Mirënjohje të thellë e të sinqertë për mikun e madh të shqiptarve, Kongresmenin Don H. Clausen/
Nga Filip Guraziu/*
Lajmi i humbjes së Kongresmenit Republikan 91 vjeçar Don H. Clausen, u prit me dhimbje dhe emocion nga komuniteti shqiptar e veçanarisht nga ai shkodran . Një fjalë ‘e urtë ‘ shqiptare shprehet: “ Miku i mirë në kohë të vështirë “ , domethënia e te ciles na bëri të meditojmë dhe te kujtojme me nderim dhe mirenjohje, personalitetin e lartë shtetëror të U.S.A, Kongresmenin Republikan Don H. Clausen i cili në ditët më të vështira për popullin shqiptar, ( kujtoni varfërinë ekstreme të periudhës post komuniste) erdhi privatisht në Shqiperi , në vitet 1991 dhe 1992 së bashku me Arqipeshkvin e San Françiskos, Imzot Mark Hurley dhe humanistin nga Santa Rosa , Dr.Bill Sullivan për t’u njohur me situaten dhe për të ndihmuar, duke ju përgjigjur pozitivisht ftesës së bërë nga patrioti nacionalist, humanisti shqiptar me banim ne Santa Rosa-Kaliforni, Z.Tony Prendushi.
Po kush ishte Kongresmeni Rep. Don H.Clausen?
Lindi në Ferndale me 27 prill 1923. U arsimua në disa kolegje , ndër të cilat ‘St.Mary Colllege’ ku plotësoi programin e ‘V5 Naval Aviation Cadet’. Ishte pjestar aktiv në luftën e dytë botërore duke shërbyer si pilot në qiejt e Paqsorit, më pas ndërmori iniciativën për themelimin e një shkolle fluturimi si dhe të organizimit të shërbimit në aeroportin Del Norte. Ai ishte gjithashtu edhe autori i nje programi të aviacionit pranë Shkollës së lartë të Del Norte. Don H.Clausen hyri në politikë në 1955, shërbeu në Bordin e Autoritetit të Vigjilancës së Qarkut të Del Norte gjatë periudhes kohore 1955 deri 1962. U zgjodh anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve në vitin 1963. Gjatë kohës së shërbimit në Kongres, ndër të tjera, i është dedikuar themelimit te Parkut Kombëtar të Redvood (1968) si dhe zgjërimit të tij (1978). Me emërin e tij lidhen edhe iniciativat e financimeve ndaj sistemimit të lumenjëve lokalë, mbrojtjen e biodiversitetit te mjedisit ujor etj. Në vitin 1982 është emëruar nga Presidenti Reagan, Drejtor i Projekteve Speciale të Departamentit Administrativ të Transportit Federal Ajror, detyrë që e ka mbuluar deri ne vitin 1990, më pas është transferuar në Fortuna.
Ja se si shprehet Republikani Jared Huffman ne komunikaten e leshuar pas marrjes së lajmit të humbjes se Rep.Don H.Clausen “ Me trishton fakti qe njëri nga mbështetësit më të mëdhej të North Cost nuk është më… ish anëtari i Kongresit Don H. Clausen ishte një kampion per ndihmen që i dha sektorëve të lumenjëve, të pyjeve, të oqeaneve dhe te infrastrukturës toksore që të zhvillohen dhe të përparojnë. Shërbimi i tij për vendin dhe për North Coast do të ketë ndikim të dukshëm në vitet që do të vijnë. “
Në deklaratën e firmosur nga i ndjeri Don H.Klausen për aktivitetin humanitar të Tony Prendushit- ‘Pro Shqiperise’, shkruhet: “ Kushtet ekonomike dhe shoqërorë të Shqipërisë ishin të mjerueshme – për shkak të ’47 viteve të sundimit të Qeverisë Marksiste-Komuniste’ , megjithatë Tony Prendushi nuk kishte harruar gjëndjen e vështirë të vendit të tij të lindjës, Shqipërisë” . Duke qenë mik personal dhe i ngushtë me Sekretarin Jim Baker, Don H.Clausen kishte qene i mirëinformuar dhe njëkohësisht i impresionuar nga suksesi i jashtëzakonshëm i vizitës të Sekretarit të Shtetit në Shqipëri. Dashamirsija per popullin shqiptar dhe autoriteti si burrë shteti amerikan bënë që në shërbim të aksionit ‘Pro – Shqipërisë’ të vihet ne dispozicion edhe USA –Army me mjetet e sajë të transportit ajror dhe detar. Në ato vite të vështira, kur rezervat e grurit për popullsinë mjaftonin vetëm për 6 ditë…! Ai dhe shokët e tij sollen ndihma kolosale për popullin shqiptar; ushqime, 10.000 batanije, ilaçe, infrastrukturë spitalore, paisje bashkëkohore mjeksore, farëra për bujqësinë, paisje për konviktet etj., etj.
Shkruesi i këtij shkrimi pati fatin ta njohë personalisht Kongresmenin Don H. Klausen gjate vizitës që ai bëri në Shkoder ne vjeshten e vitit 1992. Mbetet e paharruar dita e ardhjes , mijra qytetarë sapo kishin marre lajmin që në orën 13.00 do të vinin për një vizitë private dy personalitete të larta të shtetit amerikan; Ipeshkvi Mark Hurley dhe Kongresmeni Don H.Clausen të shoqëruar nga biri i Shkodrës , Z.Tony Prendushi, nxituan për ti uruar mirësëardhjen miqve të rrallë, pranë Kishës së Zojës, në Hyrje të Shkodrës. Entuziasmi i qytetarve u bë edhe më emocional, pasi pikërisht në momentin që delegacioni arriti, filloi një rrëbesh shiu i paparë, i cili pengoi për një moment daljen e miqëve nga vetura, por nuk pengoi aspak që populli të këndojë në kor këngë për nderë të të ardhurve. Kaq përshtypje i kishtë bërë të ndjerit Don H.Clauzen ky moment sa edhe pas disa viteve që e pata takuar në San Françisko, e kujtonte me shumë emocion takimin e tij me shkodranët.
Jo vetëm unë, por të gjithë ato që patën rastin të njihen me Don H. Clausen, burrin trup madh me një zemer edhe më të madhe, kujtojnë me respekt dhe mirënjohje Kongresmenin e dashur, kujtojnë me mallë buzëqeshjen e tij të sinqertë… Jam i sigurtë që edhe ne këtë moment që po shkruaj këto rreshta ‘in memoriam ‘ të mikut të madh të shqiptarve , diku atje në Parajsë, buzëqeshja e Don H.Clausen më shoqëron… Amerika lindë njerëz të mëdhej dhe njerëzit e mëdhej, si Kongresmeni Don H.Clausen bëjnë të shëndetshme dhe fitimtare Ameriken! Ngushllimet të sinqerta familjes per humbjen e këtij njeriu të madh ! Mirënjohje të përjetshme nga miqët në Shqipëri
*Ish Kryetar i Bashkisë Shkodër
Legjenda e Rozafës : Shqiptare apo Sërbe?
Nga Filip Guraziu/
Në fëmijëri, vizita në Kështjellën Rozafa ngjallte kuriozitet të pamasë, jo vetëm për faktin se aty përjetohej me emocione të veçanta lufta epike e shkodranëve dhe e venecianëve kundër hordhive turke, por sidomos që përjetohej si në asnjë vënd tjetër sakrifica sublime e Rozafës, “qumështi i të cilës vazhdon të rrjedhë ende sot në muret mijravjeçare të kështjellës….” Pavarsisht se si dhe çka tregon legjenda, morali përfundimtar që mësonim ishte konstruktiv; asgjë nuk ndërtohet, asgjë nuk arrihet pa sakrifica…, por natyrisht në ato vite, moralit që merrnim nuk i jepnim aq rëndësi në krahasim me keqardhjen që ndjenim për murosjen e Rozafës… Shumë vite më vonë, në moshë madhore kuptova se si për shumë problematika, ngjarje dhe personazhe të botës ballkanike që mbesin “pa origjinë dhe autorësi” pasi të gjitha palët i pretendojnë si të tyre, edhe legjenda e Rozafës kishte patur të njëjtin fat.
• Megjithse pranohet nga historia, se origjina e Kështjellës së Rozafës i përket mijëvjeçarit të III pr.k. dhe se në vitin 168 pr.k. poshtë mureve të saj pat qenë zhvilluar beteja përfundimtare në mes legjioneve romake dhe ushtrisë ilire të mbretit Gent ( kronika e kohës nga Titius Livius), historia sërbe pretendon se janë ato që e ndërtuan Kështjellën Rozafa dhe si rrjedhim legjenda është e tyre. Për historinë sërbe nuk ka aspak rëndësi fakti i njohur dhe i dokumentuar, që turmat sërbe kaluan Danubin duke u vëndosur ( me marrëveshje) në territorin e perandorisë Bizantine, pra në Ballkan, vetëm në shekullin e VI. ps.k. dhe se pretendimi i tyre sipas kësaj logjike vetëvetiu zhbëhet, për ato ka rëndësi vetëm një gjë ; që legjenda e Rozafës të jetë e tyre … dhe kaq. !
• Po sikur legjenda e Rozafës të jetë shpikur jo në kohën e themelimit të kështjellës ( si pretendojnë shqiptarët), por në kohën e lartësimit dhe forcimit të mureve rrethuese që mund te jene bërë edhe nga sërbët duke filluar nga shekulli i XI ps.k. ? Ky këndvështrim i ri i problemit na detyron që të arsyetojmë më thellë…
• Argument në favor të pretendimit sërb duket sikur është fakti që legjenda e Rozafës, ose më saktë, legjenda e sakrificës si premisë e ndërtimit dhe përparimit, është mjaft e përhapur në hapsirat etnike sërbe, por kjo qëndron vetëm në sipërfaqe sepse po të “gërryejmë” pak më thellë, kuptojmë se ‘akti i sakrificës’ qëndron në themel të historisë së mbarë njerëzimit që në kohët e “ mjegullës historike”… , dhe për të mos shkuar më larg, atë e gjejmë të përhapur ndër popujt e vjetër autokton të Ballkanit shumë e shumë shekuj më parë se të identifikohen gjurmët e kulturës sërbe.
• Argument në disfavor të pretendimit shqiptar duket se mund të jëtë fakti që legjenda e sakrificës së Rozafës ka në themel ‘tradhtinë’ gjë qe bie në kundërshtim me ‘besën’ si ‘institucion juridik’ me të cilën njihen dhe krenohen shqiptarët. Por, në lidhje me këtë argument, gjithashtu duhet të pranojmë se në analizë të fundit, tradhtia si pjesë përbërëse e legjendës së Rozafës, në një farë mase është sekondare dhe zbehet në krahasim me aktin e sakrificës (moment kulminant) që bëhet për të ndërtuar të ardhmen kundër asaj “force të errët” që shkatërronte çdo gjë.
• Por ç’farë ishte ajo forcë e errët shkatërrimtare që pengonte ndërtimin dhe përparimin e shoqërisë së asaj kohe ? Universi dhe natyra konsiderohen të përjetëshme , si rrjedhim të përjetëshme duhet të jenë edhe ndikimet e tyre ndaj shoqërisë njerëzore, pra “forca e errët” shkatërruese e legjendës se Rozafës duhet të ketë qenë prezente në të gjitha zhvillimet e historisë së njerëzimit gjatë rrugëtimeve që ajo ka bërë, e deri në ditët e sotme si dhe në ato që do të pasojnë. Historia e mbarë njerëzimit e provon këtë, kurse historia e shqiptarëve çuditërisht e përforcon aq shumë këtë tezë sa gati, gati, fillon e të mbushet mendja se kjo ‘forcë e errët” që vazhdimisht shkatërron, na qenkërka kryesisht e lidhur me shqiptarët ! Duke ndjekur arsyetimin me metodën induktive për të kuptuar më tepër, konstatojmë se në qytetin e Shkodrës gjatë viteve të komunizmit u shkatërruan vepra monumentale të papërsëritshme të kulturës shqiptare për të cilat breza të tërë kishin dredhur djersë duke bërë sakrifica për t’i ndertuar si; Pazari i Shkodrës me 2500 dyqane ndër të cilët edhe monumenti unikal në Ballkan, Bexhisteni; Kisha e Shën Markut e shekullit të XI në Vau Dejës ku supozohet që është martuar edhe Skënderbeu; Xhamija e Parrucës me mozaikë të vyer të kulturës islame, Kisha e Shirqit e shekullit të VI e lënë qëllimisht në mëshirën e ujrave të lumit Buna; Zemra e gjelbërt e qytetit të Shkodrës (bahçet e shkodranëve) monument natyror i papërsëritshëm e të tjera… Kurse në vitet e demokracisë, edhe ato monumente kulture egzistuese që mbetën, u zhdukën nga qarkullimi, si shtëpitë muze të, Luigj Gurakuqit, Vaso Pashës, Mark Kakarriqit, tavane druri të punuar artistikisht nga mjeshtrit lokale, shatrivani qendror i qytetit etj. Edhe në këtë moment, sot, drejt shkatërrimit po shkojnë monumentë të tjerë të rëndësishem të kulturës qytetare si Xhamia e Plumbit, Kisha e Shën Stefanit (shekulli i XIII ), Kafja e Madhe etj. Po sa projekte janë realizuar në Shkodër, duke shpenzuar shuma të konsiderueshme dhe porsa ndërron administrata çdo gjë shkon në kosh të mbeturinave duke u zeruar. Më pas, askush nuk di gjë… dhe natyrisht fillohet përsëri nga fillimi. !? Për ilustrim mund të kujtojmë: Projektin Turistik të Hyrjes së Shkodrës të aprovuar edhe nga KKRT ; Projektin për Kompensimin fizik të trojeve të qytetarëve shkodranë duke i ofruar parcela shtetërore në Velipojë; Projektin e Qarkullimit Rrugor dhe të vëndosjes së Semaforëve në qytetin e Shkodrës; Projekt Ideja e Tangencialës së Shkodrës që do të ndiqte rrugën e vjetër Karvane ( jo kjo e sotmja që ka dëmtuar rëndë mjedisin) e tjerë… Po të largohemi nga Shkodra do të na kujtohet menjiherë përfundimi tragjik i qytetit të Voskopojës, qëndër e madhe e dijes dhe e kulturës mesjetare; Shëmbja me dinamit i varrit monumental të Nënës Mbretëreshë në Tiranë; Degradimi i vazhdueshëm i shtëpijave muze në Gjirokaster; Shkatërrimi i mbikalimit në hyrje të Tiranës; Lënia pasdore në mëshirë të fatit (drejtë rrënimit) të ‘Urës së Zogut’ mbi lumin Mat etj.
• Paraqitëm efektet e “forcës së errët” në drejtim të shkatërrimeve materiale, por nuk janë më me pak vlerë ato shpirtëroret: Dhuna e bëri Shqipërinë vëndin e parë ateist në botë!; Poeti Kombëtar Atë Gjergj Fishta mbeti pa varr, komunistët e zhvarrosën dhe ja zhdukën eshtrat… !; Kolosi tjetër i letrave shqipe, Martin Camaj vdiq i “vetmuar“ dhe anonim për botën shqiptare , pasi ashtu pat vëndosur Partia…, të njëjtin fat, pat dhe Ernest Koliqi, kurse Lasgush Poradeci vdiq në Shqipëri, por i harruar…! Me ardhjen e komunizmit, pothuaj e gjithë elita intelektuale shqiptare e shkolluar ne Europë u eleminua fizikisht, u burgos ose u keqtrajtua, pasi konsideroheshin borgjezë, pra armiq..!; Kështu u trajtuan edhe klerikët katolikë që kontribuan aq shumë për shkencën shqiptare, por këto me tjetër akuzë; si agjentë të Vatikanit…! Pikërisht në momentin kur një shqiptar i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare mund të bëhej Nobelist, “ forcat e errëta” u vërsulën kundër tij deri në Suedi…!; Së fundi, “vepra” e demokacisë, çdo ndërrim pushteti shoqërohet me largim nga puna të profesionistëvë të kualifikuar për ti zëvëndsuar me militantë partiakë… etj.
• Rastet e mësipërme dhe të tjerë më të shumtë, që për mungesë hapsire nuk arrita ti rreshtoj, mund të na ndihmojnë për të kuptuar se për fatkeqësinë tonë, ‘veprimi i zhbërjes dhe i prishjes’, shpesh me motivin e vetem ‘se e ka bërë kundërshtari’, ka hyrë thellë në shpirtin dhe psikologjinë tonë, dhe se ky faktor mund të jetë një nga arësyet që ‘vëndi i shqiponjave’ vazhdon të mbetet gjithënjë i fundit në Europë !
• Ndërto ditën dhe prish natën! Pasojat: jo zhvillim, jo përparim, jo mirëqënie. Kompleksiteti e ngjarjes së legjendës së Rozafës i gërshëtuar me eksperiencën mijra vjeçare e deri në ato të sotme të problematikave shqiptare na bën të besojmë (duke u bërë supersticiozë) se “forcën e errët shkatërrimtare” e kemi patur dhe do ta kemi bashkudhëtaren tonë. Kjo natyrisht na shqetëson pa masë ! Po deri kur kështu ?! A nuk është koha që ti themi ‘ndal’ ketij fenomeni negativ çoroditës ?! Nuk është kurrë vonë të punohet me brezin e ri që po rritet, për të çrrënjosur përfundimisht atë psikologji të dëmshme dhe për ta zëvëndsuar me vlerat më të spikatura humane; respektin dhe vlerësimin për punët e vyera të paraardhësit edhe sikur ky i fundit të konsiderohet kundërshtari i yt. Mbi çdo gjë, ‘Arsimim & Edukim’ i Brezit të Ri. Përfundimi ?, Besoj se lexuesi tashmë e ka kuptuar domethënien e ketij shkrimi…, le të ja lëmë atij përgjigjen që shtrohet për zgjidhje …
• Filip Guraziu
• Shkodër, datë 17.01.2015
•
•
•
14 JANAR 1990–DEMOSTRATA E PARE ANTIKOMUNISTE SHQIPTARE
Nga Filip Guraziu,Shkodër/
Shqipëria para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vertetë ishte e varfër dhe me marëdhënie shoqërore pak të zhvilluara, por ishte një vënd ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotëronin jetën e vëndit; Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder nga lindja ju vërsul Shqipërisë. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbërore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë. Për të sunduar dhe për ti shërbyer politikës së huaj eleminoi me metodat më të ulta mendjet më të ndrituëa të shqiptarve. Historia e shqiptarve nuk kishte njohur ndonjëherë luftë civile si ajo që u zhvillua në vitet e luftës së dytë botërore. Historia e shqiptarve nuk kishtë parë ndonjëherë përdhunime, poshtrime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste. Historia e shqiptarve nuk kishte njohur kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njëriu i ndershëm u shpall i poshtër, spijuni – hero, krimineli – qëngj i bekuar , njëriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll. !
Për gjysëm shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat më barbare për të shkatërruar çdo gjë të mire dhe qytetruese që përfaqësonte qyteti i Shkodrës.
Për ta mbajtur popullin e Shkodrës nën terror psikollogjik, në sheshin qendror të qytetit , aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nane Terezes’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura te krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashurinë dhe demokracinë, diktatura ngriti monumentin e urryer të Stalinit, simbolit të së keqes.
Diktatura komuniste dukej e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte këthyer në skllaveri estreme një popull të tërë nën slloganin e krijimit të njëriut të ri : një monstër komuniste të pa besim dhe të pa moral, që zëvendsoi dashurinë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me gënjeshtën.
Ngjarjet vertetuan se diktatura komuniste i paska pasë bërë gabim llogaritë, pasi mund të zhdukësh njerëz, të shkatërrosh monumente, të grabitësh prona dhe të shkruash histori të rreme, por kurrë nuk mundësh të pengosh që ndjenja e lirisë të shpërthejë në shpirtin e të rinjëve.
Dhe shpërthimi ndodhi me 14 Janar 1990, ishte një vullkan i fuqishëm nënujor që u pasua me nje tsunam të vërtetë politik i cili tronditi në themel diktaturën: disa muaj prapa, monumenti i urryer i Stalinit u hoq natën vjedhurazi nga organet e diktaturës.
Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: mbi 600 qytetarë të arrestuar, një pjesë e madhe pësoi tortura, dhjetë ndër kryesorët u dënuan me shumë vite burg, pesë të tjerë u shtruan në psikiatri dhe disa familje u internuan. Një prej të burgosurve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjëndje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin bërë efektin makaber!.
Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër. Populli i Shkodrës dhe i malësive për rreth edhe më parë kishin demostruar se komunizmi ishte i huaj për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhur historikisht në kontakt me kulturën përendimore nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe influencës së kishës katolike nuk mundi ta pranojë kurrë diktaturën dhe dogmën komuniste. Kujtojmë rezistencën e armatosur deri në vetmohim të malësorve kelmendas ne Janar te 1945 dhe kryengritjën e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shembuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm.
Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990 nuk arriti të mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u bë më e ashpër për të qenë shëmbëll frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.
Duke u përkulur me respekt dhe me mirënjohje ndaj të gjithë atyre qe u sakrifikuan në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin tu rikujtoj historianëve faktin, çuditërisht të lënë në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990 dhe kjo duhet te shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër!
Shkodranët ndërtuan themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i themelit ishte demostrata e 14 janarit 1990.
Filip Guraziu,
Shkodër, 12.01.2015
KRIMI KOMUNIST DHE DEKORATAT
Shkruan: Filip Guraziu/ Shkoder*/
Krimi komunist vazhdoi panderprerje që pas Konferencës së Mukjes e deri në vetëkapitullimin e sistemit diktatorial. Unë, së bashku me shumë të tjerë, patëm fatkeqësinë të jemi deshmitarë të gjallë të atij kobi, që, si rrufe ra ne familjet tona. Mbrënda një nate, 27 Shkurt 1951 (jo në kohë lufte dhe revolucioni, por në periudhë paqeje dhe nën një pushtet të konsoliduar) hijet e zeza me zemër të kuqe, eleminuan 22 intelektualë nacionalistë, pa zhvilluar proçes gjyqësor dhe pa provuar asnjë lidhje me akuzën, vetëm e vetëm për terror, si kurban per servilizëm ndaj baba Stalinit. Kaq e turpëshme dhe skandaloze qe ajo masakër, sa që Ramiz Alia, për ti treguar shqiptarëve dhe botës së lirë se komunizmi në Shqipëri po fillonte të merrte “fytyrë njeriu”, urdhëroi Plenumin e Gjykatës së Lartë që të shpallte të pafajshëm 22 intelektualët e masakruar ! Vendimi u muar me 8 Gusht 1991. Ky qe rasti i parë që komunistët shqiptarë pranuan publikisht krimin e tyre !
Aplikimi i krimit komunist, si metodë kriminale-mafioze-terroriste për të fituar dhe mbajtur pushtetin, eleminoi elitën intelektuale shqiptare, shkatërroi institucionet fetare, i mori jetën në tortura rreth 6000 shqiptarëve, burgosi 30.000 “ armiq” dhe interrnoi 60.000 te tjerë. Familjarët e tyre u përbuzën , u poshtëruan, u diskriminuan dhe u quajtën “të prekur”!. “Të prekur” ?, po prej kujt? : “Të prekur nga murtaja komuniste”.
Po, krimi komunist ishte një murtajë, një sëmundje çfarosëse me virus politik, që aplikoi klika kriminale e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut “and company” për të ndërtuar gjoja (sepse edhe ato e dinin që ishte utopi) shoqërinë komuniste, në themel të së cilës duhej të qëndronte “njeriu e ri”, gjë që do të realizohej në luftë të pamëshirëshme dhe të vazhdueshme me ‘ mbeturinat e shoqërisë së vjetër kulako-borgjezo-kapitaliste’ !.
Ato krime të gjithë i jetuam dhe një pjesë e madhe e popullit shqiptar i provoi mbi supe. Brezat e ri që lindën rreth viteve 90, arritën ti njohin sipas tregimeve të prindërve të tyre, arkivave të shtetit apo dëshmive autentike në publikimet që bënë dhe vazhdojnë të bëjnë ato që i vuajtën direkt në burgjet komuniste.
Sot pas 23 viteve të kapitullimit të diktaturës komuniste dhe të përpjekjeve të shoqërisë shqiptare për konsolidimin e demokracisë, po përjetojmë një situatë vertetë të paparashikuar dhe të koordinuar sipas një propogande mediatike të mirëmenduar e cila tenton ta bëjë ujkun qëngj, ose me qartë po kerkon të bindë brezat e rinjë “se edhe në qoftë se ndonjëherë diku në Shqipëri paska patur krim komunist ( pasi minareja nuk futet në thes), ai krim është bërë vetëvetiu, pa urdhërdhënës, si pasojë askush nuk mund të mbajë përgjegjësi !.
Për të arritur në këtë konkluzion makiavelist, personazhe me të kaluar të errët ne aparatin shtypës të diktaturës së Enver Hoxhës, duke përfituar nga mangësitë e demokracisë së brishtë shqiptare, po publikojnë libra, artikuj si dhe po organizojnë programe televizive për të paraqitur se si ujqërit e kuq komunistë nuk paskan pasë qenë bisha që u ushqyen me gjakun e pafajshëm të shqiptarëve, por në realitet, paskan pasë qenë qëngja, që ngjajnë me ujkun rastësisht… Ato udhëheqës komunistë, urdhëruesat dhe zbatuesat e gjenocidit, paskan pasë qenë një lloj qënie njerëzore e veçantë, vertetë të ashpër me armikun e klasës, por me “shpirt babaxhani, kryefamiljarë të dashur, me moral të pastërt, me shije letrare, poetike dhe sentimentale, të ditur, strategë dhe burra shteti…etj.,etj”.
Kurse me krimin komunist ato skanë të bëjnë fare, atë e kanë bërë vetë shqiptarët, (pra populli), ato vetë e kanë dashur, ajo është vepër e tyre !
Trashëgimtarëve të ish kupolës komuniste, përgjegjëse për krimet më mizore ndaj popullit shqiptar, sot pas 23 viteve ndërrim sistemi, nuk i mjaftojnë pozitat e larta që zotërojnë në sferat e pushtetit, nuk i mjafton pasuria që ato gëzojnë, pensionet e majme që marrin etj., por duan më, duan më. Po çfarë pra duan !? Ato duan moralin, të rifitojnë moralin e humbur, që sipas tyre, do të arrihet duke vlerësuar dhe respektuar “ titujt që i dhuruan njëri tjetrit” në kohën e diktaturës, marrjës së dekoratave të reja në demokraci si dhe duke ringritur monumente në kujtim të krimeve të bëra dhe të “meritës së madhe” së veprës për transformimin e Shqipërisë në varrezë bunkerësh dhe “njeriun e ri” shqiptar në qënien më mjerane në botë.
Çfarë kuptimi tjeter, për një shoqëri demokratike, mund të kenë dekorimet që u janë bërë kohën e fundit gjerarkëve të kupolës komuniste?
Le ti rendisim: I jepen tituj ‘Qytetarë nderi’ kryekriminelit Melmet Shehu dhe ndihmësit të tij Feçorr Shehu; i akordohet titulli ‘Nderi i Kombit’ gjeneralit komunist terrorist Rahman Parllaku, ringrihet vënd dhe pavënd foto e diktatorit, dhe së fundi dekorohet per merita ne luftën Nacional Çlirimtare Shoqia Vito Kapo…..
E thënë troç dhe shqip, kjo do të thotë përbuzje e kujtimit te atyre martrirëve që u masakruan dhe vuajtën nga diktatura e Enver Hoxhës, do të thotë përdhunim dhe poshtërim i shtresës së ish të përndjekurve politikë që kontribuoi aq tepër në konsolidimin e demokracisë.
Në diktaturë humbëm njerëzit më të dashur dhe pësuam vuajtjet e ferrit dantesk, sot pas 23 viteve në demokraci , po përpiqen të na vjedhin dinjitetin dhe moralin dhe kjo nuk duhet lejuar !Eshtë koha, që të gjithë forcat përparimtare; shoqatat, institucionet, religjonet, partitë, intelektualët me bindje liberale, mediat progresiste etj., të reagojnë të bashkuar, ndaj kësaj përpjekje te mbarsur me moral përvers që po kërkon ti serviret dhe në një fazë të dytë ti imponohet brezit te ri . Helmatisja e brezit te ri me ideollogji primitive dhe reaksionare që himnizon kriminelin dhe krimin, përbën aktin më të turpshëm dhe më të papranueshem për një shoqëri demokratike . Indiferentizmi ndaj kësaj çështjeje, duhet konsideruar tradhëti ndaj idealeve të atyre që dhanë jetën dhe u sakrifikuan per liri dhe demokraci; ( kujtojm ato mijra të rinjë që vdiqën në luftë kundër okupatorit gjatë luftës së dytë botërore si dhe ato mijra të tjerë që u përsekutuan nga diktatura komuniste)
Duhet ta dini se historia, për kriminelët që bënë krim dhe gjenocid ndaj popullit të vet, është e pamëshirëshme, ajo për ta, nuk rezervon vënd tjetër, veçse koshin e madh të plehrave.
O nostaslgjikë donkishoteskë të diktaturës komuniste ! Lerini ato kriminelë aty ku janë hedhur nga historia. Mos i ngacmoni me dekorata dhe tituj të rinj dhe mos u bëni merak, se në kohën e sundimit të tyre kanë marrë aq shumë sa nuk ja zë më gjoksi…Lerini në punë të tyre, të gëzojnë njëri tjetrin “të shtërnguar në unitet të çelniktë, si në bironë politike” dhe mos ja vështirësoni ecjen përpara shqiptarëve të stërvuajtur, duke i ngarkuar artificialisht me emocione imorale te së kaluarës diktatoriale! Na leni edhe neve të qetë në vuajtjet dhe hallet tona që skanë të mbaruar… Shqiptarët sot, kanë nevojë më fort se kurrë, për forcim të unitetit kombëtar dhe jo për përçarje për “mullinjtë e erës”.
* Redaksia falenderon z. Filip Guraziu, kryetar i Shoqates te Perndjekurve Politike ne Shkoder, qe opinionet dhe analizat i ndane le lexuesit e Diellit.
HAPJA E DOSJEVE DHE TE PERNDJEKURIT POLITIKE
“Ish të përndjekurit”te jenë palë në proçesin e ‘hapjes së dosjeve’/
SHKRUAN:FILIP GURAZIU*/
Shoqata e ish të përndjekurve politikë Shkodër, e ndjeshme ndaj zhvillimeve të politikës shqiptare, duke dashur që të kontribuojë sa më tepër në krijimin e një klime të mirëkuptimit social, si premisë e nevojshme dhe e domosdoshme për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, me anën e këtij shkrimi paraqet publikisht shqetësimin në lidhje me ‘proçesin e hapjes së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’. Gjejmë rastin të sqarojmë opinionin publik, se ne ( Ish të Përndjekurit Politikë Shkodër) kemi qenë , jemi dhe do të jemi PRO ‘proçesit të hapjesë së dosjeve dhe ligjit të lustracionit’ dhe se në gjykimin tonë, kurrë nuk mund të kemi mirëkuptim social dhe unitet kombëtar në qoftë se ‘ E VERTETA’ fshehet dhe i mohohet masës së gjërë. ‘ E verteta ’ sado e hidhur që të jëtë është pambarimisht më e mirë se ‘gënjeshtra’, pasi ‘ e verteta ‘ qetëson shpirtrat, shëron plagët dhe rindërton të ardhmen kurse ‘gënjeshtra’ bën të kundërtën; vetëm armiqëson, dhe shkatërron !
‘Proçesi i hapjes së dosjeve dhe ligji i lustracionit’ pasojë e së shkuarës rënqethëse të periudhës së diktaturës komuniste dhe veprës së sajë më të fëlliqur , ‘luftës së klasave’ pati dy grupe protagonistësh; shtypsin dhe të shtypurin. Shtypësi ishte “fitimtari”, komunisti Enverist që për të fituar dhe mbajtur pushtetin ( sipas metodës Staliniste-Enveriste ) duhej të zhdukte dhe të neutralizonte çdo person që mendonte ose mund të mendonte ndryshe, kurse ‘të shtypurit’ ishin “ humbësit” , d.m.th. ato të mjerë që mbartnin vetëm një “faj të pafalshëm” : nuk pajtoheshin me krimin komunist. Natyrisht konflikt nuk ishte kaq i thjeshtuar, pasi në kompleksitetin e tij përfshinte veset më të ndyra të shoqërisë njerëzore…
Mekanizmi i shtypjes, për të kontrolluar situatën dhe për të justifikuar dënimet para masës së gjërë, kërkonte spijunë dhe dëshmitarë që shërbenin në proçese gjyqësore të montuara. Njerëzit më të preferuar për këtë qëllim gjindeshin në gjirin e ‘klasave të përmbysura’. Rekrutimi bëhej me metodën e dhunës së diktaturës, kundërshtimi për të “bashkëpunuar” kishte për pasojë dënimet nga më të lehtat, siç konsideroheshin pushimi nga puna e deri ne internim dhe burgosje… Duhet të pranojmë se fatkeqësisht, spijunë me dosje dhe dëshmitarë të “instruktuar” pati me bollek, por kjo nuk i “turpëron” shqiptarët, në se kujtojmë se ne Gjermaninë Lindore, mekanizmi i diktaturës prodhoi 800.000 spijunë me dosje !
‘Shkaku’ i kësaj situate tragjike ishte dhuna Enveriste e vënë në zbatim nga Komitetet e Partisë, Sigurimi i Shtetit, Hetusija, Prokurorija dhe Gjykatat me ‘Pasojë’ degjenerimin moral të një pjese të popullsisë shqiptare si dhe përndjekjen politike të një pjese tjetër. Natyrisht, shoqëria post komuniste, duhet të mbajë qëndrim ndaj ‘shkakut’ dhe ‘pasojës’ dhe kjo është e pasqyruar në proçesin në fjalë, por duke u nisur sipas eksperiencës juridike botërore dhe sipas traditës kanunore shqiptare bëjmë thirrje që më i ashpër të jetë qëndrimi ndaj ‘shkakut’ se sa ndaj ‘pasojës; “ ma zi gërgasi se sa vrasësi”.
Duke konsideruar se ‘proçesi i hapjes së dosjeve dhe i ligjit të lustracionit’ përbën një dukuri me ndikim të gjërë dhe të mprehtë në gjirin e shoqërisë shqiptare, shumë e ndjeshme ndaj kësaj teme, si dhe dëshirën tonë për një zhvillim të suksesshëm , apelojmë para organeve egzekutive dhe ligjvënese për një zhvillim transparent të proçesit, gjë që nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e të gjithë palëve të interesuara. Me qenë se pala me e prekur dhe si rrjedhim më e interesuara për një proçes të drejtë, gjithëpërfshirës dhe transparent është ajo e ish të përndjekurve politikë, Shoqata apelon me forcë për të drejtën e kësaj shtrese që të bëhet palë në process, vetëm kështu proçesi do të mund të bëhet i besueshëm, pra i suksesshëm.
*Për Shoqatën e Ish të Përndjekurve Politikë Shkodër
- « Previous Page
- 1
- …
- 3
- 4
- 5
- 6
- Next Page »