Festimet me rastin e 101 vjetorit të pavarësisë kanë mbledhur së bashku krerët më të lartë të vendit, por pa opozitën në Vlorë. Qyteti i flamurit ka pritur presidentin Bujar Nishani, kryeparlamentarin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama.
Ceremonia zyrtare e festimeve nisi me vendosjen e kurorave me lule te varri i “Ismail Qemalit” dhe ngritjen simbolike të flamurit kuq e zi nga presidenti Bujar Nishani.
Kryetari i parlamentit, Ilir Meta, u shpreh se integrimi është sfida e së ardhmes. Ndërkohë që Kryeministri Edi Rama deklaroi se kjo dite sherben per te kujtuar te gjithe per me shume pergjegjesi qeverisese dhe per ta çuar perpara projektin e Shqiperise Europiane.
Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani i shoqëruar edhe prej kryebashkiakut Shpëtim Gjika kanë vizituar familjen e patriotit Osman Haxhiu.
Nderkohe në teatrin “Petro Marko eshte prezantuar projekti “Lungo Mare”, ku u shpall dhe konkursi ndërkombëtar për projektin e vijës bregdetare të qytetit të Vlorës.
Kryeministri Rama në fjalën e tij u shpreh optimist për konkursin në funksion të zhvillimit të vijës bregdetare.
“Kemi shembuj të shkëlqyer të mënyrës se si duhet të jetë vija bregdetare e një qyteti mund të transformohet në një nga burimet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik, por edhe të mirëqënies së atij qyteti por edhe të mbarë vendit. Kemi shembuj të shkëlqyer për të mësuar nga gabimet e të tjerëve në projektimin dhe shfytëzimin mbi bazën e projekteve të bëra të vijës bregdetare urbane që është një element shumë i brishtë pasi bashkon shumë afër pranë njëra-tjetrës natyrën dhe nevojën për zhvillim. Unë besoj se kemi edhe eksperiencën e nevojshme, gjë që u reflektua edhe në paraqitjen që bëri Adelina për të ndërtuar një konkurs që të përfshijë jo vetëm talente dhe forcën e imagjinatës të shumë arkitektëve dhe urbanistëve me famë në botë, por edhe energjinë dhe mendimin e vetë njerëzve që jetojnë realitetin ku nuk është domosdoshmërisht talenti dhe imagjinata që vjen nga jashtë që mund të garantojë sukses, por është sinergjia mes të dyjave të garanton sukses.Kemi marrë një zotim që ti japim bregdetit dhe Shqipërisë në tërësi një përmasë të re zhvillimi, por njëkohësisht ti japim këtij zhvillimi shumëllojshmëri dhe ta bëjmë këtë zhvillim në një harmoni me natyrën dhe sa më pranë standarteve që sot përcaktojnë edhe cilësinë e industrisë së turizmit në botë, por edhe në Mesdhe dhe ky konkurs dhe ky projekt janë hapi i parë në realizimin e këtij zotimi ndërkohë që ky qytet dhe vija e tij bregdetare janë më siguri një sfidë për tu fituar në funksion të transformimit të gjithë vijës së përcaktuar nga konkursi ,nga pylli i Sodës deri lart tek tyneli në një realitet të ri europian dhe urban të Shqipërisë së re turistike” tha ai.
Ai theksoi se pavarësisht dëmtimit të vijes bregdetare nga ndërtimet pa kriter, është i mundur transformimi i saj në harmoni të plotë me natyrën në funksion të turizmit. Kryeministri tha se objektivi i qeverisë mbetet realizmi i këtij projekti brenda harkut kohor të dy viteve.
“Unë jam i bindur se pavarësisht dëmeve të bëra për shkak të mungesës së eksperiencës apo për shkak të ngutjes pas një zhvillimi të paqëndrueshëm potenciali është aty. Dhe jam i bindur që çdokush që kalon në pjesën e bregdetit të Vlorës në këmbë pas pastrimeve të bëra dhe atyre që do të behen deri në fund dhe shumë shpejt, e ndihen se aty është e gjithë hapësira për të ndërtuar një nga vijat urbane më të bukura të Mesdheut në funksion të zhvillimit të qytetit, në funksion të zhvillimit të gjithë vendit dhe në funksion të thithjes së një numri jo vetëm më të madh, por edhe më cilësor të turistëve drejt Vlorës. Turistë që vijnë nga të gjitha trojet shqiptare dhe turistë të huaj që me siguri që me realizimin e këtij projekti do të jenë drejt Vlorës dhe me ecurinë e këtij projekti do të jenë shumë më të tërhequr drejt vijës bregdetare.Ne e kemi të gjithë vullnetin për ta ndërtuar projektin për të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë duke e filluar me vijën bregdetare të Vlorës. Unë jam i bindur se në një kohë realivisht të shkurtër besoj se duhen afro 2 vjet ne mund ta prekim me sy dhe ta jetojmë këtë realitet, këtë projekt që fillon sot. Objektivi ynë është që projekti të jetë i realizuar përpara sezonit të verës të vitit 2015 dhe unë jam ibidnur që i kemi të gjitha mundësitë ta bëjmë realitet këtë objektiv” deklaroi Rama.
E ndërsa financat nuk premtojnë shumë, Krymeministri Rama u shpreh i bindur që për projektin “Lungo Mare” qeveria do të vërë në dispozicion në kohën e duhur dhe pa vonësë edhe burimin e financimit.
“Ndërkohë më lejoni të shtoj se jemi duke u përgatitur intensivisht edhe me projekte që janë komplomentare në mënyrë që ky zhvillim të mos mbetet i izoluar, por të shtrihet në gjithë bregdetin e Jonit, të jetë një zhvillim i qëndrueshëm jo vetëm urban, por edhe ekonomik dhe social. Një numër i konsiderueshëm projektesh tani më janë të përfunduara dhe presin burimet e financimit që sigurisht është e lehtë të thuhet, por është e vështirë të bëhet, ndërkohë që unë jam i bindur që projektin që po flasim ne do të vëmë në dispozicion në kohën e duhur dhe pa vonesë edhe burimin e financimit. Sfida është që kësaj shëtitoreje ti japim përmasën e njeriut dhe që gjithë lëvizjen që sot është shumë e rënduar për shkak të makinave, ta devijojmë për të krijuar kushte që edhe lëvizja e automjetve të jetë e garantuar përmes një segmenti tjetër dhe vijaurbane të jetë në dispozicion të qytetarëve” përfunoi Rama duke ndarë me pjesmarrësit urimin për festën e Flamurit dhe atë të Çlirimit me 29 nëntor.
101 vite më parë Ismail Qemali i shoqëruar dhe nga 83 delegatë shpalli pavarësinë e vendit në qytetin e Vlorës me anë të simbolit të ngritjes së flamurit kombëtar në më 28 Nëntor të vitit 1912. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912, ishte një akt historik, që i ngriti lart krenarinë dhe dinjitetin e shqiptarëve.