-Si Dita e Verës në Shqipëri, Dita e Verëzes në Kosovë. Nga ky vit festë zyrtare në Prizren, ka vendosur Kuvendi i Kumunës. Ide ime e kaherëshme e raportimeve nga Kosova/
-Faik Konica më 1911: Ç’është Dita e Verës?/
-Para 21 viteve, në reportazhin me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, botuar në Prishtinë e Tiranë shkruaja se administrata e instaluar policore serbe i kishte ndaluar një grup të rinjësh dhe të rejash nga rrethi i Prizrenit të shkojnë në Shqipëri, të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit/SPECIALE- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/
PRISHTINË, 14 Mars 2017/ Si Dita e Verës në Elbasan, në Shqipëri, në 14 mars, është edhe në Kosovë Dita e Verëzes, në të njëjtën kohë e me rite dhe emërtim ngjashëm, në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri të dytë të shqiptarëve.
Edhe pse ka ide, në Kosovë ende nuk ka organizime institucionale, për festimin e Ditës së Verës, por ritet e festës të lashtë pagane iliro-shqiptare tradicionalisht janë ruajtur brez pas brezi nga populli. Ndërkohë, Dita e Verëzës – Dita e Vërës nga ky vit është festë zyrtare në Prizren, sipas vendimit ditë më parë të Kuvendit të Kumunës.
“Si festë tradicionale është e theksuar në fshatrat e Vërrinit, Lumës dhe të Opojës. Ne 14 mars, fillon ripërtëritja e natyrës dhe si festë do ia shtonte atraktivitetin Prizrenit si qytet turistik”, u theksua me atë rast.
Në mbledhjen e Kuvendi Komunal të Prizrenit në 23 shkurt 2017, kur u mor vendimi, u lexua shkrimi i vitit 1911 i personalitetit të madh të kombit shqiptar, FAIK KONICA:
Ç’ËSHTË DITA E VERËS?
Botuar më 1911
Miqve, shokëve të Lidhjes Shqipëtare “Verore”, u dërgoj kujtime miqësie, urime të zemrës, për Ditën e Verës që na afrohet. S’e festuam dot sivjet këtë ditë të bukur: po në mos e festuam me trup, do ta festojmë me zemër.
Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën shtërgjyshërit t’anë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtojin bashkë me Romanët dhe me Grekët e Vjetër, perëndit’ e luleve, të shelgjeve, të krojeve. Kur çkrin dimëri, kur qaset Vera buzëqeshur e hollë dhe e gjatë si në piktyrë të Botticelli, zemra e njeriut çgarkohet nga një barë, shijon një qetësi, një lumtësi t’ëmblë. Në këtë gëzim, stërgjyshërit t’anë ndiejin një detyrë t’u falen perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që quajmë Dit’ e Verës.
Në Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë, në një raportim nga Kosova në 14 mars 2012, para 5 viteve, shkruaja për idenë se, Elbasani mund të jetë shembull edhe për Prizrenin, për organizime edhe institucionale në festimet e Ditës së Verëzes.
“Kjo pyetje juaj është një ide e mirë për të ardhmen”, tha atëherë Urim Ukimeri, koordinator për kulturën në Komunën e Prizrenit, duke u përgjigjur në pyetjen time nëse ka ide a iniciativa që në qytetin më të madh jugor të Kosovës Dita e Verëzes të shënohet edhe me ndonjë organizim institucional, si në Elbasan.
Në foto arkivi të vitit 2010 shihet një fëmi në Opojë, ku në Ditën e Verëzes në borë me vezë të ngjyera është shkruar shkurtesa me shkronja të para të emrit në anglisht të Agjencisë kombetare-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë – Albanian Telegraphic Agency – ATA, për të cilën prej çerek shekulli raportoj nga Kosova edhe për festimet e Ditës së Verëzes.
Ndërsa, para 21 viteve, në 18 mars 1996, në gazetën e përditshme “Bujku”, të vetmes atëherë në Kosovë, themelues-kryeredaktor i parë i së cilës isha, në reportazhin nga kufiri Kosovë-Shqipëri me titull “Muri ndërshqiptar si ‘fundi i botës’”, që në “Paraqitje e shkurtër e regjistrimeve të gjetur” të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë e gjejë se është botuar edhe në gazetën Rilindja në Tiranë, në 19 mars 1996, mes tjerash, kam shkruar:
“Një grup i të rinjëve dhe të rejave nga rrethi i Prizrenit, ditë më parë ishin penguar të shkojnë në Shqipëri, meqë nuk iu ishin dhënë vizat dalëse nga administrata e instaluar policore serbe në Prizren.
Qëllimi i udhëtimit të tyre në Shqipëri ishte të marrin pjesë në festën e njohur të qytetit të Elbasanit-të Ditës së Verës, Ditës së Luleve, të 14 marsit.
Donon të shihnin se si kremtohet në Elbasan e njëjta festë që është edhe në Prizren e rrehinë”.
Në Opojën e njohur për dimrat me shumë dëborë e pranvera ca “të vonuara”, në prag të Ditës së Verëzes, pasdite dhe në mbrëmje të rinjë, po edhe fëmijë, ngjiten bjeshëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e shkurra dëllinje, dhe ndezin zjarre.
Vezët e ziera e të ngjyera, cakërrohen me njëra-tjetrën në garën cila është më e forta, ndërsa të spërkatura me ujin e krojeve hahen në bjeshkë dhe në shtëpi për shëndet e jetëgjatësi.
Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri, por që nuk janë ballokume Elbasani, edhe pse të ngjashme janë.
Në drekën e Ditës së Verëzes në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar.
Dita e Verëzes festohet nëpër familje, së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore. Ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin, kalimin nga dimri në pranverë. Dhe, është ditë e fillit të verës së re.
Afër Prizrenit dhe në kufi me Shqipërinë, në rajonin e Vërrinit, në festime në fshatin Zhur, më të madhin në Kosovë vezët e ziera herët i ngjyrosin fëmijët dhe bashkë me të rinjët dalin në zonat malore të afërta, ku mbledhin lulen e parë që lulëzon në pranverën e herëshme, luleborën.
Nënat zhurjane bëjnë gatimin tradicional, flinë, si dhe shumë gatime të tjera të veçanta për Ditën e Verëzës, që ështe edhe dita e vizitave të shumëta mes të të afërmëve dhe dhe familjarëve.