• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FËMIJA DHE “VIGANI LIBERATOR”

March 2, 2015 by dgreca

“Nëno moj m’a qaj në Vlorë/
Ku të dha liri, kurorë/
Shpirt’i bardhë si dëborë/
Ti s’i dhe as varr për hor”/
FAN S. NOLI/
Shkruan:EUGJEN MERLIKA/
Isha shumë i ri kur u njoha me emrin e Luigj Gurakuqit, nëpërmjet bisedave të nënës e të gjyshes sime. E para ruante një kujtim të mjegulltë të figurës së një burri të pashëm e shumë të dashur, që vinte në shtëpinë e saj si mik i babait. N’atë shtëpi me qira të Barit të vjetër, ku banonte Sotir Gjika me gruan dhe të dy fëmijët, Aleksandrin dhe Elenën, vinin mjaft miq e shokë të babait, por kujtesa fëminore e një pesëvjeçareje kishte regjistruar Luigjin, Mustafain dhe Lin Kamsin. Fëmija ishte afruar më shumë me zio Luigin, sepse ai bisedonte më shumë me të, futej në botën e saj të lodrave, e përkëdhelte më shumë.
Atë mbrëmje kobzezë të 2 marsit 1925 ajo nuk donte të flinte, priste zio Luigin, mbasi ai i kishte premtuar një kukull. Fjalët e fundit që Luigji i tha atyre , me të cilët ishte në tryezën e restorantit “Cavour”, ishin këto : “Do të ngrihem sepse do të shkoj t’i çoj kukullën që i kam premtuar vajzës së Sotirit.” Një njeri i keq nuk e lejoi xhaxhin e dhëmshur t’i dhuronte kukullën Elenës, mbasi ndërpreu jetën e tij me tre të shtëna të mallkuara revolveri. Elena fjeti vonë atë natë, por të nesërmen, kur mori vesh gjëmën e madhe të Shqipërisë qau shumë.
Në funeralin, që u zhvillua mbas një jave, babai i saj i sëmurë ishte i pamundur të shkonte dhe në vend të tij foli nëna e saj, mësuesja Angela Quarta. Kjo histori, që kishte në vetvete të gjithë elementët e një përralle me njeriun e mirë, me përbindëshin dhe fëmijën e pafajshme, m’u ngul në tru shpejt duke fiksuar në të përfytyresën e një zotnie, që kishte qënë një nga themeluesit e Shtetit shqiptar, të cilën e plotësova më vonë, jo vetëm me tregimet e njerëzve të dashur, por edhe me librat e ndryshme të shkollës apo jo të saj.
Sot, në nëntëdhjetë vjetorin e largimit të Tij nga jeta tokësore, figura e tij merr shëmbëllimin e një njeriu të afërt, që është mes nesh e na kujton se ky Atdheu i ynë, për të cilin ai flijoi jetën e Tij, kjo Shqipëri që qe për Të nusja imagjinare, nuk sendërtoi idetë e tij, por mbeti gjithmonë në mes të rrugës, mes dy botëve, “të asaj që nuk don të vdesë e të tjetrës, e pafuqishme të lindë”. Shqipëria që ëndërruan Gurakuqi dhe shokët e tij, për shumë arsye të të metave tona e të fatalitetit historik, që na dhuroi “shekulli i shkurtër”, nuk arriti të gjejë rrugën e saj normale drejt një zhvillimi që do të mbante për udhërrëfyese demokracitë e Perëndimit. Ajo rrugë qe shumë e gjatë dhe tepër e ashpër sepse, kryesisht, pagoi pasojat e një patologjie mijëvjeçare të rracës sonë : paaftësi ose mungesë dëshire për të kuptuar njëri tjetrin, pazotësi për t’u bashkuar përparë rreziqeve, miopi politike, poshtërimin e nxjerrjen jashtë loje të njerëzve më të ndershëm e më të zotë, për të vënë në krye të paaftët e të pandershmit.
Ministri i parë i arsimit i Shqipërisë së pavarur u mundua të ravijëzojë një Vend ku të zotëronte “Mbretnimi i ligjës dhe i drejtësisë”, ku “Administrata të jetë si një maqinë e lehtë, të ketë pak nëpunës, por të zotët, nëpunës të paguar mirë por të marrun me konkurs”, ku ekonomia të bazohet mbi “konkurencën e lirë” duke shmangur monopolet, ku harmonia shoqërore të mbështetet mbi parimin “Besime të lira në Shtet të lirë, mostrazim i Shtetit në çâshtjet besimtare, nderim i njeni tjetrit për besimin e shoqi shoqit.”.
Shkodrani i madh ishte i vetëdijshëm për vështirësitë që hasnin bashkatdhetarët e tij në sendërtimin e këtyre synimeve. Ishte vetëm 26 vjeç djalë kur shprehte në “Albania” të Faik Konicës këto bindje : “Na, deri sot, kena kenë kot për nji gjuhë shqipe, pse kjo nuk na ka rrnue njeti veç në mênde të disa entuziastëve ; kena folë kot për nji komb shqiptar, pse ky nuk e ka diftue kurrë sheshit vetvedin me gjithë ato cilësí të nevojshme, qi i napin gjallnì e fuqì ndjenjës kombtare. Deri më sot nuk jena kenë tjetër veç Toskë e Gegë të damë politikisht e të damë edhe me gjuhë, me idhnime e përçarje ndër vedi, të cilat shumë herë jena mundue me i ba edhe mâ të mdhaja e të thershme tuj u këqyrë me sŷ të keq e tuj i u kundërshtue njeni tjetrit.”
Është diagnoza e një të riu që nuk strehohet në fantazitë joshëse të së “mirës virtuale”, por që sheh të vërtetën në sy e ka kurajën t’a përballojë atë me të gjithë mjetet që i jep mprehtësia e mëndjes, vullneti për ndryshim, qartësia e objektivave, largpamësia në trajtimin e dukurive. Mbas pak vitesh djaloshi Gurakuqi u bë poet e politikan, mësues e shkrimtar, diplomat e luftëtar, prijës e flamurtar, duke i vënë të gjitha këto cilësi në shërbim të një synimi të vetëm : Shteti shqiptar i lirë, i pavarur dhe në një hap me të tjerët. Ndihmesa e Tij u bë vendimtare në fatet e kësaj Shqipërie, së cilës i qëndroi mbi krye në ditën e lindjes së saj, e të cilën e mori për dore në peripecitë e panumurta të ecjes e të rritjes, ndërmjet intrigave e lakmive të të huajve e prirjes së shqiptarëve për t’a kthyer në një çiflik të secilit prej tyre. Në këtë kontekst Ai mbeti simbol i pastërsisë morale të politikës dhe pika e riferimit më e besueshme e klasës drejtuese.
Në vitet përcaktuese të rrjedhës historike të Vendit 1921 – 24, qëndrimi i Tij është shumë i përmbajtur. Nuk miraton atentatin e Beqir Valterit në Parlament kundër kryeministrit Zogu, madje i shkon këtij në shtëpi për një vizitë solidarizimi, nuk miraton t’ashtuquajturin “revolucion demokratiko – borgjez” të qershorit 1924, kundërshton zgjedhjen e Nolit Kryeministër. Por natyra e Tij e butë, e hapur e bujare i jep përparësi marredhënieve me kolegët, shmangies së kundërshtive me ta, pranimin e vendimeve edhe kundër bindjeve, cilësi që zbulojnë një politikan të rracës, por që për kohën u quajtën si të meta për t’u kritikuar. Në jetën e Tij politike pati shumë miq e ndjekës, pati edhe kundërshtarë, por ajo që e dallonte në veçanti ishte respekti që gëzonte edhe tek kundërshtarët, tregues i një shtati moral e intelektual të rrallë.
Luigj Gurakuqi ishte një njeri me kulturë të thellë e horizont shumë të gjërë. Ndihmesa e Tij në çështjet e gjuhës, si Kryetar i Komisisë letrare të Shkodrës më 1916, i vuri bazat studimeve shqiptare, sidomos në drejtim të krijimit të gjuhës letrare kombëtare që, simbas mendimi të Tij “do të rrjedhë prej dialekteve ma të mëdhaj të Shqipnisë e nuk do të jetë tjetër veç t’afritunit bashkë e të derdhunit e tyne në nji”. Komisia letrare vendosi që “Dialekti i Elbasanit të merret si gjuhë shkrimi”, madje edhe përsa i përket ortografisë. Fatkeqësisht kjo pikëpamje, e përkrahur shkencorisht nga gjithë albanologët e huaj dhe autoritetet gjuhësore shqiptare, u rrëzua nga një “kongres drejtshklrimi”, në të cilin partia komuniste imponoi zgjedhjen e saj tepër të diskutueshme.
Gurakuqi katolik, liberal e demokrat, në çdo qelizë të tij, ishte një idhtar i shtetit laik, në të cilin të gjithë qytetarët duhet t’ishin të barabartë para ligjit. Në panoramën politike të kohës së tyre, së bashku me Fishtën kundërshtuan krijimin e një partie politike katolike në një Vend me tre besime, duke vërtetuar largpamësi e kah përgjegjësie shtetërore e kombëtare. Mbas 70 vitesh, të tjerë njerëz, vite dritë larg tyre, përsa i përket koncepteve e horizontit, i krijuan ato në Shqipërinë e kalesës…..
Humbja e parakohëshme e Luigj Gurakuqit dëmtoi shumë jetën politike të Vendit tonë. Armiqësia mes Zogut dhe Opozitës në emigracion erdhi duke u shtuar. Kjo qe e keqja më e madhe për Vendin. Një Gurakuq i gjallë mund të kishte qënë një faktor pozitiv në krijimin e një atmosfere bashkëpunimi në dobi të Shqipërisë. Nëse ka patur ndonjë llogari në synimin e vrasjes së Tij, ajo ka qenë thellësisht e gabuar, mbasi humbja e Tij ishte një humbje për Shqipërinë, madje edhe për kundërshtarët e Tij.
Figura e Luigj Gurakuqit, me kalimin e kohës, lartësohet më shumë. Komunizmi e trajtoi me një farë realizmi, i njohu atësinë e shtetit shqiptar, si bir i zgjedhur e besnik i Plakut të Vlorës, edhe se i vuri në dukje “kufizimin klasor” në veprimtarinë politike. E veçoi nga rrethi i miqve e bashkëpuntorëve, që patën fatin të jetojnë, duke i injoruar këta në rrëfimin e ngjarjeve historike e duke mos kursyer poshtërimin dhe asgjësimin e të gjitha formave, për qëndrimet e tyre antikomuniste. Historiografia komuniste i njohu Gurakuqit meritën e pjesëmarrjes në Qeverinë e Nolit, të cilën ajo pëlqen t’a quajë si paradhomën e komunizmit enverian. E vërteta është se në të ka patur disa elementë të asaj sfere politike, por trashëgimia më e denjë nga ka marrë ushqimin socializmi shqiptar është rebelimi filoturk i Haxhi Qamilit, kundër të cilit Luigj Gurakuqi dhe atdhetarët e vërtetë shqiptarë të kohës luftuan me armë në dorë, edhe duke humbur.
Gurakuqi ka qenë ati shpirtëror i demokracisë embrionale shqiptare, një personalitet me përmasa kontinentale, një idealist nga më të kulluarit e kombit tonë. Vlerësimin më të mirë të Tij, ndoshta, e ka bërë kolegu Fan Noli, jo vetëm me elegjinë monumentale “Syrgjyn vdekur”, por edhe me përgjigjen që i jep mik armikut të tij, Faik Konicës : “Z. Faik Konica është i mëndjes që kam qenë vegla e Gurakuqit. Nuk e besoj. Por edhe sikur të jetë e vërtetë, e kam dhe do t’a kem për nder. Ishte mjaft i madh sa të kishte vegla si mua.” Fjalë fisnike që nderojnë atë që i shpreh dhe atë të cilit i drejtohen, një shëmbull i shkëlqyer i njohjes dhe respektit të vlerave, gjë e rrallë në jetën politike shqiptare.
Duke u kthyer tek imazhi i Gurakuqit, i krijuar në rininë time të parë, më del para sysh një burrë fisnik e i pashëm, që pëlqehej nga gratë, por që në larpamësinë e Tij, e quante martesën si një gabim që përcaktonte fatkeqësinë e familjeve të pjesëmarrësve të politikës. Pyetjeve që i bëheshin në këtë drejtim Ai u jepte vetëm një përgjigje : “Jam martuar me Shqipërinë”. Gjyshes time i thonte shpesh : “Caje, të ka marrë më qafë Mustafa. I kam thanë qysh kur : mos u marto, se nuk bâhet politikë në Shqipni, tue pasë familje!” Sa thellë e kishte njohur mjedisin e politikës së Vendit të Tij, sa të sakta qenë porositë e Tij. “I pëlqente djathi me krimba” më thoshte gjyshja, ndërsa nëna ime tregonte një episod të rrëfyer nga nëna e saj. Luigji kishte miqësi me një grua jo të bukur, e cila shkonte në qiellin e shtatë, kur ai e lëvdonte. Gjyshes sime italiane, që e ngacmonte për komplimetat që i bënte asaj Ai i përgjigjej : “Grave të bukura i bâjnë komplimenta të gjithë. Por edhe ato që nuk janë të tilla kanë nevojë për to.”
Altruizmi i Tij nuk njihte kufij, bënte pjesë në ADN-në e Tij si njeri, si intelektual, si Burrë Shteti, një shembull për t’u ndjekur, një Shqiptar me Sh të madhe, një Njeri, vepra e të cilit është një nga stolitë e rralla të kujtesës historike të Kombit tonë.
Është për t’ardhur keq që “demokracia” e re shqiptare e ka lënë pak në hije, madje është e papranueshme që shteti shqiptar e organet e tij të kulturës, përcjellin me indiferentizëm shkatërrimin nga koha të shtëpisë së Tij, një objekt që duhej të hynte me të drejtë të plotë, në pasurinë muzeale të trashëgimisë sonë kulturore e historike.
Mars 2015

Filed Under: ESSE Tagged With: “VIGANI LIBERATOR”, Eugjen Merlika, FËMIJA DHE, Luigj Gurakuqi

Artikujt e fundit

  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!
  • Veprimtaria atdhetare e Isa Boletinit në shërbim të çështjes kombëtare
  • FLAMURI I SKËNDERBEUT
  • Këngët e dasmës dhe rituali i tyre te “Bleta shqiptare” e Thimi Mitkos
  • Trashëgimia shqiptare meriton më shumë se sa emërtimet simbolike të rrugëve në New York
  • “Unbreakable and other short stories”
  • ÇËSHTJA SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT NUK TRAJTOHET SI PARTNERITET KONSTITUIV, POR SI PROBLEM PËR T’U ADMINISTRUAR
  • Dr. Evia Nano hosts Albanian American author, Dearta Logu Fusaro
  • DR IBRAHIM RUGOVA – PRESIDENTI I PARË HISTORIK I DARDANISË
  • Krijohet Albanian American Gastrointestinal Association (AAGA)
  • Prof. Rifat Latifi zgjidhet drejtor i Qendrës për Kërkime, Simulime dhe Trajnime të Avancuara Kirurgjike dhe Mjekësore të Kosovës (QKSTK) në Universitetin e Prishtinës

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT