• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Hijet e frikshme të së kaluarës

May 29, 2014 by dgreca

Nga Fatmir LAMAJ/ Ish i Perndjekur Politik/
E kaluara sërisht po na vret me hijen e saj të përgjakur që kohët e fundit po e shfaq hapur qëllimin e vet ogurzi e agresiv për ringjallje. Hijet e saj po enden të etura për gjak nëpër natën e errtë të tranzicinit anonim shqipëtar duke kërcënuar “trimërisht” rrikthimin e saj tragjik. Askënd nuk mund të shqetësoj më kori kukuvajkave enveriane i përbërë nga dordolec të atrofizuar që bartin akoma në mëndjet e tyre të mykura dhe në zemrat e tyre të kalbura mbajtja e portreteve të diktatorit më gjakatarë që ka njohur historia e këtij vendi, por duhet të shqetësoj çdo shqiptarë që i dhimbset ky popull e ky vend për atë që po ndodh aktualisht kohët e fundit. Në qoftë se tendenca e këtij fenomeni rrënues do të ishte ekskluzivizitet apo qëllim në vetvete i një pjese nostalgjikësh arkaik, të lidhur kriminalisht nga komplekset e fajit me të kaluarën dhe e lokalizuar në periferi të jetës politike të këtij vendi ky nuk do të përbënte ndonjë shqetësim të madh,por këtu ka diçka më shumë. Në festimet e fundit komuniste, si në 5 Maj e në 24 Maj nëpër homazhe e tribuna me grushtin ngritur, me grushtin si simbol i përshëndetjes komuniste dhe përçarjes kombëtare deri në tragjedi deri dje i “harruar”, sot “çuditërisht” ngrihet guximshëm e paturpësisht si mesazh ogurzi për një rikthim të së shkuarës sllavo-komuniste dhe jo si një gjest pa qëllim për “rilindjen”, e premtuar nga politikanët që sot janë në pushtet . E keqja këtij vendi nuk mund t’i vij kurrë nga një turmë nostalgjikësh që kërkojnë rehabilitimin e figurës makabre të Enver Hoxhës, se në kopshtin e harlisur me barishte të keqija të pseudo demokracisë shqipëtare vërehet me shqetësim e dhimbje se këta rilindas të vetëshpallur të tillë po zhgënjejnë çdo ditë e më shumë shqipëtarët në shpresat e tyre se këtu do të ishin ndryshe, por koha si një laktus i pamëshirshëm po tregon të kundërtën duke shngjyrosur çdo ditë e më shumë premtimet e dikurshme. Rilindja vdiq pa lindur sepse mitra e infektuar ku ajo u ngjiz si ide e premtim nuk mund t’i jepte asaj mundësi për të jetuar, toka e atij livadhi që rriti për 50 vjet vetëm barishte helmuese ishte helmuar njëherë e përgjithmonë dhe ajo nuk mund të riprodhonte lulet e premtuara veçse bimësin e trashëguar. Kur Pandeli Majko ngre grushtin në sy të Ambasadorit Amerikan, grushtin si simbol të përshëndetjes komuniste dhe e quan atë si symbol të bashkimit kuptohet që gjërat kanë ecur shumë larg. Majko i vlerësuar aq shumë nga administrata Amerikane e kohës dhe presidenti i famshëm amerikan Bill Klinton, simboli unikal i çlirimit të Kosovës i cili e priste Majkon në shtëpinë e Bardhë me përkujdesjen e ngrohtësinë e vëllait të madh për të voglin; kjo tregon se trashëgimia komuniste në Shqipëri ka marrë përmasa tragjike dhe me shpejtësi po kthehet frikshëm në një kërcënim vdekjeprurës për të ardhmen e këtij vendi dhe e këtij populli. E keqja e madhe është se ky person ka përsëritje të vazhdueshme në “bëmat” e tij kur arrin ta quaj Mitat Frashrin , kokrra e kolaboracionistit; Mitat Frashari një nga potriotët më të mëdhenj të ketij vendi i cili deri në vdekje i shërbeu me devocion proverbial kauzës kombëtare dhe jo kauzës sllovo ortodokse të komunizmit të cilët baballarët tuaj i shërbyen me zellin e shërbëtorit të përulur duke e shndërruar këtë vend në oazin e vdekjes e skllavërisë në mes të europës së qytetëruar e demokratike. Në një bisedë që kam patur shumë kohë më parë, Mars 1999 së bashku me disa miqtë e mi me Sali Berishën, i kam thënë këto fjalë: njëriu gjithçka mund të tradhëtoj në jetë e nga gjithçka mund të tradhëtohet përveç origjinës, atë as nuk e tradhëton dot e as ajo nuk të tradhton kurrë. Mesazhi besoj se është tepër i qartë se kodi gjenetik si në aspektin biologjik e atë politik mbetet gjithmon faktor determinues në mënyrën e të vepruarit dhe të menduarit. S’mund të ndodhte ndryshe më 24 Maj në Përmet, kur Meta së bashku me korin e kukuvajkave do këndonin arjen e vdekjes së këtij kombi Enver Hoxha tunjateta Ilir Meta gjithçka që ka arritur në politik ose më mirë në bisnes politikën e tij e ka realizuar me sensin e fort pragmatist duke u shëndërruar në një rast të vaçantë në politikën shqiptare e më gjërë. Biri i një oficeri që deri vonë shiste lakra te pazari i ri me ambicje politike e qëllime të qarta pasurimi, diti të lundronte mjeshtërisht në ujrat e turbullta të politikës shqiptare duke u ngjitur dhe për hir të disa konjukturave deri në majat e saj më të larta . Kur dinaku Nano ja ndërpreu karrierën e tij në pushtet ai ishte bërë mjaftueshëm i fuqishëm ekonomikisht për të krijuar lëvizjen e vet politike të cilën e pagëzoj LSI. Në këtë lëvizje u përfshin të gjithë të pakënaqurit prej Nanos, ekstremistët komunistë, ish sigurimsat si dhe zyrtarët e nënpunësit e doganave dhe policisë të hequr për korrupsion ( dhe kur të hiqte Nano për korrupsion, kuptohet se sa i ndershëm ishte). I mbijetoi rastësisht dështimit të plotë në 2009 për shkak se Berisha nuk e arriti numrin e nevojshëm për të qeverisur duke hyrë në një koalicion nga i cili përfitoi shumë dhe duke dëmtuar akoma më shumë Berishën, të cilin e braktisi si aleat në momentin që i kishte rrëmbyer gjithçka, si dhe mundësinë e fitores së pamundur. Sot ai ka rreth vetes pjesën më konservatore e më fajsore të diktaturës, si enveristët e ish ushtarakët (ish sigurimsat), me të cilin bashkohen për të kënduar arien e vdekjes së këtij populli “Enver Hoxha Tungjatjeta”. Komunistët kanë 70 vjet që akuzojnë Zogun për një krim të pakryer, vjedhjen e floririt nga arka e shtetit shqiptar, ndërsa “çuditërisht” për thesarin e shtetit që u vodh ditën për diell kur ju zoti Meta ishit kryeministër, po hesht plotësisht. Në këtë vend kanë kaluar shumë pushtues, por askush nuk u ka rrëmbyer shqiptarëve pronën e pasurinë, me dhunë siç bëri “babai juaj” Enver Hoxha, që u rrëmbeu shqiptarëve gjithçka që ata kishin, deri edhe jetën. Mijra e mijra shqiptarëve j’u rrëmbyen pronat dhe floriri nëpërmjet torturave më çnjerëzore; floriri i grumbulluar prej shekujsh në këtë vend prej stergjyshërve, gjyshëve, baballarëve dhe prej vetë atyre… dhe sot ai flori dergjet në heshtje si një dëshmi tronditëse në bankat e huaja, ku në çdo kallëp të tij është një rënkim, një grusht lot, si dhe një jetë e marrë padrejtësisht nga kryexhelati Enver Hoxha, të cilin ju sot kërkoni t’a rehabilitoni padrejtësisht në formën më fyese për një popull të tërë. Zoti Meta, kur ti festoje bashkë me veteranët në përvjetorin e Kongresit të zi të Përmetit ( i zi për vendimet që mori), ne të burgosurit politikë ishim në Qaf-Bari për të përkujtuar 30 vjetorin që u bë atje kundër diktaturës, duke përkujtuar shokët tanë të pushkatuar nga dora e xhelatëve komunist. Zoti Meta nuk besoj se do jetë në pa vemendjen tuaj dhe jo rastësi vendosja e Ilir Mustafarait, ish-zevendës ministër të diktaturës që ishte pjesëmarrës dhe drejtues në shtypjen me gjak e me dhunë të asaj revolte sërish si zëvendës ministër i punëve të brëndshme dhe përfaqësuesi juaj në atë dikaster. Ata u pushkatuan më 24 Maj të 1984, më 24 Maj të 1973 u pushkatuan edhe martirët e tjerë të revoltës së Spaçit dhe për ne të burgosurit politik do të mbetet gjithmonë një ditë e zezë po aq edhe krenare. Sot mbas 20 vjetësh “demokraci” në vend që të çoni një tufë lule tek varri i martirëve, ju preferoni t’i çoni lule xhelatit. Turpi i politikës e i politikanëve shqiptarë, që në atë ditë aq kuptimplotë për gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri gjatë diktaturës nuk erdhi kurrkush të vendoste një tufe lule në Qaf-Bari. Turp për zyrtarët e sotëm se në karriget ku janë ulur është edhe gjaku i atyre martirëve e dhimbjet e sakrificat e mijra e mijra të burgosurve politik. I vetmi zyrtar i lartë i këtij shteti që e nderoi atë përkujtimore me pjesëmarrjen e vet ishte vetëm zoti Bujar Leskaj, kryetar i kontrollit të lartë të shtetit, i cili në vazhdimësi ka reflektuar pa mëdyshje e gjithmonë vlerat e veta njerëzore e morale në mbështetje të kësaj shtrese. Një pjesë e madhe e juaja, me angazhim të inspiruar nga dëshira për ndryshim apo edhe për arsye të tjera që u futën në politikë nga dhjetori i ’90 e këtej akoma kini pretendimin absurd që ishit ju që na nxorrët nga burgu; Jo, zotërinj, ne ju nxorrëm nga burgu juve, ku ju kishte futur Enver Hoxha, juve dhe një popull të tërë që nga Berisha e deri tek më i fundit. Ishte dhe do të mbetet gjithmonë kauza jonë për liri e demokraci, dhimbjet e sakrificat, gjaku i derdhur dhe rinitë e humbura për këtë kauzë e për këtë ëndërr që kurrë nuk e lanë të humbiste e të vyshkej. Ndërsa ju, në kopshin e bukur të ëndrrave dhe idealeve tona, nën marshin Katovician të Ramiz Alisë u turrët të babëzitur duke e shkatërruar tërësisht atë, dikush me qëllim e dikush jo. Nga ai kopësht tani s’ka mbetur asgjë, se ju i shkulët ato lule të bukura për t’i mbjellë në tokat e egra të babëzisë tuaj për pushtet e pasuri dhe një pjesë i bëtë buqeta për t’ua çuar te varrezat etërve tuaj xhelat, e për t’u thënë se ne tani jemi bërë “demokratë”. Ato lule aq të bukura e me aromë u thanë shpejt se lulet nuk rriten në shkretëtirë. Sot ju zotërinj politikanë, të majmur padrejtësisht duke kullotur azat në livadhet e një shteti pa shtet keni krijuar oligarkinë e frikshme të një pushteti të keqpërdoruar dhe “trimërish”e tinëzisht kërkoni të rehabilitoni figurën e kryexhelatit Enver Hoxha dhe bandës së tij gjakatare në kuadrin e “rivlerësimit të drejtë” të Luftës Nacional Çlirimtare. Unë kam respekt për çdo pikë gjaku të kujtdo qoftë që është derdhur në luftë kundër okupatorit dhe deri në momentin që ajo luftë qe e tillë, unë dhe kushdo shqiptar tjetër do t’a nderojmë e do t’a respektojmë gjithmonë, por kur ajo luftë u kthye në një luftë barbarase dhe qëllim në vetvete nga krye krimineli Enver Hoxha dhe banda e tij gjakatare për të marrë pushtetin, pushtetin që lundronte si një varkë vdekje mbi lumin e gjakut të derdhur nga shqiptarët, dhe për kapidenë të saj kishte Tushan Mugoshën, i cili me dorën e vetë ka vrarë me dorën e vetë më shumë se 100 shqiptar patriot, duke i dhënë leksione kriminale Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, unë si dhe çdo shqiptar tjetër që e ndjejmë veten si të tillë, gjithmonë do ta dënojmë atë luftë me pasojat e veta shkatërruese si njollën më të errët në historinë e këtij vendi. Përpjekjet qesharake dhe rrehjet idioteske për të rretushuar të vërtetën duke i dhënë asaj lufte meritën e mospërbërjes e copëtimit të Shqipërisë janë sa qëllim keqe aq edhe me tendenca profaniste mbi historinë. Italia që pushtoi vende të tjera, mbas lufte mbeti po ajo, Austria që j’u bashkua Gjermanisë nuk j’u prekën kufinjtë, si dhe çdo vendi tjetër europian me përjashtim të atyre vendeve që Stalini i pushtoi dhe u detyroi me forcë ndryshimin e kufinjve. Historia tashmë e ka dhënë verdiktin e saj për atë luftë dhe figurën e nxirë të krye përbindëshit Enver Hoxha. Ajo e ka dhënë përfundimisht mendimin e saj të drejtë. Ju avokat të paguar me dashje dhe emocional apo të bërë palë me të keqen për shumë e shumë arsye, s’mund tu pranoj më asnjë lloj revokimi të paraqitur në gjykatën e saj supreme. Figura e kryexhelatit Enver Hoxha, që i bëri gjëmën një kombi të tërë do të mbetët përjetësisht figura më e zezë në historinë e këtij vendi. Ka ardhur koha dhe ndoshta është tejkaluar me kohë shkëputja njëherë e përgjithmonë nga tentakulat gjakthithëse dhe endrrat vrasëse të enverizmit. Zoti Rama, ata “kolopuçët enverist” që ke rreth vetes, të detyruar nga rrethanat për të qeverisur këtë vend, këshilloi të mos luajnë me zjarrin sepse nuk do të kenë asnjë mundësi për ta fikur dhe në flakët e atij zjarri do të digjet Shqipëria, e cila akoma po lëngon e drobitur deri në vdekje nga plagët e shkaktuara nga enverizmi dhe enveristët që e sundojnë këtë vend për 70 vjet.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fatmir Lamaj, Hijet e frikshme, të së kaluarës

Akuzë e re kundër Fatmir Limajt

February 19, 2014 by dgreca

Për të dytën herë me radhë zoti Limaj, ish ministër i transporteve dhe telekomunikacionit akuzohet nën dyshimet për korrupsion/

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ngriti edhe një akuzë kundër deputetit Fatmir Limaj, lidhur me veprimtarinë e tij në kohën kur ishte ministër i transporteve dhe telekomunikacionit në qeverinë e Kosovës.
Në një njoftim të këtij misioni thuhet se “një prokuror ndërkombëtar nga Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër ish-Ministrit të Transportit dhe të Postë-Telekomunikacionit dhe katër personave të tjerë të bashkë-akuzuar për vepra të ndryshme penale përfshirë – krim të organizuar, përvetësim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të detyrës zyrtare ose të autoritetit, marrje e mitës dhe vepra të tjera të lidhura me korrupsionin”.
Sipas prokurorit, “këto vepra janë kryer në ndodhën më 2008 kur njëri prej të pandehurve punonte si Ministër i Transportit. Prokurori pretendon se buxheti i kësaj ministrie është dëmtuar për së paku 890 mijë euro”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Kjo është akuza e dytë e ngritur ndaj zotit Liamj nën dyshimet për korrupsion. Vitin e kaluar atij i qe konfirmuar një akuzë për shpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar dhe marrjes së ryshfeteve si dhe për mosdeklarimin e parave në kohën që konkurronte për zgjedhjet komunale të Prishtinës në vitin 2007.
Akuzat ndaj zotit Limaj pasuan një periudhë të gjatë hetimesh që filluan në prill të vitit 2010, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e Transporteve dhe Telekomunikacionit, ministri që ishte përgjegjëse për ndërtimin e rrugëve, përfshirë edhe autostradën që lidhë Kosovën me Shqipërinë.
Në shtator të vitit të kaluar, zoti Limaj që shpallur i pafajshëm për të dytën herë nga akuzat për krime lufte. Ndërsa në vitin 2005 ai qe shpallur i pafajshëm edhe nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish Jugosllavisë.
Fatmir Limaj, aktualisht deputet në Parlamentin e Kosovës, ishte një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të kryeministrit aktual Hashim Thaçi dhe nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Pak ditë më parë ai shpalli largimin e tij nga kjo parti dhe paralajmëroi krijimin e një force të re politike bashkë me kryetarin aktual të Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi.(VOA)

Filed Under: Featured Tagged With: Akuze e re, Fatmir Lamaj

PËRSE DUHET TË HAPEN DOSJET?

November 5, 2013 by dgreca

NGA FATMIR LAMAJ/

U bënë mbi 20 vjet qw fjala “dosje” si nocion superposhtrues për të gjithë shqiptarët po sundon kërcenueshëm jetët tona si një hije e zezë e trasheguar frikshëm nga e kaluara. Dosjet ishin dhe mbeten prodhimi më monstrues i krimit komunist, të cilat kanë prodhuar dhe vazhdojnë të prodhojnë akoma krim. Dosjet ishin mekanizmi më pervers i diktaturës ne mbajtjen e pushtetit por ato vazhdojnë të mbeten si të tilla dhe në pseudodemokraci apo neokomunizmin e derisotëm. Berisha dosjet i përdori me shumë efikasitet në superpushtetin e tij të pamerituar duke bërë zap ndonjë të rebeluar që mundohesh të ngrinte pak zërin ndaj padrejtësive të shumta që bënte ai në adresë të atyre që e sollën në pushtet sipas skenareve oruellian ku “vëllai i madh” kontrollonte gjithçka nëpërmjet tyre. Kurrë një shoqëri nuk mund të jetë e lirë pa u çliruar më parë nga e kaluara e saj e përgjakur dhe poshtëruese, e cila në çdo cast e kamzhikos pa rreshtur ndërgjegjen e rënduar nga fajet pa faje.

Përse themi fajet pa faj? Sepse në jurisprudencën e çdo vendi demokratik është e konsakruar ligjerisht se çdo pohim i marrë nën dhunë është i papranueshëm juridikisht. Dhe ato dosje janë produkti më kriminal i diktatures komuniste. Ato janë krijuar në ambiente të errëta të sigurimit të shtetit nën torturat më çnjerëzore ku jo të gjithë arrinin t’i përballonin, nën kërcenimin për burg, për bukën e fëmijëve, për internimet në skajet me të largëta apo për gabime, dobësi dhe faje të sajuara. Këto dosje në vetvete pikojnë gjak, lot dhe pendesë të mëvonshme për të gjithë ata që kanë firmosur nën dhunë ndërsa për pjesën tjetër që vullnetarisht me ndërgjegje të plot hoqen nga morali i tyre, ato u kthyen në burim mirëqenie dhe pushteti. Duke njohur mirë përberjen e Parlamentit shqiptar nga 1991  e deri më sot, në krahun e vet pseudo të djathtë e deklaroi pa frikë se mbi 134 deputetë kanë qenë me dosje (se pa dosje Berisha s’të pranonte brenda rradhëve të tij), të cilët edhe sot gëzojnë në mënyrë të pamerituar privilegjet e ish deputetllëkut. Diktatura  nëpër jet sigurimit të shtetit kishte ndërtuar mekanizmin e vet shkatërrues të jetës dhe personalitetit të çdo shqiptari, të cilin ajo e konsideronte armikun e vet dhe kalimin nëpër ingranazhet vdeksor të atij mekanizmi ishte shumë i vështirë gati mbinjerëzor dhe jot ë gjithë mund ta përballonin atë provë të tmerrshme.  Më kujtohen sot fjalët e një japonezi të mbijetuar nga hedhja e bombës automike të Hiroshimës, kur vëllai i tij i vogël i kërkonte ndihmë nën rënkimin e plagëve dhe ai nuk e kishte ndihmuar dot. Dhe nën peshën e pendimit tha keto fjalë: “…Dhe unë isha njeri që doja të jetoja. Të gjithë ne që mbijetuam moralisht asaj kohes që prodhjonte veç vdekje  poshtërim, kurrë nuk do të kemi ndjenjën e revanshit ndaj atyre personave që jo për faj të tyre kanë hedhur ndonjë firmë në ato dosje të qelbura, te cilat kanë qenë dhe mbeten plaga e pambyllur e kohës së lamë pas”. Çdo plagë kurrë nuk mund të shërohet pa nxjerrë më parë nga shtrati i saj i qelbësuar gjithë absesin e krijuar ndër vite. Në ato dosje është dhe një pjesë e jona, janë njerëzit tanë si dhe gjithmonë duhen mëshiruar për fatkeqësitë e ndodhura. Dosjet duhen hapur që një shoqëri e tërë të mos rrijë pezull për të kaluarën e vet duke u dergjur në moçalin e ankthit për të njohur një pjesë të vetvetes. Ato duhen hapur që të njohin vetveten dhe të tjerët për të mos u endur më në errësirën e dyshimeve dhe hamëndesimeve për këdo që na rrethon e kemi pranë. Ato duhen hapur që ai që më dënoncoi mua dhe shumë të tjerë i quajtur Dalan Luzi mos të kapërdiset më në Amerikë si një hero i kohës që kaloi dhe që ta marrin vesh e të jenë në dijeni të afërmit Gaspër Çuçisë se ai që e çoi drejt vdekjes ka qenë pikërisht ky person, të cilin sigurimi i shtetit enë ’90-ën e nisi nxitimthi tek i atii tij në Amerike.

Dosjet nuk janë më një sekret në Shqipëri, por ato mbeten gjithmonë një makth nga kthetrat e të cilit duhet të çlirohemi sa më parë. Zhelju Zhelev, presidenti i parë demokrat i Bullgarisë thirri shefin e shërbimeve sekrete dhe i kërkoi dosjen e vet . Ai ia solli dhe pas ndonjë muaji me nuhatjet e vet agjentutore konstatoi se Presidenti se kishte hapur fare dhe i thotë: “Zoti President, dosjen Tuaj ju se keni hapur fare”. Presidenti me qetësinë e tij i thotë: “Merre se nuk kam dëshirë ta hap atë paçavure, se kam frikë se mos gjej emrin e ndonjë miku që nuk dua ta humbas”. Mesazhi ishte i qartë, por më mirë është ta humbasësh atë mik që nuk ia vlen të jetë mik yt, por kurrë të mos e përbuzësh e urresh për një faj të detyruar. Bashkëjetesa me të keqen, sjell veçse të këqia. Hapja e dosjeve, është e vërtetë që fillimisht do të sjellë tronditjet e veta të pashmangshme por njëkohësisht do të prishi shumë ekuilibra negativë që deri më sot janë krijuar në dëm të të gjithë shoqërisë shqiptare, duke çmitizuar një herë e përgjithmonë pseudoliderët e krijuar në zyrat e sigurimit të shtetit. Hapja e dosjeve do të jetë do të jetë si heqja e vellos, mbas së cilës nuk do të shikojmë më nusen e bukur që kemi ëndërruar por atë shtrigën plagë që me magjitë e saj nxin çdo ditë jetët tona.Dosjet janë gropa skeptike e bëmave dhe gjëmave që la pas diktatura komuniste dhe kjo gropë skeptike duhet të hapet një herë e përgjithmonë që mushkeritë tonë të mos helmohen çdo ditë nga era e saj e keqe. Ato duhet të hapen që ish spiunët e sigurimit të shtetit të mos trazoojnë më jetët dhe shpirtrat tanë të lodhur nga e kaluara e zezë, që ndonjë ish kryetar Bashkimesh profesionale të mos vetdeklarohet President i Unionit të Burgosurve Politik pa pasur asnjë ditë burg dhe internim, që ndonjë tjetër pseudo i persekutuar me partinë e tij të subvensionuar dhe të mbështetur nga Berisha, të mos flasin më  në emër të shtresës të të persekutuarve politikë.

Si përfundim, dosjet duhet të hapen dhe sa më shpejt të jetë e mundur, pavarësisht nga klithmsat e atyre që do të jenë të detyruar të paguajnë çmimin  e vet moral për të kaluarën e tyre, ndonëse ky çmim do të jetë i përbashket për të gjithë shoqërinë shqiptare.

Zoti Kryeministër! Me autoritetin që ju jep detyra dhe Ligji, hidhe  këtë hap të guximshëm për ta shpëtuar një herë e përgjithmonë shoqërinë shqiptare nga kjo mënxyrë që la prapa diktatura komuniste duke pasur parasysh thënien e famshme të Monteskies: “Më mirë një fund i tmerrshëm se sa një tmerr i pafund”.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: dosjet, Fatmir Lamaj, perse duhet te hapen

Moisiu i rremë apo Juda i vërtetë

October 2, 2013 by dgreca

Nga Fatmir Lamaj/ i burgosur Politik/

 Faraoni kishte kohë që kishte vdekur dhe zëvendësuesi i tij mezi po e mbante në këmbë Perandorinë nga pasoja shkatërruese të sundimit të gjatë dhe të egër të Faraonit të madh. Njerëzit e uritur dhe të shtypur çdo ditë po bëheshin një kërcënim real për përmbysjen e pushtetit faraonik. Pjesa më e egërsuar mbeteshin Hebrenjtë që tradicionalisht në historinë e gjatë të pushtetit faraonik kishin qënë më të persekutuarit dhe më rebelët në përplasje të vazhdueshme  që kishte pasur Faraoni i madh me këtë rracë të pandreqshme të cilët për hir të së vërtetës ai kishte mundur me egërsinë e pushtetit të tij. Por përsëri ata ishin bartësit e një rreziku të madh ndaj atij pushteti që gjithmonë kullonte gjak dhe lot. Për ta dhe ndaj tyre duhej gjetur patjetër një zgjidhje me sa më pak pasoja që të ishte e mundur dhe këtë zgjidhje e impononin rrethanat e vështira në të cilat po kalonte perandoria. Rreth kufinjve të perandorisë popujt e tjerë e kishin fituar me kohë lirinë dhe flakët e kryengritjes vazhdonin çdo ditë të ngriheshin rreth kufinjve aq të vogël dhe të pamat në qiellin deri në atë kohë të qetë të perandorisë. Dyhej patjetër të gjendej një zgjidhje, një zgjidhje që duhet ti shërbënte në kohë dhe vazhdimisht ëndrrës për pushtet dhe dëshirës për të mbijetuar… dhe befas një ditë mendja djallëzore e zv/Faraonit, pasi ishte këshillluar gjatë me 3 kastat e fuqishme të pushtetit të tij, me kasta e magjistarëve (sigurimi i shtetit), me kastën e priftërinjve (sekretarët e partisë së tij), dhe me kastën e ushtarakëve (hierarkinë e lartë të Ministrisë së Mbrojtjes), ai vendosi të lëshojë pak pushtet nga pushteti i tij sa i frikshëe dhe aq i pakufijshëm. I njohur për djallëzitë dhe poshtërsitë si dhe lidhjet e shumta me familjen faraonike zv/Faraoni, kishte krijuar besimin e nevojshëm tek këto kasta të fuqishme të pushtetit absolut për të bërë ndryshimet e nevojshme për mbijetesën e tij dhe gjithë familjes faraonike. Në rradhë të parë duhëshin rregulluar mardhëniet tejet të acaruara nga shtypja e gjatë dhe e pamëshirë me hebrenjtë (armiqtë e popullit ose klasat e përmbysyra). Hebrenjtë donin lirinë e ëndërruar prej kohësh dhe në kushtet e krijuara ishte e pamundur tua mohoje… por atyre u duhej një udhëheqë që ti drejtonte në drejtimin e gabuarë (demokracisë dhe lirisë). Pasi morën në konsideratë të gjitha kandidaturat e mundshme u zgjodh ai më i përshtatshmi, Moisiu i rremë i cili do ti printe turmat e hebrenjve drejt një itinerari të paracaktuar nga zv/Faraoni , ku do të binin pa e kuptuar ata vetë në moçalin e madh të zhgënjimit nga ku kurrë nuk do mundeshin për të arritur në tokën e premtuar (lirisë demokracisë). Moisiu i rremë me devocionin pervers ndaj familjes faraonike do të zgjidhte gardën e tij pretoriane për të realizuar sa më suksesshëm detyrën  sa të vështire aq dhe delikate. Me ndihmën e pakursyer të zv/Faraonit i cili do interesohej dhe për uniformat e tyre (pardesyte e bardha dhe xhupat e zinj), për tu bërë të identifikueshëm në turmat e egërsuara duke ju garantuar paprekshmërinë nga ana e organeve të rendit, si dhe paratë e nevojshme për të shumta që kërkonin organizimi  i mitingjeve dhe lëvizjet e pandërprera në çdo cep të perandorisë për të realizuar misionin që u ishte ngarkuar. Moisiu i rremë me djallëzinë e tij karakteristike, shumë shpejt do të dilte në krye të turmave si një lider i gjithpranuar prej tyre duke shfrytëzuar ëndrrën që ata kishin për ti udhëhequr drejt tokës së premtuar. Pas një marshimi të shkurtër në shkretëtirën e asaj kohe Moisiu i rremë u thotë që e mundën të keqen, e përmbysëm zv/Faraonin dhe pushtetin e tij gjakatar dhe hebrenjtë e lumtur duke parë njëri tjetrin me habi filluan të pëshpërisnin midis tyre: si ndodhi kaq shpejt? Ata kishin dekada të tëra që luftonin për të drejtat e tyre të mohuara duke derdhur lumenj gjaku, burgosje e internime pafund dhe si tani papritmas toka e premtuar (liria dhe demokracia), paskan qënë kaq afër dhe ata se kishin parë. Gjithë lavdërimet Moisiut, por pa kaluar shumë kohë ata do ta kuptonin se gjithçka ishte thjesht një mashtrimi zv/Faraonit, I cili I kishte future në një kurth ku ata do ta kishin shumë të vështirë të dilnin pavarësisht nga përpjekjet e pareshtura të tyre. Zv/Faraoni ishte kujdesur shumë në instruktimin që i kishte bërë Moisiut të rremë duke ja mësuar të gjitha taktitkat korruptive dhe represive në ushtrimin e pushtetit. Moisiu i rremë me gardën e vet pretoriane  u mundua dhe ja doli pa shumë mundim të zgjedhe nga turma e Hebrenjve disa pseudopërfaqësues me një të kaluar të dyshimtë duke shfrytëzuar arkivin e zi të policisë sekrete dhe i vendosi ata në poste periferike të pushtetit të tij pamatë. Ai i joshi ata me disa prona nga pasuria i pakufij e perandorisë të cilën filloi ta shfrytëzonte sipas orekseve të tija duke mos i dhenë llogari kurkujt. Ndonjë “guximtari”, që tentonte të dilte nga rreshti dhe su bindej më urdhërave të tij, ai do ti kundërvihej egërsisht duke e dënuar dhe denigruar pamëshirë dhe moral. Shpejt e shpejt përfaqësuesit e hebrenjve do pakësoheshin deri në mosegzistencën e tyre në sferën e lartë të pushtetit dhe çuditërisht do pyesnin njëri tjetrin: si ndodhi kështu? Kjo ështe toka e premtuar për të cilën ne ëndërruam dhe sakrifikuam jetët tona? (liria dhe demokracia për të cilin ishin sakrifukuar breza të tërë). Imazhi I fitores së mohuar po tretej dalngadalë në horizontin e errët të një qielli ku kishte një Zot ablsolut Moisiun e rremë, I cili në dehjen e tij luciferiane kishte filluar talljen e pakursyer ndaj tyre. –Ja e shikoni, unë ju çova drejt tokës së premtuar , ju dhashë lirinë dhe demokracinë të cilën ju s’mund ta fitoni kurrë pa mua!- dhe ata në dyzimin e tyre të natyrshëm pyesnin –Po pronat tona kush I mori?- dhe për hebrenjtë e pabindur Moisiu i rremë ulërinte në çmendurinë e tij të pafund:-Pronat prisni se do ua japim, kur ti kemi marrë ne të tëra. Moisiu I rremë sipas mësimeve të kryeustait u kishte mohuar çdo të drejtë prone hebrenjve sepse dhënia e tyre jo se linte pa gje oborrin e tyre tashmë të fuqizuar po u jepte atyre mundësinë të shkëputeshin nga sundimi I tij duke krijuar pavarësinë e cila kthehej në kërcenim për pushtetin e tij të pakufijshëm dhe të pamerituar. Po të drejtat e tjera?… Çu duhet të drejtat sklevërve. Ata kaq meritojnë. Le të jetojnë në kufijtë e mbijetesës fizike që kurrë mos I kthejnë sytë nga karrikja ime e ngritur mbi gjakun dhe mundin e tyre. Koha në ecjen e vet pamëshirë dalngadalë I rrëzon mitet dhe gënjeshtrat dhe erërat që fryjnë po ja shqyejnë çdo ditë e më shumë mantelin rrëzëllitës. Hebrenjtë dalngadalë po dalin nga gjendja e hipnozës që ju injektoi ai, duke parë çdo ditë e mëqartë realitetin e lemerisshëm ku ndodhen. Çdo ditë që kalon dielli I së vërtetës po ndriçon fort dhe shndritshëm duke verbuar pandalje e mëshirë Moisiun e rremë, duke e lënë atë të zvarritet më kot kalldrëmit plot gropa të ditëve të tij të numëruara. Tani është shumë vonë për atë. Thërrasin në kohë hebrenjtë e zhgënjyer: ai paska qënën Juda i vërtetë dhe ndërshkimi ynë atë do ta ndjekë deri në frymarrjen e tij të fundit! Ç’rracë e keqe janë tradhëtarët? Në çdo gjuhë të botës kjo fjalë mbart mbi vete gjithë imoralitetin dhe turpin e kësaj bote.

 

Filed Under: Featured Tagged With: apo Juda, Fatmir Lamaj, Moisiu i rreme

AKOMA KUISIN HIENAT

September 20, 2013 by dgreca

Nga Fatmir LAMAJ/
              Mbrëmjen e 22 marsit në televizionin Albanian Screen vejusha Nexhmije në një intervistë të gjatë me politologun e njohur amerikan Janush Bugajski midis shumë të pavërtetave tashmë historikisht mëse të vërtetueshme pa ndrojtjen më të vogël morale bëri një deklarim mëse fyes për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë duke i quajtur ata kolaboracionistë e ordinerë…

Fillimisht su besova veshëve të mi dhe ndjeva një turbullim të brendëshëm por dalëngadalë qetësia filloi të fitonte terren në të gjithë qenien time, ku vetishëm shigjetat e shumë pyetjeve më godisnin pareshtur trurun dhe shpirtin si një prej viktimave të diktaturës. Si …! Akoma edhe sot e kësaj dite hyena plakë nuk na qenka lodhur me kauisjet e saj, akoma nuk shfaq as më të voglën pendesë për krimet e kryera? Ku e gjen gjithë këtë guxim pervers një kriminele e paskrupull për të lënduar shpirtrat e atyre që kanë vdekur dhe janë gjallë sërishmi pafytyrësisht? Pyetjet vijnë gjithandej si ujët e një përroi të rrëmbyer me brigjet e tij të thepisura mezi arrin të ndalë vrullin e tyre zemërak. Në  ato momente gjithçka e përjeton nën ankthe tronditëse të së kaluarës ku flakët e kujtesës fillojnë të ndriçojnë çdo skutë të saj. Hiena na del heroinë!!! O Zot, si mund vallë që tek qëniet njerëzore ke krijuar monstra të tilla ku dhe për shumë shekuj të tjerë do të trondisin shpirtrat e një populli të tërë me bëmat e tyre vrasëtare!? Vejusha Nexhmia, ose hiena Nexhmia. Ti e nise karierën tënde politike si një komuniste e thjeshtë, por shumë shpejt i re në sy njërit prej shkaktarëve të tragjedisë Shqiptare, sllavit M. Popoviç ku ai për “meritat e tua” të veçanta do të bënte sekretare të tij, ku do mësoje zellshëm artin e shëmtuar të krimit. Dëshmia ekskluzive e At. Zef Pëllumbit para se të vdiste, e realizuar me zë dhe figurë “Se burrin e bën gruaja dhe ajo ishte sekretarja e M. Popoviç”, besoj se kjo dëshmi është e pakontestueshme kur dihet që e ka bërë një prift katolik. Bashkë me shokun Enver do t’ju pregatiste si kryevrastarët e patriotëve Shqiptarë, si hanxharë që do godisnit pa mëshirë gjithmonë mbi ajkën e patriotizmit shqiptarë që nga koha e luftës e deri në ditët e fundit të egzistencës së regjimit tuaj.
Vejusha Nexhmie apo Hiena Nexhmie. Pasi u zderhallët maleve me emisarët jugosllavë dhe më në fund morët për burra ata që j’u imponuan Miladini dhe Dushani u bëtë elita gjakatare e sistemit ku do ushtronit dhunshëm pushtetin tuaj që çdo ditë prodhonte vetëm vdekje dhe mjerim. Një popull i tërë do kthehej në viktimën tuaj duke e vrarë dhe plaçkitur duke e burgosur dhe internuar. Mijëra të pushkatuarit, të dënuarit, të internuarit dhe syrgjynosurit burra dhe gra, të rinj dhe të reja si dhe fëmijët fatkeq që do provonin internimin dhe urinë pa lindur akoma, do të mbeten gjithmonë në historinë e këtij vendi si dëshmia më rrënqethëse e bëmave tuaja çnjerëzore. Vejusha Nexhmije, Hiena Nexhmie, ti sot ke guximin të quash të burgosurit politikë kolaboracionistë e ordinerë, nga thellësitë e natës së errët ku të ka vendosur historia si shpërblim që marrin të gjithë kriminelët e llojit tënd. Ti që e nise karieren tënde brilante bashkë me shoqet e tua kur ishit në Institutin Nëna Mbretëreshë duke hipur nëpër veturat e ministrave të Zogut dhe në orët e vona për hijeshinë tuaj Gjeneral Serreqi bashkë me Naltmadhninë ngrinin ndonjë dolli, ti që për ty, u vranë shumë nga udhëheqësit komunistë të asaj kohe, se Enver Hoxha i quante si rivalë në planin e kurdisur prej Miladinit për ti hapur rrugën karierës së tij dhe për tu bërë ti gruaja e ardhshme e diktatorit. Ti sulltanesha e bllokut do të thurje mijëra intriga për të ndarë gratë nga burrat e për të shijuar e vetme “Elizirin e pushtetit tënd demoniak”. Dihet se kush janë efektet negative të diabetit në sistemin psikik të çdo të sëmuri të tillë… dhe Enver Hoxha vuante nga diabeti, prandaj busulla e tij orientuese kuptohet që gjithmonë ke qënë ti, për ti hapur rrugën e sigurtë ardhjes në pushtet jaranit tënd Ramiz Alisë. Hiena Nexhmie! Kë akuzon ti për bashkëpuntorë të pushtuesve, patriotët shqiptarë që bënë sa mundën në ato kushte të vështira për ti ardhur në ndihmë shqipërisë dhe shqiptarëve kur ti bashkë me burrin tënd dhe bandën që krijuat me në krye emisarët serb e malazes, armiqtë më të egër tradicionalë të kombit shqiptar (kujtoni vargjet e paharrueshme të Fishtës “Se në mëni të njëni tjetnit kena le”)? Ata që edhe në kushtet e pushtimit u munduan të ruajnë dinjitetin e krenarinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe shpëtuan nga vdekja e sigurtë mijëra e mijëra prej tyre duke përfshirë dhe hebrenjtë e kudo masakruar nëpër Evropë? Kush janë kolaboracionistët dhe tradhëtarët, Mitat Frashëri, Bari Omari, Patër Anton Arapi, Abaz Kupi, Safet Butka, Visarion Xhuvani, Koço dhe Arqile Tase etj. ata  që e krijuan këtë komb apo ju që e shkatërruat tërësisht deri në pamundësinë për tu ringritur sërish, si një nga kombet më dinjitoze të Evropës ashtu siç ishte dikur? Ju burri juaj dhe gjithë kasta gjakatare e diktaturës që krijuat, vratë tek shqiptarët kodin e tyre moral si e vetmja mundësi e mbijetesës së tyre prej mijra e mijra vjetësh, duke i hequr një populli gjënë e tij më të shtrenjtë. A nuk i detyruat ju shqiptarët që një pjesë të madhe të tyre ta bënit spiunë dhe t’u impononit masivisht për mbijetesë vesin e vjedhjes?
Hiena Nexhmie, 50 vjet në historinë e një populli nuk janë shumë, kur historia është mijra vjeçare, por 50 vjet diktaturë më se çnjerëzore si e juaj, janë më shumë sesa shumë. 50 vjet ju i vratë dhe burgosë, internuat dhe persekutuat një popull të tërë dhe sot keni guximin të akuzoni pafytyrësisht pjesën që në mënyrën më stoike i rezistoi barbarisë tuaj çnjerëzore, duke mbajtur gjallë në këtë vend ëndrrën për liri dhe demokraci që sot frytet e saj po i shijojnë më shumë se gjithë të tjerët fëmijët dhe nipërit e tu e të atyre që e sollën këtë tragjedi të tejskajshme.
Hiena Nexhmie, vetëm ndonjë naiv mund të çudisë deklarata jote, se ne tashmë të njohim, e dimë se kush ke qënë dhe kusëh je, e dimë ne dhe gjithë shqiptarët. Ti je dashuruar pafundësisht me krimet e tua dhe ti çdo natë bie në shtratin e tyre të përgjakshëm bashkë me to. Ti do të mbetesh përgjithmonë e burgosur në errësirrën e tyre, ku e vetme dëgjon simfoninë e rënkimeve të viktimave të tua dhe e dehur prej saj në haluçinacione makbethiane, vallëzon me ngulçin e frymës së fundit mbi kafkat e coptuara… dhe kështu, ti po jeton fundin tënd të lemerisshëm, duke ecur e sigurtë drejt flakëve të ferrit ku po të prêt me padurim krahëhapur bashkëvrasësi yt Enver Hoxha.
Në ferr, besoj se do jeni çifti më ideal…!
*I burgosur politik

Filed Under: Komente Tagged With: Dushan Mugosha, enver, Fatmir Lamaj, kuisin hienat, Miladin Popovici, nexhmije Hoxha

  • « Previous Page
  • 1
  • 2

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT