• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shamia në Shkolla, debati

September 22, 2016 by dgreca

Bartja e shamisë në shkolla, mes vendimit politik dhe përcaktimit individual/

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/

Ilustrim

Lejimi i mbajtjes së shamisë për femrat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimesh në Kosovë.

Debatet kanë nisur që para gjashtë viteve, kur fillimisht ishte vërejtur një numër i nxënëseve që kishin vendosur shaminë, teksa ishin ende duke vijuar shkollimin e ulët apo të mesëm, dhe më pas ishte Ministria e Arsimit që kishte lëshuar një udhëzim administrativ që ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Një vajzë, me inicialet A. I., nga Gjilani, (identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë) ka tri vite që ka mbuluar kokën e saj me shami. Ajo tregohet e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtën e mbajtjes sëshamisë në shkollë, ndërsa thekson se kjo gjë duhet lejuar të gjithëve që e ndjejnë si nevojë për të përmbushur, siç shprehet ajo, obligimin e një myslimani.

“Shaminë e mbaj që kur i kam pasur 15 vjet, që gati tre vjet. Nuk ma ka imponuar askush, e kam bërë me vetë dëshirë. Kam pasur probleme kur e kam vendosur shaminë, pasi që familja ime e ka kundërshtuar këtë, ngase në familjen tonë askush nuk mban mbulesën fetare. Edhe në shkollë nga disa jam paragjykuar. Por, unë mendoj që çdo femër myslimane e ka obligim të mbajë shaminë. Unë i jam përkushtuar fesë myslimane, kam lexuar edhe Kuranin”, thotë ajo.

Krejt ndryshe mendon J.S. nga Prishtina, për të cilën mbajtja e shamisë në shkollë të mesme nuk do duhej toleruar, për shkak të moshës së re të nxënësve që vijojnë mësimin e mesëm.

“Bartja e shamisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme parqet problem për shoqërinë dhe ata fëmijë, pasi që ata janë ende nën moshën 18 vjeç dhe nuk e kanë moshën e pjekurisë për ta ditur se a dëshirojnë të mbajnë shaminë. Ata mund të ndikohen prej shoqërisë, familjes apo rrethit për bartjen e mbulesës”.

“Unë mendoj që duhet të ketë bazë ligjore dhe duhet të jetë e rregulluar kjo çështje që të mos i lejohet bartja e shamisë deri në momentin kur përfundojnë shkollën e mesme. Pastaj në universitet është e drejtë e secilit, pasi që konsiderohet të kenë arritur moshën madhore dhe konsiderohen se është rrugë që ata kanë vendosur vet ta zgjedhin”, thekson ajo.

Së fundi, ish- lideri i subjektit opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për mediet lokale në Kosovë, ka ri aktualizuar çështjen e bartjes së shamisë. Ai ka deklaruar se subjekti politik Vetëvendosje është “për bartjen e shamive prej moshës 16 vjeçare dhe me fytyrë të zbuluar”, për ato femra që vendosin vet të bartin shaminë.

Kushtetuta e definon Kosovën si shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multi-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.

Në vitin 2010, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kishte nxjerr një Udhëzim Administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Ky udhëzim, në atë kohë, kishte nxitur reagime të mëdha të përkrahësve të idesë për mbajtjen e shamive nëpër institucione publike.

Ata patën protestuar kundër ndalimit të shamisë në shkollat publike të Kosovës dhe kishin kërkuar nga ish kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, që të shfuqizohet një vendim i tillë.

Ky udhëzim administrativ, sipas zyrtarëve të arsimit, nuk ka ndonjë efekt që nga momenti kur në vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Faton Fetahu, këshilltar ligjor i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në bazë të ligjit nuk përcaktohet e drejta për të bartur shaminë ose cilindo simbol fetar.

Ai thekson se shkollat publike në Kosovë janë të ndara në raport me qëndrimet fetare apo me simbolet të cilat i prezantojnë qëndrimet fetare.

“Ligji për arsimin parauniversitar përcakton që institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare dhe nga veprimtaritë tjera të cilat propagandojnë një fe të caktuar, që në rastin konkret nuk është se e mohon, por as nuk e lejon që në shkollat tona të këtë prezantim të një feje të caktuar”, thekson Fetahu.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore dhe se kjo obligohet nga mosha madhore apo ndryshe, mosha e pubertetit. Kjo moshë thuhet të jetë nga mosha 14- 15 apo 16 vjeç.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se duke pasur parasysh faktin që mbulesa është obligim fetar, vajzat nuk duhet të pengohen që të vijojnë mësimin shkollor për shkak të mbulesës, e cila është obligim fetar.

“Ne kemi pasur probleme, ku në shkollat fillore dhe të mesme vajzat nuk i kanë lejuar t’i bartin shamitë bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, me të cilin ndalohet mbajtja e shamisë në shkolla. Në disa komuna është respektuar e në disa ka pasur tolerime dhe nuk ka qenë pengesë bartja e mbulesës. Me ligj, shkollimi fillor dhe i mesëm është obligativ dhe nuk do të ishte mirë të ishte pengesë mbulesa në shkollimin e femrave dhe vajzave”, thekson Sadriu.

Ai thekson se mbulesa – që ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lejohet në shkollat fillore dhe të mesme – nuk nënkupton mbulim të fytyrës.

Problemet rreth kësaj çështjeje, tregon Sadriu, ende nuk janë zgjidhur dhe se Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon të bëjë kërkesën e njëjtë tek institucionet e Kosovës që të mos pengohet shkollimi i vajzave të cilat bartin shaminë.

Për me keq, thekson Sadiku, çështja e bartjes së shamisë ka tendenca të politizohet, e që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.

“Unë kisha thënë që çështja ka tendenca të politizohet nga ana e subjekteve politike. Kjo duhet t’iu lihet institucioneve fetare, në këtë rast BIK-ut, dhe në bazë të kërkesës sonë të merret një vendim dhe assesi të mos jetë çështje e subjekteve politike dhe të politizohet një problem i tillë”, thekson Sadiku.

Bartja e mbulesës për studiuesit e religjioneve vlerësohet se nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje të mbulesës e as me udhëzime apo përkufizime se duhet të bartet. Sipas tyre, kjo është çështje personale e secilit njëri.

Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se bartja e mbulesës nuk ka mundësi të ndalohet në mënyrë rigoroze në asnjë udhëzim administrativ, siç nuk ka mundësi të paragjykohet bartja e shamisë.

“Bartja e shamisë nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje e as me udhëzime, përkatësisht me përkufizime se duhet të bartet…është çështje personale e secilit njëri se çka dëshiron të mbajë në kokën e vet…është çështje se si ajo shami kompozohet edhe në aspektin estetik të dukjes e veshjes, në shkollë, shkollën laike”, thotë Hasani.

Ai sqaron se si studiues i çështjeve të religjionit nuk ka rastisur të gjejë një përkufizim të tillë që mosha 16 vjeçare është mosha për bartjen e shamisë, sepse siç thekson ai, mosha 16 vjeçare është moshë minore.

“Nuk do të duhej që një lider politik të japë verdikt se është në rregull bartja e shamisë nëpër shkolla për vajzat mbi moshën 16 vjeçare. Subjektet e ndryshme politike përmes këtyre joshjeve bëjnë përpjekje të mbledhin vota në zgjedhjet e ardhshme tek ata njerëz që mund të jenë militantë të tyre në proceset zgjedhore”,thekson Hasani.

Përveç çështjes së lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, së fundi ishte iniciuar si temë debati edhe futja e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme.

Ky debat është përcjellë me qëndrime kundërthënëse, për dhe kundër, të përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Lidhur me këtë, ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare, si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lënde në institucionet arsimore dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore. (Kortezi: REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: beteja, feja, Politika, Shamia ne shkolla

NGA HISTORIA E VATRES- GREKET E AMERIKES PERDOREN FENE PER TE PERCARE SHQIPTARET

February 1, 2014 by dgreca

Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë…./

Nga Refat Xh. GURRAZEZI/

 …Javën e fundit të Janarit 1919, gazetat greke të New York-ut botuan një lajmë nga Athina që thosh se ushtëria greke hyri në Korçë, Permet, Delvinë, Frashër dhe vise të tjera te Shqipërisë së Jugës. Për atë shkak, u-thirr me telegram Komisioni i Vatrës në një mbledhje të posaçme me 30 të muajit që bisedoj mi sulmin e ri te Grekëve kundrë Shqipërisë, dhe se ç’munt të bënte Vatra n’atë krizë të re per Shqipërinë.

Më parë se të mblidhej Komisioni, Vatra hoqi një kabllogram në Romë dhe pyeti se ç’ish mendimi i guvernës italiane për rizaptimin e atyre viseve të Shqipërisë prej ushtërisë greke? Përgjigjia u-vonua, koha nuk priste dhe duheshin marë masat e nevojshme. Vonimi i përgjigjjes e vuri në dyshim Vatren dhe humbi besimin e saj në politikën e Italisë. Vatra desh të bënte qarje në Konferencën e Paqës në Paris kundrë Greqisë, po u-ndal shkaku se një protest i atilë munt të shkelte vëndimin e kuvendit të funtime që thosh se “duhet të jemi në mareveshje te mira me Qeverine Italiane.” Me ne funt, passi e shoshiti miaft çështjen, Komisioni vëndosi që të thirrej Këshilla Kombëtare në një mbledhje te posaçme për t’i dhënë funt atij problemi. Mbledhja e Këshilles u-vëndos të mbahej të Martën me 4 Shkurt, pesë ditë pas mbledhjes së Komisionit.

Me 27 Jenar 1919, u-raportua vdekja e Ismail Qemal Be Vlorës në Peruza t’Italisë. Zyrtarët e Vatrës, mbledhur të gjithë në zyrën e saj, u-ngritnë më këmbë dhe qëndruan dy minuta në heshtje si shenjë hidhërimi dhe zie për kujtim të tij. Vatra ngushëlloj me kabllogram Hetem Qemal Vlorën n’Itali për vdekjën e atit tij, i cili ngriti Flamurin Kombëtar në Vlorë me 1912, shpalli independencën e Shqipërisë dhe u-qojt Babaj i Kombit…Me 4 Shkurt u-mbloth këshilla Kombëtare në zyrë të Vatrës, e thirrur me telegram se koha nuk priste. Mbledhja e Këshillës vazhdoj dy ditë, dhe mbajti pese sesione. Këshilla Kombëtare kish fuqin’e kuvendit, dhe caktonte politikën e Vatrës.

Pasi u shtruan për bisedim sulmi i ushtërisë greke në Shqipërin’ e Jugës dhe dyshimi i Komisionit të Qendrës mi politikën e qeverisë italiane kundrejt Shqipërisë, Këshilla vëndosi qe Vatra të vazhdonte politikën që caktoj kuvendi, gjer sa të kthjellohej mirë ajo çështje dhe të mos mbetej shkak për dyshim.

N’atë mbledhje u-leçitnë disa raporte diplomatike të delegateve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë. Dr. Mihal Turtulli, delegat i Vatrës në Svicrë, thosh në raportin e tij shkakun se përse ay nuk bashkohej me dekllaratën e Genevës të nënëshkruar nga 13 Shqipëtarë më 12 Tetor (1918) – natyrisht njerës me shumë a pakë zotësi si politikanë. Tekstin e dekllaratës as raportin e Dr. Turtullit nuk i kemi parë dhe s’dimë se ç’thoshin, dhe s’është çudi të kenë humbur, si shumë dokumenta të tjera historike. Kemi këtu mi këtë çështje vetëm një shenim të shkurtër të bërë nga sekretari i ahershëm i Vatrës.

Në Svicrë ish dhe Midhat Frashëri delegat i Vatrës bashkë me Dr. Turtullin, dhe në mbledhjën e Këshillës u-leçit në letrë e nënëshkruar prej të dyve. Delegatët e Vatrës për ca kohë s’ishin të lirë të vijin në Paris, ku ish mbledhur Konferenca e Paqës dhe po bisedohej fati i tërë botës; vetëm kryedelegati Mehmed Konitza udhëtonte midis Londonit dhe Parisit, ay kish miq të fortë Inglizët.

Në sesionin e mëngjesit të Këshillës, u-leçitnë dhe letrat e miqve Inglizë, të Kolonelit Aubrey Herbert dhe Zojushës Edith Durham, të cilët interesoheshin për punët e Shqipërisë aqë sa dhe çdo Shqipëtar i mirë, dhe këtë e patnë provuar me punë kurdoherë që ish nevoja për çështjen shqipëtare.

Me vendim të Këshillës Kombëtare në mbledhjen e saj, Vatra u dërgoj nga një kabllogram në Paris Presidentit Woodrow Wilson të Shteteve të Bashkuara; Georges Clemenceau, Kryeminister i Frances dhe Cairman i Konferencës së Paqës; Loyd George, Kryeminister i Bretanjës së Madhe; Baron Soninos, Ministër i Punëve të Jashtme t’Italisë, dhe Delegacies Japoneze. Vatra kërkoj prej tyre pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës që të kërkonte independencën e Shqipërisë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar. Delegacia shqipëtare përbëhej nga këta delegate: Turhan Pasha, Imzot Bumçi, Mehmed Konitza, Dr. Mihal Turtulli dhe Midhat Frashëri; tre të fundit ishin dhe delegatë të Vatrës.

Këshilla Kombëtare i dërgoj një kabllogram falënderimi nga an’e Vatrës Guvernës Italiane për njohjen e shpejtë të Qeverisë Provizore të Shqipërisë që u-formua në Durrës; dhe i lutej të përdorte influencën e saj për pranimin e Delegacies Shqipëtare në Konferencën e Paqës të Parisit.

Me vendim të Këshillës, të gjitha degët e Federatës Vatra dërguan nga një kabllogram në Konferencën e Paqës me anën e të cilëve kërkuan qasjen e delegacies shqipëtare n’atë Konferencë dhe të drejtat e popullit shqipëtar.

Këshilla vendosi që Fan Noli të shkonte në Paris dhe të përpiqej bashkë me delegatët e tjerë shqipëtarë për të drejtat e popullit shqipëtar. Vajtja e tij në Paris si delegat i Vatrës ish më tepër me qellim për të bërë batall propagandën e kryeministrit grekVenizellos i cili bërtiste në mes të Konferencës se “Shqipëtarët orthodhoksë janë Grekë dhe duan bashkimin e tyre me Greqinë”!

Fan Noli gjeti pengime të mbëdha, nuk mirtë dot pashaportë nga konsulli frenk për të shkuar në Paris. Vatra ngarkoj Kostë Çekrezin në Washington që të përpiqej me anë miqsh dhe të nxirte një pashaportë në Ambasadën Frenge për Fan Nolin, po që e pamundur. U-vëndos pastaj që të shkonte me anë t’Italisë, duke përdorur pashaporten italiane nga New York-u në Romë, dhe s’andejmi të vinte në Paris. Po dhe ajo nuk u-bë dot se nga Roma në Paris i duhej pashaportë frenge.

Duke parë se delegatët e Vatrës, më përjashtimin e Mehmed Konitzës, u-ndaluan të vijin në Paris, u-thirr prapë Keshilla Kombëtare në një mbledhje me rëndësi me 5 Mars 1919. Në sesionin e parë të Këshillës u-kënduan raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë dhe n’Amerikë, dhe në sesionin e dytë u-bisedua prapë puna e pashaportës për vajtjen e Fan Nolit në Paris.

Vatra i dërgoj një kabllogram Mehmed Konitzës në Paris, i cili kish qëndruar në Grand Hotel, dhe e pyeti se po të mos nxirej dot pashaporta për Fan Nolin, a ish nevoja të dërgonte Kostë Çekrezin në këmbë të tij? Përgjigjjen e Mehmed Konitzës nuk e dimë se nuk e kemi, dhe Kostë Çekrezi nuk vajti në Paris, këtë e dimë, kuptohet se s’qe nevoja për vajtjen e tij atje.

Këshilla degjoj më kujdes sekretarin Ndreko Stavron i cili këndoj kopjen e një memorandumi të bërë prej Zojushes Elsie Aubry e cila ja dorzojë Konferencës së Paqës atë memorandë për çështjen e Shqipërisë, dhe u-prit më duartrokitje nga anëtarët e Këshillës.

Në sesionin e dytë dhe te fundit, Këshilla Kombëtare aprovoj ndihmën e Vatrës prej 5,000 dollarësh për Pëshkopatën Shqipëtare të Boston-it që t’u bënte ballë propagandave të Grekëve të cilet përdorjin fenë për të ndarë Shqipëtarët më dysh dhe të copëtojin Shqipërinë.

Tamam një muaj pas mbledhjes së Këshilles Kombëtare, me 5 Prill u-mbloth Komisioni i  Qendrës që kqyri vepërimet e kryetarit të Vatërs dhe delegatëve të saj n’Amerikë te cilet u përpoqnë që Shqipëria t’ish nënë mandatorinë Amerikanë.

Kjo ish një punë e kottë, se Amerika s’munt të blinte belanë me para duke hyrë në punët e Ballkanit për syt’e bukura të Shqipërisë, një vënt i pashvilluar me një popull që s’kish parë qeverim të qytetëruar më parë dhe besonte në kanunin e Lekë Dukagjinit: grusht për grusht, – dhe ay që ish m’i zoti fitontë. U-fol më parë për mandatorinë italianë, po u-kuptua shpejt se po të vinte Italia dorën në Shqipëri ish shume zor që të shpetonte nga thonjt’ e saj.

Të gjitha ato manevra bëheshin nga e keqia, se u-duk sheshit që jeta e Shqipërisë si Shtet i lirë ish në rezik të math nga fqinjët e saj, gjë te cilën e kuptonte çdo njeri kur shikonte se të pakën delegatët shqipetarë nuk pranoheshin në Konferencën e Paqës të Parisit.

Eleutherios Venizelos i Greqisë dhe Nikola Pashiqi i Serbisë ishin dy diplomatë të fortë dhe armiq të betuar të Shqipërisë. Perveç asaj, ata kishin mik të fortë dhe Tigrin e Francës, George Clemenceau-n që i ndihmonte kërkimet e tyre, i cili kish zënë kyçin e punëve si Çairman i Konferencës së Paqës, dhe kish influencë miaft të madhe në qarket diplomatike. Përandaj s’duhet të nxitohemi në qertimet t’ona kundrë atyre që deshnë ta vijin fatin e Shqipërisë në një dorë të fortë të huaj për t’a shpetuar nga çakajt e Ballkanit, – e keqia bën të keqën, thotë fjala popullore.

Mbledhja e Komisionit vazhdoj dy ditë. Passi mbaruan bisedimet politike mi punët e Shqipërisë, Komisioni filloj nga veperimet mirëbërëse: ndihmuarjen e disa jetimëve shqipëtarë si ne New Bedford, Mass., dhe në Trebickë, një fshat i Vakëfeve në qarkun e Korçës.

Po çdo ndihmë nukë jepesh me sy mbyllur, kqyreshin mirë se a e meritojin atë ndihmë jetimët pastaj hapej arka e Vatrës, domethënë, diheshin se ç’kishin qenë prindërit e jetimëve. Për shëmbëll, në mbledhjen u-leçit dhe letra e një Shqipëtari që kërkonte ndihmën e Vatrës për jetimët e një njeriu nga Stratobërda, dhe Komisioni nuk e pa t’arësyeshme atë ndihmë.

Në mbledhjen e Majit 1919, Komisioni i Qendrës shikoj raportet e delegatëve të Vatrës n’Evropë, dhe e gjeti të pelqyer kthyerjën e Dr. C. Telford Erickson-it n’Amerikë nga Parisi, si pas vendimit të kolegëve të tij Mehmed Konitzës dhe Dr. Mihal Turtullit. Dr. Erickson-i qëndroj disa muaj në Paris si delegat i Vatrës; ay s’gjeti pengime nga francezët për vajtjën e tij atje se ish nënështetas Amerikan, kurse delegatët shqipetarë i ndaluan për ca kohë, me përjashtim të Mehmed Konitzës.

Muajin tjatër, pati prapë mbledhje Komisioni dhe vëndosi dërguarjen e një sume të hollash prej 10,000 dollarë me kabllogram kryedelegatit Mehmed Konitzës ne Paris. Për çdo sumë të hollash që u-dërgonte delegatëve, Vatra mirte hesap të shkoqur prej tyre dhe e dinte që çdo dollar harxhohej për çeshtjen kombëtare.

Atë muaj, Qershor 1919, erdhi Dr. Erickson-i në Boston nga Parisi, dhe u-mbloth Komisioni që dëgjoj shpjegimet e tij mi punët e Shqipërisë, të cilat nukë dukeshin aqë mirë kur ish ay atje. Ahere Vatra e dërgoj Dr. Ericksonin si delegat të saj në Washington.

Në mbledhjen e 4 Korrikut Komisioni kqyri hesapet e vitit, dhe i gjeti kështu: T’ardhurat, me gjithë të mbeturat n’Arkë nga kuvendi i shkuar, ishin $150,477.35. Të dalat e vitit ishin $58,182.90. Komisioni i shtroj kuvendit këto proponime: 1) Të themelohej një fond prej 100 gjer 300 mijë frangash ari prej Vatrës për propagandë kombëtare me anë të shtypit n’Evropë; 2) Të botohej një revistë frengjisht në Svicrë, 3) t’emëroheshin dy korrespondentë  të Diellit në Shqipëri.

Kuvëndi i Vatrës u-mbloth në Paine Memorial Hall, Boston, me 6 Korrik 1919. U-përfaqësuan në kuvent 42 degë me 69 vota, një votë për çdo 50 anëtarë; dhe nuk u-përfaqesuan 9 degë me 9 vota. Zyrtarë të kuvëndit u-zgjodhe këta: çairman Anastas Pandelli, sekretar Kosta Isaak, raporter Kristo Kaluçi dhe marshall George A. Katundi (të gjithë s’janë më).

Në sesionin e dytë, delegati i degës së Detroit-it Marko Adamsi proponoj të thërritesh Faik Konitza nga Evropa për kryetar të Vatrës. Ay proponim u-përkrah prej Ali A. Kuçit (nga Kuçi i Tomoricës), delegat i degës se New Florence, Pa., dhe u-pëlqye me-një-zë nga gjithë delegatët e kuvëndit.

Sekretari i kuvëndit këndoj një kabllogram të dërguar nga Parisi prej korrespondentit të Diellit N. Lakos i cili lajmëronte Vatrën për vdekjen e Zonjës Shahin Be Konitzës, e ëma e Mehmed dhe Faik Konitzës. Me proponimin e Kristo Kirkës, delegat i degës së Quincy, Mass., delegatët u ngritnë më këmbë dhe qendruan dy minuta në heshtje si shenjë zie për kujtim të saj. Për çudi, kur vdiq Nënia e tyre ranë këmbanat e kishëve dhe u mbyllë dyqanet e Grekëve atë ditë në Konicë  për nder të Zonjës.

Në sesionin e 14-të, kuvendi vendosi t’i ktheheshin të 100 dollarët Fan Nolit që i pagoj Vatrës nga xhepi i tij për hesap te broshurës frengjisht “L’Allemagne et L’Albanie”që shtypi Faik Konitza me 1915 në Lausanne të Svicrës. Konitza i dërgoj Vatrës 50 copë t’asaj broshure, Vatra nuk e nxori në shesh së fliste kundrë Gjermanisë dhe shumica e Vatranëve ishin pro-Gjermanë. Broshura fliste kundrë guvernës gjermane se ajo bënte pazarllëk me Greqinë që po t’ish se hynte në luftë me ane t’Aliatëve kundrë mbretërive t’Evropës së Qendrës, të mirtë Toskërinë. Kur s’dolli broshura në shesh gjer pas hyrjes së Amerikës ne luftë, delegatët në kuvendet e Vatrës kërkonin broshurën, ose paratë nga Konitza. Ahere u-ngrit Fan Noli që i dha 100 dollarë arketarit të Vatrës nga xhepi i tij, dhe u tha delegatëve: “Tani paratë i muartë, lëreni Faikun rehat i cili tëre jetën e tij ka punuar për Shqipërinë dhe kur i ngrënë kur i pa ngrënë!”

Besohet shkaku i asaj broshure e internuan Austriakët Faik Konitzën dhe e mbajtnë në Vienë gjer sa humpnë luftën.

Kuvendi vendosi që Vatra të shtypte libra shkollare për shkollat e mesme të Shqipërisë. Ay vendim i kuvëndit u-vu në vepërim një mot më von. Kuvëndi vëndosi që ndihmat për jetimët të mos priteshin. N’ate listë u-shtuan dhe jetimët e Vangjel Gjikës, i cili i sherbeu Vatrës si manager i Diellit.

U-vëndos me-një-zë nga kuvëndi që Vatra t’i lutej guvernës provizore të Durrësit t’emëronte një përfaqësonjës në Washington të dërguar zyrtarisht nga an’e saj.

Kryetar i Vatrës u-zgjoth Faik Konitza në sesionin e dytë të kuvendit. Zyrtarët e tjerë të Vatrës dhe te Diellit u-zgjodhë në sesionin e 19-të, kur afroj mbarimi i kuvendit. U-emërua Kol Tromara kryetar-zëvendes gjer sa të vinte Konitza nga Evropa. Bahri Omari u-hoq, dhe u-zgjoth Koste Çekrezi editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik”; dhe Andon Frashëri nëne editor.

Këshilla Kombëtare u-rizgjoth për vitin 1919-1920, e cila kish fuqin’ e kuvendit dhe bënte politikën e Vatrës. Kuvendi vazhdoj XXI sesione, u-hap me 6 dhe u-mbyll me 15 Korrik 1919. Kuvëndet e kohërave të shkuara të përsons for essentially anti-Comre parlamentare. Kjo i tërhiqte më tëpër shumë Vatranë që përpiqeshin kush të vinte më parë delegat në kuvënt.

Pas kuvendit u-bënë ndryshime në zyrtarët e Vatrës dhe të Diellit. Kuvendi zgjodhi Faik Konitzën kryetar dhe la Kol Tromarën zëvendës gjer sa të vinte Konitza nga Evropa, po ay nuk erdhi dot, dhe zëvëndësi ndenji një kohë fare të shkurtër dhe shkoj në Shqipëri. Ashtu mbeti Vatra pa kryetar, kë të zgjidhjin? Burrat e njohur si “udhëheqës” ishin të zënë më detyra të tjera. Nga ay shkak, Këshilla ngarkoj Komisionin të gjënte një zëvendëskryetar, dhe gjeti Kristo Kirkën.

Gjith’ashtu iku dhe Kostë Çekrezi nga Boston-i, i cili ish zgjedhur prej kuvendit editor i Diellit dhe i Revistës “Adriatik.” Çekrezi u-emërua përfaqësonjës i Vatrës në Washington për punët e Shqipërisë, bashkë me Dr. Ericksonin i cili u-zgjoth pakë muaj më parë. Dr. Ericksoni paguhej 500 dollarë rogë në muaj nga Vatra, dhe Çekrezi 250 dollarë në muaj.

Me ikjen e Çekrezit mbeti Dielli pa editor, dhe gazeta dilte e përditëshme. U-thirr prapë Bahri Omari që e drejtoj Diellin për pakë kohë. Passi iku dhe Omari, u-zgjoth Loni Kristua editor, i cili pat qenë dhe më parë editor i Diellit. Po ay nukë shkoj mirë me nëne-editorin, Andon Frashërin, dhe kur erdhi kuvendi tjater fitoj nënë-editori në zgjedhjet kundrë editorit; – këtu munt të meret me mënt se cili prej të dyve ka patur faj në grindjet e tyre.

Kur kish probleme me rëndësi që nuk u-jipte dot funt ose s’donte të mirte përgjegjësinë Komisioni, thërritesh mbledhja e Këshilles Kombëtare e cila thosh fjalën e fundit në punët e Vatrës. Në mbledhjen që pati në Shtator 1919, Këshilla vëndosi që Vatra të harxhonte 100,000 franga ari për të ndihmuar refugjatet shqipëtarë të “Korçës dhe Kosovës”. Këtu kuptohet se kanë dashur të thonë “qarkut të Korçës”, dhe Kolonja u-doq dhe u-gjakos nga Grekët më tepër se çdo krahinë tjatër t’asaj prefekture; me mijëra refugjatë Kolonjarë vanë ne ullinjt’e Vlorës, – shumë prej tyre vdiqnë atje.

Po më parë se të viresh në vepërim ay vëndim i Këshillës, u-pyetnë me kabllogram delegatët n’Evropë Mehmed Konitza dhe Dr. Mihal Turtulli se a munt të harxhohesh ajo sumë të hollash për atë qellim. Përgjigjja e tyre qe “Jo” – se ato të holla duheshin më tepër për të luftuar armiqt’e huaj të Shqipërisë, më tepër Grekët të cilët e luftojin Shqipërinë me anë të shtypit dhe të konferencave, dhe arma e tyre më e fortë që përdorjin qe feja, duke thënë se gjithë Shqipëtarët orthodhoksë “duan Greqinë”!

Në mbledhjen e Këshilles u-vendos t’i jepeshin 400 dollarë Mihal Gramenos për të shkuar në Shqipëri bashkë me gruan e tij. Vatra çmonte patriotizmën e Gramenos dhe menjëherë vuri në vepërim vendimin e Këshilles. Në shumë raste Mihal Gramenua e pat kundërshtuar Vatrën, më tepër për kritikat e editorit të Diellit kundre Ismail Qemalit, të cilin Gramenua e adhuronte si baban’ e kombit.

Në mbledhjen e Këshilles Kombëtare u-këndua një letrë e dërguar nga “Parësia” e qytetit të Korçës, e cila kërkonte ndihmen financiare të Vatrës që t’a përdorte për të bërë “propagandë kombëtare” në qarkun e Korçës. Këshilla nuk e mori nër sy atë kërkesë, pati dyshim në përsonat që e dërgojin letrën, dhe e kuptoj se do të vijin humbur të hollat e Vatrës.

Kërkime për ndihma financiare si ajo mirte dendur Vatra nga njerëz të ndryshmë, – të cilët gjëjin “shkake patriotike” për kërkimet e tyre. Të tillë njerës besojin se Vatra ish bankë, – i mblithte dollarët me lopatë, – dhe munt të ndihmonte çdo njeri që e quante vetën”atdhetar”! Kurse e tërë pasuria e Vatrës ishin nj’a tri a katër mijë anëtarë të cilët punojin rëndë nëpër fabrikat me rogë të vogëla dhe për dashuri të Shqipërisë e ndihmojin Vatrën me sa muntjin që të punonte për të fituar lirinë dhe të drejtat kombëtare të popullit shqipëtar.

* Fragment nga “Historia e Federates Panshqiptare VATRA” e Refat Gurrazezit

 

Filed Under: Featured, Histori Tagged With: feja, greket e amerieks, histori e Vatres, percarja e shqiptareve, refat Gurrazezi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT