pra në shqip, “Virgjëreshat Shqiptare” të (nobelistes së ardhme) Alice Munro dhe vetëm pastaj iku vetë! Prej andej, solli në shqip Antologji e Poetëve të Botës, të asaj bote që është, pavarësisht nesh…
E, në heshtje bujare, Të Ikurit e ata që vazhdojnë të gjejnë arsye për të ikur, u gëzohen ca të vërtetave që vijnë e shfaqen trishtuese. Tek e fundja, ikim edhe prej atyre që predikuan mbyllje gojësh e mendjesh, që bën lavdi e sukses kur njeriu privohej nga të drejta fare elementare; shpëtojmë prej atyre që (shumë më keq se me “të ikurit e pas ’90-ës,) mëkatuan ndaj atyre që nuk e deshën kurrë izolimin, mbylljen e dritareve dhe syve…
Nuk u rrëfyem aspak më të butë, me kolegët që mbetën brenda rrethimit: lamë në heshtje/vdekje ata që mund të na bënin hije…Këtu i patëm Lasgushin e Mitrushin. Edhe Robert Shvarci, nuk e la atë truall, përshkruar aq dhimbshëm e frikshëm prej Dhimitër Paskos në Amanetin e Tij për fëmijët…Nuk i lamë të iknin, si rusët, i mbajtëm gojëmbyllur, ua privuan vendlindjen si këngë, si ritm e si këngë e trishtë njerëzore mëmëdhetare. U mpakën, se ua rrëgjuam lirinë…
Historia e Mbylljes dikur ende është Dosje e hapur…
Vetëm pak javë më parë, një trumbë krijuesish – zogj të mërguar në brigjet e afërta Mesdhetare, provuan të “kthehen”, me librat e tyre në trojet e veta. Relativisht të rinj, të tjetërt në mënyrën e të perceptuarit e të shkruarit, në dëshirë shpirti, pa ftesë zyrtare, pa rimbursim biletash (…në fushatë elektorale) ,.As në studiot e përnatshme të medias dhe opinionistëve pa opinion; e dinin, në Tiranë s’ka Shtëpi Shkrimtarësh: si për t’u hakmarrë deri në fund, politika e kish shndërruar në një tjetër zyrë, ku zyrtarë të radhës me pardesy e ngjyra të ndryshme vazhdojnë të premtojnë se do ta çojnë këtë vend e këtë kulturë e këtë gjuhë në …Europë!
A s’po vinin edhe këta, poetë, shkrimtarë e studiues të rinj, nga Europa?! Në mos tërësisht europianë, pak më shumë se symbyllurit e izolimit po…!
Qofsha gabuar, nuk se u begenisën siç do duhej…
Realiteti i qartë, nuk ia vlen të pyesim, siç nuk e ndjemë dikur mungesën e Fishtës, Konicës, Camajt. Lasgushin e pëshpëritën si të vdekur teksa i gjori POET trokiste tek shkrimtarët me zyrë dhe tek zyrat e pushtetit….Nuk na e treguan përmasën e plotë të Dh. Paskos, teksa tashmë po marrim vesh si ua mërzitën atdheun e jetën atyre që ikën dhe atyre që s’e përballuan dot gjatë atë realitet…
Si të mos besojmë, në atë “truall gjarpërinjsh” ndodhi “Gjëma e mëkatit”, rrodhi në ato vise “Lumi i Vdekur”, dhe po vetëm pak vite më parë, Vathi shkroi proza të njëjtëshme. Jo veç Koreshi, por Koreshi s’na dëgjon…
Letrat s’kanë nevojë doemos për liri, themi pas nginjies vetjake. Edhe pse pati shkrimtarë që shkuan në burgje shqiptare në gjithë regjimet, krijues që u nderën telash me gjemba, i dhanë fund jetëve të këtushme. Mbahemi moralë e normalë, edhe pasi rioshët e sotëm marrin vesh se një “anonime e artë e vetëtimtë” si Suzana Selenica –e një grupi poetësh të rinj, të tërë të burgosshëm, paskej përfunduar në çmendinë.
Të tëra këto kanë ndodhur DJE…
Dje, ishim izoluar. Po sot…? Sot përse?!
Plaku i Shukshin, ca me vonesë, por e thotë, dhimbshëm: “…kam qenë ca i ashpër me ty…”
KJO SHQIPËRI, ATDHE I POLITIKANËVE…
NGA FARUK MYRTAJ*/
Shefi i shtresës së sotme politike u rrek deri në fund të jetës së tij të krijonte bindje se “Shqipëria nuk është as Lindje as Perëndim” dhe ngjan se vazhduesit e kanë kthyer në realitet. Ky realitet është në përmasë të plotë në librin “Luftë pa fund”, e kundruar nga një njeri që me ngulm e dëshiron Shqipërinë të prirur palëkundshmërisht për nga Perëndimi.
Në ekranet televizivë shqiptarë, të pavarur (nga populli!), ka ndodhur të dëgjojmë shkoqur ligjërime që duken si krijimtari e autorit të këtij libri:
“Unë…tashmë jam politikan profesionist. Kam dymbëdhjetë vjet në politikë… Jam zgjedhur tri herë deputet! Me votë të lirë! Jam deputet me votë popullore, unë! Madje kam qenë disa herë edhe ministër! Përveç këtyre unë jam edhe intelektual vetëm në shërbim të atdheut…”
Ky lloj atdheu, ky vend, duke qenë edhe vendlindje por edhe vend origjine, për jo pak shqiptarë që kanë marrë rrugët e botës, mund të mos jetë e nevojshme të quhet Shqipëri. Tingëllon më e natyrshme të quhet Atdhe i Politikanëve.
Merret me mend, Pëllumb Kulla nuk bën thjesht humor kur e ftojnë në Fier, në Korçë, Tiranë apo Nju Jork e gjetiu. E dinë kolegët, bashkëpunëtorët, artdashësit, që kur i bje hera të shkruajë dhe analizojë politikën, a shtetin shqiptar, Kulla është po aq serioz sa kur bën regjisorin, dramaturgun, komedianin, sa edhe kur nuk ngurron të nënshkruajë kontratë në bërjen e shtetit apo demokracisë. Thuajse e tërë aradha e politikanëve të Tiranës do të nxitonte të thoshte se këto punë (që u kanë rënë atyre si barrë!) do mund të bëheshin veç seriozisht…!
Kulla e ka psikologjisur prej kohësh mentalitetin e kësaj shtrese politike dhe ne s’kemi të drejtë ta konsiderojmë thjesht “gjest” apo “trill krijuesi”, nëse autori do të zgjidhte dramaticitetin e Poetit: “Kjo Shqipëri që Është, nuk është Atdheu im…”
Pa asnjë të drejtë dhe asnjë mundësi ta veçojmë Pëllumb Kullën prej krijuesve të tjerë, apo ta etiketojmë krijimtarinë e të shkruarat e tij, në gjini e nënlloje letrare, e shoh të lehtë dhe të udhës që të rrëfejmë tek autori pikërisht qytetarin. Edhe më parë, por sidomos në këtë proces më shumë se njëzetëvjeçar, ku shqiptarët ende branisen, duke bërë megjithatë përpara, herë këmba doras, herë turra-vrap, le të themi kush e di për ku, por jo aq rrallë, mjerisht, ulur në bisht duke dyshuar tek Maska e Tyre: a vërtetë, ky lloj politikani që fiton në emrin tim jam unë? Ky është zgjedhja dhe përzgjedhja ime?! Ku po më çon ky, që unë nuk u ndakam dot prej tij? Ç’ka provuar, që vazhdoj t’i besoj, madje edhe kur premtimet promovohen aq pa cipë gjatë fushatave? Autori i këtij libri të josh t’i shtrosh këto pyetje, përderisa duket ashiqare se pikërisht pas falsitetit të tyre, vazhdojmë të ecim. Ky popull i ftuar që të sillet pikërisht kështu prej këtyre politikanëve që shtirjen e mashtrimin e kanë kthyer profesion, duke e mveshur me emra të tjerë: analist, politikan, deputet, ministër, kryeministër, president…të kësaj republike që herë bëhet demokratike e herë socialiste, pa qenë dot republikë e shqiptarëve siç janë.
Duke lexuar shkrimet e Kullës, s’mund ta refuzosh. Po, mund të mendosh kundër, diku mund të ndahesh, mund ta akuzosh se shpesh e tërheq sharrën në mish të gjallë, por më tej ti e tërheq këtë akuzë, teksa vëren se mishi ku dhemb sharra e fjalës së tij është i gjymtyrëve e trupit të tij… Kjo, besoj është pse-ja dhe sepse-ja që, së paku heshturazi, nuk mund të mos pranojmë se rrëfimi dhe po aq interpretimi i fakteve, ngjarjeve dhe fenomeneve të marrë në shqyrtim, është i drejtë dhe lehtësisht i verifikueshëm si i tillë. Nëse duhet të pyesësh veten: si ka mundësi që serioziteti, dramaticiteti deri në tragjizëm në këto analiza të rrepta, janë nënshkruar prej dorës së të njëjtit autor që ka ftuar audiencat të qeshnin me lotë…
Dimë jo pak autorë që i kanë rishkruar deri në përmbysje, librat e tyre të para ’90-ës. I kanë shndërruar pothuaj në libra të tjerë, me qëllimin e mëtutjeshëm: që po këtë fat ta kenë edhe autorët e tyre! Autorë të tillë, dëshirojnë të kundrohen, analizohen e respektohen si të tjetërt me ata që ka qenë realisht dikur. Në këtë suazë, gjejmë disidentë mu në mes të Bllokut, nobelistë prej elitës së shkrimtarëve të realizmit socialist. Sikur në Shqipëri të paskej pasur thjesht realizëm, dhe jo realizëm socialist! Këtë të fundit duket se e paskëshin aplikuar vetëm shkrimtarët dhe artistët e provincës! A thua udhëheqja e asokohshme është munduar tërë jetën ta bindë popullin se komunizmi nuk ia vlente, e këtij qëllimi nuk ia arriti dot as edhe pas rënies së hijes së Murit. Jo pak antarë të KQ të Partisë janë assete të vyer të shtabeve kryesorë të politikës së sotme. Të qenit ish-komunist sot është avantazh, teksa ish-të burgosurit dhe ish pronarët mbeten edhe me tej të pafat! Politika dhe shtypi respektiv, ka krijuar idenë se diktaturën e kanë ngritur dhe mbajtur më këmbë ata që u bënë me dosje, dhe jo ata që detyruan dhe hapën me përdhunë këto dosje.
Nuk di të kemi shumë autorë që e kanë ribotuar të plotë veprën e tyre letrare të para-lirisë, përkundrazi: kemi autorë, madje shumë të njohur, që kanë lënë jetim një pjesë të mirë të arsenalit të tyre, thjesht pse vepra e tyre ishte arsenal i politikës së mëparshme. Kulla, si rrallë kush, e ka kryer këtë gjest. Dramat, komeditë dhe skeçet e tij luhen, shfaqen dhe janë ribotuar si dikur.
Me këtë libër, Pëllumb Kulla kryen të njëjtin gjest me kontributin e tij në fushën e shtypit. Partitë kryesore të inskenimit pluralist i ndërruan vendet nga dy herë, por shkrimet e tij për ta mbeten po aq aktualë!
Kulla e fjalës dhe e mendimit publik të këtij autori ka qenë e imponuar të hapë frëngji nga të gjithë anët, nëse nuk ka qenë vetërrotulluese: here në luftë me të majtën, më pas e sot e kësaj dite shembëllen sikur i shkreh bataretë kundër së djathtës. “Shokë” dhe “armiq”, kolegë dhe shefa, të njohur të tij – kanë qenë dhe janë ende miq ose kundërshtarë me të, janë gjendur në krahë apo përballë shqyrtimeve të Kullës, si përpara ligjit dhe kushtetutës: të barabartë si miq dhe armiq! Zhvendosja e tij është thjesht iluzion: ky libër, provon se autori është po ai, një dhe i vetëm: vetvetja! E krijuar prej jetës dhe udhës që ai ka përshkuar dhe përshkruar.
Shqiptarët e Pëllumb Kullës e pranojnë mjerimin ekonomik dhe mungesën e lirive individuale e qytetare në të shkuarën, nën diktaturë pra, por të vërtetat e artikuluara prej shkrimtarit i ftojnë ata ta besojnë si të vërtetë këtë diagnozim edhe sot e kësaj dite. Edhe pse njera palë pretendonte se “…na marrin të keqen krizat e Perëndimit” (Lindja dihet, s’ka kriza fare! E, kur ka pasur ndonjëherë?!), teksa pala tjetër e rinovon me punë vullnetare kryeministrinë, dhe e quan të mbyllur ciklin e tranzicionin me … ardhjen e saj në pushtet!!!
Po të ishte vërtetë kështu, merita do të ishte e ish-pushtetarëve, por si i bëhet që ata përfunduan në fund të këtij tranzicioni në një opozitë aq të leqe-dridhur?!
Nëse Shqipëria s’është atdheu i njerëzve të zakonshëm, nëse shoqëria shqiptare nuk ka ende shenja të një shtrese të mesme të konsoliduar, nëse prona ende nuk ka shkuar tek i zoti (…u tha qartë nga kryeministri i ri: “Toka t’i jepet fshatarit me tapi, sipas Ligjit 7501”, pra kush tha se Berisha paska dalë nga skena?!), nëse në thelb kjo shtresë politike ka shumë të drejtë të mos e dëshirojë hyrjen në Europë, pasi me atë rast rrëzohen tërë maskat e saj, mbetet që Shqipëria të jetë vetëm “Atdheu i Politikanëve”. Pa asnjë mëdyshje, në radhë të parë, atdhe i politikanëve në pushtet. Kjo shtresë politike, o miq të mij, është e tëra në pushtet! Në Opozitë janë ca pako zëra rebelë, dhe …populli, që herë konsiderohet turmë dhe herë sovran!
Gjatë redaktimit dhe leximit të këtij libri, por edhe të shkrimeve të mbramë të Pëllumb Kullës, botuar kudo ku nuk ndalohet emri i tij, duket se gjithnjë pas intervaleve sado të shkurtër heshtjeje, rifillon procesi i rilindjes së opozitarit. Merret vesh, nuk jam unë, i autorizuari, që t’ju paralajmëroj, apo t’ju rrëfej shenjat se ku dhe kur ka filluar skicimi dhe gdhendja e radhës për frëngji të reja të kësaj Kulle…
Motua është e njëjtë: ky mund të jetë Atdheu juaj, po imi jo! Nuk kërkoj Atdhe tjetër, por këtë që kemi, le ta bëjmë së bashku të banueshëm për të gjithë!..
* (Pasthënie e librit nga Faruk Myrtaj që është dhe redaktor i librit)
Faruk Myrtaj, sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale
Shenime per librat/
Nga: Aleko Likaj /France/
Vështrim për një roman që të emocionon deri në tepri, dhe që çdo emigrant e bën që të ndjehet krenarë në vendin ku jeton, punon, e ndërton jetën e tij./
Ikje dhe Atdhe, janë dy“shtyllat” ku shkrimtari Faruk Myrtaj i vendos ngjarjet në romanin e tij të fundit, i cili tashmë është në librari, i gatshëm për të shkuar tek lexuesi. Një hapsirë e velur dhe e endur njëkohësisht midis të dyjave, me pak ngjyrë e ankth pëlhure prej Penelope. Përcillen kujtime dhe përjetimet e një njeriu, për shkaqe që nuk janë aspak të varura prej tij, endet në këtë qerthull, midis vetë ikjes si një proces natyral dhe atdheut, ashtu si një barkë në detin e tallazitur, e cila, pas shumë mundimesh e betejash me forcat e natyrës, zë dhé, duke dalë në breg, që do ti bëhet pastaj të ikurit, një Atdhe tjetër. Në kuptimin më të gjërë të fjalës. Për ikjet është shkruar vazhdimisht. Natyrisht do të shkruhet përsëri. Ballkanasit, por edhe italianët, më pak nga Europa Lindore, dhe ndoshta nga një vend tjetër i këtij pellgu, ikjen, apo mërgimin, siç jemi mësuar ne ta emërtojmë, e përjetojnë si dramë, si plagë shpirtërore, por që në fakt, s’është gjë tjetër, veçse një emocion. Ikjet në përgjithësi nuk janë drama. Janë “aksioma”, ku njeriu guxon që të kërkojë dhe të vendosë një realitet krejt të ri, duke menduar se do ta përballoj më mirë jetën e tij. Dhe lëvizjet demografike gjatë gjithë ekzistencës së botës, kanë ndodhur për shkaqe nga më të ndryshme, duke filluar nga luftërat, sëmundjet epidemike, mungesat e ushqimeve, por edhe në sensin tjetër, ku njeriu, individi, i çfarëdo shkalle shoqerore qoftë, ndjen që i mungon liria, në të shprehur, por edhe në mendimin se si i perjeton gjërat ai në mjedisin që e rrethon. Në këtë rastin e fundit, shoqëria ku ai po jeton, është dhe mbahet peng i politikave të mbrapshta që prekin individin, duke e trajtuar atë thjesht si numër, a shifër arithmetike, që do ti shërbejë pastaj ligjvënësve për një votë më shumë, në ndrimin e kuajve të pushtetit. Edhe pse duket sikur këto ndodhin vetëm në shoqëritë totalitare, koha po tregon se edhe në demokracite e brishta si kjo e jona, ndodh.Ndodh.Nuk e di pse, se, në baladat për mërgimin, këngët, rapsoditë, krijimet poetike të autorëve anonimë popullorë, që në fakt janë një vlerë, një thesar i patjetërsueshëm dhe i padiskutueshëm i folklorit tonë, ka shumë dhimbje, mall dhe lot. Një dramë e vërtetë në kufijtë e tragjedisë. Dhe legjendës njëkohësisht. Të paktën kështu i përjetojmë dhe sot. Duket si një lloj pengu a marazi për të ikurit e shumtë të kësaj bote, të afërmit tanë, miku apo shoku. Kështu na konstrukturohet përpara syve ngrehina e ikjes, si një kompleks dhimbje, e hatashme, si një humbje që nuk zevendsohet kurrë. “Iksh e marrësh dhenë“, duan të namatisin dikë, kur ky me sjelljet e tij, qëndrimin, raportet midis njerërzve, dashakeqesinë, bëhet problematik. Po ku të iki? Prapa maleve thoshin nënat e gjyshet tona… Iksh, iksh…..ikje ikje. Por njerëzit sot nuk ikin për shkaqe që i mendonin, ato të urtat e të mirat tona, edhe pse nomatisnin aq ashpërsisht në kuptimin figurativ. Kurrkush nuk i thotë sot që “iksh e marrësh malet“ njeriut që e ka një hall, a brengë, një dramë brenda tij që bie ndesh me realitetin ku jeton. Është një zgjedhje krejtësisht individuale, si një ëndërr për shpëtim, për një jetë më të mirë. Eshtë në fund të fundit një provë. Një provë qendrese. Ikja për të ikurit nuk është kurrfargjëje, përveçse “Varka e Noes“, figurativisht. Natyrisht, ai që mbetet pas është Atdheu. Atje ku na ka rënur koka, thotë një nga rilindasit tanë. Është ky që me fije të padukshme të mban lidhur me përjetimet, dashuritë për njerëzit, kujtimet, së bashku me nostalgjitë. Kur themi, atdheu, nënkuptojmë kombin. Esteti Ernest Reman ka thënë: “kombi është një frymë, një parim shpirtëror“. “Balta e gjaku“, e përkufizon një shkrimtar shqiptar i ditëve të sotme. Është pikërisht ky që të trazon gjumin e natës, në momentin e parë, që i ikuri e ka lënë nga pas. U ndodh të gjithëve. Dhe s’ka se si, që të mos krijojë vuajtje, brengë, plagë në shpirt. Eshtë pikërisht kjo, që ne sot kemi një trashëgimi të shkëlqyer në folklor, në arte dhe letërsi. Atdheu tërheq si një magnet, dhe të ikurit në këto kohë moderne që po përjetojmë sot, vendosin lidhjet, sapo kanë cekur “bregun tjetër”, në një realitet krejt të ri. Nuk është aspak rastësi që këtë lloj statusi e mardhëniesh me kombin, shqiptarët e kanë saksionuar e fiksuar edhe në himnin kombëtar, ku thuhet: Se zoti vetë e tha me gojë/ Se kombet shuhen përmbi dhe/ Por Shqipëria do të rrojë/ Për të, për të luftojmë ne.
Tepër sinjifikative. Befasuese, me një dashuri e përkushtim deri në sublim. Këtu shqiptarët nuk të falin.Ndërkohë që sot në shekullin e ri distancat shuhen. Bëhen inekzistente, deri në tepri. Interneti dhe lundrimi në të, që për hir të realitetit të merr kohë. Të vjedh. Por edhe antenat që ta sjellin afër në ekrane, edhe pse nganjëherë të mbajnë rrob të surrogatove që përgatisin stacionet në këtë shoqëri konsumi alla shqiptarëshe. Gjithësesi pas kësaj rrokoapuje, Atdheu qendron, ashtu si një motiv, real, me dimensione si një fortesë, krejtësisht i pastërt, e fluoreshent.
Po pse ndodh?
Shkaqet dhe arsyet ne i thamë më sipër. Por shkrimtari Myrtaj në romanin e tij “Atdhe tjetër” në një stil kafkian, jo nga forma, por nga nënteksi, ritmi e metafora, që në rastin tonë konkret është e shfaqet tepër fuqishëm e sjell mjeshtërisht këtë raport midis ikje dhe atdheut.
I njohur në prozën shqiptare në keto tre dekadat e fundit, me tregimet e tij, që për mua gjithmonë të zgjojnë mendime, për shkak të mesazheve qytetare që përcjellin ato, por edhe për gjuhën e pasur dhe të pastërt, e krejtësisht figurative, me tharm dhe elokuencë, ku ndjehet një intonacion i fuqishëm folku i zonës ku ka lindur dhe jetuar vite më parë, autori të befason sërish. Pa dyshim që Faruk Myrtaj është tashmë nga prozatorët e tregimtarët tanë më të mirë në fushën e letrave tona shqipe .Më duket se është sprova e dytë në roman, e Myrtajt, dhe në këtë gjini, vjen e shpërvilet po aq mjeshtërisht si në tregim. Ka të njëjtat ngjyra, në stil, dhe në mënyrën e të rrëfyerit e kompozimit, që e dallon krijimin e tij nga plot autorë të tjerë.
Më kish ndodhur të udhëtoja me atë tren lokal, por ishim mësuar me të, s’kish pse na dukej i çuditshëm. I çuditshëm po më dukej më vonë, pasi dikush që vizitoi vendlindjen time vërejti se ky tren ecte aq ngadalë sa mund të zbrisje prej vagonit të fundit, të ndizje cigarin te një këmbësor dhe të hipje sërish.Kjo situatë ka gjendje . E vizatuar nën një ndriçim gati surealist, dhe e nënvizuar që në fillimin e librit, të duket sikur të merr përdore dhe të fut menjëherë në rrjedhën e romanit: “Atdhe tjetër“. Është jeta dhe fati i një intelektuali, në rastin konkret, që përjeton irealen në një shoqëri me demokraci tepër të brishtë si ajo e jona, që e bën atë të jetë gjithmonë në udhëkryqe, dhe që në shumicën e rasteve nuk të nxjerrin kurrkund, nuk të jep shpresë dhe liri. domosdoshërisht të kërkuara për një normalitet shoqëror.
Njeriu shkon drejt mbylljes, sapo pushon së kërkuari, por hijen e palirisë e ndjenë kur i kufizohet hapësira.Pohon çiltërsisht personazhi kryesor i romanit të Myrtajt. Dhe pas kësaj natyrisht merr edhe vendimin, që është i barazvlershëm me ikjen, që në fakt mban brenda asaj dhimbjen, dashurinë dhe mallin për të afërmit, miqtë e raportet me ta, ambjentin…është vetë atdheu brenda atij përjetimi, që gjithësesi, të krijon një stres, a nostalgji.
Njeriu tashmë e ka bërë zgjidhjen…por vjen në ndihmë poeti:“…Do duhet të lësh gjithçka që ke dashur më shumë, kjo është shigjeta që harku i ekzilit godet së pari…”
Realitetet nuk janë gjithmonë ato që gjithkush i paramendon. Këtë përjeton edhe personazhi i Myrtajt, ku i duhet të përballet jo vetëm një mori problemesh, që nga akomodimi, kurset, ecejaket nëpër zyra deri tek sigurimi i një pune për të jetuar. Pikërisht, ky është momenti i streseve që në një retrospektivë e bën emigrantin ta vuaj ikjen, si një dramë, a si një kujtim i ndërprerë i mbetur në një celuloid filmi që nuk do ta shoh më…kemi lënë aq shumë gjëra…Lamë prindërit, miqtë, po ndërrojmë gjuhën, dhe, po të lemë edhe cigarin…duket se mbetemi pa gjë…Thotë ai, ndërsa përballja me realitetin e ri do ta vejë tashmë me sfida krejt të reja. Por ajo që do ta shoqërojë të ikurin gjatë gjithë atij fillimi të vështirë, është brenga që ka lënë nga pas. Nëna…..letrat e saj që i shuajnë mallin e djalit të ikur, kthehet në një lejtmotiv. Pastaj fotografitë që emigrantët marrin me vete… janë penelatat plot nngjyra që autori e mban mjeshtërisht lexuesin e tij brenda dramës së personazheve të tij.
Emigrimi s’është gjë e re në historinë e botës, por është plagë e re në kujtesën e vendit tim të mbyllur. Por njeriu e gjen një forcë, nuk qaravitet, e shpërvjel mjeshtërisht dimensionin e tij. Personazhi i Faruk Myrtajt, nuk është aspak disfatist, madje i përgjegjshëm për gjithçkah realizon e krijon me punën e tij, atje në mjedisin tjetër me njerëz krejt të rrinj e të huaj, që do ti ketë këtej e tutje shok e miq të rrinj.
Emigracioni është veç një copë herë e shkurtër e kësaj ikjeje të papushimtë, të cilës i isha dorëzuar prej kohësh, ikje që po arrija ta përshkoja përgjatë një mbylljesysh në terr, brenda kësaj hapësire të limituar, si në një sjfaqje filmi me shpejtësi drite në një ushtrim ëndërritjeje.
Personazhet e kurbetit Pepe, Kliti, Tina-Piktorja, Mesuesi Greg, Paulina, madje për këtë të fundit autori shkruan se, ajo nuk ekziston më, por letrat bankare e bëjnë të pranishme përballë personazhit e familjes së tij. Tinën, rasti e kishte sjellë që të njihej në Tiranë. Pikërisht kjo do ti thoshte dhjetë vjet më vonë “Paske ikur edhe ti?!”, Myrtaj i jep dhe i përshkruan me ngrohtësi me nota lirike e realiste, në të gjithë dimensionin e veprës, pa bërë aspak dallime midis bashkombasve të tij, edhe ata të ikur, me të njëjtën dramë, shkaqe e arsye, për një jetë krejt të ndryshme. Autori vizaton dhe jep pasazhe interesante. Personazhi i tij kalon nëpër dilema kafkiane. Ngjashmëria me personazhet e tij mbase konsiderohej si bindjeje qytetare, në të përditshmen e thjeshtë të jetës së një emigranti, i cili duhet që të mendojë, të veprojë, të përjetojë, të mari vendime e të flasë në një gjuhë tjetër. Kjo është një dilemë që ta shpalosë krejt ndryshe realiteti i ri. Dhe këtu ka një sinqertë të veçantë… nëse bëj mëkat kur pyes: – thotë autori me gojën e personazhit – në a thua vetëm një gjuhë tjetër, ajo e mëmës, ekziston që njeriu të ndjejë e të shfrejë lëndimin e vërtetë? Edhe moskuptimin a keqkuptimin shkaktuar në gjuhë tjetër? Nuk pyesja, s’kërkoja përgjigje. Më qè shndërruar në mjegull gjithçka, ku kolovitesha si fëmijë që të ardhmen e pret fëmijërisht, pa asnjë rè në qiellin e syrit. S’kish pse vrisja mendjen, as të shpjegohesha. Për asgjë, në asnjë gjuhë…
Eshtë gjithmonë i mundimshëm, por edhe i lodhshëm, natyralizimi, fizik e shpirtëror. Faruk Myrtaj duket sikur me finesë e art, të merr përdore dhe të shëtit pastaj nëpër faqe plot histori qendrese e përballimi, ku tregohet se si individi i ardhur, i ikuri nga atdheu i tij, ze vend me punë e sakrificë, larg çdo dyshimi se dikush mund që ti kufizojë lirinë e tij. Madje kjo e fundit, respektohet, nderohet dhe mbrohet jo vetëm me ligj. Dhe ai kupton shpejt tashmë diferencën, dhe mrekullohet njëkohësisht që ka gjetur dhe prekur ëndërën, pikërisht atë që i mungonte në atdhe. Atë që i a kishin uzurpuar dhe i keqpërdorën njerëz të cilët i a devijuan atdheun nga shinat e demokracisë. Por gjithmonë njeriu, i ikuri e ka një sy dhe një vesh nga pas. Shpreh keqardhjen, edhe pse ai është dhe ka hyrë në rrjedha të tjera, të përditësuara: S’ është e lehtë të mbetesh burrë shteti në atë vend… (…në vendin e qeverisur prej tij, njerëzit vazhdojnë të ikin…)Por dashurinë për dheun që e lindi nuk mund nuk mund që ti a pengoj kurkush. As që mendohet. Ndaj thotë: Poeti e bën atdheun prej fjale, kudo ku është. Dhe, sidomos atë dheun tonë, mund ta duash më shumë kur je larg, për të mund të bësh më shumë prej larg tij; se po të jesh atje brenda ta shkoqin trupin çika-çika dhe shpirtin vrerë ta bëjnë…Le që, këto histori ndodhin në tërë botën.
Heroin e romanit të Myrtajt, e mrekullon pamja që një prej emigrantëve shfaq në rrugë: mban gjithnjë dy flamuj me vehte: flamurin e vendit nga ka ardhur dhe të NorthLandit, ku rrojnë bashkë me atë! Natyrisht kjo është edhe rruga që i a rezervon e ardhmja edhe atij. Dhe nuk është aspak e gjatë…
Por kjo e ka një kulm të figurshëm, që në pamjen e parë duket shumë domethënës dhe njëkohësisht shprehës, kur mbrin në shtëpi ftesa për të qenë vëzhgues i zgjedhjeve në qytetin dhe në vendin ( Atdhe) e tij të ri. Ai i beson lirisë…“Atdhe tjetër” i shkrimtarit Faruk Myrtaj, është në fakt një rrëfim biblik për të ikurit në të gjithë dimensionin e saj të vërtetë. Një poemë. Metafora e tyre ndjehet e fuqishme në faqet e librit. Autori nënvizon fuqishëm idenë se kjo masë e të ikurve, që është kthyer në një refren të përdittshëm i kësaj bote “rrezaton” së fundmi tek dykuptueshmëria e nocionit Atdhe, që në fund të fundit, përfshin edhe të lënin pas. E figurshme. Të ikurit e duan atdheun, jo ashtu siç e lanë. Sepse… Ai atdhe ka qenë imi, shumë më pak se ç’më është sot ky këtu…!
Pa dyshim, që romani i Myrtajt, është një nga krijimet më të mira të këtyre viteve të fundit në letërsinë tonë shqipe, i cili trajton fatin e individit në shoqërinë tonë post-komuniste, i cili përballet me një tranzicion tej të zgjatur. Problemet e mprehta shoqërore, që përzihet me reminishencat e së kaluarës, mungesa e lirisë, baltosja, kaosi psikologjik, dhe pasiguria, bëjnë që individi nuk mund të përballet, qoftë edhe “heroikisht” me mjedisin e sëmurë, në një shoqëri që lëngon nga mungesa e hapsirave më elementare. I dhënë artistikisht e me kulturë, ai sjell mjeshtërisht mesazhe për një jetë të paqme, shumë dashuri, besim, dhe sinqeritet njerëzor.
“Atdhe tjetër“ është në fakt një përjetim me shume emocion, që mund ta bëjnë veçse shkrimtarë të fuqishëm dhe me përvojë. Faruk Myrtaj, me një shqetësim e nerv qytetar, e ka sjellë atdheun tjetër të tij prej fjale, duke i thënë të gjitha të vërtetat, si një artist. Dhe këtu, në këtë pikë, ka qenë dhe mbetet i veçantë.(Kortezi Sofra letrare)